Filharmonia vjen me koncertin e radhës nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se koncertin e radhës do ta mbajë nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi me solistët mysafirë, violinistin Djafer Djaferi (Xhafer Xhaferi) dhe pianistin argjentinas José Gallardo.

Në këtë koncert, orkestra do të luajë “Valle Antike” nga Vasil Sofokli Tole, “Koncert për violinë, piano dhe harqe në d-mol” nga Felix Mendelssohn dhe “Simple Simphony” nga Benjamin Britten.

Koncerti mbahet më 4 tetor 2024, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit

Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës ka shënuar 24 vjetorin e themelimit, nën interpretimin e mrekullueshëm të veprave të Lorenc Antonit dhe Gustav Mahlerit, në drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Orkestra Simfonike në hapje të këtij koncerti madhështorë interpretoi veprat ‘Valle shqiptare Nr. 1,’ ‘Në Prizrenin e Vjetër,’ dhe ‘Malësorja’ të Lorenc Antonit, për të vazhduar me premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, meqë rast është shprehur se për dallim nga koha e themelimit me 13 anëtarë, tani ky institucion ka një orekstër të plotë me mbi 100 pjesëtarë.

“Filharmonia e Kosovës para 24 vitesh kishte vetëm 13 anëtarë, tani ka mbi 100 dhe orkestër të plotë. Duke ruajtur standarde të larta artistike dhe prezantuar kryevepra të muzikës klasike dhe moderne, ky institucion ka ndihmuar në forcimin e identitetit kulturor të Kosovës dhe ka pasuruar jetën artistike të shoqërisë sonë.

Urime dhe faleminderit!”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Sonte Filharmonia përmbyll sezonin me ‘Koncert për Paqe’

Për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filharmonia e Kosovës prezanton koncertin “Koncert për Paqe” me të cilin  përmbyllet sezona 2023/2024.

Koncerti do të sjellë te publikut vepra të fuqishme nga literatura muzikore, të interpretuara nga mbi 200 muzikantë: Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës (Dir. Hajrullah Syla) dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” – Pejë (Dir. Hysen Nimani). Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).

Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane,  Komuna e Prishtinës dhe RTK.

Mbrëmja fillon në ora 20:30, më 6 korrik, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Hyrja është falas, ndërkaq rezervimi është i domosdoshëm https://bit.ly/3zruKVb. / KultPlus.com

Koncerti unik hibrid i Filharmonsë elektrizon publikun në 25- vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert krejtësisisht ndryshe nga ata që zakonisht i sjell Filharmonia, u dhurua të marten mbrëma nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, përmes Orkestrës së Filharmonisë, dj. Derrick May dhe pianistit Francesco Tristano, nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje magjike e cila kishte mbledhur një publik masiv në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, qe një projekt unik hibrid, që jashtëzakonisht bukur arriti të bashkoj muzikën elektronike me atë klasike, si diçka të paparë deri tash nga audienca vendore.

Radhitja e Orkestrës së Filharmonisë së bashku me interpretuesit tjerë të mbrëmjes në errësirë, shoqëruar me drita të shumëta të cilat vinin në pah performuesit, i dhanë sallës jo adekuate më shumë shije. Ndërsa tingujt e parë të emetuar në këtë ambient të veçantë morën zemrën e publikut deri në fund të koncertit duke i dhuruar një përvojë unike, një një përvjetor jubilar, si ky i 25-vjetorit të çlirimit.

Mënyra e drejtimit të dirigjentit Dzijan Emin, i cili vallëzonte krahas publikut, interpretimi në këmbë i pianistit të shquar, Francesco Tristano dhe muzika e jashtëzakonshme e ikonës së muzikës tekno dj. Derrick May, të cilat bashkohesheshin me tingujt e Orkestrës së Filharmonisë, të interpretuar në një mënyrë më të lirshme se sa në seriozitetin e koncerteve e zakonshme nga instrumentistët, publikut i dhuruan mbrëmje të paharrueshme.

Tingujt e dhuruar në sallë nga harkorët, të gërshetuar aq bukur me tinguj të muzikës elektronike, përthitheshin krejt natyrshëm me audiencën, një pjesë e së cilës qëndronte në këmbë duke vallëzuar, përderisa një pjesë e tyre qëndronin ulur në skajin e majtë dhe të djathtë të sallës, duke e shikuar performancën mahnitëse nga lartë. Ovacionet e tyre përgjatë dhe në fund të mbrëmjes ishin treguesit dhe vlerësuesit më të mirë të performancës.

Krejt në fund të koncertit, në një prononcim për KultPlus, dirigjenti i mbrëmjes Dzijan Emin tha se pati përshtypje shumë të mira për koncertin me Filharmoninë e Kosovës, me të cilët ka pasur përvojë interpretimi edhe në të kaluarën.

“Kam përshtypje me të vërtetetë të jashtëzakonshme për këtë interpretim. Unë kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës edhe 15 vite ma parë. Shumicën e muzikantëve i njoh dhe kjo të jep një ndjesi sikur kur luan me shokët e tu. Prandaj realizimi i këtij koncerti ka qenë diçka shumë, shumë më e lehtë, sepse ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë” ka thënë dirigjenti Emin duke potencuar se ndihet i impresionuar për përparimin e Filharmonisë përgjatë këtyre 15 viteve.

“Ky projekt është pak i komplikuar, sepse teksturat ritmike dhe elementet tjera brenda janë pak të komplikuara për t’i bashkuar të gjitha së bashku pa ritmet elektronike. Ne filluam duke e njohur muzikën mirë dhe më pas vendosëm muzikën elektronike. Ne punuam për një javë çdo ditë. Ishte vërtet punë e vështirë. Por unë jam vërtet i impresionuar për përparimin e Orkestrës së Filharmonisë të bërë në 10-15 vitet e fundit. Unë kam luajtur këtë program me shumë orkestra në mbarë botën, dhe duhet të them që kjo është me të vërtetë një nga shfaqjet e mia më të preferuara deri më tani. Orkestra ishte vërtet e mrekullueshme dhe gjithashtu edhe energjia e publikut, kështuqë jam shumë falënderues për këtë mbrëmje” ka thënë dirigjenti Emin.

Ndërsa, Dj. Derrick May në një prononcim për media ka vlerësuar aspektin muzikor të vendit, i cili sipas tij flet shumë edhe për të ardhmen.

“Në aspektin kulturor të jem i ftuar në Kosovë ishte shumë e rëndësishme për komunitetin këtu dhe po ashtu edhe për mua. Është e rëndësishme pasi Kosova ka arritur muzikalisht. Është e hapur për shumë ide dhe për atë që po ndodh. Kjo tregon për të ardhmen e këtij vendi. Të shoshësh entuziazmin këtu është gjë tejet e bukur” ka thënë dj. May duke treguar diçka edhe për stilin e tij krejt të veçantë interpretues.

“Çfarë bëj unë është stil i lirë. Nuk mbaj para vetes ndonjë partiturë. Unë vendosi çfarë të luaj në skenë. Është çmenduri apo jo? Gjenerata ime e DJ-ve dallon shumë nga pasardhëset. Kemi punuar shumë për t’i bërë njerëzit për vete për të sjellë risi. Tash DJ-të punojnë vetëm për të mbajtur njerëzit përreth tyre”, ka thënë ai.

Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, tha se sjellja e një projekti të tillë hibrid përveç muzikës së veçantë është një mundësi shumë e mirë që një publik i përmasave të tilla të bëhej më kurioz edhe koncertet e muzikës klasike.

“Filharmonia e ka audiencën e vet. Ne jemi shumë të kënaqur me audiencën tonë, pasi janë shumë mbështetës, i përcjellin të gjitha koncertet në ato mundësi dhe kushte që kemi, me ato kapacitete që janë. Por megjithatë në përvjetorin e Çlirimit të Kosovës, në këtë jubile të rëndësishëm e kishim menduar bashkë me instrumentistët që ndoshta do të ishte mirë që ta sillnim një projekt që do t’i ofroj njerëzit më shumë me orkestrën, njerëz që ndoshta hezitojnë të ndjekin aktivitetin e muzikës klasike por që një projekt si ky hibrid do t’i bënte ata më kureshtar edhe për projektet në të ardhmen, por në të njëjtën kohë për ta krijuar një ngjarje e cila është përjetim i veçantë për instrumentistët, për orkestrën dhe për të gjithë së bashku”, ka thënë drejtori Selimaj.

Drejtori Selimaj ka thënë se një koncert i tillë ishte menduar të sillej në vitin 2020.

“Para 10 vitesh unë e kam parë muzikën e Derrick May me projektet e tij që realizohen me orkestrën simfonike. Në atë kohë e kam parë duke performuar në disa vende të botës, në Detroid, Londër, Paris,  etj dhe gjithmonë e kam menduar si mundësi për ta sjellë edhe në Prishtinë. Tentativa e parë ka qenë në vitin 2020, meqë ishim në kohë pandemie ky projekt nuk është sjellë në skenë nga ajo kohë deri tash. Ky është rikthim i këtij projekti dhe më vjen mirë që kjo ka ndodhur në Prishtinë” është shprehur më tej Selimaj duke e falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e këtij koncerti, i cili u dhurua pa paguesë për audiencën në këtë përvjetor jubilar.

Ndërsa për vetë violinistin Visar Kuqi mbrëmja e cila i kishte sfiduar me një interpretim të parealizuar deri tash, kishte qenë diçka e jashtëzakonshme me një super audiencë.

“Nata e sotme është një prej atyre rasteve ku muzika pa publikun nuk ka kuptim, e sidomos në këtë projekt që ishim para një audence të tillë, ku gjithçka mori tjetër kuptim për ne që bashkë e shijuam shumë këtë lojë dhe këtë muzikë sepse ishte e punuar mjeshtërisht prej Derrick May dhe Dzijan Emin që është dirigjent i cili ka shkrur extra pjesë për këtë performancë, për t’i ka aranzhuar më pas për orkestër”ka thënë violinisti Kuqi.

Ai më tej ka zbuluar diçka edhe nga provat dhe bashkëpunimi me artistët e mbrëmjes.

“Me thënë të drejtën gjatë provave nuk ka qenë edhe shumë e lehtë, sepse ka qenë krejt ndryshe prej asaj çka bëjmë ne zakonisht. Ka pasur momente që kemi qenë të stresuar se si ka për të dalë koncerti ose a ka për të dal mirë, por në fund gjithçka doli shumë mirë dhe jemi shumë shumë të kënaqur me këtë performancë”, ka përfunduar violinisti Kuqi.

Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 19 qershor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në orën 20:00./ KultPlus.com

Filharmonia organizon koncert të jashtëzakonshëm për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Me rastin e 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert të jashtëzakonshëm të gërshetuar mes muzikës elektronike dhe asaj klasike me Orkestrën e Filharmonisë, ikonën e muzikës tekno Derrick May, pianistin Francesco Tristano nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një shkrimi në facebook.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të ngjitet në skenë së bashku me ikonën e muzikës tekno Derrick May dhe pianistin e jashtëzakonshëm Francesco Tristano 🇱🇺nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin. Ky projekt unik hibrid bashkon muzikën elektronike dhe atë klasike, për një festë të paharruar!” thuhet në shkrimin MKRS.

Koncerti mbahet më 11 qershor 2024, në Sallën e Madhe e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në ora 19:00./ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë shënon 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, prezantohet edhe vepra premierë e Hajrullah Sylës ‘Like the Touch of Rain’

Vjollca Duraku
Foto: Enes Sahiti

Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.

Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.

Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.

Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.

Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit  Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që  mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.

Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.

Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.

“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.

Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.

“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera

“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.

Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të  gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.

Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.

“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.

“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.

Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.

Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.

“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com

Filharmonia sjell koncert të rrallë artistik përmes solistit Meriton Ferizi, reagimi i publikut i hap dyert programeve të instrumentit të ‘Fagotit’

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Një koncert i rrallë i cili në qendër pati instrumentin e “Fagotit” u dhurua të shtunën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë, nga solisti Meriton Ferizi dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken, shkruan KultPlus.

Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00, në sallën tashmë të improvizuar për mbajtjen e koncerteve të Filhamonisë, me një numë të madh të të pranishmëve, të cilët e shijuan pafund koncertin me program të instrumentit të “Fagotit” që në historinë e Filhamonisë u soll vetëm për të dytën herë.

Me Koncert për fagot Nr.2 në F-dur, P.237, nga Fanz Danzi me  “Allegro”, “Andante”, “Polacca: Allegretto” u paraqit për herë të parë si solist në skenë fagotisti Meriton Ferizi, të cilin interpretim e pritën shumë mirë audienca, të cilën gjë e tregoi edhe  reagimi i publikut duke e detyruar të ri-luaj përsëri edhe një pjesë të programit.

Tingujt e ndjerë, të butë, klasikë e të fuqishëm që u interpretuan në sallë nga ky instrument i cili rrallë paraqitet në program të Filhamoinsë, si dhe përshtatja  që “Fagoti” pati me veshin e dëgjuesve në sallë, si duket i shtroi rrugën edhe për koncerte të tjera të tilla në të ardhmen.

Në pjesën e dytë të koncertit u luajt Simfonia Nr.8 në G-dur, Op. 88, B. 163 e Antonin Dvorak, me “Allegro con brio”, “Adagio”, “Allegretto grazioso- Molta vivace”, “Allegro ma non troppo” nga Orkestra e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Chris McCraken.

Në këtë pjesë u emetuan tinguj me frekuencë më të lartë. Interpretimi bëhej më serioz, pasi ndodhte një ulje rapide e tingujve, qetësia e të cilëve jepte kuptim në zbërthimin e përmbajtjes së veprës. Sigurisht ishte përvoja e dirigjentit dhe përputhja në plotni me anëtarët e Orkestës Filharmonike ajo që e mundësoi një program të tillë.

Pas pjesës artistike, në një prononcim për KultPlus solisti Meriton Ferizi ka thënë se përvoja e mbrëmshme ishte e jashtëzakonshme pas mirëpritjes që i bëri publiku në sallë.

“Ka qenë një koncert shumë i veçantë për mua sepse për herë të parë kam performuar me Filharmoninë si solist. Unë jam pjesë e Filharmonisë që nga viti 2003, fillimisht si korist, pastaj prej vitit 2009 edhe si instrumentist, dhe sot mu dha rasti për të cilën gjë e falënderoj menaxhmentin që më dha kohë dhe hapsirë që të performoj, në mënyrë që edhe instrumenti i fagotit të promovohet te ne dhe të shijohen veprat e bukura.

Solisti Ferizi më tej ka thënë se reagimi i publikut e kishte pajisur me motivim të madh, të cilin beson se mund të shpalos në programe të tjera në të ardhmen e Filharmonisë.

“Kur interpreton për herë të parë dhe publiku të pret shumë mirë të motivojnë për të sjellë performanca të tilla përsëri. Pritshmëritë për interpretime të tilla janë të mira, ka shumë program për instrumentin e fagotit, dhe besoj që edhe viteve në vijim do të gjendet ndonjë hapësirë tjetër dhe të ofrohet një koncert më i mirë ose i këtij rangu për publikun” ka thënë Ferizi i cili një pjesë të konsiderushme të meritës për një koncert të tillë ia dedikoi dhe dirigjentit McCraken.

“Jam gëzuar kur kuptova që do të jetë Chris McCraken dirigjenti i cili do ta udhëhiqte këtë koncert. E pata më të lehtë, në njëfarë forme u çlirova sepse ka raste kur provat nuk shkojnë mirë me dirigjentin dhe mund të jenë me karakter tjetër. McCraken është shumë bashkëpunues, i kupton dëshirat e instrumentistit kur dëshiron të ndryshoj diçka. Komplet procesi ka shkuar me një frymë pozitive që gjithçka të shkojë me rregull”, ka përfunduar fagotisti Ferizi.

Edhe vetë dirigjenti Chris McCraken e kishte shijuar koncertin me instrumentin e “Fagotit” nga ku tha se mbrëmja ishte një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën.

“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Vepra e Danzit është zgjedhja e duhur për të shfaqur instrumentin e “Fagotit”. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Janë tinguj shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm dhe sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”, ka thënë dirigjenti McCraken.

Ndërsa Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se ndihet i kënaqur nga performanca e Filharmonisë për këtë koncert, siç tha ai mjaft rrallë të dhuruar për audiencën.

“Fillimisht jam shumë i lumtur që e kemi pasur në program një vepër për program edhe orkestër sepse në të gjithë historinë e Filharmonisë së Kosovës, kjo është vetëm hera e dytë që ne e kemi programu një vepër për instrumentin e fagotit. Edhe për publikun besoj që ka qenë një mundësi e mirë sepse jo shpesh paraqiten vepra të shkruara për këtë instrument” ka thënë Selimaj.

Drejtori Selimaj duke folur për programin e koncertit shprehu keqardhje që vepra e autorit Andre Jolivet nuk u dha sonte nga flautistja Erëmira Çitaku si shkak i një lëndimi  që kishte pësuar solistja, duke bërë të ditur se kjo performancë është shtyrë për një rast tjetër.

“Simfonia e 8 e Dvorak është një vepër të cilën nuk e kemi interpretuar prej vitit 2010 në atë kohë me dirigjentin Bahri Çela në shënim të 10 vjetorit të Filhamonisë së Kosovës. Kështu që kemi konsideruar që ka qenë një moment për të rikthyer një prej kompozitorëve më të rëndësishëm siç është Dvorak-u. 

Drejtori Selimaj krejt në fund ka bërë të ditur se në muajin maj Filharmonia e Kosovës do të prezantohet edhe me dy koncerte të tjera, për të cilët beson se publiku do të ndahet i kënaqur poashtu. / KultPlus.com

Me repertor romantik Filharmonia sjell solisten shqiptaro-zvicerane te rrënjët e saj, pianistja Shkreli: Jam kënaqur shumë, s’dua të kthehem në Zvicër

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Atelienë e Pallatit të Rinisë është mbajtur koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës me solisten Alba Shkreli, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, shkruan KultPlus.

Pianistja shqiptaro-zvicerane, Alba Shkreli, dhe repertori romantik i zgjedhur nga Filharmonia në të dy pjesët e koncertit si duket kishin qenë shkaqet që e stërmbushën gjithë sallën, e cila tashmë është shëndrruar në shtëpi të të gjitha aktiviteteteve të institucionit.

23 vjeçarja Shkreli, fituese e shumë çmimeve në Zvicër, këtë herë erdhi që përvojën e saj ta ndajë në vendin e origjinës, me vepra të cilat ajo i kishte përzgjedhur vetë. Ajo e kishte ndjerë energjinë e popullit të saj si asnjëherë më parë, nga ku edhe me entuziazëm potencoi që pas kësaj përvoje nuk ka dëshirë të kthehet në Zvicër.

Me Koncert për Piano “Nr.1 në e-mol, Op.11” të Frederic Chopin u paraqit pianistja Shkreli, e cila la një shije shumë të mirë te të gjithë pjesëmarrësit. Tinguj mbizotërues të pianos, në sfond me tinguj konstant të harkorëve u dhanë në Allegro maestoso, përderisa tinguj të qetë, serioz, të lartë e të butë u ekzekutuan me mjeshtëri nga Filhamonia dhe solistja që rrezatonte mirësi në Romanze- Larghetto dhe Rondo- Vivace.

Pjesa e dytë e koncertit u mbajt nga Filhamonia e Kosovës në dirigjimin e Dario Salvi me Simfonia Nr. 5 në D-dur/d-mol, Op.107 të kompozitorit Felix Mendelssohn me Andante- Allegro con fuoco, Allegro vivace, Andante, Andante con moto- Allegro vivace- Allegro maestoso.

Në këtë performancë, përpos që pati tinguj të larmishëm në polaritet, herë të rrallë e herë të shpeshtë, me tone të ulta dhe të larta u vu në dukje profesionaliteti i Orkestrës së Filharmonisë e cila iu përgjigj mjaft bukur laureatit për çmimin Globi i Artë, Dario Salvit. Vetë eleganca, mjeshtëria e paraqitjes duke përfshirë lëvizjen e mimikës dhe gjymtyrëve në harmoni me tingujt e Orkestrës së Filharmnisë tregonin shumë për këtë figurë që ka interpretuar në sallat më prestigjioze në botë.

Duartrokitjet e publikut në fund të pjesës së parë dhe të dytë të koncertit duke i bërë që të ktheheshin në skenë disa herë solistja Shkreli dhe dirigjenti Salvi, dhanë mesazhin që koncerti i mbrëmjes së kaluar ishte i mrekullueshëm.

Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për media pianistja Alba Shkreli tha se nga energjia pozitive të cilën e kishte përjetuar këto ditë me Filharmoninë në Kosovës, nuk dëshironte të kthehej përsëri në Zvicër.

“Jam shumë e lumtur. Me qenë në Kosovë është një gjë shumë e veçantë për mua duke e pasur parasysh faktin që unë nuk kam qenë që pesë vite këtu. Ftesa për të ardhur këtu e për të luajtur Chopin-in, program i cili më pëlqen shumë, vërtetë më ka bërë shumë të lumtur. Kënaqësi ishte edhe interpretimi me Salvi-n që ishte një dirigjent shumë i mirë. Gjithashtu edhe komunikimi në shqip me anëtarët e Filharmonisë, ka qenë shumë interesant për mua. Këto katër ditë që kam qenë këtu kanë shkuar shumë shpejtë, gjatë këtyre ditëve unë kam qenë veç duke qeshur dhe shumë e lumtur aq sa s’kam dëshirë të kthehem në Zvicër.

Pianistja Shkreli më tej tha se ishte ndarë mjaft e kënaqur me interpretimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.

“E kam përzgjedhur vet veprën e Chopin-it, dhe më pëlqen sepse është diçka shumë intime, ai e ka shkruar kur i ka pasur 20 vite, gati në moshën time, pak më i ri. Edhe pse Orkestra në këtë vepër nuk ka pasur shumë për të interpretuar pasi programi është si me si me qenë piano komplet solo, në pikat interpretaive në prapavijë ajo më ka ndihmuar shumë”, ka thënë Shkreli.

Më tej ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë, Dardan Noka ka thënë se koncerti i mbrëmshëm në dy pjesët e tij ka sjell një repertor romantik, vepra që janë luajtur prej Filharmonisë së Kosovës shumë vite më parë.

“Piano koncerti i Chopin-it ndoshta ka më shumë se 20 vite që nuk është luajtur nga Filharmonia për publikun e Prishtinës. Ne jemi të lumtur që e kemi rikthyer njërën prej pianisteve e cila në kohën kur ndoshta Filharmonia e ka interpretuar për herë të parë ka qenë vetëm një ose dy vjeçe, kurse sot është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj. Ajo është e Kosovës, pavarësisht se gjithë edukimin e saj e ka ndjekur në Zvicërr, Gjermani dhe Francë. Ndërsa Simfonia e pestë e Mandelsonit kemi konsideruar që është e nevojshme të rikthehet në kohë pas shumë vjetësh, një prej veprave që ka lënë gjurmë në literaturën e muzikës klasike dhe e kemi bërë pjesë të  këtij sezoni përmes këtij koncerti”, ka thënë drejtori Noka.

Drejtori Noka po ashtu foli edhe për repertorin e koncerteve pasuese të Filharmonisë, nga ku premtoi një program mjaft të pasur artistikisht me vepra të njohura me të cila synohet ngritja e kapaciteteve të institucionit.

“Deri në fund të këtij sezoni në muajt maj, qershor e korrik do të vazhdojmë që të sjellim vepra simfonike si në çdo koncert tjetër. Kanë mbetur në radhë Simfonia e tetë e  Dvořák dhe pastaj simfonia e katërt e Schubert-it. Derisa në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës do të sjellim një vepër premierë botërore sepse do të vij edhe në një verzion ndryshe siç ka qenë para 10 vjetësh. Do të jetë një prej koncerteve që po besoj do të pëlqehet nga publiku. Gjithçka do të përmbyllet me “Meshën për Paqe” të Karl Jenkins sepse kemi konsideruar që do të jetë vepra më e mirë për të shënuar dy ngjarje që do të bëjnë pjesë në kalendarin e Filharmonisë për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit” ka potencuar Noka.

Ndërsa sopranoja e njohur Adelina Paloja e cila ishte pjesë e publikut në këtë koncert tha se ishte një mbrëmje që ka për tu mbajtur në mend, krejt kjo sipas saj nga ngritja e kapaciteteve të Filharmonisë si në nivelin repertuarit të përzgjedhur e po ashtu edhe në nivelin interpretativ.

“Një befasi e këndshme për publikun kosovar ishte prurja e një pianisteje, e cila veçse ka para vetes një karrierë internacionale shumë të suksesshme që e pret, Alba Shkrelin, dhe kjo për faktin se përveç një puneje të jashtëzakonshme si pianiste gjithashtu sonte dallova një sensitivitet të lartë në interpretimin e saj, një shije të hollë në zgjidhjen e temave muzikore, do të thosha e gjitha kjo e kurorëzuar me një koncept muzikor nga syri dhe mendja e dirigjentit Dario Salvi, i cili me një aurë pozitive dhe me një energji të jashtëzakonshme, arriti që të nxjerrë më të mirën nga kjo orkestër sonte”, ka thënë Paloja.

Sopranoja Paloja me tej e potencoi edhe mungesën e sallës koncertale, ndërtimi i së cilës është një nevojë emergjente për punën e  artistëve në mënyrë që të mos pësoj puna të cilën ata e kanë ndërtuar me vite.

“Në çdo koncert që ne kemi sallat janë të mbushura, pa çka se faktikisht po e kemi shumë të vështirë që t’i akomodojmë të gjitha ato kërkesa dhe në kushte aspak të favorshme akustike që veçse dihet të sallës koncertale. Ndoshta tingëllon pak si klishe, por me të vërtetë është e nevojë emergjente nga institucionet përkatëse që ta kenë në fokus që këto interpretime të mrekullueshme dhe këta artistë të mrekullueshëm vendas por edhe mysafirë që i kemi të luajnë në kushte të përshtatshme ashtu siç e meritojnë,  adekuate, ashtu si nga ana strukturore si nga ana e akustikës, në mënyrë që të mos e pësojë puna që ata e kanë ndërtuar ndër vite si pasojë e kushteve jo të favorshme” ka përfunduar sopranoja Paloja e cila së bashku me shumë artistë të tjerë e kishte shijuar pafund koncertin/KultPlus.com

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vjen me koncert, pjesëmarrëse edhe pianistja e njohur Alba Shkreli

Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se më 27 prill do të mbahet koncerti i radhës i dirigjuar nga mjeshtri italo-britanik Dario Salvi, ku do të përfshihen dy vepra nga dy kompozitorë romantik.

Sipas njoftimit mbrëmja do të hapet me “Koncert nr. 1 për piano dhe orkestër” nga Chopin-i, me pjesëmarrjen e pianistes së talentuar shqiptaro-zvicerane Alba Shkreli, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë Simfoninë Nr. 5 nga kompozitori gjerman Felix Mendelssohn.

Alba Shkreli është një vajzë 23-vjeçare, e cila është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj në Evropë, dhe ka fituar konkursin “Steinway” në Zvicër.

Dirigjenti Dario Salvi do të rikthehet në Prishtinë për të drejtuar Orkestrën Simfonike, ndryshe nga koncerti i Orkestrës Frymore nëntorin e kaluar.

Ai është laureat i Çmimit Globi i Artë “Riccardo Drigo” për muzikë baleti në vitin 2023 dhe ka një diskografi me rreth 25 regjistrime në Naxos Records me mbi një milion dëgjues në vit në Spotify, si dhe gjysmë milion dëgjues në Apple Music./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës muajin Prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, muajin prill e nis me koncert në qytetin e Gjakovës, nën dirigjimin e Pëllumb Vulës, përderisa soliste e mbrëmjes është  Zanë Abazi- flaut.

Ky koncert mundësohet në kuadër të programit “Filharmonia në Lëvizje”.

Koncerti do të hapet me uverturën e operës “Cosi fan tutte” nga Mozarti. Në këtë program do të interpretohet edhe vepra “Odelette” nga Saint-Saëns.

Përmbyllja e koncertit shënohet  me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Schumanni. Mos e humbni këtë koncert, i cili do të dirigjohet nga Pëllumb Vula.

Koncerti mbahet më 6 prill, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, prej orës 20:00./KultPlus.com

Filharmonia organizon koncert në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë

Në kuadër të Javës së Frankofonisë në Kosovë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës organizon koncert me e violonçelisten Aurélienne Brauner nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski, shkruan KultPlus.

Mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

“Nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski dhe me pjesëmarrjen e violonçelistes franceze Aurélienne Brauner mbrëmja do të hapet me interpretimin e “Prelud Simfonik” nga Giacomo Puccini, në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

Fuqinë e violonçelos mund ta përjetoni përmes interpretimit të ‘Fantazi për violonçel’ e kompozitorit romantik francez Jules Massenet derisa mbrëmja do të përmbyllet me interpretimin e Simfonisë Nr. 4 nga Robert Schumann”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

Ky koncert mundësohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Ambasada Franceze në Prishtinë, si pjesë e festës së Frankofonisë në Kosovë!

Koncerti do të mbahet më22 mars, në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Filharmonia sjell ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli

Filharmonia e Kosovës koncertin e radhës do ta mbajë me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri Nushi me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.

Koncerti do të dirigjohet nga Maayan Franco, i cili rikthehet për të tretën herë për të drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

Mbrëmja artistike do të mbahet më 08.03.2024 në ora 20:00, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Filharmonia nis muajin mars me harpisten turke Şirin Pancaroğlu

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncertin e parë të muajit mars me harpisten turke Şirin Pancaroğlu, nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani.

Në koncert pjesëmarrësit do të kenë rastin të dëgjojnë një program unik duke përfshirë veprën “Sinfonietta” për orkestër harqesh nga kompozitori kosovar Drinor Zymberi, “Valle për harpë dhe orkestër” nga kompozitori impresionist francez Claude Debussy dhe “Suita e Holberg-ut Op. 40” nga Edvard Grieg.

“Në këtë mbrëmje do të interpretohet edhe një vepër e harpistes Şirin Pancaroğlu e cila përveç instrumentit të harpës është një avokuese e literaturës së shkruar për instrumentin e harpës dhe çeng-ut (harpës turke)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përgatitet për koncertin e 16-vjetorit të Pavarësisë

Filharmonia e Kosovës është duke i bërë përgatitjet për koncertin madhështor në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Koncerti qendror në këtë përvjetor të veçantë vjen me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë”, thuhet në njoftim.

Sipas një komunikate për media, përveç veprave nga R. Strauss, W. Kilar, K. Aliçkaj, V. Beqiri dhe L.V. Beethoven do të interpretohet edhe premiera e “Exodus” nga Mendi Mengjiqi, dedikuar 25-vjetorit të ekosdit të mbi 1 milion Kosovarëve nga forcat Jugosllave dhe Serbe.

Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në ora 20:00 (Salla AMC)/ KultPlus.com

Filharmonia anulon koncertin e paraparë të mbahej më 10 shkurt

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar së koncerti i paraparë për datën 10 shkurt do të shtyhet për një datë tjetër, për shkak të rendimit të gjendjes shëndetësore të dirigjentit Gregory Charette.

Filhamonia i ka shprehur keqardhje audiencës për këtë ndryshim të papritur.

Të dashur zonja dhe zotërinj, publik i nderuar,

Me keqardhje ju informojmë se koncerti i datës 10 shkurt 2024, i paraparë të mbahet në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, prej orës 20:00, do të shtyhet për një datë tjetër. Kjo për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore të dirigjentit Gregory Charette. Duke i uruar shërim të shpejtë dirigjentit Charette, me të cilin orkestra pret të bashkëpunojë në të ardhmen e afërt, ju falenderojmë për mirëkuptimin.

Koncerti i ardhshëm i Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 17 shkurt 2024, prej orës 20:00, në sallën AMC (Mazgit- Obiliq, Magjistralja Prishtinë – Mitrovicë). Linku për rezervimin e vendeve do të publikohet më 7 shkurt 2024./KultPlus.com

Filhamonia e Kosovës me ‘Rapsodi Shqiptare’ sjell për herë të parë një kompozim të Fan S. Nolit

Orkestra Filharmonike e Kosovës organizon koncert me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri – Nushi, me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.

Koncerti do të përmbyllet me Simfoninë e 3-të të Jean Sibelius-it, kjo pas interpretimit të Simfonisë së 1-rë dhe të 2-të vitin e shkuar.

Koncert i cili do të dirigjohet nga amerikani Gregory Charette, mbahet më 10 shkurt 2024, prej orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Me një koncert të veçantë në disa dimensione Filharmonia nis vitin artistik 2024

Vjollca Duraku
Foto; Arben Llapashtica

Në prezencën e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër Filharmonia e Kosovës mbrëmë ka nisur vitin e ri artistik 2024,  me solistët Pranvera Hoxha-pianiste dhe Shkodran Osmanaj-kontrabasist nën dirigjimin e Lena-Lisa Wüstendörfer, shkruan KultPlus.

Siç ndodh rrallë edhe në botë, Filharmonia e Kosovës ishte kujdesur që para publikut në këtë  vit të ri artistik të sillte si solist- kontrabasistin dikur pjesëtar të saj, Shkodran Osmanajn, i cili aktualisht është pjesë e Orkestrës së Zvicrës. Dhe, si pasjojë e këtij bashkëpunimi solli edhe dirigjenten Wüstendörfer- drejtoreshën muzikore të Orkestrës Zvicerane, e cila ka interpretuar në skena prestigjioze botërore.

Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në prezencën e një publiku entuziast dhe të shumtë të madh në numër. Përveç solistëve të zgjedhur, ishte edhe repertori i zgjedhur me Simfoninë e 7 të Bethovenit, shkak për një interesim aq të madh të publikut.

Pianistja Pranvera Hoxha ishte e para që e hapi mbrëmjen me  Variacione Simfonike të Cesar Franck, me tinguj kryesisht të qetë dhe të rrallë, melodia e të cilëve ndryshonte me lëvizjen më të shpejtë të gishtërinjëve të pianistes tejet elegante dhe ndërhyrjes me takt të instrumenteve të tjera të orkestrës, që udhëhiqeshin nga dirigjentja Wüstendörfer.

Ndërsa i dyti në radhë dhe risia e koncertit ishte interpretimi i kontrabasistit Shkodran Osmanaj, i cili mbrëmë solli profesionalizmin e ndërtuar në institucione të ndryshme muzikore në Zvicër, bazën e të cilit e kishte marrë po në vendin të cilin po interpretonte. ‘Koncert për kontrabas’ me Allegro, Andante dhe Allegro të Serge Koussevitzky ishin pikat me tinguj mjaft të ndjerë që publiku i shijoi pa masë, nga një solist kontrabasist i cili rrallë ndodh të paraqitet para audiencës.

Ndërsa pika e tretë interpretuese u dha nga Orekstra e Filhamonisë së Kosovës me dirigjimin e profesionistes Lena-Lisa  Wüstendörfer, me një repertor mjaft të zgjedhur, ajka e së cilit ishte Simfonia Nr. 7 e Ludwig Van Bethoven. Pikat tjera interpretuese ishin Poco sostenuto- Vivance, Allegretto, Presto-Assai mëno presto (trio), Allegro con brio të cilat shpërfaqnin shpirtin artistik të dirigjentes zvicerane, ku varësisht tingujve, lëvizte edhe trupi i saj, në pozicione dhe forma të ndryshme, prej nga shprehej në ekspresioni i saj me njohuri intelektuale të rralla.

Këtë prurje dhe kombinim të Filharmonisë së Kosovës publiku e priti mjaft mirë, gjë të cilën e treguan ovacionet e shumta në fund të koncertit.

Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjentja Wüstendörfer u shpreh e mahnitur me profesionalizmin e treguar nga Filharmonia e Kosovës, ku bashkëpunimi i anëtarëve të institucionit mes vete, ishte një element që i kishte lënë shumë mbresa.

“Ishte mirëseardhje e ngrohtë nga Filharmonia e Kosovës. Mendoj se janë ekip i mrekullueshëm dhe anëtarët bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Kjo është shumë e rëndësishme kjo për një orkestër, sepse të luash në orkestër është sikur një ekip futbolli, duhet të jesh grup shumë i mirë. Dy koncertet që janë interpretuar, luhen shumë rrallë, u befasova për të mirë kur pashë se janë pjesë e programit. Veçanërisht kur janë luajtur dy koncerte. Mendoj se janë pjesë të mrekullueshme, veçanërisht ajo me piano, sikurse edhe Simfonia e 7-të e Beethoven që është shumë e famshme, shumë e gjatë dhe që kërkon ta përjetosh për ta luajtur si duhet”, është shprehur dirigjentja.

Ndërsa solisti Shkodran Osmanaj me një entuziazëm dhe emocion të paparë interpretimin para publikut të vendit të tij e quante të jashtëzakonshëm.

“Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjenjën e interpretimit para publikut shqiptar. Të pranishëm ishin edhe prindërit e mi, profesorët të cilët më kanë mësuar që nga vegjëlia e deri te formimi im si muzikant profesional. Në fillim ishte goxha zor emocionalisht të përshtatem me audiencën e publikut të vendit tim, por pastaj shkoi gjithçka mirë. Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj këtë performancë”, ka thënë kontrabasisti Osmanaj.

Ai më tutje falënderoi Filharmoninë e Kosovës për mundësinë e dhënë për tu shfaqur në një koncert të tillë, si dhe kolegët e tij për bashkëpunimin maksimal në saje të së cilit publikut iu dha një koncert i tillë.

“Koncerti ka qenë shumë i suksesshëm. Jam shumë falënderues për bashkëpunimin dhe ftesën nga drejtori Baki Jashari dhe menaxheri Dardan Selimaj. Ka qenë më mirë se që e kemi pritur dhe më mirë se që e kemi përgatitur. I falënderoj shumë edhe kolegët që kanë kontribuar për këtë mbrëmje të cilët e kanë dhënë maksimumin që koncerti të del sa më mirë”, ka thënë solisti Osmanaj.

Ndërsa solistja tjetër e mbrëmjes, Pranvera Hoxha, tha se ndihej e privilegjuar që Filharmonia e Kosovës e kishte përzgjedhur që të ishte pjesë e koncertit të parë artistik për vitin 2024, në të cilin ajo interpretoi një vepër premierë të cilën publiku e priti shumë mirë.

“Sonte me të vërtetë u kënaqa shumë, e shijova shumë veprën të cilën e luajta, duke pasur parasysh që kjo vepër te ne, u soll në njëfarë mënyre për herë të parë në skenë, e cila në botë luhet goxha shpesh. Më ka gëzuar shumë fakti që bashkë me të gjithë kolegët e Filharmonisë dhe dirigjenten jemi munduar të japin më të mirën. Përveç që e shijova vet shumë, e pash edhe nga reagimi i publikut të cilët pata fat t’i takoj pas koncertit. Edhe ata i ndanë përshtypjet e njëjta, dhe kjo mandej akoma më shumë e rrit gëzimin duke pasur parasysh që ajo punë që e kemi bërë bashkë me kolegë është transmetuar të publiku, dhe në njëfarë mënyre ata e kanë shijuar me ne. Në njëfarë forme kjo është edhe ideja e muzikës, të përjetosh kënaqësi dhe të përqosh një mesazh te të rinjtë. Kjo më ka gëzuar jashtë mase”, është shprehur solistja Hoxha duke treguar që për këtë koncert ka filluar të përgatitet qysh në muajin shtator ngase bashkë me privilegjin vinte edhe përgjegjësia që ajo kishte para publikut.

Ndërsa drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur të veçantë në disa dimensione.

“Të dy solistët ishin kosovar, Shkodran Osmanaj që jeton dhe vepron në Zvicër dhe si rrjedhojë e kësaj ai ka propozuar edhe dirigjenten nga Zvicra, dhe në anën tjetër solistja Pranvera Hoxha është pianiste e jona shumë e njohur. Të dy kanë qenë të shkëlqyeshëm në pjesët e tyre solistike të literaturës artistike. Është interesant që koncerti për kontrabas është luajtur për herë të parë. Rrallë ndodh edhe në botë që kontrabasi të jetë edhe si instrument solistik, kështu që patëm rastin që edhe në Prishtinë ta përjetojmë këtë lloj muzike. Në anën tjetër, dirigjentja zvicerane Lena-Lisa Ëustendorfer, ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme në punën e saj pothuajse njëjavore me orkestrën e Filharmonisë. Besoj që profesionalizmi i saj,  vizioni interpretativ i saj ka lënë përshtypje edhe te publiku dhe kjo na bën të mendojmë që ajo të ftohet sërish. Dihet që në botën e dirigjentëve, dirigjentet femra janë më të rralla në numër dhe janë më të veçanta” ka thënë drejtori Jashari.

Krejt në fund,  drejtori i Filharmonisë ka bërë të ditur se institucioni më i lartë i muzikës në vend gjatë gjith vitit do të prezantohet nga një program mjaft dinamik me kapacitete të larta interpretative.

“Ishte me të vërtetë një koncert interesant për fillim të vitit dhe natyrisht që do të vazhdojmë me koncertet e radhës gjatë tërë këtij viti, i cili do të jetë shumë dinamik me shumë koncerte edhe orkestrale edhe vokale edhe vokal- instrumentale të Filharmonisë së Kosovës”, ka përfunduar drejtori Jashari/KultPlus.com

Kori i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Tiranë shënon 20 vjetorin e themelimit

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë koncert në Tiranë.

Nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë do të interpretojë vepra nga kompozitorët vendorë e të huaj.

Me pjesëmarrjen e violinistes së njohur kosovare Sihana Badivuku, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads.

Koncerti është organizuar në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional midis Filharmonisë së Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Koncerti do të mbahet më 2 shkurt në ora19:00 në TKOB/KultPlus.com

Artisti shqiptar, pjesë e Orkestrës dhe Filarmonisë së Vjenës

Artisti shqiptar, Edison Pashko është pjesë e Orkestrës së Vjenës që prej vitit 2010, ndërsa që nga vitin 2013 është pjesë e Filarmonisë së Vjenës.

Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve për të vijuar më tej në në vitin 1998 në Universitetin e Muzikës, në Graz.

Një vit më vonë përfundon studimet në Universitetin e Muzikës në Vjenë, dhe që prej këtij viti ai filloi si zëvendësues në Filarmoninë e Vienës për t’u bërë më pas anëtar i përhershëm./balkanweb/KultPlus.com

‘Arrëthyesi’ shfaqja që bëri kthesë për Baletin Kombëtar të Kosovës, shfaqje me shumë ngjyra e magji

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

“Arrëthyesi” një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, mbrëmë u dha premierë edhe në kryeqytet, e cila erdhi si bashkëpunim i Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ku me magjinë dhe profesionalizmin e treguar,  këto institucione veçse hodhën hapin e parë gjigand drejt përsosmërisë edhe në shfaqje të niveleve botërore, shkruan KultPlus.

Nata, atmosfera e ngrohtë e festave të fundvitit me borë, pemët e Vitit të Ri me drita, dhurata të festave të fundvitit, kostume tejet elegante, magji, zana, princa, princesha dhe muzikë fantastike të paraqitura në skenë, të dërgonin vërtetë në një botë ëndrrash.

Baleti “Arrëthyesi” është i bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjëve” nga E.T.A. Hoffmann, i kompozuar në vitet 1891-92 nga Çajkovski, ku tregohet historia e një vajze të re gjermane, e cila ëndërron një “Princ Arrëthyes” dhe një betejë të ashpër kundër një mbreti mi me shtatë koka.

Kjo premierë shënoi një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës, ku rëndësinë e saj e tregonte vetë prania e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të cilët me padurim prisnin fillimin e saj.

Interpretimi i tingujve të qetë, nën drita të pakta blu shënoi fillimin e aktit të parë të shfaqjes, së cilës më vonë iu bashkuan edhe balerinët në një mënyrë të mistershme sikurse në ëndrra. Mjaftoi kjo skenë për të hipnotizuar publikun brenda magjisë dhe spektaklit të cilin do ta dhuronte pakëz më vonë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe me Korin e Fëmijëve “Okarina”.

“Skena e Festës” në sfond me një pamje të një pallati madhështor, brenda së cilit familja Stahlabaum po organizonte festën  e tyre vjetore të festave të fundvitit, ishte ndër më të të bukurat, e cila shikuesin e dërgonte drejt një bote përrallore. Familje të lumtura, me zonja me fustane tejet elegante dhe zotërinj me kostume që u jepnin pamje fisnike, duke festuar mes miqsh nën shoqërimin e muzikës, në një energji të pastër, jepnin panoramën e një jete ëndrrash, e cila kompletohej kur skenës i bashkëngjiteshin edhe fëmijët.

Kulmi i festës së tyre shënoi kur në skenë u paraqit kumbari Droselmajer,  i cili ishte një krijues i aftë i lodrave, duke u dhuruar fëmijëve dhuratat e festave të fundvitit, ku Klarës ia dhuroi edhe Arrëthyesin duke e shndërruar në hit të festës. Mirëpo, për këtë dhuratë bëhet xheloz Fritzi, ku më pas edhe ia rrëmben lodrën, për t’ia thyer më pas.

Droselmajer,  ishte ai që e riparoi lodrën e saj, me të cilën pas gostisë Klara ra në gjumë me të në krahun e saj poshtë pemës, nga ku edhe rrjedh historia tjetër si përrallë me Arrëthyesin i cili lufton dhe fiton kundrejt një ushtrie minjsh, ku pas fitores ai shndërrohet në një princ të bukur.

Më pas përmes një vallëzimi që shpinte drejt një jetese mbretërore, princi e dërgon Klarën në “Tokën e Borës” në një vend magjepsës, ku bora binte mbi balerinat me fustane zanash, në harmoni të plotë me muzikën fantastike në sfond, të cilën po e dhuronin Filharmonia e Kosovës, përderisa kulmin e paraqitjes e shënoi zëri kristal i fëmijëve të Korit “Okarina”.

Skena tjetër është “Toka e Ëmbëlsirave” në të cilën Princi e shoqëron Klarën në këtë tokë, në të cilën qëndronin Zana e Kumbullës dhe ajo e Sheqerit, ku përjetoheshin festa dhe vallëzime fantastike të zanave, nga ku edhe përfundon ëndrra e Klarës, e cila e gjen veten të zgjuar poshtë pemës së Krishtlindjes me Arrëthyesin e saj të dashur. Kjo shënoi edhe fundin e këtij spektakli fantastik të pa dhuruar më parë, në historinë e Baletit dhe të Filharmonisë së Kosovës.

Shfaqja në fund u duartrokit shumë, duke dhënë mesazhin që ajo çfarë iu dhurua për brenda dy orësh shfaqjeje qe diçka e mrekullueshme, dhe si e tillë do të mbahej në mend gjatë.

Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për KultPlus, foli edhe drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili tha se ndihej i lumtur me nivelin e balerinëve dhe të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, përkundër faktit se një shfaqje e tillë ishte shumë sfiduese dhe me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha.

“Ka qenë përtej pritshmërive tona, edhe niveli i balerinëve por edhe niveli i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ky balet është sfidë për çdo teatër gjithandej nëpër botë, sigurisht ka qenë një sfidë e madhe edhe për ne, mirëpo jam shumë i lumtur që sonte kemi arritur ta kurorëzojmë në këtë formë para një audience të jashtëzakonshme, me një interesim shumë shumë të madh për shfaqjen Arrëthyesi. Po besoj që edhe duartrokitjet e publikut e treguan që me të vërtetë ky produksion i ka arritur edhe pritshmëritë edhe të atyre që kanë ardhur ta shohin”, tha Kajtazi i entuziazmuar me produktin final të institucionit të cilin ai e drejtonte.

Drejtori Kajtazi më tej tha se rruga për të sjellë shfaqjen deri në premierë, ishte e gjatë me vështirësi e sfida të shumta duke filluar nga mungesa e një salle adekuate.

“Procesi deri te nata finale është përcjell me sfida të shumta. Tashmë  dihet problemi ynë i madh, e i vazhdueshëm me infrastrukturën, jemi munduar të adaptohemi në këtë sallë këtu e cila sigurisht nuk i ka kushtet e teatrit, pra në aspektin e skenografisë kemi qenë të cunguar, sepse nuk kemi pasur mundësi që të vendosim skenografi, kështu na është dashur të përdorim alternativa të tjera. Sfidë po ashtu ka qenë edhe pjesa e kostumeve e cila ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i shfaqjes. Mund të them që ka qenë pjesa më e vështirë e realizuar, sepse ka pasur shumë kostume, pastaj lloji i kostumit që shfaqja kërkon po ashtu ishte shumë sfiduese si për rrobaqepësit ashtu edhe për kostumografen”, tha gjithashtu Kajtazi duke e potencuar edhe punën vetëmohuese të balerinëve, koreografit, asistentes, kostumografes, skenografes për të arritur nivelin e sapo prezantuar para publikut.

Kurse koreografi Ilir Kerni, vendosjen e Arrëthyesit në Baletin Kombëtar të Kosovës e ka quajtur moment historik për kulturën e vendit, e cila njëkohësisht e vendos edhe Prishtinën në nivel me kryeqytetet tjera ku tashmë kjo shfaqje jepet tradicionalisht, në muajin dhjetor me rastin e festave.

“Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gurëthemel në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi. Kjo është hera e parë dhe me të vërtetë ndihem fatlum dhe i lumtur. Nuk mendoj të mbetem në histori, por mendoj që të mbetem si një kujtim i mirë i të gjithë njerëzve që  kam punuar këtu. Historinë ia lëmë të tjerëve, unë jam për të bërë punën time në mënyrën më korrekte më të devotshme dhe më modeste të mundshme”, ka thënë Kerni.

Ai më tutje tha se ndihej jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e balerinëve, duke uruar që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë me po të njëjtin pasion dhe punë, sepse sipas tij është është e vetmja gjë e cila të pajis me autoritet artistik

“Ky është një hap i parë gjigand mendoj unë, dhe pas kësaj çfarë? Sot, shtrohet kjo pyetje pas kësaj çfarë?, në ç’rrugë do të eci Baleti i Kosovës. Shpresoj shumë që ky të jetë një start për më lart, për më tej. Sigurisht që gjithmonë mundet për më shumë, problemi është që të mos ecim mbrapsht”, përfundoi koreografi Kerni.

Ndërsa solistja Jeta Musolli, balerinë e cila e luante rolin e Klarës tha që ndihej e privilegjuar për rolin që i ishte besuar, dhe po ashtu e kënaqur me mbarëvajtjen në tërësi të shfaqjes.

“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku është ndarë i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”, ka deklaruar Musolli duke thënë që për mungesën e shfaqjeve të tilla klasike botërore para publikut, shkak është mungesa e sallës adekuate të përmasave aq sa kërkohen.

“Sa kemi qenë në TKK, kemi pasur një sallë pak më të vogël dhe skena nuk ka qenë e mjaftueshme për ne sepse i ka pasur dimensionet më të vogla. Këtu e bëmë skenën edhe sallën përafërsisht në dimensione të njëjta në mënyrë që të mos kishim probleme, dhe kjo ka ndihmuar shumë, sepse Arrëthyesi është një shfaqje botërore që kërkon shumë njerëz, dhe fatkeqësisht trupa jonë ka një numër të vogël, por që ja arritën ta realizojmë”, tha më tutje  Balerina Musolli.

Ndërsa për dirigjentin Boian Videnoff shfaqja “Arrëthyesi” ishte një premierë e mrekullueshme.

“Është një premierë e mrekullueshme. Është mirë që pas kaq shumë vitesh e keni këtë produksion të baletit për herë të parë. Mendoj se ishte i veçantë për të gjithë. Është një kryevepër. Mendoj se ishte kënaqësi për të gjithë të shohin këtë produksion të plotë të bërë nga valltarët e mrekullueshëm, ishin edhe fëmijët. Kur erdha dje e pashë gjithë këtë hapësirë të mbushur me ta që dukeshin shumë të emocionuar”, tha dirigjenti Videnoff.

Shfaqjen e kishin shijuar shumë edhe balerinët mysafirë që kishin ardhur nga Bullgaria, për të qenë pjesë e shfaqjes “Arrëthyesi”, Marta Petkova dhe Nikola Hadjitanev

“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”, tha balerina Petkova , e cila pati rolin e princeshës Sheqerkë.

Ndërsa balerini Nikola Hadjitanev i cili luajti rolin e princit, tha që trupa e Baletit të Kosovës ka një potencial shumë të madh edhe përkundër mungesës së kushteve.

“Roli im është ai i princit që rritet dhe Klara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi. Ne e kemi luajtur shpesh këtë pjesë, normalisht koreografia ka qenë pak më ndryshe, ndërsa sot e kemi sjellë saktësisht si version origjinal. Është hera e parë në Prishtinë. Mendoj se trupa ka shumë potencial, drejtori Sinani më tha se kjo është një ngjarje e madhe për ta, si diçka që e bëjnë për herë të parë, në këtë sallë që nuk është e duhura për një shfaqje të tillë, por janë munduar të bëjnë më të mirën sa i përket kësaj pjese”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha që gërshetimi i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës paraqesin një moment historik për të realizuar veprën “Arrëthyesi”.

“Shënon një moment pothuajse historik në gërshetimin e dy institucioneve dhe realizimin një vepre madhore aspak të lehtë siç është “Arrëthyesi” i kompozicionit Çajkovski, një balet që realizohet në mbarë botën dhe që vjen për herë të parë para publikut tonë. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme për Filharmoninë e Kosovës, një vepër me kërkesa të mëdha teknike, artistike dhe me kohëzgjatje” tha drejtori Jashari duke potencuar që premiera e mbrëmshme do të mbahet në mend, i cili edhe konsiderohet si gurthemel i bashkëpunimit të dy institucioneve, ngjashëm siç ndodh kudo në botë ku teatro të operës dhe baletit që realizojnë shfaqje, ku në të dyja rastet orkestra është ajo që i shoqëron.

Kurse Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e Korit të Fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur të jetë shumë emocionuese, për faktin se fëmijët e korit “Okarina” do ta mbajnë në mend gjithë jetën se kanë qenë pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për baletin e Kosovës.

“Kori i Fëmijëve “Okarina” tashmë po merr pjesë pothuajse në të gjitha projektet më me rëndësi në vend, por pjesëmarrja në shfaqjen “Arrëthyesi” ka një rëndësi të madhe edhe për mua si udhëheqëse e korit, por edhe për fëmijët e korit, pasi që patën fatin të jenë pjesë e këtij projekti që ka gërshetuar kaq shumë institucione në një skenë”, ka thënë Hysaj Shala.

Edhe motrat Anna e Ninna Krasniqi, pjesë e korit të fëmijëve “Okarina”  janë shprehur tejet të emocionuara për pjesëmarrjen e tyre në këtë shfaqje, të cilat shfaqjen “Arrëthyesi” e shpjeguan si shfaqjen me më shumë drita, ngjyra e kostume kaq të bukura.

Si solistë në shfaqje ishin: Princesha Sheqerkë- Marta Petkova & Mërgime Morina, Princi- Nikola Hadjitanev & Fatmir Sinani, Clara-Jeta Musolli, Drosselmeyer-Julind Dervishi & Fisnik Smani, Fritz-Muhamet Bikliqi, Arrëthyesi- Sead Buniqi & Isa Beg Gjocaj, Vallëzimi Arab- Leonora Rexhepi,  Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj dhe Erza Limani, Kinezi- Muhamet Bikliqi, Vallëzimi Ukrainas-Sead Vuniqi, Kreshnik Musolli, Isa Beg Gjocaj, DonmirBilalli, Ilir Krasniqi, Mbreti i Minjëve-Ilir Krasniqi.

Përderisa pjesë e trupës së baletit janë: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Gashi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha,Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Nora Gashi Piraj, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj dhe Rigon Krasniqi.

Fëmijët të cilët morën pjesë në shfaqje ishin: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni dhe Ana Isufi.

Pjesë e stafit bazë me të cilin u realizua shfaqja ishin: Muzika: Pyotr Ilyich Tchaikovsky, Kostumografia:Elva Bella, Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu, Skenografia: Vesa Kraja, Asistent i koreografit:Rovena Shqevi, Fotograf Arben Llapashtica

Edhe sonte po vazhdon të jepet repriza e parë  e shfaqjes “Arrëthyesi”, në sallën AMC./KultPlus.com

Koncertet e Filharmonsë me rastin e Festave të Nëntorit

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, ka organizuar koncerte me rastin e festave të Nëntorit, shkruan KultPlus.

Filharmonia e Kosovës përmes një postimi në facebook ka dhënë detaje lidhur me këto koncerte:

“Më 27 nëntor 2023 në Prishtinë bashkohuni për një koncert të paharrueshëm që do të drejtohet nga mjeshtrri, Lejtnant Dario Salvi!

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra e Forcave të Sigurisë së Kosovës do t’i bashkojnë forcat në Ditën e Forcës me një performancë në nderim të Festimeve të Nëntorit

📅27 nëntor 2023 🕖19:00 📍Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë

Hyrja e lirë

Një program eklektik nga meloditë klasike deri te kompozimet dinamike. Festo me muzikë!”, ka njoftuar Filhamonia./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës sonte performon në qytetin e Gjakovës

Sonte institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, do të performojë në qytetin e Gjakovës vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorakv, shkruan KultPlus.

Në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti Ardit Ibrahimi, përderisa koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani.

Koncerti do të organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi në ora 20:00./KultPlus.com

Gjakova, stacioni i radhës për Filharmoninë e Kosovës

Gjakova do të jetë stacioni i radhës në të cilin do të performojë institucioni më i lartë i muzikës në vend, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”, i cili kësaj here do të ndalet në qytetin e Gjakovës do të interpretohen vepra nga kompozitorët Brahms, Weber dhe Dvorak.

Koncerti do të dirigjohet nga Lirjona Sylejmani, ndërsa në rolin e solistit do të paraqitet klarinetisti  Ardit Ibrahimi.

‘Koncerti me vepra nga Brahms, Weber dhe Dvorak organizohet në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, të premten më 31 mars 2023 prej orës 20:00’, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës në facebook.

Koncerti është mbështetur nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës. Koncerti është i hapur për publikun./KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përmbyllë rrugëtimin në Portugali (FOTO nga koncertet)

Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur rrugëtimin e saj me koncerte të muzikës klasike në shtetin e Portugalisë, përcjellë KultPlus.

Në Lisbonë dhe Braga u interpretuan vepra të kompozitrëve botërorë dhe ‘Baresha’ e Rexho Mulliqit, nën dirigjimin e drejtorit të Filharmonisë, Baki Jashari.

‘Pas Lisbonës, qyteti verior Braga ishte stacioni i së mërkurës mbrëma. Publiku portugez përjetoi bukurinë e muzikës shqiptare përmes interpretimit të “Bareshës” së Rexho Mulliqit në orkestrim të Gridi Krajës dhe premierës evropiane të kantatës “Rrugëtimi” nga Valton Beqiri. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, Kori dhe Orkestra në pjesën e dytë të koncertit interpretuan fragmente nga “Njeriu i armatosur: Meshë për paqe” e kompozitorit Karl Jenkins duke krijuar kështu një përvojë të paharrueshme për publikun portugez.’, thuhet në postimin e Filharmonisë në facebook./KultPlus.com