“Qyteti dhe letërsia: ese” nga Stefan Çapaliku promovohet sot në KultPlus Caffe Gallery

Shtëpia Botuese “Olymp” së fundi ka botuar librin më të ri të shkrimtarit të njohur nga Shqipëria, Stefan Çapalikut, shkruan KultPlus.

“Qyteti dhe letërsia: ese” është libër që sjell rolin e hapësirës urbane për krijimin e letërsisë, duke vënë theksin në Letërsinë Shqipe dhe Qytetin Shqiptar.

Në këtë promovim do të merr pjesë edhe vet autori Stefan Çapaliku, ku për librin do të flasin edhe shkrimtari i njohur Ag Apolloni dhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti.

Stefan Çapaliku është shkrimtar, studiues, dramaturg dhe artist shqiptar. Andaj për një takim sa më të afërt me autorin, ju ftojmë që të jeni më afër kësaj mbrëmje letrare.

Takimi me autorin Çapaliku do të mbahet sot, më 14 shkurt, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë./ KultPlus.com

Stefan Çapaliku përfaqëson letërsinë shqipe në “Historinë e Letërsisë Europiane”


Akademia e Shkencave ka uruar akad. asoc. Stefan Çapaliku për arritjen e tij më të fundit, përfaqësimin që i ka bërë letërsisë bashkëkohore shqipe në botimin e fundit të CNRS (Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor në Francë). “Historia e Letërsisë Europiane”, botim me 1194 faqe, që përditësohet një herë në 20 vjet (i njëjti edhe në gjuhën angleze nga shtëpia botuese prestigjioze “Routledge”), përbën tekstin bazë për të gjithë universitetet ku mësohet letërsia europiane.

Tashmë pjesë e këtij botimi është edhe letërsia shqipe përmes Stefan Çapalikut, anëtar i Asamblesë së ASHSH.

“Jam krenar që përfaqësoj letërsinë bashkëkohore shqipe në botimin më të fundit të CNRS. Faleminderit autorëve dhe kuratorëve të botimit”, është shprehur Çapaliku përmes rrjeteve sociale.Çapaliku kryesisht njihet si dramaturg. Ai është profesor i Estetikës dhe Teorisë së Dramës pranë Fakultetit të Artit Skenik, në Universitetin e Arteve të Bukura. Veprat e tij janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare./ atsh / KultPlus.com

Ndue Ukaj boton “Retë prej drite”: Libri është bota e dëshirave të tretura e të varrosura në heshtje, pa bujë e pa kujë

Era Berisha

Shkrimtari, poeti, eseisti e kritiku letrar, Ndue Ukaj e ka rikthyer artin e poezisë së tij pas pesë vitesh, që nga libri me poezi “Gjithmonë diçka mungon” botuar në vitin 2017. Autor i katër librave me poezi, tanimë libri i tij i pestë vjen nën emërtimin “Retë prej drite”, një titull ky që konsiderohet të jetë vetë identiteti i librit. Re të bardha e të zeza përshkojnë të gjitha vargjet e këtij libri, andaj edhe për autorin ka qenë dukshëm një proces lumturimi e trishtimi. Megjithatë, dashamirët e librit kanë shprehur që tani një interes të lartë për këto poezi, për të cilat do të keni rastin të lexoni në një intervistë për KultPlus.

Autori Ukaj ka deklaruar se beson vërtet tek poezia dhe forca që ka ajo për të bërë dritë në kohë të errëta dhe për të qenë shprehje e shpresës në kohë të trishta. Sipas tij, poeti i madh amerikan Walt Whitman me të drejtë kërkon prej tyre si lexues e poetë që kurrë të mos pushojnë së besuari se fjalët e poezisë mund ta ndryshojnë vërtet botën. Dhe si duket, këtë rrugë e ka zgjedhur edhe vetë poeti Ukaj, shkruan KultPlus.

Fitues i çmimit kombëtar për librin më të mirë me poezi të botuar në vitin 2010 në Kosovë, poeti Ukaj këtë muaj ka goditur dukshëm në këtë fushë. “Retë prej drite” tashmë është botuar dhe do të prezantohet në Panairin e Librit në Tiranë, dhe sipas tij ky libër është një botë. Pra, është bota e tij, bota e dëshirave dhe dashurive të tija, e njerëzve të tij, e miqve të tij, e mjedisit të tij, e ndjesive të tija, e ëndrrave të tija, e ideve të tija, e synimeve të tija. Është bota e dëshirave të tretura e të varrosura në heshtje, pa bujë e pa kujë, e kujtimeve dhe leximeve.

Veprat letrare të autorit Ukaj janë botuar në antologji dhe revista të njohura ndërkombëtare dhe janë përkthyer në shumë gjuhë. Nuk ka asnjë dyshim që “Retë prej drite” do ta ketë të njëjtin rrugëtimin të suksesshëm. “Retë prej drite” ka luhatur nëpër një proces pesë vjeçar por ajo që e cilëson këtë libër pritet të jetë pafundësia e kohës që kanë ato poezi përbrenda tyre.

Ndërkaq, shkrimtari Ukaj ka rrëfyer copëza nga procesi i krijimit të librit, ka ndarë preokupimet e tij lidhur me botimin dhe rezultatet pas tij, ka shpjeguar temat kryesore që i përkasin këtij libri. Po ashtu, ai ka treguar për vështirësitë e krijimit të një libri me poezi, për poetët e tij të preferuar, për ndryshimet e tij përgjatë viteve si krijues si dhe për poezinë e tij më të përafërt në librin e tij më të fundit. Tutje, nuk kanë munguar as mendimet rreth letërsisë shqipe si dhe projekteve të tij të radhës.

Në secilën fjali, autori Ukaj shpalos një madhështi të të shkruarit e shprehurit. Dhe kjo është një nga pikat më të forta që ai si krijues e dominon më së miri. Andaj, gjuha në “Retë prej drite” sigurisht që do të ju dërgojë nëpër një shtegtim sa të largët aq edhe të ngrohtë, e që natyrisht do t’ia vlejë pa masë.

KultPlus: ”Retë prej drite” është libri juaj i ri me poezi që është botuar këto ditë. A mund të na tregoni se si erdhi ideja për krijimin e tij?

Ndue Ukaj: Si shkrimtar, deri tani s’e kam kuptuar qartë si vjen ideja e krijimit të një libri, sepse vjen në mënyrë misterioze, vjen çuditshëm, ndonjëherë me bujë e ndonjëherë krejt heshtur, ndodh të jesh në kllapi dhe papritë i ndjen duart e diçkaje që quhet frymëzim tek të shkundin dhe të thonë të zgjohesh e të shkruash. Vërtet s’e di nga vjen frymëzimi, si e gjen rrugën e vet dhe bëhet krijim, ndryshe, sikur ta dija një gjë të tillë, shumë më shpesh do ta vizitoja këtë vend.

Meqë artin e rrethon diçka misterioze, po e përdor një mendim të shkrimtarit tim të pëlqyer që flet bukur për enigmën e poezisë, Jorge Luis Borgesit, i cili teksa komenton rrethanat që ndikojnë në punën e artistit, përmend një bisedë të zhvilluar në një kafene të Parisit, ku piktori amerikan Whistler pyetet rreth kësaj teme dhe ai përgjigjet thjesht: “arti ndodh.” Dhe Borgesi fjalët e tij i shpjegon në një kuptim të ri: “arti ndodh sa herë që lexojmë poezi.” Nëse shkojmë edhe pak më tej, më lejohet të them se arti te unë ndodh sa herë shkruaj poezi.

Pra, krijimi është një mister dhe rrethanat që e shoqërojnë procesin krijues po ashtu janë misterioze. Për mua, pikërisht këtu qëndron bukuria e artit, sidomos e poezisë.

Unë shkruaj me idenë se krijimet e mia një ditë bëhen vepra dhe se secila vepër është një botë në vete, ku jetojnë përplot jetë njerëzore e ku bashkohen kohë e histori. Edhe ky libër është një botë: është bota ime, bota e dëshirave dhe dashurive të mia, e njerëzve të mi, e miqve të mi, e mjedisit tim, e ndjesive të mia, e ëndrrave të mia, e ideve të mia, e synimeve të mia, është bota e dëshirave të tretura e të varrosura në heshtje, pa bujë e pa kujë, e kujtimeve dhe leximeve.

Për mua, poezitë janë tinguj të zemrës së trazuar, të shqetësimeve, të gjakimeve dhe kur fjalët dalin nga qenia, bëhen gjuhë, simbole, metafora, mendime – pra poezi.

Në fushën e poezisë gjithmonë është më e vështirë ta mendoj një libër, ndryshe nga ç’ndodh kur shkruaj prozë. Shkruaj poezi sa herë një forcë misterioze brenda meje kërkon t’i nxjerrë jashtë mendimet e mia. Për shembull, shoh një gjethe të bukur vjeshte që këputet nga një degë dhe era e hedh në baltë dhe mendoj për atë ekzistencë. Është një ekzistencë misterioze, njëherësh magjike, sepse e di se në pranverën e re që e pres, ajo pemë sërish mbushet me jetë, me gjethe të reja. Por çfarë ndodh me gjethet që bien nga jeta e një njeriu? Kjo pyetje të shtang dhe mu këtu ndodh të lindë poezia.

Ky libër i imi vjen pas botimit të librit me poezi “Gjithmonë diçka mungon” në vitin 2017, përgjatë të cilit hark kohor kam shkruar poezi më shumë seç janë përfshirë në këtë përmbledhje, kam shkruar kur kam ndie diçka në thellësi të zemrës dhe kur mendja ime ka thënë se ato fjalë duhet të bëhen publike dhe të marrin arratinë nga qenia ime. Ky është një proces lumturimi e trishtimi.

KultPlus: Shpeshherë emërtimi i një libri me poezi ndodh të jetë nazeqar, por “Retë prej drite” lehtazi ngacmon lexuesin. Pse vendosët pikërisht për këtë titull?

Ndue Ukaj: Si krijues, gjithmonë e ke breng emrin e librit, sepse është identiteti i parë i tij, është një lloj etikete me të cilën identifikohet. Me të mund ta thërrasin lexuesit. Dhe ke dëshirë të jetë zgjedhje e bukur estetike dhe semantike. Të thotë sa më shumë. Edhe ky titull mendoj se është një zgjedhje e tillë. Sepse, retë e bardha janë re lumturie dhe në tingujt e poezisë ato bëhen shprehje shprese e gëzimi, siç janë fjalët e poezisë.

Poezia gjithmonë bën dritë, madje edhe kur burimi i saj është terri e trishtimi. Në këtë libër poetik ka shumë re dhe ato janë re të bardha që në kupën qiellore duken magjepse. Janë re prej drite dhe në poezi kanë funksion të shumëfishtë, semantik dhe estetik. Ato gjithashtu na kujtojnë retë e zeza dhe mjegullën që shkaktojnë ato, mjegullën mendore e shpirtërore.

KultPlus: Sa kohë ju ka marrë shkrimi i librit me poezi “Retë prej drite”?

Ndue Ukaj: Është një rrugëtim poetik pesë vjeçar, në të cilën kohë kanë ndodhë shumë gjëra, por koha e poezisë së këtij libri është e pafund, s’lidhet me kohën reale krijuese, por është pasqyrim i saj.

KultPlus: Cilat janë temat kryesore që trajtohen në këtë libër?

Ndue Ukaj: Me siguri janë temat e mëdha dhe të përhershme të letërsisë, që njëherësh janë tema të ekzistencës njerëzore, përsiatje për jetën, vdekjen, dashurinë dhe mungesën e saj, vetminë dhe shqetësimin, natyrën e bukur dhe njeriun e trishtuar në të, qytetin milionësh dhe njeriun e vetmuar në të, pra krizat ekzistenciale.

Në të vërtetë, këto vite ishin vite të tronditjeve të mëdha, të krizës së thellë identitare të njeriut që rropatet në një botë të egërsuar tek përpiqet të gjejë kuptimin e jetës, një botë që kanoset nga viruse shkatërruese, luftëra, dhe ndërkohë përjeton zhvillime marramendëse teknologjike që kanë krijuar le të themi një lloj mjedis të ri për njeriun, një mjedis që reduktohet në ekrane të vogla, dhe si krijues që hulumton ekzistencën njerëzore, gjithmonë e ke shqetësim këtë botë të re dhe pikëpyetjet që vërtiten rreth saj.

KultPlus: Ju keni deklaruar se çdo vepër e re letrare është gëzim dhe shqetësim i madh për krijuesin e saj. Por, na tregoni se sa vërtetë ka qenë e vështirë krijimi i tij?

Ndue Ukaj: Secili botim të sjell gëzim pafund. Lind një pjesë e jotja dhe bëhet publike, prandaj e ke shqetësimin si do të pritet në mjedisin tënd, do të kuptohet apo jo, do të ecë mirë, do të kujdeset mjedisi për shëndetin e saj, sepse një vepër letrare gjithmonë duhet të ketë një mjedis të shëndetshëm ku të zhvillohet. E mjedisi ynë s’është fort i kujdesshëm dhe as fort i shëndetshëm. Ka shumë ndotje, hasmëri, ndonjëherë edhe dashakeqësi.

Kanë pohuar shumë studiues letrarë dhe shkrimtarë se gjysmën e veprës e shkruajnë lexuesit, dhe si krijues gjithmonë e ke brengën për cilësinë e lexuesit: si do ta shkruajë atë gjysmën tjetër apo a do ta shkruajë? Çfarë ndodh me poezinë në një botë në të cilën duket se po krijohet një brezni e re që banon në botën e ekraneve të quajtura të mençura, botë kjo që e rrezikon kulturën në kuptimin që e njohim ne dhe funksionin që ka pasë në formimin e brezit tim.

KultPlus: A mund të ndani me ne disa nga poetët e juaj të preferuar për momentin?

Ndue Ukaj: Më magjeps poezia klasike, poetët madhështorë që kanë krijuar hartën e artit të përbotshëm, pa të cilët bota do të ishte shumë e varfër dhe shumë më e shëmtuar. I lexoj me shumë dashuri poetët e shekullit XX, sidomos modernistët dhe poetët që në kohë të trishta u bënë shprehje e shpresës. Është një galeri e madhe krijuesish. Gjithashtu e dua dhe e lexoj me shumë dashuri poezinë shqipe që ka një çetë mahnitëse poetësh.

KultPlus: Poezitë e një autori shpeshherë zhvillohen përgjatë viteve. Cilat janë disa nga ndryshimet më drastike, apo edhe ngjashmëritë që përherë do të jenë pjesë e poezisë së juaj?

Ndue Ukaj: Secili krijues bën një zgjedhje estetike, dëshiron të shfaqet me një stil unik, të identifikueshëm dhe autentik. Nëse ia arrin është gjë e bukur, por edhe ndikimet letrare janë të pashmangshme. Përpiqem të jem vetvetja në shkrim, natyrisht duke u plotësuar e pasuruar vazhdimisht me përvoja të reja, gjuhe dhe mendimi.

Unë besoj se poezia është forma më e lartë e aktivitetit intelektual, siç ka thënë diku Tomas S. Eliot dhe jo vetëm shprehje e ndjesive krijuese dhe shpërthimeve emocionale. Përbrenda këtij koncepti mendoj se gjallon poezia ime.

Çdo libër i imi ka diçka të veçantë, këtë e kanë thënë lexuesit dhe kjo më gëzon.

KultPlus: Cilat janë ato poezi që i keni më të përzemërta në “Retë prej drite”?

Ndue Ukaj: Me siguri ka shumë. S’e di, mbase ia vlen të përmendet për lexuesit tuaj poezia “Harku i dëshirave të thyera” dhe një varg që më tmerron kur pyes veten:

Çfarë të shkruaj?

Se jeta është gjithçka ose siç thonë disa asgjë,

një pranverë e gjallëruar ose një dimër i pikëlluar.

KultPlus: A tërhiqen poezitë e juaja më shumë drejt kodeve apo ndaj transparencës? Dhe, a janë ato imazhiste apo auditive?

Ndue Ukaj: Ju mbetet lexuesve të gjykojnë. Mundohem të jem i sinqertë në kallëzime poetike, po them në kallëzime poetike me idenë se çdo poezi kallëzon diçka për poetin dhe botën e tij, për peizazhin e tij kulturor, për mjedisin që e rrethon, për formimin dhe ndjeshmëritë e tij estetike e kulturore.

KultPlus: Si e vlerësoni ju letërsinë e tanishme shqipe?

Ndue Ukaj: Letërsia shqipe përbën pjesën më fisnike të kombit shqiptar, ka lindë në kohë kataklizmash si shprehje e dashunisë së thellë që kanë treguar krijuesit e saj për gjuhën, kombin dhe historinë e tij dhe është zhvilluar ndër shekuj në kushte tepër të rënda, por gjithmonë ka shërbyer si dritë shprese, pra ka kryer funksione më shumë se estetike.

Prandaj, s’është e tepërt ta përsëris se shkrimtarët shqiptarë ndër shekuj u bënë paradigma themelore e formimit të identitet kulturor shqiptar dhe specifikave të tij, dhe në një farë mase, busulla që orientoi shqiptarët kah liria. Është thelbi i ekzistencës sonë.

KultPlus: Për fund, a jeni duke punuar në ndonjë libër të radhës?

Ndue Ukaj: Po, një shkrimtar gjithmonë ka plot gjëra në mendje dhe në tryezën e tij të punës. Kam një roman të cilit besoj se i ka ardhë koha të shfaqet në publik dhe po ashtu ka kohë që punoj në një libër të ri me tregime.

Por tani për tani jam në gostinë e poezisë, me retë prej drite dhe gëzohem sa herë i kundroj ato. Janë re të bukura.   

Më poshtë KultPlus ua sjell dy fragmente për librin më të ri të autorit Ndue Ukaj “Retë prej libri”:

“Gjitha artet do të shkojnë kah muzika” thotë Schopenhauer. Kjo shigjetë mendimi më goditi në tru sapo mbarova së lexuari poemën e parë të këtij libri, atë me titull “Harku i dëshirave të thyera”.

Pse erdhi te unë kjo maksimë estetike në mbarim të këtij leximi të lumtur, ec e merre vesh. Pastaj m’u vizatua në mendje autori: një burrë i imët dhe elegant, i hipur mbi pupitrën e një dirigjenti, që po i jepte leje njëri-pas tjetrit të hynin në lojë instrumente të ndryshme e të heshtnin të tjerat: ata që sapo kishin kryer punë.

Poema nis si një dialog midis vetes. Në këtë rast midis reparteve të ndryshëm muzikorë të kësaj orkestre primordial, të drejtuar prej autorit, i cili me të marrë baketën e argjendtë në gishtërinjtë e dorës së djathë, hedh si pudër mbi krye muzikantësh, pyetjen e tmerrshme “Çfarë të shkruaj?” – Stefan Çapaliku

Duke lexuar librin më të ri të poetit Ndue Ukaj, poezia më përhitet si një urë rrezëllitëse në ajër, që bashkon brigjet e ngjarjeve me të emocioneve, që të çon nga një e dikurshme tronditëse te një shpresë e paqtë, nga një trishtim plot me lule te një e shtunë me lojna fëmijësh, nga një humbje te një stinë me kambana, nga një dhembje në një ringjallje, nga një tjetër dhembje te një tjetër dhembje, nga vetja te tjetri, nga tjetri te vetja, një udhëtim metaforik nga vetja për te vetja, që janë të ndryshme. Se njëra p.sh, e përjeton poezinë e jetës dhe tjetra e shkruan atë. – Visar Zhiti

Ndue Ukaj ka lindur në Kosovë dhe deri më sot ka botuar katër libra me poezi, një përmbledhje me tregime dhe dy libra me kritikë letrare.

Libri më i ri me poezi “Retë prej drite” është botuar nga Shtëpia Botuese ‘Onufri’. / KultPlus.com

Nesër në BKK promovohet “Tregimet e tranzicionit” nga autori Stefan Çapaliku

Nesër në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të promovohet libri më i ri i autorit Stefan Çapaliku, përcjell KultPlus.

Libri i autorit mban emrin “Tregimet e Tranzicionit”. Ndërkaq, ngjarja do të filloj nga ora 14:00.

Promovimi i librit do të moderohet nga shkrimtari Ag Apolloni. / KultPlus.com