30 shtatori, është ditë në të cilën bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, shkruan KultPlus.
Kjo ditë, që festohet më 30 shtator, bie në ditën e festës së Shën Jeronimit, përkthyesit të Biblës i cili konsiderohet shenjt mbrojtës i përkthyesve.
Më 24 maj 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuaraka miratuar rezolutën 71/288 ku shpalli 30 shtatorin, Ditë Ndërkombëtare të Përkthimit, duke njohur rolin e përkthimit profesional në Lidhjen e Kombeve.
Draft -rezoluta A/71/L.68 u nënshkrua nga njëmbëdhjetë vende: Azerbajxhani, Bangladeshi, Bjellorusia, Kosta Rika, Kuba, Ekuadori, Paraguai, Katari, Turqia, Turkmenistani dhe Vietnami.
Përveç Federatës Ndërkombëtare të Përkthyesve, miratimi i rezolutës u mbrojt nga disa organizata të tjera, duke përfshirë Shoqatën Ndërkombëtare të Interpretuesve të Konferencave, Lidhjen Ndërkombëtare të Kritikës, Shoqatën Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe Përkthyesve Profesionistë, Red T dhe Shoqatën Botërore të Përkthyesve të Gjuhës së Shenjave.
Kombet e Bashkuara organizojnë konkursin e përvitshëm të përkthimit të Shën Jeronimit për përkthime gjuhë të ndryshme në arabisht, kinezisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, spanjisht dhe gjermanisht.
Që nga viti 2018 Shoqata Amerikane e Përkthyesve feston Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit duke publikuar një sërë postimesh në median sociale që synon të shpërndajë informacionin dhe të edukojë publikun në lidhje me rolin e përkthyesve./KultPlus.com
Sot janë bërë 100 vite nga lindja e shkrimtarit amerikan, Truman Kapote.
Ai ka lindur më 30 shtator 1924 në Lujzijan, në qytetin e New Orleans. Capote lindi si Truman Strekfas Parsons. Ai ishte një fëmijë i vetmuar, i cili është pasqyruar në stilin e tij të mëtejshëm letrar. Nëna e tij kur e lindi i kishte vetëm 16 vjet e cila rezultoi me ndarje të prindërve kur i kishte vetëm 4 vjet.
Në vitin 1948 e boton romanin e tij të parë – Other Voices, Other Rooms. Në listen e New YorkTimes bestseller ishte plot nëntë javë, gjatë të cilës shiten deri në 26.000 kopje të librit. Libri flet për të rinj adoleshent në kërkim për lumturinë.
Pastaj, e boton novelen tjetër, e cila edhe pse nuk ishte në nivelin e të parës u bë shumë e popullarizuar, sidomos pas ekranizimit në film ku luajti Audrey Hepburn.
Ndërsa romani më i famshëm i tij është Vrasja me gjakftohësi, në të cilën Capote përshkruan motivet e vrasjes për pesë vite me radhë (gjerë sa zgjatë gjykimi) në të cilën u muar nëpër qelitë e burgut, deri në përfundim të dënimit me varje të vrasësve.
Për jetën e tij në vitin 2006, është xhiruar filmi nën titullin e thjeshtë “Capote”, për të cilin, aktori Philip Seymour Hoffman e fitoi Academy Award për rolin kryesor mashkull.
Ai vdiq më 25 gusht 1984, në Los Angelos/KultPlus.com
Udhëtimi në destinacione më pak të njohura ofron përvoja unike dhe njohuri për kultura të ndryshme.
Ndërsa pikat e njohura turistike shpesh marrin vëmendjen më të madhe, eksplorimi i këtyre vendeve alternative ofron përfitime përtej kursimeve të kostos.
Udhëtimi në vende më pak të njohura ju mundëson një përvojë më gjithëpërfshirëse, duke ju ofruar një shans për të zbuluar aspekte të botës që mund të mos i kishit parashikuar.
“Bussines Day” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve më të bukura për t’u vizituar në 2024 (Shqipëria, Uzbekistani, Butani, Finlanda, Laosi).
Shqipëria
Shqipëria është shfaqur si një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë një ndërthurje të bukurisë natyrore dhe pasurisë kulturore.
Ky vend ballkanik ka një vijë bregdetare përgjatë detit Jon që ofron plazhe piktoreske dhe mundësi për aktivitete në natyrë.
Shqipëria karakterizohet nga male dhe lugina mahnitëse, ku vizitorët mund të eksplorojnë qytete të epokës osmane, rrënojat romake dhe liqene piktoreske.
Tirana, kryeqyteti, paraqet një atmosferë të gjallë urbane me kafene, restorante dhe muze.
Kuzhina lokale ofron një ndërthurje të ndikimeve mesdhetare, me pjata që nxjerrin në pah përbërësit e freskët.
Ndërsa turizmi rritet, gjuha dhe traditat unike të Shqipërisë ofrojnë një përvojë të veçantë për vizitorët./atsh/KultPlus.com
Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.
Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:
“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”
“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”
“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”
“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”
“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”
“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”
“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”
“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”
“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”
“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”
“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”
“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.”/ KultPlus.com
Bota rrotullohet në boshtin e vet dhe kryen heshturazi udhëtimin e saj drejt pafundësisë qiellore. Ndodhitë historike bashkë me të gjithashtu. Nga periudha e formësimit të njeriut të parë e deri në epokën e sotme, pikat kulmore të së cilës përbëjnë dhe etapat e kryerjes së saj. Secila me Njeriun-model.
Çdo kohë, me Njeriun e saj të Ri, me arketipin që jo vetëm do të luftonte për t‘iu përshtatur çdo përplasje të re, por madje do t‘ia dilte të ishte modeli i vërtetë në rrethanat e reja shoqërore, kulturore e politike që do të sillte koha.
Një human, në fillimet e tij i lidhur ngushtë me natyrën, i dyti më vonë i lidhur me liderin suprem dhe i sotmi i lidhur me teknologjine. Tek të tre thelbi mbetet i njëjtë; qëndron rrotull kufirit të jetës dhe më së shumti jo largpamës ku frika ndaj së resë e con gjithmonë drejt kaosit dhe anarshisë.
Nëse natyra dhe lideri pranohen lehtësisht nga mendja njerëzore si dy komponentë të sigurt tek të cilët njeriu në cdo kohë beson, duke përfshirë këtu edhe kultin e Zotave, teknologjia është ajo që pritet të dalë përtej parashikimeve.
Zhvillimi me hapa gjigand i saj në shek. e 21-të, sikundër po vjen një prej aplikacioneve të saj, Inteligjenca Artificiale duket se po afron dhe fillimin e një revolucioni të ri, që pritet të prodhojë dhe Tjetrin, modelin e ri.
Edhe pse evoluimi është fizik, këtë herë ai po merr përmasa të një dimensioni tjetër, të pakuptueshëm dhe krejt të panjohur. Këtë përshkruan në librin e tij të fundit studiuesi i njohur Yuval Harari. Sipas tij shumë pak kohë na ndan derisa njeriu të kthehet në një qenie mekanike, në një robot.
Dhe nisur nga kjo, të marrë ´peng´ prej teknologjisë humanizmi, liria dhe besimi janë zbehur ndjeshëm në jetën tonë të përditshme. Ndaj nëse ecet me këto ritme disa pyetje përcillen në debatin publik:
Si do të mund të kooperojnë humanët me IA-në? A është frikësuese influenca kaq e madhe në jetën tonë e teknologjisë kaq shumë të avancuar?
Mos ndoshta një përndjekje e tillë pritet të shkaktojë një varësi permanente? A rrezikojmë ne, ekzistencën tonë në një të ardhme të largët ?
Natyrisht që teknologjia është një ndihmesë e madhe për ne duke na lehtësuar ndjeshëm jetën e duke na informuar për cdo detaj që ndodh në kohë reale. Herë duke na i hapur sytë e herë duke na manipuluar. Andaj përdorimi i saj varet pikërisht nga ne, nëse është pozitiv apo negativ.
Njëkohësisht me zhvillimin e teknologjisë, njeriu po sfidohet çdo ditë e më tepër për të bërë kapërcimin e madh në aftësi e imazh. Ashtu sikurse koha ecën përpara, është e domosdoshme po aq që dhe njeriu të avancojë. Nëse dekada më parë ishte e mjaftueshme zhvillimi i vetëm i një aftësie në një fushë të caktuar, tanimë kjo nuk mjafton pasi është pikërisht teknologjia- specifikisht IA, e cila është aty në përpjekje të vazhdueshme duke na frikësuar me zëvendësimin tonë.
Kjo është arsyeja pse gara nuk është më mes nesh por shkon në një nivel tjetër evoluimi teknologjik. Një garë që nuk mund ta kontrollojë më mendja njerëzore por zhvillimi i epokës që vështirë të mendohej shekullin e kaluar. Duke qenë se humanët janë qenie lakmitare, rendja drejt perfeksionit, të bukurës dhe fitores mbetet qëllimi primar i tyre.
Por me cfare kostosh mund të vije ajo? Në një kohë tjetër dhe në duar të gabuara teknologjia mund të marrë në kontroll të plotë jetën tonë, forcën e mendimit, lirinë po aq dhe aftësitë tona krijuese. Ashtu sikurse cdo gjë ka një cikël, ndoshta dhe tonit po i vjen fundi. E nëse nuk vjen nga shkaqe natyrore, duket se do të vije pikërisht nga ne. E vetmja armë e mbetur, që gjithmonë është përdorur nga njeriu në situata kritike, është vetëdija dhe tërësia e ndjenjave të tij- forca që na kanë ardhur në ndihmë për të përballuar sfidat e ekzistencës sonë.
E ardhmja pritet të rezervojë skenarë fantastiko-shkencor, e deri atëherë rrugëtimi për të gjetur veten tonë do të vazhdojë, për të mos lënë krijesën të mundë krijuesin./TCH/ KultPlus.com
Me moton “Vepro! Me zemër për zemër!”, kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e popullatës mbi faktorët që kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe për rëndësinë e masave parandaluese që mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e këtyre sëmundjeve.
Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, me rreth 20.5 milionë jetë të humbura çdo vit, duke përfaqësuar rreth 1/3 e vdekjeve globale dhe 85% e këtyre vdekjeve shkaktohen nga ataku dhe goditja në zemër.
Ndonëse janë të parandalueshme, ato prekin një gamë të gjerë moshash dhe grupesh sociale. Me ndryshime të vogla në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe menaxhimin e stresit, ne mund të mbrojmë zemrën dhe të parandalojmë këto sëmundje.
Instituti i Shëndetit Publik informon se në periudhën 2024-2026 do të organizojë fushatë nën temën “Përdoreni Zemrën për të Vepruar”, duke mbështetur individët që të kujdesen për zemrën e tyre.
Kontrolli i rregullt i faktorëve të rrezikut dhe monitorimi i tensionit tuaj arterial, mund të zvogëlojë rrezikun për të patur SKV.
Niveli i lartë i glukozës (sheqerit) në gjak mund të jenë tregues për diabet. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk nuk trajtohet, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për sëmundje të zemrës ose goditje në tru.
Nivelet e larta të sheqerit mund të prekin muret e arterieve duke nxitur zhvillimin e pllakave yndyrore në to. Njerëzit që janë me diabet janë më të rrezikuar për të patur atak në zemër, goditje në tru apo sëmunjde të tjera të sistemit të qarkullimit. Femrat me diabet e kanë dyfish rrezikun për të patur SKV sesa femrat që nuk e kanë.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që nëse ju keni diabet është shumë e rëndësishme që të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak, presionin arterial dhe kolesterolin. Kjo do t’ju ndihmojë që të mbani të ulur rrezikun për të patur SKV.
Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar mirë, sugjeron ISHP, mund të ulë rrezikun tuaj për të patur SKV pasi:
Ul nivelin e kolesterolit;
Ul presionin arterial;
Mban një peshë të shëndetshme.
ISHP jep disa rekomandime:
– Mos pini pije me sheqer dhe lëngje frutash të konservuara; pini ujë ose lëngje frutash të freskëta.
– Përpiquni të konsumoni 5 racione me fruta dhe zarzavate në ditë; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.
– Zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë e shëndetshme.
– Konsumoni alkool sipas rekomandimeve.
– Përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyre.
– Përgatisni vetë ushqim të shëndetshëm për fëmijët në shkollë apo për veten tuaj në punë./ KultPlus.com
Ideja për zbatimin e një “sistemi të biletës” në shatërvanin ikonik Trevi që gjendet në kryeqytetin italian Romë, i njohur edhe si “Shatërvani i Dashurisë”, me qëllim për të menaxhuar dendësinë turistike, ka ngjallur polemika.
Shatërvani i Trevit, i konsideruar si një shembull i arkitekturës së epokës së vonshme të barokut, i ndërtuar pranë Pallatit Poli nga arkitekti italian Nicola Salvi, i cili fitoi konkursin e hapur nga Papa i atëhershëm Klementi i 12-të në vitin 1732, është në qendër të një debati të ndryshëm këto ditë.
Që nga periudha kur është ndërtuar, shatërvani ka tërhequr një interesim të madh, ndërsa është shfaqur edhe në skena të paharrueshme të filmave kult si “Roman Holiday” dhe “La Dolce Vita”.
Njerëzit që e vizitojnë Romën dhe dëshirojnë sërish ta vizitojnë kryeqytetin italian shprehin dëshirë duke hedhur monedha në shatërvan. Kjo ikonë gjithashtu është një nga vendet kryesore ku turistët fotografohen ose bëjnë propozime martese para tij.
Shatërvani historik, i vizituar nga miliona turistë çdo vit, është një nga pikat e prekura nga dendësia në rritje të shpejtë turistike në Romë, veçanërisht pas pandemisë COVID-19.
Për shkak se zona rreth tij është e ngushtë dhe njerëzit që dëshirojnë të bëjnë fotografi në shkallë shpesh shkaktojnë turma të dendura, ka çuar që Bashkia e Romës të konsiderojë një masë ndryshe.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, në fillim të shtatorit tha se po shqyrtojnë idenë e hapjes së Shatërvanit Trevi me rezervim dhe për një numër të kufizuar vizitorësh. Sipas tij, “ky është një supozim shumë konkret”.
Kjo deklaratë ngjalli interes global pasi shatërvani është një ndër vendet më të vizituara në botë.
Kryetar i Komisionit të Turizmit të Bashkisë së Romës dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, Mariano Angelucci, i cili mbështet vendosjen e një sistemi biletash për shatërvanin historik, tregoi se vitin e kaluar kanë thyer një rekord me 30 milionë turistë.
“Pra, sigurisht që ka një presion shumë të fuqishëm në vendet qendrore të qytetit tonë, duke përfshirë shatërvanin Trevi”, tha Angelucci për Anadolu, duke e mbrojtur idenë për sistemin e biletave për shatërvanin.
Numri rekord i turistëve, sipas tij, i ka shtyrë që të gjejnë një zgjidhje.
“Natyrisht, duke qenë se nuk është diçka që mund të bëhet për një kohë shumë të shkurtër, duhet bërë një lloj studimi, një studim fizibiliteti i caktuar. Ne po shqyrtojmë një sistem biletash të kufizuar dhe të qasshëm ditor nga shkallët përballë shatërvanit”, tha Angelucci.
Ai shtoi se ende nuk kanë caktuar ndonjë çmim, por tha se flitet një çmim prej rreth 1 deri 3 euro.
Ç’mendojnë vizitorët?
Shumë turistë janë kundër tarifimit në këtë shatërvan historik, ndërsa në mesin e tyre ka edhe nga ata që mendojnë se sistemi i ri që diskutohet të zbatohet mund ta ulë dendësinë dhe të mbrojë veprën historike.
Maura McCarthy, e cila ka ardhur nga Irlanda për të vizituar Shatërvanin Trevi, tha se mendon se është shumë e rëndësishme që “ky vend të qëndrojë falas për publikun, sepse është për publikun dhe nuk duhet të tarifohet”.
Një turist nga Norvegjia, Andree dhe bashkëshortja e tij Kristen, nga ana e tyre kishin mendime të ndara. Andree e cilësoi si një ide të mirë pasi në këtë mënyrë mbrohet, ndërsa Kristen tha se nuk duhet të paguhet për ta parë shatërvanin.
Turisti anglez, Simon, i cili gjendej në Romë për të festuar përvjetorin e martesës me bashkëshorten, tha se në shumë vende të Romës muzetë dhe vendet e tjera paguhen shumë, prandaj është mirë që shatërvani të mbetet pa pagesë. / KultPlus.com
“Jam prekur shumë kur hyra sot këtu. M’u desn të dal jashtë dhe të hyj përsëri për të përballuar emocionet”, kështu e përshkruan aktivistja Igballe Rugova sot ndjesinë në ekspozitën që u hap në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ku edhe u promovua monografia “10 vjet FemArt” me redaktoren Ivina Bilic dhe asistent redaktor Berat Bajramin.
Ekspozita ishte vizuelizim i gjithë rrugëtimit që kaloi festivali për një dekadë me atë që e nisi, ata që e vazhduan dhe ata që vazhdojnë të bashkohen rrugës. Ekspozita e realizuar nga Berat Bajrami e vë theksin te thëniet e rëndësishme të shkëputura nga aktivistet që janë pjesë e monografisë. FemArt me monografi e ekspozitë nderon dhe shpreh mirënjohje duke dokumentar gjithë ata që e bën “FemArt”-in që është sot.
Lart tavolinës ku janë vendosur monografitë shprehen mirënjohje për të gjithë fotografët që i kanë bërë aktivitetet e FemArtit skena që mund të kujtohen kurdo. Në ballë të ekspozitës është fotografia e atij që nxori një dimension tjetër të FemArtit nëpërmjet fotografisë – ai që pa shkuar i dhuroi gjithkujt një fotografi të tij/ saj në FemArt.
Mbrëmja ishte dhe homazh për fotografin e ndjerë Meddy Huduti që ishte pjesë e rëndësishme e FemArtit dhe la trashëgimi që e identifikon atë dhe vetë festivalin. Mes të tjerash u lëshua edhe një këngë premierë për të nderuar shpirtin e tij krijues.
Monografia në gati 200 faqe lidh histori, intervista, artikuj e rrëfime të veçanta të përcjellura me imazhe që e bëjnë lidhjen kronologjike të thjeshtë dhe të mban të mbërthyer nga njëra faqe në tjetrën.
Ivina Bilic ka tre vjet që i është dedikuar monografisë dhe kjo padyshim kishte sfidat e veta.
“Monografia e FemArt nuk filloi me mua. Ky projekt i veçantë ka rrënjë të thella dhe ka nisur shumë më herët, falë përkushtimit të një grupi grave që filluan mbledhjen dhe përpilimin e të dhënave për këtë udhëtim 10-vjeçar. E gjithë puna zgjati rreth tre vjet dhe për këtë dua t’i falënderoj nga zemra Shqipe Malushin dhe Venera Ismailin, si dhe të gjithë stafin që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për përgatitjen e informatave. Unë nuk kam qenë pjesë e FemArt për plot dhjetë vjet, ndaj puna e tyre ishte kyçe për përmbylljen e këtij kapitulli”, u shpreh ajo para të pranishmëve në panelin e diskutimit të udhëhequr nga drejtoresha dhe udhëheqësja e ArtPolis, Zana Hoxha.
Bilic tutje shtoi se ky ka qenë një udhëtim i gjatë dhe sfidues, sidomos për shkak të largësisë pasi që ajo nuk jeton në Kosovë. Por, theksoi se gjatë procesit nga çdo bisedë ka dalur edhe më e frymëzuar.
“Mbështetja e Beratit ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi ai ka ndihmuar që gjithçka të ecë përpara, pavarësisht se unë isha larg. Shumë njerëz, aktivistë dhe gra të forta kanë qenë pjesë e këtij procesi. Kam pasur fatin t’i intervistoj dhe të mësoj nga përvoja e tyre. Këto intervista kanë zgjatur me orë të tëra, dhe megjithëse nuk munda t’i përfshij të gjitha, çdo bisedë më pasuroi dhe më frymëzoi”, u shpreh tutje ajo.
E ka përshkruar si proces emocional dhe ka ndarë disa nga mësimet dhe bisedën me Igballe Rugovën që edhe e frymëzoi moton e sivjetme të FemArt.
“Procesi i krijimit të kësaj monografie ka qenë emocional për mua. E kam futur një pjesë të shpirtit tim në këtë libër. Ndonjëherë ka qenë frustrues, veçanërisht kur duhej të përmbushja afatet, ndërsa në të njëjtën kohë ndodhnin edhe ngjarje të papritura në jetën time personale. Por një nga mësimet më të mëdha që kam marrë nga ky projekt është se gjërat e mëdha kërkojnë kohë. Në fakt, çdo gjë merr kohën e vet. Kemi kaluar nëpër disa versione të librit deri te ky përfundim, pasi qasjet dhe njerëzit që kanë kontribuar në këtë projekt ishin të shumtë dhe të ndryshëm. Dua të ndaj diçka nga biseda ime me Igo Rugovën. Jashtë kontekstit të intervistës sonë, ajo përmendi se feminizmi është motërzim, dhe pikërisht kjo thënie u bë tema qendrore e këtij edicioni të FemArt. U desh kohë që kjo ide të përfshihej në monografinë e festivalit, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e saj”, theksoi tutje ajo.
Gjatë përurimit të monografisë, Igo u kthye në disa nga kujtimet e aktivizmit përgjatë një periudhe të vështirë në vitet e ’90-a. Dhe këtu ajo na lidh më së miri me moton “Motërëzim: Në kohë Lufte dhe Paqeje”. Igo kujtoi kohën kur me organizatën “Motrat Qiriazi” shkonin nëpër fshatra. Ajo tregon se mënyra më e mirë për të ndryshuar mendësinë dhe për të përcjell mesazhe ishte nëpërmjet artit.
“Në vitet ’90, kur punonim nuk shkonim vetë të flisnim me gratë në fshatra. Ishte motra ime, Safetja, së bashku me aktorët përçonin mesazhet. Atëherë, nuk kishte shumë lëvizje për feminizmin, por arti dhe performancat ishin një mënyrë e fuqishme për të arritur te njerëzit. Kur takova Zanen, ajo më tha: “Dua të krijoj ArtPolisin. Çfarë mendon?” Unë thash “POO”, pasi që unë dhe motra ime besojmë se mund të ndryshojmë shoqërinë përmes artit. E kemi parë që ndryshimet më të mëdha ndodhin përmes performancave dhe monologjeve që ngacmojnë mendjen dhe shpirtin”, ka treguar ajo përgjatë diskutimit.
“FemArt të shtyn të mendosh ndryshe, të jesh më guximtare dhe të kapërcesh kufijtë që shoqëria vendos”, kështu u shpreh Anisa Ismaili pasi që pa disa nga fotografitë e saj dhe përkrahjen e bashkëpunimin që ka pasur me Artpolis ndër vite. Panelisteve iu bashkëngjit edhe Berat Bajrami, i cili tha se kontribute si ky e bëjnë të ndihet krenar që të ndikojë në lëvizjen feministe dhe të punoj me gra që vërtetë inspirojnë.
“FemArt” është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shoqërinë tonë për shkak se barrierat nuk thyhen për një vit apo dy vjet, por duhet të jetë punë e gjatë për të sjell ndryshim në shoqërinë tonë”, u shpreh ai para të pranishmëve.
FemArt u përshkrua si festë, pasi që përveç revoltës ndaj stagnimit, feston edhe sukseset. Suksese si ky me monografi. Por, gjithçka që nisi me nostalgji përfundoi në mallëngjim në nderim të fotografit Meddy Huduti. Ai u kujtua nëpërmjet fjalëve, kujtimeve, fotografive të shkrepura e këngës që erdhi premierë e krijuar nga Ceylan Taci me titull “Z. Fotograf z. Prizren”. FemArti festoi për të gjithë ata që janë dhe nuk janë më por që kanë vulosur këtë histori të aktivizmit me art. / KultPlus.com
Lucia de Carvhalo kur e sheh në një poster paralajmërues për koncert të bind se duhet ta dëgjosh. Duket se është e veçantë në stilin e saj dhe gërsheton shumë stile. Por, nuk e kisha imagjinuar se do të vij pikërisht siç është aty, me të njëjtën veshje, të njëjtin instrument, të njëjtat atlete, të njëjtin stil flokësh si dhe të njëjtën buzëqeshje.
Një artiste që i jep publikut fiks atë që e premton. Që në këngën e parë me Lucian nuk ke se si të mos vallëzosh. “Jam këtu me ju dhe për ju”, i drejtohet ajo publikut. Me instrumentin e saj në duar e buzëqeshjen që duket se po te sheh në sy me një mesazh të fut në valle të lumturisë që e rrezaton. “Është hera ime e parë këtu dhe shpresoj të mos jetë e fundit”, iu drejtua ajo publikut mes këngëve. Ajo në mbrëmjen e tretë të “FemArt” solli dritën krijuese të albumit të saj “Pwanga”.
Më interesoi titulli i albumit dhe historia e tij ishte po aq inspiruese. Lucia ndan miqësi me dikë që i udhëzon njerëzit në shkrimin e dëshmive personale të krijuara për të rritur vetëvlerësimin. Në fund të një projekti në Angola, prej nga ajo vjen, shoqja e saj kërkoi nga gratë fermere me të cilat kishte punuar të pozonin për një foto dhe vuri re se askush nuk buzëqeshte. Një përkthyes e këshilloi atë të mblidhte grupin dhe të pyeste, në Chokwe, “Pwangani puy?” (Drita apo errësirë?) – dhe të gjitha gratë u përgjigjën “Pwanga!” ndërsa u ndriçuan.
Këtë dritë, Lucia synon ta mbjellë me muzikë, ta bartë kudo dhe kështu ndodhi dhe në teatrin “Oda” në Prishtinë. U shkri me muzikën dhe me publikun e me vete kishte një grup profesionistësh ku ajo vetë luante në perkusione. Ajo vjen nga Angola por që iu desh të zhvendosej në Francë kur ishte veç 6-vjeçe për shkak të luftërave civile. Dhe kjo e bëri të lidhej menjëherë me Kosovën. “Kur mësova për historinë këtu, thash “woow”, kjo është një tokë e lirisë”, u shpreh këngëtarja teksa u përkul në tokë. Më pas kaloi te kënga “Phowo” që do të thoshte “Grua”.
“Ka të bëj me hyjnoren, njerëzoren se si ne i japim lindje botës, për ujin dhe ushqimin që e sjellim për ta bërë secilin të ndihemi të gjallë. Është një këngë e fuqishme”, paralajmëroi Lucia. Dhe ashtu ndodhi. Lucia solli magji në skenë e plot spirtualitet. Në 13 këngë artistja eksploron muzikën e saj të shumanshme përmes forcave polare që sfidojnë të gjithë: dyshimin dhe besimin, mirësinë dhe fuqinë, kompleksitetin dhe harmoninë, kaosin dhe qetësinë, misterin dhe qartësinë. Ekziston një unitet i mrekullueshëm në të gjithë, mjaft i mahnitshëm duke pasur parasysh se ajo këndon në gjashtë gjuhë dhe ndërthur stile të panumërta – duke përfshirë samba, semba, Afrobeat, rap, rock, reggae, funk dhe pop latin. E gjithë kjo rrjedh nga kuptimi i Carvalhos për identitetin e saj nga kaq shumë pjesë: e lindur në Angola, vendosur në një fshat fëmijësh në Portugali në moshën gjashtë vjeçare dhe birësuar nga një familje franceze në moshën 12-vjeçare; në moshën 16-vjeçare ajo u bashkua me një ansambël brazilian dhe performoi me ta për 10 vjet, duke u bërë vokaliste kryesore, përpara se të niste karrierën e saj solo si kantautore.
Autoportreti që ajo kompozoi përfundimisht tregon rrënjët Angolane, një kërcell portugez dhe lule braziliane, të ushqyera në tokën franceze. Kjo e bëri edhe aktoren Aurita Agushi që të zhytej në ritmin e botës së saj.
“Për gati dy orë Lucia de Carvahlo më bëri të ndjeja një botë më të bukur, plot jetë e plot ngjyra – një botë ku mbi të gjitha triumfon dashuria. Zëri i saj, poezia në këngët e saj, lëvizjet skenike, mënyra se me sa lehtësi i ndërronte dhe luante ne instrumente te ndryshme ma prekën mendjen, zemrën e mbi të gjitha shpirtin”, tha aktorja Aurita Agushi.
Albumi i saj transmeton dridhje të mira përmes trazirave botërore në Yallah. E zhytur shpesh mes kaosit, Lucia vërehej se mbahej fort prej dritës dhe dashurisë brenda saj. E jetuam të gjithë historinë e saj dhe e festuam më tepër pasionin dhe guximin se Lucia del në skenë ashtu siç është – me të kaluarën dhe të tashmen, me historitë e të gjithëve që e kanë rrethuar. Si dhe me ndjesitë e publikut duke na i prezantuar historitë si të përbashkëta.
“Dashuria shkon përtej, “Yallah”, luftërat i vendosin njerëzit njërin mbi tjetrin, por dashuria nuk do t’ia dij për ndryshimet. “Yallah” është një fjalë që na nxit të vazhdojmë me dashuri në zemër dhe paqe në mendje”, tha ajo para se të këndonte këngën me titull “Yallah” që nënkuptonte “Let’s go” (Le të shkojmë).
Venera Ismaili nga Artpolis thotë se u tërhoqën nga energjia që ajo sjell në skenë për ta sjell edhe në “FemArt” – ku fuqia shprehëse muzikore rezonon me temën e festivalit.
“Lucia me stilin e saj unik që ndërthur kulturat dhe përvojat personale, fuqizon gratë dhe përçon mesazhe të fuqishme për barazi, forcë dhe paqe. Ajo rikujton rëndësinë e artit si një mjet për të shprehur historitë e grave dhe për të ndërtuar ura ndërmjet kulturave të ndryshme, duke e bërë FemArt një hapësirë të vërtetë të solidaritetit dhe motërzimit ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Zëri i saj pushtues, i matur e energjia të ftonin në afërsi. Kjo bëhej edhe më e dukshme kur këngëtarja braktisi skenën e hyri në mes të publikut për të vallëzuar së bashku. Uniteti mund të krijohet gjithmonëme muzikë, jo vetëm duke kënduar e vallëzuar në skenë, por duke kënduar e vallëzuar së bashku. Uniteti krijohet me muzikante si Lucia dhe me mbrëmje si kjo në “FemArt”. Lucia synon ta mbjellë dritën me muzikë. Edhe e bëri në Prishtinë, veçse drita e saj ishte me plot ngjyra – e mbjellur në zemër. / KultPlus.com
Personazhet janë të pasigurta brenda ambientit ku jetojnë. Të pakënaqur. Mes atdheut, vendit të ri dhe një vendi sureal. Shfaqja “Dua një vend” e autorit grek Andreas Flurakis me regji të Ema Andreas u shfaq mbrëmjen e tretë të festivalit “FemArt”-it në “Termokiss” në Prishtinë.
Publiku ishte i vendosur përballë dhe shumë afër aktorëve që mbijetonin si një kolektiv mes situatave. Aktorët me veshje të thjeshta përfaqësonin histori të zakonshme njerëzore të atyre që janë të huaj në vendin e ri, po aq sa janë të huaj në vendin e tyre. Mes të sharave përplasin pakënaqësitë. Janë një serë pyetjesh që nuk shkojnë deri në fund – pa përgjigje. Histori personale të munguara që nisin e pështjellohen mes dëshirave kolektive. “Dua një vend” është shfaqur në fillim të këtij viti në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” te “ArTurbina” në Tiranë dhe loja zhvillohet nga aktorët Adriana Tolka, Matia Llupa, Paolo Kadillari, Artemis Beluli, Eva Gjika, Eraldo Malaj, Lindar Kaja. Më herët në daljet e saj në media, regjisorja e njohur Ema Andrea ka shprehur se është një përpjekje që të jap kontributin e saj, që të reflektohet më shumë si shoqëri, për të qenë më afër të bukurës. “Pasi po shkojmë drejt asaj ku gjërat janë të lehta dhe njerëzit kanë frikë të mbajnë përgjegjësi”, kishte thënë ajo.
Personazhet janë në një vend ku nuk ka vend për fëmijë dhe pleqtë dhe synojnë ishullin mes Atlantikut. Aty ku fëmijët do të dëgjojnë gjuhën amtare dhe do të pyesnin se “çfarë gjuhe po flitet?”. Mes lëvizjeve të vazhdueshme janë në kërkim për të ikur nga zymtësia dhe kaosi. Anija është gati se e pasigurt. Duan një vend që u pëlqen të gjitha kontinenteve, një vend që nuk i dëshpëron. Një vend pa sëmundje vdekjeprurëse dhe më e rëndësishmja – ku mund të flenë të qetë. Duan një hartë të re. Kjo thirrje vjen pasi që asnjë vend i ri nuk vjen pa trashëguar problemet e vendit tënd, të cilat shpesh i marrim me vete e herë i gjejmë aty. Adriana Tolka e zbërtheu pak a shumë mesazhin.
“Kjo është një shfaqje poetike që ka në thelb linjën e emigrimit, të njeriut që do të kërkojë hapësira të reja për të zhvilluar veten dhe lirinë e tij, por jo gjithmonë e gjen atë larg vendit të vet ku aspiron të shkoj shpesh. Ndonjëherë është më mirë të qëndrosh në vendin tënd”, ka thënë aktorja Adriana Tolka.
Shfaqja përveç mesazheve që përcjell nuk ka ndonjë përfundim. Kjo për t’i dhënë lirinë publikut ta gjej veten. Sipas aktores Tolka shfaqja kërkon impenjim fizik-psikologjik dhe si punë e aktorëve në grup duhet vazhdimisht të mundohen të mbajnë ritmin.
“Ashtu si gjithmonë arti nuk jep një zgjidhje, por të drejton dhe secili bën zgjidhjen e vet. Shfaqja është shumë e vështirë sepse është shumë fizike. Ka ndjeshmëri të lartë, kjo është një tjetër anë e vështirë. Vëmendja fizike dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal”, ka pohuar ajo.
Kjo shfaqje është e bazuar në lëvizje, ndjesi dhe rikthimi dhe kërkimi i emocioneve të ndryshme. Kështu është shprehur edhe asistenti i regjisë Sinan Lila.
“Tekstit mbetet ballkanas, por mënyra se si regjisorja bashkë me aktoren kanë mundur ta sjellin në këtë formë ka qenë ndërthurje e të dy palëve. Frymëzimi ka ardhur nga të dy krahët. Ne ishim të lumtur që erdhëm në “FemArt” pasi që shfaqja nuk është se prekë vetëm emigracionin. Është një shfaqje që ndërthur jo vetëm në kërkimin e një vendi të ri, por të emocioneve të reja, në kërkimin e vetvetes dhe paqes me veten”, ka thënë ai.
Festivali Ndërkombëtar i Artisteve dhe Aktivisteve “FemArt” sivjet në edicionin e 12-të me 30 aktivitete ka përqafuar motërzimin, empatinë, dhembshurinë dhe mirëkuptimin me shpresën për të shëruar plagët e së kaluarës dhe pet të trasuar rrugën drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe paqësore. “FemArt” po i shemb kufijtë e shteteve për të na bërë me dije se preokupimet i kemi të njëjta. Por, mënyra se e komunikojmë luftën e brendshme dhe përpjekja për ndryshim e bën diferencën./ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar ekspozitën e artistit Petrit Halilaj në muzeun prestigjioz “The Metropolitan Museum of Art”.
Ai ka thënë se ekspozita “Abetare” e Halilajt sjell rrëfimin individual e kuptimplotë të artistit. Ndërsa ka potencuar se krahas ekspozitës në MET, Petriti hapi edhe një ekspozitë tjetër në Galerinë Kurimanzutto New York, që është vazhdimësi e asaj të parës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:
Artisti ynë i përmasave botërore, Petrit Halilaj ka arritur të sjellë një pjesë të historisë së vendit para artdashësve në muzeun prestigjioz The Metropolitan Museum of Art (MET), aty ku prezantohet arti mbi 5 mijë vjeçar i vjetër nga të gjitha anët e botës. Ai është shqiptari i parë që hap ekspozitë në MET. Vepra e tij dhe audienca e saj tejkalon kufijtë, duke e bërë kështu Petritin ambasador kulturor i historisë dhe vendit tonë. Ekspozita e titulluar “Abetare” sjell rrëfimin individual e kuptimplotë të Petritit. Historia e viteve të ‘90-ta prezantohet përmes skulpturave metalike të cilat sjellin kujtesën kolektive dhe fuqinë imaginative të brezave të nxënësve, jetët e të cilëve u shënuan nga ngjarje traumatike gjatë luftërave në Ballkan.
Krahas ekspozitës në MET, Petriti hapi edhe një ekspozitë tjetër në Galerinë Kurimanzutto New York, që është vazhdimësi e asaj të parës. Ekspozita “Abetare – klasa e zhurmshme” e ka shndërruar galerinë në klasë. Në vend të pikturave, muret akomodojnë instalacionin artistik të bankave shkollore me ngjyra të ndryshme e me shkrime të nxënësve, të shoqëruar me skulpturat që reflektojnë gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekst të historisë së vendit tonë. Kjo vepër vjen edhe si homazh ndaj rolit të intelektualëve dhe artistëve shqiptarë të diasporës në themelimin, praktikën dhe rezistencën e gjuhës shqipe gjatë historisë. E pikërisht aty u takuam bashkë me artistë e profesionistë të rinj të diasporës, për të diskutuar rolin po aq të rëndësishëm të diasporës në ditët tona. / KultPlus.com
Greqia ka qenë prej kohësh një nga destinacionet e preferuara të pushimeve për turistët britanikë.
Çdo vit, ata dynden në Greqi – por pushimet në disa nga zonat më të kërkuara si Mikonos, Kretë dhe Santorini mund të jenë të shtrenjta dhe vitet e fundit, disa vendpushime janë të mbipopulluara me turistë, shkruan Emily Chaplin në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Birmingham Live”.
Pushuesit që planifikojnë arratisjen e tyre të ardhshme jashtë Britanisë së Madhe nuk kanë nevojë të shkojnë në Greqi. Ata mund zgjedhin një alternativë më të lirë me peizazhe po aq mahnitëse, plazhe të qeta, mot me diell dhe fluturime direkte nga aeroporti i Birminghamit për vetëm 22 euro.
Shqipëria është një nga vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë – ku një krikëll birrë vendase shkon rreth 2,5 euro dhe akomodimi në hotele kushton 48 euro për një natë.
Një vakt me tre pjata për dy persona në një restorant të nivelit të mesëm kushton rreth 42 euro.
Vendi më pak i njohur ofron shumë nga të njëjtat cilësi joshëse si fqinji i tij më i famshëm – por ai është shumë më pak i mbushur me vizitorë se Greqia.
Shumë nga peizazhet piktoreske të Shqipërisë, të cilat variojnë nga malet, livadhet dhe deri te bregdeti i thyer, mbeten kryesisht të pazbuluara nga turistët.
E lagur nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ndan një kufi prej 175 miljesh të gjatë me Greqinë dhe gjithashtu ndan verën e saj të nxehtë, me temperatura që arrijnë mesataren maksimale prej 34 gradë Celsius.
Edhe në muajin tetor, kryeqyteti i Tiranës shënon rregullisht temperaturën 25 gradë Celsius.
Një nga vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri është Plazhi i Gjipesë, një zonë e largët me rërë të bardhë që ndodhet midis Himarës dhe Dhërmiut – dhe e renditur mes 50 plazheve më të mira në botë.
Ujërat e bruztë, limanet shkëmborë dhe limanet e veçuara – të veshura me një sfond malor – nuk janë të vështira për t’u gjetur përgjatë Rivierës Shqiptare.
Plazhet e bardha të fshatit Ksamil shpesh janë konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve si “Maldivet e Evropës”.
Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati është një nga qytetet e stilit osman më të ruajtura në Evropë – dhe rrugët e tij me kalldrëm fshehin kishat dhe minaret bizantine midis mureve të qytetit të tij të lashtë.
Tirana është një qytet tjetër që ia vlen të vizitohet. Rrugët e saj të shëtitshme, shtëpitë, kafenetë , restorantet – shumë prej të cilave ofrojnë shërbim në ambient të hapur në muajt e verës – dhe jeta e gjallë e natës.
Dajti Ekspres, vetëm 15 minuta nga kryeqyteti, ofron një eksperiencë të paharrueshme nga teleferiku me pamje mahnitëse nga maja e malit.
Tirana është gjithashtu një orë larg me makinë nga plazhet e Durrësit dhe Golemit. / KultPlus.com
Mali i Gramozit është një tjetër atraksion turistik i Kolonjës, që frekuentohet gjithnjë e më shumë nga alpinistët dhe të apasionuarit e hiking.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga alpinistët që janë ngjitur në malin e Gramozit.
“T’i ngjitesh malit të Gramozit është një befasi se si natyra e ka qëndisur relievin në atë mënyrë që ta admirosh në çdo pamje që të zbulon para syve”, shkruan Rama.
Mali i Gramozit me liqenin e tij akullnajor, monument natyre, në një lartësi prej 2523 m mbi nivelin e detit është një nga atraksionet më të vizituara në Kolonjë.
Reshjet e borës dhe të shiut janë ushqimi kryesor i këtij ujëmbledhësi. Përreth ka bimësi të larmishme natyrore. Monumenti ka vlera shkencore, estetike e turistike.
Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto relieve të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit, të ecjeve malore dhe për të admiruar natyrën e rrallë të këtyre majave./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga takimet e zhvilluara në New York ku mori pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Rama shprehet krahas fotoalbumit se kjo ishte një vizitë krenarie për Shqipërinë në Javën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Kryeministri Rama iu adresua Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, ku ndër të tjera, kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet që akoma nuk e kanë njohur.
Kreu i qeverisë shqiptare mbajti një fjalim në ditën e dytë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me temë “Samiti për të Ardhmen”.
Rama foli për mundësitë dhe disavantazhet që na përball teknologjia në këto kohë moderne dhe sfidash të reja, në sesionin me temë: “Dialogu për të ardhmen digjitale”.
Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Rama mori pjesë në eventin e organizuar nga organizatat hebreje të titulluar “Bridging Nations: A Tribute to Prime Minister Edi Rama at the UN General Assembly”, dedikuar Shqipërisë dhe rolit kryesor të Kryeministrit Edi Rama në promovimin e unitetit midis vendeve të Ballkanit dhe përpjekjet e tij të përkushtuara në mbrojtjen e të drejtave dhe historive të komuniteteve pakicë, përfshirë hebrenjtë.
Me ftesë të aktivistit shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës Mark Gjonaj, Rama zhvilloi një bashkëbisedim edhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Amerikë. / KultPlus.com
Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.
Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.
Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.
Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.
Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera..
Sot, KultPlus ua risjell tekstin dhe videon e këngës ‘Mallëngjimi’:
O vendi im! Të thërras unë me mall,
Këtu jetë më nep vetëm kjo kangë, se anë e kand, kudo që kërkoj pa si ty të dashtun nuk gjej
Ku janë ato fusha, ku ato kaçuba Vajza të bukura, si n’vendin tim kund nuk ka (2x)
I huaj jam! Dashuni nuk kam Për mue nuk lind dielli më
O vendi im! Përbuzje ku s’ka, si të lashë e dola në mërgim
O Sharr o baba im, Gërmi pushimi im, Adriatiku im, Tash vetëm po ju kujtoj (2x)./KultPlus.com
Sopranoja shqiptare Elbenita Kajtazi së fundmi ka dalë me një reagim nëpërmjet të cilit tregon përjetimin e saj në areoport, dhe trajtimin nga agjensioni Prishtina Ticket.
Postimi i saj i plotë:
Një fluturim që duhet të ishte normal nga Prishtina për në Hamburg u kthye në një tmerr tash e dy ditë!
Unë isha një ndër pasagjerët që qysh dje do të duhej të ishin në Hamburg, por gjatë udhëtimit aeroplani hasi në disa shpezë dhe iu desh të bëjë ulje urgjente prap në Prishtinë.
Mbas një pritje më shumë se 3 or të ulur në aeroplan tek mekanikët e aeroportit të Prishtinës të lodhur të rrakapitur dhe të tmerruar deri në palcë na lajmëruan që fluturimi u anulua dhe shtyhet për ditën e nesërme në orën 06:00 të mëngjesit. Tani, të gjithë pasagjerët ishin shumë të kuptueshëm dhe asnjë nuk u ankua, por ishin falemnderues që shpëtuam dhe u kthyem shëndosh e mirë dhe pranuam fluturimin e radhës pa hezitim.
Ngjarja merr kthes tjetër kur sot që nga ora 04:00 e mëngjesit jemi në aeroport, gra shtatzana, fëmijë, pleqë të maltretuar deri në palcë. Mbasi pritëm 6 orë sepse sipas tyre aeroplani nuk ishte ende gati që nga incidenti dje na hipën në aeroplan dhe të gjithë menduam që tortura mbaroi.
Aeroplani u nisë në pistë morri shpejtësinë dhe prap ndaloi dhe na ktheu prap tek mekaniku!!!! Prap panik, gra që nuk merrnin frymë nga frika, fëmijë që bërtisnin.
Përveç trajtimin qesharak me nga një got uj, punëtorët e PrishtinaTicket u treguan aq arrogant e të pasjellshëm në telefon duke injoruar çdo gjë që i thoja e çdo ankesë që ja drejtoja. Ne e kuptojmë plotësisht prishjen, por a është e logjikshme të vendosësh më shumë se 200 veta në aeroplan e ta provosh se a po fluturon a jo ????
A është logjike të maltretosh e gënjesh tash e dy ditë gra fëmijë e pleq në vend se të ju bësh një zgjidhje tjetër?
E gjitha që unë mund të them i dashur agjensioni Prishtina Ticket është që do përballesh edhe me gjygj nëse vije puna deri sa të reimbursosh çdo cent të shpenzuar dhe torturën e maltretimin që e kemi përjetuar tash e dy ditë!!!! / KultPlus.com
Një varrezë e periudhës mesjetare është zbuluar së fundmi në Forumin Bizantin të qytetit të Durrësit.
Ky zbulim erdhi nga ekspedita e katërt arkeologjike brenda dy viteve të fundit në këtë vend.
Dokumentimi i këtyre varreve, që datojnë nga periudha mesjetare, sjell informacione të reja, duke përmirësuar të dhënat e deritanishme që kanë qenë sporadike.
Gërmimet e fundit janë përqendruar në pjesën jug-lindore të Forumit Bizantin, me qëllimin për të mbledhur sa më shumë të dhëna mbi këtë monument historik.
Drita dhe jeta! Ti je Fillesë Ti je Bota Ti je Bukuri Dashuri Ti je Univers Ti Je ne Bijtë e bijat Ti je ylli që ndrit netët e zeza Ti je Fryma Ti Dashuria pa kushte Ti ke atë zemër që përshkon tanë gjëndjen Ti yll që i jep dritën errësirës Ti e shenjta E shtrenjta E bukura jonë Pa ty; bota bie e kthehet poshtë Shuhet Siç bien gradaçielat apo qiell gërvishtje prej qelqi Ama, mother, nënë, Yll në errësirë , dritë Ti je, Fillimi Përtej asgjë …. Shtator 2024/ KultPlus.com
Qendra për Art Bashkëkohor ka zgjedhur finalistët Mimoza Sahitin, Luiza Thaqin dhe Dion Zeqirin për çmimin ‘Artistët e së nesërmes 2024’.
Anëtarët e jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë takuar më 26 shtator 2024.
Pas shqyrtimit të dhjetë aplikimeve nga artistët që plotësonin kriteret e çmimit dhe pas diskutimeve të gjera, juria zgjodhi njëzëri tre finalistët, bazuar në propozimet e tyre premtuese dhe vlerësimet e punës së tyre deri më tani.
Tre finalistët ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimozës për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.
Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prek çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.
Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar; ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.
Anëtarë të jurisë së çmimit Artistët e së nesërmes 2024 janë Julieta Aranda, artiste, bashkëthemeluese dhe redaktore e e-flux, Berlin, Miljana Dunđerin, artiste, drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus”, Mitrovicë Veriore, Dr Vjollca Krasniqi, sociologe, Profesoreshë e Asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll, dhe Lulzim Zeqiri, artist, që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Ekspozita e çmimit Artistët e së nesërmes 2024, me artistët e nominuar Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, do të hapet më 1 nëntor 2024.
Fituesit do t’i shpërblehet një program rezidencial artistik dy mujor në New York, SHBA, në Residency Unlimited nga maji deri në qershor 2025 dhe një ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë për vitin 2026.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë artistët kosovarë që aplikuan për çmimin Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon jurinë e çmimit Artistët e së nesërmes 2024 për punën dhe bashkëpunimin e tyre.
Mbështetësit kryesor të Çmimit Artistët e së nesërmës 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë./ KultPlus.com
Gati 20 mijë vizitorë admiruan thesaret e Muzeun Kombëtar “Onufri” gjatë muajit shtator.
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja vlerëson interesin në rritje për pasurinë e jashtëzakonshme të artit ikonografik në Muzeun Kombëtar “Onufri”.
Interesi i madh për këtë trashëgimi, shprehet Gonxhja, ka bërë të mundur që vetëm gjatë muajit shtator gati 20 mijë vizitorë të kenë admiruar thesaret që mban ky muze.
Koleksioni i Muzeun Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.
Nën dyshemenë e absidës më 12 gusht 1968 u zbuluan dy kodikët e famshëm të Beratit, “Kodiku i Purpurt i Beratit” (“Codex Purpureus Beratinus”) i shek. VI pas Krishtit dhe “Codex Aureus Anthimi” i shek. IX pas Krishtit.
Kodikët në fjalë janë përmendore të kulturës dhe qytetërimit si dhe enciklopedi të vërteta të mendimit të krishterë. Dy Kodikët e Beratit janë regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” nën mbrojtjen e UNESCO-s./atsh/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Nju Jork, takoi studentë nga Kosova, Shqipëria e mërgata, të cilët aktualisht studiojnë në disa nga universitetet më prestigjioze të “Ivy League” në Shtetet e Bashkuara.
Osmani në agjendën e saj të ngjeshur përgjatë kësaj jave me takime të shumta, gjeti kohën dhe për mërgatën tonë.
“Nga studimet e politikave deri te neuroshkenca, këta studentë mishërojnë thelbin e rinisë sonë: potencialin e pakufishëm”, u shpreh ndër të tjera Osmani.
Teatri Kombëtar i Kosovës nesër sjellë në skenë premierën “Makbethi” të William Shakespeare, me regji Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.
Shfaqja “Makbethi” vjen e realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.
Aktorët të cilët luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku, Tristan Halilaj, Flaka Latifi, Fiona Abdullahu, Basri Lushtaku, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi dhe Yzeir Meha.
Pjesa tjetër e stafit është si në vijim: Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku, Skenograf: Valentin Sfetozarev, Kostumografe: Maca Papuçevska, Kompozitor: Trimor Dhomi, Orkestra: Filharmonia e Kosovës, Koreograf: Artan Ibërshimi, As. Regjisor: Erleta Regjepi, Video: Rehan Abdulovski, Operator i audios: Arben Aliu, Video operator: Bujar Bekteshi, Inspicente: Nazmije Krasniqi dhe Dizajni i dritave: Mursel Bekteshi.
Premiera e shfaqjes jepet më 1 tetor 2024, në 20:00, në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, të rinjtë e Kryeqytetit kanë zhvilluar vizita në disa prej objekteve ikonike të Komunës së Prishtinës.
Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi ka thënë se kjo vizitë e të rinjëve të kryeqytetit së bashku me drejtorin e shoqatës GUIDEKS, Muamer Sivrikoz, e rikujton edhe njëherë rëndësinë e edukimit të të rinjëve lidhur me vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore, të reflektojmë mbi vlerat e jashtëzakonshme të pasurisë kulturore që trashëgojmë nga brezat e mëparshëm. Këto objekte, të pasura me histori dhe kulturë, na kujtuan se sa e rëndësishme është të ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë tonë për brezat e ardhshëm. Trashëgimia kulturore nuk është thjesht një kujtim i së kaluarës, por një burim i përhershëm frymëzimi për të ardhmen”, thuhet në shkrimin e drejtoreshës Halimi në Facebook./ KultPlus.com
DAM Festival ka njoftuar se do të organizojë një Super Koncert me artistët Francesco Tristano dhe Pascal Schumacher, në Atelienë e Pallati i Rinisë, shkruan KultPlus.
Ky koncert me program dinamik do të prezantohet nga pianisti i famshëm luksemburgas Francesco Tristano i shoqëruar nga perkusionisti i jashtëzakonshëm luksemburgas Pascal Schumacher – së bashku me instrumentistë kosovar si Rron Bakalli – violinë, Pleurat Doli – violinë, Lirdina Kukaj – violë, Fjolla Asllanaj – violonçel, Feriz Feka – kontrabas dhe Albin Abazi – bateri.
Ky interpretim është mbështetetur nga Ambasada e Luksemburgut në Kosovë, në partneritet me AMC Corporation, Pallatin e Rinisë dhe Filharmoninë e Kosovës.
Koncerti para publikut do të prezanohet më 30 shtator 2024, në ora 19:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com