Instituti Albanologjik i Prishtinës nisi edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, duke mbledhur më shumë se 90 studiues në sesionet e gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnologjisë, folkloristikës dhe etnomuzikologjisë. Për tri ditë, ata do të paraqesin punime që pritet të pasurojnë ndjeshëm këto fusha studimore.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, profesorë e albanologë. Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë historike të albanologjisë në ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ai rikujtoi kontributin e rilindësve shqiptarë, të cilët shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të forcuar identitetin kombëtar.
Java e Albanologjisë shërben si një platformë e rëndësishme për të nxitur diskutime të thella dhe për të promovuar studime të reja në fushën e albanologjisë. Kjo ngjarje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kulturës dhe shkencës sonë, duke forcuar lidhjet mes studiuesve dhe institucioneve akademike./ KultPlus.com
U mbajt mbrëmë premierë absolute në TKOB, vepra Master Class – Maria Callas me autor Terrence McNally, nën interpretimin e aktores së mirënjohur Eva Alikaj.
Vepra është një dramë teatrale e frymëzuar nga klasa të vërteta mësimore që sopranoja legjendare, Maria Callas mbajti në fillim të viteve 1970 në Shkollën e Muzikës Juilliard në New York.
Në skenë, ajo shfaqet si një mësuese karizmatike, por e rreptë dhe shpesh cinike, që u mëson nxënësve jo vetëm teknikën vokale, por edhe kërkesat emocionale dhe shpirtërore që kërkon performanca operistike.
Përmes dialogjeve dhe monologjeve, u shfaqën kujtime nga jeta e saj personale dhe karriera e saj madhështore, duke përfshirë sukseset dhe sfidat e saj, marrëdhënien me Aristotel Onassis dhe humbjet e saj personale.
Një vepër e jashtëzakonshme, e cila rikthen në skenë aktoren e mirënjohur Eva Alikaj në rolin e legjendës Callas me një kast të mirënjohur artistësh dhe bashkëpunëtorësh nga pas./atsh/KultPlus.com
Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881.
I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.
Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869
Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.
***
Shkrimtari rus, Leo Tolstoy,, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856
Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin. Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.
Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784
Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë.
Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato.
Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.
***
James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904
E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë.
Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.
***
Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836
Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje.
Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!
I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!
***
Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528
E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.
***
Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846
Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.
***
Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913
Për Stelën, Dua vagabondin zuzar brenda meje, Dua zonjën time të errët Dua engjëllin tim, joshjen time Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes… Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim, shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim, dritën time në mes të detit, palmën time në mes të shkretëtirës kopshtin tim me lulet e dashura një mijë gëzimet e mia të paemërta dërdëllitjet e mia të ditës, ëndrrat e mia të natës të dashurën time dhe yllin tim… Filzofial.al / KultPlus.com
Aktualisht jemi në Javën Kulturore Holandeze, e cila do të vazhdojë deri më 11 shtator, në një udhëtim të pasur mes traditave dhe inovacionit të një vendi që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e artit, muzikës dhe kinemasë.
E njohur për mjeshtërinë e piktorëve të mëdhenj si Van Gogh, për festivalet e saj të famshme të jazz-it dhe për inovacionin e vazhdueshëm në dizajn dhe arkitekturë, Holanda është një burim frymëzimi për të gjithë botën. Në Tiranë, Shkodër dhe Korçë, do të vijë një pjesë të këtij thesari kulturor, pjesë e magjisë holandeze.
Dita e sotme e kalendarit kulturor shënon këto aktivitete:
Seminari njëditor për kulturën e biçikletave dhe ndihmën në krijimin e një infrastrukture të sigurt në Shkodër. Aktiviteti u mbajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku ekspertët e Mobycon nga Holanda ndanë njohuritë e tyre për ndërtimin e rrugëve të përshatshme për biçikleta, si një hap i madh drejt një qyteti më të gjelbër dhe më të shëndetshëm.
Në Tiranë do të shfaqet filmi “Take me somewhere nice”, ku pas shfaqjes në qendrën Destil, spektatorët do të mund të bashkëbisedojnë me regjisoren e filmit.
Një tjetër aktivitet në Tiranë është ekspozita World Press Photo 2024, e pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, pranë bashkisë./atsh/KultPlus.com
Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë dhe unë kam filmat në sytë e mi dhe ti ke vezët në tunelin tënd dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë. Por sot e lashë shtratin në flakë dhe tymi mbushi dhomën. Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.
Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit që janë për ty dhe i vendos në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet. Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit. Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur. Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë fustanet e natës janë grirë e bërë letra; të verdha, të kuqe, të purpurta shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar- në ar të forte, të fortë dhe dysheku po puthet me një gur.
Sa për mua, i dashur Foxx vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit. Dhe shpresa për një përjetësi divine a është e mjaftueshme për ty? Po emri yt krahas emrit tim për të drejtat e autorit? Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot unë do të tregoj tërë historitë- jo vetëm historinë e çarçafëve po dhe historinë e bizhusë në kërthizë dhe historinë qepallave të lyera të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve- ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.
Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo krematoriumin e dashurisë. Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi flakët nxjerrin fshikullima kamzhikësh mbi kuaj kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim të triumfit njerëzor ndersa mizat presin, plima plima vijnë drejt e nga United Fruit, Inc./KultPlus.com
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” çdo fillimviti shkollor shënon dhe fillimin e një viti të ri të programit të edukimit të muzeut, me vizita, punëtori e aktivitete të tjera.
Përmes tyre ky institucion shfrytëzon koleksionin “Marubi” për stimulimin e kreativitetit në trajtimin e materialit fotografik, si një pikënisje për ndërtimin e historive të tjera.
“Marubi” si edhe më parë, do të ketë një program që i drejtohet cikleve të ndryshme të edukimit, që nga parashkollorët tek universitarët.
Por, risia e këtij viti do të jenë një sërë aktivitetesh me pjesëmarrje të lirë për grupmosha të ndryshme për të cilat muzeu fton të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e tyre.
Me këtë rast Muzeu “Marubi” ndau në rrjetet sociale punime arkiv nga punëtoria “Marubi Coloring Book”, shtator 2016./atsh/KultPlus.com
“Hapësirë Sfiduese, Standard për Asgjë” është ekspozita e radhës e artistes Majlinda Kelmendi, e cila do ta prezantojë në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Ekspozita do të hapet më 10 shtator, prej orës 19:00, dhe sipas Kelmendit, në botën e artit bashkëkohor, konceptet dhe format shpesh sfidojnë kufijtë e njohur dhe krijojnë hapësira të reja për të menduar dhe përjetuar.
“Ekspozita me titull “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” përfaqëson një udhëtim artistik që sfidon perceptimet tradicionale dhe vendos në pikëpyetje standardet e vendosura. Veprat e paraqitura trajtojnë tematikën që përfshin tensionin mes rregullit dhe kaosit, mes të njohurës dhe të panjohurës, dhe mes pritshmërive shoqërore dhe realiteteve individuale. Hapësira e krijuar përmes këtyre veprave nuk është një vend ku standardet e përhershme mbizotërojnë, por një sfidë ndaj gjithçkaje që është konsideruar normë. Ajo është një reflektim i ambivalencës që përshkon jetën moderne, ku standardet dhe pritshmëritë shpesh janë të padukshme, por megjithatë përcaktojnë mënyrën tonë të jetesës”, ka shpjeguar Kelmendi rreth ekspozitës së radhës.
Teknikat dhe materialt e përfshira në këtë projekt krijojnë një dialog të hapur me audiencën, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi vetëdijen, përvojat personale dhe kufijtë e brendshëm.
Ekspozita “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” është një ftesë për të hyrë në një botë ku rregullat nuk ekzistojnë, dhe ku sfidat bëhen standardi i vetëm. Ajo është një udhëtim artistik që eksploron të panjohurën dhe i sfidon shikuesit të përballen me sfidat e tyre personale dhe të rishikojnë mënyrën se si ata ndërveprojnë me botën përreth tyre./ KultPlus.com
I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj.
Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?”
Edhe pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat.
Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin.
Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare.
Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.
Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit.
Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.
Z. kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.
Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë.
Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme.
Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson.
Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju.
Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.
Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, ka njoftuar se pas tetë edicioneve të suksesshme, parku ka ndërprerë aktivitetet dhe nuk do të ketë edicione të tjera në vazhdim.
Në njoftim, ata janë shprehur se në këtë rrugëtim madhështor, parku është cilësuar dhe vlerësuar si një nga projektet më të mira jo vetëm në Gjakovë, por në mbarë Kosovën.
“Parku u nis si një iniciativë qytetare vullnetare në vitin 2016 dhe gjatë këtyre tetë viteve, kemi sjellë mbi 500 ngjarje kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.
Tutje, ata janë shprehur se përballë mungesës së vazhdueshme të mbështetjes financiare dhe logjistike, mosrespektimit të punës dhe angazhimit, është bërë e pamundur të vazhdojnë punën. Ata thanë se me gjithë problemet e përvitshme, janë angazhuar pafund deri sa iu janë shterrur të gjitha energjitë.
“Ky vendim nuk është marrë lehtë, sepse kemi dashuri dhe pasion për parkun, por duke pas parasysh kushtet dhe sfidat e vazhdueshme, është momenti i duhur për ta mbyllur këtë kapitull. Ka qenë kënaqësi për 8 vite me mbajtë gjallë qytetin me kulturë dhe art, duke dhuruar momente dhe netë që do të qëndrojnë gjatë në memoriet tona, momente këto që kanë qenë shtysë e madhe drejt një programi atraktiv që kemi shfaqur në çdo edicion”, thuhet tutje në reagimin e tyre./KultPlus.com
Në 196 vjetorin e lindjes së shkrimtarit rus, Leo Tolstoy, KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e tij ‘Anna Karenina’.
“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.
Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.
Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com
Parku Arkeologjik Shkodër priti 108,037 vizitorë që eksploruan thesaret e lashta që mbart ky vend, plot histori dhe rrëfenja.
Ky numër i lartë vizitorësh u regjistua për periudhën janar-gusht 2024, që rezulton të jetë 25% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.
Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Rozafati, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.
Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.
Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të./atsh/KultPlus.com
Kur ishte në universitetin e Kazanit nuk rrinte shumë me shokët, me të cilët pothuaj nuk njihej. Rrinte gjithnjë në një nga bankat më të largëta nga profesori. Këtë e bënte se gjatë mësimit lexonte vepra letrare dhe filozofike.
* Kur poezitë në prozë të Turgenievit patën në Rusi sukses të madh, Leon Tolstoi provoi të shkruajë dhe ai në këtë gjini. Për të pasur një gjykim sa më të paanshëm për punët e tij, ia dërgoi materialin me pseudonim një revistë që drejtohej prej një miku të tij. Tolstoi atëherë ishte i famshëm dhe shkrimi i tij si do që të ishte do të botohej, prandaj nuk e përdori emrin e vet. Redaktori e ktheu dorëshkrimin si të pabotueshëm, sepse autori nuk e kishte ende përvojën në artin e të shkruarit. Tolstoi nuk thuri më kurrë poezi në prozë.
* Tolstoi prekej shumë shpejt. Turgenievi, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh që ishte zemëruar me të, shkoi për ta takuar në Jasnaja Poljana. Gjatë ditëve që ndenji atje foli shumë për veprat e tij dhe i lavdëroi ato. Pasi u kthye Turgenievi, Tolstoi i shkroi: “Kur dëgjoj për veprat e mia provoj një ndjenjë komplekse, ku elementi kryesor është turpi dhe dyshimi se po më tallin. Megjithëse besoj në mirësinë tuaj më duket se ju keni qeshur me veprat e mia. Më mirë do të jetë që të mos flasim më këtej e tutje me njeri-tjetrin”.
* Tolstoi ishte supersticioz dhe shpesh thoshte se numri 28 kushtëzohej me disa gjëra të jetës së tij. Ai kishte lindur me 28 gusht 1828 dhe ishte martuar në datën 28. Më 1910 i biri i tha një ditë i shkujdesur: – Ki kujdes baba se këtë vit t’i mbush 82 vjeç dhe numri 82 është 28-ta e përmbysur. – Ndoshta, – u përgjigj Tolstoi, – bëre mirë që ma the. Ai vdiq atë vit.
* Një ditë kur po shëtiste me kalë me të birin humbi rrugën në mes të pyllit. – E di se ku jemi këtu? – e pyeti djalin. I biri i tha se Jasnaja ishte përpara tyre. Dhe Tolstoi donte të kthehej në shtëpi, duke ndjekur atë drejtim. – Është e pamundur, – i tha i biri, – nga kjo anë ka shumë ferra që do të na i çjerrin duart. Tolstoi nuk deshi të kthehej mbrapa dhe i tha të birit: – Sidoqoftë le ta provojmë! Vazhdoi të ecte me kalë dhe ferrat e para nisën të gërvishin. I biri e pa krejt të gjakosur por aspak të shqetësuar. – Vështro biri im, – i tha, – siç e sheh unë jam çjerrë gjithandej nga ferrat, por ç’rëndësi ka? Unë kërkoj në çdo gjë rrugën e drejtë, dhe në qoftë se do të çirrem ende, prapë do kërkoj rrugën e drejtë që është edhe e vërteta.
* Një ditë shkoi për ta takuar nacionalisti i famshëm Derul dë Pol, që mbronte idenë e fitores ndaj Gjermanisë. * Leon Tolstoi që zakonisht me të huajt ishte i sjellshëm dhe shumë korrekt, këtë radhë e humbi durimin dhe iu përgjigj: – Kufijtë duhet të përcaktohen me marrëveshjen e popujve dhe jo me hekur dhe gjak. Dhe kur të ketë njerëz që do ta kuptojnë këtë atëhere nuk do të ketë më luftëra në botë.
* Kur e mbaronte së shkruari një kapitull të romanit ia kopjonte e shoqja ose një nga të bijat. Kjo kopje i duhej shkrimtarit të madh si një skicë për të punuar mbi të. Në pak ditë e mbushte me korrigjime, prishje me laps dhe me shtesa. – Atëhere kapitulli duhet kopjuar për së dyti. Ka disa kapituj nga romanet e tij që janë kopjuar deri edhe dhjetë herë.
* Kur Tolstoi besonte se kishte arritur qartësinë dhe përsosmërinë e dëshiruar, ua lexonte veprën e re njerëzve të tij të afërm nganjëherë dhe fshatarëve. “Pushteti i errësirës”, u lexua përpara fshatarëve, të cilët nuk e pritën mirë. Në pjesën më emocionale të dramës ata qeshën kur dëgjuan disa fjalë vulgare që përdorte në dialog Tolstoi.
* Tolstoi e donte shumë muzikën, sidomos muzikën e Bethovenit. Kur dëgjoi një pjesë të Bethovenit u emocionua shumë sa iu mbushën sytë me lot, por nga që nuk donte ta kuptonin të pranishmit, i tha së bijës: – Më jep pak shaminë se më ka zënë rrufa.
* Në shtëpinë e Tolstoit ishin piktori i shquar Rjepin dhe aktori Andrejev. Kur po bisedonin të tre së bashku, një zonjë, e cila kishte ardhur për t’i bërë vizitë zonjës së Tolstoit, u ul në piano dhe nisi të luajë me shumë ndjenjë “Sonatën e Krajtzerit” të Betovenit. Të gjithëve u la shumë mbresa. Atëherë Tolstoi tha: – A duhet të bëjmë edhe ne sonatën tonë Krajtzerit? Unë do ta shkruaj, Rrjepini do të pikturojë dhe Andrejevi do ta recitojë. Propozimi u pranua me entuziazëm, por vetëm Tolstoi e kreu detyrimin e tij. Tolstoi i tha Gorkit: – Po të isha mbret, do të nxirrja një ligj që do t’ia ndalonte të drejtën e të shkruarit atij shkrimtari që përdor një fjali kuptimisht të gabuar ose ai që do të bënte gabim gramatikor të fishkëllehej nga lexuesi. – Si, – u përgjigj Gorki, – po liria e të shkruarit? – Liria për të shkruar deri sa duhet, por jo liri për të shkruar keq.
* Pas krizës që pësoi më 1880 Tolstoi vishej shumë thjesht pothuaj fare pa kujdes. Një herë në Tula u dha shfaqja e një drame të Tolstoit, Tek artisti që drejtonte shfaqjen u paraqit portieri i teatrit: – Në hyrje, – i tha, – është një fshatar si gjysmë budalla, që kërkon me çdo kusht të hyjë në teatër dhe të asistojë në prova. Thotë se ju njeh, po mua më duket e pamundur, sepse është fjala për një fshatar injorant dhe të pagdhendur. Kryekomiku doli te hyrja dhe u gjend ballëpërballë me Leon Tolstoin që ishte veshur me rroba dhe këpucë të bëra vetë.
Në vitin 1891 Leon Tolstoi ishte i zënë me një punë shumë të rëndësishme. Kur shpërtheu zia e bukës, ai la çdo gjë dhe iu vu punës për organizimin e ndihmave për të uriturit. Atëherë hapi mbi dyqind mensa falas. Një herë, duke ditur që një grua e ve e varfër fshatare vetëm nuk mund ta korrte grurin, Tolstoi shkoi vetë me drapër në dorë për të ndihmuar, duke punuar përplasi gjurin pas një rrote. Pa u ankuar fare vazhdoi punën. Dhimbja iu shtua shumë. Nga ethet i hipi temperatura e lartë. lu desh të shtrihej në shtrat për disa javë, por nuk u ankua fare.
* Më 25 shkurt 1901 Leon Tolstoi u shkishërua nga Sinodhi i shenjtë. Atë ditë të gjitha kishat e Rusisë kishin lëshuar anathema kundër këtij “armiku të zotit dhe të perandorit”. Tolstoi atëherë ishte në Moskë. Atje po kalonte nëpër një rrugë kryesore. Menjëherë turma e njohu dhe e rrethoi me dashuri të madhe. Njeri prej tyre tha: – Po ky na paska qenë djalli me fytyrë njeriu?! Grumbulli i njerëzve e mbuloi me brohoritje dhe me thirrje: “Rroftë Tolstoi”. U desh ndërhyrja e xhandarmërisë për të shpërndarë grumbullin e madh të njerëzve.
* Ditën e shkishërimit, Tolstoi kaloi para pallatit të guvernatorit të përgjithshëm të Moskës. Kur e pa shkrimtarin grupi i ushtarëve, që bënin shërbimin e rojës para portës së guvernatorit, me një lëvizje të menjë-hershme, u vu në pozicion gatitu dhe për nder armë. Tolstoi iu kthye mikut që e shoqëronte dhe i tha duke qeshur: – Vështro more mik se si këtu te ne në Rusi, i bëjnë nderime ushtarake një krimineli të shtetit që është shkishëruar.
* Drejtori i “Gazetës zyrtare” shkruante në ditarin e tij: “Në Rusi tani kemi dy Carë: Nikollën II dhe Leon Tolstoin. Ky i dyti është ndoshta më i fuqishëm se i pari, sepse ndërsa Nikolla nuk mund të bëjë gjë kundër Tolstoit, ky minon çdo ditë e më shumë autoritetin e fronit të Nikollës II në Rusi”.
* Shumë punëtorë shkonin ta takonin Tolstoin që të bindeshin nëse ai vërtetë merrej me punë krahu. Një këpucar erdhi për të parë në se këpucët që kishte bërë Tolstoi ishin të punuara mirë dhe i dha disa këshilla profesionale shumë të vlefshme. Një herë tjetër u paraqit te Tolstoi një njeri i varfër, i zbehtë në fytyrë e me lot në sy. Ai i tregoi se gruan e kishte të sëmurë shumë rëndë nga tuberkulozi. Në pranverë do të vdiste pa tjetër: – E po, të lutem mjeshtër, të më shkruani një gisht letër dhe të më thoni a do të rrojë gjatë ime shoqe? E si të mos besojmë te Leon Tolstoi? Kështu të paktën ajo do të vdesë e qetë. Tolstoi u emocionua shumë. Ai ishte gati që ta shkruante letrën, por i tha vizitorit se kështu ai do të bënte një gënjeshtër kurse ai ishte mbrojtësi i së vërtetës absolute. I varfëri i kërkoi ndjesë. Kur u largua, Tolstoi psherëtiu i hidhëruar, duke menduar se nganjëherë gënjeshtra mund të ketë edhe anën e saj më të mirë.
* Tolstoi në vitet e fundit të jetës së tij ishte kundër artit për art dhe kundër metodave të mësimit të artit nëpër akademi dhe konservatorë. * Kur po bisedonte me disa miq për këtë temë një nga bashkëbiseduesit i tha: – E po mirë, le ta zemë se keni arsye dhe po mbyllën të gjitha institutet artistike. Po me çfarë do të zëvendësohen? Leon Tolstoi u përgjigj: – Vërejtja juaj është njësoj si kjo që do t’ju them tani: sikur ju të kini një ënjtje në faqe nga dhëmballa, vini tek unë dhe unë ua heq dhëmballën e sëmurë. Ju nuk do të kënaqeni me mua dhe do të më thoni: “Po kjo faqja ime që u shfry me se do të zëvendësohet?” – Me asgjë, nuk ka nevojë të zëvendësohet, – iu përgjigj bashkëbiseduesi.
* Leon Tolstoi hyri në sallon kur e shoqja po u lexonte fëmijëve një kapitull nga “Lufta dhe Paqja”. Ndenji në këmbë te praku i derës duke dëgjuar dhe kur kapitulli mbaroi tha papritur: – Sa i bukur që ishte!
* Leon Tolstoit i thanë se në të gjithë fshatin Jasnaja Poljana fshatarët e tij kishin vetëm tri lopata që nuk mjaftonin për punë. Ai nuk pranoi të blejë të tjera duke thënë: – Më mirë kështu! Fshatarët do t’ia huajnë njëri- tjetrit lopatat dhe do të mësojnë të ndihmojnë dhe të duhen ndërmjet tyre.
* Tolstoi e pati të shoqen një bashkëpunëtore të çmuar… Një mbrëmje ai i tha: – Merre këtë letër dhe më shkruaj të gjitha fjalët që të kam thënë kur të kërkova të bëheshe gruaja ime. Shpresoj se do të kujtohesh. E shoqja mori letrën dhe nisi të shkruante. E gjithë ajo që shkroi dhe që i shoqi e rikopjoi, ishte deklarata e fashme e dashurisë që gjendet te Ana Karenina.
* Një ditë Tolstoit i erdhi një zonjushe. Ajo kishte trashëguar një milion monedha të kushtueshme dhe kërkonte mendim se si t’i përdorte sa më mirë ato. – Digjeni atë fond, – e këshilloi Tolstoi. – Si thatë? Po me atë mund të ngrihet një azil për pleqtë ose një konvikt për fëmijët? – Dhe për këtë doni t’i shpenzoni? Jo, prindërit nuk duhet t’i çojnë prindërit në azil. Digjeni, më dëgjoni mua, është gjëja më e mirë që mund te bëni.
* Tolstoi hapi një shkollë për fëmijët e fshatarëve të tij ku zbatoi një sistem të ri mësimi. Mësimi nuk duhej të jepej mekanikisht dhe me pahir. Kur te nxënësit sbihte lodhje dhe mungesë dëshire për mësim e mbyllte shkollën. Pas një ndërprerje pak a shumë të gjatë ai dëgjoi të trokitnin në portën e tij. Zërat fëminore të nxënësve i thoshnin: – Ju lutemi hajdeni na bëni mësim, kemi dëshirë të studiojmë. / KultPlus.com
Më 9 shtator 1882, në fshatin Avdela të Çamërisë lindi Miltiadh (Milto) Manaqi, kineasti i parë shqiptar, i cili së bashku me vëllanë e tij Janaq vlerësohen si themeluesit e artit të shtatë në Ballkan./ KultPlus.com
Më 9 shtator 1828, shkrimtari Leo Tolstoy lindi në provincën Tula të Rusisë. Ai ishte më i vogli nga katër djemtë. Kur nëna e Tolstoit vdiq në 1830, kushëriri i babait të tij mori përsipër kujdesin për fëmijët. Kur babai i tyre, konti Nikolai Tolstoi, vdiq vetëm shtatë vjet më vonë, tezja e tyre u emërua kujdestarja e tyre ligjore. Kur tezja ndërroi jetë, Tolstoi dhe vëllezërit e motrat e tij u transferuan me një teze të dytë, në Kazan, Rusi. Megjithëse Tolstoi përjetoi shumë humbje në moshë të re, ai më vonë do të idealizonte kujtimet e tij të fëmijërisë në shkrimet e tij.
Gjatë periudhave të qeta, ndërsa Tolstoi ishte një junker në ushtri, ai punoi në një histori autobiografike të quajtur ‘Fëmijëria’. Në të, ai shkroi për kujtimet e tij më të bukura të fëmijërisë. Në 1852, Tolstoi e dorëzoi skicën në ‘The Contemporary’, revistën më të njohur të kohës. Historia u pranua me padurim dhe u bë vepra e parë e botuar e Tolstoit.
Pas përfundimit të fëmijërisë, Tolstoi filloi të shkruante për jetën e tij të përditshme në postin e ushtrisë në Kaukaz. Megjithatë, ai nuk e përfundoi veprën, të titulluar Kozakët, deri në vitin 1862, pasi kishte lënë tashmë ushtrinë.
Në vitin 1854, ai kompozoi ‘Boyhood’ një vazhdim i ‘Fëmijërisë’, libri i dytë në atë që do të bëhej trilogjia autobiografike e Tolstoit. Në mes të Luftës së Krimesë, Tolstoi shprehu gjithashtu pikëpamjet e tij mbi kontradiktat e habitshme të luftës përmes një serie tre-pjesëshe, Përrallat e Sevastopolit. Në librin e dytë “Përrallat e Sevastopolit”, Tolstoi eksperimentoi me një teknikë relativisht të re shkrimi: Një pjesë e tregimit paraqitet në formën e rrymës së vetëdijes së një ushtari.
Në vitin 1873, Tolstoi filloi të punonte për romanin e dytë më të njohur, Anna Karenina. Anna Karenina imagjinoi disa ngjarje biografike nga jeta e Tolstoit, siç ishte veçanërisht e dukshme në romancën e personazheve Kitty dhe Levin, marrëdhënia e të cilëve thuhet se i ngjan miqësisë së Tolstoit me gruan e tij.
Tolstoi vdiq më 20 nëntor 1910. Ai u varros në pasurinë e familjes, Yasnaya Polyana, në provincën Tula, ku Tolstoi kishte humbur kaq shumë njerëz të dashur, por kishte arritur të ndërtonte kujtime kaq të dashura dhe të qëndrueshme të fëmijërisë së tij./ KultPlus.com
Më 9 shtator 1946, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend.
Lëvizja qendrestare ishte e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë. Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe të banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, u mbajt një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër dhe në fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij.
Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm dhe do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, më datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen pas dreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë më 09.09.1946. Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta. Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli dokumente për këtë ngjarje historike, ku paraqitet një raport i Komitetit Qendror të Partisë mbi kryengritjen e Postribës. Në foto shfaqen anëtarë të çetave të Ballit Kombëtar, ndër ta edhe Jup Kazazi, një nga drejtuesit kryesorë të kësaj lëvizjeje./atsh/ KultPlus.com
Selena Gomez i është bashkuar emrave të tjerë të muzikës si Rihanna dhe Taylor Swift që kanë arritur një pasuri marramendëse dhe kanë fituar statusin e miliarderes.
Aktorja dhe këngëtarja 32-vjeçare ka grumbulluar një pasuri me vlerë 1.3 miliardë dollarë. Sipas “Bloomberg” të ardhurat e saj më të mëdha vijnë kryesisht nga kompania e saj e kozmetikës “Rare Beauty”, të cilën ajo e themeloi pesë vjet më parë.
Krahas të ardhurave të saj nga “Rare”, e cila renditet krahas kompanive të tjera të rëndësishme në kozmetikë, pjesa tjetër e vlerës së saj rrjedh nga paratë e bëra nga shitjet e albumeve, tureve, por edhe roleve të saj në filma.
Vetëm nga seriali i saj në Hulu, “Only Murders in the Building” ajo fitoi rreth 6 milionë dollarë për sezon.
Selena Gomez është personi i tretë më i ndjekur në Instagram, duke i mundësuar asaj bashkëpunime më brende ndërkombëtare si “Louis Vuitton”, “Coach” dhe “Puma”./Klan News/ KultPlus.com
Nëse madrilenët mburren me Puerta de Alcalá, në Alcalá de Henares Puerta de Madrid funksionon ende sot si një hyrje monumentale në qendrën historike. Ndoshta kjo portë nuk është aq e famshme sa ajo e kryeqytetit, por përveç rëndësisë së saj historike, ajo ka një vlerë të veçantë për kinefilët: Stanley Kubrick e rrethoi me qindra shtesa dhe e shndërroi në një hark romak për xhirimet e Spartakut.
Ky cep i Alcalá de Henares është një pikë fantastike për të kaluar muret e lashta mesjetare dhe për të hyrë në rrugët që i përkasin një kompleksi, të njohur si një vend i trashëgimisë botërore. Ka shumë fjalë që të vijnë menjëherë në mendje kur mendon për këtë vend, në komunitetin autonom të Madridit. Për shembull, universitet dhe komplutense, terma që aludojnë në dy momente kyçe në historinë lokale: themelimi i universitetit të Alcalá-s në kohën e mbretërve katolikë; dhe origjinën e tij të largët, në epokën romake.
Në fund të shekullit të parë para Krishtit, romakët themeluan Complutum, një vendbanim që u zhvillua me kalimin e kohës dhe mbetjet e të cilit janë ende të dukshme në jug të qytetit. Në qendër mund të vizitoni muzeun arkeologjik dhe paleontologjik i cili ruan shumë gjetje, duke përfshirë mozaikët e mëdhenj që zbukuronin shtëpitë. Kujtesa e asaj epoke të largët ngjallet edhe nga Via Complutense, e cila ende përdoret dhe që ndjek gjurmën e rrugës së lashtë romake që lidhte qytetet Augusta Emerita dhe Caesar Augusta, sot Merida dhe Zaragoza.
Ndër të tjera, rruga Complutense është e veshur me muret e lashta të Alcalá-s dhe dhjetëra skulptura bashkëkohore nga artistë si Eduardo Úrculo, Amadeo Gabino dhe Pablo Serrano, duke i dhënë jetë një dialogu artistik shumë sugjestionues, midis të shkuarës dhe së tashmes. Universiteti ishte dhe është ende elementi më i spikatur. Kardinali i fuqishëm Cisneros e themeloi atë në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë: universiteti i parë i studimeve humaniste në Spanjë, i cili favorizoi zhvillimin e të gjithë qytetit. Këtë rol universiteti e luan edhe sot, sepse popullsia studentore, me prejardhje shumë të larmishme, vazhdon të jetë e madhe.
Natyrisht, monumentet janë gjithashtu një shenjë dalluese e identitetit të Complutenses, duke filluar nga kolegji i San Ildefonsos. Duke vëzhguar fasadën e tij imponuese nga Plaza San Diego, zbulojmë disa skulptura që janë simbol i njohurive të dhëna në këtë qytet. Duke kapërcyer derën hyjmë në oborret e Santo Tomás de Villanuevas, të filozofëve dhe në atë tregjuhësh, rreth të cilit u shpërndanë klasat dhe dhomat, të cilat sot strehojnë rektoratin dhe shërbejnë si skenë për ngjarje të tilla si dhënia e çmimit Cervantes.
Vlen të përmendet gjithashtu kapela e San Ildefonsos, ku ndodhet mauzoleumi i kardinalit Cisneros. Kapela, megjithatë, është bosh: eshtrat e kardinalit gjenden në katedralen e afërt të Shën Justo dhe Pastor, një tempull me origjinë mesjetare, pamja aktuale e të cilit është kryesisht për shkak të rinovimit të promovuar nga vetë kardinali.
Në realitet, transformimi i dëshiruar nga Cisneros shkoi shumë përtej ndërtesave dhe monumenteve.Alcalá karakterizohet nga koncepti një qyteti total universitar: jo vetëm klasat u ndërtuan për të mbajtur leksione ose dhoma për të strehuar studentët, por edhe infrastrukturat për administrimin e universitetit dhe kujdesin për të sëmurët, dhe instituti kishte ligjet e veta specifike.
Fryma e komunitetit arsimor ende mbijeton dhe shumë fakultete mund të shihen të shpërndara rreth qendrës. Këta tempuj të dijes magjepsin fort, sepse zënë hapësira historike. Dega e arkitekturës, për shembull, është në manastirin e Shod Carmelites, ndërsa dega e ekonomisë është në kolegjin e San Francisco de Paula. Alcalá de Henares ia vlen të vizitohet vetëm për të marrë frymë në këtë atmosferë universitare.
Por ajo pret gjithashtu një atraksion tjetër që tërheq qindra turistë çdo ditë të vitit: vendlindja e Miguel de Cervantes, e cila është në Calle Mayor de Alcalá, rruga më e gjatë me portikë të dyfishtë në Spanjë. Miguel de Cervantes erdhi në botë në 1547 dhe kaloi vitet e tij të para këtu. Vendlindja e tij u restaurua pak kohë më parë për të rikrijuar kushtet e jetesës së një familjeje të pasur të kohës.
Rodrigo de Cervantes, babai i shkrimtarit të ardhshëm, ishte një kirurg që ndoshta erdhi në qytet për të punuar në spitalin e Antezanës, gjithashtu në Calle Mayor dhe ngjitur me shtëpinë. Vizita në shtëpinë e shkrimtarit është e detyrueshme dhe falas. Mobiljet historike dhe botimet e Don Kishotit nga periudha dhe gjuhë të ndryshme janë ekspozuar këtu. Fisniku mendjemprehtë dhe pronari i tij shpirtmirë kujdesen për mirëpritjen e vizitorëve.Skulpturat prej bronzi në madhësi reale të të dyve janë në një stol në Calle Mayor. Duket se ata po pushojnë pas shumë aventurash, teksa presin që pranë tyre të ulet ndonjë i panjohur, pasi janë kthyer në atraksionin më të fotografuar në qytet. / La Vanguardia/ KultPlus.com
Donald Trump, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, në zgjedhjet e 5 nëntorit, tha se Izraeli është “i dënuar” nëse zv.presidentja Kamala Harris zgjidhet si Presidente e SHBA.
“Nëse nuk i fitoj këto zgjedhje, Izraeli, me partneren Kamala Harris në krye të Shteteve të Bashkuara, është i dënuar. Izraeli është i dënuar.
Izraeli do të zhduket. Në një vit, dy vjet. Izraeli nuk do të ekzistojë më”, u tha Trump mbështetësve në Wisconsin.
Kandidati republikan pretendoi se ai është “i vetmi” që mund t’i japë fund kaosit në Lindjen e Mesme dhe të parandalojë Luftën e Tretë Botërore.
“E mira që dua për ne është të fitojmë, sepse përndryshe do të keni probleme siç nuk i kemi pasur kurrë më parë. Mund të jenë zgjedhjet tona të fundit”, tha ai.
Trump dhe Harris po përgatiten për debatin e tyre të parë, i cili do të zhvillohet të martën në Filadelfia dhe do të moderohet nga gazetarët e ABC News, David Muir dhe Lindsay Davis./BalkanWeb/ KultPlus.com
Dhoma ime është erëqetë, e përshpirtshme, një cigare, kaq mistike, saqë askush s’guxon të ngrejë qeranë ose të pyes për gruan time. Dje kur miza vdiq, unë kuptova pa kalendar, tetorin, një mësues vallëzimi që përkulet, ai don të më shesë mua tablo të vogla, të ndaluara. Për vizitë unë pres para derës. Posta ngjitet te xhami, jashtë, shiu lexon bashkë me mua. Brenda, dhoma ime është erëqetë, asnjë grindje mbi tapet, puthje të përpira nga orët, kurrë s’pengohemi, që të godasim gjurin, sepse gjithçka jepet, e përshpirtshme, një cigare, vertikalisht beson ajo, vertikalisht merimanga, një balancë, e ndjek pas çdo thellësi të madhe. Ne nuk do të dështojmë kurrë.
Ka dalë nga shtypi libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, botuar nga Admovere dhe Integra.
Lajmin e ka bërë të ditur publicisti Shkëlzen Gashi, i cili bën të ditur se libri në shqip, sërbisht e anglisht, e me 200 fotografi të fotografëve më të njohur të botës, gjendet në librarinë ‘Dukagjini’ në sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë dhe në ‘Prishtina Mall’.
Gjithashtu, mjetet nga shitja e librit do të përdoren për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999.
Ai tutje ka treguar se libraria ‘Dukagjini’ përqindjen e fitimit nga shitja e këtij libri e dhuron për krijimin e website-it për masakrat në Kosovë 1998-1999. / KultPlus.com
Shkodra vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota edhe gjatë muajit Shtator, duke dëshmuar se është një destinacion i preferuar për pushuesit që kërkojnë një përzierje të kulturës, historisë dhe natyrës.
“Jemi prej 3 orësh këtu dhe impresioni i parë është se është pjesa më e këndshme e Shqipërisë. Do rrimë të paktën 3 ditë dhe do të vizitojmë liqenin e Komanit”.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të qëndroj këtu një javë sepse shoku im nga Amerika jeton këtu”.
“Na pëlqen shumë Shqipëria, kishim 30 vite që donim ta shihnim”.
Liqeni i Shkodrës, Kalaja e Rozafës dhe qendra historike e qytetit janë disa nga pikat më të vizituara nga turistët, të cilët shijojnë edhe ushqimet tradicionale dhe mikpritjen e banorëve vendas.
“Shkodra është shumë interesante për t’u parë, ka shumë turistë”.
“Jam nga Gjermania. Këtu është kaq bukur dhe njerëzit janë kaq miqësorë. Ne absolutisht duam të vizitojmë sërish Shkodrën”.
“Na pëlqejnë njerëzit, na pëlqen panorama rreth Alpeve, na pëlqen çdo gjë. E nisëm turin në Prishtinë, Vizituam Prizrenin dhe Gjakovën dhe dje kemi ardhur këtu me varkë nga lumi i Shalës. Do rrimë dy javë dhe turin do ta përfundojmë në Berat. Grupi ynë është i gjithë nga Australia”.
Operatorët turistikë kanë vënë re një rritje të interesit nga turistët evropianë dhe rajonalë, të cilët e zgjedhin Shkodrën për pushime të shkurtra dhe të qeta.
Sipas të dhënave të fundit, hotelet dhe bujtinat lokale po punojnë me kapacitet të plotë./Tv Klan/ KultPlus.com
“Nuk mund ta mendoj ndonjë këngë tjetër me trajektore të tillë si ajo që ka ndodhur me ‘Hallelujah’”, ka thënë autori Alan Light që është marrë me kryeveprën e kudogjendur të Leonard Cohenit. “Kur mendoni për himnet universale globale, si ‘Imagine’ ose ‘Bridge Over Troubled Water’, ato ishin hite të menjëhershme. Por, ‘Hallelujah’ fillimisht u refuzua nga kompania diskografike dhe më pas, kur doli, tërësisht u injorua”.
Kështu vazhdon legjenda e këngës së Cohenit që ka mahnitur breza të tërë dëgjuesish, me një mistikë dhe peshë që e bën të veçantë në analet e historisë së muzikës. Ndoshta kjo është arsyeja se pse Lighti i sipërpërmendur e shkroi një libër të tërë për këtë këngë: veprën e vitit 2012, “The Holy Or the Broken: Leonard Cohen, Jeff Buckley dhe Unlikely Ascent of ‘Hallelujah’”. Është po ky libër që shërben si bazë për dokumentarin e ri “Hallelujah: Leonard Cohen, A Journey, A Song”, që u dha premierë në Festivalin e Filmit në Tribeca. Me regji dhe produksion nga Dayna Goldfine dhe Dan Geller, filmi ka qasje mikro dhe makro ndaj këngës dhe ndaj Cohenit, përfshirë vendet ku përkasin e që janë thellësisht të ndërthurura në kulturë.
“Me pak fjalë, Leonard Cohen ishte profet”, shpjegon Goldfine e cila së bashku me Gellerin ka krijuar karrierë të ngjeshur me regji të dokumentarëve që fokusohen në muzikë, përfshirë “Balets Russes” të vitit 2005 që flet për trupën ruse të baletit të fillimit të shekullit XX. “Leonardi ishte i njohur për shkrimin e përjetshëm dhe për poezinë e përjetshme që lundron përtej çdo epoke të caktuar”, ka thënë Goldfine. “I trajtoi brengat tona më të thella njerëzore, me dëshirën për lidhje dhe një lloj shprese, për transcendencë dhe njohje të vështirësive të jetës.”
Derisa “Hallelujah” mund të tingëllojë si standard i vjetër ose si ndonjë himn i lashtë i bartur nëpër shekuj, në fakt u shkrua në vitin 1983 duke e përdorur një tastierë të dobët elektrike, “Casio”. “Nuk ka ndonjë kompozitor tjetër si Coheni”, thotë Light për gjuhën që Coheni solli në artin e vet. “Qasja e tij ndaj gjuhës dhe ndaj zanatit duket ndryshe nga puna e kujtdo tjetër. Dhe, tingëllojnë si të rrënjosura në poezi dhe në letërsi, sepse fillimisht u shqua si poet dhe si romancier”. Cohen shkroi pa pushim, duke shkruar 180 vargje vetëm për këngën “Hallelujah” gjatë procesit të krijimit. Dramës së saj të qenësishme i shtohet vokali i thellë i versionit origjinal, me zërin e Cohenit që u thellua pas viteve të tëra të pirjes së duhanit.
Por, ishte “Columbia Records” – në një zgjedhje të ngjashme si “Decca Records” që dikur, më 1962, e refuzoi grupin e ri Beatles për një kontratë diskografike – ajo që merr vendimin se “Hallelujah” dhe albumi prej të cilit vinte, “Various Positions”, nuk e kishin trajtën komerciale që e kërkonin. Siç dëshmon dokumentari, Coheni u lëndua dhe albumi përfundimisht u publikua nga një kompani e pavarur. “Leonardi shihte me njëfarë habie dhe dëfrimi se si kjo këngë që ishte hedhur poshtë dhe që refuzua nga shtëpia e tij diskografike, nisi të bëhet kënga e tij identifikuese”, thotë Light për reagimin e Cohenit ndaj suksesit të mëvonshëm. “Foli disa herë se kishte ndjenja hakmarrjeje, por edhe drejtësie për mënyrën se si kënga u njoh dhe u vlerësua më vonë”. Versioni i Cohenit nuk u fut në listat e Billboard-it, deri në vdekjen e tij në vitin 2016, në moshën 82-vjeçare.
Sa i përket arsyes se pse “Hallelujah” arriti në këto lartësi, kjo është për shkak të llojllojshmërisë unike të versioneve, ngjarjeve kulturore dhe një cilësie të pakapshme që kënga pa dyshim posedon. Kërkojeni këngën sot në Spotify dhe është versioni nga Jeff Buckley, jo origjinali nga Coheni, ai që është në maje të kërkimit; çiftimi i temës mbërthyese të këngës në incizimin e papërpunuar nga Buckley më 1994, së bashku me vdekjen e kantautorit që u mbyt në ujë në moshën 30-vjeçare, shtojnë një shtresë tjetër në peshën e kësaj kënge. Versioni i tij u fut në regjistrin kombëtar të Bibliotekës së Kongresit më 2013. Pastaj është qasja e njohur nga John Cale, artisti i parë që e përpunoi këngën më 1991.
Por, çuditërisht, kudondodhja moderne e këngës mund të gjurmohet edhe në vendosjen e saj më të spikatur në “Shrek”, në filmin e dytë më fitimprurës të vitit 2001, që në mënyrë efektive e futi këngën “Hallelujah” në nivelet e larta të kulturës popullore (filmi përmban versionin nga Cale, ndërsa kolona zanore përfshin versionin nga Rufus Wainwright). Ndoshta ishte gjë e duhur që një komedi e animuar të nxis legjendën për Cohenin, duke pasur parasysh që, sipas Gellerit, keqkuptimi më i madh për vetë Cohenin është se ai fillimisht konsiderohej si këngëtar i errësirës dhe i fatkeqësive. “Në vend të kësaj, e hasëm një burrë që ishte me humor”, shpjegoi Geller. “Pothuajse gjithçka që ai tha doli me vezullim nga sytë e tij”.
Viteve të fundit, “Hallelujah” ka pasur dhjetëra paraqitje në televizione dhe në filma (nga “Scrubs” te “Zack Snyder’s Justice League”) dhe është kënduar nga të gjithë – nga Bob Dylan te Bono, nga Brandi Carlile te Il Divo. Komediania Kate McKinnon e këndoi në karakterin e Hillary Clintonit për të hapur episodin e parë të “Saturday Night Live” pas zgjedhjes së Donald Trumpit më 2016. Ndërkohë, Yolanda Adams e performoi në mënyrën e saj vitin e kaluar, në Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Covidit, në Memorialin Linkoln. E, të mos përmendim këtu bollëkun e konkurrentëve në garat e këngëve, që nga “The X Factor” e deri te “American Idol”, të cilët kënduan për rënien e molëve dhe të durëve, për mirë ose për keq.
“Është Test i Rorshahut”, thotë Light për interpretimet e ndryshme të teksteve të tij, përfshirë idenë se është menduar të jetë këngë e krishterë. Në realitet, siç tregon edhe filmi, Coheni ishte hebre. “Fjala ‘Hallelujah’ shfaqet nëpër fe dhe besime. Edhe pse qartësisht judaizmi i Leonardit informon aq shumë për atë që ai vendosi në këngë, janë njerëzit ata që marrin atë që nevojitet prej saj dhe atë që ata duan të jetë. Mendoj se kjo është arsyeja se pse luhet kudo, që nga dasmat e deri te funeralet dhe lindjet”. Geller shton për krijimtarinë muzikore të Cohenit: “I ka shumë të bukura këto tekste dhe aranzhime muzikore, që janë përtej kohës, që mund të mbijetojnë dhe të jenë të rëndësishme për audiencën e të gjitha moshave”.
Për filmbërësit, ishin pamjet e Cohenit duke kënduar këngën “Hallelujah” në skenë, gjatë një shfaqjeje në Oukland, në Kaliforni, që pjesërisht i frymëzoi të sajonin dokumentarin. “Thjesht nuk mund të ndaloja së menduari për këtë”, thotë Goldfine. “Është më shumë se një këngë. Është dokumentar për qendrën e dikujt, për rolin dhe vendin e dikujt në jetë”./ KultPlus.com
Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila. I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. Çfarë të bëj me gjëra të tilla, që mund t’i mbledhë kushdo?
E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu. Ajo që shpirti im e injoron është ajo që do të doja ta kisha këtu.
Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot vargje për të thënë atë që akoma nuk e di. E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë… Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…
Miq, bashkëpunëtorë, “buddies”, siç do të thoshin në rolet e tyre të Hollivudit. Brad Pitt dhe George Clooney – simbole seksuale të përjetshme edhe në moshën 60-vjeçare – pushtuan Festivalin e Filmit në Venecia me pamjen dhe miqësinë e tyre. Fakti që ata ishin bashkë e shumëfishoi karizmën e secilit në shkallën e n-të. Ishte rezultati që ata shpresonin të arrinin duke aktruar së bashku në komedinë Wolfs të Jon Watts, rikthimi i tyre i madh së bashku në ekranin e madh, 16 vjet pas “Burn After Reading” dhe 23 vjet pas “Ocean’s Eleven”.
Por realiteti e tejkaloi fantazinë. Nëse filmi, i shfaqur jashtë konkurrencës, ishte gjysmë bindës – sepse është i lezetshëm, por asgjë më shumë – ne pamë performancën e tyre më të mirë në tapetin e kuq. Së bashku na bënë të shijojmë karizmën e super yjeve, duke bërë shaka dhe ngacmime me njëri-tjetrin, duke treguar disponueshmërinë për publikun dhe më pas duke u hedhur me radhë në krahët e fotografëve.
Festivali i 81-të i Filmit në Venecia ishte gjithashtu mundësia që Brad Pitt të prezantonte zyrtarisht partneren e tij të re, stilisten e bizhuterive Ines de Ramon, e cila është 26 vjet më e re se ai. Sipas gazetave amerikane, të dy janë bashkë prej disa vitesh dhe prej muajit shkurt, edhe jetojnë në një shtëpi. Forca e tyre? Kanë mbështetur njëri-tjetrin gjatë divorceve respektive: ai nga Angelina Jolie dhe ajo nga aktori Paul Wesley.
NOSTALGJIA PËR SUPER ÇIFTIN
Megjithatë, në mendjen e shumëkujt mbetet imazhi, pikërisht në Lido, Brangelina parakaloi dorë për dore në vitin 2007 për të prezantuar versionin perëndimor të “Vrasja e Jesse James” nga Robert Ford. Në atë kohë ata ishin çifti më i bukur në botë dhe çdo dalje i bënte njerëzit të ëndërronim. Të paktën derisa ëndrra u kthye në një makth.
Që prej vitit 2016 të dy janë të mbërthyer në një divorc të ashpër, i cili ende nuk ka gjetur një zgjidhje gjyqësore. Gjithashtu në qendër të mosmarrëveshjes është pasuria e mrekullueshme në Provence, Chateau Miraval, ku Brad prodhon verë. Pikërisht aty, ai dhe partnerja e tij e re sapo kanë kaluar pjesën më të madhe të pushimeve verore. Fati deshi që në këtë edicion të ishte e ftuar edhe Angelina Jolie.
Diva zbarkoi në Lido për të prezantuar Maria – një film prekës për ditët e fundit të Callas – vetëm pak ditë para Brad, por organizimi i Bienales garantoi menjëherë që të dy nuk do të kryqëzoheshin as nga larg. Nuk është mister që Brad Pitt ende po kalon një moment kompleks në jetën e tij personale. Pak javë më parë doli lajmi se vajza e tij Shiloh, ajo që i ngjan si një pikë uji – çifti ka gjashtë fëmijë: tre të birësuar dhe tre natyralë – sapo mbushi 18 vjeç kërkoi në gjykatë të hiqte mbiemrin Pitt nga emri i saj.
Një vendim i marrë tashmë nga vëllezërit më të mëdhenj, të cilët akuzojnë babanë e tyre se është i dhunshëm dhe se e bën jetën në shtëpi ferr. Aktori tani thuhet se është i shkatërruar. Prapa fasadës së qeshur ka vuajtje të mëdha: Brad është një baba i mohuar. Pavarësisht nëse është faji i tij apo manipulimi i nënës, është ende një histori e tmerrshme.
Krejt e kundërta e asaj që ndodhi me George Clooney, i cili dhjetë vjet më parë, pasi deklaroi për një kohë të gjatë se asnjë grua nuk do ta shtynte të martohej, u martua me avokaten e specializuar në të drejtën ndërkombëtare Amal Alamuddin. Dhe u shndërrua në një familjar perfekt: në vitin 2017 lindën binjakët Ella dhe Alexander, të cilët dy prindërit përgjegjës i mbajnë larg vëmendjes (Brangelina nga ana tjetër i shfaqnin gjithmonë, pak si Ferragnez-ët dhe duken si kanë përfunduar).
GEORGE FOR PRESIDENT
Clooney fitoi prestigj duke u martuar me një grua si Amal, e angazhuar për të mbrojtur të drejtat e më të varfërve në gjykata në mbarë botën. Dhe ndërsa Brad dhe Ines u bënë më pak të disponueshëm në tapetin e kuq në Venecia (ata dolën nga makina së bashku, më pas ajo u largua), George dhe Amal iu ofruan fotografëve me gjithë monumentalitetin e tyre.
Amal është pa dyshim një nga femrat më të bukura dhe elegante që ka parakaluar në Lido këtë vit. Pak si Michelle Obama, ajo nuk është një grua që jeton nën prozhektorë, por shndërrin me një shkëlqim të sajin. Kjo është arsyeja pse Clooney është përfolur disa herë si një çift i mundshëm presidencial.
Vetëm javët e fundit ylli i kishte shkruar një letër të hapur New York Times për t’i kërkuar presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të bënte një hap prapa, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme në nëntor. Gjë të cilën Biden e bëri më pas, duke ia lënë kandidimin zëvendëses së tij, Kamala Harris. Festivali i Filmit ishte për Clooney mundësia për të folur për të. “Duhet shumë guxim për të lënë një pozicion të tillë pushteti,” i tha ai shtypit. Kështu që ju duhet të komplimentoni presidentin, jo mua. /bota.al/ KultPlus.com