Kori Siparantum sonte me koncert në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’

Kori Siparantum  sonte do të performojë në Kishën Katolike “Shën Ndou” me një koncert të veçantë për publikun.

Pas një sezoni të suksesshëm me performanca në Belgjikë, Suedi, Austri, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kori Siparantum rikthehet në vendlindje për të prezantuar punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm.

Ky koncert do të ofrojë një program të larmishëm muzikor, duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur kosovarë dhe ndërkombëtarë, që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore.

Bashkohuni në këtë festë të vërtetë të artit vokal, duke sjellë së bashku traditën dhe  një mbrëmje magjepsëse muzikore.

Kori i Filharmonisë shënon 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, prezantohet edhe vepra premierë e Hajrullah Sylës ‘Like the Touch of Rain’

Vjollca Duraku
Foto: Enes Sahiti

Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.

Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.

Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.

Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.

Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit  Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që  mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.

Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.

“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.

Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.

“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera

“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.

Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të  gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.

Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.

“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.

“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.

Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.

Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.

“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’, koncert në Tiranë

Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës kanë mbajtur koncert në Tiranë, në sallën e liceut artistik “Jordan Misja”.

Fëmijët e kryeqytetit të Prishtinës, në dirigjimin e Vehbi Shoshollit, luajtën vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë.

Me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit të Kosovës, kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ janë paraqitur me një koncert para publikut të Tiranës.

Drejtoresha e korit dhe orkestrës, Hana Petrovci, falënderoi Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe MAShTI-n për mbështetjen derisa theksoi se orkestra e fëmijëve të Prishtinës tashmë ka filluar të ofrojë shfaqje edhe jashtë kufijve të Kosovës duke e përfaqësuar vendin në shtete të ndryshme.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.

Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe përbëhet nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të muzikës në Prishtinë, duke përfshirë fëmijë të shkollës publike të muzikës ‘Prenk Jakova’ dhe shkollave të tjera private./rtk/KultPlus.com

Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të paraqiten me koncert në Shkup

Në datën 30 Mars, salla e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut do të shndërrohet në një fushë të magjisë muzikore, pasi në atë skenë do të ngjitet Kori dhe Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” për të dhuruar një koncert të mrekullueshëm, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje paraqet një moment të veçantë për të gjithë dashamirësit e muzikës klasike dhe për ata që janë të interesuar të eksplorojnë talentin e rinisë në muzikë.

Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, ky koncert po vjen pas një pune të mrekullueshme dhe një viti të filluar mbarë me nxënës të talentuar nga shkollat e ulëta të muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova” & “Amadeus” & Tony Drum Studio të cilët janë gati të ndajnë pasionin e tyre për muzikën me publikun.

Kjo është një mundësi e rallë për të kuptuar dhe për të vlerësuar punën e palodhshme dhe talentin e këtyre fëmijëve që, përkundër moshës së tyre të re, kanë arritur të bëhen pjesë e një koncerti të tillë të nivelit të lartë.

Koncerti do të mbahet më datë 30 Mars, në ora 19:30, në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut në Shkup. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tiranë shënon 20 vjetorin e themelimit

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në Tiranë.

Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë do të interpretojë vepra nga kompozitorët vendorë e të huaj.

Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur kosovare Sihana Badivuku, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.

Koncerti është organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Koncerti do të mbahet më 2 shkurt në ora19:00 në TKOB/KultPlus.com

Orkestra dhe kori i TKOB-së performojnë në Sofie të Bullgarisë

Muzikali “Callas and Onassis” ka bërë bashkë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe artistët e Teatrit te Varnës në Bullgari një një bashkëpunim të sukseshëm që tërhoqi vëmendjen e publikut në Sofie.

Muzikali “Callas and Onassis” ka bërë bashkë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe artistët e Teatrit te Varnës në Bullgari një një bashkëpunim të sukseshëm që tërhoqi vëmendjen e publikut në Sofie.

Pas suksesit që kjo vepër pati në skenën e TKOB-së, artistët shqiptarë morën këtë herë duartokitjet dhe vlërësimet e publikut bullgar, për talentin dhe profesionalizmin e treguar.

Kjo shfaqje me bashkëpunimin e TKOB-së dhe Teatrit të Varnës u ndoq nga afër edhe nga dy presidentët, presidenti bullgar Rumen Radev, dhe ai i Shqipërisë Bajram Begaj.

E pranishme për të parë nga afër këtë shfaqje në Bullgari, Drejtoresha e Përgjthshme e TKOB-së, Abigeila Voshtina, u shpreh se bashkëpunime të tilla i afrojnë më shumë dy vendet tona, duke treguar që artistët shqiptarë janë tashmë artistë të një niveli evropian.

“Prania jonë këtu vërteton edhe njëherë se muzika nuk njeh kufij, pasaportë dhe doganë, dhe vërteton edhe njëherë marredheniet e shkëlqyera mes dy vendet tona. Në Shqipëri ne kemi një shprehje “nuk bëhet festë pa miq” dhe jemi të nderuar që jemi këtu për të nisur së bashku edhe festimet e Vitit të Ri.

Shqipëria dhe Bullgaria kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh kulturore, dhe shpresoj që këto bashkëpunime, ti intensifikojmë dhe ti çojmë më tej në të ardhmen, edhe në art e kulturë. Ne nuk do ndalemi deri në ndërkombëtarizimin dhe evropianizimin e Teatrit tonë, nëpermjet rritjes së cilesisë artistike dhe ritmit të shpejte.” – u shpreh zonja Voshtina.

Ajo theksoi se bashkëpunime të tilla do të vijonë edhe në të ardhmen, për ta bërë Teatrin e Operës dhe Baletit, një Teatër të të njohur ndërkombëtarisht./shqiptarja.com/KultPlus.com

Kori Siparantum fiton medaljen e artë në ‘Lojërat Evropiane të Koreve’ në Suedi

Kori “Siparantum” është shpallur fitues i Lojërave Evropiane të Koreve i cili është mbajtur në Suedi, nga ku ka rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë më të lartë të garave “Çmimin e Madh të Kombeve”.

Ky kor ka qëndruar disa ditë në shtetin e Suedisë, ku po organizoheshin edhe Lojërat Evropiane të Koreve, duke garuar me 65 vendet tjera nga ku edhe doli fitues./KultPlus.com

Përmes një koncerti artistik, Kori i Grave ‘Okarina’ i përgjigjet iniciativës për luftimin e depresionit

Kori i Grave “Okarina” do të mbajë sonte një koncert në sallën e Qendrës Okarina, duke iu bashkuar një iniciative e cila synon luftimin e depresionit përmes aktiviteteve kulturore, shkruan KultPlus.

Ky koncert, mbahet në kuadër të aktivitetit “ Supporting people in depression” të organizuar nga Chórtownia ( Poloni) të mbështetur nga IGNITE-a, duke iu bashkuar iniciativës me randësi të madhe që përmes aktiviteteve kulturore të luftohet depresioni.

Përmes një njoftimi në facebook, Kori “Okarina” ka bërë të ditur se performanca mund të ndiqet live në Facebook ku do të ketë interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj.

“Përmes realizimit të një koncerti dhe diskutimi të hapur për mënjanim të depresionit përmes muzikës, ju ftojmë të hyni direkt në platformën Live Facebook nga ora 19:00 ne faqe të Korit të Grave “Okarina” për të dëgjuar interpretime acapella nga repertoari shqiptar dhe i huaj!

Po ashtu me numër të limituar të ulëseve, koncerti është i hapur për ju artdashës që dëshironi të dëgjoni muzikë të bukur dhe terapeutike🥰

Mirësevini”, thuhet në njoftim.

Koncerti do të mbahet sot me datë 14.10.2023 , nga ora 19:00 në sallën e Qendrës Okarina/KultPlus.com

“Siparantum kids”, hapet konkursi për fëmijët e moshës 7-15 vjeç

Kori “Siparantum” nga Peja ka hapur konkurs për të gjithë fëmijët që kanë talent dhe dëshirojnë të këndojnë, shkruan KultPlus.

“Siparantum Kids” hap konkurs për fëmijët e moshës 7-15 vjeç, që të bëhen pjesë e një prej koreve më të suksesshme në histori të muzikës klasike në Kosovë.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 31 gusht, derisa audicioni do të mbahet më 1 shtator në ora 16:30 në Qendrën Rinore “Peja”.

Për të aplikuar në këtë kor, ndiqeni vegzën në vazhdim: https://forms.gle/Yn3mY1Us1VTxCg9F8. /KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës rikthehet në Tiranë me koncert premierë

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në Tiranë me një koncert premierë për të përmbyllur vitin më mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kori njoftoi se këtë koncert do ta bëjnë në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75 vjetorit të themelimit të Liceut Artistik “Jodan Misja”.

“Në drejtimin e Hajrullah Sylës në këtë ngjarje do interpretohen vepra nga Rafet Rudi, Vasil S. Tole, Laura Jēkabson, Peder Karlsson, Jake Runestad dhe Ola Gjeilo. Koncerti mbahet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” (Liceun Artistik “Jordan Misja” – Tiranë) më 9 dhjetor 2021”, shkruhet mes tjerash në njoftim.

Ky koncert do të fillojë në ora 19:00, derisa është bërë thirrje e vazhdueshme që të përmbahen në përpikmëri masat COVID-19 pasi që hyrja do të jetë e lirë. /KultPlus.com

May be an image of 2 people, people standing and text that says 'FILHARMONIA KOSOVES KOSOVOPHILHARMONIC KOSOO.PHL KORI FILHARMONISE SẼ KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHOIR ANSAMBLI KAMERALI FILHARMONISE KOSOVES KOSOVO PHILHARMONIC CHAMBER ENSEMBLE Rafet Rudi ValisS Tole Laura Jekabson Peder Kar Isson Olja Gjeilo Jake Runestad Dirigjent Conductor HAJRULLAH SYLA 9.12.2021 9:00 LICEU ARTISTIK "JORDAN ARTISTIC LYC CONCER TIRANE, SHQIPERI TIRANA, BANIA SEZON 2022 KTV'

Kori i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ performon në ‘Shën Ndou’

Këtë të premte, më datë 29 tetor në kishën katolike ”Shën Ndou” do të performoj Kori i Universitetit ”Haxhi Zeka”, përcjell KultPlus.

Performanca e Korit vjen në kuadër të Prishtina International Vocal Festival dhe nën dirigjimin e Hysen Nimanit, ndërkaq koncerti pritet të fillojë në orën 19:00.

Koncerti do të mbahet me numër të kufizuar të audiencës, duke respektuar kështu masat anti-covid. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë kaloi pragun e perfeksionit, inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit

Era Berisha

Veprimtaria kultivuese dhe e vazhdueshme e këndimit koral apo vokal nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes një sërë veprash të kompozitorëve të ndryshëm, duke filluar nga repertori botëror e deri tek repertori shqiptar, ku me inkuadrimin e vokalit nga secili anëtar dhe elementeve koreografike atraktive, ata thyen çdo barrierë të mundshme e cila pasoi në një tërheqje të duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat përgjatë natës shkatërruan definimin e limiteve, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha e renesancës e deri tek periudha bashkëkohore që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë të mahnitshme që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Bennett, Rheinberger, Gorecki, Rabe, Gueavara, Van der Roost, whitacare, Spevacek-Avery, Gjeilo, Lawry, Gerlitz dhe Hernandez, për të vazhduar me kompozitorët shqiptar si: Hajrullah Syla që solli veprën premierë të titulluar ‘Dimër’, Kreshnik Aliçkaj që solli një version ndryshe të veprës ‘Siparantum’ si dhe natyrisht vetë dirigjenti Memli Kelmendi me veprën ‘Sa bukur na ka dal nusja’.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi qetësia e cila tanimë ishte pothuajse vepër artistike e bashkangjitur e Korit së Filharmonisë, që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, solli një hijeshi të pakrahasueshme ndaj të pranishmëve duke i përqafuar dhe rrethuar komplet ata me vokalin e tyre hyjnor që jehonën dhe ushtimat e tyre kaluan pragun e perfeksionit.

Kësaj radhe, melodia dhe tingujt nuk po vinin nga instrumentet, ndonëse përfshirja e tyre ishte prezente me pianon nën manovrimin e Agron Shujakut, kontrabasi dhe violina  nën manovrimin e Visar Kuçit së bashku me interpretimin në violinë të  Festim Fanaj, pastaj tamburini nën manovrimin e Diellza Sylejmanit, kastanjeta nën manovrimin e Donjetë Krasniqi, viola nën manovrimin e Arianit Shehu, violonçela nën manovrimin e Antonio Gashi, si dhe fiz-harmonika e interpretuar nga Elton Balla.

Por ajo që mbizotëroi gjatë gjithë kohës ishin vokalet madhështore të sopranove si; Shkurtë Hykaj, Selvije Marteti, Arta Jashari, Kaltrinë Miftari si dhe tenori Safet Berisha, e po ashtu edhe elementet si lëvizjet koreografike, atraksionet e ndryshme të cilat i dhanë publikut një qasje tjetër duke i mbështjellë ata në hipnotizimin e bukur të tingujve që lirshmërinë e tyre e sollën në një frymë të vetme.

Kështu, krejt në fund ky koncert që frymonte nga kontrolli dhe ritmi diversiv i dirigjentit Memli Kelmendi, i cili inkuadroi mënyra të veçanta të interpretimit duke futur tërë Korin nën komandën dhe fuqinë e tij që herë ishte në një nivel skajshmërie të çmendurisë e herë të tjera në një qetësi pothuajse absolute.

Këto dy anë tërësisht të kundërta nga njëra-tjetra ishin dëshmi që Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent unik dhe mënyra se si ata këndojnë në një zë të vetëm dhe se si ata lëvizin jo vetëm vokalin por edhe duart, këmbët dhe komplet trupin e tyre në një harmoni të vetme, e fusin shikuesin dhe dëgjuesin në një shtangim shpirtëror duke fiksuar kështu thellësisht atmosferën dhe gjendjen emocionale të publikut dhe jo vetëm. Në një moment kulminacioni vokal afër përfundimi të një vepre edhe një fëmijë nga publiku që po këndonte së bashku me ta e i cili vazhdoi një notë më tepër, futi publikun dhe Korin në një emocion humoristik që solli buzëqeshjen e secilit.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të këtij koncerti i cili ka qenë i planifikuar për muajin mars, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Ky koncert ka qenë i planifikuar shumë më herët por për shkak të situatës pandemike, koncerti është detyruar që disa herë të shtyhet. Pavarësisht kësaj, programi veçse është përpunuar edhe më mirë dhe është arritur një nivel mjaft i lartë profesional i Korit”, tregon Jashari.

Sipas tij, ky program është posaçërisht i zgjedhur nga dirigjenti Memli Kelmendi, ku tutje ka treguar për përvojën interesante për Korin dhe për mënyrën e punës së veçantë të dirigjentit

“Ky program ishte në tërësi premierë që erdhi nga propozimi i vetë dirigjentit duke zgjedhur vepra mjaft komplekse për interpretimin e Korit të Filharmonisë së Kosovës duke e ditur që Kori ka mundësi më të mëdha se koret amatore për shkak të punës tonë të përditshme dhe besoj nga reagimet e publikut që vërtetë ishte një koncert i suksesshëm”, thotë Jashari.

Kurse, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo premierë la përshtypje tek ai, për KultPlus foli edhe dirigjenti Memli Kelmendi.

“Disa muaj më parë e morra ftesën nga drejtori i Filharmonisë së Kosovës për të ardhur me një program premierë me plan që koncerti të jetë në dy qytete, pra në Prishtinë dhe në Pejë. Unë i falënderohem shumë Drejtorit dhe institucionit dhe gjithë Korit të Filharmonisë së Kosovës për punën dhe përkushtimin maksimal për të ardhur deri në këtë realizim”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, procesi i provave nuk ka qenë i lehtë sepse është dashur të punojnë në prova ndaras që nuk i përket punës së Korit, por ata kanë punuar në bazë të rregullave të pandemisë duke e ngadalësuar shumë procesin e punës.

Për Kelmendin, prezenca dhe interesimi i madh i publikut e bëri atë të ndjehet i kënaqur dhe i gëzuar që sheh një numër të audiencës në sallë sepse sipas tij vërehet që njerëzit i kishte marrë malli për të parë diçka të bukur.

Tutje ai ka treguar që në rolin e dirigjentit ai është munduar të nxjerrë diçka tjetër prej Korit, me ato lëvizje koreografike dhe lirshmërinë e tyre, prandaj kjo ka tingëlluar jashtëzakonisht bukur duke i dhënë një ngjyrë dhe frymë tjetër kësaj çasje pikërisht në këtë kohë kaq të vështirë.

“Unë e përjetova shumë bukur sepse është hera e parë që performoj me Korin e Filharmonisë së Kosovës, është një emocion krejtësisht ndryshe sepse jam shumë mirënjohës ndaj tyre, e po ashtu iu përulem dhe falënderohem ndaj secilit anëtar të Korit dhe shumë të tjerë që kanë dhënë kontribut në realizimin e këtij koncertit”, përfundon Kelmendi.

Ky koncert premierë i Korit të Filharmonisë së Kosovës është realizuar në kuadër të sezonit 2020/2021. Ndërsa, repriza e këtij koncerti do të shfaqet të enjten në Pejë në kishën katolike ‘Shën Katarina’. / KultPlus.com

Akuzat për keqpërdorime përçajnë korin “Nexhmije Pagarusha”

Prej afro dy muajsh kori “Nexhmije Pagarusha” po zhvillon i dyzuar aktivitete paralele. Krejt kjo pasi anëtarët e Korit kanë vendosur me shumicë votash ta shkarkojnë drejtoreshën Nazlie Beadini-Sadiku.

Gjithçka kishte filluar në mars të këtij viti, kur disa prej anëtarëve të Korit kishin zbuluar, siç thonë, keqpërdorime financiare nga ana e ish-drejtoreshës.

Dyshimet e ngritura kanë përfunduar edhe me një deponim në Policinë e Kosovës, ku drejtoresha tashmë e shkarkuar, Nazlije Sadiku-Beadini dyshohet për keqpërdorim të mjeteve të dhëna në emër të korit “Nexhmije Pagarusha”. 12 anëtare aktive, nga gjithsej 20 sa ka Kori, në mbledhjen e mbajtur më 8 maj kanë vendosur ta shkarkojnë Sadiku-Beadinin nga pozita e drejtoreshës dhe dirigjentes Salih Mehmeti./Koha

Kori e Filarmonia e Kosovës sonte sjellin kryeveprën e muzikës barokene

Një prej veprave më të rëndësishme dhe më të njohura të kompozitorit italian Givanni Pergolesi do të interpretohet në kryeqytet. Kori bashkë me orkestrën harkore të Filarmonisë së Kosovës do të sjellin “Stabat Mater”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Dy soliste nga Franca, sopranoja Clemence Garcia dhe Caroline Champy-Tursun, e cila është mexosoprano, por që në koncert ka rolin e altit, do të bartin përgjegjësinë për të kënduar pjesët e kësaj vepre. Ky koncert, i cili do të zërë vend të hënën (sonte) në kishën katolike “Shën Ndou”, krahas kryeveprës së Pergolseit, do të sjellë vepra të kompozitorëve prej renesancës deri tek baroku. Në mesin e tyre edhe të kompozitorëve të njohur si Antonio Vivaldi, Hildegard von Bingen, Giovani Perluigi Palestrina dhe William Byrd.

Koncerti do të drejtohet nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur kosovar Rafet Rudi. Këtë mbrëmje ai e konsideron si një moment të rëndësishëm në punën e angazhimit të Filarmonisë së Kosovës, për faktin se me këtë koncert ky institucion për herë të dytë merr përsipër që të realizojë një koncert me muzikë specifike të kohës së barokut.

Para disa vjetësh Filarmonia e Kosovës ka pasur një koncert të sajuar komplet prej muzikës barokene, kurse ky është koncerti i dytë në tërësi që i kushtohet kësaj muzike./ KultPlus.com

“Jeta është e bukur kur jam me ty”, kori i fëmijëve “Okarina” i këndojnë barazisë (VIDEO)

Kori i fëmijëve Okarina sot ka plasuar këngën “Për ty”, që i dedikohet të gjithë fëmijëve me aftësi të veçanta dhe fëmijëve të braktisur, shkruan KultPlus.

Sot kudo në botë shënohet Dita Botërore e personave me Sindromen Down, ndërsa përmes kësaj kënge ky grup i fëmijëve përpiqet të shpërndaj dashuri në mes të gjithë fëmijëve.

Po ashtu kjo këngë ka për qëllim edhe ngritjen e vetëdijes në shoqëri që të mendohet më shumë për gjithëpërfshirjen dhe trajtimin e barabartë në aspektin social, edukativ dhe arsimor, por mbi të gjitha për dashurinë ndaj një komuniteti aq të brishtë e shumë të dashur, të sinqertë dhe të bukur.

Teksti i kësaj këngë është shkruar nga Florie Bajoku, muzika është punuar nga Elikona Hysaj Shala, orkestrimi nga Avni Krasniqi kurse regjia dhe montazhi është bërë nga Ujkan Hysaj./ KultPlus.com