Baleti Kombëtar i Kosovës hap thirrje për audicion

Baleti Kombëtar i Kosovës, hapë thirrje për angazhimin e 60 (gjashtëdhjetë) fëmijëve për shfaqjen e baletit “Peter Pan” me koreografi nga Olga Pango.

Ky projekt do të realizohet si premierë me dt 01.06.2024, në Ditën Botërore të fëmijëve.

BKK, fton të gjithë të interesuarit për të aplikuar në audicionin e hapur, I cili do të mbahet me dt 27.04.2024 (e shtunë) në sallën e AKV Shota në Prishtinë me fillim në ora 13:00.

Koha e realizimit të projektit është nga dt 02.05.2024 deri me 01.06.2024

Provat e shfaqjes përgjatë këtyre ditëve, do të mbahen çdo ditë me fillim në ora 17:00 dhe orari i provave do të zgjasë në varësi të nevojave të procesit të punës. Puna përgjatë fundjavave, nuk përjashtohet!

Detaje për audicion:

Mosha e kërkuar – 9 deri në 15 vjeç.

Audicioni do të mbahet në grupe, në varësi të numrit të pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit në audicion, do të vlerësohen nga Komisioni profesional, në krye me koreografen e shfaqjes.

Prindërit, së bashku me fëmijët, duhet të paraqiten në objektin e AKV shota, të paktën një orë para fillimit të audicionit, për t’i kryer procedurat e regjistrimit për audicion dhe për të gjithë fëmijët e interesuar, prindërit ose personat përcjellës të fëmijëve, duhet të paraqesin certifikatën e lindjes në momentin e regjistrimit për audicion.

Mënyra e vlerësimit, do të bëhet përmes mbajtjes së klasës së baletit (ushtrimet në levë dhe në mesin e sallës, në varësi të kërkesave të Komisionit)./KultPlus.com

Muzeut Kombëtar i dhurohet PENA me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i dhuroi dhe dorëzoi Muzeut Kombëtar të Kosovës, penën me të cilën u nënshkrua vendimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë dhuratë e pranoi zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut, Vjollca Aliu.

“Paraprakisht, pena e nënshkrimit të vendimit final mbi liberalizimin e vizave, i datës 19 prill 2023, i ishte dhuruar zëvendëskryeministrit Bislimi nga eurodeputeti dhe ish raportuesi për Kosovën mbi këtë proces pranë Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë në fund të muajit të kaluar. Ky objekt, pritet të ekspozohet më tutje në Muzeun Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Kur Muzeu Kombëtar shërbente si kazermë ushtarake (FOTO)

Muzeu i Kosovës është themeluar në vitin 1949, ndërkaq ndërtesa me arkitekturë Austro-hungareze daton që nga viti 1885/6. Muzeu ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe prezantimin e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.

Mirëpo, pak e dijnë se dikur objekti i Muzeut ka shërbyer si kazermë ushtarake e Komanës së Divizionit të Kosovës, në viteet 1930-32.

Muzeu i Kosovës përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. / KultPlus.com

(Fotot marrë nga ‘Foto dhe dokumente të vjetra historike’)

Muzeu Kombëtar ‘Shtëpia me gjethe’ përkujton poeten e persekutuar Drita Çomo

 Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot poeten Drita Çomo (19 mars 1958 – 19 shkurt 1981), krijimet e së cilës mbetën në sirtar, në periudhën kur ajo i shkroi. Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin tʼi ndante ato me të tjerët. Poezitë e saj panë dritën e botimit në vitin 1997, kur doli libri “Dritë që vjen nga humnera”, një përmbledhje e poezive dhe shënimeve nga ditari i Çomos.

Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si “revizionist” dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.

Drita Çomo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.

Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23-vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj./atsh/KultPlus.com

26 milionë euro për rikonstruktimin e Muzeut Kombëtar

Ndërhyrja në Muzeun Historik Kombëtar duhet të ishte bërë edhe më herët. Ish-drejtori, Melsi Labi në një intervistë për Euronews, tha se punimet mund të zgjasin më tepër se afati i vendosur nga vetë ministria dhe drejtoria.

Rikonstruksioni i Muzeut historik Kombëtar do të kushtojë 26 milionë Euro. Ndonëse për këtë ndërhyrje nevoja ishte imediate, shumë pikëpyetje fshihen pas vendimit për mbylljen e përkohshme të tij. Kështu u shpreh Melsi Labi, ish-drejtor i muzeut kombëtar për Euronews Albania.

Transferimi i objekteve, artefakteve dhe shumë sendeve që na përfaqësojnë ne si identitet, mund edhe të ketë pasoja si dëmtim apo dhe humbje për aq kohë sa deri më tani asnjë ekspert i etnografisë apo studiues i muzeve nuk është kontaktuar.

Projekti i ri i muzeut ka 6 variante por deri më tani ende nuk kemi një zyrtar nga drejtuesit apo vetë ministria ndonëse ndonëse paratë e rikontruksionit janë të taksapaguesve.

Nesër është dita e fundit kur një qytetar mund të vizitojë për herë të fundit Muzeun Historik Kombëtar me imazhin e 43 viteve që nga ndërtimi i tij. Pas marsit të 2028-ës mund të jetë i aksesueshëm, gjithmonë nëse puna ka përfunduar./euronews/KultPlus.com

Baleti Kombëtar nis provat për premierë në New York

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e dytë për vitin 2024, shfaqje kjo e cila do të shfaqet si premierë në New York të SHBA.

Në bashkëpunim me primabalerinën dhe koreografen Chiara Ajkun, kjo shfaqje, premierën botërore do ketë me dt 31.05.2024, në teatrin St.Jean, në Manhattan të New York-ut./ KultPlus.com

‘Kamarja e Turpit’ premiera e radhës e TKK

Teatri Kombëtar i Kosovës sjellë shfaqjen premierë “Kamarja e Turpit” të autorit Ismail Kadare, me regji të Kushtrim Koliqit, shkruan KultPlus.

Në këtë premierë, trajtohet tema ku perandoria osmane duke bërë çmos që ta zë kokën e kryerebelit, Ali Pashë Tepelenës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët do t’i shkojnë pas siç i shkuan Skenderbeut dikur.

Perandoria Osmane ka filluar të dobësohet ngaqë shtetet nën pushtimin e saj kanë nisur përpjekjet për pavarësi. Për ta ruajtur pushtetin dhe imazhin në sytë e qytetarëve të vet, perandoria ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit kamaren e turpit: vendin ku do të ekspozohen kokat e tradhëtarëve që e gjithë bota t’i shohë. Por një kokë paraqitet sfiduese për t’u kapur: ajo e kryerebelit shqiptar, 80-vjeçarit Ali Pashë Tepelenës.

Por Sulltani është në gjendje të bëjë çmos për ta kapur kokën e Ali Pashës, i cili, i ngujuar në kalanë e vet, shpreson se shqiptarët e të gjitha anëve do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij për t’iu bashkuar në luftë kundër perandorisë, ashtu siç bënë me Skenderbeun disa shekuj më parë.

Aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë: Adrian Morina, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Gresa Pallaska, Bislim Muçaj, Kosovare Krasniqi, Zana Berisha, Fiona Abdullahu, Art Pasha, Gentrit Shala, Florenta Bajraktari, Jehona Gashi

Ekipi tjetër që kontribuan në këtë shfaqje:

Dramatizimi:
Doruntina Basha
Ass. Regjie: Qendresa Spahiu, Ardijana Mehmeti, Djellëza Dedushi
Kompozitor: Adhurim Grezda
Koreografe: Erna Salihu
Skenograf: Bekim Korça
Kostumografe: Yllka Brada
Dizejni i dritave: Yann Perregaux
Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku
Video Artist: Miran Bratus
Dizajni: Nita Qahili
Fotograf: Elton Aliçkaj
Inspicient: Mursel Haziri
Ndriçues: Mursel Bekteshi
Tonist: Avdi Gërvalla
Shtëpia Botuese Onufri

Premiera jepet më 19 Mars, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar, mbi 4500 vizitorë në janar të këtij viti

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm muzeor në vend, gjatë muajit janar të këtij viti u vizitua nga një numër i lartë vizitorësh.

“Nga data 1-31 janar Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 4527 vizitorë në total, 187 % më shumë vizitorë në total në krahasim me muajin janar të vitit 2023, me 1578 vizitorë në total”, bëri të ditur MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.

Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./ atsh/ KultPlus.com

‘Hiri i Krishtlindjes’ zbriti në pavijonin e ikonave në Muzeu Historik Kombëtar

Një mbrëmje poetike nën titullin “Hir Krishtlindjeje” mblodhi artdashësit, ditën e djeshme në Muzeun Historik Kombëtar. Aktoret e mirënjohura Yllka Mujo e Luiza Xhuvani interpretuan vargje nga Nënë Tereza, Ilirjan Zhupa e Zhak Prever.

“Aktoret tona të çmuara Yllka Mujo e Luiza Xhuvani e përfshinë publikun në një atmosferë të ngrohtë dhe intime nën hirin e Krishtlindjes”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një postim online. Atmosfera plotësohej nga ikonat e ekspozuara në MHK, ku artistet recituan të shoqëruara nga Ave Maria e interpretuar prej mexo-sopranos Vikena Kamenica.

Koncerti “Hir Krishtlindjeje”, u zhvillua në pavijonin e ikonave, pranë Muzeut Historik Kombëtar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

‘Shtëpia e zotit’ ngjitet në skenën e TKOB

“Shtëpia e Zotit” një pjesë e shkruar nga autori shqiptar Ledian Gjeçi me regji të Ilir Bokshit dhe me interpretimin e disa aktorëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Duke marrë shkas nga aktualiteti shqiptar, që përforcohet nga tekste lajmesh, shfaqja ka në qendër një shtëpi bari ku një grup me në krye një polic, rrisin bimë hashashi ndërsa karrocat që herë u përngjajnë atyre të dyqaneve e herë atyre të fëmijëve vallëzojnë në një skenografi minimaliste.

Grupi që shumë shpejt merr tipare kriminale, bashkon brezni e mendësi të ndryshme nga glorifikuesit e diktatorit te “reaksionarët” siç quhen, nga pothuaj maniakët që bartin patriarkalitetin te besimtarët dhe përfshin mes personazheve edhe një prift si dhe dikë që hiqet si prift.

Dhuna ndaj gruas dhe korrupsioni janë nënlinja që nuk kalojnë pa vëmendje ndërsa shqiptarët në tri anët e kufirit i vuajnë në përditshmëri. Batutat, humori dhe mizanskenat që vishen nga trilli artistik, do ta çojnë shtëpinë e barit a të zotit në vendin më të paimagjinueshëm në qytet, por megjithëkëto elemente, shfaqja “Shtëpia e Zotit” mezi rri në këmbë.

Interpretimi në një anë, naivitetet e klishetë në tjetrën, krah skenave që zhbëjnë shenjtërinë, nuk arrijnë të krijojnë ansamblin teatral që tejkalon veten dhe pritshmëritë e spektatorit që tek-tuk qesh me termat banalë. Që teatrot të krijojnë hapësira për shfaqjet shqiptare është domosdoshmëri, sidomos për t’u përballur me veten në kërkim të përmirësimit, por të mbash mbi supe skenën e Teatrit Kombëtar, do më shumë se vetëm dëshirë. Ndryshe shtëpia e Zotit nuk rri dot në këmbë./BalkanWeb/KultPlus.com

Mbi 12 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar, gjatë shtatorit

Muzeu Historik Kombëtar në muajin shtator pati rritje të numrit të vizitorëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo bëhet me dije nga vetë Muzeu Historik Kombëtar, i cili publikoi online dhe numrin e vizitorëve në muajin shtator.

“Vizitorët e Muzeut Historik Kombëtar në 1 muaj. Për muajin shtator 2023 me 12214 vizitorë në total. 57% më shumë vizitorë në total, në krahasim me muajin shtator të vitit 2022 me: 7,793 vizitorë në total”, shkruan MHK.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendës, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare.

Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin. Ai organizon dhe mundëson, gjithashtu aktivitetet, që përkrahin vizionin dhe misionin e tij.

Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde.

Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj. Për konceptimin dhe përmbajtjen e Muzeut Historik Kombëtar ka punuar një grup pune, i përbërë nga specialistët më të mirë të muzeologjisë, arkeologjisë, historisë, etnografisë, artit pamor dhe restaurimit./atsh/KultPlus.com

Prespa destinacion tërheqës për turistët

Parku Kombëtar i Prespës, i ndodhur 45 minuta larg qytetit të Korçës, në këto ditë gushti ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë ndau momente nga vizita e turistëve në këtë park, i cili fron një potencial të madh për natyrën, biodiversitetin dhe kulturën që ka.

“Turistë të shumtë vizitojnë Parkun Kombëtar të Prespës gjatë sezonit të verës. Pajisja me sinjalistikën informuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe kulturore të PK Prespa do të jetë një pikë e rëndësishme për promovimin e duhur të zonës në shërbim të turizmit”, theksoi ADZM Korçë.

ADZM Korçë informon se qendra e vizitorëve në hyrje të parkut prej gushtit është e hapur çdo ditë për t’i njohur ata me bukuritë natyrore dhe kulturore që ofron ky park.

Parku Kombëtar “Prespa” bën pjesë në zonat e mbrojtura të kategorisë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999. Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos) pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus).

Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Trenit.

Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar: Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare

Muzeu Historik Kombëtar, sot në 43 vjetorin e vdekjes ka përkujtuar akademikun Eqrem Çabej, shkruan KultPlus.

Muzeu Historik Kombëtar e cilëson albanologun Çabej si një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare, i cili dha kontribut edhe në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë.

“Eqrem Çabej është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë shqiptare. Ai lindi më 7 Gusht 1908 në Gjirokastër, ku mori dhe mësimet e para. Pasi kreu gjimnazin në Klagenfurt të Austrisë, ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe albanalogji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës. Në vitin 1933, Eqrem Çabej diplomohet “Doktor në filozofi”. Pasi kthehet në Shqipëri punon si mësues në disa shkolla të mesme e më pas në Institutin e Shkencave, ku ishte ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedegogjik Dyvjecar, gjithashtu si dhe pedagog në Universitetin e Tiranës e në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë”, kanë thënë nga Muzeu Historik Kombëtar.

Nga Muzeu Historik Kombëtar kanë potencuar po ashtu, që Çabej në studimet e tij argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj.

“Veprimtaria shkencore e Eqrem Çabej u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri dhe në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Një rëndësi tepër të madhe ka puna e studimet e tij në problemet dhe prejardhjen e gjuhës shqipe, marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane dhe me gjuhët ballkanike. Disa nga veprat e tij janë “Hyrje në Indoevropianistikë”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, “Hyrja në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, “Meshari” i Gjon Buzukut, etj.

Në studimet e tij Eqerem Çabej argumentoi prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj. Eqrem Çabej është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit”. Vdiq në Romë më 1980”./KultPlus.com

Rama: Nëse jeni në Shkodër, vizitoni koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës, konsiderohet një pasuri e madhe dhe me shumë vlerë për vendin.

Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjete sociale, foto nga ky muze, teksa ftoi vizitorët dhe turistët e huaj, që frekuentojnë Shkodrën në këtë sezon veror, të mos e lënë pa e parë, koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve.

“Nëse jeni në Shkodër, mos e lini pa parë koleksionin e rrallë fotografik të Dinastisë së Marubëve”, shkroi Rama.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, ka në fototekën e saj, fotografi me origjinë italiane. Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri, në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman.

Gjatë tre brezave ai, çiraku i tij Kel dhe djali i Kelit, Gegë, dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, përmes luftës Ballkanike dhe Luftës së Dytë Botërore, deri në regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës – revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, etj./atsh/KultPlus.com

Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën me temë “Lidershipi, kultura, trashëgimia”

Instituti i Shkencave Humane i Universitetit të Prishtinës dhe Muzeu Historik Kombëtar organizuan sot tryezën e rrumbullakët me temë “Lidershipi, kultura, trashëgimia”. Në këtë takim morrën pjesë studentë dhe nxënës nga vise të ndryshme të Republikës së Maqedonisë të Veriut.

Folësit Entela Çipa, drejtoreshë e Muzeut Historik Kombëtar, prof. ass. dr. Arsim Sinanit, nga Universiteti i Prishtinës, prof. ass. dr. Rudina Mita nga Universiteti Aleksandër Xhuvani i Elbasanit, dr. Fatmir Hoxha, nga Muzeu i Kosovës dhe Andrea Llukani nga Muzeu Historik Kombëtar, theksuan bashkëpunimin e ndërsjelltë që ekziston ndërmjet Muzeut Historik Kombëtar dhe miqve nga Maqedonia e Veriut.

Në përfundim u vijua me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrrësit./atsh/KultPlus.com

Mbi 30 mijë vizitorë në Muzeun Historik Kombëtar në 6 muaj

Muzeu Historik Kombëtar ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve. Nga të dhënat e ofruara prej këtij muzeu, për periudhën janar-qershor 2023, duket se ka pasur 91% më shumë vizitorë në total, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

6 mujori i parë i vitit 2023 ka regjistruar 30995 vizitorë, ndërsa një vit më parë shifra arrinte në rreth 16 mijë.

Muzeu Historik Kombëtar është një nga institucionet kulturore më të vizituara nga vendas e të huaj. MHK u përurua në 1981. Ai mbetet institucioni muzeor më i rëndësishëm në vend.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxisë mirëkuptimin e vlerësimin e historisë së Shqipërisë te publiku vendas, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai synon, gjithashtu të inkurajojë dialogun midis qytetarëve për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai ruan dhe studion provat materiale dhe jomateriale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin.

Ndërtesa e Muzeut Historik Kombëtar zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2; ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut janë rreth 6200 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Objekte të ekspozuara janë rreth 3100. Pjesa tjetër e objekteve janë në fonde./atsh/KultPlus.com