Mijëra kitaristë u mblodhën në Sheshin e Tregut të qytetit Vroclav në Poloni më 1 maj, për të interpretuar këngën “Hey Joe” të artistit të njohur amerikan Jimi Hendrix, duke vendosur një rekord të ri botëror “Guinness” për ansamblin më të madh me kitara.
Gjithsej 8 122 pjesëmarrësish e luajtën këngën njëkohësisht, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 6.346 kitaristësh të vendosur në vitin 2009 në të njëjtin vend.
Performanca ishte pjesë e Festivalit vjetor “Thanks Jimi”, një ngjarje që feston trashëgiminë e Hendrixit dhe bashkon kitaristë nga e gjithë bota.
Zyrtarët e Rekordeve Botërore Guinness ishin të pranishëm për të verifikuar dhe konfirmuar rekordin e ri në vend. /KultPlus.com
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Ajo ka lidur më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
KultPlus ju sjell këngën ‘Spaske pas nje pike meshire’:
S’paske pas nji pik mëshire Qysh pësova unë ksi soj Xhanëm aman Qysh pësova unë ksi soj
S’pres prej teje far të mire Veç me m’fol o njiher me goj Xhanëm aman Veç me m’fol o njiher me goj
Pse m’ke marrë ti kaq mëni e S’çohet jeta me inat Xhanëm aman S’çohet jeta me inat
Fol me gojë o syn oj zi e Mos ke frikë o se bën mëkat Xhanëm aman Mos ke frikë o se bën mëkat
Paske pas moj zemrën hekur Qysh durove mori xhan Xhanëm aman Qysh durove mori xhan
Përveç teje nuk du tjetër Trëndafil o në Elbasan Xhanëm aman Trënadafil o në Elbasan
Kur më than se u zemru xhanani Mu ma mir t’më kishin vra Xhanëm aman Mu ma mir o t’më kishin vra
Si t’më çitnin prej Elbasanit Nuk e ndroj o t’shkretën sevda Xhanëm aman Nuk e ndroj o t’shkretën sevda/KultPlus.com
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër publikoi statistikat e vizitueshmërisë në Parkun Arkeologjik Shkodër sa i përket muajit prill.
Shifrat tregojnë se muaji prill pati 36 % më shumë vizitorë se prilli i një viti më parë. Kjo shifër përkthehet në 39% më shumë të ardhura se në muajin prill të vitit 2024.
“Numri i vizitorëve në Parkun Arkeologjik Shkodër ka ardhur gjithnjë e në rritje, duke dëshmuar sërish se Kalaja e Shkodrës mbetet në krye të listës së siteve më të vizituara në vendin tonë”, shkroi DRTK Shkodër në faqen e saj online duke përsëritur ftesën e vizitës në Rozafat, ku historia dhe natyra gërshetohen në një harmoni të papërsëritshme.
Kalaja e Rozafës qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e lumi Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh.
Ajo është një simbol i Shkodrës, e pranishme në piktura, gdhendje, shkrime etj. Dokumentimi i parë i emrit Rozaf është ndeshur që në 1215, ndërsa tek Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth 1480. /KultPlus.com
Guljelm Radoja (2 Korrik 1945 – 5 Maj 2021) ishte një aktor shqiptar i filmit dhe teatrit.
Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit. Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës.
Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.
Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.
Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Ai u nda nga jeta më 5 maj 2021 nga Covid-19 në Tiranë./ KultPlus.com
Teatri Kombëtar shpalli të hapur thirrjen publike për projekte artistike të bazuara në dramaturgjinë e shekullit të XX-të.
TK fton të gjithë krijuesit, regjisorët dhe artistët të paraqesin propozimet e tyre nga data 5 maj deri më datë 23 maj 2025. Përzgjedhja e projekteve artistike do të kalojë në dy faza, ku fillimisht do të bëhet vlerësimi i propozimit të projektit artistik dhe më tej vlerësimi i aspektit financiar dhe llogaritja e fondit limit.
Në fazën e parë, Teatri Kombëtar do të shqyrtojë propozimet në bazë të konceptit dhe vizionit artistik, ndërsa në fazën e dytë, pas miratimit të propozimeve artistike në fazën I, projektet do të rishikohen dhe do të vlerësohen duke përllogaritur kostot dhe fondin limit.
Përveç të tjerash, aplikantëve do u duhet të paraqesin një sinopsis të shfaqjes: një përmbledhje e qartë e veprës që mendojnë të realizojnë si dhe platformën regjisoriale, duke përfshirë përfytyrimin artistik për kostumet dhe skenografinë./KultPlus.com
Adele, këngëtarja dhe kantautorja e famshme angleze, sot po feston ditëlindjen e saj të 37-të. Ajo është një nga artistet më të suksesshme të kohës së saj, dhe ka fituar shumë çmime prestigjioze, duke përfshirë edhe disa çmime Grammy.
Pasi u diplomua në art nga Shkolla BRIT në 2006, Adele nënshkroi një marrëveshje me XL Recordings. Albumi i saj debutues “19”, u publikua në vitin 2008 dhe krijoi pesë këngët më të mira në Mbretërinë e Bashkuar “Chasing Pavements” dhe “Make You Feel My Love”. “19” ka shitur mbi 2.5 milionë kopje në MB dhe u emërua në 20 albumet debutuese më të shitura të të gjitha kohërave në MB. Adele u nderua me çmimin Brit për Rising Star si dhe çmimin Grammy për Artistin më të Mirë të Ri.
Adele publikoi albumin e saj të dytë në studio, “21”, në 2011. Ai u bë albumi më i shitur në botë i shekullit të 21-të, me shitje mbi 31 milionë kopje. Ai u certifikua 18x platinum në MB (më i larti nga një artist solo i të gjitha kohërave) dhe Diamond në SHBA. Sipas Billboard, 21 është albumi me performancën më të mirë në historinë e top-listave amerikane, duke kryesuar Billboard 200 për 24 javë (më i gjati për një artiste grua ndonjëherë). Ajo ishte artistja e parë grua në historinë e Billboard Hot 100 që kishte tre këngë të njëkohshme në dhjetëshen kryesore si artiste kryesore, me “Rolling in the Deep”, “Someone Like You” dhe “Set Fire to the Rain”. Albumi mori një rekord të barabartë me gjashtë çmime Grammy, duke përfshirë albumin e vitit dhe çmimin Brit për albumin britanik të vitit. Suksesi i “21” i dha Adelës përmendje të shumta në Librin e Rekordeve Guinness. Revista Rolling Stone vendosi albumin e saj të 21-të në listën e 500 albumeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave (2020).
Në vitin 2012, Adele publikoi “Skyfall”, një këngë zanore për filmin e James Bond me të njëjtin emër, i cili fitoi çmimin Oscar dhe Golden Globe Award për këngën më të mirë origjinale. Albumi i saj i tretë në studio, “25”, u publikua në vitin 2015 dhe u bë albumi më i shitur i vitit, duke thyer gjithashtu rekordet e shitjeve të javës së parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, ku është albumi i vetëm që ka shitur mbi tre milionë kopje në një javë. 25 ishte albumi i saj i dytë që u certifikua Diamond në SHBA dhe fitoi pesë çmime Grammy, duke përfshirë albumin e vitit dhe katër çmime Brit, duke përfshirë albumin britanik të vitit. Kënga kryesore, “Hello”, u bë kënga e parë në SHBA që shiti mbi një milion kopje dixhitale brenda një jave nga publikimi i saj. Albumi i saj i katërt në studio 30, i cili përmban këngën “Easy on Me” në krye të listës, u publikua në vitin 2021 dhe u bë albumi më i shitur i vitit në mbarë botën, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. 30 fitoi çmimin Brit për albumin britanik të vitit, ndërsa “Easy on Me” fitoi çmimin Brit për Këngën e Vitit dhe çmimin Grammy për performancën më të mirë solo pop.
Përveç suksesit të saj në industrinë e muzikës, Adele është një personi me një zemër të madhe dhe është angazhuar në shumë aktivitete bamirësie. Ajo ka ndihmuar organizata të ndryshme bamirëse, duke përfshirë një fondacion që ndihmon fëmijët në nevojë.
Me karrierën e saj të shkëlqyeshme dhe zemrën e saj të ngrohtë, Adele vazhdon të jetë një nga artistet më të dashura në botë. / KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe me këtë i hapen dyer e incizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë incizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit, por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 ishte si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë: Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM ) ngjall frymë bashkimi përtej detit dhe kohës
Nga Shqipe Bytyqi
Hora e Arbëreshëve, maj 2025
Për disa ditë me radhë, toka e lashtë arbëreshe në Sicili u bë vatër e një përqafimi kulturor të rrallë. Nga 27 prilli deri më 2 maj, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM) hapi krahët e saj drejt arbëreshëve, duke ngjizur një ngjarje që do të kujtohet gjatë — “Pranvera Arbëreshe 2025”, me epiqendër Horën e Arbëreshëve, në një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës arbëreshe, e themeluar në fund të shekullit XV nga arbëreshët që ikën nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit osman. Hora ka ruajtur me fanatizëm gjuhën, zakonet, fenë dhe identitetin kombëtar arbëresh për më shumë se 500 vjet.
Kjo pranverë nuk solli veç lule, por edhe fjalë, këngë, kujtesë e mall. Dr. Ornela Radovicka, studiuese dhe drejtore e Qendrës Albanologjike në Kalabri, ishte zemra rrahëse e këtyre ditëve, bashkë me gazetarin Rexhep Rifati, që prej vitesh punojnë për të forcuar fijet e gjuhës dhe identitetit arbëresh.
Mbrëmja e parë letraro-muzikore, më 28 prill, ishte si një ritual i ringjalljes shpirtërore. Nën dritat e sallës, Mario Calivà dhe Pierpaolo Petta — dy zëra të rinj të kulturës arbëreshe — sollën magjinë e fjalës dhe tingullit. Të pranishmit nga Kosova, Maqedonia e Veriut e diaspora shqiptare përjetuan çaste emocionesh që luhateshin mes gëzimit, mallëngjimit dhe lotëve.
Më 29 prill, me lule në duar e përulje në zemër, pjesëmarrësit bënë homazhe pranë shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vizitat në biblioteka, muze, katedrale dhe shkëmbimet e librave mes krijuesve nga diaspora dhe autorëve arbëreshë ishin pjesë e një dialogu të gjallë mes brezash dhe gjuhësh. Në një orë letrare të mbajtur në sallën e bashkisë së Horës, fjala poetike u bë urë lidhëse mes të largëtit dhe të afërmit, ku u lexua në arbërisht dhe në shqip. Këtë mbrëmje, shkrimtari Schirò Di Maggio u nderua me titullin “Anëtar Nderi” i LKSHM-së nga kryetari i saj, Musa Jupolli.
Por udhëtimi nuk ndaloi aty. Më 30 prill, delegacioni udhëtoi drejt Pallacit (Palazzo Adriano) dhe Kundisës (Contessa Entellina), dy qendra që ruajnë kujtimet e identitetit arbëresh në mënyra të ndryshme. Në Pallaci, vendi ku u xhirua “Nuovo Cinema Paradiso”, sheshi kryesor u bë dëshmi e asaj që ka mbetur e asaj që mund të ringjallet. Edhe pse gjuha aty është zbehur gadi në zhdukje, është mikpritja dhe ruajta me dashuri e kostumeve tradicionale që tregojnë se shpirtit arbëresh ende jeton. Një projekt i mirëfilltë për mësimin e gjuhës arbëreshe, me mbështetjen e institucioneve dhe komunitetit lokal, do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në ringjalljen e gjuhës arbëreshe dhe kësaj pasurie kulturore.
Në Kundisa, gjuha arbëreshe ende flitet dhe këndohet. Prifti vendas emocionoi të pranishmit me këngët e vjetra që prekën zemrat. Në sytë e vizitorëve shkëlqeu një përzierje malli, krenarie dhe shprese. Mësuesja Tommasa Guarino, edhepse në moshë të shtyrë, pret dhe përcjellë vizitorët e shumtë. Ajo flet me dashuri për rikonstruimin e kostumit arbëresh në Kundisa, bazuar në kujtesën dhe fotografitë e ruajtura.
Më 1 maj, delegacioni mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të Masakrës së Portella della Ginestra (1947), ku u nderuan 11 viktimat e pafajshme të mafies. Rruga mbushur me lule si një det i madh ngjyrash të ndryshme, u bë në këmbë drejt vendit të masakrës dhe kështu u shndërrua në një procesion meditativ për jetën, drejtësinë dhe rezistencën.
Në mbyllje, më 2 maj, u zhvillua një takim i ngrohtë me kryetarin e bashkisë së Horës, z. Rosario Petta, ku u hodhën themelet për bashkëpunime të reja kulturore. Hora e Arbëreshëve nuk është thjesht një vend — është fryma e një gjuhe që sfidon harresën, është zëri i një kombi që mbijeton në poezi, këngë dhe mikpritje.
Në këtë stinë të pranverës, shqiptarët e mërgatës gjetën veten në rrënjë. Dhe rrënjët arbëreshe i përqafuan me mall të mbledhur ndër shekuj. Aty, gjithmonë të pret shtatorja krenare e Gjergj Kastriotit – simbol i lidhjes shpirtërore ndër shekuj./KultPlus.com
Shteti i Bruneit ka hequr vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes së re dypalëshe që u arrit sot mes dy vendeve. Lajmin e bëri të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Brunei, ku u takua me Sulltanin Haji Hassanal Bolkiah.
“Sot, së bashku me Sulltanin e Bruneit, Haji Hassanal Bolkiah nënshkruam marrëveshjen për heqjen vizave ndërmjet Kosovës dhe Bruneit, një hap domethënës drejt afrimit dhe bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy shteteve tona”, është shprehur Osmani.
Ajo është shprehur se kjo marrëveshje nuk është vetëm lehtësim teknik, por një urë miqësie e ndërtuar mbi respektin dhe mirëbesimin e ndërsjellë./KultPlus.com
“Lulet e Majit” ishte një serenatë që muzikanti Pjerin Ashiku, e kompozoi gjatë periudhës së komunizmit, ndërsa punonte në torno. Këngën ia dedikoi një personi të rëndësishëm për të.
Ndër vite kjo këngë është kënduar në Shkodër, Korçë dhe Gjakovë, e madje ka patur dilema për origjinën e saj. Por, kantautori Gjokë Vata insiston se autori i vetëm është Pjerin Ashiku.
Kënga popullore është në krize dhe po humbet identitetin e saj shqiptar, thotë Vata, teksa bën apel që të vlerësohen ata që kanë bërë art të vërtetë./KultPlus.com
Galeria “Dy Botët”, e konceptuar dhe kuruar nga artisti i njohur shqiptar Helidon Haliti, mirëpret ekspozitën “Mes dy botëve”.
Për këtë ekspozitë është zgjedhur një galeri e veçantë: Galeria “Dy Botët” e cila dikur ka qenë depo ushtarake, por që Helidon Haliti e transformoi në një vend ku frymon arti.
Portretet të cilat artisti i realizonte ndërsa intervistonte personazhe të jetës publike në RTSH, pas ekspozitës “Prestanome”, në Tiranë, po ekspozohen në Seferan të Belshit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit maj.
Ekspozita sjell portretet e 63 personaliteteve të artit, kulturës dhe jetës publike shqiptare, të cilët kanë ndarë rrëfimet e tyre në emisionin “Mes dy botëve”, drejtuar nga vetë piktori. Personazhet sjellin në kujtesën kolektive të jetuarit e të krijuarit para e pas viteve ‘90./atsh/KultPlus.com
Më 7 maj 2025, duke filluar nga ora 19:30, në Open Art Gallery hapet ekspozita personale e artistit Esat Valla, “Artit Pamor si Rezistencë (1990–1999)”, kuruar nga Zeni Ballazhi.
Kjo ekspozitë sjell për publikun një cikël veprash të krijuara në periudhën më të errët të historisë së vonshme të Kosovës, ku arti u bë gjuhë proteste, rezistence dhe mbijetese përballë represionit serb.
Në dekadën vendimtare për fatin e Kosovës, arti i Esat Vallës u shndërrua në një formë të heshtur, por të fuqishme qëndrese. Duke u përballur me censurë dhe përjashtim institucional, ai krijoi vepra që përçojnë dhimbjen kolektive të një populli dhe luftën për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ngjyrat e kuqe, të zeza, të bardha dhe të kaltërta dominuan telajon, duke shprehur tragjedinë, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë.
Temat kryesore të veprave të artit në këtë periudhë të krijuara nga Esat Valla janë:
• Dhuna dhe represioni: Vepra që pasqyronin brutalitetin policor dhe frikën kolektive si: “Thyerje qetësie”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Demi i lënduar”, “Flutura gomë” etj.
• Shpërnguljet dhe mungesa e lirisë: Kompozime me figura të mbyllura, të thyera apo të errësuara si: “Shkëputja”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik” etj.
• Identiteti dhe kultura shqiptare: Përdorimi i simboleve kombëtare, motiveve folklorike dhe elementeve tradicionale si shenjë e qëndresës kulturore: “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Dashi”, “Demonët” etj.
• Shpresa dhe mbijetesa: Përkundër vuajtjes, disa vepra përçuan mesazhe shprese, ringjalljeje dhe besimi në liri: “Fluturat dhe demonët”, “Lumi amshuar”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” si dhe pjesa e cikleve të fundit si faza në tranzicion etj.
Esat Valla, me stilin e tij të veçantë dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, dëshmon se arti pamor mund të jetë më shumë se estetikë – ai është rezistencë, dokumentim dhe kujtesë. Kjo ekspozitë është një ftesë për të mos harruar, për të reflektuar dhe për të nderuar dinjitetin e njeriut përmes gjuhës universale të artit./KultPlus.com
Kaq afër jemi, por kaqë larg Të lutem mos më prit- Na ndajnë terre rreth e qark Dhe yll për mua s’ndrit. Përse ta lidhësh fatin tënd Me një pafat si unë, Kur di se emri im u shëmb Me dhunë e me përdhunë? Pra hidhe hapin guximtar Ndaj jetës së gëzuar. Dhe më harro këtu, në varr, Të vdekur pa mbuluar. Se unë pres, përças po pres Një udhë fort të gjatë Dhe një të martë, në mëngjes, Do hidhem nëpër natë. Nëpër një natë që s’ka mbarim Po qetësi për jetë: Pushim…harrim…pushim…pushim… Në prehjen e vërtetë./ KultPlus.com
Sot janë bërë 83 vite nga vdekja e komunistit dhe dëshmorit Qemal Stafa, dita e vrasjes së të cilit u kthye në ditën e kujtimit të të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.
Qemal Hasan Stafa lindi në Elbasan, më 20 mars 1920. Ka qenë bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Dita e vrasjes së tij është përcaktuar si datë simbolike për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve nga regjimi komunist e deri më sot.
Biografia
U lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës.
Qemali ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-’35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi, i cili një vit më vonë do t’i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të “Vilhelm Telit” të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xhemal Brojën, L. Radin, Arshi Pipën, Haki Tahën etj.
Mbas vdekjes së të atit, familja e tij u shpërngul në Tiranë korrikun e 1936. Në fillim të vitit shkollor ’36-’37 u regjistrua në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës. Vitin 1938 nisën arrestimet prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite. Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte ndryrë në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.
Kandidati për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.
Në të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, një pjesë e të cilave janë çmuar me autorësi të diskutueshme.
Kushtime
Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”. / KultPlus.com
207 vite më parë lindi një prej intelektualëve më të njohur të historisë – Karl Marxi.
Marx ishte një filozof, ekonomist dhe shkrimtar gjerman i njohur për kontributin e tij në fushën e shkencës politike dhe ekonomisë.
Në fillim të karrierës së tij, Marx u bë një gazetar i njohur dhe i respektuar në Gjermani, shkruante për çështje sociale dhe politike në revistën radikale “Rheinische Zeitung” dhe më vonë në “Deutsch-Französische Jahrbücher”. Ai u bë edhe një autor i njohur për veprat e tij kritike mbi kapitalizmin, si “Kapitali” dhe “Manifesti i Partisë Komuniste”.
Marx u bë një nga themeluesit e teorisë marksiste, e cila u bë një lëvizje revolucionare në gjysmën e dytë të shekullit të 19. Marx vlerësohej për analizën e tij të thellë të kapitalizmit dhe teorinë e tij se ekonomia dhe politika janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ai argumentoi se sistemi i kapitalizmit do të thyhej përmes një revolucioni proletar të klasës së punëtorëve.
Megjithëse ideologjia marksiste është kritikuar dhe kundërshtuar, është e rëndësishme të përmendim kontributin e tij në zhvillimin e teorisë ekonomike dhe politike moderne. Gjithashtu, ai ka qenë një ndër personazhet më të diskutuara të historisë, dhe ai vazhdon të jetë studiuar dhe diskutuar nga shkencëtarët dhe intelektualët e sotëm.
Në ditëlindjen e tij të 205-të, vazhdojmë të shohim ndikimin e tij në lëvizjet sociale dhe politike në të gjithë botën, dhe do të vazhdojmë të diskutojmë idetë dhe thesaret që ai ka lënë pas. / KultPlus.com
Në Zagori të Gjirokastrës janë bërë zbulime të rëndësishme arkeologjike, gjatë punimeve për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Çajup–Zagorie.
Pranë fshatit Sheper janë identifikuar dy site me vlera të veçanta arkeologjike. Sipas vlerësimeve paraprake të specialistëve të DSHA dhe DRTK Gjirokaster, bëhet fjalë për gjurmët e një tempulli antik të shek. III–II p.e.s., si dhe struktura banimi të së njëjtës periudhë.
Aktualisht po përgatitet projekti për kryerjen e gërmimit të shpëtimit, i cili planifikohet të zhvillohet gjatë muajit maj, pas miratimit nga KKTKM./atsh/KultPlus.com
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
Napoleon Bonaparti është cilësuar si strategu më i madh ushtarak që ka pasur bota. Por edhe si një njeri që ndryshoi rrënjësisht rendin dhe historinë e Evropës.
Në kulmin e pushtetit të tij, Napoleon Bonaparti kontrollonte një pjesë të madhe të Evropës, nga Gadishulli Iberik në perëndimderi në Poloninë e ditëve të sotme në lindje.
Napoleoni, ishte lider i madh, ishte njeriu vizionar, luftëtar, ndonjëherë dhe kontravers, që sipas historianëve kishte aftësinë të joshte turmat dhe të sfidonte rendin ekzistues. Lexoni 50 aforizma të strategut të madh.
· Mos e ndërpre kurrë armikun tënd kur është duke bërë një gabim
· Duhet të qeshim me njeriun që të mos qajmë për të.
· Nuk duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.
· Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë.
· Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Në politikë, absurditeti nuk është handikap.
· Njerëzit e famshëm e humbasin dinjitetin kur i sheh nga afër.
· Kushtetuta duhet të jetë e shkurtër dhe e paqartë.
· Një lider është një tregtar me shpresë.
· Një njeri do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
· Froni është vetëm një stol i mbuluar nga kadifeja.
· Njeriu duhet të luftojë më shumë për interesat e tij se për të drejtat e tij.
· Një pikturë ka më shumë vlerë se mijëra fjalë.
· Njeriu i vërtetë nuk urren askënd.
· Aftësia nuk është asgjë pa mundësinë.
· Të gjitha religjionet janë krijuar nga njerëzit.
· Në mes atyre që nuk iu pëlqen të shtypen janë shumë që duan të shtypin.
· Njeriu nuk duhet të ndalë kurrë diçka që nuk ka fuqi ta ndalë.
· Çdo ushtri marshon mbi stomakun e saj.
· Trimëria është si dashuria; ajo duhet të ushqehet me shpresë.
· Vdekja nuk është asgjë, por të jetosh i mundur dhe i palavdishëm është sikur të vdesësh përditë.
· Gazetave armiqësore duhet t’iu druhesh më shumë se një mijë bajonetave.
· Franca ka më shumë nevojë për mua se kam unë nevojë për Francën.
· Kush ka frikë se do të pushtohet e ka të sigurtë humbjen.
· Kush di të lajkatojë di edhe të gënjejë.
· Historia është një tërësi gënjeshtrash për të cilat është rënë dakord.
· Historia është version i ngjarjeve të së shkuarës për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
· Unë nganjëherë jam dhelpër, nganjëherë luan. I gjithë sekreti i të qeverisurit është të dish kur duhet të jesh dhelpër dhe kur luan.
· E adhuroj pushtetin. Por e adhuroj atë si një artist. E adhuroj siç e adhuron një artist violinën e tij, për të prodhuar prej saj tingujt, akordet dhe harmonitë.
· Nëse do më duhej të zgjidhja një fe, dielli si dhënës universal i jetës do të ishte zoti im.
· Nëse dëshiron që gjërat të bëhen mirë, bëji vetë.
· Nëse dëshiron të kesh një sukses, mos premto asgjë, mos shpall asgjë.
· E pamundura është një fjalë që mund të gjendet vetëm në fjalorët e budallenjve.
· Për të qeverisur nuk do të thotë të zbatosh një teori, por të ndërtosh me çfarëdo materiali që ke në duar.
· Në politikë…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos u tërhiq…kurrë mos prano një gabim.
· Është kauza, nuk është vdekja ajo që e bën martirin.
· Njerëzit udhëhiqen më mirë nëpërmjet veseve të tyre se nëpërmjet virtyteve të tyre.
· Njerëzit nxiten vetëm nga dy shtysa: frika dhe interesi vetjak.
· Njerëzit i vlerësojnë vetëm nevojat – kurrë aftësitë.
· Muzika është zëri që na tregon se raca njerëzore është më e madhe se kujton.
· Fuqia është dashnorja ime. Unë jam përpjekur aq shumë që ta pushtoj atë sa të mos lejoj askënd të ma largojë.
· Opinioni publik është termometri të cilin një monark duhet ta shikojë rregullisht.
· Pasuria nuk ështët ë kesh thesare, por të dish t’i përdorësh ata.
· Zakonisht betejat i fitojnë ushtarët, gjeneralët marrin lavdinë.
· Dhjetë njerëz që flasin bëjnë më shumë zhurmë se një mijë njerëz që heshtin.
· Mënyra më e sigurtë për të mbetur i varfër është të jesh i ndershëm.
· Fitorja i takon atij që këmbëngul më shumë.
· Lufta është biznesi i barbarëve.
· Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë./portalishkolloralbas/KultPlus.com
Autorja Alesia Balliu do të vjen sot edhe në Prishtinë, pas promovimit të librave të saj në Tiranë, shkruan KultPlus.
Takimi me autoren do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery, takim që do të mbahet sot, më 5 maj duke filluar prej orës 17:00. Libri i parë që është botuar nga Alesia Balliu është “Tabula Rasa: Paqëndrueshmëria e Institucioneve Shqiptare”, libër që konfirmon përvojën jetësore të qytetarëve shqiptarë, por edhe intuitën e intelektualëve në tranzicionin e tejzgjatur të vendit tonë.
Kurse libri “White Leviathan”, botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shtëpinë botuese NOVA hulumton ndërthurjen komplekse të kokainës, politikës shqiptare dhe rrjetave ndërkombëtare të trafikut të drogave, ndikimin e rrezikshëm të Mafias së Kokainës në politikën shqiptare dhe hedh dritë mbi raste të rëndësishme të ndërveprimit mes figurave të njohura politike dhe rrjeteve të trafikut të drogave.
Takimi është i hapur dhe ju ftojmë që të jeni pjesë e këtij takimi ku do të keni rast edhe të bashkëbisedimit me autoren./ KultPlus.com
Nazmie Hoxha lindi më 25 tetor 1952 në Gjonaj të Hasit të Prizrenit dhe vdiq më 5 maj 2007 në Prishtinë.
Nazmie Hoxha ishte këngëtare e popullarizuar e muzikës popullore shqiptare në vitet 1970-2000. Si fëmijë i pëlqente interpretimi dhe me hyrjen në shkollën e mjekësisë, si pjesë e aktiviteteve të lira fillon ta realizojë edhe dëshirën fëminore për të interpretuar. Aty futet në Shoqërinë Kulturo Artistike të qytetit dhe fillon karrierën e saj. Me këngën “Ylli i bardhë, djalë i dashur”, Nazmia paraqitet para publikut në një koncert në Prishtinë.
Nga këtu, muzikantët e kohës e shihnin si këngëtare me perspektiv dhe më këtë i hapen dyer e inxhizimit të këngëve të saja në RTP. Këngët e para të transmetuara në mjetet mediatike pos këngës së përmendur ishin dhe “Qetësia e lartë mbretëron mbi ne”, “Sa më shpejt ma vure këmbën”. Me kalimin kohës bënë inxhizimin e këngëve edhe me shoqëri të tjera artistike në Kosovë si b.f. me shoqërinë “Emin Duraku” të Zhurit, “Kastrioti” të Ferizajit por edhe si soliste e RTP-së. Nga viti 1972 është si pjesëmarrëse e rregullt e festivaleve të organizuara në nivel të Kosovës. Po ashtu Nazmia merr pjesë në shfaqjet e ndryshme të organizuara jashtë vendit nga shoqatat e ndryshme kulturore të Kosovës.
Më 8 mars 2003, stacioni televizi RTV 21, transmeton një intervistë biografike të Nazmijes dhënë Florim Kelmendit për programin e rregullt të natës së shtunë, programit “Në orët e vona”.
Ndër këngët më të njohur të saj kanë qenë Si dukat i vogel je dhe Oj zogo dhe disa të tjera. Nazmia vdiq më 5 maj 2007 në orën 19, ajo u varros në Prishtinë. /KultPlus.com
Sot, është Dita e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjate luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.
Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës./atsh/KultPlus.com
Sot 204 vite më parë ka vdekur Perandori i Francës, Napoleon Bonaparta, shkruan KultPlus.
Napoleon Bonaparta (15 gusht 1769 – 5 maj 1821) në jetën e tij ka qenë politikan, gjeneral brilant lufte, Protektor i Lidhjes se Rhein-it, Mbret i Italisë dhe Konsull i Francës dhe mbas kurorëzimit të tij ne Katedralen Notre Dame de Paris ai u shpall perandor i Francës. Ai e mbaroi shkollën ushtarake për fisnikët në Paris falë një burse studimi te cilën e përfitoi nga mbreti francez Luigji XVI.
Me përfundimin e shkollës ushtarake merr gradën e kapterrit në artilerinë franceze, me vonë me revolucionin francez do të gradohet me gradën gjeneral. Qeverisi Francën nga viti 1799, dhe u emërua Konsull i Parë në nëntor te vitit 1799 deri në maj 1804 me vonë bëhet Perandor Francez me emrin e Napoleone I (Napoléon Ier) nga dhjetori 1804 deri në 14 prill 1814 dhe serisht nga 20 marsi deri në 22 qershor 1815. Në jetën e tij politike ka qenë dhe President i Republikës Italiane nga viti 1803 deri në vitin 1805 dhe mbret i Italisë nga 1805 deri në 1814.
Falë disa betejave ushtarake dhe aleancave të shumta që ndërmorri, Napoleoni pushtoi dhe udhëhoqi gati të gjithë kontinentin Evropian, duke çuar në çdo vend që pushtonte, idealet e Revolucionit Francez. Arriti të kontrollonte shumë mbretëri të Evropës falë familjarëve të tij të cilët emëroheshin nga Napoleoni për të kontrolluar më mirë shtetet e pushtuara (Spanja, Napoli, Westfalia dhe Holanda).
Fushata e Rusisë (1812) shënoi fundin e dominimit te tij në mbare Evropën. Me humbjen në Lipsia nga aleatet evropiane, te cilët ishin formuar për të përballur fuqinë e perandorisë franceze, në tetor të vitit 1813, Napoleoni e la fronin e tij dhe u çua për burgim në ishullin e Elba-s në Itali.
Në mars të vitit 1815, ia del mbanë të arratiset nga ishulli prej të cilit ishte i burgosur duke mbërritur afër Antibes më pas mbërrin në Paris, historianët do ta përshkruajnë këtë mbërritje të Napoleonit me thënien “mbërriti pa shtënë asnjë plumb”. Ai arrin të marr në dore pushtetin për një periudhë relativisht të shkurtër, e cila kujtohet me emrin “Njëqind Ditët”,me pas do të mposhtet në luftën që quhet beteja e Waterloos me 18 gusht 1815. Vitet e fundit të jetës se tij i kaloi i burgosur në ishullin e Shën’Elenes në mbikëqyrjen e Angleze-ve. Mbas humbjes në Waterloo, Kongresi i Vjenës solli në të gjithë Evropën mbretërit të cilët ishin larguar falë Napoleonit./KultPlus.com