Anisa Ismaili ka publikuar botimin e dytë të librit “Rrugëtime”.
Promovimi i librit do të bëhet në Studio Buzuku, në Taslixhe 1, më 29 prill.
“E lumtur që po sjelli librin tim të dytë në jetë. Ajo u botua më 2020, por tash me botimin e saj të dytë, po e jetësoj edhe me një promovim alla Anisë, me një gotë venë, pak ëmbëlsira e biskota ditë e bukur për mua”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Një numër njerëzish janë vrarë dhe “shumë të tjerë” janë plagosur pasi një makinë u përplas në një turmë në një festival në Vankuver, thotë policia.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron thotë: “Pas tragjedisë në Vankuver, unë shpreh solidaritetin tonë me kanadezët dhe komunitetin filipinas”.
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, thotë se është i tronditur dhe thellësisht i pikëlluar nga ngjarja. “Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit, familjet dhe të dashurit e tyre”.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sybiha i dërgon ngushëllime popullit kanadez. “Ne në Ukrainë e dimë dhimbjen e humbjes. Zemrat tona janë për të dashurit e viktimave.”
Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jan Lipavský thotë se vendi “dënon fuqishëm këtë akt të tmerrshëm dhune”, ka raportuar BBC./ KultPlus.com
Bashkimi Evropian do të ndalojë përdorimin e PFAS, të njohura si “pollutues të përjetshëm”, si dhe të ndërprerësve endokrinë në lodra deri në vitin 2030. Si është situata në Zvicër dhe si mund ta kufizojmë ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre substancave? On en parle bën një pasqyrë me Murielle Bochud, mjeke e lartë në Unisanté dhe profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Lozanës (UNIL).
Fëmijët nuk janë të imunizuar ndaj produkteve toksike. Unazat e dhëmbëve, lodrat e mbushura, lodrat e plazhit dhe produkte të tjera të destinuara për fëmijë të vegjël mund të përmbajnë PFAS, ndërprerës endokrinë, biocide dhe substanca alergjike. Këto janë kimikate që mund të jenë të dëmshme për trupin, transmeton albinfo.ch.
Më 10 prill 2025, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje për të ndaluar këto substanca nga lodrat që shiten në territorin e tij deri në vitin 2030. Deri tani, direktiva aktuale nuk përfshinte asnjë përmendje të PFAS. Ajo trajtonte vetëm substancat e quajtura “CMR” (karcinogjene, mutagjene ose toksike për riprodhimin), për të cilat ishin vendosur vlera maksimale.
Ndalimi specifik i PFAS, përveç rasteve kur fëmija nuk mund të vijë në kontakt me substancën, si dhe një numër i shtuar i ndërprerësve endokrinë, është një hap i parë, duke e bërë këtë rregullore një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve nga kimikatet e dëmshme.
Parimi i parandalimit
Përdorimi i industrisë që nga vitet 1940 për vetitë e tij të papërshkueshmërisë nga uji, mos-ngjitjes dhe qëndrueshmërisë ndaj njollave, PFAS (ose substancat per- ose polifluoroalkilike) zakonisht nuk gjenden në lodra. Megjithatë, praninë e tyre nuk mund ta përjashtohet, ndaj është e rëndësishme të aplikohet parimi i parandalimit, siç thekson Murielle Bochud, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Lozanës dhe mjeke e lartë në Unisanté, në programin On en parle: “Ka disa mijëra PFAS. Shumë prej tyre nuk janë studiuar ende, prandaj ekziston pasiguri. Edhe nëse nuk kemi prova të qarta që këto substanca kanë një ndikim në shëndet përmes molekulave të caktuara, mund të dyshohet se ekziston një rrezik potencial, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna.”
Ndërprerësit endokrinë janë një familje shumë e gjerë substancash që ndikojnë në sistemin hormonal. Disa përbërës janë njëkohësisht PFAS dhe ndërprerës endokrinë. Prania e këtyre molekulave në trup është e lidhur me disa çrregullime zhvillimi, pubertet të vonuar dhe kancer, ndër efektet e tjera të vërejtura.
Një pjesë e madhe e lodrave është e përfshirë
“Një pjesë e mirë e lodrave janë të përfshira, sa herë që ka pjesë plastike, ngjyra ose tekstil. Të gjitha këto lloje lodrash mund të përmbajnë PFAS ose ndërprerës endokrinë”, shpjegon Murielle Bochud. “Fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj këtyre substancave sesa të rriturit. Po ashtu gjatë rritjes dhe pubertetit. Periudha tjetër e ndjeshmërisë është shtatzënia, me ekspozimin e fetusit.”
Membranat mukozale, pra goja, janë një nga rrugët e mundshme të ekspozimit ndaj substancave të dëmshme. “Ingestioni, ushqimi ose pijet, kontakti me lëkurën, inhalimi përmes pluhurit dhe gjatë shtatzënisë përmes placentës janë rrugë të tjera ekspozimi”, saktëson Murielle Bochud.
Mjekja jep disa këshilla: “Nëse bëhet fjalë për një lodër me gishta, rekomandojmë ta lajë përpara përdorimit të parë. Nëse është një figurë plastike ose play-dough, shqyrtojini: nëse shihni simbolin CE, një certifikim evropian, kjo do të thotë që ato përmbushin disa standarde strikte të caktuara nga bashkësia evropiane.” Etiketa CE është një garanci për cilësinë, pasi kriteret e kësaj certifikate do të bëhen edhe më të rrepta me ndalimin e PFAS dhe ndërprerësve endokrinë deri në vitin 2030./ KultPlus.com
Shpirti im mbylli sytë avash avash siç fundosesh në ujë zhytu në gjumë lakuriq dhe veshur me të bardha më e bukura ëndërr do të të presë shpirti im mbylli sytë avash avash përhumbu, si në harkun e krahëve të mi në gjumin tënd mos më harro mbylli sytë dalëngadalë sytë e tu të kaftë ku digjet një flakë e gjelbër shpirti im./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur takimin e saj me presidentin e Kenias, William Ruto.
“Gjithmonë kënaqësi të takoj mikun e madh të Kosovës, Presidentin @WilliamsRuto, dhe të diskutoj hapat e ardhshëm në forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke i afruar edhe më shumë popujt e Kosovës dhe Kenias.”/ KultPlus.com
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha sot se “më 8 maj, vetëm pas pak ditësh, do kemi testin e parë të uljes në pistën prej 3,2 kilometrash në Vlorë”.
Në fjalën e saj gjatë një takimi në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e portit të këtij qyteti, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “brenda sezonit veror do të nisin operimet zyrtare nga Aeroporti i Vlorës, aeroporti i gjithë shqiptarëve”.
Balluku tha se “Vlora pret në vitin e parë të operimit 3 milionë pasagjerë”.
Ajo theksoi se ndërtimi dhe bërja funksional i Aeroportit të Vlorës do të krijojë 1200 vende punë për të gjithë ata persona, që duan të punojnë dhe kontribuojnë në sektorin e Aviacionit Civil.
“Ka 1200 vende pune, një pjesë e të cilëve kanë nisur rekrutimi. Pagat në aviacionin civil janë paga shumë të ngjashme me vendet e tjera evropiane, sepse siç e kemi thënë, aviacioni civil nuk i ka kufi. Kapaciteti përpunues në këtë aeroport do të jetë 4,5 milionë pasagjerë”, tha Balluku.
Duke e cilësuar krenarinë e aviacionit civil, Balluku tha se “kur filloi investimi ishte planifikuar 104 milionë euro, por që për shkak të gjitha zhvillimeve nga viti 2021 deri në 2024 konsorsiumi ka investuar deri tani 140 milionë euro, pasi është aeroporti i parë që ka tre komponentë të rëndësishëm të bërë bashkë”.
“Komponenti i parë i aviacionit civil, transporti i pasagjerëve; i dyti, mirëmbajtja e avionëve, një nënsektor toalisht i ri në Republikën e Shqipërisë, i cili do të sjellë jo vetëm punësimin e qindra djemve dhe vajzave, të cilat do të vendosin që të hyjnë në këtë industri të re, por e vendos Shqipërinë si një nga vendet ku zhvillohet një nënsektor shumë i rëndësishëm, që sjell edhe rritje të ulje-ngritjeve edhe rritje të të ardhurave të njësisë operative për shkak të qëndrimit të ditëve të qëndrimit të avionëve. Pra një komponent i industrisë së aviacionit civil që ka impakt ekonomik të jashtëzakonshëm si për pozicione pune, edhe për të ardhurat”, nënvizoi Balluku./ KultPlus.com
“Hamleti në fshatin Katran” titullohet premiera që po shfaqet gjatë fundjavës në skenën e teatrit të Gjirokastrës.
Premiera me regji të Erjon Hinajt sjell për artdashësit interpretimin e trupës së teatrit “Zihni Sako” të këtij qyteti, me pjesëmarrjen e aktorit të mirënjohur Bujar Asqeriu.
Subjekti i pjesës së autorit kroat Ivan Bresha zhvillohet në një fshat të humbur, në një vend nën regjimin totalitar komunist, ndërsa tentohet të vihet në skenë një pjesë teatri. Për ironi të fatit, personazhet gjatë shfaqjes përjetojnë situata sa komike, aq edhe dramatike.
“Vepra vjen si një mesazh i fortë për të gjithë ne, që gjëja më e çmuar e një kombi është ruajtja e individit, vlerat e njeriut. Dhe këtë duhet ta mbrojë çdo njeri që është në pushtet, si edhe çdo njeri që është në funksione shumë herë më të thjeshta në popull. Të drejtat e njeriut janë një nga themelet e popujve të Perëndimit. Kështu që pjesa përcjell lirinë, të drejtën e të folurit, dhe mbi të gjitha, integritetin dhe protestën ndaj gjërave të padrejta”, thotë regjisroi Erjon Hinaj.
“Shpresoj që publiku të ketë parë dhe të ketë marrë mesazhet e veprës, por unë ndihem pak i emocionuar sepse sot ishte një shfaqje masive, dhe kishte shumë kohë që në teatrin e Gjirokastrës nuk vendosej një shfaqje e tillë”, thotë aktori Aleksandër Kondi.
Një vlerë e shtuar artistike në këtë shfaqje ishte pjesëmarrja e aktorit të njohur të skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.
“Unë kam bindjen e plotë që shfaqja do të ndiqet nga publiku gjirokastrit, sepse është një publik i mençur, i ditur dhe e kupton shumë mirë mesazhin e kësaj vepre. Për Gjirokastrën unë kam dobësinë time, sepse im atë është nga ky qytet dhe erdha me kënaqësi të luaj këtu”, thotë aktori Bujar Asqeriu.
Tashmë, skena artistike e teatrit në Gjirokastër mirëpret shfaqje të interpretuara nga trupa shqiptare dhe të huaja, që ndiqen me interes nga artdashësit./euronews/ KultPlus.com
Bazilika e Shën Marisë së Madhe në Romë hapi sot dyert e saj për të lejuar besimtarët të shprehin respektin e tyre në varrin e të ndjerit Papa Françeskut, një ditë pasi ai u varros.
Qindra besimtarë u rreshtuan sot në mëngjes para kishës – përpara se ajo të hapej në orën 7:00 të mëngjesit.
Françesku zgjodhi kishën në Romën qendrore si vendin e tij të prehjes – në vend të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, ku janë varrosur shumë nga paraardhësit e tij.
Ai u varros dje në një ceremoni madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë qindra mijëra njërëz, si dhe udhëheqës globalë.
Kardinalët e mbledhur me rastin e ceremonisë së varrimit dhe konklavës së ardhshme për të zgjedhur pasardhësin e Françeskut – do të vizitojnë sot pasdite (16:00) – vendin e tij të prehjes /atsh/ KultPlus.com
Sot shënohet përvjetori i 26-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Memorialin e të rënëve, pranë të cilit gjendet edhe Guri i Nënës Pashkë.
Kryeministri Kurt u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit për gjenocidin e kryer në Kosovë, pasi sipas tij nuk mund të ndërtohet paqe me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive.
Kryeministri Kurti ka thënë se drejtësia është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm.
“Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.
Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.
Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:
7 prill 1999 në Mejë dhe Korenicë, është më e madhja në historinë e luftës së fundit në Kosovë.
Atë ditë, 26 vite më parë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në ditët në vijim, vazhdoi fshehja e trupave dhe shkatërrimi i dëshmive në vendin e krimit.
Të vrarët u varrosën dhe u rivarrosën në disa lokacione. Një pjesë e madhe e tyre u transportuan në Serbi, në varreza masive në Batajnicë. Krahas Batajnicës, ku janë gjetur 744 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Serbi janë zbuluar edhe katër varreza tjera masive, me mbi 200 shqiptarë, në Peruqac, Petrovo Selo, Kizhevak e Rudnicë.
Mes civilëve të vrarë ishin edhe Gjovalin e Milan Markaj nga Korenica e Gjakovës. Trupat e tyre u gjetën në varrezën masive në Batajnicë. Tri ditë pas rivarrimit të tyre në Mejë, më 27 maj 2003, nëna e tyre Pashke Krasniqi Markaj, dogji veten me benzinë, për t’i dhënë fund jetës së saj dhe dhembjes për të bijtë.
Në hyrje të memorialit në Mejë, nderuam kujtimin e Nënës Pashke. Sot e gjithmonë përkulemi para sakrificës, forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Jo vetëm personat e rrëmbyer e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktima të këtij krimi të vazhdueshëm. Ata janë në ankthin më të tmerrshëm pas luftës, në pritje të së vërtetës dhe drejtësisë për më të dashurit e tyre.
Sot Kosova po shënon Ditën e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë zhdukurve me dhunë nga Serbia.
Institucionet e Republikës për drejtësi, duhet ta dëshmojnë veten më së shumti e më së pari në rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se koha po kalon dhe dëshmitarët po mplaken dhe shumë prej tyre po ndërrojnë jetë.
Në dhjetor të vitit 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 53 personave të dyshuar për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Gjakovës. Është e domosdoshme këmbëngulësia dhe efikasiteti i sistemit tonë të drejtësisë, por gjithashtu edhe mbështetja ndërkombëtare për këto krime të pazbardhura, të cilat kërkojnë përgjigje sa më parë.
Sot e gjithnjë u bëj thirrje ndërkombëtarëve që ta rrisin presionin ndaj Serbisë për të vërteten e këtyre krimeve duke hapur arkivat, e për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë e ushtarakë për gjenocidin e kryer në Kosovë. Ky është themeli për një rajon paqësor, të sigurt e të qëndrueshëm. Nuk mund të ndërtohet paqja me ata që qëndrojnë mbi varrezat masive teksa i mohojnë ato.
Me dhembje e mall e pikëllim, sot dhe përherë, nderojmë martirët e Mejës e të Kosovës!/ KultPlus.com
Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një In memoriam për shkrimtarin dhe përkthyesin e mirënjohur Muhamed Kërveshi, i cili vdiq në shkurt të këtij viti. Kërveshi vjen në këtë numër të revistës me një cikël poezish përzgjedhur nga vepra e tij poetike, me esenë e tij “Imazhi poetik”, si dhe me tekstin kritik për poezinë e tij me titullin “Poezia dhe koha” të Bajram Krasniqit.
Në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Shtegu i verbërve” të Ndue Ukajt, “Zjarri i komitëve” dhe “Dashuria e parë” të Bedri Tahirit,”Afterparty” të Dhurata Hotit, “Të shikosh nga dritarja” të Orhan Pamuk-ut, “Kapela” të Thomas Bernhard-it dhe “Heronjtë e fundit” të Guido Morsell-it:”
Ndërkaq, me nga një cikël poezish prezantohen Sali Bashota, Nexhat Hallimi, Shefqet Dibrani, Maria Rainer Rilke,Tomazh Shalamun dhe Patrizia Valduga.
Në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, prezantohet poetesha e njohur peruane Blanka Varela, e cila përfaqësohet me një cikël të gjerë poezish, me një intervistë dhe me tekstin për jetën dhe veprën e saj me titullin “Asgjë s’tingëllon më bukur se heshtja” të Rosio Silva Stantisteban.
Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Fotografia si organizim stilistik” të Nysret Krasniqit, për të vazhduar me “Teki Dervishi: nga autotreferenca në art” të Arbenitë Xhemajlit , “Pakti i “sikurit” (për romanin “Sikur t’isha djall” të Ag Apollonit) të Granit Sadikut dhe “Alegoritë e progresit: Goethe dhe Hegel përball shkrimit të historisë“ të Daniel Rudy.
Në rubrikën Recensione Fatbadha Statovci shkruan për librin e fundit të akademik Nysret Krasniqit “Kanunet e Gjeçovit” e Riza Shaqiri për librin me tregime “Pengu i dollisë” të Sedail Zejnullahut, kurse në rubrikën e fundit Classicus vjen në vzhdime “ Këga e Sidit”.
Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Alket Çani, Qerim Raqi, Erion Karabolli, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Valon Veliqi, Ismail Ismaili dhe Kosovar Berisha.
Kori i Shkollës së Mesme të Lartë të Muzikës ”Prenk Jakova” nga Gjakova të enjten është prezantuar në Shkodër me koncert koral, nën drejtimin e dirigjentit Kastriot Sada, dhe me korepetitim Gent Kumnova.
Koncerti është mbajtur në sallën e Shkollës Artistike ”Prenke Jakova”. Me pika muzikore interpretuan edhe Diell Ballata-Flaut dhe Liani Juniku-Piano.
Ky bashkëpunim ndërmjet të dyja shkollave me të njejtin emër, shihet si një mundësi e mirë për shkëmbime kulturore mes artistëve të rinj./ KultPlus.com
Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, të shtunën janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, pranë Kuvendit të Kosovës, homazhe këto që janë organizuar nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Pas homazheve, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se të zhdukurit dhe plaga e tyre nuk janë plagë individuale, por një plagë kolektive që prek tërë shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se nuk mund të ketë normalitet pa zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Sipas Hotit, të zhdukurit nuk mund të harrohen as të shërohen vetëm me kalimin e kohës, por vetëm atëherë kur e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në vend për secilën familje.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet, pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme bërë varreza masive në Serbi nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpesh herë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne Kosova, qytetarët e Kosovës nuk di të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.
Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e Mejës, ku 376 shqiptarë u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Presidentja Osani ka thënë se çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i tyre për drejtësi.
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet. Çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”, ka shkruar Osmani.
“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”
Sot në mbrëmje, grupi i njohur Saz`Iso ka mbajtur një koncert unik në AMC Hall në Prishtinë, ku ka interpretuar muzikë tradicionale shqiptare. Koncerti, i mbështetur nga RTK si sponsor medial, solli tingujt autentikë të Shqipërisë së Jugut për publikun prishtinas.
Gjatë shfaqjes, Saz’Iso ka performuar një repertor të pasur muzikor, duke sjellë një atmosferë të veçantë të traditës shqiptare. Pas koncertit, grupi ka falenderuar publikun për mbështetje duke thënë: “Na keni mbushur zemrat me dashuri të pashterrshme”.
Grupi është drejtuar nga Edit Pula dhe Andrea Goertler, të cilët janë përpjekur që Saz’Iso të arrijë audiencën ndërkombëtare, me mbështetje nga producenti legjendar Joe Boyd dhe inxhinieri fitues i çmimit Grammy, Jerry Boys, që kanë kontribuar në formësimin e tingullit të grupit.
Saz’Iso mbushi sallën plot dhe krijoi një atmosferë fantastike. Koncerti ishte një mundësi për të përjetuar meloditë e pavdekshme në skenë dhe për të mbështetur muzikën tradicionale shqiptare./rtk/ KultPlus.com
Me rastin e Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, janë bërë homazhe tek monumenti i personave të zhdukur, përballë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë, ka vendosur lule pranë monumentit të personave të zhdukur.
Ndërkohë sot, në orën 12:30, homazhe do të mbahen në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës. Më pas, në orën 14:30, do të zhvillohen homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” pranë Bibliotekës Kombëtare. Në orën 19:00, do të mbahen homazhe dhe do të ndezën flakadanët në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe, për të nderuar ata që u zhdukën gjatë periudhës së luftës.
Në Kosovë 27 Prilli është Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli.
Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më 27 Prill 1937.
Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.
Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.
Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.
Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën, Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.
Ai vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare./KultPlus.com
Shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra u shpall sot fituese e edicionit të tretë të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Në finalen e këtij konkursi ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, nxënës, mësues, prindër, përfaqësues të institucioneve arsimore etj.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj tha se “jemi në përmbyllje të këtij rrugëtimi dymujor ku në 700 shkolla rreth 11 mijë nxënës kanë garuar përmes dijeve të tyre në gjuhën shqipe në këtë konkurs kombëtar”.
Në një finale plot emocione dhe konkurrencë të fortë u përballën shkolla 9-vjeçare “Selim Alliu” nga Dibra dhe shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan.
Të dyja shkollat finaliste gjatë fazës gjysmëfinale kishin grumbulluar më shumë pikë.
Nxënësit nga të dyja shkollat dëshmuan aftësitë e tyre të larta në gjuhën shqipe, duke u përballur me njëri-tjetrin në një konkurrencë tepër të ngushtë deri në fund, duke e mbajtur publikun në ankth.
Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe do të kthehet në një traditë të përvitshme, me synim ruajtjen, nxitjen dhe promovimin e gjuhës sonë të bukur shqipe ndër breza./atsh/ KultPlus.com
Sot shënohet 27 Prilli – Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur.
Kanë kaluar më shumë se 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i më shumë se 1.600 të pagjeturve.
Aktivitete të ndryshme do të organizohen gjatë ditës për të nderuar kujtimin e të pagjeturve dhe për të bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të tyre. Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka planifikuar homazhe në disa vende simbolike të Kosovës, ndërsa programi i aktiviteteve është si më poshtë:
11:00 – Homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur (Përballë Kuvendit të Kosovës)
12:30 – Homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë të Gjakovës (Mejë)
14:30 – Homazhe në Parkun Memorial “Të Zhdukurit me Dhunë nga Serbia” (Biblioteka Kombëtare)
19:00 – Homazhe dhe ndezja e flakadanëve në Kompleksin Memorial në Krushë të Madhe (Krushë e Madhe).
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka emetuar sot një edicion të pullës postare, kushtuar Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.
Ky emetim nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe përçon mesazhin e kujtesës kolektive, dhimbjes së përbashkët dhe përkushtimit të pandërprerë për zbardhjen e fatit të tyre.
Përmes këtij edicioni, Posta e Kosovës shpreh solidaritet me familjet që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, duke mbështetur të drejtën e tyre themelore për të ditur fatin e më të dashurve.
Emetimi përfshin një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.
Si bartëse e historisë dhe e kujtesës sonë kolektive, pulla postare këtë herë ngre zërin për drejtësi – një zë që mbetet i gjallë dhe i patjetërsueshëm në ndërgjegjen tonë shoqërore./ KultPlus.com
Në një mëngjes të artë pranvere, kur qyteti i Tiranës sapo kishte nisur të merrte frymë me një ritëm që përzihej midis traditës dhe ëndrrave moderne, ndodhi një ngjarje që do të mbetej e ngulitur përgjithmonë në kujtesën kombëtare shqiptare: Martesa e Mbretit Zog I me Konteshën Géraldine Apponyi.
Ishte 27 prilli i vitit 1938 – një datë që pulsonte në zemrën e një Shqipërie të etur për stabilitet, përkohësisht të vetmin Mbreti kishte zgjedhur të kurorëzonte jo vetëm një bashkëshorte, por edhe një shpresë të re për vendin që e kishte ndjekur me besnikëri mes furtunash dhe sfidash. Në ceremoninë madhështore që mbërtheu kryeqytetin, Tirana u stolis me flamuj kombëtarë, me shallvara të ngjyrosura të vajzave të reja, me aromë dafinash dhe lule portokalli që i dhanë ditës një shije amfore të rrallë.
Géraldine, aristokratja e hijshme, me gjak hungarez dhe amerikan, mbërriti në krah të Mbretit me një sharm që prekte njëkohësisht kontinentalen dhe ëndrrën e re për Shqipërinë. E quajtur ndonjëherë me përkëdheli “Mbretëresha e Borës së Bardhë” për bukurinë e saj të brishtë dhe fisnikërinë natyrale, ajo u bë simbol i një elegance të pastër dhe të paqtë që rrallëherë e kishte parë ky vend.
Kostumi i saj i nusërisë ishte një himn delikatesë: një fustan i bardhë mëndafshi, me një vel të gjatë dhe të tejdukshëm që valëvitej lehtë mbi supet e saj të holla, duke e bërë atë të dukej si një figurë e dalë nga legjendat e vjetra të Evrope. Në kokë mbante një diademë me diamante – një dhuratë e Mbretit Zog – që shndriste nën rrezet e diellit shqiptar sikur vetë yjet të ishin thirrur për të bekuar këtë martesë.
Ceremonia u mbajt në Pallatin Mbretëror në Tiranë, e ndjekur nga elita politike shqiptare, përfaqësues të huaj diplomatikë dhe fisnikë nga mbarë Evropa. Orkestra mbretërore tingëllonte një himn solemn, ndërsa fjala “PO” u shqiptua me një solemnitet që përziente një dramë të brendshme kombëtare me një ëndërr personale. Në çdo gjest të Mbretit Zog lexohej një përpjekje për ta lidhur historinë e Shqipërisë me një botë që përtej kufijve të saj ndiente ende frymën e aristokracisë dhe trashëgimisë së lashtë.
Në oborrin e pallatit, fotografët kapën disa nga pamjet më prekëse të historisë shqiptare: buzëqeshjet e reja të Géraldine-s, përkuljen plot respekt të Mbretit para saj, shikimet që përshkruanin një lidhje të thellë midis detyrës dhe ndjenjës, midis dëshirës për të dashur dhe përgjegjësisë për të mbretëruar. Disa foto tregojnë Mbreteshën duke shtrënguar dorën e vogël të një fëmije shqiptar — një simbol i dashurisë që ajo do të ushqente për popullin e saj të ri.
Pas aktit solemn, Tiranë shndërrohej në një festë të zjarrtë popullore. Tupanët dhe çiftelitë kumbonin në rrugët e qytetit, gratë shtriheshin në valle të zjarrta ndërsa burrat këndonin këngë labe, përzier me emocionin që s’mund ta mbante dot brenda muret e zakoneve të lashta.
Por kjo nuk ishte thjesht një martesë mbretërore. Kjo ishte një përcjellje e heshtur e një shprese kombëtare – një shpresë për një jetë më të begatë, për një Shqipëri që do të hynte në shekullin XX me një fytyrë të re, të buzëqeshur, të dëlirë.
Në retrospektivë, martesa e Zogut dhe Géraldine-s është një nga ato çaste të rralla kur historia dhe ndjenja njerëzore shkrijnë kufijtë mes tyre. Ajo mbetet një testament i një përpjekjeje të sinqertë për të ndërtuar një jetë të re, për të përtërirë një komb dhe për të besuar, ndonëse për një moment të shkurtër, se dashuria mund të jetë mbretëresha më e fuqishme mbi të gjitha mbretëritë./ KultPlus.com
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, sot do t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit aktivistes së njohur për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq.
Ceremonia do të mbahet në ora 16:00, në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës.
Natasha Kandiq është një nga figurat më të njohura në fushën e aktivizmit për drejtësi dhe të drejtat e njeriut në Ballkan.
Ajo është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare (Humanitarian Law Center – HLC), një organizatë joqeveritare me seli në Beograd, e cila që nga viti 1992 ka mbledhur dëshmi dhe fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
Para 26 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.
Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.
Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.
Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.
Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.
Udha e mbarë se erdh pranvera, shko, dallëndyshe tue fluturue, prej Misirit n’dhena tjera, fusha e male tue kërkue; n’Shqipni shko, pra, fluturim, shko në Shkodër, n’qytetin tim. Shëndet prej meje të m’i falësh saj shpisë vjetër ku kam le, me ato vende rreth t’përfalesh, ku kam shkue kohën e re; atje shko, pra, fluturim, fal me shndet qytetit tim. Me ato male, me ato kodra, me ato prroje rreth t’përfalesh n’ato fusha që m’ka Shkodra të lulzueme, aty t’ndalesh; tue kndue me ambëlcim, fal me shndet qytetit tim. T’mujsha dhe un’ me fluturue dojsha dhe un’ me u nisë me ty, dojsha n’Shkodër me kalue, m’e pa prap at’vend me sy! Por… ti shko atje… fluturim e ti qajma fatin tim./ KultPlus.com