Komuna e Prishtinës subvencionon kursin e notit për fëmijët e klasave të para në skema sociale

Komuna e Prishtinës së shpejti do të filloj subvencionimin e kurseve të notit për fëmijët e klasave të para, të cilët janë pjesë e skemës për ndihmë sociale, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar gjithashtu se investimi në përfshirjen sociale vendosë themelet e shoqërie më të lidhur me njëri-tjetrin.

“Jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se shpejt do të fillojmë me subvencionimin e kurseve të notit për fëmijët e klasëve të para të cilët janë pjesë e skemës për ndihmë sociale.

Investimi në përfshirjen sociale vendosë themelet për një shoqëri më të lidhur me njëri-tjetrin, duke i fuqizuar fëmijët të lulëzojnë në një botë që vlerëson diversitetin dhe përqafon gjithpërfshirjen”, thuhet në njoftimin e Kryetarit Rama në  Facebook./KultPlus.com

Zgjatet sheshi deri te rrethi i flamurit

Komuna e Prishtinës, ka njoftuar se e premtja në Prishtinë shënon “ditën pa makina”.

“DITA PA MAKINA”. Të premten, më 22 shtator nga ora 10:00 në Prishtinë do të organizohet aktiviteti “Dita pa makina”, një ngjarje ndërkombëtare, e cila organizohet në 2000 qytete të Botës, dhe që ka për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat”, njofton komuna.

Në njoftim thuhet se me rastin e organizimit të këtij aktiviteti, të premten, nga ora 10:00 deri në 15:00, vetëm rruga “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave.

“Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit). Pavarësisht se çfarë zgjedhje bëni, kujdesuni për mjedisin dhe bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit tonë”, thuhet tutje./ KultPlus.com

Komuna e Prishtinës rikujton që trotineti elektrik është i ndaluar në sheshe e hapësira publike

Komuna e Prishtinës përmes një postimi në facebook ka rikujtuar edhe një herë se është i ndaluar rreptësisht qarkullimi i trotinetëve elektrikë, biçikletave, motoçikletave dhe mopedëve elektrikë në sheshe e hapësira publike, shkruan KultPlus.

“Të nderuar qytetarë ju rikujtojmë se është  ndaluar rreptësisht qarkullimi i trotinetëve elektrikë, biçikletave, motoçikletave dhe mopedëve elektrik në sheshe e hapësira publike”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës në facebook.

Komuna e Prishtinës kishte marr vendim qysh nga muaji gusht i vitit të kaluar për ndalimin e trotineteve dhe të gjitha paisjeve të tjera elekrtonike për qarkullim në sheshet e kryeqytetit./KultPlus.com

Kjo rrugë e Prishtinës do të mbyllet për qarkullim për më shumë se një muaj

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se po fillojnë përgatitjet për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Për këë rruga “Xhorxh Bush”, duke filluar nga udhëkryqi i “Bill Clinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi” do të jetë e mbyllyr nga 26 nëntori deri më 8 janar.

Postimi i plotë:

Festat e fundvitit po afrojnë 🎄

Komuna e Prishtinës po fillon përgatitjet për dekorimin e qytetit, andaj ju njoftojmë se rruga “Xhorxh Bush”, duke filluar nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”, do të jetë e mbyllur 🚧 nga data 26 nëntor 2022 (duke filluar nga ora 🕔05:00) deri më 8 janar 2023. 

Ju falënderojmë për mirëkuptim. / KultPlus.com

Komuna e Prishtinës paralajmëron rregullore për trotinetët elektrikë, këto janë rregullat e propozuara

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka bërë të ditur se Rregullorja për trotinetet elektrikë do të dal në diskutim publik së shpejti.

Ai ka publikuar një listë me disa rregulla të propozuara.

Këto janë ato:

Rregullorja për E-Scooters do të del në diskutim publik së shpejti!

Disa nga rregullat janë këto:

Me timon mekanik, sisteme të frenimit, sinjalistikë, bori.

Fuqi maksimale 500W

Shpejtësia maksimale 25km/h

Mosha 15+

Ndalohet ngasja në pjesë të gjelbëruara / KultPlus.com

Promovohet “Prishtinë, muza ime!”, libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive në kohë karantine

Libri “Prishtinë – Muza ime” që vjen si një libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohën e karantinës nga gjithsej 40 autorë sot u promovua në ambientin e Kino Armatës. Kur pandemia erdhi fuqishëm në vitin 2020, qytetarët e Prishtinës vendosën që t’i shkruajnë Prishtinës në kuadër të iniciativës së librarisë Dukagjini, Komunës së Prishtinës dhe organizatës ‘Etea’, shkruan KultPlus.

Përbrenda një afati të përcaktuar, libraria Dukagjini ka mirëpritur qindra shkrime fantastike nga më të ndryshmet. Tregime e poezi të shkruara nga qytetarët në një kohë të vështirë por njëkohësisht edhe një kohë në të cilën është reflektuar mbi atë se çka është e rëndësishme, janë jetësuar dhe kanë gjetur shtëpinë e tyre në librin e përjetimeve të titulluar “Prishtinë, muza ime!”.

Një libër i mbushur me tregime dhe poezi të cilat janë përzgjedhur nga juria profesionale si: shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës Hivzi Sylejmani, sot në mesin e një numri madh të pranishmëve, disa nga to u lexuan dhe ngjallën emocion dhe një ndjenjë tejet të veçantë.

Pak para se kjo ngjarje të fillonte, të pranishmit dalëngadalë zunë vendin e tyre për të dëgjuar nga afër disa rrëfime që nisin qysh nga ideja për të krijuar këtë libër e deri tek botimi i saj. Ndërsa, teksa meloditë e këngës “Të dua Prishtina” luanin në prapavijë si dhe zëri i mahnitshëm i Nexhmije Pagarushës dëgjohej këndshëm në sfond, kjo ngjarje veçse kishte filluar me simbolikën e saj e që është pikërisht qyteti i Prishtinës.

Por fillimisht në një panel diskutimit të moderuar nga shkrimtari Arbër Selmani, të ftuar ishin: Ilirana Hasaj nga libraria Dukagjini, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha dhe drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti.

“Libri është nis qysh në vitin 2020 atëherë edhe kur është hapur thirrja dhe kur janë dërguar qindra shkrime prej të cilave më pas juria e ka bërë një punë modeste dhe i ka përzgjedhur dyzet prej tyre të cilat janë pjesë e këtij libri që mendoj se do të mbetet një dokument i rëndësishëm dhe i fuqishëm që tregon se si ne jemi mishëruar me Prishtinën në një kohë kur kemi qenë të izoluar, kohë kjo pak e papritur prej neve dhe për ata që janë mirë me fjalën e shkruar. Mendoj se me u përball me atë traumë ka qenë më së lehti për ti shkruar Prishtinës”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është një punë e mahnitshme ku ai vetë si anëtar i jurisë është i kënaqur me poezitë, prozën dhe tregimet e shkurtra të cilat e shfaqin Prishtinën në dimensione të ndryshme dhe prej syve të ndryshëm.

“Unë mendoj që secili prej neve ka një dashuri për Prishtinën ose qoftë edhe një moment, një njeri, një këngë, një objekt me të cilin mishërohen në Prishtinë dhe më e mira e kësaj është se ajo është shprehur në këtë libër. Ky libër vjen si bashkëpunim midis tri institucioneve si: Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe Qendra Etea. Unë tutje po i lexoj të gjitha emrat e krijuesve në këtë libër për të respektuar punën e tyre”, thotë Selmani.

Ndërsa Ilirana Hasa tregoi për rrjedhën e idesë për librin që në fakt ishte paraparë qysh para pandemisë por që ajo u krijua pikërisht kur pandemia goditi botën.

“Libri ka qenë një rrugëtim shumë interesant por edhe tash që po mundemi për të reflektuar ngase kanë kaluar dy vite dhe pse gjatë gjithë kësaj periudhe jemi marrë shumë me qejf me librin, tash po e shohim edhe më mirë se sa i rëndësishëm është dhe sa i veçantë është. Krejt ka filluar si një ide thjesht për një organizim para pandemisë mirëpo pandemia goditi gjithë botën dhe ishim në karantinë kur u rikthye ideja jonë për ti ftuar qytetarët që t’i shkruajnë Prishtinës dhe ta krijojmë një libër të cilin po ia falim kryeqytetit tonë”, thotë Hasaj.

Sipas saj, në këto kohëra të jashtëzakonshme shihet se çfarë ka dhuruar Prishtina. Në këtë situatë është parë ajo se çka është vërtetë e rëndësishme dhe çka i mungon çdo njeri.

“Edhe pse ishte një situatë jo e mirë, na ka falë një mundësi dhe një kohë që të pauzojmë, të reflektojmë apo edhe ti kthehemi kreativitetit që e kemi ndrydh brenda dhe andaj besoj që shumë prej nesh e kanë shfrytëzuar këtë kohë. E kemi hap thirrjen në grupin “Ri n’shpi me neve”, që ka qenë një grup i krijuar nga Komuna e Prishtinës dhe është bërë kështu një punë shumë e madhe. Kemi pranuar rreth 250 shkrime e po ashtu ne qysh në fillim kemi tregu se cili është qëllimi dhe si ka mu bo përzgjedhja”, shpalos Hasaj.

Ajo tutje tregon se faza e përpunimit dhe krijimit të librit ka qenë një periudhë tejet e mirë ngase është bërë ngadalë dhe me shumë dashuri për detajet e ndryshme.

“Juria është e përbërë nga shkrimtari Arbër Selmani, shkrimtari Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj që është pjesë e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’. Kur kemi ardhur në fazën e dizajnit të librit e kemi menduar që një pjesë e mirë e librit të përmbajë edhe fotografi sepse edhe fotografitë flasin shumë e sidomos pasi që syri i aparatit kap momente të ndryshme të qytetit apo të personave. Fotografitë janë fotografi nga fotografë profesionalë por edhe të zakonshëm”, përfundon ajo.

Po ashtu, ish-drejtori në Drejtorinë e Kulturës së Komunës së Prishtinës, tregoi për grupin “Rri n’shpi me neve”, grup ky që kishte për qëllim të zhvillojë aktivitete gjatë kohës së pandemisë.

“Ne jemi takuar në vitin 2019 kur kemi qenë pjesë e një grupi për realizimin e aktiviteteve socio-kulturore e sportive për nder të 20 vjetorit të çlirimit të qytetit dhe është shfaqur edhe kjo ideja apo propozimi që të realizohet një projekt i tillë siç është ky libër por në atë periudhë kohore nuk kemi mundur ta realizojmë por sidoqoftë i ka ardhur koha në periudhën e pandemisë. Ne si Komunë në atë periudhë kohore e kemi hapur grupin “Rri n’shpi me neve” ku qëllimi ishte që të zhvillohen aktivitete interaktive”, thotë Berisha.

Sipas tij, ky libër ka qenë një bashkëpunim trekëndësh, bashkëpunim ky që ka rezultuar në aktivitete të shumta e të ndryshme.

“Këta dyzet persona që janë në këtë libër kanë shkruar në kohën e karantinës dhe përmes shkrimeve të tyre kanë treguar përjetimin që qyteti jonë ia dhuron. Pra, Prishtina na bashkon dhe ajo është e përjetimeve tona të përbashkëta”, përfundon Berisha.

Në anën tjetër, drejtori i organizatës ‘Etea’, Agon Ahmeti foli rreth përshtypjeve të tij të cilat i ka marrë përgjatë krijimit të këtij libri.

“Padyshim që ky trekëndësh bashkëpunimi ka rezultuar në një sukses të madh dhe i tillë po duket edhe produkti i këtij bashkëpunimi. Besoj që bashkëpunimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në të ardhmen. Një përshtypje të cilën do të doja ta tregoja është ajo se ndonëse e kemi nis këtë projekt qysh në vitin 2019, ne kemi marrë mesazhe të shumta nga krijuesit të cilët na kanë pyetur se a është akoma i qëndrueshëm dhe se do të krijohet ndonjëherë ky libër. Ka qenë shumë e bukur që t’i shohim ato mesazhe dhe është një kënaqësi e madhe për të lumturuar dikë që pretendon apo edhe është një shkrimtar apo shkrimtare”, shpalos Ahmeti.

Më pastaj vëmendja iu drejtua gjithsej dyzet krijuesve por që njëmbëdhjetë nga të cilët në një mënyrë të rastësishme janë përzgjedhur për t’i lexuar krjiimet e tyre sonte. Në një renditje të rastësishme krijimet e tyre i interpretuan: Flutur Mustafa  (“Mos qaj Prishtinë”), Agon Rexhepi  (“Kam mendu për ty Prishtinë”), Liridona Shehu (“Prishtinë”), Doruntina Golaj (“M’ka marrë malli Prishtinë”), Fatos Lleshi (“Ty, Prishtinë”), Jeta Lila Delija (“Gjakova po t’shkruan, Prishtinë”), Parisa Ratkoceri (“Prishtina në qiell të hapur”), Planeta Sllamniku (“Pse po hesht Prishtina”). Ndërkaq, edhe treshja e fundit që interpretoi poezitë e tyre ishin: Edita Malazogu (“Për ty Prishtinë”), Elita Ferati (pa titull) dhe Filloreta Hoxha (“Ta ndiej heshtjën, Prishtinë”), por paraprakisht ishte nënkryetari në panel për një fjalë rasti u ftua edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj.

“Në fakt unë u inspirova aq shumë nga leximet saqë vendosa për të lexuar edhe vetë një poezi për t’u bërë pjesë e këtij leximi. Është me të vërtetë kënaqësi për të marrë pjesë në këso ngjarje. Ngjarjet si kjo sot gjithmonë më japin një emocion dhe ndjenjë të veçantë andaj ju falënderoj shumë për këtë emocion që e mora nga ju. Jam i lumtur që Komuna e Prishtinës ka kontribuar që ky libër të jetë me ne. Nuk kam pasur rastin t’i lexoj më herët këto poezi por me të vërtetë u kënaqa. Tash e lexova edhe një poezi e cila më përfaqëson dhe e përfaqëson kohën që kam kaluar. Koha e karantinës na ka kthyer në kohën e luftës dhe nëse i hiqni datat e këtyre krijimeve, neve në fakt na kthejnë në atë periudhë të luftës”, thotë Zogaj.

Ai tutje veçoi poezinë “Natë e trishtë” e autorit Dren Loxha të cilin ai personalisht nuk e njeh por poezia e tij e ka kthyer Zogajn në kohë dhe i ka dhuruar ndjenjën të cilin ai e ka pasur gjatë luftës por edhe në karantinë. Po ashtu nënkryetari Zogaj kujtoi edhe kohën e karantinës ku muaji mars i vitit 2020 ka qenë për të një trishtim i tejskajshëm.

Kështu krejt në fund ishin duartrokitjet e shumta që iu drejtuan drejt këtyre krijuesve të cilët patën rastin të interpretojnë shkrimet e tyre tashmë të botuara në librin “Prishtinë, muza ime!”. Ndërkaq, autorët tjerë krijues që janë përzgjedhur për këtë libër janë edhe: Ardit Mehmetaj, Argjenda Selmani, Dafinë Bajrami, Dearta Zeqiri, Donarta Sh.Uka, Donika Hamiti, Dorina Imami, Dren Loxha, Edlira Maloku, Elvira Sh.Ukiqi, Fadil Halimi, Fatlinda Imeri, Fitim Majkovci, Fjolla Hajrizaj, Jakob Ëeizman, Kaltrinë Uka, Kosovare Xh.Leskovci, Linda Jakupi, Mimoza Sapiqi, Mirjeta Zekaj, Rrona Jaka, Sala Jashari, Salim Memishi, Sara Tahiri, Saranda Rugova, Saranda Stuja-Tara, Teuta Berisha, Vesa Ferizi dhe Vlora Konushevci.

“Prishtinë – Muza ime” është libër përmbledhës i tregimeve dhe poezive të shkruara në kohë karantine përgjatë muajve mars – prill të vitit 2020. / KultPlus.com

Drejtoria e Shërbimeve Publike iu jep 90 ditë afat qytetarëve që të largojnë antenat satelitore nga ndërtesat

Drejtoria e Shërbimeve Publike në Prishtinë ka kërkuar nga qytetarët që të largojnë antenat satelitore nga ndërtesat e tyre, të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve, përcjell KultPlus.

Afati për largimin e këtyre antenave satelitore është 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tyre:

Të nderuar qytetarë,

Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim fton qytetarët për bashkëpunim, duke larguar kështu antenat satelitore në ndërtesat e tyre të trashëguara nga sistemet e vjetra të transmetimit të cilat rrezikojnë edhe sigurinë e qytetarëve, për shkak se ato nuk mirëmbahen dhe gjithashtu ndikojnë edhe në estetikën e qytetit.

Afati për largimin e antenave satelitore në ndërtesat e Prishtinës do të jetë 90 ditë, që nga data e publikimit të këtij njoftimi.

Në rast se nuk respektohet afati kohor për largimin e antenave satelitore, për largimin e tyre detyrohet të intervenojë Drejtoria e Inspeksionit.

Prandaj, ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta respektojnë thirrjen e Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim në mënyrë që ta transformojmë Prishtinën në një qytet më të sigurt dhe modern. / KultPlus.com

Arta Balaj emërohet drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Uran Ismaili ka prezantuar sot Arta Balajn si drejtoreshë e Kulturës për këtë komunë.

Ismaili ka thënë se përgatitja e lartë profesionale dhe përvoja e madhe në sektorin publik dhe privat në Kosovë, e bëjnë Artën një kuadër mirë të kualifikuar për këtë pozitë.

“Si një grua e përgatitur mirë, me shkollim ndërkombëtar dhe e dëshmuar për rreth dy dekada në sektorin publik e privat, Arta ka besimin dhe mbështetjen time të plotë në detyrën e re. Ajo ka punuar në disa shtete të ndryshme ndërsa ka bashkëpunuar edhe me shumë organizata ndërkombëtare që shërbejnë në Kosovë. Përvojën e saj të madhe do ta sjell tani në Prishtinë, për t’i dhënë gjallëri jetës dhe aktiviteteve kulturore në kryeqytetin tonë”, ka thënë Ismaili.

Sipas një komunikate, Partia Demokratike e Kosovës deri më sot kishte emëruar nënkryetaren dhe katër drejtorë, nga pesë sa i takojnë nga marrëveshja për bashkëqeverisje.

Me emërimin e Artës, kompletohet ekipi i PDK-së për kryeqytetin.

Donjeta Sahatçiu (nënkryetare), Besianë Musmurati (drejtoreshë e Arsimit), Plator Gërdovci (drejtor i Bujqësisë), Ilirik Musliu (drejtor i Shërbimeve Publike), Granit Rugova (drejtor për Sport) dhe Arta Balaj (drejtoreshë e Kulturës). / KultPlus.com

Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban

Policia e Kosovës, Zjarrfikësit dhe nxënësit e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës lirohen nga pagesat e përdorimit të trafikut urban.

Ky vendim u mor në shenjë falënderimi për punonjësit e linjës së parë dhe për të stimuluar përdorimin e transportit publik tek gjeneratat e reja. / KultPlus.com

‘Bac, Prishtina të pret’, përshpejtohen procedurat për ndërtimin e shtatores së Adem Jasharit

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka marrë vendim për ndarjen e parcelës për ndërtimin e shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari, duke kërkuar që pa vonesë të fillojnë procedurat për ndarjen e buxhetit dhe procedurave tjera të prokurimit.

“Duke dashur që kësaj pritje t’i japim fund, Grupi i Asamblistëve të PDK-së në koordinim me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu ka marrë iniciativë për ta përshpejtuar këtë projekt kombëtar”, ka shkruar asamblisti nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Leutrim Retkoceri.

“Andaj, dje, në vigjilje të “Epopesë së UÇK-së”, në bashkëpunim me shefen e Grupit të Asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna, Kryetarit të Komunës, Përparim Rama dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiu, ua prezantuam vendimin e Kuvendit Komunal me numër 01-353/01,-0276651/19 të datës 11.11.2019 për ndarjen e parcelës dhe kërkuam që pa vonesë të fillojnë procedurat për ndarjen e buxhetit dhe procedurave të tjera të prokurimit – që projekti i cili e sjellë Heroin e kombëtar në qytetin tonë, të realizohet shpejtë, përgjegjshëm dhe profesionalisht.”, u shpreh tutje ai.

“Pritjes së madhe po i vjen fundi. Bac, Prishtina të pret!”, përfundoi Retkoceri. /KultPlus.com