Shpopullohet fshati Kaninë i Vlorës, kosovarët të interesuar për të blerë shtëpitë e braktisura

Kanina ose siç njihet ndryshe ballkoni i Vlorës, një nga fshatrat më të bukur në kurorën e gjelbër të qytetit bregdetar, po shkon drejt shpopullimit . Prej vitesh të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë duke lënë vetëm të moshuarit.

Banorët e mbetur tregojnë se shkaku kryesor i largimit masiv është bërë gjendja e vështirë ekonomike.

“Nuk dëgjojmë më në fshat një zë fëmije apo të qarë fëmije , pasi nuk ka më fëmijë kanë ikur së bashku me prindërit duke na lënë vetëm në pleqtë.”

“Më ka marrë malli të mbledh njëherë fshatin si dikur , dhe do marr fizarmonikën do dal në sheshin e fshatit dhe do bëjë muzik për të mbledhur ata pak banorë, më shumë se 30 vite asnjë aktivitet kulturor nuk ka parë ky fshat, se nuk ka më rini, dhe qendra kulturore e shkatërruar.”

“Kam ngelur “ qyqar” shprehet një moshatar, asnjë nga fëmijët nuk është këtu kemi ngelur vetëm fare .´

Janë shumë pak të rinj që kanë mbetur, ndërsa edhe shkolla po shkon drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve.

Ndërkohë, sipas banorëve shumë të huaj nga Italia, por edhe nga Kosova po kërkojnë të blejnë shtëpi në Kaninë

Në këtë fshat ka pasur më shumë se 2400 banorë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 250. Shumica e shtëpive janë bosh ose të rrënuara./vizionplus.tv/KultPlus.com

Pamje nga Parku i Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë (VIDEO)

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti ambicioz, i cili është pjesë e transformimit rrënjësor të Vlorës, siguron një infrastrukturë moderne e të mirësistemuar, që rrit përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijon një mundësi urbanistike të re, duke lidhur natyrshëm Bulevardin e Ri dhe Lungomaren.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të Parkut të ri të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë, një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit, që po bëhet përditë e më tërheqës.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë ka marrë jetë në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti, ku lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren, një oaz fantastik me Shtëpinë e Flamurit mes gjelbërimit dhe plot kënde pushimi e argëtimi për të gjitha moshat.

Projekti për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut përfshin edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli./atsh/KultPlus.com

Shfaqja “Profesionisti” nga dramaturgu serb Dushan Kovaçeviç shfaqet në Vlorë

“Profesionisti”, komedia e trishtë e dramaturgut serb Dushan Kovaçeviç është ngjitur suksesshëm në skenën e “Petro Markos”, në Vlorë.

Shfaqja premierë me regji të Leka Bungos, me vetëm 4 aktorë, mbajti mbërthyer për rreth 60 minuta spektatorët që kishin mbushur sallën e teatrit.

Në interpretimin e shkëlqyer të mjeshtrit të teatrit dhe kinematografisë Viktor Zhusti, aktorit Astrit Hasani, Matilda Avdulit dhe Artan Islamit, skenografi të Drini Shehut dhe formulim muzike të Artur Dhamos, shfaqja arriti të fitojë suksesin dhe rrëmbejë duartrokitjet e nxehta të spektatorëve.

Komedia e zezë e Kovaçeviçit trajton një nga temat më të nxehta të shoqërisë në ditët e sotme, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit gjatë regjimit komunist.

Ndërkohë spektatorë në sallën e “Petro Markos” ishin edhe shumë personalitete në fushën e artit dhe kulturës, por edhe autoritete të pushtetit lokal, ndërsa ndoqi shfaqjen dhe kreu i shtetit, presidenti Bajram Begaj.

Shfaqja “Profesioniti” do të shfaqet për publikun edhe gjatë fundjavës. Top Channel /KultPlus.com

Kulinaria arbëreshe në Vlorë

Një event i veçantë kulinarie e shkëmbimi kulturor, është zhvilluar në qytetin bregdetar të Vlorës.

Kryetari i bashkisë Vlorë, Dritan Leli solli atmosferën e krijuar mbrëmjen e djeshme nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Një grup i përbërë nga zonja arbëreshe e shqiptare, kanë gatuar për të pranishmit, banorë të Vlorës si dhe turistë që gjenden aty për pushime.

Lucia Martino, eksperte e kulinarisë arbëreshe si dhe mikesha e saj Alba, gatuan receta tipike të zonave të tyre, brenda të cilave është gatime nga receta shqiptare.

Makaronat e traditës i shijuan turistët e kalimtarët e rastësishëm, që kishin zgjedhur Qendrën Historike të qytetit për të shëtitur.

“Mes qindra historive që e kanë bërë të madhe kuzhinën italiane, është edhe ajo e jugut, veçanërisht e komuniteteve arbëreshe që me krenari ditën të ruajnë nëpër shekuj traditat e origjinës dhe me po atë krenari e kanë sjellë sot, deri në Vlorë”, shprehet Leli.

Bashkë me muzikën arbëreshe shija u bë e paharrueshme. Interesi i qindra turistëve për të mësuar nga kultura kulinare e një vendi që vlerësojmë të gjithë për këmbënguljen me të cilën ruajnë traditën, ishte i paparashikueshëm. / atsh / KultPlus.com

Reportazh: Vlorë e Durrës, mrekullitë e qyteteve të vjetra shqiptare që të marrin me vete

Era Berisha

Vlora dhe Durrësi, dy qytetet e vjetra shqiptare të cilat me mrekullitë e tyre hyjnë thellësisht në rrënjën e qenies së njeriut, ngërthejnë në vete artin e rilindjes së antikitetit klasik dhe një histori që jo lehtë harrohet. Të ndryshme në pamje por të ngjashme në thelb, këto dy qytete shqiptare të cilat i vizituam këto ditë, të rrëmbejnë vëmendjen për të mos e lëshuar atë nga bukuritë e rralla natyrore, vlerat kulturore dhe vijat bregdetare nga më hijshmet ndonjëherë, shkruan KultPlus.

Rruga Tërthore (Kukës) dhe Kolsh (Kukës), në rrugën e gjatë që ishte planifikuar për në Vlorë, ishin vendet e para të cilat kapën vëmendjen e gjithsecilit qysh në sekondën e parë kur pamjet unike të  gjelbërimit në intensitete të ndryshme të ngjyrës së gjelbër, kapluan gjithë spektrin e syrit tonë. Malet gjigande të shtrira në dimensione të ndryshme ku disa nga to ishin të mbuluara ende me dëborë e njëkohësisht të pasura në pamje, shtriheshin në një horizont i cili nën qiellin e kaltër dukej se po hynim në një vend përrallor që zbukuronte dhe vetë qenien e njeriut.

Në një mot të nxehtë por të përballueshëm, dielli i pranishëm rrezatonte mbi tokat e punuara si dhe mbi fusha të cilat dukshëm dëshmonin për një bujqësi të rrallë e tejet të veçantë. Së bashku me natyrën e cila posedonte një pamje të pakrahasueshme më vete, shtigjet e vogla, lulet e ndryshme në dukje e ngjyrë, fshatarët në zonat malore të cilët qysh herët shiheshin të punonin në arrat apo dhe oborret e shtëpive të tyre, ishin disa nga detajet e mrekullueshme të kulturës bujqësore. Ndërkaq, shkëmbinjtë e mprehtë, liqenet dhe lumenjtë që rrjedhin përgjatë drejtimit të tyre të shumanshëm, po rrumbullakonin një peizazh që nuk do të mund të shkrihej më së miri as edhe në ngjyrat e pikturave më autentike impresioniste.

Ndalesa jonë e parë në qytetin e Vlorës na bëri që vrojtimi ynë të merr kahje në drejtime të ndryshme. Për aq sa mund të shihnim, qyteti i cili përballë bregut të detit kishte të vendosur një numër të madh të kafeneve dhe restoranteve të populluara me tarrace, pallate kryesisht të bardha e të ndritshme, shtëpi me fasada tërheqëse, hotele nga më të ndryshmet si dhe natyrisht deti i cili është shoqëruesi i përjetshëm i qytetarëve vlonjat të cilët mes palmave gjigande dhe një trotuari jashtëzakonisht të gjerë, kanë mundësinë të shijojnë një pamje, qoftë ulur apo në këmbë në një ecje që po të duash, dukej se asnjëherë nuk do të kishte një fund.

Një udhëtim në këmbë përgjatë bregut të detit, në zallin e ngrohtë dhe të butë është si një rrugëtim nëpër një qetësi hyjnore. Zhurma e valëve të lehta, era e ëmbël që futet këndshëm në shoqërinë tënde dhe mungesa e popullaritetit, të bënë që të ndjehesh sikur je i vetmi person që ka mundësinë e të shijuarit këtë perspektivë që rrallëherë ndodh. Një atmosferë e cila shijon ndryshe kur prezenca jote nuk ndërlidhet me asgjë tjetër përpos karakteristikave që elementet e lartpërmendura ofrojnë, do të ishte ajo e cila qetëson shpirtin dhe trazon kreativitetin e secilit njeri në cilëndo fushë të mundshme.

Bashkë me diellin i cili ngadalë po fillonte të zbriste dhe cicërimin e zogjve që krijonin një harmoni melodish, për të hapur sezonin veror për këtë vit, të pranishëm në konferencën e parë për mediat nga Kosova ishin: administratori i ‘Marina Bay’ Besmir Lula, menaxheri i ‘Barileva Turist’ Petrit Riza, kryetari i shoqatës së turizmit ‘Arta’ Ervin Sota, themeluesi i platformës “TripToAlbania” Azem Bujupi, konsulle e përgjithshme e Italisë në Vlorë, Ilva Palmieri dhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Ishin çështjet rreth vlerave turistike, përgatitjes më profesionale, risive e ofertave turistike, eksplorimit të botës nënujore të Vlorës, planit strategjik që diaspora të vijë në Shqipëri, rëndësisë ndaj profesionalizmit të shërbimit së porteve detare e malore, relievit fushor e malor, detit Adriatik e Jon, Karaburunit, Ishullit të Sazanit, brigjeve të pafundme të Vlorës, kulinarisë, promovimit të turizmit në nivel nacional, potencialit shumë të madh të zhvillimit të turizmit, problematikat e pandemisë dhe të turizmit në trevat jugore, lumit të Vlorës, Kalasë së Kaninës, Majës së Llogorasë si dhe Manastirit në Lagunë, ato që u shqyrtuan në mesin e tyre në mënyrë që Vlora të shndërrohet në shtëpinë e dytë të atyre që vizitojnë atë në këtë sezon.

Pas një ore, tashmë perëndimi i diellit kishte kapluar gjithë hapësirën e qiellit dhe detit për t’i bashkuar ata në një ndërlidhje të jashtëzakonshme në ngjyrë portokalli. Si një copëz magjie, dielli ngadalë u zhduk në përjetësinë e tij për të lënë gjurmë në kujtimet e secilit njeri të pranishëm, teksa meloditë e muzikës italiane vazhduan në sfond duke sjell kështu një ëmbëlsi shtesë të atyre çasteve.

Tani, nisja për në qytetin e Durrësit na zuri në një kontrast krejt ndryshe. Nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare, vëzhguam qytetin e vendosur në brigjet e detit Adriatik i cili përpos historisë të veçantë që posedon, imazhet e shfaqura të jo vetëm banesave që shtriheshin njëra pas tjetrës por edhe të detit i cili në kaltërsinë e tij përqafonte bregdetin në tërë portin e pasur të tij, që janë dy nga karakteristikat e këtij qyteti.

Stile të ndryshme arkitekturore që portretizojnë periudha të ndryshme të ndikimit si ato ilire, greke, romake dhe italiane janë dukshëm të dallueshme në secilin cep. Tani, qyteti ngërthen në vete një stil modernist i cili me blloqet e mëdha, ndërtesat moderne, qendrat tregtare dhe hapësirat e gjelbra të japin përshtypjen se jeta historike e Durrësit ndryshon vazhdimisht. Por veçantia e këtij qyteti është padyshim Muzeu Arkeologjik i cili është i vendosur pranë plazhit. Mure bizantine të shekullit të gjashtë, artefakte nga zona antike e Dyrrachium, koleksioni i gjerë nga periudha ilire, greke e lashtë, helenistike dhe romake, stela romake funerale, sarkofagët prej guri, mozaik eliptik shumëngjyrësh, koleksion bustesh e shumë të tjera, përshkojnë muret e pjesës më të madhe të Muzeut.

Po ashtu, shijimi i ushqimit tradicional, atij detar dhe italian në restorantet me pamje brilante, ecjet nëpër bregun detar mbi rërë, dashamirësia e durrsakëve, plazhet e shumta dhe imazhet piktoreske të cilat të shfaqen papritmas që nga mëngjesi e deri në mesnatë, përthekojnë disa nga veçoritë e përsosura dhe tiparet dalluese të këtij destinacioni bregdetar dhe kulturor.

Për shkak të historisë së tij të gjatë, Durrësi konsiderohet të jetë natyrshëm i mbushur me vende dhe gjetje arkeologjike të lashta, duke përfshirë amfiteatrin e famshëm të perandorit romak Hadrian, kapaciteti prej 15,000 vendesh e bënë atë amfiteatrin e dytë më të madh në Ballkan. Po ashtu, është një vend fantastik për adhuruesit e historisë dhe artit ku përtej Muzeut Arkeologjik, vizitorët mund të eksplorojnë Muzeun Etnografik, i cili ishte shtëpia e aktorit të famshëm Aleksandër Moisiu si dhe Galerinë e Arteve në qendër.

Kudo që sheh përreth është thjeshtë mahnitëse. Ky vend gjithandej është një mrekulli më vete.    

Ishte spektakli i shiut ai i cili vulosi fundin e këtij udhëtimi teksa prekëm kufirin në Shqipëri. Nën piklat e shpeshta që binin në xhama, reflektuam mbi gjithsej dy netët e kaluara në dy vendet më të bukura shqiptare dhe jo vetëm.

Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të mirë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në hotelet si: Kraal Hotel (Vlorë) dhe Adriatik Hotel (Durrës). Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga platforma ”Trip to Albania”.

Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga “Trip to Albania” dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Ulet ndjeshëm numri i vizitorëve në monumentet e kulturës në Vlorë

Gjatë vitit 2020 numri i vizitorëve në monumentet e kultit dhe ato të kulturës në qarkun e Vlorës, është reduktuar ndjeshëm. Zëri kryesor, i cili ka qenë i papërfillshëm ka qenë ai i vizitorëve të huaj, të cilët kanë qenë 72% më pak se një vit më parë. Kjo është reflektuar me reduktim edhe të të ardhurave, të cilat kanë qenë 42 milionë lekë më pak.

Të ardhurat të cilat gjenerohen nga shitja e biletave zakonisht janë fond që përdoret për meretime dhe ndërhyrje të vogla, tha Orges Feimi, kreu i Monumenteve të Kulturës në Vlorë.

Nga ana tjetër, situata nuk ka qenë më optimiste dhe sa i përket vizitorëve vendas. Sipas Feimit është reduktuar ndjeshëm numri dhe për shkak të bllokimit  të aktiviteteve me shkolla dhe institucione.

86 monumentet e kulturës, arkeologjike dhe të kultit në qarkun e Vlorës, kanë njohur gjatë vitet që lamë pas numrin më të ulët të vizitorëve në 5-vjeçarin e fundit./a2news/ KultPlus.com