Fundi i feudalizmit dhe i të drejtës hyjnore të mbretërve, 10 gjërat për të cilat i detyrohemi Revolucionit Francez

Nga Khalid Elhassan

Revolucioni Francez i vitit 1789, kishte një ndikim më të madh politik, intelektual dhe kulturor, në krahasim me çdo revolucion tjetër në histori. Ai shënoi një ndryshim global nga monarkitë absolutiste që e kishin qeverisur shumicën e njerëzimit për gati të gjithë historinë e regjistruar, tek demokracitë, republikat dhe shtetet moderne.

Liberalizmi, laicizmi, nacionalizmi, radikalizmi, socializmi, feminizmi:të gjitha rrjedhin nga Revolucioni Francez. Po kështu edhe socialdemokracia, komunizmi dhe fashizmi. Ja cilat janë 10 gjërat, për të cilat i detyrohemi këtij revolucioni.

Fundi i feudalizmit, dhe i të drejtës hyjnore të mbretërve

Një nga hapat e parë të Revolucionit Francez, ishte të shfuqizonte monarkinë absolutiste, dhe ta zëvendësonte atë me një kushtetutë, që i përgjigjej nevojave të gjithë kombit. Të gjitha privilegjet aristokratike u hoqën. Po kështu u veprua gradualisht, edhe në pjesën tjetër të Evropës.

Përhapja e të drejtave të njeriut

Në gushtin e vitit 1789, Asambleja Kombëtare Kushtetuese e Francës, miratoi Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarit. Dokumenti, i përbërë nga 17 nene që përfshinin parimet e Iluminizmit, të cilat frymëzuan Revolucionin Francez, ishte një statut i rëndësishëm i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ai mishëronte konceptin, se individi duhet të ruhet nga veprimi arbitrar i shtetit, dhe do të shërbejë si preambulë e Kushtetutës franceze të vitit 1791, dhe e kushtetutave të mëvonshme. Deklarata, revolucionarizoi marrëdhënien midis qytetarit dhe shtetit – ose të paktën të kuptuarit se çfarë duhet të jetë kjo marrëdhënie.

Nacionalizmi modern

Farat e nacionalizmit francez, u mbollën që në Luftën Njëqindvjeçare, kur territori i asaj që do të bëhej Franca, ishte rrënuar nga pushtuesit anglezë. Por vetëm gjatë rrjedhës së Revolucionit Francez, do të lindte nacionalizmi siç kuptohet zakonisht në epokën moderne.

Marrëdhënia e re e qytetarit me kombin, u mishërua në një këngë të re revolucionare, Marsejeza, që do të bëhej himni kombëtar i Francës. Kënga nuk lartësonte një monark apo komandant ushtarak, por ishte një thirrje patriotike për të mobilizuar të gjithë qytetarët për të luftuar për kombin, dhe për të penguar depërtimin e pushtuesve të huaj.

Terrori revolucionar

Për të ruajtur revolucionin e tyre nga lëvizjet kundërrevolucionare, krerët jakobinë, zbatuan atë që hyri në histori si “Mbretërimi i Terrorit”. Nga vera e vitit 1793, dhe deri në verën e vitit 1794, u ekzekutuan mijëra njerëz, përfshirë vetë udhëheqësit revolucionarë. Ato muaj krijuan një shembull të keq, që u ndoq më vonë nga shumë udhëheqës tiranikë.

Rënia e Kishës dhe ngritja e laicizmit

Pas shekujsh korrupsioni, abuzimi dhe privilegjesh të pamerituara, Kisha Katolike e humbi pozitën e saj kur shpërtheu revolucioni në vitin 1789. Një nga hapat e para të Asamblesë, ishte ta privonte Kishën nga autoriteti i saj, për të mbledhur taksën e një të dhjetës.

Në vitin 1801, Napoleoni arriti një marrëveshje (Konkordat) me Kishën, që normalizoi dhe rregulloi marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe Francës. Konkordati mbeti në fuqi deri në vitin 1905, kur Franca përfundimisht vendosi një ndarje të plotë midis Kishës dhe shtetit.

Thjeshtëzimi i modës së të veshurit

Gjatë shekullit XVIII, teksa oborri mbretëror dhe qeveria franceze u bënë gjithnjë e më shumë të korruptuar, moda e lidhur me regjimin nisi të shihej si një nga simbolet që duheshin rrëzuar.

Kur u përmbys regjimi i vjetër, rrobat e mbi ngarkuara u zëvendësuan nga një lloj anti-mode, që e vuri theksin tek thjeshtësia dhe modestia për burrat dhe gratë. Kështu nuk u hoq dorë nga përdorimi i parukeve nga burrat dhe i kapeleve shumëngjyrëshe. Ato u zëvendësuan nga veshje e thjeshta, dhe pantallonat e ngushta

Sistemi metrik

Para Revolucionit Francez, njësitë e peshës dhe matjeve të tjera ndryshonin jo vetëm midis vendeve, por edhe midis rajoneve të ndryshme, madje edhe midis qyteteve. Nevoja për një sistem uniform ishte mëse e qartë për njerëzit e arsimuar, shkencëtarët dhe tregtarët në të gjithë Evropën.

Sistemi i një metrike të përbashkët u propozua për herë të parë në Asamblenë Kombëtare në vitin 1791. Një metër u përcaktua si një dhjetë milionta e distancës midis Polit të Veriut dhe Ekuatorit. Një liter, ishte vëllimi i një decimetri kub. Një kilogram, ishte pesha e një litri uji të pastër e kështu me rradhë.

Kodi i Napoleonit

Kodin Civil Francez i miratuar më 1804, u bë i njohur si Kodi i Napoleonit. Roli i Kishës u zbeh ndjeshëm, krahinat u transformuan në nënndarje të një shteti të ri kombëtar. Kodi iu nënshtrua rishikimeve të ndryshme në shekuj që nga miratimi i saj, por mbetet në Francë edhe sot e kësaj dite. Sot, shumica e njerëzimit – me përjashtimin e dukshëm të vendeve anglosaksone, jetojnë nën Kodin Napoleonik ose derivatet e tij.

Përhapja e republikave

Sovraniteti popullor, qeveria përfaqësuese dhe sundimi i ligjit, ishin idealet e shprehura të qeverisë revolucionare franceze. Përhapja e këtyre parimeve republikane në të gjithë Europën, u pa si një fund i dëshirueshëm në vetvete, dhe gjithashtu si një mjet parandalues ​​për të mbrojtur Revolucionin Francez në shtëpi.

Prandaj, dhjetra “republika motra”, të madhësive të ndryshme, u krijuan në vitet 1790 dhe përfundimisht u konsoliduan në disa republika të mëdha rreth kufijve të Francës.

“Liri, barazi, vëllazëri”, dhe shtrirja e idealizmit shekullar

“Liberte, Egalite, Fraternite”, ishte një moto e hershme e Revolucionit Francez që shprehte idealet dhe aspiratat e tij. Ky term, hyri shpesh në leksikun revolucionar popullor.

Në praktikë, Revolucionarët u rrëzuan pa arritur të vënë tërësisht në zbatim moton e tyre. Sidoqoftë, Liria, Barazia, Vëllazëria, ashtu si idealet e Revolucionit Amerikan, ishin dhe mbetën aspiratat e përhershme tërheqëse për idealistët.

Burimi: HistoryCollection – Bota.al

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…

Poezi nga Refik Durbas

Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe,
Do të vije, unë do të lija cigaren,
Në vend të pullave të nikotinës,
Do më rridhte në vena shiu
Dhe vetëvrasja e plakjes,
Dhe vera e kaluar e rinisë…

Fëmijët do të luanin kukafshehti me shiun,
Do të zbukuronin rrugët me të qeshura,
Një harabel me flatra argjendi
Do të bëhej loja e fëmijëve…
Dhe unë do të isha balona e harabelave.

Gjiri yt i kthjellët si ylberi
Do të rrethonte netët e mia,
Në ballë do ta puthja errësirën
Ulërimën tënde më të gjatë se e gjata
Në qerpikët e zinj ngecur
Frikën dhe aromën tënde…

Ah! Zjarri i prekjes tënde
Si uji që ka ngrirë në acar,
Dëshira për t’u bërë jorgani yt,
Digje majën e flokut më të hollë
Me buzët e puthjes, prekjes, nuhatjes,
Do të të puthja…

Me krahët e erës do të përqafoja
Trupin tënd që i rri i vogël trupit tim…
Ti nuk erdhe, vjeshta erdhi herët
Hija ime nga pragu i dritareve
I ra pas dashurisë tënde të zezë…
Dhe zemra i ra pas trishtimit, dëshpërimit…

Tani pres të kthehesh
Siç më ka marrë malli të ikësh…
Që të më ushqesh
Me pasionin e dashurisë tënde në errësirë
Të më mbytësh me uraganin tënd të zi
Të më harrosh në errësirën tënde të zezë.
Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…/KultPlus.com

Sindikata e Teatrit del me reagim: “Moisiu” mund të shtyhet, por jo të anulohet, këtë nuk e vendosin as ministritë e as ministrat

Reagimi plotë i Shoqatës Sindikale të Aktorëve

Si artistë të cilët e bëjnë dhe për të cilët bëhet festivali i teatrit “Moisiu” por edhe si shoqatë sindikale, vendimi për anulimin e edicionit të sivjetmë të festivalit na pikëllon pa masë.

Ky vendim na gjen në muajin e dytë të veprimeve tona sindikale, të nisura nga data 09 shtator dhe të përshkallëzuara në grevë të përgjithshme nga 15 nëntori, pa vullnetin tonë, por si rezultat i mosveprimit dhe heshtjes karshi kërkesave tona. Konsiderojmë se indiferenca e këtillë është tregues i mungesës së njohjes dhe ndjeshmërisë së përfaqësuesve institucionalë për punën e artistëve e artisteve të teatrit, e cila është reflektuar edhe në mosveprimet e tyre karshi përpjekjeve tona për të gjetur zgjidhje e ofruar ndihmën tonë për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave tash e më shumë se një vit dhe tash e më shumë se dy muaj, pra nga 9 shtatori i këtij viti kur njëlloj si opinionin publik e komunitetin artistik, i kemi njoftuar edhe Ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës për veprimet tona sindikale, kohështrirjen e tyre dhe nivelet e përshkallëzimit të tyre.

Së fundmi, më 28 tetor, në një takim të SHSATKK me përfaqësues të kabinetit të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesve të SHSATKK tërthorazi u është drejtuar një kërkesë paradoksale, që festivali të mbahet edhe pa praninë e aktorëve dhe shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kjo kërkesë ka qenë tregues i qartë se të gjitha premtimet se është duke u punuar fort për përmirësimin e gabimeve në ligjin e pagave dhe për miratimin e rregullores për ekuivalentimin e pagave, kanë qenë thjesht mashtrim ndaj komunitetit.

Në anën tjetër, ajo kërkesë drejtuar SHSATKK më 28 tetor, ka qenë zhvleftësim i dyfishtë i artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke na përçuar mesazhin se për këtë ministri, më me rëndësi është të shënjohet një edicion i festivalit ad-hoc e pa praninë e artistëve dhe shfaqjeve të TKK-së, sesa të punohet drejt sigurimit të mirëqenies për ta, gjë e cila do të siguronte edhe mbarëvajtjen e festivalit si rezultat afatshkurtër edhe vazhdimësinë e punës në TKK si rezultat afatgjatë e obligim që Ministria e ka jo vetëm ndaj artistëve të TKK por edhe ndaj publikut.

Festivali “Moisiu” është themeluar nga artistët në vitet e ‘90-ta dhe ka vazhduar falë artistëve në këto dy edicionet e fundit e me artistët do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ky festival, ashtu si çdo shfaqje e çdo ngjarje e TKK-së është vlerë e çmuar për gjithësecilin prej nesh, ashtu siç është përgjegjësia jonë ndaj publikut.

Festivalet si “Moisiu,” nuk kanë kuptim pa artistët, sidomos kur ato organizohen nga Teatri Kombëtar i Kosovës, që është shtëpi e jona. Për t’i shtruar gjërat për së mbari, përfaqësuesit institucionalë që thirren në rëndësinë kombëtare të këtij festivali, duhej të ishin këndellur me kohë dhe të vepronin në mënyrë konstruktive, për të plotësuar kërkesat e atyre pa të cilët festivali nuk ka kuptim. Pastaj do të mund të uleshim bashkë dhe të flisnim gjerë e gjatë për rëndësinë e teatrit e festivaleve të teatrit, por në këtë bisedë ne do të duhej të flisnim, e ata të dëgjonin.

“Moisiu” mund të shtyhet, por jo të anulohet. Këtë nuk e vendosin as ministritë e as ministrat; as menaxherët e as menaxhmentet, sepse festivali është ngritur me mundin e artistëve dhe nga artistët do të mbahet. 

Ne, artistët, jemi festivali.

MOISIU është i yni.

Ne jemi MOISIU.

Shihemi së shpejti në festën e madhe të artistëve dhe publikut./ KultPlus.com

Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, koncert në sheshin e Flamurit në Vlorë

Big Band dhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura (OSFA) gjenden sot në Vlorë për një koncert kushtuar 80-vjetorit të Çlirimit.

Programi i koncerteve në qytete të ndryshme të vendit, vjen si bashkëpunim i Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Pas koncertit për rastin e 17 nëntorit, festës së çlirimit të kryeqytetit, Big Band u zhvendos sot me koncertin në sheshin e Flamurit në Vlorë.

Koncerti me këngë patriotike të remiksuara, në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit, u zhvillua në mesditë dhe u ndoq nga qytetarët e Vlorës dhe vizitorë të qytetit bregdetar.

Koncerti në sheshin e Flamurit u realizua në kuadër të koncerteve të tjera të OSFA, të cilat nisën më 22 tetor dhe përfundojnë më 22 nëntor./atsh/KultPlus.com

“CN Traveler”: Shqipëria mes vendeve më të mira evropiane për të udhëtuar në 2025

Ndërsa afrohemi në fund të çdo viti, ne fillojmë të mendojmë – se cilat janë vendet më të mira për të vizituar në Evropë në vitin 2025, sipas një artikulli të botuar në revistën globale CN Traveler (Condé Nast Traveler).

Ekspertët nga të katër anët e globit kanë zbuluar dhe rekomanduar 11 destinacionet më të mira për të udhëtuar në 2025.

Këtë vit, përveç kthimit të vështrimit tonë drejt destinacioneve më të njohura të botës – ne po kërkojmë gjithashtu edhe vende që aktualisht po bëjnë bujë në rrjetet sociale.

Kjo listë përfshin vende, rajone dhe qytete të Evropës që meritojnë kohën dhe vëmendjen tuaj vitin e ardhshëm!

Shqipëria

Peizazhi në Shqipëri është një ndërthurje e Alpeve evropiane, fshatrave përrallore dhe bregdetit idilik që rivalizon rivierat më të mira të Mesdheut.

Një aeroport i ri i planifikuar në Vlorë do t’u ofrojë vizitorëve akses në plazhet më të bukura të detit Jon – duke shmangur bllokimet e trafikut – që më herët mundonin turistët që vinin nga Tirana.

Dikur vendi i pushuesve aventurierë, sot Shqipëria renditet si një destinacion i rëndësishëm turistik në vitin 2025.

Pavarësisht se është pak më e vogël se Zvicra, atraksioni i saj qëndron në diversitetin e saj mbresëlënës – i cili përfshin në mënyrë kompakte një shtrirje të Alpeve, pyjeve antike, fshatrave përrallore – dhe dy vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një bregdet me ujëra të kristalta për të rivalizuar gjithçka që Greqia mund të ofrojë.

Këtë vit pritet ndërtimi i një hoteli krejt të ri “InterContinental Hotel” dhe fluturimi i parë transatlantik i vendit që niset nga Tirana – kryeqyteti i vendit – si dhe krijimi i një aeroporti krejtësisht të ri në Vlorë – pranë plazheve më të bukura të detit Jon, i njohur edhe si perla e Shqipërisë.

Kjo për fat të mirë eliminon mundësinë e bllokimit të trafikut për vizitorët që vijnë nga Tirana.

Qeveria planifikoi të tërhiqte 10 milionë turistë deri në vitin 2025, një objektiv që u tejkalua deri në vitin 2023 – kështu që ky mund të jetë viti i fundit që mund ta gjeni Shqipërinë relativisht të qetë.

Relaksohuni mbi një shezlong – në një nga klubet e shumta të plazhit ose rezervoni një tavolinë në restorantin “Mullixhiu” – ku mund të hani për 12 dollarë për person dhe të shijoni ushqime cilësore me kosto të përballueshme.

Revista globale CN Traveller e ka renditur Shqipërinë ndër vendet më të mira evropiane për të udhëtuar në vitin 2025:

1-Shqipëria
2-Lugina Ahr, Gjermani
3-Arrabida, Portugali
4-Riviera e Athinës
5-Qarku Clare, Irlandë
6-Ishujt Faroe
7-Gjeneva
8-Marsejë, Francë
9-Matarrana, Spanjë
10-Vjena
11-Sussex, Britani e Madhe/atsh/KultPlus.com

Pasoja të mëdha pas futjes në grevë të aktorëve të TKK-së, anulohet Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu”

Greva e përgjithshme sindikale e artistëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka prekë interesat e tri shteteve: atë të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, pasi që, si pasojë e kësaj greve është anuluar edhe Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” e që organizohet po nga këto tri shtete, dhe si i tillë do të duhej të fillonte me 20 të këtij muaji, shkruan KultPlus.

Përgatitjet për këtë festival kanë filluar tash e sa kohë, dhe siparin e këtij edicioni ka pas ta hapë shfaqja “Emira”, por që kjo shfaqje dhe shumë shfaqje të tjera kanë mbetë të shpërfaqura vetëm në pllakatin e festivalit, por jo edhe të shfaqen para audiencës.

Greva ka ardhë si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave të Sindikatës së këtij institucioni, kërkesa që kanë të bëjnë me koeficientin e aktorëve në këtë institucion.

Ky vendim për grevë të përgjithshme është marrë me pajtueshmërinë e pjesëtarëve: Shpejtim Kastrati, Shëngyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Adrian Morina dhe Maylinda Kosumoviq. Arsyet e mbajtjes së grevës janë: Mos realizimi i kërkesës për përmirësim, ngritjen e koeficienteve, pas degradimit që i është bërë ansamblit rezident me ligjin e pagave.

Aktorët e TKK-së kanë pezulluar punën prej të dielës së fundit, kurse para pak casteve u bë e ditur edhe për anulimin e festivalit.

Për anulimin e festivalit fillimisht është bërë e ditur nga faqja zyrtare e festivalit.

NJOFTIM

Teatri Kombetar, Teatri Shqiptar dhe Teatri Kombëtar i Kosovës, bashkëorganizator të Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU”, duke pasur parasysh rëndësinë e Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU” si një platformë për krijimin e rrethanave për bashkim dhe bashkëpunim të artistëve teatror shqiptar nga të tre shtetet por njëkohësisht duke parë edhe pamundësinë e organizimit të denjë dhe festiv të edicionit të tretë të këtij festivali në Prishtinë nga 20-27 nëntor 2024, pas futjes në grevë të përgjithshme të Shoqatës Sindikale të Artistëve të TKK-së, marrin vendim që:

Edicioni i 3-të i Festivalit “MOISIU” në Prishtinë nuk do të mbahet siç ishte paralajmëruar.

Ne mbetemi të dedikuar edhe më shumë që këtë iniciativë të nisur nga tri institucionet tona ta vazhdojmë me po të njëjtin qëllim dhe dashuri që të shërbej si platformë feste, bashkimi dhe bashkëpunimi në mes të artistëve teatror shqiptar të cilët për kohë të gjatë ishin të ndarë.

#FestivaliMoisiu #Moisiu #Festival #Theatre

Kurse për anulimin e festivalit ka reaguar edhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte , ku reagimin e plotë mund ta lexoni më poshtë.

Me dëshpërim të thellë ju njoftojmë që Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 Nëntor, do të anulohet për shkak të grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e organizimit sindikal. Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin Moisiu, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga sindikata.

Andaj, në konsultim me Tiranën e Shkupin, përkundër përfundimit të të gjitha përgatitjeve programore dhe logjistike, jemi të detyruar të anulojmë festivalin për të cilin u bënë shumë sakrifica që të arrinte në edicionin e tretë./ KultPlus.com

Marcel Proust: Bota nuk u krijua një herë, por sa herë që vinte një artist origjinal

Sot janë mbushur 102 vite nga vdekja e Marcel Proust.

Aforizma nga Marcel Proust

Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur. Ata janë kopshtarët e zhytur në mundime dhe mendime, që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë.

Muzika është ndoshta shembulli më unik i asaj që mund të ketë qenë hyjnore, nëse nuk do të kishte ardhur shpikja e gjuhës, formimi i fjalëve, analiza e ideve, komunikimi i shpirtrave.

Lumturia është e dobishme për trupin, por është dhimbja që zhvillon fuqitë e mendjes.

Shpesh është mungesa e imagjinatës që e ndalon njeriun të vuajë shumë. Mos ndaloni së kërkuari atë dëshironi ose do të përfundoni duke dashur atë që arrini të gjeni.

Në realitet, çdo lexues është çfarë ai po lexon, lexuesi i vetvetes.

Puna e shkrimtarit është thjesht një lloj instrumenti optik, i cili i ofron lexuesit të mundësojë që ai të dallojë se çfarë është ai, pa këtë libër.

Bota nuk u krijua një herë, por sa herë që vinte një artist origjinal.

Ne punojmë vazhdimisht për të formuar jetën tonë, por pavarësisht nga vetë kopjimi, ne dizejnojmë tiparet e personit që jemi dhe jo atij që do të donim të ishim.

Në dashuri nuk mund të ketë qetësi, sepse përparësia e fituar nuk është gjë tjetër veçse një pikënisje e re për dëshirat e reja.

Librat e vërtetë duhet të jenë fëmijë jo të dritës dhe mashtrimit, por të errësirës dhe heshtjes.

Leximi na mëson të rrisim vlerën e jetës, një vlerë që ne nuk kemi qenë në gjendje ta vlerësojmë dhe madhështinë e së cilës e realizojmë vetëm falë librit.

Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar.

Gjithmonë përpiquni të mbani një copë parajse mbi jetën tuaj.

Le t’ua lëmë gratë e bukura burrave pa imagjinatë.

Leximi është ajo mrekulli e frytshme e komunikimit në mes të vetmisë.

Ne vuajmë nga vuajtjet vetëm duke e provuar atë në mënyrë të plotë.

Përgatit dhe përktheu: Albert Vataj. / KultPlus.com

‘Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua’

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.
Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.

Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.

Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.

Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.
Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.

Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

Në Suedi u mbajt Festivali i 20-të jubilar i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë

Qerim Kryeziu

Të shtunën në mbrëmje, u realizua me sukses në Malmö të Suedisë Festivali i njëzet jubilar i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë. Edicioni i parë i këtij Festivali u mbajt njëzetetre vjet më parë, më 3 nëntor 2001 po në Malmö.  Duke mos llogaritur kohën e pandemisë, Festivalet u realizuan vit për vit, në tetor ose nëntor, gjithmonë në nderim të festave kombëtare: 28 Nëntorit (të Parit e të Dytit), Ditës së Alfabetit, ditëlindjes së Adem Jasharit, dhe shfaqjes publike të UÇK-së. Nëse marrim në konsideratë vazhdimësinë njëzetvjeçare të këtij Festivali, prurjet poetike e interpretative muzikore që solli, rezulton se Festivali i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, i përkrahur në vazhdimësi, përveç shtetit suedez edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës, është padyshim, njëri nga Festivalet kulturore më prestigjioze në gjithë gjeohapësirën e mërgatës sonë në Europë. Ky Festival tuboi gjatë viteve bashkatdhetarë nga gjithë Skandinavia e vende tjera të kontinentit. Ndër vite, festivalin e kanë mbështetur  mërgimtarë e autoritete kulturore si: Ahmet Bella, Sadulla Zendeli-Daja, Ullmar Qvick, Fikrije Bajraktari, Hajdin Abazi, Rabe Kilaj e shumë tjerë. Se fundmi dukej puna e palodhshme e anëtarëve aktual të kryesisë së Unionit si: Fevzi Ademi, Rabe Kilaj, Feriz Ferizi, Jashar  Jashari,  Beqir Shaqiri, Naim Brahimi etj. në krye me sekretarin organizativ Ahmet Bellla që punuan me përkushtim për këtë edicion jubilar. Nga viti 2012 e këtej, kanë kontribuar pa përtesë me moderim, ide e  dizajnim të broshurave e materialeve tjera informative të Festivaleve qifti Gala dhe Qerim Kryeziu.

Rrjedhave të Festivalit të njëzet

Më 16 nëntor 2024, herët në mëngjes, para portave të  kështjellës madhështore të qytetit të Malmös, filluan të valojnë hareshëm cepat e kuq të flamurit tonë kombëtar. Me ngritjen e flamurit tonë kombëtar mes dy flamujve suedez, qyteti i Malmös nderonte ditën e prezantimit të poezisë e muzikës shqiptare mu në qendër të qytetit më të madh jugor të Suedisë- në Sortorget 2. Salla, funksionale që nga viti 1546, me enterier të epokës së renesancës nordike, e stolisur  me piktura të jashtëzakonshme të regjentëve danezë e suedezë, ishte bërë gati që në mesditë për pritjen e mysafirëve shqiptarë e suedezë. Në orën 16:00 “Landstingssalla” u mbush përplot publik, përveç poetëve, interpretuesve e instrumentistëve që kishin ardhur nga Suedia, Danimarka, Norvegjia, Gjermania, Belgjika, Kosova e Shqipëria.  

Festivali i 20-të u realizua në dy pjesë, të parën që u zhvillua në sallën e lartpërmendur (“Landtingssalën”) dhe të dytën që vazhdoi punimet në sallën e “Folket Hus-it” . Në pjesën e parë u lexuan dhjetë poezi dhe u interpretuan njëmbëdhjetë pjesë muzikore instrumentale e operistike.. Poezitë i lexuan : Elhame Zhitia, Rizah Sheqiri, Muhamet Krasniqi, Xhevrije Kurteshi Nimani, Sevdail Zejnullahu, Qefsere Bardiqi- Domi, Feride Istogu- Gillesberg, Pranvera Drita Gjoni , Saliha Kodra Rama dhe Burim Paci.

Luajtën në piano instrumentistët: motrat Qarri, Artemida e Elizabeta Qarri ( pjesët e kompozitorëve Vasil Tole “Bach – pentatonic “ dhe Cloude Debussy  Pettite Suite “En Bateau”, pjesët e Johannes Brahms “Danses Hongonses” nr 1,5 dhe 8 Astor Piazolla), Philip Kang (këngët “Yllin e pashë shumë të madh” , “Arbëri” dhe “Dardania” të kompozitorit Ahmet Bella, arien “Ombra mai fu” e G.F. Hendel, Vigjilencë Islami u prezantua me veprat e “Bilbili në fluturim” Gjon Gjevelekaj dhe përcolli në piano veprat e kompozitorëve Carl Reinecke, Sami Piraj, Lola Gjoka dhe Sh.V Ratkoceri) dhe flautistja Diana Jashari ekzekutoi baladën për flaut të kompozitorit Carl Reinecke. Pjesët muzikore i kënduan: Kaltrina Miftari (“Njat zaman të asaj furie”, “Atdheu” të Sami Pirajt, “Dardania” të Ahmet Belles), Safet Berisha ( “Moj e bukura More”, arien “Ombra mai fu”) , Feride Istogu-Gillesberg ( “Eja vashë”), Maria Herlin (“Yllin e pashë shumë të madh”, “Dardania”), Mea Sethson (“Yllin e pashë shumë të madh”, “Arbëri”, “Dardania”).

Juria e festivalit e përbërë nga Hajdin Abazi, Shaban Krasniqi e Feriz Ferizi nda dy medaljone me emblemën e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi. Për poezi më të mirë shpërblye poeti Riza Sheqiri, për vepër muzikore kompozitori Sami Piraj .

Në pjesën e dytë të Festivali u promovuan dy vepra të reja të botuara kohëve të fundit, vepra e Rizah Sheqirit “Tiden leker inte alla sår” (Koha nuk shëron të gjitha plagët) për të cilën foli Sevdail Zejnullahu dhe vepra e Sami Pirajt “Jeta muzikore në Kosovë, përudha e de institucionalizimit” për të cilën folën Ahmet Bella e Feriz Ferizi. Për mbarëvajtje të pjesës së dytë, ku përfshihej promovimi, ndarja e medaljoneve, darka dhe argëtimi me këngëtarët Lindita Kryeziu e Beqir Shaqiri ndihmoi bashkatdhetari Arbnor Hoxha. Mbrëmjen miqësore e argëtuese bënë edhe më të bukur mysafirët nga Vushtrria me përfaqësuesit këngëtarë Shaban Krasniqi e Fazli Rashica nën përkujdesjen orkestrale të e Mit´hat  Nikezit mërgimtar nga qyteti i Malmös. 

Nderuan me pjesëmarrje në festival: ambasadorja e Shqipërisë në Suedi Albana Dautllari, koordinatori për Diasporën në Ministrinë e Punëve të Jashtme Besnik Desku, përfaqësues të subjekteve politike suedeze – nënkryetari i komunës së Landskronas Fatmir Azemi), të shoqatës kulturore polake si dhe një delegacion i komunës së Vushtrrisë në krye me kryetarin Ferit Idrizi.

Festivalin e 20-të jubilar e moderuan Gala e Qerim Kryeziu.

Qerim Kryeziu / KultPlus.com

“Vetëm përmes vuajtjes, qeniet njerëzore bëhen engjëj”

Urtësia e mrekullueshme e Viktor Hygosë:

Nuk më intereson se çfarë bën Asambleja Kombëtare e Francës, për aq kohë nuk e bën këtë në rrugë duke frikësuar kuajt.

Ka shumë gjuhë që flasin, por shumë pak koka që mendojnë.

Bisedat e tavolinave dhe ato mes dy të dashuruarve e humbasin fokusin; ato të të dashuruarve janë mjegullnajë, ndërsa bisedat e tavolinave një tymnajë.

Muzika shpreh atë që s’mund të thuhet me fjalë, dhe që nuk mund të qëndrojë në heshtje.

Edhe nata më e errët do të përfundojë, dhe dielli do të lindë sërish.

Të duash një person tjetër, do të thotë të shohësh fytyrën e Zotit.

Disa mendime të caktuara janë përgjerime. Ka momente kur pavarësisht pozicionit të trupit, shpirti është gjunjëzuar.

Njerëzve nuk u mungon forca por vullneti.

Nëse flas, unë jam i dënuar. Nëse hesht, jam i mallkuar!

Ju më pyesni çfarë më detyron të flas? Një gjë e çuditshme:ndërgjegja ime.

E ardhmja ka disa emra. Për të dobëtin, është e pamundur; për zemërlëshuarit, është e

e panjohur; por për trimat është ideali.

Ka gjithmonë më shumë mjerim në mesin e shtresave të ulëta të shoqërisë, se sa humanizëm tek shtresat e larta.

Nuk është e lehtë të qëndrosh i heshtur, kur vetë heshtja është një gënjeshtër.

Moda ka shkaktuar më shumë dëme sesa revolucionet.

Kur një grua është duke ju folur, dëgjojeni atë që thotë me sytë e saj.

Simptoma e parë e dashurisë tek një djalë i ri është druajtja; tek një vajzë guximi.

Luftë civile? Çfarë do të thotë kjo? A ka në fakt ndonjë luftë të huaj? A nuk luftohet çdo luftë ndërmjet njerëzve, mes vëllezërish?

Kur diktatura është një fakt, revolucioni bëhet një e drejtë.

Ekzistojnë baballarë që nuk i duan fëmijët e tyre; por s’ka asnjë gjysh që nuk e adhuron nipin e tij.

Një hije është e vështirë për t’u kapur për fyti dhe përplasur në tokë.

Të zhbësh gabimet nuk është e mjaftueshme; duhet të ndryshohen edhe zakonet. Stuhia ka kaluar, por era është ende atje.

Anglia ka dy libra, Biblën dhe Shekspirin. Anglia krijoi Shekspirin, por

Bibla bëri Anglinë.

Një person me një sy është shumë më i paplotë se një njeri i verbër, pasi i pari e di se çfarë i mungon.

Të gjitha forcat në këtë botë, nuk janë aq të fuqishme sa një ide së cilës i ka ardhur koha.

Vështirësitë krijojnë burrat, ndërsa begatia monstrat.

Vetëm përmes vuajtjes, qeniet njerëzore bëhen engjëj. / KultPlus.com

Pse jemi të ndëshkuar nga pamundësimi i lumturisë, sipas Marcel Proust

Marcel Proust

Lumturia nuk mund të vijë kurrë. Edhe kur rrethanat janë kapërcyer, natyra e çon luftën nga jashtë brenda dhe, pak nga pak, e ndryshon zemrën tonë aq sa të dëshirojmë diçka tjetër nga ajo që i është dhënë të zotërojë. Dhe nëse historia ishte aq e shpejtë sa zemra jonë nuk kishte kohë të ndryshonte, natyra nuk dëshpërohet të na kapërcejë për këtë arsye, në një mënyrë të mëvonshme, është e vërtetë, më delikate, por po aq efektive. Më pas, në momentin e fundit, zotërimi i lumturisë na hiqet, ose më mirë, natyra, përmes një dinake djallëzore, ia ngarkon detyrën e shkatërrimit të lumturisë pikërisht këtij zotërimi. Pasi ka dështuar në gjithçka në sferën e fakteve të jetës, natyra krijon një pamundësi ekstreme, pamundësinë psikologjike të lumturisë.

… e megjithatë asnjërit prej nesh kjo logjikë prustiane nuk mund t’ia vrasë të drejtën për të qenë i lumtur, ose të përpiqet të sfidojë kokfortësinë e këtij arsyetimi dhe pamëshirën e ligjësisë së qenis dhe jetës për tu kurorëzuar i lumtur. / Albert Vataj / KultPlus.com

Ruajtje e Manastirit të Ungjillëzimit mbi fshatin Vanistër të Dropullit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau mëngjesin e sotëm pamje nga manastiri historik i Vanistrës, ku punimet për restaurimin e tij vijojnë.

“Me përpjekjet e përbashkëta të CHwB Albania dhe mbështetjen e Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP), po hedhim hapa të rëndësishëm drejt ruajtjes së këtij monumenti kulturor”, shkruan ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Gjatë 6 javëve të fundit, në këtë sit janë kryer ndërhyrje të rëndësishme për të siguruar stabilitetin e mureve përreth dhe atyre të brendshme. Me kujdes dhe precizion, ekipi i specializuar po ndjek teknikat tradicionale të mureve “të thata” për të ruajtur strukturën origjinale.

Një element kyç në këtë proces është mbulesa, e cila mbron muret nga depërtimi i ujit dhe siguron qëndrueshmërinë e tyre për shumë vite të ardhshme.

Kisha e Ungjillizimit është ndërtuar në vitin 1582. Këtë e vërteton mbishkrimi i gdhendur mbi një tullë të murosur në apsidë jashtë kishës.

Manastiri i Ungjillëzimit është rreth një orë mbi fshatin Vanistër të Dropullit. Në qendër të manastirit është kisha e Ungjillizimit, ndërsa konakët janë në anën jugore.

Manastiri është i rrethuar me mure. Kisha e manastirit i është kushtuar Ungjillizimit të Hyjlindëses që kremtohet më 25 mars./atsh/KultPlus.com

Gavril Dara i Riu, poet nga më të rëndësishmit e kulturës arbëreshe

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot, në 139-vjetorin e ndarjes nga jeta, një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe penës arbëreshe, poetin Gavril Dara (i riu).

Lindi në Palac Adriano të Sicilisë, më 8 janar 1826, në një familje të shquar arbëreshe. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.

Më 1858, Gavril Dara (i riu) botoi fletoren letrare “Përtëritja e jetës” (Palingenesi) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë.

Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“. Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Kështu ai ka lënë në dorëshkrim një ndër kryeveprat e letërsisë sonë “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila u botua në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji. U nda nga jeta në Girgeti, në vitin 1885./atsh/KultPlus.com

Kooperativa e Artit në Tiranë, rezidenca e parë artistike që lidh botën me kulturën shqiptare

Shqipëria përjeton një moment të veçantë me inaugurimin e Kooperativës së Artit, një rezidencë arti e parë e këtij lloji në vendin tonë e lokalizuar në fshatin Vaqarr, 7 km larg Tiranës, në nje godinë të rijetësuar. Kjo kooperativë e re që vjen nga mbështetja e Bashkisë Tiranës përmes Agjencisë Industrive Kreative dhe Fondacionit Emanuel, sot ofron një platformë unike për artistët nga e gjithë bota, duke i ftuar ata të jetojnë dhe të punojnë së bashku në një ambient inspirues dhe krijues.

Në fjalën e tij gjatë hapjes, drejtori i Agjencisë së Industrisë Kreative, Jonid Jorgji, theksoi potencialin ekonomik që ka zhvillimi i industrisë kreative. “Me hapjen e Kooperativës së Artit, non-stop po kontribuojmë në zhvillimin e industrive kreative. Jemi të bindur te një potencial i madh ekonomik si dhe besojmë se prej kësaj industrie rrjedhin profesionet e së ardhmes, ato profesione të cilat nuk mund te zëvendësohen as nga Inteligjenca Artificiale por janë fryt i krijimtarisë njerëzore”, deklaroi Jorgji.

Përveç vënies në pah të talenteve të rinj, Kooperativa e Artit do të jetë gjithashtu e hapur për publikun çdo fundjavë. Vizitorët do të kenë mundësinë të ndjekin aktivitete të ndryshme artistike, si ekspozita, shfaqje, performanca, punëtori dhe diskutime, si dhe të blejnë vepra arti nga artistët e pranishëm.

Ky projekt i Bashkisë së Tiranës përmes Agjencisë së Industrive Kreative, është një hap i rëndësishëm për të inkurajuar ndërveprimin mes artistëve dhe komunitetit, si dhe për të promovuar artin shqiptar në një kontekst global./atsh/KultPlus.com

Libri “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, botimi i tretë me materiale të reja

Libri “Themeluesi”, kushtuar figurës së Ismail Qemalit dhe lidershipit të tij, së shpejti vjen me botimin e tretë. Autori, Evarist Beqiri, thotë se në këtë botim të tretë, të përditësuar të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit”, ka një pasurim me disa materiale, me të cilat autori është njohur së fundmi. Përfshirë këtu foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900.

Ismail Qemali jetoi në Bruksel në vitet 1900-1908. Aty ai realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar.

Gjithashtu, publikohen për të parën herë në një libër, fotografi të bashkëshortes së tij, Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Njëkohësisht është pasuruar albumi fotografik me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900.

Fashikulli përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “konfidenciale” dhe hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.

Muaj më parë, studiuesi Beqiri, i besoi Arkivit të Shtetit, dokumente të digjitalizuara nga Arkivi Kombëtar i Indisë, pjesë e arkivit të Perandorisë Britanike, të cilat zbulojnë të dhëna mbi arratisjen e Ismail Qemal Bej Vlorës nga Perandoria Osmane./atsh/KultPlus.com

Kolonia e piktorëve “Skampis 2024”, promovim i trashëgimisë kulturore të Elbasanit

Kolonia e piktorëve ” Skampis 2024″ shndërroi Elbasanin në qendër arti. Për dy ditë me radhë, “Skampis 2024” solli një atmosferë krijuese në Elbasan, duke mbledhur artistë të talentuar që kanë pasqyruar bukuritë dhe trashëgiminë e qytetit përmes artit të tyre.

Artistët shpalosën talentin mbi pamje ikonike të Elbasanit, duke përfshirë kalanë, rrugicat e vjetra dhe peizazhet natyrore të Funarit dhe Gjinarit. Përmes këtyre veprave, ata kanë rikthyer historinë dhe natyrën në një formë artistike që mishëron shpirtin e qytetit.

Ky aktivitet u përmbyll me një ekspozitë unike në Hotel “Skampa”, ku të gjitha punimet e realizuara gjatë ditëve të kolonisë u prezantuan për publikun. Ekspozita ofron një mundësi për artdashësit dhe qytetarët të shijojnë bukuritë e Elbasanit përmes syve të artistëve.

Kolonia e Piktorëve “Skampis 2024” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të qytetit për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit dhe krijimtarisë.

Ky udhëtim artistik rikonfirmon Elbasanin si një qendër e rëndësishme e kulturës dhe historisë shqiptare, duke mbështetur iniciativa që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore./atsh/KultPlus.com

‘Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë’

Marsel Prust ka lindur më 10 korrik të vitit 1871 në Paris, dhe ka vdekur më 18 nëntor të vitit 1922.

Konsiderohet si njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj francez i të gjitha kohëve; puna kryesore që Prusti e zhvilloi gjatë karrierës së tij është vepra “Në kërkim të kohës së humbur”, të cilën e botoi mes viteve 1913-1927.

Me talentin e jashtëzakonshëm, ai arriti të rreshtohet në mesin e të mëdhenjve si Dante, Balzak apo Xhojs – duke arritur të krijoi universin e tij të plotë.

Janë të famshme edhe thëniet e tij, për artin, jetën, dashurinë…

KultPlus, jua sjell njërën prej tyre.

“Duhet t’u jemi mirënjohës njerëzve që na bëjnë të lumtur, ata janë si kopshtarët e mirë që e bëjnë të lulëzojë shpirtin tonë”. / KultPlus.com

Sot është Dita Kombëtare e Princeshave

18 nëntorin, amerikanët e kanë shënuar si Ditën Kombëtare të Princeshave.

Princeshë, ata e konsiderojnë secilën vajzë e cila u dhuron të tjerëve mirësi me buzëqeshjen e saj.

Sjellja e mirë, sipas tyre është një akt që tregon natyrën mbretërore të secilës vajzë.

Historia e Ditës Kombëtare të Princeshave fillon me “The Swan Princess”, e cila  u shfaq në kinema më 18 nëntor të vitit 1994 dhe prezantoi Princeshën e bukur Odette.

Që nga ajo ditë, çdo vit në të njëjtën datë shënohet Dita e Princeshave, përcjell Klankosova.tv.

Sipas përshkrimit të tyre, cilësitë e princeshave janë të ndryshme. Disa janë më të guximshme, u pëlqen të ndërmarrin veprime të mëdha, disa veçohen nga mënyre e të folurit, e të tjerat preferojnë më shumë të dëgjojnë. / KultPlus.com

27 vite nga publikimi i albumit të grupit muzikor Metallica

Ishte 18 nëntori i vitit 1997 kur rok grupi i njohur, Metallica i gëzuan dashamirët e muzikës së tyre, nëpërmjet publikimit të albumit ‘’Reload’’, shkruan KultPlus.

Ky album i përbërë prej 13 këngësh do të ishte vazhdimi i albumit të tyre paraprak, ‘’Load’’. Këto krijime të reja artistike do të priteshin tejet mirë nga publiku. ‘’Reload’’ debutoi në numrin një në billboard  e shumëta dhe arriti të shitej me 436,000 kopje që në javën e parë.

Rok grupi muzikor dha 3 muaj mund pa ndërprerë, në mënyrë që albumi të dilte edhe më mirë sesa që ishte planifikuar nga ta.  Ideja

Reload u regjistrua në ‘The Plant’, një studio me pllaka druri në Sausalito, California. Sesioni u prodhua nga Bob Rock, i cili gjithashtu prodhoi dy albumet e mëparshme të Metallica. Vepra artistike e albumit tregon një foto nga Andres Serrano.

Disa nga këngët të cilët e përbëjnë këtë album janë: ‘’Fuel’’, ‘’The memory remains’’, ‘’Devil’s dance’’, ‘’The Unforgiven II’’ dhe shumë të tjera që vazhdojnë edhe sot të dëgjohen tejet shumë. /KultPlus.com

‘Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Arratia nga X: Musk shkatërroi Twitterin, por gazetaria nuk merr fund

“Vendimi i The Guardian për t’u larguar nga X mund të krijojë një precedent. Elon Musk vendosi ta bënte Twitterin e dikurshëm një platformë radikalizimi populist, duke disavantazhuar dhe sulmuar median, që kur erdhi ai. Në këtë skenar të ri politik, ka gjithnjë e më pak kuptim që gazetat të qëndrojnë

E thotë Jim Waterson, 35 vjeç, një nga gazetarët më të shkëlqyer anglezë të brezit të tij dhe deri para disa muajsh “redaktori i medias” i Guardian, pra kryeredaktori që merrej me galaktikën mediatike. Tani ai ka themeluar faqen e tij të re të lajmeve “të modës së vjetër”, siç e përkufizon ai vetë: London Centric.

Waterson, a ishte lëvizja e Guardian një veprim i arsyeshëm pas fitores së Trump? Apo një bast?

“Për mendimin tim, një vendim i arsyeshëm. Sigurisht që është një zgjedhje me zemër për lexuesit e saj, duke qenë një gazetë e majtë që rebelohet kundër një rrjeti social që po kthehet gjithnjë e më shumë djathtas dhe drejt populizmit. The Guardian e kishte planifikuar këtë lëvizje prej disa kohësh: qëndrimi në X ishte politikisht i papërballueshëm. Pse të vazhdosh gjenerosh trafik dhe para në favor të dikujt si Musk dhe agjendës së tij?”.

Por kështu gazeta britanike dhe radio amerikane NPR prej disa kohësh tashmë, do të vetëcensurohen, duke dëmtuar edhe trafikun dhe të ardhurat e tyre në internet, apo jo?

“Jo tamam. Në ditët e sotme trafiku që vjen nga X dhe media të tjera sociale është për të qeshur. Në veçanti, Musk, në luftën e tij kundër mediave tradicionale që u iniciua nga Trump, nuk dëshiron që përdoruesit të klikojnë në një lidhje të jashtme, sepse atëherë ata do të largoheshin nga faqja X dhe ai do të humbiste para. Prandaj, algoritmi i dëmton shumë mediat që publikojnë artikujt e tyre në X. Tashmë, në X, por edhe në rrjete të tjera sociale, modeli i biznesit për t’u bërë viral ose për të marrë klikime ka marrë fund.”

Por gazetarët e Guardian vazhdojnë të postojnë artikujt e tyre në X. A nuk është kjo një kontradiktë në këtë betejë politike?

“Nëse një gazetar ka një numër të madh ndjekësish, ai dëshiron të ndërtojë një markë dhe të lejojë Musk të fitojë para, po, sigurisht. Por nëse dikush mendon se po tërheq lexues në faqet e veta, e ka gabim. Në ditët e sotme, sinqerisht ka pak për të fituar nga gazetat duke qëndruar në X.”

Dhe çfarë alternativash ka?

“Për shembull, rrjeti i ri social Bluesky, alternativa e vërtetë për Twitter. Deri para disa javësh nuk të vija as edhe një qindarkë, por tashmë ka pasur një eksod të vogël përdoruesish. Ose, në rastin tim, nisa London Centric sepse besoj se gazetaria sot duhet të kthehet gjithnjë e më shumë në vlerat e vjetra dhe në baza lokale, duke ofruar produkte interesante si një tregtar fiorentin i shekullit të 16-të. Ne kërkojmë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me publikun dhe besimin e tij përmes abonimeve, për shembull me gazetat, dhe jo përmes mediave sociale. Po ecim shumë mirë”.

Por, në luftën e tij të përditshme kundër medias, Musk përsërit çdo ditë se X është tashmë platforma e lajmeve më e lexuar në botë dhe se mediat kryesore do të vdesin, ndoshta duke i shkaktuar dëme serioze demokracisë.

“Nuk besoj. Ashtu si unë dhe shumë të tjerë, gjithnjë e më shumë njerëz do ta braktisin X-in. Me të, pasqyra e ish-Twitter-it është kthyer nga një e tillë lajmesh, në një kaskadë egocentrizmi, dhune dhe videosh anti-migrantëve. Musk e shkatërroi Twitter-in pasi investoi 40 miliardë në të. Përtej mediave të modës së vjetër, në vend të X, njerëzit normalë do të përdorin gjithnjë e më shumë YouTube, podkaste, ndoshta TikTok, të cilat tashmë janë dukshëm më me ndikim se X. Gazetaria nuk do të marrë fund me Elon Musk. / La Repubblica/ KultPlus.com

Fjalët dhe frazat që kurrë nuk duhet t’i kërkoni në Google

Kërkimi në Google mund të duket si një nga gjërat më të sigurta që mund të bëni online. Por ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se ka disa kërkime që mund t’ju vendosin në rrezik serioz për tu hakuar.

Javën e kaluar, u zbulua se kriminelët kibernetikë kishin përvetësuar rezultatet e Google për “A janë legale macet Bengal në Australi?” për të infektuar kompjuterët e adhuruesve të maceve.

Tani, ekspertët kanë zbuluar edhe shtatë fjalë dhe fraza të tjera të zakonshme që kurrë nuk duhet t’i kërkoni në Google. Duke përdorur një teknikë të quajtur “SEO poisoning” (helmi SEO), kriminelët shfrytëzojnë rezultatet e kërkimit të Google për të joshur viktimat e pavetëdijshme në faqe interneti që ata kontrollojnë.

Ndjekja e këtyre lidhjeve mund të çojë në marrjen në kontroll të kompjuterit tuaj nga hakerët, vjedhjen e informacionit tuaj dhe madje mbajtjen e të dhënave tuaja për shpërblim.

“Helmi SEO është një taktikë e përdorur nga kriminelët kibernetikë për të manipuluar rezultatet e motorëve të kërkimit dhe më pas për të drejtuar përdoruesit në faqe të rrezikshme që shpesh duken të ligjshme. Kur përdoruesit klikojnë në këto lidhje, ata çohen në faqe që i ekspozojnë ndaj malware-it, i cili shpesh shkarkohet menjëherë dhe mund të kompromentojë sigurinë e kompjuterit, duke çuar potencialisht në vjedhje të të dhënave ose infeksione të pajisjes”, tha Jake Moore, këshilltar global i sigurisë kibernetike në ESET për MailOnline – transameton GazetaExpress.

1:  “Numri i shërbimit ndaj klientit”

Sipas firmës së sigurisë kibernetike TorGuard, mashtruesit shpesh blejnë reklama për terma kërkimi në mënyrë që faqet e tyre të rrezikshme të shfaqen afër majës së faqes së rezultateve. Meqë shumica e përdoruesve të internetit supozojnë se rezultatet e listuara në krye janë të ligjshme, njerëzit ndjekin këto lidhje pa bërë vëzhgime të duhura.

Themeluesi i TorGuard, Ben Van Pelt, thotë se mashtruesit shpesh përdorin këto reklama për të imituar shërbimin ndaj klientit të një kompanie të ligjshme. Kur një klient telefonon atë numër, në vend që të arrijë kompaninë që synoi të gjejë, përballet me një mashtrues i cili është i gatshëm të përpiqet t’i vjedhë informacionin.

 “Ata marrin këto telefonata, ndonjëherë qindra çdo ditë, dhe i imitojnë bindshëm një teknik”, tha Van Pelt për Indy100.

Për të shmangur këto mashtrime, gjithmonë kërkoni numrat e shërbimit ndaj klientit direkt nga faqja zyrtare e kompanisë, jo nga rezultatet e kërkimit në Google. Po ashtu, përdoruesit e internetit duhet të jenë shumë të kujdesshëm kur kërkojnë termin “mbështetje teknike.”

Van Pelt paralajmëron se disa kriminelë do të krijojnë shërbime të rreme të mbështetjes teknike për të mashtruar përdoruesit që t’u japin atyre akces të largët në pajisjet e tyre.

Pasi të kenë akses, është e lehtë për hakerët të vjedhin informacionin e kartave të kreditit, të instalojnë malware ose të krijojnë terrenin për sulme edhe më të mëdha.

2: “Kredi të lehta”

Fatkeqësisht, ashtu si shumë mashtrues të tjerë, kriminelët kibernetikë shpesh shenjtërojnë ata që ndodhen në vështirësi financiare. Duke shenjëstruar ata që janë në situata të dëshpëruara, kriminelët shpresojnë që viktimat e tyre nuk do të jenë shumë të kujdesshme kur hasin një ofertë që duket tepër e mirë për të qenë e vërtetë.

Sipas Van Pelt, kriminelët kibernetikë do të shfrytëzojnë njerëzit që kërkojnë fraza si “Kredi të Lehta”, “Skema për të Fituar Shpejt para” dhe “Punë të Mirë-paguara në Distancë”. Duke helmuar rezultatet e kërkimit për këto terma, kriminelët vendosin faqet e tyre të kontrolluara në pozita të larta në rezultatet e kërkimit të Google.

Pasi dikush të jetë joshur për të vizituar faqen, mashtruesit do të përpiqen t’i mashtrojnë që të japin informacionin e tyre bankar ose të shkarkojnë malware në kompjuterët e tyre. Për shembull, dikush që është shenjëstruar nga një mashtrim për punë në distancë mund të kërkohet të instalojë një program për të filluar punën ose për të marrë pjesë në një intervistë. Megjithatë, këto shkarkime do të përmbajnë malware që infekton kompjuterin e synuar dhe nxjerr të dhënat personale të tij.

Në të njëjtën mënyrë, hakerët kanë përdorur gjithashtu frazën “Raport Krediti Falas”. Ndryshe nga sulmet që mashtrojnë njerëzit për të instaluar malware, këto sulme përpiqen të marrin informacionin e viktimës direkt. Pasi kërkojnë frazën, përdoruesit mund të gjejnë një faqe që duket si një website legjitim për vlerësimin e kredisë, por që është në të vërtetë e kontrolluar nga kriminelët të cilët regjistrojnë të gjithë informacionin që vizitorët fusin.

Në këtë mënyrë, mashtruesit mund të mashtrojnë lehtësisht viktimat e tyre për të dhënë gjithçka, nga data e lindjes e deri tek Numri i Sigurimit Kombëtar dhe adresa. Me këtë informacion, mashtruesit mund të imitojnë ose shantazhojnë viktimat për përfitime financiare.

3: “Google Authenticator”

Ndërsa shumica e sulmeve të SEO poisoning shënjestrojnë fjalë dhe fraza specifike, disa mashtrime përpiqen të imitojnë produkte të vërteta. Në qershor, studiuesit e sigurisë kibernetike nga Malwarebytes paralajmëruan se kriminelët kibernetikë kishin filluar të shënjestronin përdoruesit që kërkonin aplikacionin Google Authenticator. Ky aplikacion është i nevojshëm për t’u identifikuar në disa shërbime të sigurta dhe siguron një autentifikim me dy faktorë, i cili është thelbësor për sigurinë kibernetike.

Megjithatë, Malwarebytes zbuloi se hakerët kishin blerë reklama të rreme që promovonin atë që dukej si një lidhje legjitime për aplikacionin. Ndjekja e kësaj lidhjeje i çonte përdoruesit në një faqe interneti të maskuar, e cila i kërkonte vizitorit të instalonte një skedar në kompjuterin e tij. Por, në vend që të instalonin Google Authenticator, ata që klikonin “shkarko” do të instalonin një malware të krijuar për të vjedhur të dhënat personale nga pajisja.

“Problemi kryesor me imitimin e markave vjen nga reklamat që duken si të jenë nga burime zyrtare dhe identitetet e reklamuesve që verifikohen nga Google. Duhet të theksojmë se Google Authenticator është një mjet i njohur dhe i besuar për autentifikimin me shumë faktorë, kështu që ka një ironi kur viktimat potenciale kompromentohen ndërsa përpiqen të përmirësojnë sigurinë e tyre”, shkroi, Jérôme Segura i Malwarebytes në një postim në blog.

Segura shton se njerëzit duhet të shmangin klikimin në reklama për të shkarkuar çfarëdo lloj softueri dhe në vend të kësaj të vizitojnë direkt burimet zyrtare.

4: “Pyetësori i forcës mendore sportive”

Zakonisht, sulmet e SEO poisoning synojnë të tërheqin sa më shumë përdorues të internetit për të rritur gjasat e kapjes së një viktime. Megjithatë, në disa raste, hakerët synojnë edhe grupe të veçanta individësh. Ndërsa po hetonin një fushatë malware të quajtur SolarMarker, studiuesit e sigurisë kibernetike në Menlo Security zbuluan mbi 2,000 terma unike kërkimi që ishin kompromentuar. Ndër këto terma ishte edhe fraza specifike: “Pyetësori i Forcës Mendore Sportive.”

Ajo që e bëri këtë sulm unikisht të rrezikshëm është se ky kërkim kthente rezultate që lidheshin direkt me skedarët PDF. Z. Moore thotë: “SEO poisoning është shpesh e vështirë për t’u dalluar, por zakonisht do të përdoret posaçërisht për njerëzit që përdorin Google për të kërkuar dokumente dhe PDF, në vend të faqeve të internetit.”

5: “Online Viagra”

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë paralajmëruar gjithashtu përdoruesit e internetit që të jenë të kujdesshëm kur kërkojnë për Viagra ose medikamente të ngjashme në internet. Këtë vit, studiuesit e sigurisë kanë zbuluar se mijëra faqe interneti janë viktimizuar nga ajo që quhet “hack-u farmaceutik”. Në këtë sulm, kriminelët kibernetikë depërtojnë në faqet e internetit të WordPress me mbrojtje të dobët dhe i mbushin ato me lidhje që çojnë në faqe të rreme që reklamojnë versione të falsifikuara të farmaceutikëve të markuar.

Si rezultat, Google i regjistron këto lidhje si sinjal pozitiv për legjitimitetin e faqes, duke i vendosur këto faqe të dyshimta në krye të rezultateve të kërkimit. Në një postim në blog, studiuesit nga SolidWP zbuluan një version shumë të sofistikuar të sulmit që maskonte këto lidhje të dyshimta duke përdorur emrin e faqes së internetit të komprometuar.

“Duke vepruar kështu, njerëzit besojnë vërtet se po klikojnë në një faqe të ligjshme që shet farmaceutikë legalë”, shpjeguan studjuesit.

Pasi viktima hyn në faqen e komprometuar, mashtruesit mund ta manipulojnë atë për të dhënë informacione personale ose për të blerë medikamente të rreme, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin.

Ndërsa kërcënimet vazhdojnë të shtohen, ekspertët rekomandojnë të shmangen kërkimet e ndjeshme dhe blerjet e medikamenteve përmes internetit, dhe në vend të kësaj të përdoren faqet zyrtare ose të konsultohet një profesionist shëndetësor./Express/ KultPlus.com

Dhjetëra të rinj shijojnë përvojën unike të ngjitjes në Malin e Thatë në Pogradec

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje fantastike nga Mali i Thatë në Pogradec.

“Një përvojë mbi re ose “dy qiejt” që kundrohen nga Mali i Thatë në Pogradec, i cili këto ditë ofron pamje fantastike të liqenit e ku dhjetëra të rinj shijojnë përvojën unike të ngjitjes në mal, duke promovuar këtë aktivitet ekoturistik që i shtohet buqetës së atraksioneve pogradecare”, shkruan Rama.

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë dhe gjatë dimrit është i mbuluar nga bora.

Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a përrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit.

Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshët, e sheshtë dhe me gropa karstike.

Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit , e cila është 2287 m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjerë rreth 8 km në pjesën qendrore të vet./ KultPlus.com

80-vjetori i Çlirimit, Vlora feston me muzikë dhe këngë në Sheshin e Flamurit

Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit, Sheshi i Flamurit në Vlorë do të mbushet me tingujt e muzikës dhe këngëve që nderojnë sakrificën dhe lirinë e popullit shqiptar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot përmes një postimi në rrjetet sociale se aktiviteti do të mbahet më 18 nëntor, në ora 12:00. “Festojmë me muzikën dhe shpirtin e kombit tonë! Ejani të ndajmë së bashku këtë moment historik,” shkruan ministri.

Festa pritet të tërheqë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, duke u kthyer në një ditë plot emocion, harmoni dhe respekt për ata që luftuan për lirinë e vendit./ KultPlus.com