Mbyllja e sezonit turistik ndryshon oraret e monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjike

Në zbatim të udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë sezonit turistik”, për një shërbim sa më të mirë dhe cilësor ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mundësuar një periudhë sa më të gjatë të vizitueshmërisë, DRTK Vlorë njoftoi se, sezoni turistik veror 2024, konsiderohet i përfunduar më datë 31 tetor 2024.

Me përfundimin e sezonit turistik, orari i vizitave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, që administrohen nga DRTK Vlorë, do të jetë si më poshtë:

Në Parkun Arkeologjik të Amantias, Orikut dhe Finiqit:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Kalanë e Kaninës, Himarës dhe Porto Palermos:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Manastirin e 40 Shenjtorëve, në Sarandë:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 200 lekë/personi dhe 100 lekë/personi për grupet.

Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:

– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com

Koka bën e koka vuan

Poezi nga Ali Asllani

Ç’ke moj zemër që rënkon!
Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori,
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para,
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe,
Para zërit të atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull, lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri,
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë,
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë,
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe,
E ç’kërkon në gji të gjëmbit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!/KultPlus.com

Workshop në Universitetin e Arteve mbi format dhe territoret e reja të artit

Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Artit Skenik organizuan dje në sallën Black Box, workshop-in “Formate të reja – Territore të reja të artit”.

Gjatë aktivitetit u shfaqën performanca koreografike “Perspektivë e trefishtë” dhe dokumentari “Piramida në skenë”. U diskutua gjithashtu mbi artin urban dhe sfidat e regjistrave skenikë.

Në panelin e diskutimit ishin të pranishëm studentë të sapodiplomuar si Renis Hyka dhe balerinët-koreografë Danja Kovaçi, Uesli Alushi dhe Besjana Bytyqi, të cilët ndanë përvojat e tyre artistike dhe sfidat e punësimit.

Ky aktivitet theksoi se Tirana ofron mundësi për artistët e rinj për të eksploruar forma të reja jashtë skenës tradicionale, duke promovuar eksperimentimin në të gjitha disiplinat artistike. Workshop-i ftoi artistët e rinj të angazhohen në projekte që forcojnë marrëdhëniet me qytetin./atsh/KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i këndonte nënës: Të lutem jeto me shpresa o nanë, se dikush një ditë do të trokllojë në atë vatër ku së pari zëri im jehoi

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

“Koka e Artemisës”, një nga ekzemplarët më të bukur të Muzeut Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar publikoi në faqen e tij online, një nga objektet më interesante të fondit të tij, “Kokën e Artemisës”. Vepra është realizuar në mermer të bardhë, me lartësi 28,5 cm, gjerësi 18,5 cm dhe trashësi 24 cm. Ajo është gjetur në Apoloni dhe i përket shekullit IV para Krishtit.

Koka e mermertë, nga një statujë e Artemisës, është zbuluar gjatë punimeve restauruese në shkallaren e monumentit të Agonotetëve dhe me gjasë ka shërbyer, së bashku me skulptura të tjera, si pjesë e dekorimit të harkut të triumfit të këtij monumenti.

Shikimi ëndërrues, kthimi i qafës në të djathë, mënyra e trajtimit të flokëve dhe lidhja e tyre sipër kokës, sugjeron një Apollon mjaft të ngjashëm me atë të Belvedere-s. Në fakt, ngjashmëritë midis dy hyjnive janë vënë gjithmonë në pah nga skulptorët e periudhës antike, pikërisht për të nënvizuar dhe përjetësuar lidhjen gjenetike midis dy hyjnive.

Vepra përbën një nga ekzemplarët më të bukur të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar për nga mënyra e modelimit dhe teknika e punimit artistik./atsh/KultPlus.com

Kuvendi i Dibrës dhe kërkesat ndaj Portës së Lartë për krijimin e Vilajetit të Shqipërisë

Më 1 nëntor të vitit 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës.

I prirë prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit, Kuvendi kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:

  1. Vilajeti i Shqipërisë;
  2. Nëpunësit shqiptarë;
  3. Arsimi shqip;
  4. Kuvendi i vilajetit;
  5. Buxhet për arsim dhe infrastrukturë.

Kuvendi i Dibrës kërkonte që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip.

Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”.

Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë./atsh/KultPlus.com

Nis “DarDan Fest”, maratonë 4-ditore dokumentarësh

Nisi në Tiranë edicioni i 3-të i “DarDan Fest”. Në një mbrëmje mikpritëse tek Piramida e Tiranës, nisi maratona 4-ditore, ku do të shfaqen një shumëllojshmëri dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.

Paraqitja dhe përfshirja e veprave kinematografike me një karakter artistik dhe dokumentaresk reflekton problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Temat kryesore që e bëjnë këtë festival unik janë: Urbanizimi, Zhvillimi dhe Qytetërimi.

Edicioni i tretë i këtij festivali do të jetë një mundësi promovimi për studentët dhe autorët profesionistë të cilët, siç thanë organizatorët, kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 750 materiale filmike kanë mbërritur nga anembanë botës dhe po ashtu, të shumta në numër e tematika, kanë qenë edhe aplikimet shqiptare, të realizuara me profesionalizëm.

Në jurinë e këtij festivali janë emra të njohur të artit e kulturës shqiptare si shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka, piktori, pedagogu e studiuesi Shpend Bengu si dhe arkitektja Matilda Pando e cila do të gjykojë mbi prodhimet kinematografike të cilat në këtë edicion prekin tema të tilla si urbanizimi./atsh/KultPlus.com

Festivali “Maratona Violinistike”: Katharina Nohl dhe Ina Kosturi vijnë me koncertin “Violinistic Greetings”

Festivali “Maratona Violinistike”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 12-të, erdhi në sallën e Universitetit të Arteve me aktivitetin “Violinistic Greetings”.

Koncerti përfshiu krijimtarinë e pianistes dhe kompozitores së njohur zvicerane Katharina Nohl, si dhe krijimtarinë e violinistes Ina Kosturi, të cilat përcollën një eksperiencë unike, ku krijuesi është njëkohësisht edhe interpretues i veprës së tij.

Premierë në këtë koncert erdhi “Sonata për violinë e piano” krijuar dhe interpretuar nga Ina Kosturi në violinë dhe Elvina Gurra Koçillari në piano.

Katharina Nohl është krijuese dhe drejtuese e festivalit “Swiss Female Composer” dhe muzika e saj interpretohet në mjaft vende të botës. Në vitin 2022 krijimi i saj “Rapsodia për piano” u vlerësua me “Global Music Award”.

Aktiviteti u realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe u organizua nga shoqata “Bota e Artit “./atsh/KultPlus.com

Java e filmit spanjoll në kinematë e kryeqytetit

Java e Kulturës Spanjolle mund të konsiderohet edhe si Java e Filmit Spanjoll, të cilit organizatorët duket se i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.

Gjatë këtyre ditëve në kinematë e kryeqytetit do të shfaqet një seleksionim filmash nga regjisorë të njohur spanjollë që kanë lënë gjurmë në artin e shtatë. Filmi që do ta nisë këtë javë është “Even the Rain”, që do të shfaqet më 2 nëntor tek Qendra e Artit “Agimi”.

Filmi krijon një dialog intrigues në lidhje me imperializmin spanjoll përmes ngjarjeve që ndodhin rreth 500 vjet më parë.

Filmi merr një qasje meta-kinematike ndaj historisë së një ekipi kineastësh meksikanë në Bolivi, që xhirojnë një dramë historike mbi zbulimet e Kristofor Kolombit. Regjisori përdor stile të ndryshme kinematografike për të vendosur paralele shqetësuese midis imperializmit të vjetër evropian, valëve të fundit të shfrytëzimit të korporatave, shfrytëzimit të aktorëve bolivianë për të mirën e një industrie globaliste të filmit. Filmi na njeh me dinamikën dhe presionet me të cilat përballen ekipet kur zhvillojnë një film që kërkon angazhim shoqëror.  Regjisori Bollaín paralajmëron se këto prodhime mund të bien në një dinamikë kolonialiste duke riprodhuar pabarazi midis vendeve “të dukshme” në tregun global të filmit dhe vendeve “të padukshme”, aktorëve vendas dhe vendeve tërheqëse që shfrytëzohen. “Even the rain” ndërthur disa tendenca kinematografike, të cilat herë pas here përplasen për të krijuar një qark të shkurtër.

Një tjetër film interesant është “Thesis on a homicide” që do të shfaqet në kinemanë “Maks Velo”, më 3 nëntor.

Në datën 4 vjen realizimi “15 years + 1 day” dhe në datën 5 nëntor do të shfaqet filmi “Lucky star”, po në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.

Kinemaja spanjolle, e njohur për tregimet e saj të pasura kulturore, ka prodhuar filma me ndikim në kinematografinë botërore. Me rrënjë në tema historike dhe shoqërore, filmi spanjoll shpesh ndërthur realizmin me narrativat imagjinative. Regjisorë si Pedro Almodóvar e kanë shtyrë Spanjën drejt vlerësimit global, duke shfaqur peizazhin e gjallë kinematografik të vendit. Hyrja do të jetë e lirë në kinema, për gjithë adhuruesit e kinematografisë spanjolle./atsh/KultPlus.com

Blogu “Rove.me”: Ujëvara e Grunasit në Theth… ndoshta vendi më romantik në Shqipëri!

Majat e maleve, lumenjtë e kristaltë dhe ujëvarat e Shqipërisë janë ende të paeksploruara nga turistët, shkruan Anastasiia Abramets në një artikull të publikuar në blogun e udhëtimeve “Rove.me”.

Një shëtitje në Parqet Kombëtare të Shqipërisë ju mundëson të zbuloni florën dhe faunën, ujëvarat e mrekullueshme dhe lumenjtë malorë të rajonit.

Në veri, larg qytetërimit, shtrihet fshati i Thethit, “porta” e Parkut Kombëtar të Thethit.

Parku Kombëtar i Thethit është pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare.

I themeluar në vitin 1966, parku ndodhet në qendër të Alpeve Shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës.

Parku synon të mbrojë ekosistemet dhe biodiversitetin e ndryshëm dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e ka renditur Parkun Kombëtar të Thethit si një park të Kategorisë II.

Rajoni është identifikuar gjithashtu si një zonë e rëndësishme e shpendëve dhe bimëve.

Në vitin 2017 Thethi u shpall një Qendër Historike e Mbrojtur.

Zona ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve – falë bukurisë së jashtëzakonshme të natyrës, duke përfshirë Alpet Shqiptare, Kanionin e Grunasit dhe xhevahirin e parkut – Ujëvarën e Grunasit.

Ndoshta… ky është vendi më romantik në Shqipëri!

Thjesht, pyesni vendasit për ujëvarën dhe ata do t’ju tregojnë rrugën.

Kjo ujëvarë është shpallur Monument Natyre dhe është nën mbrojtjen e shtetit.

Ajo ka një lartësi prej 30 metrash. E veçanta e saj është se i gjithë uji i saj vjen ekskluzivisht nga bora.

Për të parë ujëvarën nga një kënd tjetër, mund të shkoni në anën tjetër të ujit.

Koha më e mirë për të vizituar Parkun Kombëtar të Thethit është stina e butë midis pranverës dhe vjeshtës, përkatësisht nga marsi deri në nëntor./atsh/KultPlus.com

Sot 15 vite më parë Bill Clinton vizitoi Kosovën, u nderua me monumentin ‘Clinton’ në Bulevardin me të njejtin emër

Sot janë bërë 14 vite nga vizita e ish-Presidentit Amerikan Bill Clinton në Kosovë, ku edhe mori pjesë në zbulimin e shtatores së tij, të cilën e kishte ngritur shteti i Kosovës si shenjë falënderimi për rolin e tij, në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe, shkruan KultPlus.

Mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin Bill Clinton për ta përshëndetur ish-Presidentin dhe për të parë ngjarjen nga afër.

Ish-presidenti Clinton konsiderohet mik i madh i shqiptarëve, për rolin të cilin e ka pasur në fushatën ajrore të NATO-s, kundër forcave serbe në vitin 1999, nga ku edhe u arrit çlirimi i Kosovës.

Atë kohë, Bill Clinton në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës pati thënë se edhe dhjetë vjet pas kujton fytyrat e refugjatëve kosovarë të shpërngulur në Maqedoni, përderisa në vitin 2009 Kosova kishte një pamje krejtësisht tjetër.

“Ju keni ndërtuar institucionet tuaja, keni forcuar sigurinë tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur për ta bërë të qartë se toleranca që nuk ekzistonte para shumë kohësh. Tani toleranca ndërmjet grupeve të ndryshme etnike do të ketë vend në Kosovë dhe ju inkurajoj, që serbët dhe grupet tjera pakicë të jenë të sigurta dhe të integruara në shoqërinë kosovare”, pati thënë Bill Clinton./KultPlus.com

42 vite nga përurimi i Muzeut të Skënderbeut

Sot, 42 vite më parë është bërë përurimi Muzeut Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Krujë, shkruan KultPlus.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, ndodhet në Krujë dhe është një nga më të vizituarit në Shqipëri.

Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha (e bija e Enver Hoxhës).

Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj./KultPlus.com

Rama: Bregdeti i Orikumit, në hartën e Vlorës së transformuar

Rikualifikimi urban i vijës bregdetare Vlorë-Rradhimë-Orikum, ose Lungomare 3, ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme zbatimi, e cila vijon në të gjitha lotet me një sërë ndërhyrjesh themelore që rikompozojnë tërësisht zonën bregdetare, ku do t’i jepet përparësi pushuesit.

Kryeministri Edi Rama teksa publikoi pamje të kantierit të punës në këtë vepër, bëri të ditur se ka nisur puna edhe për hartimin e projektit të Lungomare 4.

Rama vuri në dukje se edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur.

“Lungomare 3 po merr formë nga Tuneli i Ujit të Ftohtë përtej Radhimës, ndërkohë që punojmë me projektin e Lungomare 4, ku edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur”, u shpreh kryeministri Rama.

Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe zgjerimi i plazheve përmes moleve të vendosura si infrastrukturë për varkat dhe për pushuesit, si dhe rikualifikimi i godinave përreth në bashkëpunim me pronarët private.

Shëtitorja e parashikuar në këtë projekt është 5 metra e gjerë, kryesisht e gjelbëruar, me pemë të përshtatura me klimën e zonës si pisha, palma, agrume etj./atsh/KultPlus.com

‘Më plak mërzitja që vetmia më sjell’

Vetmia

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen. / KultPlus.com

Sezoni turistik, Dhuli: Vizitorët për pushime, mbi 90% e hyrjeve në vend

Sezoni turistik veror 2024 rezulton më se i suksesshëm ndërsa deri në shtator u tejkalua shifra e 10 milionë vizitorëve.

Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli theksoi sot në një intervistë për mediat theksoi se shifrat  deri në shtator tregojnë përmasat e sezonit, pasi sipas saj vitin e kaluar shifra prej 10 milionë hyrjesh në vend ishte përgjatë gjithë 12 muajve të vitit.

Duke analizuar fluksin e udhëtarëve, Dhuli u shpreh se 97% e personave që hyjnë në vend janë për qëllime personale, ndërsa pjesa tjetër për arsye biznesi.

“Hyrjet me qëllim pushimi janë mbi 90%, ka pasur shumë hyrje për qëllime turistike”, tha Dhuli.

Sipas drejtoreshës së INSTAT, ka një rritje në total të fluksit të udhëtarëve.

“Aeroporti Nënë Tereza mbetet pika me lëvizjet më të larta”, përfundoi ajo./atsh/ KultPlus.com

Gjermania synon të bëhet lidere në Evropë për inteligjencë artificiale

Qeveria gjermane shpreson të krijojë kornizën që Gjermania të bëhet lidere në sektorin e inteligjencës artificiale në Evropë, kanë thënë ministrat e këtij vendi.

Në mesin e hapave të nevojshëm është përmendur zbatimi i rregulloreve të reja të Bashkimit Evropian për inteligjencë artificiale dhe qasja më e lehtë në të dhëna për bizneset e reja inovative, ka thënë ministri për Çështje Digjitale, Volker Wissing, në Samitin Digjital të Qeverisë, të mbajtur në Frankfurt.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka pranuar që për kohë të gjatë, shumë pak gjëra kanë ndodhur në Gjermani kur është fjala për inteligjencën artificiale, dhe i ka përmendur mundësitë që ofron teknologjia e re./KultPlus.com

Real Madridi dhuron 1 milion euro për viktimat e përmbytjeve

Real Madridi do të dhurojë 1 milion euro për viktimat e përmbytjeve katastrofike që goditën rajonin lindor spanjoll të Valencias.

“Fondet do të kanalizohen në një fushatë dhurimi të nisur bashkërisht nga Fondacioni Real Madrid dhe Kryqi i Kuq”, thanë sot fituesit e Ligës së Kampionëve në një deklaratë.

Paratë do të shkojnë për të ndihmuar familjet e shumta që aktualisht po përballen me situatën kritike – dhe për ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe solidaritetin tonë”, shkruan klubi.

Sipas qeverisë rajonale, në Valencia kanë vdekur të paktën 158 persona – tre prej të cilëve në rajonet e Andaluzisë dhe Castilla-La Mancha.

Dhjetëra persona të tjerë janë shpallur të zhdukur pas përmbytjeve të së martës./ KultPlus.com

‘Memorie dhe Traumë’, triologjia e autores Blerina Rogova-Gaxha do të prezantohet në Vjenë

Poetja dhe studiuesja Blerina Rogova- Gaxha do të prezantojë librin “Memorie dhe traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë” në Vjenë, përcjell KultPlus.

Prezantimi fillon nga ora 19:00, në qendrën Brunnenpassage, më 4 nëntor. 

Libri dokumenton se si letërsia e pasqyron traumën e luftës dhe konceptet komplekse të kujtesës individuale dhe kolektive. / KultPlus.com

Një njeri ecën serioz

Poezi nga Rafael Alberti

Një njeri ecën serioz
Për të hyrë brenda.
Hyn gojëkyçur.
Del.
Nëse lëviz gjethet bashkë me tokën,
Nëse ngatërron trungjet e pemëve,
Nëse s’do t’ia dijë as nga të nxehtit as nga të ftohtit,
Dhe ndalet,
Si të harrokësh se është në jetë,
Ju lëreni.

Ai është në jetën e të vdekurve të tij larg,
Dhe i dëgjon në erë.

Përkthyer nga Aurel Plasari:

CCDH: Rrjeti social X, joefektiv kundër dezinformatave mbi zgjedhjet

Funksioni ‘Community Notes’ ‘komente nga përdoruesit’ që rrjeti social X, pronë e miliarderit Elon Musk, përdor kundër dezinformatave “po dështon për të kundërshtuar pretendimet e rreme” rreth zgjedhjeve amerikane, njoftoi Qendra Kundër Urrejtjes Dixhitale (CCDH) përmes një raporti të publikuar të mërkurën.

Nga 283 publikime mashtruese në X që CCDH ka analizuar, në 209 prej tyre, ose 74%, jo të gjithë përdoruesit panë funksionin ‘Community Notes’ përmes së cilës korrigjoheshin pretendimet e rreme dhe mashtruese për zgjedhjet, thuhet në raport.

“Këto 209 publikime mashtruese, të përfshira në analizën tonë, që kanë 2.2 miliardë shikime, nuk shfaqnin shënimet tek funksioni ‘Community Notes’ për të gjithë përdoruesit”, thotë CCDH, duke i kërkuar kompanisë të investojë në sigurinë dhe transparencën e sistemit.

Zyrtarët e kompanisë X nuk iu përgjigjën kërkeses së agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ për koment.

Rrjeti social X vuri në përdorim funksionin e tij “Community Notes” vitin e kaluar, duke u krijuar mundësinë përdoruesve të komentojnë kundër publikimeve të rreme ose mashtruese, duke ia lënë këtë detyrë vetë përdoruesve dhe jo një ekipi të dedikuar që kontrollon publikimet.

Raporti u publikua pasi X humbi ndaj një padie të vitit të kaluar të CCDH-së që e fajëson rrjetin social për lejimin e gjuhës së urrejtjes.

Platformat e rrjeteve sociale, duke përfshirë edhe X, janë nën vëzhgim prej vitesh në lidhje me shpërndarjen e informacioneve të rreme dhe teorive të konspiracionit, duke përfshirë informacionet e rreme rreth zgjedhjeve dhe vaksinave.

Sekretarët e pesë shteteve amerikane i kërkuan miliarderit Musk në muajin gusht që të rregullojë platformën e rrjetit X që funksionon me Inteligjencë Artificiale ‘Chatbot’ pasi shpërndan informacione të rreme në lidhje me zgjedhjet e 5 nëntorit.

Edhe vetë zoti Musk, që i ka ofruar mbështetje kandidatit republikan për president Donald Trump në muajin korrik, është akuzuar për shpërndarjen e informacioneve të rreme. Sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë në zgjedhjet presidenciale amerikane. /VOA/ KultPlus.com

Performanca ‘Monologjet e vrara’, më 4 nëntor në KultPlus Caffe Gallery

Më 4 nëntor, në KultPlus Caffe Gallery, do të shfaqet performanca ‘Monologjet e vrara’, përcjell KultPlus.

Kjo performancë vjen nën interpretinin e Anisa Ismailit, Rajmonda Ahmetajt dhe Qendresa Lokit.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Qendresa Lokit:

Të dashtun!

Performanca ” Monologjet e vrara ” , shfaqet më datë: 04 nëntor 2024, e hënë, në ora 18:00, në hapësirën e Galerisë Kult Plus.

Me interpretimin e Anisa Ismaili , Rajmonda Ahmetaj dhe Qendresa Loki.

Kjo performancë do të zbuloj monologje që ndriçojnë histori të thella të grave që dhunoheshin e keqtrajtoheshin nga familja, individë dhe grupacione. E që zëri i tyre asnjëherë nuk arriti në vesh të duhur, duke ua vënë jetën në humnerë.

Për shkak të numrit të kufizuar, prezenca juaj duhet të konfirmohet.

Ky projekt u mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Regji : Xhemajl Avdyli
Skenari : Qendresa Loki
( Monologjet e bazuara në ngjarje të vërteta )

Hyrja- Falas

Ju mirëpresim!./KultPlus.com

Gjergj Fishta dhe Shtjefën Gjeqovi, dy figura të shquara françeskane që themeluan kulturën dhe identitetin shqiptar

Vjollca Duraku

Në kuadër të takimeve kulturore “Pena e Dritës“, në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, mbrëmë para audiencës është paraqitur profesoresha Evalda Paci, me ligjëratën “AT GJERGJ FISHTA DHE AT SHTJEFËN GJEÇOVI, përmendore të krijimtarisë dhe përpilimit të teksteve kanonike”, shkruan KultPlus.

Kjo ligjëratë, e mbajtur në një ambient të rrethuar me libra u udhëhoq nga Xhavit Beqiri, i cili përveç fjalimit mikpritës prezantoi edhe biografinë e ligjërueses Evalda Paci, e cila është profesoreshë e asociuar e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në kuadër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në fjalimin e saj profesoresha Paci ka thënë se Gjergj Fishta dhe Shtejfën Gjeqovi janë dy prej figurave françeskane më të njohura shqiptare, dhe se përpjekja për t’i përfshirë në një çasje sintezë për të ka qenë sfiduese.

“Emri i At Gjergj Fishtës lidhet pashmangshmërisht me përurimin e gjuhës shqipe si institucion i kulturës dhe i identitetit kombëtar, fakt që lexohet qartë edhe në kujtimet  e At Zef Pllumit, i cili u përkujtua rishtas në Kuvendin Françeskan të lagjes Gjuhadol, në Shkodër”, ka thënë profesoresha Paci.

Më tej, profesoresha Paci foli për rolin që pati Gjergj Fishta si drejtor i shkollave franqeskane, duke formuar një qendër që shërbeu si akademi që përgatiste intelektualët e rinj të Shqipërisë me ndjenja patriotike dhe kulturë e shkencë.

“Që në vitin 1903, kur Fishta si drejtor i shkollave françeskane vuri të detyrueshme gjuhën shqipe në të gjitha mësimet, Kuvendi Françeskan u bë pothuajse qendra më aktive e nacionalizmit shqiptar, rreth të cilit u bashkan mjaft patriotë të asaj kohe, dikush përreth Fishtës për letrat e artet e kush tjetër për doke, kanun e folklor rreth Shtjefën Gjeqovit. Më vonë, po me ato synime, u formuan edhe studentët e rinj françeskanë, të cilët nën drejtimin e mësuesve të tyre përbënë qendrën më të rëndëshishme të vendit tonë. Ishte një akademi që përgatiste intelektualët e rinj të Shqipërisë me ndjenjat patriotike, kulturë,arte shkencë”, ka thënë Paci duke cilësuar Fishtën si mësues dhe poet të madh të Shqipërisë.

“Këndoi, qau e mësoi shqip, veproi vetëm për Shqipërinë. Qe i luftuar gjatë jetës prej armiqve të kombit, e aq më tepër mbas vdekjes. Kryesoi kongresin e Manastirit në 1908, ku u vendos alfabeti i shqipes që përdorim sot. Për realizimin kryesor të kulturës shqiptare, At Fishta themeloi në vitin 1913, revistën “Hylli i Dritës”, e cila edhe sot mbas 90-të vitesh është aktuale. Mund të them pa frikë se në ditët tona asnjë revistë tjetër nuk iu afrua autoritetit të saj”.

Profesoresha Paci më tej duke iu referuar At Zef Pllumit ka thënë së prelatët e historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar cilësohen për atribute të çmuara, falë të cilave kujtohen edhe sot e kësaj dite.

“Françeskanët punuan pa u lodhur, përmes një programi të caktuar për formimin e një kulture me individualitet të veçantë kombëtar shqiptar. Shtjefën Gjeqovi mblodhi dhe ruajti visaret më të çmueshme të tokës e nëntokës; një figurë poliendrike shkencore: folklorist antropolog e historian, jurist e arkeolog. Themeloi të parin muzeun historik në Shqipëri”.

Në këtë ligjëratë u fol edhe reflektimin e Shtjefën Gjeqovit  për krijimtarinë lirike të Gjergj Fishtës.

“Shtjefën Gjeqovi pikërisht në variantin e vitit 1912 të Shna Ndout të Padues, reflekton në një mënyrë origjinale njohjen e krijimtarisë lirike  të Gjergj Fishtës, duke pajisur pothuaj shumicën e krerëve të këtij përpilimi me tekste introduktave nga Pika voeset, 1909 dhe vjersha t’përshpirtshme, 1912. Të dy këto vëllime kanë qenë shtysë për vetë autorin e tyre t’i rikthehet krijimtarisë lirike, në të cilën dhe bashkëkohësit e tij , po me shumë mundësi, siç dhe nënvizohet nga kujdesuesit e veprave të tij, ndikimet e tij nga letërsia italiane mund të vihen re në më shumë se një rast”.

Paci ka thënë se e gjithë krijimtaria e Gjergj Fishtës dhe e bashkëvëllezërve të tij kishte një qëllim sublim që lidhej natyrshëm me fenë dhe atdhedashurinë.

“Gjergj Fishta shkëlqeu në disa gjini letrare, duke u bërë i dëgjuar për krijime lirike, epiko-lirike, meldramatike, por edhe për satirën. Si shkrimtar, njohës i sprovuar i gjuhës amtare dhe i vlerave përkatëse, i apasionuar pas shqipërimit të teksteve  të këngëve festive të botës së krishterë, psalmeve, profili i tij është më se kompleks, duke bërë të mund të parashtrohen dhe përqasje mes përpilimeve të tij  dhe të bashkëvëllezërve të vet me të cilët e bashkonte një qëllimshmëri sublime që lidhej natyrshëm me fe e atdhe”.

Ndërsa, At Shtjefën Gjeqovi është cilësuar si një ndër puristat më të mëdhenj të gjuhës shqipe. Sipas Gjergj Fishtës qëllimi i tij nuk ka qenë stili i bukur poetik por përpjekjet e tij për të vënë në përdorim i fjalë të harruara prej letrarëve duke u munduar t’i vë në përdorim të popullit e të shkrimtarëve.

“Stili i Gjeqovit është i fortë e nuk ka atë njomësi të ëmbël e harmonike, që kishte m’u dishrue; por veti tjera të bukura e fort me vlerë. Së pari shkrimet e tij janë thjesht në gjuhën shqipe, pa u bë rob i asnjë gjuhe të huaj, më tepër shkrimet e tij janë me pasuri fjalësh e mënyra së thënurii të rralla e të bukura, gjë që është vështirë të gjendet ndër shkrimtarë të gjuhës shqype. Përgjithësisht mund të theksohet se shkrimet e At Shtefnit kanë dy parime kryekreje: theksimin sa më të lartë e shqyp e pasunin e gjuhës. At Gjeqovi është ndër të parët që e nisi periudhën e re letrare të gjuhës shqipe”.

At Shtjefën Gjeqovi cilësohet për vlerat letrare e gjuhësore, me ndërtime perifrasike të cilat janë cilësuar si shqipërime.

Në këtë ligjëratë u prezantuan edhe pikat artistike “Hymni i Flamurit” me tekst të Gjergj Fishtës dhe “Lumja unë për ty” me tekst të Zef Lekajt, nga Doruntina Gjini nën përcjelljen e pianistes Magdalena Sedaj./ KultPlus.com

Ndryshimet klimatike pasuan ngjarjet më vdekjeprurëse të motit në 20 vitet e fundit

Ndryshimet klimatike kanë pasuan 10 ngjarjet më vdekjeprurëse ekstreme të motit të dy dekadave të fundit, duke kontribuar në vdekjen e më shumë se 570 000 njerëzve, deklarojnë shkencëtarët.

Shkencëtarët e klimës thanë se zbulimi “nënvizon se sa të rrezikshme janë bërë tashmë ngjarjet ekstreme të motit” me vetëm 1,3 gradë Celsius të ngrohjes globale mbi nivelet paraindustriale.

Ai gjithashtu thekson urgjencën e reduktimit të emetimeve të gazeve serrë që shkaktojnë rritje të temperaturave dhe mot më ekstrem.

Bota aktualisht është në rrugën e duhur për 3 gradë ngrohje deri në fund të shekullit, një nivel i përshkruar së fundmi nga shefi i OKB-së Antonio Guterres si katastrofike.

Vlerësimi vjen nga grupi ”World Weather Attribution” dhe është publikuar në 10-vjetorin e formimit të tij në 2014 për të analizuar ndikimin e ndryshimeve klimatike në ngjarjet ekstreme të motit në pasojat e tyre të menjëhershme.

Kanë kaluar 20 vjet që kur shkencëtarët britanikë publikuan “studimin e atributeve” të parë, duke i atribuar rolin e ndryshimeve klimatike në një ngjarje të motit, në vitin 2004, për valën shkatërruese të të nxehtit të vitit 2003 që vrau 70 000 njerëz në Evropë.

10 ngjarjet më vdekjeprurëse, të cilat mes tyre morën jetën e të paktën 576 042 njerëzve, përfshijnë tre ciklone tropikale, katër valë të nxehti, një thatësirë ​​dhe dy përmbytje.

Ato përfshijnë valën e të nxehtit të vitit 2022 që goditi pjesën më të madhe të Evropës, duke përfshirë temperaturat rekord prej 40 gradë në MB dhe shkaktoi dhjetëra mijëra vdekje në të gjithë kontinentin.

Vlerësimi thekson se si ndryshimet klimatike i kanë bërë temperaturat ekstreme të vërejtura atë verë shumë herë më të mundshme dhe i kanë shtyrë ato deri në 4 gradë./KultPlus.com