310 herë nën petkun e Violetës, sopranoja Ermonela Jaho portretizohet në Met Opera House

Sopranoja shqiptare e njohur në botë, Ermonela Jaho, së fundmi është portretizuar me rolin e Violetës, në një njërën nga katër pikturat e reja të ekspozuara në MetOpera House, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook sopranoja Jaho ka thënë se ndihet e nderuar që do të jetë pjesë e ekspozitës Gallery Met, pikërisht me rolin të cilin ajo ka arritur në majat si artiste botërore.

“Jam e nderuar të jem pjesë e kësaj ekspozite, portretizuar në rolin sfidues dhe domethënës të Violetës! Faleminderit artistes dhe teatrit per kete feste te vecante per Violeten time te 310, personazhin qe me njohu me boten e mrekullueshme dhe te bukur te Operas!!”, është shprehur sopranoja Jaho në facebook.

Piktura në të cilën është portretizuar sopranoja Jaho është realizuar nga Aliza Nisenbaum dhe është kuruar nga Dodie Kazanjian.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të sopranos Jaho në facebook:

Ermonela Jaho, sopranoja e madhe shqiptare sot ka datëlindjen

Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare ikonë e artit botëror, sot feston ditëlindjen, shkruan KultPlus. Jaho ka lindur në Tiranë,  në vitin 1974. Nga Shqipëria u largua në vitin 1993 për në Itali me një bursë studimi, së cilës më pas iu desh të përpiqej për ëndrrën e ngjitjes në skenë, të cilën ëndërr arriti ta realizonte disa vite më vonë, duke interpretuar përkrah artistëve të mëdhenj në skenat më prestigjioze të botës.

Ermonela Jaho filloi të mësojë për këngën në moshën 6 vjeçare. Pas diplomimit nga Liceu Artistik Jordan Misja, në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Ajo fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës. Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, në Romë.

Jaho fillon të interpretojë në skenë në Bolonja, në rolin e Mimit (La Bohème e Puçinit), në La Fenice, e më pas në rolin e Suzanës (Dasma e Figaros), si edhe në Trieste në rolin e Mikaelës (Karmen). Dalja e saj e parë në skenë jashtë Italisë ishte në festivalin e Weksfordit në Irlandë, ku këndoi operën Safo të Massenet, dhe Vajza e Orleanit të Çajkovskit. Në Gjermani, ajo shfaqet me rolin e Norinës (Don Paskuale) në Mynih. Më pas ajo interpreton përsëri Suzanën në Gjenevë dhe në Francë, në teatrin Kapitol të Tuluzës. Në Shtetet e Bashkuara, ajo paraqitet me Mimin, me Teatrin e Operës Michigan.

Nga viti 2009, karriera e saj e kthen atë në një ikonë arti botërore. Fitoi shpejt sukses nëpër botë, me lavdërime të shumta nga kritikët. Ajo vazhdon të paraqitet me La rondine të Puçinit në Trieste, Karmen në Glyndebourne dhe La Traviata në Lion. Në 2009, ajo vjen si Liù (Turandot) në Filadelfia, Vitellia (La Clémence de Titus) në Avinjon, dhe Ana Bolena në Paris.

Në tetor 2010, ajo duartrokitet në rolin kryesor Thaïs (e kompozitorit Zhyl Masene) në operën e Tulonit. Në prill 2011, ajo luan rolin e Luizës në Luiza Miller e Verdit në operën e Lionit, nën regjinë e David Alden.

Në tetor 2013, ajo këndon në La Vestale (Spontini) në Teatrin e Champs Élysées. Për hapjen e sezonit 2013/2014 në operën e Grand Avignon, ajo risjell rolin e Cio-Cio-San në Madama Butterfly, nën regjinë e Mireille Laroche.

Në shtator 2014, ajo shfaqet si Violeta e Traviatës në Operën Bastille, dhe në tetor vjen me një recitim në sallën Cortot të ‘École Normale de Musique de Paris’, e shoqëruar nga Genc Tukiçi.

Pasi risjell rolin kryesor të Madamës Butterfly ne 2015, në janar 2016, ajo është Desdemona e Othellos (Verdi) në Teatrin e Madh të Liceut në Barcelonë.

Në shkurt 2017, ajo vjen përsëri si Violeta e Traviatës në Sydney Opera House, ku vlerësohet fort në krah të José Carbó (Giorgio Germont) dhe Ho-Yoon Chung (Alfredo Germont).

Ndërsa në vitin 2023, Ermonela Jaho është shpallur ‘Artistja e Vitit në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023’.

Para pak ditësh, Ermonela Jaho ishte e ftuar të interpretonte në koncertin qendror në Paris, për nder të 14 korrikut, Ditës Kombëtare të Francës, në mesin e shumë figurave me peshë, duke e vendosur edhe një herë vulën e ikonës së artit botëror./KultPlus.com

Ministri Çeku uron Ermonela Jahon: Çdo çmim për artistët tanë i jep shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka uruar sopranon e njohur Ermonela Jaho për çmimin “Artiste e vitit” nga “International Classical Music Awards”, duke thënë se çdo çmim që fitojnë artistët shqiptarë janë krenari, shpresë dhe emocion për mbarë kombin, shkruan KultPlus.

Minstri Çeku, duke e ngritur lartë figurën e Ermonela Jahos, ka thënë se për një çmim dhe vlerësim të tillë, çfarë e mori Jaho së fundmi, kërkohet pasion i madh dhe punë maratonike, të cilën ajo e dëshmoi në mënyrë të përkryer.

‘Arti i këndimit kërkon pasion e punë maratonike, ndërsa këtë në mënyrë të përkryer e dëshmoi Ermonela Jaho, e cila së fundi u vlerësua si “Artiste e vitit” nga “International Classical Music Awards”.

Çdo çmim për artistët tanë i jep shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë. Urime dhe shumë suksese tutje!’, thuhet në urimin e Ministrit Çeku./KultPlus.com

“Erdha për të dhënë mësim, por…!”, Ermonela Jaho e zhgënjyer në Opera: Asnjë pedagog e student nga Shqipëria s’kam parë në sallë!

Sopranoja Ermonela Jaho ka ardhur në Tiranë për t’u dhënë mësim në Teatrin e Operas artistëve të rinj por është përballur me një sallë me pak veta ku nuk kishte asnjë fytyrë të njohur.  Asnjë pedagog i pranishëm dhe studentë të ardhur nga jashtë e bëjnë atë të pohojë se nuk ka ardhur të luftojë askënd.

Artistja që mbretëron skenat ndërkombëtare të Operas, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, është në Teatrin e Operas në Tiranë për Akademinë Teatrale, një seri ‘masterclasesh’ për të rinjtë artistë. Ndonëse emri i saj mbush sallat e shfaqjeve e masterklaseve kudo, në Shqipëri ajo është zhgënjyer.

“Po e mbaj e po e mbaj por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, thotë ajo.

Sopranoja Jaho këmbëngul për nevojën e shkëmbimit të përvojës. Pa dashur të imponohet, dhe pa u dorëzuar, ajo jep një mesazh të qartë përmes luftës  personale për të arritur ku është.

“Nuk është personale. Unë vij këtu me një dashuri të pakushtëzuar sepse vë veten në vendin e këtyre artistëve. Dhe t’u jepet një shpresë sepse është e trishtë kur dëgjon që kanë studiuar 10 apo 15 vite dhe nuk janë të konkurueshëm me botën. Shkolla jonë të jep diçka mua më ka dhënë diçka, më vonë unë e kam mësuar me luftë e me torturë, me një sakrificë të madhe kam dalë jashtë ta marr dhe këtë përvojë është detyrimi ynë si artistë ta sjellim këtu. Sepse kemi talente e zëra të bukur, por nuk kanë disiplinë e nuk janë të konkurueshëm. Të paktën të dish e të jesh në gjendje teknike të këndosh një opera 3 orëshe”, u shpreh ajo.

Jaho kujton se masterin e parë e ka bërë në 2015 kur ka vënë re frikën e studentëve.

“I shikoja se vinin me frikën se mos thoshin gjë pedagogët. Ua them me shpirt. Nuk kam ardhur këtu për të kritikuar njëri-tjetrin. Unë vë gurin tim. Më jep dhe ti një gur tëndin të ndërtojmë diçka.”

Në Akademinë teatrale marrin pjesë 12 të rinj, me një pagesë ditore. Thirrja ka qenë e hapur, por nuk ka pasur ftesa personale./Ballkanweb/KultPlus.com