Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vinçit:
E vërteta është vajza e vetme e kohës.
Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.
Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.
Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.
Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.
Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.
Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.
Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.
Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.
Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.
Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.
Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?
Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.
Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.
Urtësia është vajza e përvojës.
Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.
Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.
Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.
Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.
Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.
Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.
Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.
Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.
Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.
Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.
Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.
Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.
Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.
Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.
Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.
Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.
Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.
Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.
I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.
Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.
Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.
E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.
Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.
Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.
Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com
Ata që nuk bëjnë dot pa celular, për punë apo edhe për pasion, e dinë mirë rëndësinë e të pasurit gjithmonë në dispozicion një bateri rezervë dhe shpesh kur blejnë një celular të ri kujdesen ta kërkojnë atë, shkruan focus.it.
Për arsye të ngjashme, të tjerët e dinë se sa e rëndësishme është të drejtosh një makinë me autonomi karikimi sa më të madhe; por përpiquni të mendoni për të ardhmen, kur të gjitha automjetet së pari do të bëhen hibride, pastaj plotësisht elektrike dhe dy nevojat e ndryshme do të bashkohen në mënyrë të pandashme.
Por, sa kohë funksionojnë bateritë e makinave elektrike?
Përgjigjja është mjaft banale: askush nuk e di me siguri!
Po, duket e pabesueshme që markat e kalibrit të ”Toyota”, ”Nissan” dhe ”Chevrolet”, vetëm për të përmendur disa, po synojnë me vendosmëri në këtë drejtim, pa e ditur saktësisht se çfarë i pret.
Në Detroit, në fakt, që nga fundi i vitit 2007, vit në të cilin u prodhuan pjesët e para të baterisë së përdorur, qindra e qindra teste laboratorike janë bërë pa ndërprerje, ku funksionimi i tyre është testuar në kushtet më të ndryshme, nga ngrirja më e ftohtë në vapën më përvëluese, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë.
Të dhënat e mbledhura ishin aq inkurajuese sa e shtynë ”Chevrolet” dhe ”Nissan” t’i garantonin për tetë vjet ose 150 000 kilometra garanci.
Në përgjithësi, bateritë e automjeteve elektrike mund të mbështesin nga 1 000 deri në 1 500 cikle karikimi, prandaj, duke marrë parasysh një autonomi mesatare prej 300 kilometrash për çdo karikim, është e mundur të vlerësohet një kohëzgjatje maksimale që mbulon midis 300-450 mijë kilometra./ KultPlus.com
Kur presidenti i SHBA Joe Biden shkoi në Kiev në shkurt 2023 në një vizitë të befasishme për të treguar solidaritet me Volodymyr Zelenskyn, homologun e tij ukrainas, sirenat ajrore ulërinin. “Ndjeva diçka… më fort se kurrë më parë,” kujtoi ai më vonë. “Amerika është një fener për botën.”
Bota tani pret të shohë se kush do të marrë përgjegjësinë për këtë fener të vetëshpallur pasi amerikanët të bëjnë zgjedhjen e tyre në votimet presidenciale të javës së ardhshme. A do të ecë Kamala Harris në gjurmët e Bidenit me bindjen e saj se “në këto kohë të trazuara, është e qartë se Amerika nuk mund të tërhiqet”? Apo do të jetë Donald Trump me shpresën e tij se “amerikanizmi, jo globalizmi” do të na prijë?
Ne jetojmë në një botë ku vlera e ndikimit global të SHBA-së është në pikëpyetje. Fuqitë rajonale po shkojnë secila në rrugën e vet, regjimet autokratike po bëjnë aleancat e tyre dhe luftërat shkatërruese në Gaza, Ukrainë dhe gjetkë po ngrenë pyetje të pakëndshme për vlerën e rolit të Uashingtonit. Por Amerika ka rëndësi për shkak të fuqisë së saj ekonomike dhe ushtarake dhe rolit të saj në shumë aleanca. Ja disa reflektime nga vëzhgues të informuar, mbi pasojat globale të këtyre zgjedhjeve shumë të rëndësishme.
Fuqia ushtarake
“Nuk mund t’i zbus këto paralajmërime,” thotë Rose Gottemoeller, ish-zëvendës sekretarja e përgjithshme e NATO-s. “Donald Trump është makthi i Evropës, jehona e kërcënimit të tij për t’u tërhequr nga NATO është ende në veshët e të gjithëve.”
Shpenzimet e mbrojtjes së Uashingtonit janë sa dy të tretat e buxheteve ushtarake të 31 anëtarëve të tjerë të NATO-s. Përtej NATO-s, SHBA shpenzon më shumë për ushtrinë e saj sesa 10 vendet që e pasojnë të marrë së bashku, përfshirë Kinën dhe Rusinë.
Trump mburret se po luan fort për të detyruar vendet e tjera të NATO-s të përmbushin objektivin e shpenzimeve ushtarake, që është 2% e PBB-së së tyre – vetëm 23 nga vendet anëtare e kanë arritur këtë objektiv në vitin 2024.
Nëse fiton Harris, zonja Gottemoeller beson se “NATO pa dyshim do të jetë në duart e forta të Uashingtonit”. Por edhe në këtë rast, ajo ka një paralajmërim. “Ajo do të jetë e gatshme të vazhdojë të punojë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian për të arritur fitoren në Ukrainë, por nuk do të tërhiqet nga presioni ndaj Evropës për shpenzimet”.
Por ekipi i Harris në Shtëpinë e Bardhë do të duhet të qeverisë me Senatin ose Dhomën, të cilat së shpejti mund të jenë në duart e republikanëve dhe do të jenë më pak të prirura për të mbështetur luftërat e huaja sesa homologët e tyre demokratë. Ekziston një ndjesi në rritje se, pavarësisht se kush bëhet president, presioni do të rritet mbi Kievin për të gjetur mënyra për të dalë nga kjo luftë, pasi ligjvënësit amerikanë po ngurrojnë gjithnjë e më shumë të miratojnë paketa të mëdha ndihme.
Çfarëdo që të ndodhë, Gottemoeller thotë: “Unë nuk besoj se NATO duhet të shpërbëhet”. Evropa do të duhet të “bëjëj një hap përpara për të udhëhequr”.
Paqebërës?
Presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të duhet të punojë në një botë që përballet me rrezikun më të madh të konfrontimit mes fuqive të mëdha, që nga Lufta e Ftohtë.
“SHBA mbetet aktori ndërkombëtar më i rëndësishëm në çështjet e paqes dhe sigurisë”, thotë Comfort Ero, president dhe CEO i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Ajo shton një paralajmërim, “por fuqia e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e konflikteve është zvogëluar”.
Luftërat po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u dhënë fund. “Konflikti vdekjeprurës po bëhet më i vështirë, me konkurrencën e fuqive të mëdha që po përshpejtohet dhe fuqitë e mesme në rritje”. Kështu e përshkruan zonja Ero peizazhin. Luftërat si Ukraina tërheqin fuqi të shumta dhe konflikte të tilla si Sudani i vendosin aktorët rajonalë me interesa konkurruese kundër njëri-tjetrit. Disa prej tyre preferojnë luftë dhe jo paqe.
Amerika po humbet epërsinë morale, thotë zonja Ero. “Aktorët globalë vënë re se ajo zbaton një standard për veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe një tjetër për ato të Izraelit në Gaza. Lufta në Sudan ka parë mizori të tmerrshme, por trajtohet si një çështje e nivelit të dytë.”
Një fitore e Harrisit, thotë ajo, “përfaqëson vazhdimësinë me administratën aktuale”. Nëse fiton Trump, ai “mund t’i japë Izraelit një dorë edhe më të lirë në Gaza dhe gjetkë, dhe ka lënë të kuptohet se mund të përpiqet të ndërpresë një marrëveshje të Ukrainës me Moskën, në kurriz të Kievit”.
Në Lindjen e Mesme, kandidati demokrat ka përsëritur vazhdimisht mbështetjen e prerë të zotit Biden për “të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur”. Por ka theksuar gjithashtu se “vrasja e palestinezëve të pafajshëm duhet të ndalet”.
Trump ka deklaruar gjithashtu se është koha që të “rikthehemi tek paqja dhe të ndalojmë vrasjen e njerëzve”. Por thuhet se ai i ka thënë liderit izraelit Benjamin Netanyahu që “bëni atë që duhet të bëni”.
Kandidati republikan krenohet se është një paqebërës. “Unë do të sjell paqe në Lindjen e Mesme dhe shumë shpejt,” u zotua ai në një intervistë me Al Arabiya TV të Arabisë Saudite të dielën mbrëma.
Ai ka premtuar të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020. Këto marrëveshje dypalëshe normalizuan marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa shteteve arabe, por mendohet gjerësisht se i kanë lënë mënjanë palestinezët dhe përfundimisht kanë kontribuar në krizën aktuale.
Në Ukrainë, Trump nuk e fsheh kurrë admirimin e tij për njerëzit e fortë si Vladimir Putini i Rusisë. Ai e ka bërë të qartë se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, dhe bashkë me të edhe mbështetjes së madhe ushtarake dhe financiare të SHBA-së. “Unë do të largohem. Duhet të largohemi”, këmbënguli ai në një miting të fundit.
Në të kundërt, Harris ka thënë: “Jam krenare që kam qëndruar dhe qëndroj krah Ukrainës. Unë do të vazhdoj të mbështes Ukrainën. Dhe do të punoj për të siguruar që Ukraina të dalë fituese në këtë luftë”. Por zonja Ero shqetësohet se, pavarësisht se kush zgjidhet, gjërat mund të përkeqësohen në botë.
Marrëdhëniet me Pekinin
“Tronditja më e madhe për ekonominë globale në disa dekada.” Ky është këndvështrimi i studiuesit të çështjeve të Kinës, Rana Mitter në lidhje me tarifat e propozuara nga Trump për të gjitha mallrat e importuara kineze.
Imponimi i kostove të mëdha ndaj Kinës dhe shumë partnerëve të tjerë tregtarë, ka qenë një nga kërcënimet më të vazhdueshme të Trumpit, në qasjen e tij “Amerika e para”. Por Trump gjithashtu lavdëron atë që ai e sheh si lidhjen e tij të fortë personale me Presidentin Xi Jinping. Ai i tha bordit redaktues të Wall Street Journal se nuk do të duhej të përdorte forcë ushtarake nëse Pekini do të lëvizte për të bllokuar Tajvanin, sepse udhëheqësi kinez “më respekton dhe ai e di që jam i çmendur”.
Por, si republikanët, ashtu edhe demokratët me peshë janë armiqësorë. Të dy e shohin Pekinin si të prirur për të eklipsuar Amerikën si fuqinë më të rëndësishme.
Por Mitter, një historian britanik që mban postin e ST Lee në marrëdhëniet SHBA-Azi në Shkollën Kennedy të Harvardit, sheh disa dallime. Me zonjën Harris ai thotë, “marrëdhëniet ka të ngjarë të zhvillohen në një mënyrë lineare, nga pozicioni ku janë tani”. Nëse Trump fiton, është një “skenar më i rrjedhshëm”. Për shembull, në Tajvan, Mitter tregon për ambivalencën e Trumpit nëse ai do të mbronte një ishull larg Amerikës.
Kriza klimatike
“Zgjedhjet në SHBA janë jashtëzakonisht të rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Amerikës, por për të gjithë botën për shkak të imperativit urgjent të krizës së klimës dhe natyrës,” thotë Mary Robinson, kryetare e Elders, një grup liderësh botërorë të themeluar nga Nelson Mandela, si dhe ish-presidente e Irlandës dhe Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
“Çdo pjesë e një shkalle ka rëndësi për të shmangur ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike dhe për të parandaluar një të ardhme ku uraganet shkatërruese si Milton janë të zakonshme,” shton ajo.
Por, ndërsa uraganet Milton dhe Helene bënin kërdinë, Trump përqeshi planet dhe politikat mjedisore për t’u përballur me këtë emergjencë klimatike si “një nga mashtrimet më të mëdha të të gjitha kohërave”. Shumë presin që ai të tërhiqet nga marrëveshja e klimës e Parisit e vitit 2015, siç bëri në mandatin e tij të parë.
Megjithatë, zonja Robinson beson se Trump nuk mund ta ndalojë vrullin që tani po akumulohet. “Ai nuk mund të ndalojë tranzicionin energjetik të SHBA-së dhe të heqë miliarda dollarë subvencione të gjelbra… as nuk mund të ndalojë lëvizjen e fortë jo-federale për klimën.”
Ajo gjithashtu i kërkoi Harris, e cila ende nuk e ka forcuar qëndrimin e saj, të përparojë “për të treguar lidership, për të ndërtuar mbi themelet e hedhura vitet e fundit dhe për të nxitur emetuesit e tjerë të mëdhenj që të shtojnë ritmin”.
Udhëheqja humanitare
“Rezultati i zgjedhjeve në SHBA ka një rëndësi të madhe, duke pasur parasysh ndikimin e pashembullt që Shtetet e Bashkuara kanë, jo vetëm përmes fuqisë së tyre ushtarake dhe ekonomike, por përmes potencialit të vet për të udhëhequr me autoritet moral në skenën globale,” thotë Martin Griffiths, një ndërmjetësues veteran konfliktesh, i cili deri vonë ishte Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente.
Ai sheh një dritë më të madhe nëse Harris fiton dhe thotë se “një rikthim në presidencën e Trumpit i shënuar nga izolacionizmi dhe unilateralizmi, sjell edhe një thellim të paqëndrueshmërisë globale”. Por ai ka kritika gjithashtu për administratën Biden-Harris, duke përmendur “ngurrimin” e saj mbi situatën e përkeqësuar në Lindjen e Mesme.
Krerët e agjencive të ndihmës kanë dënuar vazhdimisht sulmin vrastar të Hamasit të 7 tetorit ndaj civilëve izraelitë. Por ata gjithashtu i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur SHBA-së që të bëjë shumë më tepër për t’i dhënë fund vuajtjeve të thella të civilëve në Gaza dhe në Liban.
Biden dhe zyrtarët e tij të lartë vazhdimisht bënin thirrje për më shumë ndihma në Gaza dhe ndonjëherë kjo solli ndryshim. Por kritikët thonë se ndihma dhe presioni nuk ishin kurrë të mjaftueshme. Një paralajmërim i kohëve të fundit se një pjesë e ndihmës jetike ushtarake mund të ndërpritet e shtyu vendimin deri pas zgjedhjeve në SHBA.
SHBA është donatori i vetëm më i madh kur bëhet fjalë për sistemin e OKB-së. Në vitin 2022, ajo siguroi një rekord prej 18.1 miliardë dollarë (13.9 miliardë paund).
Por në mandatin e parë të Trump, ai hoqi fondet për disa agjenci të OKB-së dhe u tërhoq nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Donatorë të tjerë u përpoqën të mbushnin boshllëqet – kjo është ajo që Trump donte të ndodhte.
Por Griffths ende beson se Amerika është një fuqi e domosdoshme. “Në një kohë konflikti dhe pasigurie globale, bota dëshiron që SHBA të përballet me sfidën e udhëheqjes së përgjegjshme dhe parimore… Ne kërkojmë më shumë. Ne meritojmë më shumë. Dhe ne guxojmë të shpresojmë për më shumë.” / BBC/ KultPlus.com
Workshop-i në kuadër të konferencës “NanoBallkan 2024” mblodhi së bashku 30 pjesëmarrëse nga Shqipëria dhe vende të tjera të botës.
Synimi i workshop-it është për t’u njohur me arritjet shkencore të grave në disa fusha si: mjekësia dhe shëndetësia; telekomunikacioni dhe transporti; prodhimi dhe gjysmëpërçuesit; bioteknologjia dhe farmaceutika; energjia dhe ushqimi, klima dhe mjedisi.
Kjo veprimtari ofroi platformën për diskutimin e mënyrave sesi teknologjia e avancuar ka transformuar proceset e kërkimit dhe praktikat e biznesit. Mbështetja dhe vlerësimi për gratë e suksesshme në shkencë vjen gjithmonë nga kolegët burra, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm si mbështetës, vlerësues dhe motivues.
Workshop-i u zhvillua nga AlbanianWomeninNanotechnology (AWIN) në bashkëpunim me NanoAlb në Pallatin e Kongreseve, si pjesë e konferencës ndërkombëtare NanoBalkan2024./ KultPlus.com
Një gjykatë në Rusi e ka gjobitur Google-n me një shumë të pakuptimtë – një dysh i përcjellë me 36 zero – për kufizimin e kanaleve mediatike shtetërore ruse në YouTube.
Në dollarë, kjo nënkupton se nga gjiganti teknologjik është kërkuar të paguajë 20,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000,000 dollarë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Përkundër se është një prej kompanive më të pasura, shuma është shumë më e lartë sesa vlera prej 2 trilionë dollarësh e Google.
Në të vërtetë, është shumë më e lartë sesa totali i GDP-së së botës, e cila vlerësohet të jetë 110 trilionë dollarë, sipas FMN-së.
sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka pranuar se as ai “nuk mund ta lexoj këtë numër” por i kërkoi “menaxhmentit të Google që ta kenë vëmendjen”.
Kompania nuk e ka komentuar vendimin e gjykatës ruse./ KultPlus.com
Ylli i muzikës pop, Mariah Carey ka nisur sezonin e Krishtlindjeve pas një kërcimi të frymëzuar nga “Addams Family” në mediat sociale për të shënuar Halloween-in.
Këngëtarja amerikane u vesh si Morticia Addams për videon e saj vjetore që shënon fillimin e festimeve.
Klipi fillon bardh e zi me 55-vjeçaren që mban firmën e Morticia-s me flokë të zeza të gjata e të drejta dhe me një fustan të zi me mëngë lakuriqi.
Carey kërcen me një burrë të veshur si Gomez Addams, i cili ka veshur një kostum me shirita, me flokët e tij të ngjitur, përpara se ajo t’i lëshojë një kamë.
Kur ora shënon 23:59 e 31 tetorit deri në mesnatën e 1 nëntorit, hapet një dollap duke zbuluar një veshje të frymëzuar nga Babagjyshi i Krishtlindjeve.
Më pas, videoja kalon te Carey, e veshur me veshjen e saj kuq e bardhë, ndërsa luhet kënga e saj hit e vitit 1994 “All I Want For Christmas Is You”.
Carey është bërë gjithnjë e më shumë sinonim i sezonit të Krishtlindjeve që nga publikimi i albumit të saj të parë të festave “Merry Christmas” në 1994.
Ajo do të vizitojë 20 qytete të SHBA në dy muajt e ardhshëm për shfaqje me temë festive për 30-vjetorin e albumit./ KultPlus.com
Grabitësit u larguan nga galeria në qytetin Oisterwijk në jug të Holandës me dy printime mëndafshi të artistit, Andy Warhol, raportoi sot pronari i Galerisë MPV, Mark Peet Visser.
“Grabitësit kishin lënë dy portrete të tjera në rrugë pasi nuk ishin në gjendje t’i fusnin të gjitha në makinë gjatë arratisjes”, tha ai.
Portretet e vjedhura janë të mbretëreshës së Anglisë Elizabeth II dhe mbretëreshës së Danimarkës Margarethe II. Kornizat e tyre janë thyer dhe besohet se janë dëmtuar.
Portretet e mbretëreshës Beatrix të Holandës dhe të mbretëreshës Ntfombi Twala të Eswatini u braktisën në rrugë jashtë galerisë.
Portretet janë pjesë e një serie veprash “Reigning Queens – të realizuara nga Andy Warhol – një artist vizual, regjisor dhe producent amerikan – dhe një figurë udhëheqëse në lëvizjen e “Pop Art” të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, në vitet 1980.
Visser nuk pranoi te zbulonte kostot e portreteve, të cilat do të ishin ofruar për shitje në ankandin e artit PAN Amsterdam, në fund të muajit.
Pas bërjes publike të portretit të parë, Warhol bëri një numër kopjesh me ngjyra të ndryshme.
Katër printime mëndafshi të numëruara dhe të nënshkruara të mbretëreshës Beatrix të Holandës u shfaqën në ankand me një vlerë prej 217,000 euro, në Hagë në vitin 2021. / KultPlus.com
Gati pesë dekada pas vdekjes së “Mbretit të Rock and Roll-it”, Elvis Presley – operatorët e rezidencës se tij historike, Graceland – thanë se kanë ambicie të mëdha për të zgjeruar markën e Graceland drejt një brezi të ri: Për ata që e kanë admiruar trashëgiminë e Presley nga larg, tani do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e turneut “Presley for a Day” – të jetojnë një ditë si Presley, sipas “abc news”.
“Kur pashë Graceland, thashë, është gjithçka”, tha Joel Weinshanker, partneri menaxhues i “Elvis Presley Enterprises”.
“Ishte dhe është e mrekullueshme për Amerikën dhe kulturën perëndimore”, shtoi ai.
Ofertat e reja në Graceland shkojnë përtej muzeut, duke shfaqur një sërë veshjesh të praruara, makina, suvenire të dyqaneve të dhuratave dhe madje edhe avionin “Presley” të quajtur për vajzën e ndjerë të “Mbretit të Rock and Roll-it”, Lisa Marie.
Ajo shkon përtej një turneu të plotë të rezidencës – ku vizitorët do të gjejnë një ambient magjepsës – dhe brenda një dollapi kuzhine, nënshkrimin e Lisa Marie.
Turneu i ri kushton 6,000 dollarë për një grup prej katër vetash dhe ofron shtatë orë nga ajo që faturohet si akses “i paprecedentë” në disa nga vendet dhe pasuritë e preferuara të familjes Presley në Graceland.
Weinshanker tha se kjo është hera e parë që të huajt mund të shohin këtë pjesë të pronës.
Të ftuarit mund të shikojnë nga brenda arkivat e Graceland dhe të zbulojnë disa nga pasuritë më të çmuara të Presley – ndërsa mbajnë veshur doreza të bardha – nga kapelja që mbante kur shërbente në ushtri, deri te rripi me diamante dhe rubin që vendosi si në skenë ashtu edhe ndërsa shtrëngonte duart me presidentin Richard Nixon, në Zyrën Ovale.
Kujdestarët e trashëgimisë së Presley, thanë se ata duan që oferta e re e Graceland të ofrojë një shije intime nga prapaskenat e botës së Presley.
“Ne përpiqemi të bëjmë atë që Elvis do të donte që ne të bënim”, tha Weinshanker.
Ne patëm shumë diskutime dhe ajo që arritëm ishte ky turne i jashtëzakonshëm.
Njerëzit vazhdojnë të flasin për karrocat e golfit, kuajt dhe të gjitha këto gjëra që Elvisi dhe familja e tij përdorën në pronë, dhe ne thamë, po sikur të lejojmë një numër vërtet të vogël njerëzish ta bëjnë këtë?”
Menjëherë pasi ai vdiq në 1977, Lisa Marie u bë trashëgimtarja e vetme e Graceland.
“Më shumë se 45 vjet pasi Presley vdiq në Graceland, ajo është ende një nga shtëpitë më të vizituara në vend – nga afërsisht 750 000 njerëz në vit, e rivalizuar vetëm nga Shtëpia e Bardhë”, tha Weinshanker.
“Elvis mund të jetonte kudo në botë. Ai gjithmonë kthehej këtu”, shtoi ai.
Turneu “Presley for a Day” përfshin gjithashtu një vakt të përgatitur nga kuzhinieri, të përshtatur për mysafirët brenda “Moriah’s House” të sapo rinovuar, me pamje nga kullota e pasme e pronës.
Moriah, për çdo adhurues të habitur të Presley, ishte kali i vogël i Lisa Marie, i cili dikur ishte vendosur atje.
“Ushqimi ishte i rëndësishëm për Elvisin. Dhe këtu në Graceland, kuzhina funksiononte si një restorant me porosi. Nëse dikush donte pulë të skuqur dhe dikush donte mustak, ose barbekju ose mish, ishte gjithmonë dikush këtu për t’ia dalë”, tha kryearkivistja Angie Marchese.
“Një pjesë e të ardhurave të turneut “Presley for a Day” do të shkojnë për të mbështetur bamirësitë lokale të Memphis përmes “Fondacionit Bamirës Elvis Presley”, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e Graceland”, tha Weinshanker.
“Ky është një turne që, nëse Brad Pitt dhe George Clooney thonë, hej, ne duam të kalojmë një ditë në Graceland, ky është tapeti i kuq”, shtoi ai./ KultPlus.com
Banka e Shqipërisë njoftoi se duke filluar nga data 15 nëntor do të hidhen në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 100 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.
Sipas Bankës Qendrore, këto monedha metalike, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.
Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023” si dhe tek drejtshkrimi i fjalëve “Lekë”, “Mbretëresha” dhe “Shqipërisë”.
Pas rreth dy javësh këto monedha do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.
Ndërkohë, më 28 maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë hodhi në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 10 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.
Hedhja në qarkullim i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë. Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit./ KultPlus.com
“Hetime në Hapësirë | Hapësira e së Ardhmes 1:1″ është projekti që ka inicuar aktivitetin njëmujor që për qëllim ka eksperimentimin me struktura të përkohshme në hapësira, duke eksploruar ndikimin e tyre në dizajn dhe funksionalitet, përcjell KultPlus.
Përmes kësaj iniciative, synohet të zbutet kufiri midis projektuesit dhe përdoruesve, duke krijuar një platformë dialogu mbi mënyrat e shfrytëzimit të hapësirave, duke pasur si qëllim inkurajimin për qëndrim në mjedise të përbashkëta.
Përveç projektimit të strukturave, pjesëmarrësit kanë eksploruar konceptet e efiçencës së energjisë dhe parimet e trashëgimisë, kryesisht kur zbatohen në vende me rëndësi historike. Ata gjithashtu kanë mbledh të dhëna që mund të shërbejnë si referencë për projektet e ardhshme.
Pjesëmarrësit kanë marr leksione të shkurtra nga ekspertë të fushës.
Puna e pjesëmarrësit ka qenë: Zhvilloni një ide të vetme bazuar në kontekstet e dhëna.
Kontekste: 1) Strukturë fleksibilitet në një hapësirë të qëndrueshme 2) Strukturë e qëndrueshme në një hapësirë fleksibilitet 3) Strukturë e qëndrueshme në një hapësirë të qëndrueshme.
Pjesë e punës: Hulumtimi në terren, hulumtim i literaturës, hulumtim i materialeve dhe koncepteve kontemporane, aspektet e reja të krijimit të strukturave të përkohshme, ndjekja e ligjëratave nga ekspertë të fushave.
Nga secili grup është krijuar një model i strukturës, koncept dhe paraqitje grafike e prezantuar me datën 22.Tetor.2024, ekspozitë e cila do të qëndroi e hapur deri me datën 30 Tetor.
Ky projekt është udhëhequr nga Bora Kelmendi Beqiraj dhe përkrahur nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Arkitekturës “Universiteti i Prishtinës-Hasan Prishtina”./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në 3 nëntor një takim me shqiptarët në Selanik, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.
Takimi organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, ndërsa vjen pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale njoftimin për këtë takim, i cili do të organizohet të dielën e 3 nëntorit, në orën 11:00, në Selanik.
“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me një mijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Turin e bashkëbisedimit me diasporën, kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.
Në 26 tetor, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE./ KultPlus.com
Evropa po përgatitet për kthimin e mundshëm të ish-presidentit Donald Trump në pushtet, ndërsa rivalja e tij demokrate Kamala Harris mbetet kryesisht e panjohur. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant nga Parisi, shumë evropianë janë të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe ndikimin që mund të ketë mbi të ardhmen e NATO-s, luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe të ardhmen e demokracive të tyre.
Shumë evropianë nuk kanë kujtime të mira nga presidenca e zotit Trump.
Në Francë, marrëdhënia që fillimisht ishte miqësore midis Presidentit Emmanuel Macron dhe homologut amerikan, u ftoh shpejt.
Tensionet midis Evropës dhe Uashingtonit u rritën mbi tregtinë, Iranin, ndryshimet klimatike dhe qasjen e zotit Trump ndaj NATO-s.
Nëse kthehet në pushtet, ish Presidenti Trump thotë se do të vendosë tarifa të larta ndaj Evropës, do të kërkojë negociata për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe do të zvogëlojë mbështetjen amerikane për Kievin. Këto qëndrime, drejtuesit evropianë i kundërshtojnë fuqishëm.
“Ekziston një ndjenjë se ai është më i ashpër, më radikal dhe më i rrezikshëm. Ka shqetësime për të ardhmen e Evropës, NATO-s dhe mbrojtjen dhe solidaritetin e nevojshëm për tu përballur me Rusinë”, thotë analistja politike franceze Nicole Bacharan.
Bashkimi Evropian njoftohet se po përgatitet për të zbutur ndikimin e mundshëm të një fitore të zotit Trump.
Në të gjithë Evropën, njerëzit janë të shqetësuar.
“Trumpi na frikëson sepse shpreh urrejtje, gënjen dhe ne mendojmë se ai sillet si një despot, si diktator”, thotë banori i Parisit, Herve Villemont.
Analistët thonë se evropianët kryesisht duan fitoren e Nënpresidentes Kamala Harris, për të cilën ata shpresojnë se do të vazhdojë lidhjet transatlantike që u forcuan gjatë administratës së Presidentit Biden. Megjithatë, analistët thonë se këto lidhje mund të dobësohen pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, pasi prioritetet amerikane po zhvendosen diku tjetër.
“Unë mendoj se një fitore e zonjës Harris do të krijonte një lehtësim të madh në Evropë….Megjithatë, ajo nuk ka thënë diçka thelbësore, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme…Prandaj ajo mbetet deri diku një mister për shumë evropianë”, thotë Gesine Weber nga Fondi Gjerman Marshall.
Ndërkaq ish Presidenti Trump ka disa mbështetës evropianë. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban thotë se do të festojë nëse fiton zoti Trump.
Gjuha e ashpër e zotit Trump ndaj imigracionit gjen përkrahje mes partive populiste, të së djathtës së skajshme në Evropë.
“Jam e shqetësuar për demokracinë, nëse fiton Trumpi këto zgjedhje do të kenë ndikim edhe në Evropë”, thotë Carolina E. Santo, portugeze që jeton në Paris.
Disa analistë besojnë se një mandat i dytë i zotit Trump mund të nxisë Evropën që të forcojë mbrojtjen e saj ushtarake dhe ekonomike, një lëvizje që kritikët thonë se blloku duhet ta kishte bërë vite më parë. /VOA/ KultPlus.com
Më 1 nëntor 1921, u mbajt seanca e parë e Parlamentit Shqiptar.
KultPlus, po e sjellë foto lajmin e ditës me emrat e pjesëmarrësve në seancën e parë të Parlamentit Shqiptar. Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Rexhep Mitrovica… / KultPlus.com
Si sot më 1 nëntor të vitit 1901, në Sofje të Bullgarisë, doli botimi i parë i gazetës “Drita“, nën drejtimin e atdhetarit Shahin Kolonja.
Gazeta e përdyjavshme “Drita” (1901-1908) ishte një gazetë politike, shoqërore, kulturore e letrare në gjuhën shqipe, e cila si moto të sajën kishte “Mbron të drejtat e kombit shqiptar”.
Mbështeti idenë e bashkimit kombëtar dhe pati mjaft ndikim në zhvillimin e publicistikës shqiptare.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot një një përshkrim të shkurtër shkëputur nga propozimi për dekorimin e gazetës “Drita” me rastin e 70-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë nga kryetari i Akademisë së Shkencave Aleks Buda./KultPlus.com
Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.
Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.
Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.
Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.
Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Tash kur natyra ka lulëzu Qyteti im asht zbukuru Jeta e amël me plot dëfrim Te ti po ngjallet Prishtinë.
Të du të du qyteti im Të du unë si nana fmin’ Të du të du qyteti im Të adhuroj o Prishtinë.
Qyteti im je plot gjallni Me vasha t’bukra djem te ri Gjithçka te ti është plot hijeshi Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com
“Kosovo-Albania Theatre Showcase 2024” ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Të bardhët”, prodhim i Qendrës Multimedia Prishtinë, ndërkohë që mbrëmja u përmbyll tek “ArTurbina” me shfaqjen “Kamarja e turpit”, të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.
Kasti përbëhet nga tre aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Bujar Ahmeti. Qendra Multimedia e cilëson këtë shfaqje si, “një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist”. “Kamarja e turpit”, vepër e Ismail Kadaresë, erdhi në skenë me regji të Kushtrim Koliqit dhe ishte dramatizuar nga Doruntina Basha. Interpretuan aktorët Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi.
“Kamarja e turpit” u botua për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”.
Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M kanë sjellë për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024”, që nisi më 29 tetor dhe vijon deri më 2 nëntor./atsh/KultPlus.com
Në zbatim të udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë sezonit turistik”, për një shërbim sa më të mirë dhe cilësor ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mundësuar një periudhë sa më të gjatë të vizitueshmërisë, DRTK Vlorë njoftoi se, sezoni turistik veror 2024, konsiderohet i përfunduar më datë 31 tetor 2024.
Me përfundimin e sezonit turistik, orari i vizitave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, që administrohen nga DRTK Vlorë, do të jetë si më poshtë:
Në Parkun Arkeologjik të Amantias, Orikut dhe Finiqit:
– Dita e hënë është pushim;
– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;
– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;
Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.
Në Kalanë e Kaninës, Himarës dhe Porto Palermos:
– Dita e hënë është pushim;
– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;
– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;
Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.
Në Manastirin e 40 Shenjtorëve, në Sarandë:
– Dita e hënë është pushim;
– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;
– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;
Ku, bileta kushton 200 lekë/personi dhe 100 lekë/personi për grupet.
Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:
– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);
– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);
– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com
Ç’ke moj zemër që rënkon! Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer… Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver, Mbushen xhepat me flori, E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!
Shitet vendi për para, me para e për para, Bëhet burri telendi, dy para një maskara, Para hasmit lepe peqe, Para zërit të atdheut hund e tyre shtatë sqepe!
Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner, Kurse shoku pinte uthull, lum zotria pinte verë, Milioneri yn’ i ri, Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!
E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj, Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj, Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë, E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!
Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë, Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes të përzë; Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe, E ç’kërkon në gji të gjëmbit të këndoj’ një dallëndyshe?
Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh, Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë: Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!/KultPlus.com
Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Artit Skenik organizuan dje në sallën Black Box, workshop-in “Formate të reja – Territore të reja të artit”.
Gjatë aktivitetit u shfaqën performanca koreografike “Perspektivë e trefishtë” dhe dokumentari “Piramida në skenë”. U diskutua gjithashtu mbi artin urban dhe sfidat e regjistrave skenikë.
Në panelin e diskutimit ishin të pranishëm studentë të sapodiplomuar si Renis Hyka dhe balerinët-koreografë Danja Kovaçi, Uesli Alushi dhe Besjana Bytyqi, të cilët ndanë përvojat e tyre artistike dhe sfidat e punësimit.
Ky aktivitet theksoi se Tirana ofron mundësi për artistët e rinj për të eksploruar forma të reja jashtë skenës tradicionale, duke promovuar eksperimentimin në të gjitha disiplinat artistike. Workshop-i ftoi artistët e rinj të angazhohen në projekte që forcojnë marrëdhëniet me qytetin./atsh/KultPlus.com
I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.
Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.
Sa fort më mundon Vetmia, o nanë E votrën braktisa një ditë N’vendlindje ështe vjeshtë Tani është vonë Më presin të korrat e brengat
N’mendime më ke tretur Tani, o nanë Për birin që të la në vetmi Shikimi përhera kah dera përgjon Trokitje të lehta dëshiron.
Kthehu shpejt më ke pas thënë Se brengat më kanë molisur Të presin shokët një varr nën bli Porositë e babit tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë Që kur ti e ndjell veç një kthim Nëse vetë nuk do të mundem Do i them birit tim Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
Të lutem jeto me shpresa o nanë Se dikush një ditë do të trokllojë Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar publikoi në faqen e tij online, një nga objektet më interesante të fondit të tij, “Kokën e Artemisës”. Vepra është realizuar në mermer të bardhë, me lartësi 28,5 cm, gjerësi 18,5 cm dhe trashësi 24 cm. Ajo është gjetur në Apoloni dhe i përket shekullit IV para Krishtit.
Koka e mermertë, nga një statujë e Artemisës, është zbuluar gjatë punimeve restauruese në shkallaren e monumentit të Agonotetëve dhe me gjasë ka shërbyer, së bashku me skulptura të tjera, si pjesë e dekorimit të harkut të triumfit të këtij monumenti.
Shikimi ëndërrues, kthimi i qafës në të djathë, mënyra e trajtimit të flokëve dhe lidhja e tyre sipër kokës, sugjeron një Apollon mjaft të ngjashëm me atë të Belvedere-s. Në fakt, ngjashmëritë midis dy hyjnive janë vënë gjithmonë në pah nga skulptorët e periudhës antike, pikërisht për të nënvizuar dhe përjetësuar lidhjen gjenetike midis dy hyjnive.
Vepra përbën një nga ekzemplarët më të bukur të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar për nga mënyra e modelimit dhe teknika e punimit artistik./atsh/KultPlus.com
Më 1 nëntor të vitit 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës.
I prirë prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit, Kuvendi kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:
Vilajeti i Shqipërisë;
Nëpunësit shqiptarë;
Arsimi shqip;
Kuvendi i vilajetit;
Buxhet për arsim dhe infrastrukturë.
Kuvendi i Dibrës kërkonte që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip.
Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”.
Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë./atsh/KultPlus.com
Nisi në Tiranë edicioni i 3-të i “DarDan Fest”. Në një mbrëmje mikpritëse tek Piramida e Tiranës, nisi maratona 4-ditore, ku do të shfaqen një shumëllojshmëri dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.
Paraqitja dhe përfshirja e veprave kinematografike me një karakter artistik dhe dokumentaresk reflekton problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Temat kryesore që e bëjnë këtë festival unik janë: Urbanizimi, Zhvillimi dhe Qytetërimi.
Edicioni i tretë i këtij festivali do të jetë një mundësi promovimi për studentët dhe autorët profesionistë të cilët, siç thanë organizatorët, kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 750 materiale filmike kanë mbërritur nga anembanë botës dhe po ashtu, të shumta në numër e tematika, kanë qenë edhe aplikimet shqiptare, të realizuara me profesionalizëm.
Në jurinë e këtij festivali janë emra të njohur të artit e kulturës shqiptare si shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka, piktori, pedagogu e studiuesi Shpend Bengu si dhe arkitektja Matilda Pando e cila do të gjykojë mbi prodhimet kinematografike të cilat në këtë edicion prekin tema të tilla si urbanizimi./atsh/KultPlus.com
Festivali “Maratona Violinistike”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 12-të, erdhi në sallën e Universitetit të Arteve me aktivitetin “Violinistic Greetings”.
Koncerti përfshiu krijimtarinë e pianistes dhe kompozitores së njohur zvicerane Katharina Nohl, si dhe krijimtarinë e violinistes Ina Kosturi, të cilat përcollën një eksperiencë unike, ku krijuesi është njëkohësisht edhe interpretues i veprës së tij.
Premierë në këtë koncert erdhi “Sonata për violinë e piano” krijuar dhe interpretuar nga Ina Kosturi në violinë dhe Elvina Gurra Koçillari në piano.
Katharina Nohl është krijuese dhe drejtuese e festivalit “Swiss Female Composer” dhe muzika e saj interpretohet në mjaft vende të botës. Në vitin 2022 krijimi i saj “Rapsodia për piano” u vlerësua me “Global Music Award”.
Aktiviteti u realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe u organizua nga shoqata “Bota e Artit “./atsh/KultPlus.com