Dua Lipa kujton Vjosa Berishën

PriFilm Fest mbrëmë ka mbyllur edicionin e tij të 14-të i cili ka nisur me 20 shtator, shkruan KultPlus.

Në mbyllje të këtij edicioni u ndanë edhe çmimet e përvitshme të festivalit.

Nën moton “For Her”, ky edicion ju dedikua drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti.

Vjosa, jo vetëm që i mungoi festivalit po edhe të gjithë njerëzve që e kanë njohur e kanë punuar me të.

Lekë Berisha, djali i Vjosës, pas përfundimit të këtij edicioni ka publikuar një status falënderimi për të gjithë ata që e mbështetën festivalin.

“Faleminderit shumë të gjithëve për mbështetjen dhe fjalët e mira që i dhatë këtë javë për Vjosën. Faleminderit shumë krejt stafit dhe vullnetarëve të PriFest për punën e palodhshme, na keni lehtësu sadopak dhimbjen e papërshkrueshme që po e ndiejmë në mungesë të saj.  Falënderim i veçantë dhe respekt pafund për ty Dadush, që ke mbrri me e organizu kaq mirë këtë edicion përkundër krejt vështirësive. Ota is proud of you. Ju dua mas shumti!”, ka shkruar Leka.

Këtë dedikim e ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram edhe ylli Dua Lipa si kujtim dhe nderim për Vjosën.

“Ota, PriFest. ForHer”, shkruan Dua.  / KultPlus.com

Rina Krasniqi shkruan histori në “PriFest”, çmimet ia dedikon nënës së saj dhe Vjosa Berishës

Aktorja Rina Krasniqi ka arritur të shkruajë histori në festivalin e filmit “PriFest”, shkruan KultPlus.

Krasniqi ka luajtur dy role në filmin “Virgjëresha Shqiptare”, njëri si Luana dhe tjetri si një burrneshë me emrin Jack.

Kjo është hera e parë në historinë e çmimeve “PriFest” që një aktore arrin të fitojë të dy çmimet, pra për aktoren më të mirë dhe për aktorin më të mirë.

Gjatë fjalës që mori kur fitoi çmimin e parë, Krasniqi tha se këtë film ia dedikon nënës së saj.

“Ajo është personi më i çmuar në jetën time. Gjithashtu këtë çmim ua dedikoj të gjitha vajzave dhe grave të guximshme që kanë lënë gjurmë në jetë. Një prej tyre është Vjosa Berisha”, tha ajo, raporton KultPlus.

Në historinë e Oscars, edhe pse nuk ka asnjë kufizim që një interpretues të fitojë çmimet për aktorin më të mirë dhe aktoren më të mirë në të njëjtin vit për dy role në të njejtin film, kjo ende nuk ka ndodhur. – edhe pse ka pasur raste kur interpretues janë nominuar për të dy çmimet në të njëjtin vit. /KultPlus.com

“Ota” dhe “Odesa” = binomi i PriFest 2022

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë “PriFest” është duke bërë përgatitjet e fundit para hapjes madhështore, e cila do të bëhet sot me filmin “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Ky edicion, ndryshe nga herët e tjera, do të finalizojë punën e përvitshme pa shpirtin e skuadrës, Vjosa Berisha, e cila vdiq këtë vit.

Së fundmi, një nga themeluesit e këtij festivali, Fatos Berisha, ka shpërndarë një foto në rrjetet sociale, duke shkruar: “Na mungon Ota”, duke përfshirë një foto me trofeun “PriFest”, flamurin e Ukrainës dhe Vjosës.

Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë).

Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë.

“Vera Andrron Detin”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi, i cili ka udhëtuar në shumë vende të botës, do të debutojë edhe në Prishtinë sot me fillim nga ora 21:00. /KultPlus.com

Fatos Berisha: Vjosa Berisha ishte motor, lokomotivë e festivalit, 40-të burra po tentojmë të vazhdojmë punën e saj

PriFest është gati për edicionin e sivjetmë, më të ndjeshmin në historinë e këtij festivali, pasi që për herë të parë po organizohet pa prezencën fizike të themelueses së këtij festivali, Vjosa Berishës, e cila vdiq  më 23 qershor të këtij viti, shkruan KultPlus.

Por vetëm prania fizike e Vjosës do të mungojë në këtë edicion dhe edicionet që do të vijnë, pasi që emri i saj tashmë është pjesë e pandashme e këtij festivali, e prej këtij viti emri Vjosa Berisha do të rri edhe më fuqishëm në disa formate.

Fatos Berisha, drejtor i festivalit dhe njëherit bashkëshort i Vjosa Berisha ka thënë për KultPlus se ky edicion ka edhe dedikimin për Vjosa Berishën, dhe krejt ky edicion do të bëhet me moton “For Her”, sikurse që ky edicion ka pas për moto të përvitshëm “Miqësi përgjithmonë”, nga ky vit do të jetë “Vjosa përgjithmonë”.

“Por për të kujtuar dashninë, pasionin dhe vullnetin e Vjosa Berishës që e ka ndërtuar këtë festival prej edicionit të parë e deri tashti, ne nga ky vit do të ndajmë edhe çmimin kryesor të festivalit “Çmimi Vjosa Berisha”, çmim i cili do të jepet për producentë, pasi që edhe Vjosa ishte producente”, ka thënë Berisha.

Dhe për këtë edicion që do të sjell 45 filma premierë për Kosovë, konferenca të shumta shtypi, punëtori, prezantime dhe shumë takime mes kineastëve, Fatos Berishën e ka gjetë të dërrmuar edhe emocionalisht dhe fizikisht, pasi që, punët që Vjosa Berisha kishte mbi supe, sipas Fatosit po duhet ti kryejnë mbi 40 burra dhe mezi po ja dalin.

“Ka lënë shumë zbrastësi, s’po flas vetëm për anën emocionale, por edhe asaj profesionale. Vjosa Berisha ka qenë motor, lokomotivë e këtij festivali. Jemi mbledhë mbi 40-të burra për organizimin e këtij edicioni, dhe mezi po ja dalim”, ka thënë Berisha, i cili në të njëjtën kohë falënderon miqtë e shumtë, që janë edhe nga komuniteti artistik të cilët kanë shprehë gatishmërinë për të ndihmuar që të realizojnë këtë edicion, i cili ka lëvizë edhe datat, si pasojë e humbjes së Vjosa Berishës.

Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit artistik të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë “PriFest” fillon me filmin “Vera andrron detin” me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit, kurse do të përfundojë po me një film shqip “ “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit. Hapja e ceremonisë do të mbahet sonte, në Kino Armata./ KultPlus.com

PriFest nis sonte me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’

Sonte nis edicionin e tij të 14-të Festivali i Filmit “PriFest”. Hapjen e festivalit do ta bëjë filmi “Vera Andrron Detin”, shkruan KultPlus.

Përveç që tashmë janë të ditur edhe filmat që do të garojnë për çmimet kryesore, gjithashtu është njoftuar se çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. 

“Jemi të lumtur që sikurse edhe hapja e PriFest-it, me filmin ‘‘Vera Andrron Detin’’, edhe në mbyllje do të kemi film në gjuhën shqipe, ’’Virgjëresha Shqiptare’’,  për më shumë edhe me pjesëmarrje të madhe të filmbërësve nga Kosova. E kemi thënë shumë herë, promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit”, ka thënë Fatos Berisha, bashkëthemelues i festivalit.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe për herë të parë do të mbahet pa drejtoreshën e festivalit Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj.  KultPlus.com

Sot në kuadër të PriForum-it, kanë filluar sesionet e trajnimit me ekspertën nga Kanada, Linda Beath

Sot në kuadër të PriForum-it, kanë filluar sesionet e trajnimit për buxhet/financa dhe koproduksione me ekspertën nga Kanada, Linda Beath.

Në këtë edicion janë gjithsej 18 projekte për garën e projekteve Best Pitch.

Dhjetë janë nga rajoni dhe tetë nga Ukraina, si pjesë e programit Odesa në PriFest.

PriForum është platforma e industrisë së PriFest dhe është pikëtakim i filmbërësve nga rajoni dhe Europa.

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha. / KultPlus.com

“PriFest” njofton se do të shfaqen dy filma në nderim dhe kujtim të Vjosa dhe Burbuqe Berishës

Festivali i Filmit “PriFest” është duke filluar dhe tashmë oraret e shfaqjes së filmave po marrin jetë, shkruan KultPlus.

PriFest njofton se në kuadër të seksionit IN MEMORIAM do të shfaqen dy filma në Kino Armata:

‘Cirku Fluturues’ me daten 25 shtator, ora 19:00, dhe

‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ me datën 21 shtator, ora 21:00.

Filmat shfaqen për nder dhe kujtim të producentës Vjosa Berisha dhe regjisores Burbuqe Berisha.

Mirëpo, edicioni i 14-të i PriFest i kushtohet posaçërisht producentes Vjosa Berisha, si një nga themelueset e këtij festivali. /KultPlus.com

Çmimi kryesor në PriFest do të mbajë emrin “Vjosa Berisha”

Këtë vit do të mbahet edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest”, shkruan KultPlus.

Kur janë prezantuar edhe filmat që do të garojnë për çmimet kryesore, është prezantuar edhe një risi e re.

Tashmë çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.

Edicioni i 14-të i “PriFest”-it mbahet nga 20 deri më 25 shtator 2022 dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. /KultPlus.com

Shpaloset kategoria garuese e filmave dokumentarë në PriFest

Shpaloset kategoria garuese e filmave dokumentarë në PriFest, përcjell KultPlus.

PriFest shpalos programin e filmave dokumentarë, ku këtë vit do të jenë prezente tri premiera kosovare dhe një regjionale.

Si gjithmonë, të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë.

Lista e plotë garuese e programit garues të filmave dokumentarë:

1.     Amuka – The Awakening  nga Antonio Spanò , Belgjikë 71 min

2.     Come on Time nga Chris Vernon UK/USA 40 min

3.     One More Step West Is the Sea: ruth weiss nga Thomas Antonic, Austri 91 min

4.     Australia My Home: An Albanian Migration  nga Dritan Arbana, Australi, 81 min

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Vjosa. Forever. PriFest.

#ForHer / KultPlus.com

Ambasada britanike lanson bursë studimi në nderim të Vjosa Berishës

Ambasada britanike në Prishtinë ka lansuar “Bursën Përkujtimore Vjosa Berisha” si pjesë të programit të bursave “Chevening”.

Çmimi është i hapur për qytetarët kosovarë që dëshirojnë të studiojnë për master në Mbretërinë e Bashkuar, të financuar plotësisht në: Film (çdo disiplinë); Menaxhimi dhe Administrimi i Arteve, Festivalit ose Kulturës; Praktikë Kreative; ose Studimet e Komunikimit/Media.

Bursa i kushtohet Vjosa Berishës dhe fushat e studimit i përshtaten fushave ku ajo pati ndikim.

“Çmimi i kushtohet kujtimit dhe trashëgimisë së Vjosa Berishës. Zgjedhja e subjekteve pasqyron gamën e fushave në të cilat Vjosa pati ndikim gjatë karrierës së saj, në mënyrë që të tjerët të vazhdojnë trashëgiminë e saj”, thuhet në njoftim.

Vjosa Berisha ka qenë fituese e bursës për një master në studimet e Medias dhe Komunikimit në Universitetin Westminster.

Aplikantët në Kosovë mund të aplikojnë për bursë për vitin akademik 2023/24 deri më 1 nëntor. / KultPlus.com

‘For Her’, PriFest me sllogan të ri, ia dedikon Vjosa Berishës

Prishtina International Film Festival publikon slloganin e ri të edicionit 14: FOR HER (PËR TË) duke dediikuar edicionin e ri të festivalit në kujtim dhe nderim të drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.

Poashtu, ndryshon edhe moto e përgjithshme e festivalit që ishte që nga edicioni i dytë, nga Friendship Forever PriFest, në: Vjosa. Forever. PriFest.

Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator në Prishtinë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti në homazhe për Vjosa Berishën: Kujtimet për të mbeten të pashlyeshme

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar të mbahen homazhet për producenten Vjosa Berisha, shkruan KultPlus.

Shumë fytyra të njohura nga fusha e artit, kulturës, politikës dhe jo vetëm, po vijnë ta nderojnë producenten e cila vdiq pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, bënë homazhe në TKK për të nderuar producenten e njohur.

Kryeministri Kurti u shpreh se kujtimet për Vjosën do të mbeten të pashlyeshme dhe se Prishtina ka mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne.

“Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores, Vjosa Berisha, kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë. Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne. Përfshirë kështu filmat në të cilët punoj dhe festivalit PriFest, që u bë një vend ku ne takonim artistë dhe aktorë të famshëm nga bota të cilët edhe vizitonin Kosovën por njëkohësisht kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën botërore. Me dhembje të madhe, me pikëllim, por njëkohësisht edhe me krenari për kontributin që ka dhënë, e kujtojmë me shumë nderim artisten dhe producenten Vjosa Berisha”, u shpreh Kurti.

Ndërsa kryeparlamentari Konjufca, tha se Berisha ka lënë prapa një trashëgimi të çmueshme të kulturës dhe artit.

“Vjosa Berisha ka lënë mbrapa një trashëgimi shumë të çmueshme të kulturës dhe artit. Ajo ka qenë edhe producente e filmit edhe regjisore, por mbi të gjitha ka qenë ambasadore e shquar e kulturës dhe artit tonë në botë. Përveç kësaj nuk duhet të harrojmë që ajo ishte edhe një aktiviste që i ndihmoi shumë shtetit të Kosovës. Veprimtaria e saj nuk ka qenë vetëm artistike dhe kulturore por duke qenë e tillë ajo gjithmonë fliste për Kosovën dhe mundohej të kontribuonte në ndërtimin e imazhit të  mirë të vendit tonë. Si e tillë ajo do të kujtohet gjithmonë”, u shpreh Konjufca.

Pas homazheve, në ora 15:00 do të mbahet mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës. / KultPlus.com

Sot mbahet ceremonia mortore për producenten Vjosa Berisha

Pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor vdiq producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha.

Bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, ka njoftuar se sot do të mbahet ceremonia mortore.

“Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore të së dashurës sonë Vjosa Berisha:

E enjte, 30 qershor

14:00-15:00h homazh në Teatrin Kombëtar të Kosovës (foajea e TKK);

15:00-16:00h Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (salla e madhe e TKK);

17:00h Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arberi).

E pamja

datat 1,2,3 korrik (e premte – diele) në Hotel Grand , Prishtinë (kati 1)

nga 11:00-18:00h”, ka shkruar Berisha. / KultPlus.com

Ceremonia mortore për producenten Vjosa Berisha do të mbahet ditën e enjte

Pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor vdiq producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha.

Bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, ka njoftuar sot se  ceremonia mortore do të bëhet ditën e enjte më datë 30 qershor.

“Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore të së dashurës sonë Vjosa Berisha:

E enjte, 30 qershor

14:00-15:00h homazh në Teatrin Kombëtar të Kosovës (foajea e TKK);

15:00-16:00h Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (salla e madhe e TKK);

17:00h Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arberi).

E pamja

datat 1,2,3 korrik (e premte – diele) në Hotel Grand , Prishtinë (kati 1)

nga 11:00-18:00h”, ka shkruar Berisha. / KultPlus.com

Vjosa përkujtohet përmes filmit të saj

Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.

Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..

Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.

“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.

Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com

FemArt: Mbrëmja e sotme homazh për Vjosën, nderojmë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor

Sot, pas një sëmundje të rëndë, ka vdekur producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha, shkruan KultPlus.

Festivali ‘FemArt’, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se sonte do të nderojnë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor.

Postimi i plotë:

“Mbrëmja e sotme është homazh për Vjosën. Për shpirtin luftarak, rezistencën, dashurinë dhe pasionin e saj për artin. Për solidaritetin e saj me të gjitha gratë në Kosovë dhe në botë. Sonte nderojmë angazhimin e saj artistik dhe njerëzor. Pusho në paqe Vjosa!”, thuhet në njoftimin e FemArt.

Flamenko balet nga Barcelona me performancën “LUXURIA” mbyll festivalin FemArt 10, ndërsa përpara saj do të jepet shfaqja “Ora e Vdekjes” në ora 20:30 në Burgun e Muzeut të Prishtinës./KultPlus.com

Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen nga jeta të producentes, Vjosa Berisha

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka shprehë ngushëllime për familjen Bajraj, me rastin e vdekjes së poetit Xhevdet Bajraj.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani:

Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të producentes së filmave, znj.Vjosa Berisha.

Ajo ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike, ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë.

Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la  pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe i cili do të mbetet simbol me të cilën do ta kujtojmë përherë.

Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!

Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Berisha!

I përhershëm qoftë kujtimi për znj.Vjosa Berisha! / KultPlus.com

QKK: Ikja e hershme e Vjosa Berishës do të lë zbrazëtirë shumë të madhe në komunitet

Qendra Kinematografike e Kosovës ka reaguar pas vdekjes së producentes së mirënjohur kosovare, Vjosa Abazi.

Sipas QKK-së, ikja e saj do të lë zbrazëtirë shumë të madhe në komunitetin artistik.

Postimi i plotë i QKK-së:

Jemi thellësisht të pikëlluar për ndarjen e hershme nga jeta të koleges, producentes, bashkëthemelueses dhe drejtoreshës së Prifestit, Vjosa Berisha.

Vjosa ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës dhe kinematografisë kosovare përgjatë më shumë se dy dekadave pune të parreshtur.

Ikja e saj e hershme do të lë zbrazëtirë shumë të madhe në komunitetin tonë dhe publikun mbarë.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes Berisha dhe Istrefi, dhe të gjithë kolegëve./ KultPlus.com

Hajrulla Çeku: Dje na la Xhevdeti, sot Vjosa, arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshkëm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar sot për vdekjen e poetit Xhevdet Bajraj dhe producentes Vjosa Berisha.

Ministri Çeku përmes një postimi në Facebook u shpreh se arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm dhe personalitete të pazëvendësueshme.

Postimi i plotë i ministrit Çeku:

Dje na la Xhevdeti, sot Vjosa. Në kulmin e dhimbjes për ndarjen nga jeta të poetit të madh shqiptar, Xhevdet Bajraj, na erdhi lajmi tjetër i kobshëm për shkuarjen në amshim të regjisores dhe producentes së njohur, Vjosa Berisha.

Në momente si këto, fjalët nuk arrijnë të kapin thellësinë e dhimbjes. Arti ynë humbi dy njerëz të jashtëzakonshëm, krijues të palodhshëm, personalitete të pazëvendësueshme.

Ngushëllime familjeve, miqve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhevdetit dhe Vjosës./ KultPlus.com

Në nderim të Xhevdet Bajrajt dhe Vjosa Berishës, Kuvendi mban një minutë heshtje

Sot, në nderim të jetës dhe veprës së poetit Xhevdet Bajraj dhe regjisores Vjosa Berisha, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje.

Kjo kërkesë erdhi nga Eliza Hoxha, deputete nga radhët e PDK-së, e cila tha se me vdekjen e Vjosa Berishës, Kosova humbi një ambasadore të kulturës.

“Sot humbëm një person shumë të rëndësishëm të skenës kulturore dhe kisha pasë dëshirë që në këtë hapësirë të njohim kontributin e saj mbi 20 vjeçar në skenën kinematografike, si ambasadore kulturore e Kosovës brenda dhe jashtë saj. Dua t’i ftoj deputetët për një minutë heshtje për Vjosa Berishën”, tha Hoxha.

Në anën tjetër, Saranda Bogujevci, shtoi se duhet të nderohet edhe poeti Bajraj që vdiq dje.

“Nëse mundem ta shtoj që kemi humbur edhe poetin tonë Xhevdet Bajraj në të njëjtën kohë kështu që respekt të dy”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Përparim Rama: Sot, Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve ka rrezatuar pa u ndalur

Sot, arti në Kosovë mori lajmin e trishtë për vdekjen e producentes kosovare, Vjosa Berisha, përcjell KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook shkroi se sot Prishtinës iu  shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq.

Postimi i plotë i kryetarit Rama:

Vjosa e Prishtinës!

Sot, Prishtinës iu shua një dritë që përgjatë njëzet viteve pa u ndalur, ka rrezatuar aq shndritshëm në skenën kulturore e kinematografike në vend me punën, profesionalizmin dhe energjinë e saj të pashoq.

Sot, ndjehemi më të varfër pa miken tonë të mrekullueshme, Vjosën, që nga zemra i dha kryeqytetit aq shumë kreativitet e energji pozitive.

I bashkohem me pikëllim të thellë dhimbjes së familjes Berisha dhe Istrefi në këtë humbje të madhe./ KultPlus.com

MKRS për vdekjen e Vjosa Berishës: La zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë

Sot, arti kosovar mori lajmin e trishtë për vdekjen e producentes së mirënjohur, Vjosa Berisha, përcjell KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook e ka konsideruar vdekjen e Vjosa Berishës si një ikje të parakohshme që la zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të MKRS-së:

Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha.

Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë.

Vjosa Berisha, në 50 vitet e saj, la një trashëgimi mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” për më shumë se një dekadë. Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishte i pashoq dhe do ti mungoj gjithë komunitetit artistik.

Sot nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë.

Ngushëllime familjes, miqve, dhe shoqërisë tonë!./ KultPlus.com

Vjosa Berisha, gruaja që bëri shumë për artin dhe kulturën në Kosovë

Sot, pas një sëmundje të rëndë, ka vdekur producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha,.

Vjosa Berisha kishte mbi 20 vjet përvojë pune në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit. Ajo krijoi B2, një kompani për marrëdhënie me publikun, film dhe industri kreative me zyre në Kosovë dhe Shqipëri.

Berisha ishte gjithashtu bashkëthemeluese dhe ka menaxhuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë – PriFest që nga fillimi duke marrë rolin e Drejtoreshës të Festivalit duke e rritur me ambiciozitet festivalin për 11 vjet për ta bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në Kosovë. 

Ky festival sot është i frekuentuar nga shumë kineastë nga rajoni, Evropa dhe një sërë personalitetesh të njohura botërore të filmit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar. Festivali ka në konkurrim programe evropiane, ballkanike, të mesme dhe dokumentare, si dhe drejton një platformë rajonale të industrisë së filmit PriFORUM, e cila mbledh dhe ofron mundësi të shkëlqyera për kineastët e rinj nga rajoni për të avancuar projektet e tyre dhe rrjetëzim me shumë ekspertë, profesionistë të industrisë së filmit dhe të ftuar nga Evropa. PriFest zhvillohet çdo vit në korrik në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Në vitin 2015 Berisha mori kursin e EAVE Producers Workshop, duke u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh producentësh nga Evropa dhe bota, si e diplomuar në EAVE Generation 2015. Ajo prodhoi dy filma artistikë deri më sot, filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” (2019) me skenarist dhe regjisor Fatos Berisha dhe filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” (2019) bashkëprodhuar me regjisorin Borjan Zafirovski.

Ajo ka punuar në shumë projekte të tjera video dhe televizive duke përfshirë producenten e programit të famshëm për fëmijë “Sesame Street Workshop” (prodhoi 42 inserte të segmenteve “3 minuta të gjata” në shqip dhe serbisht për audiencën kosovare të transmetuara në televizionin publik RTK gjatë viteve 2002-2004).

Vjosa Berisha ishte edhe anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor konsiston në një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Ëestminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë. Në vendin e saj Kosovë, ajo ishte një zë i fortë në promovimin e të drejtave LGBTI përmes programit Let it Be të PriFest të cilin e krijoi në 2014 dhe e kuroi atë në partneritet me Outfest LA dhe Queer and Migration IFF Amsterdam./ KultPlus.com

PriFest hapet me premierën e ‘Vera andrron detin’

Filmi Kosovar ‘Vera andrron detin’ në regji të Kaltrina Krasniqit është filmi që do të hap edicionin e 14-të të PriFest.

‘Vera andrron detin’ pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut, dhe është shfaqur me sukses tanimë në 20 festivale në mbarë botën në konkurrencë zyrtare dhe ka fituar 6 shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin filmi më i mirë në festivalin prestigjioz të Tokios.

“Është bërë traditë tanimë që PriFest-in t’a hapim me një premiere të filmit nga Kosova. Na gëzon fakti që filmi të cilin e promovuam në edicionin e vitit të kaluar teksa po pregatitej për Venedik dhe I cili ka qenë pjesë e best pitch, do ta sjellim për publikun Kosovarë në PriFest. Promovimi dhe përkrahja e filmave vendor dhe filmbërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit, prandaj jemi shumë të lumtur që përsëri këtë vit kemi një premierë të filmit nga Kosova, aq më shumë të një regjisore debutante Kosovare, si Kaltrina Krasniqi. Vala e Re e kinemasë kosovare po vazhdon, dhe ne jemi mbështetës krenar të saj”, tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest-it.

Filmi ‘Vera andrron detin’ shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë.

Vera është një grua në moshë mesatare që punon si përkthyese e gjuhës së shenjave, e cila ka një jetë të mirëstrukturuar: është bashkëshorte e një gjykatësi të mirënjohur, nënë mbështetëse, dhe gjyshe e dashur. Qetësia e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e bashkëshortit të saj, e cila pasohet nga një paradë e padëshiruar dhe kërcënuese e familjarëve me pretendime për pronësi mbi shtëpine e familjes së tyre në fshat. Kur fillojnë të shfaqen fijet e një skemës së nëntokës, bota e Verës do të ballafaqohet me rrezik dhe do të duket qe është pranë kolapsit. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën ta merr fatin e familjes në duart e saj. E zhytur në një atmosferë kërcënuese, VERA ANDRRON DETIN është një portretizim intim por universal i një gruaje që duhet të ballafaqohet me realitetin e kundërshtimit të çështjeve gjinore me rrënjë të thella të cilat mbizotërojnë në kohët tona.

Filmi ‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Regjia: Kaltrina Krasniqi, skenari: Doruntina Basha, producent: Shkumbin Istrefi, ko-producentë: Ognen Antov, Dionis Papadhimitri, Kaltrina Krasniqi. Drejtore e fotografisë: Sevdije Kastrati. Montazhi: Vladimir Pavlovski, Kaltrina Krasniqi. Muzika: Petrit Ceku, Genc Salihu. Në rolet kryesore: Teuta Jegeni Ajdini, Alketa Sylaj, Refet Abazi, Astrit Kabashi.

PriFest shënon edicionin e 14-të këtë vit dhe do të mbahet në data 26-31 korrik. / KultPlus.com