Galeria Qahili kaltërohet për ekspozitën kolektive “Hijet e Bardha”

Galeria Qahili po sjell ekspozitën e përvjetshme kolektive “Hijet e Bardha” që ka për tematikë ngjyrën e kaltër dhe titullohet “Blu”.

Hapja e ekspozitës do të bëhet të mërkurën e 20 dhjetorit, nga ora 19:00, në ambientet e Galerisë Qahili. Kjo hapje do të shënojë herën e shtatë që mbahet formati i tillë i ekspozitës dhe njëherazi është ekspozita e fundit për këtë vit si pjesë e programit të Galerisë.

Hijet e Bardha ndër vite ka mirëpritur artistë e ka shtjelluar tema nga më të ndryshmet. Ndërkaq, edicioni i ekspozitës për këtë vit, vjen me titullin “BLU”. Blu, një akronim për “Blue”, ngjyrën e kaltërt në anglisht, i dedikohet vetë ngjyrës duke synuar të marshojë dhe të përshkruajë një nga tre ngjyrat kryesore, që ndryshojnë të gjithë procesin e jetës, përvojën dhe vëzhgimin.

55 artistë u janë përgjigjur thirrjes së hapur për aplikim me punime të cilat domosdosshmërisht duhet të përmbanin ngjyrën e kaltërt. Secili nga këta artistë ka pasur mundësi të dërgonin deri në dy punime të reja apo ekzistuese. Këto punime të vendosura afër njëra-tjetrës do të krijojnë një mozaik të përbërë nga nuanca e paraqitje të ndryshme të së kaltërtës.

Ekspozita “Blu” do të qëndrojë e hapur deri me 20 janar 2024. Gjatë këtij muaji do të keni mundësi të shihni punimet nga artistët:

2cm humans, Abdyl Avdyli, Adriana Nimani Kutllovci, Alban Fejza, Albulen Neziri, Aleks Ucaj, Altin Ibrahimi, Arlinda Hajrullahu, Aron Dobroshi, Arsim Kajtazi, Arton Behrami, Avni Demiri, Axherka Mezelxhiu, Bardha Buza, Besa Mati, Blerta Syla Surroi, Burhan Ahmeti, Burim Myfitu, Dardan ibrahimi DAKI, Drenusha Dalipi, Elsa Paja, Emina Ganić, Emine Gërguri, Eni Derhemi, Enver Hoxhaj, Enxhi Mehmeti, Erdita Oshafi, Ermira Rexhepi, Eshref Qahili, Fitim Haziri, Kaina Mehmeti, Krenare Shala, Lebibe Topalli, Merita Myderrizi Maloku, Meryem Cavga, Mimoza Zajmi, Mjellma Goranci Firzi, Musa Prelvukaj, Nora Halimi, Osman Demiri, Panot Mahmutaj, Remzije Lloga, Teuta Ibriqaj, Tina Sulejmani, Tringa Veseli, Vahida Hasanaga Nimanbegu, Veli Blakcori, Vesa Govori, Violeta Hoxha, Visar Grajçevci, Visar Piranaj, Vjosa Bujari, Vlora Ismaili-Kosumi, Zake Prelvukaj, Zana Ramadani.

Poashtu gjatë hapjes së ekspozitës do të jipet çmimi Hijet e Bardha.

Ekspozita mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Në foton ikonike të Gerald Waller, publikuar në LIFE është 6-vjeçari austriak, Hans Werfel, “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”

Nga Albert Vataj

“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, është një foto legjendare, e cila ka udhëtuar në kohë për të na gërvishtur cipën e hollë të kujtimeve, të asaj të shkuare, që i gëzoheshim diçkaje më një forcë shpërthyese përjetimi, e tillë sa mbetet ende sot gjurmë drite në kujtesën e viteve.

Fotoja e titulluar “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë Botërore, kohë kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore  Am Himmel. Kjo shkrepje është realizuar nga fotografi dhe repotrteri Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor 1946 (faqe 22), ku shkruhej “Për shumë nga fëmijët e Evropës kishte një Santa Claus këtë Krishtlindje. Kur një kuti e madhe nga Kryqi i Kuq Amerikan mbërriti në jetimoren Am Himmel të Vjenës”. Ata festuan duke e ngritur lumturinë e tyre në qiell, siç e përcjell edhe foto. Por kishte të tjerë fëmijë për të cilët nuk kishte mbërritur ende Krishtlindja.

Pothuajse pesë vjet më vonë, më 24 shtator 1951 (faqe 180), e njëjta fotografi u rishfaq në LIFE falë një lexuesi, i cili i shkruan revistës se ky është Werfel, një jetim austriak 6-vjeçar, duke përqafuar një palë këpucë të reja dhuruar nga misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan, veprimtaria e së cilës shtrihej në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të goditura nga Lufta e Dytë Botërore. Këtë foto ikonike, grupi punk, “Bad Religion”, e përdori për kopertinën e albumit të tyre Këngët e Krishtlindjeve.

Sa herë që e shikon këtë foto, është një emocion i veçantë që të pushton, një përzierje e përmallimit, dhimbjes së kujtimeve dhe një lumturimi sipëror, tejet i dritshëm, sepse askush nuk do të lumturohet çiltërsisht dhe me një forcë qiellore sa një fëmijë. Sot kemi pak, fare pak momente të tilla fatlume, kur ky diell lumturimi të na mbështjellë me rrezatimin e vet, si një brerore shenjtërimi. Kjo jo sepse ka vdekur fëmija brenda nesh, por sepse kemi mësuar të harrojmë kohën kur i gëzoheshim këtyre çasteve. Sa e trishtueshme ishte varfëria, por sa të bukur ishin ato momente, kur jeta jonë mëkohej nga një dritë e tillë lumturimi. Edhe pse dua ende ti gëzohem këtij çasti, shpirti im e ka të pamundur ta ndez atë kandil flakëpakët, drita e të cilit të na i bashkojë skajet e kohës në një përplasje përjetimi.

© Gerald Waller, 1946, New Shoes, Austria
“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë Botërore, kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore. Foto është realizuar nga Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor 1946 (faqe 22)

Ambasada Gjermane e lëshon vizën e fundit turistike, Rohde: Moment historik

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sot dorëzoi vizën e fundit të rregullt Shengen një shtetasi kosovar.

Ai këtë e ka cilësuar si moment historik. “Duke festuar një moment historik! Sapo i dorëzova vizën e fundit të rregullt Shengen një shtetasi kosovar. Të emocionuar që kjo epokë po mbyllet më në fund, duke i dhënë rrugë liberalizimit të merituar të vizave në më pak se dy javë! Duke sjellë shtëpinë dhe diasporën shumë më afër së bashku”, ka shkruar diplomati gjerman.

Ndryshe duke filluar nga 1 janari 2024, me pasaportë të Kosovës, mund të udhëtohet pa viza për qëndrime afatshkurtra nëpër zonën Shengen. Kjo përfshin vizita turistike dhe vizita te miqtë apo familjarët./ KultPlus.com

‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe’ nga Blerina Rogova-Gaxha, promovohet më 20 dhjetor

Projekti ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ nga Blerina Rogova-Gaxha, do të promovohet më date 20 dhjetor, në ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, përcjell KultPlus.

Në këtë ngjarje krejtësisht të veçantë, do të promovohet libri, do të hapet ekspozita ‘Rojtarë të Memories’ dhe do të prezantohet ese filmike ‘Bijë lufte’. 

Libri ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ – është studim letrar-interdisiplinar që e trajton reprezentimin e luftës në letërsinë aktuale në Kosovë. Është vepra e parë e kësaj natyre, e cila dokumenton ruajtjen e memories kolektive të luftës nëpërmjet letërsisë.

Ekspozita ‘Rojtarë të Memories’ – shfaq Poezi dhe Prozë nga shkrimtarë që zgjodhën artin e fjalës për t’u bërë rojtarë të memories së luftës.

Eseja filmike ‘Bijë lufte’ – trajton qenien e traumatizuar në shoqërinë e pasluftës.

Projekti ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-99 në letërsinë shqipe në Kosovë’ është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, në thirrjen për projektet në Art dhe Trashëgimi Kulturore 2023. / KultPlus.com

Akademia e Shkencave nesër koncert festiv me sopranon Besa Llugiqi

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, organizon koncert festiv me sopranon e njohur, Besa Llugiqi.

Ky koncert do të vijë nën shoqërimin e tingujve të pianos të sjell nga: Misbah Kacamaku, Syzana Jakupi dhe Alba Mucolli – Dehiri.

Në koncert gjithashtu do të interpretojë edhe Kori i burrave nën dirigjimin e kompozitorit të njohur, Rauf Dhomi.

Koncerti do të shpalos një program të pasur me vepra nga kompozitorë të njohur botërorë, përfshirë këtu edhe R. Strauss, G. Puccini, G. Verd e të tjerë.

Koncerti vjen nesër, më datë 19 dhjetor, ora 19:00 në Sallën e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

 “Noricum Culture” përmbyll vitin me “Koncert Instrumental Kamertal”, udhëton në disa qytete të Kosovës

OJQ “Noricum Culture” po sjell aktivitetin e fundit për muajin dhjetor, “Koncert Instrumental Kamertal”, edicioni i dytë.

Kjo ngjarje sjell me vete një bukuri të rrallë muzikore që do të shfaqet në këto qytete:

-Pejë
Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli”
19.012.2023, 12:00h;

-Prizren
Shkolla e Muzikë “Lorenc Antoni”
19.12.2023, 17:00h;

-Prishtinë
Shkolla fillore e mesme e ulët “Faik Konica”
20.12.2023, 13:00h

Shoqata e njohur Noricum Culture ka përzgjedhur një program të pasur e emocionues që përfshin vepra nga kompozitorë të njohur si Bach, Bozza, Lichner, Haydn, Hisaishi, Piazzolla, Ravel, Shubert, Zadeja, si dhe interpretim të veprave të njohura si “Silent Night” dhe “What Child is This”.

Artistët e ftuar, instrumentistë profesionistë nga Kosova, do t’i japin një dimension të veçantë këtij koncerti, duke sjellë performanca të mrekullueshme dhe interpretime të ngjashme me artin e tyre të shquar. Me një pasion dhe aftësi të jashtëzakonshme, ata do të bëjnë të mundur që muzika të jetë një udhëtim emocional dhe të prekë zemrat e të pranishmëve.

Për të pasuruar edhe më tej këtë ngjarje të jashtëzakonshme, koncerti do të përmbajë një mysafir të veçantë nga Shqipëria, një instrumentiste e njohur që do të ndajë talentin dhe aftësitë e saj me audienca të reja. Ky bashkim i artistëve nga i gjithë rajoni sjell një shans unik për të shijuar një kombinim të pasur të muzikës klasike dhe moderne.

Me një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me emocion, “Koncert Instrumental Kamertal”, edicioni i dytë, sigurisht do të jetë një ngjarje e paharruar për të gjithë të pranishmit.

Shoqata Noricum Culture ju fton të bashkoheni në këtë festë të muzikës dhe artit, për të krijuar kujtime të paharrueshme dhe për të shijuar bukurinë e muzikës së shquar në këtë periudhë festive. / KultPlus.com

MKRS: “Arrëthyesi” lartëson artin e baletit kosovar

Mbrëmë është dhënë premierë shfaqja Arrëthyesi”, interpretuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës dhe Orkestra e Filhamonisë së Kosovës.  

Shfaqja “Arrëthyesi” shënoi një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për këtë vit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar lartë këtë performancë, duke vlerësuar se “Arrëthyesi” mbrëmë ka lartësuar artin e baletit kosovar.

Nën koreografinë e Ilir Kernit dhe në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë, dy akte në tri skena të kompozitorit Çajkovski, u portretizuan me profesionalizëm të jashtëzakonshëm nga balerinët. Kjo është premiera e katërt e këtij viti nga BKK, e cila i shtoi një dimension të ri skenës artistike.

Të pranishëm në shfaqje ishin zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, drejtorë e përfaqësues të institucioneve kulturore, deputetë të Kuvendit të Kosovës, figura të tjera të njohura nga politika dhe arti, si dhe artdashës të shumtë. / KultPlus.com

Promovohet libri “1001 Anekdota dhe humor t’Gjakovës”, shpërfaq shpirtin humoristik të gjakovarëve

Shkruan Blerim Valla

Në Bibliotekën e Qytetit “Ibrahim Rugova” të Gjakovës u promovua libri i autorit Gëzim Gjini me titull “1001 Anekdota dhe humor t’Gjakovës”, i shkruar në të folmen e Gjakovës, libër i cili ka 500 faqe dhe si tematikë ka popullin dhe qytetin e Gjakovës.

Përndryshe ky libër është botuar nga QKPSHA “GJAKOVA”. Për librin para të pranishmëve, kanë folur recensenti dhe redaktorja e librit.

Kështu recensenti i librit, Besim Muhadri, ndër të tjera tha: “Përmes 1001 anekdotave (apo barsoletave) të prezantuara, autori para lexuesit shpërfaq karakterin shpotitës dhe shpirtin humoristik të gjakovarëve të shprehur përmes të folmes karakteristike “alagjakovarçe” dhe të humorit të tyre të mirënjohur. Personazhet e librit janë persona të njohur të Gjakovës, moshave e profesioneve të ndryshme. Përmes këtyre anekdotave autori sjell edhe shpirtin gjakovar në gjitha dimensionet”, u shpreh Muhadri.

Kurse, Mevlyde Mezini Saraçi, redaktore e librit, vlerësoi se autori i librit, Gëzim Gjini është përkujdesur të mbledh anekdota nga shtresa të ndryshme të qytetarëve, duke i radhitur me kujdes në librin e tij, të shkruar dhe të përshtatur me dialektin lokal si vlerë e shtuar në letërsisë shqipe.

“Janë anekdota dhe humor që në thelb përmbajnë mesazh sa therrës aq edhe edukativ, nga të cilat nxjerrim mësim për të metat e dobësitë e njerëzve por edhe humorin e hollë të tyre”.

Ndërsa autori librit, Gëzim Gjini, në fjalën e tij mes tjerash tha se këtë libër nuk e ka shkruar vetëm, por edhe 188 qytetarë të Gjakovës.

“Libri ka për qëllim që të vendos në letër aftësinë, gjeturinë, pleqërinë, filozofinë, vlerat, trashëgiminë, dhe dellin e humorit të një qyteti me traditë kulturore siç është Gjakova”.

Moderatori i njohur gjakovar, Skender Gola, gjatë promovimit lexoi disa anekdota të zgjedhura nga ky libër gjë që bëri të qeshin të gjithë të pranishmit, kurse si veçanti ishte që ky promovim përkoi me ditëlindjen e autorit të librit. / KultPlus.com

Pamje mahnitëse nga bjeshkët e bukura të Deçanit (VIDEO)

Bjeshkët e Deçanit tashmë njihen për shtigje atraktive të skijimit, sidomos për skijim që të jap  adrenalinë të jashtëzakonshme.

Që këto shtigje të shijohen maksimalisht është kujdesur shoqata e sapo krijuar Kosovo Wild Freeride, duke ofruar mundësi për të gjithë të interesuarit që të arrijnë lehtë dhe shpejt në shtigjet e skijimit që ofrojnë bjeshkët e Deçanit.

Kosovo Wild Freeride është gati t’ju sjellë një përvojë të jashtëzakonshme skijimi jashtë shtigjeve

Në një video të publikuar sot nga kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, shihen edhe nga lartë bukuritë e këtyre bjeshkëve, të cilat tashmë janë gati për t’i pritur turistët e parë jo vetëm nga hapësirat shqiptare, por edhe me gjerë.

Kënaquni me këtë bukuri që natyra ia ka falur Deçanit dhe Kosovës. /KultPlus.com

Anna Oxa mbrëmë në televizionin italian: Askush nuk e di, por unë jam shqiptare dhe kam jetuar si e huaj në Itali

Episodi i ri i Domenica In me Mara Venier, mirëpriti Anna Oksën me zemër të hapur, Oxa ajo foli për veten, transformimet, marrëdhënien e saj me muzikën dhe origjinën.

Me zërin e saj të pagabueshëm, Anna Oxa renditet ndër interpretueset më të mëdha të panoramës muzikore italiane. Falë talentit të saj mahnitës, këngëtarja puliane me origjinë shqiptare krenohet me një repertor të veçantë, i cili ka fituar zemrat e miliona dëgjuesve në të gjithë gadishullin dhe më gjerë.

Këngëtarja Anna Oxa ishte protagoniste e një interviste në sallonin e Mara Venier, në Domenica In, në puntatën e 17 dhjetorit, në Rai Uno. Këngëtarja riktheu karrierën e saj të gjatë artistike mes prezantueses televizive dhe pesëmbëdhjetë pjesëmarrjeve në Festivalin e Sanremos, përcjell KultPlus.

Anna Oxa në këtë intervistë flet për origjinën e saj

Gjatë intervistës, Venier i rrëfen asaj se kur e kishte lajmëruar se do ta kishte të ftuar, shumë i thanë se do të ishte e vështirë ta intervistonte: “Jam mësuar me këtë muhabet vulgar”, thotë këngëtarja që më pas shfrytëzon rastin për të shtuar një detaj për jetën e saj që pak e dinë:

Askush nuk e di që kam lindur në një familje në Bari, babai im është shqiptar, pasi në kohën kur ishte Konventa e Gjenevës, unë nuk mund të isha italiane, isha dhe jam shqiptar dhe është një gjë e rëndësishme, sepse jeta intensive që kisha ishte ajo e një të huaji në Itali.

Në intervistën me Mara Venier, Anna Oxa foli edhe për jetën e saj të re në kontakt me natyrën, aty ku gjen veten dhe thelbin e saj të vërtetë, me të cilin rilidhet edhe përmes muzikës: Të jetosh në qytet ishte shumë e rëndë, shumë kaotike.

“Natyrën e kam gjithmonë pranë, jetesa në qytet është bërë e rëndë, të jetosh në natyrë është shumë më e pëlqyeshme për mua, natyra ka diçka të veçantë, nuk ke nevojë të thuash kush je, çfarë bën. Natyra e di, dhe ti je i lirë ta perceptosh këtë heshtje që flet”, thotë Anna.

Të jetuarit në këtë mënyrë i lejoi asaj të transferonte plotësisht emocionet e saj dhe t’i transformonte ato në diçka që i përshtatej vërtet qenies së saj. / KultPlus.com

Guri i Kamjes, një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit

Guri i Kamjes, monument natyre tërheq nga viti në vit gjithnjë e më shumë turistë, gjatë verës dhe sezonit të dimrit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga Guri i Kamjes ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj.

“Guri i Kamjes, një monument ku natyra ka skalitur gjithë talentin e saj për të qenë edhe një prej destinacioneve turistike malore më të veçanta të Pogradecit”, shprehet Rama.

Guri i Kamjes, me lartësi 1461 metra mbi nivelin e detit ndodhet në kufirin midis Malësisë së Mokrës në Pogradec dhe asaj të Gorës të rrethit të Korçës.

Shkëmbinjtë ranorë, më të qëndrueshëm ndaj gërryerjes, i kanë shpëtuar sheshimit duke u ngritur mbi zonën përreth si një ishull, në të cilin agjentët e ndryshëm atmosferikë (shiu, bora, era etj), kanë gdhendur forma të shumëllojshme mikrorelievi.

Distanca nga Pogradeci deri në Gurin e Kamjes është 12,7 km me automjet dhe 2,7 km të tjera janë shtigje shëtitjeje.

Ky shteg fillon nga qendra e qytetit të Pogradecit ku përshkohet me makinë për 30 minuta deri në kodrën afër Gurit të Kamjes, dhe pas kësaj shkojmë në shteg alpinizmi, i cili është një shteg i lehtë dhe ne rekomandojmë ta bëni këtë shteg me familjen tuaj./ atsh / KultPlus.com

Rama: Kabinat alpine në Gjinar, destinacion për turistët gjatë gjithë vitit

Në fshatin Gjinar, në Elbasan kabinat alpine që mbajnë dyert çelur përgjatë gjithë vitit janë një tjetër shembull domethënës i forcës së pasionit për tokën e të parëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga këto kabina.

“Kabinat alpine në Gjinar, janë kthyer në një nga destinacionet për turistët gjatë gjithë vitit”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Agroturizmi është kthyer në një formë e shkëlqyer biznesi për të mbajtur njerëzit në fshat dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale. Interesimi për të bërë investime të tilla ka ardhur gjithnjë në rritje në zonat rurale./atsh/KultPlus.com

Vdes në moshën 89-vjeçare regjisori Otar Iosseliani

Regjisori gjeorgjian Otar Iosseliani, i njohur për filma si “Pastorale” dhe “Favorites of the Moon”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.

Vdekja e tij u njoftua nga miku i tij, fotografi, Yuri Rost, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

I lindur në Bashkimin Sovjetik, Iosseliani e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Francë, ku fitoi një audiencë më të gjerë duke bërë filma që ishin më kritikë të hapur ndaj vendit që kishte lënë.

Ai u përqendrua te përditshmëria, por me një stil të shkëputur dhe ndonjëherë sarkastik.

“Ne jemi të pikëlluar. Otar Iosseliani, regjisori i madh i filmit, një person i mrekullueshëm dhe miku im shumë i ngushtë, ka ikur”, ka shkruar Rost në kanalin e tij Telegram.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga lajmi i vdekjes së Iosselianit, duke e përshkruar atë si një “figurë të nderuar” të artit gjeorgjian./KlanKosova/KultPlus.com

‘Arrëthyesi’ shfaqja që bëri kthesë për Baletin Kombëtar të Kosovës, shfaqje me shumë ngjyra e magji

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

“Arrëthyesi” një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, mbrëmë u dha premierë edhe në kryeqytet, e cila erdhi si bashkëpunim i Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ku me magjinë dhe profesionalizmin e treguar,  këto institucione veçse hodhën hapin e parë gjigand drejt përsosmërisë edhe në shfaqje të niveleve botërore, shkruan KultPlus.

Nata, atmosfera e ngrohtë e festave të fundvitit me borë, pemët e Vitit të Ri me drita, dhurata të festave të fundvitit, kostume tejet elegante, magji, zana, princa, princesha dhe muzikë fantastike të paraqitura në skenë, të dërgonin vërtetë në një botë ëndrrash.

Baleti “Arrëthyesi” është i bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjëve” nga E.T.A. Hoffmann, i kompozuar në vitet 1891-92 nga Çajkovski, ku tregohet historia e një vajze të re gjermane, e cila ëndërron një “Princ Arrëthyes” dhe një betejë të ashpër kundër një mbreti mi me shtatë koka.

Kjo premierë shënoi një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës, ku rëndësinë e saj e tregonte vetë prania e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të cilët me padurim prisnin fillimin e saj.

Interpretimi i tingujve të qetë, nën drita të pakta blu shënoi fillimin e aktit të parë të shfaqjes, së cilës më vonë iu bashkuan edhe balerinët në një mënyrë të mistershme sikurse në ëndrra. Mjaftoi kjo skenë për të hipnotizuar publikun brenda magjisë dhe spektaklit të cilin do ta dhuronte pakëz më vonë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe me Korin e Fëmijëve “Okarina”.

“Skena e Festës” në sfond me një pamje të një pallati madhështor, brenda së cilit familja Stahlabaum po organizonte festën  e tyre vjetore të festave të fundvitit, ishte ndër më të të bukurat, e cila shikuesin e dërgonte drejt një bote përrallore. Familje të lumtura, me zonja me fustane tejet elegante dhe zotërinj me kostume që u jepnin pamje fisnike, duke festuar mes miqsh nën shoqërimin e muzikës, në një energji të pastër, jepnin panoramën e një jete ëndrrash, e cila kompletohej kur skenës i bashkëngjiteshin edhe fëmijët.

Kulmi i festës së tyre shënoi kur në skenë u paraqit kumbari Droselmajer,  i cili ishte një krijues i aftë i lodrave, duke u dhuruar fëmijëve dhuratat e festave të fundvitit, ku Klarës ia dhuroi edhe Arrëthyesin duke e shndërruar në hit të festës. Mirëpo, për këtë dhuratë bëhet xheloz Fritzi, ku më pas edhe ia rrëmben lodrën, për t’ia thyer më pas.

Droselmajer,  ishte ai që e riparoi lodrën e saj, me të cilën pas gostisë Klara ra në gjumë me të në krahun e saj poshtë pemës, nga ku edhe rrjedh historia tjetër si përrallë me Arrëthyesin i cili lufton dhe fiton kundrejt një ushtrie minjsh, ku pas fitores ai shndërrohet në një princ të bukur.

Më pas përmes një vallëzimi që shpinte drejt një jetese mbretërore, princi e dërgon Klarën në “Tokën e Borës” në një vend magjepsës, ku bora binte mbi balerinat me fustane zanash, në harmoni të plotë me muzikën fantastike në sfond, të cilën po e dhuronin Filharmonia e Kosovës, përderisa kulmin e paraqitjes e shënoi zëri kristal i fëmijëve të Korit “Okarina”.

Skena tjetër është “Toka e Ëmbëlsirave” në të cilën Princi e shoqëron Klarën në këtë tokë, në të cilën qëndronin Zana e Kumbullës dhe ajo e Sheqerit, ku përjetoheshin festa dhe vallëzime fantastike të zanave, nga ku edhe përfundon ëndrra e Klarës, e cila e gjen veten të zgjuar poshtë pemës së Krishtlindjes me Arrëthyesin e saj të dashur. Kjo shënoi edhe fundin e këtij spektakli fantastik të pa dhuruar më parë, në historinë e Baletit dhe të Filharmonisë së Kosovës.

Shfaqja në fund u duartrokit shumë, duke dhënë mesazhin që ajo çfarë iu dhurua për brenda dy orësh shfaqjeje qe diçka e mrekullueshme, dhe si e tillë do të mbahej në mend gjatë.

Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për KultPlus, foli edhe drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili tha se ndihej i lumtur me nivelin e balerinëve dhe të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, përkundër faktit se një shfaqje e tillë ishte shumë sfiduese dhe me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha.

“Ka qenë përtej pritshmërive tona, edhe niveli i balerinëve por edhe niveli i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ky balet është sfidë për çdo teatër gjithandej nëpër botë, sigurisht ka qenë një sfidë e madhe edhe për ne, mirëpo jam shumë i lumtur që sonte kemi arritur ta kurorëzojmë në këtë formë para një audience të jashtëzakonshme, me një interesim shumë shumë të madh për shfaqjen Arrëthyesi. Po besoj që edhe duartrokitjet e publikut e treguan që me të vërtetë ky produksion i ka arritur edhe pritshmëritë edhe të atyre që kanë ardhur ta shohin”, tha Kajtazi i entuziazmuar me produktin final të institucionit të cilin ai e drejtonte.

Drejtori Kajtazi më tej tha se rruga për të sjellë shfaqjen deri në premierë, ishte e gjatë me vështirësi e sfida të shumta duke filluar nga mungesa e një salle adekuate.

“Procesi deri te nata finale është përcjell me sfida të shumta. Tashmë  dihet problemi ynë i madh, e i vazhdueshëm me infrastrukturën, jemi munduar të adaptohemi në këtë sallë këtu e cila sigurisht nuk i ka kushtet e teatrit, pra në aspektin e skenografisë kemi qenë të cunguar, sepse nuk kemi pasur mundësi që të vendosim skenografi, kështu na është dashur të përdorim alternativa të tjera. Sfidë po ashtu ka qenë edhe pjesa e kostumeve e cila ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i shfaqjes. Mund të them që ka qenë pjesa më e vështirë e realizuar, sepse ka pasur shumë kostume, pastaj lloji i kostumit që shfaqja kërkon po ashtu ishte shumë sfiduese si për rrobaqepësit ashtu edhe për kostumografen”, tha gjithashtu Kajtazi duke e potencuar edhe punën vetëmohuese të balerinëve, koreografit, asistentes, kostumografes, skenografes për të arritur nivelin e sapo prezantuar para publikut.

Kurse koreografi Ilir Kerni, vendosjen e Arrëthyesit në Baletin Kombëtar të Kosovës e ka quajtur moment historik për kulturën e vendit, e cila njëkohësisht e vendos edhe Prishtinën në nivel me kryeqytetet tjera ku tashmë kjo shfaqje jepet tradicionalisht, në muajin dhjetor me rastin e festave.

“Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gurëthemel në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi. Kjo është hera e parë dhe me të vërtetë ndihem fatlum dhe i lumtur. Nuk mendoj të mbetem në histori, por mendoj që të mbetem si një kujtim i mirë i të gjithë njerëzve që  kam punuar këtu. Historinë ia lëmë të tjerëve, unë jam për të bërë punën time në mënyrën më korrekte më të devotshme dhe më modeste të mundshme”, ka thënë Kerni.

Ai më tutje tha se ndihej jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e balerinëve, duke uruar që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë me po të njëjtin pasion dhe punë, sepse sipas tij është është e vetmja gjë e cila të pajis me autoritet artistik

“Ky është një hap i parë gjigand mendoj unë, dhe pas kësaj çfarë? Sot, shtrohet kjo pyetje pas kësaj çfarë?, në ç’rrugë do të eci Baleti i Kosovës. Shpresoj shumë që ky të jetë një start për më lart, për më tej. Sigurisht që gjithmonë mundet për më shumë, problemi është që të mos ecim mbrapsht”, përfundoi koreografi Kerni.

Ndërsa solistja Jeta Musolli, balerinë e cila e luante rolin e Klarës tha që ndihej e privilegjuar për rolin që i ishte besuar, dhe po ashtu e kënaqur me mbarëvajtjen në tërësi të shfaqjes.

“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku është ndarë i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”, ka deklaruar Musolli duke thënë që për mungesën e shfaqjeve të tilla klasike botërore para publikut, shkak është mungesa e sallës adekuate të përmasave aq sa kërkohen.

“Sa kemi qenë në TKK, kemi pasur një sallë pak më të vogël dhe skena nuk ka qenë e mjaftueshme për ne sepse i ka pasur dimensionet më të vogla. Këtu e bëmë skenën edhe sallën përafërsisht në dimensione të njëjta në mënyrë që të mos kishim probleme, dhe kjo ka ndihmuar shumë, sepse Arrëthyesi është një shfaqje botërore që kërkon shumë njerëz, dhe fatkeqësisht trupa jonë ka një numër të vogël, por që ja arritën ta realizojmë”, tha më tutje  Balerina Musolli.

Ndërsa për dirigjentin Boian Videnoff shfaqja “Arrëthyesi” ishte një premierë e mrekullueshme.

“Është një premierë e mrekullueshme. Është mirë që pas kaq shumë vitesh e keni këtë produksion të baletit për herë të parë. Mendoj se ishte i veçantë për të gjithë. Është një kryevepër. Mendoj se ishte kënaqësi për të gjithë të shohin këtë produksion të plotë të bërë nga valltarët e mrekullueshëm, ishin edhe fëmijët. Kur erdha dje e pashë gjithë këtë hapësirë të mbushur me ta që dukeshin shumë të emocionuar”, tha dirigjenti Videnoff.

Shfaqjen e kishin shijuar shumë edhe balerinët mysafirë që kishin ardhur nga Bullgaria, për të qenë pjesë e shfaqjes “Arrëthyesi”, Marta Petkova dhe Nikola Hadjitanev

“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”, tha balerina Petkova , e cila pati rolin e princeshës Sheqerkë.

Ndërsa balerini Nikola Hadjitanev i cili luajti rolin e princit, tha që trupa e Baletit të Kosovës ka një potencial shumë të madh edhe përkundër mungesës së kushteve.

“Roli im është ai i princit që rritet dhe Klara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi. Ne e kemi luajtur shpesh këtë pjesë, normalisht koreografia ka qenë pak më ndryshe, ndërsa sot e kemi sjellë saktësisht si version origjinal. Është hera e parë në Prishtinë. Mendoj se trupa ka shumë potencial, drejtori Sinani më tha se kjo është një ngjarje e madhe për ta, si diçka që e bëjnë për herë të parë, në këtë sallë që nuk është e duhura për një shfaqje të tillë, por janë munduar të bëjnë më të mirën sa i përket kësaj pjese”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha që gërshetimi i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës paraqesin një moment historik për të realizuar veprën “Arrëthyesi”.

“Shënon një moment pothuajse historik në gërshetimin e dy institucioneve dhe realizimin një vepre madhore aspak të lehtë siç është “Arrëthyesi” i kompozicionit Çajkovski, një balet që realizohet në mbarë botën dhe që vjen për herë të parë para publikut tonë. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme për Filharmoninë e Kosovës, një vepër me kërkesa të mëdha teknike, artistike dhe me kohëzgjatje” tha drejtori Jashari duke potencuar që premiera e mbrëmshme do të mbahet në mend, i cili edhe konsiderohet si gurthemel i bashkëpunimit të dy institucioneve, ngjashëm siç ndodh kudo në botë ku teatro të operës dhe baletit që realizojnë shfaqje, ku në të dyja rastet orkestra është ajo që i shoqëron.

Kurse Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e Korit të Fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur të jetë shumë emocionuese, për faktin se fëmijët e korit “Okarina” do ta mbajnë në mend gjithë jetën se kanë qenë pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për baletin e Kosovës.

“Kori i Fëmijëve “Okarina” tashmë po merr pjesë pothuajse në të gjitha projektet më me rëndësi në vend, por pjesëmarrja në shfaqjen “Arrëthyesi” ka një rëndësi të madhe edhe për mua si udhëheqëse e korit, por edhe për fëmijët e korit, pasi që patën fatin të jenë pjesë e këtij projekti që ka gërshetuar kaq shumë institucione në një skenë”, ka thënë Hysaj Shala.

Edhe motrat Anna e Ninna Krasniqi, pjesë e korit të fëmijëve “Okarina”  janë shprehur tejet të emocionuara për pjesëmarrjen e tyre në këtë shfaqje, të cilat shfaqjen “Arrëthyesi” e shpjeguan si shfaqjen me më shumë drita, ngjyra e kostume kaq të bukura.

Si solistë në shfaqje ishin: Princesha Sheqerkë- Marta Petkova & Mërgime Morina, Princi- Nikola Hadjitanev & Fatmir Sinani, Clara-Jeta Musolli, Drosselmeyer-Julind Dervishi & Fisnik Smani, Fritz-Muhamet Bikliqi, Arrëthyesi- Sead Buniqi & Isa Beg Gjocaj, Vallëzimi Arab- Leonora Rexhepi,  Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj dhe Erza Limani, Kinezi- Muhamet Bikliqi, Vallëzimi Ukrainas-Sead Vuniqi, Kreshnik Musolli, Isa Beg Gjocaj, DonmirBilalli, Ilir Krasniqi, Mbreti i Minjëve-Ilir Krasniqi.

Përderisa pjesë e trupës së baletit janë: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Gashi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha,Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Nora Gashi Piraj, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj dhe Rigon Krasniqi.

Fëmijët të cilët morën pjesë në shfaqje ishin: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni dhe Ana Isufi.

Pjesë e stafit bazë me të cilin u realizua shfaqja ishin: Muzika: Pyotr Ilyich Tchaikovsky, Kostumografia:Elva Bella, Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu, Skenografia: Vesa Kraja, Asistent i koreografit:Rovena Shqevi, Fotograf Arben Llapashtica

Edhe sonte po vazhdon të jepet repriza e parë  e shfaqjes “Arrëthyesi”, në sallën AMC./KultPlus.com

‘Jam i varfër, po i lirë, ndaj më pëlqen varfëria’

Shkruan: Andon Zako Çajupi

Varfëria dhe Liria

Jam i varfër, po i lire,
ndaj më pëlqen varfëria;
kush do të rrojë më mirë,
s’urdhëron dot veten e tia.
Mbreti, sikur të më thotë:
«Hajde në pallat me mua,
të gëzosh dhe ti në botë^,
do t’i them: «Zot, nukë dua;
për të ngrën’ e për të pirë
nukë mund të shes lirinë;
i varferi rron më mirë
s’ai që do madhërinë.
S’më duhet ergjëndi mua,
dua lirine dhe ndere,
dua te bej si te dua,
jo si te duan te tjere.
Kush mund e ben si do vete,
ben si thote Perendia,
nuke ka ne kete jete
gje m’e vyer se liria. /KultPlus.com

Rama: Kolonja magjike, e zhvilluar prej potencialit njerëzor, ju mirëpret për festat e fundvitit

Me pasuri të shumta natyrore, mikpritjes së banorëve të zonës, Kolonja po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nëpërmjet zhvillimit të turizmit, jo vetëm në verë, por edhe gjatë stinës së dimrit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga Kolonja e mbuluar nga dëbora, një tjetër destinacion për turistët edhe gjatë sezonit të dimrit.

Rama thekson se Kolonja magjike, e bekuar nga natyra dhe e zhvilluar prej potencialit njerëzor, ju mirëpret për këto festa fundviti.

Rrugës për në Kolonjë, që në majën e Qarrit shfaqet përpara pllaja e bukur e kësaj zone.

Natyra e bukur, ushqimet tradicionale, bujtinat karakteristike dhe turizmi malor kanë bërë për vete shumë turistë të huaj.

Ndikim në zhvillimin e agriturizmit në Kolonjë ka dhënë edhe investimet në infrastrukturë, ku nga Korça sot mund të shkosh drejt Ersekës, kryeqendra e Kolonjës, vetëm për 30 minuta.

Malet e Kolonjës si ai i Gramozit mbi 2500 metra mbi nivelin e detit, mali i Shelegurit, Postenani apo Radomi janë destinacione të mrekullueshme për turistët e aventurës./atsh/KultPlus.com

“Për mue o zemra asht’ pa dritë, pa ty nuk mund të jetoj ma” (VIDEO)

Muharrem Qena është një nga artistët e njohur shqiptar. Ai lindi në Mitrovicë, në vitin 1930. Me talentin dhe punën e tij të madhe arriti të bëhet njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqipe, shkruan KultPlus.

Krijimtaria e Qenës është mjaft e dendur, ai shkroi këngë, kompozoi, aktroi dhe ishte regjisor i shquar i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Me shumë çmime të fituara gjatë karrierës së tij, Qena radhitet ndër krijuesit e mirënjohur kosovarë. Edhe në këngë ishte shumë produktiv.

Ai krijoi dhe këndoi një sërë këngësh argëtuese nën frymën bashkëkohore, të cilat frymëzuan shumë breza pasardhës.

Disa nga këngët e tij shumë të dëgjuara janë: “A thua”, “Mallëngjimi”, “Oj hanë”, “Kaçurrelja”, “Lamtumirë” e të tjera.

KultPlus jua sjellë këngën “Pa ty”, që është njëra nga më të famshmet e Qenës, këngë e cila u rikëndua edhe nga artistët e rinj, dhe mbetet gjithmonë këngë e dashur për publikun. / KultPlus.com

Ekspozita e artistit Bujar Luca ‘Të prekësh të padukshmen – RETROSPEKTIVË’

 Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri zhvilloi eventin përmbyllës “FINISSAGE” të ekspozitës “Të prekësh të padukshmen – RETROSPEKTIVË”, me praninë e artistit Bujar Luca.

Pasqyrimi i rrugëtimit retrospektiv të artit të Lucës në botimin e realizuar nga Qendra për Hapje dhe Dialog ishte pjesë e këtij takimi.

Piktori, grafisti dhe poeti shqiptar Bujar Luca pas 33 vitesh jetesë në Francë erdhi për herë të dytë në Shqipëri dhe të parën në COD me krijimtarinë e tij artistike.

Kjo ekspozitë përmban gjithë jetën krijuese të piktorit, përfshirë dhe vepra të refuzuara përgjatë komunizmit.

Në këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri në fund të këtij viti dhe që sjell për herë të parë edhe veprat e panjohura, janë të shfaqura 71 punime, vepra në vaj, vizatime me bojë kine dhe lapsa e vepra në akrilik.

“Të prekësh të padukshmen- Retrospektivë” dhe kujton kohët e vështira si student, kur për mungesë, letre kishte vizatuar në anën e pasme të letrës me figurën e Stalinit./atsh/KultPlus.com

‘Zare trëndafile’, nga e mrekullueshmja Tefta Tashko-Koço (VIDEO)

Tefta Tashko-Koço, artistja që më zërin e saj të veçantë dhe tejet emocionues bëri për vete zemrat e publikut shqiptarë, njihet si një këngëtare e shquar lirike në interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare, shkruan KultPlus.

Interpretimet e saj janë vlerësuar gjithmonë dhe ende gjeneratat e kaluara e kujtojnë me mall dhe nostalgji kohën kur ajo interpretonte dhe vazhdojnë t’i dëgjojnë këngët e saj me shumë dashuri.

Tefta Tashko-Koço ishte sopranoja, që për herë të parë në repertorin e koncerteve të saj, krahas arieve të klasikëve botërore, futi dhe kënge popullore qytetare shqiptare. Janë të paktën 89 këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që ajo i këndoi. Madje 36 prej tyre i regjistroi në pllaka gramafoni në Itali dhe Francë.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me vdekjen e Thanas Tashkos më 1915, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit. Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të polifonisë himariote Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare. Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj. Sipas Hysen Files: Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të. Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shuar popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.

Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkëngjisnim edhe këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja). Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit. Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare. / KultPlus.com

Rama për kauzën e “Vrapo Babadimër”: Të gjithë bashkë mund të bëjmë gjëra të mëdha

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me rastin e mbajtjes së ngjarjes “Vrapo Babadimër”, është shprehur që së bashku mund të arrihen gjëra të mëdha.

Sipas tij kjo u dëshmua me pjesëmarrjen e mbi 3 mijë e 500 qytetarëve.

Rama tha se rrugët e kryeqytetit u mbushën për një kauzë të madhe, atë të trajtimit të fëmijëve në Klinikën e Hematologjisë Pedritatike në QKUK.

“Sot mbushëm rrugët e kryeqytetit për kauzë të madhe, atë të ndihmës për fëmijë, të cilët po trajtohen në Klinikën e Hematologjisë Pediatrike në QKUK, e që ne përmes fondit të mbledhur nga të gjithë ne, janë siguruar shtretër për nënat që kujdesen për këta fëmijë në spital dhe po ashtu kemi siguruar pako ushqimore për 250 familje në nevojë”, kështu ka bërë të ditur i pari i kryeqytetit në një postim në Facebook.

Përndryshe ai iu falënderua edhe Jusuf Islamit, organizatorit të ngjarjes.

“Falënderim i madh për Jusuf Islamin, organizatorin e gjithë ngjarjes, i cili na bënë bashkë çdo vit për kauza të fisme e shumë të rëndësishme”, shkroi Rama.

Kur Mekuli i shkruante gruas: Ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës

Poezi nga Esad Mekuli

Perdja e robnisë

Ti nuk je krijesë e përbuzun, e mbrapsht.
Jo, as rob, as djall nuk je!
Ti nuk je mallkim për njerëzimin.

Je pjesë e pandashme pa të cilën nuk mund të mendohet jeta e njeriut – pa të cilën ajo nuk mundet me qenë…
Femën, ti hymn i përjetshëm i përtërimjes, i gëzimit njerëzor, i vet jetës!

Ti bashkëluftare në rrugët për qëllimet e nalta njerëzore,
për mbërrijtjen e lumnisë së të gjithë njerëzve,
mbarë njerëzimit!

Esad Mekuli
Prishtinë
1949
 / KultPlus.com

Paralajmërohen temperatura rekorde të të ftohtit në disa pjesë të Kinës

Temperaturat në disa pjesë të Kinës, përfshirë provincat Shanksi, Hebei dhe Liaoning, kanë rënë në nivelet më të ulëta ndonjëherë, ka raportuar transmetuesi shtetëror të dielën.

Qytetin Jiçun mund të regjistrojë temperaturë edhe më të ulët sesa -49.9 gradë Celsius, e cila është regjistruar vetëm në janar të vitit 1980, kanë thënë meteorologët.

Ministria e Bujqësisë e ka vënë në zbatim përgjigjen emergjente, dhe ka kërkuar nga autoritetet të kenë në gatishmëri pajisjet për heqje të borës dhe akullit.

“Rezervat e thëngjillit duhet të sigurohen paraprakisht, për të garantuar që termocentralet do të jenë funksionale në periudha kritike”, kanë thënë autoritetet.

Të premten, presidenti kinez, Xi Jinping, ka bërë thirrje për përgjigje emergjente nga të gjithë për motin e ftohtë.

Rrugët me akull dhe mjegullat e mëdha kanë rezultuar me shumë aksidente të trafik./REL/ KultPlus.com

Amerika që dëboi Chaplinin

Në Shtetet e Bashkuara, skandalet seksuale janë përdorur shpesh për sulme politike që kanë çuar në shkatërrimin e kandidatëve si Gary Hart dhe kërkesa për shkarkimin e presidentëve të tillë si Bill Clinton. Libri Charlie Chaplin vs. Amerika, (nëntitulli është Kur Arti, Seksi dhe Politika u përplasën) e kthen këtë këndvështrim përmbys, duke teorizuar se ishte politika ajo që u përdor si pretekst për të ndëshkuar disa skandale seksuale.

Dihet mirë se Charlot kishte lidhje me të mitura dhe nuk mund të harrohet që dramaturgu Eugene O’Neill i dha fund marrëdhënieve me vajzën e tij Oona kur ajo, në moshën tetëmbëdhjetë vjeç, u martua me Chaplinin, i cili kishte mbyllur martesa me dy gra shumë të reja. Ka të ngjarë që vetë Chaplini të ketë qenë shënjestër e goditjes që vrau regjisorin William Ince në jahtin e William Randolph Hearst: siç shkruan Peter Bogdanovich në Hollywood Confidential, Chaplin ishte i dashuri i të dashurës së manjatit.

Krahasuar me këto ngjarje, libri bën një hap përpara, duke argumentuar se arsyeja pse leja e tij për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara u revokua pas premierës në Londër të “Limelight”, kishte të bënte shumë pak me idetë politike. Ostracizmi me sa duket ishte i motivuar nga një numër i pafund informacionesh në lidhje me sjelljen e tij seksuale, e cila megjithatë nuk arriti të shndërrohej kurrë në provë krimi, duke përkeqësuar indinjatën e botës puritane.

Guri themelor ishte gjyqi që Chaplini humbi me Joan Barry, një aspirante për t’u bërë aktore me të cilën pati një djalë: që nga ai moment, duke përfituar nga era e Makartizmit, iu atribua Chaplinit një ideologji që për të në fakt ishte shumë e largët, dhe për më shumë se njëzet vjet ai nuk mundi të kthehet në Shtetet e Bashkuara. Ai u ripranua vetëm kur tregoi se nuk ishte më një “kërcënim për kombin”. Por më pas, kur iu dha Oscari për Arritje Jetë, ai u duartrokit me ovacionet më të gjata në historinë e Akademisë. / KultPlus.com

Fjalimi historik i Esad Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë.

Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.”/ KultPlus.com