Aktori i njohur Denis O’Hare po xhiron në Kosovë, pjesë e filmit të Arben Kastratit “Unë dhe Millosheviqi”

“Unë dhe MIllosheviqi” filmi me skenar dhe regji të Arben Kastratit është filmi i vetëm shqiptar që ka mbledh kastë kaq të madhe të aktorëve të njohur botërisht.

Ky film po xhirohet tash e disa vjet, dhe përgjatë kësaj kohe ka sjell aktorët e famshëm si: Gerard Depardieu, Sir Tony Robinson, William Baldwin e Maria Grazia Cucinota kurse këto ditë po qëndron në Kosovë aktori i njohur amerikan Denis O’Hare i cili është duke xhiruar për filmin e Kastratit.

Nën strofullën e dramës dhe komedisë, ngjarja e filmit që ndodh në Kosovë, në Serbi, në Holandë dhe në Francë, flet për një periudhë të pasluftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental. E gjithë motoja “Heroi i vendit tim, është kriminel për vendin tjetër” dhe anasjelltas, ka frymëzuar edhe krijimin e personazhit kryesor.

Ky personazh, një shqiptar nga Kosova në rrethana të caktuara takon Millosheviqin dhe këto takime mes tyre shpjegohen në versione të ndryshme. “Unë dhe Millosheviqi” shpalos superioritetin e këtij personazhi ndaj Millosheviqit, pasi që ai e sheh veten si një person që ka triumfuar. Por dëshmitarë të tjerë, takimin mes tyre e shohin krejtësisht ndryshe. Është një ngjarje e filmit që ndodh në vitin 2003, atëherë kur e gjithë popullata kolektivisht ishin të lirë dhe në atë kohë kur qarkullonin dëftime nga më të ndryshme, heroi i këtij filmit po ashtu ka një dëftim të tijin që konsiderohet të jetë sa tragjik, aq edhe komik.

Filmi “Unë dhe MIllosheviqi” është film me skenar dhe regji të Arben Kastratit e producente Shqipe Kamberi. Filmi pothuajse është në fund të xhirimeve për të vazhduar më pas me realizim të filmit./ KultPlus.com

I dhanë jetë një objekti të shkatërruar, skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi bën vizionin realitet

Era Berisha

Një ngjarje historike për vendin tonë, siç ishte Festivali i Këngës në RTK, së fundmi është shndërruar në krenarinë e gjithsecilit prej nesh. Festivali që zuri vend për tre natë radhazi, ka prezantuar artistë të talentuar shqiptarë që me zhanrin e tyre diversiv kanë pushtuar skenën magjike të festivalit, një skenë kjo që u ndërtua nga duart e arta të dy grave të jashtëzakonshme, skenografeve: Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi. Duke filluar nga ideja, zhvillimi i mëtutjeshëm i procesit, e deri tek realizmi, ato kanë arritur që skenën ta kthejnë në një sfilatë ari, aty ku të gjitha elementet skenografike vezullonin deri në perfeksion, shkruan KultPlus.

Historia e kësaj ngjarjeje fillon në një hapësirë ku vetëm hiri kishte mbetur pas zjarrit që kishte pushtuar sallën e Pallatit të Rinisë shumë vite më parë. Ishte një vend që kishte humbur shpresat, por Shqipja dhe Rudina e morën si një sfidë më vete për të krijuar diçka të paimagjinueshme për shumë kënd, për ta ringjallë shpresën e humbur, e për të dëshmuar se kur bashkohet mundi, pasioni e dashuria për artin, mund të krijohet një “pikturë” e atillë që asnjë sallë në Kosovë, deri më tani as nuk e ka imagjinuar ta ketë.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, patën një vizion qysh në fillim, duke mos e lëkundur atë deri në pikën kulminante, finale, që rezultoi të jetë skena e mrekullueshme e festivalit. Skenografia e tyre kishte detaje të veçanta, ngjyra dhe elemente që përqafojnë trashëgiminë dhe kulturën e vendit tonë. Hapja e festivalit u bë me një punim të veçantë të piktores Shqipe Kamberi, ku paraqitet portreti i një gruaje, dhe kjo hapje u konsiderua si një nga momentet më të bukura të festivalit.

Puna e këtyre dy grave është duartrokitur shumë dhe padyshim që ky fakt i bënë tejet të lumtura të dy skenografet, andaj dhe ne po e sjellim gjithë historinë që qëndron prapa kësaj magjie, për lexuesit tanë.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë ndër figurat që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Kosovës, duke marr për bazë edhe faktin që tashmë janë skenografet e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, festival që synon nesër të dërgojë fituesin edhe në Eurovizion. Dhe në fakt, pikërisht skenografia ishte pjesa që është komentuar më së shumti, andaj natyrisht që ka pasur edhe reagime e lëvdata të shumta.

Për Shqipen, reagimet pozitive nuk ishin të rastësishme, duke pasur parasysh se suksesi është rezultat i punës dhe eksperiencës së tyre.

“Kam mëse njëzet vjet eksperiencë të krijuar që kur kam filluar punën si skenografe. Me ideimin dhe realizimin e skenografisë së festivalit, kemi filluar që prej muajit shkurt të vitit 2023, duke analizuar me përpikëri, çdo detaj të skenografisë. Fokusin kryesor e përqendruam tek funksionaliteti i skenografisë, por duke e trajtuar dhe anën vizuele me shumë pasion. Reagimi pozitiv që morën nga publiku, na dhuroi kënaqësi, sepse e vlerësoi punën që bëmë”, ka thënë Kamberi.

Ndërsa, për Rudinën, pritshmëritë kanë qenë jo shumë të larta, por që duke pasur parasysh buxhetin, rezultati ka arritur të krijojë jehonë edhe përtej kufijve të Kosovës.

“Ajo që dua të theksoj është se Shqipja dhe unë e adhurojmë profesionin e skenografisë. Kemi guxim e durim të jashtëzakonshëm me çdo sfidë që ballafaqohemi gjatë procesit të punës, sakrifikojmë veten e rrethin, derisa e arrijmë qëllimin që me qenë super të kënaqura me punën që e bëjmë si dhe kemi konsistencë e disiplinë në punë. Janë pikërisht këto tipare që na bëjnë të jemi shumë të sigurta në çdo skenografi që e realizojmë. Në projektin e Festivalit të Këngës, na është dhënë mundësia të punojmë me një buxhet të papërjetuar më herët, për këtë arsye edhe ka rezultuar me jehonë edhe përtej kufijve të Kosovës, duke lënë një impakt pozitiv. Pritshmëritë prej anës tonë rreth suksesit kanë qenë, po t’jem e sinqertë, jo deri në atë masë. Kemi punu me shumë dashni e përkushtim, dhe jemi shumë të lumtura me suksesin që është arrit”, thotë Xhaferi.

Në anën tjetër, për tre mbrëmje të mahnitshme, kemi parë e analizuar edhe figurën e gruas, pra portretin e gruas që na vjen si një simbolikë unike e festivalit, duke shpërfaqur një mesazh të atillë që të bën të mendosh pozicionin e saj në jetët tona. Është pikërisht vepra nga piktorja Shqipe Kamberi, ajo që ka hipnotizuar audiencën me madhështinë prapa ngjyrave e teknikës. Vetë drejtori i Festivalit, Adi Krasta, kishte insistuar që kjo vepër që rastësisht e ka parë në zyrën e Shqipes, të jetë pjesë e skenografisë së festivalit. Pra, aty filloi pikënisja, dhe ai portret, u shndërrua në skenografi, ndërtimi i së cilës konsiderohet sfidë në vete për Shqipen.

“Portreti i gruas është figura qendrore e veprave të mia artistike. Portretin e gruas që ishte pjesë e skenografisë së festivalit, e shndërruam në portretin e artistit anonim, artistin krijues, artistin e suksesit, siç ishin vetë artistët e festivalit”, tregon Kamberi.

Sipas saj, skenografia iu është besuar atyre nga vetë Radio Televizioni i Kosovës, pjesë e së cilës ato janë tash e 23 vite. Për të ardhur deri tek rezultati final, të dy gratë kanë bashkëpunuar me shumë palë dhe individë, përfshirë bashkëpunimin pothuajse të përditshëm me drejtorin e festivalit, Adi Krasta, i cili ka qenë mjaft kërkues në punë sa edhe vetë skenografet.

“Procesi ka qenë i vështirë, për shkak të veçantisë me të cilën karakterizohej ndërtimi i festivalit të parë të këngës. Mungesa e sallës, mungesa e infrastrukturës përkatëse, mungesa e pajisjeve, na detyronte të punojmë me orare të zgjatura. Pritshmëria ishte e madhe, dhe dukshëm na e shtonte përgjegjësinë në punë. Nuk mund t’a imagjinoni se në çfarë rrethana kemi punuar. E kemi filluar punën në një objekt tërësisht të shkatërruar, dhe sfida jonë kryesore fillestare ishte ndërrimi i destinimit të objektit të rrënuar; nga parking veturash në sallë koncertale. Pas pastrimit të sallës, nga e cila janë larguar mëse 120 kamionë me mbeturina, kemi filluar të bëjmë matjet e qëndrueshmërisë së konstruksioneve të objektit, që të siguroheshim se skenografia, me gjithë elementet e saj dhe ndriçimit, të mund të qëndronte. Prandaj, përgjegjësia që kishim, na e rriste nivelin e stresit. Përfshi, frikën konstante që kishim te elementet lëvizëse të skenografisë si hapja e portës që e mbante portretin, edhe pse e kishim dizajnuar deri në detajin e fundit, së bashku me kompaninë Archtime, eventualisht edhe mund të dështonte, dhe porta te mbetej e mbyllur. Kjo ishte brenga jonë kryesore deri në përfundimin e natës së tretë të festivalit”, tregon Kamberi.

Kurse, për Rudinën, ka qenë një gëzim tejet i madh kur kuptoi se do të punoj në skenografinë e festivalit, por në të njëjtën kohë i është vënë mbi supe edhe ndjenja e përgjegjësisë. Puna ka zgjatur 8 muaj, dhe të dyja kishin hasur në sfida e vështirësi, të cilat kur Rudina sot i kujton, rrëqethet.

Xhaferi thotë se i gjithë procesi mund të ndahet në tri faza. Në fazën e parë përfshihej përcaktimi i hapësirës, buxheti dhe ideja bazë. Insistimi me këmbëngulësi ka qenë i drejtorit të festivalit, Adi Krastës që të rifunksionalizohej salla e Pallatit të Rinisë, meqenëse dëshira e tij ishte që festa të ndodhte në zemër të qytetit.

“Fillimisht të gjithë kemi qenë skeptik me gjendjen e mjerueshme në të cilën ka qenë salla, por që Adi arriti të na bindte të gjithëve. Pas përcaktimit të hapësirës filluam punës. Ishte Festivali i parë i Këngës në RTK si dhe do duhej të ideonim një skenografi me një buxhet shumë më të lartë se që rëndom ishim mësuar të punonim. Më kujtohet që me ditë të tëra kemi diskutu me Shqipen dhe Adin rreth idesë bazë. Duke qenë se ishte festivali i parë i këngës, mundësi e re për artistët e rinj si dhe pretendimi që vitet në vazhdim, Kosova të përfaqësohet në Eurosong, të gjitha këto elemente më shtynë drejtë idesë së krijimit të dyerve të mëdha. Dyert e mëdha janë simbol i madhësisë dhe rëndësisë së momentit, një hapje e një kapitulli të ri, fillimi i një rrugëtimi të jashtëzakonshëm për artistët e rinj në botën e muzikës. Ndjenja e përballjes me një orkestër profesioniste, të shoqëruar nga hapja dramatike e dyerve, mund të forconte emocionet dhe të nxiste ndjenja të forta tek shikuesit, duke i futur ata në një udhëtim të veçantë artistik. Qëllimi jonë ka qenë që skena të dukej madhështore, por me pak elemente.”

Në fazën e dytë, apo ndryshe siç njihej; faza teknike, ishte specifikimi i materialeve, dimensionet, maketa dhe hapja e tenderit. Shqetësimi më i madh i tyre kishte të bënte me kompaninë që do ta fitonte tenderin e realizimit të skenës. Ato u lumturuan shumë që fituese ishte kompania Archetime, në krye me Agim Abdylin, kompani kjo shumë profesionale që arriti ta jetësonte ëndrrën e dy artisteve, ashtu siç e kishin menduar.

Në fazën e tretë, e konsideruar si faza me emocionuese për artistet, ka filluar me realizimin e skenës. Brenga e tyre më e madhe bazohej në gjendjen e sallës. Frika nëse kapriatat do t’i mbanin peshat e rënda të skenës e ndriçimit, qe e madhe. Por, që me një ekip shumë profesional, gjithçka ishte realizuar për mrekulli.

“Hapja ngadalë e dyerve të mbyllura gjigante me portretin e realizuar për mrekulli nga skulptori Burim Berisha dhe asistentët e tij, Arbiasi e Ndriçimi, para fillimit të festivalit krijoi një ndjesi të mrekullueshme dhe misterioze për audiencën, duke i nxitur ata të prisnin me padurim fillimin e ngjarjes. Kur dyert u hapën, duke u shoqëruar me një orkestër gjigante të udhëhequr nga profesionisti Florent Boshnjaku, ndriçimi fantastik nga kompania ASLV nga Shqipëria, grafikat ‘custom made’ në Led Walls, i jepnin dinamizëm skenës. Momenti shkaktoi një ndjesi të mrekullueshme tek audienca”, thotë Xhaferi.

Pas gjithë këtij procesi të tërë, mund të themi se nuk është fare e lehtë që diçka e tillë të merret përsipër. Realizimi i një skenografie të tillë, është sfidë që artistin mund ta zhdëp deri në asht, por për të dy artistet, kjo punë mbetet diçka që nëse do ta kthenin kohën prapa, patjetër që nuk do ta refuzonin.

Për Shqipen, punët e vështira janë inspirim por edhe e sfidojnë shumë. Përkundër lodhjes së madhe që ajo ende e ndjen, padyshim që tërë këtë punë do e bënte sërish, por me më pak frikë. Ndërsa për Rudinën, pavarësisht gjitha ballafaqimeve të projektit, me bindje shprehet se do i kthehej projektit sërish me plot qejf, përkushtim, por mbi të gjitha, dashuri.

Tashmë vulën e skenografisë për Kosovë e kanë në duart e tyre, Rudina dhe Shqipja. Por, në anën tjetër, kemi pyetur artistet se nëse iu ka shkuar ndonjëherë në mendje që të synojnë të punojnë në ndonjë skenë edhe në rajon. Nga të dyja morëm përgjigje pohuese; kryesisht synimet e tyre momentale qëndrojnë në Shqipëri. Për të dyja, mbetet një ëndërr e kamotshme, shfaqja e talentit në vende të huaja, por që për këtë, kërkohet angazhim i lartë dhe kontakte me persona kompetent.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi tashmë janë artiste që figurën e gruas janë munduar ta fuqizojnë edhe me punët e mëhershme artistike të tyre. Por në shumicën e rasteve, këto punë artistike ndonjëherë edhe nuk po i lëvizin ujërat aq sa duhet, apo nevojitet për shoqërinë tonë. Për këtë fenomen, kanë folur edhe vetë artistet.

“Në praktikë, shoqëria jonë ka vënë në zbatim norma diskriminuese për gratë. Raste të përditshme të dhunshme të ushtruara ndaj grave, e dëshmojnë këtë fakt. Sado fyese që janë këto norma, sepse për bazë e kanë mizogjeninë. Është e vështirë për gruan të krijoj në një ambient të tillë, patriarkal (përjashto emrat e përvetshëm dhe shumë të suksesshëm). Ne po punojmë për ç’bërjen e këtij mentaliteti, por barazia gjinore, fatkeqësisht, vazhdon të ngelet iluzion”, thotë Kamberi. Kurse, për Rudinën, synimi qëndron tek frymëzimi tutje nëpërmjet punës së palodhshme artistike. “Besoj se çdo individ, pavarësisht gjinisë, ka potencialin për të kontribuar në shoqëri në mënyra të ndryshme. Për ne, si artiste, synimi është të ndikojmë dhe të frymëzojmë çdo gjë përmes punës sonë artistike. Megjithatë, ka ende shume sfida dhe punë për t’u bërë në shoqërinë tonë. Ne vazhdojmë të përqendrohemi në të qenurit inovative dhe në ndikimin pozitiv që mund të kemi si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë, duke pasuar një qasje të përgjegjshme dhe të përfshirë në çdo projekt që ndërmarrim.”

Duke prekë patriarkatin e deri në ditët moderne, figura e gruas na ka ardhur në shumë dimensione të artit. Duke qenë njohëse të artit, Shqipja është shprehur se filmi është dega kryesore nëpërmjet së cilës shprehet më lehtë e më fuqishëm pozita e gruas në shoqëri.

“Arti në tërësi, ka fuqi për të bërë ndryshime. Nga perspektiva ime, besoj që filmi e ka fuqinë më të madhe për të bërë ndryshime, për shkak të shtrirjes që ka dhe influencës që gëzojnë aktorët në masë. Padyshim, edhe muzika ka ndikim.”

Në anën tjetër, Rudina ka thënë se çdo lloj arti, ka aftësinë unike të vetën për të shpërndarë mesazhe dhe ndikuar në opinionin publik.

“Për mua, arti është një shprehje universale e njerëzimit që duhet të vlerësohet për cilësinë dhe vlerat e tij artistike, jo për gjininë e krijuesit. Duke shikuar në rrugëtimin e artit nga patriarkati deri në ditët moderne, vërej se figura e gruas ka pasuar një evolucion të rëndësishëm. Megjithatë, në vend që të përqendrohem në një fushë të veçantë të artit si mjet për të ndryshuar pozitën e gruas në shoqëri, unë do të përqendrohem në aftësinë e artit për të shpërndarë mesazhe universale. Në fund, e konsideroj se cilësia e një vepre artistike duhet të vlerësohet pavarësisht nga gjinia e krijuesit, sepse arti është një formë e shprehjes së lirë dhe universale, që mund të ndikojë në ndryshime të thella shoqërore dhe kulturore.”

Ndërkohë, përderisa jemi duke iu afruar fundit të intervistës, me të dy artistet kemi biseduar rreth natyrës së angazhimeve të tyre në ditët e tanishme. Kuptuam se Shqipja pas mbarimit të angazhimeve të saj për xhirimet e programit festiv në Radio Televizionin e Kosovës, mezi po i pret disa ditë pushimi, që për të janë tejet të nevojshme. Ajo vitin 2023 e konsideroi si vitin më të ngarkuarin të sajin, për sa i përket aspektit profesional.

Në anën tjetër, Rudina na tha se është e lumtur për gjithë punën e saj skenografike në televizion tash e 20 vite, dhe tashmë angazhimi i saj në RTK ka përfunduar me Festivalin e Këngës. Atë tashmë do e shohim në rolin e profesoreshës, pranë studentëve të cilët kanë se çka të mësojnë nga ajo.

“Kjo përvojë më ka dhënë njohuri të shumta dhe ka ndikuar në zhvillimin tim profesional si një krijuese artistike. Kjo periudhë ka qenë e pasur me sfida dhe suksese, dhe jam e lumtur që kam arritur ta përfundoj kapitullin tim në RTK me një sukses të jashtëzakonshëm siç ishte projekti i Festivalit të Këngës. Tani jam profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Puna me studentë për mua është një pasion dhe një dëshirë që ka rrënjë thellësisht në lidhjen time me artin dhe dëshirën për të ndarë njohuritë dhe pasionin tim me brezin e ri artistik. Këto momente të ndarjes së njohurive dhe të shikimit të studentëve duke zhvilluar talentet e tyre janë një burim i vërtetë kënaqësie dhe krenarie. Pasioni për të zhvilluar kreativitetin dhe talentin e tyre dhe dëshira për t’i ndihmuar ata të shohin potencialin e tyre unik, janë forcat kryesore që më motivuan për të zgjedhur këtë rrugë”, shpalos Xhaferi.

Krejt për fund, viti 2023, nëse i referohemi festivalit, mund ta konsiderojmë se është një vit shumë i suksesshëm sa i përket artit të dy artisteve, por në vitin 2024, po i presim me padurim projektet e tyre të radhës, për të cilat të dy artistet akoma nuk mund të flasin. / KultPlus.com

Magjia që sollën skenografet Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi: Një transformim historik në Festivalin e Këngës

Jeta Zymberi

Festivali i Këngës në RTK u shndërrua në një ngjarje historike për vendin tonë. Për tre netë radhazi, artistë të talentuar shqiptarë u ngjitën në skenën magjike të këtij festivali, por ajo që e bëri këtë ngjarje edhe më të veçantë ishte skenografia e pabesueshme që bëri sallën të shkëlqejë. Kjo mrekulli nuk do të ishte e mundur pa punën dhe talentin e dy grave të mrekullueshme, skenografeve, Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi, shkruan KultPlus.

Historia e kësaj ngjarjeje fillon në një hapësirë ku vetëm hiri kishte mbetur pas zjarrit që kishte pushtuar sallën e Pallatit të Rinisë shumë vite më parë. Ishte një vend që kishte humbur shpresat, por Shqipja dhe Rudina e morën si një sfidë për të krijuar diçka të paimagjinueshme për shumë kënd.

Me pasionin e tyre të padiskutueshëm dhe dashurinë për artin, Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi filluan punën e tyre. Vizioni i tyre ishte i palëkundur deri në momentin që arritën të ndërtojnë një skenë të mrekullueshme.

Skenografia e tyre kishte detaje të mrekullueshme, ngjyra dhe elementë që përqafojnë trashëgiminë dhe kulturën e vendit tonë.

Hapja e festivalit u bë me një punim të veçantë të artistes Shqipe Kamberi, ku paraqitet portreti i një gruaje, dhe kjo hapje u konsideruar si një nga momentet më të bukura të festivalit.

Shqipe Kamberi dhe Rudina Xhaferi e bënë Festivalin e Këngës në RTK të ndriçojë si rrallë një skenë në Kosovë, duke dëshmuar se arti është një fuqi që mund të krijojë mrekulli.

Puna e tyre është duartrokitur shumë dhe padyshim që ky fakt i bënë tejet të lumtura të dy skenografet.

Shqipe Kamberi, sot, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka falënderuar të gjithë për urimet drejtuar këtij projekti dhe në veçanti ka falënderuar bashkëpunëtoren e saj Rudina Xhaferi.

“Me kete foto po du me ju falenderu te gjitheve per urimet qe i kemi mar Rudina dhe une per projektin tone Festivali i Këngës në RTK .

Rudines po du me i thene qe jam jashtëzakonisht e lumtur qe kemi punu se bashku per mbi 20 vite ne RTK, ne shume e shume e shume projekte, por ky i fundit ma ka bo zemren mal.

Rudina Xhaferi ke me na mungu ne RTK , por e di qe projektet e rradhes po na presin me i punu se bashku”. Ka shkruan Kamberi. /KultPlus.com

Po vazhdojnë xhirimet e filmit artistik “Unë dhe Millosheviqi”, arrin në Kosovë aktori i njohur William Baldwin

Pas Gerard Depardieu e Sir Tony Robinson që tashmë kanë kryer xhirimet për filmin “Unë dhe Millosheviqi” me skenar dhe regji të Arben Kastratit, në Kosovë sapo ka ardhë edhe aktori tjetër i kastës së këtij filmi William Baldwin, shkruan KultPlus.

Shqipe Kamberi, producente e këtij filmi artistik të metrazhit të gjatë ka njoftuar ekskluzivisht për KultPlus se Baldwin sapo ka ardhë në Kosovë.

“Aktori i njohur ndërkombëtarisht sapo ka ardhë në Prishtinë. Ai do të jetë në sheshxhirim për katër ditë” ka thënë Shqipe Kamberi, e cila ka shtuar se në këtë film që ka realizuar xhirime në Shqipëri dhe Kosovë, po marrin pjesë aktorë të famshëm ndërkombëtarë, që është risi për kinematografinë kosovare që të përfshihen kaq shumë aktorë të njohur në një film të Kosovës.

William Baldwin

Kamberi ka thënë se këtë kastë të mrekullueshme i ka bërë bashkë skenari i Arben Kastratit, të cilët i ka intriguar që të jenë pjesë e këtij projekti filmik, por edhe vetë Arben Kastrati që është edhe regjisor i këtij filmi.

Pas Baldwin,  po këtë të diel, sipas Kamberit, në sheshxhirim do të vjen edhe aktorja e njohur Maria Grazia Cucinota.

Maria Grazia Cucinota

Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental./ KultPlus.com

“Art Connects Women” përfshinë 115 shtete në Dubai, Shqipe Kamberi përfaqëson Kosovën

Me portretin e një gruaje shqiptare që simbolizon luftën ndaj patriarkatit, artistja Shqipe Kamberi do të merr pjesë në edicionin e pestë të “Art Connects Women” që do të hapet më 8 mars në Dubai, e që Shqipe Kamberi përfaqëson Kosovën në këtë ekspozitë të madhe, ku marrin pjesë 115 shtete, shkruan KultPlus.

Kjo vepër e Shqipe Kamberit është vepër nga cikli i punimeve të autores “Nusja” dhe në ekspozitën e Dubait është përfshirë me organizim të ZeeArts, por e veçanta e kësaj ekspozite është se do të mbahet nën patronatin e UNESCO-s.

“Rise to Rejoice” është titulluar kjo ekspozitë që përfshinë vetëm artiste gra, dhe i dedikohet ekskluzivisht gruas.

https://www.facebook.com/ZeeArtsGallery

Shqipe Kamberi ka thënë për KultPlus se ndihet e nderuar që vepra e saj do të ekspozohet bashkë me artistët e 115 shteteve, dhe sidomos edhe për faktin që kjo ekspozitë i dedikohet gruas, por që në të njëjtën kohë është nën patronatin e UNESCO-s.

Ekspozita “Rise to Rejoice” do të hapet më 8 mars dhe do rri e hapur deri më 11 mars, mbrëmje kur edhe do të ndahen çmimet për këtë edicion. Përgjatë kësaj ekspozite do të jetë edhe një panel diskutimi me temën “Transforming the Arts and Cultural Ecosystem”. / KultPlus.com

“Nusja” e Shqipe Kamberit, impresionon artdashësit e Zagrebit

Ekspozita personale e autores Shqipe Kamberi, në Galerinë “Forum”, padyshim, ishte ngjarja me e rëndësishme kulturore në Zagreb, ditën e parë të qershorit.

Ekspozita e Shqipe Kamberit është mbështetur nga Bashkësia Shqiptare e Qytetit të Zagrebit dhe Prefekturës së Zagrebit, Ambasada e Republikës së Kosovës në Kroaci, nga Këshilli i Pakicave Kombëtare në Republikën e Kroacisë, Qendra Informative, Galeria Forum, nga  Ermina Prljaskaj, deputete shqiptare në Parlamentin e Kroacisë dhe Unioni i Shqiptarëve në Republiken e Kroacisë.

Ekspozita është inicuar nga Sejfedin Prekazi.

Hapjen e ekspozitës e beri Drejtori i KIC,  Petar Bujas. Ai, veprën e Kamberit e cilësoi risi në art dhe ngjarje të vecantë për publikun zagrebas.

Drejtori i Galerise Teodor Gavrilovic, ekspozitën e Kamberit e quajti nder për Galerinë “Forum”.

Prelaska tha që gratë shqiptare, të asaj pjese të shkuar të historisë, janë përshkruar për mrekulli në punimet e  Kamberit.

Përfaqësuesi diplomat nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, tha se është krenar që po e shikon një pjesë të historisë shqiptare në ekspozitën e Kamberi.

Ambasadori i Republikës se Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kroacisë  tha se punën e Kamberit e ka percjellë gjatë kohë.  “Dhe jam krenar që kam mundësi ta shikojë punën e saj në Zagreb dhe, të flas për veprën e saj”, ka thënë ai.

Ekspozita u percoll nga mediumet kryesore Kroate, si Televizioni Nacional Kroat, televizioni ORT, gazeta ditore Jutarnji List, Narodne Novine etj…

Masat e paracaktuara nga organet kompetente për shkak të pandemisë, bënë që vizitorët e shumtë të prisnin në radhë që të hynin dhe ti shikonin punimet e Kamberit.

Në ekspozitë kishte edhe aktorë të njohur kroatë, piktorë të njohur kroatë si dhe koleksionistë të shquar, nga vise te ndryshme.

Ne librin e pershkrimeve, disa nga te pranishmit kishin shkruar:

Jam i impresionuar. Punët e Shqipes janë risi për skenën artistike të Zagrebit, dhe jo vetëm.

I. B

Ekspozite superiore. Një klimë e re. Jam i impresionuar.

P. Valek

Bukuri e paparë

E. P.

Piktura “Motrat” nga Shqipe Kamberi, është punimi më i bukur që kam parë në jetën time.

Rabini i Zagrebit

Shqipe Kamberi vazhdon qëndrimin e saj në Zagreb, me takime të shumta, përfshi takimet me komunitetin e grave, përfaqësuesit e ambasadave, organizata të ndryshme kulturore, artistë të shumtë si dhe takimet me koleksionistët./ KultPlus.com

Shqipe Kamberi me ekspozitë në Zagreb, 24 vepra do të shpërfaqin nusen shqiptare

Artistja Shqipe Kamberi do të prezantohet me ekspozitë personale në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Shqipe Kamberi ka njoftuar për KultPlus se ekspozita me titullin “Nusja”, që përfshinë 24 vepra do të hapet më 1 qershor dhe artdashësit mund ta shohin nga afër deri më 6 qershor.

Ekspozita “Nusja” është organizuar nga Bashkësia Shqiptare dhe Prefektura e Zagrebit, e që ka ndihmuar edhe Ambasada e Kosovës në Kroaci dhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Perlaskaj.

Shqipe Kamberi me veprat e nuseve shqiptare është prezantuar edhe në vende të tjera, duke përshirë edhe ekspozitat ndërkombëtare.

“Nusja” në Zagreb do të hapet në Galerinë Forum dhe do të ketë shtrirje në dy katet e këtij institucioni. / KultPlus.com

Art kosovarë në mes të Stambollit, Kamberi e Goranci prezantojnë gruan shqiptare

Shqipe Kamberi e Mjellma Goranci janë prezantuar me ekspozitë në Stamboll të Turqisë, ekspozitë që është hapë më 5 nëntor dhe do të zgjasë deri më 5 dhjetor, shkruan KultPlus.

Kamberi ka njoftuar për KultPlus se të dy artistet nuk kanë pas mundësi të shkojnë në hapjen e kësaj ekspozite, si pasojë e pandemisë, por punimet e tyre tashmë janë duke qëndruar në Arnavutköy Art Gallery.

Kamberi ka thënë se të dy artistet në këtë ekspozitë të përbashkët janë prezantuar me nga shtatë punime, dhe kjo ekspozitë është pasuar pas ekspozitës në Panairin e IIAF të Stambollit, ku artistet kosovare janë prezantuar atje, dhe puna e tyre është pëlqyer ku ka rezultuar më pas edhe ftesa për ekspozitën e fundit. /KultPlus.com

Gratë që nuk heshtin erdhën mbrëmë në Prishtinë

Arbër Selmani

Femra më koka të mëdha, më të ndezura në ngjyra të flokëve dhe më të zjarrta në sy, afër edhe me skulptura të bardha e me elemente tradicionale, gati sa putheshin afër në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në kryeqytet.

Mjellma Goranci Firzi i solli të parët ndërsa Shqipe Kamberi të dytat, për një ekspozitë e cila u hap mbrëmë në këtë Qendër dhe solli këto dy artiste në një bashkëpunim të radhës, për të formësuar një grua që nëse nuk është shqiptare, është një grua universale, e bukur dhe në heshtje, e mangët dhe e kompletuar, e vrarë dhe e gjallë, e kuqe dhe e gjelbër, me sy dhe pa sy, me vuajtje dhe pa të.

Dy artistet mbrëmë hapën ekspozitën “Klithma e heshtjes së gruas”, në këtë muaj i cili në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë festohet si muaji i gruas kosovare me suksese në art dhe kulturë.
“Sonte po i sjellim dy artiste të cilat janë të suksesshme në artin e tyre dhe janë dy promovuese edhe në diplomacinë kulturore. Meqë në Qendër këtu dhjetorin do ta festojmë si muajin me gratë e suksesshme nga Kosova në art dhe kulturë, sonte po e tregojmë prapë promovimin dhe përkrahjen që kjo Qendër i jep artistëve dhe kulturës në përgjithësi” tha në fjalën e hapjes Vjosa Berisha, kryesuese e EUICC.

Të pranishmit me të hyrë në dy hyrjet e kësaj qendre do të ballafaqoheshin me pikturat dhe me artin e Kamberit dhe Goranci Firzit. Një cikël i njohur i vajzave të hijshme ngjyra-ngjyra dhe kornizat që rrethonin bardhësinë e punës së Kamberit u shikuan nga audienca e cila jo rrallë po provonte të gjente veten në këtë art ose ta dëshifronte atë deri në mundësinë njerëzore.

“Unë dhe Shqipja po bashkëpunojmë për herë të dytë, dhe kjo sepse e trajtojmë temën e figurës së gruas. Shpresoj që të gjithë e kuptoni sonte mesazhin e artit tim: jo dhunës fizike, seksuale, duhet ta luftojmë këtë dukuri dhe duhet ta përkrahim njëri-tjetrin. Shoqëria jonë duhet ta kuptojë që femra duhet të ketë një pozitë më të mirë në shoqëri, për një familje më të shëndoshë” tha në hapjen e ekspozitës Mjellma Goranci Firzi.

Ekspozita e njëjtë ka udhëtuar më disa shtete evropiane, përfshirë këtu Gjermaninë, Holandën, Austrinë e Bullgarinë, për të përçuar të njëjtin mesazh, që figura e femrës të mbetet e shenjtë dhe e pa dhunuar.
“Ekspozita ka nisur në qendrat kryesore të Evropës, për me reflektu mbi këtë dukuri. Shumica jetojmë në familje patriarkale prandaj të gjithë duhet të reflektojmë mbi gruan dhe mbi dhunën” vazhdoi Shqipe Kamberi.

Ekspozita do të vazhdojë të qëndrojë e hapur në këtë Qendër. Sot prej orës 19:00 regjisorja More Raça do të jetë në një bashkëbisedim në këtë qendër, pasi të shfaqet filmi i saj “Ajo”. Nesër, e mërkurë, me fillim prej orës 16:00, gratë e suksesshme kosovare që janë edhe drejtoresha të festivaleve më të rëndësishme dhe institucioneve kulturore më me nam do të bisedojnë rreth diplomacisë kulturore dhe fuqisë së gruas në këtë diplomaci. / KultPlus.com

Mjellma Goranci dhe Shqipe Kamberi, sonte me ekspozitë në Prishtinë

Sot në Prishtinë vjen një ekspozitë të cilën nuk duhet ta humbni.

Mjellma Goranci Firzi dhe Shqipe Kamberi do të hapin në ora 19:00 ekspozitën “Klithma e heshtjes së gruas”.

Ekspozita do të hapet në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, afër kinemasë ABC në Bulevardin Nënë Tereza në kryeqytet.

Ekspozita sjellë pikturat e bukura të Firzit, me gruan gjithmonë si kryefjalë, me ngjyra më të ndezura dhe dinamike, derisa Kamberi njëjtë do ta shqyrtojë gruan në mediumin e saj artistik.

Poshtë mund të shihni disa prej punëve artistike të Mjellmës dhe Shqipes. Punët tjera më të reja të artisteve do të mund t’i shihni në ekspozitën që hapet sonte, e hënë (3 dhjetor) në ora 19:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së.

Kjo ngjarje dhe të tjera ngjarje që vijnë këtë javë në këtë Qendër festojnë gratë e suksesshme kosovare në art dhe kulturë./ KultPlus.com

Realiteti i grave në Kosovë erdhi si dialog mes punimeve të Mjellma Gorancit e Shqipe Kamberit (FOTO)

Për dy javë adhuruesit e artit pamor, veçmas të punimeve të piktoreve të njohura Shqipe Kamberi e Mjellma Goranci, do të kenë mundësi ta shohin punën e tyre të ekspozuar në Galerinë “Monet”, dhe ato punime edhe mund t’i marrin me vete me çmimet e vendosura poshtë tyre, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Punimet e tyre janë ekspozuar në vende të ndryshme, por sonte ato janë bashkuar në një galeri të vetme, ku tërhoqën mjaft vizitorë. Ata që kanë parë qoftë edhe vetëm një punim të artisteve Kamberi e Goranci e identifikojnë lehtë autoren, e pikërisht përmes vijës identifikuese sonte patën mundësi ta gjejnë një urë komunikimi mes asaj se çfarë ato trajtojnë. Subjekt i të dyja punimeve është gruaja, veçse përmes stilit të tyre ajo lëviz në trajta të ndryshme duke prekur një pjesë të realitetit e historisë së tyre në shoqërinë kosovare.

Mënyra se si ato i kanë portretizuar e ngjyrat i bëjnë fort të dallueshme. Punimet e Gorancit vijnë përplot kolorit, ndërsa kufizohen me korniza ngjyrë ari, detajet e gruas aty vijnë e theksohen qoftë përmes flokëve, vatheve, e qafës së zgjatur, ato janë përherë në lëvizje brenda kornizës përmes se cilës Goranci i ka vendosur ato në ambiente të ndryshme, duke reflektuar edhe aktivitetin e tyre shumëdimensional brenda shoqërisë. Sytë e tyre janë përherë në kërkim. Bie fort në sy një pikturë që e paraqet gruan që për trupi shtrëngon fëmiun gjatë procesit të gjidhënies.

Mjellma Goranci thotë se portreti i modelit të gruas paraqet një cikël në vazhdimësi në këtë ekspozitë, gruaja në pikturën e saj flet për gruan sot, për krenarinë e sakrificën që ajo mbart. Mbi të gjitha, pikturat e saj nuk janë ikja nga vetvetja, por janë pasqyrim i përditshmërisë e brendësisë së saj.
Përveç portreteve të veçanta, në mesin e punimeve të saj edhe punime të cilat sjellin një gjallëri ngjyrash përmes luleve e ngjyrave të ndezura.

“Përveç bukurisë e krenarisë, portretet e punimeve të mija prapa kanë edhe problemet që gratë i hasin çdo ditë. Veprat e mija flasin më shumë për atë që nuk shihet se sa për atë që shihet. Unë e paraqes gruan kosovare që duket mirë, është krenare, sakrifikon për mirëqenien e familjes. Portretet e mija flasin për gruan që konkurron për karrierën e vet, është shumë e angazhuar, ka shumë përgjegjësi të cilat shpesh ia kushtëzon edhe shoqëria, për t’u martuar, të krijojë familje, të jetë e zonja e shtëpisë, të kujdeset për fëmijë e konkurron me një mashkull që ka shumë më pak ngarkesa”, tha Goranci.
Në mesin e shumë miqve e kolegëve, në këtë ekspozitë ishte dhe piktorja Zake Prelvukaj. Ajo për KultPlus u shpreh se e çmon fort sinqeritetin me të cilin Goranci e paraqet veten e problemet e përditshme të grave, ndërsa arrin që materialet dekorative t’i përdor me mjeshtëri.

“Mjellma e ka një lloj kolazhi e dekoracioni që din ta përpunojë, pasi nganjëherë materialet dekorative e shkatërrojnë pikturën. Por kjo ka aq forcë që e bën shumë mirë dhe me pëlqen shumë piktura e saj, pasi e trajton edhe vetveten. Artisti shpesh ik nga vetja por kur i sheh pikturat e saj e sheh që i trajton problemet e gruas. Këtë e bën në mënyrë shumë të sinqertë”, u shpreh Prelvukaj për KultPlus.

Ata që e kanë shijuar ekspozitën “Vetëdija, dikur dhe sot” të Shqipe Kamberit veçse e dinë stilin e saj, përmes të cilit kanë takuar historinë e grave shqiptare. Përmes këtij stili unik,vizitorët sonte patën mundësi ta prekin realitetin e gruas në një kohë tjetër. Përmes së bardhës, ajo ka bërë ndërlidhjen me gratë që tashmë kanë dëshmuar veten.Shikimi i tyre i mpirë ka hije të së kaluarës e tradicionales, ndërsa me një stoitet qëndrojnë në të tashmen përmes ngjyrave të ndritshme. Lulet në kokën e tyre e thyejnë bardhësinë, e sikur kanë qëndisur një hijeshi në vepra, motiv i cili ka një lidhshmëri me fëmijërinë e autores.

“Punimet janë të stilit të njëjtë të ekspozitës paraprake. Por atëherë i kam pasur gratë e diskriminuara por këtu janë të emancipuarat. Do të thotë çikat që po ja zbardhin fytyrën Kosovës. Këto me lule janë të mbulesave të jastëkut ku kam fjetur si fëmijë. Unë gjithmonë kam bërë ato që kam dashur dhe kam dashur të tregoj se ku jam sot. Kjo është një mënyrë e imja që reflektoj përballë një realiteti. Këtë radhë nuk kam përdorur ngjyra tjera. E kam lënë të bardhen që të jetë më e ndritshme dhe të paraqiten më pozitive. Këto janë gra shqiptare”, tregoi Kamberi për KultPlus.

Ndërsa më tutje Zake Prelvukaj theksoi se e njeh shumë mirë punën e të dyja artisteve, dhe tha se e vlerëson shumë ambicien e tyre për ta paraqitur gruan në shoqëri. Ajo tha se Shqipja edhe arrin ta trajtoj realitetin e grave duke përdorur edhe materiale tradicionale.
“Shqipja ka një relief ku përdor materiale tradicionale. Askush nuk ka etnos më të pasur se ne pasi dallon nga fshati në fshat. Më pëlqen që ka zgjedhur diçka tradicionale dhe ua ka dhënë një emblemë të gjithave nëpërmjet fytyrës”, u shpreh Prelvukaj.

Komunikimi i shpeshtë për tema nga më të ndryshme ndërmjet Gorancit e Kamberit që numërojnë disa vite shoqëri, dëshmohet edhe përmes motivit të veprave të tyre. Preokupimet e tyre janë të përbashkëta.Si të tilla punimet e tyre veçse e plotësojnë mozaikun e realitetit të gruas.

“Unë dhe Mjellma jemi shoqe shumë të mira. Bashkë debatojmë dhe trajtojmë çështjen e grave. Kjo ekspozitë është një debat mes punimeve tona”, u shpreh Kamberi lidhur me ekspozitën e tyre të përbashkët. Ndërsa Goranci e theksoi se edhe kjo ekspozitë reflekton dialogun e tyre të përbashkët, e temat me të cilat ato preokupohen.

“Në këtë ekspozitë jemi bashkuar për një arsye, pasi që e kemi parë një dialog të përbashkët, me Shqipen jemi shoqe shumë të mira dhe na preokupojnë të njëjtat probleme, të njëjtat motive na inspirojnë. Duket sikur edhe Galeria e ka vërejtur këtë dialog mes punimeve tona andaj dhe ne e kemi mirëpritur”, tha tutje Goranci. Ekspozita me punimet e Shqipe Kamberit e Mjellma Gorancit, do të qëndroi e hapur edhe për dy javë në Galerinë “Monet”./KultPlus.com

Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci vijnë me ekspozitë të përbashkët në Galerinë Monet

Dy piktoret e njohura Shqipe Kamberi dhe Mjellma Goranci, këtë të henë do të sjellin ekspozitën e përbashkët në Galerinë “Monet”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë vjen si dialog mes dy piktoreve, duke shpalosur punimet e stilin e tyre në një hapësirë.

Ekspozita do të hapet këtë të hënë në Galerinë “Monet”, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Ekspozita e Shqipe Kamberit, riqëndisi fatin e nuseve shqiptare të kufizuar në Kanun (FOTO)

Fati i nuseve shqiptare mbrëmë erdhi i qëndisur në pothuajse gjashtëmbëdhjetë punimet e artistes kosovare Shqipe Kamberi. Përmbledhjen e një punë rreth tri vjeçare ajo e prezantoi mbrëmë në ekspozitën e saj personale të titulluar “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Në muret e errëta të Muzeut të Kosovës kishin zënë vend portretet e ndritshme të nuseve, në të cilat ishin ndërthurur detaje të veshjeve tradicionale dhe në anën tjetër paraqitet një torzo femre në pëlhurë.

Pozitën femrës shqiptare Kamberi e sjellë në dy dimensione, përmes torzos ajo nxjerrë në pah bukurinë dhe sensualitetin e trupit të saj. Ndërsa në anën tjetër përmes katërmbëdhjetë portreteve të veçanta në ciklin “Nusja”, ajo sjellë identitetin e fshehur të gruas shqiptare duke reflektuar realitetin mbi të cilin kanë shkelur shumë prej tyre që janë trajtuar në bazë të kornizave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili parasheh vrasjen si vendim të prerë nëse ajo nuk i nënshtrohet fatit të saj në martesë.

Pikërisht këtë dhimbje e përcjellë artistja Kamberi përmes syve të burgosur, e flokëve të mbuluara me sipërfaqe të bardha, e diku përmes detajeve të veshjeve tradicionale. Për ta bërë më të thumbueshëm realitetin e trishtë të nuseve në të kaluarën, ajo në mes të sallës kishte vendosur një punim që paraqiste pajën e nuses, mbi të cilin artistja kishte vendosur një fishek, i cili ilustronte më së miri trajtimin e saj në Kanun se po që se ajo nuk i nënshtrohej fatit të saj ajo mund të vritej nga i shoqi apo familjarët e tij me po atë plumb që e kishte mbështjellë me pajën e saj.

Artistja Shqipe Kamberi, shpjegoi për KultPlus, se koncepti i veprave që ajo shpalosi mbrëmë përfshin identitetin e grave shqiptare dhe vetëdijen e tyre dikur dhe sot lidhur me të drejtat e tyre.

“Si figurë kryesorë e veprave të mija është nusja. Duke e lexuar Kanunin e Lekë Dukagjini, aty kam hasur në disa nene për martesën të cilat kanë qenë shumë diskriminuese dhe është pikërisht kjo që më ka nxitur që unë të reflektoj në këtë mënyrë. I kanë sytë e mbyllur sepse nuk kanë pasur të drejtë të flasin, të veprojnë, të mendojnë që do të thotë se ato totalisht kanë qenë në shërbim të dikujt. Po besoj që kjo dukuri ekziston edhe sot edhe pse jo ndoshta e shprehur në atë masë sa atëherë, shpresoj që me këto punime do të reflektoj sado pak në ndryshimin e mendimit lidhur me këtë çështje”, tregoi Shqipe Kamberi.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj në fjalinë e tij hyrëse u shpreh se artistja Kamberi, përmes ekspozitës së saj sjellë një temë të vlefshme për Muzeun e Kosovës dhe vizitorët e tij. Derisa shtoi se artistja arrin që këtë temë të ndjeshme ta sjellë në mënyrë shumë elegante.

“Në mënyrë shumë elegante dhe më shumë estetikë ajo e prek Kanunin dhe përmes kësaj arrin të sjellë bukur shumë. Ajo që me dy fjalë dua të pajtohem me Shqipen është se nëse gruaja është ajo që duhet me e ruajt moralin, nëse gruaja është ajo që duhet me e ruajt gjuhën, ajo që duhet me e ruajt shpinë… A është shoqëria ajo që duhet ta njehë këtë kontribut, a jemi ne të gatshëm që ta njohim institucionin grua si pjesë e rëndësishme e shoqërisë tonë”, tha mes tjerash Boshtrakaj.

Mjellma Goranci, piktorja dhe mikja e artistes Shqipe Kamberi, u shpreh për KultPlus, se Shqipja përmes kësaj ekspozite ka treguar në mënyrën më të bukur të mundshme pozitën e femrës shqiptare.

“Shqipe Kamberi, është një artiste me vlera shumë të mëdha. Ajo është një artiste që ka akumuluar shumë art, shumë informata dhe shumë dije në jetën e saj dhe sonte krejt atë e kurorëzon në këtë ekspozitë. Përmes këtij cikli ajo ka ri-qëndisur edhe një herë historinë e një vajze shqiptare të shtrirë në traditën dhe mentalitetin tonë, në të padrejtat dhe ato pak të drejta që i ka pasur. Jo që nuk është folur më parë për këtë pozitë të femrës shqiptare në televizionet tona por Shqipja në këtë ekspozitë e ka treguar këtë realitet në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehu Mjellma Goranci për KultPlus.

Punimet e veçanta të kësaj ekspozite do të vazhdojnë të jenë në dispozicion për vizitorët deri më 28 nëntor sa do të vazhdoj të jetë e hapur kjo ekspozitë në Muzeun e Kosovës. /KultPlus.com

Sonte ekspozita personale e Shqipe Kamberit (FOTO)

Artistja kosovare Shqipe Kamberi do të prezantohet me ekspozitë personale “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet para audiences, sonte në ora 19:00 në Muzeun e Kosovë s, kurse kuratorja e ekspozitës, Penesta Dika ka vlerësuar se artistja Shqipe Kamberi paraqet në ekspozitën “Vetedija – dikur dhe sot” nga njëra anë portrete femrash që karakterizohen përmes përdorimit të veshjeve tradicionale në mënyrë simbolike dhe nga ana tjetër paraqitet torzo femre në pelhurë
“Derisa torzoja na shfaqet të jetë e veshur lehte, thekson bukurinë e trupit të femres, sensualitetin dhe seksibilitetin, ose edhe mburrjen e të qenit femër, portretet janë të paraqitura të veshura dhe me sy te mbyllur, pa emocione dhe te zhytura ne nje botë pa kthim.

Doket dhe zakonet sipas kanunit, përkatësisht trajtimi i femres sipas tyre në një jete bashkëshortore vihet në kontekst me vetëdijen e femres sot, apo me faktin se si do të duhej të jetë në ditën e sotme”, ka vleresuar Dika për këtë ekspozitë që është paralajmëruar se do të jetë e hapur në Muzeun e Kosovës deri më 28 nëntor./KultPlus.com

“Vetëdija -dikur dhe sot”, ekspozita personale e Shqipe Kamberit (FOTO)

Artistja kosovare Shqipe Kamberi është në përfundim e sipër të prezantimit të ekspozitës personale “Vetëdija- dikur dhe sot”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë do të prezantohet para audiencës më 14 nëntor, në ora 19:00, kurse kuratorja e ekspozitës, Penesta Dika ka vlerësuar se artistja Shqipe Kamberi paraqet në ekspozitën “Vetedija – dikur dhe sot” nga njëra anë portrete femrash që karakterizohen përmes përdorimit të veshjeve tradicionale në mënyrë simbolike dhe nga ana tjetër paraqitet torzo femre në pelhurë

“Derisa torzoja na shfaqet të jetë e veshur lehte, thekson bukurinë e trupit të femres, sensualitetin dhe seksibilitetin, ose edhe mburrjen e të qenit femër, portretet janë të paraqitura të veshura dhe me sy te mbyllur, pa emocione dhe te zhytura ne nje botë pa kthim.

Doket dhe zakonet sipas kanunit, përkatësisht trajtimi i femres sipas tyre në një jete bashkëshortore vihet në kontekst me vetëdijen e femres sot, apo me faktin se si do të duhej të jetë në ditën e sotme”, ka vleresuar Dika për këtë ekspozitë që është paralajmëruar se do të jetë e hapur në Muzeun e Kosovës deri më 28 nëntor./KultPlus.com