Ekspozitë në 90-vjetorin e lindjes së akademikut Ali Aliu

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, çeli ditën e martë, më 02.04.2024, një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.

Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu. Ai ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë proceseve risuese dhe veprës së krijuesve më të shquar të saj. Është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.

Ekspozitë dhe tryezë shkencore kushtuar prof. Ali Aliut, në 90-vjetorin e lindjes

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, hapi sot një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.

Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu.

Biblioteka Kombëtare kujton se, prof. Ali Aliu ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë veprës së krijuesve më të shquar të saj. Ali Aliu është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.

Ndërkohë Akademia e Shkencave e Shqipërisë e uroi anëtarin e saj të jashtëm Ali Aliu, gjatë një tryeze shkencore kushtuar jubileut të lindjes së tij, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës.

Në këtë tryezë morën pjesë e referuan nga Tirana shkrimtari Zija Çela, dr. Arian Leka (përgjegjës i sektorit të enciklopedisë në QBEA), akad. Shaban Sinani. Pjesëmarrës në linjë ishte edhe akad. Matteo Mandalà, anëtar i jashtëm i ASHSH.

Akademik Ali Aliu lindi më 1 prill të vitit 1934 në Prespë. Ai është autor i 65 studimeve monografike dhe përmbledhjeve me studime. Ka mbi 130 artikuj shkencorë të botuar dhe mbi 100 recensione; përkthyes nga shqipja në gjuhë të fqinjëve i 25 veprave dhe redaktor shkencor e përgatitës botimesh për rreth 50 tituj. / atsh / KultPlus.com

Kur çështja kombëtare bashkonte Dritëro Agollin, Ibrahim Rugovën dhe Ali Aliun (FOTO)

Çështja kombëtare i kishte bërë që të uleshin në një tavolinë tre shkrimtarët nga dy vendet shqiptare, Dritëro Agolli nga Shqipëria, Ibrahim Rugova dhe Ali Aliu nga Kosova, shkruan KultPlus.

Vajza e shkrimtarit Agolli, Elena Agolli ka shpërndarë fotografinë e viteve të 90’ta, teksa ka thënë se bisedat gjallëroheshin me temën e bashkimit kombëtar.

“Shpesh rrinin bashkë në tryeza të përbashkëta ,të gjallëruara nga bisedat për çështjen kombëtare dhe bashkimin kombëtar. Herë – herë debatonin fort , disa të tjera herë miratonin mendimet e njëri – tjetrit”, ka shkruar Elena Agolli.

Në fotografi shihet edhe gruaja e shkrimtarit nga Menkulasi, Sadije Agolli. / KultPlus.com

.

Ali Aliu dhe Xhevat Lloshi fitues të çmimit “22 Nëntori”

Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi janë fitues të çmimit “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.

Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.

“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.

Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare./atsh/ KultPlus.com