“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” – jehona shqipe në Chopin Piano Fest

Era Berisha

Në skenën ku pianoja është mbretëreshë dhe heshtja pret me durim tingullin, “Chopin Piano Festi” më 5 qershor vazhdoi rrugëtimin e tij si një udhëtim shpirtëror nëpër peizazhet e muzikës klasike. Si çdo vit, edhe këtë herë, festivali nuk i mbyll portat pa i lënë vend shpirtit vendor – një mirënjohje ndaj rrënjës që lind tingullin, shkruan KultPlus.

Në mesin e veprave nga kolosët e muzikës botërore, një melodi shqiptare ngrihet në skenë si një lutje e përbashkët: “Fuga nr. 3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, premierë e një misteri që përsëritet si një jehonë nëpër kohë. Loja në piano shfaqej si dritë që flaket e zbehet duke sjell një gjuhë që flet për tensionin dhe harmoninë e të njëjtës zemër. Në atë lojë, ngulitej një ndjesi e dualitetit — një shpirt i ndarë më dysh, një frymë që kërkon bashkim.

Që nga nata e parë e 8 majit në “Chopin Piano Fest” gjithçka mbetet njësoj – veçse nxehtësia e verës vjen si një instrument i padukshëm që i jep koncertit një intensitet tjetër. Temperaturat rriten, por edhe emocionet. Muzika nuk e njeh kufirin e klimës, ajo djeg e freskon me të njëjtën fuqi. Publiku, ndonëse në nxehtësi, nuk lëviz – është i ngujuar në ndjesinë që ngjall çdo notë, çdo frymëmarrje e interpretuesit.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula.

“Të nderuar të pranishëm, mirë se erdhët në natën e trembëdhjetë të edicionit të 15-të të ‘Chopin Piano Fest’. Jemi të lumtur dhe mirënjohës që, deri më tani, keni qenë me ne – me praninë tuaj, me dashurinë për artin dhe me energjinë që i keni dhënë çdo mbrëmjeje. Sonte, në këtë natë të veçantë, dua t’ju uroj nga zemra Fitër Bajramin, por edhe në skenën tonë sonte kemi një festë tjetër – një festë muzike dhe krenarie. Si çdo vit, kjo mbrëmje i kushtohet solistëve tanë të jashtëzakonshëm shqiptarë, të cilët me përkushtim, mjeshtëri dhe punë të palodhshme, kanë zënë një vend të rëndësishëm në peizazhin e muzikës klasike të vendit tonë. Është nder t’i kemi këtu.”

Ajo tutje ka prezantuar tri dyshet që kapluan mbrëmjen bukur.

Mbrëmja fillon me zërin e kadifenjtë të Ardiana Bytyqi-Ismailit, mexosopranoja që fton dëgjuesin në botën e Brahms, ku çdo notë është si një ëndërr e pamundur që përpiqet të bëhet reale. Andi Duraku në piano është krahu i saj i padukshëm. Së bashku, sjellin “Zigeunerlieder op.103”, këngë me ritme që fluturojnë si flutura mes zjarrit dhe freskisë. Në çdo fjalë të shqiptuar, ndjehet një histori e pashkruar – një shpirt që gjallon në melodinë e vet.

Kur Duraku mbetet vetëm me etydin e Skriabinit, është si një duel i brendshëm me heshtjen. Çdo notë është një nxitje për zemrën të shkojë më shpejt. Tensioni i veprës ndjehet jo vetëm në lojën teknike, por në tensionin e vet trupit që shtyhet deri në kufijtë e qëndrueshmërisë. Publiku nuk duartroket menjëherë – ka një çast reflektimi, sikur duhet të zhbirojnë kuptimin e asaj që sapo dëgjuan.

Pastaj, zëri i Ardianës kthehet për të përshkuar ndjenjat më të buta të Dvořákut – këngë popullore hungareze që tingëllojnë si lutje të shenjta. Ato janë më të qeta, më intime. Një mbrëmje që zbret si hije mbi shpirtin e ditës. Zëri i saj del si një përshpëritje në mes të zemrës dhe të mendjes. Ndjehet një frymë që tund kornizat e shpirtit, e jo vetëm të sallës.

Pastaj, dora-dorës, në skenë ngjiten dy pianiste që flasin me të njëjtën gjuhë – Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi. Katër duar, një frymë, një shpërthim tingujsh që bëjnë vend për Mel Bonis dhe Mozartin. Në lojën e tyre ka një ndjeshmëri që shkon përtej notave. Ka momente kur njëra ndalon për të dëgjuar tjetrën, sikur muzika kërkonte leje për të marrë frymë. E vetë fryma është tingull.

Në mesin e dialogut të katër duarve, një pikë kulmore ishte “Fuga nr. 3” e Rauf Dhomit. Një pjesë hyrëse që rikthehet si një jehonë e përhershme, një kujtim që nuk shlyhet. Loja e dy pianisteve krijon një tension dramatik – njërës i zhvillohet fryma, tjetra tretet në hije. Tingujt ndahen në dy rrugë: njëra më harmonike, e qetë si një pëshpërimë mbi ujë, tjetra më e trazuar, si një zemër që kërkon dalje nga kafazi i partiturës. Aty, vendi gjen zë. Aty, heshtja flet shqip.

Pastaj vjen një dritë klasike, e përjetshme: “Sonata nr.3, d-dur” nga Mozart. E thjeshtë në pamje të parë, por e pasur në thellësi, vepra është një festë e balancës mes seriozitetit dhe gazit. Meloditë ngrihen si petale dhe kthehen si rreze. Temat gëzimore dhe ato dramatike nuk garojnë, por vallëzojnë së bashku – një mozaik që ngjall buzëqeshje të buta e përhumbje të thella. Virtuoze, por me shpirt të ndjeshëm – si vetë gjenialiteti i Mozarit.

Në “Suite en forme de valses” të Bonis-it, emocionet janë të shumëfishta: fillon me një buzëqeshje dhe përfundon me një ngashërim të heshtur. Ka melankoli që nuk të mbyt, por të përqafon. Nëse një ndjenjë mund të kishte formë, ajo do të ishte kjo vepër – e zgjatur, e hijshme dhe me një ngjyrë të lehtë orientale që të fton të harrohesh brenda saj.

Në përmbyllje, një frymë si erë mali del nga flauti i Lejla Beqiri-Vulës. E mbështetur nga Melos Buza në piano, sjell “Sonatën op.94” të Prokofievit. Flauti ngjitet, zbret, endet si një zë që kërkon rrugë përmes pyllit të notave. Herë-herë duket sikur flauti i flet pianos në një dialog sekret, i padukshëm për syrin, por i ndjeshëm për shpirtin. Eleganca e kësaj vepre e bën kohën të zhduket për një çast, të gjitha orët ndalen.

Pianisti Andi Duraku e ka konsideruar veprën e Skriabinit si jashtëzakonisht kërkuese, si në aspektin teknik, ashtu edhe në atë muzikor.

“Është një vepër me kërkesa të mëdha, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë muzikor. Harmonitë janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, ndërsa pjesa teknike kërkon një vëmendje të veçantë – veçanërisht për shkak të dorës së majtë, e cila qëndron në lëvizje të pandërprerë në oktava. Megjithatë, është një vepër që e dua thellësisht dhe për të cilën kam punuar me shumë pasion, me qëllim që ta sjell në skenë ashtu siç e meriton” ka theksuar ai.

Me interpretimin e tij, pianoja u vendos jo vetëm si qendër e shprehjes muzikore, por edhe si partner i ndjeshëm dhe i palëkundur në shoqërim. Duraku ka shtuar se përvoja e interpretimit të këtyre pjesëve në bashkëpunim me solisten ka qenë veçanërisht e veçantë.

“Ky ishte një program që, veçanërisht pjesën e shoqërimit po e interpretoja për herë të parë. Ishte një përvojë shumë e veçantë dhe e kënaqshme të punoja me Ardianën — si gjatë provave, ashtu edhe në koncertin e mbrëmjes. Bashkëpunimi ynë ka qenë i natyrshëm dhe frymëzues.”

Ndërsa, pianistja Alba Muçolli-Dehiri është ndalur te rëndësia e përfshirjes së një vepre shqiptare në repertor, si dhe përzgjedhjen e kompozitores Mel Bonis me vetëdije të plotë artistike e sociale.

“Jemi paraqitur me një program të larmishëm që përfshinte vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Ndër to ishte edhe një vepër premierë nga kompozitori ynë Rauf Dhomi, si dhe një sonatë nga Mozarti dhe dy pjesë nga kompozitorja franceze Mel Bonis. Përfshirja e saj në program nuk ishte rastësore – e kemi zgjedhur me vetëdije, pikërisht sepse është një kompozitore femër, në përkrahje të çështjes së përfaqësimit të grave në muzikën klasike dhe më gjerë, si një formë e vogël rezistence dhe kujtese artistike”, ka thënë ajo.

“Mbrëmja e Solistëve Kosovarë” është një koncert i veçantë që tradicionalisht i kushtohet instrumentistëve të njohur nga Kosova, të cilët me aktivitetin e tyre koncertal dëshmohen si interpretë të shquar të muzikës klasike, në kuadër të Chopin Piano Fest Prishtina.

Këtë herë, publiku artdashës pati mundësinë të përjetojë një program të pasur dhe të larmishëm, interpretuar me ndjeshmëri, virtuozitet dhe elegancë nga Ardiana Bytyqi Ismaili, mezzosoprano, dhe Andi Duraku, piano; Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli, Piano Duo; si dhe Lejla Beqiri Vula, flaut, dhe Melos Buza, piano.

‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 1 koncert të fundit në vazhdim. Nata e 15-të e këtij festivali vjen më datë 9 qershor (nesër) ku do të interpretojë pianisti anglez, Peter Donohoe në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

‘Mua besoj më shpëtoi portreti’ nominohet si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit në Hamburg

Festivali i Filmit të Shkurtër në Hamburg e ka nominuar filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ me regji nga Alban Muja dhe producent Edon Rizvanolli, si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (Europan Film Awards).

Qendra Kinematografike e Kosovës këtë nominim e ka cilësuar një arritje tjetër për filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ i cili premieren boterore pati ne Berlinale.

“Jemi shumë të lumtur të ju njoftojmë që juria e Festivalit të Filmit të Shkurtër në Hamburg e ka nominuar filmin tonë ‘I Believe the Portrait Saved Me’ me regji nga Alban Muja dhe producent Edon Rizvanolli, si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (Europan Film Awards).

Kjo është një arritje tjeter për filmin ‘I Believe the Portrait Saved Me’ i cili premieren boterore pati ne Berlinale”, thuhet në shkrimin e QKK-së.

Ky film prekës 10-minutësh trajton tema të mbijetesës, qëndresës dhe fuqisë transformuese të artit gjatë Luftës së Kosovës.

Njëzet e pesë vjet pas rrëmbimit të tij gjatë Luftës së Kosovës, piktori Skender Muja rrëfen një histori mbijetese të jashtëzakonshme. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, Muja dhe shumë qytetarë shqiptarë nga Mitrovica u kapën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Kosova. Të ndaluar në një shkollë të përshtatur si qendër ndalimi, ata u përballën me frikë, izolim dhe një fat të pasigurt.

I rrëfyer nga vetë Muja, filmi ndërthur reflektimet e tij mbi fuqinë transformuese të artit me rikrijime dramatike të përvojës së tij. “Mua besoj më shpëtoi portreti” është një dëshmi e qëndrueshmërisë, duke ilustruar se si krijimtaria mund të shfaqet si një mjet mbijetese edhe në kushtet më shtypëse.

Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në Prishtinë, në bashkëprodhim me AsfaltFilms nga Amsterdami. / KultPlus.com

Sonte, Opera & Filharmonia e Kosovës sjellin koncertin e shumëpritur me Ermonela Jahon

Sonte, në Prishtinë do të mbahet koncerti organizuar nga Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës, ku do të performojë soprano e mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, përcjell KultPlus.

Ermonela Jaho, një ndër sopranot më të vlerësuara të kohës sonë, ka fituar çmime prestigjioze që dëshmojnë talentin dhe pasionin e saj të jashtëzakonshëm, si:

🏆 Këngëtarja më e Mirë – OPER! AWARDS

🏆 Premios Ópera XXI

🏆 Artistja e Vitit – ICMA

Dhe shumë çmime të tjera që e bëjnë një nga zërat më të çmuar të skenës operistike botërore, duke i dhënë artit një emocion të rrallë e të paharrueshëm.

Koncerti Gala nga Opera e Filharmonia e Kosovës me sopranon Ermonela Jaho, me dirigjimin e maestros Jakopo Sipari di Pescasseroli do të mbahet sonte në ora 20:30,  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./ KultPlus.com

Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve çeli sezonin turistik në Korçë

Korça çeli mbrëmë sezonin veror me edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, një festë e vërtetë në rrugët e qytetit.

Ngjyra, muzikë, maska dhe një energji e jashtëzakonshme përcolli kjo festë në qytetin e Korçës, i cili ishte bërë mbrëmë destinacion i shumë vizitorëve.

Trupa të shumta nga Bullgaria, Polonia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria sollën performanca fantastike dhe maska që e kthyen bulevardin në një skenë të hapur, ku çdo hap ishte ritëm dhe çdo fytyrë një vepër arti.

Qindra qytetarë dhe turistë u bashkuan në këtë atmosferë unike, ku festa dhe kultura u ndërthurën në mënyrën më të bukur.

Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se “Korça e nisi verën me energji dhe gjallëri, duke treguar edhe një herë se është një qytet me plot arsye për t’u vizituar”.

“Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë. Do të vazhdojmë të punojmë për një qytet gjithnjë e më të gjallë dhe mikpritës”, tha Filo.

Dita Botërore e Oqeaneve

Dita Botërore e Oqeaneve, e cila shënohet çdo vit në 8 qershor, është caktuar nga Kombet e Bashkuara për të mbrojtur oqeanet.

Njerëzit në mbarë planetin organizojnë festime për të mbështetur çdo aksion që mbron ujërat. Kjo ditë është caktuar që nga viti 2009 dhe është një rast për të nderuar oqeanet, për të kremtuar produktet që ofron oqeani, për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeanit.

Oqeani ofron rrugët detare botërore të rëndësishme për tregtinë botërore. Ndotja e ujërave dhe shfrytëzimi i tepërt i peshqve ka rezultuar me rënien drastike të numrit të specieve në oqean.

Projekti i Oqeanit, në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Oqeaneve, janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes njerëzore për rolin e oqeanit në jetën tonë, si dhe mënyrat të cilat njeriu mund të ndihmojë.

Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare – pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale, si dhe ngjarjet e aktivitetet e ndryshme, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën tonë./atsh/ KultPlus.com

98 vjet nga lindja e kompozitorit Çesk Zadeja, një nga themeluesit e muzikës klasike shqiptare

Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, në një familje qytetare, shkruan KultPlus.

Mësimet e para i mori në vendin e lindjes, në shkollën françeskane, ku krahas mësimit të përgjithshëm, merr dhe njohuritë e para të muzikës.

Ka qenë anëtar i korit të Kishës Françeskane që drejtohej nga kompozitori i shquar patër Martin Gjoka dhe më vonë nga Filip Mazreku e Prenk Jakova.

Që në vegjëli, në qytetin e lindjes u angazhua në grupet amatore. Shfaqi që herët talentin e tij dhe si nxënës 14-vjeçar studion në Accademia di Santa Cecilia në Romë, Itali, me kompozitorin Umberto Semproni.

Ai ishte i njohur për kompozimet e tij, sikurse “Suita e Veriut”, “Suitë korale”, “Skica simfonike”, Poema vokale” etj, derisa ishte dekoruar edhe me “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Vdiq në Romë, më 15 gusht 1997. /KultPlus.com

Media britanike “Times”: Zbuloni pikat sekrete dhe piktoreske të jugut të Shqipërisë

Plazhet në Rivierën Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të populluara, por nëse shkoni më në brendësi të vendit, do të zbuloni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta, shkruan Laura Sanders në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.

Pothuajse 12 milionë njerëz vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, shumë prej të cilëve u drejtuan drejt Rivierës me premtimin e një pushimi të përballueshëm në plazh.

“Undiscovered Balkans”, një kompani e vogël britanike udhëtimesh e specializuar në aventura të pazakonta, rekomandon ture në grupe të vogla – për të zbuluar disa nga thesaret më pak të njohura të jugut të Shqipërisë.

Laura Sanders – së bashku me “Undiscovered Balkans”, mori pjesë në një tur shtatëditor në jug të Shqipërisë (1,195 paund për person).

U bashkova me turin në maj dhe kalova një javë duke eksploruar qytetet bregdetare – përpara se të zhytesha në brendësi të vendit – ku vizitova vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, notova në ujëvarat e fshehura, qëndrova me fermerë në male dhe lundrova me rafting në një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Ne përfunduam udhëtimin në plazhet me guralecë pa turma vizitorësh, 200 metra mbi nivelin e detit, në një fshat në brigjet e Liqenit të Ohrit.

Mbërrita në Qeparo, një nga fshatrat më të qetë bregdetarë në qarkun e Vlorës, ​​pas një udhëtimi tre-orësh me makinë nga Tirana.

U zgjova me pamje nga Qeparoja e Vjetër, fshati bujqësor në shpatin e kodrës, që zbriste nga mali për të takuar Qeparoin e Ri në bregdet, ku baret e plazhit dhe qendrat e marrjes me qira të varkave po përgatiteshin për sezonin.

Mikpritësja jonë ishte Mirela Kokëdhima – e cila drejtonte bujtinën në fermën e saj në majë të kodrës, diku midis dy Qeparove.

Ajo na shërbeu vezë, djathë dhie, kos, sallatë, ëmbëlsira me çokollatë të bëra në shtëpi, salçiçe dhe kafe turke.

Në këtë fillim sezoni, deti ishte shumë i trazuar për të lundruar me kajak, kështu që e kaluam ditën e parë duke ecur përgjatë bregdetit.

Grupi ynë prej tetë britanikësh, me moshë nga 30-50 vjeç, eci përgjatë shkëmbinjve gëlqerorë karstikë me pamje epike të fshatrave tradicionalë dhe ujërave të kristalta.

Aroma e luleve të egra ndihej kudo dhe zogjtë cicëronin nga degët aty pranë.

Nëntë milje më vonë zbritëm në plazhin e Borshit dhe i zhytëm këmbët e lodhura në ujin e freskët të Jonit, duke shijuar një birrë në dorë.

Të nesërmen iu bashkuam guidës sonë, Alfi Pepaj, për një aventurë piktoreske drejt Gjirokastrës, një qytet i epokës osmane i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Pamja ishte e gjitha fantastike, maja të mbuluara me gjelbërim dhe livadhe të gjera – pa askënd përreth për kilometra të tëra.

Gjatë rrugës, ndaluam në një ujëvarë. Një orë më vonë mbërritëm në Gjirokastër dhe u magjepsëm menjëherë.

Ne u akomoduam në një hotel të stilit osman. Në ditët e sotme, shumica do ta njohin Gjirokastrën për qytetin e saj të vjetër tradicional dhe pazarin, i cili ngjan me Mostarin e Bosnjë-Hercegovinës ose Krujën e Shqipërisë veriore.

Por, qyteti ishte gjithashtu vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit komunist që sundoi Shqipërinë për 40 vjet – deri në vdekjen e tij në vitin 1985.

Kalaja e shekullit XIII, e ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, e Gjirokastrës ofron pamje të gjera të rajonit dhe muret e saj të ftohta prej guri – ofrojnë pushim nga nxehtësia e verës.

Qyteti është shumë i popullarizuar në mesin e turistëve, por çmimet ishin të arsyeshme.

Të nesërmen në mëngjes u nisëm sërish drejt maleve – në një tjetër turne ku na priste një peizazh spektakolar karstik.

Ne udhëtuam përgjatë shtigjeve marramendëse drejt fshatit Hoshtevë në Zagoria, qarku fqinj.

Bëmë disa ndalesa për foto – dhe më pas zbritëm kodrën drejt një kishe fshati të shekullit XII, e cila strehon disa nga afresket dhe ikonat më të ruajtura të Shqipërisë – të cilat i kanë mbijetuar disa luftërave, Perandorisë Osmane dhe diktaturës së Hoxhës.

U kthyem në shtëpinë e mysafirëve – Kristinës dhe Ladi Telos – për një tjetër pushim.

Hëngrëm në verandën e tyre, e cila ishte e zbukuruar me lule, pemë agrume dhe fole dallëndyshesh, asnjë zë nuk dëgjohej në horizont për kilometra të tëra.

Kristina e kishte shndërruar shtëpinë e saj në një shtëpi mysafirësh 12 vjet më parë.

Qëndrimi ynë i radhës ishte në një shtëpi fshati 120-vjeçare të restauruar me pamje nga lugina e Vjosës, ku rrjedh Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Për të arritur atje, udhëtuam me makinë në një shteg shkëmbor, vetëm disa centimetra larg një pjerrësie të pjerrët në disa pika, por ia vlente mundi.

Shtëpia e familjes së Kristaq Cullufe – tani është shndërruar në një Monumet Kulture të kategorise së I.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, familja e Cullufes u kthye nga qyteti i afërt i Përmetit dhe nisi restaurimin e shtëpisë fshatare.

Në dhomën e gjumit në katin e parë ndodhej – një arkë prej druri që nuset shqiptare e mbushnin me gjëra për t’i marrë me vete në shtëpinë e tyre martesore.

Të nesërmen, udhëtuam drejt Liqenit të Ohrit, ndalesa jonë e fundit. Por jo para se të argëtoheshim në Vjosë, duke bërë rafting në ujërat e kristalta dhe duke notuar në natyrë.

I shtrirë në kufirin me Maqedoninë e Veriut, Ohri i mbrojtur nga UNESCO është një nga liqenet më të vjetra të Evropës.

Ne qëndruam në fshatin e qetë të Linit, i cili është një destinacion turistik.

Dita jonë e fundit ishte aktive, duke ecur dhe duke lundruar me kajak në plazhe të izoluara me guralecë në mëngjes dhe pasdite duke përshkuar me biçikletë zonën e liqenit që i takon Shqipërisë.

Udhëtimi i këndshëm prej 12 miljesh na çoi pranë tokave të mbjella dhe bunkerëve të mbuluar me bimësi.

Ndaluam në qytetin e Pogradecit, i cili ka një ndjesi të vërtetë bregdetare britanike: fëmijët qeshnin duke luajtur, aroma e karameleve dhe petullave përhapej në ajër dhe të moshuarit pinin cigare ndërsa luanin shah në shëtitore.

Pogradeci është një qytet turistik që ka gjetur ekuilibrin e duhur në turizëm – i gjallë, por i tejmbushur me vizitorë.

Nëse po kërkoni të përjetoni pushime autentike – me aventura në natyrë dhe trashëgimi kulturore – Shqipëria është vendi ideal. /atsh/ KultPlus.com

‘Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu’

I lindur në vitin 1809, Edgar Allan Poe ishte fëmija i dytë i dy aktorëve Elizabet dhe David Poe. Në vitin 1810, babai i tij braktis familjen. Në vitin 1811, mamaja e tij vdes nga tuberkulozi i mushkërive, duke e lënë jetim. Ky do të jetë fillimi i jetës së tij mizore. Gjatë jetës së tij ai shkroi disa vepra, prozë dhe poezi të cilat edhe sot lexohen me endje, shkruan KultPlus.

Më poshtë po listojmë disa thënie nga veprat e tij:

Beso vetëm gjysmën e asaj që sheh dhe asgjë nga ajo që dëgjon.

E gjithë feja ka dalë thjesht nga mashtrimi, frika, lakmia, imagjinata, dhe poezia.

Gjithçka që ne shohim apo duket është një ëndërr, por brenda një ëndrre.

Bukuria e çfarëdo lloji, në zhvillimin e saj suprem, pa ndryshim e prek shpirtin ndjeshëm deri në lot.

Do të vërtetohet, në fakt, se të zgjuarit janë gjithmonë të çuditshëm, dhe me të vërtetë përfytyrues shumë me tepër se analitikë.

Jeta e vërtetë e njeriut është e lumtur, kryesisht për shkak se ai është gjithnjë në pritje që ajo së shpejti do të jetë kështu.

Shkenca nuk ka mësuar ende nëse çmenduria është apo nuk është madhështi e inteligjencës.

Kufijtë që ndajnë Jetën nga Vdekja janë të paqartë dhe të vagullt. Kush do të thotë se ku e mbaron njëra dhe ku fillon tjetra?

Të përgojuarit e një njeriu të madh është mënyra në të cilën një njeri i vogël mund të arrijë madhështinë.

Ata që ëndërrojnë ditën njohin shumë gjëra që iu shpëtojnë atyre që ëndërrojnë vetëm natën./KultPlus.com

Çelja e sezonit turistik, Filo: Korça mirëpret 15 agjenci turistike

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha sot se Korça mirëpriti 15 agjencitë turistike më aktive në vend.

Në aktivitetin e organizuar me rastin e çeljes së sezonit veror, ku i pranishëm ishte edhe drejtuesi politik i PS për Korçën, Niko Peleshi, si edhe Prefekti i qytetit, Nertil Jole, kryebashkiaku Filo u shpreh se kjo është një mundësi e vyer për të prezantuar nga afër ofertën e pasur të Korçës.

“Natyrë e mrekullueshme, trashëgimi kulturore, gastronomi autentike dhe një kalendar ngjarjesh që e bëjnë Korçën destinacionin e preferuar të verës”, tha ai.

Sipas Filos, bashkëpunimi me profesionistët e turizmit është çelësi për të forcuar promocionin e Korçës dhe për të ndërtuar një zhvillim sa më të qëndrueshëm e gjithëpërfshirës.

“Korça është gati për një sezon veror të jashtëzakonshëm”, u shpreh Filo.

Korça çeli sot sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, një paradë plot ngjyra e aktivitete që dhurojnë një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët.

E njohur për Karnavalet e famshme Korça, e ka shndërruar këtë traditë në një nga festat më të bukura të qytetit. Muzika dhe alegria, i bëjnë karnavalet, ftesën unike korçare për turistët vendas e të huaj.

Nga aktiviteti për mikpritjen e 15 agjencive turistike në Korçë./ KultPlus.com

Barazim pa gola në “Air Albania” në ndeshjen Shqipëri-Serbi

Shqipëria ka marrë vetëm një pikë përballë Serbisë, pasi ndeshja që u zhvillua në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026 përfundoi pa gola.

Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë, që lëvizte topin rrjedhshëm dhe sigurt.

Shqipëria tentoi nga të gjitha anët, por serbët ishin shumë të mbyllur në defanzivë.

Shqipëria është e dyta në Grupin K me katër pikë, pasi Anglisë që ka nëntë, Letonia me tri, Serbia me një dhe Andorra ende pa pikë. / KultPlus.com

“SHBA 2026” – Nis sfida Shqipëri – Serbi

Ka nisur sfida mes Kombëtares shqiptare të futbollit kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo është ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë me tre pikë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 9 pikë pas 3 fitoreve, ndërsa Letonia është e treta me 3 pikë.

Pak minuta para fillimit të sfidës, janë zbuluar formacionet zyrtare, me trajnerët që kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballje. Trajneri Silvinjo i ka shtangur të gjithë me titullarët. Surpriza është Shehu në mesfushë, i cili merr vendin e Ramadanit. Në të djathtë të sulmit, luan Broja, Hoxha në të majtë dhe Manaj në qendër.

FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj.

SERBIA: Petrovic, Pavlovic, Milenkovic, Erakovic, Lukic, Maksimovic, Zivkovic, Terzic, Samardzic, Mitrovic, Vlahovic./ KultPlus.com

Shqipëri – Serbi, publikohen formacionet e ndeshjes

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 6 pikë pas 2 fitoreve, ndërsa letonia është e treta me 3 pikë.

Pak minuta para fillimit të sfidës, janë zbuluar formacionet zyrtare, me trajnerët që kanë zgjedhur titullarët e kësaj përballje. Trajneri Silvinjo i ka shtangur të gjithë me titullarët. Surpriza është Shehu në mesfushë, i cili merr vendin e Ramadanit. Në të djathtë të sulmit, luan Broja, Hoxha në të majtë dhe Manaj në qendër.

FORMACIONET ZYRTARE:
SHQIPËRIA: Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Shehu, Asllani, Laçi; Hoxha, Broja, Manaj.

SERBIA: Petrovic, Pavlovic, Milenkovic, Erakovic, Lukic, Maksimovic, Zivkovic, Terzic, Samardzic, Mitrovic, Vlahovic./ KultPlus.com

DORTMUND, GERMANY – JUNE 15: Players of Albania pose for a team photograph prior to the UEFA EURO 2024 group stage match between Italy and Albania at Football Stadium Dortmund on June 15, 2024 in Dortmund, Germany. (Photo by Michael Regan – UEFA/UEFA via Getty Images)

Shqipëri – Serbi, sfida e zjarrtë për Botërorin, Tirana ‘ndizet’ nga tifozët kuq e zi

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Me Anglinë që shihet si favorite për vendin e parë, Shqipëria dhe Serbia duhet të garojnë për vendin e dytë që të dërgon në play-off për një shans bilete në finalet e Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kuqezinjtë do të duhet patjetër të marrin një fitore kundër Serbisë nëse duam të jemi për herë të parë në një Kupë Bote dhe sot është shansi i madh.

108.55 milionë euro vlejnë në treg futbollistët e Shqipërisë që Sylvinho ka të gatshëm në këtë grumbullim. Më i shtrenjti është Asllani, i cili luan me Interin në Itali me 15 milionë euro në ‘Transfermarkt’, ndjekur nga Broja me 12 milionë euro, Muçi me 11 milionë euro, Gjimshitit me 8 milionë euro dhe Ismajli dhe Nedim Bajrami me 6 milionë euro.

Nga ana tjetër Serbia vlen 245.9 milionë euro sipas ‘Transfermarkt’, pra më shumë se dyfishi i vlerës së Shqipërisë. Emra si Milenkoviҫ, Pavloviҫ, Samardziҫ, Mitroviҫ apo edhe Vlahoviҫ janë yje në Serie A dhe jo vetëm.

Në përditësimin e fundit, Shqipëria mban renditjen e 66-të në FIFA, ndërsa Serbia ndodhet në pozitën e 31-të.

Për këtë sfidë, janë marrë të gjitha masat e e sigurisë me 2 mijë forca policore, anti-dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente, patrullime; si edhe bileta të personalizuara.

Skuadra serbe mbërriti në Tiranë pas mesditës më 6 qershor dhe gjatë gjthë qëndrimit në Tiranë do të ketë një trupë sigurie nga Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA, për të shmangur çdo incident të mundshëm apo shfaqje të pakëndshme jashtë futbollit.

UEFA ka vlerësuar maksimalisht këtë duel duke ia besuar gjykimin një trupe nga Italia me kryesor arbitrin Davide Massa. Si një ndër më të vlerësuarit në Serie A, Massa do ketë ndihmën e Filippo Melit dhe Ciro Carbones, ndërsa arbitër i katërt do jetë Fabio Maresca. Në VAR do jenë Aleandro Di Paolo me ndihmës Daniele Doveri.

Kryesori Massa e ka gjykuar vetëm në një rast Kombëtaren shqiptare. Në datën 16 nëntor 2015 ai vendosi drejtësi në miqësoren midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.

22 mijë zemra kuqezi do të jenë sot në ‘Arenën Kombëtare’ dhe miliona të tjerë kudo ku ka shqiptarë, teksa tifozët kuqezinj kanë mbushur Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Më shumë se 200 mijë ishte numri i kërkesave për të hyrë në stadium, ndërsa në rast të një tri pikëshi për tanët, e sigurt është se Tirana dhe jo vetëm do e gdhijë me festë.

FIFA ka dënuar ekipin tonë pas ndeshjen kundër Moldavisë dhe një pjesë e tribunave pas porte (20 përqind) do mbushet me tifozë të përzgjedhur në luftën kundër diskriminimit. Kujtojmë se në këtë përballje nuk do ketë tifozë serbë në stadium, kjo pasi ata janë të dënuar nga FIFA për ndeshjen e radhës në udhëtim, duel që përkoi ky i Tiranës.

Portieri Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”.

Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni.

Atmosfera kuqezi në Tiranë, Foto: Florian Abazaj/ KultPlus.com

Sopranoja Ermonela Jaho: Kam dhënë shumë për këtë koncert në Kosovë, sikur te ishte koncerti i fundit në jetën time

Vjollca Duraku

Në konferencën e organizuar për media, një ditë para koncertit-gala që do të mbahet në qendër të Prishtinës, sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho ka thënë se ndërtimi i shtëpisë së Operës është një domosdoshmëri për të kanalizuar kapacitetin e artistëve të rinj të Kosovës si dhe për të pasuruar shpirtin e popullit, shkruan KultPlus.

Sopranoja e njohur ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho ka thënë se në Kosovë ka ardhur me një detyrim shpirtëror, moral dhe patriotik për t’i dhënë një shtysë ndërtimi të kësaj shtëpie operistike, e cila konsiderohet jetike për artistët dhe brezat e rinj.

“Jam shumë e lumtur që kthehem përsëri në Kosovë. Pas 12 vitesh ndiej kaq shumë dashuri, ka kaq shumë profesionalizëm, ka kaq shumë energji pozitive, e cilësi. Me këtë koncert dhe gjithë punën që e kemi bërë me artistët, kemi treguar se meritojnë të kenë shtëpinë e tyre, vendin ku ata mund të japin më të mirën, shtëpinë operistike që do të na e kishte zili tërë bota. Pra, një shtëpi operisike për të pasuruar shpirtin e këtij populli. Në këtë periudhë sa kam qenë këtu kam qenë e rrethuar me aq shumë dashuri, me kaq mikpritje që vetëm shqiptarët dijnë të bëjnë. Uroj që kjo që dhamë të gjithë bashku të jetë një ogur i mirë për të ndërtuar shtëpinë e shpirtrave të muzikantëve shqiptarë, që do të kurorëzonte kulturën e Kosovës. Një shtëpi operistike ku do të mblidhte të gjithë këta talentë. Unë pata edhe një takim me artistët e rinj në fakultet. Ishte mbushur salla plotë me shumë dashuri dhe energji, shtrohet pyetja ku do t’i dërgojmë këta artistë. Duhet të ju hapim dyert, dhe dyert e një teatri janë dyert e shpirtit”, ka thënë artistja Jaho.

Sopranoja Jaho ka thënë gjithashtu se angazhimin e saj në Kosovë e ka bërë më me shumë seriozitet nga që do ta bënte për secilin vend të botës, kjo pasi ndien detyrim për të sjellë përvojën e skenave ndërkombëtare dhe motivimin e nevojshëm për brezin e ri të artistëve të kombit të saj.

“E kam marr aq seriozisht, aq seriozisht siç do e merrja në çdo vend të botës, por akoma më seriozisht. Për t’iu thënë brezit të ri: unë flas gjuhën tënde, unë arrita, edhe ti arrin. Të tregoj rrugën në kuptimin e asaj që çfarë kam hequr unë nuk ke pse heq ti. Të tregoj rrugën që të mos humbasësh kohën kot. Kështu që, impenjimi im është aq i madh, nuk jam kursyer asnjë sekondë. Kam dhënë sikur të jetë hera e parë dhe e fundit e jetës time për ti dhënë shpresë një artisti që edhe ti mund të bëhesh, duke ia treguar rrugën. Më besoni është marrë aq seriozisht sa nuk kam marr asnjëherë asnjë gjë në jetën time deri në këtë pikë. Është ekstra mbi atë që kam bërë dhe bëj nëpër botë, këtë ju siguroj”, ka thënë artistja Jajo, duke potencuar që do të rikthehet përsëri në Kosovë për të dhënë kontributin e saj për brezin e ri të artistëve dhe për Institucionin e Operës.

Kurse, dirigjenti maestro Jakopo Sipari di Pescasseroli ka thënë se ndihet shumë i lumtur që do të jetë pjesë e këtij koncerti, për të ndarë skenën me një artiste të madhe si Ermonela Jaho.

“Jam shumë i lumtur të jem këtu me të gjithë ju, specifikisht me soprano Ermonela Jaho. Ky nuk është koncert, por është një eksperiencë sociale dhe emocionale për secilin sepse mendoj që ky koncert është një dhuratë. Ju keni privilegj, për të shijuar muzikën e Ermonela Jaho-s. Është si të ecësh mbi re. Të jepet ndjesia sikur je duke folur me Zotin.  Mendoj që ajo është e vetmja në botë që mund t’i jap secilit ndjesinë që i gjithë njerëzimi është hyjnor.” ka thënë maestro Jakopo Sipari di Pescasseroli.

Ndërsa, Abigeila Voshtina- koncert mjeshtër, ka thënë se Kosova duhet ta ketë sa më parë Teatrin e Operas, në mënyrë që të mos detyrohen artistët e rinj të emigrojnë jasht vendit për të realizuar ëndërrat e tyre, ashtu siç dikur kishte vepruar vetë ajo dhe sopranoja Jaho.

“Ne kemi parë që shqiptarët janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Janë njerëzit më të aftë për tu përshtatur e rregullat e çdo shteti. Ne kemi yje që shndrrisin në çdo fushë të jetës. Dhe nuk shndrrisim në shtëpinë tonë, kjo nuk mund të jetë më e kuptueshme për mua. Dhe këtë e them si një njeri që ka drejtuar institucione, si një njeri që do të vazhdojë të luftojë, sepse janë disa gjëra që bëjnë pjesë te idealet, jo tek pushteti. Dhe idealin e kemi të gjithë. Përndryshe, kjo është një ekspericencë e mrekullueshme që për herë të parë e përjetoj në jetën time, duke interpretuar si instrumentiste me Ermonela Jahon. Është një gjë unike. Ejani të shijoni këtë udhëtim, që do të ngelë brenda shpirtit tuaj, do të jetë një udhëtim që me të vërtetë do të mendoni se pse nuk e kam bërë më përpara këtë gjë”, ka thënë Voshtina.

Ndërkaq, Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj ka thënë se organizimi i këtij koncerti është i një rëndësie të jashtëzakonshme për Operën e Kosovës, si një institucion e cili është në ngritje e sipër.

“Koncerti i datës 8 qershor është jashtëzakonisht domethënës për institucionin e Operës së Kosovës, një institucion i cili akoma nuk është kompletuar dhe ka një rrugëtim të gjatë përpara, për ta plotësuar gjithë organikën e tij, në fakt, aktualisht shumë fragjile e cila krijohet dhe shuhet pothuajse çdo sezone, e që më pas duhet të rikrijohet nga fillimi. Dhe pikërisht tani kemi një prej emrave më të ikonik të skenës operistike. Në këtë fazë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe besoj që do të jetë një shtytje për ta ndërtuar të plotë iinstitucionin”, ka thënë Selimaj.

Kurse, Kryesuesja e Bordit të Operës Rreze Kryeziu tha se prania e Jahos në këtë koncert, e po ashtu edhe ardhja e artistëve të tjerë të kalibrit botëror tregojnë për një të ardhme me qëndrueshmëri të plotë për institucionet e muzikës.

“Faleminderit Ermonea Jahos që ka vendosur Kosovën dhe jo vetëm institucionin e Operës së Kosovës në hartën operistike botërore. Ermonela Jaho na ka dhënë një mundësi tjetër dhe një kthesë tjetër, jo vetëm për komunitetin por për gjithë shoqërinë tonë. Për institucionin e Operës së Kosovës ky është një moment historik. Ardhja e Jahos është një moment historik dhe këtu nuk po flas vetëm për insitucionin ose komunitetin artistik, por edhe në cilësinë e qytetares. Ermonela Jaho nuk është dhe nuk prezanton vetëm një emër të madh botëror, ajo ka dëshmuar që përmes fuqisë ose mishërimit të fuqisë së artit të saj ka tejkaluar kufinjt, ka bashkuar njerëzit dhe këtë po e bën edhe tek ne” ka thënë Kryeziu.


Koncerti gala nga Opera e Kosovës me sopranon Ermonela Jaho dhe  maestron Jakopo Sipari di Pescasseroli do të mbahet nesër në ora 20:30,  në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./ KultPlus.com

Shqipëria, Silvinjo gati me “tredhëmbëshin” kundër Serbisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.

Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.

Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.

Grupi K kryesohet nga Anglia me 6 pikë pas 2 fitoreve, ndërsa letonia është e treta me 3 pikë.

Trajneri Silvinjo nuk e ka bërë të ditur formacionin e kuqezinjve, megjithëse pritet që ai të hedhë në fushë sërish 3 sulmues me Brojën në qendër të sulmit, si dhe Asanin dhe Hoxhën nga krahët.

Formacioni i mundshëm

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli (Ajeti, Kumbulla), Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami (Laçi); Hoxha, Asani, Broja Trajner: Sylvinho/ KultPlus.com

Mbreti i Festivalit të Sanremos, Pippo Baudo mbush sot 89 vjeç

Mbreti i televizionit dhe Festivalit të Sanremos, simboli i ekranit, talenti unik, Pippo Baudo mbush sot 89 vjeç.

Me talentin e tij unik, Pippo zbuloi talente si Heather Parisi, Lorella Cuccarini dhe Beppe Grillo në “Rai”.

Ai drejtoi 13 festivale të Sanremos dhe njihet si drejtori më i madh artistik në historinë e festivalit, dhe një “udhërrëfyes” për Amedeo Sebastiani dhe Carlo Conti që mbërritën në Ariston pas tij.

I lindur në Militello në Val di Catania më 7 qershor 1936, Baudou diplomua në drejtësi, por, i dashuruar me spektaklin, ai u transferua në Romë.

Me dhjetëra e dhjetëra programe, filma, shfaqje teatrale dhe madje edhe pjesë muzikore, Pippo, duke filluar nga vitet 1960, ka qenë në krye të programeve kult si “Settevoci”, “Fantastico”, “Canzonissima”, “Novecento”, “Domenica In”.

Ai është një nga prezantuesit kryesorë në historinë e Rai-t, i cili punoi gjithashtu për “Mediaset” dhe, pavarësisht një karriere kombëtare, nuk e harroi kurrë Siçilinë e tij.

Në Siçili, Pippo hodhi hapat e tij të parë në skenë, një vend që ai gjithmonë e përshkruan si “tokën me një bukuri të pafundme, unike në botë”. / KultPlus.com

Nesër fillon Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT 2025”

Nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, vjen sërish një prej ngjarjeve më të mëdha skenike në rajon dhe më gjerë, Festivali Ndërkombëtar i Monodramës – MONOAKT.

Edicioni i shtatëmbëdhjetë do të mbahet më 08 deri më 13 Qershor në Prishtinë.

Hapja do mbahet në Teatrin Dodona, duke filluar nga ora 19:30.

“Një javë e mbushur me art, emocione të fuqishme dhe performanca të jashtëzakonshme nga artistë të mrekullueshëm nga e gjithë bota”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Screenshot

Policia e Kosovës dhe KFOR-i amerikan me garë miqësore në shah

Në ambientet e Federatës se Shahut te Kosovës është mbajtur gara e shahut në mes ekipit te Policisë se Kosovës dhe KFOR-it amerikan.

Kështu u bë e ditur nga një njoftim i policisë, ku u tha se gara është zhvilluar mes dy ekipeve të përfaqësuara me nga pesë lojtarë, transmeton Klankosova.tv.

“Falënderojmë, KFOR-in amerikan për pjesëmarrje, po ashtu Federatën e Shahut për ndihmën e dhënë në organizimin e kësaj gare”, u shprehë falënderuese Policia e Kosovës.

‘Kam një mall e kam një zjarr’ (VIDEO)

Ajo ishte në skenë për më shumë se 5 dekada, me këngën e saj të lehtë qytetare. Lili, siç e njihnin miqtë kishte punuar edhe në redaksinë e muzikës në Radio Prishtinë, ndërsa pa luftës ajo ka qenë autore dhe moderatore e emisionin “Evergreen” në Radio Kosova.

Lililana Çavolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës kosovare.

Sonte, KultPlus ju sjell ‘Kam një mall e kam një zjarr’, ndër këngët më të njohura e më të dëgjuara të Çavollit. Kjo këngë vazhdon të dëgjohet edhe sot e kësaj dite.

Liliana Çavolli u shqua si artiste e rrallë, e cila pushtoi majat e muzikës zbavitëse, por shkëlqeu edhe në zhanre të tjera. Liliana u lind në Prizren më 5 maj të vitit 1942 nga nënë Miseretja-aktore dhe këngëtare dhe babai Isak Çavolli, mësues.

Po në Shkup Liliana pati paraqitjen e parë në radio pa e ditur se ky ishte hapi i saj i parë në karrierë. Nëna e Lilianës ishte këngëtare dhe një mëngjes e mori si shoqëruese në një paraqitje në radio. Fati përsëri e këtheu në Prizren ku Liliana filloi të hedh shtat si vajzë por edhe si këngëtare. Njëkohësisht ndoqi mësimet e solokëndimit në shkollë të mesme të muzikës dhe u anëtarësua në SH.K.A. “Agimi”. Talenti, zëri dhe puna në Prizren bënë që Liliana të shquhet shpejt si emër premtues.

Këto karakteristika e bënë ardhjen më të lehtë të saj në Radio Prishtinë. Këtu fillon një kapitull tjetër shumë i rëndësishëm për jetën dhe karrierën artistike të Liliana Cavollit. Zëri, si dhuratë nga natyra, dhe dashuria për këngën ishin adutet kryesore të Lilianës që e bënë të admiruar. Por nuk ka munguar edhe mbështetja dhe mirëkuptimi nga kolegët dhe kompozitorët si: Skënder Gjinali, Musa Piperku, Severin Kajtazi, Gjergj Kaqinari, Isak Mucolli etj. ndaj të cilëve Liliana është shumë mirënjohëse. / KultPlus.com

‘Unë s’dua të jem një pemë, unë dua të jem kuptimi i saj’

Rrallëherë më ka ndodhur të kem një libër në dorë e të nënvijëzoj me laps thënie të bukura që kalonin ndonjëherë edhe paragrafë të tërë. Çdo libër i Orhan Pamuk, që nga kryevepra “Muzeu i pafajësisë” që e bëri fitues të çmimit “Nobel” në letërsi, e deri tek vepra të tjera të tij, si “Bora”, “Unë jam e kuqja” etj, më kanë lënë mbresa të veçanta jo vetëm për subjektin që trajtojnë, por edhe për filozofinë dhe thëniet e paharrueshme të këtij autori të madh. Më poshtë mund të lexoni disa nga thëniet më të bukura të tij.

“Dikur lexova një libër dhe e gjithë jeta ime ndryshoi”.

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të mendosh se je duke mbajtur botën”.

“Unë s’dua të jem një pemë. Unë dua të jem kuptimi i saj”.

“Çdo person inteligjent e di se jeta është diçka e bukur dhe qëllimi i saj është të jesh i lumtur”.

“Njerëzit thonë gënjeshtra, vetëm atëherë kur ka diçka që tremben se mund ta humbasin”.

“Kur humbasim njerëzit që duam, nuk duhet t’i shqetësojmë shpirtrat e tyre, të gjallë apo të vdekur. Përkundrazi, duhet të gjejmë ngushëllim në një objekt që na kujton diçka për ta”.

“- Cila është gjëja që pëlqen më shumë tek unë? Çfarë duhet të bëj unë për të më dashur?
– Ji vetvetja, – tha Ipeku”.

“Lumturi do të thotë të jesh pranë personit që dashuron”.

“Jeta nuk ka lidhje me parimet, por me lumturinë”.

“Përpiqu që në fund të jetës, t’i lësh të gjithëve të kuptojnë se jetove një jetë të lumtur”. / Bota.al

Artistë ndërkombëtarë nga 8 qershori vijnë në Prishtinë në “MonoAKT 2025”

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2025”,

Nga 8 deri më 13 qershor në Prishtinë do të mbahet festivali ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2025”.

Ky festival këtë vit shënon edicioni e tij të 17-të, përgjatë një jave, MonoAKT do të sjellë aktivitete të shumta nga artistë të mrekullueshëm nga e gjithë bota.

Festivali MONOAKT 2025 ka disa kategori siç janë:

– Festivali MONOAKT, konkurrencë e monodramave ndërkombëtare;

– Festivali MONoAKT+, kategori i shfaqjeve kamertale jokonkurruese;

– Festivali i MonoSTRIPITIT, kategori studentore e performancës pa tekst;

– Festivali i MonoPERFORMANCES, kategori e aktorëve të rinjë në zhvillim të monoperformancës modern;

Në këtë edicion marrin pjesë artistë nga disa shtete si mysafire, juri, dhe pjesëmarrës të festivalit që vijnë nga Islanda, Gjermania, Ukraina, Greqia, Turqia, Rumania, Bosnje Hercegovina, Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut.

‘Identitete në Telajo’, ekspozita e maturantëve të shkollës artistike ‘Onufri’

Një grup nxnënësish të shkollës artistike “Onufri” në Elbasan çelën ekspozitën me titull “Identitete në Telajo” me punimet e tyre. Në punimet për temën e diplomës ata prezantuan botën e tyre të brendshme përmes emocioneve, ngjyrave dhe formave të ndryshme.

Çdo vepër përtej teknikës dhe estetikës mbart një histori personale. Telajo dhe skulptura janë kthyer në mjete për të shprehur identitetin artistik, kujtimet, ndjesitë dhe ëndrrat e të rinjve.

“Sot ishte një ditë shumë e veçantë për ne, sepse mbyllëm punën e tre viteve, diplomën. Gjatë këtyre viteve kemi evoluar jo vetëm artistikisht, por edhe si individë. Që e vogël kam pasur pasion për pikturën, edhe në kopsht vizatoja gjithmonë. Tani, më kanë pranuar në pesë shkolla në SHBA dhe do të vazhdoj rrugëtimin tim atje”, tha Eklesia Vërcani, maturante e shkollës Artistike “Onufri”

Punimet artistike janë një dëshmi e zhvillimit të talenteve të rinj dhe e vazhdimësisë së traditës së artit në Elbasan, një qytet me rrënjë të thella kulturore.

“Niveli që shohim sot në këto diploma, si në pikturë ashtu edhe në sculpture, ka elementë që vlejnë të zhvillohen më tej, dhe do të vazhdojnë. Nga ky grup prej tetë nxënësish, dy do të ndjekin studimet e larta. Përveçse është një detyrë, kjo ka edhe emocion të madh, sepse krijimtaria është diçka që të prek ndryshe”, tha skulptori Vladimir Caridha.

Ekspozita tërhoqi vëmendjen e turistëve dhe artdashësve elbasanas. Të rinjtë u vlerësuan për talentin dhe përkushtimin e tyre, duke dëshmuar se arti nuk ka moshë, por ka zë dhe ky zë, këtë herë, u dëgjua përmes telajos dhe skulpturës./ euronews.al/ KultPlus.com

Kanafani: Një parim konciz

Ghassan Fayiz Kanafani (1936 – 1972), shkrimtar dhe militant palestinez. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 17 gjuhë. I njohur sidomos për tregimin e tij ‘Kthimi në Haifa’.

Një parim konciz

Nga Ghassan Kanafani

Abd al-Jabbar ishte një filozof dhe që nga fëmijëria kishte vlerësuar jetën në terma të një teorie. Ai kishte formuluar një çështje për vetveten e cila do ta mbante të zënë për një javë të tërë, kaq e thellë ishte mënyra e reflektimit të tij. Enigma ishte kjo: pse njerëzit mbajnë kapele në kokat e tyre dhe këpucë në këmbët e tyre? Herëve të tjera spekulonte mbi atë se pse njerëzit nuk ecin në të katërtat si kafshët, sigurisht një mënyrë shumë më e rehatshme?

Me kalimin e kohës edhe cilësa e reflektimeve të tij përmirësohej, derisa qe në gjendje të bënte bashkë një parim konciz: ‘Meqë njeriu është lindur pa ndonjë këshillim paraprak, pse të mos ketë atëherë lirinë të zgjedhë metodën e fundit të tij?’. Nga kjo premisë, ai procedoi të parimi edhe më konciz se ‘vdekja është shuma e jetës’. Mënyra e tij e të menduarit solli me vete një qetësi që ai e çmonte mbi gjithçka tjetër dhe e parashikonte momentin kur do të fillonte të zgjidhte mënyrën e paramenduar të vdekjes së tij.

Doli se ata që pretendonin se Abd al-Jabbar iu bashkua revolucionit kundër vullnetit të tij nuk janë në dijeni se zgjodhi me dashjen e tij të shkonte te qendra e vullnetarëve, qëndroi para oficerit, i cili ende nuk kishte një uniformë të përshtatshme ushtarake dhe i tha me një zë të thekshëm: “Dua një pushkë që të marr pjesë në revolucion”.

Shumë shpejt ai mësoi se, nëse donte t’i bashkohej revolucionit, duhej të gjente vetë në një mënyrë a një tjetër një pushkë dhe kjo s’do të ishte aspak e lehtë.

“Mund të vdes para se ta gjej një pushkë”, i tha oficerit me zemërim. Mbeti pa fjalë, sidoqoftë, pas përgjigjes së oficerit, e cila ishte e papritur, po prapë përmbante një element të vërtete: “A mos ke ardhur këtu t’i shijosh pushimet dhe pastaj të kthehesh në shtëpi?”.

Në dritën e kësaj pandehme, Abd al-Jabbari konsideroi se filozofia e tij kishte nevojë të modifikohej një çikëz, duke qenë se donte të kishte një parim konciz. ‘Gjëja e rëndësishme’, mendoi ai, ‘nuk është se njeriu vdes dhe rrjedhimisht fisnikërohet, por se ai vetë duhet të gjejë një ide të fisme para se të vdesë!’.

Por bëri vaki ashtu që Abd al-Jabbari ia doli të shtinte në dorë një pushkë pothuajse të re pa u djersitur aq sa ia kishte marrë mendja se lypsej për gjetjen e saj dhe po ashtu pa e aplikuar udhëzimet e tij filozofike në këtë dilemë. Një mëngjesi pas një beteje doli jashtë dhe e gjeti një ushtar të vdekur. Të vdekurit s’i nevojitet pushka, arsyetoi ai, teksa po e kthente trupin e vdekur dhe nxori një pushkë franceze me grykën me thep.

Shokët e tij në barrikada e njihnin Abd al-Jabbarin si “filozofi”. Ushtarët gjenin te filozofia e tij një domethnie të përshtatshme për të justifikuar ngjarjet që ndodhnin aty. Shumica e revolucionarëve ishin të rinj dhe atij ia kishte ëndja të kuptonte se ishte senjori i tyre dhe se autoriteti i tij ishte i mjaftueshëm për t’i bërë bashkë ata pas çdo beteje, ashtu që të mund të përthithnin parimin e tij të ri konciz që kishte të bënte me vdekjen; një filozofi që ndryshonte sipas rrethanave.

Një nate të errët, një fshatar analfabet vdiq dhe para se të binte në barrikadë e shau një lider të caktuar dhe njerëzit e tij. Duke e menduar një elegji të përshtatshme me të cilën do ta vajtonte vdekjen e martirit, Abd al-Jabbari formuloi parimin e tij të ri konciz: ‘Ideja e fisme nuk kërkon mendimin, i nevojitet ndjenja’. Natën e ardhshme, një djalë që kishte ardhur nga barrikadat, me thikën në dorë, për ta sulmuar një ushtar që po zvarritej afër murit, u qëllua në rrugën e tij të kthimit për në strehimore. Si rrjedhojë, Abd al-Jabbar mendoi: ‘Guximi është masa e lojalitetit’.

Abd al-Jabbar ishte i njohur për guximin e tij dhe si rezultat i këtij virtyti oficeri, që më në fund kushte gjetur një uniformë të përshtatshme ushtarake, i kërkoi të bënte një inspektim të portit. Ai besonte se trishtimi i filozofit, fytyra e qetë nuk do të zgjonte dyshime në zemrat e armikut.

Abd al-Jabbari i përshkoi rrugët i paarmatosur. Arriti në port dhe u surollat në qejf, para se të kthehej mbrapa në drejtim të barrikadës së vet. Por kundër çdo pritshmërie, dikush që dikur kishte marrë pjesë në një sulm e njohu; në fillim u kap, pastaj u dorëzua te një oficer i frikësuar, i cili, pasi që e shuplakoi, tha:

“A je revolucionar?”

“Po,”, iu përgjigj Abd al-Jabbari.

“Mor derr!”

“Jo!” iu çor oficerit.

Derisa po e rrihnin pa pikë keqardhjeje, Abd al-Jabbari nuk hoqi dorë nga formulimi i një parimi të ri konciz: ‘Rrahja e një të burgosuri është një shprehje arrogante e frikës.’ Pasi e bloi me mendje këtë, u ndje më rehat.

Derisa Abd al-Jabbari ishte i zhytur në reflektime, oficeri, i nxitur nga mbështetësit e tij më të afërt, arriti tek ajo që ai konsideronte të ishte një përfundim dinak i kësaj situate; një sish që robërit e tyre prapë konsideronin të ishte një formë arrogante e sjelljes që vinte nga frika.

Oficeri iu drejtua: “Ti do të ecësh para nesh deri te barrikada juaj e mallkuar dhe do t’u thuash shokëve të tu të çmendur se ke sjellë një grup të ri revolucionarësh me vete. Paskëtaj, ushtarët e mi do t’ua tregojnë qejfin atyre.”

“Po si i bëhet me mua?” pyeti Abd al-Jabbari.

“Ti do të jesh i nderuar për gjithë jetën tënde,” iu përgjigj oficeri, “ose, në rast se na tradhton, do të vdesësh si qen.” Abd al-Jabbari i tha vetes në heshtje: ‘Tradhtia është një formë e përbuzshme e vdekjes.’

Me kokën lart, Abd al-Jabbari eci para dy kolonave të ushtarëve, grykën e një pushke automatike në ijën e tij. Pak para se të mbërrinin te barrikada, ai e dëgjoi zërin e oficerit të vërshëllejë në errësirë: “Tash!”

Nuk kishte frikë dhe shokët e tij thanë më vonë se nuk shquan asnjë drithmë në zërin e tij, kur briti:

“Jua kam sjellë pesëdhjetë ushtarë.”

Ende nuk kishte vdekur kur shokët e tij vrapuan te vendi ku po dergjej në mesin e trupave të ushtarëve. Me shumë vështirësi, njëri prej tyre e dëgjoi të shqiptonte parimin e tij të fundit konciz: “Nuk ka rëndësi nëse njëri prej nesh vdes. Gjëja e rëndësishme është të vazhdojmë tutje”.

Pastaj vdiq.

/Ghassan Kanafani, “All That’s Left to You: A Novella and Short Stories”, Interlink Publishing Group Incorporated, 2004/ GazetaExpress/ KultPlus.com

AFP: Në Përmet, ku kultivimi i trëndafilave mbretëron në mënyrë supreme

Në Përmet, një qytet i vendosur në Luginën e Vjosës në jug të Shqipërisë, kultivimi i trëndafilave mbretëron në mënyrë supreme, qoftë për të bërë parfume, ujë me aromë apo llokum dhe duke kënaqur kështu mijëra turistë.

“Këtu, gjithçka sillet rreth trëndafilave, këto trëndafila që lëshojnë aromën e tyre, përdoren në gatim ose për vetitë e tyre medicinale… Këtu, jeta është me syze rozë”, buzëqesh Ariana Nikolla, një mësuese biologjie në Përmet.

Që kur ishte fëmijë, kjo grua 57-vjeçare ka krasitur me dorë shkurre me gjemba dhe ka mbledhur me delikatesë petalet e trëndafilit të saj të preferuar, “trëndafilit të dhëndrit”, i quajtur kështu për aromën e tij delikate.

Në Përmet, një qytet me 7 000 banorë, trëndafili është një ritual: ai është dhurata e parë që duhet t’i ofrohet personit që do – dhe duhet të jetë rozë, për të simbolizuar dashurinë dhe besnikërinë.

Ky qytet, ku çdo familje rrit dhjetëra lloje trëndafilash në kopshtet e tyre, përfshirë ”Rosa Damascena” dhe ”Centaurea Rose”, është i njohur në të gjithë Ballkanin për ujin e trëndafilave.

”Megjithatë, është e pamundur ta blesh – do të ishte shumë e shtrenjtë”, shpjegojnë banorët, të cilët ofrojnë vetëm disa pika herë pas here dhe i ruajnë me xhelozi rezervat e tyre.

“Uji i trëndafilave është si dashuria, duhet të kujdesesh për të”, shpjegon Resmie Tuçi, 70 vjeçe.

“Marrja e ujit të trëndafilave me cilësi të lartë është një punë e vështirë dhe e kujdesshme. Kërkon enë speciale – të bëra prej bakri – dhe është gjithashtu thelbësore të njihen trëndafilat dhe të zgjidhen ato me petale më aromatike”, shpjegon kjo grua, duke praktikuar teknika që janë transmetuar brez pas brezi.

Tradita, e transmetuar brez pas brezi, është e listuar në inventarin kombëtar të trashëgimisë kulturore jomateriale: së pari, shtriq një leckë mbi një tas bakri, i cili më pas vendoset në një legen të madh me ujë me fund të sheshtë.

Petalet e trëndafilave të mbledhura me kujdes vendosen mbi copë, pastaj mbulohen me një gur shumë të sheshtë, mbi të cilin vendoset hiri. Petalet e vendosura poshtë ”do të djersiten”, falë kondensimit.

“Një proces që zgjat orë të tëra”, shpjegon Resmia.

“Por, çdo pikë është e çmuar”, thotë Ariana Nikolla me gëzim, duke mbushur një shishe të vogël me ujë trëndafili, të cilin më pas e ruan për disa javë në një vend me diell.

“Aq e çmuar sa ari”, shton ajo.

Çdo familje e përdor atë për përfitimet e supozuara.

Si ilaç për të qetësuar sytë e irrituar, si krem ​​antiinflamator për të ndihmuar në qetësimin e kruajtjes, në gatim e tjerë.

Eftali Qerimi, 63 vjeçe, betohet se ëmbëlsirat turke me bajame dhe ujë trëndafili që ajo pjek në punishten e saj janë të ndryshme nga çdo tjetër.

Duke përdorur vetëm miell bajamesh, sheqer dhe ujë trëndafili, ajo i bën ëmbëlsirat e saj në formën e… një trëndafili, sigurisht, të cilat shënojnë ngjarje të rëndësishme për të gjitha familjet në rajon.

Të konsideruara si hajmali, ato shërbehen për ditëlindje, dasma apo festa për fëmijë.

Me gratë që punojnë në punishten e saj, Eftali Qerimi prodhon deri në 10 kilogramë llokume në ditë, të cilin e shet për 50 euro për kilogram.

Herë pas here, ajo braktis format e trëndafilave për të bërë dy llokume të vogla në formën e këmbëve të foshnjës – një mënyrë tradicionale për t’u uruar të porsalindurve jetë të gjatë.

Midis porcioneve, këto gra ziejnë reçel me petal trëndafili, aroma e të cilit mbush të gjithë punishten.

“Trëndafili është gjithçka për ne, ai simbolizon zemrën, dashurinë dhe gëzimin e jetës”, filozofon Eftalia, për të cilën sezoni sapo ka filluar.

“Turistët po dynden në qytet dhe, pas bukurisë natyrore, ata duan të shijojnë edhe kënaqësitë e tij”, thekson ajo./ atsh/ KultPlus.com