Qindra afganëve u është refuzuar kërkesa për të hyrë në SHBA për arsye humanitare

Zyrtarët federalë të imigracionit kanë refuzuar kërkesat e qindra afganëve për hyrje të përkohëshme në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare. Aktivistët e imigracionit thonë se administrata e Presidentit Biden nuk e ka mbajtur premtimin për të ndihmuar afganët e lënë mbrapa pas tërheqjes së trupave amerikane dhe rënies së vendit në duart e talebanëve.

Që nga tërheqja e trupave amerikane, zyrtarët e imigracionit thonë se kanë pranuar mbi 35 mijë aplikacione bazuar në rregullin e pranimit të emigrantëve për arsye humanitare. Prej tyre, rreth 470 aplikime janë refuzuar dhe më pak se 150 janë miratuar. Ky rregull pak i njohur është rezervuar për emergjenca ekstreme, kur shqyrtimi i aplikimeve për viza të rregullta nuk është një alternativë dhe kur të huajt kanë nevojë të hyjnë shpejtë në vend.

Haseena Niazi i kishte varur shpresat e saj për ta tërhequr të fejuarin e saj nga Afganistani përmes kësaj dispozite të imigracionit.

24-vjeçarja që banon në Masaçusets ishte pothuajse e sigurt se kërkesa e për emigrim në bazë humanitare do të miratohej nga qeveria amerikane, duke marrë parasysh provat që ajo ofroi mbi kërcënimet nga talebanët që mori ndërsa punonte për çështjet e shëndetit të grave në një spital afër Kabulit.

Por këtë muaj, kërkesa e saj u refuzua, duke e lënë çiftin të tronditur pas muajsh ankthi.

“Ai kishte gjithçka që ata dëshironin”, tha zonja Niazi me origjinë nga Afganistani, e cila është e pajisur me kartën jeshile. “Refuzimi i kërkesës nuk është i logjikshëm. Kjo është si një ëndërr e keqe. Ende nuk mund ta besoj.”

“Ky është një zhgënjim i madh”, thotë Caitlin Rowe, avokate nga Teksasi, e cila tha se kohët e fundit kishte marrë pesë refuzime për klientët e saj, duke përfshirë kërkesën e një oficeri afgan policie që ndihmoi në trajnimin e trupave amerikane dhe u rrah nga talebanët. “Këta janë njerëz të pambrojtur, që me të vërtetë menduan se kishte shpresë. Unë nuk mendoj se ka shpresë për ata.”

Që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, Agjencia Amerikane e Imigracionit ka marrë më shumë se 35 mijë aplikime të bazuara në dispozitën për emigrim në SHBA për arsye humanitare, nga të cilat ka refuzuar rreth 470 dhe ka miratuar me kusht më shumë se 140, tha këtë javë Victoria Palmer, një zëdhënëse e agjencisë.

Programi pak i njohur, i cili nuk ofron një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm në vend, zakonisht merr më pak se 2,000 kërkesa çdo vit nga të gjitha kombësitë, nga të cilat Agjencia amerikane e Imigracionit miraton mesatarisht rreth 500, tha ajo.

Zonja Palmer theksoi gjithashtu se pranimi i njerëzve bazuar në dispozitën humanitare është përgjithësisht i rezervuar për emergjencat ekstreme dhe nuk synon të zëvendësojë procesin e pranimit të refugjatëve, “që është rruga tipike për individët jashtë Shteteve të Bashkuara që kanë ikur nga vendi i tyre i origjinës dhe kërkojnë mbrojtje”.

Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdon të ndihmojë afganët e pambrojtur, duke evakuuar më shumë se 900 shtetas amerikanë dhe 2200 afganë të tjerë që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, shkruan voa. Departamenti i Shtetit tha se pret të ndihmojë në sistemimin e rreth 95,000 njerëzve nga Afganistani këtë vit fiskal, një proces që përfshin kontrolle rigoroze të biografisë dhe gjendjes shëndetësore. / KultPlus.com

Rreth 200 afganë janë në Bondsteel, flet imami kosovar që iu ligjëron aty

Drejtori i Kosovo Center for Peace (Qendra e Kosovës për Paqe), imami Labinot Maliqi, është i përzgjedhuri i ushtrisë amerikane për të ligjëruar për refugjatët afganë, në kampin ushtarak Bondsteel.

”Njeriu kudo që është larg vendlindjes së tij, sado që i kanë kushtet e mira, sikurse në vendin e  tyre nuk ndjehen mirë”.

“Ata nuk kanë asnjë ankesë sa i përket gjithë atyre brenda kampit. Edhe në këtë rast tek afganët është shpresa e madhe që atyre u jep motiv, guxim për të shpresuar ”, ka deklaruar Maliqi në KlanKosova.

Ai mes tjerash ka treguar edhe për temat të cilat ka ligjëruar në kamp para refugjatëve.

”Temat që janë më tepër shpirtërore, për të ngritur moralin, anën e tyre tyre shpirtërore. Edhe shpirti ka nevojë për ushqim, dhe natyrisht që ne jemi duke u munduar që t’ua ushqejmë shpirtin e tyre me mësime hyjnore”.

Pse amerikanët e bënë një kërkesë për të qenë një imam tek refugjatët afganë?

”Ata nuk e kanë një imam me veti, që t’ua kryejnë ritualet fetare, dhe ne ashtu kemi një bashkëpunim të hershëm, edhe me ambasadën amerikane edhe me kampin Bondsteel. Dhe natyrisht ata duke pasur besim tek ne dhe duke qenë mirënjohës për ndërtimin e vendit tonë, dhe ata e kanë parë të udhës që unë të jem i përzgjedhuri i tyre në mënyrë që t’ua kryejë unë këto rituale fetare”.

”Jam vetëm unë, nuk ka ndonjë imam tjetër”.

”Përgjigjia e tyre kanë qenë 90% prej tyre janë myslimanë, ne i trajtojmë të gjithë si krijesa të zotit e më pasë nga ajo se cilës fe i takojnë. Ne mundohemi që çkado që atyre ju nevojitet, t’ua plotësojmë bashkë me ushtrinë amerikane”.

”Për momentin janë mbi 200 afganë brenda Bondsteel-it, dhe duke parë se brenda tyre ka shumë tenda, pritet ardhje edhe një numri më të madh të afganëve. Ata kanë ëndrrat e tyre se do të bëhet mirë për ta kudo që sistemohen me një shtet ku do të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, ka deklaruar ai. / KultPlus.com