Rexhep Ferri nderohet me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”

Flonja Haxhaj

Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është ndarë Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore ‘Muslim Mulliqi’ e i cili këtë vit iu nda akademikut, Rexhep Ferri, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i pari foli vetë ministri, Hajrulla Çeku i cili shprehet i lumtur që ky çmim po i ndahet nga preh figurave më të shquara të artit.

“Jam shumë i nderuar që sot duke e kujtuar dhe respektuar Muslim Mulliqin, ne të njëjtën kohë respektojmë artistin tonë. Veçantia e ditës së sotme është Rexhep Ferri. Besoj që ky vlerësim, është më pakta që institucionet shtetërore mund të bëjnë për figurat e shquara të vendit”, u shpreh ministri Çeku.

Ndërkaq juria e cila shqyrtoi dhe vlerësoi nominimet e artit pamor këtë vit është përbërë nga juria profesionale e përbërë nga Mehmet Behluli, Lorik Sylejmani dhe Lorik Buliqi.

E në emër të jurisë foli profesori Behluli i cili theksoi se veprimtaria e Rexhep Ferrit shkon krah për krah me zhvillimin dhe rritjen e Kosovës.

“Ndihem i kënaqur që sot të jemi në këtë pozitë që të ndajmë çmimin për Veprimtari Jetësore e në konkurencë shumë të fuqishme, përzgjodhëm profesor akademik Rexhep Ferri, njëri ndër doajenët, themeluesit e të gjithë asaj që kemi sot në fushën e artit vizuel, njërit nga baballarët themelues pa të cilët vështirë të paramendohet jeta shumë e gjallë artistike dhe kulturore e vendit tonë”, tha Behluli i cili vazhdoi më tutje se pa Rexhep Ferrin gjithçka do të ishte më e zbehtë dhe më gjysmake.

Pas Behlulit, në skenë u ftua vetë akademik  Ferri, i cili pranoi çmimin për Veprimtari jetësore të cilin ia dorëzoi ministri Çeku.

Pasi mori çmimin, Ferri mbajti edhe një fjalim falënderues për institucionet dhe të pranishmit në këtë ceremoni.

“Është e vështirë të flasësh për veten kur fillon të mendojë njeriu që është bërë person publik. Krejt çka dua të them është e zbehtë në krahasim me atë çka ka qenë në mua, të cilën jam munduar në disa fusha ta shprehu dhe t’ua lë juve që jeni më të rinj se unë dhe fëmijëve e nipërve tanë”, tha Ferri i cili më tutje falënderoi edhe ministrin Çeku për shpërblimin e punës së tij të realizuar në një kohë që kishte më shumë vlerë se sot.

Ceremonia e organizuar për nder të Rexhep Ferrit u përmbyll me interpretimin e korit të Fakultetit të Pejës./ KultPlus.com

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, ‘Muslim Mulliqi’ i ndahet akademik Rexhep Ferrit

Në një ceremoni të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Ministria e Kulturës ka ndarë sot Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”, shkruan KultPlus. 

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” këtë vit ju nda akademik Rexhep Ferrit.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve mori pjesë edhe Ministri Hajrulla Çeku.

Gjithashtu, gjatë kësaj ceremonie ishte paraparë të ndahet edhe  çmimi vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor por nga MKRS kanë konsideruar që nuk ka pasur mjaftueshëm konkurrencë për ndarjen e këtij çmimi. / KultPlus.com

Rrugëtimi i njeriut në drejtime dhe caqe të caktuara

Shkruan Hivzi Muharremi

Me rastin e ekspozitës personale të piktorit, Akademikut Rexhep Ferri hapur kohë më parë në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë, e cila akoma qëndron e hapur.

Piktori Rexhep Ferri në bazë të kësaj ekspozite dëshmon që në asnjë çast nuk e ka ndërprerë punën e vet kreative me të cilën që nga përfundimi i studimeve është duke u marr aktivisht. I takon brezit të vjetër të krijuesve të arteve, brez i cili i vuri themelet e artit modern në Kosovë veçanërisht pas viteve të 60 – dhjeta kur vien në shprehje karakteristikat parësore të çdo krijuesi, të cilët lirisht mund t’i quajmë brezi i artë të arteve figurative në Kosovë, ndonëse elementet e para moderniste të drejtimeve pas impresionizmit do shpërfaqen në veprat e krijusve, duke filluar nga Muslim Mulliqi, Tahir Emra, Xhevdet Xhafa, Nusret Salihamixhiqi, Gjelosh Gjokaj, Agim Cavdarbasha, Fatmir Krypa e shumë e shumë të tjerëve të cilët me veprat e tyre ndikuan në zhvillimin e rrjedhave të ndryshme artistike. Këtë rrugë të artit gjithnjë, përkatësisht deri me sot, në vijimësi është duke e vazhduar piktori Rexhep Ferri edhe përmes ekspozitave personale si dhe me ato kolektive. Trajtimi i figuracionit të tij jo vetëm që e vazhdon ritmin vijues të tij, por gjithnjë e më shumë shpërfaqë përmbajtjen historike të mitit dhe vetëqenies ekzistuese që nga periudhat të hershme kohore të antikitetit ilir e deri me sot, që mund të venerohen në ekspozitën personale hapur për artdashësit të kryeqendrës dhe më gjerë, në ambientet ekspozuese të galerisë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Prishtinë. Pra, që nga kjo periudhë kur Rexhep Ferri filloi t’i trajtojë figurat e veta kompozicionale gjithnjë në lëvizje, edhe pse në shikim të parë dukën të ndërlidhura me bazamentin e trollit të stërgjyshërve iliro-pellazg. Çdo kompozim në çdo tablo ngërthen në vete një ngjarje, një skenë të një drame jetësore, të një fabule, të një filozofie apo të një vërtetësie kohore ku u ballafaquan dhe përjetësuan kalvarin shekullor gjatë periudhave të ndryshme kohore-historike. Në të shumtën e rasteve kompozicionale figurat trajtohen pa koka, duo kompozime. Në këtë dikitomi vazhdojnë skenat tjera figurale të cilat kanë ndërlidhje si në aspektin përmbajtjesor po ashtu edhe në atë figurativ. Figurat pa marr parasysh pozicionet e tyre të trajtuara ato gjallojnë, lëvizin apo ecejaket e tyre shtegtojnë në drejtime të ndryshme drejtë caqeve apo universit. Pra, çdo herë humanoidët nomad edhe kur pikturohen në pozitë të ulur, ato duken sikur të jenë të përgatitur të ngritën dhe ta vazhdojnë shtegtimin ecejak të tyre, për arritje në caqet e caktuara. Tërë kjo ndodhë në rrafshin e hapësirës piktoreske si elemente nismëtare për konstituimin e tablos kompozicionale, që në esencë përbën thelbin e “rebelimit” të pikturës moderniste ndaj asaj tradicionale. Lëvizjen drejtë qendrës së rrafshit piktori e arrin përmes energjisë, e cila është përfituar nga prerjet këndore. Intensitetin më të madh do ta arrijë gjatë fokusimit në qendër ku zakonisht trajtohen imazhet e këtyre figurave dhe portreteve, apo në pikëtakimin e horizontales me vertikalen. Një karakteristikë tjetër që mund të venerohet në këto kompozime është aftësia për arritje të një baraspeshe në mes të këtyre fenomeneve të trajtuara duke filluar nga format e deri te energjia e cila si pandam qëndron ndaj ndërthurjes së ngjyrave të sipërfaqeve.

Hapësira e veprave të Ferrit me imazhe të nduarnduarta në të shumtën e rasteve jo vetëm që e gjejnë mbështetjen në fatin mjaftë të hidhur të njeriut në këto treva që mbi supet e veta i barten tmerrin e katër perandorive, dhe gjithnjë u përballën për ekzistencë apo mbijetesën e tyre. Pra, ekzistenca dhe fataliteti janë fenomene që kryesisht dominojnë në shumë tablo të piktorit.

I gjithë opusi krijues i piktorit karakterizohet si rrugëtimi i njeriut në drejtime dhe caqe të caktuara, pa marr parasysh lëvizjet e tyre a janë individuale, dualiste apo grupore. Ato në të shumtën e rasteve shprehin realitetin e ankthit, vetminë, ikje-kthim apo ankthin metafizik. Këtu qëndron edhe origjinaliteti i stilit vetanak të piktorit të cilin është duke e kultivuar që nga vitet e shtatëdhjeta dhe është emblemë e individualitetit të tij krijues ku shpërfaqet fryma e introduktit modern dhe veçantia e tij në spektrin e artit modern shqiptar.

Për artdashësit dhe opinionin e gjerë e shohë të udhës që në pika të shkurtra ta bëjmë një prezantim për piktorin, profesorin shumëvjeçar në Akademinë e Arteve të bukura, poetin, romansierin, akademikun Rexhep Ferri i cili me devocion-përkushtim të madh i është qasur që të tre fushave të artit duke krijuar dhe realizuar një numër të konsiderueshëm të veprave dhe duke nxjerrë një numër të madh artistesh të fushave të ndryshme të artit figurativ posaçërisht nga fusha e pikturës.

Rexhep Ferri lindi më (1937) në Kukës (Shqipëri). Piktor, shkrimtar, akademik. Në Pejë kreu shkollën e mesme të Artit, në vitin 1958. U diplomua në Degën e pikturës monumentale në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, më 1966, ku i kreu edhe studimet postdiplomike në të njëjtën Akademi, më 1970. Në vitin 1974 zgjidhet në thirrje të ligjëruesit në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1991 përjashtohet nga Dekanati i dhunshëm i regjimit të atëhershëm serb nga Fakulteti i Arteve dhe punën e vazhdon në objekte private, ku procesi mësimor në asnjë moment nuk është ndërprerë. Ka punuar si pedagog i angazhuar në Universitetin e Tetovës, që nga viti 1995 deri më 2004. Është pensionuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës më 2002.

Është anëtar i SHAF- të Kosovës që nga themelimi i saj. Më 1996 zgjedhet anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku pas katër vjetëve (2000) zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ka botuar poezi që nga viti 1962. në revista të ndryshme si: në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë, ndërsa ka botuar mbi 15 libra me poezi, ese dhe romane. Nga ekspozitat e vetësishme të hapura në shumë galeri mund të përmendim vetëm disa nga ato si: më 1968 ekspozita e pavarur në Galerinë Graficki Kolektiv në Beograd; me 1969 në Galerinë Darte II Cenacolonë Vicenca (Itali); më 1976, në Galerinë “Kulturrni Centar” në Beograd; më 1977 ekspozita në Galerinë Lambertnë Paris (Francë); 1982, Galeria e Arteve, Prishtinë; 1981 Galeria e Arteve në Sarajevë (Be H); 1989 në Galerinë Vakko në Ankara (Turqi); 1995 në Galerinë “Kulla e Balshajve” në Ulqin (Mali i Zi); 2001, 2013, në Galerinë Kombëtare Tiranë (Shqipëri); më 2012 ekspozita e pavarur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës etj. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta si në vend të organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë e Aplikativë të Kosovës, poashtu edhe në veprimtari të tjera artistike, pastaj në ato kombëtare dhe ndërkombëtare, si: 1972 pjesëmarrës në Bienalin Mediteran të Aleksandrisë (Egjipt); “Arti bashkëkohor i Kosovës” në Galerinë Breht në Munih (Gjermani) më 1985; mori pjesë në ekspozitën “L’artmoderne kosovar” në Cite Internacional des arts – Paris (Francë) më 2007 e në shumë të tjera.

I tërë veprimtaria krijuese e piktorit karakterizohet si rrugëtim i njeriut në drejtime dhe caqe të caktuara, pa marrë parasysh nëse lëvizjet e tyre janë individuale, dualiste apo grupore. Ato në të shumtën e rasteve shprehin realitetin e ankthit, vetminë, ikje-kthim, apo përcjellin edhe një ankth të cilin po ashtu si vetminë, ekzistencialistët nuk e fshehin, por e shpallin me zë të lartë. Ato përcjellin ankthin psiko-metafizik, karakteristika e së cilës është pasiguria.

Është fitues i disa mirënjohjeve dhe shpërblimeve si në manifestimet vendore, ashtu edhe në ato kombëtare, si më 1975 merr Çmimin për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës; më 1997 merr Shpërblimin “Penda e artë” për poezinë më të mirë të botuar në revistën “Fjala” gjatë dy mitingjeve të poezisë në Gjakovë, si dhe ka qenë fitues i çmimit të Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës, 2012, Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është shpallë “Qytetar Nderi i Vlorës”. Veprat e piktorit ndodhen të ekspozuara në shumë galeri, si në Kosovë po ashtu edhe në ato jashtë vendit. Jeton dhe krijon në Prishtinë.

Dhe në fund, jemi orvatur që ta paraqesim krijuesin e shumë e shumë dekadave si një artist komplet i cili gjatë tërë jetës së vet edhe sot pa ndërpre aktivisht merret me pikturë dhe poezi dhe përmes këtyre dy fushave e shpalos botën e vetë dhe e mpleks shpirtin si me ngjyra ashtu edhe përmes rimimit të vargjeve poetike.

Uroj akademikut Ferri jetë të gjatë dhe punë të paprajshme në organizim të ekspozitave dhe veprave poetike në vijimësi. / KultPlus.com

Rexhep Ferri dhuron dy vizatime për Galerinë Kombëtare të Kosovës, dedikim për muzeun e harruar

Dje, më 23 janar, koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës, u pasurua me dy vizatime të dhuruara nga akademik Rexhep Ferri.

“Portreti i Pjetër Bogdanit” (1986) tush në letër, dimensionet 70x100cm dhe “Portret i dyfishtë” (1985) , tush në letër dimensionet 100×70 cm, janë vizatimet që akademik Ferri i dhuroi GKK-së.

Me këtë rast, akademik Ferri, tha se gjatë këtyre 18 viteve pas luftës së fundit është harruar ideja dhe dëshira që edhe Kosova të ketë institucionin më të lartë të arteve pamore, Muzeun e Artit Bashkëkohorë, e sipas tij, me këtë rast ai i fali për këtë koleksion dy vizatime.

“I fala këto vizatime për Muzeun që është harruar, për të cilin para 30 viteve janë mbledhur e blerë shumë vepra të cilat tani gjenden në deponë e Galerisë Kombëtare. Gjatë viteve të fundit kohë pas kohe flitej për Operën, por për Artet Pamore shumë pak… Një popull që nuk e mban gjallë traditën është humbës i madh”, ka thënë Ferri.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjidhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjidhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.

Ekspozita e tij e fundit e tapicerive në Akademinë e Arteve dhe Shkencave rikonfirmoi rëndësinë e tij si artist inderdisiplinar, por edhe si personalitet dinjitoz, përfaqësues i trashëgimisë artistike të Kosovës./ KultPlus.com

Rexhep Ferri riktheu tradicionalen në moderne përmes tapicerive të tij artistike (FOTO)

Në 80-të vjetorin e lindjes, piktori, profesori dhe shkrimtari, Rexhep Ferri u rrethua me akademik, artistë e artdashës nga Prishtina, Tirana dhe Shkupi që kishin ardhur për të përjetuar nga afër ekspozitën e tij, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në një hapësirë të mjaftueshme, në muret e ambientit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, kësaj radhe u shfaq një ekspozitë më e veçantë e cila rikthente tradicionalen në stilin e modern të Ferrit në punimet e vendosura në tapiceri. Derisa në këtë ekspozitë artisti u kishte qëndruar besnik ngjyrës së kaltër, të përhimtes, të verdhës dhe ngjyrës të gjelbër.

Në emër të ASHAK- së, fillimisht të pranishmëve u uroi mirëseardhje, Luan Mulliqi, i cili këtë ekspozitë jubilare e quajti të rrallë dhe si nder për të gjithë.

“Siç po e shihni sonte akademik Ferri po na prezantohet me diçka shumë të re, me një teknik jashtëzakonisht të vjetër por që kohët e fundit ka filluar të harrohet, prandaj është një nder për të gjithë neve që rrallë kemi për të parë ekspozita si kjo sonte”, ka thënë Mulliqi në fjalët hyrëse.
Ferri i me letër para duarve por duke mos humbur shikimin me ata që e rrethonin në këtë ekspozitë, në fjalët drejtuar të pranishmëve vëreheshin fjalët prej poeti.

“Ëndrrat që me heshtjen e tyre flasin, nuk janë vetëm hapat e mi, në këtë ekspozitë edhe ju mund ta gjeni veten, herë-herë gati të lumtur, për të harruar disa gjëra. Për ta bërë jetën të jetueshme, muzika pa fjalë përjetohet më mirë. Duke jetuar në tri kohë, jeta ec edhe pa pyetur, hapet dhe mbyllet, si kjo ekspozitë. Mos u shqetësoni se ju kam afruar pak mitologji, në ADN, kam një gjysh pas gjyshi”, ka përfunduar Ferri.

Rrugëtimin e tij për këtë ditë, Rexhep Ferri derisa tregoi për krijimtarinë e tij për KultPlus e cilësoi si jo të lehtë. Ndërsa në fokus të këtyre punimeve autori kishte paraqitur mitin e njeriut, të cilin ai e përshkroi si të afërt me mitin e Prometeut.

“Të flasësh për krijimtarinë në art, është sikur të flasësh për intimitetin tënd. Unë dua që ta krijoj atë që përjetoj, të ia bëj dikujt tjetër që brenda artit dhe brenda ëndrrës time të gjej ëndërren e vet dhe ta zhvillon në imagjinatën e vet kuptimin e asaj vepre. Një kohë shumë të gjatë kam qenë i lidhur me mitin e burrit dhe gruas sepse vetëm ai mit është vazhdimësia e jetës, është shumë i afërt me mitin
e Prometeut, i cili e ka vjedhur nga Zotit zjarrin për të ia falë njeriut”, u shpreh Ferri.

Në mesin e akademikëve ishte i pranishëm dhe Nexhat Daci, i cili për KultPlus praninë e tij në këtë ekspozitë e përshkroi si një kënaqësi të rrallë për të dhe Akademinë.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve është një mjedis sikur i krijuar për evenimente të tilla. Akademik Ferri është një person i cili e meriton një prani të dëshirueshme. Kështu që neve na bën nder vepra e artisteve ndërsa për qytetarët këto janë momente kur njeriu relaksohet dhe kënaqet me suksese të këtilla”, ka thënë Daci.

Po ashtu edhe piktorja Zake Prelvukaj u shpreh shumë e fasionuar me veprat e Ferrit duke e quajtur si një pasurues të artit shqiptar.

“Rexhep Ferri na fasionoi sonte, vepra dhe tapiceria, mënyra dhe paraqitja e Rexhep Ferrit në këtë shprehje artistike është kulminante. Është një ndër autorët që ka pasuruar shumë autorë, kritik, që ka pasuruar artin kombëtar, artin shqiptar dhe kosovar. Po ashtu gëzohem që vijmë prej një vendi dhe që kemi një gjenezë të përbashkët”, ka thënë Prelvukaj.

Piktori Hajrush Fazliu, duke qenë edhe student i Ferrit e përshkroi si një pedagog të rrallë ndërsa veprën e tij e cilësoi si një ombrellë të artit modern që kultivohet në Kosovë.

“Sonte vërtetë këndshëm ai befasoi me një opus të realizuar kohëve të fundit, me një teknikë shumë të veçantë, tradicionale të popullit shqiptar, tapiceria e dikurshme u kthye në një vepër arti shumë modern, siç di i madhi Ferri. Puna e tij e prezantuar sot, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së tij na bëri të jemi krenar që e patëm pedagog, jetuam në kohën e tij, përcollëm punën e tij dhe gjithnjë si i palodhur në botën e pikturës modern mund të mbetet një sinonim i kohës dhe një njeri i madh që dha kontribut të veçantë në kulturën shqiptare, në veçanti në pikturën moderne”, është shprehur Fazliu.

Në ekspozitën personale të Rexhet Ferrit, përveç artistëve dhe artdashësve të pranishëm ishin edhe politikanë si Albin Kurti dhe ish- Ministri i Kulturës, Kujtim Shala. / KultPlus.com

Rexhep Ferri me ekspozitë personale në 80 vjetorin e lindjes

Me rastin e 80 vjetorit të lindjes të piktorit, profesorit dhe shkrimtarit Rexhep Ferri, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i organizon sot ekspozitë personale Rexhep Ferrit, shkruan KultPlus.

Hapja e ekspozitës bëhet sot nga ora 18:00 në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Prishtinë.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen shumë punë të reja (kryesisht qylyma) dhe të pa ekspozuara ma herët.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar, u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane. / KultPlus.com