Japonia hap World Expo 2025

Japonia hapi sot ekspozitën botërore të këtij viti Expo 2025 në Osaka, në prani të perandorit japonez Naruhito dhe gruas së tij, perandoreshës Masako.

Dyert do të hapen nesër për publikun.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion, morën pjesë edhe princi dhe princesha e kurorës si dhe kryeministri, Shigeru Ishiba.

Vendi i Expo, i vendosur në ishullin artificial të Yumeshima, është i rrethuar nga Unaza e Madhe, një ndërtim prej druri dy kilometra i gjatë dhe deri në 20 metra i lartë, për të cilin organizatorët thonë se është më i madhi në botë.

Struktura imponuese synon të simbolizojë konceptin gjithëpërfshirës të Expo – diversitetit dhe unitetit.

Gjatë një periudhe gjashtëmujore, deri më 13 tetor, më shumë se 160 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare do të prezantojnë idetë e tyre në pavionet e tyre me temën qendrore “Dizajnimi i shoqërisë së të ardhmes për jetët tona”.

Organizatorët presin 28 milionë vizitorë, megjithëse sondazhet tregojnë se interesi në mesin e popullatës japoneze deri më tani ka qenë shumë më i ulët se sa pritej.

Osaka priti për herë të fundit Ekspozitën në vitin 1970, kur erdhën më shumë se 64 milionë vizitorë./ atsh/ KultPlus.com

Shkencëtarët sjellin në jetë ujkun e epokës së Pleistocenit, 12,500 vjet pas zhdukjes së tij

 Për herë të parë, shkencëtarët njoftuan se kanë sjellë sërish në jetë ujkun e madh të epokës së Pleistocenit – disa mijëra vjet pas zhdukjes së tij, sipas “CBS News”.

“Colossal Biosciences”, një kompani bioteknike me qendër në Dallas, tha se ka mundësuar lindjen me sukses të tre ujqërve – një specie që dikur endej në Amerikën e Veriut, por e zhdukur për më shumë se 12,500 vjet – duke përdorur shkencën revolucionare.

CEO i “Colossal”, Ben Lamm tha se ekipi i tij kishte përdorur ADN-në nga një dhëmb 13,000-vjeçar dhe një kafkë 72,000-vjeçare – për të analizuar gjenomin e plotë të specieve dhe për të krijuar tre këlyshë të shëndetshëm të ujkut.

“Colossal” tha se shumë fosile të ujqërve u ruajtën në gropat e katranit të La Brea, në zonën e Los Anxhelosit, por ADN-ja e specieve nuk u ruajt në katran.

Por, duke përdorur dy mostra të ujkut – nga një studim ndërkombëtar mbi speciet e zhdukura – “Colossal” ishte në gjendje të zbulonte ADN-në e tij.

Shkencëtarët e kompanisë arritën të analizonin gjenomin e specieve – ose të gjithë grupin e ADN-së së tij.

Më pas ata përdorën CRISPR, një teknologji e modifikimit të gjeneve, për të modifikuar gjenetikisht qelizat e një ujku të gjallë ngjyrë gri.

Zakonisht, klonimi mbështetet në mostrat e indeve, por “Colossal” ishte në gjendje t’i përdorte këto qeliza të modifikuara për të krijuar embrione, më pas i transferoi ato te një surrogat – një qen shtëpiak – për t’u rritur.

“Colossal Biosciences” solli në jetë dy ujqër meshkuj, të quajtur Romulus dhe Remus, dhe një femër, të quajtur Khaleesi si personazhi i “Game of Thrones”.

Kritikët thonë se ngjashmëria fizike dhe gjenetike me një specie të zhdukur nuk mund të ringjallet plotësisht.

“Çfarëdo funksioni ekologjik që kryente ujku përpara se të zhdukej, nuk mund t’i kryejë më ato funksione në mjedisin e sotëm”, tha Vincent Lynch, një biolog në Universitetin e Bufalo, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. /atsh/ KultPlus.com

Rig Veda: Aditi dhe lindja e perëndive

Rigveda është njëra prej katër nënndarjeve kanonike të Vedave. Mund të përkthehet si “Himnet e Vedave”, ose “Himnet e Njohjes” dhe iu referohet vargjeve të recituara gjatë ceremonive, për dallim nga sāman, vargjet e kënduara.

ADITI DHE LINDJA E PERËNDIVE

Rig Veda

Le të flasim tash me habi për lindjet e perëndive – ashtu që të mund t’i shohim kur jemi duke i kënduar himnet në këtë epokë të vonë1.

Zoti i fjalimit të shenjtë, si farkëtar, i lidhi ato2 tok. Në epokat më të hershme të perëndive, ekzistenca ishte lindur nga jo-ekzistenca.

Në epokën e parë të perëndive, ekzistenca ishte lindur nga jo-ekzistenca. Pas kësaj lagjet e qiellit ishin lindur prej asaj që kruspullosej me krahët e hapur.

Toka ishte lindur prej asaj që kruspullosej me krahët e hapur dhe nga toka të katër anët e qiellit ishin lindur. Nga Aditi, Daksa ishte lindur dhe nga Daksa ishte lindur Aditi.

Se Aditi ishte lindur si bija jote o Daksa dhe pas saj ishin lindur perënditë e bekuara, të afërmit e pavdekësisë.

Kur ju perëndi zutë vendet aty në ujë me duart tuaja të bashkuara, një re e dendur mjegulle u ngrit prej jush si pluhuri3 nga vallëzuesit.

Kur ju perëndi si magjistarë4 i bëtë botët të grafullojnë5, e nxorët jashtë diellin që ishte fshehur në oqean.

Tetë bij janë të Aditit, të cilët ishin lindur nga trupi i saj. Me shtatë sish ajo shkoi në mesin e perëndive, por e la Martandën6, diellin, anash.

Me shtatë bij Aditi u fut në epokën më të hershme. Por ajo lindi Martandën ashtu që ai në radhën e tij të lindte pinjollët e tij dhe të vdiste.

Koment:

Ky himn i krijimit sjell një mori përgjigjesh të ndryshme dhe paradoksale rreth enigmës së origjinave. Është e qartë nga toni i vargjeve të para se poeti e konsideron krijimin si një subjekt misterioz dhe një seri e dëshpëruar hipotezash eklektike (me gjasë të cituara nga burime të ndryshme) nxjerrin kokën menjëherë: imazhi i ‘zejtarit’ (prifti, Brahmanaspati, ose Brhaspati, zoti i fjalimit të frymëzuar); paradoksi filozofik i jo-ekzistencës, ose paradoksi i krijimit të ndërsjellë (Aditi dhe Daksa, parimi femëror i krjimit ose pafundësia dhe parimi mashkullor i efikasitetit burrëror, duke e krijuar njëri-tjetrin), ose kundërthënia (toka e lindur nga hyjnia e kruspullosur, e pastaj të thuhet se është lindur nga të katër anët e qiellit).

Në këtë pikë, spekulimet i hapin rrugë më shumë një miti të krijimi më antropomorfik që përqendrohet te imazhi i hyjneshës që kruspulloset me krahët e hapur (Uttanapad); ky term, shpesh i marrë si emër i përveçëm, përvijon një pozicion të asociuar njëkohësisht me jogën dhe me gruan që po lind, ashtu siç nëna hyjneshë është përshkruar shpesh në skulpturat e hershme: fjalë për fjalë, me këmbët e zgjatura përpara, më posaçërisht me gjunjët e mbledhur dhe këmbët e hapura krejtësisht. Meqë është e identifikuar me Aditin, himni shkon rrëmbyeshëm drejt mitit të Aditit dhe Daksës (ku paradoksit të anasjelltë të krijimit i jepet një mbiton incestuoz) dhe krijimit të zotave dhe njerëzve.

Krijimi i universit nga uji (v.6-7) dhe shpëtimi i diellit nga oqeani (v.7) janë imazhe të mirënjohura vedike që e kthejnë mitin mbrapa te niveli kozmik, prej nga pastaj kthehet tek antropomorfizmi dhe miti i Aditit, ku dielli rishfaqet si Martanda, lindja e së cilës nga Aditi është temë e vargjeve të fundit.

Shënime:

1) Ideja e ‘shikimit’ të lindjeve të perëndive mund t’i referohet në të vërtetë jo të qenit të pranishëm në atë kohë të hershme, po më parë dhuntisë së poetëve për të ‘parë’ ndodhitë mitike sipas kuptimit të vizionit të tij frymëzues.

2) ‘Ato’ mund t’i referohet dy botëve, qiellit dhe tokës, më parë se sa perëndive; zoti i fjalimit të shenjtë shikohet këtu si përgjegjës i krijimit manual më parë se sa spiritual.

3) ‘Mjegull’ dhe ‘pluhur’ iu referohen grimcave atomike të ujit, një mjegull që luan një rol të rëndësishëm në krijim në sajë të ambivalencës së tij, gjysmë ujë dhe gjysmë ajër, duke ndërmjetësuar mes materies dhe shpirtit.

4) Ata janë Yatisi, që mund të jetë një klasë urtakësh ose asketësh; sidoqoftë, më shumë ata janë magjistarë, në mesin e marifeteve tradicionale të të cilëve, në Indinë e lashtë, ishte zotësia t’i bënin bimët të rriteshin papritur. Ata mund të ndërlidhen me vallëzuesit, një aspekt tjetër i shamanizmit kreativ.

5) Folja (pinv) nënkupton grafullimin si qumështi nga gjiri.

6) Emri Martanda fillimisht nënkuptonte ‘lindur nga veza’, do të thotë zog dhe është epitet për zogun-diell ose zjarrin-zog të mitologjisë indo-evropiane. Folja që përshkruan çka i ka bërë e ëma mund të lërë të kuptohet se e ka flakur tutje, ose s’është kujdesur për të; një etimologji më e vonë e Martandës është ‘vdekur në vezë’, do të thotë dështim.

/Marrë nga The Rig Veda – An Anthology, One hundred and eight hymns (selected, translated and annotated by Wendy Doniger)’, Penguin, 1981 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Vetëm duke menduar për ty

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm./ KultPlus.com

Jan. 1, 2011 – JIM MORRISON.© J.B.(Credit Image: © Globe Photos/ZUMAPRESS.com)

Pas tri vitesh OBSH bie dakord se si të mbrojë botën nga pandemitë

Delegatët e vendeve anëtare të OBSH-së arritën sot një marrëveshje në parim mbi një tekst që duhet të mbrojë më mirë botën nga pandemitë e ardhshme, pas më shumë se tri vitesh diskutime.

“Ne kemi një marrëveshje në parim dhe po lëmë mënjanë marrëveshjen përfundimtare të kryeqyteteve”, shpjegoi Anne-Claire Amprou, bashkëkryetare e trupit negociator dhe ambasadore e Francës për shëndetin global, duke specifikuar se delegatët do të takohen të martën, më 15 prill në Gjenevë për të rafinuar tekstin dhe për të dhënë miratimin përfundimtar.

Teksti do të duhet ende të miratohet në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë, e cila mbahet në maj në Gjenevë, nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Pas një seance negociuese maratonë që zgjati pothuajse 24 orë, delegatët shpërthyen në duartrokitje dhe kaluan minuta të tëra duke uruar njëri-tjetrin.

“Ky është një sinjal shumë i mirë. Ju jeni pjesë e një historie të pabesueshme në përgatitje”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili qëndroi në dhomë me delegatët gjatë gjithë natës.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes të premten ishte paragrafi 11 i tekstit prej 30 faqesh, i cili përcakton transferimin e teknologjive për prodhimin e produkteve shëndetësore që lidhen me pandemitë, veçanërisht për të mirën e vendeve në zhvillim.

Vendet e Amerikës Latine po bëjnë presion që ky transferim të lehtësohet.

Çështja kishte qenë në qendër të ankesave midis vendeve më të varfra gjatë pandemisë Covid-19, kur panë vendet e pasura që grumbullonin doza vaksinash dhe teste të tjera.

Disa vende, ku industria farmaceutike është një lojtar kryesor ekonomik, janë kundër idesë së transfertave të detyrueshme dhe këmbëngulin në natyrën e saj vullnetare.

Sipas një delegati, kjo pikë është zgjidhur, por versioni i fundit i tekstit nuk ishte ende i disponueshëm./ KultPlus.com

Japonia hap World Expo 2025

Japonia hapi sot ekspozitën botërore të këtij viti Expo 2025 në Osaka, në prani të perandorit japonez Naruhito dhe gruas së tij, perandoreshës Masako.

Dyert do të hapen nesër për publikun.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt në televizion, morën pjesë edhe princi dhe princesha e kurorës si dhe kryeministri, Shigeru Ishiba.

Vendi i Expo, i vendosur në ishullin artificial të Yumeshima, është i rrethuar nga Unaza e Madhe, një ndërtim prej druri dy kilometra i gjatë dhe deri në 20 metra i lartë, për të cilin organizatorët thonë se është më i madhi në botë.

Struktura imponuese synon të simbolizojë konceptin gjithëpërfshirës të Expo – diversitetit dhe unitetit.

Gjatë një periudhe gjashtëmujore, deri më 13 tetor, më shumë se 160 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare do të prezantojnë idetë e tyre në pavionet e tyre me temën qendrore “Dizajnimi i shoqërisë së të ardhmes për jetët tona”.

Organizatorët presin 28 milionë vizitorë, megjithëse sondazhet tregojnë se interesi në mesin e popullatës japoneze deri më tani ka qenë shumë më i ulët se sa pritej.

Osaka priti për herë të fundit Ekspozitën në vitin 1970, kur erdhën më shumë se 64 milionë vizitorë./ KultPlus.com

Botërori 2026, UEFA zyrtarizon stadiumin për ndeshjen Shqipëri-Serbi

UEFA ka zyrtarizuar stadiumin “Arena Kombëtare” për duelin e shumëpritur Shqipëri-Serbi, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, që do të zhvillohet në tre shtete: SHBA, Meksikë, Kanada.

Në publikimin në faqen zyrtare të saj, stadiumi pritës është shënuar “Arena Kombëtare” në Tiranë.

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor në orën 20:45, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K për kualifikueset e Botërorit 2026.

Pas dy ndeshjeve të para kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup me 3 pikë, ndërsa grupi kryesohet nga Anglia me 6 pikë./ KultPlus.com

Gonxhja: Shqipëria me nivelin më të ulët historik të papunësisë, 8,8%

Tregu i punës vijon të jetë një pikë e fortë e ekonomisë shqiptare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau statistikat zyrtare për këtë tregues, teksa theksoi se “Shqipëria shënon një tjetër arritje historike”.

“Papunësia për grupmoshën 15 vjeç e lart ka zbritur në 8.8%, niveli më i ulët ndonjëherë i regjistruar”, tha Gonxhja.

Sipas tij, kjo shifër është rezultat i reformave të qëndrueshme për punësim, mbështetjes për të rinjtë, grave dhe grupet në nevojë, si dhe nxitjes së arsimit dhe formimit profesional.

Gonxhja shprehu angazhimin e qeverisë për vijimin me më shumë mundësi dhe një treg pune gjithëpërfshirës./ KultPlus.com

‘Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën, ajo është gjithçka që vdekatarët kanë’

Poezi nga Ilire Zajmi

Dhurata

Për fundvit mos më bli unazë diamanti, parfum me erë jasemini.
Biletë për një udhëtim ëndrrash
Dua të më dhurosh Kohën
Pak kohë të marr frymë. Një grimcë kohe të buzëqesh
Të mbyll sytë e të udhëtoj në një tjetër botë

Më nevojitet pak kohë.
Të arratisem të qaj ngeshëm të shoh qiellin e përflakur.
Mjegullnajën sipër qytetit pa shpirt
Se di si u katandis koha ime
Në rrugët e pista gotat e zbrazura kafeneve të mykura
Në pako cigaresh muhabete të panjohurish

Nëse do të më bësh një Dhuratë
Më fal pakëz kohë. Një orë një minutë pak sekonda vetëm një çast
Të bëhem njësh me gazin e një fëmije
të puth me buzët e etura të një të dashuruare.
Jam mbretëreshë e shfronësuar bjerrakohëse
Mos më sill as lule as libra.
Në do të më dhurosh diçka më dhuro pak kohë
E nëse s’e gjen askund për ta blerë
Grabitja atyre që shesin gjakun me këste, trupin me fajde
Vidhjau atyre që iu tepron së shijuari bota nga mërzia
Atyre që vrasin miza e pështyjnë veten në pasqyrë.

Nëse do të më japësh frymë më dhuro Kohën
Ajo është gjithçka që vdekatarët kanë. / KultPlus.com

Kampionati i Rafting në brigjet piktoreske të lumit Vjosa, garë dhe promovim i turizmit në Përmet

Përmeti mikpriti për herë të 8-të Kampionatin Kombëtar të Rafting 2025 në lumin e fundit të egër të Europës – Vjosa duke e kthyer për dy ditë me radhë, në datat 11 dhe 12 prill, në shtëpinë e sportistëve amatorë e profesionistë të cilët lundruan dhe konkurruan për çmimin e madh.

Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Përmet, ky eveniment kombëtar u zhvillua nga Federata Shqiptare e Rafting dhe merrnin pjesë 8 ekipe nga lumenjtë , Vjosa, Osumi, Drini të Zi, Bënçë, Bistricë, Shkumbini dhe Drinos.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se “ky kampionat në Përmet dhe trajnimet e guidave të reja, janë një prej atyre ngjarjeve me nivel të lartë profesionalizmi dhe shumë domethënëse për zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëvjetor”.

Kampionati Kombëtar për Rafting 2025 shënoi një nivel të ri konkurrence dhe bashkëpunimi në ujërat e Vjosës Edicioni i 8-të i Kampionatit Kombëtar Shqiptar të Rafting, i zhvilluar në Përmet, shënoi një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve ujore në Shqipëri.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, u shpreh se profesionalizmi, gara dhe miqësia mes skuadrave e ngritën nivelin e këtij edicioni.

Krahasuar me vitet e mëparshme, ky edicion ishte dukshëm më konkurrues dhe me një pjesëmarrje më të gjerë ekipesh nga të gjitha trevat, falë edhe organizimit paralel me javën stërvitore për guidat e reja të rafting.

Vjosa – lumi i fundit i egër i Europës – ofroi një skenë perfekte për garat, veçanërisht në muajin prill, kur niveli i ujit është optimal për rafting.

Spektakli nisi me një start masiv dhe dinamik, ku ekipet u hodhën në ujë me gomone dhe garuan krah për krah në një kurs teknikisht sfidues, që kulmoi me një përballje emocionuese në segmentin poshtë urës së qytetit të Përmetit.

Kjo ngjarje përmbylli me sukses katër ditët intensive të stërvitjes dhe garës. Ambicia e radhës për Federatën Shqiptare të Rafting është ngritja e një kampi të përhershëm për rafting në qytetin e Përmetit, i pajisur me porta sllallomi, për të rritur kapacitetin organizativ dhe konkurrues të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Lumi Vjosa, me rrjedhën e tij të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, ofron potencialin ideal për këtë vizion.

Fitues i parë i Kampionatit u shpall Vjosa me kapiten Aldo Sakollari, lumi Bënça në vend të dytë me kapiten Pajtim Vraniçin dhe Vjosa 2 në vend të tretë me kapiten Jonas Ibrahimin./ KultPlus.com

‘Nuk di si je dhe më mungon ta di’

Poezi nga Charles Bukowski

S’rreshta kurrë së menduari për ty,
do doja aq shumë të ta them.

Do doja të shkruaja se më pëlqen të kthehem,
Se më mungon dhe të mendoj.
Po s’të kërkoj.
Madje s’të shkruaj as njatjeta.
Nuk di si je.
Dhe më mungon ta di.

Ke projekte?
Buzëqeshe sot?
Ç’ëndërrove?
Do dalësh?
Ku do t’shkosh?
Ke ëndrra?
A hëngre?.

Do t’më pëlqente të mund të kërkoja.
Po s’kam forcë.
Dhe as ti nuk e ke.
Dhe at’herë rrimë e presim më kot.

Dhe mendojmë.
Dhe kujtomë.
Kujtohu se të mendoj, se ti nuk e di, por ty të jetoj çdo ditë, që shkruaj për ty.

Dhe kujtohu se të kërkosh e të mendosh, janë dy gjëra të ndryshme.
Dhe unë të mendoj, po s’të kërkoj./ KultPlus.com

Osmani në Turqi takohet me kryediplomatin kenian, paralajmëron vizitë në Kenia

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Jashtëm të Kenisë, Ve Musalia Mudavadi, në Turqi ku shkoi për të marrë pjesë në një forum.

Osmani tha se e ka falënderuar atë për vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa tha se me të ka folur për fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ajo tha se këto do t’i konkretizojnë gjatë një vizitë që e paralajmëroi në Kenia.

“Pas vendimit historik për njohjen e Kosovës nga Kenia, në Turqi u takova me Ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, z. Musalia Mudavadi, të cilin e falënderova edhe një herë për këtë hap të rëndësishëm, i cili kontribuon për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë. Diskutuam për fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat do t’i konkretizojmë gjatë vizitës zyrtare në Kenia dhe përgjatë rrugës sonë të përbashkët si aleatë dhe partnerë”, ka shkruar ajo. 

Kenia njohu pavarësinë e Kosovës muajin e kaluar, duke u bërë kështu shteti i 118-të që e njeh Kosovën./ KultPlus.com

Osmani pret që Kongresi ta kalojë rezolutën që kërkon drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për këtë rezolutë të propozuar ka shkruar presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se pret që ajo të miratohet.

Kongresistët amerikanë përmes një rezolute të propozuar kanë kërkuar drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se e pret “me padurim” miratimin e kësaj rezolute, ndërsa ka falënderuar kongresistët amerikanë.

“Falënderoj ligjvënësit amerikanë që kërkuan drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës gjenocidale të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Zërat e të mbijetuarve tanë – si ai i Vasfijes dhe i Shyhretes – thyen heshtjen dhe u dhanë forcë mijëra të tjerëve. Për të gjithë ata, drejtësia nuk është një zgjedhje – ajo është një e drejtë e mohuar prej kohësh. Derisa i afrohemi 14 Prillit – Ditës Kombëtare të Kosovës për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës – kjo njohje është një hap i fuqishëm përpara. Pres me padurim miratimin e kësaj rezolute”, tha ajo në një postim në X./ KultPlus.com

Kafeja e mëngjesit

Poezi nga Jasques Prevert


Ai hodhi kafe
Në filxhan
Hodhi qumësht
Në filxhanin e kafesë
I hodhi sheqer
Kafes me qumësht
Me lugën e vogel
E përzjeu
E piu kafen
Dhe vuri filxhanin mbi tavolinë
Pa më folur
Ndezi një cigare
Bëri rrathë
Me atë tym
Shkundi hirin
Në taketuke
Pa më folur
Pa më shikuar
U ngrit
Vuri kapelen në kokë
Veshi xhaketën e shiut
Sepse binte shi
Dhe doli jashtë
Nëpër shi
Pa një fjalë
Pa më shikuar
Dhe unë
Futa kokën
Mes duarve
Dhe qava / KultPlus.com

Ukraina mund të ndahet si Berlini pas Luftës së Dytë Botërore, thotë i emisari amerikan në Kiev

Ukraina mund të ndahet si Berlini pas Luftës së Dytë Botërore, ka thënë i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump në Kiev, pasi Rusia vazhdon të rezistojë në pranimin e një armëpushimi.

Keith Kellogg dukej se sugjeronte se vendi mund të ndahej në zona kontrolli, me trupat britanike dhe franceze si pjesë e një “force sigurie” në perëndim dhe forcat e Moskës në lindje, shkruan The Guardian.

Midis tyre do të ishin forcat ukrainase dhe një zonë e çmilitarizuar, por SHBA nuk do të siguronte asnjë forcë tokësore, pretendoi ai.

 “Ju pothuajse mund ta bëni të duket si ajo që ndodhi me Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishit një zonë ruse, një zonë franceze dhe një zonë britanike”, tha ai për gazetën Times.

Kievi ende nuk ka komentuar mbi këto deklarata.

Donald Trump i lëshoi ​​një paralajmërim të rrallë Vladimir Putinit përpara bisedimeve midis të dërguarit special të presidentit amerikan, Steve Witkoff dhe presidentit rus, duke thënë në platformën Truth Social se “Rusia duhet të lëvizë”.

Putini u shfaq në televizionin shtetëror duke përshëndetur Witkoff në bibliotekën presidenciale të Shën Petersburgut në fillim të negociatave dhe agjencitë shtetërore të lajmeve thanë më vonë se bisedimet zgjatën më shumë se katër orë.

“Tema e takimit: aspektet e zgjidhjes së Ukrainës”, tha Kremlini pas takimit.

I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, i cili u pa në pamjet e lajmeve që shoqëronte Witkoff duke dalë nga një hotel në qytet, i quajti bisedimet produktive, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë Tass./ KultPlus.com

KFOR – Njësia e Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit në Kosovë bëhet me komandant të ri

KFOR ka njoftuar se sot është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandës së Batalionit të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit, e cila u mbajt në Kampin “Film City” në Prishtinë.

Në njoftimin e KFOR shtohet se këtë ceremoni e ka drejtuar komandanti i këtij misioni Gjeneral Major Enrico Barduani.

‘Komandanti në largim, Nënkolonel Giovanni De Santis, ia dorëzoi flamurin e NATO-s Komandantit të ri, Nënkolonel Salvatore Salvaggio – të dy nga Ushtria Italiane’’, thuhet në njoftimin e KFOR.

Postimi:

Sot, Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, Gjeneral Major Enrico Barduani, drejtoi ceremoninë e ndërrimit të komandës së Batalionit të Inteligjencës, Vëzhgimit dhe Zbulimit, e cila u mbajt në Kampin “Film City” në Prishtinë.

Komandanti në largim, Nënkolonel Giovanni De Santis, ia dorëzoi flamurin e NATO-s Komandantit të ri, Nënkolonel Salvatore Salvaggio – të dy nga Ushtria Italiane.

Gjeneral Major Barduani shprehu mirënjohjen e tij për Nënkolonelin De Santis për udhëheqjen dhe përkushtimin e treguar, duke vlerësuar nivelin e lartë të gatishmërisë dhe profesionalizmit të personelit të njësisë. Ai gjithashtu i uroi suksese Nënkolonelit Salvaggio në detyrën e re.

KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij – të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në rolin e vet si reagues të sigurisë./ KultPlus.com

‘Streha e Nemun’, tragjikomedia që pasqyron dramën në kërkim të dashurisë dhe barrën e rëndë të vetmisë

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e 10 prillit, skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës u transformua në një hapësirë intime reflektimi teksa u shfaq repriza e shfaqjes “Streha e Nemun”, shfaqje kjo që sfidon emocionet dhe mendjen përmes një rrëfimi të thellë dhe të ndjeshëm. Me regji nga Ilir Bokshi, shfaqja mysafire ‘Streha e nemun’ vjen si një tragjikomedi që pasqyron brengën dhe dramën e brendshme njerëzore, shkruan KultPlus.

E frymëzuar nga teksti “Liza në Maj”, shfaqja ‘Streha e nemun’ shpërfaq një realitet modern që lufton kundër vetmisë, ngjyrosur përmes lojës së aktorëve edhe me doza komike.

Shfaqja ka në qendër personazhin kryesor, Lajzelotën, një infermiere 35-vjeçare, e cila kalon përmes labirinteve të vetmisë, dashurisë së parealizuar dhe nevojës për përkatësi. Personifikuar nga aktorja Albulena Kryeziu Bokshi, Liza na prezanton një figurë të një gruaje të ndërtuar me përplot kontradikta dhe ndjeshmëri, duke pasqyruar botën e brendshme dhe dilemat bashkëkohore të kohës.

Gjatë gjithë shfaqjes, publiku ndjek takimet e Lizës me një sërë burrash të ndryshëm, secili prej tyre me karakter më të ndryshëm se tjetri. Këto figura mashkullore, të luajtura me ndjeshmëri dhe finesë nga aktorët Ledion Zoi dhe Adrian Morina, përfaqësojnë aspekte të ndryshme të marrëdhënieve njerëzore. Por, çdo takim i Lizës, sado premtues, përfundon me tragjedi, secili nga burrat që hyn në banesën e Lizës vdes, duke e lënë atë gjithnjë e më të vetmuar dhe të brishtë emocionalisht.

Këto humbje të njëpasnjëshme ndërtojnë një simbolikë të fortë mbi zhdukjen e shpresës dhe frikën që e përndjek njeriun në epokën bashkëkohore, vetminë.

Liza, në përpjekjen e saj për të gjetur dashuri dhe një vend ku të përkasë, përballet me një realitet të hidhur ku çdo afrim sjell më shumë boshësi.

“Streha e nemun” është më shumë se një rrëfim, është një pasqyrë përballë njeriut të sotëm, që në heshtje kërkon dashurinë, kuptimin dhe një strehë të sigurt në kaosin e brendshëm.

Regjisori Ilir Bokshi, e vlerëson shfaqjen “Streha e Nemun” si një bashkëpunim të suksesshëm ndërmjet artistëve dhe institucioneve kulturore nga Kosova dhe Shqipëria. “Kjo është një shfaqje e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë, bashkëprodhim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ka qenë një punë e mirë bashkë me aktorët, ka pasur një harmoni mes secilit dhe në fund doli një projekt me të cilin po mburremi. Kjo shfaqje ka pasur një impakt të madh edhe tek publiku, një impakt që nuk e kemi pritur”, tha bokshi, duke shtuar më tutje se vlerëson se publiku ka nevojë për shfaqje të tilla kur përveç se shohin art, edhe argëtohen.

Ndërkaq, për aktoren Albulena Kryeziu – Bokshi, interpretimi i rolit të Lizës ka qenë një përvojë e veçantë. Në një prononcim për KultPlus, ajo shprehu emocionet e saj për suksesin e shfaqjes.

“Çdo gjë rreth shfaqjes po shkon shumë më mirë se sa që e kemi paramenduar sepse kemi pasë shumë punë intensive sa që nuk kemi menduar për rezultatin. Premiera ka shkuar shumë mirë, gjithashtu edhe reprizat në Tiranë, Gjakovë dhe sonte në Prishtinë. Vërtet është një rol i bukur, jam me fat sepse rolet e grave rrallë gjenden, sidomos kur janë kryesore dhe kaq voluminoz siç është roli i Lizës”, tha Kryeziu – Bokshi.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë sociale të temave që trajton shfaqja, të cilat shpërfaqin një realitet bashkëkohor sidomos kur bëhet fjalë për pozitën e grave në shoqëri.

“Është një realitet i hidhur i cili përkon me shoqërinë tonë, me trysninë që i bëhet grave në përgjithësi pas moshës 35-vjeçare që të martohe, është vërtet e dhimbshme. Shfaqja gjithashtu trajton edhe temën e vetmisë, e cila është e pranishme tek shumë njerëz. Jam e lumtur me gjithë punën që kemi bërë dhe shpresoj që shfaqja të vazhdojë rrugëtimin e saj edhe në qendra të tjera sepse edhe publiku e ka mirëpritur shumë deri më tani,” përfundoi ajo.

Ju kujtojmë se shfaqja ‘Streha e nemun’ është një shfaqje mysafire e cila pati premierën në Teatrin kombëtar të Kosovës më 25 mars. Pas premierës, shfaqja pati reprizën në Tiranë, Gjakovë dhe mbrë në Prishtinë./KultPlus.com

Festa si akt rezistence: Ekspozita “Fuqia e Dëshirës” e Jetmir Idrizit në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Në një botë ku identitetet shpesh margjinalizohen, ku zërat e ndjeshëm shtypen dhe realitetet queer shpërfillen, ekspozita më e re që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës vjen si një ftesë për të parë, për të ndier dhe për të kuptuar. “Fuqia e dëshirës”, ekspozita personale e artistit Jetmir Idrizi, sjell një rrëfim të thellë dhe të fuqishëm vizual mbi jetën dhe rezistencën e komunitetit LGBTQIA+ në Brazil nëpërmjet lenteve bardh e zi që ndërthurin artin, politikën dhe humanizmin.

E kuruar nga Camille Cousin, kjo ekspozitë shkon përtej estetikës – ajo është një dëshmi, një dokumentim dhe një akt solidariteti me trupat që nuk ndjekin normat, me zërat që nuk heshtin dhe me shpirtërat që kërkojnë të jetojnë të lirë. Përmes një cikli fotografish të realizuara gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil, Idrizi nuk na ofron vetëm një dritare drejt kulturës queer, por na sfidon të rimendojmë çfarë do të thotë të jesh i lirë në një shoqëri që shpesh i vendos kufij dashurisë dhe identitetit.

Kjo është më shumë se një ekspozitë. Është një deklaratë. Është një hapësirë ku festa dhe vetë-pohimi bëhen akte të rezistencës, ku karnavalet dhe ballot shndërrohen në forma të dukshme të fuqisë kolektive, dhe ku çdo fotografi është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e trupave që refuzojnë të fshihen.

Fotografitë në këto seri janë realizuar gjatë dy periudhave të ndryshme politike në Brazil. Periudha e parë, nga viti 2015 deri në 2017, përkon me shkarkimin e Presidentes Dilma Rousseff në vitin 2016, ngjarje kjo që shënoi një ndryshim në drejtim më konservator dhe parapriu ngritjen e së djathtës ekstreme, duke kulmuar me zgjedhjen e Jair Bolsonaros në vitin 2019. Periudha e dytë, nga viti 2023 deri në vitin 2024, pason rikthimin e Luiz Inácio Lula da Silva në pushtet, moment i ri shprese për çështjet sociale, përfshirë të drejtat e LGBTQIA+.

Jetmir Idrizi ka një marrëdhënie të veçantë me Brazilin – një vend që fillimisht e vizitoi për arsye të tjera, por që shumë shpejt u bë “shtëpia e tij e dytë”. Ishte viti 2015 kur ai nisi për herë të parë të fotografonte jetën queer në Rio de Janeiro – një fillim i papritur për një projekt që sot rezonon fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

“Kur kam fillu këtë projekt në 2015, kam shku për krejt diçka tjetër, por përfundova duke e dashur atë vend që sot e quaj shtëpia jem e dytë,” thotë ai. “Në atë kohë, në Kosovë flitej shumë pak për identitetin gjinor dhe seksualitetin. Mendoj që në këto 10 vitet e fundit ka pasë përparim, por ende ka shumë hapësirë për dialog dhe për ta kuptuar më mirë komunitetin LGBTQ”, është shprehur ai për KultPlus.

Për Jetmirin, fotografia bardh e zi është mënyra për të shkuar përtej sipërfaqes. Ajo i ndihmon të fokusohet në thelbin e subjektit, në shpirtin e tij – pa shpërqendrimet që sjell ngjyra.

“Unë gjithmonë fotografoj bardh e zi, sepse besoj që përmes kësaj forme më lehtë e kap shpirtin e një personi. Ngjyrat marrin shumë prezencë, dhe për këtë arsye përqendrohem te bardh e zi”, shtoi ai.

Në shikim të parë, pamjet nga karnavalet braziliane, ballo dhe shfaqje drag duken si momente feste dhe lirie absolute. Por, siç tregon vetë artisti, realiteti është shumë më kompleks.

“Nëse i shohim këto foto, na duket sikur në Brazil të drejtat janë më të mëdha, por në fakt Brazili është një ndër vendet që vret më së shumti persona transgjinorë. Prandaj për mua ka qenë shumë me rëndësi të bëj këtë projekt – jo vetëm për ta dokumentuar, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin”, u shpreh tutje artisti.

Idrizi e sheh lidhjen mes politikës dhe të drejtave të njeriut si thelbësore. Projektin e nisi pak para rënies së qeverisë progresiste të presidentes Dilma Rousseff dhe u rikthye për të dokumentuar jetën queer në periudhën pas rikthimit të presidentit Lula da Silva.

“Pushteti ka shumë të bëjë me të drejtat e njeriut. Me ardhjen e Bolsonaros, të drejtat e komunitetit LGBTQ u shtypën rëndë. Por tash, me Lula da Silva si president, kemi parë ndryshime që dikur as nuk mund t’i imagjinonim – si për shembull dy deputetë transgjinorë që janë sot në parlament. Kjo është historike, dhe po ndodh në një kohë kur në vende të tjera si SHBA po shohim një shtypje të fuqishme të të drejtave të komunitetit trans”, tha ai.

Në këtë kontekst të ndërlikuar, ekspozita “Fuqia e dëshirës” shërben si një akt rezistence, kujtese dhe vizibiliteti. Por ajo çfarë është ndoshta më prekëse, është mënyra se si Jetmiri ka zgjedhur ta paraqesë këtë realitet – jo përmes viktimizimit, por përmes fuqisë.

“Shtypja nuk paraqitet në imazhet e mia. Nuk kam dashur të viktimizoj komunitetin, por t’i paraqes ata në mënyrën më të bukur, duke festuar me ta, si gjatë karnavaleve. Sepse edhe ajo është një formë qëndrese”, shtoi tutje ai

Për Jetmirin, ky projekt nuk është vetëm një punë artistike, është një thirrje për empati, dialog dhe kuptim. Një dëshmi që liria për të dashur, për të jetuar dhe për të qenë vetvetja nuk është diçka që duhet të negociohet.

Kuratorja Camille Cousin, e cila për herë të parë bashkëpunon me Jetmir Idrizin, shpreh entuziazmin dhe vlerësimin e saj për këtë bashkëpunim artistik.

“Ishte hera e parë që punonim bashkë dhe që në momentin e parë që e takova, u mahnita nga energjia dhe thellësia e punës së tij. Për mua është kënaqësi e veçantë të kuratoj një ekspozitë në Kosovë dhe ta ndaj këtë rrëfim kaq të fuqishëm me publikun këtu”, u shpreh ajo.

Në një kohë kur shumë pjesë të botës ende luftojnë për të njohur dhe respektuar identitetet e ndryshme, ekspozita “Fuqia e Dëshirës” e Jetmir Idrizit është një kujtesë e fuqishme se arti është një mjet i papërmbajtshëm për të sfiduar kufizimet shoqërore dhe për të krijuar hapësira për dialog. Përmes syve të artistit, komuniteti LGBTQIA+ në Brazil shpërfaq një histori të qëndresës, krenarisë dhe forcës, duke theksuar se liria për të dashuruar, jetuar dhe qenë vetvetja është një e drejtë që nuk mund të mohohet. Me këtë ekspozitë, ai na inkurajon të shohim botën me një sy të ri, më të hapur, më të ndjeshëm dhe më të kuptueshëm./KultPlus.com

Vdes Rashid Krasniqi, tekstshkruesi dhe kompozitori i këngës ikonike ‘Mallëngjimi’

Ka vdekur në moshën 93-vjeçare veterani i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Rashid Krasniqi, përcjell KultPlus.

Përveç veprimtarisë së tij publicistike, Krasniqi do të mbahet mend si tekstshkrues dhe kompozitor i këngës ikonike ‘Mallëngjimi’ të interpretuar nga Muharrem Qena.

Po ashtu Rashid Krasniqi është enigmatic i parë shqiptar.

Në vijim, KultPlus ua risjell këngën ‘Mallëngjimi’./KultPlus.com

“Prada” blen shtëpinë e modës “Versace” në një marrëveshje me vlerë 1,4 miliardë dollarë

 “Prada”- e themeluar në vitin 1913, në Milano nga Mario Prada – njoftoi blerjen e shtëpisë së modës “Versace” nga grupi luksoz amerikan “Capri Holdings Limited” – në kuadër të një marrëveshjeje me vlerë 1,25 miliardë euro (1,4 miliardë dollarë), sipas AP.

Që prej vitit 2018, “Versace” ka qënë në pronësi të “Capri Holding”, e cila përfshin Michael Kors dhe Jimmy Choo.

“Capri Holdings Limited” pagoi 2 miliardë dollarë për “Versace”, por pati vështirësi për të pozicionuar në krye shtëpinë e modës italiane me siluetat e saj seksi dhe modelet me ngjyra të ndezura.

Dikur Michael Kors Holdings Limited – Capri Holdings Limited – është një kompani multinacionale e modës, me qendër në Londër dhe zyra operative në Nju Jork.

Ajo u themelua në vitin 1981 nga stilisti amerikan, Michael Kors. Në vitin 2015, kompania numëronte më shumë se 550 dyqane dhe mbi 1500 butikë në dyqane në vende të ndryshme./KultPlus.com

Zbulohen 4 aktorët kryesorë të filmave “The Beatles”

Paul Mescal dhe Barry Keoghan janë konfirmuar si pjesë e kastit të aktorëve që do të luajnë anëtarët e grupit “The Beatles” në katër filma të rinj. Aktori i Normal People dhe Gladiator II, Mescal do të portretizojë Sir Paul McCartney, ndërsa ylli i Saltburn, Keoghan do të hyjë në “petkun” e Ringo Starr.

Supergrupi i aktrimit do të luajë gjithashtu Harris Dickinson, i cili së fundmi është parë përballë Nicole Kidman në Babygirl, si John Lennon.

Dhe Joseph Quinn do të shkojë nga Marvel’s Fantastic Four në Fab Four, duke luajtur George Harrison në kadrilogjinë e ekranit të madh, i cili do të drejtohet nga Sir Sam Mendes.

Regjisorit fitues të Oscqar-it iu bashkuan katër aktorët për shpalljen në konventën CinemaCon në Las Vegas të hënën. Çdo film do të fokusohet në një anëtar të ndryshëm të grupit legjendar.

“Secili tregohet nga perspektiva e veçantë e vetëm njërit prej djemve. Ato kryqëzohen në mënyra të ndryshme, ndonjëherë të mbivendosura e ndonjëherë jo. Ata janë katër qenie njerëzore shum të ndryshme, me histori po ashtu shumë të ndryshme. Por, së bashku të katër filmat do të tregojnë historinë e grupit më të madh në historinë e muzikës”, tha Sir Sam.

Filmat do të dalin në afërsi me njëri-tjetrin në Prill  tw vitit 2028.

“Thjesht ndjeva se historia e grupit ishte shumë e madhe për t’u përshtatur në një film të vetëm, dhe se duke e kthyer atë në një mini-serial televiziv thjesht nuk ndihej mirë”, sqaroi regjisori i filmave.

Por, le të mësojmë pak më shumë për secilin prej katër aktorëve që do të kenë rolet protagoniste:

Paul Mescal , 29 vjeç, fitoi famë në Normal People të BBC-së në vitin 2020. Ai vazhdoi të luajë në filmat e mirënjohur “Aftersun”, për të cilin u nominua për Oscar, dhe “All of Us Strangers”, ndwrkohw luajti rolin kryesor në vazhdimin e “Gladiator-it”. Përveç portretizimit të Sir Paul McCartney, ylli irlandez do të shihet si një gjeni tjetër krijues britanik, William Shakespeare, në adaptimin filmik të romanit të vlerësuar me çmime Hamnet.

Harris Dickinson është bërë yll falë Maleficent, “The King’s Man”, “Triangle of Sadness” dhe “Where the Craëdads Sing”, përpara se të luante dashurinë e Kidman në Babygirl. Britaniku 28-vjeçar gjithashtu mori një nominim për çmimin Bafta TV për A Murder at the End of the World.

Barry Keoghan ka ndoshta ngjashmërinë më të madhe me Beatle-n e tij, bateristin Ringo. Aktori irlandez është më i moshuari i kuartetit të aktrimit në moshën 32-vjeçare dhe është një nga yjet më të njohur në Hollywood, pasi është nominuar për një Oscar për “The Banshees of Inisherin” përpara se të drejtonte kastin e hitit kult Saltburn.

Joseph Quinn luajti Eddie Munson në sezonin e katërt të “Stranger Things” të Netflix, ishte në “A Quiet Place”: Day One dhe u shfaq së bashku me Mescal në Gladiator II. Para se të shfaqej si kitaristi Harrison, 31-vjeçari londinez do të shihet si Johnny Storm/Human Torch në “The Fantastic Four”: First Steps dhe dy filma “Avengers”.

Edhe pse disa filma të mëparshëm si “Backbeat”, “Nowhere Boy” dhe “I Wanna Hold Your Hand” kanë përshkruar “The Beatles”, kjo është hera e parë që të katër anëtarët e grupit dhe pronat e tyre kanë dhënë të drejta të plota të jetës dhe të muzikës për një film me skenar./KultPlus.com

Poezia e Asdrenit kushtuar Kosovës dhe Çamërisë, botuar në gazetën, ‘Tomori’ në vitin 1941

Poezia e Asdrenit, poetit të madh kombëtar, kushtuar Kosovës dhe Çamërisë është botuar në gazetën “Tomori” më 28 nëntor 1941, në 29-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në gazetën “Tomori” poezia është titulluar: “Shqipëria e Madhe”

Mir’ se erdhe midis nesh, o e bukura Kosovë!

Mir’ se erdhe motër, po të them dhe përsëri,

Mbas vuajtjeve  dëshmove gjatas që dhe provë

Të hysh hirplotë në gjinjt e Mëmës Shqipëri.

Me vrer në buzë prisje të gjeje pak ndihmë e dritë

Ta ngrehësh vehten prej njëj territ të pafund,

Me flijime pa numër  dhënë ditë për ditë,

Të ngopej bisha, sot përdhe, pa shpirt që u mund…

Me vargje trupin lidhur, kombi më gjakpirës

Pak frymë për të marrë vehten nuk të linte,

Të çorri faqe e sy me thonjt e tij grirës,

Me drapër gjith po korrte pleq dhe të rinj.

Dhe zëri t’ ishte shuar, lotët e syve tharë

Në fshamë e mbytur dhe në vojtje pambarim,

Ndër aq vjet s’pe një ditë pak të mbarë:

E zhveshur edhe e zbathur pa pikë përdëllim!

Një copë truall nuk të linte për jetesë

As bukë për fëmijët s’kishe për ushqim,

Dëshirë e tija: farë e jotja të mos të mbesë:

Në dhe të huaj larg të shporte me qëllim!

Mundime tmerri që s’tregohen dot me fjalë

Grabitje me pahir te gjësë pa pushim,

Në trollin tënd ai të kishte si një halë,

Çdo çast për ty s’mendonte veçse për shkatërim!

Sa burra nuk e derdhën gjakun kot së koti,

Për një të drejtë shpirt që dhanë me një plumb,

Mëshirë s’gjenin as kur binin pika loti,

Shtëpin’ e plengun zjarri kur ua bënte hi e shkrumb!

Kish heshtur kënga pleqërishte dhe dasmore

Lahutë-e fyell derthnin tingull vajtimtar,

Me drojë dilte bjeshkës vajza malësore,

Kurrkujt si qeshte buza, në aq tym e zjarr!…

Dhe ti e shetrenjta Çamëri si trime e rallë

Dikur që të ngjallej  greku pate falur gjak,

Si mirënjohje flijimi  prite plumb në ballë;

Pa faj dhe miq dëshmorë  ranë keq në lak!

Mirë se erdhe pranë Mëmës, vajzë-e dëshiruar

Plot mall o bijë e shumëvojtur Çamëri,

Në gjinjt’ e saj të ngrohtë drejt në kraharuar

Gjith po të priste pa durim me dhempshuri.

Dy bija të përmallshme, Gurë të paçmuar

Si dy florinj të ndritshëm derdhur bukuri,

Mi ball të Shqipërisë, Mëmës së-adhuruar,

Si hyj po ndritni, ju, Kosovë e  Çamëri!

Dy zotër të pashpirt me të egër se dy bisha

Mbë nj’anë serbi, fis i poshtër gjakatar

Ndaj tjetrës greku dhelpër, vrasës gënjeshtar;

Dy faqezes pa Perëndi, me kryqe-e kisha!

Me shufra dhe shuplaka, grykës dhe tërkuza,

Për ‘ta ju s’ishit veç një farë bagëti,

Ata me tallje, juve ju përcilte buza:

Po kthenje fjalë, ca më keq, si mjerë ti!

Por Ora-e fundit, Ora e tmerrit e shpërblesës

Çdo faj me të përdhunë bërë që s`e fal

Pluhur dhe hi u-bënë shkelësit e Besës

Rrufe mërije Zoti rrymën që s’ia ndal!…

Dikur Dodona plakë parathoshte Fatin

Që çdo shpirtlik e çojnë Hyjit drejt në Ferr

Dhe sot po gjith ata mizorët më të ngratin

E marrin shpagën prej njëj gjyqit që të therr!

Kur më të dobtin don e shkel me të përdhunë

Ndeh dorë lakmimtare me padrejtësi

Më shpejt a von të pret po gjith ajo furtunë

Që s’le pa mos përmbysur çdo paudhësi!

Ju me vullnet të fortin tuaj s’u-përkulët

Çdo sulm të bishës e përballtë me guxim,

Se vetëm kombet jetë-skllavë dhe shpirt-ulët

Durojnë zgjedhën qafës, pa një murmurim.

Mbërdhe përfare ranë hekurat e rënda

Përjetë-u shduk tirania që s’durohej dot

Sot flamuri kuq-zi ndeh flatrat siç i kënda

Mbi viset ku Shqiponjat motit qenë zot!

Sot Djell i ri ju ngrohn me rreze çlirimtare

Sot zgjedha e rëndë-e robërisë mori fund

Mëngjezi-i ndritshëm njaj prandvere shkëlqimtare

Mbi tokën t’uaj po përhapet me sa mund;

Sot ndër qytetet dhe katundet gazi ndjehet

Vëllazërimi-i tërë Kombit  plot hare

Me këngë dhe kremtime populli dëfrehet

Fatlum  për atë se lindi Jetë krejt e re!

Çdo Vatër e Kosovës  dhe e Çamërisë

Le të tërhidhet me vallzime të pafre

Se Terri perëndoj, arthi Drita e Lirisë

Mbi malet tona po shëndris një qiell pa re.

Që tash, o burra djem, ju mbetet juve barra

T’i bëni ballë çdo rrezikut që ju del,

Të shohë vendi i ynë ditë më të mbara

Me vrrull t’a mbroni, këmbë-armiku kur e shkel!

Me krenari vazhdoni trimërinë e motshme

Qysh nga të Parët tanë mbetur trashëgim

Hovplot forcoheni me diturit’ e sotshme

Mos merrni Fenë parasysh për një Bashkim.

Si burra plot vullnet kësaj fatlume radhe

Të bëhemi me ndihmën e të Madhit – Zot,

Një Komb i fortë në një Shqipëri të Madhe

Që mundi i aq Dëshmorëve të mos vejë kot.

Fatosavet dhe Prijsavet u-qofshim falë

Me ne, dy kombe miq, që derdhën gjak bujar

Nër luftra ngadhnjimtare zot që kanë dalë

Kurorë Nderi plot shkëlqim për çdo luftar!

 Ushtrive të lavdishme Mike dhe Mbrojtare

Me krahun e pathyershim vetëtimtar

Q ëu-shëmb  armiku më mos ngrehë krye fare:

Nderime-e Mirënjohjen t’onën, shqiptar!

Asdreni

(“Tomori” 28 nëntor 1941). /KultPlus.com

“Mirror”: Vlora e ngjashme me Costa del Sol, por pa turma turistësh

Vlora në Shqipëri është e ngjashme me Costa del Sol të Spanjës dhe ofron mot të ngrohtë dhe pamje idilike dhe duhen pak më shumë se tre orë për të mbërritur atje nga Britania e Madhe, shkruan Ashley Bautista për të përditshmen britanike “Mirror”.

Disa xhevahire më pak të njohur të Evropës po tërheqin turistët falë diellit, detit dhe peizazheve mahnitëse këtë pranverë dhe verë.

Spanja, Franca dhe Italia zakonisht mbeten destinacionet kryesore, por vendpushimet dhe brigjet e njohura të Spanjës po përjetojnë një fluks vizitorësh çdo vit. Shumë turistë janë në kërkim të disa vendeve më të qeta për një pushim.

Vlora – një qytet i mrekullueshëm – ngjan me Costa del Sol – një vendpushim popullor në Spanjë.

Më pak e mbushur me njerëz – ndërkohë që ofron plazhe të bukura dhe peizazhe piktoreske – Vlora është vendi i përsosur për të shijuar ditët me diell këtë pranverë dhe verë.

Është qyteti i tretë më i populluar në Shqipëri, i vendosur në pjesën jugore të vendit dhe i rrethuar nga ultësirat e Maleve të Vetëtimës – përgjatë brigjeve të deteve Adriatik dhe Jon.

Ky qytet i bukur ofron të gjitha kushtet për pushime ëndrrash me temperatura që variojnë nga 15 gradë Celsius deri në 23 gradë Celsius – me motin që pritet të bëhet shumë më i ngrohtë në javët e ardhshme – dhe që është vetëm tre orë e 10 minuta larg nga aeroporti i Londrës.

Rajoni shqiptar njihet edhe për vreshtat dhe kantinat e gjera të verës, ku produktet më të njohura janë “Vloshi” dhe “Shesh i Zi”.

Gastronomia e saj gjithashtu ka fituar popullaritet, pasi ndërthur shijet tradicionale shqiptare me ndikimet mesdhetare dhe italiane.

Gatimet e njohura përfshijnë; byrek, fërgesë, tavë kosi, qifqi, shëndetli, raki, pite, bakllava dhe varietete të mishit dhe prodhimeve të detit.

Aktivitetet që mund të bëni në Vlorë

Vlora njihet për plazhet e saj mahnitëse. Ujërat janë të pastra kristal dhe ka shumë restorante dhe kafene rreth bregut për vendasit dhe vizitorët.

Plazhet më të njohura janë Plazhi i Vjetër, i Radhimës dhe i Orikumit me pamje nga deti Jon.

Gjithashtu, vizitorët mund të eksplorojnë Monumentin e Pavarësisë dhe Sheshin e Flamurit, të cilat njihen si vendet ku Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në vitin 1912.

Shëtitorja e Vlorës ofron gjithashtu pamje mahnitëse të detit dhe është vendi i përsosur për të shëtitur dhe shijuar atmosferën mesdhetare.

Një nga monumentet më të famshme në Vlorë është Xhamia e Muradies, e cila daton në shekullin XVI, e njohur për arkitekturën e saj osmane.

Gjithashtu, turistët mund të vizitojnë edhe Manastirin e Zvërnecit, i cili është një vend tjetër fetar.

Për ata që janë më aventurierë, aktivitete të tjera përfshijnë udhëtime me varkë në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit – të cilat janë vendet perfekte për të eksploruar shpellat e fshehura, për të bërë zhytje dhe not.

Sidoqoftë, çmimet mund të rriten gjatë pikut të sezonit turistik, midis qershorit dhe gushtit, çmimet mund të shkojnë deri në 316 paund.

Për turistët që ende janë në mëdyshje se ku duhet të kalojnë pushimet – Vlora në Shqipëri premton një atmosferë të shkëlqyer larg zhurmës dhe kaosit të qytetit.

Gjithashtu, ky qytet bregdetar është më pak i mbushur me turistë krahasuar me destinacionet e tjera të pushimeve dhe kujt nuk do t’i pëlqente një arratisje më e qetë?/atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku përgëzon ekipin e filmit “Të gjithë e thërrasin Rexhon” për çmimin në Festivalin BIF në Bari të Italisë

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka pritur në kabinetin e tij ekipin e filmit “Të gjithë e thërrasin Rexhon”, që është fitues i çmimit për filmin më të mirë në festivalin BIF në Bari, Itali.

“I përgëzova për këtë arritje të jashtëzakonshme dhe shumë të merituar”, ka shkruar ministri Çeku.

Tutje, ai ka shkruar se ky produksion shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ku luajnë edhe dy aktorët nga Kosova, Adriana Matoshi dhe Afrim Muçaj, sjell një histori shumë të veçantë e origjinale për publikun, duke trajtuar temën e migrimit, ndërsa suksesi i tyre është një shembull i fuqisë që ka bashkëpunimi mes artistëve tanë, kudo që ndodhen./KultPlus.com