Performancë “flash mob” në sheshin Skënderbej

Qendra per Hapje dhe Dialog (COD) ftoi publikun për t’u bërë pjesë e aktivitetit që zhvillohet  të premten me nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qarkut Tiranë dhe Durrës, në sheshin Skënderbej.

Do të jetë një performacë krejtësisht ndryshe, nismë kjo që ndërmerret në vijim të ekspozitës “Artivizim për një transformim social të përgjegjshëm”, nga mjeshtri italian me famë ndërkombëtare Michelangelo Pistoletto.

Ky aktivitet i cili do të zhvillohet më 7 qershor, vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane, si bashkëpunim i Qendrës për Hapje dhe Dialog, Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Italisë në Shqipërisë dhe Fondacionit “Pistoletto Cittadellarte”.

Në formën “flash mob”, kjo ngjarje nxit mes pjesëmarrësve ndërveprim, dialog, përgjegjësi, por edhe bashkon tema si shoqëria, shkenca dhe arti, që shpërbëjnë paradigmën e paragjykimit, të bullizimit dhe të diskriminimit ndaj moshatarëve, duke e kthyer këtë në një aktivitet edukues dhe argëtues për fëmijët dhe të rinjtë./atsh/KultPlus.com

Nga amfiteatri i Hadrianopolis tek Butrinti, udhëtim në sitet arkeologjike

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale një album fotografik me imazhe të cilat u bënë pjesë e konkursit ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”.

AKT fton të zbulohet historia e lashtë e Shqipërisë përmes një udhëtimi nëpër sitet arkeologjike, vende magjepsëse për t’u parë e studiuar, të cilat evokojnë shndritjen e antikitetit deri në ditët tona.

Në njërën prej fotove dallohet amfiteatri i Hadrianopolis, një nga më të bukurit dhe më të vizituarit në vendin tonë. Ai gjendet gjatë zbritjes në luginën e Drinos, në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër – Sarandë dhe fotografia është realizuar nga Matthew Janzen.

Parku Arkeologjik i Apolonisë, pas Dyrrahut, qyteti më i rëndësishëm ilir në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet, me të njëjtin emër për nder të Feb Apolonit lajmësit të Perëndive të Olimpit, vjen nga një foto e Eduart Gjonit.

E ngritur mbi një kodër në Mallakastër, Apolonia zotëronte tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë (Aoos) lidhej me detin Adriatik.

Një tjetër atraksion i rëndësishëm është Amfiteatri antik i Butrintit, në Sarandë, një nga monumentet e qytetit antik, ndërtimi i të cilit daton në shekullin e III para Krishtit. Ai u zbulua nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini në vitet 1928-1930. Gjetja më e madhe e tij ishin një sërë shtatoresh, ndër to “Dea e Butrintit”, të cilat u zbuluan në skenën përballë teatrit. (Fotografia nga Ibo Pirjasi).

Dhe Parku Arkeologjik Bylis, që vjen përmes fotografisë së Ardian Fezollarit, apo qyteti antik i Bylisit, është më i denji i qytetërimit ilir. Teatri i Bylisit, i ndërtuar në fillim të shekullit të 3 para lindjes së Krishtit me një kapacitet 7500 vendësh, një nga veprat më të mëdha të kohës. Bylisi ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Ballsh -Tepelenë, vetëm 35 km nga Fieri, dhe 1,5 km nga qendra e fshatit Hekal./atsh/KultPlus.com

Çame jam

Nga Neviana Shehi

Çame jam, motra e Afërditës.
Një copë Diell ma dhuroi Zeusi
Agimit kur i buzëqesha te burimi.

Jam çame… nga lot’ i largët vij
Atje në More janë rrënjët e mia.

Kam bukuri Çamërie, ta dini
Me det e mal, fushë e lëndinë
Me aromë portokalli, trëndelinë.

Emrin tim e gjeni kudo brigjeve
Deri atje, në Egjiptin e lashtë.

E dëgjuat… jam Bubulina
Unë vij nga Plaka dhe Ljosha,
Eci botës si çame, gatuaj, kërcej,
Këndoj si çame.

Dhe vajza ime më thotë,
O nënë, edhe unë jam çame.

E shtrenjta e nënës, çamja ime e bukur si lule
Edhe ty, ashtu do të thonë fëmijët e tu
Dhe fëmijët e fëmijëve tu… /KultPlus.com

Blur vjen me album dhe dokumentar koncertesh nga Wembley

Bendi “Blur” ka njoftuar për albumin e tyre të ri, “Live At Wembley Stadium”.

Ky projekt do të jetë shoqërues i dokumentarit dhe filmit të tyre koncertiv.

Ata e bënë të ditur lajmin në mediat sociale, ku shfaqën pamje nga koncertet e tyre masive që i mbajtën korrikun e shkuar.

Blur kishin luajtur para 150 mijë vetave përgjatë dy netëve në stadiumin kombëtar, “Wembley”.

Ndërkaq tani, gati një vit më vonë, albumi do të publikohet më 26 korrik, dhe mund të paraporositet nga tani.

Diskutim për librin “Enciklopedia imagjinare / postroman” të Bajram Kosumit

Në Amfiteatrin e Kuq të Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, shkrimtar, profesor dhe ish kryeministër i Kosovës, bisedoi të mërkurën me lexuesit e tij nga Gjilani për letërsinë dhe librin e tij të fundit, “Enciklopedia imagjinare / postroman”, i cili ka zgjuar interesim të madh te lexuesit.

Studiuesi dhe poeti Flamur Maloku, Profesori i Fakultetit të Edukimit, hapi takimin letrar, ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit, profesori dhe poeti Merxhan Avdyli foli për biografinë dhe veprimtarinë krijuese të autorit. Kritiku e shkrimtari Mehmetali Rexhepi paraqiti një vështrim kritik rreth librit. Sipas tij, libri në fjalë ka një denduri të dhënash estetike e letrare, dokumentare dh imagjinare, me motive të reja nga e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e pritshme. Ai theksoi:

“Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po I jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të bukurën dhe të shëmtuarën.”

Pastaj u zhvillua një diskutim me pyetje të të lexuesve dhe përgjigje të autorit, të cilin e udhëhoqi Flamur Maloku, duke e hapur debatin me pyetjen për procesin e shkrimit të “Enciklopedisë…”.

Kosumi u përgjigj se ky libër ka filluar të shkruhet së pari në mendje, deri sa baritja qelive të nëndheshme të Burgut të Nishit, për t’i shpëtuar të ftohtit dhe zieja në mendje të zbuloja një ligjërim letrar në të cilin thua një fjalë-çelës, një figurë letrare apo një term kulturor dhe lexuesi kupton një ´qind ide prej saj. Mbi këtë mision të pamundshëm letrar ka lindur Enciklopedia imagjinare, një trung letrar me plotë degë aq të mëdha sa duken si trungje të tjera, me pipa e sytha, me tekst e intertekst, me diku rreth pesëqind fjalë të tilla, po të cilat disa pesëmijë kuptime.

Poeti, studiuesi dhe dekani Merxhan Avdyli, e pyeti autorin se a duhet lexuesi të frikësohet kur hyn në pyllin e dendur të Ensiklopedisë imagjinare?

Kosumi tha se Enciklopedia… është si një mal, të cilin e vëzhgojmë. Dikush sheh lisat dhe e adhuron, dikush sheh egërsirat dhe e adhuron, dikush sheh gurët dhe I adhuron, dikush sheh lumenjtë, përrenjtë dhe i adhuron, dikush hapë tunele dhe nxjerr gurë të çmuar…, me rëndësi që secila klasë e lexuesve sheh Tokën e vet të premtuar. Sa më thellë të hyjë në këtë botë të re, aq më shumë do të frikësohet lexuesi. Sepse do të shoh historitë lemeritëse, për shembull, mjaftojnë edhe ato të fillimit të shekullit XX në Ballkan, kur u formuan shtetet e reja dhe kombet e reja, si serbët, bullgarët, grekët, e më vonë edhe shqiptarët, maqedonasët, malazezët, se çka kanë bërë ata kundër njëri tjetrit.

Profesor Nevrie Ismaili pyeti për metodologjinë e konstruktimit të fakteve historike me faktin letrar, imagjinar.

Autori tha se një nga bukuritë e këtij teksti është pikërisht humbja e kufirit midis historikes dhe imagjinares, shumë e vështirë të dallohet fakti imagjinar dhe fakti historik, dhe pikërisht aty ku mendon se po flitet për fakte historike, mund të jenë fakte imagjinare, ose aty ku mendohet se po fluturon imagjinata, në të vërtetë flasin faktet historike. Ky edhe është një element postmodern i këtij libri.

Mehmet Bushi e pyeti shkrimtarin se pse e keni quajtur “postroman” dhe cilin lexues e kërkon ky libër?

Autori tha se “Postroman” është një fjalë e krijuar nga unë, ngjizje e fjalës roman dhe asaj që vjen pas romanit, një zëvendësim I romanit me një zhanër të ri. Ky libër nuk është roman as edhe si asnjë tip a model I romanit e deri te postromani, sepse të gjithë ata trajtojnë një apo më shumë tema, një apo më shumë personazhe, një apo më shumë situata…., ndërsa në Enciklopedi ka sa zëra aq romane në miniaturë, sepse çdo zë paraqet një roman në miniaturë. Më ka ndihmuar mënyra se si e kam përdorë ligjërimin: unë nuk rrëfej për detajet e ngjarjeve apo përjetimeve të zakonshme, unë rrëfej vetëm për pikat referenciale, dhe vetëm për momentet kritike të ekzistencës njerëzore, vetëm për ballafaqimet e zhveshura të njeriut me situatat ekzistenciale, prandaj kjo mënyrë rrëfimi dhe ky ligjërim më ka bërë të mundshme që në një zë të shkurtër, për shembull në një faqe, të paraqesë një histori disa mija vjeçare dhe, ky është saktësisht një roman në miniaturë.

Studiuesja e re e letërsisë Donjeta Kryeziu e pyeti autorin se pse keni emërtuar një libër, ‘Libri për pesë Mariet’ dhe pesë personazhe të tij me të njëjtin emër, Maria?

Kosumi tha se pesë Mariet kam paraqitur fatin e femrave të Ballkanit në shekullin XX, pesë gra, me pesë fate të ndryshme, madhështore dh tragjike njëkohësisht, të gjitha me një prototip real, duke filluar me Marie Shllakun, Marie Kokolarin, Marie Jorgiqin, Marie Krasniqin dhe Marie K. Ua kam vënë emrin Marie nga mëma e krishtit, Maria/ Hazreti Mejremja, nëna e cila e pa më sytë e vet kryqëzimin e birit dhe i qëndroi te këmbët e përkushtuar ndaj tij dhe besimit të tij, por jo edhe e nënshtruar.

Albulena Limani pyeti se, sa ka ndikuar në shkrimin e tekstit letrar kujtesa juaj personale e burgut, pasi keni qenë vetë i burgosur politik për një kohë të gjatë?

Kosumi tha se flet me kënaqësi për kohën e burgut, për vetëm një arsye: burgu, sidomos i diktaturave komuniste, ka mëtuar të jetë një shpërfytyrim i njeriut. Në shumë raste ia ka arritur. Por në disa raste nuk ia ka arritur. Krijimi i letërsisë është një nga mjetet kundër shpërfytyrimit të burgut. Krijimi i letërsisë në burg është, përveç letërsi, rezistencë ndaj shpërfytyrimit të burgut. Unë besoj se ky realitet i shëmtuar i burgut nuk duhet të heshtet. Duhet të tregohet se çfarë lemeria bën njeriu mbi njeriun dhe çfarë është në gjendje të përballojë, të mbijetojë dhe të triumfojë njeriu. Këtë të vërtetë e kam thënë edhe në Enciklopedi… Por, është edhe ana tjetër e burgut: burgu, kjo e keqe, nuk të lë pa u hakmarrë. Ne e kemi mbijetuar dhe kemi triumfuar mbi burgun, mbi dhunën, mbi robërinë, mbi të keqen, mbi të shëmtuarën…, edhe si individë edhe si shoqëri, por kjo e keqe historike nuk na lëshon pa na ndëshkuar edhe nga përtej varrit. Sikurse te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ku varrmihësi që nxjerr eshtrat e ushtarëve armiq, gërvishtet vetëm pak në dorë nga një asht, por vdes.

Xhavit Lani pyeti se si i keni përzgjedhur personazhet, ata realë dhe imagjinarë?

Kosumi tha se dhe me emërtimet, sikurse me ligjërimin, ka ndjekur parimin e zotit: ka krijuar personazhe, edhe kur janë historike edhe kur janë imagjinare, e shpesh nuk dihet kur janë historike e kur imagjinare, sikur të krijoja njerëz të rinj, në një botë të re… Natyrisht që kam pasur edhe prototipe e modele. Disa prej modeleve mund të jenë edhe në këtë sallë. Për shembull, kam një motiv te Libri i pesë Marieve, në të cilin një personazh, nga dhimbja e thellë që ia vrasin vëllain në demonstratat e 1981, betohet publikisht në varrim se kurrë më në jetë nuk do të qesh! Prototipin e këtij betimi e kemi këtu në sallë. Dhe ky është një betim i denjë për tragjeditë antike.

Merrushe Sefa e pyeti autorin se cilët janë autorët apo veprat që kanë ndikuar në shkrimin e këtij libri.

Kosumi tha se idetë fillestare për fjalët-celës përputhen, por dne pa e njohur, me idenë e Raymond Williams-it dhe me librin e tij Keywords (1976), në të cilin e paraqet historinë kulturore të Anglisë përmes historisë së disa fjalëve. Këtë libër e kam lexuar diku kah vitet 2010 dhe jam lumturuar për ngjasimin e ideve të mia të viteve ’85-‘86 me ato të Williams-it. Por, ndikimin më të madh letrar në rininë time  e kam përjetuar nga vepra e Kadaresë. Shkrimtarët që kanë ndikuar më shumë apo prej të cilëve kam absorbuar më shumë invencion letrar, pa dyshim është Borhesi, Eko, Markesi, Pamuku. Këto janë modele që i dua, përndryshe unë jam ndikuar nga shumë libra dhe shumë kultura, duke filluar nga librat e shenjtë dhe librat e vjetër. Mjafton të them se në Burgun e Beogradit Odisenë e Homerit e kam lexuar shtatë herë.

Hysen Këqiku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Dega e Gjilanit, lexoi një letër përgëzimi në emër të LSHK, Dega në Gjilan, në të cilën, shprehu gëzimin dhe mirëpritjen e botimit të Enciklopedisë imagjinare, duke e cilësuar një dite feste për lexuesit dhe letërsinë shqipe botimin e saj.

Në mbyllje, udhëheqësi i takimit, profesori Flamur Maloku, tha: “Kosumi nuk shkruan libër, por rrëfen për ngjarje e histori librash, të cilat janë rrëfime e nuk janë rirrëfime. Si vepra Enciklopedia Imagjinare, si vetë autori, duhen kuptuar brenda estetikës së narratives, ashtu si i kuptojmë Borhesin, Econ e Markezin.”/ KultPlus.com

Ndërhyrje emergjente në çatinë e kishës së Sinjës, monument kulture

Specialistët e DRTK Berat kanë nisur një ndërhyrje emergjente për riparimin e çatisë në kishën e Shën Marisë në Sinjë. Kisha është shpallur Monument Kulture, Kategoria I.

Pas riparimit të saj do të kryhet edhe pastrimi i vegjetacionit në zonën përreth duke i shërbyer turizmit të zonës.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tri krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.

Ndërsa ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë; tre dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër, edhe hyrja kryesore ndodhet në anën lindore një flegërshe me hapje nga brenda po prej druri duke u paraprirë nga një derë prej hekuri.

Në anën jugure ndodhet një portë dy flegërsh e bllokuar nga brenda me një mur dhe jo më funksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit. Hapësira e brendshme e kishës është e vogel dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor.

Kisha e Sinjës është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Kulturës më 2015. atsh/A.K./TemA/ KultPlus.com

‘Ku janë ato fusha ku ato kaçuba, vajza të bukura si n’vendin tim kund nuk ka’

Muharrem Qenës kosiderohet artist i rrallë i skenës vendore. Krijimtaria e tij artistike është e pasur me këngë të cilat edhe sot dëgjohen e si të tilla i kanë rezistuar kohës.

Sonte po e kujtojmë artistin Muharrem Qena me këngën “Mallëngjimi”, një prej këngëve më të bukura të bagazhit të tij muzikor e cila flet për dashurinë ndaj vendlindjes.

Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale./ KultPlus.com

DPA, shkëmbim materialesh arkivore me simotrën turke

Pas dhurimit të rreth 2 milionë dokumenteve mbi veprimtarinë e shqiptarëve gjatë periudhës osmane, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vijon përpjekjet për shkëmbimin e materialeve arkivore me simotrën turke.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido priti sot drejtorin e Arkivave Shtetërore të Presidencës së Republikës së Turqisë, Ugur Unal.

Baza e gjerë kërkimore e këtyre dokumenteve shërben si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë gjatë sundimit osman deri në shpalljen e Pavarësisë./atsh/ KultPlus.com

Dalja e parë publike e Mbretit Charles pas diagnostikimit me kancer

Mbreti Charles III ka bërë daljen e tij të parë publike që pasi zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer.

Ai u ngjit në skenën e Portsmouth në eventin e mbajtur për të kujtuar heronjtë e “D-Day”, duke i thënë atyre se shteti do t’i jetë gjithnjë borxhli.

Mbreti Charles foli pas djalit të tij, Princit William, duke thënë se është krenar që qëndron krahë veteranëve të mbijetuar.

“Është detyra jonë të sigurojmë që ne dhe brezat e ardhshëm të mos harrojmë shërbimin e tyre dhe sakrificën e tyre për të zëvendësuar tiraninë me lirinë”, u shpreh Charles.

Në shkurt të këtij viti, Pallati Mbretëror deklaroi se monarku 75-vjeçar u diagnostikua me kancerin e prostatës dhe që atëherë ai nuk kishte bërë asnjë dalje publike.

Shfaqja ‘Turjela’, Gongo: I mahnitur nga teknikat e ish-Sigurimit…

Dy artistë përballë ish-Sigurimit të shtetit, i plotfuqishmi i lagjes dhe përplasja e dëshirës për liri me pushtetin autoritar. Saimir Gongo ka sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen “Turjela”, një vepër që rreket të shpërfaqë njeriun dhe pushtetin, dhe shtypjen, tradhtinë dhe vlerat. Shfaqja që vjen premierë në Teatrin Kombëtar, është ndërtuar mbi të dhëna të dala nga hulumitmet në dosjet e Ish-Sigurimit, sikundër edhe nga dënimet e artistëve të shumtë në diktaturë, duke nisur që nga ata që i dhanë jetë shfaqjeve teatrale.

“Ka pasur artistë të teatrit të dënuar në diktaturë, por shfaqja nuk bazohet në jetën e një emri të caktuar, por është një hulumtim artistik mbi te shkuarën”, thotë Gongo.

Elementet e shfaqjes e çojnë ish-Sigurimin brenda një shtëpie dhe e vënë mes një çifti. Autori dhe regjisori Gongo e ka sjellë ish Sigurimin si një institucion strategësh, ndonëse studiuesit kanë vënë në dukje mangësitë, mungesën e edukimit, shkollimit dhe kultivimit të atyre që punonin në Sigurim. Për këtë ai e ka një shpjegim.

“Struktura e pushtetit ka qenë e sofistikuar. Jam mahnitur nga teknikat e sigurimit, janë brilante”, thotë ai duke i përdorur këta përcaktorë për shkallën e manipulimit që dosjet kanë dhe shpesh duke vënë në dukje edhe aftësitë manipuluese të diktatorit. Sado që termat sërish krijojnë parehati në komunikimin publik mbi të shkuarën, ose krijojnë keqkuptim a devijim mbi atë që e shkuara ishte- shtypja kishte efekt më “bindës” se sa manipulimi përmes fjalimeve- Gongo, i gjen këta terma përshkrues të një institucioni e sistemi ku frika orientonte qëndrimet publike dhe jopublike.

Shfaqja megjithëkëtë, është një përpjekje për të demontuar propagandën komuniste dhe vetë nostalgjinë mbi të, sepse sipas Gongon, “arti është ai që i afrohet më së shumti të vërtetës”.
Duke ia kushtuar këtë shfaqje, “atyre që mbeten njerëz”, ai fton publikun të ndjekë pjesën që përmes pak personazheve, një skenografie të thjeshtë përcjell mesazhe mbi sistemet dhe heshtjet e atyre që nuk folën.
Aktori Helidon Fino, që interpreton shkrimtarin e njohur i cili bëhet bashkëpunëtor i sigurimit me detyrim, u jep jetë dilemat jetike të personazhit.

“Në fund fiton materia dhe morali i shkrimtarit. Tashmë, pikëpyetja e madhe është naiviteti i atyre që besuan. Dishepujt e ideologjisë dhe ata që nuk e kuptonin”, thotë ai, duke besuar se arti denoncon të shkuarën.
Aktori Neritan Liçaj, në rolin e një piktori që fle me Modiglianin e zgjohet me realizmin socialist, portretizon njeriun që thyhet, për të shpëtuar veten, për të pasur privilegje, për një zyrë më të madhe. “Shfaqja ka një monolog që është mjaft domethënës. Personazhi i operativit të Sigurimit, thotë se nuk do të një fitore të vogël, por një kryevepër që jeton edhe kur pushteti vdes dhe kjo e tregon qartë çfarë ndodhi dhe pasojat e asaj kryevepre që jeton ende sot kur pushteti ka rënë”, thotë Liçaj.

Ndërsa pjesë denoncon maskën dhe hipokrizinë, mesazhi i saj është si të ruash individin brenda një turme.
Premiera e shfaqjes “Turjela”, që u ngjit në Teatrin Kombëtar vë në peshore kompromiset, kontradiktat e betejat./balkanweb/ KultPlus.com

Këngët e ahengut shkodran, trashëgimi e vyer kulturore dhe shpirtërore

Shkruan: Albert Vataj

Krahas valleve të kënduara, në folklorin muzikor të qytetit të Shkodrës bëjnë pjesë edhe këngët e ahengut, këngë që mjeshtrat popullorë shkodranë i kanë trashëguar brez pas brezi, duke rritur pa reshtur shprehjen, forcën dhe bukurinë e tingëllimit të tyre.

Dihet që pas pushtimit turk të vendit tonë, shumë qytete shqiptare, ndër to edhe Shkodra, për një periudhë të gjatë kohe nuk e morën dot veten. Megjithkëtë, është i njohur fakti që qytetet tona, edhe pas këtij pushtimi, kanë patur e kanë zhvilluar kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet.

Këngët e ahengut kanë lindur si nevojë e natyrshme, në një stad të caktuar të zhvillimit të qyteteve tona, për të thënë diçka më tepër se vallet e kënduara. Vetë ndërtimi i këtyre këngëve, si formë më e zhvilluar, lindi si domosdoshmëri për të transmetuar një përmbajtje të re, një realitet shoqëror të ri që solli vetë zhvillimi i qyteteve.

Këngët e ahengut shkodran shquhen për tematikën kryesisht lirike-erotike me theks intim, për pathosin e thellë emocional dhe për dinamikën e zhvilluar që i karakterizon. Në to kanë zënë vend një radhë elementësh muzikorë të veçantë, siç janë frymëmarrja e gjërë e melodisë (mveshja e së cilës me lloj-lloj melizmash e kadencimesh të lira i kanë falur asaj, krahas tingëllueshmërisë vokale, ndonjëherë edhe tipare instrumentale); trajtimi lirik (ku pasazhet e improvizuara gërshëtohen me ato të inkuadruarat); mbështetja në një radhë modesh të pasura; modulime të pazakontë; karakteri shprehës-emocional që ato marrin sipas rastit; përcjellset instrumentale (që kontrastojnë me dinamikën e vokalit); roli që luan në to shoqërimi instrumental etj.

Fakti që këngët e ahengut shkodran nuk kanë asgjë të përbashkët me këngët e tjera e sidomos me ato të ciklit që këndohen në dasëm, qoftë përsa i përket përmbajtjes, qoftë ndërtimit të tyre melodik, ritmik e modal; ka bërë që herë pas here të shfaqet ndonjë mendim i kundërt lidhur me origjinën shqiptare të tyre. Por, pavarësisht nga këto mendime të shkëputura të cilat janë krejtësisht të pa argumentuara (fatkeqsisht studimet tona muzikore janë dukshëm të vonuara në këtë fushë), edhe këngët e ahengut gjatë kohës janë bërë pjesë e pandarë e asaj feste të madhe me karakter popullor siç është dasma.

Është i pamohueshëm fakti që, së bashku me pushtimin ushtarak, pushtuesi osman u përpoq të impononte kulturën e vet, pra edhe muzikën e vet. Por tashmë populli ynë kishte fituar tipare të përcaktuara mirë të kulturës së tij shpirtërore, të muzikës së tij, të folklorit të tij në përgjithësi që i ruajti dhe i zhvilloi me përpjekjet e tij shumë shekullore kundër pushtuesit të huaj, kundër asimilimit si popull, gjuhë, muzikë, zakone etj.

Duke u nisë nga sa thamë më siper, mendojmë se këngët e ahengut shkodran nuk mund të quhen të huaja pse në to ndikimi i një kulture tjetër është i ndjeshëm. Populli i ka seleksionuar ato duke ia pershtatur kerkesave shpirtërore dhe psikologjisë së tij. Nga ana tjetër, fenomene të tilla takojmë edhe në kulturat muzikore të popujve tjerë. Ato duhen konsideruar dhe trajtuar si shkëmbime të natyrshme vlerash kulturore muzikore që nuk cenojnë në asnjë rast tërësinë origjinale kombëtare të këngëve të ahengut shkodran.

Në repertorin e pasur dhe të larmishëm të ahengut shkodran dallojmë disa tipe këngësh. Në përgjithësi ato ruajnë një unitet stilistik që flet qartë për epokën në të cilën janë krijuar dhe për evoluimin që ato kanë pësuar kohë pas kohe.

Melodia e këngëve të ahengut është në shumë raste e një sentimenti subjektiv, e butë dhe shumë përkëdhelëse për plastiken e saj. Kjo lidhet me përmbajtjen emocionale të këngëve. Zakonisht ato trajtojnë tema të lirikës qytetare në plan mjaft sentimental. Sentimentalizmi i tyre kalon në ndonjë rast edhe në shpërthime erotike disi të ekzaltuara.

Në krahasim me vallet e kënduara, këngët e ahengut shkodran kanë një shtrirje dhe një diapazon shprehës shumë të gjërë. Kulminacionet vijnë natyrshëm dhe zakonisht ndërtohen në pjesën e fundit të ndërtimit muzikor, duke konkretizuar kështu me forcë mendimin e vet.

Dy janë tipet e melodive kryesore që përbëjnë ciklin e këngëve të ahengut shkodran: meloditë e inkuadruara qartë nga ana ritmike dhe ato të karakterit të shtruar, që ose këndohen në mënyrë krejt të lirë, ose herë pas here gërshetohen me momente të inkuadruara ritmikisht.

Këngët e karakterit ritmik shquhen për një lirizëm efektiv, mjaft dinamik. Meloditë e tyre janë të zhveshura nga zbukurimet e shumta. Janë më koncize dhe ndërtohen me struktura frazore binare. Shembull këngët: “Ti je krejt si nji ganxhe”, “Ala emnin s’ta kam xanë” etj. si këto.

Këngët e karakterit të shtruar që këndohen sipas deshirës dhe ndjeshmërisë së këngëtarit, shquhen për zbukurimet e shumta, për natyren e një “ornamentalizmi oriental”, për rrjedhshmërinë dhe delikatesën e shprehjes artistike muzikore.

Të gjitha zbukurimet në tipet e melodive të shtruara qendrojnë si elementë jo të jashtëm. Në këto elemente shfaqen veçantitë e asaj lirike e cila shpreh një botë të tërë emocionale. Në këto këngë ku bëjnë pjesë edhe grupi i këngëve “jare”, ndjejmë thellë fantastikën krijuese të popullit. Shembull kënga “Jare të due, mori të due”.

Ritmika e këngëve të ahengut shkodran është shumë e pasur, qoftë për strukturën ritmike mbështetëse, qoftë edhe për formën. E kemi fjalën këtu jo vetëm për ritmin si skemë apo për karakterin e aksenteve, por edhe për trajtimin shumë të lirë që marrin këto aksente në kontekstin e dhënë.

Pjesa më e madhe e këngëve të ahengut shkodran shtjellohen në ritmin 7/8, pastaj vijnë ritmet 2/4 dhe 7+5/8. Më pak takohen ritmet 3/4, 5/8, 5+7/8 dhe 8/8. Brënda këngëve të shtrira ndeshemi edhe në kombinime ritmike të tilla siç janë ritmet 4+3/8, 4+5/8 etj. Shembull kënga “Edhe njiherë due me kja hallin”.

Kjo ritmikë që në veshtrim të parë duket sikur është e çrregullt, në ekzekutimin e ahengxhinjve shkodranë tingëllon jo vetëm shumë e natyrshme, por edhe shumë shprehëse. në kontekstin e dhënë, renditja e aksentave nuk ka më vlerë organizuese brënda masës, por brënda frazës. Në këto raste, ashtu si melodia, edhe ritmika ruan natyren e një improvizimi ritmik.

Zakonisht këngët e ahengut shkodran ndërtohen në formën dy pjesëshe të thjeshtë (strofë – refren) dhe pa përjashtim, kanë një hyrje instrumentale. Si rregull këto hyrje shtjellohen brënda 16 masave. Ka raste kur fillesat instrumentale ndërtohen me materialin tematik të vetë këngës, por në përgjithësi ato përmbajnë material krejt të ri, duke sjellë kështu zgjerimin e mëtejshëm të sferës emocionale të këngës. Shembull kënga: “Pranverë e bukur”.

Në këngët e ahengut shkodran, rëndom, takojmë edhe fraza instrumentale brënda për brënda këngës. Këto momente janë të lidhura jo vetëm me njifarë ndihme, po mund të shprehemi kështu, që i jepet këngëtarit për vazhdimin e mëtejshëm të këngës, por në mjaft raste edhe plotëson, zgjeron mendimin, i bën njëfarë jehone këtij mendimi. Megjithëse këngët e ahengut shkodran janë të stilit homofonik, këto fraza sikur krijojnë njëfarë “imitacioni” të largët. Shembull kënga “Në zaman të njasaj furi”.

Struktura modale e këngëve të ahengut shkodran mbështetet mbi një bazë të gjërë modale, duke filluar nga modet natyrore maxhore e minore, deri tek ato të ashtuquajturat mode orientale. Këto shkallë modale që populli i quan “perde” ose “makame”, janë gjithsej dymbëdhjetë dhe përcaktohen zakonisht nga tonika dhe lidhja e gradëve të ndryshme që bëjnë pjesë në strukturën e shkallës. Nganjëherë ndryshimi ndërmjet dy perdeve qendrore tek shtrirja ose diapazoni i tyre, d.m.th., dy perde kanë pak a shumë të njëjtën renditje intervalore, por dallohen nga diapazoni, shtrirja ose funksionet modale të tyre. Një gjë e tillë e ndërlikon mjaft ndërtimin e tyre.

Në dasmën tradicionale shkodrane, këngët e ahengut shkodran grupoheshin në shtatë grupe. Çdo njëri prej këtyre grup këngësh hapej e mbyllej me një pjesë instrumentale. Në tërësi, ahengu fillonte në mbrëmje dhe mbaronte në orët e para të mengjezit të ditës së neserme. Këngët që i përkisnin një grupi, këndoheshin në orë të caktuara të natës dhe përmbajtja e tyre lidhej në njëfarë mase me veçoritë e kohës kur këndoheshin. Kështu, këngët e grupit “sabah” që përfundonin krejt ahengun, këndoheshin në të gdhirë.

Shoqërimi orkestral bëhej me një grup instrumentash të përbërë prej violinës, sazes që kishte 10 tela dhe që akordohesh mbi parimin e kuartë-kuintës (la-re-sol); kavallit, dajresë. lugëve ose çapareve. Sazeja nuk përbënte një bazë të përhershme tonale, sepse akordi i saj lëvizte në varësi të grup këngëve. Nga gjysma e dytë e shek. XIX, kavalli u zëvëndësua nga klarineta. Më vonë, në vend të sazes hyri braçi, instrument melodik me forcë tingëlluese më të madhe se sazeja dhe bugarija që, në vend të akordit pedal, shoqëronte me harmoni të rregullt. Në çerekun e parë të shek. XX, hyri edhe basi që siguroi fondamentin e orkestrës. Shtatë ishin akordimet që përdorin instrumentistët për të rënë në ujdi me njëri tjetrin.

Këngët e ahengut shkodran janë kënduar nga tenorë lirikë dhe me një impostim të bazuar në shkollën popullore të të kënduarit. Duke iu referuar një transkriptimi të vjetër të këngës “Në zaman t’njasaj furi”, rezulton se këngëtari shkonte lart deri tek nota Re bemol e oktavës së tretë. Gjatë ahengut këngëtari me përvojë ia linte radhen një këngëtari të ri. Kështu tradita e të kënduarit popullor transmetohej nga brezi nën mbikqyrjen e një këngëtari të njohur popullor. Shkolla popullore e të kënduarit meriton një vëmendje dhe studim të veçantë.

Një vend të veçantë në këngët e ahengut shkodran zënë këngët e trimërisë, si evokim i traditave luftarake të popullit tonë. Përmbajtja e re i ka diktuar krijuesit popullor nevojën e përdorimit të një ritmike dhe intonacioni jo thjeshtë qytetar. Në strukturën e këtyre këngëve vërejmë prirjen për t’iu shmangur modeve karakteristike të këngëve të ahengut, gjë që në shumë raste i afron këto këngë me intonacionet e këngëve të trimërisë që këndohen në Malësi. Shembull janë këngët: “Dasho Shkrelit”, “Dedë Gjon Lulit”, “Ali Pashë Tepelenës”, “Krisi topi, gjemoi deti” etj. si këto.

Bashkëtingëllimi për një kohë të gjatë në dasmat e qytetarëve shkodranë e këngëve të ahengut me vallet e kënduara, ka bërë që mjaft elementë intonativë të këtyre të fundit të zënë vend në strukturën e disa këngëve të ahengut. Shembull këngët “Si t’kam dashtë unë ty”, “Hajde verë e bardha verë”, “Mollë e kuqe top sheqere” etj. të kësaj natyre. Së bashku me këto intonacione, ato u kanë falur këtyre këngëve edhe elegancën, finesën dhe ndjeshmërinë që është tipike per vallet e kënduara.

Është vendi këtu të japim disa konsiderata lidhur me evoluimin që vërehet dukshëm në krijimtarinë popullore të këtyre 100 viteve të fundit, krijimtari që ka pasuruar me vlera të qendrueshme repertorin e këngëve të ahengut shkodran.

Në qoftë se në periudhat e hershme të krijimit të këngëve të ahengut shkodran, mendimi muzikor ishte mjaft i zhvilluar dhe që në disa raste merr përmasa të një bukurie të veçantë, mendimi poetik qendron në këto këngë relativisht prapa. Dhe kjo është e kuptueshme. Temat shoqërore, në kushtet e një pushtimi të egër dhe prapanik, trajtoheshin në tekstin poetik në mënyrë të terthortë, alegorike. Megjithkëtë, në fillimet e zgjimit tonë kombëtar, Rilindjes sonë Kombëtare, kemi një evoluim të ndërgjegjshem si të përmbajtjes, ashtu dhe të formës në këngët e ahengut shkodran.

Nuk ka dyshim se këngët më të mira të ahengut shkodran, krijuar gjatë 100 vjeçarit të fundit, janë dhe duhen vlerësuar si dokumente muzikore ku ndjehet dinamika e jetës qytetare dhe zbulohen një radhë motivesh shoqërore, të cilat, nga jeta zunë vend në këngë dhe që nuk i takojmë në këngët tjera popullore si, p.sh., në këngët e dasmës, të cilat pasqyrojnë vetëm ceremonialin e saj. Ky fakt na shtron për detyrë të nxjerrim në pah këtë dinamikë jetësore që pasqyrohet në këngët e ahengut shkodran të kësaj periudhe. Kështu, në këto këngë dallojmë elemente të zhvillimit arsimor (nga kënga “Iptida due me fillue” sjellim vargjet “Ku ta gjejë unë nji shkollar/F’tyren tande me ta shkrue”); dallojmë kalimin nga shprehjet alegorike në thirrjen e drejtpërdrejtë të objektit të frymëzimit (këngët “Sa me t’shpejtë ma vune kamben”, “Midis t’ballit m’ke nji pikë”); dallojmë vendosjen për herë të parë të emrit të vajzës në tekst (këngët “Mori drandofilja e vogël”, “Kur me flet me gojë moj Gjyle”); rritjen cilësore të vargut poetik nën ndikimin e poezisë qytetare të kohës; ngjyrën lokale që marrin këngët (këngët “N’Shkodër tonë ka ra nji dritë”, “Ti moj Shkodër, Shkodra e jonë”); dallojmë pasurimin e teksteve të këngëve me elementë përparimtarë, siç është mosperfillja ndaj kufizimeve fetare etj.

Në planin muzikor të tëra këto gjejnë reflektim në kontekstin e përgjithshëm të këngës, këngë e cila arriti kulme të tilla që janë vlerësuar si paralajmëruese apo modele të para të romancës e deri të aries shqiptare (këngët “Marshalla bukurisë sate”, “Për mue paska kenë kysmet”, “Kenke nuri i bukurisë”).

Mund të themi me bindje se sot proçesi i zhvillimit të këngëve të ahengut qytetar (e kemi fjalën këtu jo vetëm për ato të qytetit të Shkodrës, por edhe të disa qyteteve tjera shqiptare ku këto këngë janë kultivuar pak a shumë në të njëjtat rrethana historike dhe po me të njëjtat karakteristika muzikore), ka hyrë në një etapë të re që paraqet ndryshime të dukshme në procesin e zhvillimit të hershëm të saj. Mjafton të theksojmë kalimin nga tradita gojore e transmetimit në atë të notizuar; variantet e reja të interpretimit të këtyre këngëve nga artistët profesionistë; ndryshimet në tekst e muzikë që iu bënë varianteve të vjetra nga vetë muzikantët popullore; gërshetimin e këtyre këngëve në dasma, festa familjare, manifestime të ndryshme artistike-muzikore si koncerte etj. me këngë të muzikës së lehtë, popullore të krahinave tjera të vendit tonë apo edhe me muzikë të popujve dhe vendeve tjera.

Koha ka seleksionuar repertorin e gjërë të këngëve të ahengut, duke pranuar ato që janë me të vertetë popullore dhe që shprehin ndjenjat e aspiratat e tij si dhe duke mënjanuar ato që mbartin karakteristika dhe mënyra jetese të huaja për popullin tonë. Sidoqoftë, mbetet të ndërmerren studime të mëtejshme, aq më tepër se numri i përgjithshëm i tyre nuk dihet, se mungojnë të dhëna qoftë për sa i përket stilit kompozicional, qoftë për stilin interpretativ të shumë prej këtyre këngëve. Një fushë tjetër studimi, e pa rrahun ende me vemendjen e duhur nga muzikologët tanë, është edhe përcaktimi i plotë i tipeve të këngëve të ahengut dhe i varianteve të tyre në qytetet e ndryshme të Shqipërisë apo ndikimi që kanë ushtruar në strukturën e këtyre këngëve elementët intonativë të këngëve të fshatit e të Malësisë./KultPlus.com

Ekspozitë personale në Paris! Kryeministri Edi Rama prezanton krijimet artistike në Galerinë Marian Goodman

Një ekspozitë personale në mes të kryeqytetit francez! Galeria Marian Goodman do të paraqesë për artdashësit veprat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Pjesë e krijimeve janë vizatime në letër, letra muri, skulptura qeramike dhe një qendisje me dorë. Kjo krijimtari tregon afërsinë e artistit me ngjyrën, e cila ka qenë thelbësore për Ramën si në karrierën e tij politike, ashtu edhe në veprimtarinë artistike, me aftësinë për të përcjellë elemente të psikikës, por edhe potencialin e saj për të ndryshuar perceptimet tona dhe për të gjallëruar, shkruan Galeria Marian Goodman, në një prezantim për këtë ekspozitë, që çelet në Parisin ky politikani jetoi në vitet ’90.

Për Ramën, vizatimi buron nga “nevoja për të gjetur një ekuilibër midis shikimit të brendshëm dhe shikimit të jashtëm”. Në vizatime automatike të cilat fokusohen në mendjen e pandërgjegjshme, me qëllim për të përmirësuar aftësitë e tij të përqendrimit dhe të dëgjimit, Rama vizaton gjatë takimeve dhe telefonatave në zyrën e tij.

“Di që vizatimet janë pjesë e punës sime. Bëhet fjalë për punën dhe është si diçka brenda meje që përpiqet t’i shpëtojë punës kornizë”, shprehet kryeministri.

Vizatimet përbëhen nga kompozime komplekse, të bëra me ngjyra të ndezura që mbulojnë pjesërisht letra të printuara A4, me shënime apo oraret e takimeve ditore.

Në njoftimin për mediat, Galeria Marian Goodman tregon se si ngjyrat që sot janë në tavolinën e kreut të qeverisë shqiptare, dikur, kur Rama drejtonte bashkinë e Tiranës, u bënë pjesë e një projekti ambicioz për rilyerjen me shumë ngjyra të fasadave të ndërtesave.

Duke u ndalur më tej te qeramika, shpjegohet se Rama realizon punimet në studion e tij jashtë Kryeministrisë gjatë kohës së lirë.

Ekspozita hapet për publikun të shtunën, në 8 qershor./tch/KultPlus.com

Prag vere në Bjeshkën e Dobërdolit në Tropojë

Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm foto nga Bjeshka e Dobërdolit në Tropojë, zonë kjo që duket sikur ka dalë nga eposi i Kreshnikëve.

Pranvera ka rigjallëruar bjeshkët ndërsa vendasit bëhen gati për të nxjerrë bagëtitë në kullotat alpine që në këtë periudhë të vitit janë të gjelbra dhe plot me lule shumëngjyrëshe.

Bjeshka e Doberdolit është një bjeshkë e bukur e vendosur në lartësitë e maleve te Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR zhvillon edicionin e 11-të në Tiranë

Pas pesë vitesh të suksesshme në Sarandë, DEA vjen këtë vit për herë të gjashtë edhe në Tiranë, për ta ndarë ofertën filmike dhe ekspertizën profesionale evropiane edhe me publikun, studentët dhe kineastët kryeqytetas!

DEA mbetet edhe këtë vit OPEN AIR.

Programi i mbrëmjes së konkurimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë ofrohet në Kinema DEA OPEN AIR 1 – në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

Në Kinema DEA OPEN AIR 1 – në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve organizohet edhe Ceremonia zyrtare e Hapjes si edhe Mbrëmja Gala e Ndarjes së Çmimeve të Edicionit XI të DEA OPEN AIR International Filmfestival Tiranë – 2024.

Programi i pasdites i konkurimit kryesor të festivalit, Filmit me Metrazh të Gjatë si edhe programet e Filmit Dokumentar, Filmit të Shkurtër dhe Filmit Dokumentar do të ofrohen në Kinema DEA OPEN AIR 2 – Salla BLACK BOX e Universitetit të Arteve, ndërsa programi Cine KO, me fokus kinemanë kosovare, do të ofrohet në COD (Qendra për Hapje dhe Dialogun për Hapje dhe Dialog).

Të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e Festivalit.

Aplikuesit vijnë jo vetëm nga vendet evropiane, por edhe më gjerë, duke i dhënë aplikimit – si në edicionet paraardhëse – gjeografi ndërkontinentale.

Filmat e paraqitur dhe autorët që marrin pjesë në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit Mars.

Në garë për Çmimet DEA komisionet e përzgjedhjes paraprake kanë vendosur të përfshijnë në programin e sivjetëm gjithsej 39 filma nga 25 vende të botës, prej të cilëve 6 në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë ose konkurimin kryesor, 19 në Seksionin e Filmit të Shkurtër, 11 në Seksionin e Filmit Studentor dhe 3 në programin Cine KO, me fokus kinemanë kosovare.

Edicioni i Njëmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Universitetit të Arteve, të cilët krijojnë atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve evropiane të filmit, aktorët, regjisorët, producentët, por dhe përfaqësuesit e industrisë, kritikët, studjuesit dhe gazetarët e ftuar, i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon./ Balkanweb/ KultPlus.com

Kryeqyteti shënoi Ditën Botërore të Mjedisit me shumë aktivitete

Në shënim të “Ditës Botërore të Mjedisit” aktivitetet dhe projektet nuk munguan në qytetin e Prishtinës.

Organizata “YARL” në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve dhe Hapësirave Publike nga komuna e Prishtinës, kanë organizuar mbjelljen e luleve, perimeve, pemëve në disa lagje specifike në kryeqytet.

Bashkëpunimet e aktivistëve në lagjen ‘Ulpiana’, rreth orës 14:00, kishin nisur punimet e procesit të mbjelljes.

Donika Çetta, drejtoresha e menaxhimit të hapësirave publike dhe parqeve në Prishtina, thotë për RTK-në se aktivitetet e tilla janë të nevojshme për qytetarët e vendit, ku qëllimi i tyre qëndron tek ruajta e ambientit dhe rigjenerimi i hapësirave të degraduara.

“Ky projekt në të cilin jemi sot duke implementuar është që nga viti i kaluar, ku është gjithëpërfshirje e komunitetit në lagjen ‘Ulpiana’ dhe si kërkesë e tyre ka qenë krijimi i kopshteve urbane, të mblidhen dhe të kontribuojnë qytetarët”, tha Çetta.

Gjithashtu, lidhur me çështjen e përzgjedhjes së pemëve dhe luleve, Çetta tha se të gjitha i kanë zgjedhur qytetarët.

“Sot, ne vetëm po e bëjmë së bashku me komunitetin mbjelljen dhe mbushjen këtyre kopshteve urbane”, shtoi Qeta.

Kosovare Sadiku, drejtoresha e organizatës ‘YARL’, lidhur me këtë projekt tha se rëndësia e këtij aktiviteti është që të ketë mobilizim të komunitetit, jetëgjatësi të fermave urbane, duke i rifreskuar me erëza të ndryshme të cilat kanë rëndësi për shëndetin.

“Në këto ferma urbane ka llojllojshmëri të mbjelljes, prej luleve deri te erëzat që i vendosim në tryezat tona çdo ditë”, tha Sadiku.

Ndërsa, pjesë e këtij projekti ishte edhe Florent Salihu, aktivistë me aftësi të veçanta, i cili bëri mbjelljen e luleve.

“Unë jam ndjerë shumë mirë, kur e kam bërë mbjelljen e luleve. Mendoj, se ky aktivitet është shumë i mirë për ne dhe kushtet janë shumë të drejta dhe i plotësojnë kriteret”, tha Salihu.

Aktivisti 18 vjeçar shprehu një dëshirë të tij që e konsideron hobi. “Mua më kanë pëlqyer gjithmonë lulet, i kam si hobi”, shtoi Salihu.

Zhvillohet gara ‘Vrapo për Autizmin’, Veliaj: Secili prej nesh ka sfidat e tij, e ca mund të kenë më shumë sfida sesa të tjerët

Në Parkun e Liqenit Artificial u zhvillua gara e vrapimit “Run for Autism”, kushtuar ndërgjegjësimit për Autizmin. Ky aktivitet u organizua për të dytin vit radhazi nga Ambasada e Italisë në Tiranë, në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se një qytet i mirë, është një qytet që i pranon të gjithë, pa diferenca.

“Secili prej nesh ka sfidat e tij, e ca mund të kenë më shumë sfida sesa të tjerët. Ndaj, ëndrra ime është për një qytet ku njerëzit besojnë në Zotin që duan, të duan personin që duan, dhe sfidat t’i zgjidhin në mënyrën sesi ata e shikojnë më të arsyeshme, sepse vetëm një qytet që i pranon të gjithë, pa bërë diferenca, është një qytet i mirë. Më vjen mirë kur shoh se si fëmijët sillen në çerdhe, në kopshte, në klasat fillore, pa qenë diskriminues, e përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç janë”, tha ai.

Kryebashkiaku falenderoi të gjithë ata që mbështesin këto nisma, teksa theksoi se në kuadër të “Javës së Kulturës Italiane” po organizohen një sërë aktivitetesh në Tiranë.

“Ne jemi këtu për të bërë tifo për engjëjt tanë, engjëjt më të vegjël të qytetit, që pavarësisht sfidave, janë këtu për të vrapuar, për të na provuar se nuk dorëzohen, për të na treguar të gjithëve se ata e bëjnë qytetin më të plotë. Pa ata, qyteti nuk do të ishte qyteti me zemër të madhe që është sot. Falenderoj kolegët e “Javës së Kulturës Italiane” sepse ka qenë leksion i madh bashkëpunimi për të vrapuar për autizmin, për të na treguar se kultura nuk është vetëm këngë e valle, kultura fillimisht është mentalitet i ri, mentalitet i hapur, mentalitet gjithëpërfshirës. Në këtë javë të kulturës italiane do të ketë filma, kemi koncertin e Diodato-s, do të ketë pritje, aktivitete nga më të ndryshmet, por unë besoj se aktiviteti më i bukur  është të vrapojmë për autizmin, sepse na bën të gjithëve të vrapojmë fillimisht në mentalitetin tonë për të qenë më gjithëpërfshirës, më zemërhapur, më mendjehapur”, tha Veliaj./abcnews.al

Kori Siparantum sonte me koncert në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’

Kori Siparantum  sonte do të performojë në Kishën Katolike “Shën Ndou” me një koncert të veçantë për publikun.

Pas një sezoni të suksesshëm me performanca në Belgjikë, Suedi, Austri, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kori Siparantum rikthehet në vendlindje për të prezantuar punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Ky koncert do të ofrojë një program të larmishëm muzikor, duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur kosovarë dhe ndërkombëtarë, që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore.

Bashkohuni në këtë festë të vërtetë të artit vokal, duke sjellë së bashku traditën dhe  një mbrëmje magjepsëse muzikore.

OJQ ‘Voice of Roma, Ashkali and Egyptian’ kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë

Po kërkohet hapja e një qendre multikulturore në Prishtinës.

Kjo kërkesë vie nga organizata, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

Përmes një adresimi VoRAE kërkon nga pushteti lokal në kryeqytet, për ndarjen e një hapësire për ndërtimin e kësaj qendre.

Sipas kësaj shoqate, krijimi i një qendre kulturore në Prishtinë do të ishte një hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët.

” Një qendër e tillë mund të shërbejë si një platformë për të shfaqur pasurinë kulturore, historinë dhe traditat e këtyre komuniteteve, duke kontribuar në ndryshimin e perceptimeve negative dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kultura dhe mentaliteti i një kombi pasqyrohen në mendimet dhe imagjina e njerëzve të tij. Përmes aktiviteteve kulturore, ekspozitave artistike, pë rformancave muzikore dhe teatrale, një qendër kulturore mund të ndihmojë në ndërtimin e një narrative pozitive për këto komunitete. Kjo jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor, por gjithashtu do të forcojë ndjenjën e identitetit dhe krenarisë mes anëtarëve të komunitetit”, thuhet në kërkesën e VoRAE transmeton Klankosova.tv

Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thekson se kjo qendër do të krijonte hapësira për dialog dhe bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme, duke reduktuar diskriminimin dhe paragjykimet.

“Ajo do të ofronte mundësi për edukim dhe zhvillim personal, duke fuqizuar individët dhe duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Përmes këtij angazhimi, qendra kulturore do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës harmonike ndërmjet të gjithë qytetarëve”, thuhet ndër të tjera.

VoRAE kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë: Hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara

Çka synohet me hapjen e Qendres Multikulturore?

“Qendra Multikulturore – për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë”.

Themelimi i një qendre të përkushtuar kulturore për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe festimit të identitetit të tyre kulturor, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë. Kjo qendër do të ofrojë një sërë programesh që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtyre komuniteteve dhe do të shërbejë si një pikë takimi për të gjithë qytetarët.

Komponentët kryesorë të qendrës:

1. Muzeu i Arteve

– Organizimi i ngjarjeve të rregullta kulturore, festivaleve dhe ekspozitave për të shfaqur traditat, muzikën, vallëzimin, artet dhe folklorin e komuniteteve.

– Bashkëpunimi me artistët e komuniteteve për të organizuar shfaqje dhe ekspozita, si brenda qendrës ashtu edhe në ambiente të jashtme.

– Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit dhe artistëve që të ndërveprojnë me vizitorët dhe të ndajnë historitë dhe përvojat e tyre.

2. Hapësirat Interaktive Mësimore

– Ofrojnë punëtori dhe aktivitete të dizajnuara për të zhytur pjesëmarrësit në kulturën e romëve, të ashkalinjve dhe egjiptianëve.

– Përfshijnë klasa gjuhësore, zanate, punëtori tradicionale të gatimit dhe mundësi për të mësuar instrumente muzikore tradicionale.

3. Ndërgjegjësimi dhe Avokimi

– Angazhimi aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit për historinë dhe kulturën rome dhe sfidat me të cilat përballen këto komunitete.

– Përpjekjet e avokimit që synojnë luftimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianëve.

4. Edukimi dhe Ndërgjegjësimi

– Organizimi i seminareve, leksioneve dhe paneleve diskutimi për publikun e gjerë për t’i edukuar ata rreth historisë, kulturës dhe kontributit të komuniteteve.

– Organizimi i shfaqjeve filmike dhe diskutimeve mbi tema që lidhen me çështjet e komuniteteve, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut.

– Një bibliotekë me libra, materiale audio-vizuale dhe burime mbi historinë dhe kulturën e komuniteteve në dispozicion për qëllime edukative dhe kërkimore.

– Bashkëpunimi me institucionet arsimore për të integruar historinë dhe kulturën e komuniteteve në kurrikulën e tyre.

5. Shkëmbimi Gjuhësor dhe Ndërkulturor

– Ofrojnë kurse gjuhësore për individët romë dhe jo-romë, me fokus në mësimin e gjuhës rome dhe shprehjeve kulturore.

– Lehtësimi i programeve të shkëmbimit ndërkulturor ndërmjet komuniteteve rome dhe jo-rome për të nxitur mirëkuptimin dhe për të kapërcyer boshllëqet.

– Organizimi i programeve shkëmbimi gjuhësor ku individët romë ndajnë gjuhën dhe kulturën e tyre me nxënësit e interesuar.

6. Hulumtimi dhe Dokumentacioni

– Kryerja e kërkimeve mbi historinë, kulturën dhe çështjet bashkëkohore rome dhe publikimi i gjetjeve në revista akademike dhe platforma të tjera.

– Mbledhja dhe ruajtja e historive gojore, fotografive, artefakteve dhe dokumenteve rome për të siguruar që kontributi i romëve në shoqëri të njihet dhe ruhet.

– Bashkëpunimi me studiues, studiues dhe arkivistë për të dokumentuar dhe ndarë informacion të saktë rreth komuniteteve.

7. Partneriteti dhe Bashkëpunimi

– Krijimi i partneriteteve me institucionet kryesore kulturore, shkollat dhe universitetet për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

– Bashkëpunimi me OJQ-të dhe grupet e avokimit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale për të zgjeruar përpjekjet kundër anticiganizmit.

– Angazhimi me politikëbërësit dhe organet qeveritare për të ndikuar në politikat dhe programet që promovojnë përfshirjen sociale dhe luftojnë diskriminimin.

Tony Blair viziton Prishtinën, do i drejtohet popullit të Kosovës nga Kuvendi

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, figura kryesore që solli ndërhyrjen e NATO-s në ndalimin e gjenocidit serb, do të jetë në Kosovë në ditën e paqes e cila më 12 qershor shënon edhe Çlirimin e Kosovës.

Kështu i është konfirmuar Klan Kosovës, kur u pyet nëse në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Blair, do jetë prezent apo do i drejtohet popullit të Kosovës virtualisht.

‘’Do jetë prezent’’, është përgjigjur Ilir Kërçeli, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Zhvillimi vie meqë në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit, si pikë e parë e rendit të ditës është paraparë caktimi i një seance solemne, ku Tony Blair do i adresohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

”I. Caktimi i Seancës solemne për adresimin e ish Kryeministrit të Britanisë së Madhe, SH. T. Z. Tony Blair, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Më datë 23 mars 1999, kryeministri britanik Tony Blair iu drejtua Parlamentit Britanik për politikën e NATO-s ndaj Kosovës me fjalët:

”Çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë. Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Ka raporte që burrat i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”.

Si i pari lider europian, Tony Blair për shqiptarët do mbahet mend gjithmonë si njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit në vitin 1999-të.

“Kala Festival”, në Dhërmi për muzikë e plazh, prej sot e deri më 12 qershor

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau lajmin se u rikthye Kala Festival.

“Bëhuni gati të përjetoni eksperiencën e kuruar me kujdes të një kombinimi ëndërrimtar të festivalit muzikor dhe pushimeve në plazh”, shkroi AKT në rrjetet sociale.

Kala Festival nis sot në bregdetin e Dhërmiut dhe do të vazhdojë deri më 12 qershor, pranë plazheve të virgjëra ku madhështia e maleve shërben si sfond për momente të papërsëritshme.

Ritmi i muzikës së bukur do të mbushë ditët e netët e pjesëmarrësve që vijnë jo vetëm nga qytetet e Shqipërisë por edhe nga vende të ndryshme të botës, për të përjetuar traditën dhe modernitetin që bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të rinjtë që të zbulojnë sekretet e jashtëzakonshme të Dhërmiut pasi Kala Festival nuk është vetëm një festival muzike, por është një festë e kulturës, diversitetit dhe frymës së bashkimit, ngrohtësisë dhe mikpritjes së popullit shqiptar./atsh/KultPlus.com

Vjen në shqip për herë të parë romani i Aleksandër Dyma

Romani i parë i shkrimtarit të mirënjohur Aleksandër Dyma, një nga klasikët më të lexuar dhe përkthyer francezë, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përkthyer mjeshtërisht nga Nonda Varfi.

“Polina”, botim i vitit 1838 në Francë, na sjell edhe një herë madhështinë e romaneve klasike, ai lloj romani i papërsëritshëm dhe që ka tërhequr dhe vazhdon e tërheq edhe sot mijëra lexues.

Një përrallë magjepsëse e dashurisë dhe aventurës me intriga dhe sekrete!/tema/KultPlus.com

“Dikotomi”, hapet ekspozita e Ilir Butkës në FAB

Artisti dhe pedagogu i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ilir Butka, hapi ekspozitën e tij vetjake të titulluar “Dikotomi”.

Ekspozita me kurator Petraq Papën, u çel më 3 qershor dhe do të vazhdojë të presë publikun artdashës deri më 8 qershor, në Galerinë FAB.

Vetë artisti e konsideroi këtë si një moment të rëndësishëm, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, që ai e ndan me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit.

Kjo është ekspozita e parë vetjake e Ilir Butkës i cili më herët ka marrë pjesë në mjaft ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

“I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkëputjeje shumëvjeçare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten. I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për ‘’tradhëtinë’’ e pësuar”, është shprehur Ilir Butka.

Artisti thotë se nuk ka narracion në pikturën e tij, por edhe pse mungon figurativja në to, ato gjithsesi mund të konsiderohen si klasike, duke iu referuar teknikës së përdorur në disa prej tyre.

Siç e thotë edhe titulli që mban, ekspozita sjell simbolikisht dualizmin që rrethon piktorin si individ, por edhe vetë pikturën e tij.

“Angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën”, shpjegon Butka./atsh/KultPlus.com

Hapet festivali UNUM, Kumbaro: Tashmë, markë e Shëngjinit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte në Shëngjin ku së bashku me Pjerin Ndreun, kryebashkiakun e Lezhës, hapën festivalin veror UNUM,  që e kthen Lezhën në një “skenë” gjigante festive dhe i jep Shqipërisë një flamur të ri në hartën ndërkombëtare të eventeve verore.

Festivali UNUM do të vazhdojë deri më datën 11 qershor, në plazhin e Ranës së Hedhun. Pikërisht aty UNUM do të mirëpresë mbi 60 pjesë muzikore elektronike nga vendi dhe bota.

Agjencia Kombëtare e Turizmit fton të ndiqet ky event për të cilin vjen në ndihmë edhe udhërrëfyesi digjital TEA.

“Muzikë, rërë, pisha, det dhe male ku në një rrotullim 360 gradë ju do të jeni në gjendje të shihni, ndjeni dhe përjetoni të gjitha grimcat e shijes shqiptare në një festival të vetëm”, shkruan AKT.

Ndërsa ministrja Kumbaro u shpreh se, tani nuk flitet vetëm për festivalin UNUM por thuhet shpesh “festivali UNUM i Shëngjinit”.

“Ka ardhur momenti kur pas 5 vjetësh, UNUM është i lidhur si një brand me vendin ku ndodh. Prandaj besoj se është një martesë e lumtur mes festivalit dhe Shëngjinit dhe padiskutim që në martesa të lumtura ka njerëz që i japin frymë dhe bëjnë që kjo martesë të jetë jetëgjatë”, u shpreh ministrja gjatë ceremonisë inauguruese.

Sipas saj, UNUM nuk është thjesht festival por si një lloj kampi ku mësohet bashkëjetesa duke respektuar natyrën.

Ministrja ka theksuar rritjen e pjesëmarrësve nga viti ne vit dhe u shpreh se i sheh ata si ambasadorë të cilët i shtohen promovimit të turizmit të Lezhës dhe gjithë Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

Fillon “Panairi i Librit, Prishtina 2024”, i ftuar special shkrimtari francez Eric Faye

Me moton “Përgjigjja është libri” erdhi këtë vit edicioni i 24-t i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin i Rinisë.

Ceremonia e hapjes u mbajt sot më 5 qershor në orën 12:00. Në këtë edicion i ftuar special i Panairit ishte shkrimtari francez Éric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots.

Duke u shprehur falënderues ndaj shtëpive botuese që kanë sjellur në gjuhën shqipe librat e tij, ‘Buzuku’ dhe ‘Skanderbeg books’, Faye tregoi edhe për lidhjen që ai ka me Kosovën.

“Dua të them që deri tani kam qenë vetëm një herë në Prishtinë, shumë kohë më parë, në vitin 1977 dhe atëherë e shihja botën me sytë e një fëmije, nuk mbaj mend shumë nga ajo periudhë ku bënte vapë e madhe në kryeqytetin tuaj por që nga ajo datë e kam percjellur aktualitetin e Kosovës sepse shumë gjatë e kam ushtruar edhe profesionin e gazetarit. Datat e marsit dhe prillit të viteve 81’ e 99’ për mua janë të shënuara në kujtesën time si një ecje e vështirë dhe e dhimbshme deri në Pavarësi.”

Faye poashtu tregoi që përmes dy shkrimtarëve tanë, Kadare e Qosja ishte njohur më për së afërmi me Kosovën. Duke përmendur këta dy autorë ai potencoi që letërsia ka një rëndësi tejet të madhe në relacionet mes shkrimtarëve dhe lexuesve dhe së falë letërsisë ai sot mund t’i takoj lexuesit e librave të tij në gjuhën shqipe. Shkrimtari francez uroi për fund edhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet evropiane.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli falënderoi bashkëpunëtorët, lexuesit, shtëpitë botuese dhe MKRS.

 “Duke vizituar panairin e duke blerë libra ju kontribuoni për një shoqëri më të hapur, më të shëndetshme e më të arrirë”.

Të ftuar për fjalë rasti ishin edhe Hajrulla Çeku, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Ne duhet që duke filluar nga klasa e parë e deri tek studimet të lexojmë libra që na ndërtojnë mendimin kritik dhe e zhvillojnë frymëzimin dhe imagjinatën. Panairi i librit është më shumë së sa një vendtakim për shkrimtarët dhe lexuesit, është një simbol i përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri më të hapur, më të ditur dhe më të drejtë”, tha ndër të tjera Halimi.

Në Panair marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj – rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit – rreth 6000.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 24-t të librit janë:

– 300-vjetori i lindjes së Jul Varibobës

– 100-vjetori i lindjes së At Zef Pllumit

– 100-vjetori i lindjes së Jup Kastratit

– 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkas

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 9 qershor në orën 19:00./express/KultPlus.com