Ministri Çeku për vdekjen e artistit Rexhep Ferri: Kontributi i tij do të mbetet udhërrëfyes për brezat e ardhshëm

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka reaguar përmes rrjeteve sociale pas vdekjes së artistit të njohur Rexhep Ferri, duke shkruar se ai ishte një nga artistët mëtë veçantë të kombit.

“Ferri i takon brezit që ngritën skenën tonë artistike. Vepra dhe kontributi i tij do të vazhdoj të jetë udhërrëfyes edhe për brezat e ardhshëm. Përherë mirënjohës për angazhimin dhe trashëgiminë që ka lënë pas”, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Ferri, komunitetin artistik dhe gjithë shoqërinë.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Rexhep Ferrit”, ka shkruar ai në fund.

Presidentja Osmani për vdekjen e artistit Rexhep Ferri: Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si dhe komunitetin kulturor për vdekjen e akademik Rexhep Ferrit.

Ajo është shprehur se Kosova ka humbur akademikun, piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri.

“Mjeshtëria e tij krijuese ka gërshetuar mrekullisht pikturën me letërsinë, të cilave nuk iu nda gjatë gjithë jetës. Akademik Ferri i takon brezit të artë të piktorëve të Kosovës, ndaj emri i tij do të mbetet i skalitur përherë në kujtesën tonë nëpërmjet krijimeve të tij artistike të larmishme, të cilat do të mbeten testament për ne dhe brezat pas nesh”, janë shprehur nga presidenca.

Festivali i Teatrit për Fëmijë, çmimin e parë e fiton trupa teatrale e Fierit me shfaqjen “Medea”

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret” mbylli siparin e edicionit të katërt në qytetin e Beratit mbrëmjen e së mërkurës .

Në natën finale,juria e përbërë nga aktorët Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku dhe Anila Bisha ka ndarë 3 çmimet fituese.

Në vend të parë u rendit trupa teatrale e Fierit,e cila u paraqit me shfaqjen dramatike “Medea”.

Kryetari i jurisë,aktori Ndriçim Xhepa, tha se Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit për fëmijë “1 mbi një Dritaret” ka një rëndësi të veçantë për gjeneratën e re,pasi i nxit ata drejt aktiviteteve kulturore.

“Të gjithë qyteteve që marrin pjesë këtu I krijon një nxitje një aktivitet shumë pozitiv për gjallërimin e tyre dhe krijojnë një konkurrence të bukur.  shofim  një të ardhme një perspective për të qene nesër në gjeneratat e reja që do marrin pjesë në artin dhe filmat shqiptar”, u shpreh Ndriçim Xhepa, kryetari i jurisë.                                                                                                   

Darlin Dimo,aktorja kryesore e trupës tetrale Fier, u vlerësua për  interpretimin e saj.

“Kam qene që e vogël që jam marrë me aktrim. Është një emocion shumë i madh për mua, jam rritur në skene që e vogël”, tha ajo.

Çmimin e dytë  të  këtij festivali e fitoi trupa teatrale e qytetit të Elbasanit me shfaqjen “2 martohen 200 tërbohen” dhe çmimin e tretë e MORI trupa teatrale e Beratit me shfaqjen “Zonja nga qyteti”./vizionplus.tv/KultPlus.com

“REPORTING HOUSE” ekspozita që shpërfaqë luftën e Kosovës nëpërmjet raportimeve të gazetarëve  

Ekspozita REPORTING HOUSE i e prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery do të prezantohet më 10 qershor në ora 18:00 në ish-Shtëpinë e Mallrave ‘Gërmia’ në Prishtinë (ish zyra e Administratës Tatimore të Kosovës/ATK) në afërsi të përmendores së Skënderbeut dhe zyrës së BE-së, dhe është ekspozitë që prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita e REPORTING HOUSE u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008.

Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Ekspozita prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosna dhe Hercegovina, Laura Imami dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinjë si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga  BBC, Das Erste (TV publik gjerman), NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline News Television. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Flaka Surroi, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomaseviq, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Sfidat me të cilat u përballën gazetarët që mbuluan luftën në Kosovë rezonojnë edhe sot e kësaj dite, kur këtyre gazetarëve ju duhet të mbulojnë luftërat në Ukrainë, Gaza, Sudan e Etiopi duke u përballur me propagandën dhe dezinformimin e zmadhuar nga mediat sociale.

Reporting House do të hapet në Shtëpinë e Mallrave të Prishtinës “Gërmia”, që për herë të parë shndërrohet në hapësirë kulturore. Këtu dhe në dy hapësira tjera, në  Hamamin e Prishtinës dhe Paper Gallery, Shtëpia e Gazetarëve synon të krijojë ambient për përsiatje, dialog dhe katarzë, duke e nderuar kujtimin për ata që kanë pësuar nga lufta në Kosovë dhe avokon për një të ardhme të paluftë.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artifakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television që punoi në Kosovë në 1998-1999./ KultPlus.com

BeerFest Kosova 2024 – organizim madhështor prej 12 deri më 15 korrik në Prishtinë

Festivali tradicional i Birrës “Beerfest Kosova 2024”, vjen këtë edicion me shumë risi, përfshirë hapësirë më të madhe, më shumë brende të birrave vendore dhe ndërkombëtare si dhe me një program artistik të një festivali madhështor, me artistët më të kërkuar në vend dhe rajon, prej 12 deri më 15 korrik, në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Rritja e interesimit të vizitorëve për festivalin ka shtyrë që organizatorët në këtë edicion të sjellin gjithë këto risi në çdo aspekt.

Përveç birrave në festival e keni edhe këndin e ushqimit dhe pije jo alkoolike

Ky festival ka edhe këndin e ushqimit dhe pijeve jo alkoolike përfshirë edhe pjesën Chill Zone, që ju ofron vizitorëve zgjedhje të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke u siguruar që të gjithë të kenë diçka për t’i shijuar.

Por surprizat nuk ndalojnë këtu. Përveç muzikës, birrës dhe ushqimit, BeerFest Kosova do të sjell edhe lojëra të ndryshme që do të ndihmojnë në ndezjen e atmosferës, nga lojërat klasike deri te aktivitetet e ndryshme si: Beer Pong dhe Beer Olympics, çdo moment do të jetë një aventurë e paparë.

Pagesat në festival janë “Cashless” (mënyrë elektronike e pagesës me byzylyk)

Për ta lehtësuar eksperiencën tuaj, pagesat do të jenë “Cashless”, pra pagesat do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.

Për t’iu mbajtur të informuar rreth agjendës së Beerfest dhe aktiviteteve të cilat do të organizohen gjatë këtyre katër ditëve, na ndiqni në Facebook dhe Instagram.

Këtu mund të rezervoni biletën tuaj, Early Bird Ticket/ KultPlus.com

Kryetari Konjufca për vdekjen e Ferrit: Veprimtaria e tij e vendosi në mauzoleun e të pavdekshmëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për vdekjen e artistit, Rexhep Ferri, duke iu shprehur ngushëllime familjarëve.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka thënë se veprimtaria e tij e vendosi atë në mauzoleun e të pavdekshmëve.

“Sot me pikëllim të thellë e mora lajmin se ka ndërruar jetë piktori, profesori e akademiku Rexhep Ferri. Ai do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij që i pati përgjatë një jete të mbushur me krijimtari dhe punë, por do t’u mungojë të gjithëve, sepse vepra e tij që la pas është një thesar i jashtëzakonshëm”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.

Tutje, ai shtoi se është nder që një prej pikturave të Ferrit gjendet në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe se veprat e tij i mbajnë me krenari.

“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve. Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese”, ka shkruar ai./KultPlus.com

“Ekrani i Artit” në Shkodër, dhjetëra aktivitete artistike deri më 9 qershor

Shkodra hapi dyert në Kinema Republika për edicionin e 7-të të festivalit “Ekrani i Artit”.

Festivali sjell në këtë edicion 45 filma, 3 ekspozita, 4 instalacione-video, performanca, biseda me artistë të ftuar dhe orë të panumërta me muzikë e vallëzim.

Nën titullin “Solitude and Multitude”, filmat e këtij viti eksplorojnë skajet e ekzistencës njerëzore ku vetmia dhe shumësia, individi dhe komuniteti, thjeshtësia dhe kompleksiteti, intimiteti privat dhe dimensioni publik përvijohen mes nuancash të panumërta.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, shprehi kënaqësinë për rivendosjen në punë të kinemasë së qytetit si një hapësirë publike për të gjithë qytetarët, ndërkohë që puna për rikonstruksionin e plotë do të vijojë.

Deri më datën 9 qershor, Shkodra do të vazhdojë të mirëpresë vepra të video artit, filmit të shkurtër e të gjatë, dokumentar e fiksion nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë në vende të ndryshme të qytetit si: Kinema Republika, Art House, Galeria e Arteve, Vendi i Dëshmisë e Kujtesës, Qendra Rinore Arka, Auditori Franceskan, Galeria Oda dhe Kalaja e Rozafës.

Ekrani i Artit vazhdon traditën e tij për të mos e përsëritur asnjëherë vetveten, duke sjellë filma dhe autorë të rinj dhe duke rinovuar vetë strukturën e festivalit./atsh/KultPlus.com

Kori alpin, koncert tek instalacioni “Reja”

Një koncert i veçantë është zhvilluar në hapësirën e instalacionit “Reja”, në kuadër të Javës Kulturore Italiane.

Kori i Bolzanos A.N.A. nën drejtimin e Maestro Werner Redolfi, solli një performancë magjepsëse me këngët popullore të Associazione Nazionale degli Alpini. Mes peizazhit urban të Tiranës, meloditë e tyre harmonike na transportuan te pranishmit në malet piktoreske, duke ngjallur ndjenja nostalgjie dhe vlerësimi për trashëgiminë muzikore të rajonit.

Koncerti, me hyrje falas, u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës.

Këngët e përzgjedhura përfaqësojnë këngët e vërteta popullore, malore dhe alpine, këngë të gjitha të lidhura me territorin. Aktualisht kori përbëhet nga 26 elementë dhe drejtohet nga Maestro Werner Redolfi, ish-korist. Deri më tani kori ka dhënë 100 koncerte. Kori ANA Piani Bolzano prezantohet në qytetin e Bolzanos, por edhe në të gjithë krahinën, si një burim i ri kulturor, i cili jep një sinjal të fortë, pozitiv shprese dhe besimi në sektorin e muzikës korale popullore dhe alpine./atsh/KultPlus.com

Sabri Behramaj: Rrëfimi i nënës së Leotrimit më goditi, skulpturën nuk e porositi askush

Më 18 qershor të këtij viti, në sheshin e Skenderajt do të bëhet inaugurimi i skulpturës së Leotrim Ahmetit, skulpturë që ka prekë të gjithë shqiptarët, shkruan KultPlus.

Rrëfimi i nënës së Leotrimit ka goditë skulptorin Sabri Behramaj, i cili së fundi ka realizuar skulpturën e vogëlushit, vogëlush që ka humbur jetën prej plagëve të rënda që i kishin shkaktuar forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Skulptori Behramaj realizimin e skulpturës e ka bërë pa iniciativë dhe kërkesë të askujt. Ai ka shpjeguar për KultPlus se kjo vepër arti ka ardhë si rezultat i rrëfimit të nënës së Leotrimit, rrëfim që ka prekë tej mase artistin.

“Për muaj, dhe besoj për çdo qytetar të Kosovës, rasti i Leotrimit është një rast i ndjeshëm që të prekë thellë në zemër”, ka thënë Behramaj për KultPlus.

Ai ka shpjeguar se për rastin e Leotrimit kishte mësuar nga Nusret Pllana, i cili rrëfimin e nënës së Leotrimit e kishte shpërndarë në rrjete sociale.

 “Më emocionoj shumë, dhe ishte hera e parë që dëgjova për këtë rast. Dhe pikërisht aj rrëfim më obligoi që t’ia dedikoj një skulpturë Leotrimit”, ka thënë ai.

Më pas Sabri Behramaj ka shpjeguar se ai nuk ka njohur nga afër familjarët e Leotrimit, po për koincidencë, vëllai i Leotrimit kishte kërkuar një takim me artistin Sabri Behramaj, që ky i fundit të realizonte një bust për babain e tij, Malush Ahmetin, tani hero i Kosovës, i cili poashtu është edhe babai i Leotrimit.

“U takuam me Besnikun, dhe u dakorduam për realizimin e bustit për babain e tij. Në fund të bisedës më tregoj se si ai ka edhe një vëlla të rënë gjatë luftës. E pyeta për emrin e vëllait, dhe kur më tha se emri i tij ishte Leotrim, që të sigurohesha më mirë, unë nxorra foton që mbaja në telefon që ta pyesja se nëse ishte po ky Leotrimi që unë veç kisha vendosë ta realizoja në skulpturë, ai pasi pa foton, ma konfirmoi se ishte po ai vogëlush që mua më kishte prekë thellë në zemër”, ka shpjeguar Behramaj për rrugëtimin e realizimit të skulpturës.

Behramaj ka thënë se skulptura është e formatit natyral dhe se puna për realizim ka zgjatë afro tre muaj.

Mirëpo realizimi i kësaj skulpture sipas tij, do të mbetet një prej punëve të tij artistike që i ka sjell shumë emocion, dhimbje e përjetime të pashpjegueshme.

Skulptura e Leotrim Ahmetit është skulptura e parë që përkujton fëmijët e vrarë përgjatë luftës në Kosovë, e që numri i fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur është 1432. / KultPlus.com

Aleksandër Pushkin, poeti i mahnitshëm që u bë viktimë e një gruaje

Aleksandër Sergejeviç Pushkin lindi më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare dhe vlerësohet gjerësisht, si themeluesi i letërsisë moderne ruse. Ky poet i shkëlqyer, elegant dhe romantik, ​​u rrit në kulturën franceze dhe e njihte më së miri si veprën e Volterit, ashtu edhe atë të La Fontenit.

Poeti, dramaturgu dhe romancieri rus, vepra e të cilit, e ushqyer nga trashëgimia klasike evropiane, e hapur ndaj ndikimeve romantike, por shumë e lirë në zgjedhjen e temave dhe formave të saj, çliroi letërsinë ruse nga varësia e rregullave të huaja, Pushkini i ofroi letrat e fisnikërisë gjuhës ruse, duke hapur rrugën për një letërsi të madhe kombëtare me shtrirje universale.

Që prej shkollës së mesme, në Tsarskoie-Selo, Pushkini afirmoi talentin letrar. Në 1820, famën e kërkuar ia dha poema “Rusllana dhe Ludmilla”… po dhe një dëbim në Kaukaz për mendime liberale. U rikthye falë carit Nikolas I në 1826, ku rigjeti jetën shoqërore të Moskës dhe në veçanti botoi dramën kombëtare “Boris Godunovi”.

Natalia Gontaçarova, me të cilën u martua në 1831, duhej ta kishte bërë të lumtur. Por ajo që konsiderohej si një nga gratë më të bukura në Rusi, do të ishte përfundimisht, shkaku i vdekjes së tij: e mikluar nga të gjithë, përfshirë edhe nga Car Nikolas I, ajo përfundoi duke magjepsur një oficer të ri francez, Antes. Më 26 janar 1837, në Shën Petërburg, ai e sfidoi poetin në duel dhe e plagosi atë në ijë. I transportuar në shtëpi, Pushkini vdiq tri ditë më vonë, pa mbushur ende 38-vjeç.

Shumë fraza të shkëlqyera të Aleksandër Pushkinit janë marrë nga poezitë e tij ose çfarë thonë personazhet në romanet e tij. Të gjithë kanë një shenjë të veçantë: ato janë shumë të thella dhe shumë të bukura në të njëjtën kohë.

Thuajse shumicën e kohës ishte i angazhuar në çështje politike, më së shumti për arsye etike sesa për një pasion për pushtet në vetvete.

Aleksandër Pushkini shënoi një epokë, që fare mirë mund të quhet “para dhe pas tij”, në letërsinë ruse.

Ishte një shkrimtar vërtet i rafinuar. Si mendimtar, ai ishte një njeri përparimtar për kohën. Ai vdiq i mbushur me dyshime dhe paradoksalisht, ishte Car Nikolas I që pagoi për këto dyshime.

Mes poezive, risjellim vargjet e famshme:

Letër e Tatjanës, Onjeginit

Po marr guximin që t’ju shkruaj…
Ç’do deshit më veç shpirtit tim?
E di, se është e drejta juaj
Të më dënoni me përçmim.
Po ju që e shihni si po vuaj
Me pak mëshirë, sado pak,
Nuk do më mprapsni zemërake!
Më parë desha të rri qetë
Për turpin tim besomëni,
Ju s’do të dinit kur se si,
po të mund të shpresonja vetë
Që, kur e kur me plot hare
të kem t’ju shoh këtu tek ne
Që t’ju dëgjoj si kuvendoni,
T’ju them një fjalë dhe pastaj
Në zemër veç një mall të mbaj,
Veç gjer sa rish të më takoni…
Po thonë se ju s’rrini dot
Në fshat të heshtur ju mërziti
E ne… ne rrojmë me të kotë
Plot gas se vini e na aviti.
Pse arthtë vetë ashtu në fshat,
Na gjettë tek ky vend i qetë?
T’ju njoh s’do kisha kurrë fat,
S’do kisha turbullimn’ e shkretë.
Dhe afsh’ i shpirtit tim në jetë
Duke u qetuar (kushedi!).
Një mikut mund t’i bëhesha mike
Dhe shoqe e jetës e besnike
Dhe zonjë e ndershme për shtëpi.
Një tjetër… jo askujt në jetë
Nuk do t’i falnja dashuri!
E ka vendosur Qielli vetë,
jam e jotja në përjetësi;
Gjithë jeta ime me pat qenë
Një peng se ty do të takoj
Se Zoti jetën ma ka dhënë
Që gjer në varr të adhuroj…
Përhera të kam ëndërruar
të ndjenja fellë thellë në gjit
me atë vështrim që më trondit
Në zemër shpesh ta kam dëgjuar
ty zërin… jo s’ish ëndërrim!
Dhe sapo hyre, të kuptova
Më preke fort u përvëlova
Thashë ësht’ ai thesari im!
S’është e vërtetë? Po, të kam ndjerë
Me flisnje kur me dhemshuri
ndihmoja njerëzit e mjerë,
Më sillte shpesh lutja qetësi,
Edhe tashi, ndaj kësaj grime
A nuk je ti o ëndrra ime,
Që n’errësirë po ndriçon
E vjen më prek me nur e hije?
S’je ti që plot prej dashurije
Shpres’ edhe gas me murmuron?
Kush je ti? Engjëlli me shpresë,
apo një lajkatar pa besë?
Ma hiq tashi këtë dyshim
Kjo mbase nj’ëndërr mund të jetë
Për zemrën time një zhgënjim
E ndryshe krejt fat’ i vërtetë…
Po dhe kështu jet’ dhe fat
veç ty që sot t’i kam besuar
Më qan me lot shpirt i ngratë
E mprojtje vij për të kërkuar.
Mendo: jam vetë s’kam ku flas
askush nuk mund të më kuptoje
Mendja fillon të më lëshojë
Në heshtje duhet të humbas.
Të pres ti eja siç ma k’ënda
Dhe shpresat ngjallm’ i përsëri,
A ma prish ëndrrën që tashi
Me të qortuara të rënda!
Mbarova! S’mund ta rilexoj…
Po vdes nga frik’ turpëruar
Po nderit tuaj i besoj
Me plot guxim duke shpresuar…/konica/ KultPlus.com

Karl Gustav Jung, psikiatri që “krijoi” njeriun e Nëntëqindës

Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e shekullit të njëzetë, ai zbuloi se në detin e madh të të pavetëdijshmes ekziston identiteti ynë personal, por edhe një trashëgimi universale që ka të bëjë me të gjitha qeniet njerëzore. Dhe një rrëfim për përplasjen me Freud-in, që e vuri dishepullin para dilemës: të ishte besnik i mësuesit, apo besnik i idesë?

Pak mendimtarë kanë patur ndikim mbi mendimin e shekullit 20 si Carl Gustav Jung. Mendimi i tij është shumë më popullor, nga sa mund të mendohet. Dhe shumë nga termat që ai krijoi, kanë hyrë tashmë në hapësirën e gjuhës së zakonshme. Kur themi, për shembull, se Inspektori Montalbano ka fytyrën e Zingarettit, dhe që tani kushdo që lexon romanet e tij sheh atë fytyrë, ne përdorim konceptin e të pavetëdijshmes kolektive në një mënyrë sipërfaqësore, por jo plotësisht të gabuar. Dhe kur pyesim veten se kush ishte futbollisti më i madh I të gjitha kohërave, Pelé apo Maradona, ne në të vërtetë po aplikojmë një koncept Jungian. Në fakt, po kërkojmë arketipin e futbollistit, atë figurë të fundme dhe të padiskutueshme që mund të mishërojë në sytë e të gjithëve konceptin e “futbollit”. Fjalë dhe ide të tilla si arketipi, energjia simbolike, e pavetëdijshmja kolektive dhe madje edhe introvert e ekstrovert (konceptet e prezantuara nga Jung në veprën e tij Tipas Psikologjike të 1921) kanë lënë prej kohësh horizontin e vogël të literaturës specialistike, për të mbërritur në oqeanin e gjerë të gjuhës së përditshme.

Përpara Freud-it

Jung lindi në Kessvil, Zvicër, më 26 korrik 1875 dhe pati një fëmijëri të lumtur. Ai nuk ishte një fëmijë i shoqërueshëm dhe megjithëse ishte i aftë për marrëdhënie normale, nuk e kishte problem të luante vetëm. Në moshën njëzet vjeç u regjistrua në mjekësi në Universitetin e Bazelit. Nëse është e vërtetë që ndonjëherë teza e diplomimit zbulon interesa që do të mbesin për gjithë jetën, Jung është një shembull i përsosur.

Punimi i tij, botuar në vitin 1902 nën titullin “Psikologjia dhe patologjia e të ashtuquajturave fenomene okulte”, zbulon interesimin e Jung-ut për atë që nuk mund të shpjegohet vetëm me logjikë. Nga fenomenet okulte të vitit 1902, tek komentimi i Librit Tibetan të të vdekurve, Ching, alkimia, UFO-t, Jung ka qenë gjithmonë i vëmendshëm për gjithçka që shkonte përtej logjikës perëndimore. Pas tezës së diplomës, për Jung-un u hapën dyert e një karriere të shkëlqyer akademike. Gjatë kësaj periudhe, vepra më e rëndësishme është “Psikologjia e dementia precox”, 1907, një studim kliniko-teorik që përpiqej të propozonte mënyra të reja për të trajtuar problemin e demencës së hershme. Pastaj erdhi takimi me Frojdin dhe mendimin e tij.

Takimi me Freud-in

Puna e Jung me pacientët me çrregullime mendore e bëri atë të vëmendshëm ndaj botimeve që ofronin mënyra të reja për të trajtuar këtë lloj sëmundjeje. Duke reflektuar mbi shkrimet e Freud-it, Jung-u u bind për vërtetësinë e teorive të tij dhe i shkruajti duke shprehur admirimin e vet. Më 1907 të dy më në fund u takuan. Freud-i ishte 51 vjeç dhe Jung-u 32 vjeç. Diferenca në moshë bëri që Freud-I ta konsideronte Jung-un pothuajse si një djalë, ose të paktën një dishepull të ri dhe shumë të zotë. Në vitin 1909, pas vetëm dy vjetësh njohje, Jung-u shoqëroi Freud-in në udhëtimin e tij të famshëm për në Shtetet e Bashkuara. Dhe ishte gjatë udhëtimit me anije, që marrëdhëniet midis të dy filluan të pësojnë çarje.

E pavetëdijshmja kolektive

Kontrasti midis Freud-it dhe Jung-ut shpërtheu në vitin 1912 me botimin e “Libido: simbole dhe transformime”, vepër që u rishikua më pas në formën e saj përfundimtare në vitin 1952, dhe u botua nën titullin “Simbolet e Transformimit”. Në këtë vepër, Jung-u prezantoi rezultatin e rrugëtimit të tij teorik dhe studimeve të zgjeruara, nga individi tek historia kolektive e njerëzimit.

Për Jung-un, ekzaminimi i shprehjeve të ndryshme filozofike, kulturore dhe fetare të njerëzimit tregonte se, përveç individit të pavetëdijshëm ekziston edhe një e pavetëdijshme kolektive, e cila bashkon qeniet njerëzore dhe shprehet në arketipet, domethënë në ato figura të qarta dhe të paqarta që mishërojnë një koncept dhe të cilat mund të pikasen menjëherë: Nëna, Fëmija, Heroi, Shenjti, Shëruesi. Për Jungun, qenia njerëzore është e thirrur të ndjekë një rrugë të rritjes së brendshme, të cilën ai e quan individualizim. Eshtë një proces personal që na lejon të identifikojmë egon tonë, duke u përballur me vetveten si me individin ashtu edhe me të pavetëdijshmen kolektive. Për Jung-un, pra, psikika ka një projekt, dhe një psikikë e shëndetshme është ajo që identifikon dhe ndjek qëllimin e saj përfundimtar.

Përseja e konfliktit

Mbi bazën e këtyre reflektimeve, Jung-u dhe Freud-I hynë në konflikt, edhe sepse në mes ishte mënyra se si duhej kuptuar epshin. Për Freud-in identifikohej në ngasjen seksuale. Ishte shtytja për diferencimin seksual dhe kënaqja e nevojave të individit. Dhe sipas tij, psikoanalizës i duhet të studojë nxitjet seksuale, sepse epshi fsheh mesazhet e të pandërgjegjshmes. Për Jung-un kjo ishte kufizuese. Ai nuk mund të pranonte që çdo krijimtari artistike ose filozofike buronte nga seksualiteti.

Kjo është arsyeja pse ai foli për simbolet dhe transformimet. Për të, u bë e domosdoshme të zgjerohej koncepti i epshit, në mënyrë që të përfshihen elementë të tjerë që përbëjnë të ashtuquajturën “energji psikike”. Për Jung-un, në të vërtetë, ekziston një energji psikike që shndërrohet dhe shprehet përmes një “funksioni simbolik”. Ky funksion, me pak fjalë, është aftësia për të përpunuar konceptet dhe shtytjet individuale, duke i shndërruar ato në simbole, domethënë në shenja “që tregojnë diçka tjetër”. Historia e Jung-ut është histori e një dishepulli, i cili përballet me një zgjedhje: të jetë besnik i mësuesit, apo besnik i idesë? Freud-i kishte sjellë në jetë psikanalizën, por tani ajo ishte më e rëndësishme se vetë Freud-i dhe Jung-u ndjeu se ishte detyra e tij, që ta bënte të rritej përtej themeluesit.

Alkimia dhe misticizmi

Koncepti i “transformimit” e mahniti Jung-un, i cili pyeste veten se si, në shekujt para zbulimeve të para të Freud-it, energjia psikike, gjithnjë e pranishme tek njeriu, kishte gjetur një mënyrë për t’u shprehur dhe nëse, në histori, mund të gjendeshin shembuj të tjerë “individualizimi”. Ky interes e shtyu atë të studionte Alkiminë, duke e konsideruar jo si paraardhëse të kimisë, por si mënyra për shndërrimin e Vetes, që sipas Jungut, ishte qëllimi përfundimtar i jetës psikike. Krahas Alkimisë, Jung-u identifikoi një rrugë tjetër me të cilën njeriu kishte udhëtuar duke kërkuar – pa qenë i vetëdijshëm – vënien në praktikë të procesit të identifikimit të vetvetes, gjegjësisht mistikës dhe veçanërisht asaj lindore. Jashtë një rrethi të vogël specialistësh, Jung-u ishte ndër të parët që u interesua për tekstet e lashta fetare siç është “Libri Tibetan i të Vdekurve”, i cili tregon rrugën që shpirti njerëzor merr në jetën e përtejme, dhe Ching, një traktat të artit hyjnor kinez, qëllimi i të cilit është të tregojë ndërlidhjet midis njeriut dhe kozmosit, për të nxjerrë mësime që duhen zbatuar në jetën aktuale.

Struktura e Personalitetit

Për Jungun, struktura e psikikës është Personi – Hija – Animus – Anima

  • Personi është uni personal
  • Hija është përfaqësimi i shtytjeve dhe dëshirave të fshehta të të pandërgjegjshmes
  • Animus është imazhi mashkullor i pranishëm tek femra
  • Anima është imazhi femëror i pranishëm tek mashkulli.

Bashkimi i gjithë këtyre të çon tek Vetja, ose shprehja e plotë e personalitetit. Një vizion i tillë shkaktoi skandal, sepse pohimi që tek çdo burrë ishte i pranishëm edhe një aspekt femëror binte ndesh me maskilizmin e shoqërisë së kohës së tij.

Përgatiti: bota.al /KultPlus.com

Vdiq akademiku Rexhep Ferri

Akademiku Rexhep Ferri ka vdekur në moshën 86-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij të enjten. Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.

Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), më 7 qershor [nesër], në orën 11:00, do të mbahet mbledhja komemorative në ASHAK dhe më pas, deri në orën 12:00, do të bëhen homazhe.

Varrimi i Ferrit do të bëhet të premten [nesër] në orën 13:00 në varrezat e Prishtinës.

Ferri u lind në Kukës të Shqipërisë në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.

Blur vjen me album dhe dokumentar koncertesh nga Wembley

Bendi “Blur” ka njoftuar për albumin e tyre të ri, “Live At Wembley Stadium”.

Ky projekt do të jetë shoqërues i dokumentarit dhe filmit të tyre koncertiv.

Ata e bënë të ditur lajmin në mediat sociale, ku shfaqën pamje nga koncertet e tyre masive që i mbajtën korrikun e shkuar.

Blur kishin luajtur para 150 mijë vetave përgjatë dy netëve në stadiumin kombëtar, “Wembley”.

Ndërkaq tani, gati një vit më vonë, albumi do të publikohet më 26 korrik, dhe mund të paraporositet nga tani./tema/KultPlus.com

Rama: Parada e makinave retro në Gjirokastër, atmosferë fantastike

Gjirokastra vizitohet çdo ditë nga qindra turistë vendas dhe të huaj që e zgjedhin qytetin e gurtë për veçantitë e tij, trashëgiminë, natyrën, mikpritjen, por edhe atmosferën e ngrohtë që krijohet nga shumë aktivitete të organizuara.

Këtë radhë, ishin makinat retro që gjallëruan qytetin e gurtë duke surprizuar turistët e shumtë që e shijuan këtë paradë në kuadër të javës italiane të kulturës.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Pazari i Gjirokastrës, ku parada e koleksionit të makinave retro që erdhën nga Italia solli një atmosferë fantastike, duke tërhequr vëmendjen e qindra turistëve vendas e të huaj.

Parada e mjeteve klasike të Veteran Club Valle D’Itria përshkoi rrugicat e kalldrëmta të qytetit të Gjirokastrës. Përveç këtyre mjeteve të mrekullueshme, të pranishmit shijuan dhe muzikën dhe atmosferën fantastike që u krijua.

Parada e makinave retro mbushi një ditë të paharrueshme për adhuruesit e makinave RETRO dhe kulturës./atsh/KultPlus.com

Performancë “flash mob” në sheshin Skënderbej

Qendra per Hapje dhe Dialog (COD) ftoi publikun për t’u bërë pjesë e aktivitetit që zhvillohet  të premten me nxënës të shkollave 9-vjeçare e të mesme të qarkut Tiranë dhe Durrës, në sheshin Skënderbej.

Do të jetë një performacë krejtësisht ndryshe, nismë kjo që ndërmerret në vijim të ekspozitës “Artivizim për një transformim social të përgjegjshëm”, nga mjeshtri italian me famë ndërkombëtare Michelangelo Pistoletto.

Ky aktivitet i cili do të zhvillohet më 7 qershor, vjen në kuadër të Javës Kulturore Italiane, si bashkëpunim i Qendrës për Hapje dhe Dialog, Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Italisë në Shqipërisë dhe Fondacionit “Pistoletto Cittadellarte”.

Në formën “flash mob”, kjo ngjarje nxit mes pjesëmarrësve ndërveprim, dialog, përgjegjësi, por edhe bashkon tema si shoqëria, shkenca dhe arti, që shpërbëjnë paradigmën e paragjykimit, të bullizimit dhe të diskriminimit ndaj moshatarëve, duke e kthyer këtë në një aktivitet edukues dhe argëtues për fëmijët dhe të rinjtë./atsh/KultPlus.com

Nga amfiteatri i Hadrianopolis tek Butrinti, udhëtim në sitet arkeologjike

Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau në rrjetet sociale një album fotografik me imazhe të cilat u bënë pjesë e konkursit ndërkombëtar “Wanderlust in Albania”.

AKT fton të zbulohet historia e lashtë e Shqipërisë përmes një udhëtimi nëpër sitet arkeologjike, vende magjepsëse për t’u parë e studiuar, të cilat evokojnë shndritjen e antikitetit deri në ditët tona.

Në njërën prej fotove dallohet amfiteatri i Hadrianopolis, një nga më të bukurit dhe më të vizituarit në vendin tonë. Ai gjendet gjatë zbritjes në luginën e Drinos, në fshatin Sofratikë të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër – Sarandë dhe fotografia është realizuar nga Matthew Janzen.

Parku Arkeologjik i Apolonisë, pas Dyrrahut, qyteti më i rëndësishëm ilir në pellgun e Adriatikut dhe më i përmenduri ndër 30 qytetet, me të njëjtin emër për nder të Feb Apolonit lajmësit të Perëndive të Olimpit, vjen nga një foto e Eduart Gjonit.

E ngritur mbi një kodër në Mallakastër, Apolonia zotëronte tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Vjosë (Aoos) lidhej me detin Adriatik.

Një tjetër atraksion i rëndësishëm është Amfiteatri antik i Butrintit, në Sarandë, një nga monumentet e qytetit antik, ndërtimi i të cilit daton në shekullin e III para Krishtit. Ai u zbulua nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini në vitet 1928-1930. Gjetja më e madhe e tij ishin një sërë shtatoresh, ndër to “Dea e Butrintit”, të cilat u zbuluan në skenën përballë teatrit. (Fotografia nga Ibo Pirjasi).

Dhe Parku Arkeologjik Bylis, që vjen përmes fotografisë së Ardian Fezollarit, apo qyteti antik i Bylisit, është më i denji i qytetërimit ilir. Teatri i Bylisit, i ndërtuar në fillim të shekullit të 3 para lindjes së Krishtit me një kapacitet 7500 vendësh, një nga veprat më të mëdha të kohës. Bylisi ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Ballsh -Tepelenë, vetëm 35 km nga Fieri, dhe 1,5 km nga qendra e fshatit Hekal./atsh/KultPlus.com

Çame jam

Nga Neviana Shehi

Çame jam, motra e Afërditës.
Një copë Diell ma dhuroi Zeusi
Agimit kur i buzëqesha te burimi.

Jam çame… nga lot’ i largët vij
Atje në More janë rrënjët e mia.

Kam bukuri Çamërie, ta dini
Me det e mal, fushë e lëndinë
Me aromë portokalli, trëndelinë.

Emrin tim e gjeni kudo brigjeve
Deri atje, në Egjiptin e lashtë.

E dëgjuat… jam Bubulina
Unë vij nga Plaka dhe Ljosha,
Eci botës si çame, gatuaj, kërcej,
Këndoj si çame.

Dhe vajza ime më thotë,
O nënë, edhe unë jam çame.

E shtrenjta e nënës, çamja ime e bukur si lule
Edhe ty, ashtu do të thonë fëmijët e tu
Dhe fëmijët e fëmijëve tu… /KultPlus.com

Blur vjen me album dhe dokumentar koncertesh nga Wembley

Bendi “Blur” ka njoftuar për albumin e tyre të ri, “Live At Wembley Stadium”.

Ky projekt do të jetë shoqërues i dokumentarit dhe filmit të tyre koncertiv.

Ata e bënë të ditur lajmin në mediat sociale, ku shfaqën pamje nga koncertet e tyre masive që i mbajtën korrikun e shkuar.

Blur kishin luajtur para 150 mijë vetave përgjatë dy netëve në stadiumin kombëtar, “Wembley”.

Ndërkaq tani, gati një vit më vonë, albumi do të publikohet më 26 korrik, dhe mund të paraporositet nga tani.

Diskutim për librin “Enciklopedia imagjinare / postroman” të Bajram Kosumit

Në Amfiteatrin e Kuq të Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, shkrimtar, profesor dhe ish kryeministër i Kosovës, bisedoi të mërkurën me lexuesit e tij nga Gjilani për letërsinë dhe librin e tij të fundit, “Enciklopedia imagjinare / postroman”, i cili ka zgjuar interesim të madh te lexuesit.

Studiuesi dhe poeti Flamur Maloku, Profesori i Fakultetit të Edukimit, hapi takimin letrar, ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit, profesori dhe poeti Merxhan Avdyli foli për biografinë dhe veprimtarinë krijuese të autorit. Kritiku e shkrimtari Mehmetali Rexhepi paraqiti një vështrim kritik rreth librit. Sipas tij, libri në fjalë ka një denduri të dhënash estetike e letrare, dokumentare dh imagjinare, me motive të reja nga e djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e pritshme. Ai theksoi:

“Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po I jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të bukurën dhe të shëmtuarën.”

Pastaj u zhvillua një diskutim me pyetje të të lexuesve dhe përgjigje të autorit, të cilin e udhëhoqi Flamur Maloku, duke e hapur debatin me pyetjen për procesin e shkrimit të “Enciklopedisë…”.

Kosumi u përgjigj se ky libër ka filluar të shkruhet së pari në mendje, deri sa baritja qelive të nëndheshme të Burgut të Nishit, për t’i shpëtuar të ftohtit dhe zieja në mendje të zbuloja një ligjërim letrar në të cilin thua një fjalë-çelës, një figurë letrare apo një term kulturor dhe lexuesi kupton një ´qind ide prej saj. Mbi këtë mision të pamundshëm letrar ka lindur Enciklopedia imagjinare, një trung letrar me plotë degë aq të mëdha sa duken si trungje të tjera, me pipa e sytha, me tekst e intertekst, me diku rreth pesëqind fjalë të tilla, po të cilat disa pesëmijë kuptime.

Poeti, studiuesi dhe dekani Merxhan Avdyli, e pyeti autorin se a duhet lexuesi të frikësohet kur hyn në pyllin e dendur të Ensiklopedisë imagjinare?

Kosumi tha se Enciklopedia… është si një mal, të cilin e vëzhgojmë. Dikush sheh lisat dhe e adhuron, dikush sheh egërsirat dhe e adhuron, dikush sheh gurët dhe I adhuron, dikush sheh lumenjtë, përrenjtë dhe i adhuron, dikush hapë tunele dhe nxjerr gurë të çmuar…, me rëndësi që secila klasë e lexuesve sheh Tokën e vet të premtuar. Sa më thellë të hyjë në këtë botë të re, aq më shumë do të frikësohet lexuesi. Sepse do të shoh historitë lemeritëse, për shembull, mjaftojnë edhe ato të fillimit të shekullit XX në Ballkan, kur u formuan shtetet e reja dhe kombet e reja, si serbët, bullgarët, grekët, e më vonë edhe shqiptarët, maqedonasët, malazezët, se çka kanë bërë ata kundër njëri tjetrit.

Profesor Nevrie Ismaili pyeti për metodologjinë e konstruktimit të fakteve historike me faktin letrar, imagjinar.

Autori tha se një nga bukuritë e këtij teksti është pikërisht humbja e kufirit midis historikes dhe imagjinares, shumë e vështirë të dallohet fakti imagjinar dhe fakti historik, dhe pikërisht aty ku mendon se po flitet për fakte historike, mund të jenë fakte imagjinare, ose aty ku mendohet se po fluturon imagjinata, në të vërtetë flasin faktet historike. Ky edhe është një element postmodern i këtij libri.

Mehmet Bushi e pyeti shkrimtarin se pse e keni quajtur “postroman” dhe cilin lexues e kërkon ky libër?

Autori tha se “Postroman” është një fjalë e krijuar nga unë, ngjizje e fjalës roman dhe asaj që vjen pas romanit, një zëvendësim I romanit me një zhanër të ri. Ky libër nuk është roman as edhe si asnjë tip a model I romanit e deri te postromani, sepse të gjithë ata trajtojnë një apo më shumë tema, një apo më shumë personazhe, një apo më shumë situata…., ndërsa në Enciklopedi ka sa zëra aq romane në miniaturë, sepse çdo zë paraqet një roman në miniaturë. Më ka ndihmuar mënyra se si e kam përdorë ligjërimin: unë nuk rrëfej për detajet e ngjarjeve apo përjetimeve të zakonshme, unë rrëfej vetëm për pikat referenciale, dhe vetëm për momentet kritike të ekzistencës njerëzore, vetëm për ballafaqimet e zhveshura të njeriut me situatat ekzistenciale, prandaj kjo mënyrë rrëfimi dhe ky ligjërim më ka bërë të mundshme që në një zë të shkurtër, për shembull në një faqe, të paraqesë një histori disa mija vjeçare dhe, ky është saktësisht një roman në miniaturë.

Studiuesja e re e letërsisë Donjeta Kryeziu e pyeti autorin se pse keni emërtuar një libër, ‘Libri për pesë Mariet’ dhe pesë personazhe të tij me të njëjtin emër, Maria?

Kosumi tha se pesë Mariet kam paraqitur fatin e femrave të Ballkanit në shekullin XX, pesë gra, me pesë fate të ndryshme, madhështore dh tragjike njëkohësisht, të gjitha me një prototip real, duke filluar me Marie Shllakun, Marie Kokolarin, Marie Jorgiqin, Marie Krasniqin dhe Marie K. Ua kam vënë emrin Marie nga mëma e krishtit, Maria/ Hazreti Mejremja, nëna e cila e pa më sytë e vet kryqëzimin e birit dhe i qëndroi te këmbët e përkushtuar ndaj tij dhe besimit të tij, por jo edhe e nënshtruar.

Albulena Limani pyeti se, sa ka ndikuar në shkrimin e tekstit letrar kujtesa juaj personale e burgut, pasi keni qenë vetë i burgosur politik për një kohë të gjatë?

Kosumi tha se flet me kënaqësi për kohën e burgut, për vetëm një arsye: burgu, sidomos i diktaturave komuniste, ka mëtuar të jetë një shpërfytyrim i njeriut. Në shumë raste ia ka arritur. Por në disa raste nuk ia ka arritur. Krijimi i letërsisë është një nga mjetet kundër shpërfytyrimit të burgut. Krijimi i letërsisë në burg është, përveç letërsi, rezistencë ndaj shpërfytyrimit të burgut. Unë besoj se ky realitet i shëmtuar i burgut nuk duhet të heshtet. Duhet të tregohet se çfarë lemeria bën njeriu mbi njeriun dhe çfarë është në gjendje të përballojë, të mbijetojë dhe të triumfojë njeriu. Këtë të vërtetë e kam thënë edhe në Enciklopedi… Por, është edhe ana tjetër e burgut: burgu, kjo e keqe, nuk të lë pa u hakmarrë. Ne e kemi mbijetuar dhe kemi triumfuar mbi burgun, mbi dhunën, mbi robërinë, mbi të keqen, mbi të shëmtuarën…, edhe si individë edhe si shoqëri, por kjo e keqe historike nuk na lëshon pa na ndëshkuar edhe nga përtej varrit. Sikurse te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ku varrmihësi që nxjerr eshtrat e ushtarëve armiq, gërvishtet vetëm pak në dorë nga një asht, por vdes.

Xhavit Lani pyeti se si i keni përzgjedhur personazhet, ata realë dhe imagjinarë?

Kosumi tha se dhe me emërtimet, sikurse me ligjërimin, ka ndjekur parimin e zotit: ka krijuar personazhe, edhe kur janë historike edhe kur janë imagjinare, e shpesh nuk dihet kur janë historike e kur imagjinare, sikur të krijoja njerëz të rinj, në një botë të re… Natyrisht që kam pasur edhe prototipe e modele. Disa prej modeleve mund të jenë edhe në këtë sallë. Për shembull, kam një motiv te Libri i pesë Marieve, në të cilin një personazh, nga dhimbja e thellë që ia vrasin vëllain në demonstratat e 1981, betohet publikisht në varrim se kurrë më në jetë nuk do të qesh! Prototipin e këtij betimi e kemi këtu në sallë. Dhe ky është një betim i denjë për tragjeditë antike.

Merrushe Sefa e pyeti autorin se cilët janë autorët apo veprat që kanë ndikuar në shkrimin e këtij libri.

Kosumi tha se idetë fillestare për fjalët-celës përputhen, por dne pa e njohur, me idenë e Raymond Williams-it dhe me librin e tij Keywords (1976), në të cilin e paraqet historinë kulturore të Anglisë përmes historisë së disa fjalëve. Këtë libër e kam lexuar diku kah vitet 2010 dhe jam lumturuar për ngjasimin e ideve të mia të viteve ’85-‘86 me ato të Williams-it. Por, ndikimin më të madh letrar në rininë time  e kam përjetuar nga vepra e Kadaresë. Shkrimtarët që kanë ndikuar më shumë apo prej të cilëve kam absorbuar më shumë invencion letrar, pa dyshim është Borhesi, Eko, Markesi, Pamuku. Këto janë modele që i dua, përndryshe unë jam ndikuar nga shumë libra dhe shumë kultura, duke filluar nga librat e shenjtë dhe librat e vjetër. Mjafton të them se në Burgun e Beogradit Odisenë e Homerit e kam lexuar shtatë herë.

Hysen Këqiku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Dega e Gjilanit, lexoi një letër përgëzimi në emër të LSHK, Dega në Gjilan, në të cilën, shprehu gëzimin dhe mirëpritjen e botimit të Enciklopedisë imagjinare, duke e cilësuar një dite feste për lexuesit dhe letërsinë shqipe botimin e saj.

Në mbyllje, udhëheqësi i takimit, profesori Flamur Maloku, tha: “Kosumi nuk shkruan libër, por rrëfen për ngjarje e histori librash, të cilat janë rrëfime e nuk janë rirrëfime. Si vepra Enciklopedia Imagjinare, si vetë autori, duhen kuptuar brenda estetikës së narratives, ashtu si i kuptojmë Borhesin, Econ e Markezin.”/ KultPlus.com

Ndërhyrje emergjente në çatinë e kishës së Sinjës, monument kulture

Specialistët e DRTK Berat kanë nisur një ndërhyrje emergjente për riparimin e çatisë në kishën e Shën Marisë në Sinjë. Kisha është shpallur Monument Kulture, Kategoria I.

Pas riparimit të saj do të kryhet edhe pastrimi i vegjetacionit në zonën përreth duke i shërbyer turizmit të zonës.

Arkitektura e kishës nuk shquhet për volume të konsiderueshme, por është një ndërtim mjaft i thjeshtë me gurë të përmasave mesatarë të lidhur midis tyre me llaç gëlqereje. Struktura e mureve është e ndërtuar vetëm në tri krahë të planimetrisë së kishës; përkatësisht në fasadën perëndimore e cila është edhe fasada kryesore ballore, në atë veriore me shtrirje shumë të vogël dhe në fasadën jugore ku nga gjurmët kuptohet se fillimisht është përdorur si hyrje për në kishë nëpërmjet shtegut që formon shkëmbi natyror pranë.

Ndërsa ana lindore kufizohet direkt me pjesën e shkëmbit natyror. Duke pasur vetëm një fasadë ballore edhe hapësirat e dritës ndodhen në këtë anë; tre dritare gjatësore prej druri me hapje horizontale nga brenda me arkitra druri sipër, edhe hyrja kryesore ndodhet në anën lindore një flegërshe me hapje nga brenda po prej druri duke u paraprirë nga një derë prej hekuri.

Në anën jugure ndodhet një portë dy flegërsh e bllokuar nga brenda me një mur dhe jo më funksionale. Nga konfigurimi i terrenit pranë kuptohet se fillimisht kjo ka qenë hyrja kryesore për në kishë duke kaluar nëpër shtegun e ngushtë pranë shkëmbit. Hapësira e brendshme e kishës është e vogel dhe e përshtatur me terrenin shkëmbor.

Kisha e Sinjës është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë nga Ministria e Kulturës më 2015. atsh/A.K./TemA/ KultPlus.com

‘Ku janë ato fusha ku ato kaçuba, vajza të bukura si n’vendin tim kund nuk ka’

Muharrem Qenës kosiderohet artist i rrallë i skenës vendore. Krijimtaria e tij artistike është e pasur me këngë të cilat edhe sot dëgjohen e si të tilla i kanë rezistuar kohës.

Sonte po e kujtojmë artistin Muharrem Qena me këngën “Mallëngjimi”, një prej këngëve më të bukura të bagazhit të tij muzikor e cila flet për dashurinë ndaj vendlindjes.

Muharrem Qena vdiq më 24 shtator 2006 në Prishtinë duke lënë pas tij një veprimtari të gjerë prej shkrimtari, regjisori e këngëtari dhe mëse 200 shfaqje teatrale./ KultPlus.com

DPA, shkëmbim materialesh arkivore me simotrën turke

Pas dhurimit të rreth 2 milionë dokumenteve mbi veprimtarinë e shqiptarëve gjatë periudhës osmane, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vijon përpjekjet për shkëmbimin e materialeve arkivore me simotrën turke.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido priti sot drejtorin e Arkivave Shtetërore të Presidencës së Republikës së Turqisë, Ugur Unal.

Baza e gjerë kërkimore e këtyre dokumenteve shërben si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të Shqipërisë gjatë sundimit osman deri në shpalljen e Pavarësisë./atsh/ KultPlus.com

Dalja e parë publike e Mbretit Charles pas diagnostikimit me kancer

Mbreti Charles III ka bërë daljen e tij të parë publike që pasi zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer.

Ai u ngjit në skenën e Portsmouth në eventin e mbajtur për të kujtuar heronjtë e “D-Day”, duke i thënë atyre se shteti do t’i jetë gjithnjë borxhli.

Mbreti Charles foli pas djalit të tij, Princit William, duke thënë se është krenar që qëndron krahë veteranëve të mbijetuar.

“Është detyra jonë të sigurojmë që ne dhe brezat e ardhshëm të mos harrojmë shërbimin e tyre dhe sakrificën e tyre për të zëvendësuar tiraninë me lirinë”, u shpreh Charles.

Në shkurt të këtij viti, Pallati Mbretëror deklaroi se monarku 75-vjeçar u diagnostikua me kancerin e prostatës dhe që atëherë ai nuk kishte bërë asnjë dalje publike.

Shfaqja ‘Turjela’, Gongo: I mahnitur nga teknikat e ish-Sigurimit…

Dy artistë përballë ish-Sigurimit të shtetit, i plotfuqishmi i lagjes dhe përplasja e dëshirës për liri me pushtetin autoritar. Saimir Gongo ka sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar shfaqjen “Turjela”, një vepër që rreket të shpërfaqë njeriun dhe pushtetin, dhe shtypjen, tradhtinë dhe vlerat. Shfaqja që vjen premierë në Teatrin Kombëtar, është ndërtuar mbi të dhëna të dala nga hulumitmet në dosjet e Ish-Sigurimit, sikundër edhe nga dënimet e artistëve të shumtë në diktaturë, duke nisur që nga ata që i dhanë jetë shfaqjeve teatrale.

“Ka pasur artistë të teatrit të dënuar në diktaturë, por shfaqja nuk bazohet në jetën e një emri të caktuar, por është një hulumtim artistik mbi te shkuarën”, thotë Gongo.

Elementet e shfaqjes e çojnë ish-Sigurimin brenda një shtëpie dhe e vënë mes një çifti. Autori dhe regjisori Gongo e ka sjellë ish Sigurimin si një institucion strategësh, ndonëse studiuesit kanë vënë në dukje mangësitë, mungesën e edukimit, shkollimit dhe kultivimit të atyre që punonin në Sigurim. Për këtë ai e ka një shpjegim.

“Struktura e pushtetit ka qenë e sofistikuar. Jam mahnitur nga teknikat e sigurimit, janë brilante”, thotë ai duke i përdorur këta përcaktorë për shkallën e manipulimit që dosjet kanë dhe shpesh duke vënë në dukje edhe aftësitë manipuluese të diktatorit. Sado që termat sërish krijojnë parehati në komunikimin publik mbi të shkuarën, ose krijojnë keqkuptim a devijim mbi atë që e shkuara ishte- shtypja kishte efekt më “bindës” se sa manipulimi përmes fjalimeve- Gongo, i gjen këta terma përshkrues të një institucioni e sistemi ku frika orientonte qëndrimet publike dhe jopublike.

Shfaqja megjithëkëtë, është një përpjekje për të demontuar propagandën komuniste dhe vetë nostalgjinë mbi të, sepse sipas Gongon, “arti është ai që i afrohet më së shumti të vërtetës”.
Duke ia kushtuar këtë shfaqje, “atyre që mbeten njerëz”, ai fton publikun të ndjekë pjesën që përmes pak personazheve, një skenografie të thjeshtë përcjell mesazhe mbi sistemet dhe heshtjet e atyre që nuk folën.
Aktori Helidon Fino, që interpreton shkrimtarin e njohur i cili bëhet bashkëpunëtor i sigurimit me detyrim, u jep jetë dilemat jetike të personazhit.

“Në fund fiton materia dhe morali i shkrimtarit. Tashmë, pikëpyetja e madhe është naiviteti i atyre që besuan. Dishepujt e ideologjisë dhe ata që nuk e kuptonin”, thotë ai, duke besuar se arti denoncon të shkuarën.
Aktori Neritan Liçaj, në rolin e një piktori që fle me Modiglianin e zgjohet me realizmin socialist, portretizon njeriun që thyhet, për të shpëtuar veten, për të pasur privilegje, për një zyrë më të madhe. “Shfaqja ka një monolog që është mjaft domethënës. Personazhi i operativit të Sigurimit, thotë se nuk do të një fitore të vogël, por një kryevepër që jeton edhe kur pushteti vdes dhe kjo e tregon qartë çfarë ndodhi dhe pasojat e asaj kryevepre që jeton ende sot kur pushteti ka rënë”, thotë Liçaj.

Ndërsa pjesë denoncon maskën dhe hipokrizinë, mesazhi i saj është si të ruash individin brenda një turme.
Premiera e shfaqjes “Turjela”, që u ngjit në Teatrin Kombëtar vë në peshore kompromiset, kontradiktat e betejat./balkanweb/ KultPlus.com