OpenAI refuzon ofertën e blerjes për 97 miliardë dollarë nga Elon Musk

OpenAI ka refuzuar zyrtarisht ofertën prej 97.4 miliardë dollarësh nga Elon Musk për të blerë kompaninë.

“OpenAI nuk është në shitje dhe bordi ka refuzuar njëzëri përpjekjen e fundit të zotit Musk për të prishur konkurrencën e tij,” tha Kryetari i Bordit të OpenAI, Bret Taylor në një deklaratë të postuar në X.

Avokati i OpenAI, William Savitt, në një letër drejtuar avokatit të Musk të premten tha se propozimi “nuk është në interesin më të mirë të misionit të OAI-t dhe refuzohet”.

Një grup investitorësh të udhëhequr nga Elkon Musk bënë ofertën e pakërkuar për OpenAI në fillim të kësaj jave, mes qëllimit të firmës për t’u bërë një entitet fitimprurës.

Miliarderi tha të mërkurën se do të hiqte dorë nga oferta nëse Open AI ndalonte zhvendosjen e saj fitimprurëse.

OpenAI njoftoi planet për të ristrukturuar kompaninë si një korporatë me përfitim publik në fund të dhjetorit. Firma e AI, e cila filloi si një organizatë jofitimprurëse, aktualisht ka një strukturë unike në të cilën organizata jofitimprurëse e saj kontrollon njësinë fitimprurëse.

Musk, i cili ndihmoi në themelimin e OpenAI në vitin 2015, e ka paditur vazhdimisht CEO-n e kompanisë Sam Altman gjatë vitit të kaluar për dyshime se është larguar nga misioni fillestar./KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Një takim jashtëzakonisht i përzemërt dhe i rëndësishëm me delegacionin e kongresistëve amerikanë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike./KultPlus.com

Media amerikane “Seattle Times”: Gjirokastra, destinacioni tendencë për vitin 2025

Sipas raportit të kompanisë amerikane të udhëtimeve “Expedia”, 63% e turistëve do të preferonin të vizitonin destinacione më pak të njohura dhe më pak të mbushura me njerëz në vitin 2025, shkruan Jennifer Allen në një artikull të botuar në të përditshmen amerikane “Seattle Times”.

“Expedia” anketoi 25 000 njerëz nga 19 vende të ndryshme.

Numri i turistëve amerikanë që planifikojnë të vizitojnë destinacionet e njohura këtë vit ka regjistruar një rënie prej 37%, duke i dhënë përparësi qyteteve të vogla evropiane – si “çelësi” për përvoja të reja kulturore të personalizuara.

Janë shfaqur shqetësime për turizmin masiv dhe mbipopullimin e vendeve të njohura të pushimeve.

“Turistët tani kërkojnë qytete të vogla dhe përvoja më autentike”, sipas një raporti të janarit 2025, të “USA Today”.

Dëshira për të zbuluar destinacionet nën radar i ka nxitur turistët të vizitojnë qytetet e vogla evropiane.

 Qytetet e vogla ia vlen t’i vizitoni

Qytetet e vogla në Evropë ofrojnë një kontrast unik me energjinë e gjallë të qyteteve të mëdha.

Ritmi i tyre më i ngadaltë i jetës dhe traditat e ruajtura i bëjnë ato ideale për vizitorët që kërkojnë një përvojë më pak turistike dhe më autentike.

Ritëm më i ngadaltë i jetës

Raporti për tendencat e udhëtimeve zbuloi se 63% e udhëtarëve ka të ngjarë të vizitojnë destinacione më të qeta dhe më pak të mbushura me njerëz në 2025.

Ky ritëm më i ngadaltë i lejon vizitorët të zhyten në atmosferën e qetë dhe të vlerësojnë sharmin e jetës së përditshme që shpesh u mungon qyteteve të mëdha.

“Njerëzit po kërkojnë qytete më të vogla dhe më shumë përvoja autentike lokale” tha Christina Bennett, eksperte e udhëtimeve për “Priceline”, në një raport të vitit 2025 të “USA Today”.

“Turistët duan të shkojnë në vende unike për t’u zhytur në kultura të reja dhe për të krijuar lidhje të reja”, shtoi ajo.

7 qytete të vogla për t’u eksploruar në Evropë

Sipas “Travel + Leisure”, qytetet e vogla janë të mbushura me brigje, fshatra dhe vargmale të Evropës.

Ato ofrojnë bukuri,  kulturë dhe përvoja autentike.

Qytetet e vogla evropiane ofrojnë udhëtime të përsosura ditore, me akomodime brenda natës ose arratisje njëjavore.

Këto qytete te bukura – mund të mos jenë emra të njohur, por ofrojnë përvoja që nuk do t’i harroni kurrë.

Ne rekomandojmë shtatë destinacione evropiane që janë tendencat e reja të udhëtimit në 2025:

Gjirokastra, Shqipëri

Hallstatt, Austri

Bolgheri, Itali

Cesky Krumlov, Republika Çeke

Lavenham, Angli

Staufen im Breisgau, Gjermani

Saint-Genies, Francë

Gjirokastra, Shqipëri

Gjirokastra, e njohur si Qyteti i Gurtë, është një thesar i fshehur në Ballkan.

Arkitektura e saj e epokës otomane, kalaja në majë të kodrës dhe rrugët me kalldrëm ofrojnë një përvojë të pasur kulturore me kosto më të lirë se destinacionet më të famshme.

Qyteti i vogël është gjithashtu një qendër për folklorin shqiptar – ku organizohen shfaqje muzikore tradicionale dhe ekspozohen vepra artizanale.

Festivali Kombëtar Folklorik i Gjirokastrës organizohet çdo vit në tetor, ku mund të ndiqni shfaqje vallëzimi tradicional, të eksploroni zejtarinë vendase dhe të merrni pjesë në seminare shqiptare./atsh/KultPlus.com

Gjon Mili dhe Frank Sinatra

Nga: Kristaq Balli

Frank Sinatra (1915-1998) – këngëtar, aktor dhe producent amerikan, një nga muzikantët dhe artistët muzikorë më popullorë dhe me ndikim të madh në botë në shek. XX. Është një nga shpërndarësit më të mëdhenj muzikorë të të gjitha kohrave, me më shumë se 150 milion regjistrime në të gjithë botën. Ai e filloi karierën e tij muzikore në erën e muzikës “Swing” (ritmike). Fillimisht si amator e improvizues në disa klube e pastaj si profesionist i ri, por i paarsimuar dhe vetëm në sajë të talentit e veshit të tij muzikor. Gjatë viteve 1935-39 Frank Sinatra këndon si pjesëtar i disa grupeve dhe perfeksinon zërin etij, madje edhe regjistron me sukses disa këngë të mirëpritura si “My Buddy”, “It’s Funny to Every But Me, “Ciribiribin”, “Every Day of My Life”, etj.

Më pas (1939-1942) ai u bë këngëtari kryesor i grupit të Tommy Dorsey, me të cilin ai këndoi dhe regjistroi 40 këngë (vetëm vitin e parë) dhe dhjetra të tjera gjatë viteve pasues, si “I’ll Never Smile Again”, “Oh! Look at Me Now”, “Dolores”, “In the Blue of Evening”, “The Song Is You”, “Lamplighter’s Serenade”,etj., me të cilat fama e popullariteti i tij u rritën, duke shënuar një pikë kthese në karierën e tij…( Kelley 1986, p. 67). Kjo e nxiti atë të fillojë të këndojë e inçizohet solo.

U bë shumë i njohur në shoqërinë e lartë amerikane, u takua me Papën në Romë dhe publikoi këngët solo ”You’ll Never Know”, “Close to You”, “Sunday, Monday, or Always”, “People Will Say We’re in Love”, “Dream”, “Saturaday Night”, ”Nancy” etj. (Kelley 1986, p. 568). Ai u konsiderua si fenomeni “Sinatratics”,

“Sinatramania”, “Swoonatra”. Më1942 u quajt “Vokalisti mashkull më popullor në radio”.

Ai ka pasur një aktivitet të gjatë e të suksesshëm në emisionet muzikore të radios (1935) dhe më pas me show televizive (1950).

Albumin e parë “The Voice of Frank Sinatra” e ka realizuar më 1946 (Rojek 2004, p. 43), të dytin “Songs by Sinatra” një vit më vonë, të tretin më 1948 (Granata 2003, pp. 47–48) e kështu me radhë me shumë kompani diskografike botërore.

Vitet 1953-1962 konsiderohen për Frank Sinatrën si nga më produktivet, apo “një fazë e re dhe brilante” (Summers & Swan 2010, p. 188), e mbushur me këngë, koncerte, role në filma, albume e nominime për çmime dhe renditje artistike dhe si “pretendent i pozicionit të padronit (il padrone) në Hollywood. Suksesi i krijimtarisë së tij si këngëtar, showman e producent i siguron atij famën botërore të kontributeve të çmuara muzikore, sidomos për rininë, ndërkohë që revolucioni teknologjik kompjuterik dhe digjital i realizimeve ia shtonin dhe zgjeronin kufijtë e influencës së tij. Më 1970 ai realizoi albumin “Watertown”, më pas presidenti Nikson e angazhoi me këngë në fushatën e dytë presidenciale, më tej, në vitin 1973 botoi albumin “Ol’ Blue Eyes is Back” për të vazhduar turnetë në Amerikë, Europë, Lindjen e Afërt dhe Australi, Brazil, Egjipt, si dhe realizimin e albumit të famshëm “Trilogy: Past, Pesent, Future”.

Koncerti i tij i fundit publik u mbajt në Fukuoka Dome në Japoni, më 1994. Po këtë vit ai u vlerësua me çmimin “Legend Award”.

Angazhimi i Sinatrës në kinematografi i përket viteve 1941-1952, kur ai mori pjesë si aktor në role të ndryshëm kryesorë apo episodikë në filma muzikorë, të tillë si “Las Vegas Night”, 1941, “Higher and Higher”, “Anchors Aweigh, , 1949, “Double Dynamite” (1951), “Guys and Dolls” (me Marlon Brando), 1951, “From Here to Eternity, 1953”, “Young at Heart” , “The Man With The Golden Arm”, (1955), ”The Tender Trap”, ”The Pride and the Passion” (1957), etj., në disa prej të cilëve ai ka fituar apo është nominuar për çmime të rëndësishme kinematografike amerikane e ndërkombëtare. Filmi i fundit i përket vitit 1980, “The First Deadly Sin”, ku ai pati një nga rolet më të arritura të karierës së tij kinematografike.

Emisione e kontribute të vyera i atribuohen Frank Sinatrës si protagonist dhe showman në emisione të shumta televizive të stacioneve të mëdha e të njohura televizive amerikane, ku ai shpërfaqte jo vetëm kontributin e tij si këngëtar, por edhe kapacitetet e tjera artistike e humane në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me sudiot dhe publikun e gjerë të radios e ekranit të vogël.

Gjon Mili e ka shoqëruar karrierën artistike të Frank Sinatras që prej fillimeve të saj (kryesisht kinematografike) – edhe për llogari të revistës Life për të cilën punonte. Si përfaqësuese e fotove të tij për Sinatran konsiderohet një realizim i quajtur nga kritika si portret ekselent – i vitit 1963 gjatë realizimit filmin Come Blow Your Horn. Mili kujton se kur po e fotografonte këngëtarin gjatë një pushimi të kushtëzuar prej dhjetë minutave, “Sinatra më tha me buzagaz teksa pozonte: ‘Dhjetë minutat e tua po mbarojnë’. I thashë: ‘Mua m’u deshën njëmbëdhjetë ditë pritjeje për t’ju kapur … Pra, edhe një minutë të lutem’! Kjo e bëri të qeshte, ashtu siç e kapa në foton për të” (Gj. Mili, Photographs & Recollections, fq. 157)

Portreti artistik dallohet për bukurinë dhe gjuhën e shprehjes kompozicionale origjinale, si dhe për paraqitjen me elementët e ngrohtë e shumë ekspresivë komunikues të fytyrës idolatrike të kohës së artë të aktrimit të tij. Sinatra dallohej për shijen e stilit pamor. Vishej në mënyrë serioze, me veshje të shtrenjta e perfekt – edhe në jetën private edhe në atë profesionale – me egon për t’iu paraqitur audiencës sa më mirë e sa më dinjitoz. Kjo e bënte që të ndjehej i pasur dhe i rëndësishëm. Sytë e tij me ngjyrën blu të thellë i kishin ngjitur epitetin “Ol’ Blue Eyes”. Për kritikun Sanpietro, Sinatra ishte personifikim i Amerikës të viteve 1950 “… kryelartë … optimist”. “E zotëronte ‘forcën e brendshme të madhe’ dhe konsiderohej ‘vigan’” (Jo-Carroll Dennison). Sinatras i atribuohej referimi si “këngëtari më i madh i shek. XX dhe popullariteti i tij u barazua më vonë vetëm nga Elvis Presley, Bitëllsat dhe Michael Jackson.

Pikërisht këto atribute artistike e humane është përpjekur që të evidencojë edhe Gjon Mili në dhjetëra e dhjetëra foto për të, sidomos në fushën e kontributit filmografik, pse jo edhe në atë të veprimtarisë muzikore. /alb-spiritKultPlus.com

Portreti ekselent i Frank Sinatra i realizuar gjatë xhirimit të filmit “Come Blow Your Horn” (foto: Gjon Mili, Nju-Jork, 1962)
Fran Sinatra gjatë xhirimit të filmit “Come Blow Your Horn” (foto: Gjon Mili, Nju-Jork, 1962)
Frank Sinatra dhe Vivian Blaine në një skenë nga filmi “Guys and Dolls” (foto: Gjon Mili, 1955)
Marlon Brando, Jean Simmons, Frank Sinatra dhe Vivian Blaine në një skenë nga filmi “Guys and Dolls” (foto: Gjon Mili)
Frank Sinatra (foto: Gjon Mili, Gjermani, 1962)
Dean Martin, Sammy Davis Jr., Frank Sinatra dhe Jimmy Van Heusen (foto: Gjon Mili, 1962)

Galileo Galilei, babai i Astronomisë moderne dhe një kampion i metodës shkencore

Galileo Galilei ishte një shkencëtar dhe astronom italian i cili konsiderohet si një nga baballarët e astronomisë moderne vëzhguese. I lindur në Piza në vitin 1564, ai filloi karrierën e tij si matematikan dhe fizikant, por ishte puna e tij në astronomi që pati ndikimin më të madh në botën shkencore, shkruan KultPlus.

Galileo ishte një nga shkencëtarët e parë që përdori një teleskop për të studiuar yjet dhe vëzhgimet e tij revolucionarizuan të kuptuarit tonë për universin. Ai zbuloi se Toka nuk ishte qendra e universit, siç besohej në atë kohë, por një nga shumë planetët që rrotullohen rreth diellit. Ky model heliocentrik i sistemit diellor ishte një largim rrënjësor nga besimet tradicionale dhe ndezi një revolucion shkencor që ndryshoi mënyrën se si ne e shohim botën.

Përveç punës së tij në astronomi, Galileo dha një kontribut të rëndësishëm në fushat e fizikës dhe matematikës, dhe ai vlerësohet me zhvillimin e metodës shkencore. Ai ishte një avokat i ashpër për përdorimin e provave empirike në kërkimin shkencor, dhe mendimi i tij inovativ dhe eksperimentimi rigoroz ndihmuan në formësimin e qasjes moderne shkencore.

Galileo ishte gjithashtu një figurë e diskutueshme dhe pikëpamjet e tij mbi natyrën e universit shpesh e vënë atë në kundërshtim me Kishën Katolike. 

Pavarësisht kësaj, ai mbetet një figurë e nderuar në historinë e shkencës dhe kontributet e tij vazhdojnë të njehen edhe sot. /KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese dhe restauruese në Manastirin e Ardenicës

Manastiri i Ardenicës po u nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në kuadër të projektit të restaurimit të Manastirit të Ardenicës do të kryhen ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale; restaurimi i dyshemesë; pastrimi i fugave përgjatë perimetrit të kishës; restaurim-trajtim i strukturës drusore; pastrim i fasadës nga patina biologjike.

Ministri theksoi se punimet do të kryhen kryesisht në konakët e Manastirit.

Manastiri i Ardenicës ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks.

Ky monument përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri i vajit, furra, stalla, etj.

Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi./atsh/KultPlus.com

Fjalimi i rektorit të parë të Universitetit të Prishtinës më 15 shkurt të vitit 1970

Më 18 nëntor të vitit 1969, Kuvendi i KSA të Kosovës, miratoi ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, ndërsa Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt të vitit 1970.

Më 15 shkurt të këtij viti, më saktë dy ditë më vonë u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit për përurimin e Universitetit të Prishtinës. Dita e 15 shkurtit u shpall ditë e Universitetit të Prishtinës. Në këtë Kuvend, u promovua edhe rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, prof.dr. Dervish Rozhaja.

Në Kuvendin solemn me rastin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja tha:

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje historike dhe është një hap kualitativ përpara në progresin e mëtejshëm dhe të gjithanshëm të shoqërisë. Zhvillimi i fuqishëm i shkencës, sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozitën e saj në shoqëri. Në vend të shkencës, si aktivitet i ndarë nga jeta, sot kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës. Në vend të shkencës me të cilën merret një numër i kufizuar personalitetesh, po përhapet gjithnjë e më shumë puna shkencore si veprimtari shoqërore.

Tani po zhvillohen dy procese komparative, të njëkohshme dhe konvergjente; shoqëria po përvetëson gjithnjë e më shumë shkencën si faktor kapital i zhvillimit dhe progresit, e shkenca po kalon gjithnjë e më shumë në duart e shoqërisë. Kërkesat e shoqërisë dhe ndryshimet në karakterin e veprimtarisë shkencore, kushtëzuan që të mos jetë më privilegj shoqëror, por shprehje e domosdoshme e shoqërisë. Shkollimi universitar po bëhet për ngritjen me sistem të kualitetit të procesit mësimor shkencor”, tha ndër të tjera në fjalën e tij solemne rektori i parë i Universitetit të Prishtinës, dr. Dervish Rozhaja.

Prof. Ibrahim Berisha, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në librin e tij “Vdekja e kolonisë” thekson: “Deri në vitin 1986, në Universitetin e Prishtinës doktoruan mbi 300 kandidatë dhe magjistruan 320 të tjerë. Pas lëvizjes studentore në Pranverën e vitit 1981 me të cilën u solidarizuan shqiptarët, dhuna politike dhe policore u shtua ndaj profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe kështu filloi të zhvillohej fushatë e ashpër e diferencimeve, ndëshkimeve dhe përjashtimeve nga puna e kuadrit mësimdhënës dhe të studentëve shqiptarë.

Universiteti i Prishtinës nga organet politike dhe shtetërore të ish-Jugosllavisë, nisi të trajtohet si institucion që prodhon destabilitet dhe armiqësi ndaj shtetit komunist. Në këtë proces të diferencimeve, e drejta për të studiuar iu mohua 568 studentëve shqiptarë. Si masë e domosdoshme për regjistrim në vitin e parë të studimeve ishte ‘dëshmia për cilësitë moralo-politike të studentëve”, thekson ndër të tjera prof. Ibrahim Berisha në librin e tij “Vdekja e kolonisë”.

(Marrë nga profili i Bajram Mjekut) / KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Anna Karenina’ e Tolstoy

KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e Leo Tolstoy, ‘Anna Karenina’.

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com

Kur xhirohej seriali i famshëm “Fidani”, Faruk Begolli në vitet e 80-ta

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë.

KultPlus ka siguruar fotografi të papara deri më tashti, ku shihet Faruk Begolli përgjatë xhirimeve të këtij seriali, ku këto fotografi janë realizuar në banesën e kameramanit Veton Berisha, ku një pjesë e këtij seriali është xhiruar po në banesën e Vetonit./ KultPlus.com

Gati 22 mijë vizitorë në sitet kulturore në Janar

Janari i 2025 tregon se sitet kulturore dhe muzetë nuk njohin sezon, sa i takon vizitueshmërisë. Ato kanë mirëpritur 21.800 vizitorë dhe turistë në muajin që lamë pas.

Të huajt janë ato që vazhdojnë të tregojnë interes për historinë dhe kulturën e vendit tonë. “Shtëpia me Gjethe” është një prej destinacioneve më të frekuentuara në kryeqytet, duke u renditur ndër pesë destinacione kulturore më të vizituara për muajin Janar.

“Jam nga Spanja. Shqipëria më ka impresionuar me historinë dhe kulturën e saj. Është një vend që do ia sugjeroj edhe miqve të mi”.

“Muzeu me gjethe është ndër të parët që vizitoj me miqtë e mi prej të cilëve mësova se Shqipëria ka pasur një nga regjimet më të egra të diktaturës”.

Në muajin që lamë pas, ky muze mirëpriti 2261 vizitore ose 9% më shumë se Janari i 2024.

“70% janë të huaj, 30% janë vizitorë vendas. Italia vijon të mbajë numrin e parë. Në Janar është çuditërisht Turqia në vend të dytë dhe në vend të tretë Anglia”, tha Etleva Demollari, drejtuese e muzeut.

Në vendin e parë si më i vizituar renditet muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë me 4000 vizitorë, ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me mbi 3800, Kalaja e Gjirokastrës me mbi 2800, muzeu “Shtëpia e me Gjethe”, dhe muzeu “Onufri” me 1928 vizitorë./KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje :
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime ?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj./KultPlus.com

Arti dhe kultura në fokus, Bashkia e Durrësit çel thirrjen për projekte për vitin 2025

Promovimi i i artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit, mbetet një nga vizionet e bashkisë së Durrësit, që çdo vit nxitet përmes shpalljes së thirrjeve për projekte përgjatë këtij viti.

Kryebashkiakja e këtij qyteti, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se institucioni që ajo drejton mbetet i angazhuar për promovimin e artit, kulturës, trashëgimisë dhe sportit.

“E udhëhequr nga vizioni për ta shndërruar qytetin në një qendër të rëndësishme kulturore, turistike dhe sportive, shpall Thirrjen për Projekte për vitin 2025. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Komuniteteve Fetare, kjo iniciativë synon të krijojë një mjedis frymëzues dhe mbështetës për komunitetin artistik, kulturor dhe sportiv”, thotë Sako.

Sipas saj, qëllimi i kësaj thirrjeje është gjallërimi i jetës kulturore dhe sportive të qytetit, si dhe nxitja e zhvillimit ekonomik vendor, duke kontribuar në pasurimin e identitetit dhe dinamizmit të Durrësit.

“Thirrja për aplikimin e projekteve kulturore ka për qëllim mbështetjen e projekteve që realizohen brenda territorit të Bashkisë Durrës, përfshirë festivale, inovacione teknologjike për promovimin e trashëgimisë kulturore, promovimin e sportit dhe aktivitetet sportive, në sektorin e industrive krijuese, publikime që lidhen me pasurinë kulturore të Durrësit dhe shumë të tjera. Projektet e pranuara duhet të zbatohen në vitin buxhetor 2025”, thuhet në postimin e Sakos në rrjetet sociale.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit nënvizon se periudha e aplikimit për projektet vijon deri më 25 shkurt 2025, ndërsa aplikimet mund të dorëzohen në formën e printuar pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Bashkisë Durrës ose në adresën e e-mail-it: [email protected]./KultPlus.com

‘Unë kam qenë i bekuar me një jetë të mjerë, kjo është e gjitha’

10 thënie nga Charles Bukowski për të shkruarit.

 “Të shkruash nuk është aspak punë… Dhe kur njerëzit më thonë se sa e dhimbshme është të shkruash, nuk e kuptoj sepse është njësoj si të rrokullisesh nga mali që e njeh. Është çliruese. Është e këndshme. Është një dhuratë dhe paguhesh për atë që dëshiron të bësh.”

“Nëse do të provosh, shko deri në fund. Përndryshe, as mos filloni. Kjo mund të nënkuptojë humbjen e të dashurave, grave, të afërmve e ndoshta edhe të mendjes suaj. Mund të nënkuptojë të mos hani për tre ose katër ditë. Mund të nënkuptojë të ngrihesh në një stol parku. Mund të nënkuptojë burg.”

“Si shkruani, si krijoni?” Jo, u thashë atyre. Ju nuk provoni. Kjo është shumë e rëndësishme: të mos provoni, as për Cadillacs, krijimin apo pavdekësinë. Ju prisni, dhe nëse nuk ndodh asgjë, prisni edhe pak.”

“E dini se çfarë më intereson? Çfarë do të shkruaj nesër mbrëma. Kjo është gjithçka që më intereson, poezia e radhës, vargu tjetër i ndyrë. Ajo që është e kaluara është e kaluar, nuk dua të merrem me të, ta lexoj dhe të luaj me të, dhe të kënaqem me të. Ka ikur, ka përfunduar. Nëse nuk mund të shkruash rreshtin tjetër… Epo, je i vdekur.”

“Unë kam qene i bekuar me një jetë të mjerë, kjo është e gjitha. Një jetë e ndyrë për të shkruar.”

“Jetoni pak dhe blijini vetes një makinë shkrimi.”

“Të mos shkruash nuk është mirë, por të përpiqesh të shkruash kur nuk mundesh është më keq.”

“Shkrimtarët janë njerëz të dëshpëruar dhe kur pushojnë së qeni të dëshpëruar, pushojnë së qeni shkrimtarë”.

Ai pyeti: “Çfarë e bën një njeri shkrimtar?” “Epo,” thashë, “është e thjeshtë. Ose shkruan në letër, ose hidhesh nga një urë.”

“Kur shkruani, fjalët tuaja duhet të shkojnë kështu – Bim! Bim! Bim! Çdo rresht duhet të jetë plot me një lëng të shijshëm, me shije. Duhet të jenë plot pushtet, duhet të të bëjnë të kthesh një faqe.” / Përktheu Taunita Xhukolli / KultPlus.com

Vdes profesori Muhamed Kërveshi

Sot ka vdekur në moshën 90- vjeçare,  profesori universitar Muhamed Kërveshi.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij të cilët kanë njoftuar se Kërveshi ka vdekur pas një sëmundje të shkurtër.

Muhamed Kërveshi lindi në Mitrovicë më 1935. Shkollën fillore e kreu në Pejë, ndërsa gjimnazin në vendlindje. U largua nga Kosova për të studiuar filozofi në Universitetin e Beogradit dhe më pas kreu studimet pasuniversitare në Zagreb. U rikthye në Kosovë, në Prishtinë, ku mbrojti më pas edhe doktoraturën.Ka dhënë mësim në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës./KultPlus.com

Abdurrahman Shala dhe Faruk Begolli në skenat e filmit ‘Era dhe Lisi’ (FOTO)

Në këtë fotografi shihen dy aktorët e mëdhenj Abdurrahman Shala si dhe Faruk Begolli në skenat e filmit “Era dhe Lisi”.

“Era dhe lisi” është një film shqiptar i realizuar nga Kosovafilmi në vitin 1979. Regjisor i këtij filmi ishte Besim Sahatçiu.

Abdurrahman Shala (25 tetor 1922 – 9 mars 1994) ishte aktor, producent, dhe skenarist filmi i gjeneratës së parë në kinematografinë kosovare. U lind në Vushtrri, ndërsa vdiq në Prishtinë. Abdurrahmani punoi si drejtor i parë i studios së parë filmike të Kosovës, të quajtur Kosovafilmi. Ai gjithashtu themeloj dhe udhëhiqi Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës – UAFK deri në vitin 1990.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007. Ai ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë.

Fotografitë në të cilën janë bërë së bashku dy aktorët janë publikuar më parë në :Albanian Vintage Photography, people, city, culture and history./ KultPlus.com

Formacioni origjinal i ‘Black Sabbath’ ribashkohet pas 20 vitesh

Pas një pauze të gjatë, formacioni origjinal i grupit legjendar të heavy metal “Black Sabbath” do të performojë sërish këtë vit.

Grupi do të mbajë koncertin e tyre të parë me formacionin origjinal në 20 vjet, në Birmingham, i cili do të jetë një rikthim në skenë.

Në këtë event special më 5 korrik, anëtarët e grupit Ozzy Osbourne, Tony Iommi, Geezer Butler dhe Bill Ward do të luajnë sërish bashkë.

“Black Sabbath”, pionierët e muzikës heavy metal që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës, u bënë të njohur në mbarë botën për tingujt e tyre të errët dhe të rëndë dhe këngët si “War Pigs”, “Paranoid” dhe “Iron Man” u bënë ikonike.

Pas performancës së tyre të fundit së bashku në vitin 2005, grupi ka performuar në formacione të ndryshme, por jo në formacionin e tyre origjinal.

Përveç Black Sabbath, koncerti do të shfaqë edhe ikona të tjera të muzikës rock dhe metal, duke përfshirë Metallica, Slayer, Pantera, Alice in Chains, Lamb of God dhe Anthrax.

Të gjitha të ardhurat nga ky event do të dhurohen për organizata të ndryshme humanitare./KultPlus.com

‘Ndoshta të dua, ndoshta të dua shumë’

Milan Kundera

Dashuri qesharake

Ndoshta të dua.
Ndoshta të dua shumë.
Por pikërisht për këtë arsye
ndoshta do të jetë më mirë
që të mbetemi ashtu siç jemi.
Ndoshta një burrë dhe një grua
janë më pranë njëri-tjetrit
kur nuk jetojnë bashkë
dhe e dinë se vetëm ekzistojnë,
kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit
vetëm sepse ekzistojnë
dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston.
Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.

Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com

Filmi kinez i animuar thyen rekordin, fiton gati 800 milionë dollarë

Filmi kinez i animuar “Nezha 2” u bë filmi me fitimin më të lartë në vend të enjten, me më shumë se 5.8 miliardë juanë (796.32 milionë dollarë).

Filmi për një djalë mitik me fuqi magjike dhe arte të jashtëzakonshme marciale ka kaluar rekordin e mëparshëm. Ishte filmi “Beteja e Liqenit Changjin”, një epikë e Luftës Koreane e vitit 2021, i shpallur nga platforma e biletave në internet Maoyan.

“Nezha 2” është vazhdimi i hitit të vitit 2019 “Nezha”, i cili është filmi i pestë kinez me fitimet më të larta. Filmi “Nezha 2” ka më shumë se dhjetë ditë që është në ofertë dhe fitimet totale pritet të vazhdojnë të rriten.

Ndër 10 filmat me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Kinë, është vetëm një film hollivudian. “Avengers: Endgame” siguroi vendin e nëntë me fitime prej 4.25 miliardë juanë në vitin 2019./KultPlus.com

Dy artistët Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu lanë gjurmë për të mos u harruar kurrë

Faruk Begolli dhe Bekim Fehmiu edhe pas kaq vitesh vazhdojnë të jenë figura të vlefshme në artin skenik shqiptar dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Bota e artit me këta dy artistë mori kthesë të madhe, duke i bërë kështu gjurmët e tyre të pashlyeshmë në këtë botë aq të veçantë.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë. Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Ndërkaq, si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

KultPlus ju sjell një video kur Bekim Fehmiu e intervistonte Faruk Begollin, një intervistë kjo që e emocionon shumë këtë të fundit, teksa shprehet: Isha i përgatitur për këtë intervistë, por jam shumë i emocionuar që po intervistohem nga një artist siç është Bekimi, thotë ndër të tjera Begolli. / KultPlus.com

Dashnia asht punë

Shkruan: Vlora Konushevci

Dashnia asht punë. M’falni, por dikush duhet me thanë t’vërtetën! S’asht magji, as dramë, as poezi. S’asht dritë që s’shuhet, as natë që rri pezull.

Me dashtë do me thanë me qenë aty, përditë, përnatë. Me e pa tjetrin n’ditët e tij ma t’kqija e mos me ia kthy shpinën. Me pasë durim kur flakët veniten e me i fry gacave, edhe kur fryma t’pakohet. Nganjiherë asht andërr e butë, si lëkura e nji fëmije. Nganjiherë thikë e mprehtë, që hyn thellë e s’del.

Por shpesh herë asht te gjanat e vogla që s’presin duartrokitje. Me ta mbushë telefonin, me ta afru karrikën, me t’i kujtue ilaçet. Asht “A ke hangër?” Se n’fund t’ditës, s’ka randësi sa të mëdha i kemi andrrat, sa fort mundohemi me ia dalë, me punu, me u rrëzu, me u çu prapë.

Dashnia asht ajo që t’i çel sytë n’mëngjes. Nejse. Mue m’i çel sytë aroma e kafes. Pa kafe s’ka send. Dashnia pra, asht edhe kafe!/KultPlus.com

Jeta artistike e Faruk Begollit përmes 15 fotografive (FOTO)

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharm, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jogosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit. / KultPlus.com

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Faruk Begoli u filmu Purise Djordjevica “Podne”

Gjon Mili, artisti vizionar që krijoi imazhet më ikonike të shekullit të 20-të

Sot, në përvjetorin e vdekjes, kujtojmë dhe nderojmë kontributin e fotografit Gjon Mili. Trashëgimia e Milit jeton përmes imazheve të tij mahnitëse dhe ndikimit që ai vazhdon të ketë në botën e fotografisë.

Gjon Mili ishte një fotograf dhe artist shqiptaro-amerikan i njohur për punën e tij novatore në fushën e fotografisë. Ai lindi në Shqipëri në vitin 1904, por familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, ku Mili përfundimisht u bë një figurë e shquar në botën e artit.

Puna e Milit karakterizohej nga përdorimi i dritës dhe lëvizjes, të cilat ai i përdori për të kapur imazhe dinamike që shpesh krahasoheshin me pikturat. Ai punoi për revistën Life për shumë vite dhe ishte i njohur për portretet e tij të artistëve dhe muzikantëve të famshëm, duke përfshirë Pablo Picasso, Duke Ellington dhe Igor Stravinsky.

Mili ishte gjithashtu një pionier në fushën e fotografisë stroboskopike, e cila përfshin përdorimin e një drite strobe për të kapur lëvizjen në një imazh të vetëm. Ai e zhvilloi këtë teknikë në vitet 1940 dhe e përdori atë për të krijuar imazhe mahnitëse të kërcimtarëve dhe atletëve në lëvizje.

Një nga bashkëpunimet më të famshme të Milit ishte me shkencëtarin dhe shpikësin e njohur, Dr. Harold Edgerton. Së bashku, ata zhvilluan një metodë për të fotografuar lëvizjen e një plumbi gjatë fluturimit, të cilën e përdorën për të krijuar një seri imazhesh goditëse.

Mili vazhdoi të punojë si fotograf dhe artist gjatë gjithë jetës së tij dhe puna e tij është ekspozuar në galeri dhe muze në mbarë botën. Ai vdiq në vitin 1984, por puna e tij novatore dhe novator vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë sot fotografët dhe artistët./ KultPlus.com

Tundje Lapsi

Shkruan: Agron Elezi

Tundje Lapsi

Ekranet më kaplojnë me krahët tinëzare
drejt thellësive të horizontit të trazuar
në rrugëtimin tim në kopshtet holograme
në grabitje dhe kafshim të frutës së ndaluar

Nën joshjen e lojërave shkëlqyese të LED-it
në hartën e dëshirave, në thesaret e magjepsura
lëkurat shkëlqejnë, sytë e mi përndjekin
rrengjet e ekstazit
buzët e fshehura

Ah, imazhi i saj, ujëvarë freskie e hatashme
rrëshqet kodrës sime të thepisur, vullkanike
përcjellur me ato klithma të pashmangshme
të epsheve të pangopura
të spërkatjeve magmatike

Flas me pëshpëritje në ëndërr,
në deliri
mbi jastëkun e akullt të moralit, zakonit
çdo rrokje derdhet porsi mjaltë erë-bliri
nga emri i saj
odë e poezive të Erosit

Mbetur mes yjeve, si kometë që sillet vërdallë
me bisht të çmendur, zhveshur dhe eksituar
tundoj mbi planetin e kuq, në vorbullën e përdalë
në dashurinë hileqare në aktin e korruptuar

Por si mund ta grabit një poet yllin?
me fjalë, me ndjenja, me mençuri të egër?
apo të betohet me Dionisin dhe djallin
të kapërcej qiellin
të thyej ekranin.

Janar 2025, Gjilan, Kosovë/KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

“Një takim i frytshëm me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, ku diskutuam mbi zhvillimet e fundit dhe rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka shkruar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore./KultPlus.com