Mbrëmjen e 25 Tetorit, në sallën “Koliqi” pranë Bibliotekës Publike “Marin Barleti” u mbajt ngjarja letrare “Letërsia, përtej…”
Në qendër të kësaj ngjarje ishte shkrimtari i mirënjohur Ridvan Dibra dhe shkrimtari i ri Andreas Dushi.
Aktiviteti ishte organizuar në formën e një bisede me të dy autorët, Dibra dhe Dushi. Lidhur me veprën letrare të këtyre autorëve folën poetja dhe studiuesja e re Klevisa Bardeli, shkrimtari Liridon Mulaj, shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati.
Në mbyllje të takimit, Biblioteka Publike “Marin Barleti” dorëzoi çmimet: “Koliqi” Çmimi i Karrierës, për shkrimtarin Ridvan Dibra dhe “Koliqi” Çmimi për Shkrimtarin e Ri, Andreas Dushit. Këto çmime u bënë të mundura me mbështetjen e zotëri Admir Lani, i cili jeton aktualisht në Vjenë, me dëshirën e mirë për të evidentuar letërsinë dhe shkrimtarët shkodranë, pikërisht në tempullin e librit./KultPlus.com
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje Çfarë pretendon se do shikoje? Cilin përbindësh mendon se fsheh? Po të zhgënjej, por nuk më njeh. Nuk ka nevojë për të trokitur Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur. Mure të zbrazët lyer pa ngjyra Fotografi, por pa fytyra. Diku e hedhur afër shtratit Është nje kuti e tersit, e fatit. E mbushur plot është me kujtime. Brenda gjithë historia ime. Janë fjalët që kam thënë aty, gjithkush që njoha, përfshi ty. Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova Vendet ku shkela, ku jetova. Janë zënkat tona dhe mëritë Janë puthjet netëve pa dritë. Veset e mia që aq urreve Mërgimi i ngadaltë i reve. Dënimet që vuajta për ty Herët kur s’të pash në sy. Jetët që pa ty jetova Të tjera femra që dashurova. Janë dhe sekretet që s’të kam thënë E amanetet që të kam lënë. Fëmijët që kurrë nuk më lindën Epshet që vrava se nuk mu bindën. Ka letra, që për ty i shkrova Në zarfet që kurrë s’ti dërgova. E nëse gjithçka përmbys do kthesh Sekretin më të madh do gjesh. E kam fshehur në fund fare Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare. Nxirre mes duarsh në shtrëngim Atë më të shtrenjtin sendin tim. Balsamin që plagët shëronte kur kjo djall jete më kafshonte. Para fytyrës ngadalë afroje Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje. E kur ngadalë ta kesh zbuluar. Veç një pasqyrë do gjesh në duar. Do shohësh veten, reflektim Se ti , ishe thesari im!
Më 26 tetor 1467, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Kepin e Rodonit dhe kështjellën e tij strategjike.
Kjo kështjellë ishte pronë e familjes së Kastriotëve, dhuratë nga Princi Karl Topia për Pal Gjon Kastriotin. Kështjella u ndërtua me rastin e martesës të Mbretit e Mbretëreshës, Gjergj e Donika Arianiti Kastrioti (1451). Skënderbeu i kërkoi Venedikut ta ndihmojë, për të rindërtuar kështjellën e shkatërruar nga betejat. Duke pasur frikë forcimin e Skënderbeut dhe të shqiptarëve, Venediku e refuzoi kërkesën e Skënderbeut.
Kepi i Rodonit u bë vendvarrimi i Princeshës Mamica me dy fëmijët e vet. Gjithashtu u bë fortesa e sigurisë së lartë për familjen Kastrioti. Disa muaj pas vdekjes së bashkëshortit, Mbretëresha Donikë u arratis me birin e vetëm, princin Gjon Gjergj Kastrioti. /atsh / KultPlus.com
Syt’e tu, vetëtimtarët, i mbulon pluhur i zi. Syt’e tu vetëtimtarët ndezin yj mi vala detesh. Me vështrim të perënduar, kaq hirplotë ti më mbetesh Si t’i fshesh qipall’e rëndë të paçmuarat stoli.
Kur i pash’oh! Në nat’helmi, hën’e largë-ish derdhur n’ar. Kur i pashë në nat’helmi, ar i derdhur m’u bëj zija: M’u bë gas ndaj fërfëllonte vgjeri-i shenjt’ hijen e tija: Mi shtrat fletë sapo shtruar…na shij qjelli zilitar…
Syt’e tu- enigm’ e kohës; syt’ e tu-çudi pa çmim; Syt’e tu- çkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte. Kish durim yll’ i zhuritur, yll me zjarr durimi kishte, Që krijoj kaq dritë djelli, që mbaroj kaq dëshërim.
Syt’e tu vetëtimtarët, sillen qark gjerakorisht. Syt’e tu vetëtimtarët ëndërojne-aq të qetuar. Ndaj shtron hijen vgjeri-i shentë kur i putha-i llaftaruar, Syt’e tu vetëtimtarët buzëqeshnë dhemshurisht./KultPlus.com
Një koncert i paharrueshëm ka “festuar” përmes fuqisë së muzikës bashkimin e njerëzve në Ditën e Kombeve të Bashkuara. Si pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare në Shqipëri, duke sjellë një përzierje unike talentesh dhe shpirt komunitar, ky koncert ka marrë vëmendjen e shumë artistëve dhe artdashësve shqiptarë dhe të huaj.
“Koncerti nisi me AJS Quartet, që solli një kombinim të jashtëzakonshëm të Jazz-it dhe Ethno Jazz-it. Më pas, Kori i Tiranës u bashkua me korin “Joy of Singing”, i përbërë nga individë me vështirësi në shikim, dhe Korin e Fëmijëve, duke e kthyer mbrëmjen në një festë magjike plot emocion. Publiku u përfshi në çdo notë muzikore, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Muzika, emocionet dhe repertori me këngët më të bukura botërore e shqiptare na bashkuan të gjithëve në një natë që do të mbahet mend gjatë”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com
Në Krujë vitet e fundit turizmi kulturor nuk ka sezon.
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik i Krujës gjallërojnë nga turistët edhe gjatë muajit tetor.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “qendra muzeore e Krujës ka shënuar këtë vit një fluks të lartë vizitorësh. Nga fillimi i vitit deri tani qendra muzeore e është vizituar nga mbi 160 000 vizitorë vendas e të huaj”.
“Ndërsa mbi 12 000 vizitorë janë shënuar nga fillimi i muajit tetor deri tani. Një vizitë interesante zhvilluan në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” rreth 50 operatorë turistikë nga Franca, të cilët shfaqën interes për historinë e popullit shqiptar dhe të heroit kombëtar Skënderbeu”, tha Hafizi.
Hafizi u shpreh se gati tre muaj pas rihapjes së Muzeut Etnografik të Krujës mijëra vizitorë vendas e të huaj kanë treguar interes për trashëgiminë kulturore dhe traditat shqiptare.
“Përveç turistëve të huaj në muajt shtator dhe tetor kanë rinisur edhe ekskursionet e nxënësve nga Kosova”, shtoi ai.
“Ka ditë që i kalojnë mbi 1 mijë vizitorë në ditë, kryesisht gushti kishte më shumë, por edhe tani vazhdon i njëjti trend”, tha Hafizi.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik./atsh/KultPlus.com
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Ajo ka lidur më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
KultPlus ju sjell këngën ‘Spaske pas nje pike meshire’:
S’paske pas nji pik mëshire Qysh pësova unë ksi soj Xhanëm aman Qysh pësova unë ksi soj
S’pres prej teje far të mire Veç me m’fol o njiher me goj Xhanëm aman Veç me m’fol o njiher me goj
Pse m’ke marrë ti kaq mëni e S’çohet jeta me inat Xhanëm aman S’çohet jeta me inat
Fol me gojë o syn oj zi e Mos ke frikë o se bën mëkat Xhanëm aman Mos ke frikë o se bën mëkat
Paske pas moj zemrën hekur Qysh durove mori xhan Xhanëm aman Qysh durove mori xhan
Përveç teje nuk du tjetër Trëndafil o në Elbasan Xhanëm aman Trënadafil o në Elbasan
Kur më than se u zemru xhanani Mu ma mir t’më kishin vra Xhanëm aman Mu ma mir o t’më kishin vra
Si t’më çitnin prej Elbasanit Nuk e ndroj o t’shkretën sevda Xhanëm aman./KultPlus.com
Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.
Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.
Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al
Subjekti i kësaj pikture, një meditim mbi kotësinë femërore dhe frikën nga plakja, është Marie-Thérèse Walter (1909–1997). i cili u takua për herë të parë me Picasson në vitin 1927 kur ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte një burrë i martuar 45 vjeç. Ajo shpejt u bë zonja dhe muza e tij, duke u shfaqur shpesh në veprat e tij gjatë dekadës së ardhshme.
Megjithatë, “Vajza para një pasqyre” është kryevepra e pamohueshme e shortit, që përshkruan ngjyrën bionde, me faqe rozë, teksa shikon në humnerën e errët dhe të shtrembëruar të vetes së saj të ardhshme.
Ajo është e rrethuar nga letër-muri në një model harlequin që ka për qëllim të evokojë një nga temat e preferuara të Picasso-s – një metaforë, ndoshta, për vetë artistin si një prani e kudogjendur në jetën e Walter. /Liberale.al/KultPlus.com
Aktori dhe komediani Leslie Jordan, i njohur për rolet e tij në seriale si ”Will & Grace” dhe ”American Horror Story” dhe për videot e tij frymëzuese gjatë pandemisë, ka vdekur më 25 tetor 2022, pas një aksidenti me makinë në Hollywood.
Jordon fitoi një çmim Emmy, në vitin 2006, për rolin e tij si Beverley Leslie në serialin hit ”Will & Grace”.
Jordan, gjithashtu u bë i njohur pas videove të tij komike, të cilat u bënë virale gjatë muajve të parë të pandemisë./atsh / KutPlus.com
Një mozaik natyror magjepsës të ofron në këto ditë vjeshte Lugina e Valbonës, një prej mrekullive të papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të lumit Valbona në stinën e vjeshtës.
“Gurgullima e lumit të Valbonës teksa rrezet e para të ditës ndriçojnë krejt luginën”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Vjeshta me temperaturat e ngrohta që ka dhuruar këtë vit ka sjellë atmosferë magjike, ndërsa nuancat e ngjyrave të tokës kanë mbuluar gjithë luginën e Valbonës.
Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
Ajo shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në rrethin Tropojës. La statusin e Parkut Nacional dhe përfshihet në një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh.
Natyra e këtij parku është e pasur me varietete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta, si dhe periudha të gjata me ngrica dhe erëra.
Vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit e Kosova, janë të pranishëm çdo ditë në pikën turistike gjithëvjetore të Valbonës, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron.
Udhëtimi nis përmes Drinit deri në Tropojë e më pas Valbona është vetëm 45 minuta larg. Lumi do të jetë shoqërues rruge deri në burimin e vet.
Kaltërsia e Valbonës, është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta që edhe në fillim të verës vazhdojnë ti kenë majat e mbuluara me dëborë./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, nisi edicioni i dytë i Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kjo e cila që në nisje premtonte emocion dhe spektakël. Në një sallë të transformuar në një hapësirë madhështore nga Rudina Xhaferi dhe Shqipe Kamberi, u hap maratona muzikore me pjesëmarrjen e 16 këngëtarëve të talentuar, të cilët garojnë për të fituar vendin e parë, shkruan KultPlus.
Festivali u hap me energjinë e artistes Dea Strica, e cila solli këngën “N’Shqipni”, më pas, Greta Azizi interpretoi këngën “Veres”, duke e vazhduar këtë atmosferë të ngrohtë. Agim Poshka dhe Jehona Lumi ishin gjithashtu në skenë me këngët e tyre, “Ndarja erdhi” dhe “Shko”, duke krijuar një fillim të fortë për festivalin.
Pas kësaj pjese, skenën e ndau fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, ‘La Fazani’, i cili emocionoi të pranishmit me interpretimin e këngës fituese “Oj Kosovë”.
Mbrëmja vazhdoi me një sërë këngëtarësh, duke përfshirë Rei Bezhani me “Zonja tradhëti”, Inorga me “Seks mashina nga Prishtina”, dhe Ardita Begu me “Fundosu në dritë”. Këto performanca ishin prova e potencialit të jashtëzakonshëm të artistëve.
Pas këtyre këngëve garuese, në skenë u ngjit këngëtari i njohur shqiptar, Ylli Limani, i cili dhuroi emocione teksa interpretoi këngën e tij ‘Ty’.
Pas kësaj shkëputje në skenë u ngjit këngëtari Bledi Kaso solli këngën garuese “Një të vetme ka në jetë”, ndërsa Ardit Stafaj këndoi “Faji”. Santino De Bartola ishte gjithashtu pjesë e skenës me “Unë jam arbëresh”. Mbrëmja vazhdoi me Endrit Krasniqi dhe këngën “Flas me gjethen” si dhe Besmir Shishko “Unë – Ajo”.
Ndërkaq, të ftuar në këtë ngjarje madhështore ishin edhe grupi legjendar Elita 5, të cilët ndezën atmosferën me disa nga këngët e tyre epike si “Faleminderit”, më fal dhe “Naten e Mire”.
E mbrëmja kulmoi me performancën elektrizuese të Aurela Gaçes, e cila ndezi skenën me performancën dhe paraqitjen e saj. Lëvizjet dhe interpretimi që e karakterizojnë i dha edhe më shumë ngjyrë edicionit të dytë të këtij festivali.
Pas këtyre performancave, festivali vazhdoi me interpretimet e tjera, duke përfshirë Arnitë Kastrati me “Blla blla”, Vlona Boshnjaku me “Lotët”, Luna Çausholli me “Dielli të më shoh”, dhe u përmbyll me Bruna Sata “Ti je i pa shpirt”.
Pas përfundimit të të gjitha këngëve garuese, për KultPlus foli djetori artistik i këtij festivali, Florent Boshnjaku, i cili shprehet i lumtur për rezultatin që e kanë arritur pas gjithë asaj pune.
“Jam i lumtur që ka shkuar shumë bukur, ka pasë këngëtarë që për herë të parë janë ngjitur në skenë të tillë dhe normalisht ato emocione janë vërejtur dhe ndoshta aty-këtu ndonjë mos përshtatje me skenën është tepër e madhe, kuptohet edhe me orkestrën live me këndu nuk është e lehtë, kështu që është e kuptueshme, mirëpo besoj se ka qenë një natë shumë e bukur për publikun, publiku edhe në sallë por edhe në ekrane besoj se e ka shijuar”, tha Boshnjaku i cili theksoi më tutje se edhe ata vetë kanë mbërritur në pikën që ta shijojnë koncertin dhe jo vetëm ta bëjnë punën e tyre.
Për KultPlus foli edhe artisti Ardit Stafaj, i cili tha se çdo gjë në këtë mbrëmje shkoi mirë dhe për të ishte emocion i madh që të rikthehet në skenë pas disa vitesh pauzë.
“Për mua, ky festival është një gjë e jashtëzakonshme, mirëpo pas disa vitesh rikthimi në skenë ishte një emocion i veçantë, në një skenë gjigante siç ishte kjo sonte, aq më tepër kur këndohet live, ka qenë një emocion që më kishte munguar për kohë. Për mua, sikur për shumë këngëtar sa herë që paraqitem në skenë më duket sikur për herë të parë po dalim sepse emocioni e bën të veten”, tha Stafaj duke shtuar se çdo gjë sipas tij ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ndërkaq, ju kujtojmë se sonte mbahet nata e dytëv ku juria e përbërë nga Minire Fetahu, redaktore e muzikës në RTK, Jane Sugarman, njohëse e muzikës ballkanike, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Valbona Selimllari, miss i parë shqiptar dhe Blerta Zeqiri, regjisore do të të përgjedhin këngët që do të kalojnë për natën e tretë ku edhe do të shpallet kënga fituese./KultPlus.com
Sot më 25 tetor bëhen plotë 85 vite nga lindja e shkrimtarit Rifat Kukaj, shkruan KultPlus.
Rifat Kukaj lindi më 25 tetor 1939 në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.
Rifat Kukaj ishte prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese “Rilindja”
Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama.
Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.
Rifat Kukaj, vdiç më 11 shtator 2005.
KultPlus më poshtë ju sjëll një nga poezitë e tij:
Udhëtuam përgjatë peizazheve mahnitëse të Shqipërisë, një vend përrallor plot surpriza, shkruan Rebecca Hay në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Belfast Telegraph”.
Linjat ajrore me kosto të ulët kanë rritur numrin e turistëve që shkojnë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Një aeroport i ri do të hapet në Vlorë në jug të vendit, në mars 2025. Shqipëria po hapet për turistët!
Dhe të gjithë përjetojnë një kënaqësi pasi vendi mesdhetar është plot magjepsje. Ndërsa fluturoni për në Tiranë, malet dhe kodrat rrethojnë aeroportin i cili ka ndenjëse në natyrë ndërsa prisni të hipni.
Dy vjet më parë, Tirana u shpall “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dhe është plot emocione dhe aktivitete dhe mundësi të reja në zhvillim.
Duket se kryeqyteti shqiptar po ecën mirë, me vendasit të prirur për të përqafuar ndryshimet dhe për të mirëpritur botën në cepin e tyre të vogël.
Zgjerimi i Tiranës është mbështetur nga kompani të mëdha duke përfshirë “Hilton”, i cili hapi hotelin e tij të parë në 2018.
Hoteli “Hilton Garden Inn” ndodhet pesë minuta me autobus nga qendra e qytetit dhe është mjedisi i përsosur për të eksploruar Tiranën.
Me pamje të mrekullueshme në të gjithë qytetin, ky hotel modern ka ambiente të shkëlqyera, staf miqësor dhe mëngjese të bollshme.
Dhomat me përmasa të bollshme kanë krevate jashtëzakonisht komode, orendi moderne qetësuese, teknologjinë më të fundit dhe një mini bar të kompletuar me ujë falas.
Një palestër dhe lavanderi në katin e fundit është e hapur për mysafirët dhe restoranti i ajrosur ofron shije lokale, ushqim dhe lëngje të shijshme gjatë gjithë ditës.
Është e mrekullueshme të provosh ushqimin shqiptar të servirur me stil dhe shefat e kuzhinës janë të gatshëm t’ju rekomandojnë çdo gjë që mund t’ju josh.
Një mënyrë e mrekullueshme për të zbuluar se sa i bukur është vendi mesdhetar – do të ishte përmes një turneu me autobus që nis me kryeqytetin, Tiranën.
Udhëtoni përgjatë monumenteve kryesore, duke përfshirë Sheshin Skënderbej, sheshi kryesor i qytetit që mban emrin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, heroi kombëtar për udhëheqjen e një rebelimi kundër Perandorisë Osmane.
I dominuar nga një monument i madh, Sheshi është pika kryesore e takimit të qytetit – me një sipërfaqe prej 40,000 metra katrorë, është një nga më të mëdhenjtë në botë.
Aty pranë është Piramida magjepsëse, e cila fillimisht u ndërtua si muze, por tani është një qendër e mrekullueshme teknologjike.
Xhamia e Et’hem Beut ka pemë, ujëvara dhe ura dhe është mbyllur gjatë sundimit komunist.
Arti është i rëndësishëm në Tiranë dhe dy ish-bunkerë të Luftës së Ftohtë janë shndërruar në muze “Bunk’Art”.
“Bunk’Art 1” ndodhet në periferi të qytetit dhe pasqyron një histori gjithëpërfshirëse, ndërsa “Bunk’Art2” i kushtohet pikturave të rëndësishme.
Gjurmët për të kaluarën zbulohen në Muzeun e Mbikëqyrjes Sekrete, i njohur gjithashtu si “Shtëpia me Gjethe”.
Larg jetës së qytetit dhe katër orë me makinë mes disa prej peizazheve më mbresëlënëse të Shqipërisë ndodhet Riviera mahnitëse.
Saranda është e vendosur mes detit Jon dhe kodrave me ullishte.
Me një gji në formë patkoi, të rrethuar nga plazhe dhe një shëtitore, Riviera është një vend hyjnor për t’u vizituar.
Mbetjet e qendrës, ku jetonin familjet e pasura hebreje, ruhen gjithashtu.
Në krye ndodhet Kalaja e Lëkurësit e shekullit XVI, nga ku mund të shihni pamjen e qytetit, Sarandës.
Në fakt, e gjithë vija bregdetare është mahnitëse. Vizitoni qytetet bregdetare, Durrësin dhe Vlorën.
Pranë Sarandës ndodhet fshati Ksamil, i quajtur nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet Evropiane”.
Parkut Kombëtar të Butrintit, është i njohur për vajin e ullirit, limonët dhe mandarinat e tij dhe është shndërruar nga një fshat i fjetur në një strehë për kërkuesit e diellit që dynden në plazhet e bardha dhe ujërat bruz për t’u çlodhur dhe rimbushur.
Aty pranë ndodhet Parku Kombëtar i Butrintit, vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s plot me histori mesdhetare, që daton 50,000 para Krishtit.
I mbuluar nga pemët, ju mund të endeni dhe të admironi artefaktet e frymëzuara nga romakët dhe grekët – si dhe të eksploroni një muze të mbushur plot me statuja dhe vepra arti.
Në shpatet e pjerrëta të luginës së lumit Drin ndodhet qyteti i bukur i Gjirokastrës, i mbrojtur nga UNESCO.
Është thjesht e këndshme të shëtisësh përreth, në rrugët me kalldrëm dhe kafenetë e vogla familjare.
Vera është e nxehtë dhe një mënyrë e shkëlqyer për t’u freskuar është një vizitë në Syrin e Kaltër, një burim natyror jashtë Sarandës. Qendra e errët e saj është e ngjashme me bebëzën e syrit të njeriut.
Gjatë rrugës, liqeni dhe lumi i bukur aty pranë mund të përdoren për kanoe.
Noti në Syrin e Kaltër është i ndaluar pasi është ftohtë dhe potencialisht i rrezikshëm pasi presioni i pranverës të detyron të rikthehesh sapo të hidhesh, por njerëzit e shohin burimin shumë joshës dhe gjithsesi zhyten!/atsh/KultPlus.com
Në Ditën Botërore të Operës, një aktivitetet artistik ka bërë bashkë nxënësit e dy shkollave në kryeqytet, “Emin Duraku” dhe “Dora d’Istria”, të cilët u bashkuan me stafin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit për të zbuluar magjinë e prapaskenave të këtij institucioni.
“Pasi ndoqëm pak nga provat regjisoriale të operës “Tosca,” e cila vjen këtë fillim nëntori në TKOB, vizituam arkivin, ku përveçse mësuam shumë gjëra të reja për operën, u surprizuam edhe nga Papageno dhe Papagena nga opera “Flauti Magjik”, të cilët po i bënin rrengje njëri-tjetrit.
Më pas, vërshuam drejt skenës, ku Serpina nga opera “La Serva Padrona” po kërkonte të gjente Umberton dhe na la edhe ne një porosi për të, nëse e shikonim korridoreve. Për të mësuar më shumë mbi operën, u futëm së bashku në zemër të teatrit, aty ku skenografitë dhe kostumet marrin jetë. Në fund, njëzëri, lamë një mesazh për të gjithë miqtë tanë të vegjël: “Ejani në Opera!””, mbyllet kështu thirrja e TKOB-së në këtë ditë të rëndësishme për Operën si zhanër artistik, por jo vetëm./atsh/KultPlus.com
Sot janë bërë një vit nga vdekja e aktorit legjendar Richard Roundtree, i cili ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Ai bëri historinë e filmit me rolin e tij si ‘Shaft’.
Me interpretimin e tij në filmin “Shaft” ai u nominua për çmimin “Ylli i Ri i Vitit” në Golden Globes në 1972.
Ai ishte shfaqur edhe në vazhdimet e filmit ‘Shaft’s Big Score!’ dhe trilogjinë “Shaft In Africa” të vitit 1973, dhe gjithashtu luajti në serialin televiziv “Shaft” të vitit 1973.
Ka marrë pjesë edhe në filmat “Rrënjët”, “Një herë … Kur ishim me ngjyrë”, “Man Friday”, “Shaft’s Big Score!”, “Shaft në Afrikë”, “Tërmete”, “Ikje në Athinë”. “, “Forca kundërshtare”, “Polic Maniac”, “Shtatë”, “George of the Jungle”, “Corky Romano”, “Brick”, “Speed Racer” dhe “What Men Want”./KultPlus.com
Pas ndërtimit të rrugës fshatrat që shtrihen në Lumin e Vlorës kanë nisur të hapin bujtinat e para për të pritur turistët e huaj, të cilët në këto ditë vjeshte po ngjiten në malet ende të paeksploruara të kësaj zone.
E kthyer në një prej akseve turistike më panoramike të Shqipërisë përgjatë kësaj rruge mund të arrish edhe në fshatin Bashaj të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bujtina e parë e hapur në fshatin Bashaj, ku përditë po shtohen turistët që kanë kuriozitet për të vizituar këtë zonë gjatë stinës së vjeshtës.
“Në këta muaj të artë vjeshte, me thjeshtësinë e një shtëpie mikpritëse të kuruar me kujdes, rrethuar nga bukuritë e pangjashme të natyrës, në bujtinën e parë të fshatit Bashaj në Lumin e Vlorës, po shtohen përditë turistët e huaj që duan të njohin historinë, traditën dhe shijen autentike të produkteve e kuzhinës vendase”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “turistët për ta shijuar të plotë këtë përvojë, po gatuajnë e po shëtisin bashkë me të zotët e shtëpisë. Kujtimet që marrin me vete, prej këtyre maleve ende të paeksploruar janë unike”.
Vitet e fundit turizmi rural në fshatrat e Vlorës ka shënuar një zhvillim të menjëhershëm duke tërhequr vizitorë të pasionuar pas natyrës, historisë dhe traditave. Turistët gjatë qëndrimit të tyre vlerësojnë shijen e mirë të mikpritjes familjare, ajrin e maleve dhe kulinarinë fantastike të fshatrave pranë Lumit të Vlorës.
Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhjen e më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40 mijë banorë me qytetin e Vlorës. Përveç lidhjes së fshatrave të krahinës me Vlorën, kjo rrugë lidh Vlorën me Himarën dhe krijon akses më të afërt dhe të shpejtë për Gjirokastrën e Tepelenën drejt bregdetit të jugut./atsh/KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi nisjen e xhirimeve të filmit “Ajo që mbetet” (She who remains), me regji të Kostadin Bonev.
QKK-ja është bashkëprodhuese e këtij filmi (koproduksion në pakicë), ndërkohë që shtëpitë filmike janë Trivium Film (Bulgaria) – Kostadin Bonev; Papadhimitri Film production (Albania)- Dionis Papadhimitri; L’age d’or (Italy) – Angela Prudenzi, Alfredo Fiorillo.
Filmi mbështetet mbi romanin e Rene Karabash që ka korruar sukses në Francë dhe në SHBA. Në fund të vitit 2023, përkthimi në frëngjisht i librit fitoi çmimin PEN për përkthim. Përkthimi në gjuhën angleze nga Izidora Angel fitoi çmimin Gulf Coast në Përkthim në SHBA, njofton agjencia bullgare e lajmeve BTA.
Filmi i cili është në fazën e parë të xhirimeve është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
Rene Karabash është emri i artit të aktores, regjisores dhe poetes Irena Ivanova. Tema trajton një zakon të Shqipërisë së Veriut, ku gratë në familjet që jetojnë në zona të thella malore, në të cilat nuk ka trashëgimtar mashkull, betohen se nuk do të martohen kurrë dhe do të luajnë rolin e burrave. Përkthimet e romanit kanë ngjallur interes në Egjipt, Francë, Poloni, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe pritet që edhe përshtatja e tij për ekranin e madh të ngjallë interes./atsh/KultPlus.com
Janë 50 artistë, 50 vjet dhe një kapitull i ri që çelet nga galeria e famshme e artit kontemporan, Marian Goodman, në Manhatan të Nju Jorkut, në SHBA.
Në vitin 1977, kur Marian Goodman hapi galerinë e saj në West 57th Street, në Manhatan me një shfaqje të poetit belg, i kthyer në artist konceptual Marcel Broodthaers, menaxherët e aseteve nuk kishin shfaqur ende interes për botën e artit, sipas “New York Times”.
Ekspozita inauguruese e veprave të 50 artistëve gjatë gati 50 viteve, gjithashtu, e cila hapet nesër, përfshin secilin prej emrave në listën e historisë së artit të Goodman.
Por, për Goodman, paratë nuk kanë qenë kurrë gjëja kryesore.
Që prej viteve 1960, kur ajo hyri për herë të parë në botën e artit si një tregtare veprash arti, Goodman ka bashkuar dhe promovuar me mjeshtëri – evropianë të rreptë, shpesh të motivuar konceptualisht si Gerhard Richter, Broodthaers dhe Joseph Beuys.
Institucioni që ajo ndërtoi mbetet, siç thotë partneri kryesor, Philipp Kaiser, një nga “galeritë më të mëdha të vogla” – pasi i ka rezistuar zgjerimit të pamëshirshëm global – që edhe shumë nga konkurrentët e tij të mesëm e kanë konsideruar si një domosdoshmëri biznesi në vitet e fundit.
Goodman tani ka degë në Los Anxhelos dhe Paris, por u desh një kohë e gjatë që kjo të arrihej, madje edhe krijimi i një galerie brenda Manhatanit kërkoi disa vite.
Rose Lord, një partnere e “Marian Goodman Gallery” për 22 vjet, tha se gjatë dekadës së saj të parë në 57th Street – ishte diskutuar mundësia për të lëvizur diku me potencial më të lartë qarkullimi, çdo javë.
Atmosfera relativisht e jashtëzakonshme, e cila ndihet si një rikthim në kohët e vjetra të papafingove të artistëve nervoz dhe darkave të bollshme, e bën ekspozitën e re, “Your Patience Is Appreciated” sa elegjiake aq edhe festive.
Anselmo ishte një nga pak artistët e Goodman që teknikisht i përkisnin Arte Povera, lëvizjes radikale italiane që, duke filluar nga vitet 1960, përdorte mjete të çuditshme që nuk përputheshin – si një palë këpucë të vjetra në një piedestal prej druri – për t’u futur në tema të rënda si vdekshmëria, koha dhe libido.
Por, është lloji i humorit të tij sarkastik që ofron linjën kryesore për ekspozitën e re ndërsa shpaloset në tre kate, nëpër disa dhoma të përkohshme të ndërtuara për të akomoduar copa videoje.
Piktura është një plotësues i bukur i një prej veprave të shquara të galerisë, “Timekeeper Drill Core (MGG 57th Street)” nga artisti francez Pierre Huyghe.
Për ta realizuar atë, Huyghe thjesht shembi një pjesë të murit në hapësirën e sapoliruar të galerisë në 57th Street, duke zbuluar, në rrathë koncentrikë, çdo ngjyrë blu, kafe ose të bardhë që vendi ishte lyer për shfaqje – pas më shumë se 40 vjetësh.
Është një mënyrë jashtëzakonisht efikase për të nxjerrë në pah veprimin e çuditshëm të kohës, gjithmonë pranë, por i pamundur për t’u kuptuar.
Tonet janë arkeologjike, por edhe pak të mprehta, dhe pamja ngjall një ëmbëlsirë sferike.
Por, për të nënvizuar faktin se ju zbuloni një kohë të ndryshme sa herë që ndaloni për ta matur atë, Huyghe në fakt bëri dy nga këto vepra, dhe ato nuk janë identike.
Në dhomën e parë të ekspozitës, një fotografi e madhe e Tacita Dean – e një peme qershie të lulëzuar (2024) është vendosur përballë me veprën “Four Bicycles (There Is Always One Direction),” të Gabriel Orozco të viteve 1990, një grumbull pjesësh të biçikletës, që qëndron përballë dritareve.
Në Japoni, lulet e qershisë janë simbol i zhdukjes së jetës; t’i shohësh ato të fotografuara këtu në një shkallë kaq të madhe, në një mjedis kaq të përhershëm, sjell një lloj marramendjeje – që rrotat e përmbysura të Orozco e përforcojnë më tej.
Në një dhomë ku luhet filmi 35-minutësh i James Coleman “Retake With Evidence” – parë për herë të parë në 2007, është një Edipus i copëtuar nga një njeri – i realizuar nga Harvey Keitel – gjendja shpirtërore është melankolike, pasi ndodhet në dhomën më të vogël aty pranë, kushtuar të vetmes lightbox (një kuti drite) që regjisori Steve McQueen ka bërë ndonjëherë, “Lynching Tree” (2013).
Ashtu si në rastin e Arte Povera, në veprën “Your Patience Is Appreciated” ndonjëherë mund të shfaqet shumë i pasur ose shumë i zgjuar.
Ndoshta, nuk do ta vini re pa ju thënë se “Endless Love, Simone I” dhe “Endless Love, Simone II” – dy vepra mermeri të bluara si pjesë shahu me tre këmbë, gjurmojnë konturet e profilit të Nina Simone.
Por, pjesët ofrojnë një seri të tërë bisedash interesante rreth qëllimit dhe identitetit, kthesave kundrejt këndeve, madje edhe vijës së saktë ndarëse midis ngjyrës mat dhe shkëlqimit – veçanërisht krahas një zigurati metalik (kullë tempulli me shkallë piramidale) aty pranë – e realizuar nga artisti i tokës Robert Smithson.
Punimet në katin e tretë, të cilat i kushtohen dhomave të ruajtjes dhe vrojtimit privat, demonstrojnë gjënë më të rëndësishme – që një galeri bën për artistët e saj: t’i ndihmojë shikuesit t’i kuptojnë ato – duke i vënë ato në kontekst me bashkëmoshatarët me të njëjtin mendim.
“Underground V” e Sabine Moritz, ngjyrat dhe energjia e përgjithshme e së cilës të kujtojnë sfondin e “Les Demoiselles d’Avignon” të Picasso, duket si një vepër e një pikture abstrakte.
Qeramikat e bukura, botanike dhe instiktive të Edi Ramës janë pikturuar në një gamë të ndritshme ngjyrash dhe kontrastesh – përfshirë skulpturat e çelikut të Tony Cragg – janë pasqyrime argëtuese të figurës dhe gjeometrisë.
Pikturat e Frize të vitit 2002 me akrilik dhe rrëshirë “Otona” kanë bukurinë e shkëlqyeshme të ylbertë të një pellgu me benzinë.
Secila prej tyre, në një mjedis tjetër, mund të duket e parëndësishme; së bashku këto vepra janë po aq tërheqëse sa një peizazh natyror.
Gati një e katërta e artistëve ose pasurive të artistëve, që nga vitet 1980, shfaqet në galerinë e Goodman – përfshirë skulptura te realizuara nga Dan Graham (1942-2022), një provokator konceptual i njohur për pavionet e tij me pasqyrë të dyanshme.
Por, ndërsa autorë të tjerë, si Andrea Fraser, artisti i performancës, Morelos apo Strachan janë hyrje të reja – lista është bërë pak më e larmishme, pasi Goodman e ka kthyer vëmendjen në veprat e motivuara konceptualisht./ KultPlus.com
Në edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit, mori pjesë edhe grupit jazz polak Unleashed Cooperation. Artistët polakë perfomuan së bashku me grupin spanjoll Eunoia, mbrëmjen e djeshme, në Universitetin e Arteve.
Shfaqjet live në Shqipëri organizohen nga Fondacioni JAZZ PO POLSKU si pjesë e projektit JAZZ PO POLSKU “Rreth botës”, në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë dhe Shoqërinë Shqiptare të Jazz-it.
Kuinteti Unleashed Cooperation me bazë në Poznan, përbëhet nga Krzysztof Kuśmierek – saksofon. Patryk Rynkiewicz – bori, Patryk Matwiejczuk – piano, Flavio Gullotta – kontrabas, Stanislaw Aleksandrowicz – bateri.
Projekti JAZZ PO POLSKU “Rreth botës” ka marrë formën e një turneu koncertesh ndërkombëtare dhe është i frymëzuar nga arritjet e udhëtarit polak Paweł Edmund Strzelecki, i cili ishte i pari polak që udhëtoi rreth botës me iniciativën e tij, në shekullin e 19-të.
Projekti filloi në maj të vitit të kaluar dhe deri më tani janë mbajtur më shumë se 150 aktivitete në 21 shtete, ku kanë marrë pjesë 21 grupe.
Gjatë koncerteve të tyre në Shqipëri, Unleashed Cooperation do të promovojë albumin e tij të fundit “Trust”, i cili është faza tjetër e eksplorimeve muzikore duke përfshirë improvizimin, muzikën bashkëkohore, muzikën etnike dhe xhazin./atsh/KultPlus.com
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido priti në një takim drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovës, Atdhe Hetemin, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, në një bashkëbisedim për tema të cilat janë me interes të dy institucioneve.
Në këtë vizitë miqësore, grupi përfaqësues i Institutit pati mundësinë të njihej me mjediset dhe proceset e punës që zhvillohen në DPA.
Miqtë nga Kosova vizituan Sallën e Studimit ku u informuan mbi mënyrën e qasjes së studiuesve në dokumentacionin arkivor si dhe hulumtimin online. Më pas vizituan dhe sektorin e Digjitalizimit, duke parë nga afër procesin e digjitalizimit dhe indeksimit të dokumenteve.
Kohë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave çeli disa kënde arkivore në disa komuna të Kosovës si, Prishtinë, Podujevë, Ferizaji, Istog, Vushtrri, Prizren, Rahovec e Suharekë, për të siguruar qasje të barabartë në dokumente. DPA në këtë mënyrë u mundëson studiuesve të njëjtat lehtësi hulumtimi në dokumentacionin arkivor. / KultPlus.com
Përfaqësues nga Akademia e Shkencave morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “COBISS 2024” organizuar nga Instituti i Shkencave të Informacionit në Maribor, Slloveni.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm më shumë se 200 pjesëmarrës, nën moton “Të punojmë së bashku për të ndërtuar besim dhe zhvillim në shkencë”.
Në konferencë referuan ekspertë të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë në fushën e teknologjisë së informacionit, përfaqësues të bibliotekave të rajonit dhe më gjerë, si dhe përfaqësues të institucioneve kërkimore të Sllovenisë.
Kjo ishte konferenca e 24-të COBISS, ku referuesit adresuan çështje aktuale dhe prezantuan tema bashkëkohore lidhur me mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në platformat digjitale që përdorin bibliotekat në shërbimet e tyre ndaj përdoruesve, diskutime mbi aksesin e shërbimeve për grupet me aftësi të kufizuar, prezantimin dhe promovimin e shërbimeve të reja COBISS Ela, COBISS Lib, COBISS Cat dhe COBISS+.
Në prezantimin e këtij viti në Konferencën COBIS 2024, drejtuesja e qendrës QKPISH, Mirlona Buzo, u paraqit me punimin e saj “Krijimi i Qendrës për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH) – sfida dhe perspektiva”.
Të pranishmit u njohën me risitë dhe funksionet e kësaj qendre për institucionalizimin e sistemeve të informacionit COBISS.al dhe ECRIS.al, si dhe për konsolidimin e rrjetit të përbashkët të të dhënave për kërkimin shkencor dhe zgjerimin e rrjetit të bibliotekave në Shqipëri.
Qendra do të inkurajojë integrimin e përmbajtjes digjitale në faqet e internetit dhe pajisjet celulare në përshtatje me aplikacione dhe mjete te reja.
Konferenca u ofroi një mundësi pjesëmarrësve të shkëmbejnë praktika, të ekspozojnë arritjet dhe adresimin e sfidave të përbashkëta për të ardhmen./ KultPlus.com
Prej vitit 1916 e deri më 1920-ën, Korça qeverisej si Republikë Autonome dhe administrohej prej nëpunësve vendas nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Administrata e re shqiptare që u vendos në krye të krahinës autonome i kushtoi kujdes të veçantë çështjeve që lidheshin me arsimin.
Kështu, më 25 tetor 1917 me vendim të qeverisë së Republikës Autonome të Korçës, u çel Liceu Francez.
Rrugëtimi i këtij institucioni të arsimit të mesëm u shoqërua me barriera të shumta që vinin si pasojë e Luftës së Parë Botërore. Megjithatë Liceu Francez i Korçës arriti të kapërcejë pengesat dhe të luajë një rol të rëndësishëm në arsmimin e të rinjve të ardhur nga mbarë vendi. Në vitin 1921 u emërtua si “Liceu Kombëtar i Korçës”. Veprimtaria e tij do të shtrihej përgjatë periudhës së parapushtimit italian, deri në vitin 1939. / KultPlus.com
Festimet për Ditën e OKB-së u zhvilluan mbremjen e djeshme tek Piramida, duke filluar me një pritje ekskluzive që mblodhi së bashku përfaqësues nga OKB Shqipëri, qeveritarë, trupi diplomatik, OJF-të, partnerët e biznesit dhe shumë të tjerë.
Në këtë aktivitet foli koordinatorja e përhershme e OKB-së, Fiona McCluney, zëvendësministrja për Evropën dhe Çështjet e Jashtme, Megi Fiono dhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Lira Pipa.
E moderuar nga delegatët rinorë të Shqipërisë në OKB, ngjarja theksoi rolin e rëndësishëm të rinisë në formësimin e të ardhmes dhe u fokusua në Paktin për të Ardhmen, i miratuar së fundmi në OKB. Ky pakt pasqyron angazhimin kolektiv të kombeve të botës për të përballuar sfidat globale dhe për të reformuar sistemet shumëpalëshe për të përmbushur kërkesat e shekullit të 21-të.
Më pas mbrëmja vijoi me një performancë artistike “Sounds of Unity” (Tinguj që Bashkojnë) të hapur për publikun, me muzikë ndërkombëtare dhe shqiptare, duke rrezatuar shpirtin përfshirës të këtij festimi./atsh/ KultPlus.com