146 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky ishte këndvështrimi i Mid’hat Frashërit

Më 10 qershor 1878 është themeluar Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Mid’hat Frashëri e ka trajtuar më se një herë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në disa këndvështrime: herë nën këqyrjen e filozofisë së historisë, herë nën prizmin e kritikës historike e herë si një parashtesë dokumentare, shkruante Dr. Uran Butka.

1. Nën këqyrjen e filozofisë historike

Filozofi Mid’hat Frashëri ngrihet në përgjithësime historike e filozofike, mbi ngjarjet dhe faktet historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Së pari, ai zbulon shkaqet historike të lindjes së Lidhjes Shqiptare:

“Për ta cilësuar këtë lëvizje si ndjenjë kombëtare dhe për ta konkretizuar atë në një koncept të qartë historik,shkruan Mid’hat Frashëri,-u desh tronditja e madhe e luftës ruso – turke e vitit 1877 – 1878 dhe traktatet e Shën Stefanit, që e pasuan atë. Në këto traktate, rajone të tjera të banuara nga shqiptarët ishin caktuar që të zgjeronin Serbinë dhe Malin e Zi ose të krijonin shtetin e ri bullgar. Më vonë ishte i njëjti problem, për t’ia lëshuar Greqisë, së bashku me Thesalinë edhe pjesën jugore të vilajetit të Janinës.

Për Shqipërinë ky ishte fillimi i copëtimit, pranim dhe pasojë e zhbërjes së Perandorisë Osmane, mbasi vetë Shqipëria nuk llogaritej si entitet etnik. Kjo mjaftonte për të reaguar; rreziku ishte tepër i madh dhe tepër i dukshëm: edhe një luftë tjetër fatkeqe për Turqinë dhe Shqipëria do të zhdukej bashkë me perandorinë e krijuar nga pasardhësit e osmanlinjve. Pra, duhej shpëtuar ngarkesa e saj e vogël dhe të mos lihej të tërhiqej nga anija, e cila po fundosej. Goditja u ndje dhe ndodhi reagimi”. (L.Skëndo, Rilindja Shqiptare, Lozanë, 1919) Për pasojë, “përballë rrezikut, që u kanosej, shqiptarët u zgjuan dhe vepruan energjikisht.

Sigurisht, erdhi koha për këtë. Kongresi i Berlinit dhe rreziku i copëtimit. Dhe u organizuan disa mbledhje për të rënë dakord lidhur me masat që duheshin marrë. U mbajtën mbledhje si në veri, edhe në jug dhe qendrat kryesore ishin Preveza, Janina, Shkodra, Prizreni e qendra të tjera të dorës së dytë dhe pak nga pak në të gjithë qytetet. Mbledhjet në veri kishin si synim të drejtpërdrejtë të parandalonin ndarjen nga Shqipëria e Guxisë, Plavës, Nishit, Vranjës dhe Kurshumlijes.

Mbledhjet e jugut duhet të shmangnin rrezikun nga ana e Greqisë”, – argumentonte Mid’hati dhe konkludonte: “Konfliktet që shqiptarët kanë pasur me fqinjët, të cilët kërcënonin bazën e ekzistencës së Shqipërisë, nuk kanë qenë aspak konflikte fetare, as edhe një konflikt i rëndomtë kaçakësh, por rrjedhojë e natyrshme e një lufte midis një populli që dëshiron të jetë i lirë në shtëpinë e vet dhe pushtuesve të panginjur ballkanikë. Shqiptari, para se të jetë katolik, mysliman apo ortodoks, është shqiptar”, thekson ai. (Shqiptarë dhe sllavë, Lozanë, 1919) Midhati zbulon thelbin dhe shfaqjen e përpjekjes së Lidhjes së Prizrenit: “Qëllimi i vërtetë i ndjekur nga Komiteti i Lidhjes ishte ta shpëtonte vendin nga copëtimi, të bënte që të njihej e të pranohej ekzistenca e një Shqipërie dhe e një kombi shqiptar”. Si rrjedhojë, kjo përpjekje nuk ishte lokale apo lëvizje e një prijësi të caktuar, por u kthye në një lëvizje të përgjithshme, në një aspiratë kombëtare dhe këtu qëndron edhe rëndësia e saj kryesore, për në atë kohë dhe për të ardhmen.

“Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transformohej në një aksion diplomatik; brenga e thjeshtë dhe instinktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombetare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët…

Për shumë njerëz, Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijën e tij, sidomos në shekullin e nëntëmbëdhjetë, me Ali Tepelenën dhe Bushatlliun, si edhe më pas tyre. Por ndryshimi qëndron në pikën që në këto lëvizje ishte për shtytkë iniciale aktiviteti i një njeriu të vetëm, duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojshme prej rrethanave të ditës; këtë radhë iniciativa merrej prej popullit dhe qëllimi ndehej mbi tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit, si edhe mbi kohën e ardhme”. (Lidhja e Prizrenit, rev. “Diturija”, 1928) Si filozof i historisë, Mid’hati arsyeton: “Një veprim, një përpjekje, është kurdoherë pjellore, është lindja dhe nisja e një ekzistence së re, edhe në qoftë se nuk rrëfehet sish një rezultat imediat. Në këtë botë, sforcimi për t’arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë.

Një luftim i sotëm është kapitali i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë, që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje. Kështu, Lidhja e Prizrenit, tërë duke pasur si pemë shpëtimin e Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatiste jetën tonë kombiare, t’u jepte një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më të kuptimtë, në formë të caktuar; që atëherë merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar për fjalën Shqipëri; mbryhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar.

Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj nga njëri-tjetri, nisën të njësohen e të ndihen solidarë. Me një fjalë, fisi bëhet komb. Shqipëria e kuptoi se më nuk e shpëtonte dot veten e saj pa kërkuar dhe ajo të drejtat në emër të kombësisë, në emër të një mëmëdheu, të një kombi”. (Po aty). Ai çmon si kushtimin e Veriut, ashtu edhe koshiencën e Jugut e mbi të gjitha veprimin e tyre të përbashkët, karakterin e përgjithshëm panshqiptar të Lëvizjes:

“Këtu shfaqet për ne influenca e degës jugore. Në Prizren, populli kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë luftarake të tij, i bazonte shpresat mbi forcën e numrit dhe mbi të drejtën e pronës. Jugu, më pak i fortë, po më koshient për të drejtat si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj, që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Këtu fillon për ne rëndësia dhe vlera e Lidhjes së Prizrenit dhe këtu nis shërbimi i vërtetë i Abdyl Frashërit. Kjo influencë e delegatit të Jugut u manifestua në një mënyrë më definitive, duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, të përgjithshëm, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e rivendikimeve lokale për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mendimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për Jugun, si dhe për Veriun, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe për çdo individ, që fliste gjuhën shqipe. Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe kuptohet vetiu se bima e re do të zhvillohej me gjithë ngjyrat e saj: nga e sotmja në të ardhmen ishte një i vetëm çap për t’u bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokuponte Lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhej siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut, duke e bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njiheshin të drejtat e tyre, të respektoheshin në një mënyrë baras me të drejtat e atyre popujve, në favor të të cilëve kërkohej të shqyhej trualli shqiptar”.

M.Frashëri mendon se çdo përparim i një populli dhe i një vendi vjen nga idetë e përparuara dhe vullneti për t’i vënë në jetë ato. Nuk është e rastit që Lidhja Shqiptare e Prizrenit lindi e kulmoi thuajse në të njëjtën kohë me Rilindjen tonë Kombëtare, me idetë e saj dhe me veprimtarinë e rilindësve, veçanërisht të Abdyl Frashërit, i cili në fund të vitit 1877 u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare (Komiteti i Stambollit), që dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike, që adoptoi edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku Abdyli u shqua si udhëheqës dhe diplomat i shquar i saj.

Midhat Frashëri konkludon se Lëvizja për autonomi e mandej për shkëputje nga Turqia, “kjo mbryjtje e shpirtit dhe e dëshirave të shqiptarëve, krijimi i këtij karakteri të ri, nuk bëhej dot pa një platformë kombëtare siç ishte Rilindja, pa një edukatë këmbëngulëse dhe të gjatë, bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për ne krijimi i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur, si një patois, e shikuar jo si një vegël qytetërimi, po mbase si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit, nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’ kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga Shoqëria e të Shtypurit shkronja shqip, lindur nga Lëvizja e Lidhjes së Prizrenit”.

Dhe Mid’hat Frashëri sintetizon: “Pikërisht për këtë arsye, viti 1878 duhet konsideruar si fillimi i rilindjes intelektuale të shqiptarëve, ashtu sikurse ishte fillimi i rilindjes politike Lidhja e Prizrenit”.

2. Në prizmin e kritikës, por edhe të meditimit të tij origjinal

Mid’hati bën një analizë kritike mbi vepra të autorëve shqiptarë e të huaj për Lidhjen e Prizrenit, por jep edhe mendimet, argumentet dhe vlerësimet e tij ndryshe e krejt origjinale.

“Gjer më sot rëndësia e Ligës ka mbetur e panjohur nga shkaku se askush s’e ka studiuar në tërësi të saj; çdo autor e ka parë vetëm mënjanë.
Kështu, për shembull, publicisti Spiridion Gopçeviq, në librin e tij “Oberalbanien und seine Liga” (Leipzig, 1880) e shikon Lidhjen vetëm në përpjekjen për nga ana e detit dhe pothuaj nuk di çfarë ngjau matanë kufirit të malësive. Kjo injorancë e autorit dhe armiqësia e tij për kombin shqiptar (Gopçeviqi është i njohur si një sllav shoven dhe me urrejtjen e tij kundër shqiptarëve) e bëjnë autorin që të mos thotë gjithë sa duhej mbi Lidhjen Patriotike”.( Liga e Prizrenit).

Mid’hati merr në shqyrtim edhe librin “Histori e Shqipërisë” prej K.A. Çekrezit, që ngërthen edhe kapitullin “Formimi i Ligës së Prizrendit”. “Për fat të keq,-shkruan M.Frashëri,-nuk gjejmë dot një lëndë kënaqëse, sado që autori e quan ‘këtë lidhje të besës shqiptare, nisje e lëvizjes së kthjellët kombëtare’, por, pa na thënë ç’janë veprat, ç’kanë qenë aspiratat, ç’rezultate arriti dhe ç’dëshirë e shtynte për të pritmin”. Ai bën një analizë kritike edhe mbi librin e Kristo Dakos mbi Lidhjen e Prizrenit, po ashtu edhe të disa autorëve të tjerë, duke polemizuar me argumente politike, historike dhe filozofike. Ndryshe nga ata studiues që kritikojnë kërkesën për autonomi të Lidhjes apo të atyre që thonë se Lidhja ishte një lëvizje për pavarësi, Mid’hat Frashëri e shikon këtë Lëvizje në kushtet dhe mundësitë e asaj kohe kur ndodhi.

Ai shprehet se së pari Lidhja kishte si qëllim kundërqëndrimin ndaj pretendimeve të fqinjëve, kundërshtimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit për copëtimin e tokës shqiptare dhe qenies shqiptare, si rrjedhim i zgjimit të ndjenjës kombëtare.

“Mbi këtë pikë,-thotë Mid’hati,-nis shërbimi i dytë i Lidhjes. Veprimtaria politike e Lidhjes se Prizrenit ndoqi një program për autonominë, që duhej të fillonte me bashkimin administrativ të katër vilajeteve të Turqisë europiane të vjetër (Janina, Manastiri, Shkupi, Shkodra), në një vilajet të vetëm me kryeqendër Manastirin dhe shqipen si gjuhë zyrtare. Bëhet fjalë për krijimin e një atdheu brenda kufijve të vetë etnikë”. Bëjmë të ditur,-thotë Frashëri,-se shqiptarët nuk kanë formuluar kurrë pretendime mbi krahinat e banuara nga grekë dhe sllavë të këtyre vilajeteve. Rivendikimet shqiptare kanë synuar vetëm rrethet e banuara tërësisht prej shqiptarësh). (L.Skendo, Rivendukimet shqiptare, Lozanë 1919).

Me këtë reformë do të bashkohej kombi shqiptar nën një administratë dhe do t’i vihej një kufi Shqipërisë, një kufi i njohur zyrtarisht, i cili në një copëtim tjetër të Turqisë, të mund të shpëtonte të drejtat e kombit të vogël dhe të mëvehtësohej. “Një përpjekje për kombësi, larg zënkave dhe ambicieve personale, një luftë thjesht patriotike për Shqipërinë, për Shqipërinë e bashkuar dhe jo për regjionalizëm, ishte një gjë e pashembullt në historinë e popullit shqiptar”,-thekson M.Frashëri.

Sipas tij: “Autonomia, pa dyshim, me kohë do të përfundonte me independencë”, nënvizon ai. Pra, autonomia si hap të parë i Pavarësisë. Kjo kërkesë dhe kjo frymë e shtoi edhe njëherë akoma mosbesimin dhe shqetësimin e Turqisë, mandej edhe armiqësimin e saj ndaj Lidhjes.

“Sulltan Hamiti dhe njerëzit e tij,-shkruan Mid’hati,-e kishin toleruar e mbrojtur Ligën aq sa të kufizohej në mbrojtjen e kufijve të Turqisë, por kur ky bashkim u zgjat nga Kosova në Prevezë dhe nga Shkodra në Manastir, kur shqiptarët e fuqizuar kërkonin edhe autonominë, atëherë kundërshtimi i Portës së Lartë u zgjua. Mbase dhe këshillat e Rusisë, përpjekjet e Patrikanës Ortodokse s’qenë të huaja në masat që do të merrte Turqia. Sulltan Hamiti donte shkatërrimin e Ligës së Prizrenit. Mentaliteti turk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të përbashkët dhe një bashkim të shqiptarëve; politika e sulltanit qe bazuar mbi ndarje dhe përçarje.

Shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmin ndërmjet toskëve dhe gegëve, të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftonin për shtëpitë dhe kullotat e tyre, po jo për një entitet moral, që i thonë mëmëdhe” .

Kështu që, “një njeri i zoti, dinak, energjik dhe fare pa skrupull, Dervish Pasha, biri i një prifti bullgar prej Lofshe dhe i blerë, thonë, prej sllavëve, do të shërbente dëshirën e të zotit. Duhej dobësuar më parë Liga së brendshmi dhe kjo nuk do të qe gjë e rëndë”, mandej edhe me forcën e armëve.

“Lidhja pushoi së ekzistuari, veprimtaria e Lidhjes nuk ishte e vetëmjaftueshme, nxjerr mësimet M.Frashëri, – por ajo kishte funksionuar për dy vjet, duke dhënë fizionominë e një administrate autonome, duke krijuar një milici të vogël dhe një buxhet – gjë që është edhe më e rëndësishme – duke krijuar shkakun për të forcuar ndjenjën dhe ndërgjegjen për një nacionalizëm të kristalizuar, duke e kthyer një gjë të vogël e të pandërgjegjshme, në diçka të qartë e të ndërgjegjshme”.

3. Trajtimi i Lidhjes mbi bazën e dokumenteve
M. Frashëri kërkon në arkivat e shteteve të huaja, mbledh dokumente dhe hulumton për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Ai u rekomandon edhe studiuesve të tjerë se ku gjenden dhe ku mund të gjenden dokumentet, si te studimi “Lidhja e Prizrenit-Mbledhja e dokumenteve” , “Burime te historisë shqiptare”, 25 vjet më parë” etj. … Për mungesë kohe, nuk po i përmend këto arkiva, por po citoj vetëm dy burime arkivore, që i ka hulumtuar ai vetë: “Autori i këtyre radhëve mundi vetëm të shoshitë koleksionin e gazetës turqisht Terxhuman-i-Shark, që e ka botuar Sami bej Frashëri, vëllai më i vogël i Abdylit në Stamboll, që nga data 10 (22 qershor) 1878 gjer më 24 tetor (5 nëntor 1878); censura turke e ndaloi 20 ditë ditaren. Kjo gazetë, pa dyshim, ka një rëndësi të madhe.

Fakti tjetër që vetë Mid’hati zbuloi në Arkivin e Vjenës Memorandumin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1879, drejtuar Fuqive të Mëdha nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni. Madje, e përktheu atë nga frëngjishtja dhe e botoi te “Kalendari Kombiar” i vitit 1903, nën titullin “25 vjet më parë”, ku edhe nxjerr përfundimet: “Pemët e këtyre lëvizjeve, q’u bënë njëzet e pesë vjet më parë në Shqipëri, janë disa llojesh:

1. E para dhe më e dobishmja ishte që u dëgjua në tërë Shqipërinë që po bëhej një lëvizje kombëtare për shpëtimin e mëmëdheut; veç kësaj, meqenëqë mbledhjet bëheshin në tërë Shqipërinë, një afrim u bë ndërmjet toskëve, gegëve, myslimanëve e të krishterëve; me një fjalë u hapën pak mendjet dhe veprimet e përbashkëta.

2. Do nga telegrafët q’u hoqën, do nga vajtja e të dy të dërguarve n’Evropë, do nga Liga e Prizrenit, u ndalua dhënia e Janinës te Greqia; u ndalua dhe dhënia e Gucisë dhe e Plavës te Mali i Zi, po në vend të këtyre dy krahinave, u dha Ulqini. 3. U dëgjua pak edhe në botën e qytetëruar që paska një Shqipëri, e cila kërkonte të rronte. Këtu hapim një kllapë: kur u poqën të dërguarit e Shqipërisë në Paris me Vadingtonin, ky i pyeti pse nuk duan që të bashkohet Janina me Greqinë, apo u pëlqen të rrojë nën turkun.

“Jo,- u përgjigjën Abdyli me Mehmet Aliun, – nuk na pëlqen turku, po kemi shpresë që dhe ne një ditë të bëhemi më vete dhe të rrojmë si njerëz”. Për këtë, ministri i Francës u shtrëngoi dorën të dy shqiptarëve, duke thënë: “paskëtaj do jem dhe unë më tepër shqiptar se ju!”. Me këtë s’duam të themi se Vadingtoni vdiq shqiptar, po që fjala me mend dhe e drejtë mbetet”.( Lumo Skendo, “Kalendari Kombiar”, 1903)./ KultPlus.com

Tony Blair sot në Kosovë

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair sot do të qëndrojë në Kosovë. Ai pritet të takojë liderët shtetërorë si dhe të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Blair në orën 09:00 do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Blair do të deklarohen për medie.

Në orën 10:10 Blair do të takojë kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca. Pas këtij takimi në orën 10:25 Blair do të marrë pjesë në seancën solemne ku do t’u adresohet deputetëve.

Në 10 e 45 Blair do të takojë edhe kryeministrin e Albin Kurti.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, në 12:30 do të takohet me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Me këtë rast, atij do t’i ndahet “Çelësi i qytetit”.

Ndërkohë që në orën 13:00 mbahet ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Kryeqytetit” për Tony Blair./KulPlus.com

Rama: Shtigjet e Shkallnurit, anë tjetër e potencialit turistik të Durrësit

Kryeministri Rama ndau sot pamje nga shtigjet e bukura natyrore në kodrat e Shkallnurit, në Rrashbull të Durrësit, të cilat janë kthyer në një atraksion turistik për të apasionuarit e turizmit të ecjes, natyrës dhe aventurës.

Rama shkruan se itinerari është me gjatësi 10.4 km dhe mund të përshkohet në këmbë.

“Këto janë shtigjet e bukura natyrore në kodrat e Shkallnurit, në Rrashbull të Durrësit, një itinerar me gjatësi 10.4 km që mund të përshkohet në këmbë dhe që zbulon një anë tjetër të potencialit turistik të Durrësit, krahas detit dhe pjesës historike të tij”, shkruan Rama.

Kodrat e Shkallnurit ofrojnë një peizazh të bukur dhe janë të njohura për bukuritë natyrore dhe pamjet panoramike. Kodrat janë një destinacion i popullarizuar për aktivitete të ndryshme në natyrë, si ecje, piknik dhe shëtitje me biçikleta. Afërsia e tyre me bregdetin e Durrësit ia shton vlerën turistike kësaj zone.

Kodrat e Shkallnurit ofrojnë mundësi të shkëlqyera për ecje dhe hiking, me shtigje që të çojnë përmes peizazheve të gjelbra dhe pamjeve të mrekullueshme. Zonat e hapura dhe natyrore janë ideale për piknik dhe kampe, duke ofruar vende të qeta dhe çlodhëse, larg nga qyteti. Terreni kodrinor i Shkallnurit është ideal për çiklizëm malor, duke ofruar një përvojë sfiduese dhe argëtuese.

Po ashtu, afërsia me Durrësin e bën këtë zonë lehtësisht më të arritshme dhe mund të jetë pjesë e një itinerari mes turizmit të natyrës, ecjes dhe atij kulturor, detar etj./atsh/ KultPlus.com

Begaj në Pilur: Tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike

Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, ishte i pranishëm në festivalin folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”, që u zhvillua në Pilur të Vlorës, në sofrën që pret çdo vit këngëtarë, instrumentistë, valltarë dhe krijues nga të gjitha viset shqiptare.

Kreu i Shtetit, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, artistëve pjesmarrës dhe banorëve të Pilurit, vlerësoi këtë traditë folklorike të frymëzuar nga “Nderi i kombit”, poeti dhe këngëtari Lefter Çipa, dhe të pasuar nga “Mjeshtri i madh”, poeti tjetër i familjes isopolifonike, Kristo Çipa, i cili çdo edicion sjell grupe të reja polifonike dhe interpretues të rinj.

“Në Pilur kënga është institucion dhe shpirti juaj krijues është një akademi natyrale”, – u shpreh Presidenti Begaj ndërsa rikujtoi figurat emblematike të isopolifonisë që, sipas tij, kanë lënë pas një thesar unik të pavdekshëm, një pasuri botërore dhe në këtë mënyrë do të mbeten në kujtesën artistike të vendit, të institucioneve të trashëgimisë dhe të artit kombëtar.

“Talenti dhe forca e madhe interpretuese në mishërim të papërsëritshëm me tekstet e këngëve tuaja kanë ndikuar fuqishëm në formimin e ndërgjegjes patriotike e atdhetare të brezave njerëzorë të këtyre trevave, bregdetit, Himarës, labërisë dhe hapësirës sonë kombëtare”, – u shpreh Presidenti i Republikës, i cili e vlerësoi këtë festival si një provë të fisme të vijimit të traditës dhe besnikërisë ndaj trashëgimisë pilurjote.

Veç pasurisë shpirtërore të përcjellë përmes isopolifonisë apo “këngëvë vençe”, sic i quajnë pilurjotët, Presidenti Begaj theksoi, gjithashtu, kontributin patriotik të burrave që ka nxjerrë ky fshat ndër breza.

“Ndërgjegjja juaj patriotike, dashuria dhe respekti evident për simbolet dhe vlerat identitare kombëtare janë një shembull dhe krenari për shumëkënd”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

Kreu i Shtetit u ofroi pilurjotëve mbështetjen e tij për të ruajtur, forcuar dhe trashëguar këto vlera, të cilat janë bërë të ditura botërisht.

“Jeni ndër të parët që turizmit tuaj malor dhe piktoresk i keni bashkëngjitur edhe vlerën kulturore, atë të riteve dhe të trashëgimisë”, – vlerësoi Presidenti Begaj duke iu referuar promovimit që banorët e Pilurit po i bëjnë traditës unike dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.

Ngrohsija e diellit

Poezi nga Martin Camaj

Ngrohsija e diellit shkrihet
në shkambijt e Korbit,
mbi fshatin arbresh.
Në parzëm më hynë dy rreze.
Pemët vjeshtore zverdhen
mbi kryet e vashës nën tandë,
e flet me tjerë arbresh.
Në parzëm më hynë dy rreze.
E ka në gojë tash e parë mall
dhe fjala mall fluturoi me voré
kah qielli i ndritun i Jugut
e në parzëm më hynë dy rreze.

Java Kulturore e Izraelit, Gonxhja: Seri aktivitetesh fantastike

Java Kulturore e Izraelit çelet sot në Tiranë dhe do të vijojë deri më datën 13 qershor, me një diversitet aktivitetesh ku përfshihen koncerte, ekspozita, shfaqje filmash e deri tek shija e kuzhinës izraelite, që vjen përmes eventit dedikuar kulinarinë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjete sociale imazhet e videos dedikuar promovimit të “Javsë Kulturore të Izraelit”, teksa shkroi se nga “data 9- 13 qershor një mundësi e veçantë për t’u zhytur në kulturën e pasur dhe të larmishme të Izraelit me një seri aktivitetesh fantastike”.

Shfaqje filmash, workshop-e artistike, performanca artistike, ekspozita dhe festë janë disa nga eventet që do të zhvillohen gjatë kësaj jave dedikuar kulturës së Izraelit.

Gonxhja ftoi qytetarët që ti bashkohen fetës dhe të përjetojnë magjinë e kulturës izraelite në të gjitha format e saj që do të krijojë kujtime të paharrueshme./atsh/ KultPlus.com

‘Bella Ciao’, kënga italiane si himn i lirisë dhe rezistencës (VIDEO)

“Bella ciao” është një këngë popullore  – protestë italiane që buronte nga vështirësitë e grave punëtore të shtresave më të ulëta, punëtorët e fushës “paddy field” në fund të shekullit XIX që e kënduan për të protestuar kundër punës së ashpër në fushat me gjelbërim të Italisë së Veriut, shkruan KultPlus.

Kënga u modifikua dhe u miratua si një himn i rezistencës antifashiste nga partizanët italianë midis 1943 dhe 1945 gjatë Rezistencës Italiane, rezistencës së partizanëve italianë kundër forcave naziste gjermane që pushtuan Italinë, gjatë Luftës Civile Italiane, dhe luftës partizane italiane kundër Republikës Socialiste Fashiste Italiane dhe aleatëve të saj nazistë gjermanë. Vargjet e “Bella ciao” këndohen në të gjithë botën si një himn antifashist i lirisë dhe rezistencës.

Kësaj kënge shumë njerëz i janë rikthyer edhe përmes serialit të famshëm “La Casa de Papel” ku kënga përdoret si himn i rezistencës.

Teksti i plotë i këngës në gjuhën italiane:

Una mattina mi sono svegliato,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

Una mattina mi sono svegliato,

e ho trovato l’invasor.

O partigiano, portami via,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

O partigiano, portami via,

ché mi sento di morir.

E se io muoio da partigiano,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

E se io muoio da partigiano,

tu mi devi seppellir.

E seppellire lassù in montagna,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

E seppellire lassù in montagna,

sotto l’ombra di un bel fior.

Tutte le genti che passeranno,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

Tutte le genti che passeranno,

Mi diranno «Che bel fior!»

«È questo il fiore del partigiano»,

o bella, ciao! bella, ciao! bella, ciao, ciao, ciao!

‘Këmbëngulja do t’ju ndihmojë të arrini gjithçka, qoftë ajo diçka e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe’

Vetë emri i manjatit të naftës John Rockefeller është sinonim i pasurisë dhe suksesit. Ai e bëri pasurinë e tij duke mos filluar me asgjë; më vonë, ai do të fillonte të dhuronte vazhdimisht një pjesë të pasurisë së tij për bamirësi.

Kjo është lista me 17 parime për jetën nga John Rockefeller, të cilat e ndihmuan atë të arrijë lartësi të tilla suksesi – dhe pasurimi njerëzor.

Gjithmonë synoni ta shndërroni çdo katastrofë në një mundësi.

Mos kini frikë nga shpenzimet e mëdha, por nga të ardhurat e vogla.

Personi që punon gjatë gjithë ditës nuk ka kohë për të fituar para.

Mirëqenia juaj varet nga vendimet tuaja.

Nëse qëllimi juaj i vetëm është të bëheni të pasur, nuk do ta arrini kurrë.

Një miqësi e themeluar në biznes është më e mirë se një biznes i themeluar në miqësi.

A e dini të vetmen gjë që më jep kënaqësi? Të është që dividentët duke hyrë.

Përveç bërjes së gjësë së duhur, gjëja më e rëndësishme është t’ua bësh të ditur njerëzve se po bën gjënë e duhur.

Unë preferoj të punësoj një njeri me entuziazëm sesa një njeri që di gjithçka.

Menaxhimi i mirë nuk është tjetër vetëm aftësia për t’u treguar punonjësve mesatarë se si të bëjnë punën e njerëzve shumë më lart se ata.

Këmbëngulja do t’ju ndihmojë të arrini gjithçka, qoftë ajo diçka e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe.

Askush nuk e di se kush do të jetë në këtë jetë, por është gjithmonë e rëndësishme të mbani mend se keni lindur për diçka të veçantë.

Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira që të shkosh për shumë më të mirën.

Ju mund të jepni llogari për të gjitha milionat që keni fituar, përveç atij të parit.

Krijoni një reputacion i cili më vonë do të funksionojë në favorin tuaj.

Aftësia për t’u marrë me njerëzit është një produkt po aq i blershëm sa sheqeri ose kafeja.

Dhe unë do të paguaj më shumë për këtë aftësi.

Nuk mendoj se ka ndonjë cilësi tjetër kaq thelbësore për suksesin e çfarëdo lloji, sesa cilësia e këmbënguljes. Ajo kapërcen pothuajse gjithçka, madje edhe natyrën. / KultPlus.com

‘Sa plaga ime e fshehur i thellë je o det’

Poezi nga Din Mehmeti

Kënga

Sa plaga ime e fshehur
i thellë je o det

Unë jam një mijë herë nisje
nga gjaku im i ndjekur
nepër botë
e prapë i mbetur pas kodrës
e pas jetës për atë këngë

e prap e pamundura
në mendime si ditën
e djegur për ate fjalë

o det, o det!
varkat ikën
peshqit ikën
e shkëmbi me plis të bardhë
numëron tufantet
e prap e bukura plagë … / KultPlus.com

‘Se syt e tu të gjelbër e dinë më mirë, sa të dua’ (VIDEO)

E shkëlqyer ajo ka qenë në interpretimet në muzikën popullore dhe në opera, por Nexhmije Pagarusha bëri karrierë të suksesshme edhe si aktore, në film dhe në teatër.

Janë rreth 150 këngë që ajo i ka interpretuar, mes tyre “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi.

Sot po e kujtojmë këngën e saj “Vet ke mbet”, një lirikë e pastër e cila shpërfaq ndjenja melankolie të cilat i përçon tek publiku Nexhmije Pagarusha me zërin e saj unik, të papërsëritshëm. / KultPlus.com

Në Mirash të Ferizajt do të hapet ekspozita ‘Një rrëfim mbi të gjelbër’

Artistja Blerta Hashani do të hapë ekspozitën “Një rrëfim mbi të gjelbër” në Mullirin e Nazifit, që gjendet në fshatin Mirash të komunës së Ferizajt. Kurator i kësaj ekspozite është Alex Fisher nga Buffalo i Nju Jorkut.

Hapja do të bëhet nga ora 13:00-16:00 të shtunën, më 15 qershor.

Ekspozita nis me pyetjen: Çfarë ndodh kur arti përjetohet në mjedisin që frymëzon krijimin e tij? Kjo ekspozitë paraqet punë të reja dhe jo të njohura nga Blerta Hashani dhe do të vendoset pranë dhe përreth Mullirit të Nazifit në Mirash, një fshat në komunën e Ferizajt.

Kjo ekspozitë shënon herën e parë që artistja paraqet punë në një vend që ajo dhe familja e saj e konsiderojnë shtëpi për gjenerata të tëra.

Ekspozita është e kuruar nga Alex Fisher dhe paraqet piktura në pëlhurë (jutë), punime në letër dhe një kolazh, punë e cila shquhet si më personalja e artistes deri më tani.

Ekspozita shoqërohet me një program publik që përfshin një bisedë me artisten dhe një punëtori nxënësit e shkollës fillore. Duke marrë shkas prej virtyteve të programit, Hashani përkrah decentralizimin e kulturës bashkëkohore duke ndarë pasionin e saj për të mundësuar rritjen e pjesëmarrjes në aktivitete dhe praktika artistike.

Një rrëfim mbi të gjelbër organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, Komunën e Ferizajt dhe Hajde! Foundation.No description available.

Presidentja për Shkurte Fejzën: Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, u shndërrua në zërin e lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë për këngëtaren e shquar shqiptare, Shkurte Fejzën se për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare.

Tutje, e para e vendit tha se në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës, duke u bërë zëri i lirisë.

Kështu u shpreh presidentja në “Facebook” në rastin e 50-vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës.

“Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë. Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë! Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani.

Kryeparlamentari Konjufca: Veprimtaria artistike e Shkurte Fejzës është arkiv i rrallë që artikulon dhimbjet kolektive të popullit tonë

Mbrëmë këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, për nder të 50 vjetorit të karrierës së saj e ka mbajtur një koncert.

Në mesin e personaliteteve, i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Ai u shpreh tejet i emocionuar për koncertin.

Konjufca tha se veprimtaria artistike e Fejzës, është arkiv i rrallë që artikulon dhimbjet kolektive të popullit.

“dramat dhe tragjeditë, përpjekjet sublime, rezistencën, luftën, heronjtë e dëshmorët, guximin, ëndrrat, shpresën dhe aspiratat tona që vijnë nga e shkuara dhe synojnë nga e ardhmja shpresëplotë. Shkurte Fejza i dha melodi në mënyrë mjeshtërore ngjarjeve dhe ndjenjave tona të përbashkëta”, tha ai.

“Duke e falënderuar për emocionet që na solli dhe na ka dhënë gjithë këto vite, Shkurte Fejzës i uroj që të vazhdojë edhe më tutje dhe me sukses punën e saj, që tashmë përbën kontribut të pakrahasueshëm”, tha Konjufca.

Shpallen çmimet e panairit të librit në Prishtinë

Në ambientet e panairit u ndanë sot çmimet tradicionale të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, për panairin e 24-t të librit “Prishtina 2024”.

Juria me përbërje Majlinda Rama, kryetare, Behar Gjoka anëtar dhe Alketa Gashi, anëtare, vlerësuan si vijon:

1 – Çmimi për letërsinë për fëmijë: FLORI KASAJ, për librin “Andrushi”, (botim i Argetës, Tiranë)
2 – Çmimi për përmbledhjen poetike: DONIKA DABISHVCI, për librin “E gjithkohshmja – ANDËRR”, (botim i Littera, Prishtinë)
3 – Çmimi për romanin: BESNIK MUSTAFAJ, për romanin “Fati i marrë”, (botim i Onufrit, Tiranë)
4 – Çmimi për studim – publicistikë: FATMIR TOÇI, për librin “Arbëreshët”, (botim i Toena, Tiranë)
5 –Çmimi për përkthimin: AIDA BARO, për librin “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, (botim i Dukagjinit, Prishtinë)
6 – Çmim si autor i vitit: BAJRAM KOSUMI, për librin “Enciklopedia imagjinare”, (botim Artini, Prishtinë)
7 – Çmim për vepër kapitale: SALI LUTOLLI, për librin “Kalorës i udhës pa fund”, (botim i Faik Konica, Prishtinë)
8 – Çmimi Special Klara Kodra – Për kontribut të shquar në letërsinë shqipe
9 – Çmim i Madh për Vepër Jetësore: ALI ALIU.
10 – Çmim i Madh për Vepër Jetësore: REXHEP QOSJA. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga Fieri i transformuar

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga qyteti i Fierit.

“Beso a jo, Fieri i Rilindur”, shprehet Rama krahas videos të publikuar në rrjetet sociale me pamje nga shëtitorja, ku pemët e mbjella kanë çelur lulet e tyre në fillim të verës.

Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit.

Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.

Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.

Gjithashtu plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme. / KultPlus.com

Kandidatët për prokurorë të rinj të shtetit i nënshtrohen testit me shkrim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka organizuar mbajtjen e testit me shkrim, në kuadër të procesit të rekrutimit të njëzetekatër (24) prokurorëve të rinj të shtetit, i cili është duke u mbajtur në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Në njoftimin për media thuhet se në testin me shkrim janë duke marrë pjesë 281 kandidatë, prej tyre 150 meshkuj dhe 131 femra, prej të cilëve dy janë pjesëtarë nga radhët e minoriteve.

Kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, së bashku me anëtarët e tjerë, po e mbikëqyrin rrjedhën e mbajtjes së testit me shkrim.

“Ky proces është duke zhvilluar edhe nën mbikëqyrjen e monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se do të japë me kohë informacione për rrjedhën e procesit të mëtejshëm./ KultPlus.com

Bido: Unifikim i dokumentacionit online me Kosovën

Arkivistë, studiues dhe ekspertë të arkivave nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në Konferencën e 8-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës mbajtur në Elbasan.

Konferenca u bashkëorganizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, dhe kishte si qëllim shkëmbimin e ideve  dhe përvojave mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës, Ardit Bido tha se për të 8-in vit radhazi, bashkohemi me shqiptarë të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, për të shkëmbyer ide dhe për të bashkëndarë punën tonë.

“Kultura e kombit është e pandashme. Ndaj, kur vjen fjala për arkivistikën, shqiptarë të të gjitha trevave, bëhemi “një”  dhe lëvrojmë revistën unikale të këtij lëmi “Arkivat Shqiptare”, e cila ka një traditë solide publikimi prej 59 vjetësh”, theksoi Bido.

Në këtë edicion, u bashkuan edhe pasardhës të familjeve me kontribut të përveçëm në çështjen kombëtare. “Në sajë të afinitetit të trashëguar mes tyre, Petro Luarasi, Rozi dhe Suela Dako evidentuan letërnjoftimin e pioneres të të drejtave të grave, të arsimit dhe të diplomacisë shqiptare, Sevasti Qiriazi. Nga sot, ky dokument që zbulon përkatësinë fetare ortodokse të Sevastisë, do t’i shtohet fondit të pasur të kësaj veprimtareje pranë DPA-së”, deklaroi Bido.

Ndërsa gjatë një interviste televizive, Bido deklaroi se janë duke u punuar për të arritur një unifikim të dokumentacionit online të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ne kemi 6 vite që punojmë duke u unifikuar dhe qëllimi është që të bëjmë edhe një unifikim online të dokumentacionit mes vendeve. Ne morëm dokumente mbi arbëreshët e Zarës në Kosovë. Po ashtu Kosova ka marr disa dokumente të tjera të figurave të historisë tonë kombëtare që vijnë nga Kosova. Çdo dokument që po marrin i përket të dyja palëve”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Bislim Bislimi, tha se arkivi mes dy vendeve nuk mund të funksionojë si i ndarë, pasi sipas tij Shqipëria dhe Kosova kanë histori të përbashkët.

“Ne kemi qenë dhe do të jemi edhe në vazhdim gjithmonë bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndarë vizionin, dhe për të ecur përpara drejt unifikimit të arkivit, sepse si tha Bido nuk mund të funksionojmë të ndarë sidomos në arkivë sepse kemi një histori dhe të kaluar të përbashkët”, tha ai. / KultPlus.com

Nga historia te misteri: Çka lexojnë kosovarët?

Me “Flokëkuqen” e shkrimtarit turk, Orhan Pamuk, në dorë, Shaban Shkodra po vizitonte dhjetëra stenda me libra që kishin zënë një hapësirë të madhe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Për plot pesë ditë të kësaj jave, aty qëndroi i hapur panairi i librit “Prishtina 2024”.

“Çdo vit blej diçka, romane të mira, përmbajtje të mira… por që e kanë çmimin e lirë”, thotë Shkodra.

Panairi u ofroi sivjet lexuesve rreth 6.000 tituj, prej të cilëve 2.000 të rinj.

Llojshmëria varionte nga librat për fëmijë deri tek ata me tema fiktive, nga historia, krimi e të tjera. Çmimet ishin po ashtu të ndryshme: 5 euro, 7, 30….

Fatime Hasani, me profesion mjeke, po kërkonte tituj me përmbajtje psikologjike, por edhe disa për fëmijët e saj.

“Jam e interesuar në diçka të qetë, ku relaksohesh, e gjen vetveten… Ndoshta edhe për vajzat e mia… Pra, për tri lloje të grup-moshave”, thotë ajo dhe vazhdon kërkimin.

Me mendje të ndarë ishte edhe Fahri Avdiu. “Jam fokusuar në librat e historisë, meqë edhe vetë jam historian”, u shpreh ai.

Pamje nga Panairi i librit "Prishtina 2024".
Pamje nga Panairi i librit “Prishtina 2024”.

Ofertat karshi kërkesave

Panairi i librit “Prishtina 2024” ka traditë 25-vjeçare. Edicioni i parë i tij është organizuar menjëherë pas luftës, në vitin 1999.

Panairi nuk është organizuar vetëm në vitet 2020 dhe 2021, për shkak të pandemisë COVID-19.

Botues nga Kosova dhe Shqipëria, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se ofertat e tyre edhe sivjet janë ndërlidhur me kërkesat e tregut, por edhe me kultivimin e shijes së lexuesve potencialë.

Në një stendë të përbashkët dhe mjaft të madhe ishin radhitur titujt e Shtëpisë Botuese “Artini” nga Kosova, të Institutit Albanologjik të Kosovës, si dhe të shtëpive botuese “Toena”, “Living” dhe “Dudaj” nga Shqipëria.

Artin Ahmeti
Artin Ahmeti

Përfaqësuesi i përbashkët i tyre në panairin në Prishtinë, Artin Ahmeti, thotë se në mesin e autorëve mjaft të kërkuar janë ata të librave historikë.

“Do të thotë, libra të shkruar nga akademikë të huaj – janë kryesisht përkthime – si: Oliver Schmidt, Noel Malcolm, Robert Elsie… Këta që janë më në zë. Por, vërehet që kërkohen shumë edhe librat me parapsikologji, të zhvillimit personal etj.”, thotë Ahmeti.

Kristina Golemi, redaktore në Shtëpinë Botuese “Dituria” nga Tirana, ka përvojë të ngjashme me lexuesit në Kosovë. Thotë se ata preferojnë kryesisht librat shkencorë historikë dhe romanet me këtë përmbajtje.

Kristina Golemi
Kristina Golemi

Krahas tyre, ajo numëron edhe zhanret triler, mister…

“Mund të përmend këtu ‘mbretëreshën e krimit’ , Agatha Christie. Një emër tjetër shumë i pëlqyer në Kosovë është romancieri Milan Kundera, e pastaj shkrimtari Umberto Eco”, thotë Golemi.

Sipas saj, kërkohen shpesh edhe romancat e autoreve Lucinda Riley dhe Anne Jacobs.

Për drejtorin e panairit, Edon Zeneli, oferta e botuesve dhe kërkesa e lexuesve “takohen diku në mes”.

Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.
Edon Zeneli, drejtor i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ai thotë se panairin, çdo vit, e vizitojnë mesatarisht rreth 30.000 njerëz.

“Botuesit sjellin në panair libra që konsiderohen vlera në letërsinë botërore, por në mjaft raste u përshtaten edhe kërkesave të lexuesve dhe sjellin edhe libra që janë në modë”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, lexuesit kërkojnë vazhdimisht libra, qoftë në librari apo përmes postës elektronike e rrjeteve sociale, ndërsa vetë panairin ai e quan “festë të librit”, ku “autorët komunikojnë me lexuesit”.

Se sa libra janë shitur në edicionet e kaluara të panairit, por edhe në të sivjetmin, Zeneli thotë se nuk ka informacione të sakta.

Ai thotë se shtëpitë botuese pjesëmarrëse e ruajnë sekretin afarist dhe nuk ofrojnë detaje lidhur me shitjen.

Vizitorët në Panairin e Librit.
Vizitorët në Panairin e Librit.

Librin e marrin “ata që vërtet e duan”

Bota, aktualisht, jeton në epokën e digjitalizimit dhe libri fizik nuk është forma e vetme informative për atë që sjellin shkrimtarët vendorë e botërorë, thotë shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.
Disa tituj librash të prezantuar në një stendë gjatë edicionit të 24-të të Panairit të Librit në Prishtinë.

Blerja e librave, në përgjithësi, “nuk mund të jetë siç ka qenë dekada më parë”.

“Librin tash e marrin vetëm ata që vërtet e duan”, thotë ai.

Apolloni shton se epoka digjitale nuk është se e ka rrezikuar krejtësisht librin fizik.

Ai thotë se rrjetet sociale, në disa aspekte, kanë ndikuar në popullarizimin e librave dhe të autorëve, madje edhe të atyre të shekujve të kaluar.

“Është paradoks që shkrimtari më i famshëm në Tik-Tok është Franz Kafka. Pra, është zgjuar interesimi përmes Tik-Tokut për Franz Kafkën”, thotë Apolloni.

Dhe, siç e thotë vetë Kafka, “nëse libri që e lexojmë nuk na zgjon me një goditje në kokë, për çfarë po e lexojmë?”. /REL/ KultPlus.com

Këngëtarja e lirisë së Kosovës, Shkurte Fejza me një koncert madhështor shënoi 50-të vjetorin e karrierës

Vjollca Duraku

Një koncert madhështor me perla muzipkore të krijuara përgjatë gjysmë shekulli nga artistja Shkurte Fejza u mbajt mbrëmë në prezencën e autoriteteve më të larta shtetërore, për nderë të Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe në shënim të 50 vjetorit të karrierës së saj të pasur artistike, shkruan KultPlus.

“Mbretëresha jonë me kurorë” dhe “50 vjet zëri i kombit”  janë togfjalësha të cilët e karakterizuan këtë koncert jubilar, i cili rrumbullakësoi punën e madhe të artistes që ndër vite solli  45 albume, 500 këngë prej të cilave 400 origjinale, mijëra koncerte, festivale, turne e shumë çmime e vlerësime duke i vënë kurorën një misioni të përfunduar me sukses, i cili iu m’vesh këngëtares Shkurte Fejza mbi supe krejt natyrshëm vit pas viti.

Në prezencën e një publiku masiv, notë mbi notë, këngë mbi këngë u soll harta e plotë të atdheut të cilit Shkurtja i kishte kënduar 25 vite para dhe pas luftë, duke e përshkruar plotësisht edhe rrugëtimin shumë sfidues të popullit të saj, që gjithmonë ajo i kishte qëndruar pranë duke duke e motivuar dhe mbështetur nëpërmjet armës së saj më të fortë, zërit, me tekste dhe kompozime brilante nga më të zgjedhurit e kombit shqiptar.

Atdhedashuria e jashtëzakonshme e këngëtares së shquar, e kombinuar me seriozitetin e punës së saj dhe krijimet origjinale nga njerëz me vetëdije të lartë, sollën këngë me mesazhe të jashtëzakonshme patriotike, kushtrimi e qëndrese, që sot janë shëndrruar në hime si: Oj Kosovë, oj nëna ime…”, “Xhamadani vija-vija”, “Mora fjalë…”, “ Jo nuk ndahet Mitrovica”, “E kam emrin kosovar”… , të cilat edhe mbrëmë jehuan në sallë së bashku me zërin dhe shpirtin e publikut, duke krijuar atmosferë të paparë.

Kësaj amosfere, e cila i kishte rrënjët thellë në zemrën e këngëtares dhe publikut një ton të veçantë i dhanë edhe interpretimi i artistëve mysafirë si Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, dhe Nikollë Nikprelaj  që përfaqësonin tre shtetet shqiptare Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi përmes këngëve “Besa e Shqiptarit”, “Një zemër”, dhe “Ah moj motër” duke dhuruar emocione pambarim, në këtë koncert që përveç artistikisht kombin shqiptar e kishte bashkuar edhe politikisht, duke ulur në një rresht liderë të partive të ndryshme politike.

Për t’u larguar pak nga serioziteti i temave kombëtare të cilat trajtoheshin përmes këtyre perlave muzikore, Shkurte Fejza u kujdes që mbrëmjen ta relaksonte duke sjellë atmosferë të ngrohtë dhe të ëmbël familjare përmes interpretimit të saj të përbashkët me të bijat Gresa dhe Besajana Behluli, përmes këngëve “Ani mori nuse…”, “Djali i Dukagjinit” dhe “Xhamadani kuq si gjaku” të cilat për motiv patën temën e dashurisë, dhe e ndezën edhe më tej atmosferën në këtë koncert madhështor, i cili ishte i tillë edhe falë profesionalizmit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, që mbrëmë u drejtua nga dirigjenti Valton Beqiri.

Në gjithë këtë natë magjike, me personalitete të shumta nuk kishte se si të mungonin edhe fjalët e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, të praruara në këngën “Kosovë-Shqipëri”, e cila ishte futur në agjendë pas kërkesës së Helena Kadaresë. “Etjen për liri që e ndien qysh në djep, si buqetë me lule kohës t’i ia jep, dhe liria të erdhi bota këtë e di, thërret Bashkimi i Kombit Kosovë-Shqipëri”, si mesazh dhe kërkesë që aktualisht përkon me kohën, drejtuar autoriteteve që e nderuan këtë koncert si: Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, Kryetari Përparim Rama, Ramush Haradinaj, ambasadori Petrit Malaj, ish- presidenti Fatmir Sejdiu, Memli Krasniqi etj.

Kohë pas kohe në koncert i cili u udhëhoq nga prezantuesja e ëmbël Alketa Gashi-Fazliu paraqiteshin edhe fotografi që e përshkonin tërë rrugëtimin e Shkurte Fejzës si dhe mesazhe urimi që vinin nga kolegët për këngëtaren të cilën presidentët shqiptar e kishin pajisur me tituj dhe dekorata si “Mjeshtër i madh” dhe “Medalje presidenciale të meritave” krahas shumë nderimeve që i ishin bërë duke e shpallur qytetare nderi në shumë qytete të shqiptarisë.

Në fjalimin e saj, drejtuar publikut prezantuesja Alketa Gashi- Fazliu e quajti këngëtaren Shkurte Fejza dhuratë të çmuar të popullit shqiptar.

“Ne sonte festojmë me dashuri për dhuratën e çmuar Shkurte Fejza që Zoti i dha këtij vendi, e ajo na dha zërin dhe shpirtin e vet përgjatë gjithë jetës së vet. Ju e dini, thuhet se çdo kohë i ka heronjtë e vet por shkurta ishte, pajtoheni të gjithë heroinë në çdo kohë. Për 50 vite karrierë, Shkurte Fejza këndoi 25 vjet në robëri dhe 25 vjet në liri. Edhe kur këndoi në robëri ajo ishte e lirë sepse duket se duke i kënduar lirisë, Shkurte Fejza e ndjeu më herët atë, si të thuash u bë lajmëtare e lirisë” ka thënë moderatorja plot sharm Gashi- Fazliu.

Kurse Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij shprehu mirënjohje të thellë për këngëtaren Fejza, e cila sipas tij në ditët më të errëta të kombit i dha shpresë e zemër mbarë shqiptarisë.

“Unë i kërkoj falje zonjës Fejza që po e marr fjalën fare shkurtimisht, për t’iu falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës. Me ju Shkurte mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Mbi gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë ne këtu dhe motrat e vëllezërit tanë të mërguar na i ke i ngushëlluar e frymëzuar, na keni dhënë shpresë e forcë që zemra kurrë të mos harrojë dashurinë për Kosovën dhe kombin. Prandaj do ta marrim qarkun si nga hera me këngët tuaja, çarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetëën e lirë, të dashurisë së pavdekshme për secilin që lindi, deshi, punoi e luftoi për Kosovën. Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot, gjithnjë e përgjithmonë”, është shprehur Kryeministri Kurti.

Krejt në fund të koncertit në një prononcim për media Ilir Shaqiri njëri ndër organizatorët e festivalit “50 vjet zëri i kombit”, u shpreh se ndihej i kënaqur me gjithë atë çfarë u realizua mbrëmë.

“Mendoj që kemi bërë një punë të mirë, megjithëse nuk ka qenë fare e lehtë, fillimisht për të përzgjedhur 17 këngë që u transmetuan sonte në këtë koncert, sepse Shkurtja e ka gjithë atë bagazh të këngëve të bukura shqipe. Githçka ka shkuar ashtu siç duhet, kemi filluar me kohë, ka tre muaj që kemi filluar përgatitjet dhe mendoj që ka qenë një koncert që vlen të evidentohet posaqërisht për këtë jubile të 50 vjetorit të këngëtares sonë të dashur Shkurte Fejza” ka thënë drejtori artistik i RTK, Ilir Shaqiri duke potencuar se është fans i këngëve të Shkurte Fejzës .

“E mrekullueshme. Shkurta është e lidhur shumë ngushtë, shpirtërisht me kulturën tonë. Ajo që nga fillimet e saj ka sjellë jo vetëm muzikën por edhe poezinë, dëshirën e ndjenjat e popullit tonë për atë për të cilën jemi përgatitur ta bëjmë atdheun të lirë përmes luftës, e pastaj ta bëjmë pavarësinë e atdheut tonë. Prandaj Shkurte Fejza është emblematike kët në periudhë të vështirësive që ka pasur atdheu ynë deri në finalizimin e plotë të pavarësisë së republikës së Kosovës”.

Ndërsa drejtori artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, “Shota”, Ylber Asllanaj, këngëtaren Fejza e ka quajtur një prej artisteve më eminente dhe të shquara te vendit.

“Ishte një mbrëmje impozante ashtu siç i ka hije një shteti ta organizojë për një artist, për punën 50 vjeçare, për kontributin 50 vjeçar, siç është artistja Shkurte Fejza. Të gjithë e dijmë që kënga e Shkurtes ka qenë simbol i këngëve të rezistencës, të cilën populli jonë e ka bërë ndër vite. Natyrisht është një prej këngëtareve më eminente dhe më të shquara të popullit”, ka thënë organizatori Asllanaj.

Ndërsa bashkëperformuesi i Shkurte Fejzës në këtë koncert, Nikollë Nikprelaj, tha se ndihet i mrekulluar nga organizimi i një koncerti të tillë.

Kurse Kastriot Tusha i cili në këtë koncert u paraqit si interpretues mysafirë artisten Fejza e quajti artiste me vlera të mëdha kombëtare.

“Nuk është bashkëpunimi i parë, me shkurte Fejzën ne kemi bërë aktivitete pothuajse në të gjithë Evropën. E kam pasur për krenari që e kam pasur në krah. Është një artiste e madhe, një artiste që ka vlera kombëtare. Nga emocionet e kësaj mbrëmje që vërtetë pati urime nga gjithë shqiptaria, unë i uroj të gjitha të mirat, shëndet e jetë dhe ta shohim sa më gjatë në skenat tona” ka thënë Tushaj duke potencuar se Fejza bën pjesë në grupin e këngëtarëve që në ADN kanë gjuhën shqipe.

“Ajo ka bërë një përzgjedhje të bukur, një kompliment për organizatorët që e organizuan këtë koncert sepse nuk bëhen gjërat vetëm Vërtetë më vjen jashtë mase mirë që institucionet mbështesin artistë që kanë ADN shqip. Kështu që Shkurta është njëra nga ato që krenohet e gjithë shqiptaria, këngëtarët mysafirë dhe të tjerët sepse janë këngë karakteri dhe janë orkestruar me aq shije dhe duke mos iu larguar karakterit të këngës. Vërtetë duhen mbështetur këta artistë. Thash edhe një herë kjo është ADN e kombit shqiptar”, është shprehur Tusha.

 Edhe vet këngëtarja Shkurte Fejza u shpreh se ndihej e lumtur me ecurinë e gjithë ngjarjes,  pasi një koncert i tillë ka pasur kërkesa të larta teknike e muzikore.

“Përzgjedhja e këngëve ishte pjesa më e vështirë, sepse shumë këngë të bukura i kemi lënë anash, të cilat ka qenë e pamundur t’i përfshijmë. Koncerti ka qenë në tërësi live, dhe kjo jep mundësi që artisti thjesht ta përcjellë direkt emocionin te adhuruesi i vet. Mirëpo edhe interpretimi live i ka vështirësitë e veta, edhe pse jemi munduar për të pasur kushte shumë të mira për interpretim, që live-i mos të jetë shumë i vështirë. Thjeshtë është sfidë. Është sfidë ne vete, mirëpo unë u kënaqa sepse dhurova aq sa munda dhe publiku faleminderit që këndonte me mua dhe e vlerësoi një gjë të tillë” ka thënë artistja Fejza që dhuroi emocione të pa harruara në sallë.

Ndërsa në pyetjen se 50 vite më parë, në ëndërrat e saj më të mira a kishte arritur të shihet koncertin e mbrëmshëm, ajo u përgjigj:

Për të qenë krejtësisht e sinqertë, jo, sepse kam filluar shumë herët me këndu, ashtu sikur të gjithë fëmijët e tjerë të talentuar që veçohen prej mësuesit, prindit apo anëtari tjetër të familjes. Jo, nuk e kam ëndërruar, nuk e kam menduar, mirëpo tash jam  shumë e lumtur që i preka 50 vite. Më lumturon edhe më shumë pjesëmarrja e një publiku të mrekullueshëm që të jep shtysë që mund të vazhdoj. Kjo tregon se je e dashtun, je e mirëpritun, e admiruar me gjithë ato duartrokitje, me gjithë atë admirim, mendoj që duhet me vazhdu edhe pak, sepse mendoja që kur t’i bëj 50 vite do të pushoj. Por po më duket se jo” ka thënë këngëtarja Fejza.

Ndërsa dirigjenti Valton Beqiri tha se gjithçka ishte realizuar sipas planit, nga ku edhe kishte rezultuar një koncert i tillë të cilin publiku e vlerësoi shumë.

“Unë mendoj që koncerti i sotëm e ka arritur qëllimin që të prezantojmë gamën e gjerë të cilën e ka pasur në karrierë Shkurte Fejza, duke u nisur nga këngët të cilat kanë qenë më të hershme dhe gjenerata më e re nuk i ka dëgjuar, e deri te ato që sot i këndojnë edhe fëmijët si: “Xhamadani vija-vija” apo “Mora fjalë”. Të gjitha këto këngë kanë qenë të gërshetuara me një dramaturgji meqë e kam pasur edhe përgjegjësinë artistike të këngëve dhe programit. Jemi munduar që të kemi një zhvillim edhe të teksteve, tonaliteteve, tingujve, ritmeve duke i  menduar gradualisht. I uroj Shkurtes shëndet, jetë të gjatë me shumë këngë të reja” është shprehur Beqiri.  

Krejt në fund të koncertit publiku pati mundësi ta përgëzojë Shkurte Fejzën nga afër dhe të fotografohen së bashku, për të pasur një kujtim nga një koncert aq madhështor si ky i 50 vjetorit të saj të karrierës, i cili u mundësua nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe Orkestra Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com

“Ma ruaj syrin, dashuria ime, ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari”

Poezi nga Ali Podrimja

Koha është të duhemi,
të kesh besim ne mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.

Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejme këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e bjeshkës,
do ta ndez llambën në kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.

Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. / KultPlus.com

Korça çel sezonin turistik me paradën madhështore të karnavaleve me rreth 400 pjesëmarrës

Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve me rreth 400 pjesëmarrës.

E trashëguar ndër shekuj, festa e karnavaleve e shndërroi qytetin e Korçës në një paradë kostumesh dhe maskash të ndryshme dhe plot ngjyra ku kanë marrë pjesë 6 grupe nga vende të huaja.

Grupet e ndryshme pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.

Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo është shprehur se “festa e maskave dhe kostumeve shumëngjyrëshe solli atmosferën më të bukur e magjike në sheshet e rrugicat e qytetit juglindor dhe u shijua nga shumë turistë vendas e të huaj që mbushën Korçën këtë fundjavë”.

Kësaj feste i janë bashkuar edhe shqiptarët jashtë kufijve ndërsa pjesëmarrja e fëmijëve me kostumet dhe maskat e përzgjedhura nga ata e zbukuruan akoma më shumë këtë festë ndërkombëtare.

Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, Zamira Kita tha se në këtë paradë morën pjesë 28 grupe ndërsa shumë qytetarë iu bashkuan paradës së karnavaleve të veshur me kostume.

“Ne i zgjedhim përmes kostumeve, mesazhet që duan të përcjellin. Më e veçanta ka qenë Bullgaria, ka sjellë folklorin. Kishim 4 grupe me fëmijë”, është shprehur Kita. /atsh/ KultPlus.com

Sopranoja Adelina Paloja me koncert recital në Kroaci

Sopranoja e njohur Adelina Paloja së fundmi ka bërë të ditur se sot do të mbajë koncert recital në Zagreb, Kroaci, përcjell KultPlus.

Koncerti mbahet për nder tê 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në sallën “Novinarski Dom”, duke filluar nga ora 18:00.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Po ndaj me ju KONCERTIN RECITAL, që do e mbaj në Zagreb – KROACI , duke ju ftuar me kënaqësi të jashtëzakonshme në një festë e përjetim muzikor në 25 Vjetorin e Çlirimit të Kosovës, në Sallën “Novinarski Dom”.

Organizuar nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës të Zagrebit,mbështetur nga  nga Këshilli i Pakicave Kombëtare, nën udhëheqjen artistike të Kitaristit të shkëlqyer e pedagogut Prof.Xhevdet Sahatxhija.

Shoqëruar në piano nga mikja dhe pianistja e shquar Alba Muçolli-Dehiri dhe me mysafire solokëngëtaren e re Rea Veseli. 

Mirësevini! / KultPlus.com

“GQ Italia”: Pushimet në Shqipëri në listat e dëshirave të turistëve 

Organizoni një udhëtim rrugor përgjatë bregdetit të Shqipërisë ku mund të gjeni plazhe ende të paprekura, shtretër deti të jashtëzakonshëm, male pranë detit dhe gjithashtu një kuzhinë të shkëlqyer.

A ia vlejnë ende pushimet në Shqipëri? Sipas mendimit tonë, Po, duke qenë se xhevahiri i vogël i Ballkanit vazhdon të konfirmoje aftësinë e tij për të befasuar dhe mahnitur sërish turistët, shkruan Elena Barassi në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “GQ Italia”.

Shumë pranë Italisë, qiellor dhe gjithashtu ekonomike, Shqipëria ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve falë bregdetit të saj, e karakterizuar nga plazhe të bardha, limane të egër dhe ujëra të pastra kristal.

Gjithashtu, Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse në thellësi të Bjeshkëve të Nemuna, një park kombëtar ideal për ekskursione dhe shëtitje me biçikletë, por i njohur edhe për besën shqiptare, një kod nderi që përkthehet – mikpritje, ndershmëri, besnikëri dhe besim.

Më poshtë vijojnë vendet që nuk duhet të humbisni (për t’i vizituar ose rivizituar absolutisht këtë verë!) në Tokën e Shqiponjave.

Dhërmiu

Ndalesa e parë për pushimet tuaja në Shqipëri duhet të jetë Dhërmiu.

Dhërmiu është një fshat përrallor me shtëpi të bardha dhe kisha me kupola blu.

I rrethuar nga peizazhi i thyer malor dhe një portë hyrëse në Parkun Kombëtar të Llogorasë dhe peizazhet e egra të Gadishullit të Karaburunit – i njohur për shpellat detare dhe limanet e fshehura të arritshme vetëm me varkë ose udhëtime të gjata nëpër male – Dhërmiu, vetëm 15 kilometra në veri të Himarës, është bërë i njohur ndërkombëtarisht falë “Kala Festival”, një ngjarje e njohur ndërkombëtarisht që ndërthur muzikën vendase, techno dhe elektronikë.

Gjithashtu, ofrohet një program ekskursionesh për të zbuluar zonën përreth, në një atmosferë arratisjeje të vërtetë mendore dhe fizike.

Gjithashtu nuk mungojnë klubet elegante të stilit balinez në plazhet e Drimadhes në Dhërmi si “Havana Beach Club” dhe “Bacarò Beach Bar”.

Në plazhin e Palasë, i cili po shndërrohet me shpejtësi në një nga plazhet më ekskluzive në Shqipëri, ndodhen baret e plazhit më të mira për të dashuruarit që kërkojnë privatësi.

Plazhi i Gjipesë, i fshehur mes tokave të thyera të mbuluara me shkurre mesdhetare, në gjysmë të rrugës midis Dhërmiut dhe fshatit Vuno mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë.

Saranda e gjallë

Saranda në jug të vendit, ofron një ndërthurje perfekte të hapësirave të rërës së bardhë apo shkëmbinjve gëlqerorë si plazhi i Qiellit, Plazhi i Manastirit dhe Plazhi i Pulëbardhës, baret e plazhit dhe klubet e natës e bëjnë atë vendin e përsosur për pushime plot argëtim.

Pranë plazhit, “Mango Beach” është ndër baret më të njohura në vend me DJ gjatë gjithë verës, por “Disco Tropical” dhe “Disco Ecuador” nuk bëjnë përjashtim gjithashtu.

Përveç jetës së natës këtu, ju mund të zbuloni perla autentike kulturore si Kalaja e Lëkurësit – nga e cila gjithashtu mund të shijoni një pamje të mrekullueshme të qytetit, sitin arkeologjik të Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku mbetjet e qytetit antik grek janë zhytur në një pyll në bregun e një liqeni brenda një Parku Kombëtar 29 hektarësh dhe në fund mbetjet e sinagogës së lashtë çifute (e cila daton në shekullin e V).

Dy opsione për të shijuar një darke perfekte; “Taverna Fish Filipi”, një tavernë tradicionale shqiptare qe sherben peshk, gaforre, oktapod dhe ushqime deti mikse por edhe linguine dhe rizoto dhe “Limani”, një institucion i vërtetë në vendin më të izoluar të marinës së Sarandës.

Peshku, padyshim është një pjatë mjaft e shijshme – por edhe Trileçja, ëmbëlsira me 3 lloje qumështesh – që së bashku me Bakllavanë janë ëmbëlsirat më të pëlqyera nga shqiptarët.

Arkipelagu i Ishujve të Ksamilit

Brenda Parkut Kombëtar të Butrintit, Ksamili mbetet një ëndërr, ose më mirë Parajsa e Rivierës Shqiptare, e cila ka një shtrirje bregdetare që vështron bregun e Jonit në anën ballkanike dhe që është padyshim spektakolar.

Gjashtë milje nga Greqia (Ksamili në fakt do të thotë ‘gjashtë milje’), ose më mirë nga Korfuzi që ndodhet pikërisht përballë tij, ju mund të zbuloni bukurinë e tre ishujve idilik, të arritshëm me not ose me varkë, të mbuluar nga bimësia mesdhetare dhe një rrip i vogël rëre të bardhë që derdhet në ujërat bruz dhe që lidh një ishull me tjetrin dhe me të cilin mund të ecësh në ditët e baticës,kur dallgët përplasen mes një ishulli dhe një tjetri, duke krijuar një veçori të pabesueshme ujore, madje do të ndiheni sikur jeni në Karaibe ose në Maldive.

Mos humbisni plazhin “Tre Ishujt”, ku deti është një akuarel bruz dhe çadrat e kashtës ofrojnë strehë nga vapa e verës.

Vendi i përkryer, mbi të gjitha, për ata që duan të pushojnë nën ritmin e muzikës.

Dhe për darkë vizitoni restorantin “The Mussels House”, me pamje nga laguna, ku siç thotë edhe vetë emri, do të provoni variacione të ndryshme midhjesh, duke përfshirë saganaki, por edhe karkalecat rozë të kripur dhe madje edhe hurma deti.

Me varkë në gjirin e Vlorës

Qyteti i lashtë dhe porti natyror në kanalin e Otrantos – Vlora ndodhet në pikën ku deti Adriatik i hap rrugën detit Jon, shtrati i detit bëhet gjithnjë e më i thellë, brigjet më të thepisura dhe plazhet ndryshojnë nga rërë në shkëmbinj dhe guralecë.

Por xhevahiri i vërtetë këtu është Gadishulli i Karaburunit, një zonë ish-ushtarake, tashmë e hapur për turizmin, një park natyror i mbrojtur me përmasa 15 me 4 kilometra, i mbushur me maja malesh që arrijnë 1200 metra lartësi, shkëmbinj të thepisur që zhyten në det, gjire të virgjër që hapen në ujëra të pastër dhe shpella që fshehin mrekulli të jashtëzakonshme natyrore.

Por, edhe shumë bunkerë, emblema e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

Dhe janë pikërisht bunkerët, 3600 prej tyre, por jo vetëm kaq, atraksioni i Sasenos, një ishull i vogël, jo shumë larg nga bregdeti i Vlorës, dikur një bazë ushtarake italiane dhe më pas sovjetike, më vonë shtëpia e rojeve të qeverisë së Enver Hoxhës.

Por sot ajo është, me të gjitha qëllimet, një Parajsë e Vogël e natyrës së egër dhe të pandotur.

Mos humbisni, në jug, “Plazhin e Admiralit”, ku deti i kristaltë është i rrethuar nga pisha, apo Gryka e Xhehenemit, Gjiri i Shën Nikollës dhe Gryka e Djallit, ku mund të admironi peizazhin e mrekullueshëm të një hyrjeje të thellë të ngjashme me një shpellë në ajër të hapur.

Ekspertët ju këshillojnë të vizitoni “Restorant Joni”, buzë detit të Vlorës, ki ofrohen produkte të freskëta te ditës, ravioli me karkaleca deti dhe domate qershi, por edhe një tartar i shkëlqyer me levrek! Çmimet? Më pak se 20 euro për një menu të plotë.

Gjipe, mes plazhit dhe kanionit

Eden i vogël i Shqipërisë është plazhi i Gjipesë, i fshehur mes shkëmbinjve të lartë të një kanioni. Vështirë për t’u arritur, pa dyshim, por sapo të mbërrini do të kuptoni se kjo është një strehë e vërtetë paqeje.

Para së gjithash, këtu nuk mund të arrish me makinë, por vetëm përmes një shtegu të ngushtë përgjatë bregut, ose dembelët mund të arrijnë gjithmonë me varkë nga Jala, një plazh i vogël i vendosur midis kodrave të thepisura të mbjella me ullinj në një gji të mbrojtur nga malet, shumë i frekuentuar në verë.

Mure të larta shkëmbore, bimësi e dendur dhe ujëra bruz janë pjesë e Gjipesë, por e pajisur me disa çadra dhe një kioskë të vogël.

Por Perla e vërtetë këtu është kanioni piktoresk, 80 metra i lartë i mbuluar plotësisht nga një pyll i padepërtueshëm dhe një shteg që duket si një shtrat lumi dhe Dhërmiu, fshati i vogël që ndodhet pranë qafës së Llogorasë, rrëzë Maleve te Rrufeve.

Në Himarë, 16 kilometra në jug të Gjipesë, “Taverna Lefteri” është vendi klasik ku ofrohet gjithçka – nga djathi grek i prerë në feta me vaj të papërpunuar dhe ullinj shumë të shijshëm, te Fergesa tipike, e bërë me speca, domate, qepë, rikota dhe erëza dhe e shoqëruar me bukë vendase aromatike dhe të shkëlqyer.

Borshi, Retro

Ndër fshatrat më piktoreskë të Rivierës Shqiptare, Borshi ka ruajtur shpirtin autentik të vendit.

Pak Retro me kështjellën e tij mesjetare dhe atë joshjen e viteve ’80, por me një pamje të pashembullt të një bregdeti 7 kilometra me zhavorr të bardhë dhe i rrethuar nga gjelbërimi i pemëve të ullirit dhe agrumeve.

Një parajsë e vërtetë për adhuruesit e sporteve ujore si lundrimi, kanoe, kajak, këtu në mbrëmje mund ta gjeni veten duke parë yjet nën tingujt e muzikës.

Dhe për të drekuar vizitoni “Luna Mare”, bari më elegant i plazhit në bregdet, ku muzika në sallë pritjeje është sfondi ideal për kokteje të pazakonta dhe një supë peshku të nivelit të lartë. / KultPlus.com