Kruja ‘pushtohet’ nga turistët

Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga qyteti i Krujës, i cili edhe këtë vit është një nga destinacionet më të vizituara nga turistët vendas dhe të huaj.

“Kruja në çdo stinë”, shkroi kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet më tërheqëse turistike në Shqipëri, e njohur për trashëgiminë e tij historike dhe kulturore. Çdo vit, mijëra turistë vijnë në Krujë për të shijuar pamjet e bukura, të vizitojnë monumentet historike dhe për të njohur thellësisht kulturën vendase.

Kështjella e Krujës

Kështjella e Krujës është ndër pamjet më tërheqëse për turistët. Ndodhet në majën e një kodre dhe ofron një panoramë të mahnitshme të qytetit dhe rajonit. Kështu, turistët ndihen të frymëzuar të bëjnë një udhëtim në kohë, duke parë kujtimet e shquara historike të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Brenda kështjellës gjendet Muzeu Historik i Krujës, ku vizitorët mund të shikojnë një koleksion të pasur artefaktësh, veshje tradicionale, armë dhe dokumente historike.

Bazilikat e Krujës

Kruja shquhet edhe për bazilikat e saj të vjetra dhe të bukura. Pasionantët e arkitekturës dhe artit gjejnë këtu një dëshmi të vlefshme të trashëgimisë fetare të qytetit.

Tregu tradicional i Krujës

Tregu tradicional i Krujës apo Pazari i Krujës është një vend i mjaft interesant për t’u eksploruar. Turistët kanë mundësinë të blejnë artikuj tradicionalë, veshje lokale tradicionale lokalë, këpucë, si dhe shumë produkte të tjera të njohura për këtë rajon. Pazari është një eksperiencë e vërtetë kulturore dhe turistike, e cila sjell një ndjenjë të veçantë të jetesës vendase.

Ngjarjet kulturore

Kruja ka një kalendar të ngjarjeve kulturore të pasura, ku përfshihen festivale, koncerte, ekspozita arti dhe performanca të ndryshme artistike. Këto ngjarje ofrojnë një shans për turistët për të ndenjur në kontakt me kulturën dhe kreativitetin e këtij vendi të lashtë.

Përveç kësaj, shijimi i kuzhinës tradicionale të Krujës, duke provuar pjatat autentike lokale, është një përvojë e paharruar për shumë turistë.

Me një kombinim të trashëgimisë historike dhe natyrore, kulturash të pasura dhe një mjedis të bukur malor, Kruja është një qytet që ofron shumë për të eksploruar dhe për të mbajtur kujtimet e bukura të një udhëtimi të mrekullueshëm. Për turistët që e vizitojnë, Kruja bëhet një destinacion i veçantë me kujtime të paharrueshme./atsh/KultPlus.com

Shpallja “qytet-muze” e Gjirokastrës, Beratit, Krujës e Durrësit

Më 2 qershor 1961, Gjirokastra, Berati, nëntoka e Durrësit dhe pazari i vjetër i Krujës u shpallën qytete-muze.

Bazuar në këtë vendim të Këshillit të Ministrave u ngarkua Universiteti Shtetëror i Tiranës (USHT) që të kryente studimin dhe projektimin për zonifikimin e këtyre qyteteve.

Ndërkohë këto qytete duhet të mirëmbaheshin, të restauroheshin dhe të administroheshin në përputhje me dispozitat e Rregullores së qytetit-muze të Beratit dhe me udhëzimet e veçanta të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Sipas Rregullores së përmendur, qyteti i Beratit ndahej në zonën muze, në zonën e mbrojtur dhe në zonën e lirë. Zona muze ruante monumente të kategorisë së I-rë dhe të II-të, në dallim nga zona e mbrojtur ku gjenin vend vetëm monumente të kategorisë së I-rë.

Ndërsa, në zonën e lirë bënin pjesë vetëm monumente të izoluara të kategorisë së I-rë, në pjesën e mbetur të qytetit pa pikëprerje me dy zonat e tjera. /Ata

CNN renditi Shqipërinë mes 12 destinacioneve turistike/ Rama: Eksperiencë unike për 2023

Kryeministri Edi Rama, ka ndarë mëngjesin e sotëm me anë të një postimi në “Facebook”, artikullin e CNN, ku Shqipëria quhet “Perlë Mesdhetare”. 

Rama bashkangjitur me postimin ka shkëputur një pjesë nga artikulli i CNN, ku gjigandi mediatik botëror e rendit Shqipërinë mes 12 alternativave për t’u vizituar këtë verë, si destinacion i turizmit të qëndrueshëm, mes bregdetit fantastik, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, duke ofruar eksperiencën unike të pushimeve për vitin 2023.

“Voyaged” e ndjekur nga miliona njerëz, promovon Krujën

Qyteti i Krujës është promovuar nga “Voyaged”, një prej faqeve më të njohura të destinacioneve botërore.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila thekson se “kartolina e mbrëmjes vjen nga @voyaged, faqja e ndjekur nga miliona njerëz nëpër botë, që promovon Krujën tonë”.

“Duke shëtitur në rrugët e Krujës”, shkruan “Voyaged” duke publikuar edhe disa fotografi nga qyteti i Krujës.

Kruja është kthyer tashmë në një qytet me turizëm gjithëvjetor, i favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja gjeografike dhe peizazhi i bukur malor që ofron natyra me bimësi të larmishme.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet kryesore të turistëve në Shqipëri.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet kalaja, apo edhe bujtinat e ndryshme agroturistike që ofrojnë ushqime tradicionale mjaft tërheqëse në ambiente me peizazhe piktoreske. / atsh / KultPlus.com

Restaurimi i Muzeut Etnografik të Krujës, përmirësohet muzealizimi i pikturave murale

Muzeu Etnografik i Krujës është një tjetër destinacion i trashëgimisë sonë kulturore që po restaurohet dhe muzealizohet, për t’u kthyer shumë shpejt në një qendër të vizitueshme nga turistët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna për restaurimin e këtij muzeu, i cili pritet të përfundojë së shpejti.

Rama tha se “një punë e jashtëzakonshme po bëhet për rilindjen e Muzeut Etnografik Krujë, i cili po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese, procesit të muzealizimit dhe konservimit të pikturave murale dekoruar me elementë të drurit”.

Specialistët dhe studentët po punojnë së bashku për të pastruar dhe konsoliduar artefakte që do të shfaqen më vonë në muzeun e restauruar.

Muzeu është një nga disa objekte të trashëgimisë kulturore që po restaurohen në kuadër të projektit EU4Culture, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764.

Banesa është Monument Kulture i Kategorisë I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100 % janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70, deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh /KultPlus.com

Si e shpjegon Barleti emrin e Krujës…

Në librin “Rrethimi i Shkodrës”, botuar në 1504, Barleti shënon:

“Na patën rënë në dorë disa shkrime, më tepër fragmente, në të cilat flitej më shumë për rindërtimin që i bënë këtij qyteti (Shkodrës) stërgjyshërit tanë, sesa për ndërtimin e tij. Ishte shkruar aty në gjuhën popullore se një farë Roza me motrën e vet Fa qenë themelueset e para të Shkodrës, prandaj fortesa e saj quhej Rozafa”.

Pra Barleti na dëshmon i pari për një legjendë ndërtimi të shkruar në gjuhën popullore, në shqip, fakt ky që ka rëndësi për folkloristikën tonë.

Gjuhën shqipe, të cilën Barleti e gjen të shkruar në Shkodër para shekullit XV, para pushtimit osman, ai e përmend si “gjuhë epirotase”, kurse shqiptarët si “epirotas”.

Në librin “Historia e Skënderbeut” Barleti jep mendime edhe për origjinën e gjenezën e popullit shqiptar e të gjuhës së tij. Ai thotë se epirotët quhen edhe “arbër” dhe se “prej këtyre ka rrjedhur gjuha epirote ose arbërore”.

Në librat e tij Barleti ka shkruar edhe emra, kryesisht sponime, në formën e tyre fonetike shqipe, si dhe ka përkthyer emra të thjeshtë e të përbërë nga shqipja në latinisht.

Kështu, për rastin e parë në “Historia e Skënderbeut” (libri IV) përmend toponimin “Busegiarpeni” (“Buzëëgjarpëri”) pastaj “Mocres” (për malin e Mokrës), “Redoni” (për kepin në veri të Durrësit), “Lachi” (për kepin e Lakit); në librin XI për emrin e një fushe shkruan “nostri Livand apellant” d.m.th. “tanët e quajnë Livand”; pra me “tanët” Barleti kupton bashkatdhetarët e tij shqiptarë dhe emrin e fushës Livand e jep shqip.

Në librin XIII të “Historisë së Skënderbeut” përmend edhe “Chiurilium” për Currilat e Durrësit. Por, duke na dhënë emrin e qytetit të Krujës, Marin Barleti bën i pari shpjegimin shkencor etimologjik të këtij emri, i cili dokumentohet qysh në shekullin IX. Barleti shënon:

“Aty (në qytetin e Krujës) ka kroje të begatshme e të pashtershme, bile emrin e ka marrë prej tyre, se në gjuhën shqipe krua d.m.th. tregon burimet”.

Barleti është i pari shqiptar që bën shpjegimin etimologjik të një emri të vendit të tij. Ky shpjegim i emrit Krujë është krejtësisht i vërtetë dhe i pranuar nga shkenca etimologjike moderne.

Prof. Çabej këtë shpjegim të Barletit e gjen të drejtë dhe thekson se fjala “krua” është e fondit të lashtë indoevropian.

Së fundi duhen vënë në dukje fjalët shqipe që Barleti i përkthen në latinisht si p.sh., “Pulchra” (për “Luginën e Bukur”), “Albulas” (për “Ujët e Bardhë”), “Petralba”, (për “Gurin e Bardhë”).

Po të mos ishte shqiptar dhe po të mos e njihte gjuhën shqipe, Barleti s’kish si t’i përkthente këto toponime në këtë mënyrë, pra edhe këto dëshmojnë për njohjen e natyrës së shqipes dhe të shpjegimeve etimologjike të saj.

Nga Moikom Zeqo / KultPlus.com

Muzetë e Krujës me 4 mijë vizitorë vendas e të huaj vetëm në qershor

Pavarësisht temperaturave të larta, muzetë e Krujës vazhdojnë të frekuentohen çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se ”vetëm në muajin qershor muzetë e Krujës janë vizituar nga rreth 4 mijë vizitorë vendas e të huaj”.

Sipas tij, grupet me turistë nga vendi, por edhe vende të ndryshme të botës po shtohen dita ditës.

“Shumica e vizitorëve janë nga Ukraina, Izraeli, Serbia, ndërsa nuk mungojnë edhe vizitorët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës”, – tha Hafizi.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik bëri të ditur gjithashtu se “nga fillimi i vitit numri i vizitorëve ka patur një tendencë në rritje nga dita në ditë. Nga janari deri në qershor këta muze i kanë vizitua 13 mijë vizitorë”, 2.5 herë më shumë vizitorë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”, – shtoi ai.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh/ KultPlus.com

Kruja në dokumentet dhe fotografitë e rralla nga Fondi i Arkivave

Një ekspozitë unike është çelur nga DPA-ja, pranë Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë me dokumente të rëndësishme për jetën e qytetit dhe fotografi të rralla dhe të vjetra që ruhen në Fototekën e AQSH-së.

Ndër dokumentet e ekspozuara, një plan rregullues i Krujës i vitit 1944; dokumente që publikohen për të parën herë për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut; dokumente që dëshmojnë përpjekjet për ndërtimin e Muzeut në vitin 1937 dhe gjatë periudhës së komunizmit.

Ardit Bido, drejtor i përgjithshëm i Arkivave u shpreh se, “kjo ekspozitë ka dy pika kryesore, vetë jetën e qytetit përmes edhe imazheve shumë të vjetra ku çdo person mund të gjejë lagjen apo rrugën ku ka banuar. Dhe dokumentet për ndërtimin e një muze i cili nga pikëpamja simbolike është shumë i rëndësishëm, siç është ky i Skënderbeut, ku ne kemi vendosur t’i sjellim këto dokumente. Kështu, ajo që ruhet në fondet tona ne kemi mision ta çojmë aty ku jetojnë shqiptarët”.

Drejtori i Qendrës Muzeore Krujë, Mehdi Hafizi tha se, një ekspozitë e tillë është me rëndësi për vetë muzeun dhe vizitorët e tij të cilët veç gjithçkaje gjejnë brenda, mund të shohin edhe këtë pasuri dokumentare që gjendet në arkiva e që lidhet me këtë qytet dhe vetë muzeun.

Ekspozita ishte një bashkëpunim i DPA-së me Qendrën Muzeore Krujë dhe Bashkinë Krujë, përfaqësuesi i së cilës Drini Masha tha se, “kjo është një ekspozitë me vlerë për qytetin dhe që ne do të dëshironim ta shëtisnim edhe në pika të tjera në qytet për ta parë sa më shumë banorë të qytetit por edhe vizitorë të tij”.

Kjo ekspozitë do të jetë në Krujë përreth 2 javë dhe cilido mund të shohë dokumente me rëndësi, një pjesë e të cilave shfaqen për herë të parë. /atsh/ KultPlus.com

Margariti: Muzeu Etnografik në Krujë do të restaurohet

Aktivitete të ndryshme po zhvillohen për ditët e Evropës në Shqipëri.

Në këtë kuadër, në muzeun Etnografik në Krujë u zhvillua një aktivitet, ku merrnin pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE në Tiranë, specialistë të fushës së trashëgimisë, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se takimi u zhvillua në një muze, që do të rijetëzohet për të dëshmuar vlerat. “Ne shqiptarët synojmë të bëhemi pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar.

E pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook, për këtë takim ditët e fundit që ka publikuar edhe foto.

Sipas saj, takimi shërbeu dhe për të folur mbi projekte të ndryshme dhe shkëmbim idesh. Ndër tjera Margariti shprehet se falënderon ambasadorin Soreca për ndihmën, në projektet me monumentet e kulturës në vendin tonë.

“Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zv. kryetari i Bashkisë së Krujës Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal diskutuam projektet tona e shkëmbyem ide të reja.

Një falenderim i veçantë për ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE; por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama (County menager) e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës”, shprehet ministrja Margariti. Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës.

Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /sot/ KultPlus.com

Miratohet projekti për restaurimin e Urës së Kurcajt në Krujë

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese, konsoliduese dhe restauruese të Urës së Kurcajt, në përroin e Zerzës, Krujë, monument kulture i kategorisë së parë.

Ura është ndërtim i shekullit XVIII. Ajo i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve.

IKTK mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /ata/ KultPlus.com

Fotografia e veçantë e tre fëmijëve me veshje kombëtare në Muzeun Historik

Fëmijët shqiptarë që vizitojnë Muzeun Historik të Krujës janë të shumtë. Në këtë foto kortezi e Muzeu Historik dhe Etnografik, Krujë shihen tre fëmijë të cilët përveçse kanë vizituar Muzeun e Krujës, janë veshur edhe me veshje tradicionale shqiptare, një ndjenjë e bukur atdhedashurie.

Sipas përfaqësuesve të Muzeut, janë të shumtë fëmijët që vizitojnë kalanë dhe muzeun e Krujës duke treguar interes për historinë e vendit.

Fëmijët që jetojnë në Diasporë janë gjithashtu ndër vizitorët më të rregullt  të Muzeut. Çdo vit grupe të organizuara nga mësuesit e shkollave shqipe në Suedi, Gjermani etj., vizitojnë Krujën dhe prezantojnë fëmijët me historinë që mbart ky qytet. /dp/ KultPlus.com

5000 bileta falas për turistët që zgjedhin Krujën si destinacion turistik

Ministria e Turizmit dhe bashkia e Krujës kanë nënshkruar marrëveshjen që i dhuron operatorëve turistikë 5 000 bileta me vlerë 0 lekë për të nxitur turistët që zgjedhin Krujën si destinacion turistik.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë aktivitetit të zhvilluar sot, ku u nënshkrua dhe marrëveshja, tha se është koha që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të njohim vendin tonë.

“Me gjeste të vogla i vijmë në ndihmë njeri-tjetrit, për të tejkaluar krizën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e më tej nga pandemia COVID-19. E tillë ishte edhe kjo marrëveshje me bashkinë e Krujës, së cilës i dhuruam 5 mijë bileta me vlerën zero, për të vizituar muzetë e qytetit. Bashkia do t’ua shpërndajë ato bizneseve që lidhen me turizmin, që t’ia dhurojnë çdo turisti që vjen në Krujë”, – tha Margariti.

“Është koha që të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të njohim vendin tonë. Këtë vit, le të vizitojmë më shumë muzetë dhe sitet arkeologjike, anekënd Shqipërisë”, – u shpreh ministrja Margariti. /Atsh /KultPlus.com

Kruja e rilindur, atraksion turistik

Pas dy dekadash harrese, Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane ka transformuar edhe qytetin historik të Krujës.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Kruja e rilindur turistike, ku duket qartë ndryshimi që ka pësuar pjesa tradicionale e qytetit.

“Mirëmëngjes dhe me pamjet nga Kruja e rilindur turistike, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Qyteti i Krujës është një nga destinacionet e pakta turistike në Shqipëri që të çon në periudhën arkitekturore osmane.

Mbi 17 mijë banorë të Krujës, por edhe mijëra turistë që vizitojnë këtë qytet, përfituan nga financimet e qeverisë për qendrën e rikualifikuar dhe rrugën hyrëse në qytet.

Në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane, në Krujë është bërë rikonstruksioni i Pazarit të Vjetër, rruga e Kalasë dhe Kulla e saj, duke i dhënë Krujës turistike pamjen mikpritëse që meriton.

Parkimi nëntokësor, rregullimi i rrugës hyrëse dhe krijimi i hapësirave me ndriçim dhe gjelbërim e bënë këtë qytet më tërheqës për turistët.

Si një nga trashëgimitë kulturore dhe historike të këtij qyteti, Pazari i Vjetër i Krujës pret vizitorë nga Shqipëria, rajoni dhe gjithë bota pothuajse në çdo stinë të vitit.

Zona turistike Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend në çdo stinë të vitit.

Në këtë zonë turistike janë të vendosur tregtarë dhe artizanë që ofrojnë për turistët dhe vizitorët artikuj e sende të ndryshme, duke filluar nga enët e bakrit, qilimat, veshjet me motive kombëtare, qeleshet, aksesorë të ndryshëm me motive kombëtare, suvenire e tjerë.

Pazari i Krujës është një destinacion shumë atraktiv për turistët, ku krahas arkitekturës së veçantë ofron edhe shërbime të ndryshme karakteristike dhe historike.

Në të gjenden dhjetëra dyqane që ofrojnë një shumëllojshmëri të objekteve dhe që në Shqipëri janë edhe unike.

Në zonën ku shtrihet Pazari i Krujës janë realizuar edhe punime restauruese, ku projekti restaurues i të gjitha dyqaneve përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike të veçanta në Shqipëri.

Krahas Pazarit, qyteti i Krujës ofron edhe vende të tjera interesante për t’u vizituar nga turistët, ku ndër të tjera mund të përmendet Kalaja, Muzeu Historik si dhe Muzeu Etnografik./atsh / KultPlus.com

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2472835663035073/

Në 10 muaj mbi 100 mijë vizitorë në muzetë e Krujës

Mbi 100 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti.

Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve janar-tetor ka pasur një fluks të shtuar të turistëve vendas e të huaj në qytetin e Krujës”.

“Krahasuar me vitin e kaluar gjatë 2019 ka pasur rreth 5 mijë vizitorë më shumë”, – tha Masha.

Masha u shpreh se “shumica e vizitorëve janë nga Italia , Polonia, Zvicra, Italia, Spanja, por nuk kanë munguar dhe turistë nga vendet e tjera të Europës si Gjermania, Franca apo Belgjika, si edhe nga kontinenti aziatik, si nga Japonia, Malajzia dhe deri nga Hong Kongu”.

Muzetë janë frekuentuar gjithashtu edhe nga shumë familjarë shqiptarë nga Tirana dhe Prishtina, por nuk kanë munguar edhe nxënësit e shkollave”.

“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Më 1 nëntor Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe shënoi edhe 37 vjetorin e përurimit të tij. Ai u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavione trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh / KultPlus.com

Kruja dhe Gjirokastra shpalosin vlerat e folklorit, etnografisë dhe artizanatit

Folklori, etnografia dhe artizanati i Gjirokastrës dhe Krujës, një ansambël i jashtëzakonshëm i traditës së këtyre dy qyteteve, sollën vlerat e Shqipërisë së mesme dhe jugut për vizitorët e shumtë që kishin mbushur Krujën, shkruan ATSH, përcjellë KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Turizmit, Zona për Zhvillimin e Turizmit Kruja ( TID) Kruja mirëpriti eventin “Kruja dhe Gjirokastra – Traditë dhe Histori”.

Në bashkëpunim me TID Gjirokastra, (Zona për Zhvillimin e Turizmit) Qendrën Kulturore të Fëmijëve Krujë, bashkinë Krujë dhe Gjiroart, artizanati, tradita, historia, arti dhe muzika e këtyre dy qyteteve u bënë bashkë në zonën TID.

Artizanë të qytetit të Gjirokastrës shpalosën punimet e tyre, ndërkohë që atmosfera u ndez nga këngët e grupit Pleqtë e Krujës, si dhe vallja e kënga polifonike e Grupit Lunxhëria.

Të rinjtë e qytetit të Krujës sfiluan me veshjet popullore të të dy qyteteve, si dhe performuan vallet e të dy krahinave. Vallja e përbashkët e krutanëve dhe gjirokastritëve i la sërish vëmendjen artizanëve dhe punimeve të tyre.

Eventi ngalli kureshtjen e turistëve vendas e të huaj, të cilët iu bashkuan këtij aktiviteti.

Ky event u mbështet financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (The AADF) dhe zbatohet nga TID Kruja.

Hapet sot ekspozita “Kruja dhe Skënderbeu” në Muzeun Historik Kombëtar

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar, Instituti i Librit dhe Promocionit dhe Bashkia Krujë sot më datë 27 nëntor me fillim nga ora 12:30 hapë ekspozitën “Kruja dhe Skënderbeu”.

Ekspozita mbledh së bashku 50 artistë të njohur, të cilët kanë trajtuar figurën e Skënderbeut në punimet e tyre.

Sot në ora 12:30, në ambientet e Hollit Kryesor në Muzeun Historik Kombëtar./ KultPlus.com

“Kur vdes nana, nis pleqnia”

Fjalë të urta nga KRUJA

Qindro shtyllë e mos u ban urë.
Nuk asht trim ai që nuk njeh tutën.
Dita pa punë të lodh sa nata pa gjumë.
Miqtë e babës nderoi, miqtë e ri sprovoi.
Barën e kalit mos ia ngarko gomarit.
C’bluen mendja, i zbulon pija.
Mizën e ban ka e qimen tra.
Groshës së huej mos i hidh ujë.
Nji pikë në çati prish nji shtëpi.
Kur vdes nana, nis pleqnia./ KultPlus.com

Kruja më e vizituara në 4 muajt e parë të vitit, me 25000 vizitorë të huaj

Kruja është një nga qendrat e rëndësishme turistike në Shqipëri.

Sipas statistikave të këtij viti të nxjerra nga drejtoria e shërbimit turistik në bashkinë e Krujës, këtë qytet e kanë vizituar rreth 305 mijë turistë vendas e të huaj.

Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik të Bashkisë Drini Masha, e konfirmon këtë numër duke specifikuar se “… vetëm polakë e kanë vizituar qytetin tonë me rreth 56 mijë turistë, ndërsa vizitorët e huaj të ardhur kryesisht nga Europa, por edhe nga Amerika e Australia, e kalojnë shifrën mbi 105 mijë.”

I pyetur se për se vijnë në Krujë, Masha përgjigjet se ”… kanë lexuar dhe dëgjuar për historinë e këtij qyteti, që këtu ndodhet një muze për Heroin tonë Kombëtar, një muze etnografik, ndërtesa mesjetare dhe mbi të gjitha është pika historike më e afërt nga Tirana dhe Aeroporti “Nënë Tereza”.

Në Krujë, ruhet dhe një traditë: zejtaria tradicionale e prodhimit me dorë si, punimi i leshit, metalit dhe drurit.

Kruja, dallohet edhe për gatimet e saj të veçanta dhe tradicionale. Këto janë disa arsye që Kruja vizitohet kaq shumë”, – thotë Drini Masha.

Ndërsa drejtori i muzeut “Gjergj Kastrioti” Medi Hafizi, thotë se “… të huajt vijnë dhe kuriozohen nga historia e Skënderbeut dhe artifaktet, por dhe nga pozicioni gjeografik i qytetit.

Vetëm të ardhur nga vende të tjera të botës, na kanë vizituar vitin që shkoi rreth 200 mijë turistë”, – thotë Hafizi.

Kruja në 4 muajt e parë të këtij viti është vizituar nga 25,000 turistë të huaj.

Çdo ditë në Krujë ngjiten vizitorë vendas dhe të huaj, që interesohen për historinë e qytetit, për prodhimet dhe zejet krutane. /ata

Dyndje turistësh në Muzeun e Krujës, 1 mijë vizitorë vetëm në një ditë

Monumentet e kulturës po tërheqin çdo ditë e më shumë vëmendjen dhe interesin e vizitorëve vendas, e sidomos të huajve.

Institucionet përkatëse për monumentet e kulturës këtë vit kanë bërë të mundur që çdo të diele të fund muajit dhe ditët e festave hyrja në këto institucione trashëgimie të jetë falas për vizitorët.

Kjo nisëm e ndërmarrë bën të mundur rritjen e numrit të vizitorëve shqiptarë dhe të huaj në këto vende atraksioni dhe historie.

Mbi 1 mijë vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë, vetëm këtë të diele të fundit të muajit prill, raporton ATSH.

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja./ KultPlus.com

Ky është qyteti shqiptar më i vizituar

Kruja është një qytet mesjetar që për herë të parë përmendet në shekullin e IX, në një dokument kishtar të vitit 879-të.

Mendohet që emri rrjedhë nga fjala “krua”, burim uji, sepse në Krujë ka shumë burime të tilla.
Sot, Kruja njihet si kryeqendra e rezistencës ndaj pushtuesve osmanë gjatë kohës që Skënderbeu udhëhiqte këtë rezistencë, raporton ATSH. Kështjella e Krujës u rrethua 4 herë nga ushtria Osmane. Në rrethimin e katërt kështjella ra në dorën e pushtuesit. Kruja është një qendër e rëndësishme turistike në Shqipëri.

Sipas statistikave të këtij viti të nxjerra nga drejtoria e shërbimit turistik në Bashkinë e Krujës, këtë qytet e kanë vizituar rreth 305 mijë turistë vendas e të huaj.

Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik të Bashkisë Drini Masha, e konfirmon këtë numër duke specifikuar se “vetëm polakë e kanë vizituar qytetin tonë me rreth 56 mijë turistë, ndërsa vizitorët e huaj të ardhur kryesisht nga Europa, por edhe nga Amerika e Australia, e kalojnë shifrën mbi 105 mijë.”

I pyetur se për se vijnë në Krujë, Masha përgjigjet se ”kanë lexuar dhe dëgjuar për historinë e këtij qyteti, që këtu ndodhet një muze për Heroin tonë Kombëtar, një muze etnografik, ndërtesa mesjetare dhe mbi të gjitha është pika historike më e afërt nga Tirana dhe Aeroporti “Nënë Tereza”.
Në Krujë, ruhet dhe një traditë zejtaria tradicionale e prodhimit me dorë si punimi i leshit, metalit dhe drurit.

Kruja, dallohet edhe për gatimin e saj të veçantë dhe tradicional. Këto janë disa arsye që Kruja vizitohet kaq shumë”, thotë Drini Masha.
Ndërsa Drejtori i Muzeut Gjergj Kastrioti Medi Hafizi, flet për vizitorët e përditshëm të muzeut që janë kryesisht të huaj dhe nxënës shkollash.

“Të huajt vijnë dhe kuriozohen nga historia e Skënderbeut dhe arkifaktet, por dhe nga pozicioni gjeografik i qytetit. Vetëm të ardhur nga vende të tjera të botës, na kanë vizituar deri në muajin tetor 105 mijë turistë”, thotë Hafizi./ KultPlus.com