Ministri Çeku: Tash është radha e Prokurorisë të merret me kriminelët në veri

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i ka bërë thirrje Prokurorisë që të merret me kriminelët në veri, shkruan KultPlus.

Çeku përmes një postimi në facebook, ka thënë se Institucionet e Sigurisë në veri, kanë bërë punë të jashtëzkonshme në identifikimin e tyre, dhe se tash radha i takon Prokurorisë të merret me ta.

“Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, ka thënë Ministri Çeku./KultPlus.com

Prokuroria merr raportin e autopsisë së Marigona Osmanit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar raportin e autopsisë së 18 vjeçares, Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Nga kjo prokurori kanë thënë për T7, se për shkak të hetimeve rreth rastit, nuk mund të jepen detaje rreth raportit të autopsisë.

“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka pranuar raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë lidhur me rastin e 18 vjeçares M.O., mirëpo, për shkak të procesit të hetimeve, nuk mund të japim detaje nga ky raport”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për T7.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka arrestuar dy persona lidhur me këtë rast.

Të arrestuarit janë bashkëshorti i 18-vjeçares, Dardan Krivaqa dhe shoku i tij Arbër Sejdiu.

Më 23 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e Marigona Osmanit, 18 vjeçares në Ferizaj.

Lajmin e ka konfirmuar Albënora Bekteshi, zyrtare për informim në Gjykatën e Ferizajt.

“Mund të konfirmoj se të dyshuarve për vrasje të rëndë, Gjykata u ka vazhduar paraburgimin deri më 21 nëntor”, ka thënë Bekteshi.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Krivaqa, më 22 gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje edhe me të dyshuarin Arbër Sejdiu (i cili gjendet në paraburgim), kanë kryen këtë vepër penale.

Gjithashtu sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Arbër Sejdiu, më 22 gusht 2021, gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes kur i pandehuri tjetër Dardan Krivaqa, ka ushtruar dhune psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës dhe me këtë rast i njëjti (Arbër Sejdiu) ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, në vdekjen e të ndjerës.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa ikin në drejtim të panjohur./ Express / KultPlus.com

Përkthyesi shpërthen ndaj Prokurorisë: Më detyruan t`i përkthej konkluzionet për pesë minuta, përmes Viberit

Përkthyesi i ekspertizës së autoriteteve zvicerane, Ismail Ismaili ka drejtuar akuza në drejtim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit për joseriozitet në qasje sa i përket procedurave të përkthimit të konkluzave për rastin Dehari.

Ai ka thënë se faqja me tri konkluzat e raportit, të publikuara dje në medie nuk i ishin ofruar me kohë për përkthim, krahas rreth 60 faqeve të raportit. Ismaili ka thënë se faqen e shkruar në frëngjisht me konkluzionet kryesore të raportit e ka marr për përkthim vetëm 5 minuta para se t`i dorëzohet raporti familjes Dehari. Madje sipas tij një komunikim i tillë i është bërë përmes Viberit.

“Një vërejtje që e kanë bërë ata për konkluzionet, kjo është katastrofë, sepse ma kanë dërgu me viber rreth 5 minuta para 10-ve. Ata në 10:00h e kanë pasë takimin me dorëzu raportin. Brenda pesë minutave, prej viberit sa kam mujtë me nxjerr unë, e kam përkthy. Një faqe për 5 minuta as s`mund e përkthen as s`mun e shkrunë” ka thënë Ismaili për Gazetën Sinjali.

Ismaili ka theksuar se Prokuroria është munduar ta fajësoj se e ka harruar për përkthim letrën me konkluzione të cilën thotë se nuk ia kishin dërguar.

“Janë gjana të cilat nuk i kam pshtjellë unë. Konkluzat i kanë qu dje, unë nuk e kam pasë atë letër fare edhe plus më akuzojshin, thojshin e ke harru! S`është e vërtetë fare, se nuk i kam pasë hiç. A kanë dashtë ata me i mshefë a çka kanë dashtë me bo, punë e tyre. Ato konkluza unë i kam përkthy ashtu siç thonë ata”, ka theksuar Ismaili.

Ismaili nuk ka dashur të flas me emra se kush nga prokuroria ia ka bërë një kërkesë të tillë ndonëse siç është raportuar në medie, dje raporti i është dorëzuar familjes Dehari nga Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala dhe prokurori i rastit Dehari, Metush Biraj. / Gazeta Blic / KultPlus.com