Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u organizua aktiviteti “Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe lexuesve të shkrimtarit të madh.
Në aktivitet u analizua figura e Dritëroit në shumë dimensione. Analiza e profesor Behar Gjokës u përqendrua te proza e shkrimtarit të madh, veçanërisht te romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me top”. Sipas tij, satira te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte rebelim ndaj kohës, ndërsa “Njeriun me top”, e quajti analizë sociale të fshatit, zakoneve të tij, të marrëdhënieve të njeriut me pronën, vatrën familjare, etj.
Studiuesja Rovena Vata foli për poezinë e Dritëro Agollit, larminë e saj, duke veçuar shpirtin e tij lirik që mbizotëron në të gjithë krijimtarinë e tij.
Ndërsa pedagogia Anila Mullahi vlerësoi rëndësinë e krijimtarisë së Agollit, pas viteve ’90, që është pak e analizuar, ndonëse është e konsiderueshme nga pikëpamja sasiore. Madje, ka vepra si “Arka e djallit” që sipas saj, mund të quhen fare mirë, kryevepra./atsh/KultPlus.com
Në raport me Kosovën, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka qenë konsistente. SHBA-ja e konsideron Kosovën si një nga aleatët dhe partnerët e saj. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën. Në pjesën më të madhe, secila qeveri e Kosovës ka qenë e kujdesshme në marrëdhëniet e saj me SHBA-në pa asnjë mosmarrëveshje të madhe në këto marrëdhënie. Jam i bindur se mesazhet nga Uashingtoni gjithmonë janë dhe kanë qenë të qarta në krijimin e një marrëdhënieje edhe më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës…
Tani kur shikojmë në retrospektivë, që kur u bëmë shtet, gjërat kanë evoluuar shumë në drejtim pozitiv, por edhe jo gjithmonë në favor të Kosovës. Jo tërësisht me fajin e diplomacisë sonë, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rënie në angazhimin e SHBA-ve në Ballkan dhe një rikonstruksion të vogël të objektivave të politikave. Në Shtetet e Bashkuara porsa kanë ndodhur ndryshime qeveritare dhe qasja në politikën e jashtme ka ndryshuar dukshëm. Fatmirësisht, politika amerikane ndaj Kosovës duket se nuk do të ndryshojë shumë – fokusimi dhe dedikimi mbetet i njëjtë, prania ushtarake amerikane qëndron pa ndryshim në Kosovë, dhe zyrtarë amerikanë, duke nisur që nga Presidenti i porsazgjedhur Trump e Sekretari i Shtetit Marco Rubio dëshmojnë edhe njëherë se vendi i ri, Kosova, që është konsideruar si “krijesë” e Uashingtonit, është diçka prej së cilës amerikanët nuk heqin dorë, por do të vazhdojnë ta mbështesin, përkundër shqetësimeve për “paparishikueshmërinë” e politikave të Administratës së re dhe përkundër zhgënjimeve të kohëpaskohshme amerikane ndaj veprimeve të caktuara të udhëheqjes politike kosovare. Ka pasur, ndërkaq, një rënie të dukshme të prioriteteve amerikane, si pasojë e rrëshqitjes së interesit më tepër nga anë të ndryshme të gjeopolitikës dhe interesave amerikane – rajoni dhe Kosova përgjithësisht i mbetën më shumë Europës dhe Kosova ka bërë përpjekje që të gjejë vendin e vet në konstelacionin kontinental, duke synuar integrimin veri-atlantik dhe BE-në.
Njëkohësisht, që është e vetëkuptueshme, ka pasur dhe vazhdon të ketë një humbje të “kujtesës institucionale” ndaj Kosovës në Uashington. Shumë zyrtarë amerikanë në pozicionet kyçe të vendimmarrjes, të cilët ishin të përfshirë ngushtë në formulimin dhe zbatimin e politikave të SHBA-së për Kosovën, nuk janë më, të zëvendësuar me brezin e ri të diplomatëve dhe ndërrimet në timonin e Shtëpisë së Bardhë. Edhe shumë nga zyrtarët ekzistues ka gjasa të treten nga pozitat e tyre vendimmarrëse, si rezultat i qarkullimit intensiv në strukturat e shtetit dhe institucione të tjera. Disa nga mësimet që kisha mësuar gjatë qëndrimit tim në Uashington e që shpresoj se do të jetë kuptuar mirë edhe nga diplomacia jonë në Prishtinë e Uashington se angazhimi i tyre kërkon që të jenë të mishëruar në zhvillimin e përditshëm të raporteve, me këmbëngulësinë për të punuar ngushtë me strukturat e vendit që na ka ndihmuar të ngriheshim si shtet dhe që në çdo rrethanë të dëshmojmë se jemi mirënjohës.
Ndërkaq, duhet qenë të vetëdijshëm edhe për disa fakte që kanë parasysh ndryshimet e rëndësishme në politikën e jashtme të Amerikës dhe mundësinë e “shmangies” së Kosovës nga fokusi dhe agjenda amerikane, andaj edhe asaj ndërkombëtare, me intensitetin siç e ka gëzuar pas pavarësisë së saj. Çdo qeveri dhe çdo diplomat yni në Uashington duhet të bëjë çmos për të dëshmuar dhe konfirmuar vazhdimisht se mbështesim interesin zyrtar dhe angazhimin e SHBA-ve në Kosovë dhe se nuk do të ketë shmangie nga agjenda Euro-Atlantike. Mbetet obligim dhe vendosmëri për diplomacinë dhe diplomatët tanë që të dinë se si të jetësohet interesi i vendit përmes ruajtjes së mbështetjes dhe angazhimit zyrtar të SHBA-ve në Kosovë, në një kohë të një konkurrimi gjithnjë më të theksuar nga vendet fqinje për të përfituar vëmendjen e Uashingtonit. Si mund të navigojmë për ruajtjen e raporteve me partnerin më të rëndësishëm për ne, në një kohë kur interesat e Kosovës mund të mos jenë gjithmonë në harmoni me ato të Shteteve të Bashkuara? A guxon Kosova, në të vërtetë, të tëhuajësojë mbështetësin dhe partnerin e vet më të madh që ka pasur ndonjëherë, janë disa nga pyetjet për të cilat duhet të gjejmë përgjigje.
Ndërkaq, gjatë periudhës se pas pavarësisë në raportet Kosovë-SHBA në Kosovë disa gjëra kanë ndryshuar për të mirë, disa kanë mbetur të njëjta dhe disa kanë vajtur për të keq. Në këtë përvjetor të 17-të të pavarësisë së saj, Kosova ka bërë shumë në rrugën e shtetndërtimit të saj. Ajo ka vazhduar përpjekjet për konsolidimin e vet dhe shtrirjen e sovranitetit në veri. Me 116 njohje ndërkombëtare, ajo ka plotësuar legjitimitetin e vet ndërkombëtar, ndonëse ajo ende është në kërkim të pranimit në OKB dhe në disa organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë. Por, ajo edhe ka pësuar edhe nga përthyerje globale, si nga involvimi i pakuptimtë i njerëzve të saj në kauza të huaja, të dëmshme për të dhe perspektivën e saj euro-atlantike. Dhe, mbase edhe do të ketë mësuar nga kjo përvojë. Vendi ynë, Kosova, vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida, por megjithatë në tërësi ka bërë progres.
Herë-herë me ngadalësi dhe jo pa gabime në rrugëtimin e saj, Kosova ka ecur me shumë kujdes, mes detyrimeve ndaj miqve të vet strategjikë dhe definimit të saj gjeopolitik, të përcaktimit të vet të natyrshëm pro-europian dhe properëndimor. Nuk ka pasur ndryshim madhor të kursit të saj gjeopolitik, pos ca joshjeve si pasojë e grishjeve lindore që kanë shkaktuar ca lëkundje në hapjen e saj drejt Lindjes – ndaj asaj prej së cilës shqiptarët, pra edhe Kosova, kanë mësuar të jenë të kujdesshëm për shkak të pësimit shumëshekullor dhe historikisht të pajustifikueshëm. Përvoja e të paktën njëqind-vjetëshit të fundit për të dy anët e kombit shqiptar ka dëshmuar se ideologjia dhe ndikimi lindor kanë qenë fatal për shqiptarët. Postulati i zërave, madje nganjëherë edhe në radhët e diplomacisë kosovare të momentit, se Kosova duhet “baraspeshuar” mes Lindjes e Perëndimit dhe se “duhet bërë politikë me atë që na shfaq miqësi, qoftë nga Lindja, qoftë nga Perëndimi”, duke relativizuar orientimin tonë bazë properëndimor, tërheq Kosovën prapa nga orbita prodemokratike dhe pro-europiane. Një rrëshqitje jashtë binarëve të saj të natyrshëm, do të ishte fatale për Kosovën dhe se përvojat e këqija të pësimit nga mundësia e ftohjes së raporteve dhe izolimit politik do t’i kemi lënë prapa. Kjo thërret për kujdes në çfarëdo hapi të ardhshëm politik në raport me Shtetet e Bashkuara dhe agjendën pro-perëndimore. Shpresojmë se politika jonë e jashtme do të gjejë mënyrë për të tejkaluar çfarëdo sfide në raport me Amerikën (si dhe me partnerët tanë europianë). Nuk po përpiqem të dukem sikur i bie alarmit, por ndonjëherë kam përshtypjen se disa njerëz kyç në Prishtinë e konsiderojnë si “të vetëkuptueshëm dhe të përjetshëm” raportin e mirë me Shtetet e Bashkuara, andaj, duke mos e konsideruar të nevojshme që ta ushqejnë atë vazhdimisht. Perspektiva jonë në këtë sens duhet të jetë shumë e qartë. Vizioni i një politike largpamëse të jashtme të Kosovës, me të gjitha mundësitë e sfidave të mundshme, duhet të ketë si bazë, sërish, “ruajtjen e miqve”, siç ishte gjatë tërë viteve të përpjekjeve të Kosovës për liri e pavarësi para dhe pas jetësimit të shtetësisë së Kosovës. Dhe, mendoj se ky është çelësi dhe baza prej së cilës duhet nisur për çdo veprim tonin diplomatik në raport me Amerikën…/ KultPlus.com
Dy emra të shquar të skenës ndërkombëtare në fushën e baletit, Angelin Preljocaj dhe Erion Kruja, sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dy balete të veçanta: “La Stravaganza” dhe “Intricate Threads of Humanity”. Këto dy vepra artistike vijnë si një eksplorim i përvojës njerëzore, ku baleti bëhet gjuha universale që shpreh ndjenjat, kontrastet dhe kompleksitetin e jetës.
“La Stravaganza”, e cila rivjen në TKOB, është një vepër që ndërthur elementet e traditës me ato të modernitetit. Ajo është krijuar nga Angelin Preljocaj, një nga koreografët më të njohur bashkëkohorë me origjinë shqiptare.
Me një koreografi të fuqishme dhe ekspresive, ky balet eksploron kalimin mes epokave, ndikimin e ndryshimeve kulturore dhe përplasjen mes botës së vjetër dhe asaj të re.
Ndërkohë, koreografi Erion Kruja, një tjetër artist shqiptar me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, sjell premiere absolute në skenën e TKOBAP-së “Intricate Threads of Humanity”, një vepër që zhytet në thellësitë e sjelljes dhe emocioneve njerëzore.
Me një qasje të guximshme ndaj koreografisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj muzikës dhe skenografisë, Erion Kruja do të krijojë një eksperiencë të paharrueshme për publikun.
Këto dy balete do të vijnë për publikun artdashës në datat 24, 25 dhe 27 shkurt./atsh/KultPlus.com
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është vendi i duhur për të zbuluar ikonat dhe domethëniet e tyre, duke u përfshirë në botën e mbinatyrshme.
Aty, artdashësit mund të njihen me rregullat që bota bizantine vendosi për të përcjellë fjalën e saj, figurativisht.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar përmes ciklit “Zbulo ikonën bizantine” publikon vazhdimisht imazhe të ikonave që gjenden në fondin e tij.
Sot MKAM përzgjodhi të publikojë ikonën “Shën Dhimitri” IN 7610, me autor Kostandin Jeromonaku.
Shën Dhimitri ashtu si Shën Gjergji janë ikona që vijnë nga kisha e Shën Kollit në Voskopojë. Ato janë vepra të një cilësie superiore artistike, pikturuar në periudhën kur arti postbizantin në Shqipëri pati një rilindje të dytë me një plejadë artistësh të shquar që pikturuan afreske dhe ikona të lëvizshme.
Ikona është punuar nga Kostandin Jeromonaku, në vitin 1725. Shën Dhimitri, një nga shenjtorët më popullorë, paraqitet mbi kalin e kuq duke vrarë mbretin bullgar, për të mbrojtur qytetin e Selanikut. Bishti i lidhur i kalit tregon rangun e lartë të shenjtit në hierarkinë ushtarake. Figura e Shën Dhimitrit paraqitet në një shkallë disa herë më të madhe në raport me kalorësin tjetër dhe dominon gjithë kompozimin. Ikona është e pasur me detaje të shumta.
Ikonografi ka pikturuar muret rrethuese të qytetit me kishat, ku në pjesën e sipërme shihen shtatë kullat të cilat janë edhe sot në këtë qytet. Paraqitja në mënyrë të stilizuar shfaq mjeshtërinë e lartë të artistit. Poshtë paraqitet deti i dallgëzuar me anijet luftarake.
Shën Dhimitri është shenjti mbrojtës i qytetit të Selanikut dhe kjo paraqitje lidhet me mrekullinë që ai bëri gjatë rrethimit bullgar./atsh/KultPlus.com
Aktorja e Hollywoodit Stella Stevens, e cila luajti bashkë me Elvis Presleyn në filmin “Girls! Girls! Girls!” dhe me Jerry Lewis në “The Nutty Professor”, ka vdekur para dy vitesh në moshën 84-vjeçare.
Ajo mbahet mend edhe për rolin e saj në filmin aksion “The Poseidon Adventure”, raportoi BBC.
Stevens ka punuar edhe në televizion, në seriale si “Murder She Wrote” dhe “Magnum, P.I”.
Stevens fitoi një Golden Globe për debutimin e saj në film në vitin 1959.
Tek “Girls! Girls! Girls!”, duke luajtur përballë Presleyt në vitin 1962, Stevens tha se nuk i pëlqente skenari, por Paramount i tha asaj se ishte e detyruar ta bënte atë sipas kontratës. / KultPlus.com
Ai kujtohet më së shumti për veprat “100 Vjet Vetmi” dhe “Dashuri në Kohën e Kolerës”.
Gabriel Garcia Marquez konsiderohet si shkrimtari më popullor në gjuhën spanjolle që nga Miguel de Cervantesi.
Veprat e tij letrare kanë qenë shkrimet më të shitura në spanjisht, përveç Biblës. Romani i tij epik “100 Vjet Vetmi” është shitur në mbi 50 milionë kopje në 25 gjuhë të ndryshme.
García Márquez fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 për tregimet dhe romanet e tij. Në fjalën e falenderimit kur mori çmimin, ai u shpreh “Amerika Latine është një burim i pashtershëm krijimtarie, dëshpërimi dhe bukurie”.
‘Gabo’ siç thirrej shpesh, pionieri i zhanrit të realizmit magjik i dhanë një perspektivë tërësisht të re letërsisë dhe botës së fjalës së shkruar.
Por puna e tij gjithashtu mbart grimca mençurie rreth dashurisë, luftës dhe jetës, të cilat janë bërë tashmë të përjetshme në veprat “Njëqind vjet vetmi”, Dashuria në kohërat e kolerës, dhe klasikët e tjerë.
Ja disa nga leksionet e “Gabos” përzgjedhur nga librat e tij që do të jetojnë përgjithmonë:
1- Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij.
2- Jeta nuk është ajo që jetojmë, por ajo që ti kujton dhe si e kujton atë.
3- Ai që pret gjatë ka pritshmëri të vogla.
4- Një person nuk vdes kur duhet, por kur mund.
5- Seksi është ngushëllimi kur ju nuk mund të keni dashurinë.
6- Kam zbuluar për kënaqësinë time, se është jeta, jo vdekja, ajo që nuk ka kufij.
7 – Asnjë ilaç nuk mund të shërojë atë që s’mund ta shërojë lumturia.
8- Një burrë e kupton kur plaket, sepse ai nis t’i ngjajë babait të tij.
9- Liria është shpesh viktima e parë e luftës.
10- Mençuria vjen tek ne në atë moment kur nuk na hyn më në punë.
11- Mbetet gjithmonë diçka për t’u dashur.
12- Të gjitha qeniet njerëzore kanë tri jetë: publike, private dhe sekrete.
13- Trillimi u shpik ditën, kur profeti hebre Jonah u kthye në shtëpi dhe i tha gruas se ishte tri ditë me vonesë sepse ishte përtypur nga një balenë.
14- Problemi me martesën është se përfundon çdo natë pas aktit të dashurisë dhe duhet të rindërtohet çdo agim përpara vaktit të mëngjesit.
15– Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.
16- Sekreti i një moshe të madhe nuk është asgjë tjetër përveç një pakti të ndershëm me vetminë.
17- Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalojnë së ndjekuri ëndrrat kur plaken, ata plaken sepse ndalojnë së ndjekuri ëndrrat.
18- Zemra ime ka më shumë dhoma se një bordello.
19- Asgjë nuk e përfaqëson një njeri më shumë sesa mënyra sesi vdes.
20- Jo, nuk jam pasur. Unë jam një njeri i varfër me para, por kjo nuk është e njëjta gjë.
21- Kur një grua vendos të flejë me një burrë, nuk ka asnjë mur që ajo nuk mund të ngjisë, asnjë fortesë që s’mund ta shkatërrojë, asnjë konsideratë morali që ajo nuk do injorojë dhe mbi të gjitha: nuk ka Zot për të cilin t’ia vlejë të shqetësohesh.
22- Thuaji atij po. Edhe nëse po vdes nga frika, edhe nëse do të të vij keq më vonë, sepse çfarëdo që të bësh, do të pendohesh për gjithë jetën nëse thua jo.
23- Në qoftë se Perëndia nuk do të pushonte dielën, do të kishte pasur kohë për të përfunduar botën.
24- Vjen gjithmonë mëngjesi dhe jeta ne na jep prapë mundësi t’i bëjmë gjërat si duhet.
25- Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.
26- E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.
27- Nevoja e ka fytyrën e një qeni.
28- Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.
29- Në gazetari vetëm një fakt i rremë, e vë në dyshim të gjithë punën e bërë, ndërsa në fiksion vetëm një fakt i vërtetë e legjitimon të gjithë punën e bërë
30- Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri./KultPlus.com
Artistja nga Kosova, Shqipe Kamberi edhe po të insistonte nuk do të arrinte të realizonte një koincidencë kaq të bukur për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Një galeri arti në një nga rrugët më të frekuentuara të Brukselit ka emrin Shqip, po sikurse të artistes Shqipe Kamberi, dhe po në këtë galeri, artistja nga Kosova është prezantuar me 15 punime në ekspozitën e saj personale e që hapjen solemne e ka pas më 17 shkurt në Shqip Ville.
Për Shqipe Kamberin kjo paraqitje ka një rëndësi shumë të veçantë, duke mos përjashtuar edhe koincidencën e bukur të emrit. Ajo ka paraqitë portretet e grave nën rrumbullakimin e titullit të ekspozitës “Past and Present”, qasje artistike që paraqet pozitën e gruas në familje e shoqëri në periudha të ndryshme.
Portretizimi i gruas shqiptare në mënyrën artistike të Shqipe Kamberit ka marr vëmendje shumë shpesh nga galeri të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, dhe po këto portrete mbajnë edhe vulën e skenografisë së edicionit të parë të Festivalit të RTK-së, ku skena kryesore e atij edicioni ka pas po portretin e gruas shqiptare të realizuar nga Shqipe Kamberi.
Ndërkohë, ekspozita “Past and Present” që është hapë në Bruksel më 1 shkurt, dhe hapjen solemne e ka pas më 17 shkurt do të rri e hapur deri në fund të këtij muaji.
Ekspozita është organizuar nga MaisonCulturellebeal me udhëheqje të Ledja Canaj, kurse kurator i ekspozitës është Albert Kolgeci./ KultPlus.com
Niko Kazantzakis është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja në shqip.
Niko Kazantzakis ka lindur më 18 shkurt të vitit 1883 në Heraklion të Greqisë nën Perandorinë Osmane dhe e mbylli jetën më 26 tetor të vitit 1957 në Frajburg të Gjermanisë. Është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja.
Nuk ishte shumë i njohur deri më 1964, kur Michael Cacoyannis, realizoi filmin, “Zorba, greku”, bazuar në romanin e tij dhe përkthyer dhe në anglisht me të njëjtin titull. Në fakt dhe para kësaj jo se ishte aq i panjohur.
Më 1946, Shoqëria e Shkrimtarëve Grekë, e rekomandoi atë bashkë me Angelos Sikelianos për Çmimin në Letërsi. Më 1957, ai e humbi çmimin para Albert Camy, për vetëm me një votë.
Më vonë shkrimtari francez do të thoshte me modesti dhe shumë respekt se “Kazantzakis e meritonte njëqind herë më shumë” sesa ai vetë. Më 1957, ndërsa vuante nga leuçemia, bëri dhe një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni.
Por, kur u kthye ishte shumë i sëmurë dhe do të dërgohej menjëherë në Frajburg të Gjermanisë, ku vdiq. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e saj, Presidentja Pirc Musar ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.
Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare./KultPlus.com
Unë nuk jam më ai dashnori i mbushun me pasion Ai i riu, që e bën botën të mahnitet Mjerisht, pranvera e vera ime kanë ikur tashma Dhe s’kanë lanë asnjë gjurmë.
Kupid, ti perëndi i rinisë, dashnisë e vyrtytit! Unë kam qenë shërbëtori yt i bindun Oh, nëse kisha mujt me rilind prapë e me të shërby ty Kisha me të shpërby edhe me ma shumë pasion e zjarr!
Naim Frashëri (Leskovik, 15 gusht 1923 – Tiranë, 18 shkurt 1975) ka qenë aktor i njohur shqiptar.
Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme.
Disa prej roleve janë: Valeri në “Tartufi”, Smithi në “Çështja ruse”, Gjoni “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi “Familja e peshkatarit”, gjenberali “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, Leka “Përkolgjinajt”, Nikolla “Armiqtë”, Sasha Ribakov “Orët e Kremlinit”, Lubeni “Proçesi i Lajpcigut”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hauardi “Rrënjët e thella”, Hamleti “Hamleti”, Jonuz Bruga “Familja e Peshkatarit”. Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80 dhe i fundit i tij.
Ndërsa sa i përketë kinematografisë ai ka interpretuar në filmat: Gjurma – (1970), Plagë të vjetra – (1968), Ngadhnjim mbi vdekjen (1967), Fortuna (1959), Qamili (dokumentar), Tana – (1958), Fëmijët e saj – (1957), Skënderbeu – (1953).
Në filmin “Tana” në të cilin ndan rolet kryesore me Tinka Kurtin, shkëmbyen edhe puthjen e parë në kinematografinë shqiptare.
Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme, ndër të cilët janë urdhëri i lartë “Hero i punës socialiste” dhe titulli “Artist i Popullit”. Ai mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar.
Ai ka vdekur më 18 shkurt 1975 në Tiranë./ KultPlus.com
Qyteti i Shkodrës është në periudhën e tij më magjike, atë të karnavaleve. Prej ditës së djeshme në Shkodër kanë nisur paradat të cilat ia shtojnë gjallërinë edhe Kalasë së Rozafës, ku mes legjendave dhe mureve të lashta të rinjtë e të rejat e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje të një qyteti që feston me ngjyra, traditë dhe shpirt artistik.
“Këtë vit, mjeshtëria e artizanatit vjen në duart e studentëve të rinj të shkollës profesionale “Hamdi Bushati”, të cilët me pasion dhe kreativitet po rikthejnë në jetë kostumet dhe maskat e dikurshme”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ministri i konsideroi karnavalet, një trashëgimi që vijon të jetojë, falë duarve të talentuara të këtyre të rinjve.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës nisën dje dhe do të vijojnë deri më 23 shkurt.
Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit. Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/KultPlus.com
Kel Kodheli (Shkodër, 24 tetor 1918 – Tiranë, 18 shkurt 2006) ka qenë piktor shqiptar, i brezit që u formua në akademitë italiane në vitet ’40 të shekullit XX.
Familja e tij më 1925 vendoset në Tiranë dhe Keli i ri kryeu shkollën teknike amerikane “Harri Fullz”. Njëkohësisht Kodheli ndiqte kurset e vizatimti pranë shkollës së vizatimit. Ishte student për pikturë në ateljenë e akademikut C.Siviero dhe D’amato në Institutin e Arteve të Bukura në Romë (1939 – 1943).
Me kthimin në Tiranë Kodheli caktohet në Bankën e Shtetit Shqiptar si piktor i kartmonedhave. Për shumë vjet ishte pedagog në liceun artistik “Jordan Misja”,Tiranë dhe më tej emërohet mësues i thjeshtë vizatimi në shkollat 7 vjeçare deri sa doli në pension. Që student vlerësoi delikatesën e dritës së natyrës në raport me portretin. Në vitin 1942, fitoi çmimin e parë në Konkursin e studentëve (Firence) me figurën e një vajze me veshje tradicionale italiane.
Kodheli gjatë qëndrimit në Itali, ndikohet nga arti i Ticianit, por kur kthehet në Shqipëri ai tërhiqet nga natyra dhe jeta e zonave të veriut të Shqipërisë dhe pjesën më të madhe të veprave ia kushtoi peizazheve nga këto zona, zakoneve e jetës së malësorëve.
Artisti Kodheli ishte portretist dhe ka cikle të plota veprash me portrete të ndryshëm (gra, vajza dhe burra me veshje kombëtare) gjithmonë realiste. Në këto punime mbizotëron drita e fuqishme e diellit dhe spikat dukshëm një paletë piktorike me prirje impresioniste.
Pas piktorit Simon Rrota, që trajtoi kryesisht figurat e grave shkodrane me veshje të ndryshme tradicionale, Kel Kodheli është ndër të pakët piktorë shqiptarë që krijimtarinë e tij ia kushtoi kësaj teme.
Në portretet e tij, Kodheli zbuloi psikologjinë e femrës shqiptare të kohës nën një këndvështrim tjetër, të papolitizuar, por të “zbukuruar” nga dashuria e tij për njeriun dhe veshjet kombëtare. Tablotë e Kodhelit janë më pak të “prekura” nga “arti i komanduar”, ai ka realizuar kryesisht tablo historike dhe galeri të tëra portretesh nga populli, luftëtarë popullorë dhe tablo nga jeta dhe zakonet e festave tradicionale.
Kodheli njihet dhe për pastelet e tij, ku spikat kryesisht drita e fortë e diellit, delikatesa në trajtimin e formës dhe një paletë shumëngjyrëshe. Artisti Kodheli ishte pjesëmarrës në ekspozitën e parë të pasluftës (prill 1945) dhe i pranishëm në të gjitha konkurset, ekspozitat kombëtare dhe ndërkombëtare (Evropë dhe Australi). Piktori në vitet e fundit të jetës pikturoi natyra të qeta dhe nudo kryesisht në pastel.
Në vitin 2003 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndodhen tridhjetërdy punime të artistit, ndërsa katër punime të mjeshtrit Kel Kodheli ruhen edhe në Galerinë e Arteve, në qytetin e Shkodrës si dhe një koleksion i rëndësishëm ruhet në studion e artistit nga familjarët e tij.
Pikturat e tij më të njohura janë: “Vallja e shpatave”, “Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”, “Lahutari”, “Portret shkodraneje”, “Kthimi”, “Gruaja që i ka vdekur burri” (Nëna e dëshmorit)./ KultPlus.com
Mikelanxhelo Buonaroti (Michelangelo Buonarroti) (Caprese, 6 mars 1475 – Romë, 18 shkurt 1564) ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet italian. Protagonist i Rilindjes italiane, i vlerësuar që në kohën e tij si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Qe në tërësi një artist sa gjenial po aq dhe i trazuar. Emri i tij është i lidhur me një sërë veprash që janë futur në historinë e artit, disa prej të cilave të njohura në gjithë botën si ndër më të rëndësishmet e artit perëndimor: Davidi, Pietà-ja vatikanase, Kupola e Shën Pjetrit si dhe cikli i afreskëve në Cappella Sistina konsiderohen maja të pakapërcyeshme të gjenisë krijuese.
Studimi i veprave të tij formoi gjeneratat pasuese, duke i dhënë jetë një shkolle që bëri art “alla sua maniera” (që do të thotë “sipas mënyrës së tij”) dhe që mori emrin manierizëm.
**** Mikelanxheloja i tregoi një piktori një tablo që e kishte bërë duke marrë fragmente nga veprat e të tjerëve dhe i tha:
– Vështroni mirë e me gjykim të ftohtë. Po të marrë secili pjesën e tij, nuk do të mbetet veçse pëlhura.
**** Mikelanxhelo kishte përfunduar Davidin e tij madhështor, të cilin po e çonte në qendër të qytetit dhe po udhëzonte njerëzit për ta vendosur në vendin e caktuar. Aty pranë kaloi Pier Soderini, i cili ishte shumë i dëgjuar i asaj kohe në fushën e artit. Ai u ndal për ta vështruar veprën madhore të Mikelanxhelos. Pasi e pa skulpturën lart në podium, i vajti pranë autorit dhe i tha:
-Hunda e shtatores duket tepër e madhe në raport me komponentët e tjerë anatomik të imazhit të jetësuar të Davidit, nënshtruesit Golias së frikshëm. Atëherë Mikelanxhelo pa e prishur terezinë dhe duke shfaqur një lloj bindjeje për “vërejtjen” e bërë nga kolegu, rrëmbeu fshehurazi një grusht pluhur mermeri te këmbët e statujës dhe menjëherë mori daltën dhe bëri sikur po e gdhendte me kujdes duke derdhur nga pluhuri i marrë. Pastaj i hodhi sytë poshtë nga Soderini dhe i tha:
– Vështrojeni mirë tani, duket më mirë apo jo?
– Po, tha preraz ai. Më pëlqen më shumë kështu, – i tha Soderini – i dhe me të vërtetë jetë, plotësoi ai.
**** Një ditë Mikelanxhoja shkoi te Papa JuIi II. Roja e ndaloi duke i thënë se Papa nuk mund ta priste. Mikelanxhelo u fye rëndë dhe me përbuzje iu përgjigj:
– I thoni Papës se do të vijë një ditë që ai do të kërkojë të më takojë, por nuk do të mundet. Dhe menjëherë u largua nga Roma.
**** Një herë, kur skulptori i dëgjuar bëri statujën e Kupidit, vendosi t’i heqë asaj një krah dhe ta fusë veprën e tij në dhe, në një vend ku bëheshin gërmime arkeologjike. Kur u gjend shtatorja shumë e bukur e Kupidit, të gjithë qenë të bindur se ishte fjala për një vepër të lashtësisë. Atëherë Mikelanxhelo duke qeshur, nxori krahun e këputur dhe zbuloi lojën e tij.
**** Kur Mikelanxheloja pa djalin e bukur të një piktori, i tha:
– Babai yt ka arritur të bëjë më mirë figura të gjalla se sa të pikturuara.
**** Mikelanxhelo e admironte shumë artin e lashtësisë. Në vitet e fundit të jetës, kur u verbua, shkonte te këmbët e skulpturave të lashtësisë, i prekte me duar, i përkëdhelte konturet dhe derdhte lot nga mallëngjimi.
**** Mikelanxhelo kishte bërë një tablo të bukur për Andrea Donin, njeri shumë dorështrënguar. Kur ia dërgoi tablonë e shoqëroi me një letër, me anën e së cilës i kërkonte 70 dukatë për veprën. Doni dërgoi vetëm 40 dukatë. Mikelanxhelo ia ktheu paratë, duke i thënë se tashmë donte 100 dukatë.
Donfi, duke psherëtirë, i nxorri me pikëllim 70 dukatë dhe ia dërgoi. Mirëpo Mikelanxhelo iu përgjigj se tashti kërkonte 140 dukatë dhe asnjë më pak. Andrea Donfi që ishte dashuruar shumë pas tablosë u detyrua nga frika t’i dërgojë të 140 dukatët, sepse kishte frikë se mos artisti e ngrinte përsëri çmimin e veprës së tij.
**** Kur Mikelanxhelo bëri statujën e famshme të Moisiut, pasi e mbaroi e soditi gjatë dhe u kënaq aq shumë me veprën e tij sa thirri:
– Po fol de, pse nuk flet. /Albert Vataj / KultPlus.com
Xhamia e Ballies në Elbasan është përzgjedhur si një nga pesë objektet më të bukura të kultit në botë, në finalen e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily.
Ky vlerësim është një arritje e jashtëzakonshme për arkitekturën shqiptare dhe veçanërisht për arkitekturën fetare në vendin tonë. Tashmë kjo xhami konkuron me katër ndërtesat e tjera nga Kina, Kanadaja, Bangladeshi dhe Kili.
Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate, në të cilat përveç vendit të faljes përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan.
Xhamia e Ballies shquhet për një dizajn inovativ që kombinon mjeshtërisht traditën islame me elemente moderne, duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese për besimtarët dhe vizitorët. Arkitektura e saj përfaqëson një qasje të re dhe të avancuar në ndërtimin e objekteve të kultit, duke ruajtur identitetin dhe vlerat kulturore, por edhe duke u përshtatur me kërkesat dhe estetikën bashkëkohore.
Xhamia e Ballies është një ndër objektet më të lashta në Elbasan e cila u ndërtua nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit.
Regjimi komunist në 1967 urdhëroi prishjen e saj. Ajo ka qenë simbol i Elbasanit, nga më të bukurat dhe të vjetrat. Është quajtur ndryshe “xhamia blu” për bukurinë dhe madhështinë që ka pasur. Pas shumë vitesh Xhamia e Ballies u ringrit shumë më madhështore se e vjetra në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është kthyer në identitet. Elementi më tërheqës i xhamisë së shkatërruar në kohën e regjimit komunist ishte minareja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.
Sot xhamia e rindërtuar ka të përshtatur klasiken me modernen. Ka salla për abdesë, për faljen e grave dhe ambient për faljen e burrave. Kapaciteti është 1500 besimtarë vetëm brenda, por ka dhe hapësirë jashtë./atsh/ KultPlus.com
Nuk besoj të këndojë si unë asnjeri për Kosovën në vargje Dhe s’mendoj të lotojë askush si unë tani për tani, Unë e njoh Kosovën nga pluhur i zverdhur në pragje, Unë e gjej Kosovën në pikën e vesës atje në hardhi.
Unë e di si djall dhe lugat çdo gjë në Kosovë, I di lugët e bujkut, i di stinët kur mbjell e kur korr, E njoh sërbin dinak me gjarpër në kokë, Gjarpër që rritën stërgjyshërit e sërbit në oborr.
Unë e di se ç’mendon malësori i Drenicës, Minatori i Trepçës e di se ç’mendon, Unë e di dhe në Vlorë atë lumin ters të Shushicës Se ç’bën për Kosovën dhe ç’këngë nga Vlora këndon .
Unë i di të gjitha dhe s’ka kush më thotë Se gjoja Kosovën nga larg si poet dashuroj, Mes Kosovës jam brenda me kokën e ftohtë, Ndaj Kosovën, si bukën, nga mitet vërtet çmitizoj …/ KultPlus.com
Atdheu është toka e juaj, ku flitet gjuha që flet edhe ti, ku je i rrethuar me njerëzit që ndajnë historinë tënde… Atdhe është ajo tokë, të cilën shumë të tjerë në këtë botë nuk e kane dhe do të jepnin çdo gjë për ta pasur atë.
Sa shumë flitet e shkruhet për atdheun, vendi ku lind, ku lindën të parët e tu, prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit.
Më poshtë janë 10 thënie filozofike për atdheun nga personalitete të shquara shqiptare dhe të huaj.
Jetoni për Shqipëri dhe vdisni për të N.Frashëri
Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë S.Frashëri
Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të Kenedi
Nuk e braktis atdheu njerinë, por njeriu atdheun Bloku
Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të Horaci
Kush nuk i takon atdheut të vet, nuk i takon as njerëzimit Bjelinski
O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut Euripidi/unikportal/KultPlus.com
Shoqata Ardhmëria në Londër organizoi një aktivitet kulturor me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Aktiviteti u zhvillua në sallën e koncerteve të shkollës shqipe në St-Augustine’s Primary School, Kilburn, ku nxënësit e kësaj shkolle nëpërmjet vargjeve, këngëve dhe valleve prezantuan kulturën dhe traditat kombëtare.
Aktiviteti vazhdoi me interpretimet e artistëve shqiptarë, ndër të cilët artistët shqiptarë që përcollën pasurinë e folkut shqiptar, sidomos tek brezat e rinj në diasporë.
Gjatë këtij aktiviteti u zhvillua edhe një ekspozitë skenike me kostume dhe veshje tradicionale shqiptare.
AKTIVITETI
Organizator i aktivitetit në përkujtim të Pavarësisë së Kosovës ishte Lutfi Vata, Drejtor i Shoqatës Ardhmëria dhe Kryetar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Në këtë aktivitet morën pjesë: Mariela Cingo, pianistja shqiptare e njohur në Mbretërinë e Bashkuar dhe me një famë ndërkombëtare.
Një artiste tjetër e cila vjen nga Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë ishte dhe Sofia Kola.
Po ashtu, i pranishëm ishte deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krrashi, si dhe Ambasadori Shqipërisë në Londër, Uran Ferizi.
Po ashtu të ftuar specialë nga parlamenti britanik ishin Robert Rigbey dhe Tariq Dar./oranews/ KultPlus.com
Banesa e Angonatëve, një nga banesat më karakteristike të qytetit të Gjirokastrës dhe Monument Kulture i Kategorisë së Parë, pasqyron mjeshtërinë e ndërtimit me gur dhe ndikimet arkitekturore të fundit të shekullit XIX.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se në kuadër të projektit të restaurimit dhe konsolidimit të banesës së Angonatëve, do të kryhen ndërhyrje të cilat synojnë sigurimin e qëndrueshmërisë së objektit.
Ministri informoi se po ashtu do të bëhet edhe ruajtja dhe restaurimi i elementëve tradicionale, për të mos lejuar rrënimin e mëtejshëm, si dhe për të ruajtur elementët e trashëgimisë kulturore që ajo mbart.
Banesa e Angonatëve, e ndërtuar në vitin 1881, ndodhet në qendër të zonës historike të Gjirokastrës, në një vend mjaft dominues.
Ky kompleks është ndër shembujt më të mirë që tregojnë zhvillimin e banesës gjirokastrite dhe aftësinë e saj për t’iu përshtatur kushteve të jetesës.
Banesa është e ndërtuar me mure guri shtresor. Dhomat janë të pajisura me tavane dekorativë dhe mjaft elementë të tjerë dekorativë./atsh/ KultPlus.com
Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, dr. Gentiana Sula, uroi sot 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me publikimin në rrjete sociale të një shënimi të Jusuf Gërvallës, politikan, shkrimtar, muzikant dhe themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës në vitet ’80, që u vra nga ish-shërbimi sekret jugosllav, një natë me shi në Shtutgart të Gjermanisë.
“Kur një popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e mbrun atë që pret. Edhe sot e kësaj dite, Jugosllavia vazhdon të mos e marrë parasysh një nga kërkesat themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara: të drejtat njerëzore. Për më tepër, ajo mohon të drejtën për informim, ndonëse e propagandon me të madhe. Natyrisht, për këtë shpërfillje, ajo ka arsyet e veta të forta. Brenda kufijve të saj bashkëjetojnë disa kombe dhe kombësi, interesat e të cilëve nuk përputhen me ato të Federatës Jugosllave, të cilën e mbajnë në këmbë kryesisht serbët hegjemonistë”, shkruan Gërvalla.
“Njohja dhe respektimi i të drejtave të garantuara nga Karta e OKB-së do të ekspozonte politikën e hegjemonizmit serb dhe do të përshpejtonte procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave, e cila përbëhet nga gjashtë republika dhe dy krahina të ashtuquajtura autonome”, shkruhet në një dokument që është pjesë e fashikullit për të që ndodhet në arkivin e ish-Sigurimit.
Suzana u njoh me dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit kishte grumbulluar për bashkëshortin e saj gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe mbi aktivitetin e tij politik në Kosovë dhe Gjermani gjatë viteve ’80.
Më 17 janar të vitit Kadri, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vdesin në vendin e ngjarjes, Jusufi më vonë. Këto të dhëna janë të dokumentuara edhe në arkivat e ish-Sigurimit.
Historia e tyre dhe shumë të tjerëve lidhet me sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Pavarësisht periudhës së errëta të komunizmit shqiptarët kanë mbajtur gjallë lidhjen e pandashme të dashurisë dhe unitetit me njëri-tjetrin”, shkruan Sula. /atsh/ KultPlus.com
Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një video nga monumenti i pavarësisë NEWBORN, i cili vjen me një pamje të re duke reflektuar një nga temat më të diskutuara në vend dhe në mbarë botën, inteligjencën artificiale.
“Një herë në vit, tamam në këtë ditë, ua heq me kënaqësi kapelën autorëve të këtyre germave monumentale”, shkruan kryeministri Rama në videon e ndarë në rrjetet sociale.
Ideatori i monumentit NEWBORN, Fisnik Ismaili, ka theksuar për mediet se përmes ngjyrosjes së NEWBORN-it, ata synojnë ta përfaqësojnë Kosovën me tema aktuale ndër vite.
Sivjet, fokusi ishte tek inteligjenca artificiale, një teknologji që po ndryshon mënyrën se si funksionon shoqëria moderne.
NEWBORN është shndërruar në një atraksion turistik që kur u ekspozua për herë të parë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Monumenti simbolizon shtetin më të ri në Evropë.
Sot mbushen 17 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra festive me rastin e përvjetorit të 17-të të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur.
Flamuri gjigant i Kosovës është shpalosur në Tiranë në sheshin “Nënë Tereza”.
Ndërsa kryeqyteti shqiptar ka marrë ngjyra festive i zbukuruar nga flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë.
Flamujt kombëtarë janë vendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nuk mungojnë përgjatë trotuareve të bulevardit pikat ambulante që tregtojnë suvenire me motive kombëtare. Bashkia e Tiranës me këto aktivitete synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat kombëtare, traditat, por dhe për trashëgimin e historisë së kombit shqiptar te brezat e rinj.
Në një atmosferë solemne dhe me pjesëmarrje të përfaqësuesve institucionalë e personaliteteve të shquara, sot në Prizren u hap zyrtarisht Muzeu “Nënë Tereza”, e cila ngjarje u zhvillua në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë kësaj dite një domethënie të veçantë.
Muzeu, i cili i dedikohet jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, përmban dokumente dhe fotografi që pasqyrojnë humanizmin dhe përkushtimin e Nënë Terezës ndaj njerëzimit, që si institucion kulturor synon të jetë një qendër inspirimi dhe reflektimi për brezat e ardhshëm.
“Përurimi i Muzeut “Nënë Tereza” përforcon identitetin kulturor dhe historik të Prizrenit, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme për studiuesit, turistët dhe admiruesit e figurës së saj madhështore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës së Prizrenit./