Përshkallëzohet greva e Shoqatës Sindikale e Artistëve të TKK-së, paralajmërohet anulimi i të gjitha shfaqjeve

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, ka njoftuar se shfaqja “1984” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që hap festivalin ITF “Skupi Festival” në Shkup, do të fillojë me një orë vonesë, si shkak i grevës së paralajmëruar për përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e institucionit.

Sindikata më tej ka njoftuar se në rast se nuk do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse për realizimin e kërkesave të tyre deri më 1 Nëntor, do të kalohet në grevë të plotë ku do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e TKK.

Një muaj më parë Sindikata e Artistëve pati njoftuar se në shenjë pakënaqësie për kushtet aktuale do të aplikojë vonesën e zhvillimit të provave prej dhjetë minutave, duke bërë të ditur se ky hap ishte paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni.

Shfaqja “1984” do të nisë në orën 20:00, dhe jo në 19:00 siç ishte paraparë fillimisht në program.

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit . Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Aristëve./ KultPlus.com

Zhegrova: Në Prishtinë luajmë për fitore, për kombëtaren vij me kënaqësinë më të madhe

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka thënë që ekipi do ta japë maksimumin në ndeshjen e së martës në Prishtinë ndaj Qipros në Ligën e Kombeve.

“Kur vij me lujtë për kombëtaren, vij me lujtë me kënaqësinë më të madhe. Në ndeshjen e kaluar kemi mujtë me lu hala ma mirë”, ka thënë Zhegrova në konferencë për media, duke iu referuar përballjes ndaj Lituanisë të shtunën.

“Besoj që ndeshjen në Prishtinë që do ta luajmë, do e japim maksimumin, dhe normalisht luajmë për fitore. Shpresoj që të shënojmë sa më shumë gola në këtë ndeshje”.

“Koncerti”, shfaqja e Teatrit Eksperimental bazuar mbi romanin e Stefan Çapalikut

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqi në fundjavë dramën “Koncerti”, me regji e dramatizim nga Giacomo Pedini.

“Koncerti” bazohet mbi romanin “Një engjëll veshë me frak” i autorit Stefan Çapaliku.

Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky kompozitor i quajtur Pol Gjakova? Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?

Mbi këto pyetje zhvillohet drama “Koncerti”, që erdhi si produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Tiranë.

Në shfaqje interpretuan aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa dhe Ismail Shino./atsh/KultPlus.com

Komedia e Teatrit “Migjeni” inauguron sallën e re të Universitetit të Arteve

Komedia “Krimi është vetëm i imi”, e vënë në skenë nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, korri sukses edhe në Tiranë, dhe ishte pikërisht ajo që inauguroi sallën e re të Universitetit të Arteve.

Për shfaqjen pati një interes të jashtëzakonshëm nga artdashësit. Ajo shkaktoi të qeshura e duartrokitje pafund. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, ky produksion i suksesshëm, që erdhi nën regjinë e Driada Dervishit, bëri bashkë 11 aktorë të njohur e të rinj të skenës teatrore shkodrane.

Komedia përveç se në Shkodër ishte shfaqur më parë edhe në KokoFest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë. “Krimi është vetëm i imi” bazohet mbi një komedi franceze të shkruar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nga George Berr dhe Louis Verneil, vepër e cila ka frymëzuar edhe disa realizime kinematografike.

Regjisorja Driada Dervishi kishte përzgjedhur një kast aktorësh të mirënjohur si Olta Daku, Neritan Liçaj, Linda Jarani, Romir Zalla etj., të cilëve iu bashkua dhe aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Besnik Çinari./atsh/KultPlus.com

Eja trishtim

Poezi nga Bilal Xhaferri

Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja./ KultPlus.com

Baleti “Bukuroshja e fjetur” shfaqet në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës

Trupa e Baletit të Teatrit Shtetëror të Varnës solli para artdashësve të shumtë të Durrësit “Bukuroshen e fjetur”, baletin me muzikë të Çajkovskit, bazuar në një përrallë me princër, princesha e magji.

Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” u shfaq në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Performanca e balerinëve bullgarë elektrizoi sallën përmes lëvizjeve plot elegancë. Shfaqja ishte si një dhuratë për qytetin bregdetar dhe një mënyrë për të promovuar artin e bukur të baletit dhe muzikës klasike.

Kjo shfaqje nuk ishte vetëm një interpretim artistik, por një rikthim në magjinë e fëmijërisë, ku të gjithë mund të besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të ëndrrave të bukura.

Më herët e njëjta shfaqje u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë. Triumfi i dashurisë mbi të keqen tërhoqi vëmendjen e publikut besnik të operës, duke i shitur biletat në kohë rekord.

Bashkëpunimi i TKOB me Teatrin e Varnës, ka nisur që në vitin 2023 dhe ka rezultuar me shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh./atsh/KultPlus.com

“Zërat e Kulturës”, Gonxhja: Sfidat e promovimit të teatrit drejt skenës ndërkombëtare

Në 17 tetor, në sallën “Central” në ArtTurbina do të nisë një seri takimesh në kuadër të Dialogut Kulturor dhe Artit Skenik, njofton në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Aktiviteti vjen si pjesë e një serie takimesh publike, të bashkorganizuara nga MEKI dhe United Nations Association Albania që kanë për qëllim përfshirjen e zërave të artistëve në vendimmarrje për çështjet e kulturës.

Trajtimi i sfidave dhe perspektivat për zhvillimin e teatrit dhe arteve skenike do të jetë vetëm një nga shtyllat ku do të përqendrohet e gjithë seria e takimeve.

“Në këtë takim, do të mblidhen aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë dhe profesionistë të tjerë të skenës për të diskutuar vështirësitë në prodhimin e shfaqjeve, financimin e projekteve teatrore, mungesën e infrastrukturës dhe rolin e edukimit artistik në formimin e gjeneratave të reja të artistëve. Gjithashtu, do të diskutojmë mbi nevojën për mbështetje institucionale dhe promovimin e teatrit shqiptar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në postimin e ministrit Gonxhja.

Ministri shton se “ky takim është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar çështje të tilla si mbështetja financiare për teatrin, roli i kritikës në ngritjen e standardeve artistike dhe mënyrat për të krijuar bashkëpunime ndërkombëtare”.

MEKI e mbyll njoftimin me një thirrje për artistët, regjisorët, aktorët apo dramaturgët që të jenë të pranishëm në këtë event, pasi “zëri juaj është thelbësor për të formuar politika që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të teatrit dhe arteve skenike”./atsh/KultPlus.com

Manastiri i Mesopotamit, ndërhyjet konservuese zbulojnë disa afreske

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se janë zbuluar piktura murale në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam. Pikturat më herët kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere.

Ndërhyrjet në këtë kishë, i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në një projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë edhe në vitin 2025.

Bëhet fjalë për projektin “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit nënshkruar mes ish-Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.

Në Manastirin e Mesopotamit ndërhyrjet nisën prej datës 27 gusht dhe fokusohen në ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe./atsh/KultPlus.com

10 vjet nga ngritja e flamurit “Autochthonous” mbi Beograd

10 vjet më parë, kur ora shënonte 21:27 e kur një stadium i tërë brohoriste pa pushim në kor “vr**ini, vr**ini Shqiptarët”, në “zemër” të Beogradit u shfaq ai dron me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.

KultPlus ju sjell edhe këngën e Elvana Gjatës që ishte realizuar po mbi atë motivim.

Shakohoxha, cfare po ndodh realisht, na thuaj dicka?
Ti je aty prane, e ke pare me mire se cfare ka ndodhur
Cfare ishte? Ai, ai flamur! Ajo banderol!
Nuk e di cfare mund ta quajme
Valvitej tek ai, mini-helikopter le t’themi
Ai ishte flamuri me i bukur ne bote, Alban


Jemi ne, jemi ne
Vijmë nga trojet tona
Nuk na ndan dot askush
Fluturon shqiponja
Po therrët toka jonë
Lisat edhe malet
Se ne jemi një komb
Shqipëri e madhe


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër të kemi sot
O flamuri më i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri më i bukur në botë


Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej



Jemi një force, jemi një gjak
Asnjëher nuk ike
Jemi ne, jemi ne
Shqipëri etnikë
Po therrët toka jonë
Lisat edhe malet
Se ne jemi një komb
Shqipëri e madhe


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë



Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej
Kuq e zi, oh hej, oh hej


Unë jam kuq e zi, kuq e zi
Jam unë dhë ti, kuq e zi
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
Me gjithë zemër te këmi sot
O flamuri me i bukur në botë
./KultPlus.com

https://youtube.com/watch?v=7s8pMXrNDtY%3Ffeature%3Doembed

Ilirike

Agim Vinca

Më shumë se i Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i Hënës.

Altar kam Tokën, ku bie e ngrihem përditë
Unë, pagani i vogël, që përbuz Perënditë.

Më fort sesa i Nënës dhe Babait
Jam fryt i Dheut, Ujit, Ajrit.

Të falem, o Tokë, ty nënëmira ime
Me grimca statujash e tumash ilire.

Më shumë se i Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i Hënës.


Altar kam Tokën, ku bie e ngrihem përditë
Unë, pagani i vogël, që përbuz Perënditë./ KultPlus.com

“Pikë uji” u prezantua me premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Varshavës, i nominuar në tri kategori

I nominuar në tri kategori: për regjisorin më të mirë, filmi më i mirë dhe çmimi special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, filmi “Pikë uji” është prezantuar mbrëmë premierë në këtë festival prestigjioz, shkruan KultPlus.

Me skenar të Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja e me regji të Robert Budinës, filmi është një bashkëproduksion i Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, dhe Rumanisë, ku luajnë aktorët kryesorë nga Kosova dhe Shqipëria, përfshirë Gresa Pallaska, Arben Bajraktaraj, Adem Karaga dhe Astrit Kabashi.

Po ky film tashmë është propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, ndërkohë, pas premierës në Shqipëri, kjo është paraqitja e parë në nivel ndërkombëtar.

Për premierën e këtij filmi ka shkruar në rrjete sociale edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, i cili poashtu ka ndarë edhe fotografi nga ceremonia./ KultPlus.com

Teatri “Migjeni” merr çmimin e medias në festivalin MESS në Sarajevë

Teatri “Migjeni” shpallet fitues nga MESS Festival. Ky ishte edicioni i 64-t i këtij festivali që zhvillohet në Sarajevë dhe që renditet në festivalet e kategorisë A.

Me marrjen e lajmit, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se ndihej krenar për këtë arritje dhe falenderoi të gjithë trupën e shfaqjes.

Çmimi i medias “Oslobodenje” iu dha shfaqjes “Vizita” të teatrit “Migjeni”, me regjisor Davide Iodice. Kjo ishte hera e parë që Shqipëria mori pjesë në festivalin MESS.

“Ky është moment historik për të gjithë ne”, shkroi teatri “Migjeni” në faqen e tij online.

Kjo shfaqje ishte premierë absolute një vit më parë, në teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe më vonë në ArTurbina në Tiranë.

Shfaqja “Vizita” e mbështetur në kryeveprën e H.G. Wells “Vizita e mrekullueshme” dhe u vu në skenë nga Davide Iodice, një nga regjisorët më të suksesshëm të teatrit bashkëkohor.

Vepra është përkthyer në shqip nga Zija Vukaj. “Vizita” është një bashkëprodhim i teatrit të Sardenjës dhe teatrit “Migjeni”, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë./atsh/KultPlus.com

At Shtjefën Gjeçovi, intelektuali françeskan i vrarë nga shovinistët serbë

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 95-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Shtjefën Gjeçovit.

At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj.

At Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj. At Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shën Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).

At Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hylli i Dritës”. Ai u vra nga shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar./KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullat postare “Pyjet dhe rudinat”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot emisionin e ri të pullave postare me temën “Pyjet dhe rudinat”. Ky emision përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, duke sjellë në vëmendje bukurinë e mahnitshme të resurseve pyjore dhe minerale të Kosovës. Kjo iniciativë është një përpjekje për të nderuar dhe promovuar pasurinë natyrore të vendit, e cila ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vendi ynë mbulon rreth 481 mijë hektarë pyje, ose 44.7% të territorit të përgjithshëm. Shumica e këtyre pyjeve ndodhen në jugperëndim të Kosovës, veçanërisht në rajonet e Maleve të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna. Këto zona janë të njohura për peizazhet e tyre të bukura dhe diversitetin e larmishëm të florës dhe faunës.

Resurset pyjore të Kosovës kanë rëndësi të madhe, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe sekuestrimin e karbonit. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe në sigurimin e ujit të pijshëm për popullatën. Po ashtu, këto pyje janë të rëndësishme për biodiversitetin e Ballkanit, pasi Kosova është shtëpi e një spektri të gjerë të florës dhe faunës, shumë prej të cilave janë të rrezikuara ose endemike.

Ky emision i pullave postare është realizuar me mbështetje të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe është një hap për të rritur vetëdijen për ruajtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore. Pullat do të mbeten në qarkullim deri në konsumimin e plotë të stokut, duke u ofruar të apasionuarve pas filatelisë dhe natyrës mundësinë për të kontribuar në promovimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Kjo iniciativë është një shembull i angazhimit për ruajtjen e natyrës dhe burimeve natyrore, duke e theksuar rëndësinë e tyre për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

38 vite nga vdekja e poetit Bilal Xhaferri

Më 1 maj 1935 lindi shkrimtari Bilal Xhaferi. Ai lindi në fshatin Ninat afër Konispolit. Në vitin 1967 botoi vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”, por nuk u vu kurrë në qarkullim.

Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman u botua në vitin 1993.

Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Në vitin 1970 shkoi në SHBA, në Boston, ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Vdiq në Çikago më 22 gusht të vitit 1986.

Më 6 maj 1996 shkrimtari Shefki Hysa, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare nisi dhe organizoi ceremonialin e rikthimit në atdhe të eshtrave të poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar disident Bilal Xhaferri që tanimë prehet në vendlindje, në Sarandë.

Më 2014 shtëpia e tij në Ninat të Sarandës u bë Shtëpi Muze, dhe më 2 nëntor u inaugurua busti pranë shtëpisë.

Në vitet 1962-1963 botoi poezitë dhe tregimet e para në gazetat “Zëri i Rinisë”, “Drita”, në revistat “Nëntori”, “Ylli”, etj.Më 1963 debutoi me romanin Rrugë dhe fate,ndërsa 1966 botoi një vëllim me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Tiranë 1966, vepër me mendim e me nivel artistik, por ndoshta tepër realiste për kohën.

Në të përkohshmen “Krahu i Shqiponjës” botoi shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime, romane, skeçe, vizatime, karikatura, foto artistike, etj. Aty botoi fragmente të romanit “Trotuare të kundërta” dhe “Hëna e kantjereve”. Në vitin 2017 u botua libri i shkruar nga e motra, Antike Hoxha, “As vdekja nuk e shoi dot urrejtjen”, që i kushtohet të vëllait./ KultPlus.com

20 vite nga tragjedia e Maturantëve të Malishevës

Sot, janë bërë 20 vite kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri”, nga Malisheva kanë humbur jetën nga rënia në humnerë e autobusit, në Fushë Arrëz të Pukës, gjatë një ekskursioni në Shqipëri, KultPlus.

Më 14 tetor 2004, rreth orës 14:00 në Fushë Arrëz të Pukës është shënuar aksidenti, nga i cili 15 maturantë mbetën të vdekur dhe 34 të lënduar.

Pas identifikimit të trupave të maturantëve të vdekur nga shteti shqiptar, të nesërmen trupat e tyre u përcollën nga ushtria shqiptare deri në kufi me Kosovën, nga ku TMK i kishte sjellë në lokalet e shkollës.

Varrimi i maturantëve të Malishevës është bërë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit./KultPlus.com

“El Tiempo”: Shqipëria – destinacioni turistik me plazhe ëndrrash, male dhe arkeologji

E vendosur në Gadishullin Ballkanik, “Karaibet e Evropës”, Shqipëria mirëpret gjithnjë e më shumë vizitorë dhe po konsolidohet në hartën turistike të Kontinentit të Vjetër, sipas një artikulli të botuar në revistën kolumbiane “El Tiempo”.

Dikur një vend i mbyllur në orbitën e dikurshme komuniste, në juglindje të Gadishullit Ballkanik, Shqipëria po shfaqet në turizmin ndërkombëtar si “Karaibet e Evropës”.

Ndërkohë që agjencitë turistike vazhdojnë ta ofrojnë gjithnjë e më shumë, Shqipëria po konsolidohet si destinacioni i zgjedhur nga mijëra vizitorë nga e gjithë bota – që vijnë për të zbuluar plazhet e saj të ëndrrave.

Shqipëria është një vend i vogël me brigje në detet Adriatik dhe Jon. Shumë ekspertë të udhëtimeve i kanë i krahasuar plazhet e saj me kartolinat idilike me ujëra të pastra kristal me pamje nga Republika Domenikane, Kuba apo Meksika.

Por, kjo lloj rerë evropiane është e shpërndarë mes peizazheve malore, me Alpet Dinarike që përshkojnë brendësinë e tyre, mes zonave arkeologjike, kështjellave dhe qyteteve antike plot histori.

Gjithashtu, në krahasim, është relativisht më lirë se sa të vizitosh vendet e tjera në Evropë. Dhe nëse udhëtoni nga Kolumbia, nuk keni nevojë për vizë të veçantë për të hyrë në Shqipëri – nevojitet vetëm një leje për të qëndruar në vend për 90 ditë.

Bumi i verës

Qoftë për të zbuluar historinë përmes mbetjeve arkeologjike të qytetit antik të Apolonisë apo për të pushuar në një nga plazhet e Rivierës Shqiptare, koha më e mirë për të vizituar vendin është midis majit dhe shtatorit.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën kiwi.com, bazuar në rezervimet e bëra muajt e fundit, për udhëtimet gjatë verës 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, Tirana, në Shqipëri, është ndër vendet më të preferuara nga turistët spanjollë për verën e ardhshme.

Që nga pandemia, vendi ballkanik ka shënuar një rritje progresive të turzimit prej rreth 20-30 për qind çdo vit.

Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të OKB-së, në vitin 2023 – Shqipëri ishte vendi i katërt që regjistroi rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë – me një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2019.

Në vitin 2022, vendi u vizitua nga 7,5 milionë turistë ndërkombëtarë dhe në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë, pa dyshim, shumë larg destinacioneve të tjera tradicionale, por me shifra të theksuara rritjeje.

Përtej atraksioneve të tjera të saj, plazhet e Shqipërisë duken të frymëzuara nga disa destinacione të Karaibeve dhe janë arsyeja kryesore e projeksionit të saj të fortë drejt turizmit ndërkombëtar.

Në jug të vendit, bregdeti i detit Jon formon një peizazh të paharrueshëm për shkak të bukurisë së tij që ndërthuret me elementë të tjerë.

Brenda kësaj zone, një nga pikat më të spikatura është Ksamili, në Rivierën jugore Shqiptare – dhe pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, i njohur për ishujt e tij të vegjël të arritshëm me not ose varkë, ujërat e tij bruz dhe rërën e bardhë.

Në të njëjtën kohë, plazhi i Dhërmiut shquhet si një nga destinacionet më të njohura në Rivierën Shqiptare, me një mjedis impozant malesh dhe ujërash blu – ideale jo vetëm për qetësi por edhe për aktivitete ujore.

Qendra e saj e vogël historike është një tjetër atraksion ideal për një ditë pushimi në plazh.

Përveç kësaj, ju mund të vizitoni qytetin e Himarës, me plazhe të pabesueshme dhe një qytet të vjetër plot me monumente historike.

Gjithashtu, Tirana, kryeqyteti, paraqet një larmi atraksionesh turistike që plotësohen edhe nga plazhet urbane.

Pika e nisjes për ta eksploruar mund të jetë Sheshi Skënderbej, zemra e qytetit, nga ku mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar dhe lagjen shumëngjyrëshe të Bllokut, i famshëm për jetën e tij të natës.

Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, shquhet si një tjetër peizazh urban i dukshëm për t’u vizituar.

Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, i njohur edhe nga UNESCO për arkitekturën e tij unike.

Ndër xhevahiret e këtij qyteti janë Kalaja e Beratit, e djegur nga romakët në vitin 200 para Krishtit; Muzeu i famshëm i Onufrit – i vendosur brenda katedrales së “Shën Mërisë” e shekullit XVIII; dhe objekte të tjera të shenjta si Xhamia e Plumbit, Xhamia e Mbretit dhe Xhamia e Beqarëve apo ura e Goricës mbi lumin Osum, si një nga vendet më të veçanta të Beratit.

Për adhuruesit e ecjes dhe natyrës, një tjetër pikë kryesore është Parku Kombëtar i Llogorasë, me pamje panoramike të detit Jon dhe Rivierës mahnitëse Shqiptare.

Ndërkohë, kureshtarët për historinë do të gjejnë në qytetin e Butrintit rrënoja arkeologjike nga epoka greke, romake dhe bizantine./atsh/KultPlus.com

‘Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet’

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Kometa e parë për herë të fundit nga neandertalët mund të jetë e dukshme gjatë fundjavës

Një kometë që ishte e dukshme për herë të fundit nga Toka kur neandertalët ishin gjallë, mund të dallohej me sy të lirë këtë fundjavë, thanë shkencëtarët.

Kometa A3 (Tsuchinshan-ATLAS) është quajtur “kometa e shekullit” për shkak të asaj se sa e ndritshme dhe e dukshme mund të jetë, sipas Shoqatës Mbretërore Astronomike (RAS).

Astronomët thanë se do të kishte qenë i dukshëm nga planeti ynë rreth 80 000 vjet më parë dhe u zbulua vetëm në janar 2023.

”Vëzhguesit e yjeve në Hemisferën Jugore kanë parë tashmë kometën A3, por tani ajo mund të shihet edhe në Hemisferën Veriore”, tha ajo.

Midis 12 dhe 30 tetorit, njerëzit mund të jenë në gjendje ta shohin kometën duke përdorur dylbi apo edhe me sy të lirë.

Në një video në faqen e internetit të shoqërisë, zëvendësdrejtori Robert Massey tha se marrja e fotove të kometës mund të jetë e mundur, veçanërisht nëse përdorni një aparat fotografik dixhital me një lente refleks (DSLR).

Sipas RAS, kometa vjen nga Reja Oort – një guaskë sferike gjigante që rrethon sistemin tonë diellor dhe përmban miliarda objekte duke përfshirë kometat./ KultPlus.com

Tuneli mbyllet në 1 nëntor, kalimi do të bëhet vetëm nga Qafa e Llogarasë 

Tuneli i Llogarasë që u hap gjatë muajit korrrik, do të jetë në funksion të qarkullimit të mjeteve deri në fund të tetorit.

Burime zyrtare nga Autoriteti Rrugor bënë me dije se nga 1 nëntori, mjetet do të lëvizin vetëm nga Qafa e Llogarasë.

Të dhenat tregojnë se vetëm në 3 muaj në këtë tunel kanë kaluar 715 mijë makina.

Sikundër ishte thenë edhe më herët, tuneli do të ishte i hapur vetëm gjatë sezonit veror, për t’i dhënë një shfryrje trafikut drejt plazheve të jugut.

Punimet në tunel nuk koniderohen të përfunduara, ndërsa afati final sipas kontratës është muaji dhjetor. Ndërsa nga viti tjetër, lëvizja do të jetë me pagesë, 5 euro per një kalim. /vizionplus.tv/ KultPlus.com

Nesër në Berlin do të mbahet samiti i radhës, Kosova përfaqësohet nga Kurti

Zhbllokimi i CEFTA-s, e shmangi largimin e mundshëm të Kosovës nga Procesi i Berlinit, të vetmes platformë evropiane, ku Kosova prezantohet krejtësisht e barabartë me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Pjesëmarrja e Kosovës në Procesin e Berlinit ka ofruar një platformë për dialog dhe bashkëpunim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ato që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Më 14 tetor, në kryeqendrën gjermane do mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit, ku Kosovën do e përfaqësoj kryeministri Albin Kurti.

Do jetë ky samit ku do shënohet dhjetëvjetori i themelimit të kësaj nisme diplomatike, kumbare e të së cilës ishte kancelarja e atëhershme Angela Merkel.

I themeluar në vitin 2014, Procesi i Berlinit ka për qëllim që të nxitë bashkëpunimin rajonal, pajtimin dhe integrimin në BE ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes ekonomike, politike dhe infrastrukturore.

Në kuadër të procesit të Berlinit, deri më tani janë nënshkruar rreth 15 marrëveshje, që mbulojnë aspekte të ndryshme siç janë tregtia, lëvizja e lire, transformimi digjital, bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji.

Marrëveshjet zakonisht nënshkruhen në nivel të liderëve, të cilët në kuadër të kësaj iniciative takohen një herë në vit.

Në mungesë të përparimit të dukshëm shteteve të rajonit në proceset e integrimeve evropiane, ku shtete e rajonit janë në faza të pabarabarta, procesi i Berlinit ka ndihmuar që zgjerimi i Bashkimit Evropian të mbahet lart në agjendë të Brukselit. Procesi i Berlinit vazhdon të luajë një rol vendimtar në nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit në Ballkanin Perëndimor./RTK/ KultPlus.com

Peza, destinacion i preferuar për të kaluar  fundjavën mes gjelbërimit

Peza është shndërruar në një destinacion mjaft të preferuar për të kaluar  fundjavën mes gjelbërimit.

Fundjava shënon numrin më të madh të turistëve, që vijnë nga Tirana e qytete të tjera, por edhe nga vende të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga Peza e përzgjedhur si destinacion për shumë qytetarë, të cilët kanë preferuar ta kalojnë të dielën plot diell me një piknik në gjelbërimin e këtij fshati turistik.

Peza, një zonë mjaft e bukur dhe me shumë mundësi argëtimi, është njësi administrative e Bashkisë së Tiranës dhe gjendet pak kilometra nga qendra e kryeqytetit.

E njohur për bukurinë natyrore dhe historinë e saj, është destinacioni ideal për të kaluar momente të bukura në natyrë.

Pasi largohesh nga Tirana dhe sapo hyn në rrugën e Pezës syri të zë kodra dhe fusha të mrekullueshme dhe kafshë të fermave.

Qetësia dhe aroma e luleve është impakti i parë me të cilin përballesh, duke ndjerë oksigjenin që të mbush mushkëritë.

Peza është një fshat piktoresk, plot gjelbërim dhe histori.

Në Pezë, në një territor shumë të vogël mund të gjesh: Kështjella antike, monumente historike, arkitekturë tradicionale, monumente natyrore, lloje të rralla të florës dhe faunës, liqene, peizazhe tipik rurale, ferma bujqësore e blegtorale dhe rraca të rralla të blegtorisë.

Një tjetër atraksion për zhvillimin e turizmit në këtë zonë është edhe peshkimi, ku shumë të pasionuar pas peshkimit kanë mundësi të gjuajnë peshk në dy rezervuarët e zonës, në të cilët kultivohen lloje të ndryshme peshqish./ KultPlus.com

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

*** / KultPlus.com

Kurti diasporës në Këln: E nderojmë Gjermaninë dhe juve për kontributin e dhënë

Kryeministri Albin Kurti është takuar me bashkatdhetarët në qytetin e Këln-it.

Përgjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj mërgatës për kontributin e pandërprerë për vendin tonë, njofton zyra e Kurtit.

Diskutuan për rolin e mërgatës, arritjet e përbashkëta, sfidat dhe rrugën përpara për më shumë progres, mirëqenie e prosperitet në avancimin e shtetit tonë, për vlera shoqërore dhe zhvillimin e drejtë.

“Ne si shtet, si republikë dhe si histori, ju jemi thellësisht mirënjohës. Gjermania ka qenë shtëpia ku ju keni lulëzuar, duke e mbajtur gjallë frymën e atdheut dhe mbijetesën e kombit. Ndihma gjermane ka qenë vendimtare në çlirimin e Kosovës. Jo vetëm në aspektin diplomatik dhe ekonomik, por edhe në atë ushtarak. Ne nderojmë Gjermaninë dhe ju nderojmë juve, për mënyrën sesi keni kontribuar në shoqërinë e saj, duke ruajtur njëkohësisht lidhjet e forta me atdheun tuaj.” u shpreh kryeministri.

Ai përmendi disa prej sukseseve gjatë mandatit tonë qeverisës ku janë dyfishuar eksportet e më shumë se dyfishuar investimet e huaja, gjersa kemi rritur buxhetin e shtetit e ulur borxhin publik. “Po ashtu kemi investuar në fusha kyçe si mbrojtja e siguria, arsimi e shëndetësia, bujqësia e teknologjia” tha kryeministri./ KultPlus.com