11 prilli, Dita Kombëtare e Kafshëve Shtëpiake

Dita kombëtare e kafshëve shtëpiake festohet çdo vit më 11 prill. Kjo ditë i kushtohet kafshëve shtëpiake që ne i quajmë miqtë tanë prej gëzofi. Ata janë anëtarë të veçantë të familjeve tona dhe na ofrojnë kaq shumë dashuri dhe mbështetje, sipas “The Quint”.

Kjo ditë, e njohur si Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake, ka një rëndësi të madhe për të njohur dashurinë dhe mbështetjen e pafundme që kafshët tona të dashura ofrojnë si anëtarë të familjeve tona.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve Kafshe ka fituar njohje globale, duke bashkuar adhuruesit e kafshëve në mbarë botën në përpjekjet e tyre për të promovuar adoptimin dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin e përgjegjshëm të kafshëve shtëpiake.

Historia e Ditës Kombëtare të Kafshëve shtëpiake daton që nga viti 2006, kur Colleen Paige themeloi Ditën Kombëtare të Kafshëve.

Ajo ishte një avokate e mirëqenies së kafshëve që ia kishte kushtuar punën e saj përmirësimit të jetës së kafshëve shtëpiake përmes shpëtimit dhe birësimit.

Paige fillimisht u nis për të festuar gëzimin që mund të na sjellin kafshët shtëpiake, por ajo gjithashtu donte të rriste ndërgjegjësimin për çështjen e kafshëve shtëpiake që jetojnë në strehimore dhe nevojën për birësim.

Sot, Dita Kombëtare e Kafshëve shtëpiake festohet nga adhuruesit e kafshëve në të gjithë botën. Kjo ditë shërben për të treguar vlerësimin për kafshët shtëpiake dhe për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e birësimit dhe kujdesit të kafshëve./ KultPlus.com

‘O moj Shqypni, e mjera Shqypni…’

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush të ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Franz Kafka: Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato!

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

KultPlus sot ju sjell disa nga theniet m ëtë mira të Kafkës:

Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

E ligë është çdo gjë dëfryese.

Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

“Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

Thënie të të huajve për Skënderbeun, “Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë”

Mit, strateg, hero i kombit, shqiptari më i famshëm në histori, është Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot, kemi zgjedhur thënie, vlerësime, përcaktime dhe përfundime që janë bërë për figurën e tij. Studiues, historianë, ushtarakë, shkrimtarë, filozofë, gazetarë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët jetojnë ose jo, i kemi bërë bashkë në një formë të përmbledhur tashmë, se çfarë menduan dhe çfarë mendojnë për Skënderbeun. Dy Papë, mbretëresha Elisabetë e Anglisë, Sulltan Mehmeti, shkrimtari francez, Volter, deri te Aleks Buda, Artan Fuga, Ismail Kadare, Marin Barleti, Gjergj Zheji dhe Faik Konica. Një udhëtim, jo vetëm në histori, por edhe në mendimin shqiptar dhe botëror, për heroin tonë kombëtar. Sigurisht, mes tyre ka edhe kundërshti dhe debat.

Papa Kalikst i III

“Si një pendë e patundshme, Gjergj Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!

Papa Piu I II

“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”

Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në librin e lutjeve, botuar më 1559

“17 janar. Si sot, vdiq princi i mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.

Sulltan Mehmeti II

“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë një luan i tillë!”

Voltaire, (Volter) François-Marie Arouet, shkrimtar francez

“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.

Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i Kebekut

“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!” 

Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi “Virtytin heroik”

“Skënderbeu është një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve… Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi, mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”

Thomas Townshend, sekretar i Britanisë për Luftën

“Njohuri të mëdha të artit ushtarak, mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”

Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia

“Është e kotë të kërkosh dokumente në Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”

Kostandin Jiriçek, historian dhe albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”

“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.” / KultPus.com

Ç’ke moj zemër që rënkon!

Poezi nga Ali Asllani

Ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtatë sqepe!

Duke blerë e shitur erë, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte verë,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut të dikurshëm vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Në një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, në një xhep e dy flamurë
E hedh këmbën me daulle edhe turk edhe kaur!

Na të urt’ e të mëndafshtë s’qemë të zot të bënim zë
Ku fillon më thash e theme hij’ e vetës të përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon në gji të gjembit të këndoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thellë, di të vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?! / KultPlus.com

Fransis Bekon: Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia

Francis Bacon, Vikonti i Parë St Alban, ishte një burrë shteti, avokat dhe filozof anglez, i konsideruar si një figurë me ndikim në revolucionin shkencor. Një shkrimtar elokuent, ai shkroi gjerësisht për tema që varionin nga ligji dhe feja deri te politika dhe etika bashkëkohore. Djali i Sir Nicholas Bacon dhe Anne, një studiues, ai u rrit në një mjedis që vlerësonte edukimin dhe diskutimet intelektuale. Ai u arsimua në Universitetin e Kembrixhit. Ai u kualifikua si avokat dhe ndoqi një karrierë juridike për disa kohë përpara se të futej në politikë. Me kalimin e viteve, ai u bë i njohur si një reformator me mendje liberale, i cili kundërshtoi privilegjet feudale dhe pushtetet diktatoriale. Ai ishte gjithashtu kundër persekutimit fetar. Ai kishte lidhje të ngushta me familjen mbretërore dhe vazhdoi të bëhej këshilltari i parë i Mbretëreshës. Ai përfundimisht u emërua prokuror i përgjithshëm gjatë mbretërimit të James I dhe vazhdoi të rritet në shtat në vitet e ardhshme. Pavarësisht se kishte një karrierë të suksesshme dhe një pozicion pushteti në shoqëri, ai ishte i rrënuar nga problemet financiare. Ai ra në borxhe të thella dhe u akuzua për disa raste korrupsioni, pas të cilave karriera e tij e profilit të lartë përfundoi në turp. Si filozof, ai la pas një trashëgimi të pasur në vepra shkencore, juridike, fetare e letrare.

*** Nga të gjitha cilësitë e larta të mendjes, më e madhja është mirësia, është cilësi e karakterit Hyjnor; dhe pa mirësinë, njeriu është i mërzitshëm, bajat, një send pa vlerë.

*** Lexo jo për kundërvënie dhe ngatërrime, as për të besuar dhe për t’i marrë kallëp gjërat…por për të shoshitur dhe për të vlerësuar.

*** Rruga e fatit është si Rruga e Qumështit në qiell; e cila përbëhet nga një numër yjesh të vegjël, të cilët nuk dallohen prej njëri tjetrit, por që japin dritë së bashku: ashtu është edhe numri i virtuteteve të vogla dhe të pavlera apo i aftësive dhe i shprehive që i bëjnë njerëzit me fat.

*** Mosha duket se është më e mira në katër gjëra: druri i vjetër është më i miri për t’u djegur, vera e vjetër është më e mira për t’u pirë, miqtë e vjetë janë më të mirët për t’iu besuar dhe autorët e vjetër janë më të mirët për t’i lexuar.

*** Jeta e një beqari është një mëngjes i shijshëm, një drekë bajate dhe një darkë e mjerë.

*** Njerëzit duhet ta dinë se në këtë teatër të jetës së njeriut, vetëm Zotit dhe engjejve iu është rezervuar vendi i spektatorëve.

*** Ai që jep këshilla të mira, ndërton me një dorë; ai që jep këshilla të mira dhe shembull të mirë, ndërton me të dyja; por ai që jep këshilla të mia dhe shembull të keq, ndëron me një dorë dhe prish me tjetrën.

*** Nëse njeriu fillon me qartësi, ai do të përfundojë me dyshime, por nëse është i kënaqur t’ia fillojë me dyshime, do të përfundojë me qartësi.

*** Fantazia i është dhënë njeriut për të plotësuar atë çfarë ai nuk është; sensi i humorit i është dhënë që ta ngushëllojë për çfarë ai është.

AlbertVataj/KultPlus.com

Kosovës

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

113 vite më parë ”Titanic”-u nisi udhëtimin e parë dhe të fundit

Më 10 prill 1912, ”Titanic”-u u nis nga Southampton, pak pas mesditës, duke nisur zyrtarisht udhëtimin e tij të parë, por tragjik.

Pas nisjes nga Southampton-i, rreth 1 846 njerëz ishin në bord që, përbënin shumicën e kapacitetit maksimal të anijes prej 3 547 personash.

Duke u nisur nga Southampton-i, ”Titanic”-u pati një vonesë të vogël, kur sasia masive e ujit që anija zhvendoste pothuajse shkaktoi një përplasje me anijen ”SS New York”.

Ajo u ankorua më vonë në Cherbourg, Francë, rreth orës 18:30 për të marrë më shumë pasagjerë.

Anijet ”SS Nomadic” dhe ”SS Traffic” transportuan grupin tjetër të pasagjerëve në anijen luksoze.

Dyqind e tetëdhjetë e një pasagjerë hipën në Francë, 151 ishin të klasit të parë, 28 ishin të klasit të dytë dhe 102 ishin të klasit të tretë.

Njëzet e katër pasagjerë zbritën nga ”Titanic”-u në Cherbourg pasi udhëtimi i tyre kishte përfunduar.

Shumë nga pasagjerët më të pasur dhe më të famshëm të anijes hipën në Cherbourg.

”Titanic Belfast” raportonte se ”vetëm 21 nga ata që hipën në Cherbourg ishin francezë, me pjesën tjetër nga SHBA, Anglia, Belgjika, Kanadaja, Kroacia, Greqia, Italia, Libani, Polonia, Rusia, Siria dhe Uruguaji.

“Në anije ndodheshin produkte luksoze franceze si shampanjë, verë dhe djathra, përfshirë  34 000 kilogramë mish, 15 000 shishe birrë, 10 000 shishe verë dhe 12 000 shishe ujë mineral”, shkruan ”Titanic Belfast”.

Anija u ankorua në Cherbourg për vetëm disa orë përpara se të nisej, rreth orës 20:10,  për në Queenstown, në Irlandë, në ndalimin e saj të fundit përpara se të nisej për në SHBA dhe të mos kthehej më kurrë./ atsh / KultPlus.com

Anija Art Explora, Rama: Durrësi me statusin “port arti” për 10 ditë

Kryeministri Edi Rama ka vizituar nga afër anijen “Art Explora” duke u njohur me gjithë gamën e aktiviteteve kulturore që do të ofrohen për dhjetë ditë në qytetin bregdetar të Durrësit, nga ekspozita, te shfaqjet artistike, festivalet dhe koncertet, duke synuar që ta sjellë artin më afër publikut shqiptar.

Kryeministri Rama ka ndarë një video në rrjetet sociale, i shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirana Sako, kreu i fondacionit francez “Art Explora”, Frédéric Jousset, ministri francez për Evropën Benjamin Haddad dhe organizatorë të tjerë të aktivitetit, ndërsa e ka cilësuar “anijen “Art Explora” një eksperiencë unike, që i jep Durrësit për dhjetë ditë me radhë statusin e një porti arti”.

Qyteti i Durrësit mirëpret kështu një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.

Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.

Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare./atsh/KultPlus.com

“Këtu s’do jem do jem larguar, në tokë i tretur si të tjerët’

Poezia e famshme e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.

Këtu s’do jem do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët

Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë

Ti do trishtohesh atëherë
Se s’do me kesh në dhome të gjallë
Dhe kur në xham të fryje erë
Do qash me erën dalëngadalë

Por kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Aty do jem i fshehur unë
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do të zbres do t’vi pranë teje
Ti si dikur me mall do qeshësh
Si një blerim pas një rëkeje./KultPlus.com

Fituese e çmimit “Top Teacher Award 2024”, Adea Badivuku shpalos sukseset në fushën e pedagogjisë dhe rrugëtimin si pianiste

Flonja Haxhaj

Pianistja kosovare, Adea Badivuku, po vazhdon përkushtimin e saj dhe punën drejt suksesit në fushën ndërkombëtare. Në një rrugëtim të frymëzuar nga pasioni dhe përkushtimi ndaj muzikës, Badivuku po shkëlqen jo vetëm si interpretuese, por edhe si pedagoge e dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Ajo së fundi, në një intervistë për KultPlus, ka rrëfyer për sukseset e saj të vitit 2024 dhe për planet që e presin gjatë këtij viti, arritje këto që e pozicionojnë atë si një emër të rëndësishëm në fushën e pedagogjisë muzikore ndërkombëtare.

Puna e saj e palodhshme si mentore ka marrë vlerësim edhe nga një prej emrave më prestigjioz në botën e pianos. Ajo është përzgjedhur si fituese e çmimit “Mësuesja e vitit për vitin 2024” nga Steinëay & Sons, një çmim që ndahet për një numër të kufizuar pedagogësh në SHBA për kontributin e tyre të spikatur.

“Ndjej një nder të veçantë që jam përzgjedhur për këtë çmim nga një institucion kaq i respektuar si Steinëay & Sons”, theksoi Badivuku.

Po ashtu, një sukses tjetër i Badivukut, i arritur së fundi është është edhe çertifikimi kombëtar si Mësuese Muzike në Piano nga Music Teachers National Association (MTNA) – një njohje e lartë që reflekton standardin maksimal të profesionalizmit në edukimin muzikor në SHBA.

Ajo në intervistën e saj shprehet e lumtur për këtë çertifikim dhe dyert që hap ky hap i rëndësishëm për të.

“Ky çertifikim është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin tim si pedagoge dhe një konfirmim i përkushtimit tim ndaj mësimdhënies dhe zhvillimit të studentëve të mi,” thotë Badivuku.

Përveç angazhimit në mësimdhënie, Badivuku mbetet aktive edhe në sferën kërkimore dhe performuese. Në korrik, ajo do të përfaqësojë Kosovën në National Conference on Keyboard Pedagogy (NCKP) në Çikago, një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e pedagogjisë pianistike.

“Prezantimi im do të trajtojë teknikat e zgjeruara në piano dhe lidhjen mes gjuhës trupore dhe interpretimit bashkëkohor. Synoj të ndaj qasje të reja që lidhin gjuhën trupore me shprehjen muzikore në repertorin kontemporan,” thotë Badivuku, duke shtuar më tutje se pret që ky prezantim të tërheqë vëmendje të veçantë.

 Po ashtu, suksese e Badivukut, nuk përfundojnë më kaq. Një tjetër hap të rëndësishëm ndërkombëtar, Badivuku është përzgjedhur të marrë pjesë në laboratorin ndërdisiplinor “Spatial Spheres: 3D-Audio Art Lab” në Gjermani, ku artistë dhe studiues nga mbarë bota eksplorojnë mundësitë e reja të artit të tingullit në hapësira tredimensionale.

Me një profil gjithnjë e më të dukshëm në botën muzikore, Adea Badivuku mbetet një shembull frymëzimi për të rinjtë kosovarë dhe një zë i rëndësishëm në fushën ndërkombëtare të muzikës dhe edukimit artistik.

Aktualisht, ajo është në përfundim të studimeve të doktoraturës në Piano Performance në Universitetin e Nevadës në Reno, dhe po përgatitet për mbrojtjen e disertacionit të saj.

 “Ky kapitull i rëndësishëm përmbyll një periudhë intensive studimi dhe më jep një shtysë të re për të vazhduar misionin tim si performuese dhe pedagoge e përkushtuar e muzikës pianistike,” përmbyll Badivuku për KultPlus./KultPlus.com

Ministri Çeku: Pallati i Rinisë dhe Sporteve po bëhet

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njotuar është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Bankën Evropiane për Investime  dhe Ndërmarrjen Lokale Publike “Pallati i Rinisë”- si partnere e MKRS, për mbështetjen teknike në vlerë prej 500 mijë euro për hartim të projektit të revitalizimit të plotë të “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, përfshirë këtu edhe sallën e djegur, përcjell KultPlus.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e ministrit Çeku:

Pallati i Rinisë dhe Sporteve po bëhet 💙

Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Bankën Evropiane për Investime (EIB Global) dhe Ndërmarrjen Lokale Publike “Pallati i Rinisë”- si partnere e MKRS, për mbështetjen teknike në vlerë prej 500 mijë euro për hartim të projektit të revitalizimit të plotë të “Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, përfshirë këtu edhe sallën e djegur.

Kjo marrëveshje hap rrugën drejt financimit të plotë për rinovimin, modernizimin dhe funksionalizim e këtij kompleksi ikonik– aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore, duke e kthyer atë në një qendër bashkëkohore dhe multifunksionale, të gatshme për të mirëpritur Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030./KultPlus.com

Ministria e Kulturës akuzon Komunën e Prishtinës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore

Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media ku është akuzuar Komuna e Prishtinës për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni njoftimin e Ministrisë së Kulturës:

Në Ministrinë e Kulturës, sot është mbajtur konferencë për media lidhur me ndërhyrjet e paligjshme të Komunës së Prishtinës, në zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore.

Në konferencë u paraqitën sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, Rreze Loxha-Vitaku, drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Edona Durguti, dhe U.D. i departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Bari Zenelaj.

Fjalimi i plotë i sekretarit Bislim Bislimi:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot në këtë konferencë për shtyp të ftuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me qëllim të qartësimit të opinionit publik për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës, me ç’rast, në mënyrë të përsëritur kemi shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore nga ana e Komunës së Prishtinës derisa vazhdojnë të ndërhyjnë në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore të cilat i nënshtrohen dispozitave ligjore, pa marrë leje nga institucioni kompetent sikurse e përcakton Ligji edhe përkundër paralajmërimeve tona.

Sot me mua në këtë konferencë është edhe kryeinspektori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore z. Imer Hakaj, Drejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, znj. Rreze Loxha Vitaku si dhe Drejtoresha e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, znj. Edona Durguti, respektivisht institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore që kanë mandat të përcaktuar me ligj për të vepruar në emër të administratës shtetërore, sa herë që cenohet Ligji për Trashëgimi Kulturore.

MKRS disa herë përmes shkresave nga institucionet e trashëgimisë kulturore si Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, i është drejtuar Komunës së Prishtinës me kërkesën për bashkëpunim në rastet e ndërhyrjeve nga Komuna nëpër asete dhe zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore. Nga ana tjetër, MKRS me shkresen e datës 18.12.2024 të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS –së, u është drejtuar kryetarëve të komunave me një letër që kërkon nga ta, të përmbahen nga veprimet administrative që trajtojnë ndërhyrje nëpër asete apo zona mbrojtëse, pa leje të shkruar nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore. 

Komuna e Prishtinës, kohëve të fundit, siç duket me qëllim është duke e shmangur ligjin dhe atë në disa raste radhazi:

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë;

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e zbatimit të punëve në Sheshin George Bush;

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij në projektin e rrugës “Agim Ramadani”,

– Zhvillimi i projektit, prokurimi i tij dhe nisja e punëve në Rrugën “Rexhep Luci”, që të gjitha këto ndërhyrje pa leje të shkruar derisa dihet se janë sipërfaqe të mbrojtura të trashëgimisë kulturore ku ndërhyrjet janë të kontrolluara dhe mund të lejohen vetëm me leje të shkruar nga institucioni kompetent.

MKRS konsideron se këto veprime derisa janë të përsëritura i vlerëson si të qëllimshme nga ana e Komunës së Prishtinës dhe me precendent të rrezikshëm për palët tjera në Republikën e Kosovës duke inkuarjuar paligjshmëri dhe rrezik të drejtpërdrejtë për vlerat e trashëgimisë kulturore si vlera të mbrojtura me Kushtetutën e vendit dhe me ligjet në fuqi.

MKRS si institucion përgjegjës për rregullimin dhe menaxhimin publik të fushës së trashëgimisë kulturore, ka analizuar me kujdes edhe implikimin ligjor të veprimeve të tilla nga ana e Komunës. Këto veprime, përvec të kundërligjshme në kuptimin e dispozitave të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, janë të parashikuara edhe me Kodin Penal si vepra penale përkatësisht me nenin 354 dhe 355 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, përveç përpjekjeve të vazhdueshme e të dokumentushme të MKRS për të vendosur bashkëpunim ndërinstitucional në funksion të zbatimit të ligjit kur janë përmbushur kushtet, institucionet tona ka ndërmarrë masa administrative në drejtim të ushtrimit të mandatit ligjor, për të parandaluar veprime të palejuara. Konkretisht Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndaluar punimet e paautorizuara dhe të kundërligjshme sipas mandatit të tij të përcaktuar qartësisht me aktet normative në fuqi.

Nga ana tjetër, deri më tani, MKRS ka referuar dy shkresa të arsyetuara në organet e ndjekjes penale në Republikën e Kosovës për veprime të kundërligjshme nga Komuna e Prishtinës.

Në lidhje me projektin e lidhjes së Lagjes Arbëria me Pllatonë e Pallatit të Rinisë, më datë 27.12.2024, MKRS ka kallëzuar penalisht kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama në Prokurorinë Speciale të RKS. Kjo për faktin se përvec zhvillimit të projektit dhe kontraktimit të tij për ekzekutim në zonë mbrojtëse të asetit, e inkriminuar penalisht në kuptim të nenit 355 të Kodit Penal, i njëjti ka vepruar në drejtim të vënies nën detyrim kontraktual të një shume prej 6.5 milionë eurosh në një projekt të pa maturuar ligjërisht me cka direkt e rrezikon buxhetin publik gjithashtu edhe ka vepruar në drejtim të kryerjes së punëve në një pronë që tashmë Komuna i kishte ndarë MKRS –së për shfrytëzim afatgjatë, për realizimin e TOB.

E njëjta situatë tashmë ka ndodhur edhe në rastin e projektit të Sheshit George Bush, Rrugës “Agim Ramadani” dhe Rrugës “Rexhep Luci”.

Duke e vlerësuar përsëritjen e vazhdueshme të veprimeve të tilla nga Komuna e Prishtinës, MKRS më datë 02.04.2025, ka bërë kërkesën e radhës për fillimin e hetimeve në Departamentin e Hetimeve në Policinë e Kosovës. Sikurse u tha më lartë, këto veprime në kuptimin e mbrojtjes ligjore të trashëgimisë kulturore, janë të inkriminueshme si vepra të vecanta penale sipas Kodit Penal. Megjithatë, MKRS vlerëson se derisa kemi një shumë financiare dhjetëra milionëshe të krijuara si detyrim kontraktual në projekte që janë në shkelje të ligjeve në fuqi nga Komuna, konsideron se kjo poashtu paraqet rrezik për shkaktimin e qëllimshëm të situatave kur këto shuma, do të konsideroheshin të përmbarueshme nga operatorët ekonomik duke i shkaktuar një dëm dhjetëra milionësh buxhetit të Komunës. I takon organeve të drejtësisë të ndriçojnë këto rrethana të lidhjes së këtyre kontratave nëse janë apo jo të qëllimshme derisa janë kaq shpesh të përsëritura dhe kaq të qarta.

Sqarojmë poashtu se Komuna e Prishtinës, i ka mjaft mirë të njohura procedurat e pajisjes me leje dhe pëlqime nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore sepse në të kaluarën kanë bashkëpunuar dhe janë pajisur me leje dhe pëlqime për projekte të ndryshme si: Rruga model, ndërtesa e ish Gërmisë, rruga për fëmijë afër Shkollës “Elena Gjika”, projekti për restaurimin e ndërtesës së Shkollës “Sami Frashëri” etj.

MKRS është e përkushtuar që në cdo rast, të sigurojë zbatimin e obligimeve të saj ligjore për të vepruar ndaj kujtëdo që cenon Ligjin e rrezikon vlerat e trashëgimisë kulturore, ndërsa veprimet e kryetarit të Komunës për të ushtruar një kallëzim penal të rremë ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore, i vlerëson si përpjekje për manipulim të opinionit dhe keqpërdorim të mjeteve e mekanizmave juridik në dispozicion sic duket të vetëdijshëm se vet ndodhen në shkelje të rëndë të të gjitha ligjeve që rregullojnë ndërhyrjet dhe zhvillimet në zona mbrojtëse të trashëgimisë kulturore.

Ne, na vjen keq që kryeqyteti ynë udhëhiqet nga shembuj kaq brutal të shkeljes së ligjit, rrezikimit të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe të fondeve publike.

Ne presim nga organet e ndjekjes penale që të veprojnë sa më shpejt që është e mundur në drejtim të marrjes në përgjegjësi të atyre që kanë prodhuar situatat e tilla në mënyrë që shembuj kaq të qartë të shkeljeve të interesit publik, të dekurajohen./KultPlus.com

Anulohet repriza e shfaqjes “Të Turpëruarit”

Është anuluar repriza e shfaqjes ‘Të turpëruarit’, e cila ka qenë e planifikuar të shfaqet nesër të Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se ky vendim është marrë për shkak të arsyeve shëndetësore të njërit prej aktorëve.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e TKK-së:

Anulohet repriza e shfaqjes “Të Turpëruarit”

Ju njoftojmë se shfaqja “Të Turpëruarit”, e planifikuar për datën 11 prill 2025, anulohet për shkak të arsyeve shëndetësore të njërit prej aktorëve.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin./KultPlus.com

Rikthehen Javët Kulturore Ndërkombëtare

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi përmes rrjeteve sociale rikthimin e Javëve Kulturore Ndërkombëtare majin e këtij viti.

“Pas një udhëtimi të paharrueshëm me edicionin e tretë, ku 21 shtete, 252 aktivitete dhe 364 artistë sollën energjinë, artin dhe shpirtin e tyre në Shqipëri, Javët Kulturore Ndërkombëtare 2025 rikthehen për sezonin e katërt”, shkroi ministri Gonxhja.

Ministri nuk i ka zbuluar surprizat e këtij edicioni por ftoi artdashësit të ndjekin këto aktivitete të cilat do të jenë si një festë e kulturës, artit dhe traditave nga e gjithë bota, qe do të mbushë skenat tona me emocione dhe kreativitet.

“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, është një platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që sjell një seri veprimtarish, të cilat kanë si qëllim njohjen dhe përqafimin nga publiku të kulturave të ndryshme botërore.

Çdo javë i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve që përcjellin më së miri pasurinë e këtyre kulturave përmes filmave, melodive, arkitekturës, kostumeve, kulinarisë dhe trashëgimisë. JKN është një paradë kulturore që shtrihet prej majit e deri në nëntor./ KultPlus.com

“Gladius”, dokumentari që rrëfen gjyqin special dhe fillimin e terrorit komunist

“Gladius” titullohet dokumentari, premiera e të cilit u shfaq mbrëmë në Destil Creative Hub. Dokumentari është një rrëfim tronditës mbi gjyqin special të vitit 1945 dhe fillimin e terrorit komunist në Shqipëri.

Autorët e tij, Viron Roboçi dhe Besmira Pelushaj sollën një qasje të re mbi një nga ngjarjet më të errëta të pasluftës në Shqipëri. Për realizimin e këtij dokumentari autorët shfrytëzuan edhe fondin e arkivit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

“Gjyqi (jo) Special” siç është edhe nëntitulli i veprës, eksploron realitetin tronditës të një procesi të orkestruar politikisht, të njohur si “gjyqi special”, i cili u zhvillua në Tiranë menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Gladius” ngre një paralelizëm të fuqishëm mes ndeshjeve te gladiatorëve në Romën e lashtë dhe këtij gjyqi që shërbeu si një spektakël i dhunshëm me dënime të paracaktuara për 60 intelektualë të kohës, me qëllim eliminimin e tyre dhe intimidimin e pjesës tjetër të elitës politike, veprimtarëve dhe çdo individi me influencë.

“Gladius” ndërthur materialet arkivore, pamjet autentike dokumentare dhe inskenimet artistike, duke i dhënë zë procesit të shpejtë dhe të padrejtë që çoi në ekzekutimin e 17 personave dhe në ndëshkimin me 715 vite burg në total, për të akuzuarit e tjerë. Asnjë nga 17 të ekzekutuarit nuk ka ende sot një vend varri.

Dokumentari u realizua me mbështetjen e “Fondacioni Konrad Adenauer” (KAS Albania) në bashkëpunim me “United Rights Foundation”./atsh/ KultPlus.com

Sytë e tu

Poezi nga Oktavio Paz

Sytë e tu janë atdheu prej vetëtime dhe lotësh,
heshtje që flet,
stuhi pa erë, 
det pa dallgë,
zogj të burgosur, 
bisha të praruara të fjetura,
topaz të pafe si e vërteta,
vjeshtë në një hapësirë
pylli ku drita në të këndon,
sup i një peme dhe të gjitha gjethet e saj zogj janë, 
plazh që mëngjesi takon mbushur me sy,
shportë me fruta zjarri,
gënjështër që ushqen,
pasqyra të kësaj bote, 
dyer të atje përtej,
valëzim i qetë i detit në mesditë,
absolut që përpëlitet,
një vesë shi./ KultPlus.com

‘Maroma nji kafe, dalëngadalë ta pi, se më ka ardhë letra për me shku n’ushtri’ (VIDEO)

Qamili i Vogël – Muhaxhiri është këngëtar shqiptar i muzikës popullore qytetare.

Ai ka lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1923. Pas një frymëzimi nga muzika tiranse, ai së bashku me Ymer Rizën themeluan Shoqëri Kulturo-Artisike anembanë Kosovës, duke dhënë një kontribut të madh për këngën dhe muzikën shqipe.

Qamili i Vogël ishte këngëtari më emblematik i shek. XX në të gjitha hapsirat shqiptare e më gjërë. Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër i përvetësoi të gjitha shtresat shoqërore.

Tahir Drenica, Mazllom Mezini, Bajrush Doda, Ismet Peja, Hashim Shala, Nexhmije Pagarusha, janë disa emra me të cilët ai kishte kënduar përgjatë rrugëtimit të tij artistik.

Zëri dhe kontributi i tij në sferën e muzikës shqiptare do të mbeten të paharruara.

Ai vdiq në vitin 1992.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën “Maroma nji kafe”:

Maroma nji kafe
Dalëngadalë ta pi
Se më ka ardhë letra
Për me shku n’ushtri

Ani shuj bre djale
Çka m’kallxove ti
Tash na vjen pranvera
Çka do t’baj pa ty

Ushtar unë po shkoj
E ty po t’la në shpi
Për mall po t’i la
Sahat e allti

Për mu kur t’merr malli
Ty mor djal i ri
Merr shkruma nji letër
Pashë dy sytë e mi

Vijnë shoqet e mija
ditë për ditë me lu
Une dal n’dritare
Për ty tuj mendu

Vitet po kalojne
Koha s’asht tuj shku
E mora nji leter
Ty për me ta shkru./ KultPlus.com

“12 burra të zemëruar”, premierë në skenën e Teatrit Kombëtar

Drama amerikane “12 burra të zemëruar” (12 angry men) e Reginald Rose, pati mbrëmë premierën në skenën e Teatrit Kombëtar me regjinë e Albert Mingës. Publiku tregoi një interes të veçantë ndaj kësaj vepre, biletat e së cilës u shitën në kohë rekord.

Regjisori Albert Minga është shprehur për mediet se e ka sjellë këtë vepër për mesazhet që jep autori, të cilat “ngjisin” me mjedisin shqiptar.

Shfaqja eksploron diskutimet e një jurie të një gjyqi për vrasje, në të cilin një duzinë burrash vendosin fatin e një adoleshenti të akuzuar për vrasjen e babait të tij abuziv. Në fillim, ata janë pothuajse unanim në përfundimin se rinia është fajtore, e ndikuar nga prejardhja dhe edukimi i tyre. Por një burrë kundërshton, duke e shpallur atë “të pafajshëm” dhe duke mbjellë një farë dyshimi të arsyeshëm. Përfundimisht, ai bind anëtarët e tjerë të jurisë që të shikojnë përtej paragjykimeve të tyre personale dhe të mbështesin një vendim unanim “të pafajshëm”.

Në shfaqje interpretuan disa prej aktorëve më të vlerësuar të skenës shqiptare: Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Alfred Trebicka, Sokol Angjeli, Ligoraq Riza, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Donald Shehu, Igli Zarka.

Shfaqja u vu në skenë për herë të parë në San Francisko në vitin 1955. Fillimisht ajo ishte një shfaqje televizive, që më tutje u transformua në film por edhe në shfaqje në Broadway./atsh/KultPlus.com

Rexhep Qosja shpallet fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”

Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024.

Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës. Juria e kryesuar nga Belina Budini, me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga dhe Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.

Nëpërmjet një videomesazhi, Rexhep Qosja falënderoi përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, si edhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për çmimin “Lumo Skëndo”.

“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, u shpreh akademik Qosja, i cili më pas ngriti lart figurën e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës.

Ky çmim shihet si një vlerësim për të nxjerrë në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj. /KultPlus.com

Tempulli antik në fshatin Shtyllas, trashëgimi kulturore rrethuar nga natyrë piktoreske

Tempulli antik i Shtyllasit, në Fier, është një monument i trashëgimisë kulturore, i kategorisë I, ndodhur pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale pamje të Tempullit që gjendet në një kodrinë, në një mjedis të rrethuar nga gjelbërimi.

“Tempulli antik i Shtyllasit, në Fier, një trashëgimi kulturore, rrethuar nga një natyrë piktoreske”, shkroi Balluku.

Gërmimi arkeologjik dhe zbulimet e kryera, disa vite më parë sjellin dëshmi autentike të një tempulli antik, rreth 2500-vjeçar, i cili ruan plotësisht bazamentin e tij, ku hamendësimet e para janë për përmasa rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të zonës, si një prej Tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon.

Hamendësimet për kolonën që i ka dhënë emrin fshatit Shtyllas në Fier janë për një sipërfaqe rreth 1000 m2. Funksioni i tij ishte për shërbesat religjioze të qytetit antik të Apolonisë, si një prej tempujve ndër më të rëndësishmit në rajon duke qenë edhe afër portit lumor të qytetit. / KultPlus.com

Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare

Më 10 prill 1921 lindi Mustafa Krantja, i pari dirigjent i Filarmonisë Shqiptare dhe më pas i Teatrit të Operas dhe Baletit.

Krantja hodhi bazat e dirigjimit operistik në vend, duke u bërë drejtues i mjaft koncerteve, operave dhe baleteve të para, që Teatri i Operas e Baletit vuri në skenë.

Gjatë disa dekadave drejtoi një numër të madh premierash të kompozitorëve shqiptarë dhe të kompozitorëve botërorë në të gjitha gjinitë, që nga kënga deri tek opera e baleti, ndër të cilat: “Rusallka” (operën e parë të vënë në skenë në Shqipëri); “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Traviata” etj.

Kontributi i tij ka vijuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, Orkestrën e Konservatorit Shtetëror të Tiranës dhe si pedagog i dirigjimit në Institutin e Lartë të Arteve.

Krantja njihet gjithashtu si kompozitor i mjaft veprave muzikore, vokale e simfonike dhe një publicist i palodhur, nga pena e të cilit kanë dalë një numër i madh artikujsh të ndryshëm të artit muzikor, emisione të ndryshme televizive e intervista.

Për karrierën e tij artistike është nderuar me çmime, urdhra e medalje të shumta, si: Urdhri i Punës të klasit të parë dhe të dytë; Urdhri “Naim Frashëri” i klasit të Parë, titulli “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, medalja e nderit nga Opera e Bakut, medalja “Anëtar Nderi i Përjetshëm” e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Artit dhe Letërsisë me seli në qytetin e Brindizit (Itali), medalja “A. Dvorzhak” nga Ministri i Kulturës i Republikës Çeke, si edhe mban titullin e lartë “Nder i Kombit”. / KultPlus.com

Kalaja e Rozafës, destinacion i turistëve në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shkodra, ku numri i turistëve që vizitojnë kalanë e Rozafës dhe bukuritë e tjera të qytetit verior është rritur ndjeshëm vitet e fundit, falë edhe investimeve të qeverisë.

Turistët në Shkodër ndalen në kala për një vizitë ndërsa ndodhen qoftë edhe tranzit drejt veriut të vendit. Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.

Parku Arkeologjik Shkodër gjatë dy muajve të parë të vitit 2025 ka mirëpritur mbi 4,700 vizitorë, 27% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.

Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Rozafati, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.

Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.

Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të./ KultPlus.com

Bill Gates: Ky është i vetmi profesion që Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë

“Inteligjenca Artificiale nuk është këtu për të marrë vendet e punës të programuesve, por për t’i transformuar ato. Ata që e adoptojnë si një mjet shtesë do të gjejnë se ajo zgjeron mundësitë e tyre dhe hap dyer të reja. Megjithatë, kjo kërkon përshtatje: të mësojnë rreth AI-së, të kuptojnë kufizimet e saj dhe ta përdorin strategjikisht”.

Bill Gates, një nga vizionarët më të mëdhenj të inovacionit, beson se profesioni i programuesve është një nga ato që nuk do të ndikohen negativisht nga zhvillimi i kësaj teknologjie. AI ka ndryshuar mënyrën se si shkruhet dhe optimizohet kodi, duke sjellë mjete si GitHub Copilot që sugjerojnë linja kodesh dhe blloqe të plota, duke kursyer kohë në detyra rutinë.

Ky zhvillim ka rritur produktivitetin, duke mundësuar që programuesit të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve më komplekse dhe kreative, ndërsa AI merr përsipër krijimin e dokumentacionit dhe testimin automatik. Gjithashtu, inteligjenca artificiale i ndihmon ata me më pak përvojë teknike të shkruajnë kode funksionale, duke rritur konkurrencën në tregun e punës.

Megjithatë, programuesit ende mbeten të domosdoshëm për projektimin e sistemeve, kuptimin e kërkesave dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme. Siç thotë Gates, programimi kërkon kreativitet, gjykim dhe një kuptim të thellë të problemeve reale, aftësi që AI ende nuk i ka integruar plotësisht./ KultPlus.com