Kurti: Ata që thonë se rrobat lahen me një gisht janë të njëjtit që nuk e lëvizin atë gisht

Shkruan Tinka Kurti

Në prag të 8 Marsit – Manifest i vitit 2021

Nuk kemi asgjë, bash asgjë pos trupave tanë. Kemi veç punën tonë, mendjen dhe njëra – tjetrën. Por edhe kaq na e kontestojnë.

Ne jemi produkt i okupimit serb, më pas varfërisë në Kosovë, e përjashtimit shoqëror. Ne e kemi lindur vetën. E kemi ndërtuar me përpjekjet tona. Jemi produkt i mundimeve e stërmundimeve të gjysheve e stërgjysheve tona.

Jemi luleshitëset që paguhen sa një trëndafil.

Jemi rrobaqepëset që e hamë bukën në këmbë. Na i heqin dy ditë pagë për një ditë mungese kur fëmijën e kemi sëmurë.

Jemi studentet kursimtare.

Ato që ecim pa e kthyer kokën prapa.

Ato që zgjohemi të parat e shtrihemi të fundit.

Jemi ato që flasim për jetën.

Ato që e duam jetën.

Ato që luftojmë për jetën.

Përditë.

Ata që flasin në emër tonin janë të njëjtit që na akuzojnë pse nuk flasim.

Ata që na akuzojnë për konkurrencë mes grave janë të njëjtit që e luftojnë njëri – tjetrin që prej shekujsh.

Ata që na analizojmë se pse nuk votohemi janë të njëjtit që na kthejnë mbrapsht kur fitojmë.

Ata që i shqyejnë sytë janë të njëjtit që na moralizojnë.

Ata që thonë se rrobat lahen me një gisht janë të njëjtit që nuk e lëvizin atë gisht.

E ne ende i ndajmë shtretërit në lindje me  shoqja – shoqen në spitale.

Kemi veç shefa burra edhe pse gratë janë shumicë në shëndetësi, arsim e gezetari.

Paguhemi më pak prej rrogës së parë e deri në pension.

Madje, nuk paguhemi fare deri në pensionin e parë.

BOLL ËSHTË BOLL. Ne do të luftojmë. Do të luftojmë çdo padrejtësi që na del përpara. Do të shpartallojmë çdo pengesë.

Ne do të humbim vetëm nëse nuk luftojmë./ KultPlus.com

Aktorja e mirënjohur Tinka Kurti feston 88-vjetorin e lindjes

Tinka Kurti, artistja e madhe e skenës dhe e kinemasë shqiptare feston sot përvjetorin e 88-të të lindjes.

Kurti lindi më 17 dhjetor te vitit 1932 në Sarajevë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një familje artëdashëse pasi nëna e saj në rininë e vet ka qenë aktore kryesore në Teatrin Kombëtar të Sarajevës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Arsimin bazë 7-vjeçar ajo e mori në Sarajevo dhe kur ishte vetëm 13 vjeç familja e saj u shpërngul për në qytetin e Tiranës ku vazhdoi edhe studimet në Politeknikumin e Tiranës.

Sikurse e thotë shpesh edhe vetë Tinka Kurti, ajo rastësisht u regjistrua për të studiuar në degën e Dramës në shkollën e mesme të Dramës së asaj kohe. Shumë pak kohë pasi kishte filluar të ndiqte studimet në këtë specialitet, ajo u përjashtua nga shkolla me motivacionin  “shfaqje të prirjeve liberale”.

Ishte pikërisht regjisori Andrea Skanjeti ai që pikasi talentin e saj të jashtëzakonshëm për ta rikthyer Tinkën edhe njëherë tjetër në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane”. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës ajo bëhet pjesë e trupës si aktore gjysmë profesioniste dhe ishte gjithashtu ndër 10 aktorët që themeluan institucionin e qytetit të Shkodrës.

Ishte çmimi “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupa e festivalit në Festivalin e parë të Teatrit Shqiptar që e ngjitën aktoren Tinka Kurti në kategorinë e aktorëve profesionistë me rolin në shfaqen “Toka Jonë” me regji të Kol Jakovës.

Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi.

Në 1994 ajo hyri në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë dhe madje më 17 Dhjetor 2007 ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë Institut.

Roli i saj më i fundit do të ishte në kinematografi në filmin “Bota” (2014).

Tinka për karrierën e saj artistike është vlerësuar me Çmime dhe Tituj të tjerë si  Artiste e Merituar & Artiste e Popullit 1961, me urdhërin “Grand Master” i akorduar nga Presidenti i Republikës për veprimtarinë e saj artistike. /atsh/ KultPlus.com

‘Izmir’, vendi i dytë në konkursin ‘Poezi për Paqe’

E shkruar nga Tinka Kurti. Poezia u shpërblye me vendin e dytë nga juria profesionale në konkursin e poezisë ‘Poezi për Paqe’, nata finale e të cilit u mbajt mbrëmë. Tinka Kurti nuk ishte e pranishme por poezia e saj u pëlqye shumë nga audienca e pranishme.

Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj,
kur ishin gjashtë vjeç
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve
të globalizmit
mërzinë e mësova vetë dhe iu thashë
që vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë
mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotrat e ndërgjegjës

quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin
e letrës së vetëvrasjes
s’e vrau as poezinë
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare
dhe kurrë nuk do t’ia mësynin parajsës

quhem Izmir,
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom

quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare
quhem Izmir,
jam pendesa e nënës sime

quhem Izmir
nuk më pëlqen Z-ja në emrin tim
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time
nuk ka emocione të drunjta
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit
ka veç kujtime si inçizime të turbullta

quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
ma gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël
vargu i saj i fundit
është çasti pasorgazmik
nuk jam purgatori
jam hapësira në mes dy të dashuruarve

“Ne jemi gjeneratë e luajtjes me zjarrin”

Nga Tinka Kurti

Ne jemi gjeneratë e luajtjes me zjarrin. Ne e dimë mirë si të përshtatemi e si t’i kalojmë orët e reduktimeve. Si të lëvizim me libër në afërsi të flakës ndriçuese. Si të ngrohemi e çfarë muhabete të hapim. Ne e kemi vrarë kohën paslufte. Asgjë s’ka ndryshuar. Veçse koha po na vret ngapak. Dhe tash, fëmijë të tjerë i bëjnë detyrat e shkollës shoqëruar me qiri. Fëmijët e fëmijëve të gjeneratës. /KultPlus.com

Izmir

Poezi e shkruar nga Tinka Kurti.

Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime
emrin e mora prej një romi
dashnor i saj,
kur ishin gjashtë vjeç
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve
të globalizmit
mërzinë e mësova vetë dhe iu thashë
që vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë
mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotrat e ndërgjegjës

quhem Izmir
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin
e letrës së vetëvrasjes
s’e vrau as poezinë
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare
dhe kurrë nuk do t’ia mësynin parajsës

quhem Izmir,
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom

quhem Izmir
nëna ime nuk bëri asnjë hap
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare
quhem Izmir,
jam pendesa e nënës sime

quhem Izmir
nuk më pëlqen Z-ja në emrin tim
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time
nuk ka emocione të drunjta
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit
ka veç kujtime si inçizime të turbullta

quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi
jam një poezi e mjegullt
rivale e festivaleve
me gjasë jam analfabet
por di që poezia është një vdekje e vogël
vargu i saj i fundit
është çasti pasorgazmik
nuk jam purgator
jam hapësira në mes dy të dashuruarve

Kinemaja ABC shënon 18-vjetorin me premierën e filmit “Yjet e së ardhmes”

Të enjten më 24 maj Kinemaja ABC në kryeqytet feston 18-vjetorin e themelimit, shkruan KultPlus.

Kësisoj ky përvjetor shënohet me premierën e filmit të metrazhit të gjatë “Yjet e së ardhmes” të regjisorit Edmond Topi. Të pranishëm do të jenë edhe yjet e kinematografisë shqiptare si: Tinka Kurti, Reshat Arbana dhe Margarita Xhepa.

Filmi është i zhanrit komedi, muzikë sjellë në ekran Robin (40 vjeç) që është një artist i “pashpërthyer” akoma. Prej vitesh bën muzikë por ende nuk është bërë i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, së bashku me formacionin e tij muzikor „Zjarri“ arrin të fitojë konkursin kombëtar “ Yjet e së ardhmes”. Por asgjë s‘shkon sipas planit.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Gazmend Paja, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Karafil Shena, Sadush Ylli… nga dita e premte 25 maj, filmi “Yjet e së Ardhmes” shfaqet çdo natë në ora 20:00.

Më poshtë gjeni programin e pritjes së mysafirëve me këtë rast:

19:00 – 19:20 – Pritja e mysafirëve
19:20 – 19:30 – Ceremonia e hapjes
19:30 – Shfaqja e filmit
21:00 – Koktej

‘Nana ime të dua shumë’, kur djali i dërgonte mesazh Tinka Kurtit

Aktorja e madhe Tinka Kurti është në zi, pasi në muajin shkurt u nda nga jeta djali i saj i vetëm, i cili jetonte me familjen në Kanada.

Kur e madhja Tinka Kurti festonte 85-vjetorin e lindjes, në një aktivitet të zhvilluar më datë 17 dhjetor në Shkodër në teatrin “Migjeni”, djali i saj Zef Kurti i dërgonte një video-mesazh surprizë të ëmës, ku i thoshte:

“Nana ime të dua shumë!” Me të dëgjuar këto fjalë, Tinka shpërtheu në lot.

Rolet si aktor dhe zhvendosja në Kanada, kush ishte djali i Tinka Kurtit

Zef Kurti ishte djali i vetëm i aktores së mirënjohur Tinka Kurti.

Për arsye që nuk dihen, ai ka mbajtur një profil të ulët publik pas vitit 1990, ndërsa më herët është aktivizuar edhe në disa shfaqje të teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Zefi ka provuar pak edhe aktrimin, më shumë me role episodike. Një nga filmat është ai i “Udhëtim në pranverë” ku luan rolin e Lekës, në një dialog të shkurtër para teatrit “Migjeni” në Shkodër, film i vitit 1978.

Duke qenë se mbase nuk mund të ndiqte gjurmët e nënës së tij, Zefi nuk përqendrohet shumë tek arti skenik. Ndoshta edhe për këtë arsye, por edhe për mundësi më të mëdha për familjen, Zefi vendos të emigrojë në Kanada ku ndërtoi jetën e tij. Ata që e njohin nga afër Tinkën, e njohin mallin që ajo kishte për djalin e saj të vetëm, i cili sot u nda nga kjo jetë, shkruan shkodraweb. Zef Kurti ndërroi jetë si pasojë e nje goditjeje fatale në zemës në moshën 65- vjeçare. Pritet që trupi i pajetë të vijë në Shqipëri për të pushuar përjetësisht ne vendlindje./ KultPlus.com

Dhimbje e madhe për Tinka Kurtin

Aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti ka humbur djalin e saj të vetëm Zef Kurti, shkruan KultPlus.
Për këtë ka njofrtuar shkrimtarja Flutura Acka, e cila njëherit është edhe mike e aktores Kurti.

“Tinkën, ç’e paska gjetë!
Nuk i bie dot telefonit nga larg e ta ngushëlloj, nuk kam fuqi. “Kam frikë se nuk do të më gjejë djali gjallë kur të vijë,” thoshte ndonjëherë në bisedat tona të shpeshta, dhe fliste, dhe fliste, dhe fliste për Zefin… si nëna për djalin, ka shkruar Acka.

Ndërkohë vetë Tinka Kurti së fundi ishte duke u kuruar, e cila pati probleme shëndetësore, edhe pse ishte në mes të provave të shfaqjes operistike”Carmen”. /KultPlus.com

Myshketa: Tinka Kurti do të jetë pjesë e shfaqjes operistike “Carmen”

Shfaqja operistike “Carmen”, që do të ngjitet me premierë në Tiranë, me regji të Gëzim Myshketës, ka të përfshirë edhe aktoren e madhe shqiptare Tinka Kurti, shkruan KultPlus.

Mirëpo,pas disa problemeve shëndetësore të aktores Kurti, e cila tashmë është e shtrirë edhe në spital, kjo shfaqje gjithsesi do të ketë të përfshirë aktoren në këtë premierë, pikërisht më 30 janar.

Regjizori i veprës Gëzim Myshketa ka thënë për KultPlus se roli i aktores së madhe që në krye të herës ka qënë i konceptuar në disa extracte audio dhe video tashmë të realizuara.

“Kjo ide ishte e tillë, sepse pata menduar të realizoj një version për të mos ta munduar çdo natë të shfaqjeve artisten e madhe”, ka thënë ai, duke potencuar se gjëja më e rëndësishme mbetet rehabilitimi i plotë i shëndetit të artistes me të cilën është në kontakt të vazdueshëm nëpërmjet vizitave dhe telefonatave te përditshme.

“Dëshiroj të falenderoj ekipin e mrekullueshëm të spitalit Amerikan dhe doktor Adrian Jorgji në veçanti për dedikimin e veçantë si dhe shpresoj dhe uroj që Tinkën Kombëtare ta kemi në sallë në ditën e premierës”, ka thënë ai.

I pyetur për vijimin e provave, Myshketa shprehet se po bëhet një punë gjigante e drejtuar nga Zana Çela dhe bashkëpunëtorët e saj të cilët i falenderon pa masë.

“Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero. Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha. /KultPlus.com

Se a ka pasur ngacmime seksuale në kinematografinë shqiptare, flet Tinka Kurti

Prej disa kohësh në kinematografinë botërore janë shtuar në masë akuzat për ngacmim seksual ndaj regjisorëve apo aktorëve të tjerë.

Kësisoj, për një gjë të tillë sa i përket kinematografisë shqiptare është pyetur edhe aktorja e madhe shqiptare, Tinka Kurti.

Çfarë ndodhte në kinematografinë shqiptare, a kishte ngacmime seksuale ndaj aktoreve?

“Absolutisht jo. Nuk guxonte askush. Flas për vete dhe për shoqet e mia. Gjatë gjithë karrierës, teatrale dhe kinematografike nuk kam dëgjuar diçka të tillë. Ne rrimin bashkë edhe 9 muaj në sheshxhirim, kur bënim filma. Se kishte dubla pafund. Nuk kishte ngacmime. Përkundrazi ne shkonim mirë. Argëtoheshim pafund. Nuk mund t`ia bëj kot diçka të tillë”, është shprehur ajo në një bisedë për TP./ KultPlus.com

Opera “Carmen” projekt gjigant në TKOB, në skenë do të ngjitet edhe Tinka Kurti

Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.

Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.

Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.

Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com

Shkodra me festë të madhe për datëlindjen e 85-të të Tinka Kurtit

Ikona e kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti do të festojë datëlindjen e 85-të në Teatrin “Migjeni”, në Shkodër, shkruan KultPlus.

Me datën 17 dhjetor ajo do të festojë datëlindjen në këtë teatër ku edhe është rritur profesionalisht. Ajo pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Shkodër, ku edhe iu bashkua teatrit në moshë të re.

Ajo u ngjit për herë të parë në skenë kur ishte vetëm 16 vjeç. Për disa vjet u aktivizua në teatrin amator në Shkodër. Më 1947 u përjashtua nga Liceu Artistik i Tiranës dhe nuk mori asnjëherë ndonjë diplomë shkolle, por kjo nuk e pengoi të bëhet një aktore e madhe dhe e shumë e kulturuar./ KultPlus.com

Presidenti Thaçi dekoron Margarita Xhepën, Tinka Kurtin dhe Zenepe Lukën (FOTO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur një delegacion të Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, të kryesuar nga kryetarja Zenepe Luka.

Presidenti Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.

“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.

“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.

Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave./ KultPlus.com

Të jesh e veçantë sikur Tinka Kurti (VIDEO)

Tinka Kurti mbetet ndër ato aktore të cilat nuk i janë dorëzuar lehtë ligjit të natyrës.

Aktorja e njohur shqiptare, me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, gjithmonë ka ditur të mahnitë publikun shqiptar dhe atë ballkanik me rolet e saj.

E lindur në Bosnje, nga një baba shqiptar dhe nënë hungareze, ajo e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë e rinisë në Shkodër, aty ku edhe ka xhiruar disa filma.

“Nuk i frikësohem plakjes, madje as vdekjes. I frikësohem pleqërisë së trurit, dhe kur të vije ai moment do të jem dyfish e vdekur. Ja pse dua të punoj” thotë Tinka Kurti.

“Bota”, “Etjet e Kosovës”, “Zemra e nënës”, “Si gjithë të tjerët” janë disa prej roleve ndër vite që Tinka i solli me mjeshtërinë që e karakterizon, me karizmën prej një gruaje të fuqishme që mund ta përqafojë secilin skenar që është i denjë për të.

“Jam shumë kritike ndaj vetes për rolet që kam lozur ndër vite, dhe prandaj të thashë dhe pak më lart se nuk i shikoj filmat” pati thënë Tinka në një intervistë të mëhershme të sajën.

Të jesh e veçantë si Tinka Kurti, po, është e vështirë. Ende e gatshme të lexojë libra, të analizojë përreth saj, Tinka Kurti është aktore që nuk e ka secili shtet. Një fshat në Shqipëri, fshati Lekbibaj, ka një shkollë e cila është emëruar me emrin e saj.

“Lexoj shumë, nuk ngopem duke lexuar. Sa herë që ka dhe panaire libri shkoj, madje i falënderoj shumë se dhe na dhurojnë libra” pohon artistja shqiptare e cila ka marrë edhe medalje shtetërore për karrierën e saj.
Dhe ndoshta nuk e keni ditur, por Tinka ishte vetëm 16 vjeçare kur nisi karrierën në teatër, aty ku nuk ka reshtur së shkëlqyeri. Që nga viti 1949 ajo ka luajtur në rreth 120 drama, numër ky i madh në bagazhin artistik të aktores.

Ajo ishte aktore në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë – “Tana”. Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.

Po, të jesh e vecantë si Tinka Kurti është e vështirë, por ajo është një grua e rritur në një frymë plot pozitivitet dhe po këtë virtyt ajo e reflekton edhe sot në moshë më të shtyrë. / KultPlus.com