Turneu “Presley for a Day”: Jetoni një ditë si Mbreti i Rock and Roll-it në Graceland

Gati pesë dekada pas vdekjes së “Mbretit të Rock and Roll-it”, Elvis Presley – operatorët e rezidencës se tij historike, Graceland – thanë se kanë ambicie të mëdha për të zgjeruar markën e Graceland drejt një brezi të ri: Për ata që e kanë admiruar trashëgiminë e Presley nga larg, tani do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e turneut “Presley for a Day” – të jetojnë një ditë si Presley, sipas “abc news”.

“Kur pashë Graceland, thashë, është gjithçka”, tha Joel Weinshanker, partneri menaxhues i “Elvis Presley Enterprises”.

“Ishte dhe është e mrekullueshme për Amerikën dhe kulturën perëndimore”, shtoi ai.

Ofertat e reja në Graceland shkojnë përtej muzeut, duke shfaqur një sërë veshjesh të praruara, makina, suvenire të dyqaneve të dhuratave dhe madje edhe avionin “Presley” të quajtur për vajzën e ndjerë të “Mbretit të Rock and Roll-it”, Lisa Marie.

Ajo shkon përtej një turneu të plotë të rezidencës – ku vizitorët do të gjejnë një ambient magjepsës – dhe brenda një dollapi kuzhine, nënshkrimin e Lisa Marie.

Turneu i ri kushton 6,000 dollarë për një grup prej katër vetash dhe ofron shtatë orë nga ajo që faturohet si akses “i paprecedentë” në disa nga vendet dhe pasuritë e preferuara të familjes Presley në Graceland.

Weinshanker tha se kjo është hera e parë që të huajt mund të shohin këtë pjesë të pronës.

Të ftuarit mund të shikojnë nga brenda arkivat e Graceland dhe të zbulojnë disa nga pasuritë më të çmuara të Presley – ndërsa mbajnë veshur doreza të bardha – nga kapelja që mbante kur shërbente në ushtri, deri te rripi me diamante dhe rubin që vendosi si në skenë ashtu edhe ndërsa shtrëngonte duart me presidentin Richard Nixon, në Zyrën Ovale.

Kujdestarët e trashëgimisë së Presley, thanë se ata duan që oferta e re e Graceland të ofrojë një shije intime nga prapaskenat e botës së Presley.

“Ne përpiqemi të bëjmë atë që Elvis do të donte që ne të bënim”, tha Weinshanker.

Ne patëm shumë diskutime dhe ajo që arritëm ishte ky turne i jashtëzakonshëm.

Njerëzit vazhdojnë të flasin për karrocat e golfit, kuajt dhe të gjitha këto gjëra që Elvisi dhe familja e tij përdorën në pronë, dhe ne thamë, po sikur të lejojmë një numër vërtet të vogël njerëzish ta bëjnë këtë?”

Menjëherë pasi ai vdiq në 1977, Lisa Marie u bë trashëgimtarja e vetme e Graceland.

“Më shumë se 45 vjet pasi Presley vdiq në Graceland, ajo është ende një nga shtëpitë më të vizituara në vend – nga afërsisht 750 000 njerëz në vit,  e rivalizuar vetëm nga Shtëpia e Bardhë”, tha Weinshanker.

“Elvis mund të jetonte kudo në botë. Ai gjithmonë kthehej këtu”, shtoi ai.

Turneu “Presley for a Day” përfshin gjithashtu një vakt të përgatitur nga kuzhinieri, të përshtatur për mysafirët brenda “Moriah’s House” të sapo rinovuar, me pamje nga kullota e pasme e pronës.

Moriah, për çdo adhurues të habitur të Presley, ishte kali i vogël i Lisa Marie, i cili dikur ishte vendosur atje.

“Ushqimi ishte i rëndësishëm për Elvisin. Dhe këtu në Graceland, kuzhina funksiononte si një restorant me porosi. Nëse dikush donte pulë të skuqur dhe dikush donte mustak, ose barbekju ose mish, ishte gjithmonë dikush këtu për t’ia dalë”, tha kryearkivistja Angie Marchese.

“Një pjesë e të ardhurave të turneut “Presley for a Day” do të shkojnë për të mbështetur bamirësitë lokale të Memphis përmes “Fondacionit Bamirës Elvis Presley”, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e Graceland”, tha Weinshanker.

“Ky është një turne që, nëse Brad Pitt dhe George Clooney thonë, hej, ne duam të kalojmë një ditë në Graceland, ky është tapeti i kuq”, shtoi ai./ KultPlus.com

BSH: Nga 15 nëntori, në treg monedhat e reja metalike me vlerë 100 lekë

Banka e Shqipërisë njoftoi se duke filluar nga data 15 nëntor do të hidhen në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 100 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

Sipas Bankës Qendrore, këto monedha metalike, kanë të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me emetimin e fundit të kësaj prerjeje.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhat e reja do të jetë “2023” si dhe tek drejtshkrimi i fjalëve “Lekë”, “Mbretëresha” dhe “Shqipërisë”.

Pas rreth dy javësh këto monedha do të përdoren si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.

Ndërkohë, më 28 maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë hodhi në qarkullim monedhat metalike me vlerë nominale 10 lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2023.

Hedhja në qarkullim i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë. Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit./ KultPlus.com

‘Hetime në Hapësirë | Hapësira e së Ardhmes 1:1’, projekti që eksperimentoi me struktura të përkohshme

“Hetime në Hapësirë | Hapësira e së Ardhmes 1:1″ është projekti që ka inicuar aktivitetin njëmujor që për qëllim ka eksperimentimin me struktura të përkohshme në hapësira, duke eksploruar ndikimin e tyre në dizajn dhe funksionalitet, përcjell KultPlus.

Përmes kësaj iniciative, synohet të zbutet kufiri midis projektuesit dhe përdoruesve, duke krijuar një platformë dialogu mbi mënyrat e shfrytëzimit të hapësirave, duke pasur si qëllim inkurajimin për qëndrim në mjedise të përbashkëta.

Përveç projektimit të strukturave, pjesëmarrësit kanë eksploruar konceptet e efiçencës së energjisë dhe parimet e trashëgimisë, kryesisht kur zbatohen në vende me rëndësi historike. Ata gjithashtu kanë mbledh të dhëna që mund të shërbejnë si referencë për projektet e ardhshme.

Pjesëmarrësit kanë marr leksione të shkurtra nga ekspertë të fushës.

Puna e pjesëmarrësit ka qenë: Zhvilloni një ide të vetme bazuar në kontekstet e dhëna.

Kontekste: 1) Strukturë fleksibilitet në një hapësirë të qëndrueshme 2) Strukturë e qëndrueshme në një hapësirë fleksibilitet 3) Strukturë e qëndrueshme në një hapësirë të qëndrueshme.

Pjesë e punës: Hulumtimi në terren, hulumtim i literaturës, hulumtim i materialeve dhe koncepteve kontemporane, aspektet e reja të krijimit të strukturave të përkohshme, ndjekja e ligjëratave nga ekspertë të fushave.

Nga secili grup është krijuar një model i strukturës, koncept dhe paraqitje grafike e prezantuar me datën 22.Tetor.2024, ekspozitë e cila do të qëndroi e hapur deri me datën 30 Tetor.

Ky projekt është udhëhequr nga Bora Kelmendi Beqiraj dhe përkrahur nga: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakulteti i Arkitekturës “Universiteti i Prishtinës-Hasan Prishtina”./ KultPlus.com

Takimi me shqiptarët në Selanik, Rama: Rikthehem me kënaqësi në vendin ku historia na ka lidhur me një mijë fije

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë në 3 nëntor një takim me shqiptarët në Selanik, në kuadër të turit “Krenar për Shqipërinë”.

Takimi organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, ndërsa vjen pas vendosjes të së drejtës së votës për çdo shqiptar jashtë Shqipërisë.

Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale njoftimin për këtë takim, i cili do të organizohet të dielën e 3 nëntorit, në orën 11:00, në Selanik.

“Pasnesër do të rikthehem me një kënaqësi krejt të posaçme tek shqiptarët e Greqisë, këtë herë në Selanik, ku historia na ka lidhur me një mijë fije dhe e sotmja na bashkon më shumë se asnjëherë me fqinjët tanë jugorë, si dy popuj europianë që edhe për pak vite do jenë krah për krah në Bashkimin Europian”, tha Rama.

Turin e bashkëbisedimit me diasporën, kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.

Në 26 tetor, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju-Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE./ KultPlus.com

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë dhe pritshmëritë evropiane

Evropa po përgatitet për kthimin e mundshëm të ish-presidentit Donald Trump në pushtet, ndërsa rivalja e tij demokrate Kamala Harris mbetet kryesisht e panjohur. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant nga Parisi, shumë evropianë janë të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe ndikimin që mund të ketë mbi të ardhmen e NATO-s, luftën e Rusisë në Ukrainë, marrëdhëniet tregtare dhe të ardhmen e demokracive të tyre.

Shumë evropianë nuk kanë kujtime të mira nga presidenca e zotit Trump.

Në Francë, marrëdhënia që fillimisht ishte miqësore midis Presidentit Emmanuel Macron dhe homologut amerikan, u ftoh shpejt.

Tensionet midis Evropës dhe Uashingtonit u rritën mbi tregtinë, Iranin, ndryshimet klimatike dhe qasjen e zotit Trump ndaj NATO-s.

Nëse kthehet në pushtet, ish Presidenti Trump thotë se do të vendosë tarifa të larta ndaj Evropës, do të kërkojë negociata për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe do të zvogëlojë mbështetjen amerikane për Kievin. Këto qëndrime, drejtuesit evropianë i kundërshtojnë fuqishëm.

“Ekziston një ndjenjë se ai është më i ashpër, më radikal dhe më i rrezikshëm. Ka shqetësime për të ardhmen e Evropës, NATO-s dhe mbrojtjen dhe solidaritetin e nevojshëm për tu përballur me Rusinë”, thotë analistja politike franceze Nicole Bacharan.

Bashkimi Evropian njoftohet se po përgatitet për të zbutur ndikimin e mundshëm të një fitore të zotit Trump.

Në të gjithë Evropën, njerëzit janë të shqetësuar.

“Trumpi na frikëson sepse shpreh urrejtje, gënjen dhe ne mendojmë se ai sillet si një despot, si diktator”, thotë banori i Parisit, Herve Villemont.

Analistët thonë se evropianët kryesisht duan fitoren e Nënpresidentes Kamala Harris, për të cilën ata shpresojnë se do të vazhdojë lidhjet transatlantike që u forcuan gjatë administratës së Presidentit Biden. Megjithatë, analistët thonë se këto lidhje mund të dobësohen pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, pasi prioritetet amerikane po zhvendosen diku tjetër.

“Unë mendoj se një fitore e zonjës Harris do të krijonte një lehtësim të madh në Evropë….Megjithatë, ajo nuk ka thënë diçka thelbësore, kur bëhet fjalë për politikën e jashtme…Prandaj ajo mbetet deri diku një mister për shumë evropianë”, thotë Gesine Weber nga Fondi Gjerman Marshall.

Ndërkaq ish Presidenti Trump ka disa mbështetës evropianë. Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban thotë se do të festojë nëse fiton zoti Trump.

Gjuha e ashpër e zotit Trump ndaj imigracionit gjen përkrahje mes partive populiste, të së djathtës së skajshme në Evropë.

“Jam e shqetësuar për demokracinë, nëse fiton Trumpi këto zgjedhje do të kenë ndikim edhe në Evropë”, thotë Carolina E. Santo, portugeze që jeton në Paris.

Disa analistë besojnë se një mandat i dytë i zotit Trump mund të nxisë Evropën që të forcojë mbrojtjen e saj ushtarake dhe ekonomike, një lëvizje që kritikët thonë se blloku duhet ta kishte bërë vite më parë. /VOA/ KultPlus.com

123 vjet nga botimi i gazetës ‘Drita’

Si sot më 1 nëntor të vitit 1901, në Sofje të Bullgarisë, doli botimi i parë i gazetës “Drita“, nën drejtimin e atdhetarit Shahin Kolonja.

Gazeta e përdyjavshme “Drita” (1901-1908) ishte një gazetë politike, shoqërore, kulturore e letrare në gjuhën shqipe, e cila si moto të sajën kishte “Mbron të drejtat e kombit shqiptar”.

Mbështeti idenë e bashkimit kombëtar dhe pati mjaft ndikim në zhvillimin e publicistikës shqiptare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot një një përshkrim të shkurtër shkëputur nga propozimi për dekorimin e gazetës “Drita” me rastin e 70-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë nga kryetari i Akademisë së Shkencave Aleks Buda./KultPlus.com

Të du të du qyteti im, të adhuroj o Prishtinë (VIDEO)

Fillimi i vitit 2020 mori me vete ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarushën, mirëpo këngët e saj vazhdojnë të dëgjohen e këndohen, pasiqë Pagarusha pas vetes la kryevepra artistike që nuk do të zhduken asnjëherë, shkruan KultPlus.

Kur flitet për Nexhmije Pagarushën, përdoren në një frymë shumë epitete si: Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës Shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitete të tjera.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testin”, “Kënga e Rexhës” etj.

Mirëpo, sonte KultPlus ju sjell një këngë të Nexhmije Pagarushës, që edhe pse nuk është ndër të njohurat e saj, është një këngë e fuqishme që i flet me një dashuri të madhe qytetit të Prishtinës.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.

Tash kur natyra ka lulëzu
Qyteti im asht zbukuru
Jeta e amël me plot dëfrim
Te ti po ngjallet Prishtinë.

Të du të du qyteti im
Të du unë si nana fmin’
Të du të du qyteti im
Të adhuroj o Prishtinë.

Qyteti im je plot gjallni
Me vasha t’bukra djem te ri
Gjithçka te ti është plot hijeshi
Se ti po rrit nji brez t’ri. / KultPlus.com

“Të bardhët” dhe “Kamarja e turpit” shfaqjet teatrore që artistët nga Kosova sollën në Tiranë

“Kosovo-Albania Theatre Showcase 2024” ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Të bardhët”, prodhim i Qendrës Multimedia Prishtinë, ndërkohë që mbrëmja u përmbyll tek “ArTurbina” me shfaqjen “Kamarja e turpit”, të prodhuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës.

Kasti përbëhet nga tre aktorët: Shpëtim Selmani, Verona Koxha, Bujar Ahmeti. Qendra Multimedia e cilëson këtë shfaqje si, “një satirë sociale për një liberal të moshuar, një të ri progresiv dhe një populist”. “Kamarja e turpit”, vepër e Ismail Kadaresë, erdhi në skenë me regji të Kushtrim Koliqit dhe ishte dramatizuar nga Doruntina Basha. Interpretuan aktorët Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi.

“Kamarja e turpit” u botua për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”.

Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M kanë sjellë për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase- 2024”, që nisi më 29 tetor dhe vijon deri më 2 nëntor./atsh/KultPlus.com

Mbyllja e sezonit turistik ndryshon oraret e monumenteve të kulturës dhe parqeve arkeologjike

Në zbatim të udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, “Për mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe muzeve gjatë sezonit turistik”, për një shërbim sa më të mirë dhe cilësor ndaj vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mundësuar një periudhë sa më të gjatë të vizitueshmërisë, DRTK Vlorë njoftoi se, sezoni turistik veror 2024, konsiderohet i përfunduar më datë 31 tetor 2024.

Me përfundimin e sezonit turistik, orari i vizitave në monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike, që administrohen nga DRTK Vlorë, do të jetë si më poshtë:

Në Parkun Arkeologjik të Amantias, Orikut dhe Finiqit:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Kalanë e Kaninës, Himarës dhe Porto Palermos:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 300 lekë/personi për hyrje individuale dhe 200 lekë/personi për grupet.

Në Manastirin e 40 Shenjtorëve, në Sarandë:

– Dita e hënë është pushim;

– Nga dita e martë, deri ditën e shtunë, orari i vizitave është 09:00 – 16:00;

– Dita e dielë, orari i vizitave është 09:00 – 14:00;

Ku, bileta kushton 200 lekë/personi dhe 100 lekë/personi për grupet.

Deri në përfundim të vitit 2024, ditët e hyrjeve pa pagesë janë:

– 28 Nëntor, Dita e Pavarësisë (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– 29 Nëntor, Dita e Çlirimit (vetëm për shtetasit shqiptarë);

– E diela e fundit e çdo muaji të vitit (vetëm për shtetasit shqiptarë)./atsh/KultPlus.com

Koka bën e koka vuan

Poezi nga Ali Asllani

Ç’ke moj zemër që rënkon!
Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori,
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para,
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe,
Para zërit të atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull, lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri,
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e që të bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë,
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mendafshtë s’qemë të zot të bënim zë,
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe,
E ç’kërkon në gji të gjëmbit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!/KultPlus.com

Workshop në Universitetin e Arteve mbi format dhe territoret e reja të artit

Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Artit Skenik organizuan dje në sallën Black Box, workshop-in “Formate të reja – Territore të reja të artit”.

Gjatë aktivitetit u shfaqën performanca koreografike “Perspektivë e trefishtë” dhe dokumentari “Piramida në skenë”. U diskutua gjithashtu mbi artin urban dhe sfidat e regjistrave skenikë.

Në panelin e diskutimit ishin të pranishëm studentë të sapodiplomuar si Renis Hyka dhe balerinët-koreografë Danja Kovaçi, Uesli Alushi dhe Besjana Bytyqi, të cilët ndanë përvojat e tyre artistike dhe sfidat e punësimit.

Ky aktivitet theksoi se Tirana ofron mundësi për artistët e rinj për të eksploruar forma të reja jashtë skenës tradicionale, duke promovuar eksperimentimin në të gjitha disiplinat artistike. Workshop-i ftoi artistët e rinj të angazhohen në projekte që forcojnë marrëdhëniet me qytetin./atsh/KultPlus.com

Kur Jusuf Gërvalla i këndonte nënës: Të lutem jeto me shpresa o nanë, se dikush një ditë do të trokllojë në atë vatër ku së pari zëri im jehoi

I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.

Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votrën braktisa një ditë
N’vendlindje ështe vjeshtë
Tani është vonë
Më presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikimi përhera kah dera përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Kthehu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera e vjeshta o nanë
Që kur ti e ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se dikush një ditë do të trokllojë
Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com

“Koka e Artemisës”, një nga ekzemplarët më të bukur të Muzeut Historik Kombëtar

Muzeu Historik Kombëtar publikoi në faqen e tij online, një nga objektet më interesante të fondit të tij, “Kokën e Artemisës”. Vepra është realizuar në mermer të bardhë, me lartësi 28,5 cm, gjerësi 18,5 cm dhe trashësi 24 cm. Ajo është gjetur në Apoloni dhe i përket shekullit IV para Krishtit.

Koka e mermertë, nga një statujë e Artemisës, është zbuluar gjatë punimeve restauruese në shkallaren e monumentit të Agonotetëve dhe me gjasë ka shërbyer, së bashku me skulptura të tjera, si pjesë e dekorimit të harkut të triumfit të këtij monumenti.

Shikimi ëndërrues, kthimi i qafës në të djathë, mënyra e trajtimit të flokëve dhe lidhja e tyre sipër kokës, sugjeron një Apollon mjaft të ngjashëm me atë të Belvedere-s. Në fakt, ngjashmëritë midis dy hyjnive janë vënë gjithmonë në pah nga skulptorët e periudhës antike, pikërisht për të nënvizuar dhe përjetësuar lidhjen gjenetike midis dy hyjnive.

Vepra përbën një nga ekzemplarët më të bukur të ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar për nga mënyra e modelimit dhe teknika e punimit artistik./atsh/KultPlus.com

Kuvendi i Dibrës dhe kërkesat ndaj Portës së Lartë për krijimin e Vilajetit të Shqipërisë

Më 1 nëntor të vitit 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës.

I prirë prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit, Kuvendi kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane. Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:

  1. Vilajeti i Shqipërisë;
  2. Nëpunësit shqiptarë;
  3. Arsimi shqip;
  4. Kuvendi i vilajetit;
  5. Buxhet për arsim dhe infrastrukturë.

Kuvendi i Dibrës kërkonte që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip.

Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”.

Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë./atsh/KultPlus.com

Nis “DarDan Fest”, maratonë 4-ditore dokumentarësh

Nisi në Tiranë edicioni i 3-të i “DarDan Fest”. Në një mbrëmje mikpritëse tek Piramida e Tiranës, nisi maratona 4-ditore, ku do të shfaqen një shumëllojshmëri dokumentarësh dhe filmash me metrazh të shkurtër.

Paraqitja dhe përfshirja e veprave kinematografike me një karakter artistik dhe dokumentaresk reflekton problemet e ndryshme të jetës së përditshme. Temat kryesore që e bëjnë këtë festival unik janë: Urbanizimi, Zhvillimi dhe Qytetërimi.

Edicioni i tretë i këtij festivali do të jetë një mundësi promovimi për studentët dhe autorët profesionistë të cilët, siç thanë organizatorët, kanë treguar një interes të jashtëzakonshëm. Mbi 750 materiale filmike kanë mbërritur nga anembanë botës dhe po ashtu, të shumta në numër e tematika, kanë qenë edhe aplikimet shqiptare, të realizuara me profesionalizëm.

Në jurinë e këtij festivali janë emra të njohur të artit e kulturës shqiptare si shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka, piktori, pedagogu e studiuesi Shpend Bengu si dhe arkitektja Matilda Pando e cila do të gjykojë mbi prodhimet kinematografike të cilat në këtë edicion prekin tema të tilla si urbanizimi./atsh/KultPlus.com

Festivali “Maratona Violinistike”: Katharina Nohl dhe Ina Kosturi vijnë me koncertin “Violinistic Greetings”

Festivali “Maratona Violinistike”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 12-të, erdhi në sallën e Universitetit të Arteve me aktivitetin “Violinistic Greetings”.

Koncerti përfshiu krijimtarinë e pianistes dhe kompozitores së njohur zvicerane Katharina Nohl, si dhe krijimtarinë e violinistes Ina Kosturi, të cilat përcollën një eksperiencë unike, ku krijuesi është njëkohësisht edhe interpretues i veprës së tij.

Premierë në këtë koncert erdhi “Sonata për violinë e piano” krijuar dhe interpretuar nga Ina Kosturi në violinë dhe Elvina Gurra Koçillari në piano.

Katharina Nohl është krijuese dhe drejtuese e festivalit “Swiss Female Composer” dhe muzika e saj interpretohet në mjaft vende të botës. Në vitin 2022 krijimi i saj “Rapsodia për piano” u vlerësua me “Global Music Award”.

Aktiviteti u realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, bashkisë Tiranë, Universitetit të Arteve dhe u organizua nga shoqata “Bota e Artit “./atsh/KultPlus.com

Java e filmit spanjoll në kinematë e kryeqytetit

Java e Kulturës Spanjolle mund të konsiderohet edhe si Java e Filmit Spanjoll, të cilit organizatorët duket se i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë.

Gjatë këtyre ditëve në kinematë e kryeqytetit do të shfaqet një seleksionim filmash nga regjisorë të njohur spanjollë që kanë lënë gjurmë në artin e shtatë. Filmi që do ta nisë këtë javë është “Even the Rain”, që do të shfaqet më 2 nëntor tek Qendra e Artit “Agimi”.

Filmi krijon një dialog intrigues në lidhje me imperializmin spanjoll përmes ngjarjeve që ndodhin rreth 500 vjet më parë.

Filmi merr një qasje meta-kinematike ndaj historisë së një ekipi kineastësh meksikanë në Bolivi, që xhirojnë një dramë historike mbi zbulimet e Kristofor Kolombit. Regjisori përdor stile të ndryshme kinematografike për të vendosur paralele shqetësuese midis imperializmit të vjetër evropian, valëve të fundit të shfrytëzimit të korporatave, shfrytëzimit të aktorëve bolivianë për të mirën e një industrie globaliste të filmit. Filmi na njeh me dinamikën dhe presionet me të cilat përballen ekipet kur zhvillojnë një film që kërkon angazhim shoqëror.  Regjisori Bollaín paralajmëron se këto prodhime mund të bien në një dinamikë kolonialiste duke riprodhuar pabarazi midis vendeve “të dukshme” në tregun global të filmit dhe vendeve “të padukshme”, aktorëve vendas dhe vendeve tërheqëse që shfrytëzohen. “Even the rain” ndërthur disa tendenca kinematografike, të cilat herë pas here përplasen për të krijuar një qark të shkurtër.

Një tjetër film interesant është “Thesis on a homicide” që do të shfaqet në kinemanë “Maks Velo”, më 3 nëntor.

Në datën 4 vjen realizimi “15 years + 1 day” dhe në datën 5 nëntor do të shfaqet filmi “Lucky star”, po në kinemanë “Maks Velo” në Laprakë.

Kinemaja spanjolle, e njohur për tregimet e saj të pasura kulturore, ka prodhuar filma me ndikim në kinematografinë botërore. Me rrënjë në tema historike dhe shoqërore, filmi spanjoll shpesh ndërthur realizmin me narrativat imagjinative. Regjisorë si Pedro Almodóvar e kanë shtyrë Spanjën drejt vlerësimit global, duke shfaqur peizazhin e gjallë kinematografik të vendit. Hyrja do të jetë e lirë në kinema, për gjithë adhuruesit e kinematografisë spanjolle./atsh/KultPlus.com

Blogu “Rove.me”: Ujëvara e Grunasit në Theth… ndoshta vendi më romantik në Shqipëri!

Majat e maleve, lumenjtë e kristaltë dhe ujëvarat e Shqipërisë janë ende të paeksploruara nga turistët, shkruan Anastasiia Abramets në një artikull të publikuar në blogun e udhëtimeve “Rove.me”.

Një shëtitje në Parqet Kombëtare të Shqipërisë ju mundëson të zbuloni florën dhe faunën, ujëvarat e mrekullueshme dhe lumenjtë malorë të rajonit.

Në veri, larg qytetërimit, shtrihet fshati i Thethit, “porta” e Parkut Kombëtar të Thethit.

Parku Kombëtar i Thethit është pjesë përbërëse e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare.

I themeluar në vitin 1966, parku ndodhet në qendër të Alpeve Shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës.

Parku synon të mbrojë ekosistemet dhe biodiversitetin e ndryshëm dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.

Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e ka renditur Parkun Kombëtar të Thethit si një park të Kategorisë II.

Rajoni është identifikuar gjithashtu si një zonë e rëndësishme e shpendëve dhe bimëve.

Në vitin 2017 Thethi u shpall një Qendër Historike e Mbrojtur.

Zona ka tërhequr vëmendjen e shumë turistëve – falë bukurisë së jashtëzakonshme të natyrës, duke përfshirë Alpet Shqiptare, Kanionin e Grunasit dhe xhevahirin e parkut – Ujëvarën e Grunasit.

Ndoshta… ky është vendi më romantik në Shqipëri!

Thjesht, pyesni vendasit për ujëvarën dhe ata do t’ju tregojnë rrugën.

Kjo ujëvarë është shpallur Monument Natyre dhe është nën mbrojtjen e shtetit.

Ajo ka një lartësi prej 30 metrash. E veçanta e saj është se i gjithë uji i saj vjen ekskluzivisht nga bora.

Për të parë ujëvarën nga një kënd tjetër, mund të shkoni në anën tjetër të ujit.

Koha më e mirë për të vizituar Parkun Kombëtar të Thethit është stina e butë midis pranverës dhe vjeshtës, përkatësisht nga marsi deri në nëntor./atsh/KultPlus.com

Sot 15 vite më parë Bill Clinton vizitoi Kosovën, u nderua me monumentin ‘Clinton’ në Bulevardin me të njejtin emër

Sot janë bërë 14 vite nga vizita e ish-Presidentit Amerikan Bill Clinton në Kosovë, ku edhe mori pjesë në zbulimin e shtatores së tij, të cilën e kishte ngritur shteti i Kosovës si shenjë falënderimi për rolin e tij, në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe, shkruan KultPlus.

Mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin Bill Clinton për ta përshëndetur ish-Presidentin dhe për të parë ngjarjen nga afër.

Ish-presidenti Clinton konsiderohet mik i madh i shqiptarëve, për rolin të cilin e ka pasur në fushatën ajrore të NATO-s, kundër forcave serbe në vitin 1999, nga ku edhe u arrit çlirimi i Kosovës.

Atë kohë, Bill Clinton në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës pati thënë se edhe dhjetë vjet pas kujton fytyrat e refugjatëve kosovarë të shpërngulur në Maqedoni, përderisa në vitin 2009 Kosova kishte një pamje krejtësisht tjetër.

“Ju keni ndërtuar institucionet tuaja, keni forcuar sigurinë tuaj dhe keni ndërmarrë hapat e duhur për ta bërë të qartë se toleranca që nuk ekzistonte para shumë kohësh. Tani toleranca ndërmjet grupeve të ndryshme etnike do të ketë vend në Kosovë dhe ju inkurajoj, që serbët dhe grupet tjera pakicë të jenë të sigurta dhe të integruara në shoqërinë kosovare”, pati thënë Bill Clinton./KultPlus.com

42 vite nga përurimi i Muzeut të Skënderbeut

Sot, 42 vite më parë është bërë përurimi Muzeut Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Krujë, shkruan KultPlus.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu i njohur edhe si Muzeu i Skënderbeut dhe Muzeu i Krujës, ndodhet në Krujë dhe është një nga më të vizituarit në Shqipëri.

Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Njëkohësisht ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Arkitektë te muzeut janë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxha (e bija e Enver Hoxhës).

Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Muzeu u ndërtua në kalanë e famshme të Krujës, kryeqendra e shtetit të Arbërit dhe personifikim i disfatës së ushtrive osmane, për tri herë rresht, në shek. XV.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Aty numërohen pavione të tilla si pavioni i antikitetit dhe mesjetës së hershme, pavioni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavioni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kanceleria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavioni i trashëgimisë dhe i jehonës. Në këto pavione janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronxi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, këmbana e vitit 1462, shpata origjinale të shek. XV etj./KultPlus.com

Rama: Bregdeti i Orikumit, në hartën e Vlorës së transformuar

Rikualifikimi urban i vijës bregdetare Vlorë-Rradhimë-Orikum, ose Lungomare 3, ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme zbatimi, e cila vijon në të gjitha lotet me një sërë ndërhyrjesh themelore që rikompozojnë tërësisht zonën bregdetare, ku do t’i jepet përparësi pushuesit.

Kryeministri Edi Rama teksa publikoi pamje të kantierit të punës në këtë vepër, bëri të ditur se ka nisur puna edhe për hartimin e projektit të Lungomare 4.

Rama vuri në dukje se edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur.

“Lungomare 3 po merr formë nga Tuneli i Ujit të Ftohtë përtej Radhimës, ndërkohë që punojmë me projektin e Lungomare 4, ku edhe bregdeti i Orikumit do të përfshihet në hartën e transformuar të Vlorës së Rilindur”, u shpreh kryeministri Rama.

Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe zgjerimi i plazheve përmes moleve të vendosura si infrastrukturë për varkat dhe për pushuesit, si dhe rikualifikimi i godinave përreth në bashkëpunim me pronarët private.

Shëtitorja e parashikuar në këtë projekt është 5 metra e gjerë, kryesisht e gjelbëruar, me pemë të përshtatura me klimën e zonës si pisha, palma, agrume etj./atsh/KultPlus.com

‘Më plak mërzitja që vetmia më sjell’

Vetmia

Poezi e shkruar nga Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni

Më plak mërzitja

që vetmia më sjell;

përbuzja, urrejtja

të gjith sendet m’i mbështjell

që kam shumë anmiq

të liq

në këto sende pa shpirt,

Nuk flasin.

As sy s’kanë.

Po mue më bahet

se aty janë

vetëm që të më plasin

zemrën.

Së paku, të më shajnë:

I mallkuem!

Së paku, të anë tallin:

I uruem!

Së paku, të më këndojnë:

I yni zot!

Ose të më thonë:

Jeton kot!

Të flasin, të flasin se fjalë due

në kët vetmi me ndigjue.

Ose të më tregojnë historinë

e tyne, autobiografinë:

ndoshta ty do gjej gjasim

me jeten time pa tingllim

që në vetmi po e kaloj

dhe s’po dij a rroj e s’rroj.

Sendet heshtin. sa të pamëshirë!

Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,

pse gojë s’kanë

dhe nuk flasin,

aty janë

vetëm të më plasin

zemrën teme që po vuen

dhe në mërzi vetveten truen. / KultPlus.com

Sezoni turistik, Dhuli: Vizitorët për pushime, mbi 90% e hyrjeve në vend

Sezoni turistik veror 2024 rezulton më se i suksesshëm ndërsa deri në shtator u tejkalua shifra e 10 milionë vizitorëve.

Drejtoresha e INSTAT Elsa Dhuli theksoi sot në një intervistë për mediat theksoi se shifrat  deri në shtator tregojnë përmasat e sezonit, pasi sipas saj vitin e kaluar shifra prej 10 milionë hyrjesh në vend ishte përgjatë gjithë 12 muajve të vitit.

Duke analizuar fluksin e udhëtarëve, Dhuli u shpreh se 97% e personave që hyjnë në vend janë për qëllime personale, ndërsa pjesa tjetër për arsye biznesi.

“Hyrjet me qëllim pushimi janë mbi 90%, ka pasur shumë hyrje për qëllime turistike”, tha Dhuli.

Sipas drejtoreshës së INSTAT, ka një rritje në total të fluksit të udhëtarëve.

“Aeroporti Nënë Tereza mbetet pika me lëvizjet më të larta”, përfundoi ajo./atsh/ KultPlus.com