“7 Arte” fiton të drejtën të mirëpres 200 organizata kulturore në Mitrovicë

Në Kuvendin e Përgjithshëm të rrjetit evropian Trans Europe Halles, organizata kulturore 7Arte nga Mitrovica u përzgjodh me shumicë votash për të organizuar edicionin e vitit 2027 të TEH Camp Meeting – një nga ngjarjet më të rëndësishme të bashkëpunimit kulturor në Evropë.

Në vitin 2027, Mitrovica do të mirëpres rreth 200 organizata kulturore nga mbi 40 shtete, duke e shndërruar qytetin në një qendër të shkëmbimit artistik, rrjetëzimit profesional dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ky zhvillim përfaqëson një moment historik për 7Arte dhe për gjithë skenën e pavarur kulturore të Kosovës, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vlerave lokale, forcimin e ekonomisë kulturore dhe rigjallërimin e Mitrovicës në të dy anët e lumit Ibër.

Trans Europe Halles është një rrjet me rreth 200 qendra kulturore të pavarura, që mbështet transformimin e hapësirave të braktisura në qendra të gjalla për artin dhe komunitetin.

Përmes kampit të vitit 2027, 7Arte synon të vendos Mitrovicën në hartën evropiane të qendrave kulturore, duke shndërruar hapësirat kulturore e publike në një burim të ri për zhvillim të qëndrueshëm, kreativitet dhe bashkëjetesë./KultPlus.com

‘7 arte’ bëhet pjesë e rrjetit evropian të instituteve të arteve

Organizata kulturore me seli në Mitrovicë, “7Arte” është bërë pjesë e e asociuar e rrjetit të Ligës Evropiane të Instituteve të Arteve.

“7Arte” tashmë radhitet në mesin e më shumë se 280 anëtarëve të shtrirë në 52 vende, në të gjitha disiplinat e artit.

“Njihuni me ‘7 Arte’, një organizatë kulturore me mision të mbështesë artistët e rinj, të promovojë dhe zhvillojë një kulturë të përbashkët evropiane, të ofrojë përvoja të reja profesionale për artistët kosovarë dhe të ndërtojë partneritete të vlefshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ELIA-s.

Në njoftimin e kësaj organizate vendore thuhet se ky partneritet pasqyron përkushtimin e “7Arte” në fuqizimin e rinisë së Mitrovicës, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avokimin për trashëgiminë kulturore dhe artistike./rtk/KultPlus.comlajm

“Java e Filmit Kosovar” organizohet në Mitrovicë

Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur Kosovar, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.

Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, nga ora 21:00, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, më konkretisht në terasën e 7Arte që gjindet në qendër të qytetit.

Programi i filmave të paraparë për këtë javë: “Luaneshat e Kodrës” (83’), “Zana”(97’), “Babai” (94’), “Cirku Fluturues”(115’), “Zgjoi” (84’), “Pa Vend (15’); Në Mes (18’), si dhe “Rooftop Story”(74’).

“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.

Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovar, si mbështetje e cila përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte. Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.

7Arte përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com