Pogradeci çel sezonin turistik, Xhakolli: Investimet rritën ofertën turistike

Pogradeci çeli sot sezonin turistik 2025 me një sërë aktivitetesh kulturore, sportive si dhe me panaire.

Aktivitetet e çeljes së sezonit veror nisën me bandën frymore, e cila parakaloi në rrugët kryesore të qytetit të Pogradecit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov, nënkryetarja e bashkisë Entela Gusho, drejtues të pushtetit vendor, qytetarë, turistë etj.

Kryetari i bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha se ne kemi 5-6 vjet që punojmë për këtë ditë. Edhe investimet që kemi kryer në infrastrukturë, por edhe kujdesi që tregojnë vetë punonjësit e bashkisë për të mbajtur një ambient të pastër, të kuruar me kujdes duke ofruar mundësi për të pushuar për të gjithë brezat, edhe për brezin e tretë, për rininë dhe fëmijët”.

“Jo vetëm nga turistët vendas, por edhe të huaj ka pasur interes, pasi oferta turistike e Pogradecit ka qenë e përshtatshme për ta”, tha Xhakolli duke shtuar se bashkia ka bërë gjithçka që turistët të ndihen si në shtëpinë e tyre.

Ndërsa në fjalën e saj nënkryetarja e bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho tha se “një risi këtë vit do të jenë jo vetëm aktivitetet kulturore, por edhe ato sportive si dhe evidentimi i trashëgimisë së pasur kulturore e natyrore, por edhe nxitja e krijimit të bashkëpunimit ndërinstitucional duke u ofruar turistëve vendas e të huaj shërbime të duhura”.

“Gjatë këtij sezoni bashkia Pogradec do të identifikohet me një kalendar të pasur aktivitetesh ku secili prej jush mund të gjejë veten për të pushuar në flladin pogradecar ashtu si e përshkruajnë vargjet e poezisë së Lasgushit dhe Mitrush Kutelit”, tha Gusho.

Duke ftuar vizitorët të vizitojnë Pogradecin, nënkryetarja Gusho u shpreh se “të shijojmë së bashku kulinarinë, mikpritjen dhe traditën, trinomin e të cilit e gjeni vetëm në Pogradec”.

Në ditën e çeljes se sezonit turistik, vizitorët e huaj janë të shumtë në qytetin liqenor. Dy prej tyre tregojnë se vijnë për herë të parë në Pogradec e se mikpritja, por dhe kulinaria e çmimet bëjnë që ata të mendojnë rikthimin vitin tjetër

“Ne jemi nga Austria, kemi ardhur për herë të parë në Pogradec. Një pamje fantastike, vend i mirë për të qëndruar, diell, ushqim fantastik, do rikthehemi përsëri”, tha një turist.

Një tjetër turist u shpreh se “kisha dëgjuar për Pogradecin në internet, sa shumë dyqane e njerëz. Liqeni fantastik, plazh bëmë dhe u relaksuam. Çmimet ishin shumë të lira”.

Bujtinat dhe restorantet e qytetit organizuan një panair me ushqimet tradicionale të zonës, ndërkohë artizanët ekspozuan punimet e tyre si në qëndisje, punime me grep, gliko, reçelra të ndryshëm.

Gjithashtu, u zhvilluan edhe një sërë aktivitetesh si koncerte me këngë dhe lojëra për fëmijë.

Pogradeci dhe fshatrat turistikë të Linit e Tushemishtit edhe këtë vit vijojnë të jenë të kërkuara nga turistët vendas e të huaj, për bukurinë që ofron kjo krahinë aq e për kulinarinë e mikpritjen.

Pogradeci dhe rrethinat e tij ofrojnë për turistët një atraksion të përhershëm turistik me natyrën, kulturën dhe historinë që i japin madhështinë, ndërsa liqeni i jep hijeshinë.

Përveç liqenit, Pogradeci ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka monumente të rëndësishme kulturore e historike që të tërheqin t’i vizitosh./atsh/ KultPlus.com

Vdes Valerie Mahaffey, aktorja e ‘Desperate Housewives’ dhe ‘Young Sheldon’

Vdes në moshën 71-vjeçare aktorja Valerie Mahaffey

Ajo ndërroi jetë të premten në Los Angeles të ShBA-së pas një beteje me kancerin, ka konfirmuar The Hollywood Reporter, transmeton Klan Kosova.

Valerie ishte e njohur për interpretimin e personazheve ekscentrikë gjatë karrierës së saj pesëdekadëshe. Në vitin 1992, ajo fitoi çmimin Emmy për interpretimin e personazhit Eve në Northern Exposure nga viti 1991 deri në vitin 1994. Ajo ishte gjithashtu e njohur për interpretimin e Alma Hodge në serialin Desperate Housewives nga viti 2006 deri në vitin 2007, dhe kishte një rol të përsëritur të mësueses Victoria MacElroy në projektin televiziv Young Sheldon nga viti 2017 deri në vitin 2020.

Java e Evropës 2025 – “Vëndçe” në Pilur me zërat e polifonisë dhe dokumentarin e Lorin Terezit

Nga data 17 deri më 31 maj, në Shqipëri po zhvillohet edicioni i radhës i Javëve Kulturore të Evropës, një festë gjithëpërfshirëse e artit dhe kulturës që shtrihet në nëntë qytete: Tiranë, Kamzë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat dhe Pilur (Himarë).

Mbrëmjen e djeshme, në fshatin Pilur të Himarës u organizua aktiviteti “Vëndçe”, i cili u rikthye atje ku gjithçka nisi, mes zërave që mbajnë gjallë një trashëgimi të rrallë.

Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, në këtë mbrëmje të bukur ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato u shfaq dokumetari i Lorin Terezit, ndërsa u zhvilluan edhe biseda, këngë polifonike, që përcollën lidhjen e fortë mes zërit, vendit dhe identitetit kulturor shqiptar.

Me një program të pasur prej mbi 45 aktivitetesh, kjo javë ofron një platformë për bashkëpunim ndërkombëtar, reflektim publik dhe shprehje artistike.

Programi përfshin gjithashtu biseda me artistë, forume për dialog dhe reflektim mbi rolin e artit në shoqëri duke shndërruar qytetet shqiptare në skena të hapura të mendimit kritik dhe krijimtarisë kolektive.

Java e Evropës 2025 është një hapësirë bashkëpunimi ku kultura vepron si urë mes qytetarëve, komuniteteve dhe vlerave evropiane. Kjo iniciativë nuk synon të përshkruajë Evropën, por t’i japë zë atyre që e jetojnë dhe e ripërfytyrojnë atë, përmes gjuhës së përbashkët të artit.

Pas Javës Kulturore të Evropës, Javët Kulturore Ndërkombëtare, nismë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vijojnë me Italinë, për t’u pasuar nga Izraeli, Suedia, Franca etj./atsh/KultPlus.com

Rama: Turistët e aventurës rafting në Shkumbin

Turistë e aventurës këtë fundjavë kanë shijuar bukuritë natyrore dhe adrenalinë e rafting në lumin Shkumbin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga rafting në peizazhin fantastik që ofron lugina e lumit Shkumbin.

Turistët lundruan përgjatë vijës Egnatia, mes pamjeve magjike të një prej urave më të njohura dhe më të mirëmbajtura të rrugës Egnatia, urën e Kamarës.

Lugina e Shkumbinit ka një bukuri të rrallë me katarakte, shpella, plazhe të vogla, etj.

Përgjatë lumit në krahinën e Mokrës, ka edhe mjaft vende të përshtatshme për peshkim dhe vende të tjera piktoreske, që mund të vizitohen nga turistët e natyrës dhe ata të aventurës, si Selca e Poshtme në krahinën e Mokrës me një vendbanim të lashtë ilir, ura e Golikut në fshatin Golik, atje ku bashkohen tri degë të lumit Shkumbin.

Raftingu nis nga ura e Bushtricës dhe përfundon pranë qytetit të Librazhdit. Lumi i Shkumbinit e ka grykëderdhjen në një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, i cili është Plazhi i Vilë-Bashtovës./atsh/KultPlus.com

Mall

Poezi nga Goethe

Ç’ma prek kështu zemrën?
Ç’më bën që të ziej?
Ç’më shtyn të largohem
Prej dhomës pertej?
Po ndrit cip’ e reve
Rreth shkëmbit atje!
Atje do të vete,
Atje n’atë dhe!

Ja, korbat në erë
Flatrojnë me gaz;
Përzihem mes tyre,
Mes tufës humbas
Dhe malit e murit
I vijmë perqark;
Ajo është atje poshte,
Ajo është atje larg

Ajo vjen e endet,
Une ik, fluturoj,
Në pyllin e dendur
Si zog po këndoj
Dhe e ndal ajo hapin
E qesh e pergjon:
“Ai këndon ëmbël,
Për mua këndon”

Po i lan perëndimi
Kodrinat me ar;
Sodit bukuroshja
Me shpirt mendimtar
Dhe shkon buzë lumit
Mbi bar e stoli
Dha hapat i zhduken
Ne terrin e zi

Sakaq unë shfaqem
Si yll shkëlqimtar
“Kaq afër, kaq larg,
Ç’ndricon posi zjarr?”
Ti fort e mahnitur
Shkëlqimin e pe;
Por mua të lumtur
Ndër këmbë më ke./ KultPlus.com

Nxënësit e shkollave profesionale spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta

Nxënës dhe mësues të shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani, përmes përkushtimit dhe krijimtarisë sollën një spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta, veshja e lashtë shqiptare e shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Në aktivitetin përmbyllës, ku tradita u bë frymëzim dhe zanati u kthye në art, të rinjtë dëshmuan se aftësimi profesional është një rrugë e fortë drejt vetërealizimit dhe inovacionit kulturor.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit shprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani.

Xhubleta, me formën e saj të veçantë që daton që nga epoka e bronzit, u bë pikënisja për interpretimet moderne të stilit dhe identitetit, një shembull i gjallë sesi trashëgimia jonë e pasur mund të jetojë nëpërmjet brezave të rinj.

MEKI falënderoi për organizimin e këtij aktiviteti fondacionin “TRE MARIAT”, Qendra Antropologjike XHUBLETA, AKPA – për koordinimin me shkollat profesionale, SDC/S4J – për mbështetjen dhe besimin e treguar, Drejtorinë e Pronësisë Industriale – për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen ligjore të krijimeve, Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, që i japin jetë dijes çdo ditë dhe Albanian Night – një shtëpi e madhe e artit dhe mikpritjes shqiptare.

Ky projekt është dëshmi se kur rinia, kultura dhe edukimi bashkëpunojnë, rrënjët dhe krahët ecin bashkë.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste./atsh/KultPlus.com

Shqipëria prezantohet si destinacion frymëzues për industrinë globale të filmit

Me përfundimin e iniciativës “FamTourAlbania”, Shqipëria ka treguar potencialin e saj të jashtëzakonshëm si një destinacion i ri dhe frymëzues për industrinë globale të filmit.

Përfaqësues nga disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare të prodhimit filmik, si HBO, Warner Bros, Amazon Studios, Disney, Paramount Pictures dhe NBCUniversal, udhëtuan përtej kryeqytetit Tiranë, për të eksploruar qytete të ndryshme të vendit tonë.

Gjatë këtij turi, ata patën mundësinë të zbulojnë bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe autenticitetin që Shqipëria ofron si një destinacion filmik i paprekur dhe i shumëllojshëm.

Nga bregdeti i mrekullueshëm deri te majat alpine, nga rrugicat historike te peizazhet e virgjëra, vendi ynë u prezantua si një skenë e hapur për rrëfime të reja ndërkombëtare.

Ky tur është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në hartën globale të vendeve pritëse për produksione filmike, duke nxitur investime të huaja dhe promovuar kulturën dhe natyrën shqiptare në mënyrë autentike./atsh/KultPlus.com

Pashë në ëndërr gjenezën time

Poezi nga Dylan Thomas

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e gjumit, duke çpuar
Lëvoren që rrotullohej, të fortë si muskuli
I një motori në trapano, duke u transportuar
Te shëmbëllimi dhe te trari i nervit.

Prej gjymtyrësh të bëra me përmasa krimbi, i hequr qafe
Prej mishit kryeneç, i limuar
Nga të gjitha veglat e barit, metal
Prej diejsh në natën që njerëzit shkrin.

Trashëgimtar i venave ku valon pika e dashurisë,
E shtrenjtë në kockat e mia një qenie, unë
Bëra xhiron e globit të trashëgimisë sime, udhëtim
Në klasë të parë, te njeriu që u ingranua gjatë natës.

Pash në ëndër gjenezën time dhe prapë vdiqa, shrapnel
I ngulur në zemrën në lëvizje, e grisur
Në plagën e qepur dhe erë e mpiksur, vdekje
Me maskë në gojën që gëlltiti gazin.

Esnaf në vdekjen time të dytë dallova lartësitë,
Vjelje thikash dhe bimësh helmuese, ndryshk
Gjaku im mbi të vdekurit e temperuar, duke forcuar
Luftën time të dytë për tu shkëputur nga bari.

Dhe në lindjen time ishte infektues pushteti, i dyti
Rresureksion i skeletit dhe
Veshje e re për shpirtin lakuriq. Virilitet
Rrodhi nga e dhimbshmja dhimbje.

Pashë në ëndër gjenezën time nën djersët e vdekjes, i rënë
Dy herë në detin që ushqen, jo më i freskët
Në ujin e kripur të Adamit derisa, shëmbëllim
I një force të reje njerëzore, unë të kërkoj diellin.KultPlus.com

Një grua e çuditshme

Skënder Rusi

U dashurova me një grua pothuajse të bukur
Ajo herë-herë është pothuajse e çuditshme
I pëlqen sidomos shtëpia e muzgut
Ku gjithçka është pothuajse lunatike

U dashurova me një grua pothuajse të këndshme
Ajo herë-herë është pothuajse e pazakonshme
Është e paarsye po unë, pikërisht për këtë
E kam ngritur kasollen në pyllin e saj të flokëve

U dashurova me një grua pothuajse të rrallë
Ajo herë-herë është pothuajse e pakuptimtë
Njëlloj si unë që jam kjo re e bardhë
Që e mbështjell të gjithën se s’dua të më ikë./ KultPlus.com

Që të ndjesh dashurinë time

Poezi nga Bob Dylan

Kur shiu tërsëllin në fytyrën tënde,
Dhe e gjithë bota të është qepur pas,
Mund të të ofroj një përqafim të ngrohtë
Që të ndjesh dashurinë time.

Kur shfaqen hijet e mbrëmjes dhe yjet
E kur askënd nuk ke të të fshije lotët,
Mund të të shtrëngoj për një milion vjet
Që të ndjesh dashurinë time.

E di që mendjen nuk e ke mbledhur ende
Por unë kurrë nuk do të të bëja keq,
Këtë e kam ditur qysh prej çastit që u takuam
Dhe në mendjen time s’ka asnjë dyshim, vendin ku e ke.

Do të vuaja urie, në blu dhe në zi do të nxihesha,
Do të zvarritesha për ty, përgjatë rrugës,
Nuk ka asgjë të cilën nuk do ta bëja për ty,
Që të ndjesh dashurinë time.

Stuhitë po trufullojnë mbi detin zemërak,
Dhe mbi rrugën e pendesës,
Erërat e ndryshimit po fryjnë të egra dhe të lira,
Dhe ti ende nuk ke parë askënd si unë, kurrë!

Mund të të beja të lumtur, ëndrrat t’i përmbushja,
Nuk ka asgjë për ty që s’do ta beja.
Për ty do të shkoja deri në fund të botës,
Që të ndjesh dashurinë time.

Përktheu Edvin Shvarc

Një vit nga vdekja e poetit Skënder Rusi

Poeti i njohur korçar, Skënder Rusi, është ndarë nga jeta një vit më parë në moshën 72-vjeçare.

Liriku i letrave shqipe, krijuesi i 25 vëllimeve la pas krijimtarinë e tij si një pasuri të çmuar për letërsinë shqipe, më i fundit “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”.

Skënder Rusi lindi në vitin 1952 në Korçë. Krijimet e tij u përfshinë në antologjitë e disa vende të Evropës si Gjermani, Zvicër. Aktori për disa vite ushtroi profesionin e Kryetarit të Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re”, ndërsa pak vite më parë u vlerësua me titullin Qytetar Nderi i Korçës./ KultPlus.com

216 vite nga vdekja e kompozitorit austriak, Joseph Haydn

Joseph Haydn, (lindur më 31 mars 1732, Rohrau, Austri – vdiq më 31 maj 1809, Vjenë), kompozitor austriak. U rekrutua në moshën tetë vjecare në korin e Katedrales së Shën Stefanit, Vjenë, ku mësoi violinë dhe tastierë. Pasi u largua nga kori, ai filloi të mbështeste veten duke dhënë mësim dhe duke luajtur violinë, ndërsa ndërmori një studim rigoroz të kontrapunës dhe harmonisë. Mori shpejt vëmendjen e Pietro Metastasio dhe nëpërmjet tij u bë faktotum për kompozitorin Nicola Porpora në këmbim të mësimeve.

Duke fituar hyrjen në shoqërinë e lartë, në 1761 ai u bë kreu i institucionit muzikor në pallatin e madh të familjes Esterházy, i cili do ta mbështeste atë për pjesën më të madhe të karrierës së tij. Në këtë pozicion izolimi artistik, por me burime të shkëlqyera, Haydn u ndje i lirë të eksperimentonte dhe u detyrua të bëhej origjinal. Në vitet e fundit ai u njoh ndërkombëtarisht si kompozitori më i madh i gjallë.

Ai kompozoi vepra të rëndësishme pothuajse në çdo zhanër, dhe veprat e tij elegante dhe të këndshme balancojnë mendjen dhe seriozitetin, zakonin dhe risinë. Ai kompozoi 106 simfonitë, duke përfshirë 12 simfonitë e fundit të njohura “Simfonitë e Londrës” (1791–95). Ai praktikisht shpiku kuartetin e harqeve dhe 68 kuartetet e tij mbeten themeli i letërsisë së kuartetit. Veprat e tij korale përfshijnë 14 mesha dhe oratoriumet Krijimi (1798) dhe Stinët (1801).

Ai gjithashtu shkroi 47 sonata për piano dhe më shumë se 125 vepra të bukura për baritonin si violonçel. Njihet si formuesi kryesor i stilit klasik, ai ushtroi ndikim të madh te miku i tij Wolfgang Amadeus Mozart dhe te studenti i tij Ludwig van Beethoven.

Thëniet e tij më të famshme:

“Unë kurrë nuk kam qenë një shkrimtar i shpejtë, kam kompozuar me shumë kujdes dhe përpjekje.”

“Nëse doni të dini nëse keni shkruar diçka që ia vlen të ruhet, këndojini vetes pa askend afër.”

“Unë do të komunikoj me Zotin dhe duhet të jem i veshur siç duhet!”

“Unë ju them përpara Zotit dhe si njeri i ndershëm, djali juaj (W A Mozart) është kompozitori më i madh që kam njohur nga personi dhe reputacioni, ai ka shije dhe për më tepër aftësinë më të madhe në kompozim.”

“Nuk kishte njeri pranë që të më ngatërronte, kështu që u detyrova të bëhesha origjinal.” /KultPlus.com

Sot shënohet Dita Botërore kundër duhanit

31 maji shënon Ditë Botërore pa duhan, ditë kjo që i kushtohet luftës kundër duhanit.

Qëllimi shënimit të kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumimi i duhanit. Kjo festë vjetore informon publikun mbi rreziqet e përdorimit të duhanit, çfarë po bën Organizata Botërore e Shëndetësisë për të luftuar epideminë e duhanit dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për shëndet dhe jetë të shëndetshme dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore pa Duhan është: “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”.

Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë krijuan ‘Ditën Botërore Pa Duhan’ në vitin 1987, për të tërhequr vëmendjen globale ndaj epidemisë së duhanit dhe vdekjeve dhe sëmundjeve të parandalueshme që ajo shkakton.

Në vitin 1987, Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi Rezolutën WHA40.38, duke bërë thirrje që 7 Prilli 1988 të jetë një “ditë botërore kundër pirjes së duhanit”. Në vitin 1988, u miratua Rezoluta ËHA42.19, duke bërë thirrje për festimin e Ditës Botërore kundër Duhanit, çdo vit më 31 maj.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë.

Çdo vit në botë vdesin rreth 8 milion njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme. Çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit, sipas OBSh-së.

Duhanpirësit janë dyfish më të rrezikuar nga goditja në tru dhe katërfish nga sëmundjet e zemrës sesa jo- duhanpirësit.

Ata kanë deri në 22 herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive sesa jo-duhanpirësit.

Përdorimi i duhanit ndikon në ndotjen e ambientit dhe ka pasoja negative në shoqëri. Përdorimi i duhanit rrit shpenzimet familjare dhe ndikon në varfëri.

Sipas IKShPK-së, përfitimet e lënies së duhanit të mund të jenë të menjëhershme si:

Pas vetëm 20 minutash të lënies së duhanit, rrahjet e zemrës suaj normalizohen

Brenda 12 orësh, niveli i monoksidit të karbonit në gjakun tuaj bie në normale

Brenda 2-12 javësh, qarkullimi juaj përmirësohet dhe funksioni i mushkërive rritet

Brenda 1-9 muajve, kollitja dhe gulçimi zvogëlohen

Brenda 15 viteve, rreziku i paraqitjes së sëmundjes së zemrës është sa i një jo-duhanpirësi.

Brenda 5-15 viteve, rreziku i sulmit të zemrës zvogëlohet në atë të një jo-duhanpirësi.

Shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha, kur marrin këshillim intensiv nga mjeku. / KultPlus.com

Rama ndan pamje magjike nga fshati Bastar në Tiranë

Me një natyrë mahnitëse, fshatrat kodrinorë të Tiranës ofrojnë peizazhe tërheqëse për çdo vizitor që zgjedh të zbulojë rrethinat e kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje magjike nga fshati Bastar, në Tiranë.

Me rrugën e re që gjarpëron kodrave të gjelbëruara, Bastari por edhe gjithë fshatrat e kësaj zone tërheqin çdo ditë turistët e natyrës.

Në ndryshim nga gjallëria dhe intensiteti i jetës në kryeqytet, fshatrat dhe rrethinat e tij ofrojnë peizazhin rural mes kodrave të gjelbëruara.

Zhvillimi i agroturizmit i ka dhënë po ashtu një tjetër hov këtyre zonave të cilat janë shndërruar në destinacione të preferuara për turistët vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Elbasan, vizitorët vendas e të huaj interes për trashëgiminë kulturore

Muzeu Etnografik në Elbasan, i shpallur Monument Kulture kategoria e I, pas restaurimit po tërheq vizitorë vendas e të huaj, duke u ofruar një përvojë autentike në rrënjët e historisë, kulturës dhe jetesës tradicionale të qytetit.

I njohur ndryshe dhe si “Shtëpia e Sejdinasve”, në këtë ndërtesë dykatëshe të shekullit të 18-të prezantohet kultura, folklori dhe stili i jetesës së qytetit.

Përgjegjësja e Muzeut Etnografik, Denada Kristo tha për ATSH-në se “pas përfundimit të punimeve më 14 mars të këtij viti ky muze është vizituar nga 2500 vizitorë vendas e të huaj”.

“Turistët e huaj kryesisht janë gjermanë, francezë, italianë, spanjollë, amerikanë, por nuk mungojnë edhe vizitorët nga Kosova. Interes të veçantë për këtë muze kanë treguar edhe përfaqësues diplomatikë që vizitojnë Elbasanin”, theksoi Kristo.

Sipas saj, vizitorët njihen nga afër me objektet e pasura etnografike, veshjet tradicionale dhe elementët e jetës së përditshme të shekujve të kaluar.

Në këtë muze ekspozohen rreth 80 zeje tradicionale, duke pasqyruar mjeshtërinë, stilin e jetës dhe zhvillimin ekonomik të qytetit ndër shekuj. Muzeu mbart në çdo kënd frymën e një qyteti të lashtë që di të ruajë dhe vlerësojë trashëgiminë.

Restaurimi i muzeut ka rikthyer shkëlqimin e një prej godinave më përfaqësuese të trashëgimisë sonë. Restaurimi përfshiu çatinë, çardakun, parmakët, fasadën, dritaret dhe elementë të tjerë autoktonë të banesës, gjithmonë me kujdes për të ruajtur identitetin e saj historik dhe arkitekturor.

Muzeu Etnografik qëndron i hapur çdo ditë të javës dhe mirëpret vizitorë nga vendi dhe jashtë, që duan të njihen më nga afër me jetën e të parëve tanë, veshjet, traditat, artizanatin dhe gjithë pasurinë shpirtërore të këtij qyteti./atsh/KultPlus.com

Media britanike “Metro”: Vizitoni Vlorën – qytetin idilik bregdetar në Rivierën Shqiptare

Ekzistojnë shumë arsye pse turistët britanikë kanë një dashuri të madhe për plazhet e Mesdheut, shkruan Kristina Beanland në të përditshmen britanike “Metro”.

Por, hulumtimet sugjerojnë se një numër i madh turistësh po e “ndërrojnë” Majorkën me Maqedoninë e Veriut dhe Alikanten e Spanjës me Rivierën Shqiptare – mesa duket të frymëzuar nga një trend i TikTok-ut “Destinacionet e Ngjashme”- i shpërndarë nga Gjenerata Z.

“Fluturimet nga Britania e Madhe drejt vendeve të Ballkanit, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Marokun, janë rritur ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit”, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil (CAA).

Ekspertët thonë se mediat sociale po ndikojnë tek turistët që kërkojnë të eksplorojnë vende më pak të vizituara – duke shmangur destinacionet e mbipopulluara.

Ekspertët e udhëtimeve kanë rekomanduar destinacionet më të mira – të ngjashme me pikat e njohura turistike – për verën e vitit 2025.

Vlora, Shqipëri

E ngjashme me: Split, Kroaci

Në kufi me Greqinë dhe shumë pranë Kroacisë, Shqipëria ofron të njejtën klimë me qytetin e dytë më të madh të Kroacisë, Splitin – për pushimet verore – por pa turma vizitorësh apo çmime që rriten vazhdimisht.

Nëse kërkoni plazhe të pastra dhe të pacënuara me një peizazh malor mbresëlënës dhe restorante me çmime të përballueshme, shkoni në Vlorë – qytetin bregdetar të vendosur në Rivierën idilike Shqiptare.

Gjatë ditës, mund të relaksoheni pranë detit Jon ose të shkoni në një nga festivalet muzikore të zonës.

Vlora është më e qetë se Spliti i Kroacisë. Në mbrëmje, ky destinacion historik gjallërohet.

Kostoja e jetesës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është rreth 61% më e ulët se në Londër, duke e bërë Shqipërinë një nga destinacionet më të lira evropiane për pushime.

Martina Andretta, gazetare e turizmit në “Metro” kaloi një fundjavë jashtëzakonisht të lirë në mars, në kryeqytetin shqiptar – duke shpenzuar vetëm 70 paund në ditë.

Në disa zona, një vakt për dy persona në një restorant të lirë kushton vetëm 5 paund.

Gjithashtu, kuzhina shqiptare është një kombinim i ndikimeve italiane dhe greke./atsh/KultPlus.com

‘O Atdhe, më je i dashur sa më s’ka’

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi! /KultPlus.com

Marilyn Monroe: Ne të gjithë jemi yje, dhe meritojmë të ndizemi

Marilyn Monroe, lindi në Los Anxhelos, më 1 qershor 1926. Ajo mposhti një fëmijëri të trazuar për t’u bërë një nga yjet më të famshëm të filmit dhe ikonat e kulturës pop të shekullit të 20-të. Ajo ishte një yll në ngjitje që na la shumë shpejt, por për kohën që shkëlqeu, Marilyn shkëlqeu më shumë se çdo kush.

Më poshtë janë 20 thëniet më të bukura të Marilyn Monroe për të ju frymëzuar edhe ju të shkëlqeni.

Marilyn Monroe:

“Buzëqesh, jeta është e bukur dhe në të ka shumë arsye për të buzëqeshur.”

“E papërsosura është e bukur, çmenduria është gjeniale dhe është më mirë të jesh qesharak sesa i mërzitshëm.”

“Po të kisha zbatuar të gjitha rregullat, nuk do të kisha marrë asgjë.”

“Fakti se ju dështuat një herë nuk do të thotë që ju do të dështoni në çdo gjë.”

“Ne të gjithë jemi yje, dhe meritojmë të ndizemi.”

“Për të gjitha vajzat që mendojnë se jeni mbi peshë. Ju jeni të bukura. Shoqëria është e shëmtuar.”

“Karriera është e mrekullueshme, por ti nuk mund të puthesh me të në një natë të ftohtë.”

“Një vajze nuk i duhet askush që nuk ka nevojë për të.”

“Kur vjen puna për ta, le të mendojnë çfarë të duan. Nëse ata shqetësohen aq sa të mërziten për atë që bëj unë, atëherë unë jam më mirë se ata.”

“Ndonjëherë gjërat e mira largohen që gjëra më të mira të mund të bashkohen.”

“Ne duhet të fillojmë të jetojmë para se të plakemi. Frika është budallallëk. Po ashtu dhe pendimi.”

“Gjërat shkojnë edhe keq kështu që çmojini kur janë mirë.”

“Ndonjëherë ju duhet të vendosni kurorën për t’i kujtuar ata se me kë kanë të bëjnë.”

“Gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë besoni te vetja. Sepse në qoftë se nuk e bëni ju, atëherë kush do ta bëjë, e dashur?”

“Dëshira për tu bërë dikush tjetër është humbja e asaj që je.”

“Poshtë makeup-it dhe pas buzëqeshjes sime, unë jam thjesht një vajzë që lufton për botën.”

“Sa gabim është që një grua të presë njeriun që do t’i ndërtojë botën që ajo dëshiron, në vend që ta krijojë vetë atë.”

“Unë jetoj për të fituar sukses, jo për t’ju kënaqur ju e as të tjerët.”

“Unë nuk ndalem kur lodhem. Ndalem kur realizohem.”

“Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur në jetë është fakti që jam femër. Kështu duhet të ndihen gjithë femrat.”/KultPlus.com

‘Përse ta lidhësh fatin tënd, me një pafat si unë’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Sime Shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë. /KultPlus.com

‘N’ty mendoj kur agon drita, kur bylbyli mallshëm kndon’

Poezi nga Gjergj Fishta

Atdheut

N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.

Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty çuet t’kam n’mendim
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht m’vjen çdo ndëshkim.

Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu m’u rrek.

Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni porsi i ke ti.

N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.

Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlxen.

Dersa t’mundem me ligjrue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam./KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Mati: Destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga zona e Matit, duke e vlerësuar atë si një nga destinacionet që çdo vizitor duhet të eksplorojë.

“Me pamjet e mrekullueshme nga Mati, ku natyra ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar”, shkruan Rama në postimin e tij, duke theksuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të kësaj zone veriore të Shqipërisë.

Publikimi vjen në kuadër të promovimit të pasurive natyrore të vendit dhe nxitjes së turizmit lokal në prag të sezonit veror.

Rajoni i Matit ofron një sërë destinacionesh turistike që kombinojnë bukuritë natyrore me vlerat historike dhe kulturore.

Ndër më të njohurat është Parku Natyror i Qafë-Shtamës, një zonë e mbrojtur që shtrihet në kufirin mes Matit dhe Krujës. Ky park është i njohur për pyjet e dendur me pisha, burimet e pastra të ujit dhe ajrin e freskët, duke e bërë një destinacion të preferuar për ecje dhe relaks në natyrë. Në këtë zonë ndodhet edhe vila e ndërtuar nga Mbreti Zog, e njohur si “Vila e Mbretëreshës Nënë”, që shton vlerën historike të parkut.

Përveç Parkut të Qafë-Shtamës, Matit i përkasin edhe vende të tjera me interes turistik, si Kalaja e Macukullit, një fortesë mesjetare që ofron pamje panoramike të luginës, si dhe Ura e Zogut, një strukturë historike që lidh brigjet e lumit Mat.

Gjithashtu, zona është e pasur me tradita kulturore dhe kulinarinë karakteristike të veriut të Shqipërisë, duke ofruar një përvojë të plotë për vizitorët./atsh/KultPlus.com

Nëntë kulla karakteristike nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi, pjesë e “Turit të Kullave”

Nëntë kulla karakteristike nga Kukësi, Tropoja dhe Hasi, janë bërë pjesë e Turit të Kullave, që është një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare dhe vlerë e shtuar për ofertën turistike të Shqipërisë.

Me mbështetjen e GIZ Albania, kullat janë identifikuar, lidhur me agroturizmet dhe bujtinat e zonës, si dhe mbështetur me pajisje kuzhine profesionale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e mikpritjes dhe të shërbimeve që ofrohen për vizitorët vendas dhe të huaj.

Përveç vizitave kulturore në kullat historike, turi i kullave ofron një gamë përvojash aktive si ecje në shtigje malore, ciklizëm, eksperienca kulinarie etj.

Turistët dhe vizitorët e ndryshëm mund t’i bashkohen turit të kullave, lehtësisht duke përdorur aplikacionin Agritourism AL, ku mund të gjejnë të gjitha informacionet dhe mundësitë për rezervim./atsh/KultPlus.com

Kënga fituese e Festivalit të Këngës në RTK tashmë me videoklip muzikor

“Flas me gjethen” – kënga fituese e edicionit të fundit të Festivalit të Këngës në RTK, nga këngëtari Endrit Krasniqi, vjen tani edhe si videoklip muzikor, në një prodhim të ri nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, tha se është i lumtur që kjo këngë tashmë ka marrë formë edhe vizuale, falë një pune të bukur ekipore brenda RTK-së.

Ai falënderoi stafin e RTK-së, të cilët kontribuuan me përkushtim, ide dhe energji pozitive në çdo hap të realizimit të videoklipit muzikor “Flas me gjethen”./rtk/KultPlus.com

Tjetër gur i çmuar në mozaikun e turizmit cilësor, në zemër të Kalasë së Tiranës

Turizmi në Shqipëri po përjeton zhvillime cilësore me shtimin e destinacioneve unike që synojnë të ofrojnë përvoja të veçanta për vizitorët.

Në zemër të kryeqytetit, brenda mureve historikë të Kalasë së Tiranës, është hapur “Castle Boutique Hotel”, një investim elegant që bashkon harmoninë mes historisë së pasur dhe komoditetit modern.

Ky hotel me stil “boutique” është një shembull i mirëfilltë i zhvillimit të turizmit cilësor, që vlerëson trashëgiminë kulturore ndërkohë që ofron shërbime dhe ambiente moderne, duke i dhënë qytetit një dimension të ri mikpritjeje.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga objekti, duke theksuar se “Castle Boutique Hotel” ofron një përvojë unike për çdo vizitor që dëshiron të ndiejë Tiranën në mënyrë të veçantë dhe autentike.

Ai theksoi rëndësinë e investimeve të tilla në zhvillimin e sektorit turistik dhe nxitjen e vizitorëve vendas dhe të huaj që të eksplorojnë thesaret kulturore dhe historike të vendit.

“Plot elegancë, në zemër të Tiranës, brenda mureve të vjetra të Kalasë, “Castle Boutique Hotel” është një shembull i shkëlqyer i harmonisë mes historisë dhe modernes. Ky vend ofron një përvojë unike për çdo vizitor që dëshiron të ndiejë kryeqytetin në një mënyrë krejt të veçantë”, tha Rama.

Kjo iniciativë vjen në vazhdën e rritjes së përgjithshme të sektorit turistik në vend, që po shënon rekorde në numrin e vizitorëve dhe në investimet në hoteleri dhe shërbime të cilësisë së lartë.

Të dhënat zyrtare flasin për mbi 2,4 milionë të huaj që vizituan vendin në 4-mujorin e parë të vitit./atsh/KultPlus.com