Konjufca: Plani i Ri Evropian është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka siguruar se plani i paraqitur nga pesëshja diplomatike e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, është tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Siç njofton i pari i Kuvendit, nuk do të ketë diskutim e as negocim për asociacionin, pasi, sipas tij, ai nuk është temë qendrore e negociatave me Serbinë.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes, vetëm kështu një shikim sipërfaqësor, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i Asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë, nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës, por jo edhe nga Serbia”, ka thënë Konjufca.

Ai gjithashtu shtoi se nëse do të ketë ndonjë propozim i një drafti të asociacionit, atëherë vetëm Qeveria e Kosovës do ta bëjë atë. /KultPlus.com

Konjufca vlerëson lart angazhimin e Minxhozit në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, e ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Shqipërisë Qemal Minxhozi.

Konjufca e falënderoi Minxhozin, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe për nivelin e lartë diplomatik të cilin e instaloi, me bindjen se do të jetë shembulli me të cilin do të krahasohet çdo iniciativë dhe përpjekje e ardhshme ndërshtetërore, për vitet që do të vijnë.

“Vlerësojmë lart angazhimin tuaj në gjithë këto vite në shërbim të interesit të popullit tonë, duke punuar me devotshmëri për afrimin e vazhdueshëm të raporteve mes institucioneve të dy shteteve tona, në të mirë të qytetarëve dhe aspiratave tona të përbashkëta”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, Minxhozi falënderoi Konjufcën për pritjen e ngrohtë dhe potencoi rolin e tij në forcimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.

Ata u pajtuan se marrëdhëniet e shteteve tona vëllazërore duhet të jenë të prioritetit më të lartë dhe të një niveli të padiskutueshëm, përbrenda aspiratës së interesave dhe qëllimeve të kombit tonë.

“Ontologjia e Artit të Shtatë” nga Glauk Konjufca, një libër – shkollë mbi filmin

Ballsor Hoxha

Ontologjia – qenia e artit të shtatë dhe themelimi i saj, qoftë deri tek ideologjia e ‘brendashkruar’ apo përbrendësuar e filmit, sigurisht, sot, janë – burimi i së ardhmes sonë – i projektuar në afat kohor, në sociologji tonën, dhe aq më shumë materializim të tij.

Në të vërtetë së pari do të duhej të pyeteshim, a ka art të shtatë, për të gjetur dhe për të interpretuar librin e shkëlqyeshëm të Glauk Konjufcës pikërisht mbi këtë pyetje. Më tutje do të duhej të kuptonim si bëhet dhe pse është arti i shtatë, apo thënë më saktë pse ishte arti i shtatë, aq i diskutueshëm dhe i diskutuar në estetikën mbi artet, gjë që në librin rrënjësisht gjithëpërfshirës të qenies së këtij arti të Konjufcës, kjo pyetje është historikisht dhe në filozofinë e kësaj historie, prapë, rrënjësisht e argumentuar. Pastaj, lindin dhe pa numër pyetje, të cilat do të duhej të flisnin për “Ontologia e Artit të Shtatë”, dhe për të krijuar një prezantim të tij, gjë që e meriton, si studim e enciklopedi shtyllë e këtyre me sa u thanë sidomos në shërbim të filmit shqiptarë, që do të thotë krijuesit dhe vëzhguesit e tij. Por, për këtë do të duhej një njohje e përafërt me enciklopediken e Konjufcës mbi këtë art, dhe këto pyetje, gjë që në të vërtetë e bën tejet të vështirë po këtë. Aq më shumë, libri vetë “Ontologjia e Artit të Shtatë” në atë që është dhe që arrin si përpjekje, ka një integritet dhe autoritet tejet të lartë.

Prandaj, duke iu kthyer hapjes së këtij teksti, mbi këtë art të shtatë – dhe ky emërim i marrë si i mirëqenë -si burim i të ardhmes sonë, krijohet, rikrijohet dhe aq më shumë hapet pikërisht habia, apo enigma e tij, aq më shumë me qenë se përfshinë teknologjinë në vete të pandashme nga ky art, mbi pushtetin, të eskaluar, apo jo, të tij mbi ne.

Kur Maurice Blanchot, në esenë e tij krejtësisht të shkurtë, Dy versionet e imagjinares, flet për imazhin e prodhuar njerëzor, ai thotë se artisti në të vërtetë e vdesë objektin/realitetin, pasi që dhe duke e pas kaluar atë në riprodhim. Kjo më vonë në filozofinë e tij, duke e lindur Post-Strukturalizmin, definon zhbërjen e gjuhës në pafundësinë e kuptimit të të njëjtës, apo qoftë edhe të vetëm një objekti/realiteti. E ngjanë që sipas kësaj, kjo është habia, enigma, e pushtetit që ka në ne filmi për të kaluar në fenomen – burimi – të të ardhmes sonë, një burimi ekzakt të të ardhmes sonë, por të kontrolluar, qoftë si self – fullfulling – prophecy, e paradoksalisht edhe qoftë si pafundësi e objektit (pra të ardhmes)/realitetit në prodhimin njerëzor të tij.

Nëse e shtrijmë, prej me sa u tha, në filozofi të ekzistencës këtë – burim – ndoshta edhe mund të shohim, përafërsisht edhe atë që Konjufca e citon mbi filmin “Birth of a Nation”, përsëritjen e të njëjtit në tërë historinë e filmit (amerikan). Duke qenë se projektojmë në film mekanizmin tonë mbrojtës primar, qoftë në alienët si metaforë për veten, qoftë e vetëdijshme e qoftë e pavetëdijshme, për alienimin e vetë neve, dhe qoftë në filmat historik, etj, e që është krijimi i projektimit tonë mbi ankthin tonë, për ta shpëtuar veten, pavarësisht zgjedhjes dhe zgjidhjes së këtij – burimi -. Gjë që në fund na sjellë tek progresioni dhe antagonizmi i ekzistencës pas riprodhimit të objektit/realitetit (siç u tha më lartë sipas Maurice Blanchot).

Sigurisht Konjufca arrin të ‘veçojë’ në historinë dhe ndërtimin e tij, një qeniesim të një arti, të këtij – burimi – të të ardhmes sonë, dhe e bën këtë me shumë autoritet argumentimi. Libri është një pallat i veçantisë së këtij, është themelim, dhe edhe mendim tejet i sofistikuar dhe i argumentuar.

Por, pavarësisht pafundësisë së kuptimeve të objektit/realitetit deri në zhbërje të tij, “Ontologjia e Artit të Shtatë” krijon në mënyrë klasike të argumentimit, Qendrën e tij, dhe aq më shumë të këtij – burimi -të të ardhmes sonë. Qoftë në ndërtimin e tij, qoftë në idenë e tij. Në shtrirjen e tij sipas ekzistencës në të cilën e projektuam mekanizmin mbrojtës të njeriut në film për veten e tij, ka një konflikt ndërmjet përcaktimit, apo thënë më saktë të përcaktueshmërisë së qoftë të gjitha anëve të argumentimeve, dhe qoftë të idesë brenda këtij libri të Konjufcës. Shembull: nëse zanafilla e këtij arti është e përcaktuar, ajo më nuk është në ‘kongruencë’ me idenë e këtij libri, është në një mënyrë arbitraritet. Dhe më tutje, kur flasim për dy versionet e imagjinares (sipas Blanchot) ky arbitraritet na sjellë para një paradoksi të një riprodhimi të ri të një objekti të njëjtë/të një realiteti të njëjtë.

Më tutje, kjo ngrehinë e një Qendre të re të vjetër, shprehur në filozofinë e Jacques Derrida, i kthehet të përhershmes së auto-afeksionit të njeriut, dhe më tutje rikthimit ankthit të ekzistencës, sajimit të një shenje, të një fizikeje, që bëhet Qendër.    

Kjo, më tutje kthen në qoftë ‘shpikjet’, e qoftë metodat relativisht bashkëkohore, posaçërisht të asaj të – suture (term psikanalitik i teoretizimeve mbi filmin, që literalisht do të thotë dy anët e qepjes së një plage) ku filmi është vetë premtimi i, qoftë, zotit, babait edipian, apo të tjerave, për të arritur një besim të përbashkët me njeriun.

Suture – si teori, thotë se duke e përimtuar filmin deri në momentin e tij më të imë, hasim një Dorë që e krijon atë. Më tutje është vazhdimësi e filozofisë post strukturaliste: mungesë e neutralitetit të Qendrës, dhe më tutje pronësi ideologjike qoftë autoriale dhe qoftë e pavetëdijshme.

Ky shembull teorik, i ftuar këtu, tregon në të vërtetë, që jo vetëm autori është “dora e zotit” brenda dhe përbrenda filmit, por është marrëveshje (jo vetëm sipas Kompleksit të Edipit të psikanalizës) mes kësaj “dore të zotit” me njeriun/lexuesin.

Tërë kjo, me sa u tha në këto paragrafë, që prej shtrirjes së këtij fenomeni sipas filozofisë së ekzistencës e deri tek paragrafi paraprake, mund të kthejnë në po të njëjtën, duke e parë këtë ontologji (jo këtë libër) si të pathemelueshme, apo, këtë art si të pathemelueshëm, apo themelin si inekzistent. Që prej riprodhimit të realitetit të parë të të njëjtit.

Gjë që na sjellë para konfliktit, nëse pathemelueshmëria e botës njerëzore (përkundër tokës) mund të krijohet në një – burim – të të ardhmes. Apo të vetë enigmës: si mund të jetë kjo pathemelueshmëri – burim – i të ardhmes. Por, kjo apori, në të vërtetë është vetë marrëveshja për të bërë të pavërejtshme pikërisht atë që e jetësojmë – në mospërfundimin e kuptimit të realitetit – duke e sajuar një marrëveshje mbi po të njëjtin, përmes arbitrares së marrëveshjes.

Në fund, libri në fjalë, në të vërtetë pikërisht përpjekja e këtij libri – shkollë është ankthi për të kuptuar më seriozisht këtë – burim – të të ardhmes, ankthi për të hetuar, përcjellë, dhe për të gjetur gjuhën e tij, për të hetuar tërë fenomenin e tij, dhe për të bërë të lexueshëm filmin si ky – burim – i të të ardhmes sonë, për ata që e marrin më seriozisht vetë filmin.

Arti i shtatë është tanimë edhe shqiptarë, do të shtonim për fund, flet edhe shqip, në tërë gjithëpërfshirjen e tij të reprezantuar nga autori Glauk Konjufca në librin e tij “Ontologjia e Artit të Shtatë”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca kanë qëndruar në Dubovik, në shtëpinë e vëllerzërve Gërvalla, ku u pritën nga zv, kryeministrja Donika Gërvalla, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.

Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.

Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!

Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!/ KultPlus.com

‘Në garë me botën gri’ – Pëlhurat e dërguara në burg që shfaqën lulëzimin e vonshëm të Selimit në pikturë

Uranik Emini

“Në garë me botën gri”

Ideja e artistit autodidakt është një nga konceptimet e reja në art. Artistët me famë botërore, pavarësisht se kanë hyrë në histori me krijimet e tyre, kishin shumë pak arsimim apo trajnime formale në art. Njohuritë, qëndrimet dhe aftësitëqë përfundimisht do të lejojnë dikë të njihet për zanatin e tyre zhvillohen gjatë një periudhe të gjatë kohore. Me pak fjalë, talenti ka rëndësi shumë të madhe pra, më shumë sesa mendojnë njerëzit. I vetmi aspekt i talentit që mbivlerësohet ka të bëjë me vlerësimet e njerëzve për talentet e tyre – shumica e njerëzve nuk janë aq të talentuar sa mendojnë, veçanërisht kur nuk kanë asnjë, shkruan KultPlus.

Por ekspozita e sotme tregoi diçka krejtësisht tjetër.

“Në garë me botën gri” vë në pah një ushtar që ka studiuar letërsi, i cili po krijon vepra arti nga pëlhura, të cilat ia ka sjellur bashkëshortja në burg. Rexhep Selimi, i njohur ndryshe edhe si “10” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka befasuar shumë të pranishmit e sotëm në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës me ekspozitën e tij “Në garë me botën gri”, duke ekspozuar para publikut 110 vepra, numër ky që përkon me vitet që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë.

Selimi, i cili përpos që kapi armën atëherë kur ka pasur më së shumti nevojë dhe luftoi për të çliruar trojet e Kosovës, tregoi gjithashtu dhuntinë e tij për shkrimin e poezisë dhe aftësinë e tij për muzikë. Disa këngë të njohura shqipe, siç njoftojnë edhe kolegët e tij, janë shkruar pikërisht nga “10” i UÇK-së. Së fundmi, ai na njoftoi edhe me një tjetër krijmtari të tijën.

Bashkëshortja e Rexhepit, Shqipe Selimi, ka treguar se gjatë vizitave mujore në Hagë, pikturat e tij i ka bartur nga Haga në Kosovë.

“Sot nuk dua të flas më shumë, sepse këtu më së miri flasin pikturat e ekspozuara. Më vjen mirë që edhe unë kam dhënë një kontribut të vogël në bartjen e këtyre pikturave nga Haga në Kosovë, gjatë vizitave tona të përmuajshme, nga Haga këtu. Vlerën artistike të këtyre pikturave unë nuk mund ta jap, por këtë ekspozitë e bën të veçantë vendi dhe koha ku janë pikturuar këto pikturuar. Shumica e këtyre pikturave janë realizuar në përballje me padrejtësinë. Presim që Rexha dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të triumfojnë mbi padrejtësinë dhe të kthehen sa më shpejt në mesin tonë“, ka thënë ajo.

Artisti i shquar kosovar, Shyqri Nimani, tregon për KultPlus edhe momentin kur për herë të parë kishte shikuar nga afër pikturat e Selimit.

“Kjo është një befasi me të vërtet e jashtëzakonshme, një befasi e bukur. Njeriu befasohet se si është e mundur një luftëtar i lirisë, të kalojë pas luftës, pasi që e krynë atë mision të shenjtë për atdheun, të përkushtohet dhe të zbulojë me një pasion të epshit të madh; talentin dhe dhuntinë që ia ka dhënë Zoti, pra është diçka e jashtëzakonshme. Rexhepi është fqinju im i parë dhe më ka ftuar para 3-4 viteve që t’ia shikojë punimet, më ka befasuar shumë”.

Pëlhurat që u zbuluan artin në thellësi të shpirtit

“Por, këto dy vite që gjendet në Hagë, është shumë interesant. Gruaja e tij i ka dërguar pelhura me dy fëmijët e tij, ia kanë dorëzuar dhe ka ardhur. Pastaj, dërgonin pëlhura dhe ktheheshin me vepra, ku janë krijuar mbi 100 vepra. Në historinë e artit aq të gjatë, ka disa artistë që shumë vonë kanë filluar, si p.sh. Van Goghu ose Henri Matisse, që është marrë me drejtësi dhe pastaj e ka lënë këtë profesion që të fillojë të merret me art”, thotë Nimani.

Artisti Nimani tutje shprehet se tanimë është koha që Rexhepi të krijojë stilin e tij personal, derisa ndjehet krenar që trashëgimisë shqiptare po i shtohet edhe një artist i ri.

“Edhe për ne, artistët që e kemi profesion artin pamor, na befason kjo punë e tij. Mendoj që Rexhepi nuk do të ndalet, por i kam dëshiruar dhe dëshiroj që ai të vazhdojë rrugëtimin e tij dhe besoj që në të ardhmën do të krijojë edhe një stil të tij personal, që është një gjë shumë kryesore. Në fillim, njeriu ndikohet nga dikush tjetër, por Rexhepi frymëzimin e tij e merr nga folklori muzikor shqiptar. Trashëgimia jonë me etnografi, ninulla, këngët e djepit, kostume e valle është e klasës së parë, është më e mira në botë. Kështu që, është kënaqësi e madhe që trashëgimisë sonë artistike po i shtohet edhe një artist, i cili ka dalur dhe po e ndjek yllin e tij në qiellin e arteve të popullit shqiptar”, përfundon ai.

Ndërkaq, për një fjali rasti është ftuar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili mes tjerash diskutoi edhe për mos-gjykimin në Hagë, të të gjithë ish-luftëtarëve.

“Ai i ka dërguar prej Hagës, atje ku po gjykohet por ku ende nuk ka filluar gjykimi, ku po akuzohet
pa aktakuzë së bashku me bashkëveprimtarë të tij të tjerë me ish-kryetarin e Kuvendit Krasniqi, me ish-kryetarin e Kuvendit Veseli, me ish-presidentin Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen atje në Hagë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, të cilës i kontribuoj i gjithë populli. I gjithë populli në një mënyrë ishte pjesë e luftës tonë të drejtë”, është shprehur Konjufca.

Ai ka kujtuar periudhën kur ish-deputeti Rexhep Selimi ia tregoi pikturën e tij të parë, e cila gjendej pas tij.

“Rexhep Selimi përmes punës së tij po tregon që është në mesin tonë, ai po komunikon me ne
përmes artit, veprimtarisë së tij artistike dhe pikturave që na i ka dërguar prej atje. E patë edhe ju,
dhe unë dua të ndaj disa kujtime sa i përket momentit kur për herë të parë e mora vesh qe Rexha ka
filluar të pikturojë, dhe kjo ishte një befasi e jashtëzakonshme. Ka qenë viti 2016 jo fort moti, gjashtë vjet, kur Rexha ma dërgoi pikturën e tij të parë, na ka dërguar pikturën e tij të parë, ishte pikërisht kjo në telefon, më duket kam qenë në Shqipëri, dhe tha çka mendon për këtë piktor? Unë e shikova pikturën me vëmendje i analizova elementet pak të saj, dhe me aq sa kam njohuri edhe për artin tonë kosovar, thash kjo me siguri duhet të jetë një pikturë e Simon Shirokës përafërsisht”, ka shtuar Konjufca.

Konjufca pohoi se ishte habitur kur mësoi se vetë Rexhep Selimi e kishte krijuar këtë pikturë.

“Fillova unë të spekuloj, unë ta shpjegoj pikturën, tha: ‘Glauk ky piktori jam unë’. Edhe unë u
trondita me thënë të drejtën, sepse e kam njohur Rexhën si muzikant, si poet, kam lexuar poezitë
e tij. Disa nga poezitë e tij janë bërë edhe këngë shumë të njohura popullore, të cilat i dëgjojmë
edhe sot me shumë ëndje. Kjo ishte për mua një tronditje meqenëse gjithçka që dija për artin dhe
që përafërsisht kam lexuar, mi sfidojë. Sepse konsiderohet që arti është jo në të gjitha dimensionet, por në një dimension të tij shumë specifik edhe shumë i afërt me shkencë”, ka thënë ai.

I gjithë Muzeu Kombëtar i mbushur me njerëz nga sfera të ndryshme të Kosovës, të dominuar nga politikanët, kolegët e miqtë e Selimit, mirëpritën ekspozitën “Në garë me botën gri”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 4 dhjetor. /KultPlus.com

Konjufca për “Luaneshat e Kodrës”: Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme

Mbrëmë në ambientet e Kino Armatës është shfaqur filmi i suksesshëm nga Kosova “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, shkruan KultPlus.

Për ta parë nga afër këtë film ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky i fundit reagoi në rrjete sociale, duke thënë se kinematografia e Kosovës po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

“Mbrëmë kisha kënaqësinë që së bashku me Kryeministrin z.Albin Kurti dhe Shefin e stafit z.Ilir Kërçeli të kaloj ca çaste të këndshme artistike me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.

Kinematografia jonë po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

“Luaneshat e Kodrës” ishte filmi i parë kosovar i cili u shfaq në Festivalin e Kanës. Në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors.

Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme, e cila shpresoj që nuk do t’iu mungojë”, thuhet në postimin e Konjufcës. /KultPlus.com

Fahrije Hoti pranon çmimin ‘Evropianja e Vitit’, BE-ja “të bashkuar në premtime” për Kosovën

Uranik Emini

Mbrëmë në Bibiliotekën Kombëtare të Kosovës është shënuar Dita e Evropës, me ç’rast Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës i ka ndarë edhe çmimin tradicional “Evropiania e Vitit”, Fahrije Hotit, ku fillimisht ishte bërë një thirrje që të votohet një individ apo instuticion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të fundit, andaj dhe Fahrije Hoti është votuar më së shumti për këtë emërtim, shkruan KultPlus.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, e hapi këtë mbrëmje me një fjalim shumë të veçantë kushtuar Ditën së Evropës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për BE-në.

“9 maji është dita e kremtimit të unitetit dhe fatit të përbashkët të Unionit tonë dhe partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë frymë, këtë vit duam të shprehim mirënjohjen ndaj evropianëve të shumtë që na ndihmuan ta kapërcejmë krizën e koronavirusit dhe që çdo ditë punojnë për ruajtjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë. Siç ka thënë Robert Schuman: Evropës i duhet një shpirt, një ideal, dhe vullenti politik për t’i shërbyer këtij ideali. BE-ja i ka vënë në jetë këto fjalë, duke u përballur e bashkuar me krizën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe agresionin aktual rus kundër Ukrainës”.

Szunyog e falënderoi Qeverinë e Kosovës për rrështimin e kësaj të fundit me BE-në, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe gatishmërisë së tyre për të mirëpritur e strehuar efugjatë dhe gazetarë nga Ukraina.

“Dua të theksoj se kjo ditë na përket të gjithëve. Kjo ditë u përket kosovarëve po aq sa u përket qytetarëve të BE-së dhe përfaqëson kremtimin e vlerave tona të përbashkëta, duke përfshirë unitetin, solidaritetin, paqen, demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Këto nuk janë fjalë të zbrazëta, por vlera themelore të përbashkëta për të gjithë popujt e Evropës, që i kanë sjellë kontinentit tonë prosperitet të padëgjuar më parë në historinë tonë. 

Ambasadori theksoi se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe nuk ka alternativë tjetër.

“Pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë, ndërkohë që agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet tona të përbbashkëta për avancim në rrugën evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

Ai u shpreh krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera anëtare.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë e mbylli këtë fjalim duke uruar Ditën e Evropës.

Pas tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u ftua për një fjalim rasti, ku edhe bëri thirrje të vazhdueshme që tani është momenti më i përshtatshëm që Kosova të bashkohet në familjen e madhe evropiane.

“Pikërisht sot në këtë përvjetor po ballafaqohemi poashtu me një realitet të ri i cili është shumë ndryshe prej asaj që jemi mësuar, së paku qe dy dekada ta kemi në Evropë. Që nga 24 shkurti i këtij viti kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë e tij ta pushtojë Ukrainën, jemi duke jetuar një realitet të ri shumë të rrezikshëm dhe me plotë dhimbje nga ajo se çka po shohim dhe ajo që po e përjeton populli ukrainas sot”, deklaroi Konjufca.

Konjufca bashkëndjeu me Ukrainën, duke kujtuar edhe luftën e fundit në Kosovës.

“Siç e dini, populli dhe Republika e Kosovës ende i kanë të hapura plagët, e të freskëta dhimbjet dhe të paharrueshme traumat e përjetuara nga agresioni i Serbisë, si dhe nga pushtimi që u manifestua me gjenocid, prandaj mund të them se ne për së afërmi mund të bashkëndjejmë me përjetimet nëpër të cilat po kalon në këtë kohë të vështirë populli i Ukrainës. Unë dua të ritheksoj dhe t’iu bëjë thirrje përfaqësuesve evropianë se jemi në një moment përcaktues të integrimit evropian për Republikën e Kosovës, andaj pikërisht në këtë ditë duhet të zotohemi bashkë për ta mbrojtur e për ta përshpejtuar konsolidimin e projektit të Bashkimit Evropian duke e integruar edhe Kosovën, por së bashku edhe me 6 vende të tjera të Ballkanit Perëndimor në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian”.

I pari i Kuvendit përmendi edhe pjesën e orientimit të Kosovës përkrah vendeve të BE-së sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe adresimin e institucioneve të Kosovës me veprime konkrete në këtë drejtim.

“Ju ftoj që së bashku të kontribuojmë të gjithë që qytetarët e Kosovës sa më shpejt të gëzojnë liberalizimin e vizave, për të cilën të drejtë aq shumë kemi punuar së bashku dhe jemi angazhuar për reforma sipas standarteve të nivelit evropian. Pa Kosovën, mozaiku i familjes së bashkuar të Evropës nuk mund të quhet i plotësuar, si dhe vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë të fuqishme themelet e BE-së’, përfundoi ai.

Në anën tjetër, pas dy fjalimeve erdhi edhe te momenti për të cilin ishin mbledhur të gjithë njerëzit në sallë, e që kishte të bënte me ndarjen e çmimit “Evropiania e Vitit” për Fahrije Hotin. Fillimisht u bë prezantimi i të nominuarve të tjerë dhe më pas u bë edhe dorëzimi i çmimit.

Hoti këtë çmim ia kushtoi gjithë grave të Kosovës, e sidomos ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët.

“Unë ndjehem shumë e privilegjuar sot këtë çmim. Ky çmim i dedikohet të gjitha grave të Kosovës. Të gjitha ato që humbën më të dashurit e vetë, humbën burrat, humbën fëmijët dhe janë bërë model për të tjerët. Sakrifica e grave të Krushës, bashkë me mua, ka qenë një rrugëtim i suksesit, nuk e kemi mendu dhimbjen për të kaluarën por të ardhmën e fëmijëve tanë. Faleminderit të gjithëve, ata që iu bashkuan këtij rrugëtimi, më votuan dhe më përkrahën, e unë sot jam e ndershme që jam pranë juve këtu”, përfundoi ajo duke falënderuar edhe një herë të pranishmit dhe mbështetësit.

Të izoluar në zemër të Evropës, qytetarët e Kosovës duhet të mbledhin dokumente për të cilat nuk kanë dëgjuar kurrë më parë, në mënyrë që të rrisin shpresën e tyre për të aplikuar për vizë. Përkundër faktit se shteti më i ri në Evropë mund të udhëtojë pa viza vetëm në katër shtete, më pak se çdo shtet tjetër në botë, megjithatë kjo nuk e pengon Kosovën që ta festojë vit pas viti 9 majin, Ditën e Evropës

Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave filloi në vitin 2012 kur Komisioni Evropian dorëzoi Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Kosovën. Por edhe pse vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë arritur që të marrin mbështeteje për liberalizimin e Kosovës, një premtim i tillë nuk i është plotësuar edhe Kosovës. /KultPlus.com

Krerët e shtetit me pasardhësit e familjes Jashari, Osmani: Jeta triumfoi mbi vdekjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar së fundmi me pasardhësit e familjes Jashari, shkruan KultPlus.

Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e shtetit kanë takuar edhe pasardhësit e familjes Jashari.

Në një fotografi të postuar nga Osmani shihen Rifat Jashari së bashku me Bekim Jashari dhe fëmijët e tjerë të familjes.

“Liria triumfoi mbi robërinë! Çlirimtarët triumfuan mbi pushtuesit! E mira triumfoi mbi ligësinë! Jeta triumfoi mbi vdekjen!”, ishte mbishkrimi i Osmanit në “Facebook”.

Ky vit shënon 24 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari në luftën e fundit në Kosovë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe në Prekaz: Sakrifica dhe trimëria e tyre do të mbesin dritë udhërrëfyese për breza të tërë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe ne Kompleksin Memorial ne Prekaz në kujtim të Komandantitlegjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari, përcjell KultPlus

“Homazhe në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Sakrifica dhe trimëria e tyre do të mbesin dritë udhërrëfyese për breza të tërë.” – ka shkruar Osmani në postimin e saj në Facebook.

Bashkë me Osmanin në këtë vizitë ishin të pranishëm edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca./ KultPlus.com

Glauk Konjufca: 5 marsi është akti më suprem i lirisë sonë kombëtare

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së, shkruan KultPlus.

Pas Osmanit dhe Kurtit, një fjalim për këtë datë pati edhe kryevendari Glauk Konjfuca, i cili tha se një fjalim të tillë ka filluar ta shkruante shumë herë, por asnjëherë nuk ia doli ta përfundonte siç duhet.

“Jam përpjektur gjatë këtyre viteve që të shkruaja për 5 marsin, por nuk kam mundur, jo pse nuk ja kam filluar, jo pse s’kam provuar por pse nuk ia kam dalur kurrë. Çdo herë kur filloja, kurdo që ja nisja, ngado që vazhdoja fjalëve ju ndodhte një ngërrç i pashmangshëm dhe i pashpjegueshëm. Asnjë renditje e tyre nuk më bindte që mund ta përfshinte të plotë aktin e flijimit të Jasharajve, dhe aty e kuptova që fjalët në të vërtet janë tokësore, e sakrifica e Jasharajve është e përtejme. Në tokë vlejnë ligjet fizike të vdekatarëve, e 5 marsi i takon një dimensioni tjetër. Asnjë fjalë, asnjë mendim, hiç asnjë këngë, kurrnjëfar arti apo vepre çfaredo qoftë nuk është e aftë ta prek palcën e kësaj sakrifce. Asnjë falënderim nuk mund ta shterrë flijimin të cilit duam që t’i falemi. Nuk ka përkulje që të mund të jetë aq e thellë sa ta përçojë pijetetin mëritor. Nuk ka mirënjohje aq të lartë sa t’ia jep hakun rëniës së tyre historike, kjo ndodh pasi 5 marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare.

Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilët filloi shekulli i 20-të ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja me e rëndësishme me të cilën u mbyll shekulli 20-të ishte çlirimi i Kosovës. E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit të Kosovës është padyshim që është rënia heroike e sakrifica kolesale e Jasharajve me krye komandatin legjendar Adem Jashari. Çlirimi është liri de-fakto, kurse pavarësia liri de-jure. Më 5 mars të vitit 1998 krejt kombi shqiptar varej në idealin e Jasharajve, kulla e tyre u shndërrua në liri të kombit, kurse flijimi i tyre u rikhye në frymë të çlirimit. Deri më 5 mars e kemi dëshiruar lirinë, pas 5 marsit liria na ka përshkruar neve, është bërë princip i shpirtit tonë. Deri më 5 mars kemi menduar se heronjtë janë individ, pas 5 marsit dëshmor u bë krejt populli. Deri më 5 mars çlirimi ishte përpjekje dhe mundsësi, pas 5 marsit çlirimi u bë imperativ. Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në, ajo popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që duhet të shpëtohet, por si më të çmuarën që duhet të jepet. Deri më 5 mars donim të fitojmë, por pas 5 marsit nuk mund të humbnim më. Historia më e vështirë e popullit tonë na mëson se asnjë akt nuk fillon nga asgjëja. E gjithë familja Jashari ishin të mëshiruar me lavdinë dhe guximin e Skënderbeut dhe patriotizimin e Hasan Prishtinës. Dëshmorët e martirët që dhanë jetën për lirinë, janë vlera jonë më e shenjtë kombëtare, sepse ajo është gjaku dhe shpirti i atdheut, janë krejt ajo çka jemi dhe ajo që kemi”, përfundoi fjalimin e tij. /KultPlus.com

Kryeparlamentari Konjufca: Pa e ba si n’shkollë fillore me tri mungesa, s’funksionon ky Kuvend

Kryeparlamentari Glauk Konjufca është tallur dje me mungesat e deputetëve nëpër seanca.

Meqe në Kuvend s’kishte mjaftueshëm deputetë sa për ta bërë koorumin, Konjufca është tallur, duke thënë se duhet ta bëjnë punën e mungesave të deputetëve si në shkollë fillore.

“Po m’doket pa e ba si n’shkollë fillore me tri mungesa, nuk funksionon ky Kuvend. 61 me menxi”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, tash e tutje, deputetët që mungojnë në seanca do sanksionohen edhe financiarisht. Këtë e ka mundësuar votimi i Rregullorës së re të Kuvendit, shkruan Gazeta Express.

Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion ka thënë se shuma e dënimit do të saktësohet nga Kryesia e Kuvendit.

Poashtu, Rrustemi tha se tash do formohet edhe Konferenca e Shefave të Grupeve Parlamentare, që bashkë me Kryesuesin e Kuvendit do mbajnë mbledhje të rregullta, për t’i përpiluar politikat e Kuvendit, e po ashtu edhe do t’i caktojë seancat./KultPlus.com

Krerët e shtetit – QUINT-it: Zbatoni standarde të njëjta me Kosovën si me shtetet e tjera

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian.

Aty thuhet se krerët, presidentja-kryeparlamentari-kryeministri, shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, thuhet më tej.

Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e Kosovës jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër. Prandaj, praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021”.

Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë. “Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën.

“Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”.

Osmani, Konjufca e Kurti i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

“Për më tepër, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse, duke dëshmuar kështu tendencat e tyre për destabilizim të shpejtë të rajonit tonë dhe zhbërjen e sukseseve që Kosova dhe rajoni i kanë arritur në partneritet me vendet mike demokratike”.

Mosmbajtja e referendumit serb në territorin sovran të Republikës së Kosovës, sipas krerëve të shtetit, është hap i duhur në betejën e përbashkët kundër autokracive dhe avancim i praktikave demokratike, “përkushtim të cilin Kosova e ka dhënë së fundi edhe në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./ KultPlus.com

‘Legjitimohet’ përdorimi i termit ofendues ndaj shqiptarëve në Serbi, Konjufca: Kjo është ‘fqinjësi e mirë’

Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur nga Gjykata e Apelit në Beograd si i ligjshëm përdorimi i termit ofendues për shqiptarët, me ç ‘rast ka rënë poshtë padia e ngritur nga Shaip Kamberi ndaj ministrit të brendshëm Aleksandar Vulin, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar rëndë mbi këtë situatë, duke thënë se kjo aspak nuk ka të bëjë me fqinjësi të mirë.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë. Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë”, shkroi ai.

Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me polemika, kjo pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në një vizitë zyrtare në Shqipëri rreth Open Ballkan. /KultPlus.com

Glauk Konjufca: Ju tregoj sa përqind do t'i fitojë VV në zgjedhje – 06 Press

Mes sfidave të shumta dhe procesve jetike, Kuvendi i Kosovës ka mbushur 20 vite

Kuvendi i Kosovës u themelua më 10 dhjetor si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjatë këtyre dy dekadave institucioni ligjvënës ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike.

“Duke e vënë transparencën ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë ditore të tij, Kuvendi ka konsoliduar raporte të ngushta partneriteti me shoqërinë civile dhe u ka dhënë mediave gjithë hapësirën e nevojshme, bazuar në standardet ndërkombëtare për hapje dhe transparencë”, shkruan mes tjerash Konjufca.

Kosova ka arritur që përmes këtij Kuvendi ta jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës dhe më 17 shkurt 2008 të miratojë simbolet shtetërore dhe të shpallë pavarësinë e saj. /KultPlus.com

Krerët shtetëror do bëjnë homazhe te busti i senatorit Bob Dole

Në orën 14:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me të ngarkuarin me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe vendosin kurorë lulesh dhe bëjnë homazhe te busti i senatorit Bob Dole.

Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij.

Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë të dielës.

Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.

Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës. /KultPlus.com

Pusho në paqe miku i madh Senatori Bob Dole - Bota Sot

Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e atyre që humbën jetën në aksidentin tragjik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë, përcjellë KultPlus.

Që të tre krerët shtetëror u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale. Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyeshme të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Presidentja Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërkohë që ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera. / KultPlus.com

Konjufca: Masakra e Studimes është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe tek varrezat e të rënëve nga masakra e Studimes së Vushtrrisë.

Ai ka thënë se Masakra e Studimes është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës.

“116 shqiptarë janë vrarë prej forcave të Serbisë duke mos i kursyer as fëmijët, as gratë dhe as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës. Kjo u bë duke e dëbuar shumicën prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë e duke i masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova dhe të spastrohej etnikisht”.

“Ne përveç se e kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, po ashtu edhe një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vjet për këtë gjenocid, që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, ka thënë Konjufca./klan/ KultPlus.com

Glauk Konjufca ja dorëzon detyrën e Presidentes Vjosa Osmanit

Kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca, ja ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Glauk Konjfuca ka thënë këto fjalë gjatë aktit të dorëzimit.

“Kam nderin dhe përgjegjësinë që të ja dorëzoj detyrën Vjosa Osmani Sadriut. Ajo ka pasur përfaqësim të dinjitetshëm në të gjitha pozitat që ka pasur si deputete dhe ato tjerat”, tha ai, përcjell KultPlus.

“E dyta është një person që në angazhimin e vet politik ka qenë një mbrojtëse e vlerave dhe parimeve dhe një avokate e pakompromis e kombit shqiptar. Duke qenë se pozita e presidentit  është pozita më e lartë shtetërore, e cila duhet ta përfaqësoj në tërësi popullin. Nuk kam dyshim se ëktë përgjegjësi do ta kryejë me nderin për popullin të cilin ajo përfaqëson ajo. Presidente urime detyra e re, unë si kryetar i Parlamentit pres bashkëpunim të mirë”, shtoi ai. / KultPlus.com