“Ajo” shfaqet në festivalin prestigjioz AFI, More Raça pjesë e grave kineaste në Hollivud

Sarandë Selimi

“Ajo” filmi i regjisores kosovare More Raça, është prezantuar në festivalin prestigjioz AFI – American Film Institut në Hollivud, shkruan KultPlus.

Filmi i Raçës, është shfaqur sot para një audience të madhe, ndërsa vetë regjisorja, ka ndarë me KultPlus, disa fotografi nga atje.

“Filmi është pritë shumë mirë dhe gjithçka ka shkuar siç duhet. Jam e kënaqur me krejt këtë” ka thënë More Raça për KultPlus.

“Ajo”, sipas regjisore Raça, është përkrahur edhe nga Caroline Baron – producente e Bel Canto, Capote, Mozart in the Jungle dhe fituese e Globit të Artë.

Regjisorja kosovare More Raça, përveç kësaj në kuadër të AFI është pjesë edhe e kampanjës Audi #driveprogress, kampanjë kjo e cila promovon gratë kineaste.

“Ajo” deri më tani ka marrë pjesë në shumë festivale botërore, po ashtu edhe në festivale të cilat dhanë dritën jeshile për Akademinë Oscar.

Filmi ‘Ajo’ me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça flet për dhunën në familje, guximin e një vajze të vogël për të shpëtuar vetën dhe nënën e saj. Në filmin Ajo luajnë: Aurita Agushi, Sunaj Raça, Diella Valla, Florist Bajgora, Bekim Mulaj.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike Arena i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

AJO gjithashtu është në garë për nominim në OSCAR pas përzgjedhjes si njëri ndër finalistët e Manhattan Short Film Festival./ KultPlus.com