Osmani dekoron komandatin Ulutash me Medaljen Presidenciale Ushtarake

Presidentja Vjosa Osmani e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e deritanishëm të KFOR-it, Özkan Ulutaş.

Ajo atë e ka falënderuar për punën e tij në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë.

“Komandantit të deritanishëm të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i shpreha mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në përfundim të mandatit të tij, e dekorova me Medaljen Presidenciale Ushtarake, si shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e ngushtë, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate”.

Sot u mbajt ceremonia e ndërrimit të komandës në shtabin e KFOR-it ku komandanti turk Ulutas bëri kalimin e detyrës zyrtare te gjeneralmajori italian Enrico Barduani./ KultPlus.com

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë organizon koncert dedikuar muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit

Me iniciativën e drejtorit të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, Kastriot Sada, do të organizohet koncert në dedikim të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

Në koncert do të marrin pjesë Kori i Grave dhe Vajzave”Besa”, në dirigjimin e Klodina Kryeziu Hana. Kurse

“Korepetitor: Besim Qorri. Kori i Shkollës së Muzikës”Prenk Jakova”, Gjakovë, në dirigjimin e Kastriot Sada. Korepetitor: Nezahate Shala-Zeka, Gent Kumnova. Mysafirë: Jeta Gërqari-Flaut, Andi Duraku-Piano”, thuhet tutje në njoftim.

Poashtu, me një fjalë do të paraqiten edhe ongologu Ilir Kurteshi i cili është drejtor i Klinikës Onkologjike, gjinekologia Aida Kumanova, onkologia Brunilda Haxhiu dhe gazetarja Edita Doli./KultPlus.com

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin Stuart B. Munsch

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka  pritur në takim admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar edhe nga komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë.

Gjatë diskutimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen e NATO-s, për lirinë e Kosovës si dhe për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Kosovë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi objektivin strategjik të Kosovës për integrim në komunitetin euroatlantik, duke shprehur besimin se anëtarësimi në NATO do të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

Presidentja Osmani ka uruar gjeneralmajor Barduani për marrjen e detyrës dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në gjithë territorin e Kosovës dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim./KultPlus.com

Shqipëria dhe Kosova me konferencë të përbashkët “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizojnë konferencën shkencore ndërkombëtare me temën “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit”.

Kjo konferencë mbahet më 14.10.2024, ora 09:00, në sallën e ASHAK-ut në Prishtinë dhe organizohet në shenjë të 150-vjetorit të lindjes së Shtjefën Gjeçovit.

Studiuesit nga Instituti Albanologjik-Prishtinë që do të marrin pjesë me kumtimet e tyre në të janë:

– Dr. Arbnora Dushi: “Këngë popullore nga botimet e Gjeçovit: mbi një dorëshkrim të botuar, por të zhdukur”,

– PhD. Cand. Zana N. Hoxha: “Shtjëfen Gjeçovi: Kontributi në arkeologji drejt identitetit kombëtar”,

– Dr. Kujtim Mani: “Hija arkaike e koncepteve kanunore”,

– Dr. Lush Culaj: “Diskutimet në Parlamentin e Shqipërisë për vrasjen e Shtjefën Gjeçovit”. / KultPlus.com

Premiera e “Prokurorit” pas Tiranës e Prishtinës do të shfaqet edhe në diasporë

Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë u zhvillua dje në mbrëmje premiera e episodit të parë të seralit të shumëpritur shqiptar “Prokurori”, një nga prodhimet më të rëndësishme të kinemasë shqiptare në vitet e fundit. Me regji dhe skenar të Fatmir Dogës dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, seriali trajton luftën e një prokurori të ndershëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin politik.

Ky serial shquhet për pjesëmarrjen e aktorit të famshëm hollivudian, Danny Glover, në rolin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë. Danny Glover ka luajtur në disa filma shumë të njohur përkrah Mel Gibson në “Lethal Weapon” apo në filmin kult horror “Saw”.

Regjisori Fatmir Doga shprehu falënderimet e tij për interesin e madh të publikut shqiptar si dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në premierë.

“Nuk besoj se ka Oscar më të bukur në botë sesa të shohësh popullin tënd, njerëzit e tu, gjithë këtë interesim sot”, tha Doga. Ai falenderoi veçanërisht producentin Ylli Ujka, për realizimin e kësaj ëndrre.

Sipas producentit, e veçanta e filmit qëndron në faktin se në çdo seri do të ketë yje të Hollivudit.

Pas Tiranës, premiera e serialit “Prokurori” do të vazhdojë në Prishtinë nga 12 tetori dhe do të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare./atsh/KultPlus.com

Nazim Gruda zgjidhet zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës

Akademiku shqiptar Nazim Guda u zgjodh zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës.

Zgjedhja e tij në këtë detyrë u bë në takimin XII të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Akademive Europiane për Shkencën e Aplikuar në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), ku u mbajt dhe simpoziumi shkencor shoqërues në datat 10-11 tetor 2024 në Bukuresht, Rumani.

Në certifikatën e firmosur nga kryetari i UEAA, prof.dr. Joan Jelev, cilësohet se akad. Gruda do të qëndrojë në këtë pozicion drejtues për dy vjet.

Gruda është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai është një nga specialistët dhe shkencëtarët më të shquar në fushën e hortikulturës në Shqipëri dhe në Europë.

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përgëzoi akad. Grudën për suksesin e arritur.

I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akad. Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.

Akad. Gruda është autor i mbi 300 punimeve shkencore, prej të cilave 100 në Scopus dhe renditet si kërkues me punime me një indeks citimi shumë të lartë.

Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Europës./atsh/KultPlus.com

Grupi japonez kundër armëve bërthamore nderohet me Nobelin për Paqe

Çmimi Nobel për Paqe këtë vit i është ndarë grupit japonez, Nihon Hidankyo, organizatë e të mbijetuarve të sulmeve me bombë atomike në Hiroshima dhe Nagasaki.

Ata bëjnë thirrje vazhdimisht për braktisje të armëve bërthamore.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e ka bërë të ditur këtë lajm të premten nga Osloja, duke zgjedhur këtë grup në mes të 197 individëve dhe 89 organizatave të nominuara.

Çmimi ka vlerën e rreth 1 milion dollarëve.

Vitin e kaluar, me këtë çmim është nderuar aktivistja iraniane për të drejta të grave, Narges Mohammadi./REL

Mjegulli i dashurisë

Mjegulli i dashurisë” është një ndër poezitë më të bukura kushtuar dashurisë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. Në këtë poezi, autori trajton afërsinë dhe largësinë, të dyja me emocionet e veta në njëlidhje. Largësia nxit mallin, ndërsa afërsia shton emocionet. Të dyja e trembin autorin, edhe pse shprehet vetëm për largësinë se e tremb, kurse për afërsinë shprehet se “i bëhet çark”, pasi afërsia i shton më shumë ndjenjat dhe emocionet.

“Mjegulli i dashurisë”

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha
një mjegull pus një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi

dhe ndoshta kjo ish dashuria
e çakërdisur kuturu…
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu. /bota.al/ KultPlus.com

Në ShFMU “Hasan Prishtina” u mbajt takimi letrar me Dije Demiri – Frangun

Aktiviteti i letrar Ora e Shkrimtarit, i katërti me radhë, u mbajt të enjten në SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Poetja, studiuesja dhe profesoresha e letërsisë shqipe, Dije Demiri Frangu, u takua me nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, me ç’rast shpalosi përvojën e saj krijuese në fushën e letërsisë për fëmijë dhe për të rritur, pastaj foli për shumë fenomene letrare dhe estetike, të ndërlidhura me frymëzimin krijues, me idetë, temat, motivet e veprave të caktuara letrare, të cilat e pasurojnë mendjen e njeriut dhe hapin horizontin e dijes.

Përvoja e saj e gjatë në fushën e edukimit si mësimdhënëse e letërsisë për fëmijë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin e Prishtinës, ishte një rast i mirë dhe tejet i veçantë për nxënësit e kësaj shkolle që të dëgjonin për gjëra të reja e të panjohura nga një poete e njohur, e cila bashkëbisedimin e saj e orientoi në disa drejtime, kryesisht përmes pyetjeve të ndërlidhura me botën e librit, se cilët librat pëlqehen më së shumti, pastaj pse shkruhen librat, si shkruhen, pse duhet të lexojmë etj.

Në vazhdim të bashkëbisedimit me nxënës, Dije Demiri Frangu, bëri një përshkrim të veçorive të artit letrar, duke thënë se: “Letërsia na ndihmon ta kuptojmë njeriun dhe tërë njerëzimin nëpër epoka dhe hapësira të ndryshme. Pra, na jep dije, emocion, edukim, argëtim. Letërsia na ndihmon ta krijojmë, para se gjithash, ta kuptojmë të bukurën. Veprat e bukura ndikojnë në ndërtimin e njeriut të bukur shpirtërisht, për të bërë edhe një jetë e një botë më të bukur, më të lehtë për të jetuar në të, me një harmoni e lumturi”, duke shtuar se: “Një vepër e mrekullueshme arti, cilido qoftë mund të ndikojë te një person, mund ta bëjë atë më të sjellshëm, më të pastër, të ndershëm dhe empatik”.

Duke marrë mjaft shembuj nga përvoja e saj, por edhe nga përvoja e shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, të cilët kanë shkruar vepra të rëndësishme letrare në periudha të ndryshme, poetja tha: “Bota dhe jeta pa art do të ishte më e ashpër, më e vrazhdë dhe më pak empatike. Është fat që mund të krijojmë e të lexojmë”.

Në vijim të bashkëbisedimit me nxënësit, Dije Demiri Frangu, përmendi leximin emocional e kritik, pastaj shkaqet pse leximi eliminon stresin dhe e forcon përqendrimin, si e pasuron fjalorin dhe si ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit.

Në fund të takimit letrar me nxënësit poetes iu bënë pyetje të ndryshme si, kur ke kuptuar se mund të bëhesh shkrimtare?, cili libër dhe autor iu pëlqen më së shumti, a jeni e lumtur që jeni poete?

Në një atmosferë mjaft të bukur, në fund të Orës u lexuan disa poezi nga poetja Dije Demiri Frangu dhe nga nxënësit e kësaj shkolle.

Projekti Ora e Shkrimtarit, është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Janë ekspozuar për qytetarët 35 punime të piktorit Pashk Përvathi

Berati tërheq interesin jo vetëm të vizitorëve, por edhe të piktorëve. Një rast i tillë është ekspozita Mangalemi me autor piktorin lezhian Pashk Përvathi. Në galerinë e artit të qytetit janë ekspozuar 35 punime, peizazhe të lagjes së vjetër të qytetit historik

“Më mirë se në Berat këto vepra nuk mund të rinë në asnjë vend tjetër. Janë vepra që janë realizuar në vite të ndryshme dhe pastaj ka vazhduar vit pas viti sepse dashuria artistike për Beratin nuk mbaron asnjëherë.”

Gjithçka e ka zanafillën në vitin 1988.

“Kur jam ndeshur me Mangalemin në vitin 1988, jam mahnitur dhe kam kuptuar që Berati dhe Gjirokastra janë një pasuri artistike që për piktorët janë motive të panumërta për veprat e tyre.”

Ekspozita u vlerësua edhe nga kryetari i bashkisë së Beratit Ervin Demo.

“Berati është i magjishëm, por në piktura duket edhe më i magjishëm dhe kjo është pikërisht nga mjeshtria e mjeshtrit tonë të madh.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë./tema/KultPlus.com

“Arbëria dhe fëmijët e saj”, aktivitet i arbëreshëve të Kalabrisë për mbrojtjen e gjuhës e kulturës

Dje në Çifti (Civita) të Kalabrisë ka nisur aktiviteti “Arbëria dhe fëmijët e saj”. Ky aktivitet organizohet në kuadër të ditëve ndërkombëtare të studimeve mbi pakicat gjuhësore dhe politikave të rigjallërimit të gjuhës dhe kulturës arbëreshe.

E pranishme ka qenë edhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), prof. Diana Kastrati,  e cila në fjalën e saj theksoi se, çështja e gjuhës arbëreshe dhe ligjit 482/99, është çështje e arbëreshëve dhe duhet të vijë si sinergji e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve, komunës dhe instancave politike të të dy palëve.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bën me dije se po punon prej katër vitesh për ruajtjen dhe promovimin e kulturës arbëreshe dhe do vijojë të punojë në këtë drejtim./atsh/KultPlus.com

“Tirana Gate 2024”, shkrimtari Clemens Meyer në Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit

Autori i suksesshëm gjerman, Clemens Meyer ishte i pranishëm dje në një takim me lexuesin shqiptar, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Në praninë e ambasadorit gjerman Karl Bergner, ai foli mbi tema që përshkrojnë letërsinë, kulturën gjermane, Europën, proceset e krijimit.

Meyer prezantoi librin e tij të sapobotuar “Projektorët”, një epos mbi krizat e Europës dhe artin e rrëfimit, pjesë e listës për librin më të mirë gjerman 2024, dhe bisedoni me përkthyesen e tij Anna Kove për librin “Nata, Dritat”, që i dha çmimin e fituesit të panairit të Leipzigut 2008.

Personazhe të çuditshme mbushin tregimet e Clemens Meyer-it: një burrë i divorcuar që shpenzon të gjitha paratë në baste garash, duke shpresuar që të fitojë për shërimin e qenit të tij; boksierë, të burgosur, të pastrehë dhe ëndërrimtarë, që bredhin në qytetet e natës etj. Nëpërmjet ngjarjeve që zhvillohen në apartamente të vogla, në vende të braktisura, burgje dhe buzë lumit, Meyer-i godet realitetin e ashpër në kërkim të dritave që mund të shkëlqejnë në errësirë.

Heronjtë e tij janë njerëz që luftojnë me jetën, kërkues të fatit që shpesh dështojnë, dhe figura të shqetësuara të natës. Nga çdo tregim i shkurtër i këtij vëllimi mund të bëhet një film i madh.

Kandidat i listës për Man Booker International Prize 2017 dhe listës për International Booker Prize 2023, mbajtës i çmimeve më të rëndësishme letrare në Gjermani, Clemens Meyer është pa dyshim një nga zërat më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore gjermane.

Ky aktivitet u organizua nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të Festivalit “Tirana Gate 2024”, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Botimet “Albas”, dhe u financua nga TRADUKI dhe Ambasada Gjermane në Tiranë./atsh/KultPlus.com

Kroçera “Oosterdam” ndalon në Sarandë, turistë të huaj vizitojnë qytetin

Vjeshta vijon të jetë stina e preferuar e turistëve të huaj për të vizituar Sarandën.

Portin e Sarandës e vizitoi sërish për këtë sezon turistik ditët e fundit kroçera “Oosterdam” e kompanisë American Holland Cruises në bordin e të cilës ndodhen 1965 turistë kryesisht me kombësi australiane, amerikane, angleze, belge, kanadeze, holandeze dhe shtete te tjera.

Turistët u organizuan dhe u shpërndanë për të vizituar destinacione të ndryshme të përzgjedhura prej tyre për të vizituar në afërsi të qytetit të Sarandës.

Kjo kroçerë vizitoi Sarandën në korrik të këtij viti ku ndodheshin 2076 turistë me kombësi të ndryshme si ajo angleze, amerikane, australiane, kanadeze, holandeze dhe shumë shtete të tjera.

Gjatë periudhës 1 janar deri më 26 shtator në portin e Sarandës kanë ardhur 50 tragete turistike, nga të cilat 25 kanë qenë kroçera, me turistë të kombësive të ndryshme.

Pjesë e itinerarit të turistëve kanë qenë vizitat në pikat turistike të Sarandës si Butrinti, Kalaja e Lëkurësit, plazhet e shumta në qytetin bregdetar, si dhe qytetet e Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës etj./atsh/KultPlus.com

11 tetor 1913, At Gjergj Fishta botonte numrin e parë të revistës ‘Hylli i Dritës’

Më 11 tetor të vitit 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”. E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua nga austriakët, sepse revista promovonte interesat shqiptare.

“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj  Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.

Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.

Që në editorialet e para, ai  u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.

Te historia e “Hyllit të Dritës” janë të shprehura të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.

Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.

“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.

Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist.

Periudha e rilindjes së Hyllit fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.

Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.

Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..

“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri.

Numrin e parë të revistës mund ta lexoni në linkun më poshtë. 

http://bibliotekashkoder.com/digital/hylli_i_drites/vjeti_I_1913_1/ / KultPlus.com

Futbollistja Elena Sadiku shënon historinë, bëhet trajnerja më e re e futbollit e të gjitha kohërave

Futbollistja me origjinë shqiptare, Elena Sadiku, e cila jeton në Suedi, ka shënuar historinë këtë javë, duke u bërë trajnerja më e re e futbollit në Ligën e Kampionëve të të gjitha kohërave.

“Elena Sadiku shkroi historinë e sportit të martën mbrëma kur u bë trajnerja më e re e futbollit në Ligën e Kampionëve të të gjitha kohërave, si për femra ashtu edhe për meshkuj”, thuhet në njoftim.

Sadiku, e cila është vetëm 30 vjeç, është trajnerja e Skocisë Celtic, që luan për herë të parë në Champions League./KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Vajzave

Organizata e Kombeve të Bashkuara 11 tetorin e ka përcaktuar si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.

Kjo është vendosur për herë të parë në vitin 2012.

Kjo ditë ndërkombëtare synon të promovojë trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat në mbarë botën në fusha të tilla si, ligji, të ushqyerit, kujdesi shëndetësor, arsimimi, trajtimi, etj.

Sipas fakteve botërore të mbledhura enkas për këtë ditë, përreth globit, vajzat janë tri herë më shumë të keq ushqyera se djemtë.

Çdo vit rreth dy milionë vajza të moshës 5 deri në 15-vjeç janë të trafikuara, të shitura ose të detyruara të punojnë në tregtinë e seksit, gjithashtu vajzat vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta si në arsim dhe në shërbime të tjera bazë. /KultPlus.com

Media spanjolle “El Economista”: Bumi i turizmit katapulton ekonominë e Shqipërisë

Shqipëria, një vend i vogël ballkanik, po përjeton një bum të vërtetë turistik që po katapulton ekonominë e saj.

Prurjet masive të vizitorëve, kryesisht në plazhet e Rivierës Shqiptare, një zonë bregdetare në jug të vendit e lagur nga deti Jon, po e transformojnë ndjeshëm ekonominë në vend, sipas një artikulli të botuar në revistën prestigjioze spanjolle “El Economista”.

Sipas të dhënave të mbledhura nga analistë të “Oxford Economics”, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin nga viti 2024 deri në gusht ka arritur në 300% të popullsisë vendase. Që do të thotë se për çdo banor të Shqipërisë, këtë vit kanë ardhur tre turistë të huaj.

Me një popullsi afërsisht 2,8 milionë banorë, gjithsej 8,5 milionë turistë të huaj kanë udhëtuar drejt vendit mesdhetar në periudhën korrik-gusht të këtij viti. Ndërsa në vitin 2023 u regjistruan 10,1 milionë turistë te huaj.

Sipas të dhënave, Shqipëria kryeson duke lënë pas Kroacinë me 250% dhe Greqinë me 150% – vende që kanë qenë destinacione turistike të profilit të lartë prej vitesh.

Rritja me 300% është në kontrast me pak më shumë se 150% të regjistruar nga Shqipëria deri në gusht 2019, gjë që konfirmon ‘bumin’ e kohëve të fundit.

Logjikisht, ekonomia e vendit nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni.

Pas disa dekadash izolimi politik dhe ekonomik nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës, Shqipëria ishte një vend i panjohur për evropianët dhe pjesën tjetër të botës.

Me rënien e komunizmit, vendi u përball me një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit, i cili përfshinte krizat financiare dhe rritjen e dobët ekonomike.

Megjithatë, mes gjithë këtij kaosi, hapja në rritje e ekonomisë lejoi, pak nga pak, evropianët dhe pjesën tjetër të botës të njihnin një parajsë natyrore e konsideruar si ‘Karaibet Evropiane’ – falë plazheve me ujëra të pastra kristal dhe peizazheve të pacënuara – në të cilat spikasin mbetjet arkeologjike. Por, jo vetëm kaq.

Një vend shumë i veçantë

Veçantia e këtij vendi është padyshim një nga atraksionet e tij të mëdha.

Ndonëse popullsia e tij rezidente nuk arrin në 3 milionë banorë, e vërteta është se ‘populli shqiptar’ është shumë më i madh.

Vlerësohet se janë rreth 1,7 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Kosovë, Greqi, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Itali.

Ky vend shquhet për tolerancën e tij fetare. Fetë bashkëjetojnë në paqe, diçka e nevojshme për një shoqëri me një numër të madh të krishterësh, që janë më shumë se 15% (ortodoksë dhe katolikë).

Qeveria e Shqipërisë njoftoi pak javë më parë se po studion krijimin e një qyteti të ngjashëm me Vatikanin për komunitetin bektashi.

Me gjithë këto stimuj, nuk është për t’u habitur që Shqipëria është kthyer në një atraksion kaq të rëndësishëm turistik, jo vetëm plazhet e saj parajsore dhe malet e bukura tërheqin vëmendjen.

Përmirësimi i ekonomisë së shpejti mund të mundësojë që disa nga ata shqiptarë jashtë vendit të fillojnë të kthehen.

Përmirësimi ekonomik i Shqipërisë

PBB-ja shqiptare u rrit me 3,4% në vitin 2023, mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe performanca e jashtëzakonshme e sektorit të turizmit, e cila arriti nivele record në vend.

Gjithashtu, komponenti i investimeve shënoi një rritje të ndjeshme, i mbështetur nga investimet private, duke përfshirë flukset e larta hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Vetë Komisioni Evropian pranon në një raport të fundit ecurinë e mirë të ekonomisë shqiptare: rritje të fortë, inflacion të ulët dhe bilanc më të madh fiskal.

Momenti i fortë i rritjes mbështetet nga një bum në sektorin e turizmit, rritja e investimeve dhe pagat më të larta.

Nuk kishte strategji për turizmin

Rritja e industrisë së turizmit, së bashku me sigurinë e përmirësuar, e ka bërë Shqipërinë destinacionin e ëndrrave të miliona turistëve.

Edhe pa një strategji të qartë të qeverisë për llojin e turizmit për të cilin vendi është i përgatitur – masiv, elitar ose një kombinim i të dyjave – ai ka luajtur një rol vendimtar.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, në gusht, 77% e turistëve vinin nga Evropa Jugore dhe 9% nga Perëndimi. Evropa, duke treguar se Shqipëria është kthyer në një alternativë ekonomike për shtetasit e huaj nga ekonomitë më pak të pasura brenda Evropës.

Megjithatë, qeveria shqiptare po harton së fundmi një strategji të zhvillimit të turizmit, e cila pritet të qartësojë më mirë modelin që duhet ndjekur.

Drejtori ekzekutiv i ACER, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi dha si shembuj komunikimet, tipologjinë e ndërtesave që nuk shkatërrojnë traditën, promovimin e produkteve vendore, produkteve të pastra dhe ekologjike, rritja e kulturës së shërbimeve turistike.

“Rreziku i dëmtimi të peizazhit si rezultat i mbipopullimit të ndërtesave, kryesisht në bregdet, është një kërcënim real, siç ka ndodhur tashmë dy dekada më parë në disa zona detare të Bullgarisë”, tha Preci.

 Ekonomia përmirësohet në tërësi

 “E vërteta është se ekonomia në tërësi ka përfituar dhe po përfiton nga bumi turistik, por mund të thuhet se shpërndarja e përfitimeve është ende larg të qenit e drejtë”, tha Preçi.

Siç është detajuar, përfituesit kryesorë për momentin janë ofruesit e shërbimeve, si agjencitë e linjave ajrore dhe aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, një sërë operatorësh turistikë dhe pronarët e strukturave hoteliere dhe restoranteve./atsh/KultPlus.com

Mangalemi ndër vite, në një ekspozitë në Berat

Berati tërheq interesin jo vetëm të vizitorëve, por edhe të piktorëve. Një rast i tillë është ekspozita Mangalemi me autor piktorin lezhian Pashk Përvathi. Në galerinë e artit të qytetit janë ekspozuar 35 punime, peizazhe të lagjes së vjetër të qytetit historik

“Më mirë se në Berat këto vepra nuk mund të rinë në asnjë vend tjetër. Janë vepra që janë realizuar në vite të ndryshme dhe pastaj ka vazhduar vit pas viti sepse dashuria artistike për Beratin nuk mbaron asnjëherë.”

Gjithçka e ka zanafillën në vitin 1988.

“Kur jam ndeshur me Mangalemin në vitin 1988, jam mahnitur dhe kam kuptuar që Berati dhe Gjirokastra janë një pasuri artistike që për piktorët janë motive të panumërta për veprat e tyre.”

Ekspozita u vlerësua edhe nga kryetari i bashkisë së Beratit Ervin Demo.

“Berati është i magjishëm, por në piktura duket edhe më i magjishëm dhe kjo është pikërisht nga mjeshtria e mjeshtrit tonë të madh.”

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 10 ditë./KultPlus.com

Adrien, mos mbaj inati


Poezi nga Jacques Prevert.

Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Topin e borës
që ma ke hedhur
në Chamonix
dimrin e kaluar
e kam ruajtur
Eshtë mbi oxhak
pranë kurorës së nuses
e gjora nëna ime jetëshkurtër
që vdiq e vrarë
nga i ndjeri im atë
që vdiq në gijotinë
një mëngjes të trishtë dimri
apo pranvere…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
e kam pasur gabim e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë
në shtëpi
Por ta kam fshehur gjithmonë
që isha në burg !
Kam pasur gabime e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Edhe fije kashte
qenushin tënd të vogël
që ka ngordhur
javën e kaluar
e kam ruajtur !
Eshtë në frigorifer
dhe kur e hap nganjëherë
për të marrë një birrë
e shoh kafshën e gjorë të pajetë
dhe kjo më dëshpëron !
E pra jam unë që e kam bërë
një mbrëmje për të kaluar kohën
duke të pritur ty…
Adrien mos mbaj inat !
kthehu !
Nga kulla Saint-Jacques
jam hedhur poshtë
pardje
dhe kam vdekur
për ty
Dje më kanë varrosur
në një varrezë shumë të bukur
dhe mendoja për ty
Dhe sonte jam rikthyer
në apartamentin
ku ti shëtisje lakuriq
në kohën që isha e gjallë
dhe po të pres…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !
Kam pasur gabime e pranoj
kam ndenjur vite të tëra
pa hyrë në shtëpi
Por gjithmonë ta kam fshehur
që isha në burg !
Kam pasur gabime, e pranoj
shpesh rrihja qenin
por të doja shumë !…
Adrien mos mbaj inat !
Kthehu !/KultPlus.com

Nikol Çabeli përgatitet për Junior Eurovision në Madrid: Do të jap më të mirën

Fituesja e “Junior Fest Albania 2024”, Nikol Çabeli, ka nisur përgatitjet për të përfaqësuar Shqipërinë në skenën e Junior Eurovision Song Contest, që do të mbahet më 16 nëntor në Madrid të Spanjës.

Në një prononcim për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), Çabeli ndau emocionet e saj për këtë moment të rëndësishëm. “Jam shumë e gëzuar, sepse kënga ime ka marrë vlerësime pozitive si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Më pëlqen kur dëgjoj të tjerët që e këndojnë, pasi kënga është bërë shumë e famshme”, u shpreh Çabeli.

Ajo tha se mezi pret të përjetojë emocionet e skenës së Eurovizionit në kryeqytetin spanjoll. “Kam emocione të bukura. Do të jap më të mirën si përfaqësuese e Shqipërisë”, shtoi artistja e re.

Videoklipi i këngës tashmë është realizuar, duke iu përshtatur mesazhit të saj. Festivali i 22-të i Këngës për Junior Eurovision zhvillohet nën sloganin “Ti Lulëzo”, që simbolizon rritjen e artistëve të rinj. Në garën e këtij viti do të marrin pjesë 17 vende./ata/KultPlus.com

Instagrami vendos kufizime në llogaritë e adoleshentëve

Instagrami po i bën në mënyrë automatike llogaritë e adoleshentëve private, duke kufizuar qasjen e të tjerëve në përmbajtjen e këtyre llogarive. Kjo ka qëllim ta bëjë platformën më të sigurt për fëmijët. Vendimi u mor ndërsa ky rrjet social gjendet përball një trysnie në rritje për mënyrën se si media sociale ndikon në jetën e të rinjve.

Duke filluar nga dita e martë në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Australi, përdoruesit nën 18 vjeç, të cilët hapin llogari në Instagram, do të vendosen në listën e llogarive kufizuese të adoleshentëve. Ata që tanimë kanë llogari ekzistuese do të kalojnë në atë listë gjatë 60 ditëve të ardhshme. Llogaritë e adoleshentëve në Bashkimin Evropian do të kalojnë në llogari private më vonë gjatë këtij viti.

Meta, pronë e së cilës është dhe Instagrami, pranon se adoleshentët mund të gënjejnë për moshën e tyre dhe thotë se do t’u kërkohet të verifikojnë moshat e tyre në më shumë raste, si dhe do të shohin nëse përpiqen të krijojnë një llogari të re me një ditëlindje të të rrituri. Kompania ‘Menlo Park’, në Kaliforni tha gjithashtu se po ndërton teknologji që gjen në mënyrë proaktive llogaritë e adoleshentëve që pretendojnë se janë të rritur dhe i vendos automatikisht në llogaritë e kufizuara të adoleshentëve.

Llogaritë e adoleshentëve do të jenë private në mënyrë automatike. Mesazhet private që iu dërgohen këtyre llogarive do të jënë gjithashtu të kufizuara, kështu që adoleshentët mund t’i marrin ato vetëm nga njerëzit të cilët i ndjekin. “Përmbajtjet e ndjeshme”, si videot e njerëzve duke u përleshur ose ato që promovojnë procedura kozmetike, do të jenë të kufizuara”, tha Meta. Adoleshentët do të marrin gjithashtu njoftime nëse e përdorin Instagramin për më shumë se 60 minuta dhe do të aktivizohet një modalitet që çaktivizon njoftimet dhe dërgon përgjigje automatike tek njerëzit që dërgojnë mesazhe nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.

Ndërsa këto veprime do të aktivizohen për të gjithë adoleshentët, 16 dhe 17-vjeçarët do të mund t’i çaktivizojnë ato. Fëmijët nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindërve për ta bërë këtë.

“Tri shqetësimet që po dëgjojmë nga prindërit janë se adoleshentët e tyre po shohin përmbajtje që nuk duan të shohin ose se po kontaktohen nga njerëz që nuk duan të kontaktohen ose që po shpenzojnë gjithashtu shumë në aplikacion”, tha Naomi Gleit, drejtuese e produktit në Meta. “Pra, llogaritë e adoleshentëve tani vërtet janë të përqendruara në trajtimin e këtyre tre shqetësimeve.”

Njoftimi vjen pasi kompania përballet me padi nga dhjetëra shtete amerikane që e akuzojnë atë për dëmtim të të rinjve dhe kontribut në përkeqësimin e shëndetit mendor të të rinjve duke krijuar me vetëdije dhe qëllimisht funksione në Instagram dhe Facebook që i bën fëmijët të varur në platformat e saj.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James tha se njoftimi i Metës ishte “një hap i parë i rëndësishëm, por duhet bërë shumë më tepër për të siguruar që fëmijët tanë të mbrohen nga dëmet e mediave sociale”. Zyra e zonjës James po punon me zyrtarë të tjerë të Nju Jorkut se si të zbatohet një ligj i ri shtetëror që synon të frenojë qasjen e fëmijëve në ato që kritikët i quajnë përmbajtje që krijojnë varësi varura të mediave sociale.

Në të kaluarën, përpjekjet e Metës për të trajtuar sigurinë dhe shëndetin mendor të adoleshentëve në platformat e saj janë përballur me kritika se ndryshimet nuk shkojnë aq larg sa duhet. Për shembull, ndërsa fëmijët do të marrin një njoftim kur të kenë kaluar 60 minuta në aplikacion, ata do të jenë në gjendje ta anashkalojnë atë dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në aplikacion.

Kjo ndryshon vetëm nëse prindërit e fëmijës aktivizojnë modalitetin “mbikëqyrje prindërore”, ku prindërit mund të kufizojnë kohën e adoleshentëve në Instagram në një kohë specifike, si p.sh. 15 minuta.

Me ndryshimet e fundit, Meta po u jep prindërve më shumë mundësi për të mbikëqyrur llogaritë e fëmijëve të tyre. Ata nën 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindit ose kujdestarit për të ndryshuar masat kufizuese.

Nick Clegg, presidenti i Metës për çështjet globale, tha javën e kaluar se prindërit nuk po përdorin kontrollet prindërore që kompania ka prezantuar vitet e fundit.

Drejtuesja e produktit në Meta Gleit tha se ajo mendon se llogaritë e tanishme të adoleshentëve do të “nxisin prindërit dhe adoleshentët për të vendosur në funksion mbikëqyrjen prindërore”.

“Prindërit do të jenë në gjendje të shohin se kush po i dërgon mesazhe adoleshentit të tyre dhe shpresojmë të kenë një bisedë me adoleshentin e tyre”, tha ajo. “Nëse ndodhin ngacmime, prindërit do të kenë qasje të shohin se kë ndjek adoleshenti i tyre, kush e ndjek adoleshentin e tyre, kujt i ka dërguar adoleshenti i tyre mesazh në shtatë ditët e fundit dhe shpresojmë të kenë disa nga këto biseda dhe t’i ndihmojnë ata të kalojnë në këto situata vërtet të vështira në internet.

Zyrtari më i lartë amerikan për shëndetin publik Vivek Murthy, tha vitin e kaluar se kompanitë e teknologjisë presin shumë nga prindërit kur bëhet fjalë për mbajtjen e fëmijëve të sigurt në mediat sociale.

“Ne po u kërkojmë prindërve të menaxhojnë një teknologji që po zhvillohet me shpejtësi, e cila ndryshon rrënjësisht mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten e tyre, si krijojnë miqësi, se si e përjetojnë botën – dhe teknologjinë, meqë ra fjala, që gjeneratat e mëparshme nuk duhej ta menaxhonin kurrë”, tha Murthy në maj 2023./KultPlus.com

Poeti Lulzim Tafa nderohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

Në një ceremoni solemne të organizuar të enjten, poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë shqipe.

Në praninë e personaliteteve të shumta publike të Kosovës e Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë nëKosovë, Sh.T. Petrit Malaj, i ndau poetit Tafa mirënjohjen, duke çmuar lart veprën dhe kontributin e Tafajt për artin dhe letërsinë shqipe.

“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin në fushën e letërsisë, si poet dhe shkrimtar. Vepra juaj e ka pasuruar kulturën dhe artin tonë kombëtar. Anëtarësimi juaj si akademik i jashtëm në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë është nder i merituar, na forcon lidhjet kulturore dhe shkencore të Republikës sëKosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori Malaj.

Ndërsa poeti Lulzim Tafa, duke shprehur falëndërimet e tij theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë mirënjohje.

“Ndihem shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe bashkë me ju kam kënaqësinë ta pranoj këtë mirënjohje. Nderime të tilla nuk e bëjnë shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por më të sigurt në punën e tij krijuese”, u shpreh Tafa.

Për veprën e Lulzim Tafës, fjalët më të mira i thanë edhe personalitete e pjesëmarrës në këtë ceremoni. Ndërsa edhe më madhështore e bëri atë, deklamimi i njërës nga poezitë monumentale të Lulzim Tafës (“Sa shpejt më harroi nana”), nga ambasadori shqiptar, Petrit Malaj.

Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe është në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. 

Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.

Në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, Lulzim Tafa ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ KultPlus.com

Edicioni i parë i “Muzak’ Fest” në Apolloni, nisja e një tradite të re kulturore

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau mbrëmjen e sotme përmes rrjetit social Facebook momente nga edicioni i parë i “Muzak’ Fest,” një ngjarje magjike që u zhvillua në qytetin historik të Apolonisë.

“Një mbrëmje e cila përqafoi historinë e Apolonisë dhe frymëzoi zemrat e të pranishmëve. Edicioni i parë i Muzak’Fest”,  solli në qytetin antik hijerëndë të Apolonisë harmoni mbresëlënëse të artit dhe kulturës. Mes monumenteve që dëshmojnë histori, muzika dhe poezia u bënë një, duke shënuar fillimin e një tradite të re kulturore, dedikuar trashëgimisë”, shkruan Gonxhja.

Edhe Bashkia Fier ndau foto nga nata magjike e “Muzak’Fest”. Bashkia Fier e promovon këtë ngjarje si një destinacion të rëndësishëm kulturor, duke i ftuar të gjithë që të vizitojnë dhe të përjetojnë bukuritë e këtij qyteti të lashtë./atsh/KultPlus.com