Sot janë bërë 146 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë përvjetor të kësaj ngjarjeje madhore Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e ka quajtur ngjarje historike që vazhdon të frymëzoj edhe sot.
“Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarje historike që vazhdon të na frymëzoj edhe sot. 146 vite nga rezistenca dhe bashkimi për mbrojtjen e çlirimin e trojeve shqiptare”, ka shkruar Ministri Çeku në facebook./ KultPlus.com
Në Amfitetarin e Akadamisë së Arteve nisi edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, me pjesëmarrjen e 39 filmave nga 25 vende të botës.
Në ceremoninë e organizuar morën pjesë artistë, kineastë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Evropa dhe bota, pjesëtarë të trupit diplomatik, politikanë, personalitete të kulturës dhe arsimit, përfaqësues të institucioneve dhe medias.
Drejtori i festivalit DEA OPEN AIR, Edmond Topi përshëndeti të pranishmit, duke tërhequr vëmendjen për qëndrueshmërinë e markës DEA në secilin prej edicioneve të veta.
“Pasi kemi lënë 10 vjet prapa, kemi 10 herë më shumë kurajo të shohim përpara: për më shumë kontakte, më shumë shkëmbime, më shumë produkte cilësore dhe forca të bashkuara në emër të njerëzores, të bukurës, sublimes, në emër të së ardhmes dhe gjithçkaje, që na bashkon. Festivali është një platformë e rëndësishme ku talenti dhe kreativiteti marrin jetë, duke krijuar një hapësirë për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha Topi.
Drejtoresha artistike e festivalit, Mirela Oktrov, duke iu referuar thelbit të DEA-s dhe kontributit të festivalit në shoqëri, tha se “festivalet e filmit janë dhe platforma rituali dhe audience, mundësi për kinema të të gjitha moshave dhe interesave, akses në filma që ndryshe, s’të bie rasti t’i shohësh. Po festivali është dhe zgjedhje. Festivali, që ne bëjmë, është festivali i zgjedhjes sonë, festivali, ku do të kishim dashur të merrnim pjesë edhe vetë, në rastin tonë, një festival i orientuar nga përmbajtja, programi dhe interesi për mjeshtërinë”.
Oktrova theksoi gjithashtu, se DEA tashmë ia ka dalë të kthehet në një markë të qëndrueshme oferte filmike të orientuar sa nga kinemaja cilësore aq edhe nga tentativa e vazhdueshme për të tërhequr publikun në një vend, ku kinemaja vazhdon të mungojë në pjesë të konsiderueshme të tij.
Zëvendëskryetari i bashkisë së Tiranës Andi Seferi tha se është një mik i kahershëm i DEA dhe se bashkia do të vazhdojë ta mbështesë.
“Tirana tanimë përveçse është një qendër zhvillimi, turizmi kulture dhe sportesh, falë DEA OPEN AIR këto 5 ditë do të kthehet në qendrën e kinematografisë botërore. Ne do të jemi bashkë sërish vitin që vjen”, u shpreh Seferi.
Konkurimi në festival zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, marrin pjesë filma nga Italia, Portugalia, Turqia, Moldavia, Kosova dhe Gjermania, në Seksionin e Filmit Studentor – 11 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër – 19 filma nga 15 vende të botës.
Kontributet filmike vlerësohen nga ana artistike nga dy juri profesionale ndërkombëtare. Sipas traditës, për nga rëndësia shoqërore e mesazhit për komunitetin, filmat do të vlerësohen dhe nga Juria e Medias.
E gjithë oferta filmike e këtij edicioni të DEA OPEN AIR është e orientuar fort nga individi, sfidat e tij marrëdhëniet e tij me veten dhe botën, luftërat e tij të vogla dhe të mëdha, dhe para së gjithash përpjekja për të gjetur veten në një botë që gjithnjë e më shumë tenton të të largojë prej saj…
Konkurrimin në Seksionin e filmit me metrazh të gjatë, e hapi filmi “Djali i diskos” (Disco Boy), me regji të Giacomo Abbruzzese, një bashkëprodhim kineastësh nga Italia, Franca, Belgjika, Polonia, i vitit 2023, i cili është një përfaqësues pretencioz i kësaj qasjeje përsiatëse në kinemanë bashkëkohore. Heroi i filmit, Aleksei, mbërrin në Paris për t’iu bashkuar Legjionit të të Huajve, pas një udhëtimi të dhimbshëm nëpër Evropë. Ndërkohë, në deltën e lumit Niger, Jomo lufton kundër kompanive të naftës, që kërcënojnë fshatin dhe jetën e familjes së tij. Fati do ta puqë me Aleksein një ditë, kur ai, në krye të një grupi të armatosur, rrëmben disa shtetas francezë. Pas ndërhyrjes së komandos së Legjionit të të Huajve, drejtuar nga Aleksei, fatet e tyre do të shkrihen dhe lidhen përtej kufijve, trupave, jetës dhe vdekjes.
Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR vazhdon. Oferta e tij shfaqet nga datat 9 – 13 qershor 2024 në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, sallën e Kinema AGIMI dhe sallën e kinemasë së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD)./atsh/ KultPlus.com
Studiuesi Aurel Plasari, ka sjelle detaje dhe foto interesante nga historia e Teatrit Kombëtar, godina e të cilit u shemb më 17 Maj. Pse duhet gënjyer- pyeti Plasari në një intervistë në emisionin “Opinion”, ku solli elementë të historisë së godinës, që u projektua që në vitin 1938, pikërisht për qëllime artistike dhe kulturore.
“Flitet për projektin e themelimit të rrethit italo- shqiptar “Skënderbeg” nga mbreti Zog në vitin 1938. Është krijuar një komision, një status dhe po hidhen përvijimet e projektit. Njoftimi i përurimit është në 31 Maj 1939. Vendimi thotë për të promovuar bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencore etj, midis dy vendeve. Konceptimi ishte dy seksione.
Seksioni a iu kushtua kryesisht kinemasë, teatrit dhe muzikës. Ishte dhe seksioni shkencorë. Në seksionin shkencor u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare, themelimi i studimeve albanologjike në Shqipëri, i trashëguar në ‘46 edhe nga institutet që u krijuan nga regjimi tjetër”, tregoi Plasari, ndërsa bëri me dije, se arkitekti Xhulio Berte në atë periudhë ishte vlerësuar për prirjen e tij futuriste.
Më tej, ndërsa sjell edhe imazhe krejt të veçanta të ambienteve të brendshme të teatrit, Plasari kujton edhe pllakat e mermerit në kombinim e ngjyrës së kuqe dhe të zezë.
“Seksioni i dytë ishte klubi i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, ka një zonë për kafe dhe një zonë ku lexohen gazetat. Në mes të dy godinave dhe në fund ishte një palestër bashkëkohore. Dyshemeja ka qenë me pllaka mermeri të kuqe dhe të zeza”, tregoi Plasari.
Në rrëfimin e tij, historiani mohoi faktin e artikuluar së fundi se teatrit i mungonte gardëroba, dukë bërë të ditur që ajo ndërtesë ka qenë e pajisur edhe me gardërobë. / KultPlus.com
Letërsia, para së gjithash, e ushtron gjuhën si trashëgimi të përbashkët. Gjuha vetvetiu shkon aty ku do vetë, asnjë dekret nga lart, as nga politika, as nga akademia, nuk mund ta ndalojë në rrugën e saj dhe ta bëjë të shmanget drejt situatave që pretendohet se janë më të mirat. Gjuha shkon ku i do qejfi, por është e ndjeshme ndaj sugjerimeve të letërsisë. Pa Danten nuk do të kishte një italishte të unifikuar.
Kur Dantja te “De Vulgari Eloquentia”, analizon dhe dënon dialektet e ndryshme italiane dhe merr përsipër të përpunojë një latinishte të re vulgare të shkëlqyer, askush s’kishte për të vënë bast për një akt të tillë kryelartësie, e megjithatë ai, me Komedinë e fitoi davanë. Vërtet që për t’u bërë gjuhë e folur prej të gjithëve, latinishtes vulgare të Dantes iu deshën disa shekuj, por ama ia doli, sepse bashkësia e atyre që besonin te letërsia vazhdoi të frymëzohej te ai model.
Dhe po të mos kishte qenë ky model, ndofta nuk do të merrte udhë as ideja e bashkimit politik.
Letërsia, duke dhënë ndihmesë për të formuat gjuhën, krijon identitet dhe bashkësi. Fola më parë për Danten, por le të mendojmë pak se çdo të ishte qytetërimi grek pa Homerin, identiteti gjerman pa përkthimin e Biblës nga Luteri, gjuha ruse pa Pushkinin, qytetërimi indian pa poemat e veta bazë.
Por praktika letrare mban të ushtruar edhe gjuhën tonë vetjake. Sot shumë veta ankohen për lindjen e një të foluri neotelegrafik që po imponohet nëpërmjet postës elektronike dhe mesazheve të shkurtra të celularëve, ku të dua thuhet edhe vetëm me një sigël; por të mos harrojmë se ata të rinj që dërgojnë sot mesazhe me këtë stenografi të re, janë të paktën një pjesë prej tyre, po ata që mbushin ato katedrale të reja të librit që janë libraritë e mëdha shumëkatëshe, dhe që, qoftë edhe duke shfletuar një libër pa blerë gjë, vijnë në kontakt me stile letrare të ngritura e të përpunuara, të cilat prindërit e tyre, dhe sigurisht as gjyshërit e tyre nuk kishin mundësi t’i njihnin./ KultPlus.com
Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!
“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.
Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com
Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.
Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.
Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë. Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.
Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj. Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com
Ishe vogeloshe…isha mituri… Kur me dole mbudhe, ti moj lumja ti! Vinte perendimi me te vagelluar Pa m’i shtire tines ata syt’ e shkruar. Ata syt’ e shkruar, syte moj te fjetur, shtate vjet me-radhe t’i kam pershendetur. Kur me pe se pari, more-e m’u largove, Kur me pe se dyti, more-e m’u afrove, Kur me pe se treti, more-e me pushtove, Te putha ne gushe, ti m’u turperove, Papo ule kryet e shkove vajtove./ KultPlus.com
Bota e humbi John Lennon që në 1980-ën, por muzika dhe poezia e tij jetojnë ende në zemrat tona. Fjalët e tij për dashurinë, jetën, dhe paqen që dekada më parë i la për ne, tingëllojnë ende kuptimplota dhe na nxisin drejt një versioni më të mirë të vetes dhe të së ardhmes tonë.
Ne duam t’u kujtojmë ndjekësve tanë për këtë muzikant gjenial dhe ëndërrimtar madhështor thëniet më të fuqishme të tij:
“Jetojmë në një botë ku duhet të strukemi që të bëjmë dashuri, ndërkohë që dhuna praktikohet ditën për diell.”
“Kur shkoja në shkollë, ata më pyesnin çfarë dëshiroja të bëhesh kur të rritesha. Unë shkrujta “i lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën, dhe unë u thashë se ju s’keni kuptuar jetën.”
“Duke qenë i ndershëm nuk ke për të pasur shokë të shumtë, por gjithmonë do të kesh shokët e saktë.”
“Nuk ka rëndësi kë dashuroni, ku dashuroni, pse dashuroni, kur dhe si dashuri, rëndësi ka që dashuroni.”
“Nëse të gjithë do ta dëshironin paqen aq as dëshirojnë një set të ri televiziv, atëherë paqja do mbretëronte.”
“Të përpiqesh t’u pëlqesh të gjithëve është e pamundur – nëse e bën, do përfundosh në një midis ku asnjërit s’i pëlqen. Duhet të marrësh vendimin për atë që mendon se është më e mira për ty, dhe bëjë atë.”
“Si zakonisht, qëndron një grua madhështore, prapa çdo idioti.”
“Vetëm duke provuar rrobat e të tjerëve e kuptojmë përmasën tonë.”
“Kur bën diçka fisnike dhe të bukur e askush nuk e vëren, mos u trishto. Për diellin, çdo mëngjes është i bukur, edhe pse audienca fle gjumë ende.”
“Gjithçka do të shkojë në vendin e vet në fund. Nëse gjërat nuk janë në vendin e tyre, atëherë s’ka ardhur fundi.”
“Një ëndërr që e ëndërron i vetëm, është vetëm një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërrojmë së bashku, është realitet.”
“Paqja nuk është diçka për të cilën ne lutemi dhe urojmë; është diçka që bëhet, diçka që je, dhe diçka që jepet.” / KultPlus.com
UNUM, festivali i muzikës elektronike në natyrë, mblodhi në Shëngjin, Lezhë 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga aspekte të ndryshme që përcolli ky festivali plot me aktivitete sportive, atmosferën muzikore nga DJ më të njohur .
“UNUM Festival për të pestin vit në Ranën e Hedhun në Shëngjin. Mbi 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës shijuan atmosferën nga DJ më të njohur”, shkroi Rama.
Ky festival mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.
Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.
Me një pamje të rrallë mesdhetare, “Rana e Hedhun”, 3-4 kilometra larg Shëngjinit është kthyer në një prej destinacioneve turistë të shumtë, vendas e të huaj.
Pas një procesi disa mujor të shqyrtimit dhe përzgjedhjes nga një volum prej 134 projektesh aplikuese, numër krahasimisht më i madh nga vitet e kaluara, Qendra Kinematografike të Kosovës ka shpallur rezultatet e konkursit të hapur me 12.12.2023.
Numrin e saktë të projekteve aplikuese për kategori në këtë konkurs gjeni në listë me poshtë:
1. Për film të metrazhit të gjatë artistik (mbi 60 min) – 14 projekte
2. Për film të metrazhit të gjatë dokumentar (mbi 60 min) – 9 projekte
3. Për film të metrazhit të shkurtë dokumentar (nën 30min) – 9 projekte
4. Për film të metrazhit të shkurtër të animuar (nën 30 min) – 7 projekte
5. Për film të metrazhit të shkurtë artistik (nën 30 min) – 31 projekte
6. Për film të metrazhit të gjatë të regjisorëve debutant (mbi 60 min) – 5 projekte
7. Për zhvillim skenari të metrazhit të gjatë ( artistik & animuar) – 25 projekte
8. Për zhvillim projekti të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar & animuar) – 4 projekte
9. Për film të metrazhit të gjatë artistik – koproduksion minor (mbi 60 min) – 12 projekte
10. Për post-produksion për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar – 9 projekte.
11. Për film të metrazhit të shkurtë artistik studentor – 9 projekte
Ndërsa listën e projekteve të përzgjedhura për kategori gjeni tek njoftimet zyrtare në këtë link.
Sipas Rregullores për Konkurset dhe Mbështetjen Financiare të Veprave Filmike dhe Audiovizuele (02/2023), të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave në QKK ka 8 ditë nga dita a shpalljes së rezultateve./ KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë. Përmes kësaj marrëveshjeje, sigurohet shkëmbimi i dokumenteve, dijeve dhe përvojave mes dy arkivave.
Në fjalën e tij për mediat, drejtori i përgjithshëm i DPA, Bido u shpreh se përmes këtij akti synohet zhvillimi i arkivave bashkëpunëtore dhe të të gjithë rajonit.
“Është kënaqësi të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi me Arkivat e Republikës së Moldavisë, të cilat edhe pse nuk janë kufitare të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë, ndajnë një pjesë të historisë sonë kombëtare. Në arkivat moldave gjenden historitë e emigrantëve shqiptarë dhe të diasporës shqiptare të hershme, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare”, u shpreh Bido.
Moldavia moderne është themeluar nga princër shqiptarë, dokumentet e të cilëve gjenden në arkivat moldave, por që tashmë do jenë në edhe në arkivat shqiptare.
Ndërkaq, Casu e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin e dokumenteve.
Marrëveshja dypalëshe motivohet nga aspirata për bashkëveprim mes dy institucioneve arkivore simotra. Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.
Në kuadrin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së, u mbajt një kalendar i ngjeshur aktivitetesh. DPA-ja nënshkroi dy marrëveshje të tjera bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës dhe me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës, duke siguruar përkatësisht shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e diasporës shqiptare në Ukrainë dhe informacione mbi komunitetin e bashkëkombasve tanë në Bosnje dhe Hercegovinë./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti e priti sot në takim Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, i cili po ashtu është edhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti e vlerësoi miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, ku edhe rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.
“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”.
“Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale. U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, thuhet në njoftim.
Duke e falënderuar Kurtin për takimin, Suljagiq shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Në Galerinë FAB u hap ekspozita e pikturës vetjake e artistit Dritan Nasi, titulluar “Meteorite times”. Në ceremoninë e inaugurimit pati pjesëmarrës nga bota e artit, studentë dhe profesorë të Fakultetit të Arteve të Bukura si dhe artdashës.
Të gjitha pikturat vijnë si krijimtari e re e viteve 2023 -2024, dhe përfshijnë 20 piktura kompozime të përmasave të mëdha, me subjekt mitologjinë dhe reflektimet e saj në realitetin e sotëm. Hapja e ekspozitës u shoqërua me leksione të hapura mbi simbolikën e mitologjisë në art dhe mundësitë e përdorimit të saj në realitetin artistik të ditëve të sotme.
“Kjo ekspozitë është tërhequr nga historia dhe raportet që krijohen me të tashmen. Tani jam në një fazë që më pëlqen të skicoj duke krijuar një sipërfaqe prozaike dhe lineare, duke u përpjekur ta ndërthur me poezinë e ngjyrave”, deklaron artisti.
Sipas tij “Meteorite times” rrëfen mbi një kohë relative dhe të thyeshme dhe në këtë rrëfim synohet të jepen mitet në historinë antike të vendit tonë dhe pasqyrimin e tyre në ditët e sotme.
Ekspozita me kurator Ermir Hoxhën është përpjekja për të realizuar krahas meditimit edhe komunikimin me gjithë publikun, duke përfshirë dhe studentët e Universitetit të Arteve, në lidhje me tematikën e miteve dhe të gjithë historisë që egziston në vendin tonë./atsh/KultPlus.com
Në vazhdën e bashkëpunimit me Konservatorin e Potenzës, TKOBAP do të sjellë edhe gjatë këtij muaji koncerte kushtuar muzikës së dhomës me festivalin “AlBa”, ku do të interpretojnë virtuozë të famshëm italianë.
“Song of souls” titullohet koncerti i ditës së martë, datë 11 qershor, në Hollin Koncertor të TKOB-së.
Filomena Fittipaldi, sopranoja që ka debutuar në teatro me emër të Italisë e më gjerë, në kryevepra si “La Boheme”, “Turandot”, “Carmen”, “Iris”, do të interpretojë pjesë nga Bellini, Schumann, Puccini, Mozart, De Curtis e të tjerë kompozitorë të shquar. Ajo do të shoqërohet në piano nga Maria Sarli, profesoreshë në konservatorin “Gesualdo da Venosa” të Potenzës.
Në koncertin e radhës do të interpretohen pjesë si “Dolente immagine” nga Bellini, “Apres un reve”, nga Fauré, “Widmung” nga R. Schumann, nga Puccini do të interpretohet “Addio mio dolce amor!” e shumë të tjera./atsh/KultPlus.com
Në 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit që përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.
Ajo njihet gjerësisht si përpjekja e parë shtetformuese e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së Besëlidhjes së Lezhës (1444).
Të detyruar nga rrethanat e kohës, pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit (3 mars 1878) mes Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, ku shqiptarëve nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, atdhetarë nga katër vilajetet u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878, për t’i dhënë zgjidhje çështjes së njohjes së pretendimeve shqiptare nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori përsipër të adresonte tri çështje themelore për kohën: njohjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare; shmangien e copëtimit të trojeve shqiptare në favor të monarkive ballkanike; dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hap i parë për krijimin e shtetit të parë shqiptar, të pavarur e demokratik.
Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e nderoi në vitin 2013 përmes dy monedhave numizmatike përkujtimore, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.
Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA dhe vizatimet e tyre janë realizuar nga piktori Petraq Papa. Këto monedha gjenden në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë./ora/KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas fjalimit të ish-kryeministrit britanik Tony Blair, para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Shkrimin e tij në rrjete sociale, Kurti e ka filluar me thirrjen e kryeministrit britanik më 23 mars të vitit 1999, që jehoi në Parlamentin e Britanisë së Madhe.
“Ne duhet të veprojmë: të shpëtojmë mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm nga katastrofa humanitare, nga vdekja, barbarizmi dhe spastrimi etnik nga një diktaturë brutale; për të shpëtuar stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ku e dimë se kaosi mund të përfshijë të gjithë Evropën”, ishte thirrja e Blair.
“Të nesërmen e 24 marsit 1999, NATO do të fillonte fushatën që ndali pikërisht spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, fushatë kjo që do të përfundonte më 10 qershor të po atij viti. 25 vjet më pas, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, e patëm mysafir në Republikën e Kosovës. Roli dhe kontributi i tij në çlirimin e vendit tonë dhe sigurimin e paqes, bashkë dhe me partnerët e aleatët tanë, mbetet sa i rëndësishëm aq edhe jetik në pavarësinë dhe etapat shtetndërtuese të vendit tonë. Çlirimi dhe liria në Kosovë, solli fundin e luftërave në Ballkan të viteve të ’90-ta, dhe fillimin e një rrugëtimi të demokracisë, progresit dhe zhvillimit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka treguar se e ka falënderuar përzemërsisht mikun e vendit tonë Tony Blair, për mbështetjen e palëkundur asokohe dhe lidhjen e përjetshme të krijuar mes popullit tonë dhe popullit britanik./KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne, ku ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, u është drejtuar deputetëve duke ua kujtuar momentin nga vendimi për të ndërmarrë veprime për të ndalur luftën në Kosovë në vitin 1999.
Në njoftim thuhet se blair u shpreh se ndjehet i lumtur dhe i nderuar që sot, për 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, po i drejtohet popullit nga foltorja e Kuvendit.
“Ish-kryeministri Blair, në adresimin e tij u shpreh se ndihet jashtëzakonisht i lumtur dhe i nderuar njëkohësisht që sot, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, t’i drejtohet popullit dhe përfaqësuesve të tij nga foltorja e Kuvendit, ndërsa shtoi që në këtë datë veçanërisht përkujtojmë kontributin dhe sakrificën e të gjithë atyre që për lirinë dhe pavarësinë e vendit nuk kursyen asgjë”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Ky është moment kur në fasadën e Bashkisë së Pogradecit shfaqet mozaiku i Selcës.
I frymëzuar nga brezarja e gjetur në varret Ilire që datojnë 500 vite para erës sonë tregon fitoren e Ilirëve ndaj armiqve të kohës.
Mozaiku është realizuar nga piktori Anastas Kostandini i cili thekson rolin e Enkelejdëve në lashtësi.
‘’Kjo është bota e Enkelejdëve.
Dhe Enkelejdët kanë qenë një nga fiset e mëdha Ilire.
Është zëmadh’’.
Mozaiku i shtohet gjetjeve të cilat konfirmojnë lidhjen e shqiptarëve me Ilirët.
‘’Ky përfaqëson Ilirinë.
Ilira është temë e madhe e lashtësisë së kombit shqiptar dhe vepra të tilla nuk janë të shpeshta’’.
Për kryetarin e bashkisë Ilir Xhakolli realizimi i një mozaiku të tillë është një nga veprat e cila i mungonte qytetit.
‘’Është gjetur në Selcë , në pjesën e varreve të Selcës.
Është një simbolikë e vyer që ka bashkia e Pogradecit’’.
Pogradeci së fundmi ka shtuar dhe një tjetër zbulim, atë të një fshati të ngritur mbi liqen që daton mbi 8 mijë vite më parë, ndërsa varret e mbretërve Ilirë prej vitesh tërheqin vëmendjen e turistëve./ora/KultPlus.com
Në Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Këndimit Koral, organizuar nga Komuna e Gjakovës, Bashkia Shkodër u përfaqësua nga kori “Prenkë Jakova”.
Performanca e korit “Prenkë Jakova” u cilësua si më e mira e festivalit.
I krijuar në vitin 1997, Kori Polifonik “Prenkë Jakova” përbëhet nga artistë amatorë dhe profesionistë të përkushtuar, dhe ka meritën të jetë i pari kor shqiptar që i dedikohet në mënyrë të plotë polifonisë klasike perëndimore.
Ky ansambël vokal ishte baza e krijimit të Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova”, që ka meritën të jetë ndër të parat që, pas viteve ’90, arriti të organizojë dhe realizojë veprimtari artistike dhe muzikore me pretendime profesionale.
Bashkia e Shkodrës uroi korin për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe e falenderoi për kontributin në kulturën dhe muzikën shqiptare./atsh/KultPlus.com
Sopranoja e njohur Adelina Paloja ka mbajtur mbrëmë koncert recital në Zagreb të Kroacisë, në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Sopranoja ka mbajtur koncertin e saj në sallën “Novinarski Dom”, duke filluar nga ora 18:00.
Ky koncert është organizuar nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit, mbështetur nga Këshilli i Pakicave Kombëtare, nën udhëheqjen artistike të kitaristit të shkëlqyer dhe pedagogut Xhevdet Sahatxhija.
Poashtu, Paloja është shoqëruar në piani nga pianistja Alba Muçolli – Dehiri dhe me mysafire solokëngëtaren e re Rea Veseli./KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Lojës dhe ky 11 qershor shënon një moment historik të rëndësishëm në përpjekjet për të ruajtur, promovuar dhe për t’i dhënë prioritet lojës. Kjo është hera e parë që Kombet e Bashkuara e kanë vendosur këtë ditë në kalendarin e tyre.
Sipas OKB, loja qëndron përtej rekreacionit të thjeshtë. Ajo është një gjuhë universale e folur nga njerëz të të gjitha moshave, duke kapërcyer kufijtë kombëtarë, kulturorë dhe socio-ekonomikë.
Për fëmijët në veçanti, loja ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve dhe përmirëson kontrollin, kapërcimin e traumave dhe zgjidhjen e problemeve. Gjithashtu ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësitë njohëse, fizike, krijuese, sociale dhe emocionale që u nevojiten për të lulëzuar në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës e ka përfshirë lojën si një të drejtë themelore të çdo fëmije sipas nenit 31.
Dita ndërkombëtare krijon një moment unifikues në nivel global, kombëtar dhe lokal për të ngritur lart rëndësinë e lojës.
71% e fëmijëve thonë se loja është e rëndësishme sepse i bën ata të lumtur dhe 58% thonë se i ndihmon të bëjnë miq dhe të kalojnë mirë me të tjerët. Është vlerësuar se 160 milionë fëmijë në mbarë botën punojnë në vend që të luajnë apo të mësojnë. Vetëm 1 në 4 fëmijë luajnë rregullisht në rrugë, krahasuar brezin e gjyshërve të tyre, ku pothuajse tre të katërtat thanë se luanin jashtë disa herë në javë./atsh/KultPlus.com
Ditën e premte Italia festoi njohjen e operës lirike italiane nga UNESCO si një thesar kulturor global. Eventi u mbajt Arena di Verona, dhe më shumë se gjysma e 400,000 shikuesve ishin të huaj. Pjesmarrëse në event ishte kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cila u bashkua me figurat kryesore politike dhe kulturore në amfiteatrin antik.
Dirigjenti Riccardo Muti drejtoi një orkestër prej 170 muzikantësh nga 14 shtëpitë e operës së Italisë, të shoqëruar nga mbi 314 këngëtarë dhe një kast yjesh të operës botërore.
“Jam këtu për të dëshmuar entuziazmin tim dhe krenarinë time për faktin që opera lirike italiane ka marrë këtë njohje të madhe”, tha Muti para turmës.
UNESCO përfshiu operën italiane në listën e saj të trashëgimisë kulturore jomateriale në dhjetor.
Përveç Melonit, të pranishëm në gala ishin gjithashtu Ministri i Kulturës Gennaro Sangiuliano./tema/KultPlus.com
Akademia e Shkencave njoftoi fillimin e punimeve të konferencës shkencore kushtuar 25-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.
Të pranishëm në konferencën që po zhvillohet në Prishtinë, ishin kryeministri Albin Kurti, kryetari i ASHAK, Mehmet Kraja, kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Alfred Moisiu e personalitete të tjera.
Konferenca i kushtohet një prej ngjarjeve më të mëdha e më përcaktuese në historinë e shqiptarëve: hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë si forca çlirimtare; ngjarje e cila çoi në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu ciklin 100-vjeçar të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë.
Akademik Gjinushi u shpreh se, në kuadër të këtij 25-vjetori, konferenca merr edhe vlera festimi, kremtimi e mirënjohjeje; edhe vlera historike, për të parë nga largësia e viteve vërtetësinë e zgjedhjes së shqiptarëve, të rolit e qëndrimit të tyre; të forcave e faktorëve të ndryshëm të vendit e të atyre ndërkombëtare, në këtë periudhë të vështirë e të ndërlikuar.
Ndërsa akademik Mehmet Kraja tha se, për kombin tonë çlirimi i Kosovës ishte ngjarja e dytë më me rëndësi në historinë shqiptare të shekullin XX, krahas pavarësisë së Shqipërisë
“Askush më nuk e konteston se lufta për Kosovën bëri një ndryshim thelbësor në mënyrën e konceptimit të lirisë së popujve, demokracisë dhe vetadministrimit, parime këto që për shumë kohë u shkelën rëndë në vendimmarrjet historike, veçmas në konferencat e paqes. Pra, një ndryshim konceptual, botëkuptimor, në njohjen e së drejtës për liri të kombeve dhe jetë të dinjitetshme të të gjithë njerëzve të mbarë planetit”, deklaroi kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës./atsh/KultPlus.com