78 vite nga kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri

Më 9 shtator 1946, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend.

Lëvizja qendrestare ishte e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij.

Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli dokumente për këtë ngjarje historike, ku paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje./atsh/ KultPlus.com

Selena Gomez, miliarderja më e re

Selena Gomez i është bashkuar emrave të tjerë të muzikës si Rihanna dhe Taylor Swift që kanë arritur një pasuri marramendëse dhe kanë fituar statusin e miliarderes.

Aktorja dhe këngëtarja 32-vjeçare ka grumbulluar një pasuri me vlerë 1.3 miliardë dollarë. Sipas “Bloomberg” të ardhurat e saj më të mëdha  vijnë kryesisht nga kompania e saj e kozmetikës “Rare Beauty”, të cilën ajo e themeloi pesë vjet më parë.

Krahas të ardhurave të saj nga “Rare”, e cila renditet krahas kompanive të tjera të rëndësishme në kozmetikë, pjesa tjetër e vlerës së saj rrjedh nga paratë e bëra nga shitjet e albumeve, tureve, por edhe roleve të saj në filma.

Vetëm nga  seriali i saj në Hulu, “Only Murders in the Building” ajo fitoi rreth 6 milionë dollarë për sezon.

Selena Gomez është personi i tretë më i ndjekur në Instagram, duke i mundësuar asaj bashkëpunime më brende ndërkombëtare si “Louis Vuitton”, “Coach” dhe “Puma”./Klan News/ KultPlus.com

Në shtëpinë e Servantesit

Nëse madrilenët mburren me Puerta de Alcalá, në Alcalá de Henares Puerta de Madrid funksionon ende sot si një hyrje monumentale në qendrën historike. Ndoshta kjo portë nuk është aq e famshme sa ajo e kryeqytetit, por përveç rëndësisë së saj historike, ajo ka një vlerë të veçantë për kinefilët: Stanley Kubrick e rrethoi me qindra shtesa dhe e shndërroi në një hark romak për xhirimet e Spartakut.

Ky cep i Alcalá de Henares është një pikë fantastike për të kaluar muret e lashta mesjetare dhe për të hyrë në rrugët që i përkasin një kompleksi, të njohur si një vend i trashëgimisë botërore. Ka shumë fjalë që të vijnë menjëherë në mendje kur mendon për këtë vend, në komunitetin autonom të Madridit. Për shembull, universitet dhe komplutense, terma që aludojnë në dy momente kyçe në historinë lokale: themelimi i universitetit të Alcalá-s në kohën e mbretërve katolikë; dhe origjinën e tij të largët, në epokën romake.

Në fund të shekullit të parë para Krishtit, romakët themeluan Complutum, një vendbanim që u zhvillua me kalimin e kohës dhe mbetjet e të cilit janë ende të dukshme në jug të qytetit. Në qendër mund të vizitoni muzeun arkeologjik dhe paleontologjik i cili ruan shumë gjetje, duke përfshirë mozaikët e mëdhenj që zbukuronin shtëpitë. Kujtesa e asaj epoke të largët ngjallet edhe nga Via Complutense, e cila ende përdoret dhe që ndjek gjurmën e rrugës së lashtë romake që lidhte qytetet Augusta Emerita dhe Caesar Augusta, sot Merida dhe Zaragoza.

Ndër të tjera, rruga Complutense është e veshur me muret e lashta të Alcalá-s dhe dhjetëra skulptura bashkëkohore nga artistë si Eduardo Úrculo, Amadeo Gabino dhe Pablo Serrano, duke i dhënë jetë një dialogu artistik shumë sugjestionues, midis të shkuarës dhe së tashmes. Universiteti ishte dhe është ende elementi më i spikatur. Kardinali i fuqishëm Cisneros e themeloi atë në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë: universiteti i parë i studimeve humaniste në Spanjë, i cili favorizoi zhvillimin e të gjithë qytetit. Këtë rol universiteti e luan edhe sot, sepse popullsia studentore, me prejardhje shumë të larmishme, vazhdon të jetë e madhe.

Natyrisht, monumentet janë gjithashtu një shenjë dalluese e identitetit të Complutenses, duke filluar nga kolegji i San Ildefonsos. Duke vëzhguar fasadën e tij imponuese nga Plaza San Diego, zbulojmë disa skulptura që janë simbol i njohurive të dhëna në këtë qytet. Duke kapërcyer derën hyjmë në oborret e Santo Tomás de Villanuevas, të filozofëve dhe në atë tregjuhësh, rreth të cilit u shpërndanë klasat dhe dhomat, të cilat sot strehojnë rektoratin dhe shërbejnë si skenë për ngjarje të tilla si dhënia e çmimit Cervantes.

Vlen të përmendet gjithashtu kapela e San Ildefonsos, ku ndodhet mauzoleumi i kardinalit Cisneros. Kapela, megjithatë, është bosh: eshtrat e kardinalit gjenden në katedralen e afërt të Shën Justo dhe Pastor, një tempull me origjinë mesjetare, pamja aktuale e të cilit është kryesisht për shkak të rinovimit të promovuar nga vetë kardinali. 

Në realitet, transformimi i dëshiruar nga Cisneros shkoi shumë përtej ndërtesave dhe monumenteve.Alcalá karakterizohet nga koncepti  një qyteti total universitar: jo vetëm klasat u ndërtuan për të mbajtur leksione ose dhoma për të strehuar studentët, por edhe infrastrukturat për administrimin e universitetit dhe kujdesin për të sëmurët, dhe instituti kishte ligjet e veta specifike.

Fryma e komunitetit arsimor ende mbijeton dhe shumë fakultete mund të shihen të shpërndara rreth qendrës. Këta tempuj të dijes magjepsin fort, sepse zënë hapësira historike. Dega e arkitekturës, për shembull, është në manastirin e Shod Carmelites, ndërsa dega e ekonomisë është në kolegjin e San Francisco de Paula. Alcalá de Henares ia vlen të vizitohet vetëm për të marrë frymë në këtë atmosferë universitare.

Por ajo pret gjithashtu një atraksion tjetër që tërheq qindra turistë çdo ditë të vitit: vendlindja e Miguel de Cervantes, e cila është në Calle Mayor de Alcalá, rruga më e gjatë me portikë të dyfishtë në Spanjë. Miguel de Cervantes erdhi në botë në 1547 dhe kaloi vitet e tij të para këtu. Vendlindja e tij u restaurua pak kohë më parë për të rikrijuar kushtet e jetesës së një familjeje të pasur të kohës.

Rodrigo de Cervantes, babai i shkrimtarit të ardhshëm, ishte një kirurg që ndoshta erdhi në qytet për të punuar në spitalin e Antezanës, gjithashtu në Calle Mayor dhe ngjitur me shtëpinë. Vizita në shtëpinë e shkrimtarit është e detyrueshme dhe falas. Mobiljet historike dhe botimet e Don Kishotit nga periudha dhe gjuhë të ndryshme janë ekspozuar këtu. Fisniku mendjemprehtë dhe pronari i tij shpirtmirë kujdesen për mirëpritjen e vizitorëve.Skulpturat prej bronzi në madhësi reale të të dyve janë në një stol në Calle Mayor. Duket se ata po pushojnë pas shumë aventurash, teksa presin që pranë tyre të ulet ndonjë i panjohur, pasi janë kthyer në atraksionin më të fotografuar në qytet. / La Vanguardia/ KultPlus.com

Trump: Jam i vetmi që mund të parandaloj Luftën e Tretë Botërore

Donald Trump, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, në zgjedhjet e 5 nëntorit, tha se Izraeli është “i dënuar” nëse zv.presidentja Kamala Harris zgjidhet si Presidente e SHBA.

“Nëse nuk i fitoj këto zgjedhje, Izraeli, me partneren Kamala Harris në krye të Shteteve të Bashkuara, është i dënuar. Izraeli është i dënuar.

Izraeli do të zhduket. Në një vit, dy vjet. Izraeli nuk do të ekzistojë më”, u tha Trump mbështetësve në Wisconsin.

Kandidati republikan pretendoi se ai është “i vetmi” që mund t’i japë fund kaosit në Lindjen e Mesme dhe të parandalojë Luftën e Tretë Botërore.

“E mira që dua për ne është të fitojmë, sepse përndryshe do të keni probleme siç nuk i kemi pasur kurrë më parë. Mund të jenë zgjedhjet tona të fundit”, tha ai.

Trump dhe Harris po përgatiten për debatin e tyre të parë, i cili do të zhvillohet të martën në Filadelfia dhe do të moderohet nga gazetarët e ABC News, David Muir dhe Lindsay Davis./BalkanWeb/ KultPlus.com

‘Dhoma ime është erëqetë, e përshpirtshme’

Poezi nga Günter Grass

Dhoma ime është erëqetë,
e përshpirtshme, një cigare,
kaq mistike, saqë askush s’guxon
të ngrejë qeranë
ose të pyes për gruan time.
Dje kur miza vdiq,
unë kuptova pa kalendar,
tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet,
ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara.
Për vizitë unë pres para derës.
Posta ngjitet te xhami,
jashtë, shiu lexon bashkë me mua.
Brenda, dhoma ime është erëqetë,
asnjë grindje mbi tapet,
puthje të përpira nga orët,
kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin,
sepse gjithçka jepet,
e përshpirtshme, një cigare,
vertikalisht beson ajo,
vertikalisht merimanga, një balancë,
e ndjek pas çdo thellësi të madhe.
Ne nuk do të dështojmë kurrë.

Përktheu: Fatmir Alimani / KultPlus.com

Shkëlzen Gashi publikon librin e ri, mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë

Ka dalë nga shtypi libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere dhe Integra.

Lajmin e ka bërë të ditur publicisti Shkëlzen Gashi, i cili bën të ditur se libri në shqip, sërbisht e anglisht, e me 200 fotografi të fotografëve më të njohur të botës, gjendet në librarinë ‘Dukagjini’ në sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë dhe në ‘Prishtina Mall’.

Gjithashtu, mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999.

Ai tutje ka treguar se libraria ‘Dukagjini’ përqindjen e fitimit nga shitja e këtij libri e dhuron për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999. / KultPlus.com

Shkodra, destinacion për turistët edhe në Shtator

Shkodra vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota edhe gjatë muajit Shtator, duke dëshmuar se është një destinacion i preferuar për pushuesit që kërkojnë një përzierje të kulturës, historisë dhe natyrës.

“Jemi prej 3 orësh këtu dhe impresioni i parë është se është pjesa më e këndshme e Shqipërisë. Do rrimë të paktën 3 ditë dhe do të vizitojmë liqenin e Komanit”.

“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndroj këtu një javë sepse shoku im nga Amerika jeton këtu”.

“Na pëlqen shumë Shqipëria, kishim 30 vite që donim ta shihnim”.

Liqeni i Shkodrës, Kalaja e Rozafës dhe qendra historike e qytetit janë disa nga pikat më të vizituara nga turistët, të cilët shijojnë edhe ushqimet tradicionale dhe mikpritjen e banorëve vendas.

“Shkodra është shumë interesante për t’u parë, ka shumë turistë”.

“Jam nga Gjermania. Këtu është kaq bukur dhe njerëzit janë kaq miqësorë. Ne absolutisht duam të vizitojmë sërish Shkodrën”.

“Na pëlqejnë njerëzit, na pëlqen panorama rreth Alpeve, na pëlqen çdo gjë. E nisëm turin në Prishtinë, Vizituam Prizrenin dhe Gjakovën dhe dje kemi ardhur këtu me varkë nga lumi i Shalës. Do rrimë dy javë dhe turin do ta përfundojmë në Berat. Grupi ynë është i gjithë nga Australia”.

Operatorët turistikë kanë vënë re një rritje të interesit nga turistët evropianë dhe rajonalë, të cilët e zgjedhin Shkodrën për pushime të shkurtra dhe të qeta.

Sipas të dhënave të fundit, hotelet dhe bujtinat lokale po punojnë me kapacitet të plotë./Tv Klan/ KultPlus.com

Fuqia rezistuese e këngës “Hallelujah” të Leonard Cohenit

Nga: Rob LeDonne / The Guardian

“Nuk mund ta mendoj ndonjë këngë tjetër me trajektore të tillë si ajo që ka ndodhur me ‘Hallelujah’”, ka thënë autori Alan Light që është marrë me kryeveprën e kudogjendur të Leonard Cohenit. “Kur mendoni për himnet universale globale, si ‘Imagine’ ose ‘Bridge Over Troubled Water’, ato ishin hite të menjëhershme. Por, ‘Hallelujah’ fillimisht u refuzua nga kompania diskografike dhe më pas, kur doli, tërësisht u injorua”.

Kështu vazhdon legjenda e këngës së Cohenit që ka mahnitur breza të tërë dëgjuesish, me një mistikë dhe peshë që e bën të veçantë në analet e historisë së muzikës. Ndoshta kjo është arsyeja se pse Lighti i sipërpërmendur e shkroi një libër të tërë për këtë këngë: veprën e vitit 2012, “The Holy Or the Broken: Leonard Cohen, Jeff Buckley dhe Unlikely Ascent of ‘Hallelujah’”. Është po ky libër që shërben si bazë për dokumentarin e ri “Hallelujah: Leonard Cohen, A Journey, A Song”, që u dha premierë në Festivalin e Filmit në Tribeca. Me regji dhe produksion nga Dayna Goldfine dhe Dan Geller, filmi ka qasje mikro dhe makro ndaj këngës dhe ndaj Cohenit, përfshirë vendet ku përkasin e që janë thellësisht të ndërthurura në kulturë.

“Me pak fjalë, Leonard Cohen ishte profet”, shpjegon Goldfine e cila së bashku me Gellerin ka krijuar karrierë të ngjeshur me regji të dokumentarëve që fokusohen në muzikë, përfshirë “Balets Russes” të vitit 2005 që flet për trupën ruse të baletit të fillimit të shekullit XX. “Leonardi ishte i njohur për shkrimin e përjetshëm dhe për poezinë e përjetshme që lundron përtej çdo epoke të caktuar”, ka thënë Goldfine. “I trajtoi brengat tona më të thella njerëzore, me dëshirën për lidhje dhe një lloj shprese, për transcendencë dhe njohje të vështirësive të jetës.”

Derisa “Hallelujah” mund të tingëllojë si standard i vjetër ose si ndonjë himn i lashtë i bartur nëpër shekuj, në fakt u shkrua në vitin 1983 duke e përdorur një tastierë të dobët elektrike, “Casio”. “Nuk ka ndonjë kompozitor tjetër si Coheni”, thotë Light për gjuhën që Coheni solli në artin e vet. “Qasja e tij ndaj gjuhës dhe ndaj zanatit duket ndryshe nga puna e kujtdo tjetër. Dhe, tingëllojnë si të rrënjosura në poezi dhe në letërsi, sepse fillimisht u shqua si poet dhe si romancier”. Cohen shkroi pa pushim, duke shkruar 180 vargje vetëm për këngën “Hallelujah” gjatë procesit të krijimit. Dramës së saj të qenësishme i shtohet vokali i thellë i versionit origjinal, me zërin e Cohenit që u thellua pas viteve të tëra të pirjes së duhanit.

Por, ishte “Columbia Records” – në një zgjedhje të ngjashme si “Decca Records” që dikur, më 1962, e refuzoi grupin e ri Beatles për një kontratë diskografike – ajo që merr vendimin se “Hallelujah” dhe albumi prej të cilit vinte, “Various Positions”, nuk e kishin trajtën komerciale që e kërkonin. Siç dëshmon dokumentari, Coheni u lëndua dhe albumi përfundimisht u publikua nga një kompani e pavarur. “Leonardi shihte me njëfarë habie dhe dëfrimi se si kjo këngë që ishte hedhur poshtë dhe që refuzua nga shtëpia e tij diskografike, nisi të bëhet kënga e tij identifikuese”, thotë Light për reagimin e Cohenit ndaj suksesit të mëvonshëm. “Foli disa herë se kishte ndjenja hakmarrjeje, por edhe drejtësie për mënyrën se si kënga u njoh dhe u vlerësua më vonë”. Versioni i Cohenit nuk u fut në listat e Billboard-it, deri në vdekjen e tij në vitin 2016, në moshën 82-vjeçare.

Sa i përket arsyes se pse “Hallelujah” arriti në këto lartësi, kjo është për shkak të llojllojshmërisë unike të versioneve, ngjarjeve kulturore dhe një cilësie të pakapshme që kënga pa dyshim posedon. Kërkojeni këngën sot në Spotify dhe është versioni nga Jeff Buckley, jo origjinali nga Coheni, ai që është në maje të kërkimit; çiftimi i temës mbërthyese të këngës në incizimin e papërpunuar nga Buckley më 1994, së bashku me vdekjen e kantautorit që u mbyt në ujë në moshën 30-vjeçare, shtojnë një shtresë tjetër në peshën e kësaj kënge. Versioni i tij u fut në regjistrin kombëtar të Bibliotekës së Kongresit më 2013. Pastaj është qasja e njohur nga John Cale, artisti i parë që e përpunoi këngën më 1991.

Por, çuditërisht, kudondodhja moderne e këngës mund të gjurmohet edhe në vendosjen e saj më të spikatur në “Shrek”, në filmin e dytë më fitimprurës të vitit 2001, që në mënyrë efektive e futi këngën “Hallelujah” në nivelet e larta të kulturës popullore (filmi përmban versionin nga Cale, ndërsa kolona zanore përfshin versionin nga Rufus Wainwright). Ndoshta ishte gjë e duhur që një komedi e animuar të nxis legjendën për Cohenin, duke pasur parasysh që, sipas Gellerit, keqkuptimi më i madh për vetë Cohenin është se ai fillimisht konsiderohej si këngëtar i errësirës dhe i fatkeqësive. “Në vend të kësaj, e hasëm një burrë që ishte me humor”, shpjegoi Geller. “Pothuajse gjithçka që ai tha doli me vezullim nga sytë e tij”.

Viteve të fundit, “Hallelujah” ka pasur dhjetëra paraqitje në televizione dhe në filma (nga “Scrubs” te “Zack Snyder’s Justice League”) dhe është kënduar nga të gjithë – nga Bob Dylan te Bono, nga Brandi Carlile te Il Divo. Komediania Kate McKinnon e këndoi në karakterin e Hillary Clintonit për të hapur episodin e parë të “Saturday Night Live” pas zgjedhjes së Donald Trumpit më 2016. Ndërkohë, Yolanda Adams e performoi në mënyrën e saj vitin e kaluar, në Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Covidit, në Memorialin Linkoln. E, të mos përmendim këtu bollëkun e konkurrentëve në garat e këngëve, që nga “The X Factor” e deri te “American Idol”, të cilët kënduan për rënien e molëve dhe të durëve, për mirë ose për keq.

“Është Test i Rorshahut”, thotë Light për interpretimet e ndryshme të teksteve të tij, përfshirë idenë se është menduar të jetë këngë e krishterë. Në realitet, siç tregon edhe filmi, Coheni ishte hebre. “Fjala ‘Hallelujah’ shfaqet nëpër fe dhe besime. Edhe pse qartësisht judaizmi i Leonardit informon aq shumë për atë që ai vendosi në këngë, janë njerëzit ata që marrin atë që nevojitet prej saj dhe atë që ata duan të jetë. Mendoj se kjo është arsyeja se pse luhet kudo, që nga dasmat e deri te funeralet dhe lindjet”. Geller shton për krijimtarinë muzikore të Cohenit: “I ka shumë të bukura këto tekste dhe aranzhime muzikore, që janë përtej kohës, që mund të mbijetojnë dhe të jenë të rëndësishme për audiencën e të gjitha moshave”.

Për filmbërësit, ishin pamjet e Cohenit duke kënduar këngën “Hallelujah” në skenë, gjatë një shfaqjeje në Oukland, në Kaliforni, që pjesërisht i frymëzoi të sajonin dokumentarin. “Thjesht nuk mund të ndaloja së menduari për këtë”, thotë Goldfine. “Është më shumë se një këngë. Është dokumentar për qendrën e dikujt, për rolin dhe vendin e dikujt në jetë”./ KultPlus.com

‘E dua natën veç pse agu e hollondritën në ar dhe në blu’

Poezi e shkruar nga Fernando Pessoa

Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila.
I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. 
Çfarë të bëj me gjëra të tilla,
që mund t’i mbledhë kushdo?

E dua natën veç pse agu e hollon
dritën në ar dhe në blu. 
Ajo që shpirti im e injoron
është ajo që do të doja ta kisha këtu.

Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot
vargje për të thënë atë që akoma nuk e di.
E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë…
Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…

Përktheu: Orjela Stafasani/KultPlus.com

Clooney dhe Pitt: Miq, por me fate të kundërta

Miq, bashkëpunëtorë, “buddies”, siç do të thoshin në rolet e tyre të Hollivudit. Brad Pitt dhe George Clooney – simbole seksuale të përjetshme edhe në moshën 60-vjeçare – pushtuan Festivalin e Filmit në Venecia me pamjen dhe miqësinë e tyre. Fakti që ata ishin bashkë e shumëfishoi karizmën e secilit në shkallën e n-të. Ishte rezultati që ata shpresonin të arrinin duke aktruar së bashku në komedinë Wolfs të Jon Watts, rikthimi i tyre i madh së bashku në ekranin e madh, 16 vjet pas “Burn After Reading” dhe 23 vjet pas “Ocean’s Eleven”.

Por realiteti e tejkaloi fantazinë. Nëse filmi, i shfaqur jashtë konkurrencës, ishte gjysmë bindës – sepse është i lezetshëm, por asgjë më shumë – ne pamë performancën e tyre më të mirë në tapetin e kuq. Së bashku na bënë të shijojmë karizmën e super yjeve, duke bërë shaka dhe ngacmime me njëri-tjetrin, duke treguar disponueshmërinë për publikun dhe më pas duke u hedhur me radhë në krahët e fotografëve. 

Festivali i 81-të i Filmit në Venecia ishte gjithashtu mundësia që Brad Pitt të prezantonte zyrtarisht partneren e tij të re, stilisten e bizhuterive Ines de Ramon, e cila është 26 vjet më e re se ai. Sipas gazetave amerikane, të dy janë bashkë prej disa vitesh dhe  prej muajit shkurt, edhe jetojnë në një shtëpi. Forca e tyre? Kanë mbështetur njëri-tjetrin gjatë divorceve respektive: ai nga Angelina Jolie dhe ajo nga aktori Paul Wesley.

NOSTALGJIA PËR SUPER ÇIFTIN 

Megjithatë, në mendjen e shumëkujt mbetet imazhi, pikërisht në Lido, Brangelina parakaloi dorë për dore në vitin 2007 për të prezantuar versionin perëndimor të “Vrasja e Jesse James” nga Robert Ford. Në atë kohë ata ishin çifti më i bukur në botë dhe çdo dalje i bënte njerëzit të ëndërronim. Të paktën derisa ëndrra u kthye në një makth.

Që prej vitit 2016 të dy janë të mbërthyer në një divorc të ashpër, i cili ende nuk ka gjetur një zgjidhje gjyqësore. Gjithashtu në qendër të mosmarrëveshjes është pasuria e mrekullueshme në Provence, Chateau Miraval, ku Brad prodhon verë. Pikërisht aty, ai dhe partnerja e tij e re sapo kanë kaluar pjesën më të madhe të pushimeve verore. Fati deshi që në këtë edicion të ishte e ftuar edhe Angelina Jolie.

Diva zbarkoi në Lido për të prezantuar Maria – një film prekës për ditët e fundit të Callas – vetëm pak ditë para Brad, por organizimi i Bienales garantoi menjëherë që të dy nuk do të kryqëzoheshin as nga larg. Nuk është mister që Brad Pitt ende po kalon një moment kompleks në jetën e tij personale. Pak javë më parë doli lajmi se vajza e tij Shiloh, ajo që i ngjan si një pikë uji – çifti ka gjashtë fëmijë: tre të birësuar dhe tre natyralë – sapo mbushi 18 vjeç kërkoi në gjykatë të hiqte mbiemrin Pitt nga emri i saj.

Një vendim i marrë tashmë nga vëllezërit më të mëdhenj, të cilët akuzojnë babanë e tyre se është i dhunshëm dhe se e bën jetën në shtëpi ferr. Aktori tani thuhet se është i shkatërruar. Prapa fasadës së qeshur ka vuajtje të mëdha: Brad është një baba i mohuar. Pavarësisht nëse është faji i tij apo manipulimi i nënës, është ende një histori e tmerrshme. 

Krejt e kundërta e asaj që ndodhi me George Clooney, i cili dhjetë vjet më parë, pasi deklaroi për një kohë të gjatë se asnjë grua nuk do ta shtynte të martohej, u martua me avokaten e specializuar në të drejtën ndërkombëtare Amal Alamuddin. Dhe u shndërrua në një familjar perfekt: në vitin 2017 lindën binjakët Ella dhe Alexander, të cilët dy prindërit përgjegjës i mbajnë larg vëmendjes (Brangelina nga ana tjetër i shfaqnin gjithmonë, pak si Ferragnez-ët dhe duken si kanë përfunduar).

GEORGE FOR PRESIDENT

Clooney fitoi prestigj duke u martuar me një grua si Amal, e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e më të varfërve në gjykata në mbarë botën. Dhe ndërsa Brad dhe Ines u bënë më pak të disponueshëm në tapetin e kuq në Venecia (ata dolën nga makina së bashku, më pas ajo u largua), George dhe Amal iu ofruan fotografëve me gjithë monumentalitetin e tyre.

Amal është pa dyshim një nga femrat më të bukura dhe elegante që ka parakaluar në Lido këtë vit. Pak si Michelle Obama, ajo nuk është një grua që jeton nën prozhektorë, por shndërrin me një shkëlqim të sajin. Kjo është arsyeja pse Clooney është përfolur disa herë si një çift i mundshëm presidencial.

Vetëm javët e fundit ylli i kishte shkruar një letër të hapur New York Times për t’i kërkuar presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të bënte një hap prapa, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme në nëntor. Gjë të cilën Biden e bëri më pas, duke ia lënë kandidimin zëvendëses së tij, Kamala Harris. Festivali i Filmit ishte për Clooney mundësia për të folur për të. “Duhet shumë guxim për të lënë një pozicion të tillë pushteti,” i tha ai shtypit. Kështu që ju duhet të komplimentoni presidentin, jo mua. /bota.al/ KultPlus.com

Screenshot

Kurti: Me vëmendjen e duhur shtetërore, drejt zbulimeve të reja arkeologjike

Kryeministri Albin Kurti nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të menaxhimit, bashkëpunime ndërkombëtare, studime e publikime.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Arkeologjia si asnjëherë tjetër po merr vëmendjen e duhur shtetërore. Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të menaxhimit, bashkëpunime ndërkombëtare, studime e publikime.

Për herë të parë kemi nisur shpronësime në lokalitete arkeologjike. Ulpiana dhe Dresniku me prioritet, për të vazhduar me shpronësime në vende tjera.

Në një prej lokaliteteve tona më të rëndësishme, Ulpiana, aty ku vitin e kaluar u zbulua mbishkrimi dedikim nga Perandori Justinian për Dardaninë, po zgjerohet hulumtimi dhe po vazhdojnë gërmimet drejt zbulimeve të reja.

Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon projekti i trajtimit të mëtejmë të lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinës. Aty është kryer dokumentimi i të gjitha strukturave me ndihmën e pajisjeve moderne, si skanerët 3D, për të përcaktuar gjendjen aktuale dhe shkallën e dëmtimeve, dhe po hartohet një plan i detajuar për konservimin e lokalitetit. Po zhvillohen plani i konservimit, ai i menaxhimit dhe plani i qasjes, që do të shërbejnë si bazë për mbrojtjen dhe menaxhimin e ardhshëm të këtij lokaliteti të rëndësishëm.

Ndërsa vetëm pak kohë pas fillimit të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Vuçakut në Drenas, është bërë zbulimi i parë tejet i rëndësishëm. Një altar romak i gjysmës së parë të shek.III, pas Krishtit. Objekti është një spolie e ripërdorur në ndërtimin e kalasë së periudhës së Justinianit (527-565 pas Kr.). Altari është i një rëndësie të veçantë dhe tregues se ka vazhdueshmëri jetese që nga parahistoria, antika deri në mesjetë.

Gjetje të rëndësishme kishte edhe në afërsi të lokalitetit arkeologjik Hisar, në Suharekë. Gërmimet në këtë hapësirë kanë sjellë të dhëna për kulturën e Eneolitit të vonë, gjithashtu periudhën iliro-dardane në disa zona të lokalitetit.

Së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Universitetin e Tubingenit në Gjermani. Ky projekt kërkimor i rëndësishëm, që do të realizohet nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në bashkëpunim me specialistë nga Gjermania, do të përqendrohet në identifikimin dhe gjurmimin e qendrave paleolitike, si dhe në krijimin e një harte të shpellave dhe lokaliteteve paleolitike dhe mezolitike në Republikën e Kosovës.

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka përgatitur materiale për publikime dhe botime për të prezantuar rezultatet e hulumtimeve dhe zbulimeve arkeologjike në vend. Disa nga botimet e fundit janë revista “Kosova Arkeologjike”, monografia “Varreza tumulare e Dollcit,” ndërsa në qershor është dërguar për botim në revistën “Iliria”, në Tiranë, artikulli “The Dardanian Settlement of Cernica – Vendbanimi Dardan në Cërnicë”.

Janë ndarë bursa për studentë të arkeologjisë të cilët vijojnë studimet në Universitete të ndryshme në Evropë e botë. Mbështetje financiare për studime në profile deficitare të arkeologjisë me qëllim të krijimit të kapaciteteve të reja profesionale.

Këtë vit po punohet në projekte të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë arkeologjike në Kosovë. Po trajtohen lokalitetet arkeologjike, Kalaja e Vuçakut në Drenas, Kalaja e Dardanës në Kamenicë, Kalaja e Kastercit, Suharekë, Kalaja e Marecit në Prishtinë, Kalaja e Harilaqit, Fushë Kosovë, Kalaja e Korishës, Prizren, Kalaja e Keçekollës në komunën e Prishtinës, lokaliteti arkeologjik në Hisar, Suharekë, lokaliteti në fshatin Bostan, Novobërdë dhe në Cernicë të Gjilanit.

Deri në fund të këtij viti do të vazhdohet me punë tek Ura e Gurit në Vushtrri, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Pogragjës në Gjilan, lokaliteti arkeologjik në Leshan të Suharekës, gjetjet e strukturave arkeologjike në Kaçanik dhe në fshatin Vrellë, në Istog.

Gjatë vitit të kaluar kemi përfunduar rehabilitimin e lokalitetit arkeologjik në qendër të Prizrenit, i cili kishte një dekadë që rrinte pa u trajtuar. Po ashtu në Prizren investuam në kurimin profesional dhe prezantimin modern të koleksionit të Muzeut Arkeologjik.

Përmes zbulimeve arkeologjike tregohet historia e pasur e lashtësisë së vendit tonë.

Qeveria për arkeologjinë. / KultPlus.com

CNN shkruan për “dronët e dragoit” të Ukrainës që po i djegin pozicionet ruse

CNN raporton se Ukraina po teston një lloj të ri droni në pozicionet ruse në Ukrainë, me nofkën “droni i dragoit”. Këta dronë po lëshojnë zjarr në luftën e saj me pushtuesit rusë, duke i dhënë një kthesë moderne një municioni të përdorur me efekt të tmerrshëm në të dyja luftërat botërore.

Një seri videosh të postuara në mediat sociale dhe nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës të mërkurën, tregojnë dronët me fluturim të ulët që lëshojnë shi metali të shkrirë mbi pozicionet e mbajtura nga Rusia në rreshta pemësh.

Përzierja e bardhë e nxehtë e pluhurit të aluminit dhe oksidit të hekurit, e quajtur termit, digjet në temperatura deri në 4000 gradë Fahrenheit (2200 gradë Celsius). Ai mund t’i djegë shpejt pemët dhe bimësinë.

Teksa bie nga droni, termiti i ngjan zjarrit që del nga goja e dragoit mitik, duke i dhënë dronëve pseudonimin e tyre.

Termiti mund të digjet lehtësisht në pothuajse çdo gjë, duke përfshirë metalin, kështu që ka pak mbrojtje prej tij.

Ajo u zbulua nga një kimist gjerman në vitet 1890 dhe fillimisht u përdor për t’i salduar shinat e trenit.

Por fuqia e tij ushtarake u bë shpejt e dukshme në Luftën e Parë Botërore, dhe Luftën e Dytë Botërore nga Gjermania dhe aleatët e saj./ KultPlus.com

“Të ndjesh pamjen”, hapet ekspozita e piktorit Besim Tula

Është çelur në Galerinë e Arteve në Shkodër ekspozita “Të ndjesh pamjen” e piktorit Besim Tula, i cili u nda nga jeta 4 vite më parë. 

Në 75 vjetorin e lindjes, 27 vepra erdhën në këtë ekspozitë me kuratore vajzën e tij Era Tula e cila zgjodhi Shkodrën, qytetin e lindjes së artistit.

Miqtë e tij artistë tregojnë vlerat që mbarte Tula në pikturë, me një vizion dhe estetikë.

Kjo ekspozitë me veprat e piktorit të ndjerë Besim Tula do të jetë e hapur në Galerinë e Arteve në Shkodër deri më 28 shtator./BalkanWeb/ KultPlus.com

Humori i famshëm anglez i kryeministrit Starmer

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se vendimi i tij për të hequr një portret të paraardhëses së tij Margaret Thatcher nga një studio në rezidencën e saj në Downing Street “nuk kishte aspak lidhje me Thatcherin”.

‘Thashethemet se Starmer e kishte hequr pikturën nga studioja e tij private në numrin 10 habitën britanikët.

Por kryeministri tha se arsyeja e lëvizjes ishte sepse nuk i pëlqente ideja që të kishte foto duke e parë atë ndërsa punonte.

Ai i tha programit të BBC-së “Sunday With Laura Kuenssberg”: “Në fakt nuk ka të bëjë fare me Margaret Thatcher. Nuk më pëlqejnë fotot dhe fotot e njerëzve që më shikojnë”.

“Kjo është studioja ime, është vendi im privat ku shkoj në punë. Nuk doja një foto të askujt”, shton ai. / KultPlus.com

Me ‘Të mjerët’, Viktor Hygo i dha shpirtit të botës një përjetim tronditës

Kur Viktor Hygo përfundoi romanin “Të mjerët” priti për vizitë një mikun e tij.

Gjatë bisedës që u fokusua kryesisht te romani, Hygo ndau me mikun e tij shumë momente të veçanta dhe impresione që u bënë për të një lidhje e thellë shpirtërore, një përjetim i fuqishëm i trajtimit të realitetit të të mjerëve dhe dinjitetit të njerëzores, dhe një mundësi për të ngritur zërin dhe akuzuar.

Duke përfunduar bashkëbisedimin ai shtoi, ndoshta me jo shumë modesti se:

– Dante Aligeri me “Komedinë Hyjnore ka bërë një ferr nëpërmjet poezisë, kurse unë me “Të mjerët” jam përpjekur ta bëj ferrin nëpërmjet realitetit.

“Të mjerët” (në frëngjisht “Les Misérables”) është një nga romanet më të famshme të shkrimtarit francez Viktor Hygo, botuar për herë të parë në vitin 1862. Romani trajton çështje të mëdha sociale, përfshirë padrejtësitë shoqërore dhe jetën e të varfërve në Francë gjatë shekullit XIX. Ai ndjek historinë e Zhan Valzhanit, një ish-i dënuar që përpiqet të ndërtojë një jetë të re pas lirimit nga burgu, por përndiqet vazhdimisht nga inspektori Zhaveri.

Ndër temat kryesore të veprës janë drejtësia, mëshira, morali dhe transformimi i individit. Përmes historisë së personazheve të ndryshëm, Hygo tregon për sfidat dhe padrejtësitë me të cilat përballen njerëzit, veçanërisht të varfrit dhe të shtypurit, në një shoqëri të ndarë nga pabarazia ekonomike dhe sociale. Romani ka një përzierje të fuqishme të dramës personale dhe sfidave politike të kohës.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Papa Françesku viziton Papua Guinenë e Re, dërgon ilaçe dhe instrumente muzikore

Papa Françesku udhëtoi në xhunglat e largëta të Papua Guinesë së Re të dielën për të festuar Kishën Katolike në periferi, duke sjellë me vete një ton ilaçesh, instrumente muzikore dhe një mesazh dashurie për njerëzit që jetojnë atje.

Françesku fluturoi në bordin e një avioni transporti të Forcave Ajrore Mbretërore Australiane C-130 nga Port Moresby në Vanimo, në bregun veriperëndimor të kombit të Paqësorit Jugor, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Atje, Françesku u takua me komunitetin katolik vendas dhe me misionarët nga vendlindja e tij, Argjentina, të cilët u kanë shërbyer atyre.

‘Of nanë, pashë Zotin m’fal nanloke’

Poezi nga Bekim Lumi

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si rr’fe prej qielle
Dhimtën e kresë mbi ty e shkarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si ilaç për nerva
Emnin tand ndër dhambë e kafshova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si saç i skuqun mbi mrumet e grujta
Zjarminë e ballit sipri ty ta hodha

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si barrën e druve përmi shpinë
Tana borxhet e mallin e brengat ty t’i ngarkova

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere t’bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Of Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si mbi jastëk andrrash
Kryet e lodhun n’prehnin tand e mb’shteta

Of Nanë
Pashë Zotin
Pashë Ty
Pashë Babën
Pashë Mue
M’fal
Si mëkatar i keq që jam
Po t’lutem shumë
M’fal
Për dhembjet
Për sëmundjet
Për nervat
Për zjarminë
Për brengat
Për borxhet
Për mallin
Për mërzinë
Për ofshamat e djeshme të sodme të nesërme
M’fal
Njimijë herë m’fal

Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë
Of Nanë. /KultPlus.com

‘Të ndjesh pamjen’, hapet ekspozita e piktorit Besim Tula, 4 vjet pas ndarjes nga jeta

Është çelur në Galerinë e Arteve në Shkodër ekspozita “Të ndjesh pamjen” e piktorit Besim Tula, i cili u nda nga jeta 4 vite më parë.

Në 75 vjetorin e lindjes, 27 vepra erdhën në këtë ekspozitë me kuratore vajzën e tij Era Tula e cila zgjodhi Shkodrën, qytetin e lindjes së artistit.

Miqtë e tij artistë tregojnë vlerat që mbarte Tula në pikturë, me një vizion dhe estetikë.

Kjo ekspozitë me veprat e piktorit të ndjerë Besim Tula do të jetë e hapur në Galerinë e Arteve në Shkodër deri më 28 shtator./balkanweb/ KultPlus.com

Sopranoja Marigona Qerkezi së shpejti me performancë në Brazil

Sopranoja e njohur shqiptare, Marigona Qerkezi, së fundmi ka njoftuar se do të interpretojë në Brazil, në teatrin “Municipal” të Sao Paulos.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ajo është shprehur tejet e lumtur për këtë performancë të saj, që do të mbahet në një teatër madhështor si ai i ‘Municipal’.

“Shumë e lumtur të jem në Brazil në Teatrin e mrekullueshëm Municipal të São Paulo për shfaqjet e ardhshme të operas ‘Nabucco’. Mezi po pres të sjell këtë operë të jashtëzakonshme në këtë teatër kaq madhështor”, ka shkruar Sopranoja Qerkezi./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën thirrje për aplikimin e qytetarëve për Çmimet e Vullnetarizimit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë qytetarë angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë. Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjithë që bëjnë vullnetare të aplikojnë për Çmimet e Vullnetarizmit, e që afati është deri 30 shtator 2024.

“Këto kontribute e meritojnë të promovohen dhe falënderohen. Çmimet e Vullnetarizmit në Kosovë janë një hap në këtë drejtim. Ju bëj thirrje të gjithë juve qytetarë të nderuar që të nominoni të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”, ka thënë Kurti.

70-vjeçari që diplomoi në mjekësi, ka një këshillë për të rinjtë

Të gjithë menduan se ai ishte profesori. Por i moshuari me flokë të thinjur ishte një student i mjekësisë në vitin e parë, ashtu si pjesa tjetër e klasës.

“Familja dhe miqtë e mi u befasuan në fillim. Disa nga miqtë e mi menduan se isha i çmendur që doja të studioja mjekësi në këtë moshë, “tha Toh Hong Keng, një ekzekutiv malajzian në pension.

Këtë korrik, në moshën 70-vjeçare, Toh u bë një nga studentët më të vjetër në botë që u diplomua nga shkolla e mjekësisë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk ishte gjithmonë e lehtë,” tha i diplomuari i sapoformuar në mjekësi i Universitetit Jugperëndimor PHINMA në Cebu, Filipine. “Në moshën 65 deri në 70 vjeç, kujtesa, shikimi, dëgjimi dhe trupi im nuk janë aq të mira sa kur isha më i ri”.

Toh e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke punuar në shitjet e teknologjisë. Por, për të, pensioni nuk solli dreka të gjata dhe lojëra golfi. Në vend të kësaj, çdo ditë për pesë vjet, ai u zhyt në tekstet e anatomisë, i ndihmuar nga kartat e flashit, gotat e leximit dhe filxhanët e mëdhenj me kafe.

Edhe për dikë me diploma të shumta, materiali nuk ishte i lehtë. Ai u ndal një vit pasi dështoi në provimin e pediatrisë në vitin e tretë. Dhe në vitin e tij të fundit, atij iu kërkua të përfundonte një vendosje njëvjeçare në spitale private dhe publike, me disa ndërrime që zgjasin 30 orë rraskapitëse.

Por gjithsesi ai ka një porosi për ata që e duan këtë profesion.

“Nëse keni një ëndërr të jeni mjek, mund ta bëni atë në çdo moshë”.

Filmi ‘M’ përmbyllë garën e filmave Ballkanik në PriFest

Natën e parafundit të festivalit, mbrëmjen e së shtunës, me filmin “M” përmbyllet gara e kategorisë së filmave të metrazhit të gjatë nga Ballkani.

Filmi trajton temën e rritjes dhe kërkimit të së vërtetës në një botë të mbuluar nga misteret dhe rreziqet. Në një pyll të vetmuar, Marko i ri jeton nën vëzhgimin e kujdesshëm të babait të tij mbrojtës dhe misterioz. Ekzistenca e tyre e mbrojtur është gjithçka që ai njeh. Marko gjen ngushëllim në librin e tij të dashur me figura, duke gjetur qetësi dhe përgjigje brenda faqeve të tij. Një ditë, një takim me një djalë të pafajshëm dhe zemërmirë të quajtur Miko sjell një dritë ngrohtësie dhe lidhjeje në botën e izoluar të Markos. Ndërsa kurioziteti i tij rritet, Marko dëshiron të zbulojë sekretet që ndodhen përtej kufijve të pyllit. Një kthesë mizore e ngjarjeve i jep atij dëshirën më shpejt se sa e priste. Një udhëtim i errët e pret, i mbushur me rreziqe të panjohura dhe një vështrim në një botë të ndryshuar përgjithmonë.

Skenari është shkruar nga Vardan TOZIJA dhe Darijan PEJOVSKI nën regjinë e Vardan TOZIJA.

Producentë të filmit janë: Darko POPOV, Vardan TOZIJA, Patrice NEZAN, Laurent VERSINI, Anita JUKA, Valon BAJGORA, Gazmend NELA, Adolf EL ASSAL.

Filmi “M” është bashkëprodhim i Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Francës dhe  Luksemburgut.

Aktorët janë: Matej SIVAKOV, Saško KOCEV, Aleksandar NIČOVSKI, Kamka TOCINOVSKI, Bojana GREGORIĆ VEJZOVIĆ dhe Verica NEDESKA.

Filmi do të shfaqet më 14 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com

Filmi ‘Excursion’ shfaqet në ditën e parafundit në PriFest

Në garën kryesore të filmave të metrazhit të gjatë ballkanik, filmi ‘Excursion’ nga Bosnja e Hercegovina vjen në ditën e parafundit si premierë kosovare në PriFest.

Filmi trajton presionin social, dëshirën për pranim dhe pasojat e gënjeshtrave në një mjedis adoleshentësh. Në Sarajevë, një adoleshente që kërkon vëmendje pretendon se ka kryer marrëdhënie për herë të parë gjatë një loje “e vërtetë apo guxim” mes nxënësve të shkollës së mesme. E ngatërruar në gënjeshtrën e saj, shpik një shtatzëni dhe bëhet qendra e një skandali që del jashtë kontrollit.

Una Gunjak është regjisore dhe skenariste e filmit, ndërsa producentë janë: Amra Bakšić Čamo dhe Adis Đapo.

Asja Zara Lagumdžija, Nađa Spaho, Maja Izetbegović, Mediha Musliović dhe Izudin Bajrović janë aktorët kryesorë.

Filmi shfaqet të shtunën me 14 shtator nga ora 15:00 në Kino Armata.

Biletat mund të blihen online ne Rave Travel dhe te Kino Armata nga data 10 shtator. Çmimi 3 euro.

Edicioni 16-të mbahet prej 10-15 shtator 2024./ KultPlus.com

QKLL dhuron libra për bibliotekën e Shtëpisë së Foshnjës në Durrës

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhuroi libra për bibliotekën e Shtëpisë së Foshnjës në Durrës.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se, sot është Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit, e cila ka për qëllim të nxjerrë në pah rëndësinë e shkrim-leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.

Tema për këtë vit është, “Promovimi i arsimit shumëgjuhësh: Shkrim-leximi për mirëkuptim të ndërsjellë dhe paqe”.

Leximi që në fëmijërinë e hershme, është i rëndësishëm për formimin e fëmijëve. Që nga viti 1967, festimet e Ditës Ndërkombëtare të Alfabetizmit (ILD) mbahen çdo vit në mbarë botën për t’i kujtuar publikut rëndësinë e shkrim-leximit si çështje dinjiteti dhe të drejtave të njeriut dhe për të çuar përpara agjendën e shkrim-leximit drejt një shoqërie më të arsimuar dhe të qëndrueshme, theksoi Gonxhja.

Në kohët e reja që po jetojmë ekziston një nevojë urgjente për të shfrytëzuar potencialin transformues të shkrim-leximit për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, kohezionit social dhe paqes, nënvizoi ministri.

“Shkrim-Leximi është një e drejtë themelore e njeriut, ai hap derën për gëzimin e të drejtave të tjera të njeriut, lirive më të mëdha dhe qytetarisë globale”, shtoi Gonxhja./ atsh/ KultPlus.com