Gonxhja: Rikthejmë shkëlqimin e siteve dhe monumenteve kulturore të vendit

Mirëmbajtja, investimet dhe projektet me bashkëpunëtorë të huaj, kanë nxjerrë nga lista e riskut shumë objekte pasuri kulturore në shumë qarqe.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se këto ndërhyrje
janë kryer falë ekipeve dhe specialistëve të drejtorive rajonale të trashëgimisë kulturore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, së bashku me mjeshtrat duarartë dhe komunitetet e organet vendore.

Gonxhja u shpreh se “ndërhyrjet restauruese kanë vijuar në: Kishat e Shën Triadhës në Tudas dhe Shën Marisë në Lubonjë;Shtëpinë muze të Kostandin Kristoforidhit në Elbasan;Pikturën murale në kishën e Shën Kollit dhe punime emergjente në Urën e Niçës. Gjithashtu, është në proces një projekt i rëndësishëm për restaurimin e kishës dhe pikturës murale në ishullin e Maligradit, me mbështetjen e projekteve IPA”.

Minisitri Gonxhja u shpreh se “investimet kanë nxjerrë nga risku kishën e Shën Marisë, Barmash dhe Shën Kollit në fshatin Shelcan. Po rijetëzojmë kulturën anë e mbanë Shqipërisë, e rikthejmë lavdinë dhe shkëlqimin e siteve dhe monumenteve kulturore të vendit”, tha Gonxhja.

Monumentet e kulturës në vendin tonë vijojnë të jenë  më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja./atsh/KultPlus.com

‘7 arte’ bëhet pjesë e rrjetit evropian të instituteve të arteve

Organizata kulturore me seli në Mitrovicë, “7Arte” është bërë pjesë e e asociuar e rrjetit të Ligës Evropiane të Instituteve të Arteve.

“7Arte” tashmë radhitet në mesin e më shumë se 280 anëtarëve të shtrirë në 52 vende, në të gjitha disiplinat e artit.

“Njihuni me ‘7 Arte’, një organizatë kulturore me mision të mbështesë artistët e rinj, të promovojë dhe zhvillojë një kulturë të përbashkët evropiane, të ofrojë përvoja të reja profesionale për artistët kosovarë dhe të ndërtojë partneritete të vlefshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ELIA-s.

Në njoftimin e kësaj organizate vendore thuhet se ky partneritet pasqyron përkushtimin e “7Arte” në fuqizimin e rinisë së Mitrovicës, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avokimin për trashëgiminë kulturore dhe artistike./rtk/KultPlus.comlajm

Iftari i bashkohet listës së trashëgimisë kulturore të UNESCO-s

Agjencia kulturore e OKB-së e njohu të mërkurën iftarin, vaktin që prish agjërimin gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, në listën e saj të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Aplikimi për traditën sociokulturore u dorëzua bashkërisht nga Irani, Turqia, Azerbajxhani dhe Uzbekistani në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

“Iftari (i quajtur edhe Eftari ose Iftor) festohet nga myslimanët në perëndim të diellit në muajin e Ramazanit, pas përfundimit të të gjitha riteve fetare dhe ceremoniale”, tha UNESCO, raporton AFP, transmeton Klankosova.tv.

Iftari, i cili pason ezanin e perëndimit të diellit gjatë Ramazanit, shoqërohet me tubime “duke forcuar lidhjet familjare dhe komunitetin dhe promovimin e bamirësisë, solidaritetit dhe shkëmbimit shoqëror”, thuhet në deklaratë.

Tradita e vjetër e komunitetit u njoh nga Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që është mbledhur në Botsvanë që nga e hëna.

Në disa vende myslimane, është zakon të shënohet iftari duke ngrënë një hurmë të shoqëruar me çaj. Recetat për pjatat dhe pastat, megjithatë, ndryshojnë shumë në varësi të vendit.

Organi i OKB-së tha se “praktika e iftarit zakonisht transmetohet brenda familjeve, dhe fëmijëve dhe të rinjve shpesh u besohet përgatitja e përbërësve të vakteve tradicionale”. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Përkujtohet themeluesi i Institutit të Trashëgimisë Kulturore

Në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u organizua sot një takim përkujtimor me rastin e 30-vjetorit të ndarjes nga jeta të arkitektit Gani Strazimiri.

Tema e takimit ishte “Arkitekt Gani Strazimiri: Themelues i Institutit të Trashëgimisë Kulturore” dhe morën pjesë shumë prej atyre që janë prekur nga vepra dhe trashëgimia e profesor Gani Strazimirit.

Fjala e hapjes u mbajt nga drejtorja e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Klesta Qirici. E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Mbi jetën e profesor Strazimirit dhe veprën e tij, folën Skënder Strazimiri, Suzana Varvarica, Artan Shkreli, ish kryeministri Aleksandër Meksi e prof. Pirro Thomo.

Në kuadër të 55-vjetorit të krijimit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të themeluar prej tij, si dhe me rastin e 105-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës i ka dhënë Gani Strazimirit, titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Prof.Strazimirit i njihet merita e madhe për ruajtjen e shumë prej objekteve të kultit të cilat pas viteve `65 filluan të shkatërroheshin nga regjimi komunist. Shkatërrimin e tyre ai e quante një “akt vandal” dhe “vepër kriminale” siç edhe ishin në të vërtetë.

Prof.Strazimiri ka luajtur veçanërisht rol të rëndësishëm në përcaktimin e zonave historike të arkitekturës popullore, të shpalljes së Gjirokastrës e Beratit qytete-muze, si dhe të komplekseve muzeale të pazareve të Krujës e Korçës.

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve nxënësit vizitojnë asete të trashëgimisë kulturore në Prizren

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prizrenit, kanë vizituar asete të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

Nxënësit e drejtimit të arkitekturës kanë pasur mundsin që t’i shohin nga afër punët restauruese dhe konservuese që po zhvillohen në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, shtëpinë e familjes Bardhi dhe disa asete tjera të trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com

Performuesit e institucioneve kulturore të Kosovës hyjnë në grevë, anulojnë çdo aktivitet

Alberina Haxhijaj

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës në konferencën e mbajtur sot për media, kanë njoftuar se do të anulojnë çdo aktivitet deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë dal sot me një komunikatë për media, ku thanë se nga sot anulojnë çdo aktivitet dhe hyjnë në grevë.

Besnik Grajqevci, përfaqësues nga Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, tha se kjo konferencë po mbahet për të njoftuar opinionin se cilat janë hapat sindikal të cilat do të merren karshi kërkesave të tyre.

“Bëjmë thirrje institucioneve tona dhe ministrit që sa më shpejtë të miratojnë marrëveshjen që e kemi bërë tash e një vit”, tha ai.

Këshilli i Grevistëve u shprehen se performuesit e artit tash e 19 vite janë në gjendje të rëndë dhe po neglizhohen nga Ministria e Kulturës, Kuvendi dhe Qeveria.

Përfaqësuesi Sindikal i Teatrit Kombëtar, Shkelzen Veseli theksoi se mungon edhe mbrojtja institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistik.

“Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me ngritje do të dalin në janar, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në shtator.. dhe pastaj, dhe pastaj dhe pastaj… ja ku jemi në vitin 2028”, u shpreh me ironi, Veseli duke kujtuar premtimet e shumta të cilat i ka marrë ky Këshilli nga Ministria e Kulturës këto vitet e fundit.

Këshilli Grevist i Sindikatave dhe përfaqësuesve e perfomuesve të artit të institucioneve vartëse të MKRS-së, shpallën grevë të përgjithshme duke pezulluar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës, deri në realizimin e zotimeve publike të MKRS-së për ngritjen e pagës bazë komfor Rregullores 05/2018.

Kujtojmë se Sindikata përkatëse të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë iniciuar proceduat për përmirësimin e rregullores 05/2011.

“Ne do të vazhdojmë grevat. Sigurisht kemi pasur greva edhe më parë por gjatë kohës sa ato janë anuluar janë realizuar mjaftë punë edhe pse ato mund të mos vërehen. Madje është realizuar edhe koncept dokumenti. Pra tani ka mbetur vetëm që rregullorja të dërgohet në Qeveri për miratim. Unë shpresoj që ministri ka vullnet dhe dëshiron që ta realizojë këtë. Po ashtu jemi të bindur se kërkesa është ligjore, legjitime dhe e realizueshme”, shtoi Veseli.

Këshilli i grevistëve gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen, sikurse edhe deri më sot, do të angazhohen që të jenë partner të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht MKRS-së./ KultPlus.com

Hapet audicioni për pranimin e fëmijëve në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Prishtinë, hap konkurs për fëmijët e shkollave fillore të Komunës së Prishtinës, të cilët janë të interesuar për tu bërë pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Audicioni është i hapur në këto drejtime: Kor, Sport, Ansambël Folklorik dhe Klubi i Ambasadorëve të Rinj.

Pjesëmarrësit në audicion do të testohen për aftësitë e tyre në:

– Kor (Këndim dhe Ritëm)
– Sport (Ping pong, Badminton)
– Ansambël Folklorik (Vallëzim folklorik, Ritëm…)
– Klubi i Ambasadorëve të Rinj (Suksesi i shkëlqyeshëm, njohja e një gjuhë të huaj, njohuri të përgjithshme…)

Mosha e nxënësve duhet të jetë nga 7 – 16 vjeç, kurse në Klubin e Ambasadorëve të Rinj 12-16 vjeç. Data për audicion është më 2 tetor 2017 nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 14:00 deri në 16:00. Audicioni mbahet te Qendra Kulturore e Fëmijëve-Pallati i Rinisë dhe Sporteve kati i II, Prishtinë./ KultPlus.com