Biletat më të lira të festivalit Sunny Hill mbyllen sot. Menjëherë pas kësaj, do të filloj zbulimi i emrave të artistëve më të mëdhenj të muzikës botërore që do të jenë pjesë e këtij edicioni.
Ka ardhur momenti i fundit për të siguruar biletat “Believer” për Sunny Hill Festival 2025! Vetëm deri në ora 20:00 do të keni mundësinë për të blerë biletën me çmimin me të lirë ndonjëherë, e që u siguron mundësinë për të qenë pjese e festivalit me të madh të muzikës në rajon.
Menjëherë pas mbylljes së biletave të llojit “Believer”, do të nis zbulimi i emrave të parë të artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë që do të ndezin skenat e këtij edicioni spektakolar.
Këtë vit, Sunny Hill Festival po premton një listë artistësh që do ta bëjnë këtë edicion absolutisht të paharrueshëm dhe atraktiv për adhuruesit e muzikës nga gjitha vendet e Evropës. Këtë vit, numri i njerëzve që do të marrin pjesë në Sunny Hill Festival nga vendet e ndryshme të botës pritet të rritet edhe më tej. Vitin e kaluar, Sunny Hill Festival ka shërbyer mbi 100,000 njerëz në gjithë edicionin e festivalit.
Sunny Hill Festival mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë dhe pritet të ofrojë një atmosferë elektrizuese, performanca të paharrueshme, dhe një miks të fuqishëm të ikonave globale me talentet më të mirë të skenës vendore.
Prishtinë, Kosovë – Një nismë e re e titulluar Iniciativa e Barabar (shkon) në komunitet, e cila është lansuar zyrtarisht këtë muaj, synon të shfrytëzojë fuqinë e artit dhe kulturës për të promovuar përfshirjen, kohezionin dhe pjesëmarrjen demokratike në mbarë Kosovën.
Financuar nga Bashkimi Evropian dhe udhëhequr nga Integra në partneritet me Qendrën për Veprime Afirmative Sociale (CASA), projekti dyvjeçar do të mbështesë organizatat e shoqërisë civile (OSHC) me bazë në komunitet, gratë artiste dhe aktiviste dhe punonjësit lokal të kulturës për të udhëhequr përgjigjet kreative ndaj disa prej sfidave sociale më urgjente të Kosovës.
“Duke krijuar hapësirë për zërat e nismave me bazë në komunitet, veçanërisht grave dhe komuniteteve e nënpërfaqësuara, ndërtojmë një platformë për dialog, kreativitet dhe ndryshim civil”.
Në qendër të nismës është Rrjeti Barabar në Komunitet (BGN), një kornizë e re bashkëpunimi që do të bashkojë së paku 15 OSHC-të me bazë në komunitet dhe 10 artiste nga e gjithë Kosova. Nëpërmjet trajnimeve të përshtatura, nën-granteve dhe ngjarjeve bashkëpunuese, anëtarët e BGN do të zbatojnë nismat lokale dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave kombëtare, veçanërisht në fushat që lidhen me përfshirjen sociale, pjesëmarrjen kulturore, drejtësinë tranzicionale dhe barazinë gjinore.
Projekti BIG bazohet në mësimet e nxjerra nga Qendra Barabar në Prishtinë, një hab kulturor ndëretnik i nisur në vitin 2023. Ky projekt e zgjeron këtë model përtej kryeqytetit dhe në komunitetet lokale, duke ofruar mbështetje për ata që tashmë janë duke punuar në vijën e parë të përfshirjes dhe angazhimit qytetar.
“Arti dhe kultura nuk janë vetëm shprehje, ato janë mjete për shërim, fuqizim dhe ndryshim politikash”
Materialet informuese publike, duke përfshirë një broshurë dhe njoftime e ardhshme për aktivitetet e radhës, janë në dispozicion në faqet e internetit dhe kanalet e mediave sociale të partnerëve të projektit./ KultPlus.com
Presidenti amerikan Donald Trump e ka pranuar se tarifat e tij mund të çojnë në çmime më të larta dhe ulje të disponueshmërisë së disa produkteve në SHBA.
“Fëmijët amerikanë ndoshta mund të kenë dy kukulla në vend të 30”, tha Trump, duke këmbëngulur se Kina do të vuante më shumë se SHBA nga lufta tregtare.
Bëhet e ditur se presidenti amerikan po përpiqet të sigurojë publikun se tarifat e tij nuk do të shkaktojnë recesion, pasi një raport i ri i qeverisë tregoi se ekonomia amerikane u tkurr në tre muajt e parë të këtij viti, përcjell Telegrafi.
Trump fajësoi menjëherë paraardhësin e tij, Joe Biden, ndërsa i tha administratës së tij se Kina “ka një problem të madh sepse fabrikat e saj nuk po funksionojnë”, duke shtuar se SHBA-së nuk i duhen shumë nga ato që importojnë nga Kina.
“E dini, dikush tha po sikur raftet të jenë bosh. Ndoshta fëmijët do të kenë dy kukulla në vend të 30. Ndoshta ato dy kukulla do të kushtojnë dy dollarë më shumë sesa zakonisht”, tha Trump.
Ndryshe, përpara fjalimit të Trumpit, Departamenti i Tregtisë raportoi se ekonomia amerikane u tkurr me një normë vjetore prej 0.3% në tremujorin e parë.
Rënia u nxit nga një rritje e importeve pasi kompanitë u përpoqën të merrnin mallra përpara se të hynin në fuqi tarifat gjithëpërfshirëse./ KultPlus.com
Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, sipas raportit të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF).
Vendi renditet i 80-ti në botë, nga 180 shtete të vlerësuara, duke u ngjitur me 19 pozicione krahasuar me vitin 2024.
Në nivel rajonal, Shqipëria pozicionohet e treta për lirinë e medias, pas Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke lënë pas një vend të Bashkimit Evropian si Greqia.
Sipas raportit, një lajm pozitiv është se në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast i gazetarëve të vrarë apo të burgosur gjatë vitit të fundit.
Megjithatë, RSF evidenton se sfidat mbeten të pranishme, veçanërisht në lidhje me konfliktin e interesit dhe pavarësinë ekonomike të mediave. “Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga lidhjet e ngushta midis botës së biznesit dhe politikës. Gazetarët përballen me frikësime nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thekson raporti.
Sipas të dhënave të raportit, Shqipëria ka performuar mirë në indikatorë si siguria, aspektet ligjore dhe ato sociale, ndërsa ka rezultuar dobët në treguesit politikë dhe ekonomikë, çka pasqyron ndikimin e fortë të politikës dhe interesave biznesore në funksionimin e mediave.
Për krahasim, Kosova dhe Serbia janë renditur më poshtë në indeksin rajonal, përkatësisht në vendin e 99-të dhe të 96-të në botë.
Pjesë nga raporti
“Gazetarët përballen me presion politik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve. Politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale duke politizuar rregullatorët e medias dhe duke emëruar ata që janë përgjegjës për median publike. Gazetarët kritikë ndaj autoriteteve shpesh i nënshtrohen sulmeve të dizajnuara për t’i diskredituar ata si nga qeveria ashtu edhe nga opozita, dhe ata kanë vështirësi në marrjen e informacionit shtetëror, qasja në të cilin mund të jetë edhe më e kufizuar nga një centralizim i kohëve të fundit i komunikimeve qeveritare”.
Korniza ligjore
“Edhe pse kushtetuta e Shqipërisë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Si rezultat i vendimeve gjyqësore kontraverse, mediave iu ndalua të mbulonin çështje të ndjeshme me interes publik”.
Konteksti sociokulturor
“Gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin janë veçanërisht objektiva të kërcënimeve. Gazetaret gra, të cilat përbëjnë shumicën e profesionit, përballen me ngacmime online dhe në disa raste me diskriminim gjinor brenda organizatave të lajmeve, megjithëse ka pasur përparim në këtë fushë. Autocensura është e përhapur, por megjithatë mediat kanë krijuar një platformë për vetërregullim etik, të parin e këtij lloji në Shqipëri”, thuhet në raport.
Rajoni dhe bota
Në rajonin e Ballkanit, raporti vëren një rënie të përgjithshme të lirisë së shtypit. Mali i Zi mban vendin më të lartë në rajon, në pozicionin e 37-të, i ndjekur nga Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Serbia. Kosova ka shënuar gjithashtu rënie në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 99-të.
Në përfundim, RSF nënvizon se presioni ekonomik, i lidhur me përqendrimin e pronësisë, varësinë nga reklamuesit dhe mungesën e mbështetjes publike transparente, është një nga faktorët kryesorë që po e minojnë lirinë e medias. “Pa pavarësi ekonomike nuk mund të ketë shtyp të lirë”, thuhet në raport.
Në nivel global, raporti për vitin 2025 kryesohet nga Norvegjia, e ndjekur nga Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda. Ndër vendet që kanë pësuar rënie të lehtë janë Shtetet e Bashkuara, që kanë zbritur nga vendi i 55-të në të 57-in, dhe Italia, nga vendi i 46-të në të 49-in.
Eritrea mbyll listën e renditjes botërore, ndërsa Kina dhe Koreja e Veriut pozicionohen menjëherë më sipër, duke përbërë tre vendet me lirinë më të kufizuar të medias./ KultPlus.com
Microsoft, pronari i Skype, njoftoi se më 5 maj do ta mbyllë zyrtarisht këtë platformë komunikimi pas më shumë se dy dekadash ekzistencë.
Që nga viti 2003, Skype ishte platforma e parë që u lejonte përdoruesve të kryenin thirrje audio dhe video falas nga një kompjuter në tjetrin në të gjithë botën dhe transferonte thirrjet fikse dhe mobile në internet.
Siç është deklaruar nga Microsoft, qëllimi i tyre është të thjeshtojnë ofertën për përdoruesit dhe të përqendrohen në “platformën e tyre të fuqishme të biznesit Teams”, në të cilën miliona përdorues të mbetur të Skype do të ridrejtohen në ditët në vijim, raporton Independent.
Në një deklaratë që njoftonte fundin e Skype, kompania Microsoft, e cila e bleu platformën në vitin 2011 për 8.5 miliardë dollarë, pranoi se ky ishte një akt i “heqjes së Skype nga aparati i mbështetjes së jetës, në të cilin kishte qenë, realisht, për dhjetë vjet”.
Një nga shpjegimet për rënien e Skype është se nuk ishte i përshtatur për telefonat inteligjentë dhe nuk mund të përballonte konkurrencën nga aplikacionet e përshtatura për të punuar nga shtëpia, siç është Zoom./ KultPlus.com
Kult Plus ua sjell një fragment nga romani i tij “Gjarpri i shtëpisë’.
Në atë farë fshati ishte një shtëpi… Shtëpia ku isha lindur dhe ku po e kaloja fëmijërinë, bota e tërë që po e njihja në vitet e para të jetës sime. Ajo ishte goxha shtëpi, me një bodrum poshtë dhe me tri dhoma lart (në midis ishte dhoma e zjarrit, kurse në të dy krahët e saj ishin dhoma jonë e fjetjes dhe dhoma e xhaxhait). Para derës së shtëpisë shtrihej një copë oborr, i ngushtë dhe i pjerrët, që merrte fund me dyert e mëdha me deriçkën përngjitur me to. Një herë, derisa dyert ishin të hapura dhe zbrazëtinë e mbushte hija e dendur e arrave të xha Fejzës, nuk e di pse, oborri ynë më qe dukur si një gjuhë e nxjerrë jashtë nga vapa e një qeni gjigant, kurse dyert – si goja e tij. Ndoshta pse ua kisha frikën qenve, ndodhte që ndonjëherë të më bëhej se po mblidhej nën këmbët e mia ajo gjuha e stërmadhe dhe kështu po më fuste në gojën e vet ai farë qeni gjigant i përfytyruar. Skajit të oborrit rridhte vija e hollë e ujit, sikur të donte ta njomte përherë gjuhën e atij qeni dhe kështu ta zbuste egërsinë e tij. Në njërën anë shtriheshin vatha, pojata, çilari dhe oda, kurse në anën tjetër ishin kopshti, lëmi, hambari dhe plemja. Nën të gjitha këto zbriste fort pjerrtas Ara e Bregut, ku kishte rrezik t’i thyeje jo vetëm këmbët, por edhe qafën. Po t’i shikoje nga Shpati (ku dilja shpesh me gjy- shen për t’i kullotur qengjat), krejt këto krijonin një pa- mje laramane: shtëpia ishte e mbuluar me qeramidhe, pojata me dushk, hambari e çilari me kashtë, kurse oda, e ndërtuar vonë, – me tjegulla, të kuqe gjak. Aty i shtrinin kurorat e tyre dy arrat e mëdha, ngriheshin përpjetë disa dardha, sesi i ngatërronin degët disa mollë e disa kumbulla, përpiqej të grabiste sa më shumë tokë një ftua me shumë trungje nga të njëjtat rrënjë, sikur të mos donte të rronte i vetmuar në atë vend, ku çdo pemë e kishte së paku një shoqe të llojit të vet. Nga Shpati shihej gjysma e shtëpive të fshatit. Përpiqesha t’i krahasoja dhe më dilte se shtëpia jonë ishte ndër më të bukurat. IN MEMORIAM 28 – Gjyshe, kush e ka shtëpinë më të bukur? – pyetja. Ajo i numëronte katër-pesë shtëpi dhe ndër to ishte edhe shtëpia jonë. -Ne, pëllumbi i gjyshes, – më shpjegonte ajo, – i kemi pasur të gjitha të mirat: edhe shtëpinë e mirë, edhe në vend të mirë, edhe tokën më pjellore se të askujt… vetëm meshkujt nuk i kemi pasur të hajrit. Prandaj, na ka mbetur vetëm kjo shtëpi si dëshmi e asaj se kush kemi qenë dikur. Po edhe kjo e shkreta i ka hequr një mijë të zeza. Sa e mbaj mend unë – kush mund ta dijë se ç’ka pësuar më përpara? – deri tash e kanë djegur tri herë… – Kush e ka djegur, gjyshe?! – Së pari e kanë djegur zaptijet e turkut, pastaj xhandarët e Serbisë dhe, së fundi, italianët… Doja të pyetja se ç’ishin ata farë zaptijesh, xhandarësh e italianësh, po më vinte keq ta preja në gjysmë rrëfimin e gjyshes. -Dhe secilën herë, – vazhdonte gjyshja, – e kemi ngrehur më të fortë e më të bukur. Së pari ka qenë me kashtë të zakonshme, së dyti me kashtë thekre tërë renda-renda, së treti me shinra… të gjitha të gdhendura me durim për inat të armiqve… dhe tash, si e sheh, e mbuluam me qaramidhe… që ta kenë më vështirë kur ta djegin sërish… Ndonëse nuk më kishte rënë të shihja ndonjë shtëpi duke u djegur, përfytyrimet e mia ishin më se të llahtarshme. – E pse e kanë djegur kështu vazhdimisht shtëpinë tonë? -Pse, a? Sepse të zotët e saj kanë qenë gjithmonë dofarë kryengritësish, kaçakësh, gjakësorësh, vullnetarësh… e ku ta di unë çka jo, të cilët nuk i shtroheshin dot as pushtetit të fshatit, as pushtetit të shtetit. Secili prej tyre ishte më kokëfortë e më i papërkulur se tjetri… Të gjithë njësoj: e mira e tërë botës, e keqja e kokës dhe e shtëpisë së vet… Më tej rrëfimet e gjyshes merrnin ngjyra të tjera emocionale dhe nuk e dije më në i qortonte për së vdekuri e për së gjalli ata burra kryeneçë (babai e xhaxhai domosdo ishin dy prej tyre), apo mburrej me trimëritë e tyre. Dikur ajo kridhej me tërë shpirtin në botën e kujtimeve të saj të pazakonshme dhe tashmë fliste hapur me mburrje e me krenari për vjehrrin, për burrin dhe për djemtë e saj, kurse mua më kapte njëfarë shqetësimi. Në fytyrën e saj të ndezur nga krenaria më dukej se e shihja flakën e shtëpisë dhe zija të dridhesha nga frika se dikush mund të na e digjte sërish shtëpinë dhe të na linte në titërr të lënd- 29 inës. Ajo pothuaj harronte fare se më kishte pranë (lëre më të mundohej të hynte në shpirtin tim të vogël e plot shqetësime), ia ngjallte vetes kujtimet e kohëve të shkuara, prandaj e merrte si krejt të zakonshme djegien e herëpashershme të shtëpisë sonë dhe derisa e shikonte atë sikur mrekullohej dhe u thoshte në vetvete ndezësve të ardhshëm: “Do t’ia merrni të ligat shtëpisë sonë! Muret i ka prej guri, pullazin prej qeramidhesh, digjeni në mundshi!”. Për një çast trimërohesha edhe unë. Besoja se nuk mund ta digjnin po t’i lëshoheshin të gjithë ndezësit e botës, prandaj lirisht mund të bëhesha edhe unë kryengritës, kaçak, gjakësor, vullnetar e çkado që të më tekej. Dhe ia shihja vetes për të madhe pse isha shqetësuar e isha frikësuar kot së koti. Po mua më tepër ma nxitnin kureshtjen ata që fshihnin përbrenda të gjitha ato që i takonin shtëpisë dhe oborrit tonë, sesa t’ia shikoja ashtu për karshi dhe t’i dë- gjoja rrëfimet e gjyshes për kohët e djegësve të pamëshirshëm. Isha në një moshë kur nuk më rrihej në një vend, as nuk mund të kënaqesha dot me një të shikuar. Hyja e dilja prej një dhome në tjetrën nga disa herë në ditë. Zbritja me kënaqësi në bodrum me nënën dhe me gjyshen, kur shkonin ta milnin lopën. U shkoja pas në pojatë. Kisha dëshirë të ndukja edhe unë kashtë a sanë me kërrabë në pleme, t’i shihja zogjtë se si hynin e dilnin nëpër pallzina, t’i kërkoja e t’i gjeja çerdhet e tyre, me të cilat ishte plot kashta e pullazit. Edhe në çilar e në hambar mund të ndiente njeriu një kënaqësi të veçantë, sidomos po ta shikonte botën nëpërmjet pallzinave të tyre. Kështu, secila më dukej më tërheqëse se tjetra, kurse çdo herë që hyja në ndonjërën prej tyre më bëhej se zbuloja diçka të re, apo ato që i kisha parë tash më dukeshin disi më ndryshe. E sidomos bodrumi më tërhiqte me njëfarë fuqie magjike. Ashtu i errët, tërë pleh, ku gati ta zinte frymën duhma e shurrës dhe e bajgave që digjeshin, me vatrën e mbetur shkret (bodrumi kishte qenë dikur dhomë zjarri), me raftet anash saj dhe me dollapët në të gjitha muret, ku tash pulat i bënin furriqet – gjithnjë më dukej plot fshehtësi, plot b 30 rënë. Kishin mbetur vetëm gurët e zhvoshkur, kurse ndërmjet tyre i hapnin gojët vrimat e panumërta, formash dhe madhësish të ndryshme. Ashtu të shplarë edhe nga grimca e fundit e baltës së dikurshme ndërlidhëse, gurët dukej se kacavareshin apo se rrinin pezull fare dhe vetëm pritnin çastin të shembeshin. Hardhucat hynin e dilnin nëpër ato vrima si në shtëpi të vet. – Duhet të mbajmë sa më shumë pula, – thoshte gjyshja, – sepse, si na është bërë ky bodrumi ynë – sikur të mos kishim burrë në shtëpi – do të na mbysin gjarpërinjtë. Pulat, sikur vërtet ta kishin kuptuar këtë mendim dhe këtë frikë të gjyshes, shkonin e shpurthnin tërë ditën e lume pikërisht rrëzë mureve të bodrumit dhe përreth plehut, ku shpesh gjenim vezë gjarpërinjsh. Ato ishin më të mëdha se të vremçave dhe më të vogla se të pulave – ve të tjera nuk më kishte rënë të shihja – më dukeshin të bukura dhe më pëlqente të luaja me to. Prandaj, i kërkoja me ngulm dhe kjo dëshirë do të më mbetej përgjithmonë, derisa të rritesha, sikur nga një sosh të mos më dilte një gjarpër i vogël, i hollë, tërë lara… Ai filloi të zvarrisej tërë qejf, sikur mezi të kishte pritur ta çliroja nga gëzhoja e vezës së tij, duke e nxjerrë ritmikisht thimthin e tij të vocërr. Unë bërtita dhe as dita të ikja nga tmerri, gjarpri ikte lakadredhas, një pulë e vuri re dhe sakaq e goditi në kokë me sqepin e saj të sigurt, vdekjeprurës. Ja, nuk ishte e thënë që të rronte më gjatë, të bënte më tepër se një hap rrugë, as të shihte më shumë se një pleh, një fëmijë të trembur dhe një pulë vrastare, në e pastë parë fare, duke qenë i mrekulluar nga drita që po e shihte për herë të parë dhe nga sendet, të cilave ajo u jep shkëlqim dhe ngjyra. Nga kjo ditë nuk guxova të luaja dhe më me vezë gjarpërinjsh. Edhe murin e çaraveshur zura ta shikoja me frikë gjithnjë më të madhe. Tamam kur në shpirtin tim nisi të lëshonte rrënjë gjithnjë më të thella kjo frikë, në dhomën tonë të fjetjes, në pikë të ditës, e gjetëm një gjarpër të madh. Ishte shtrirë në tërë gjatësinë e shtrati, fare i qetë, thuajse ndodhej në shtrat të vet e jo në shtrat të botës. Nëna këlthiti. Mua, që po i shkoja bisht pas, nuk më doli as zëri nga frika. Gjyshja hyri me nxitim në dhomën tonë. Ajo sikur u qetësua nga ajo që pa në shtrat. 31 – Dil përjashta, – i tha nënës. – Jepi djalit ujë që t’i kalojë frika. Nëna më dha ujë dhe piu edhe vetë. Gjyshja mbeti të merrej vetëm me gjarprin. Nuk ka më trime se gjyshja, mendoja. Pa e prishur fare terezinë – kjo mbresë mund të fitohej nga zëri i saj – zuri t’i fliste gjarprit. Fjalët e saj ishin të qeta, të ëmbla, plot kujdes e perkëdheli. E luste të mos na bënte keq, të largohej nga shtrati ynë dhe të strukej në vrimën e vet. Herë pas here e vidhja me bisht të syrit se ç’bënte gjyshja e si ia dëgjonte fjalët gjarpri – uji vërtet më kishte qetësuar pak – dhe nuk mund t’u besoja as syve, as veshëve të mi. Gjarpri, sikur t’i thoshte gjyshes: “Ndonëse më pëlqen të prehem në këtë shtrat të pastër, që kundërmon erë sane të re, po iki, po ta bëj qejfin, pasi qenke kaq plakë e mirë e trime”, zbriti nga shtrati, e trupoi dhomën dhe u fut pak me përtesë në një vrimë të murit, skaj dyshemesë. – Pse nuk e thirre dikë nga burrat që ta mbyste?! – pothuaj e qortoi nëna. – Si të flemë tash në këtë dhomë, kur e dimë se në atë vrimë është strukur një gjarpër aq i madh?! Gjyshja e shikoi nënën më tepër me keqardhje e me habi, si të ishte e vogël fare, sesa me hidhërim. – Si të mbytet, moj, gjarpri i shtëpisë?! Je në vete ti? Ai është roja jonë… Nëna u skuq dhe e uli kokën. Ishte turp të flitje keq për të, apo të mos e njihje fare gjarprin e shtëpisë. Si të mos kishte ndodhur gjë fare, gjyshja u ul në stolin e saj pranë vatrës, e futi në shokë furkën tërë zbukurime, i dha hov boshtit gati të mbushur plot dhe pastaj filloi t’i fliste nënës, duke i mbajtur sytë në fundin e shtëllungës së leshit, prej nga dilte peri: -Si nuk e ditke, moj, se gjarpri i shtëpisë nuk të kafshon?! Ku më je rritur ti që nuk e paske mësuar?! – E di, e di, – u përgjigj nëna e turpëruar. – Ama sa vlen kjo, kur rrëqethem sapo ta kujtoj gjarprin, e lëre më edhe ta shoh në shtratin tim, ta di se e kam në dhomë, se mund të më futet nën jorgan, në gji të fëmijëve… -Edhe në u futtë, nuk u bën gjë, – fliste gjyshja me siguri të plotë. – E kam gjetur gjarprin unë edhe nën jorgan, edhe në djep të burrit tënd kur IN MEMORIAM 32 ka qenë foshnjë… I kam folur dhe ai më ka dëgjuar, është futur në vrimë të vet… Mbaje mend, se je e re ti, gjarpri është rojë e robëve të shtëpisë. Kur ne flemë, ai kalon mbi trupat tanë që të na mbrojë. Ku ka gjarpër, nuk ka të keqe… – E si na mbron, gjyshe? – pyeta, pasi nuk më bindën fjalët e saj. – Si?! – u zu ngushtë ajo. – Këtë nuk e di as unë… Gjarpri është fshehtësi e madhe… Ai ashtu na duket, por vetëm zoti e di se ç’fshihet nën lëkurën e tij… dhe sa është… sa fuqi ka… Gjarpri mund të jetë edhe njeri… Ta kam treguar atë përrallën për djalin gjarpër që martohet me çikën e mbretit? – Po, gjyshe. – Edhe ata kanë menduar se ajo është martuar me gjarpër, po ç’djalosh i bukur na ka qenë ai! Gishtat e thatë të gjyshes e nduknin dhe e ngjeshnin leshin me shpejtësi të pabesueshme, boshti sillej aq shpejt sa agërshaku gati nuk shihej fare. Gjyshja e ndër- prente pakëz rrëfimin sa për t’i pështyrë gishtat, kurse unë sakaq tretesha në përfytyrime të botës mahnitëse e plot befasi të asaj përrallës për djaloshin 33 Gjyshja vazhdoi të fliste, nëna gjeti një arsye dhe doli përjashta, kurse mua më kujtoheshin përralla e rrëfime të ndryshme për gjarpërinj e për bolla. Ishte rrëqethës sidomos rrëfimi për një bollë të gjatë sa një litar, me flokë të kuqe si një vajzë, e cila i mbyste njerëzit që hynin në livadhin ku rronte ajo. Më bëhej se e ndieja se si ma shtrëngonte trupin ajo bollë gjigante dhe pastaj sesi e fuste kokën e saj nën sqetullën time, që të ma shponte trupin dhe të ma hante zemrën… Dora më shkonte vetvetiu së pari nën sqetull, pastaj mbi zemër… Zemra ishte aty dhe rrahte pak më shpejt se zakonisht, duke treguar kështu jo vetëm se ishte aty, në vendin e vet, shëndoshë e mirë, por edhe shqetësimin tim. Pas kësaj ngjarjeje frika erdhi duke m’u shtuar me hov për çdo ditë e për çdo natë. Ditët i kaloja disi, ama netët donin të më çmendnin fare. Sapo fikej drita, më bëhej se më sulej një gjarpër në fytyrë. Bërtitja. – Ç›ke? – më afrohej nëna. – Po kam frikë, – mezi flitja. – Ih, edhe ti! Duke u rritur, duke u bërë më frikacak! E sheh se nuk ka gjë?! Fli tash! Ja, edhe llambën po ta lë të ndezur. Nëna e ndizte Ilambën, ia ulte fitilin që të mos shpenzonte shumë vajguri dhe shtrihej. – Ke frikë tash? – më pyeste. – Jo, – i thosha, duke ia ngulur sytë dritës së zbehtë të llambës, sikur prej saj të më vinte shpëtimi. Babai kishte filluar të gërhiste kaherë. Edhe nëna flinte. Unë përpiqesha të rrija zgjuar, duke e endur shi- kimin prej dritës së llambës nëpër trarët e tavanit dhe prej trarëve te drita, gjithnjë duke u përpjekur të mos e lëshoja shikimin poshtë te dyshemeja, në fund të murit, ku ishte vrima e atij gjarprit të tmerrshëm. S’e di sa rrija ashtu, po dikur qepallat më rëndoheshin dhe gjumi pa- pritmas më kapte në kurthin e vet. Ëndrrat më shfaqeshin secila më frikësuese se tjetra. Shembje dhe gjarpërinj. Përnjëherësh shembeshin muret e bodrumit, gurët merr- nin rrokullisjen teposhtë Arës së Bregut, kurse gjarpërinjtë dilnin grumbuj-grumbuj prej tyre dhe, duke bërë leqe me trupat e tyre të shkruar e duke i nxjerrë thimthat, vinin drejt meje, donin të më hidheshin sipër bashkë me tavanin, i cili tashmë kishte mbetur pezull pas shembjes së mureve. IN MEMORIAM 34 Këlthitja dhe ia nxirrja vetes gjumin me zërin tim, apo më tundnin e më zgjonin prindërit, nuk e kuptoja dot. Kur i hapja sytë, veten e shihja të ulur në cep të shtratit. Anash më qëndronin prindërit, të cilët nuk mund të ma gjenin çarenë. Llamba vazhdonte ta dridhte atë dritën e vogël e të dobët. Muret ishin të tëra e të bardha, si gjithmonë. Tavani – në vendin e vet, i nxirë dhe i bluar nga krimbat si mos më keq, i bërë blozhdë. – Ç›pate? – më pyetnin. – Ç›të trembi? Në sy ua shihja frikën, shqetësimin, dhembshurinë. I shikoja i hutuar, duke u dridhur, pa mundur të vija në vete, pa arritur të kthehesha plotësisht në botën e qetë të dhomës sonë. – Pse bërtite? – më pyetnin sërish. – Na trego… Ç’po të dëftohet? -Gjarpërinjtë… gjarpërinjtë dhe bodrumi… – mezi përgjigjesha dhe trupin ma përshkonin të rrëqethurat. – Ç›gjarpërinj?! Ç›bodrum?! -Bodrumi po shembet… gjarpërinjtë po dalin prej vrimave të veta… po më sulmojnë… Më shikonin me habi, me frikë, me shqetësim, me dhembshuri. -Ç›gjarpërinj? – babai përpiqej të më largonte nga ankthi i ëndrrave të mia. – E sheh, këtu nuk ka asgjë. Edhe ne jemi me ty. Edhe llambën po ta lëmë të nde- zur… Ndërkaq, bodrumi është i fortë… nuk mund ta rrëzojë as gjylja e topit… – Nesër duhet të shkosh te hoxha, – i pëshpëriste nëna babait. Ai sesi mëdyshej në vetvete e nuk thoshte gjë. Për çdo natë ëndrrat vinin duke m’u bërë më të tmerrshme. Nuk më ndihmonin gjë as prania e prindërve, as llamba e ndezur, as fjalët më të ëmbla të botës… Më sollën hajmali të shumë hoxhallarëve. M’i vunë ato në trup, nën jastëk, ku jo? Ma dhanë ta pija ujin e tyre dhe ujin e shehlereve, të cilat më kishin shkrirë plumb (nëna thoshte se plumbi tregonte shumë gjarpërinj të lidhur lëmsh). Edhe në tyrbe ma shpunë një rrobë trupi. Edhe baba shehu më përbiroi nëpër tespihet e tij të gjata, duke kënduar dua arabisht… Mirëpo, gurët dhe gjarpërinjtë e ëndrrave të mia sikur vetëm merrnin forma të reja nga çdo hajmali dhe nga çdo të yshtur. Gurët rro- kulliseshin gjithnjë 35 më marramendshëm teposhtë Arës së Bregut, gjarpërinjtë lakadredheshin e nxitonin gjithnjë e më shumë drejt meje, tavani më zbriste një pëllëmbë mbi kokë… Dhe do të binte e do të ma zinte frymën sikur të mos bërtitja me sa zë kisha dhe sikur prej zërit tim të mos trembeshin të gjithë, të mos e ndalnin hovin dhe të mos pendoheshin për atë që kishin dashur të bënin: gurët ktheheshin sërish në mure, gjarpërinjtë fshiheshin në biruca, tavani nderej mbi kokat tona dhe qëndronte më se i sigurt mbi të katër muret… Ja, papritur të gjitha shta- ngeshin në vend dhe të mbushej mendja se ashtu të ngrira kishin qenë gjithmonë. Vetëm nëna dhe babai viheshin në lëvizje: kërcenin të trembur nga shtrati, më jepnin të pija një gëllënkë ujë, përpiqeshin të më sillnin në vete më fjalët më të ëmbla. Me të mbaruar të të shirave babai na çoi te dajat. – Po të çoj më herët se viteve të tjera, – i tha babai nënës, – që djali ta ndërrojë pak vendin dhe që gjyshja e tij t’i kërkojë farë ilaçi për ato ëndrrat. Nëna mezi priste të shkonte në gjini. Edhe unë u gëzova shumë. Më kishte marrë malli për gjyshen. Për një çast i harrova edhe gurët e zhvoshkur të bodrumit, edhe gjarpërinjtë, edhe hajmalitë. Fshati i dajave ishte një botë krejt tjetër kundruall Murrizajës. Atje kishte vetëm pyje të mëdha ahu, ku nuk mund të hynte as drita e diellit, lëndina me fier dhe tek-tuk ndonjë arë. Kishte shumë lajthi, kumbulla dhe patate. Lajthi dhe kumbulla kishte edhe te ne, po patate nuk kishte. (Ndonëse e kishim tokën më të mirë në botë, thoshin se nuk i bënte patatet, prandaj nuk mbillte njeri). Unë i doja shumë patatet dhe vazhdimisht e përfytyroja gjyshen duke i nxjerrë nga prushi patatet e pjekura. Ahet i gjetëm ashtu madhështore e të errëta si edhe herat e tjera. Fierin të skuqur dhe aty-këtu të kositur (ua shtronin kafshëve dhe e hidhnin mbi kulme shtëpish). Lajthi dhe kumbulla mund të shihje edhe ndanë rrugës. Gjethet e patateve shiheshin në çdo arë, po ato vetë ishin fshehur thellë në dhe, sikur ta kishin kuptuar se ç’me- raklinj po u urdhëronin në fshat. E merrja me mend se atyre së para u pëlqente t’i hidhje në zjarr, t’i piqje dhe t’i haje pastaj. Edhe shtëpia e dajave ishte po ajo, mbase pak më e rrëzbitur: e zezë futë nga tymi (kishin qorroxhak), por disi e ngrohtë, e dashur. Nuk kishte bodrum dhe ende pa hyrë mirë në të e ndieja veten të sigurt. IN MEMORIAM 36 E vumë re edhe njeriun e parë, gjyshen. Ishte në lëmë. Ashtu e vogël, e hajthme dhe e gërmuçur, hidhte dy-tri tërplote në hava, pastaj e linte tërplotën menjanë që me fshesë ta lante grumbullin e drithit nga kashtëzat dhe nga kallëzat. Ajo punonte me nguti, që ta hidhte drithin para se të binte terri, prandaj as kishte kohë të shikonte anash. – Gjyshe! – e befasova. Ajo e hodhi fshesën, më shtrëngoi fort në parzmën e saj të ligësht, m’i përkëdheli flokët dhe më tha: – Qenke bërë burrë, lum gjyshja për ty! Në mbrëmje u mblodhën të gjithë rreth vatrës, pos dajës, i cili se ku ishte argat. Drita e fitilaçes ishte aq e dobët, sa nuk mund shihje as të haje, lëre më të punoje gjë (gratë domosdo duhej të thurnin diçka, sidomos nëna, që vetëm tash kishte kohë më shumë për çorapët, jelekët e dorezat tona dhe për pështjellakët e vet dhe të gjyshes). Babai u ngrit, e mori fitilaçen nga gozhda dhe pastaj, pak prej së larti e si zot shtëpie e jo si mysafir, i tha nuses së dajës: – Ma sill një gjilpërë! Ajo zuri të sillej si e ndërkryer nëpër mugëtirën e dhomës, duke gjëmuar sikur të kërkohej të bënte një gjë të pamundshme. Dikur mezi ia solli babait gjilpërën. -Merre, – i tha me zë të dridhur, – po mos ia ngrit shumë, se nuk bën, se prishet… – Këtë e di unë, – iu përgjigj prerë dhe me mospërfillje babai dhe ia rriti flakën derisa zuri të nxirrte tym. – Nuk do të fikeni për një natë, xhanëm. Nesër- mbrëma, pasi të kem ikur unë, po deshët mos e ndizni fare. -Të lumtë dora! – e uroi gjyshja me gjysmë zëri, nga frika se po e dëgjonte e reja. – Më verbuan para kohës. I ka bashkuar zoti… Në ato fjalë u hap dera. – Ç›e keni çuar aq shumë fitilin e fitilaçes?! – e dëgjuam më parë zërin e dajës sesa e pamë atë vetë. Kur na pa ne, e uli zërin, u përshëndet me mysafirët, po më dukej se syri i kishte mbetur te drita e fitilaçes. Rrija në një qoshe dhe ç’mendoja. 37 – Eja në prehrin tim të të dhuroj diçka. U ula në prehrin e ngrohtë të gjyshes dhe iu dorëzova dëshirës së saj posi një qengj i perkëdhelur. Ajo se ç’më vuri rreth qafës. E ndjeva vetëm se qe e ftohtë. – Sa i bukur! – tha nëna tërë kënaqësi. E shikova për së kithi: ishte një krahosh fort i bukur, me gjithfarë larash e me plot rrusha tërë lajle. – Ta bajë djali, që të mos i bjerë mësysh, – tha gjyshja. – Ma ka punuar për qejf një arnaute… Dajat i quanin kështu gratë e disa fshatrave fqinjë, të cilat vishnin dimi të leshta, dofarë rrobash të tjera të veçanta dhe punonin me rruaza gjithçka, me të cilat e stolisnin çdo pjesë të veshjes dhe të trupit. – Duart e arta i kanë këto arnautet! – i mburri gjyshja. – Ç’u sheh syri e punon dora. E shihni, e ka punuar gjarprin si të ishte i gjallë, me lara, me sy… – Gjarprin! – këlthita dhe brofa në këmbë i shastisur. Nëna, që ma dinte hallin, më kapi për krahësh. – Rruaza janë ato, rruaza… – më fliste ajo, pa e ditur se si të më sillte në vete. – Ja shikoji, preki! Ma hoqi krahoshin nga qafa dhe ma afroi ta prekja. Po unë u struka në një kënd të dhomës, pa guxuar as ta shikoja atë krahosh në formë gjarpri, i cili më dukej se ende po ma shtrëngonte fytin, kurse nga ftohtësia e tij më ngjethej trupi. Unë mbeta ashtu në kënd, kurse babai e nëna se ç’i shpjegonin diçka gjyshes me zë të ulët që të mos i dëgjoja unë. E qartë: flitnin për mua dhe për frikën time. – Si, more?! – foli gjyshja me zë pak më të lartë sa ta dëgjoja edhe unë. – Deri tash nuk më ka rënë të dëgjoj të jetë frikësuar fëmijë nga rruazat. I ç’brumi na qenka ky nipi im?! Më vinte shumë keq se pse ia kisha lënduar zemrën gjyshes sime të mirë, duke e refuzuar një dhuratë aq të bukur, po ç’të bëja, pasi frika ime, si çdo frikë tjetër, kishte shpërthyer krejt papritur dhe pa dëshirën time? As gjyshja nuk mund të vinte në vete pas kësaj ngjarjeje. Të nesërmen, sigurisht jo pa keqardhje, gjyshja e bëri copë-copë atë krahosh të mrekullueshëm. Rrethin në formë gjarpri e la për tezet e mia të IN MEMORIAM 38 vogla, që ta varnin në qafë pasi të ikja unë, kurse rrushat m’i vuri në jelek dhe në flokë, që të mos i shkonte krejt kot mundi asaj arnautes duarartë dhe që syri i keq të ikte sa më larg prej meje. Ndonëse te dajat e ndieja veten shumë më mirë, ndodhte që ndonjëherë të ëndërroja se si ngjallej ai gjarpri i krahoshit dhe zinte të ma shtrëngonte fytin… Kështu, krejt në ankth, më kaluan edhe vjeshta, dimri, gjysma e pranverës… Atëherë babai u kujtua t’i lyente me baltë faqet e jashtme të mureve të bodrumit dhe të më sillte dy gjarpërinj të mbytur. – Ja, – më tha, – murin e leva që të mos mund të hyjë në të as buburreci, kurse gjarpërinjtë i mbyta që të gjithë. Tash fli i qetë. Gjarpërinjtë me koka të çallamitura i vari në gardh. Po t’i prekje me thupër, trupat e tyre, e sidomos bishtat, lëviznin ende. – Baba, ata lëvizin! – thashë me shqetësim e me frikë, derisa fëmijët e tjerë i preknin për t’u argëtuar. – Do të ringjallen dhe… – Jo, jo, nuk do të ringjallen, – ma priti babai me një ton të zërit që të jepte siguri të plotë. – Sapo të perëndojë dielli, nuk do të lëvizin më. Në mure nuk kishte mbetur plasë as për të hyrë maja e briskut, e lëre më vrima për gjarpërinj. Plehu ishte hedhur i tëri në ara, vendi i tij ishte bërë tepsi. Gjarpërinjtë e mbytur u ngrinë, përgjithmonë, me të perënduar të diellit; kot i preknin me thupër, muskujt e tyre nuk do të lëviznin kurrë më për jetë të jetëve. E mora edhe unë një thupër. E preka të parin: ishte bërë koçan. E preka të dytin: po ashtu. Tash e ndjeva njëfarë sigurie të papandehur, njëfarë çlirimi të atypëratyshëm nga ankthi që më kishte mbajtur në kthetrat e veta aq muaj me radhë. Po nga ëndrrat e mia shembjet dhe gjarprinjtë u larguan shumë më ngadalë, me manovrime të papritura, me tërheqje taktike dhe me sulme të sërishme krejt të befasishme. Ndodhte kështu, sepse ishte e pamundshme që rreth e përreth të mos shihje gjarpërinj për çdo ditë e në çdo gjë. Gjarprin e skalitnin në arka të nuseve, në kërroqe, në dërrasa të 39 tavanit, në bisht të kosës, në kënata, në ibrigë e në kalanica, e qëndisnin në këmisha, e punonin për qafore e për byzylykë, e paraqitnin në qilima e në sixhade… Madje edhe ato vijat zigzag zbukuruese të ço- rapëve dhe të punëdoreve të tjera të kujtonin gjarprin, të thjeshtuar e të shndërruar tashmë në shprehje simbolike. Ndonëse nuk e kuptoja pse ndodhte kështu, gjithnjë e më tepër po bindesha se as plakat, as pleqtë, as burrat, as gratë, as vajzat nuk mund ta merrnin dot me mend pa ato figura të pafund e aq të larmishme të gjarpërinjve. Gjarprin e nderonin të gjithë dhe nuk ishte aspak në rregull t’ia kishe frikën, apo, ruajna zot, ta urreje. Dhe përpiqesha të mësohesha me të. Disa vjet më vonë, pasi kisha dëgjuar aq shumë përralla të reja për gjarprin, kisha parë aq shumë skalitje, qëndisje e endje të tij dhe pasi kisha parë shumë gjarpërinj të gjallë, sërish ma përshkuan trupin të dridhurat, kur në derën e oborrit të një bashkëfshatari, tek i cili babai më kishte dërguar të kërkoja diçka, e vura re se trakulloja vinte disi si gjarpër. Përnjëherësh më sulmuan të gjitha ato kujtime e ëndrra të ankthshme të dikurshme. E përmblodha veten, e ngrita dorën dhe trokita tri herë, me guxim, gjithnjë më fuqishëm se herën e mëparshme. Të trokiturat jehuan të qarta, të sigurta, të fuqi- shme… Ato sikur shprehnin ngadhënjimin tim përfun- dimtar mbi ankthin e frikës nga çfarëdo gjarpri, e jo vetëm prej atyre të shtëpisë, apo prej atyre gjarpërinjve të pajetë, të cilët qëndronin gjithmonë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën pozitë nëpër arka, bishta kose, kërroqe, tavane, qilima, këmisha… Kur u rrita edhe ca, më hyri meraku të kisha një brisk. Ëndërroja se si do të punoja një mulli të vogël, me rrotë që do ta sillte uji i Gurrës, me gur të bërë nga një copë gërnaç, me dizhmë, me koshin e drithit, madje edhe me një çakallë sa grima… Doja të gdhendja edhe një shkop të bukur, ta thurja një shportë për gjyshen, t’i punoja disa drugëza ojmesh për Beharen… Xhaxhai vërtet ma plotësoi dëshirën. Brisku që më bleu në Prishtinë m’u duk më i bukur se asnjë brisk që kisha parë ndonjë herë. Nxitova në oborr që ta provoja në prente mirë, në i lakohej maja. Syri ma kapi një copë shkopi lajthie. Pa e kuptuar as vetë se ç’doja të punoja, zura ta skalitja në të figurën e gjarprit. Brisku ishte shumë i mprehtë, maja ishte IN MEMORIAM 40 e fortë dhe shumë e përshtatshme, prandaj as e hetoja se si ia gdhendja kokën, gojën e hapur, syrin, vijat dhe larat e trupit, bishtin e përdredhur, madje edhe thimthin e nxjerrë përjashta, pa më shkuar aspak ndër mend se ç’tmerr më kishin futur në shpirt dikur ato vija, ata sy, ai thimth… / KultPlus.com
Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës.
Demolli la pas shumë vepra letrare të njohura si: “Lushi si askushi”, “Pëllumbat e kujtimeve”, “Ballkonet e një qyteze” e shumë të tjera.
Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme normale dhe fakultetin filozofik, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare.
Pos në arsim, punoi në revistën “Bota e Re”, Televizionin e Prishtinës, “Fjala”, “Pionieri”.
Tregimet e tij janë përfshirë në panorama dhe në antologji të ndryshme të prozatorëve shqiptare. Librat “Ballkonet e një qyteze” dhe “Pëllumbat e kujtimeve” i janë ribotuar edhe në Tiranë.
Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.
Për romanin “Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie” mori Çmimin “Pjetër Bogdani” të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin “Pse gjirafa ka qafë të gjatë” mori çmimin letrar “Vehbi Kikaj”. /KultPlus.com
Më 2 maj 1999, civilë shqiptarë të fshatit Studime të Vushtrrisë u morën dhe vranë nga forcat serbe. Sot e asaj dite ende nuk është vënë drejtësi për viktimat.
Brenda dy orëve ishin pushkatuar nga paramilitarët serb 116 persona civil që ishin në kolonë për tu shpërngulur në drejtim të Shqipërisë. Shumë tjerë ishin plagosur e me mijëra tjerë pas arrestimit nga forcat serbe ishin depërtuar për në Shqipëri.
Familjarë dhe qytetarët nderojnë çdo vit viktimat nga forcat serbe, duke përkujtuar luftën e Kosovës./ KultPlus.com
Këngëtarja, aktorja franceze dhe shpikësja e vetëshpallur e diskotekës Regine Zylberberg ka vdekur para tri vitesh në moshën 92-vjeçare, transmeton KultPlus.
Pretendimi i Regine se ajo shpiku diskotekën e ka origjinën nga klubi i parë i natës që ajo hapi në Paris në vitet 1950.
Vendi në pjesën Latin Quarter të qytetit, ku kishte gramafonë dhe DJ, ndryshonte nga vendet e vallëzimit me xhuboks, të cilat ishin të zakonshme në atë kohë.
Ky stil i klubit të natës u përhap dhe më vonë u bë një perandori shumëmilionëshe për këngëtaren. Në kulmin e saj, ajo përbëhej nga 22 vende, me klube në Nju Jork, Rio de Zhaneiro dhe Kuala Lumpur.
Regine, emri i plotë i së cilës ishte Regine Zylberberg, “kishte yjet e gjithë botës duke kërcyer në klubet e saj të natës”, tha Palmade.
Regine gjithashtu luajti në disa filma, duke përfshirë Robert dhe Robert, me regji nga Claude Lelouch dhe Partneri Im i Ri nga Claude Zidi.
Këngëtarja lindi nga hebrenjtë polakë në Bruksel në vitin 1929. Gjatë fëmijërisë së saj, ajo u detyrua të fshihej nga nazistët në Francën e pushtuar.
Babai i saj Joseph drejtonte atë që Regine e përshkroi si një “kafene hebreje të klasës punëtore”.
Kjo, tha ajo, e shtyu atë të kishte vendin e saj, ku ajo do të zgjidhte klientët.
“Doja konte dhe dukë – njerëz me tituj,” tha ajo për BBC në 2005.
Ylli tregoi se si vazhdoi të mësonte ish-mbretin Eduard VIII të kërcente dhe më vonë kërceu me Princin Charles në një ballo të ambasadës./ KultPlus.com
1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.
Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.
Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.
Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.
Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.
Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje; liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës. / KultPlus.com
“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.
“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.
“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.
“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je speciale”.
“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”
“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.
“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.
“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për ikur kurrë nga ty”.
“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.
“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”. / KultPlus.com
Në vitin 1918, më datë 1 maj, në ilegalitet të plotë u themelua komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Ky komitet në po të njëjtin vit më 7 nëntor, u vendos përfundimisht në Shkodër, nga figurat e shquara atdhetare si Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Niman Ferizi, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra etj.
Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare mbrenda Jugosllavisë, që ishin të shkëputura padrejtësisht më 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. /KultPlus.com
(Foto nga Albanian Vintage Photography) / KultPlus.com
Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë, ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë – dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…
Me duer ndër xhepa poetët trokë shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë; askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…
Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë! Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije! Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije! Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë! Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije! Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!…/KultPlus.com
Regjisori i njohur amerikan, Martin Scorsese do të risjellë në jetë ëndrrën e fundit të papa Françeskut.
Filmi ”Aldeas – A new story” do të thellohet në lëvizjen arsimore Scholas Occurrentes, e themeluar nga Françesku në vitin 2013 si një organizatë për nxënësit e shkollave për të realizuar projekte.
Kompania e prodhimit ”Aldeas Scholas Films”, pjesë e Scholas Occurrentes, e quajti filmin një ëndërr të fundit të papa Françeskut dhe një dokumentar të ri të fuqishëm.
Ajo shtoi se do të paraqiste biseda midis regjisorit fitues të çmimit Oscar, Scorsese, dhe papës së ndjerë.
Prodhimi është në bashkëpunim me kompaninë e Scorsese-s, ”Sikelia Productions” dhe ”Massive Owl Productions”, të bashkëthemeluara nga Victoria Brooks, e cila ka punuar në ”Downton Abbey” dhe ”Peaky Blinders”.
Scorsese, 82 vjeç, tha se ”tani, më shumë se kurrë, duhet të flasim me njëri-tjetrin, të dëgjojmë njëri-tjetrin në mënyrë ndërkulturore. Një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë është duke ndarë historitë se kush jemi, të reflektuara nga jeta dhe përvojat tona personale. Na ndihmon të kuptojmë dhe vlerësojmë se si secili prej nesh e sheh botën. Ishte e rëndësishme për papa Françeskun që njerëzit në të gjithë globin të shkëmbenin ide me respekt, duke ruajtur gjithashtu identitetin e tyre kulturor, dhe kinemaja është mediumi më i mirë për ta bërë këtë”.
Scorsese, i cili drejtoi filmat “Goodfellas”, “Taxi Driver” dhe “The Wolf Of Wall Street”, u takua më parë me Françeskun në shtator 2023 në një audiencë me figura publike dhe në vitin 2016 pas shfaqjes së filmit të tij ”Silence”, rreth priftërinjve jezuitë që përpiqeshin të përhapnin krishterimin në Japoninë e shekullit XVII.
Regjisori është gjithashtu pas dokumentarëve muzikorë “George Harrison: Living In The Material World”, “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story”, “Beatles ’64” dhe “The Last Waltz”.
Françesku nuk ishte nga ata që i shmangej vëmendjes duke u shfaqur në serialin e Netflix “Stories Of A Generation”, dokumentarin e Leonardo DiCaprio-s për ndryshimet klimatike “Before The Flood” dhe filmin e vitit 2018 “Pope Francis: A Man Of His Word”./KultPlus.com
E plotë nata kurrrë s’mundet të jetë, Besomëni për çka po ju them, Besomëni për çka ju betohem. Çdo hidhërim ka një dritare të hapur, Një dritare të ndezur, Ka një ëndërr që lind, Ka një dëshirë që pret të përmbushet, Ka një uri që pret të shuhet, Ka një zemër fisnike, Ka edhe një dorë të zgjatur, Ka edhe dy sy në pritje, Ka edhe një jetë që hyn në një jetë./KultPlus.com
Dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit, përkthyer nga përkthyesi i njohur i letërsisë shqipe, Sébastien Gricourt, botohet në frëngjisht nga shtëpia botuese Fauves, e cila në kopertinën e pasme të librit ka vendosur këtë fragment nga libri: “Goja hapet, rrëfimi fillon.
Është rrëfim me lot e luftë. Dora mbi tastierë troket. Dëgjohen rafalët nëpër qytet. Ato jetë që u shuan dikur, ngjallen prapë tani. Këtu në bardhësinë e faqes në ekran, një bardhësi parajse. Rrëfimet bëhen me radhë. Në të njëjtën karrige ulen nënat, etërit, motrat, vëllezërit, bijtë e bijat, radhazi dhe flasin, heshtin, qajnë, dëshmojnë. Rrëfimet e tyre shpesh ndërpriten nga lotët që shfaqen si trepikësh në fjalinë e lënë përgjysmë.”
Gjithashtu, në pjesën e pasme të librit shkruan se “duke reflektuar mbi tragjedinë e bijve, vëllezërve dhe burrave të rrëmbyer, të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës, Ag Apolloni eksploron kuptimin e amësisë në një histori që i bën jehonë me delikatesë pikëllimit të dy nënave me mitin grek të Niobes. Profesori letërsisë në Universitetin e Prishtinës (Kosovë), Ag Apolloni përkthehet në frëngjisht për herë të parë.”
Frëngjishtja është gjuha e gjashtë në të cilën përkthehet ky roman, i cili deri tash është përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, holandeze, rumune dhe malazeze, ndërsa është në proces botimi edhe në disa gjuhë të tjera. Ky roman është vlerësuar lart nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj. Libri në frëngjisht do të promovohet këtë muaj në kuadër të festivalit të letërsisë “Nuit de la Littérature”, në Paris./KultPlus.com
Çka nuk mund të shkruhet e thuhet për të. Dëshmor i kombit, simbol i luftës për liri, shembull i kurajës prej qytetari dhe intelektuali, shkrimtar i rëndësishëm, poet i dorës së parë e këngëtar e këngëtar i ndjeshëm. Kur ndalemi tek kjo e fundit, sot mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një këngëtar që publiku vazhdon ta adhurojë. Ai ka lënë pas vetes disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e tij, shkruan KultPlus.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Por figura e tij është e pazëvendësueshme.
Një ndër këngët e tij më të dashura është edhe “Maji”, një këngë e ndjeshme dhe e përzemërt që flet për dashurinë dhe dhimbjen që ndjen një person pas ndarjes me të dashurin.
Teksti i këngës “Maji” është shkruar në një stil poetik dhe romantik, ku Jusufi shpreh ndjenjat e tij në një mënyrë të ndjeshme dhe të përsosur. Kjo këngë është e pasur me metafora të bukura dhe me një melodi që përfshin zemrën dhe shpirtin e dëgjuesit.
“Maji” është një këngë që shpreh dëshirën për të rrëfyer ndjenjat e dashurisë dhe mungesën e saj.
“Maji” është një pjesë e mrekullueshme e artit muzikor shqiptar, e cila vazhdon të ndjehet e shijohet nga publiku edhe sot.
KultPlus ju sjell edhe tekstin e plotë të këngës.
Maji
Ditët m’kaluan me l…. mbante një kapelë ngjyrë hiri në muajin maj, maj, maj, ishim taku’
Më vonë takova Dafinën, Vjosën, Valbonën dhe Shpresën, lulëzonte maji, maji, maji, lulet kanë çel’ për bukuri
M’kaploi dëshira dikah për t’u tretë me të shpejtë botën shëtita shpesh të pikëlluem m’ka gjetë muaji maj në ndonjë skutë të kësaj bote
Kthehem prapë në shtëpinë time, rrugët si më parë buzëqeshin, prapë muaji maj, maj, maj, më ledhaton
At’botë pranë meje qëndronte, vogëlushja me sy pranvere, po si ky maj, maj, maj, më ka gëzu’
Po t’i shikoj flokët e saj, sytë n’bukuri do t’i laj më t’bukurin maj, maj, maj n’buzëqeshje t’saj
Pse po e fsheh tash shikimin, n’zemër më zgjove dyshimin pse n’muajin maj, maj, maj, më sjell dyshim, mos më mundo
.…. ajo m’shikon prapë më buzëqesh si më parë, tash n’muajin maj, maj, maj, ngela pranë saj
…… përvidhet kur m’thotë “zotni i vjetër”, ish’ muaji maj, maj, maj, më i bukuri maj, kaloi me faj. /KultPlus.com
“Lulet e Majit” ishte një serenatë që muzikanti Pjerin Ashiku, e kompozoi gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa punonte në torno. Këngën ia dedikoi një personi të rëndësishëm për të.
Ndër vite kjo këngë është kënduar në Shkodër, Korçë dhe Gjakovë, e madje ka patur dilema për origjinën e saj. Por, kantautori Gjokë Vata insiston se autori i vetëm është Pjerin Ashiku.
Kënga popullore është në krize dhe po humbet identitetin e saj shqiptar, thotë Vata, teksa bën apel që të vlerësohen ata që kanë bërë art të vërtetë./ KultPlus.com
Në një udhëtim artistik të ndjeshëm dhe personal, Valdrin Thaçi ka prezantuar ekspozitën e tij të parë personale në Kosovë, me titullin “Shtëpia mbi Kodër”, e cila u hap më 30 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës – Qafa, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 3 qershor 2025. Kjo ekspozitë e kuruar nga Erka Shalari, sjell një ndërthurje intime të kujtesës, identitetit dhe përkatësisë, të shpalosur në një gjuhë vizuale që shmang rrëfimet lineare për të hapur një hapësirë për reflektim të thellë dhe dialog emocional.
Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqituara artikulojnë një gjuhë mes pikturës dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për vizitorët që orientohen mes tyre.
Veprat të cilat janë ekspozuar, kishin secila emrin e saj. “Ylli i Vogël” e punuar në vitin 2023 është një kuadriptik i realizuar me vaj në pëlhurë, që sjell një lojë të ndjeshme të dritës dhe hapësirës në përmasa 97 x 90 cm. “Bora e Parë” është një vepër skulpturore që kombinon dru dhe tekstil (patisk), duke krijuar një strukturë me dimensione 72.5 x 65 x 40 cm, e cila evokon ndjesinë e prekshme të dimrit të parë.
“Shtëpia mbi Kodër” e punuar në 2024 sjell një kompozim në argjilë me përmasa 25 x 25 x 22 cm, që përcjell një ndjenjë intimiteti dhe nostalgjie.
“Nëna” është një pikturë me vaj në pëlhurë, me përmasa 144 x 110 cm, që eksploron lidhjet e thella emocionale përmes figurës së nënës. “Prova” është një tjetër pikturë me vaj në pëlhurë, me dimensione mbresëlënëse 200 x 160 cm, që trajton dinamikën dhe tensionin e momenteve përgatitore.
Në qendër të ekspozitës qëndronte maketa e një shtëpie – model i shtëpisë së fëmijërisë së artistit, e vendosur dikur mbi një kodër, në vendin ku ai ka lindur. Pikërisht ky objekt simbolik, nga i cili ekspozita merr edhe titullin, është një pikënisje për të trajtuar nocionin e shtëpisë si një strukturë jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore.
Lidhur me lidhjen e tij shpirtërore me veprat e tij, artisti Valdrin Thaqi u shpreh për KultPlus se shtëpia e cila ishte pjesë e ekspozitës, është modeli i shtëpisë së tij që ishte mbi një kodër në vendlindjen e tij.
“Domethënë kjo shtëpia që në fakt është pjesë e ekspozitës, është model maketë e shtëpisë time të fëmijërisë që ka qenë e vendosur në një kodër në vendin ku unë kam lindur, kështu që emri i ekspozitës vjen prej ksaj, e përshkruan këtë nocionin e shtëpisë, identitetin personal”, është shprehur Thaqi.
Tutje, ai është shprehur se nuk mund të specifikojë diçka si fillimi i inspirimit për një punë, por që është inspiruar nga gjërat që e rrethojnë, hulumtimet, librat e lexuar dhe që është një përzierje e krejt këtyre.
Thaqi tregoi se veprat janë punuar gjatë tri viteve të fundit dhe janë punë të serive të ndryshme por që janë bërë bashkë për këtë ekspozitë që është ekspozita e tij e parë personale në Kosovë.
“Shpresoj që publiku kanë me e prit mirë që secili me pa atë çfarë kam paraqitur, për mua është shumë personale, narrativi është shumë personal, tek publiku për mua është shumë e paparashikueshme se çfarë merr publiku ose çfarë pret prej një ekspozite sepse secili e sheh në mënyren e vet”, u shpreh në fund Thaqi.
Ndërkaq, kuratorja e kësaj ekspozite, Erka Shalari e përshkruan procesin e bashkëpunimit me artistin Valdrin Thaqi si një përvojë ndryshe. Bashkëpunimi për ekspozitën “Shtëpia mbi Kodër” në Galerinë Kombëtare të Kosovës ka qenë një praktikë e hapur, e lirë dhe larg strukturave të ngurta kuratoriale.
“Me e veçanta ka qenë fakti që ne jemi takuar dhe kam parë hapësirën për herë të parë, dhe mënyra se si e ka konceptuar ka qenë e lirë. Unë nuk jam pro praktikave kuratoriale që janë hierarkike. Më pëlqen fakti që artisti është shumë bashkëpunues në tekst dhe në ndërtimin e narratives”, është shprehur ajo.
Për të, ekspozita është fryt i një kurimi të përbashkët, të zhvilluar në kohë dhe me mendim të thellë. Tutje, ajo ka shtuar se narrativat që ndërtonin sot, nesër nisnin pyetje të tjera dhe kjo është një lloj kurimi. Ajo tregon se me Valdrinin kanë pasur një praktikë kuratoriale shumë të veçantë.
Shalari vëren se çdo vepër është e pazëvendësueshme brenda hapësirës së ekspozitës dhe për këtë arsye asnjëra nuk mund të mendohet jashtë saj.
“E kam të vështirë të ndaj veprat. Çdo punë që do merrej nga ekspozita do ndryshonte gjithçka. Në mënyrën e tyre, veprat komunikojnë në heshtje me njëra-tjetrën”, u shpreh ajo.
Në këtë proces, ajo ka kaluar kohë me artistin dhe ka ndjekur nga afër kontekstin personal të tij, gjë që ka qenë thelbësore për krijimin e një narrative të ndjeshme dhe të vërtetë.
“Kam parë lokalet ku rri me shokët, kam parë punime të vjetra dhe pjesën e gjimnazit. Ka qenë shumë e bukur – kemi punuar shumë dhe kemi menduar për çdo fjalë. Ka mundësi që një nga punët të jetë pjesë e ndonjë group show diku tjetër, por nuk ka tendencën që të shkojë diku. Kjo ekspozitë është për këtu”, ka shtuar ajo.
Ajo thekson edhe zgjedhjen për të lënë hapësirë të bardhë dhe për të reduktuar numrin e veprave, çka sipas saj i jep një intensitet më të madh përvojës vizuale.
Për Shalarin, vendimi për të marrë pjesë erdhi natyrshëm, pas kontaktit me veprën dhe thellësinë e saj.
“Ajo që më bëri të them po ishte Valdrini, puna e tij e thellë – dhe pastaj vjen hapësira, se ku jemi”, shtoi kuratorja Shalari në fund./KultPlus.com
Sot bëhen 35 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.
Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.
Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.
Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë familje të cilat falen mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. / KultPlus.com
“Empire State Building” u hap zyrtarisht më 1 maj 1931. Presidenti amerikan Herbert Hoover shtypi një buton në Uashington DC që ndezi dritat e ndërtesës më të lartë në botë në atë kohë, sipas history.com.
Ideja për ndërtimin e “Empire State Building” thuhet se ka lindur nga një garë mes Walter Chrysler nga Chrysler Corporation dhe John Jakob Raskob i General Motors për të parë se kush mund të ngrinte ndërtesën më të lartë.
Chrysler kishte filluar tashmë punën në ndërtesën e famshme “Chrysler”, 318 metra e lartë në qendër të Manhatanit.
Raskob mblodhi një grup investitorësh të njohur, duke përfshirë ish-guvernatorin e Nju Jorkut, Alfred E. Smith. Grupi zgjodhi kompaninë e arkitekturës “Shreve, Lamb & Harmon” për të projektuar ndërtesën.
Planet e Art-Deco, që thuhet se bazoheshin kryesisht në pamjen e një lapsi, ishin gjithashtu të përshtatshme për ndërtuesit. E gjithë ndërtesa u ngrit për më shumë se një vit, me një buxhet prej 40 milionë dollarësh dhe përpara afatit. Gjatë periudhave të caktuara të ndërtimit, korniza rritej me katër kate e gjysmë në javë.
“Empire State Building”, me 102 kate dhe 381 metra e lartë (443 metra deri në majën e ndërtesës), ishte qiellgërvishtësi më i lartë në botë. Ndërtimi gjatë “Epokës së Depresionit” punësoi deri në 3400 punëtorë në ditë, shumica e të cilëve morën pagesa të larta, veçanërisht duke pasur parasysh kushtet ekonomike të asaj kohe.
Ndërtesa e re e mbushi qytetin e Nju Jorkut me një ndjenjë të thellë krenarie, dëshpërimisht e nevojshme në thellësitë e Depresionit të Madh, ku shumë banorë të qytetit ishin të papunë dhe perspektivat dukeshin të zymta.
Mbërthimi i Depresionit në ekonominë e Nju Jorkut, ishte ende i dukshëm një vit më vonë, ku vetëm 25 për qind e zyrave të “Empire State” ishin marrë me qira.
Në vitin 1972, “Empire State Building” humbi titullin si ndërtesa më e lartë në botë kundrejt Qendrës Tregtare Botërore të Nju Jorkut, që u rendit si qiellgërvishtësi më i lartë për vetëm një vit. Sot nderi i takon kullës “Burj Khalifa” në Dubai, e cila është 827 metra e lartë./KultPlus.com
Ylli brazilian Ayrton Senna vdiq më 1 maj 1994, pasi u përplas në San Marino Grand Prix 1994 – garat e Formula 1 – piloti i dytë që humbi jetën gjatë asaj që Bernard Charles Ecclestone, një ish-manjat britanik i biznesit e quajti – një fundjavë katastrofike.
Një nga tre pilotët brazilianë të “Formula 1” që u bë Kampion Bote, Senna fitoi 41 “Grand Prix” dhe vendosi 65 “pole position”, me këtë të fundit duke thyer rekordin deri në vitin 2006.
Senna filloi karrierën e tij në garat me “karting” dhe me pas në garat “open-wheel racing” në 1981 dhe fitoi Kampionatin Britanik të Formula 3 në vitin 1983.
Ai bëri debutimin e tij në Formula 1 me Toleman-Hart në 1984, përpara se të transferohej te Lotus-Renault për sezonin e 1985 dhe të fitonte gjashtë Grand Prix gjatë tre sezoneve të ardhshme.
Në vitin 1988, ai iu bashkua francezit, Alain Prost në McLaren-Honda. Ata fituan të gjitha garat, përveç njërit nga 16 Grand Prix atë vit, dhe Senna pretendoi Kampionatin e tij të parë Botëror.
Prost fitoi kampionatin në 1989, dhe Senna kampionatin e tij të dytë dhe të tretë në sezonet e 1990 dhe 1991.
Në vitin 1992, kombinimi Williams-Renault filloi të dominojë në Formula 1.
Senna arriti të përfundojë sezonin e 1993 si nënkampion, duke fituar pesë gara dhe duke negociuar një zhvendosje në Williams në 1994.
Senna u be i njohur për shpejtësinë e tij kualifikuese mbi një xhiro.
Nga viti 1989 deri në vitin 2006, ai mbajti rekordin për shumicën e “pole positions”.
Ai u vlerësua gjithashtu për performancat e tij në mot të lagësht duke fituar garat të tilla si, “Monaco Grand Prix 1984”, “Portuguese Grand Prix 1985” dhe “European Grand Prix 1993”.
Ai arriti një rekord me gjashtë fitore në “Monaco Grand Prix”, dhe është piloti i gjashtë më i suksesshëm i të gjitha kohërave për sa i përket fitoreve në “Grand Prix”, dhe ka fituar më shumë gara për McLaren se çdo pilot tjetër./Kultplus.com
Më 26 Prill 2025, në orën 20:00, Kori “Siparantum” u ngjit në Matthäuskirche në Berlin, si pjesë e koncertit “Around the World”. Ky koncert mblodhi bashkë ansamble dhe kore të shquara nga Greqia (Polychromon), Spanja (B-Tenors) dhe Lituania (ARTyn), duke krijuar një mbrëmje me dimensione të thella ndërkulturore dhe artistike.
Kori “Siparantum” u prezantua me një program të pasur që përfshinte vepra të kompozitorëve bashkëkohorë , kulmuar me premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord” nga kompozitori gjerman Christian Bährens. Kjo vepër u drejtua nga vetë autori, duke i dhënë interpretimit një karakter unik dhe një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes krijimit dhe ekzekutimit artistik.
Formacioni u përforcua nga solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, ndërsa mbështetja pianistike u realizua nga Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj.
Në kuadër të festivalit ndërkombëtar ChoralSpace, Kori “Siparantum” mori pjesë në një sërë punëtorish muzikore dhe sesionesh interpretative, të cilat përfaqësuan një përvojë formuese për koristët në tërësi. Këto punëtori ishin të fokusuara ekskluzivisht në veprat e kompozitorit të njohur Ola Gjeilo, i cili ishte i pranishëm si kompozitor dhe pianist, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin interpretativ të veprave të tij dhe duke ndarë me pjesëmarrësit reflektime mbi procesin krijues, ngjyrimin estetik dhe ndërlidhjen midis tekstit dhe muzikës.
Në kuadër të paneleve të diskutimit dhe prezantimeve artistike, Kori “Siparantum” u ngjit në podiumin e sallës Otto Braun Saal, Berlin për të interpretuar veprën “Still” të Ola Gjeilo-s, nën shoqërimin ë pianistes Denita Dedushaj.
Koristët e Siparantum-it, së bashku me ansamble të tjera pjesëmarrëse, patën mundësinë të përfshiheshin në një proces të thelluar muzikor nën drejtimin e dirigjentëve të mirënjohur nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo qasje multidimensionale në punën me repertorin bashkëkohor solli një pasurim të ndjeshëm të përvojës interpretative dhe artikulative të korit, duke thelluar jo vetëm aftësitë vokale, por edhe ndjeshmërinë estetike dhe vetëdijen stilistike të interpretimit. Veprat e kompozitorit Ola Gjeilo, të karakterizuara nga ndërtimi i ngjeshur harmonik, linjat modale dhe teksturat me ngarkesë emocionale, u punuan përmes një procesi të kujdesshëm muzikor të udhëhequr nga një plejadë dirigjentësh, secili me qasje të veçantë stilistike dhe pedagogjike. Dirigjentët që drejtuan këto sesione ishin Ilmārs Millers, Steve De Veirman, Stefan Schuck, Iveta Mikalajūnaitė, Lesley Challender, Memli Kelmendi, Valerija Skapiene dhe Kalina Marszałek-Dworzyńska.
Më 27 Prill 2025, në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, Kori “Siparantum” u ngjit në skenë në pjesën e parë të koncertit për të interpretuar premierën e veprës “Zanat e Malit”, vepër Premierë nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.
“Ishte një përvojë shumë e mirë. Më interesonte, si kompozitor, të dëgjoja se si tingëllon vepra në Filharmoninë e Berlinit, duke pasur parasysh që është një ndër sallat më të mira në botë për nga akustika, dhe u ndjeva shumë mirë që isha sot këtu. Shpresoj në bashkëpunimet e radhës dhe në vepra të tjera premierë, siç ishte kjo,” u shpreh kompozitori Kreshnik Aliçkaj.
Kjo vepër për kor femrash, violinë, piano dhe kastanjeta solli në skenë një bashkëdyzim të thellë mes mitologjisë shqiptare dhe gjuhës bashkëkohore muzikore. Interpretimi u realizua në bashkëpunim me violinisten e shquar Sihana Badivuku, një nga emrat më të vlerësuar të skenës koncertale shqiptare dhe ndërkombëtare, me shoqërimin e pianistit Agron Shujaku dhe nga Aurora Hyseni, në kastanjeta.
“Ishte për mua një privilegj të jem pjesë e performancës dhe koncertit këtu në sallën e Filharmonisë së Berlinit me Korin “Siparantum”, nën udhëheqjen energjike dhe unike të dirigjentit Memli Kelmendi, i cili me të vërtetë inspiron prej vitesh me punën dhe përkushtimin e tij. Kjo vepër ka elemente interesante, motive dhe dialogje ku violina, pianoja dhe kori bashkëbisedojnë në skenë. Falënderoj shumë për bashkëpunimin Memlin, Agronin, Kreshnikun dhe zërat fantastikë të këtij kori, i cili mendoj se ka një të ardhme edhe më të ndritur përpara, ndonëse ka arritur shumë deri më tani, sepse ka ndërkombëtarizuar kulturën tonë kosovare dhe do t’i hapen edhe më tej dyert në skenat botërore”, u shpreh violinistja e shquar Sihana Badivuku.
“Zanat e Malit” u prit me entuziazëm dhe admirim të veçantë nga publiku i pranishëm, duke marrë kritika të larta pozitive nga muzikologë dhe adhurues të muzikës .
Pjesa e dytë e koncertit në Filharmoninë e Berlinit, më 27 Prill 2025, përfaqësoi kulmin artistik, duke sjellë në skenë mbi 500 pjesëmarrës – 485 koristë nga ansamble të ndryshme nga mbarë bota, orkestrën dhe vetë kompozitorin Ola Gjeilo, i cili shoqëroi veprat në piano. Ishte një përvojë unike ku çdo zë bëhej pjesë e një organizmi të përbashkët artistik, dhe ku fuqia e tingullit e tejkaloi çdo kufi. Në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, u interpretuan disa nga veprat më të njohura të Ola Gjeilo-s si The Spheres, Tundra, Ecce Novum, Ave Generosa, Across the Vast Eternal Sky, The Rose, Ubi Caritas dhe The Ground. Momenti më emocional i mbrëmjes ishte padyshim ngjitja në podium e dirigjentit të Korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, i cili drejtoi veprën “The Rose” përkrah mbi 500 pjesëmarrësve.
“Të jesh i rrethuar nga 500 zëra në Filharmoninë e Berlinit, përballë vetë Ola Gjeilo-s, ishte si të gjendesh në zemrën e një universi muzikor – ku çdo tingull lundronte si një dritë e padukshme në ajër dhe përqafohej me tjetrin në heshtje të thellë. Ishte një moment ku fryma e botës u bë një zë i vetëm, i përbashkët, që prekte shpirtin me hijeshi hyjnore,” u shpreh Memli Kelmendi, dirigjenti i Korit “Siparantum”.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje përfaqësonte më shumë se një prezencë koncertale – ajo shënoi një angazhim të thellë në procesin e promovimit të vlerave tona muzikore në skena të mëdha ndërkombëtare, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me artistë dhe krijues të njohur botërorë. Kjo përvojë e pasuroi rrugëtimin artistik të Korit “Siparantum” dhe forcoi më tej vizionin për një art që ndërton dialog, ndan identitet dhe frymëzon përmes muzikës./KultPlus.com