‘Arrëthyesi’ shfaqja që bëri kthesë për Baletin Kombëtar të Kosovës, shfaqje me shumë ngjyra e magji

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

“Arrëthyesi” një nga shfaqjet më të njohura të repertorit botëror klasik, mbrëmë u dha premierë edhe në kryeqytet, e cila erdhi si bashkëpunim i Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ku me magjinë dhe profesionalizmin e treguar,  këto institucione veçse hodhën hapin e parë gjigand drejt përsosmërisë edhe në shfaqje të niveleve botërore, shkruan KultPlus.

Nata, atmosfera e ngrohtë e festave të fundvitit me borë, pemët e Vitit të Ri me drita, dhurata të festave të fundvitit, kostume tejet elegante, magji, zana, princa, princesha dhe muzikë fantastike të paraqitura në skenë, të dërgonin vërtetë në një botë ëndrrash.

Baleti “Arrëthyesi” është i bazuar në historinë “Arrëthyesi dhe Mbreti i Minjëve” nga E.T.A. Hoffmann, i kompozuar në vitet 1891-92 nga Çajkovski, ku tregohet historia e një vajze të re gjermane, e cila ëndërron një “Princ Arrëthyes” dhe një betejë të ashpër kundër një mbreti mi me shtatë koka.

Kjo premierë shënoi një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Baletit Kombëtar të Kosovës, ku rëndësinë e saj e tregonte vetë prania e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të cilët me padurim prisnin fillimin e saj.

Interpretimi i tingujve të qetë, nën drita të pakta blu shënoi fillimin e aktit të parë të shfaqjes, së cilës më vonë iu bashkuan edhe balerinët në një mënyrë të mistershme sikurse në ëndrra. Mjaftoi kjo skenë për të hipnotizuar publikun brenda magjisë dhe spektaklit të cilin do ta dhuronte pakëz më vonë trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe me Korin e Fëmijëve “Okarina”.

“Skena e Festës” në sfond me një pamje të një pallati madhështor, brenda së cilit familja Stahlabaum po organizonte festën  e tyre vjetore të festave të fundvitit, ishte ndër më të të bukurat, e cila shikuesin e dërgonte drejt një bote përrallore. Familje të lumtura, me zonja me fustane tejet elegante dhe zotërinj me kostume që u jepnin pamje fisnike, duke festuar mes miqsh nën shoqërimin e muzikës, në një energji të pastër, jepnin panoramën e një jete ëndrrash, e cila kompletohej kur skenës i bashkëngjiteshin edhe fëmijët.

Kulmi i festës së tyre shënoi kur në skenë u paraqit kumbari Droselmajer,  i cili ishte një krijues i aftë i lodrave, duke u dhuruar fëmijëve dhuratat e festave të fundvitit, ku Klarës ia dhuroi edhe Arrëthyesin duke e shndërruar në hit të festës. Mirëpo, për këtë dhuratë bëhet xheloz Fritzi, ku më pas edhe ia rrëmben lodrën, për t’ia thyer më pas.

Droselmajer,  ishte ai që e riparoi lodrën e saj, me të cilën pas gostisë Klara ra në gjumë me të në krahun e saj poshtë pemës, nga ku edhe rrjedh historia tjetër si përrallë me Arrëthyesin i cili lufton dhe fiton kundrejt një ushtrie minjsh, ku pas fitores ai shndërrohet në një princ të bukur.

Më pas përmes një vallëzimi që shpinte drejt një jetese mbretërore, princi e dërgon Klarën në “Tokën e Borës” në një vend magjepsës, ku bora binte mbi balerinat me fustane zanash, në harmoni të plotë me muzikën fantastike në sfond, të cilën po e dhuronin Filharmonia e Kosovës, përderisa kulmin e paraqitjes e shënoi zëri kristal i fëmijëve të Korit “Okarina”.

Skena tjetër është “Toka e Ëmbëlsirave” në të cilën Princi e shoqëron Klarën në këtë tokë, në të cilën qëndronin Zana e Kumbullës dhe ajo e Sheqerit, ku përjetoheshin festa dhe vallëzime fantastike të zanave, nga ku edhe përfundon ëndrra e Klarës, e cila e gjen veten të zgjuar poshtë pemës së Krishtlindjes me Arrëthyesin e saj të dashur. Kjo shënoi edhe fundin e këtij spektakli fantastik të pa dhuruar më parë, në historinë e Baletit dhe të Filharmonisë së Kosovës.

Shfaqja në fund u duartrokit shumë, duke dhënë mesazhin që ajo çfarë iu dhurua për brenda dy orësh shfaqjeje qe diçka e mrekullueshme, dhe si e tillë do të mbahej në mend gjatë.

Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për KultPlus, foli edhe drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi i cili tha se ndihej i lumtur me nivelin e balerinëve dhe të orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, përkundër faktit se një shfaqje e tillë ishte shumë sfiduese dhe me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha.

“Ka qenë përtej pritshmërive tona, edhe niveli i balerinëve por edhe niveli i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ky balet është sfidë për çdo teatër gjithandej nëpër botë, sigurisht ka qenë një sfidë e madhe edhe për ne, mirëpo jam shumë i lumtur që sonte kemi arritur ta kurorëzojmë në këtë formë para një audience të jashtëzakonshme, me një interesim shumë shumë të madh për shfaqjen Arrëthyesi. Po besoj që edhe duartrokitjet e publikut e treguan që me të vërtetë ky produksion i ka arritur edhe pritshmëritë edhe të atyre që kanë ardhur ta shohin”, tha Kajtazi i entuziazmuar me produktin final të institucionit të cilin ai e drejtonte.

Drejtori Kajtazi më tej tha se rruga për të sjellë shfaqjen deri në premierë, ishte e gjatë me vështirësi e sfida të shumta duke filluar nga mungesa e një salle adekuate.

“Procesi deri te nata finale është përcjell me sfida të shumta. Tashmë  dihet problemi ynë i madh, e i vazhdueshëm me infrastrukturën, jemi munduar të adaptohemi në këtë sallë këtu e cila sigurisht nuk i ka kushtet e teatrit, pra në aspektin e skenografisë kemi qenë të cunguar, sepse nuk kemi pasur mundësi që të vendosim skenografi, kështu na është dashur të përdorim alternativa të tjera. Sfidë po ashtu ka qenë edhe pjesa e kostumeve e cila ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i shfaqjes. Mund të them që ka qenë pjesa më e vështirë e realizuar, sepse ka pasur shumë kostume, pastaj lloji i kostumit që shfaqja kërkon po ashtu ishte shumë sfiduese si për rrobaqepësit ashtu edhe për kostumografen”, tha gjithashtu Kajtazi duke e potencuar edhe punën vetëmohuese të balerinëve, koreografit, asistentes, kostumografes, skenografes për të arritur nivelin e sapo prezantuar para publikut.

Kurse koreografi Ilir Kerni, vendosjen e Arrëthyesit në Baletin Kombëtar të Kosovës e ka quajtur moment historik për kulturën e vendit, e cila njëkohësisht e vendos edhe Prishtinën në nivel me kryeqytetet tjera ku tashmë kjo shfaqje jepet tradicionalisht, në muajin dhjetor me rastin e festave.

“Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gurëthemel në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi. Kjo është hera e parë dhe me të vërtetë ndihem fatlum dhe i lumtur. Nuk mendoj të mbetem në histori, por mendoj që të mbetem si një kujtim i mirë i të gjithë njerëzve që  kam punuar këtu. Historinë ia lëmë të tjerëve, unë jam për të bërë punën time në mënyrën më korrekte më të devotshme dhe më modeste të mundshme”, ka thënë Kerni.

Ai më tutje tha se ndihej jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e balerinëve, duke uruar që rrugëtimin e tyre ta vazhdojnë me po të njëjtin pasion dhe punë, sepse sipas tij është është e vetmja gjë e cila të pajis me autoritet artistik

“Ky është një hap i parë gjigand mendoj unë, dhe pas kësaj çfarë? Sot, shtrohet kjo pyetje pas kësaj çfarë?, në ç’rrugë do të eci Baleti i Kosovës. Shpresoj shumë që ky të jetë një start për më lart, për më tej. Sigurisht që gjithmonë mundet për më shumë, problemi është që të mos ecim mbrapsht”, përfundoi koreografi Kerni.

Ndërsa solistja Jeta Musolli, balerinë e cila e luante rolin e Klarës tha që ndihej e privilegjuar për rolin që i ishte besuar, dhe po ashtu e kënaqur me mbarëvajtjen në tërësi të shfaqjes.

“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku është ndarë i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”, ka deklaruar Musolli duke thënë që për mungesën e shfaqjeve të tilla klasike botërore para publikut, shkak është mungesa e sallës adekuate të përmasave aq sa kërkohen.

“Sa kemi qenë në TKK, kemi pasur një sallë pak më të vogël dhe skena nuk ka qenë e mjaftueshme për ne sepse i ka pasur dimensionet më të vogla. Këtu e bëmë skenën edhe sallën përafërsisht në dimensione të njëjta në mënyrë që të mos kishim probleme, dhe kjo ka ndihmuar shumë, sepse Arrëthyesi është një shfaqje botërore që kërkon shumë njerëz, dhe fatkeqësisht trupa jonë ka një numër të vogël, por që ja arritën ta realizojmë”, tha më tutje  Balerina Musolli.

Ndërsa për dirigjentin Boian Videnoff shfaqja “Arrëthyesi” ishte një premierë e mrekullueshme.

“Është një premierë e mrekullueshme. Është mirë që pas kaq shumë vitesh e keni këtë produksion të baletit për herë të parë. Mendoj se ishte i veçantë për të gjithë. Është një kryevepër. Mendoj se ishte kënaqësi për të gjithë të shohin këtë produksion të plotë të bërë nga valltarët e mrekullueshëm, ishin edhe fëmijët. Kur erdha dje e pashë gjithë këtë hapësirë të mbushur me ta që dukeshin shumë të emocionuar”, tha dirigjenti Videnoff.

Shfaqjen e kishin shijuar shumë edhe balerinët mysafirë që kishin ardhur nga Bullgaria, për të qenë pjesë e shfaqjes “Arrëthyesi”, Marta Petkova dhe Nikola Hadjitanev

“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”, tha balerina Petkova , e cila pati rolin e princeshës Sheqerkë.

Ndërsa balerini Nikola Hadjitanev i cili luajti rolin e princit, tha që trupa e Baletit të Kosovës ka një potencial shumë të madh edhe përkundër mungesës së kushteve.

“Roli im është ai i princit që rritet dhe Klara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi. Ne e kemi luajtur shpesh këtë pjesë, normalisht koreografia ka qenë pak më ndryshe, ndërsa sot e kemi sjellë saktësisht si version origjinal. Është hera e parë në Prishtinë. Mendoj se trupa ka shumë potencial, drejtori Sinani më tha se kjo është një ngjarje e madhe për ta, si diçka që e bëjnë për herë të parë, në këtë sallë që nuk është e duhura për një shfaqje të tillë, por janë munduar të bëjnë më të mirën sa i përket kësaj pjese”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha që gërshetimi i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës paraqesin një moment historik për të realizuar veprën “Arrëthyesi”.

“Shënon një moment pothuajse historik në gërshetimin e dy institucioneve dhe realizimin një vepre madhore aspak të lehtë siç është “Arrëthyesi” i kompozicionit Çajkovski, një balet që realizohet në mbarë botën dhe që vjen për herë të parë para publikut tonë. Ishte një sfidë e jashtëzakonshme për Filharmoninë e Kosovës, një vepër me kërkesa të mëdha teknike, artistike dhe me kohëzgjatje” tha drejtori Jashari duke potencuar që premiera e mbrëmshme do të mbahet në mend, i cili edhe konsiderohet si gurthemel i bashkëpunimit të dy institucioneve, ngjashëm siç ndodh kudo në botë ku teatro të operës dhe baletit që realizojnë shfaqje, ku në të dyja rastet orkestra është ajo që i shoqëron.

Kurse Elikona Hysaj Shala, drejtoresha e Korit të Fëmijëve “Okarina” për pjesëmarrjen e fëmijëve të këtij kori në këtë projekt gjigand është shprehur të jetë shumë emocionuese, për faktin se fëmijët e korit “Okarina” do ta mbajnë në mend gjithë jetën se kanë qenë pjesë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për baletin e Kosovës.

“Kori i Fëmijëve “Okarina” tashmë po merr pjesë pothuajse në të gjitha projektet më me rëndësi në vend, por pjesëmarrja në shfaqjen “Arrëthyesi” ka një rëndësi të madhe edhe për mua si udhëheqëse e korit, por edhe për fëmijët e korit, pasi që patën fatin të jenë pjesë e këtij projekti që ka gërshetuar kaq shumë institucione në një skenë”, ka thënë Hysaj Shala.

Edhe motrat Anna e Ninna Krasniqi, pjesë e korit të fëmijëve “Okarina”  janë shprehur tejet të emocionuara për pjesëmarrjen e tyre në këtë shfaqje, të cilat shfaqjen “Arrëthyesi” e shpjeguan si shfaqjen me më shumë drita, ngjyra e kostume kaq të bukura.

Si solistë në shfaqje ishin: Princesha Sheqerkë- Marta Petkova & Mërgime Morina, Princi- Nikola Hadjitanev & Fatmir Sinani, Clara-Jeta Musolli, Drosselmeyer-Julind Dervishi & Fisnik Smani, Fritz-Muhamet Bikliqi, Arrëthyesi- Sead Buniqi & Isa Beg Gjocaj, Vallëzimi Arab- Leonora Rexhepi,  Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj dhe Erza Limani, Kinezi- Muhamet Bikliqi, Vallëzimi Ukrainas-Sead Vuniqi, Kreshnik Musolli, Isa Beg Gjocaj, DonmirBilalli, Ilir Krasniqi, Mbreti i Minjëve-Ilir Krasniqi.

Përderisa pjesë e trupës së baletit janë: Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Besarta Gashi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Elmedina Berisha, Fatmir Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli Leonora Rexhepi, Liridon Mziu, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha,Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Nora Gashi Piraj, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Teuta Krasniqi, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Erza Limani, Blerta Fanaj dhe Rigon Krasniqi.

Fëmijët të cilët morën pjesë në shfaqje ishin: Jana Përvetica, Erisa Ahmeti, Emy Rose Elshani, Dren Mustafa, Ami Gojani, Sira Rrahmani, Tiara Balaj, Alejna Prizreni dhe Ana Isufi.

Pjesë e stafit bazë me të cilin u realizua shfaqja ishin: Muzika: Pyotr Ilyich Tchaikovsky, Kostumografia:Elva Bella, Realizues i kostumeve: Shemsi Avdiu, Skenografia: Vesa Kraja, Asistent i koreografit:Rovena Shqevi, Fotograf Arben Llapashtica

Edhe sonte po vazhdon të jepet repriza e parë  e shfaqjes “Arrëthyesi”, në sallën AMC./KultPlus.com

Pse arrëthyesit i shohim ngado gjatë Krishtlindjeve?

“Arrëthyesi” është ndoshta baleti më i njohur gjatë periudhës së fundvitit, por po ashtu personazhi i dashur është pjesë e qindra filmave dhe zbukurimeve të Krishtlindjeve.

Por pse arrëthyesit e vegjël janë shndërruar në një dekor të preferuar gjatë festave të fundvitit? Sipas folklorit gjerman, arrëthyesit dhuroheshin si hajmali për t’i sjellë fat familjes dhe për të mbrojtur shtëpinë. Thuhet se përfaqësojnë forcën, fuqinë, kujdeset për familjen dhe mban larg shpirtrat e ligj.

Origjina e tyre vjen nga traditat e lashta të gostive ku arrëthyes fisnikë ishin pjesë të tyre si argëtim gjatë ëmbëlsirës. Kjo sillte biseda të gëzueshme teksa të ftuarit shijonin pjatën e fundit të shoqëruar me arra e lajthi.

Shumë nga dizajnet e mëparshme të arrëthyesve ngjasonin me kafshët, shpendët dhe njerëzit. Forma klasike që njohim sot e cila ngjason me mbretër apo ushtarë nuk u duk deri nga vitet 1600-1700.

Arrëthyesit ishin të famshëm fillimisht në Gjermani dhe krijoheshin në malet Erzgebirge. Në vitin 1892 ata u bënë të njohur në mbarë botën falë debutimit të baletit “Arrëthyesi” që u kompozua nga Çajkovski dhe u vendos në skenën e teatrit të Shën Petërburgut. Ky është edhe momenti nga ne e njohim më së shumti versionin e Krishtlindjeve të arrëthyesit, i cili është kthyer në një simbol të festës./tvklan.al / KultPlus.com