17 shkurti i vitit 2008 i barasvlershëm me 28 nëntorin 1912

Shqipëria, 17 shkurtin duhet ta shpallë festë zyrtare.

Nga Jusuf Buxhovi

Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.

Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik – nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe faktorëve të tjerë të përfshirë në të, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, që mori epilogun përfundimtar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi i 24 shkurtit 1991, zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, formimi i Qeverisë së Kosovës ia krijuan platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.

Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.

Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.

Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor. / KultPlus.com

14 vjet shtet, publikohet agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë

Më 17 shkurt, Kosova do të festojë 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e tani veçse kanë filluar edhe përgatitjet për të shënuar këtë festë, shkruan KultPlus.

Si çdo vit, edhe kësaj radhe janë paraparë disa aktivitete shtetërore, e madje është publikuar edhe agjenda shtetërore.

Zyra e Kryeministrit njofton se aktivitetet për 14 vjetorin e Pavarësisë do të fillojnë nga ora 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Me kurora lulesh do të viziohet kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, derisa i njejti aktivitet do të ndodhë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, konkretisht nga ora 09:10-09:30.

Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.

Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.

Që nga data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra, si shtet i pavarur dhe sovran, deri tani 117 shtete kanë njohur vendin më të ri në kontinentin e vjetër. /KultPlus.com

Ramë Lahaj mban koncert në Dubai më 17 shkurt

Tenori i famshëm kosovar, Ramë Lahaj do të mbajë një koncert në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Amfiteatrin Milenium në Dubai, përcjell KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ajo ka thënë se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Për herë të parë Kosova po prezantohet në expozitën botërore ”EXPO 2020 Dubai” në mesin e 192 shteteve nga i gjithë globi.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë të gjitha masat që shteti ynë të prezantohet në formën më dinjitoze duke sjellur në pah potencialet dhe vlerat më të mira të kombit tonë. Për ti dhënë akoma më shumë vlerë kësaj paraqitje, tenori ynë i skenave ndërkombëtare njëherësh dhe Ambasadori i Kulturës, Rame Lahaj do të mbajë koncert në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2022 në Amfiteatrin Milenium në Dubai, prej orës 21:30 (18:30 – zona kohore e Kosovës).

Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022 . Ndërsa ceremoninë zyrtare të intonimit të himneve, e ngritjes së flamurit tonë, fjalimet përshëndetëse dhe paraqitjen e Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “SHOTA”, mund ti ndiqni prej orës 16:00 ( 13:00 – zona kohore e Kosovës), në të njëjtën ditë 17 Shkurt, në Al Was Plaza në Dubai. Të interesuarit mund të lajmërohen për biletat pa pagesë deri më datën 15.02.2022 në numrin e telefonit: +971506648749″. /KultPlus.com