Për ‘1 Qershor’ Komuna e Prishtinës paralajmëron program të pasur me aktivitete artistike e sportive

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Komuna e Prishtinës ka organizuar një program të pasur me aktivitete artistike dhe sportive, shkruan KultPlus.

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se me 1 Qershor kryeqyteti do të shëndrrohet në një hapësirë të veçantë për aktivitete të ndryshme.

“Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve po vjen me plot ngjyra, dhe një program i pasur me aktivitete artistike dhe sportive që sjellin shumë gëzim për më të vegjlit tanë.

Ju ftojmë të na bashkoheni këtë të diel për një ditë të veçantë, plot argëtim, krijimtari dhe dashuri për fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin e Komunës./ KultPlus.com

Festa e 1 qershorit nis që sot, aktivitete argëtuese për fëmijët në të gjithë vendin

Institucionet artistiko-kulturore në vend kanë organizuar një buqetë aktivitetesh të dedikuara festës së 1 qershorit, të cilat nisin që ditën e sotme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit publikoi një listë të gjatë eventesh të cilat përfshijnë disa qytete të vendit dhe ftoi prindërit të marrin fëmijët dhe të festojnë së bashku këtë fundjavë me aktivitete të shumta, shfaqje teatrale nga teatri i kukullave, numrat e shpejtësisë së cirkut kombëtar, festivale, muzikë dhe plot aktivitete të tjera.

Festa e vocërrakëve nis që sot (30 maj), në qytetin e Vorës, ku do të shkojë Cirku Kombëtar. Po sot nis edhe edicioni i 63-të i Festivalit të Fëmijëve në Shkodër. Ndërsa Teatri i Kukullave ka përgatitur shfaqjen “Hirushja” e cila do të vihet në skenë prej datës 31 maj.

Ditën e festës, më 1 qershor, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit, fëmijët dhe prindërit mund të ndjekin koncertin “Zërat e qershorit”, në ora 11:00.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit do të argëtojë fëmijët e kryeqytetit në hapësirën e Parkut të Madh të Liqenit Artificial, ditën e 1 qershorit në orën 10:00. Njëkohësisht tek Arturbina do të shfaqet pjesa teatrale për fëmijë “Pylli i mistershëm”.

Festa do të vijojë edhe në datën 2 qershor, me aktivitete në Tiranë, Lezhë, Korçë, Vlorë. Një shfaqje krejt e veçantë do të jetë ajo e planetariumit në Kullën Veneciane të Durrësit, shfaqje e cila nis sot e përfundon më 8 qershor./ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me ekspozitën personale të Ernest Kabashit në Galerinë Qahili

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shënohet me ekspozitën personale të Ernest Kabashit në Galerinë Qahili, që hapet me 1 qershor nga ora 11:00.

Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe është një festë e artit, imagjinatës dhe kreativitetit të fëmijëve.

Gjithçka nisi një ditë vere, kur Ernesti, sapo ishte kthyer nga kopshti, filloi të vizatojë një rrëfim në formë libri. Pas disa ditësh, kërkoi një libër ilustrues nga Eric Carle, që për habi, ishte thuajse identik me vizatimin që kishte krijuar vetë në shtëpi. Aftësia e tij për të treguar histori përmes ngjyrave dhe formave, tashmë e ka çuar në një arritje të veçantë artistike.

Pak para ditëlindjes së tij të dhjetë, Ernesti krenohet me çmimin e parë të fituar në konkursin e organizuar nga Ambasada e Japonisë në Shkup, si dhe me punimet e tija të ekspozuara në shkollën ILG në Prishtinë, ku e vijon mësimin në klasën e katërt.

Me frymëzim nga galeritë e mëdha të botës, nga Nju Jorku dhe Vjena, te Athina, Madridi, Prishtina dhe Shkupi, Ernesti sjell një qasje unike në art. Vizatimet e tij abstrakte mbajnë tituj të guximshëm si “Pula e frikuar në terr” dhe “Njeriu që çmendet”, dhe janë të mbushura me ndjenja të thella, sinqeritet dhe një stil krejtësisht personal. Ai vizaton botën që ne të rriturit, ndoshta, e kemi harruar.

Në kuadër të ekspozitës, të gjithë fëmijët janë të mirëseardhur të marrin pjesë në një punëtori krijuese, që do të mbahet gjatë ditës në Galerinë Qahili, një mundësi për të krijuar dhe për të bashkëvepruar me artin në një atmosferë të ngrohtë dhe inspiruese./ KultPlus.com

Festivali UNUM shpall emrat e rinj në ‘lineupin’ e tyre mbresëlënës

Festivali underground më i ri dhe më kulturor në Evropë pas fazëz së parë sot lansoi dhe fazë e dytë të lineup me një listë të parezistueshme me disa nga emrat më të medhenjë në botë.

Seth Troxler, Ricardo Villalobos, Paco Osuna, Mathew Jonson, Shimza, Butch, tINI, Dyed Soundorom, Raresh, Rhadoo, Ilario Alicante,Priku,Praslea si dhe mbi 80 artistë të tjerë.

Ata janë ndër 90 artistët që performojnë në festivalin e zgjatur nga e mërkura 1 qershor deri të hënën 6 qershor në një cep të mrekullueshëm natyror dhe jokomercial të Evropës në Rivierën Shqiptare.

UNUM është një komunitet i lidhur ngushtë me muzikën e kuruar me shije, mes pyjeve me pisha, me erë të këndshme, plazheve gjithëpërfshirëse me diell dhe i vendosur në një sfond dramatik malor. Muzikë do të ketë në tri skena shumë të ndryshme, të gjitha me pamjen dhe tingullin e tyre unik, dhe më emblema ku njëra prej tyre është Pines Stage, ku DJ performojnë 24 orë në ditë.

Kjo do të thotë që të pranishmit trajtohen me sesione të perëndimit të diellit me ndjesi karakteristike kur dielli zbehet midis pemëve dhe më pas lindjet epike ndërsa pishat ndriçohen nga një sferë e lavdishme zjarri për të nisur një ditë të re. Kjo e bën atë një nga vendet më të veçanta dhe më atmosferike për të testuar në të gjithë Evropën për ata që pëlqejnë muzikën house me klas dhe tekno.

Dhe ka shumë të tilla edhe një herë në këtë vit të tretë me organizues duke përfshirë After Caposile, Deset, Half Baked, Outcast, Secret Society, Trommel, Watermelon, You & Me dhe Zone, të cilët të gjithë do të sjellin njohuritë e tyre dhe tingujt joshës.

Faza e dytë e emrave që do të performojnë përfshijnë shtyllat e muzikës tekno Tobi Neumann dhe Paco Osuna, përsa i përket muzikës house elektro-novatorin Gene on Earth plus titanë të muzikë nga e gjithë Evropa duke përfshirë East End Dubs, Boris Werner, Butch, Joey Daniel. Josh Baker, Andy Baxter, Ilario Alicante, Jamie Roy dhe shumë të tjerë.

Gjithashtu sipas një postimi në rrjetet e tyre sociale Unum lajmëroi se disa emra të mëdhenj do të bëhen publik shumë shpejtë.

Skena është gati tani për atë që do të jetë edhe një herë mbledhja më e bukur e muzikës house dhe tekno në një vend vërtet të lumtur.

Drejtohuni tek www.unumfestival.com për detaje të plota dhe informacione tjera për bileta. /KultPlus.com

‘Për fat të keq, njerëzit ta dinë vlerën e vërtetë vetëm pasi ke ikur nga kjo botë’

Më 1 qershor të vitit 1926 lindi Marilyn Monroe, gruaja që edhe pas kaq shumë vitesh vazhdon të mbetet ndër ikonat e bukurisë.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Marilyn Monroe-s

“Për fat të keq, njerëzit ta dinë vlerën e vërtetë vetëm pasi ke vdekur”.

“Një femër nuk mund të rrijë dot e vetme. Një femër ka nevojë për një mashkull. Një femër dhe një mashkull e mbështesin dhe e forcojnë njëri-tjetrin. Femrat thjesht nuk mundet t’ia dalin dot të vetme me gjithçka”.

“Unë jam ndjerë përherë e pasigurtë, e mbi të gjitha, jam ndjerë e frikësuar. Mendoj se kam dashur dashuri më tepër se çdo gjë tjetër në këtë botë”.

“Suksesi i bën shumë njerëz të të urrejnë. Do të doja që të mos funksiononte kështu. Do të ishte e mrekullueshme të shijoje suksesin pa parë urrejtje në sytë e atyre përreth”.

“Kjo jetë është ashtu siç ti e jeton. Pavarësisht gjithçkaje, do ta dreqosësh ndonjëherë, kjo është një e vërtetë universale. Por gjëja e mirë është se, je ti që e vendos se si t’i dreqosësh gjërat”.

“Ne të gjithë jemi yje dhe të gjithë meritojmë të shkëlqejmë”.

“Askush nuk më tha se isha e bukur, kur isha e vogël. Çdo vajze të vogël i duhet thënë se është e bukur, edhe nëse nuk është, pasi kështu ajo do të ndihet edhe më e bukur”.

“Respekti është një nga thesaret më të mëdhenj në jetë. Domethënë, çfarë vlere do të kishte gjithçka, nëse nuk do të kishe respektin e të tjerëve?”.

“Një femër e mençur puth pa dashuruar, dëgjon pa besuar dhe largohet përpara se ta lënë mënjanë”. / KultPlus.com