Rikthehet festivali ‘Akordet e Kosovës’, Sefedini dhe Bytyçi: Synojmë të parandalojmë rrezikun e harresës

Jeta Zymberi

Trashëgimia kulturore është një pasuri që meriton të eksplorohet, ruhet dhe shpërndahet për të gjithë. Pasuri të tillë nuk i mungojnë Kosovës, por dokumentimi i tyre është shumë i mangët.

Një ndër ngjarjet më unike në vendin tonë ishte edhe festivali “Akordet e Kosovës”, një ngjarje që ka qenë një burim frymëzimi dhe harmonie për dekada të tëra. I mbajtur në Kosovë nga viti 1963 deri më 1990, ky festival ka ndërthurur zërat, ngjyrat dhe emocionet e arta të muzikës në një bashkim unik të kulturave, por pluhuri i harresës kishte kohë që e kishte mbuluar, shkruan KultPlus.

Sot, në një epokë ku teknologjia dhe kultura bashkohen për të shkruar një kapitull të ri të trashëgimisë kulturore, festivali “Akordet e Kosovës” ndryshon mënyrën se si kujtohet, ndahet dhe kultivohet. Një inovacion i frytshëm i dy të rinjve të talentuar, studentë të antropologjisë kulturore, Tringa Sefedini dhe Enis Bytyçi, ka sjellë në vëmendje trashëgiminë muzikore të Kosovës në një skenë të re, digjitale dhe interaktive, përmes projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Përmes këtij projekti, ku përfshihet arkivi dhe muzeu digjital (online) i festivalit “Akordet e Kosovës”, janë përmbledhur këngë, libra e partitura, fotografi, dokumente dhe shkrime nga mediat e kohës dhe intervista me këngëtarët, drejtuesit e festivalit, etj.

Tringa dhe Enisi kanë bërë të mundur që kjo pasuri e papërsëritshme të mos rrinte e mbyllur nëpër skutat e kujtesës, por të jetë një burim i qasshëm për të gjithë dashamirët e muzikës dhe kulturës.

Për këtë projekt kaq të veçantë dhe si lindi ideja bazë për digjitalizimin e arkivit të festivalit, Trina dhe Enisi kanë shpalosur më shumë detaje në një intervistë për KultPlus.

Enis Bytyçi, është shprehur se është admirues i kulturës dhe muzikës dhe ka ndjerë një lidhje emocionale me këtë festival kaherë, pavarësisht faktit që nuk i përket një gjenerate e cila është rritur me festivalin ”Akordet e Kosovës”.

“Si rezultat i kësaj kam pasur dëshirë që të kontribuoj në ruajtjen dhe promovimin e kësaj ngjarje kulturore. Festivali “Akordet e Kosovës” është një pjesë e çmuar e identitetit kulturor të vendit, andaj duke digjitalizuar arkivin e këtij festivali, synojmë të parandalojmë  rrezikun e harresës dhe njëkohësisht i japim hapësirë formave të reja të promovimit të trashëgimisë tonë kulturore jo materiale, si rasti i uebfaqes tonë për festivalin”, thotë Bytyçi.

Arkivi i festivalit përfshin një gamë të gjerë të periudhave kohore, nga fillimi i festivalit në vitin 1963  deri në vitet e 1990-ta kur edhe përfundon. Ndërsa hartuesit e këtij projekti janë kujdesur që ky arkiv të dokumentoj ngjarjet kryesore si: Edicioni i parë, ndryshimi i emrit të festivalit, jubileu i parë, përpjekjet gjatë viteve 1990-ta për ta vazhduar festivalin, të cilat reflektojnë gjendjen sociale e politike në Kosovë të asaj periudhe, bashkëveprimin ndëretnik, e shumëçka tjetër rreth festivalit.

Projekti “Arkivi i Festakordet“, kjo nismë e shkëlqyer po çon përpara një ndryshim radikal në mënyrën se si ne njohim, përdorim dhe transmetojmë trashëgiminë kulturore. Digjitalizimi i arkivit të festivalit po mundëson që pafundësia e performancave të ruhet në një hapësirë virtuale, të qasshme nga të gjithë. Nëpërmjet video performancave, materialeve audio dhe dokumentacionit të ngjarjeve të ndryshme, artistët, historianët, etnografët dhe ndjekësit e muzikës tani kanë një dritare të hapur për të njohur dhe studiuar këtë trashëgimi unike.

Por ky projekt nuk është vetëm një arkiv digital. Ai është një galeri e muzikës, një udhëtim emocional dhe një sfidë për t’u njohur me brezat, nëpërmjet tingujve të bukurisë së kompozimit. Në këtë platformë të re, ju mund të shijoni një udhëtim të pafund nëpër shpirtin dhe kulturën e Kosovës.

Enis Bytyçi ka treguar edhe qëllimin kryesor të këtij projekti, që shkon pak më tutje asaj çka ne mund të mendojmë.

“Qëllimi kryesor i projektit për digjitalizimin e arkivit të festivalit “Akordet e Kosovës” është ruajtja, dokumentimi dhe përhapja e trashëgimisë kulturore që përbënë festivali për brezat e ardhshëm, si dhe për të ndihmuar profesionistët pasiqë në uebfaqen tonë për herë të parë ofrohet qasje në tetë libra të festivalit të cilët ndër të tjera përmbajnë partiturat dhe tekstet e këngëve pjesëmarrëse në edicionet respektive, gjithashtu ky projekt inkurajon dhe publikun e gjerë që janë të interesuar në studimin e veprimtarisë artistike dhe rrëfimeve personale për këtë festival”, thotë Bytyçi.

Por, gjithë ky projekt, padyshim që kishte edhe sfidat e veta me të cilat u përballën Tringa dhe Enisi.Por sfida më e madhe ishte mungesa e dokumentacionit të rregullt për festivalin dhe informacionet e sakta si dhe bashkëpunimi i kufizuar me institucionet relevante.

“Përkundër sfidave, besoj se përkushtimi dhe përpjekjet tona kanë sjellë rezultate pozitive, duke na mundësuar të nxjerrim në pah një pjesë të madhe të historisë së festivalit. Ne shpresojmë që me hapat e duhur dhe me bashkëpunimin e të gjithë palëve të interesuara, ky projekt do të pasurohet dhe më shumë dhe do të ruhet për shumë kohë.”

Për të sjellë në jetë këtë nismë, hartuesve të projektit ju është dashur të marrin disa hapa konkret dhe të përdorin mjete të veçanta. Projekti ka qenë i bazuar në metoda antropologjike të hulumtimit dhe ka përfshirë intervistimin e subjekteve relevante, përfshirë këngëtarët, kompozitorët dhe individët që kanë luajtur role të ndryshme në drejtimin dhe organizimin e festivalit. Kjo i ka ndihmuar ata në mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e festivalit.

“Kemi bërë studim të thellë të shtypit, gjegjësisht gazetës “Rilindja”, për të dokumentuar lajmet dhe artikujt e lidhur me festivalin nëpër vite. Aspektin vizual e kemi pasuruar kryesisht duke u mbështetur në arkivat personale të informatorëve tanë, burimeve të ndryshme të disponueshme në internet, dhe video arkivit të RTK-së. Ndërkaq me fazën finale të projektit, për dizajnimin dhe zhvillim e uebfaqes është angazhuar Florian Mehmeti Löffler”, tregon Bytyçi.

Ndërsa Tringa Sefedini, na foli më shumë rreth përkrahjes që kanë marr nga komuniteti i muzikantëve, etnografëve dhe të tjerëve që janë të interesuar në historinë e festivalit. Ajo tregon për KultPlus se procesi i hulumtimit sado që ka qenë sfidues, ishte pikërisht përkrahja dhe zellshmëria e muzikantëve të kohës (kompozitorë, këngëtarë, muzikologë) të cilët e jetësuan kujtimin mbi “Akordet e Kosovës”.

“Kontributi i tyre artistik ndër dekada rezultoi në një festival të përmasave të tilla siç ishte  “Akordet e Kosovës”, mirëpo, ishte tejet insipirues përkushtimi dhe përkrahja e tyre për të rifreskuar kujtesën e festivalit me anë të uebfaqes. Po ashtu, takimi dhe intervistimi direkt i subjekteve të cilët kemi hulumtuar ka qenë një shtysë e rëndësishme për të reprezentuar drejtë dhe qartë secilin prej pjesëmarrësve dhe vetë ngjarjet e festivalit. Pa ndihmën e tyre (emrat e të cilëve të gjitha janë në uebfaqe) ky projekt nuk do mund të arrinte cilësinë që përmban”, thotë Tringa.

Kjo nismë e cila ka për synim të vazhdojë ende me plotësimin e materialeve, synon të ndikojë edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për trashëgiminë kulturore dhe artistike të Kosovës e cila dashje pa dashje shpesh po mbetet nën mëshirën e fatit. Për këtë fakt, Tringa shprehet se nevoja e ndërgjegjësimit dhe eksplorimit të thellë të kujtesës kolektive në dimensione dhe sfera të ndryshme të së kaluarës, tek ne ndihet fuqishëm, por shpreson që ky projekt të jetë një përgjigje e duhur në këtë aspekt dhe gjithashtu të kontribuojë në rritjen e interesit të të rinjve për kulturën dhe muzikën shqiptare të atyre viteve.

“Interesimi gjithmonë ka qenë aty, vetëm se ka munguar (dhe ende mungojnë) informacione të sakta dhe një databazë e kuruar e muzikës së zhanreve të ndryshme. Interesimi i të rinjve për muzikën e atyre viteve mund t’i qoj në trajektore të ndryshme të ngjarjeve të atyre viteve. Në vitet 70-80’ta në Kosovë ka ndodhur një shpërthim i skenës krijuese alternative. Ekzistojnë diskografi, videoteka, revista dhe magazina që dokumentojnë qartë një periudhë fillestare të shprehjes së lirë dhe krijuese. Për sa i përket festivalit dhe përmbajtjes së uebsajt-it, për çdo dekadë mund të vërehen edhe trendet e kohës, nga zhanret e muzikës të qetë dhe zbavitëse deri te krijimi i bendeve në vitet e 80-90’ta. Thënë kjo, përveç fokusit muzikor, projekti mund të kontribuojë si hapësirë për të studiuar dhe analizuar çështje të ndryshme shoqërore të atyre viteve.”

Krejt për fund, Tringa ka treguar për KultPlus se në plan është zgjerimi i këtij projekti si dhe bashkëpunimet e mundshme me institucionet tjera kulturore pasi sipas saj gjendja arkivore e historisë muzikore në Kosovë është shumë e cekët dhe fryma bashkëpunuese nga institucione të ndryshme mungon dhe vjen e vakët.

“Një nga sfidat më të zorshme të projektit ishte ta dinim kur ta mbarojmë hulumtimin. Ka aq shumë të dhëna për këtë festival, saqë kjo na ka befasuar edhe neve. Kështu që kemi ende arkiva të cilat për shkaqe kuratoriale nuk u prezantuan në uebfaqe. Qëllimi jonë është ta plotësojmë uebfaqen me më shumë diskografi, videoteka dhe fototeka çdo vit. Normalisht ne vetëm se kemi bashkëpunuar me institucione tjera dhe shpresoj që kjo vazhdon e shtohet. Më duhet ta theksoj se gjendja arkivore e historisë muzikore në Kosovë është shumë e cekët dhe fryma bashkëpunuese nga institucione të ndryshme mungon dhe vjen e vakët. Këto bashkëpunime potenciale në të ardhmen nuk i shërbejnë vetëm projektit tonë por gjithë të trashëgimisë kulturore muzikore në Kosovë”, thotë Tringa.

Projekti “Arkivi i Festakordet” reflekton edhe një ndryshim më të thellë që po ndodh në shoqërinë tonë. Trashëgimia kulturore nuk është më diçka e fikur në të kaluarën, por një burim frymëzimi dhe bashkëveprimit për të ardhmen. Duke përdorur teknologjinë, ne mund të ruajmë dhe ndajmë thelbin e kulturës sonë me një audiencë globale. / KultPlus.com

‘Mbrëmja e maturës’ në Akordet e Kosovës të vitit 1971 (VIDEO)

Një incizim i Luan Hajrës në vitin 1971 është ajo që do të na bëjë ditën më të mirë.

Këngëtari Luan Hajra kujtohet për veçantinë e zërit të tij ndër vite.

Në këtë video që del për herë të parë në Youtube nga Musa Doroci, Hajra këndon “Mbrëmja e maturës”, në Akordet e Kosovës në vitin 1971, shoqëruar nga Orkestra, shkruan KultPlus.

Videoja, si shumë të tjera gjatë këtyre viteve, është transmetuar në Televizionin e Prishtinës.

Luan Hajra ndër vite ka sjellë hite të cilat na rrëmbejnë në nostalgji. “Na ka qu Dudia letër” apo “Arabella” janë disa prej këngëve që sot mbajnë vulën dhe emrin e Luan Hajrës. / KultPlus.com

‘Pranë burimit dorë për dore, hidhet vallja popullore’ (VIDEO)

Kush kujton Akordet e Kosovës, e kujton një këngë shumë të veçantë nga ky festival.

Në vitin 1984, kënga “Vallja popullore” kënduar nga Tringa Gjikolli, Teuta Grajçevci dhe Emine Vala morri Okarinën e Artë në Akorde dhe shpërblimin e parë nga juria profesionale.

Kënga u kompozua nga Pranvera Badivuku me tekst të Riza Sheqirit dhe orkestrim të Krist Lekaj.

Përcjelljen e bëjnë Grupi i fëmijëve i RTP-së dhe Visar Aliu në çifteli.

Publikuar në vitin 1985 në audio kasetën e parë me këngë për fëmijë nga Fabrika e kasetave e produksionit muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Kosovë. / KultPlus.com

‘Mbrëmja e maturës’ në Akordet e Kosovës të vitit 1971 (VIDEO)

Një incizim i Luan Hajrës në vitin 1971 është ajo që do të na bëjë ditën më të mirë.

Këngëtari Luan Hajra kujtohet për veçantinë e zërit të tij ndër vite.

Në këtë video që del për herë të parë në Youtube nga Musa Doroci, Hajra këndon “Mbrëmja e maturës”, në Akordet e Kosovës në vitin 1971, shoqëruar nga Orkestra, shkruan KultPlus.

Videoja, si shumë të tjera gjatë këtyre viteve, është transmetuar në Televizionin e Prishtinës.

Luan Hajra ndër vite ka sjellë hite të cilat na rrëmbejnë në nostalgji. “Na ka qu Dudia letër” apo “Arabella” janë disa prej këngëve që sot mbajnë vulën dhe emrin e Luan Hajrës. / KultPlus.com