Qindra afganëve u është refuzuar kërkesa për të hyrë në SHBA për arsye humanitare

Zyrtarët federalë të imigracionit kanë refuzuar kërkesat e qindra afganëve për hyrje të përkohëshme në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare. Aktivistët e imigracionit thonë se administrata e Presidentit Biden nuk e ka mbajtur premtimin për të ndihmuar afganët e lënë mbrapa pas tërheqjes së trupave amerikane dhe rënies së vendit në duart e talebanëve.

Që nga tërheqja e trupave amerikane, zyrtarët e imigracionit thonë se kanë pranuar mbi 35 mijë aplikacione bazuar në rregullin e pranimit të emigrantëve për arsye humanitare. Prej tyre, rreth 470 aplikime janë refuzuar dhe më pak se 150 janë miratuar. Ky rregull pak i njohur është rezervuar për emergjenca ekstreme, kur shqyrtimi i aplikimeve për viza të rregullta nuk është një alternativë dhe kur të huajt kanë nevojë të hyjnë shpejtë në vend.

Haseena Niazi i kishte varur shpresat e saj për ta tërhequr të fejuarin e saj nga Afganistani përmes kësaj dispozite të imigracionit.

24-vjeçarja që banon në Masaçusets ishte pothuajse e sigurt se kërkesa e për emigrim në bazë humanitare do të miratohej nga qeveria amerikane, duke marrë parasysh provat që ajo ofroi mbi kërcënimet nga talebanët që mori ndërsa punonte për çështjet e shëndetit të grave në një spital afër Kabulit.

Por këtë muaj, kërkesa e saj u refuzua, duke e lënë çiftin të tronditur pas muajsh ankthi.

“Ai kishte gjithçka që ata dëshironin”, tha zonja Niazi me origjinë nga Afganistani, e cila është e pajisur me kartën jeshile. “Refuzimi i kërkesës nuk është i logjikshëm. Kjo është si një ëndërr e keqe. Ende nuk mund ta besoj.”

“Ky është një zhgënjim i madh”, thotë Caitlin Rowe, avokate nga Teksasi, e cila tha se kohët e fundit kishte marrë pesë refuzime për klientët e saj, duke përfshirë kërkesën e një oficeri afgan policie që ndihmoi në trajnimin e trupave amerikane dhe u rrah nga talebanët. “Këta janë njerëz të pambrojtur, që me të vërtetë menduan se kishte shpresë. Unë nuk mendoj se ka shpresë për ata.”

Që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, Agjencia Amerikane e Imigracionit ka marrë më shumë se 35 mijë aplikime të bazuara në dispozitën për emigrim në SHBA për arsye humanitare, nga të cilat ka refuzuar rreth 470 dhe ka miratuar me kusht më shumë se 140, tha këtë javë Victoria Palmer, një zëdhënëse e agjencisë.

Programi pak i njohur, i cili nuk ofron një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm në vend, zakonisht merr më pak se 2,000 kërkesa çdo vit nga të gjitha kombësitë, nga të cilat Agjencia amerikane e Imigracionit miraton mesatarisht rreth 500, tha ajo.

Zonja Palmer theksoi gjithashtu se pranimi i njerëzve bazuar në dispozitën humanitare është përgjithësisht i rezervuar për emergjencat ekstreme dhe nuk synon të zëvendësojë procesin e pranimit të refugjatëve, “që është rruga tipike për individët jashtë Shteteve të Bashkuara që kanë ikur nga vendi i tyre i origjinës dhe kërkojnë mbrojtje”.

Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdon të ndihmojë afganët e pambrojtur, duke evakuuar më shumë se 900 shtetas amerikanë dhe 2200 afganë të tjerë që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani, shkruan voa. Departamenti i Shtetit tha se pret të ndihmojë në sistemimin e rreth 95,000 njerëzve nga Afganistani këtë vit fiskal, një proces që përfshin kontrolle rigoroze të biografisë dhe gjendjes shëndetësore. / KultPlus.com

Mbretëria e Bashkuar konfirmon zhvendosjen e 117 afganëve nga Kosova

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ka njoftuar se 117 afganë kanë  fluturuar sot nga Kosova për në Mbretërinë e Bashkuar, pas evakuimit të tyre nga Afganistani.

Përmes një njoftimi për media, Ambasada britanike ka njoftuar se rreth 2000 ish-kontraktorë të NATO-s dhe familjet e tyre u evakuuan nga Afganistani në total, ku mbi 800 janë vendosur në strehim të përkohshëm të siguruar nga Qeveria e Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar nën komandën e NATO -s janë vendosur në Kosovë dhe janë në pararojë të operacionit për të mbështetur strehimin dhe zhvendosjen e tyre. Mbretëria e Bashkuar është krenare që po luan rolin e saj dhe është anëtarja e parë e NATO -s që siguron zgjidhje të shpejtë të mëtejshme. Mbretëria e Bashkuar është angazhuar të zhvendosë rreth 150 afganë të lidhur me NATO-n”, thuhet në njoftim.

Ambasada britanike ka falënderuar dhe ka thënë se i është jashtëzakonisht mirënjohës për bujarinë e Kosovës në pritjen e këtyre njerëzve të cenueshëm dhe për hapin përpara për të mbështetur NATO -n në kohën e nevojës. / KultPlus.com

Kosova pret afganët, Kosnett falënderon Osmanin për vendimin e institucioneve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Me këtë rast, ambasadori Kosnett shprehu falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ndërkaq, presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Presidentja Osmani nënvizoi se Republika e Kosovës do t’i qëndrojnë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Presidentja Osmani po ashtu shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Kosnett diskutuan po ashtu për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë. / KultPlus.com

Kurti mban takim me Nuland për çështjen e afganëve, SHBA do të mbulojë financiarisht strehimin e tyre

Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një takim virtual me nën sekretaren e shtetit amerikan për Çështje Politike, Victoria Nuland, si dhe zv. sekretaren e shtetit, Wendy R. Sherman, lidhur me çështjen e strehimit të afganëve në Kosovë.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije zyra e kryeministrit me anë të një komunikate dërguar medieve, teksa ka bërë të ditur se shpenzimet për të strehuarit do t’i mbulojë SHBA’ja.

“Ata shprehën vlerësimin e tyre të thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherman potencoi se të gjitha shpenzimet nga strehimi i përkohshëm i qytetarëve afganë do të mbulohet nga qeveria amerikane”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në mbledhjen 26-të, Qeveria ka miratuar kërkesën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme të personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Ende nuk dihet numri i saktë i afganëve që do të strehohen në Kosovë, ndonëse ekspertë të fushës së sigurisë kanë vlerësuar se shteti mund t’iu bëjë vend rreth 3,500 personave.

Dy vendet të cilat janë përfolur për strehimin e personave që vijnë nga Afganistani është Parku Inovativ në Prizren, si dhe kampi i KFOR-it francez në Vushtrri. / Gazeta Express / KultPlus.com