Niçe: Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhënë jetë një ylli vallëzues

“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund të ju besojë më.”

“Ata shiheshin duke vallëzuar, mendoheshin si të çmendur prej atyre që s’mund ta dëgjonin muzikën.”

“Ti ke rrugën tënde, unë rrugën time. Sa për rrugën e drejt, rrugën e duhur, ajo nuk ekziston.”

“Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhën jetë një ylli vallëzues.”

“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.”

“Njeriu i dijes jo vetëm që duhet të jetë në gjendje t’i dojë armiqt e vetë, por gjithashtu edhe ti urrejë miqt e vetë.”

“Nuk mund të besoj në një Zot i cili përgjatë gjithë kohës dëshiron të jetë i lavdëruar.”

“Kur jemi të lodhur, ne sulmohemi nga idetë të cilat i kemi pushtuar shumë kohë më parë.”

“Gjarpëri që nuk mund ta flak tutje lëkurën e tij, vdes. Njësoj është edhe me mendjet të cilat pushojnë së ndryshuari mendimet e tyre; ato pushojnë së qenuri mendje.”

“Tek individët, marrëzia është e rrallë; mirëpo tek grupet, partitë, kombet dhe epokat, ajo është rregull.”

“Përparësia e një kujtese të dobët është se njeriu, i shijon disa herë gjërat e njejta sikur për herë të parë.”

“Njeriu është kafsha më mizore.”

“Besimi: të mos duash ta dish cila është e vërteta.”

“Një shëtitje e zakonshme nëpër çmendinë tregon se besimi nuk vërteton asgjë.”

“Keni kujdes kur i luftoni bishat, që edhe ju vetë të mos bëheni bishë pastaj…. Sepse kur e vështron me ngulm për kohë të gjatë humnerë, edhe humnera ju vështron juve.”

“Nuk ekzistojnë sipërfaqe të bukura pa thellësitë e tmerrshme.”

“Në botë ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që duan të dijn dhe ata që duan të besojnë.”

“Ajo që është bërë nga dashuria, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqe.”

“Heshtja është më e keqja; të gjitha të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese.”

“Fijet e padukshme janë lidhëset më të forta.”

“I vetmuari i’a zgjat dorën shumë shpejt kujtdo që e ndesh.”

“Ndoshta unë e di se përse vetëm njeriu qesh; vetëm ai vuan aq thellë sa që i është dashur ta shpik qeshjen.”

“Në fund të fundit është dëshira, dhe jo e dëshiruara ajo që e dashurojmë.”

“Edhe sot si gjithmonë, njerëzit ndahen në dy grupe: skllevërit dhe të lirët. Kushdo që nuk i ka 2/3 e ditës për veten e vetë, është skllav, pavarësisht nëse është burrështetas, biznesmen, zyrtarë ose profesor.”

“Ata e turbullojnë ujin për t’u dukur më i thellë.”

“Ekziston më shumë mençuri në trupin tuaj se sa në filozofinë tuaj më të thellë.”

“Në të vërtetë, shpresa është më e keqja sepse ajo i zgjat vuajtjet e njeriut.”

– Friedrich Nietzsche

Kalendari gregorian, kalendari “allafrënga” i shqiptarëve

Më 15 tetor 1582, vitit kalendarik iu hoqën 10 ditë, për të korrigjuar një gabim në përllogaritje.

Ende në shqip hasen shprehjet “kalendar allafrënga” dhe “kalendar allaturka”, ose “kalendar i ri” dhe “kalendar i vjetër”. Në thelb, bëhet fjalë për dy prej kalendarëve më të përdorur në Evropë e jo vetëm: kalendari gregorian (i riu) dhe kalendari julian (i vjetri).

Këta dy kalendarë sot ndryshojnë me 14 ditë mes tyre, ku gregoriani është 14 ditë më parë se juliani. Një shembull është tek nisja e stinës së re, kur ne festojmë datën 14 mars si “Dita e verës” dhe jo ditën e parë të muajit. Ndryshe nga ç’thotë populli (kalendar allaturka), kjo datë nuk ka lidhje me Turqinë, por me kalendarin e kohës së Jul Cezarit.

Që prej shekullit VIII dijetarë të ndryshëm kishin vënë re nevojën e një kalendari të ri. Por vetëm më 1582 ishin gati të gjitha përllogaritjet për korrigjimin e gabimit. Papa Gregori XIII, vendosi që pas datës 4 tetor 1582 nuk do të vinte data 5 tetor, por 15 tetor, duke korrigjuar gabimin e ndodhur që prej shek. XIII. Sipas kalendarit të ri, çdo vit që pjesëtohet me 400 do të jetë vit i brishtë, duke shtuar 1 ditë pas datës 28 shkurt. Papa Gregori e vuri re gabimin e kalendarit julian teksa i duhej të llogariste datën e pashkëve. Meqenëse të dy kalendarët, si ai Julian, si ai Gregorian, janë kalendarë diellorë, përllogaritja e tyre bazohet mbi rrotullimet e Tokës përreth Diellit.

Kjo ngjarje dhe kjo datë, shpjegohet më mirë përmes imazheve nga “Breve trattato gnomonico d’orologi solari”, kopjuar më 1843, dorëshkrim i ruajtur në Arkivin Qendror Shtetëror. Është shkruar në italisht, në 51 fletë letre me përmasa 252 x 175 mm nga një kopist anonim. Teksti shpjegon se çfarë është ora diellore, si funksionon, si ndërtohet dhe si lexohet, pasi orientimi nuk na nevojitet vetëm në errësirën e natës, por edhe në dritën e ditës./atsh/KultPlus.com

15 tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Ecjes në Natyrë

15 tetori nga Organizata Botërore e Shëndetësisë shënohet si Dita Ndërkombëtare e Ecjes në Natyrë, shkruan KultPlus.

Siç përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), aktiviteti fizik është “çdo lëvizje trupore e prodhuar nga muskujt skeletorë që kërkon shpenzim energjie”.

Është një nga stimujt funksionalë themelorë të organizmit, i cili, nëse aplikohet rregullisht, zvogëlon rrezikun e zhvillimit të një sërë sëmundjesh kronike, kryesisht kardiovaskulare, disa llojeve të kancerit, diabetit jo të varur nga insulina dhe osteoporozës.

Aktiviteti fizik i rregullt stimulon metabolizmin e glukozës, zvogëlon yndyrën e trupit, përmirëson rregullimin e peshës trupore, ul presionin e gjakut, si dhe redukton humbjen e masës kockore.

Aktiviteti fizik ndihmon në uljen e stresit dhe përmirëson cilësinë e gjumit, i cili është një pjesë e rëndësishme e shëndetit të mirë dhe cilësisë së jetës në përgjithësi (1-4).

Organizata jo-qeveritare, Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën, ka thënë se ndonëse Kosova përballet me probleme të mëdha të ndotjes së mjedisit, ka hapësira të mjaftueshme për ta festuar këtë ditë, hapësira këto të cilat me një kujdes të shtruar, kundër ndotjes, do t’i ofronin qytetarëve portën drejt një shëndeti më të mirë. /KultPlus.com

“Tetori i librit” sjell në shqip pesë vepra të letërsisë franceze për fëmijë e të rinj

Në kuadër të “Tetorit të librit”, një muaji ku theksi vihet tek libri dhe lexuesit e tij, Ambasada e Francës dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën fituesit e thirrjes për botimin në shqip të librave francezë.

Projekti i Ambasadës së Francës në Tiranë dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit do të mundësojë botimin në shqip të pesë veprave të letërsisë franceze në gjuhën shqipe.

Lexuesit shqiptarë do të kenë mundësi të lexojnë autorë francezë si Christelle Dabos, Jean Giono, Dominique Barberis, Neige Sinno, Christiane Rochefort të shqipëruar nga përkthyeset Lorena Dedja, Liliana Papa, Klarita Lagji dhe Blerta Hyska.

Ato u përzgjodhën mes shumë aplikimeve të dorëzuara për këtë thirrje dhe janë libra për fëmijë dhe të rinj ose libra të vlerësuar me çmime në Francë.

Tetori, i cili përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjenit, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, është shpallur si muaji që i kushtohet librit e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë që ka ai në shoqëri./atsh/KultPlus.com

15 Tetori, Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë

15 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, e cila simbolizon përpjekjet e qytetarëve të verbër për përmirësimin e standardeve të jetesës dhe të të drejtave të tyre.

Kjo ditë, daton në vitin 1964 kur Presidenti Amerikan Lindon S Jonson nënshkroi Deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e qytetarëve të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti.

15 Tetori i bashkon ata në veprimtari të ndryshme në nivel lokal dhe kombëtar që kanë për qëllim sensibilizimin e institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë për përmirësimin dhe realizimin në praktikë të të drejtave që atyre u jep statusi i të verbërit, si edhe Konventa e OKB për të Drejtat e PAK.

Çdo vit për të ndërgjegjësuar shoqërinë dhe institucionet përgjegjëse, zhvillohen në 15 Tetor aktivitete të ndryshme./KultPlus.com

180 vite nga lindja e Fridrih Niçes

Sot janë bërë 180 vite nga lindja e një ndër filozofëve dhe mendimtarëve më të ndritur të shekullit të njëzet, Fridrih Niçe. Figura e ndritur dhe ndikuese e kohës së tij, vazhdon të përjetësohet përmes veprave të tij që kanë ndikuar thellësisht në filozofi, letërsi dhe kulturën moderne.

Fridrih Vilhelm Niçe, lindur më 15 tetor 1844 në Röcken, Prusia (tani pjesë e Gjermanisë), shprehu shqetësimin dhe reflektimin e thellë në temat e ekzistencës, moraleve të shoqërisë dhe rolit të religjionit. Filozofia e tij e kritikës së vlerave tradicionale dhe shqyrtimi i mendimit konvencional shpërfaqën një vështrim të thellë mbi realitetin dhe natyrën njerëzore.

Një nga konceptet kryesore që u shprehën përmes shkrimeve të Niçes ishte “zgjimi i qytetërimit.” Ai shprehu nevojën për të përballuar sfidat intelektuale dhe morale të kohës, duke ecur përpara nga dogmatizmi dhe kufizimet e mendimit të ngushtë. “Zgjimi i qytetërimit” synonte të ndriçonte rrugën drejt një shoqërie më të zhvilluar dhe një individi më të vetëdijshëm për fuqinë e vet krijuese.

Përtej kontributit në filozofi, Niçe shkroi edhe në fushën e letërsisë. Për shembull, vepra e tij “Kështu foli Zarathustra” është një roman filozofik që përshkruan aventurat e personazhit kryesor, Zarathustra, në një udhëtim të frymëzuar nga synime të thella të mendimit human. Ky veprim i veçantë i Niçes lidh filozofinë me imazhin e krijuesit individual dhe forcën e mendimit për të shkaktuar ndryshime të thella në shoqëri.

Gjatë jetës së tij, Fridrih Niçe u përball me sfida personale dhe shëndetësore. Kjo periudhë e vështirë e jetës së tij shpërfaq trishtimin dhe izolimin, por gjithashtu prodhoi disa nga shkrimet më të fuqishme dhe të thella të Niçes.

Edhe pse vdiq më 25 gusht 1900, trashëgimia intelektuale e Fridrih Niçes vazhdon të jetë e gjallë. Mendimet e tij lidhen ngushtë me sfidat e kohës moderne, duke inkurajuar individët të reflektojnë mbi vlerat, qëllimet dhe kuptimin e jetës. Siç thoshte vetë Niçe, “Dëshira për dituri është një dëshirë e madhe për të ditur se si të duash.” Kjo thirrje për të eksploruar thellësitë e mendjes dhe të jetës është një trashëgimi e çmuar që vazhdon të frymëzojë dhe të udhëheqë njerëzit edhe sot e kësaj dite. / KultPlus.com

Media franceze “L’Echo Touristique”: Shqipëria – vendi mesdhetar me ambicie të mëdha në turizëm

A duhet të nxitoni të vizitoni Shqipërinë përpara se ajo të bëhet shumë e njohur? Në çdo rast destinacioni aspiron të bëhet kampion i turizmit, shkruan Linda Lainé në një artikull të botuar në revistën franceze “L’Echo Touristique”.

Është e vështirë të imagjinohet se Shqipëria ka qenë e izoluar deri në vitin 1990, në kushtet e një diktature 40-vjeçare (1945-1985).

Destinacioni po zgjohet shpejt, shumë shpejt për turizmin, gjatë 10 viteve të fundit.

“Turizmi përfaqëson tashmë 17% të PBB-së së tij”, tha Mirela Kumbaro, ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit – duke iu drejtuar profesionistëve pjesëmarrës në konventën e “Central East Travel Companies” më 12 tetor në Tiranë.

“Dhe potenciali mbetet i jashtëzakonshëm, pavarësisht disa pengesave”, shtoi ajo.

Vendi ballkanik, i populluar nga 2,5 milionë banorë, mirëpriti 10 milionë vizitorë ndërkombëtarë në vitin 2024.

Një shifër që pritet të rritet në të paktën 12 milionë këtë vit dhe 20 milionë në vitin 2030.

Objektivi: +138% qëndrime njëditore në vitin 2030

Bërja e Shqipërisë “kampione e turizmit” është synimi e ministres. Këtë e dëshmon strategjia e vitit 2030 që ajo shpalosi sërish më 12 tetor për shtypin vendas.

“Ne synojmë një rritje prej 138% të qëndrime njëditore në vitin 2030 dhe një rritje 4-fish të të ardhurave shtetërore nga sektori”, tha ajo.

Këto të ardhura arritën në 4,2 miliardë euro në vitin 2023.

Gjithashtu, Kumbaro premtoi turizëm cilësor, jo masiv.

Megjithatë, resorte të mëdha bregdetare tashmë janë ngritur në një pjesë të brigjeve.

Dhe kantieret janë të shumta, ndërsa një aeroport i dytë uhet të ndërtohet në vitin 2025, në jugperëndim, në Vlorë.

Një shërbim që duhet të rritet

Shqipëria, vendi pritës i ekspozitës së madhe ITB Berlin 2025, qartësisht dëshiron të përfitojë nga imazhi i saj – si një destinacion në zhvillim.

Destinacioni, gjithashtu planifikon të përfshihet në treg, duke hapur së fundmi 17 hotele me 5 yje.

Mbetet gjithashtu për të përmirësuar shërbimin, sipas mendimit të disa profesionistëve francezë të udhëtimit.

Berenger Thibaut, themeluesi i “Vacances Albanie”, përmbledh një nga problemet e vendit.

Kompanitë turistike franceze po lënë gjurmën e tyre

I njohur për plazhet e tij me ujëra bruz, peizazhet, historinë plot ngjarje dhe mikpritjen e tij, vendi i shqiponjave bën folenë e tij midis operatorëve turistikë francezë.

“Travel Europe” funksionon prej më shumë se pesë vitesh dhe ka një zyrë në kryeqytetin Tiranë.

Për turnetë e tij, operatori turistik çarteron fluturime nga mesi i prillit deri në fund të qershorit dhe nga fundi i gushtit deri në mes të tetorit.

“Vendi vazhdon rikuperimin e tij nga diktatura me shpejtësi të madhe.
Me dëshirën për t’u afruar me vendet evropiane”, tha ambasadorja franceze në Tiranë Catherine Suard.

“Ne mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ajo./atsh/KultPlus.com

‘Nissan’ përdor IA për të gjetur defektet e bojës së makinave

 Kompania japoneze e prodhimit të automjeteve ”Nissan” po përdor inteligjencën artificiale për të dalluar papërsosmëritë e bojës në makinat e prodhuara në fabrikat e montimit në SHBA.

Rreth tre vjet më parë, prodhuesi i automjeteve filloi të përdorë sistemin e inspektimit të sipërfaqes së lyer bazuar në inteligjencën artificiale të quajtur ”Autis”, e cila përmirëson shkallën e zbulimit të defekteve në fabrikë.

Sistemi përdor kamera me rezolucion të lartë për të bërë 15 000 foto të çdo automjeti pasi del nga kabina e bojës.

Këto imazhe më pas analizohen nga softueri i inteligjencës artificiale për të gjetur defektet.

”Syri i njeriut mund të zbulojë 85-95% të defekteve, por ‘Autis’ identifikon më shumë se 99,9% të tyre”, theksoi Travis Fritsche, inxhinier i ”Nissan”.

Teknikët vazhdojnë të verifikojnë defektet e mundshme të bojës të raportuara nga sistemi duke përdorur monitorët e dedikuar të kompanisë dhe telefonat inteligjentë.

Sipas ”Nissan”, ndihma e IA redukton tendosjen e syve dhe ju lejon më shumë kohë për të korrigjuar problemet e bojës.

Kompania japoneze filloi të përdorte robotë të pajisur me lazer për të skanuar defektet e bojës në 1985.

Robotët e parë ishin në gjendje të identifikonin defekte të vogla deri në 0,3 milimetra në 45 sekonda, ndërsa sistemi ”Autis” mund të identifikojë defekte të vogla deri në 0,2 milimetra në më pak se gjysmën e kohës.

Sistemi i bazuar në IA krijon gjithashtu një ”bibliotekë” me defekte të konfirmuara që mund ta përdorë si një referencë në të ardhmen për të përmirësuar performancën e tij – e njëjta bibliotekë mund të studiohet nga inxhinierët për të zgjidhur çdo problem me proceset e bojës për automjete dhe ngjyra specifike./ atsh/ KultPlus.com

Milan Kundera: Lumturia është dëshira për përsëritje

Thënie nga Milan Kundera:

Por kur të fortët ishin shumë të dobët për të lënduar të dobëtit, të dobëtit duhej të ishin aq të fortë sa të largoheshin.

Dy njerëz të dashuruar, të vetëm, të izoluar nga bota, kjo është aq e bukur.

Nuk mund të matet dashuria e ndërsjellë e dy qenieve njerëzore me numrin e fjalëve që shkëmbejnë.

Kur zemra flet, mendja e sheh të pahijshme të kundërshtojë.

Burimi i frikës është në të ardhmen dhe një person i çliruar nga e ardhmja nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

Dashuria është malli për gjysmën e vetes që kemi humbur.

Budallallëku i njerëzve vjen nga të paturit një përgjigje për gjithçka, risia në gjithë këtë është të paturit një pyetje për gjithçka.

Dëshira jonë për rregullsi përpiqet ta kthejë botën e njerëzve në mbretërinë e inorganikes, në të cilën gjithçka ecën përpara dhe vepron sipas një rendi jopersonal. Dëshira për rend është, në të njëjtën kohë, një dëshirë për vdekje. Sepse jeta është një ndryshim i përhershëm i rendit.

Një person që dëshiron të largohet nga vendi ku jeton është një person i palumtur.

E vetmja gjë që ajo tha kur ai e liroi nga përqafimi i tij ishte: “Ti nuk e di sa e lumtur jam që jam me ty”. Kjo ishte ajo që natyra e saj e rezervuar e lejoi të shprehte.”

Ne kurrë nuk mund të dimë se çfarë të dëshirojmë, sepse, duke jetuar vetëm një jetë, nuk mund ta krahasojmë atë me jetët tona të mëparshme dhe as ta përsosim në jetët tona të ardhshme.

Sepse në këtë botë çdo gjë është e falur paraprakisht dhe për këtë arsye gjithçka lejohet në mënyrë cinike.

Nuk ka perfeksion, vetëm jetë.

Dashuritë janë si perandoritë: kur ideja mbi të cilën bazohen shkatërrohet, ato gjithashtu zbehen.

E vetmja marrëdhënie që mund t’i bëjë të lumtur të dy partnerët është ajo në të cilën sentimentalizmi nuk ka vend dhe asnjëri nga partnerët nuk pretendon për jetën dhe lirinë e tjetrit.

Nuk do ta dimë kurrë pse e acarojmë njëri-tjetrin, çfarë është ajo që na bën të sjellshëm apo qesharak. Imazhi ynë është misteri ynë më i madh.

Një libër i ndaluar në vendin tuaj do të thotë pafundësisht më shumë se miliarda fjalë të nxjerra nga universitetet tona.

Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës.

Sepse nuk ka asgjë më të rëndë se dhembshuria. As dhimbja jonë nuk peshon aq e shumë sa dhimbja që ndjen me dikë, për dikë, një dhimbje e intensifikuar nga imagjinata dhe e zgjatur me njëqind jehona.

Ekziston një pjesë e caktuar e të gjithëve ne që jeton jashtë kohës. Ndoshta ne bëhemi të vetëdijshëm për moshën tonë vetëm në momente të jashtëzakonshme dhe shumicën e kohës jemi pa moshë.

Shansi dhe vetëm shansi ka ë një mesazh për ne. Çdo gjë që ndodh nga nevoja, gjithçka që pritet, e përsëritur ditë pas dite, është e heshtur. Vetëm rasti mund të na flasë.

Po, është një fakt i njohur për ty: je si vdekja, merr gjithçka.

Unë nuk isha hipokrit, me një fytyrë të vërtetë dhe disa të rreme. Kisha disa fytyra sepse isha i ri dhe nuk e dija kush isha apo doja të isha.

Të qeshësh është të jetosh thellë.

Njeriu është përgjegjës për injorancën e tij.

Të jetosh është të jesh i lumtur: të shohësh, të dëgjosh, të prekësh, të pish, të hash, të urinosh, të defekosh, të zhytesh në ujë dhe të shikosh qiellin, të qeshësh dhe të qash.

Në sipërfaqe, një gënjeshtër e kuptueshme; poshtë, e vërteta e pakuptueshme.

Për fat të mirë, gratë kanë aftësinë e mrekullueshme për të ndryshuar kuptimin e veprimeve të tyre pas ngjarjes.

Ndonjëherë ju vendosni për diçka pa e ditur pse, dhe vendimi juaj vazhdon nga fuqia e inercisë. Çdo vit bëhet më e vështirë të ndryshosh.

Tomas nuk e kuptoi në atë kohë se metaforat janë të rrezikshme. Metaforat nuk duhen anashkaluar. Një metaforë e vetme mund të lindë dashuri.

Lumturia është dëshira për përsëritje.

Testi i vërtetë moral i njerëzimit, testi i tij themelor…përbëhet nga qëndrimi i tij ndaj atyre që janë në mëshirën e tij: kafshëve.

Sa më e madhe të jetë paqartësia, aq më e madhe është kënaqësia.

Të rebelohej kundër lindjes së një gruaje asaj i dukej po aq budallallëk sa të krenoheshe me të.

Vlera e një qenieje njerëzore qëndron në aftësinë për të zgjeruar veten, për të dalë jashtë vetes, për të ekzistuar me dhe për njerëzit e tjerë.

Pa e kuptuar, individi e kompozon jetën e tij sipas ligjeve të bukurisë edhe në kohët e fatkeqësisë më të madhe.

Unë kam një vullnet të fortë për të të dashur në përjetësi.

Nuk kam asnjë mision. Askush nuk ka./KultPlus.com

Fundosja e Titanikut

Poezi nga Vernon Dalhart
Përkthyer nga Bujar Meholli

Mëngjes i së hënës qe rreth orës një,
kur i madhi Titanik andej-këndej lëkundej,
njerëzit filluan të bërtisnin “gjallë s’do mbesim asnjë!”
Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Kur Titanikun e madh ata e ndërtuan,
thanë se uji gjë nuk do mund t’i bënte,
por Zotin e plotfuqishëm sakaq e harruan,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese…
Kishte gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin,
ishte trishtuese, ajo anije e madhe po fundosej…

Njerëzit po bënin rrugë të gjatë nga të tyret shtëpi,
ashtu tok, nuk e dinin se vakti u kish ardhur,
vdekja trokiti, qindra syresh i gëlltiti,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej.

Ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej,
ishte trishtuese që anija e madhe po fundosej…
Kish gra, burra e vocërrakë, që jetët po i humbnin.
Zot! Sa e dhimbshme! Anija e madhe veçse u fundos…

Inçizuar te Gennett Records, në vitin 1926.

Vernon Dalhart, emri i vërtetë i të cilit është Marion Try Slaughter, konsiderohet si njëri ndër artistët më të mëdhenj të muzikës Kantri. /KultPlus.com

‘Pasuria zbulon cilësitë e këqia që fsheh varfëria’

Kolonizatorë dhe sundues të Altlantikut, portugezët kanë trashëguar në breza urtësi që lidhen fuqishëm me tematika si peshkimi, paraja, premtimet, shpenzimet, respekti e këshillat.

Mos i jep asnjëherë këshilla atij që të kërkon vetëm lekë.

Askush nuk vlen më shumë se tjetri nëse nuk prodhon më shumë se tjetri.

Dembelia nuk ka rritur kurrë fëmijë të mirë.

Ilaçi i nesërm nuk do ta shërojë sëmundjen e sotme.

I sigurti vdiq, i kujdesshmi i shkon në mort.

Kush ka katër dhe shpenzon pesë, nuk ka nevojë për kuletë.

Kush nuk ka bukë, të mos mbajë qen.

Ligji punon ashtu siç dëshiron paraja.

Më së shumti premtojnë ata të cilët s’kanë ç’ka të japin.

Mëso duke qarë dhe do të fitosh duke qeshur.

Më shumë të hidhëron premtimi mashtrues, sesa një refuzim mohues.

Mos i zër besë një dere me shumë çelësa.

Ndershmëria dhe interesi i përfitimit nuk hyjnë në një thes.

Fjala e thënë, rasti i humbur dhe koha e ikur në jetë nuk ndodh t’i kthehen pronarit.

Pasurimi i pamerituar sjell djallin në shtëpi.

Qeni leh keq, kur leh nga frika.

Ta kesh mjekun e keq, është më keq se vetë sëmundja.

A do të jetë hija e drejtë në qoftë se druri është i shtrembër?

Ankimi i varfanjakut arrin deri në kupë të qiellit, por jo edhe në veshë të njerëzve.

Ji pluhur aty ku shkel nëna jote, parajsa ndodhet nën këmbët e saj.

Këshilla që jepet para botës është sharje.

Këshilloje të marrin dhe do të të llogarisë si armikun e tij.

Kush s’di dhe nuk e di që s’di, është budalla: mos iu afro; kush nuk di dhe e di që s’di, është i paditur: mësoje; kush di dhe nuk di që di, është i fjetur: zgjoje; kush di dhe e di që di, është i mençur: dëgjoje.

Më parë mendo daljen, pastaj hyrjen.

Në dashuri s’ka këshilltar.

Nëna e një të vrari edhe fle, por nuk fle nëna e vrasësit.

Nëse më mashtron një herë, atëherë ti je fajtor, por nëse më mashtron edhe për herë të dytë, atëherë vetë jam fajtor.

Njeriu i ngjan pemës, njerëzit e rrethojnë sa është e mbuluar me fruta, por, posa t’i bien frutat, njerëzit shpërndahen të gjejnë një pemë më të mirë.

Njeriu që nuk interesohet të mësojë prejardhjen e prindërve dhe të farefisit të vet, i përngjan një majmuni të humbur në xhungël.

Njeriu që nuk ka qënë kurrë i sëmurë, nuk mund të jetë mjek i mirë.

Proverbi për të folurit është si kripa për gjellën.

Pushimin shtyje për nesër, jo punën.

Bëj sikur je i ditur, por mëso edhe si të dukesh injorant.

Kam me tepri mollë e dardha, por zemra më lakmon ftoin.

Ka fjalë të cilat edhe me shumë mjaltë, nuk mund t’i përpish.

Kërkon gomarin dhe është mbi të i hipur.

Më mirë të humbasësh një sy se emrin e mirë.

Pasuria zbulon cilësitë e këqia që fsheh varfëria.

Peshqit zihen me grep, ndërsa njerëzit me fjalë.

Po të ishte dituria në mjekër, të gjithë cjepërit do të ishin profetë.

S’fillohet agjërimi me bakllava në dorë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com

30-vjetori i ‘Odës Dibrane’, performanca mbresëlënëse të grupeve folklorike

“Oda Dibrane”, festivali folklorik mbarëkombëtar, përmbylli me sukses mbrëmë në Peshkopi aktivitetin e 30-të të tij.

Performancat artistike të grupeve dhe ansambleve pjesëmarrëse ishin mbresëlënëse për të gjithë artdashësit që mbushën Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli”.

Risi e këtij përvjetori jubile të “Odës Dibrane” ishin pjesëmarrja e grupit folklorik nga arbëreshët e Italisë, si dhe numri special artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Në këtë festival morën pjesë grupe folklorike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.

Hapja zyrtare e festivalit Oda Dibrane u bë nga kryetari i bashkisë Dibër në Shqipëri dhe kryetari i komunës Dibër në Maqedoninë e Veriut. Të dy drejtuesit vlerësuan kontributin që Oda Dibrane ka dhënë për promovimin e traditave dibrane, duke krijuar një urë të qëndrueshme bashkëpunimi.

Parada e veshjeve tradicionale tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve. Kostumet shumëngjyrëshe, që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të fshatrave dhe qyteteve të rajonit, demonstruan pasurinë dhe diversitetin e kulturës shqiptare.

Oda Dibrane, përveçse një festë kulturore, është kthyer në një motor të rëndësishëm për promovimin e turizmit lokal dhe për forcimin e lidhjeve mes komuniteteve./atsh/ KultPlus.com

‘Betohem me këngë, në dy sytë e mi’ (VIDEO)

Armend Rexhepagiqi është një prej këngëtarëve më unik në hapësirat mbarëshqiptare. Këngët dhe krijimtaria e tij janë tejkohore, pasi ato dëgjohen edhe sot siç janë dëgjuar vite më parë kur janë publikuar.

“Betohem me këngë” është këngë e njohur e Armendit e para shumë vitesh e cila ia vlen të dëgjohet edhe sot:

Asgje nuk kam pos ketij kujtimi t’hidhur n’ty
e me duhesh sikur uji me duhesh si liria.

A ka dikush qe dashurine edhe si ti e lendoi?
A ka dikush ne kete qytet qe dashurine si ti shqelmoi?
E une kur flas per dashuri vetem per ty di te flas,
xhelozi e thelle kur fati ju buzeqesh ca njerezve tjere.
Asgje nuk kam, asgje s’ka mbete,
lagjja jone ende flet per ne, nena ime tenden pershendet,
por asgje s’ka mbete vetem kjo barre qe e mbaj,
tere boten mbi shpine thuaj se e kam, i lodhur jam.
Dhe do te bie une ne mend nje dite kur fati ty te le,
por do t’jete vone dhe nese vuan pranë me kurr s’do te me kesh.

Ne emer te kujtimeve, ne emer te dashurise sone
te dikurshme shko, shko nga dhembja ime pergjithmone.

Betohem me kenge ne dy syte e mi,
kur jep dashuri me dashuri s’te kthehet s’ka aty drejtesi,
asgje n’mes nesh, asgje e shenjte,
ure me nuk ka, gremine e thelle neve na ndane.
Betohem me kenge, ne krenari,
loti nga guri do te rrjedh me pare se do t’rrjedh nga syt e mi,
hena si diell do te na djege,
deti pa kripe do te mbete shume me pare se qe do t’kthehem tek ti.

Ne emer te kujtimeve, ne emer te dashurise sone
te dikurshme shko, shko nga dhembja ime pergjithmone.

Betohem me kenge ne dy syte e mi,
kur jep dashuri me dashuri s’te kthehet s’ka aty drejtesi,
asgje n’mes nesh, asgje e shenjte,
ure me nuk ka, gremine e thelle neve na ndane.
Betohem ne kenge, ne krenari,
loti nga guri do te rrjedh me pare se do t’rrjedh nga syt e mi,
hena si diell do te na djege,
deti pa kripe do te mbete shume me pare se qe do t’kthehem tek ti.

Asgje nuk kam pos ketij kujtimi t’hidhur n’ty
e me duhesh sikur uji me duhesh si liria./ KultPlus.com

“Panairi i Librit: Tirana 2024” mbahet në nëntor

Panairi i Librit: Tirana 2024, do të mbahet nga 13 deri më 17 Nëntor, në Pallatin e  Kongreseve nga ora 09:00 deri më 20:00.

Synimi i këtij Panairi është t’i ofrojë akoma më tepër tituj dhe mundësi leximi publikut shqiptar por edhe të mundësinë që të vijë në kontakt me krijuesit e librave nëpërmes aktiviteteve të ndryshme.

Në eventin më të madh të librit në shqip, janë edhe Botimet e shtëpisë botuese ‘Akropoli i Ri’ që do ofrohen për publikun. Stenda e ‘Akropoli i Ri’ do të jetë në Katin 2, në Pallatin e Kongreseve.

La Gazetta di Puglia (1927)/ Fytyra e Ahmet Zogut shkëlqen si ajo e një artisti kur flet për zhvillimin e Shqipërisë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 9 Tetor 2024

“La Gazetta di Puglia” ka botuar, të dielën e 22 majit 1927, në faqen n°3, një shkrim asokohe mbi kontributin e Ahmet Zogut në zhvillimin e Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Ahmet Zogu

Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3
Burimi : La Gazetta di Puglia, e diel, 22 maj 1927, faqe n°3

Ahmet Zogu ka prerogativën e lakmueshme për të qenë kreu i shtetit më i ri  në botë. Ai është rreth tridhjetë vjeç dhe në manifestimet e vazhdueshme të veprimtarisë dhe vullnetit të tij ka mundur t’i japë vendit të tij, të ndarë deri tani nga anarkitë më konservatore, aspektin me të vërtetë të denjë për një shtet, i cili qoftë edhe i vogël, dëshiron të vendoset në nivelin e të tjerëve në fushën e qytetërimit dhe përparimit.

Në fakt, kushdo që shqyrton kushtet aktuale të Shqipërisë, veprat e rilindjes që po kryhen, organizimin e shtetit jo si një shprehje abstrakte, por si një autoritet që zëvendëson gjithçka, gjithë entuziazmin që zgjon energjitë e fshehura të raca në vendin e vogël të shtypur nga zgjedha turke për kaq shekuj, nuk mund të mos vërehet sesi flaka e gjithë këtij kompleksi aktivitetesh, qendra e gjallërimit, është Presidenti shumë i ri i Republikës.

Ai bën një jetë të vështirë pune. Nuk ka asnjë problem të madh apo çështje të hollësishme që nuk është shqyrtuar dhe zgjidhur personalisht nga ai. Dhe kështu ai fiton avantazhin për të sjellë gjurmën e personalitetit të tij vendimtar edhe në gjërat më modeste. Në godinën modeste që ruajnë truprojat dhe në dhomat e bardha që kanë pamjen e një shtabi ushtrie, me oficerët e paktë të shtëpisë së tij ushtarake, ai kalon orë e orë të tëra me këmbëngulje të frikshme dhe përpjekje fizike përhapur nëpër këto krahina, ku deri disa vite më parë mesjeta dukej se mbijetonte me gjithë barbarizmin dhe të gjitha kontradiktat e saj.

Ahmet Zogu nuk ka një pamje nga e cila të dallohet veçanërisht personaliteti i tij. Elegant, i thjeshtë, tek ai ka një dinjitet të veçantë që i mban në distancë ata që i afrohen. Në intimitet, megjithatë, ai është i sjellshëm, i ëmbël, i sjellshëm me të gjithë. Mirëpo, kur flet për vendin e tij, për atë që ka ndërmend të bëjë për Shqipërinë, atëherë fytyra e tij shkëlqen si ajo e një artisti që flet për punën e tij dhe nga sytë e tij të ftohtë e gri kalojnë llamba (shkëlqime – flakë) të gjalla.

Nga një familje e vjetër – ndoshta më e vjetra në Shqipëri – ajo që mbeti tek ai ishte siguria e sundimit që ishte tipike e atyre udhëheqësve të mëdhenj shqiptarë ndaj të cilëve, për t’i dashuruar ata, sulltanët tregoheshin bujarë me shpërblime dhe ndihma. Mirëpo, ky karakter i veçantë i sigurisë iu kalit me zakonet e udhëtimit dhe kontaktit me racat e tjera.

Një mik i sinqertë i Italisë, sepse e kupton se jeta dhe zhvillimi për vendin e tij janë të pamundura pa mbështetjen tonë vëllazërore, ai është një admirues entuziast i Musolinit dhe sa herë i afrohet një italiani nuk mungon ta pyesë me atë mprehtësi që e dallon për kreun e qeverisë sonë dhe për fashizmin.

Ahmet Zogu mezi afrohet. Jeta e tij e vështirë e punës e ndalon atë nga çdo shpërqendrim. Por herë pas here makina presidenciale ikën nga rrugët e Tiranës drejt detit. Ky është i vetmi argëtim që bën Kreu i Shtetit. Verës largohet në vilën e bardhë që zbukuron malin, rrëzë të cilit Durrësi gëzohet në diell; por edhe atëherë puna vazhdon : vetëm streha ka ndryshuar.

Kur Ahmet Zogu ishte ministër i Brendshëm në një qeveri apatike, pavarësisht se i njihte cilësitë e padyshimta, askush nuk do ta kishte menduar se ai i ri biond dhe elegant, me një pamje të qetë dhe paqësore, do të shfaqej më vonë për atë që në të vërtetë është sot animatori i Shqipërisë, transformatori i popullit të tij.

Në shtetin e tij të vogël, ai është siç ishte Pjetri i Rusisë në perandorinë e madhe dhe të përgjumur moskovite, dhe ka cilësitë e vullnetit këmbëngulës të Carit të madh.

Do të mjaftonte synimi për ta bërë Tiranën më të mirën ndër kryeqytetet ballkanike për të parë se çfarë flakë të lartë dhe çfarë këmbënguljeje të padiskutueshme ka në ndjekjen e ëndrrave të ambicieve të tij fisnike, pra për ta bërë Shqipërinë e deritanishme të braktisur, një komb të lulëzuar që me besim di të shikojë nga e ardhmja dhe të fitojë vendin që i takon në Evropë./ KultPlus.com

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor në Berlin: T`i fuqizojmë të rinjtë

“Krahas aspiratave për integrim evropian dhe demokratizim të thelluar, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor janë gjithashtu të bashkuar nga problemet e përbashkëta, ndaj bashkëpunimi i intensifikuar mes të rinjve është thelbësor për nxitjen e pajtimit dhe tejkalimin e sfidave të sotme”.

Ky mesazh u përcoll në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur më 13 dhe 14 tetor në Berlin të Gjermanisë.

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, u organizua Forumi Rinor nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Zyra Rinore Franko-Gjermane (OFAJ DFJW) dhe shoqata jofitimprurëse Bürger Europas. Forumi Rinor mblodhi mbi 100 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues nga qeveritë rajonale, shtetet anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së, si dhe të rinjtë nga Ballkani Perëndimor dhe vendet evropiane. Forumi i këtij viti u përqendrua veçanërisht në shënimin e dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit, duke ofruar një mundësi reflektimi për pjesëmarrësit mbi arritjet e përmbushura deri më tani dhe konsiderimi mbi hapat e ardhshëm për të përmirësuar më tej bashkëpunimin rinor në rajon.

Në fjalën e tij hyrëse, Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Albert Hani theksoi se Procesi i Berlinit si platformë, ka kontribuar shumë sa i përket bashkëpunimit rajonal në dhjetë vitet e fundit, por në fakt të rinjtë janë forca shtytëse e këtij procesi.

“Ju jeni arkitektë të së ardhmes dhe zëri i ndryshimit. Energjia, kreativiteti dhe vendosmëria juaj na frymëzojnë të gjithëve që të përpiqemi për një rajon më të mirë dhe më të begatë”, tha SG Hani dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve dhe partnerëve përkatës në rajon dhe BE të ofrojnë mbështetje edhe më të madhe për të siguruar pjesëmarrje më aktive të të rinjve në proceset e vendimmarrjes, zgjerimin e bashkëpunimit dhe tejkalimin e problemeve nga e kaluara.

Ai theksoi se krijimi i RYCO-s në kuadër të Procesit të Berlinit dërgoi një mesazh të fortë politik se qeveritë e rajonit duan të bashkëpunojnë, por që ekzistenca e RYCO-s nuk bazohet në interesa por në vlera. 

“Misioni ynë është të thyejmë stereotipet, të kapërcejmë përcarjet dhe të fuqizojmë të rinjtë për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen e tyre dhe të ardhmen e rajonit. Duke i vendosur të rinjtë në plan të parë, ne po punojmë për të krijuar kushte për përparimin e rajonit dhe një mjedis në të cilin të rinjtë nga Ballkani janë krah për krah me bashkëmoshatarët e tyre nga vendet e BE-së”.

SG Hani solli në vëmendje organizimin e më shumë se 400 aktiviteteve gjatë viteve të fundit, përmes programeve dhe iniciativave të RYCO-s, ku rreth 60,000 të rinj janë përfshirë drejtpërdrejt ose fuqizuar dhe mbështetur, së bashku me mbi 240 organizata të shoqërisë civile. Ai gjithashtu tha se në të ardhmen RYCO do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë përmes projekteve dhe nismave të reja për të kontribuar më tej në fuqizimin e tyre.

Gjatë diskutimit në Forumin Rinor të Ballkanit Perëndimor, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, veçanërisht kur bëhet fjalë për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

“Ky bashkëpunim zhvillohet brenda vetë rajonit, si dhe në lidhje me vendet evropiane dhe këtë e shohim në aspektin e tregtisë, shkëmbimit dhe ndërveprimit”, theksoi Reiffenstuel.

Në Forum mori pjesë edhe Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe anëtar i Bordit Drejtues të RYCO. Gjatë fjalës së tij në panelin Procesi i Berlinit: “Pjesëmarrja e të rinjve dhe ndikimi i angazhimit të tyre”, – ministri Çeku theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me BE-në janë thelbësore për prosperitetin kolektiv, dhe se e vërteta, paqja, toleranca dhe demokracia janë vlerat e të rinjve.

“Shumë sfida ende egzistojnë, ne duhet të jemi të hapur dhe të sinqertë. Por, në të njëjtën kohë, është bërë shumë. RYCO luajti një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin dhe dhe vendosjen e marrëdhenënieve rajonale. Ne besojmë fort se duhet të vazhdojë të ofrojë një mjedis të sigurt dhe një platformë efektive për dialogun dhe shkëmbimin e të rinjve. Shpreh mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ata që punuan pa u lodhur për ta bërë RYCO shembull pozitiv për paqen e qëndrueshme në rajon”, tha ministri Çeku.

Gjatë fjalës së saj në të njëjtin panel diskutimi, përfaqësuesja rinore në Bordin Drejtues të RYCO, Donika Zogu, theksoi se Procesi i Berlinit shërben si platformë unike dhe se është përballur me sfida të mëdha, si uniteti social, punësimi dhe dialogu ndërkulturor, por që zgjedhjet e këtyre janë bërë duke kontribuar në dobi të të gjithë rajonit.

“Rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Shumë të rinj në rajon ende luftojnë me pengesa si papunësia dhe mundësitë e kufizuara për të pasur një fjalë të vërtetë në vendimmarrje. Por falë platformave si Procesi i Berlinit dhe organizatave si RYCO, ne po i thyejmë këto barriera. Angazhimi ynë po nxit ndryshime pozitive dhe po kontribuon në zhvillimin e shoqërive tona në mënyra kuptimplota dhe të qëndrueshme,” tha Zogu duke shtuar se kupton çdo ditë e më shumë të punës së saj në rolin si përfaqësuese e të rinjve mbi potencialin e jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë në Ballkanin Perëndimor dhe ju bën thirrje të gjithë aktorëve që të fuqizojnë rininë.

Dita e parë e Forumit Rinor WB6 u përmbyll me ekspozitën “SIX STEPS UP” me portretet e të rinjve nga rajoni dhe perspektivat e tyre për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Forumi u parapri nga një Shkëmbim Ndërkombëtar Rinor i titulluar “Të jesh aktiv – Pjesëmarrja e të rinjve për një të ardhme demokratike”, i cili mblodhi së bashku 30 pjesëmarrës të rinj nga Ballkani Perëndimor me 12 bashkëmoshatarë nga Franca dhe Gjermania nga data 9-15 tetor. Përmes eksplorimit të zhvillimeve të fundit historisë të Gjermanisë, ata mësuan për sfidat e rivendosjes së marrëdhënieve rajonale dhe mënyrat për t’u lidhur në politikën lokale dhe shoqërinë civile për të vendosur paqe dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.

Ndër pjesëmarrësit që patën mundësinë të takonin politikanë të rinj nga Bundestagu gjerman dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të diskutuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe rolin e politikës lokale në BE, ishin edhe pesë të rinj nga Shqipëria: Ema Mecaj, Diogjen Kolici, Kostian Jano, Fiorela Hoxhaj dhe Enia Hoxha.

Fokusi i ditës së dytë të Forumit ishte në qasjen e zgjeruar strategjike të RYCO-s për ndërtimin e paqes në Ballkanin Perëndimor, nga shkëmbimi i përvojës së shkuar deri te përcaktimi i objektivave për periudhën e ardhshme trevjeçare. Nëpërmjet një sërë panelesh, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi pozicionin e të rinjve në formësimin e bashkëpunimit dhe rivendosjen e marrëdhënieve rajona në Ballkanin Perëndimor dhe pozicionin e RYCO si një mekanizëm ndërqeveritar rajonal përgjegjës për bashkëpunimin rajonal rinor në të ardhmen.

Gjithashtu, Forumi shërbeu si një mundësi për të shpallur hapjen e Thirrjes së 6-të për organizatat e shoqërisë civile në rajon, si një përpjekje shtesë për të mbështetur të gjithë aktorët e interesuar në nivel rajonal dhe për të ofruar më shumë mundësi shkëmbimi për të rinjtë.

Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor mbahet për të disatën herë radhazi që nga viti 2021 si pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit, duke shërbyer si një platformë unike për angazhimin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë të të rinjve, si dhe profesionistëve që punojnë në sektorin e rinisë në nivel rajonal dhe evropian./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: 25 vjet pas, Serbia e mbyllur për fluturime komerciale për Kosovën

Kryeministri Albin Kurti ka potencuar se 25 vjet pas luftës, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova.

Këtë ai e ka thënë në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë.

“25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, hapësira ajrore e Serbisë mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt apo nga Kosova. Kjo nuk shërben pozitivisht as për marrëdhënie fqinjësore, as për adaptimin klimatik”, ka shkruar ai në facebook.

Tutje kryeministri ka njoftuar për objektivin rreth reduktimit të emetimeve të gazrave serrë për 36% deri në vitin 2030 dhe për t’i mbajtur rezervat nëntokë.

“Digjitalizimi mundëson tranzicionin e gjelbër dhe jemi vendi me digjiitalizimin më të shpejtë në rajonin tonë. Mbi 70% e kompanive të sektorit të teknologjisë eksportojnë shërbimet e tyre dhe kemi 100% qasje në rrjet me brez të gjerë”, vazhdon njoftimi.

Përshkallëzohet greva e Shoqatës Sindikale e Artistëve të TKK-së, paralajmërohet anulimi i të gjitha shfaqjeve

Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK-së, ka njoftuar se shfaqja “1984” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që hap festivalin ITF “Skupi Festival” në Shkup, do të fillojë me një orë vonesë, si shkak i grevës së paralajmëruar për përmirësimin e koeficienteve të pagave për aktorët dhe punëtorët e institucionit.

Sindikata më tej ka njoftuar se në rast se nuk do të ketë reflektim nga institucionet vendimmarrëse për realizimin e kërkesave të tyre deri më 1 Nëntor, do të kalohet në grevë të plotë ku do të anulohen të gjitha shfaqjet e parapara në programin e TKK.

Një muaj më parë Sindikata e Artistëve pati njoftuar se në shenjë pakënaqësie për kushtet aktuale do të aplikojë vonesën e zhvillimit të provave prej dhjetë minutave, duke bërë të ditur se ky hap ishte paralajmërim i përshkallëzimit të grevës, deri në realizimin e kërkesave të aktorëve të këtij institucioni.

Shfaqja “1984” do të nisë në orën 20:00, dhe jo në 19:00 siç ishte paraparë fillimisht në program.

“Në shenjë solidariteti me kërkesat e Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, festivali ka zhvendosur për një orë të gjitha shfaqjet e festivalit . Falënderojmë drejtuesit e festivalit për mbështetjen e tyre ndaj kauzës sonë të drejtë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Aristëve./ KultPlus.com

Zhegrova: Në Prishtinë luajmë për fitore, për kombëtaren vij me kënaqësinë më të madhe

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka thënë që ekipi do ta japë maksimumin në ndeshjen e së martës në Prishtinë ndaj Qipros në Ligën e Kombeve.

“Kur vij me lujtë për kombëtaren, vij me lujtë me kënaqësinë më të madhe. Në ndeshjen e kaluar kemi mujtë me lu hala ma mirë”, ka thënë Zhegrova në konferencë për media, duke iu referuar përballjes ndaj Lituanisë të shtunën.

“Besoj që ndeshjen në Prishtinë që do ta luajmë, do e japim maksimumin, dhe normalisht luajmë për fitore. Shpresoj që të shënojmë sa më shumë gola në këtë ndeshje”.

“Koncerti”, shfaqja e Teatrit Eksperimental bazuar mbi romanin e Stefan Çapalikut

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqi në fundjavë dramën “Koncerti”, me regji e dramatizim nga Giacomo Pedini.

“Koncerti” bazohet mbi romanin “Një engjëll veshë me frak” i autorit Stefan Çapaliku.

Ngjarjet vendosen në Shkodrën e viteve pesëdhjetë. Evropa është e ndarë në dy blloqe politiko-ideologjike. Në Shqipërinë e dominuar nga Enver Hoxha, një burrë bie nga ballkoni dhe vdes. Në diktaturë “nuk ka” vetëvrasje. Kush ishte ky kompozitor i quajtur Pol Gjakova? Çfarë do të thotë të jesh kompozitor në diktaturë? Të kompozosh çfarë dhe për kë në Shqipërinë e viteve ‘50, apo sot në Evropë?

Mbi këto pyetje zhvillohet drama “Koncerti”, që erdhi si produksion i Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Tiranë.

Në shfaqje interpretuan aktorët Helidon Fino, Laert Vasili, Ilirda Bejleri, Matia Llupa dhe Ismail Shino./atsh/KultPlus.com

Komedia e Teatrit “Migjeni” inauguron sallën e re të Universitetit të Arteve

Komedia “Krimi është vetëm i imi”, e vënë në skenë nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, korri sukses edhe në Tiranë, dhe ishte pikërisht ajo që inauguroi sallën e re të Universitetit të Arteve.

Për shfaqjen pati një interes të jashtëzakonshëm nga artdashësit. Ajo shkaktoi të qeshura e duartrokitje pafund. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, përmes një postimi në rrjetet sociale tha se, ky produksion i suksesshëm, që erdhi nën regjinë e Driada Dervishit, bëri bashkë 11 aktorë të njohur e të rinj të skenës teatrore shkodrane.

Komedia përveç se në Shkodër ishte shfaqur më parë edhe në KokoFest, Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë. “Krimi është vetëm i imi” bazohet mbi një komedi franceze të shkruar në vitet ’30 të shekullit të kaluar, nga George Berr dhe Louis Verneil, vepër e cila ka frymëzuar edhe disa realizime kinematografike.

Regjisorja Driada Dervishi kishte përzgjedhur një kast aktorësh të mirënjohur si Olta Daku, Neritan Liçaj, Linda Jarani, Romir Zalla etj., të cilëve iu bashkua dhe aktori i mirënjohur i humorit shkodran, Besnik Çinari./atsh/KultPlus.com

Eja trishtim

Poezi nga Bilal Xhaferri

Eja, trishtim,
eja me hapa fletësh që bien nga degët,
eja me hapa shiu që këputet nga fletët…
Eja trishtim,
eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje…
Eja, trishtim,
o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
o strehë e qetësisë sime,
o ëndërrime të mia,
o gji i shpresës sime.
Eja, trishtim,
trishtim,
eja./ KultPlus.com

Baleti “Bukuroshja e fjetur” shfaqet në Teatrin “Aleksandër Moisiu” Durrës

Trupa e Baletit të Teatrit Shtetëror të Varnës solli para artdashësve të shumtë të Durrësit “Bukuroshen e fjetur”, baletin me muzikë të Çajkovskit, bazuar në një përrallë me princër, princesha e magji.

Baleti klasik “Bukuroshja e fjetur” u shfaq në skenën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Performanca e balerinëve bullgarë elektrizoi sallën përmes lëvizjeve plot elegancë. Shfaqja ishte si një dhuratë për qytetin bregdetar dhe një mënyrë për të promovuar artin e bukur të baletit dhe muzikës klasike.

Kjo shfaqje nuk ishte vetëm një interpretim artistik, por një rikthim në magjinë e fëmijërisë, ku të gjithë mund të besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të ëndrrave të bukura.

Më herët e njëjta shfaqje u ngjit edhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit në Tiranë. Triumfi i dashurisë mbi të keqen tërhoqi vëmendjen e publikut besnik të operës, duke i shitur biletat në kohë rekord.

Bashkëpunimi i TKOB me Teatrin e Varnës, ka nisur që në vitin 2023 dhe ka rezultuar me shkëmbime të suksesshme artistësh dhe produksionesh./atsh/KultPlus.com

“Zërat e Kulturës”, Gonxhja: Sfidat e promovimit të teatrit drejt skenës ndërkombëtare

Në 17 tetor, në sallën “Central” në ArtTurbina do të nisë një seri takimesh në kuadër të Dialogut Kulturor dhe Artit Skenik, njofton në rrjetet sociale ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Aktiviteti vjen si pjesë e një serie takimesh publike, të bashkorganizuara nga MEKI dhe United Nations Association Albania që kanë për qëllim përfshirjen e zërave të artistëve në vendimmarrje për çështjet e kulturës.

Trajtimi i sfidave dhe perspektivat për zhvillimin e teatrit dhe arteve skenike do të jetë vetëm një nga shtyllat ku do të përqendrohet e gjithë seria e takimeve.

“Në këtë takim, do të mblidhen aktorë, regjisorë, dramaturgë, skenografë dhe profesionistë të tjerë të skenës për të diskutuar vështirësitë në prodhimin e shfaqjeve, financimin e projekteve teatrore, mungesën e infrastrukturës dhe rolin e edukimit artistik në formimin e gjeneratave të reja të artistëve. Gjithashtu, do të diskutojmë mbi nevojën për mbështetje institucionale dhe promovimin e teatrit shqiptar në skenën ndërkombëtare”, thuhet në postimin e ministrit Gonxhja.

Ministri shton se “ky takim është një mundësi e rëndësishme për të diskutuar çështje të tilla si mbështetja financiare për teatrin, roli i kritikës në ngritjen e standardeve artistike dhe mënyrat për të krijuar bashkëpunime ndërkombëtare”.

MEKI e mbyll njoftimin me një thirrje për artistët, regjisorët, aktorët apo dramaturgët që të jenë të pranishëm në këtë event, pasi “zëri juaj është thelbësor për të formuar politika që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të teatrit dhe arteve skenike”./atsh/KultPlus.com