Shqipëria e vitit 1842-it sipas kontit hungarez Karaxhaji

Deri më tani gjeografët tanë nuk e kanë njohur një përshkrim të gjeografisë së Shqipërisë, të shoqëruar edhe me hartën përkatëse, të përgatitur prej kontit Fedor Karaxhaji dhe të botuar më 1842 në Londër nga revista shkencore e Shoqatës Gjeografike Mbretërore. Është marrë nga dorëshkrimi i tij dhe përkthyer anglisht prej T. Wittick-ut. Në Shoqatën Gjeografike ruhen dorëshkrimet e Kontit të përmbledhura si një Përkujtesë: për a) Provincën e Kotorrit; b) Malin e Zi dhe c) Shqipërinë nën Turqinë.

Kush ishte Karaxhaji

Fedor Karaxhaji ishte hungarez. Kishte lindur më 3 tetor 1787 dhe ishte me prejardhje nga Vali-Shaka Moldava. Fedori i ri hyri në fillim në Akademinë ushtarake të Vjenës, më 1805 kaloi si kadet i husarëve dhe më 1813 arriti gradën major i kalorësisë së lehtë. Pas thyerjes së Napoleonit ishin nën sundimin e Austrisë mjaft vise të tjera dhe prandaj Fedori pati mundësinë të vizitonte disa prej tyre. Duke u nisur nga interesat ushtarake, ai i kushtonte vëmendje përshkrimit gjeografik të vendeve. Kështu më 1818 botoi një libër për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën. Libri i tij me karakter ushtarak, që është ribotuar disa herë më pas, ishte një Manual për nënoficerët e kalorësisë (1823). Edhe pjesa veriore e Italisë ishte nën sundimin austriak. Në Vjetarin e Mbretërisë Lombarde për vitin 1825, botuar në Milano, ai shënohet si shambelan i shtëpisë së princit Maksimilian, kalorës i Urdhrit II, major i regjimentit të kalorësisë.

Pas një udhëtimi në jug të Italisë, botoi librin Udhërrëfyes për Sicilinë (1826), të cilin e kanë shfrytëzuar autorë të tjerë; është cituar në veçanti te Gjeografia universale e C. Malte-Brunit (1755-1826) të vitit 1829, botuesit të veprës së arbëreshit Engjëll Mashi. Rrugën tjetër e bëri në Lindje dhe më 1834 botoi Rrëfime nga Orienti. Në Londër ishte më 1830 dhe për këtë botoi më 1835 Londra dhe rrethinat e saj. Ishte një udhërrëfyes i një natyre tjetër, siç e vinte vetë në dukje në parathënie; paraqiti deri drekën angleze dhe shërbëtorët e shtëpive, madje edhe Parlamentin anglez. Kur u botuan shënimet për Shqipërinë, më 1842, ai tashmë ishte kolonel në shërbimin austriak, ndërsa më vonë komandant në Mantovë. Në Teheran të Persisë ishte themeluar më 1851 një Kolegj Politeknik. Kur vdiq pedagogu i xhenios Zati më 1852, në vendin e tij erdhi Karaxhaji si instruktor. Aty ai u ngrit deri në gradën e gjeneralit dhe u bë shef i Shtabit të Përgjithshëm. Vdiq më 2 korrik 1859.

Interesimi për Shqipërinë

Përshkrimet gjeografike për viset nën sundimin osman janë të hershme. Me interes për trevat shqiptare janë Rumelia dhe Bosnja nga Haxhi Kalifa ose Qatip Çelebiu, nxjerrë nga vepra e tij e papërfunduar Cihan-nüma (1648-1657). Ndoshta këtë e ka njohur Karaxhaji, sepse përkthimi e botimi i asaj pjese gjermanisht është bërë më 1812 në Vjenë. Udhëpërshkruesi tjetër i njohur ka qenë Evlija Çelebiu, i cili i ka vizituar trevat shqiptare tri herë (1660, 1662, 1670) dhe i ka përshkruar në veprën e vet të gjerë Seyahatname, por nuk besoj se Karaxhaji e ka njohur. Prandaj mendoj se ky duhet renditur pas U. Martin-Likut (me një vepër pioniere për Shqipërinë më 1814, duke gjurmuar lashtësinë e saj deri tek ilirët dhe me një gramatikë e fjalor të shqipes), pas Ami Buesë (me veprën për Turqinë Europiane, 1840, ku jep edhe ndarjen fisnore të shqiptarëve) dhe August Grizebahut (botanistit gjerman, që udhëtoi nga Prizreni deri në Shkodër më 1839 dhe i botoi shënimet e veta më 1841). Veçantia e botimit anglisht të Karaxhajit është se shumica dërrmuese e autorëve anglezë, që në një mënyrë ose tjetër kanë shkruar për Shqipërinë deri në mesin e shek. XIX, kanë folur për Shqipërinë e Jugut ose për qendrat e bregdetit shqiptar, ndërsa Karaxhaji është përqendruar te pjesa nga Vjosa e lart.

Për ta rrokur lëndën e këtyre shënimeve të botuara më shumë se 170 vjet më parë, lexuesit i duhet të zhvendoset nga përfytyrimi që ka sot për Shqipërinë natyrore dhe politike. Viset tona ishin pjesë e Perandorisë Osmane, sundimi i së cilës kishte hyrë në rrugën e dobësimit mbi viset e Ballkanit. Në jugun tonë sapo ishte krijuar një shtet i vogël i Greqisë, por ndërkaq sapo ishin shembur edhe dy pashallëqet e mëdha shqiptare. Fuqia e madhe e kohës, që ishte e interesuar më drejtpërdrejt për zhvillimet në këtë zonë ishte Austria, e cila përfshinte Hungarinë dhe arrinte deri në Kotorr. Synimet e saj shkonin larg në jug dhe ishin synime perandorake, madje edhe pas disfatës prej Prusisë më 1866, ajo e quajti veten Perandoria Austro-Hungareze. Konti Karaxhaji ishte fisnik dhe ushtarak i lartë pikërisht i kësaj Austrie. Horizonti i tij ishte perandorak dhe me këtë ndriçohet vështrimi i tij i gjerë për shumë vende, edhe për ato që nuk i kishte shkelur, siç ishte rasti i vendit tonë.

Cila ishte Albania sipas Karaxhajit?

Është një pyetje që lind vetvetiu, sepse ai asnjëherë nuk e ka përmendur emërtimin Shqipëria. Veç kësaj, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet Shqipërisë, siç e njohim ne sot, dhe Albanisë së këtij hungarezi. Arsyeja e parë është se në shek. XIX trevat shqiptare vijonin të ishin nën sundimin e gjatë osman, të copëtuara në vilajete e sanxhaqe qëllimisht për të mos u ngulitur një tërësi shqiptare. Ndërkaq, ka edhe një arsye tjetër historike më të lashtë. Në vend të shpjegimeve të gjata, që nuk e kanë vendin për këtë rast, po shënoj nja dy të dhëna. Në prill të vitit 1461 sulltan Mehmeti i ka dërguar një letër Gjergj Kastriotit, duke e quajtur “Skënderbeu, princi i Arnautllukut dhe Epirit.” Emri i vendit tonë si Shqipëria nuk kishte lindur ende atëherë. Pothuaj dy shekuj më vonë, më 1635 Frang Bardhi botoi Fjalorin e tij të njohur, që titullin e ka latinisht: Dictionarium latino-epiroticum, domethënë mbiemri ‘epirot’ këtu ka kuptimin e përgjithshëm ‘shqip’, sepse edhe emri i gjuhës sonë ende atëherë nuk kishte hyrë në përdorim, ajo vijoi të quhej gjuha arbëreshe deri në fund të shek. XVII. Robert Pinkertoni, ai që nënshkroi më 1819 marrëveshjen me Vangjel Meksin për përkthimin e Dhiatës së re shqip, shkruante më 28 gusht 1816 për shqiptarët: “Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikut të lashtë dhe të Epirit.” Do të pranojmë, rrjedhimisht, se emërtimet Albania dhe Epiri në historinë shumëshekullore ose ndërthureshin, ose shiheshin si dy entitete të veçanta, por nuk përputhen me nocionin tonë të sotëm për Shqipërinë.

Edhe për Kontin Karaxhaji Albania ishte një entitet tjetër kundrejt Epirit. Për këtë arsye, ndonëse në titull unë kam përdorur fjalën ‘Shqipëria” për lexuesin e sotëm, brenda tekstit të përkthyer kam lënë fjalën Albania, që lexuesi të mos pështjellohet ose të habitet. Pak vjet më vonë pas tij një autor dhe udhëtar anglez, Henry Tozer në ‘Kërkime në Malësitë e Turqisë’, 1869, është shprehur pa mëdyshje, se në të dy anët e Shkumbinit jeton e njëjta racë.

Vetë autori mes të tjerash shkruan: Përpara kryengritjes së Ali Pashës të Janinës, krahinat jugore të Albanisë ishin të bashkuara me veziratin e Epirit ose Toskëria, kurse pjesa që mbetet përbënte veziratin ose ejaletin e Shkodrës. Pas disa ndryshimesh më të vogla, më 1837 ky vezirat u prish dhe vendi u vu drejtpërdrejt nën vezirin e Rumelisë, por më 1838 u rivendos, ndonëse disa pjesë u shkëputën prej tij. Kjo do të thotë se Karaxhaji pranon dy gjëra: e para, se dikur Albania ishte ajo që ne e quajmë sot Shqipëria dhe përbëhej prej dy veziratesh, të Shkodrës dhe të Epirit, por u ndanë në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pas vdekjes së këtij, ndodhën një varg ndryshimesh gjithnjë sipas synimit osman për të mos u ruajtur një tërësi shqiptare. Së dyti, autori e njëjtëson Epirin me Toskërinë. Përfundimisht, Karaxhaji na ka dhënë gjeografinë e Albanisë pas prishjes së pashallëkut të Janinës, ka zgjedhur të përshkruajë atë pjesë veriore e qendrore të Shqipërisë, për të cilën kishte mbledhur njoftime. Edhe kur kishte botuar librin për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën, ai nuk mund të qortohet se kishte gabuar kundrejt shteteve të sotme, në të cilat bëjnë pjesë këto njësi gjeografike.

Këtu tashti shtrohet një pyetje tjetër thelbësore: nga i ka marrë të dhënat Konti Karaxhaji për përshkrimin dhe hartën e tij? Është shprehur qartë për këtë nënkonti Percy Strangfordi më 1865: “Krahinat e brendshme dhe malore të Shqipërisë Veriore janë një trevë e panjohur për turistët anglezë dhe pothuaj nuk janë vizituar nga eksplorues dhe udhëtarë të vërtetë. E vetmja paraqitje e njohur për mua, e cila përmban diçka të plotë për hollësitë gjeografike, është një ndihmesë e kontit austriak Karaxhaji, botuar në “Proceedings of the Royal Geographical Society”. Megjithatë ajo është mbështetur jo te një udhëtim vetjak, por te informacioni i dhënë nga kleri katolik i vendit, shumica prej të cilëve, dalmatë ose italianë, janë shtetas austriakë.” Del e qartë se Karaxhaji është interesuar për viset tona, ndërsa lëndën për to e ka mbledhur nga goja e të tjerëve. U është drejtuar klerikëve katolikë jo shqiptarë dhe me këtë shpjegohen pasaktësitë e tekstit të tij, ndonëse duket që informuesit e tij, për shkak të detyrës priftërore, i kanë shkelur ato vise, porse sa më në jug shtrihej njohja e tyre, aq më e paplotë bëhej. Njëkohësisht kuptohet përse vazhdimisht në tekst ka të dhëna për përbërjen fetare të popullsisë në ato treva.

Hapësirat shqiptare sipas Karaxhajit

Shtrirja e Albanisë sipas koordinatave gjeografike, për Karaxhajin në Lindje shkon në një vijë, e cila është një gradë dhe 10 minuta (10 10’) më e ngushtë se e ashtuquajtura Shqipëria Etnike. Për Karaxhajin Albania në Lindje shkon deri te Rumelia ose një pjesë e Maqedonisë së lashtë, domethënë nuk përmend ndonjë Maqedoni bashkëkohëse. Në jug-lindje kufiri i Albanisë hyn thellë, duke përfshirë Konicën dhe deri afër Mecovës, ndërsa poshtë në jug hyn sërish thellë, duke lënë jashtë majtas Delvinën dhe djathtas Janinën. Ndonëse është lënë jashtë bregdeti i Epirit, ai e quan se vija bregdetare e Albanisë është 240 milje, të cilat bëjnë rreth 380 km, domethënë më tepër se vija tërësore e sotme (!).

Në Veri, për Karaxhajin, Albania kufizohej me Bosnjën dhe Serbinë, domethënë nuk përmendej veçan Mali i Zi. Në tekst shprehet se një pjesë e Albanisë Veriore është nën sundimin e Austrisë, domethënë Gjiri i Kotorrit dhe Budva. Në Jug Albania kufizohet me Epirin dhe me shifra 4025’ (Shqipëria e sotme shkon deri në Konispol, 3938’ të gjerësisë jugore).

Gjeografia dhe të dhëna të tjera

Harta e Albanisë është botuar së bashku me tekstin përshkrues, si edhe veçan, në të dy rastet për Shoqatën Gjeografike Mbretërore. Botuesi ka qenë J. Murray, ndërsa me punën hartografike është marrë John Arrowsmith (1790-1873), hartografi më i njohur anglez i asaj kohe. Me këtë kuptohet përse është një paraqitje aq e hollësishme dhe me cilësi, pavarësisht prej konceptimit të saj, që natyrisht i përket F. Karaxhajit dhe jo J. Arrowsmith-it. Shkalla është 1:1.200.000, 13,5 x 9 inç. Kjo hartë është e mbushur me emërtimet përkatëse në mënyrë kaq të hollësishme, sa mund të krahasohet me hartat ushtarake të sotme.

Një pyetje e mëtejshme, është se cila ka qenë harta e përgjithshme e kësaj pjese të Ballkanit perëndimor, mbi të cilën janë hedhur të dhënat për Albaninë. Besoj se Arrowsmithi i ka hedhur të dhënat e Karaxhajit në një prej hartave të veta anglisht, që i kishte të gatshme.

Harta e botuar veçan dhe bashkë me tekstin e punimit ka edhe një legjendë anglisht. Nuk ka përputhje të plotë ndërmjet tekstit dhe hartës. Karaxhaji e kishte të mangët njohjen për ndarjen politike të vendit dhe do ta besojmë se legjendën për hartën e ka përpiluar Arrowsmithi me njohuritë e veta.

Si në çdo punim gjeografik, natyrisht që pjesën kryesore do ta zinin paraqitja e maleve bashkë me përbërjen e tyre gjeologjike dhe ndonjëherë të mineraleve, majat e kullotat e tyre, si dhe sa janë të pyllëzuar e me çfarë llojesh të drurëve; më tej fushat dhe shkalla e pjellorisë së tyre dhe bimët bujqësore kryesore; liqenet e kënetat me peshqit e shpendët e tyre, vijat ujëndarëse, lumenjtë që nga burimi e deri te grykëderdhja, bashkë me natyrën e brigjeve të tyre dhe të luginave që formojnë, si dhe me të dhëna për mundësitë e lundrimit nëpër ta; grykat e njohura krahas mundësive që japin për t’u mbrojtur nga një armik sulmues; klima; kulturat bujqësore dhe bimësia natyrore, pemët frutore dhe prodhimet kryesore të bujqësisë e të blegtorisë (dhentë e dhitë janë të shumta nëpër gjithë viset malore të Albanisë), kafshët e egra, produktet e ndryshme për tregti dhe në veçanti zejtaria për armët e zjarrit. Me kujdes të veçantë janë treguar tiparet e bregdetit me gjiret, limanet, thellësinë e ujit, erërat detare dhe mundësitë e ankorimit, deri edhe piakt e doganave dhe magazinat e mallrave. Pjesa e fundit është një përpjekje për të dhënë rrugët ose më mirë vijat e komunikimit ndërmjet krahinave e qendrave kryesore të banimit e të tregtisë dhe për qëllime ushtarake. Përgjithësisht thuhet se nëpër vend gjatë muajve të thatë mund të kalojë një ushtri, por jo e ngarkuar me artileri të rëndë.

Nga moria e të dhënave të ndryshme të këtij punimi do të nxirrja në dukje fare pak të dhëna demografike, ndonjë njoftim historik dhe sidomos veçoritë etnografike. Besoj se ato do të ngjallnin kureshtjen e cilitdo lexues, i cili ndërkaq ka edhe njohuri për gjendjen e sotme.

Shqiptarët e bregdetit nga Tivari në Ulqin Konti Karaxhaji i quan detarët më të mirë të Mesdheut. Qyteti i Tivarit duhet të ketë mbi 2500 veta. Banorët e krahinës janë të krishterë dhe myslimanët banojnë kryesisht në qytet. Prodhohen deri 5000 fuçi me vaj ulliri për eksport. Për Fushën e Plavës njofton se përfshin 23 fshatra me popullsi 6-7000 veta të besimit katolik, që nuk u paguajnë haraç turqve.

Shkodra si pashallëk arrin deri te 100.000 banorë, gjysma e të cilëve janë katolikë. Qyteti ka 40.000 frymë dhe përbëhet nga kështjella, lagjja Tabakët e myslimanëve dhe Terzia e katolikëve. Tregtarët janë të pasur dhe eksportojnë prodhime deri në Trieste, Venecie e Vlorë. Fushën e Shkodrës e vlerëson si tokën më pjellore në Albani. Matjanët janë në gjendje të përhershme kryengritjeje. Katër fise (Kelmendi, Hoti, Shala e Shoshi) quhen së bashku Malësorët ose banorët e Katër Maleve; “ata janë luftarakë dhe jashtëzakonisht të aftë në përdorimin e armëve”.

Sipas Karaxhajit, brenda në kështjellën e Leshit është një xhami, aty ku ishte më parë kisha Shën Mëri Nikolla i Barit. Dhe: “Në këtë kishë është varrosur i famshmi Gjergj Kastrioti, që njihet më mirë me emrin Skënderbeu.”

Prizreni ka 15-20.000 banorë, ka punishte të mëdha armësh dhe pushkët e pisqollat janë shumë të vlerësuara. Për sanxhakun e Elbasanit përmenden pesë qytete. Ndwr to Kavaja ka 9 deri 10.000 banorë, domethënë njësoj me Durrësin, ndërsa këtu prodhohet një djathë i mirë, i cili eksportohet deri në vise të largëta të Perandorisë Turke. Për Tiranën jep shifrën 10.000 banorë dhe është pranë lumit Jakon, që do të ishte emri i Lanës së sotme.

Nëpër sanxhakun e Ohrit kalonte Rruga Egnatia, e cila edhe në atë periudhë përdorej për trupat osmane që vinin nga Stambolli deri në Shqipëri. Interesante është se thotë që aty pranë ka miniera argjendi e squfuri, por që nuk shfrytëzohen. Kruja ka mbi 15.000 banorë dhe Konti nuk lë pa vënë në dukje se ka qenë selia e Skënderbeut, ndonëse gabon duke e quajtur këtë qytetin e tij të lindjes.

Për sanxhakun e Vlorës vihet në pah se nga pyjet e pishës merret lëndë ndërtimi e shkëlqyer, ndërsa ka puse nafte në disa vende; nafta mblidhet dhe eksportohet. Më duket se ky është njoftimi i parë për eksportin e naftës nga vendi ynë. Gjirokastra ka mbetur vetëm me 4000 banorë, sepse popullsia është pakësuar shumë prej murtajës më 1814.

Vlerësimi më i drejtë i punës së Kontit Karaxhaji, pa dyshim do të bëhej duke e krahasuar me paraqitjet bashkëkohëse të po kësaj natyre, sepse gjatë rrjedhës historike shumë gjëra kanë ndryshuar. Ky është një lëmë i mirëfilltë pune për gjeografët tanë, prandaj mua do të më lejohet të sjell vetëm një rast. Në vitin 1848 është botuar po në Londër një përmbledhje e gjerë, e cila është rishtypur me plotësime edhe më 1860. Aty shkruhet se Shqipëria (Albania): “është një vend i cili nga pikëpamja e pozitës dhe e shtrirjes përputhet me Epirin e lashtë dhe me Ilirikun.” Kemi kështu një përkim të plotë me vështrimin e Karaxhajit për Albaninë dhe Epirin. Popullsia e shqiptarëve vlerësohet rreth dy milionë.

Një hartë tjetër anglisht, e përgatitur nga Xhon Rapkini dhe ilustruar H. Uorreni; bënte pjesë në Atlasin e ilustruar dhe historinë e kohëve të reja të Xhon Talisit, Londër 1851. Këtë radhë Shqipëria me emrin Albania nis nga Tivari dhe shkon poshtë deri në Prevezë, ndërsa djathtas kufizohet me Maqedoninë Turke, në jug të saj me Thesalinë Turke dhe poshtë tyre vjen Greqia. Në cepin e djathtë lart të hartës është një pikturë e Ali Pashës gjysmë i shtrirë, me një shërbëtor në gjunjë poshtë minderit, duke i shërbyer çaj. Mund të jetë një pikturë e panjohur për Ali Pashën. Paraqitja e pashait është mjaft e ndryshme nga piktura e Lui Dypresë, që e jep në varkë në liqenin e Butrintit (1819).

Përveç danezit Malte-Brun, te punimet e Karaxhajit është mbështetur edhe Hajnrih Kiperti (1819-1899) për hartat e vitit 1847, botuar në Vajmar nga Instituti Gjeografik. Vënia në dukje e lidhjeve të tilla ka interes për të treguar se vepra e Karaxhajit nuk ka mbetur e panjohur, e sidomos për të vërtetuar që ajo ka luajtur rolin e vet në opinionet e diplomatëve britanikë, të cilët pak nga pak po i afroheshin çështjes shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që kishte hyrë në fazën e shpërbërjes, opinione të cilat patën ndikimin e tyre në Kongresin e Berlinit më 1878 e deri përfundimisht në Konferencës e Londrës më 1913. Në fund të fundit, çdo koncept politik për një shtet dhe vetë kufijtë e tij, që përcaktohen e ripërcaktohen gjithmonë pas luftërash, gjejnë pasqyrim konkret në një hartë dhe në përshkrimin gjeografik brenda vijave të saj. Nga ky këndvështrim rrjedh rëndësia e punës së Kontit Karaxhaji jo thjesht nga ana gjeografike dhe etnografike, por edhe për historinë politike të shtetit tonë.

Nga Xhevat Lloshi/ KultPlus.com

Debatet e Dhimitër Kamardas me Franc Bopp-in për origjinën e shqipes

Nga Xhevat Lloshi

Dhimitër Kamarda (Demetrio Camarda,1821-1882) ishte nga Hora e Arbëreshëve në Itali, afër Palermos, domethënë nga një krahinë që kishte lidhje të ngushta me Greqinë në lashtësi dhe kjo prejardhje ndikoi më pas edhe në studimet e tij. Pasi mbaroi një kolegj në Romë, u vendos më Livorno më 1851 dhe aty bëri pjesë në një Rreth Filologjik. Vepra e tij kryesore është  “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” (1864), me një “Shtojcë” dy vite më vonë. Në këtë punim, që u vlerësua edhe nga gjuhëtarë të  njohur të Italisë të asaj kohe, ai mbështeste mendimin,  se shqipja bënte pjesë në “çiftin pellazgjik”, duke i dalë e afërt me greqishten. Kamarda është interesuar edhe për përkthimet biblike në arbërishten e Italisë dhe për këtë ka qëndruar në Londër te princi Lui-Lysien Bonaparti, nipi i Napoleonit,i cili kërkonte të paraqiste përkthimin e pjesëve biblike në 200 gjuhë të botës me rastin e Ekspozitës Botërore. Në nëntor 1878 i është drejtuar A. Tomsonit në Stamboll, që ta ndihmonte për shpërndarjen e librave të veta.

Një nga punimet e para në fushën e filologjisë diakronike për shqipen u hartua nga filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda. Vëllimi i parë italisht doli në Livorno më 1864 me titullin Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese dhe u pasua nga vëllimi i dytë Appendice al Saggio di grammatologia comparata më 1866.

Që nga fillimi i shekullit XIX shqipja filloi të njihej si pjesëtare e pavarur e familjes së gjuhëve indo-europiane. Gjuhëtari i njohur gjerman Franz Bopp-i e vërtetoi prejardhjen e saj indo-europiane më 1854, porse për një kohë të gjatë mbeti e hapur çështja, se me cilën apo me cilat gjuhë të kësaj familjeje ajo afrohej më shumë.

Për shkak se një pjesë jo e vogël e lëndës folklorike ishte mbledhur prej studiuesve të huaj nga goja e arbëreshëve të Greqisë, ishte përftuar mendimi më i parë, se shqipja bënte pjesë në grupin helenik. Një ndër përkrahësit më të rëndësishëm të kësaj hipoteze ka qenë pikërisht Dh. Kamarda. Ai ka bërë edhe një paraqitje të kësaj hipoteze, duke kërkuar mbështetjen historike.

Nga dija shkencore që në vitin 1774 me autoritetin e historianit suedez H. E. Thunmann-it ishte shprehur ideja për prejardhjen ilire të shqiptarëve mbi bazën e të dhënave të historisë. Kjo ide e frytshme u mor nga arbëreshi i Italisë Engjëll Mashi (Angelo Masci), i cili e  shtjelloi në punimin “Ligjëratë mbi prejardhjen, zakonet  dhe gjendjen e tashme të kombit shqiptar” (Discorso sull’origine, costumi e stato attuale della nazione albanese), Napoli, 1807.

Këtë punim e përktheu frëngjisht gjeografi i njohur K. Malte-Brun dhe e botoi në Paris më 1809 në revistën “Annales des voyages”. Meqë shqiptarët ndodheshin mes grekëve të lashtë dhe romakëve, besohej se edhe gjuha e tyre zinte një vend mes gjuhëve të këtyre dy popujve. Për pasojë, Malte-Bruni e vështronte shqipen si një idiomë gjysmë greke.

Për Kamardën kjo u bë një pikënisje e vlefshme, madje prandaj edhe e mënjanoi mendimin e shprehur nga diplomati, ushtaraku dhe studiuesi anglez W. Martin-Leake në një vepër të vitit 1814 me titullin Researches in Greece, pjesa për shqipen prej së cilës tashmë është botuar shqip me titullin Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe (2006).

Libri shqip është pajisur me një parathënie të gjatë, në të cilën trajtohen mbi bazën e dokumenteve të reja marrëdhëniet e tij me Ali Pashë Tepelenën, si dhe ndërlidhjet me punën e Th. Kavaliotit (1770) dhe të Dh. Voskopojarit (1802), veçanërisht nëpërmjet krahasimit të fjalorëve të tyre, në të cilët shqipja del krahas greqishtes. Martin-Liku kishte vënë në dukje se elementi latin i shqipes është më i madh sesa huazimet nga greqishtja. Kamarda e mënjanoi gjithashtu pohimin e gjuhëtarit A. F. Pott, i cili e kishte vënë në dyshim marrëdhënien e shqipes me latinishten dhe me greqishten.

Nga ana tjetër, Kamarda iu kundërvu me forcë pikëpamjes së autorit Mullach (1844), i cili e kishte përfshirë shqipen si një “dialekt të shtrembëruar” të cakonishtes së Peloponezit. Duke i hedhur poshtë mendimet e kundërta, Kamarda ka cituar një numër jo të vogël autorësh, të cilët e pranonin marrëdhënien e ngushtë të shqipes me greqishten dhe latinishten. Ndër këta autorë ishin: Malte-Bruni (1809), M. Crispi (1836), A. Niebuhr-i, Gioberti (1844), V. Dorsa (1847), J. G. Von Hahn-i (1854), G. Stier-i (1854), K. Reinhold-i (1855), P. Aravantinosi (1856), A. Pallis-i (1858), L. Benloew (1858), M. Müller-i, A. Schleicher-i (1861), G. I. Ascoli (1861), G. Curtius-i (1862). P. Kupitori (1863) dhe D. Comparetti (1863).

Ndërkaq, kur trajton lëndën konkrete gjuhësore, Kamarda përdor kryesisht mendimet dhe zgjidhjet që kishte dhënë ai, i cili mbahet si themeluesi i studimeve albanologjike, J. G. von Hahn-i. Ka qenë fon Hani, i cili e kishte fornuluar në mëyrë të prerë hipotezën se shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve, maqedonasve dhe epirotëve. Për më tepër, së bashku me latinët dhe helenët ata në kohët e largëta të lashta përbënin një racë të përbashkët, të quajtur pellazgë, duke pasur gjuhën e tyre, pellazgjishten.

Ndërkaq, për mendimin tim, Kamarda nuk e njihte drejtpërdrejt punimin e A. Schleicher-it; ndoshta ka përdorur informacionin që kishte gjetur në shkrimet e D. Komparetit. Në drurin gjenealogjik të gjuhëve, që e kishte përpunuar A. Shlajheri, shqipja gjendet në degën kryesore të gjuhëve helenike-italike-keltike, ndërsa më tej dega vijon si dega e dytë e greqishtes. Ndërsa në të dy vëllimet e Kamardës nuk përmendet ky dru i familjeve të gjuhëve, përndryshe do t’i kishte shërbyer si një gur themeli për argumentimin e vet, sepse Shlajheri i dha autoritet të plotë teorisë së prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe.

Detyra themelore që i kishte vënë vetes Kamarda ishte ta vërtetonte këtë hipotezë me fakte të fonetikës, gramatikës dhe etimologjive të gjuhës shqipe, duke u mbështetur te metodat gjuhësore bashkëkohore, prandaj shkruante: “Jam përpjekur në këtë punim, dhe ndoshta për një pjesë ia kam dalë ta çoj deri në një përfundim jo të gabuar, të jap vërtetimin për afëritë organike dhe etimologjike (do të thoja pothuaj përputhjet) ndërmjet idiomës shqipe dhe helene.” (I, f. 8).

Vlerësimi i Gustav Majerit për Dhimitër Kamardën

Për kohën e tij punimi i Kamardës ishte një vepër pioniere jo vetëm lidhur me shqipen, por edhe për gjuhësinë italiane. Atë e çmonte lart G. I. Ascoli, i cili më 1877 e ka quajtur një zbukurim të literaturës filologjike italiane: “Libri i siguron atij përgjithmonë një vend të mirë mes albanologëve dhe është një zbukurim i vërtetë i literaturës filologjike të Italisë së sotme”. Kurse Gustav Majeri është shprehur se “Emri i tij meriton të përmendet e të ngrihet në historinë e shkencave”. (1885).

Që nga ajo kohë janë bërë përparime të thella në gjuhësinë si shkencë dhe sot do të ishte fare e lehtë t’u  bëhej një kritikë thelbësore ideve të Kamardës, porse  nuk mund të mohohet se ai dha ndihmesën e vet në fushën e kësaj diturie. Disa prej vëzhgimeve, hipotezave dhe përfundimeve të tija mbeten të mbështetura edhe në ditët tona, ndërkohë që ai ka qenë i pari që i ka formuluar. Po sjell vetëm një shembull, duke iu drejtuar fjalëve të prof. E. Çabejt më 1973: “sikundër e vuri re gjuhëtari arbëresh, Dhimitër Kamarda, mesopësorja (mediopasivi) në greqishten formohet në vetën e parë njëjës me -mai, në të dytën me –sai, në të tretën me –tai, e në shumës në të tretën me –utai. Ashtu si në shqipen…”.

Kamarda jo vetëm ka qenë ndër të parët që ka treguar në mënyrë sistematike dallimet e dy dialekteve kryesore të shqipes, por edhe që i ka përdorur për të shpjeguar faktet e ndryshme historike. Ai e ka diskutuar me vëmendje problemin e standardizimit të shqipes, domethënë se si variantet e dialekteve vendore mund të shkriheshin në një gjuhë të shkruar për të arritur që të njiheshin përgjithësisht dhe të bëheshin një standard i pranueshëm.

Kamarda si nismëtar i alfabetit të shqipes

Mjaft prej propozimeve të tij për vendosjen e një alfabeti të përgjithshëm të shqipes kanë qenë mjaft të afërta me zgjidhjen përfundimtare të çështjes më 1908. Vëllimin e dytë (Shtojcën) e hartoi për të treguar pasurinë e shqipes, nivelin e lëvrimit të saj dhe mundësitë shprehëse të folklorit e të letërsisë shqipe. Në fund të këtij vëllimi gjendet një listë prej rreth 4000 fjalësh. Ishte fjalësi më i gjerë si numër i shqipes, i botuar deri në atë kohë. Gjurmimet rreth shqipes prej atëherë kanë ecur mjaft përpara. Për ta dëshmuar këtë do të kufizohem vetëm me pak shembuj prej punimit të tij. Në kreun për fonologjinë autori diskuton shkallët e zanoreve dhe ndërrimet e vetvetishme. Për të treguar fatin e tingullit a- në krye të fjalëve, ai merr si shembull fjalën anije dhe e ndan kështu: a-ni-a. Ne e dimë sot se rrënja e fjalës ka qenë “an” dhe nuk ka asnjë mundësi që të shkëputet prej saj një a-. Për Kamardën folja “dua” lidhet me sanskr. day dhe greq.δεωμαι, mirëpo etimologët sot japin një shpjegim krejt të ndryshëm: shq. dua, sanskr. jusate, gr.γευμαι.

Lidhur me formimin e fjalëve Kamarda i përfshin gjithë ndajshtesat në korrespondenca të veçanta greko-shqiptare. Ky është përgjithësisht një prej gabimeve të tij kryesore nga ana metodike. Te shembujt e tij gjejmë po ato manipulime me dorë të lirë ndaj lëndës gjuhësore. Te folja “arnoj” ai gjen prapshtesën –na-, mirëpo rrënja është arn- dhe jo ar-. Autori ynë gjen prapashtesën –m(ë) te fjala “helm”, por sërish asnjë prapashtesë nuk ka kjo fjalë. Dhe është pak e papritur që ai gjen po atë prapashtesë te fjalë “sermë”, e cila është një huazim prej turqishtes.

Numërorët janë një pikë qendrore në diskutimet për marrëdhëniet ndërmjet gjuhëve indo-europiane. Po edhe këtu Kamarda, duke e renditur shqipen me latinishten e greqishten si gjuhë kentum, bën sërish një gabim të rëndë metodik. Ndonëse kjo ndarje e gjuhëve indo-europiane sot vështrohet ndryshe, shqipja është quajtur kryesisht gjuhë satem dhe i përket degës lindore. “Akrobacirat” e sotme për etimologjitë e shqipes. Në kreun për morfologjinë Kamarda parashtron pohimin e pambështetur, se kohët dhe mënyrat e foljeve të shqipes janë formuar rreptësisht në paralelizëm me të greqishtes, madje shkon edhe më tej, duke thënë se zgjedhimi i foljeve është më afër me trajtat që duhet të kenë qenë ne gjuhën helene.

Të njëjtin trajtim të papranueshëm u bën shembujve të veçantë. Ndajfolja e shqipes “bashkë” sipas tij lidhet drejtpërdrejt me greqishten πας. Duke e kujtuar si fjalë të shqipes huazimin nga turqishtja “abolla”, pohonte se kjo ndajfolje kishte të bënte me greq. e vjetër αβαëε. Me prejardhje nga turqishtja është edhe ndajfolja

“gjoja”, por Kamarda kujtonte se ishte e prejardhur nga folja “gjuaj”. Së fundi, kreu për sintaksën është i varfër me pohime të përgjithshme lidhur me njëjtësinë e përshtatjes si në shqipen edhe në latinishten e në greqishten.

Gjithsesi, nuk është e padobishme të vihen në dukje pasaktësi të tilla, sepse sot po ndeshemi me një vërshim shkrimesh plot me akrobacira për etimologjitë e shqipes, të cilat arrijnë deri aty, sa të thonë që, për shembull, edhe fjala “spital” na qenka e shqipes dhe prej këndej e paskan marrë gjuhët e tjera europiane! Mjafton të shënoj se kjo fjalë, me prejardhje nga latinishtja, dëshmohet me kuptimin e sotëm në frëngjishten vetëm në vitin 1675.

Një vepër e gjerë dhe që ka kërkuar një punë të madhe nuk mund të frymëzohej vetëm nga një shtysë e thjeshtë shkencore. Është e qartë se prapa saj ka qenë edhe një shtysë ideologjike. Sipas Kamardës, për shkak të pozitës gjeografike dhe të prejardhjes së kombit të vet, Shqipëria nuk mund të qëndronte e veçuar nga Maqedonia, Epiri dhe gjithë pjesa e Greqisë. Që të dy kombet kanë të njëjtën natyrë dhe janë në afëri gjaku. Shqiptarët mund të quhen pellazgë të rinj, ashtu si grekët e sotëm mund të quhen helenë të rinj.

Madje J. Ksilanderi, autori i një libri me peshë për shqipen (1835), kishte vënë në dukje se Shqipëria mund të qytetërohej vetëm prej Greqisë. Nuk është e rastit që po i njëjti mendim është shprehur për të parin botim të Dhiatës së re shqip më 1827 në Korfuz: një ndërmarrje e tillë nuk paska qenë e mundur të bëhej prej shqiptarëve, por vinte nga drita e kulturës greke. Këtë tezë e ka mbështetur edhe peshkopi i Korçës, Evllogji Kurilla në vitet 1930, prandaj kam botuar një libër të gjerë më 2012 (Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit), në të cilin mbi bazën e një dokumentimi të plotë, kam vërtetuar, se ky përkthim u bë i mundur me ndihmën e kulturës europiane dhe ndihmesën e drejtpërdrejtë të veprimtarëve të shquar europianë.

Ndërkaq, për Kamardën në secilën periudhë historike ka pasur marrëdhënie të ngushta ndërmjet fiseve ilire-maqedone-epirote dhe fiseve eolike-dore-joniane. Shqipja e re është ndoshta një binjake e greqishtes. Nga njëra anë, në shqipen është ruajtur një pjesë e gjuhëve të lashte pellazge-eolike. Shqipja përmban disa prej elementëve më të lashtë të së folmes greke. Ka disa trajta gramatikore, përmes të cilave duhej të kalonte greqishtja për të arritur te trajtat e mëvonshme. Shqipja ka një përpjesë më të madhe sesa greqishtja në elementin pellazg-italik, ajo vete te  zanafilla parake e greqishtes dhe e latinishtes, sepse shqipja lidhet me trungun e përbashkët të këtyre dy gjuhëve të tjera.

Nga ana tjetër, njësimi i shqipes së sotme duhet të bëhet nëpërmjet rindërtimit të elementit të përbashkët ilir-epirot. Shqiptarë nuk duhet ta humbasin gjuhën e tyre, sepse ajo është relike e nderuar e kohëve shumë të lashta; përkundrazi, ata nevojitet ta lëvrojnë më tej gjuhën e tyre. Si gjuhë zyrtare ata mund të përdorin edhe greqishten, si një idiomë më e lëvruar për kohën. Si prift që ishte i ritit bizantin, Kamarda e quante se ligjërata liturgjike greke ishte një shfaqje e vazhdimësisë dhe e risisë së kontakteve të lashta.

Miti për origjinën pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre e përshkon gjithë shekullin XIX dhe i ka frymëzuar përfaqësuesit më në zë të Rilindjes sonë. Shumë prej tyre e adhuroni shkëlqimin e kulturës së lashtë greke dhe mitin pellazg e shihnin si një provë të lidhjeve të vjetra ndërmjet popujve tanë, të cilat  duheshin përtërirë për interesat e përbashkëta të luftës për liri dhe për ringjalljen kulturore.

Sidoqoftë, Kamrada nuk ka qenë i vetmi shqiptar që ushqente të tilla ide. Madje këtyre ideve romantike u drejtohen sot jo pak shkrime me papërgjegjshmëri të rëndë historike dhe faktike në shtypin e përditshëm. Në këtë shekull të ri nuk kemi nevojë për mite të atilla, por për një kulturë mbi baza shkencore, e cila edhe na ushqen me dinjitetin e së vërtetës për kombin tonë, edhe është e pranueshme nga dija europiane, për të cilën kemi nevojë që të na njohë e të na mbështesë.

Sot e kuptojmë qartë se projekti ideologjik i Kamardës ka dështuar së bashku me pjesën e paragjykimeve të tij gjuhësore. Por vepra e tij mbetet një piketë e patundur në rrugën e historisë së gjuhësisë shqiptare. Më 1989 të dy vëllimet e librit të tij u rishtypën në Horën e Arbëreshëve dhe kjo është shenja më e mirë se ai nuk e ka humbur rëndësinë. Besoj se me rastin e 150 vjetorit nga botimi i parë këto shënime do ta tërheqin vëmendjen te ky monument i dijes sonë. / KultPlus.com

Shqipëria e vitit 1842-it sipas Kontit Karaxhaji

Deri më tani gjeografët tanë nuk e kanë njohur një përshkrim të gjeografisë së Shqipërisë, të shoqëruar edhe me hartën përkatëse, të përgatitur prej kontit Fedor Karaxhaji dhe të botuar më 1842 në Londër nga revista shkencore e Shoqatës Gjeografike Mbretërore. Është marrë nga dorëshkrimi i tij dhe përkthyer anglisht prej T. Wittick-ut. Në Shoqatën Gjeografike ruhen dorëshkrimet e Kontit të përmbledhura si një Përkujtesë: për a) Provincën e Kotorrit; b) Malin e Zi dhe c) Shqipërinë nën Turqinë.

Kush ishte Karaxhaji

Fedor Karaxhaji ishte hungarez. Kishte lindur më 3 tetor 1787 dhe ishte me prejardhje nga Vali-Shaka Moldava. Fedori i ri hyri në fillim në Akademinë ushtarake të Vjenës, më 1805 kaloi si kadet i husarëve dhe më 1813 arriti gradën major i kalorësisë së lehtë. Pas thyerjes së Napoleonit ishin nën sundimin e Austrisë mjaft vise të tjera dhe prandaj Fedori pati mundësinë të vizitonte disa prej tyre. Duke u nisur nga interesat ushtarake, ai i kushtonte vëmendje përshkrimit gjeografik të vendeve. Kështu më 1818 botoi një libër për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën. Libri i tij me karakter ushtarak, që është ribotuar disa herë më pas, ishte një Manual për nënoficerët e kalorësisë (1823). Edhe pjesa veriore e Italisë ishte nën sundimin austriak. Në Vjetarin e Mbretërisë Lombarde për vitin 1825, botuar në Milano, ai shënohet si shambelan i shtëpisë së princit Maksimilian, kalorës i Urdhrit II, major i regjimentit të kalorësisë.

Pas një udhëtimi në jug të Italisë, botoi librin Udhërrëfyes për Sicilinë (1826), të cilin e kanë shfrytëzuar autorë të tjerë; është cituar në veçanti te Gjeografia universale e C. Malte-Brunit (1755-1826) të vitit 1829, botuesit të veprës së arbëreshit Engjëll Mashi. Rrugën tjetër e bëri në Lindje dhe më 1834 botoi Rrëfime nga Orienti. Në Londër ishte më 1830 dhe për këtë botoi më 1835 Londra dhe rrethinat e saj. Ishte një udhërrëfyes i një natyre tjetër, siç e vinte vetë në dukje në parathënie; paraqiti deri drekën angleze dhe shërbëtorët e shtëpive, madje edhe Parlamentin anglez. Kur u botuan shënimet për Shqipërinë, më 1842, ai tashmë ishte kolonel në shërbimin austriak, ndërsa më vonë komandant në Mantovë. Në Teheran të Persisë ishte themeluar më 1851 një Kolegj Politeknik. Kur vdiq pedagogu i xhenios Zati më 1852, në vendin e tij erdhi Karaxhaji si instruktor. Aty ai u ngrit deri në gradën e gjeneralit dhe u bë shef i Shtabit të Përgjithshëm. Vdiq më 2 korrik 1859.

Interesimi për Shqipërinë

Përshkrimet gjeografike për viset nën sundimin osman janë të hershme. Me interes për trevat shqiptare janë Rumelia dhe Bosnja nga Haxhi Kalifa ose Qatip Çelebiu, nxjerrë nga vepra e tij e papërfunduar Cihan-nüma (1648-1657). Ndoshta këtë e ka njohur Karaxhaji, sepse përkthimi e botimi i asaj pjese gjermanisht është bërë më 1812 në Vjenë. Udhëpërshkruesi tjetër i njohur ka qenë Evlija Çelebiu, i cili i ka vizituar trevat shqiptare tri herë (1660, 1662, 1670) dhe i ka përshkruar në veprën e vet të gjerë Seyahatname, por nuk besoj se Karaxhaji e ka njohur. Prandaj mendoj se ky duhet renditur pas U. Martin-Likut (me një vepër pioniere për Shqipërinë më 1814, duke gjurmuar lashtësinë e saj deri tek ilirët dhe me një gramatikë e fjalor të shqipes), pas Ami Buesë (me veprën për Turqinë Europiane, 1840, ku jep edhe ndarjen fisnore të shqiptarëve) dhe August Grizebahut (botanistit gjerman, që udhëtoi nga Prizreni deri në Shkodër më 1839 dhe i botoi shënimet e veta më 1841). Veçantia e botimit anglisht të Karaxhajit është se shumica dërrmuese e autorëve anglezë, që në një mënyrë ose tjetër kanë shkruar për Shqipërinë deri në mesin e shek. XIX, kanë folur për Shqipërinë e Jugut ose për qendrat e bregdetit shqiptar, ndërsa Karaxhaji është përqendruar te pjesa nga Vjosa e lart.

Për ta rrokur lëndën e këtyre shënimeve të botuara më shumë se 170 vjet më parë, lexuesit i duhet të zhvendoset nga përfytyrimi që ka sot për Shqipërinë natyrore dhe politike. Viset tona ishin pjesë e Perandorisë Osmane, sundimi i së cilës kishte hyrë në rrugën e dobësimit mbi viset e Ballkanit. Në jugun tonë sapo ishte krijuar një shtet i vogël i Greqisë, por ndërkaq sapo ishin shembur edhe dy pashallëqet e mëdha shqiptare. Fuqia e madhe e kohës, që ishte e interesuar më drejtpërdrejt për zhvillimet në këtë zonë ishte Austria, e cila përfshinte Hungarinë dhe arrinte deri në Kotorr. Synimet e saj shkonin larg në jug dhe ishin synime perandorake, madje edhe pas disfatës prej Prusisë më 1866, ajo e quajti veten Perandoria Austro-Hungareze. Konti Karaxhaji ishte fisnik dhe ushtarak i lartë pikërisht i kësaj Austrie. Horizonti i tij ishte perandorak dhe me këtë ndriçohet vështrimi i tij i gjerë për shumë vende, edhe për ato që nuk i kishte shkelur, siç ishte rasti i vendit tonë.

Cila ishte Albania sipas Karaxhajit?

Është një pyetje që lind vetvetiu, sepse ai asnjëherë nuk e ka përmendur emërtimin Shqipëria. Veç kësaj, ka një mospërputhje të madhe ndërmjet Shqipërisë, siç e njohim ne sot, dhe Albanisë së këtij hungarezi. Arsyeja e parë është se në shek. XIX trevat shqiptare vijonin të ishin nën sundimin e gjatë osman, të copëtuara në vilajete e sanxhaqe qëllimisht për të mos u ngulitur një tërësi shqiptare. Ndërkaq, ka edhe një arsye tjetër historike më të lashtë. Në vend të shpjegimeve të gjata, që nuk e kanë vendin për këtë rast, po shënoj nja dy të dhëna. Në prill të vitit 1461 sulltan Mehmeti i ka dërguar një letër Gjergj Kastriotit, duke e quajtur “Skënderbeu, princi i Arnautllukut dhe Epirit.” Emri i vendit tonë si Shqipëria nuk kishte lindur ende atëherë. Pothuaj dy shekuj më vonë, më 1635 Frang Bardhi botoi Fjalorin e tij të njohur, që titullin e ka latinisht: Dictionarium latino-epiroticum, domethënë mbiemri ‘epirot’ këtu ka kuptimin e përgjithshëm ‘shqip’, sepse edhe emri i gjuhës sonë ende atëherë nuk kishte hyrë në përdorim, ajo vijoi të quhej gjuha arbëreshe deri në fund të shek. XVII. Robert Pinkertoni, ai që nënshkroi më 1819 marrëveshjen me Vangjel Meksin për përkthimin e Dhiatës së re shqip, shkruante më 28 gusht 1816 për shqiptarët: “Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikut të lashtë dhe të Epirit.” Do të pranojmë, rrjedhimisht, se emërtimet Albania dhe Epiri në historinë shumëshekullore ose ndërthureshin, ose shiheshin si dy entitete të veçanta, por nuk përputhen me nocionin tonë të sotëm për Shqipërinë.

Edhe për Kontin Karaxhaji Albania ishte një entitet tjetër kundrejt Epirit. Për këtë arsye, ndonëse në titull unë kam përdorur fjalën ‘Shqipëria” për lexuesin e sotëm, brenda tekstit të përkthyer kam lënë fjalën Albania, që lexuesi të mos pështjellohet ose të habitet. Pak vjet më vonë pas tij një autor dhe udhëtar anglez, Henry Tozer në ‘Kërkime në Malësitë e Turqisë’, 1869, është shprehur pa mëdyshje, se në të dy anët e Shkumbinit jeton e njëjta racë.

Vetë autori mes të tjerash shkruan: Përpara kryengritjes së Ali Pashës të Janinës, krahinat jugore të Albanisë ishin të bashkuara me veziratin e Epirit ose Toskëria, kurse pjesa që mbetet përbënte veziratin ose ejaletin e Shkodrës. Pas disa ndryshimesh më të vogla, më 1837 ky vezirat u prish dhe vendi u vu drejtpërdrejt nën vezirin e Rumelisë, por më 1838 u rivendos, ndonëse disa pjesë u shkëputën prej tij. Kjo do të thotë se Karaxhaji pranon dy gjëra: e para, se dikur Albania ishte ajo që ne e quajmë sot Shqipëria dhe përbëhej prej dy veziratesh, të Shkodrës dhe të Epirit, por u ndanë në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pas vdekjes së këtij, ndodhën një varg ndryshimesh gjithnjë sipas synimit osman për të mos u ruajtur një tërësi shqiptare. Së dyti, autori e njëjtëson Epirin me Toskërinë. Përfundimisht, Karaxhaji na ka dhënë gjeografinë e Albanisë pas prishjes së pashallëkut të Janinës, ka zgjedhur të përshkruajë atë pjesë veriore e qendrore të Shqipërisë, për të cilën kishte mbledhur njoftime. Edhe kur kishte botuar librin për Moldavinë, Vllahinë, Besarabinë dhe Bukovinën, ai nuk mund të qortohet se kishte gabuar kundrejt shteteve të sotme, në të cilat bëjnë pjesë këto njësi gjeografike.

Këtu tashti shtrohet një pyetje tjetër thelbësore: nga i ka marrë të dhënat Konti Karaxhaji për përshkrimin dhe hartën e tij? Është shprehur qartë për këtë nënkonti Percy Strangfordi më 1865: “Krahinat e brendshme dhe malore të Shqipërisë Veriore janë një trevë e panjohur për turistët anglezë dhe pothuaj nuk janë vizituar nga eksplorues dhe udhëtarë të vërtetë. E vetmja paraqitje e njohur për mua, e cila përmban diçka të plotë për hollësitë gjeografike, është një ndihmesë e kontit austriak Karaxhaji, botuar në “Proceedings of the Royal Geographical Society”. Megjithatë ajo është mbështetur jo te një udhëtim vetjak, por te informacioni i dhënë nga kleri katolik i vendit, shumica prej të cilëve, dalmatë ose italianë, janë shtetas austriakë.” Del e qartë se Karaxhaji është interesuar për viset tona, ndërsa lëndën për to e ka mbledhur nga goja e të tjerëve. U është drejtuar klerikëve katolikë jo shqiptarë dhe me këtë shpjegohen pasaktësitë e tekstit të tij, ndonëse duket që informuesit e tij, për shkak të detyrës priftërore, i kanë shkelur ato vise, porse sa më në jug shtrihej njohja e tyre, aq më e paplotë bëhej. Njëkohësisht kuptohet përse vazhdimisht në tekst ka të dhëna për përbërjen fetare të popullsisë në ato treva.

Hapësirat shqiptare sipas Karaxhajit

Shtrirja e Albanisë sipas koordinatave gjeografike, për Karaxhajin në Lindje shkon në një vijë, e cila është një gradë dhe 10 minuta (10 10’) më e ngushtë se e ashtuquajtura Shqipëria Etnike. Për Karaxhajin Albania në Lindje shkon deri te Rumelia ose një pjesë e Maqedonisë së lashtë, domethënë nuk përmend ndonjë Maqedoni bashkëkohëse. Në jug-lindje kufiri i Albanisë hyn thellë, duke përfshirë Konicën dhe deri afër Mecovës, ndërsa poshtë në jug hyn sërish thellë, duke lënë jashtë majtas Delvinën dhe djathtas Janinën. Ndonëse është lënë jashtë bregdeti i Epirit, ai e quan se vija bregdetare e Albanisë është 240 milje, të cilat bëjnë rreth 380 km, domethënë më tepër se vija tërësore e sotme (!).

Në Veri, për Karaxhajin, Albania kufizohej me Bosnjën dhe Serbinë, domethënë nuk përmendej veçan Mali i Zi. Në tekst shprehet se një pjesë e Albanisë Veriore është nën sundimin e Austrisë, domethënë Gjiri i Kotorrit dhe Budva. Në Jug Albania kufizohet me Epirin dhe me shifra 4025’ (Shqipëria e sotme shkon deri në Konispol, 3938’ të gjerësisë jugore).

Gjeografia dhe të dhëna të tjera

Harta e Albanisë është botuar së bashku me tekstin përshkrues, si edhe veçan, në të dy rastet për Shoqatën Gjeografike Mbretërore. Botuesi ka qenë J. Murray, ndërsa me punën hartografike është marrë John Arrowsmith (1790-1873), hartografi më i njohur anglez i asaj kohe. Me këtë kuptohet përse është një paraqitje aq e hollësishme dhe me cilësi, pavarësisht prej konceptimit të saj, që natyrisht i përket F. Karaxhajit dhe jo J. Arrowsmith-it. Shkalla është 1:1.200.000, 13,5 x 9 inç. Kjo hartë është e mbushur me emërtimet përkatëse në mënyrë kaq të hollësishme, sa mund të krahasohet me hartat ushtarake të sotme.

Një pyetje e mëtejshme, është se cila ka qenë harta e përgjithshme e kësaj pjese të Ballkanit perëndimor, mbi të cilën janë hedhur të dhënat për Albaninë. Besoj se Arrowsmithi i ka hedhur të dhënat e Karaxhajit në një prej hartave të veta anglisht, që i kishte të gatshme.

Harta e botuar veçan dhe bashkë me tekstin e punimit ka edhe një legjendë anglisht. Nuk ka përputhje të plotë ndërmjet tekstit dhe hartës. Karaxhaji e kishte të mangët njohjen për ndarjen politike të vendit dhe do ta besojmë se legjendën për hartën e ka përpiluar Arrowsmithi me njohuritë e veta.

Si në çdo punim gjeografik, natyrisht që pjesën kryesore do ta zinin paraqitja e maleve bashkë me përbërjen e tyre gjeologjike dhe ndonjëherë të mineraleve, majat e kullotat e tyre, si dhe sa janë të pyllëzuar e me çfarë llojesh të drurëve; më tej fushat dhe shkalla e pjellorisë së tyre dhe bimët bujqësore kryesore; liqenet e kënetat me peshqit e shpendët e tyre, vijat ujëndarëse, lumenjtë që nga burimi e deri te grykëderdhja, bashkë me natyrën e brigjeve të tyre dhe të luginave që formojnë, si dhe me të dhëna për mundësitë e lundrimit nëpër ta; grykat e njohura krahas mundësive që japin për t’u mbrojtur nga një armik sulmues; klima; kulturat bujqësore dhe bimësia natyrore, pemët frutore dhe prodhimet kryesore të bujqësisë e të blegtorisë (dhentë e dhitë janë të shumta nëpër gjithë viset malore të Albanisë), kafshët e egra, produktet e ndryshme për tregti dhe në veçanti zejtaria për armët e zjarrit. Me kujdes të veçantë janë treguar tiparet e bregdetit me gjiret, limanet, thellësinë e ujit, erërat detare dhe mundësitë e ankorimit, deri edhe piakt e doganave dhe magazinat e mallrave. Pjesa e fundit është një përpjekje për të dhënë rrugët ose më mirë vijat e komunikimit ndërmjet krahinave e qendrave kryesore të banimit e të tregtisë dhe për qëllime ushtarake. Përgjithësisht thuhet se nëpër vend gjatë muajve të thatë mund të kalojë një ushtri, por jo e ngarkuar me artileri të rëndë.

Nga moria e të dhënave të ndryshme të këtij punimi do të nxirrja në dukje fare pak të dhëna demografike, ndonjë njoftim historik dhe sidomos veçoritë etnografike. Besoj se ato do të ngjallnin kureshtjen e cilitdo lexues, i cili ndërkaq ka edhe njohuri për gjendjen e sotme.

Shqiptarët e bregdetit nga Tivari në Ulqin Konti Karaxhaji i quan detarët më të mirë të Mesdheut. Qyteti i Tivarit duhet të ketë mbi 2500 veta. Banorët e krahinës janë të krishterë dhe myslimanët banojnë kryesisht në qytet. Prodhohen deri 5000 fuçi me vaj ulliri për eksport. Për Fushën e Plavës njofton se përfshin 23 fshatra me popullsi 6-7000 veta të besimit katolik, që nuk u paguajnë haraç turqve.

Shkodra si pashallëk arrin deri te 100.000 banorë, gjysma e të cilëve janë katolikë. Qyteti ka 40.000 frymë dhe përbëhet nga kështjella, lagjja Tabakët e myslimanëve dhe Terzia e katolikëve. Tregtarët janë të pasur dhe eksportojnë prodhime deri në Trieste, Venecie e Vlorë. Fushën e Shkodrës e vlerëson si tokën më pjellore në Albani. Matjanët janë në gjendje të përhershme kryengritjeje. Katër fise (Kelmendi, Hoti, Shala e Shoshi) quhen së bashku Malësorët ose banorët e Katër Maleve; “ata janë luftarakë dhe jashtëzakonisht të aftë në përdorimin e armëve”.

Sipas Karaxhajit, brenda në kështjellën e Leshit është një xhami, aty ku ishte më parë kisha Shën Mëri Nikolla i Barit. Dhe: “Në këtë kishë është varrosur i famshmi Gjergj Kastrioti, që njihet më mirë me emrin Skënderbeu.”

Prizreni ka 15-20.000 banorë, ka punishte të mëdha armësh dhe pushkët e pisqollat janë shumë të vlerësuara. Për sanxhakun e Elbasanit përmenden pesë qytete. Ndwr to Kavaja ka 9 deri 10.000 banorë, domethënë njësoj me Durrësin, ndërsa këtu prodhohet një djathë i mirë, i cili eksportohet deri në vise të largëta të Perandorisë Turke. Për Tiranën jep shifrën 10.000 banorë dhe është pranë lumit Jakon, që do të ishte emri i Lanës së sotme.

Nëpër sanxhakun e Ohrit kalonte Rruga Egnatia, e cila edhe në atë periudhë përdorej për trupat osmane që vinin nga Stambolli deri në Shqipëri. Interesante është se thotë që aty pranë ka miniera argjendi e squfuri, por që nuk shfrytëzohen. Kruja ka mbi 15.000 banorë dhe Konti nuk lë pa vënë në dukje se ka qenë selia e Skënderbeut, ndonëse gabon duke e quajtur këtë qytetin e tij të lindjes.

Për sanxhakun e Vlorës vihet në pah se nga pyjet e pishës merret lëndë ndërtimi e shkëlqyer, ndërsa ka puse nafte në disa vende; nafta mblidhet dhe eksportohet. Më duket se ky është njoftimi i parë për eksportin e naftës nga vendi ynë. Gjirokastra ka mbetur vetëm me 4000 banorë, sepse popullsia është pakësuar shumë prej murtajës më 1814.

Vlerësimi më i drejtë i punës së Kontit Karaxhaji, pa dyshim do të bëhej duke e krahasuar me paraqitjet bashkëkohëse të po kësaj natyre, sepse gjatë rrjedhës historike shumë gjëra kanë ndryshuar. Ky është një lëmë i mirëfilltë pune për gjeografët tanë, prandaj mua do të më lejohet të sjell vetëm një rast. Në vitin 1848 është botuar po në Londër një përmbledhje e gjerë, e cila është rishtypur me plotësime edhe më 1860. Aty shkruhet se Shqipëria (Albania): “është një vend i cili nga pikëpamja e pozitës dhe e shtrirjes përputhet me Epirin e lashtë dhe me Ilirikun.” Kemi kështu një përkim të plotë me vështrimin e Karaxhajit për Albaninë dhe Epirin. Popullsia e shqiptarëve vlerësohet rreth dy milionë.

Një hartë tjetër anglisht, e përgatitur nga Xhon Rapkini dhe ilustruar H. Uorreni; bënte pjesë në Atlasin e ilustruar dhe historinë e kohëve të reja të Xhon Talisit, Londër 1851. Këtë radhë Shqipëria me emrin Albania nis nga Tivari dhe shkon poshtë deri në Prevezë, ndërsa djathtas kufizohet me Maqedoninë Turke, në jug të saj me Thesalinë Turke dhe poshtë tyre vjen Greqia. Në cepin e djathtë lart të hartës është një pikturë e Ali Pashës gjysmë i shtrirë, me një shërbëtor në gjunjë poshtë minderit, duke i shërbyer çaj. Mund të jetë një pikturë e panjohur për Ali Pashën. Paraqitja e pashait është mjaft e ndryshme nga piktura e Lui Dypresë, që e jep në varkë në liqenin e Butrintit (1819).

Përveç danezit Malte-Brun, te punimet e Karaxhajit është mbështetur edhe Hajnrih Kiperti (1819-1899) për hartat e vitit 1847, botuar në Vajmar nga Instituti Gjeografik. Vënia në dukje e lidhjeve të tilla ka interes për të treguar se vepra e Karaxhajit nuk ka mbetur e panjohur, e sidomos për të vërtetuar që ajo ka luajtur rolin e vet në opinionet e diplomatëve britanikë, të cilët pak nga pak po i afroheshin çështjes shqiptare brenda Perandorisë Osmane, që kishte hyrë në fazën e shpërbërjes, opinione të cilat patën ndikimin e tyre në Kongresin e Berlinit më 1878 e deri përfundimisht në Konferencës e Londrës më 1913. Në fund të fundit, çdo koncept politik për një shtet dhe vetë kufijtë e tij, që përcaktohen e ripërcaktohen gjithmonë pas luftërash, gjejnë pasqyrim konkret në një hartë dhe në përshkrimin gjeografik brenda vijave të saj. Nga ky këndvështrim rrjedh rëndësia e punës së Kontit Karaxhaji jo thjesht nga ana gjeografike dhe etnografike, por edhe për historinë politike të shtetit tonë.

Nga Xhevat Lloshi / KultPlus.com

Ali Aliu dhe Xhevat Lloshi fitues të çmimit “22 Nëntori”

Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi janë fitues të çmimit “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.

Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.

“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.

Për shqiptarët, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare./atsh/ KultPlus.com

110 vjet më pas, të pathënat e Kongresit të Manastirit

Shkruan Xhevat Lloshi

Ngjarjet madhore nganjëherë rrëfehen si histori rozë për gocat. Një nga arsyet është se vështrohen të shkëputura nga rrethanat reale të njerëzve që marrin pjesë, nga marrëdhëniet ndërmjet tyre, nga karakteret, nga interesat materiale dhe nga ambiciet e tyre, që të gjitha pjesë e natyrës njerëzore, e cila për më tepër është në një ecuri me ndryshime në rrjedhën e kohës, sepse në fund të fundit njerëzit nuk janë shenjtorë e do të shtoja, se vetë shenjtorët nuk kanë qenë edhe aq të shenjtë.

Me Kongresin e Manastirit për shembull, të cilit sapo i festuam 110-vjetorin, lidhen dy emra të njohur njerëzish realë.

Rrëfimi nis pak më herët sesa viti 1908.

Në faqet e “Albanisë” që e botonte Faik Konica nga viti 1897, kishte nisur një debat, në të cilin autorët shprehnin parapëlqimet e tyre kundrejt alfabeteve. Kjo ka rëndësi për të ditur se me çfarë pikëpamjesh do të vinin në Manastir delegatët. Vetë Konica ishte kundër alfabetit të Stambollit dhe nuk pëlqente as alfabetin e autorëve të vjetër, por anonte më shumë nga ai i Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës.

Meqë mëtonte (nr. 7, 1897) se nga 387 letra të ardhura për revistën, vetëm 103 ishin me alfabetin e Stambollit, u detyrua Mit’hat Frashëri t’i përgjigjej (nr. 10), se përkundrazi, ky ishte më i miri, më i bukuri dhe pa asnjë të metë, prandaj nuk kishte lëkundje për ta bërë të pranuar nga të gjithë alfabetin e Stambollit. Dy qëndrime ashpërsisht të kundërta ishin përvijuar pa u mbyllur shekulli XIX.

Idenë përbuzëse për shqiptarët, se nuk do të ishin vetë në gjendje të përcaktonin alfabetin përfundimtar, Konica e ka vënë në zbatim, duke u dërguar një letër frëngjisht (nr. 6, 1898) albanologëve që të jepnin një mendim, por i përjashtonte shqiptarët e Italisë, që të ndërhynin për këtë çështje.

Iu drejtua 15 të huajve. (A nuk thonë ca e ca edhe sot, se historinë duhet të na e shkruajnë të huajt?) E pranonte se mbledhja e një kongresi nuk ishte e lehtë dhe u parashtronte tri pyetje paraprake: a duhen pranuar shkronjat dyshe; a mund të pranohen njëkohësisht shkronjat njëshe dhe dyshe; a do të kishte një pamje të keqe, nëse zbatoheshin bashkëtingëllore prej disa shkronjash. Përgjigjet kanë ardhur duke nisur në nr. 7 me gjuhëtarin e njohur francez M. Brealin, i cili me delikatesë i ka vënë në dukje, se në këtë fushë nuk ka zgjidhje tërësisht logjike.

Nuk po i paraqes mendimet e gjithë të tjerëve edhe te numri 10, meqë dalin gjëra të njohura, si: lehtësia për gjetjen e shtypshkronjave; nuk ka alfabete që të përputhen plotësisht me shqiptimin, madje po të synojë alfabeti të paraqesë gjithë nuancat e shqiptimit, do të bënte shumë më keq sesa më mirë. Përgjigjet janë mbyllur në nr. 10.

Propagandimi i alfabetit të revistës së vet dhe atij të Shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës është diçka e kuptueshme dhe e pranueshme, mirëpo njëkohësisht Konica sulmonte pa dorashka gjithë të tjerët, duke e zbuluar haptas synimin mburravec për t’u imponuar pa i zgjedhur fjalët.

Është fakt i padyshimtë, se qeveria osmane më 1898 kishte ndaluar me urdhër hyrjen në Shqipëri të çfarëdo libri me alfabetin e Stambollit, ndërsa Faiku në nr. 1 të revistës për vitin 1902 alfabetin e Stambollit, të cilin e mbronte Frashëri, e quante “turk-moskov”, “të ndyrë në të pamë”, që e përdorin “nja 10 zaptieh këmbëqelbur të Toskërisë”; na ishte alfabet “i memurëve dhe i zaptiheve, i harbutëve e i ylefxhive, me hije aziatike, i egër”. Që në vitin e parë (nr. 7) pasi e fajësonte alfabetin e Stambollit, se i kishte rënduar të metat e gjithë alfabeteve të tjera, vijonte me një pohim nihilist: “çështja e shkrimit të shqipes do të zgjidhet vetëm kur të ndodhë një ndryshim politik në Shqipëri.”

Ky ishte një pohim më e pakta naiv, sepse shqiptarëve alfabeti i përbashkët u duhej pikërisht si një ndër mjetet për të luftuar që të ndodhnin ndryshime politike të statusit të Shqipërisë, ndërsa po të arrihej pavarësia, do ta humbiste mprehtësinë e vet dhe do të ishte thjesht punë e orientimeve kulturore dhe e teknikës tipografike; rrjedhimisht, çështja shtyhej për një të ardhme të paqartë dhe nuk shfaqej asnjë hije për ndonjë kuvend.

Konica ishte kundër mendimeve të ndryshme rreth alfabetit, sepse e quante zgjidhjen e vet si më të mirën. Në nr. 9 të vitit 1905 e vlerësonte se kishte ardhur koha t’u jepej fund bisedimeve dhe të vendosej ai i Bashkimit me disa ndryshime për ta afruar me të vetin. Madje në atë vit e ka quajtur të pamundur një mbledhje të përgjithshme.

Në numrin 4 të revistës për vitin 1906, pasi gëzohet për përparimin e abëcësë së Bashkimit, meqë e përdornin ’Kombi’ i Bostonit dhe ‘Shpresa’ e Raguzës, Konica shfren sërish kundër alfabetit të Stambollit, e quan helm, abëcë sllavishte të memurëve. Dhe vijon me sarkazëm të hidhur: “Anëtarët e kësaj abeje kanë themeluarë një mënyrë feje, me hierarkië priftore, me theologë, me predikonjës e me kanune-kishe.

Pontifi i lartë është një Lumo Skëndo, edhe krye-përvendësi i tij është Kristo Luarasi” etj., etj. Më tej, me inatin kundër Frashërllinjve, degradon në sharje edhe kundër Naim Frashërit si “pontifi i lartë i tyre” i mëparshëm, dhe: “A nuk është vërtet se, si në të shkruar si në të folur, fanatikët i jipjin Naimit titullin “Shënjt”?” Cilësimin ‘memurë’ e ka shpërdoruar sërish në nr. 6 me një artikull të gjatë “Themeli i çdo përparimi edhe çështja e abesë”. Sipas tij, anëtarët e Shoqërisë së Stambollit, “me kuximin e të paditurve dhe të shtazave, nxuarnë alfabetin më të përzjerë e më të çuditshëm të botës”, ndërsa e përsërit fyerjen “shtazat e huqumetit.” Sa për veten, lëvdohet se ”unë hodha të parën urë kombëtare në mes të Gegëris’ e të Toskërisë”.

Më vonë do të përqeshte fjalinë e shqiptuar në materialet e Kongresit të Manastirit, në të cilën përmendej termi “tradhtarët”, por është ai vetë që këtu ka shkruar: “ka gjëra me të cilat është një mënyrë tradhësie të lozim.” Me një vetëbesim kapadaiu ka shtuar se: “Një alfabet i ri nukë ka për të mbyllur, po për të shtuar çarjet”. Historia, me alfabetin e Kongresit të Manastirit të cilin e përdorim edhe sot pas 110 vjetësh, vërtetoi krejt të kundërtën.

Nuk mbeten dyshime, se Konica nuk bënte pjesë në mendimtarët rilindës, të cilët “u bënin thirrje gjithë shoqërive gjuhësore dhe ‘shkronjësve’ të gazetave shqipe, që të ‘arrinin një marrëveshje e të pranonin një alfabet të njëjtë për shkrimin e shqipes”, siç shkruanin Sh. Demiraj dhe K. Prifti në revistën “Gjuha jonë” (nr. 1-4, 2008, f. 102), duke cituar si të parin një artikull të ‘Albanisë’ te nr. 7, 1897. Në këtë artikull “Puna e letrave”, qysh në krye Konica shan alfabetin e Stambollit dhe të Bukureshtit se kanë shkronja të liga dhe pa vlerë, madje të huajt u tallkan me ne.

Nga ana tjetër, lëvdon alfabetin e revistës së vet dhe beson se po të merret vesh me disa mëmëdhetarë dhe të pyesë katër albanologë, alfabeti i tij do të rrënjoset e do të bëhet i përgjithshëm. Premton se në numrin pasues do të paraqesë “shkake të thella” për mbështetjen e vetvetes. Po në këtë numër 7 e rimerr subjektin në artikullin frëngjisht La question de l’écriture albanaise. Në numrin pasues 8, sërish vetëm frëngjisht, asnjë shkak të thellë nuk ka aty, ndërsa rimerret ideja se alfabeti përfundimtar duhet të arrihet edhe me ndihmën e albanologëve seriozë. Njësoj nuk qëndron pohimi i N. Dervishit në librin “Manastiri vatër e Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (2018), se Faik Konica ishte “një ndër personalitetet që aq shumë kishte lobuar për thirrjen e një kongresi për unifikimin e alfabetit shqip”, sepse asnjë ‘lobim’ i tillë nuk vërtetohet.

Megjithëse F. Konica nuk mori pjesë, Kongresi i Manastirit u bë edhe pa qenë një ndër ‘yjt e Shqipërisë së sotme”.

“Albania” e shënon numrin 5 si të vitit 1907, ndërsa është e qartë se ai numër ka dalë në fund të vitit 1908. Në rubrikën “Dyke qarë e dyke qeshur” ka një syth: “Kongresi i Abecesë”, ku me të tallur njoftohet, se më 1 nëntor 1908 do të mbahej Kongresi për “një abe të perëndishme”.

Sythi është pa emër. Më vonë, në numrin e fundit, saktësohet se u harrua, që të shënohej se sythi ishte nga Pesimisti, domethënë Fan Noli, i cili gjithashtu nuk kishte marrë pjesë, po sidoqoftë ka shkruar me pseudonim, sepse ftesa i është bërë. Rrjedhimisht, nuk është e vërtetë se ai bënte pjesë ndër të shquarit e paftuar, siç do ta formulonte Konica: “armiqt’ e qytetërisë dhe të njerëzisë, me dinakërin’ e zakonëshme t’Anadollakëve, nuk ftuan as një kombëtar të njohur si të këtillë”.

Nuk kam gjetur ndonjë reagim tjetër nga Fan Noli për Kongresin e Manastirit, përveç përgjigjes ndaj ftesës, por është fakt, se “Dielli” (3 shtator 1909) ndonëse përmendte kritikat për Kongresin, shprehte besimin se do të mbetej vetëm alfabeti latin dhe nga nr. 3 ai nisi të përdorte alfabetin e ri dhe, besoj, këtë e ka bërë Fan Noli.

Më poshtë po në atë numër të fundit të vitit 1908 dhe jo 1907, në faqen 98, nën titullin “Kongresi i Shqipëtarëve Xhon-turq”, Faik beu ankohet, se i kishin bërë ftesë vetëm në orën e fundit për këtë të “vetëthënë kongres”. Pason përgjigjja nga Manastiri, e nënshkruar nga vëllai i Gjergj Qiriazit, Kristoja, siç shihet, për sekretarin N. Naçi. Nga llogaritja e datave më del se ftesa i është dërguar në fillim të tetorit. E si mund të dërgohej më parë? Një ftesë e botuar nga Arkivi Qendror për një ‘arësimdashës” është e 23 shtatorit.

Një tjetër për shqiptarët në Fajum është e 24 shtatorit. Vetë ftesa për Th. R. Hoxhsonin, përgjegjësin e Shoqërisë Biblike Britanike në Stamboll është e datës 27 shtator, domethënë ka ndryshim gjithsej prej disa ditësh. Dihet se mundësia që shqiptarët të vepronin hapur u krijua vetëm pas shpalljes së Kushtetutës më 23 korrik 1908, madje me pjesëmarrjen vendimtare të shqiptarëve, prandaj vendimi nga Klubi i Manastirit për të mbajtur Kongresin është shpallur vetëm më 27 gusht dhe e parashikonte konkretisht, që do të ftoheshin autorët e njohur edhe nga Amerika.

Letra e Kristos për Konicën është me shumë mirësjellje, e cilësuar si e veçantë për Faikun, i cili renditet ndër njerëzit “nga të parët ndë këtë punë”. Përgjigjja e Faikut është duke shtrembëruar datat dhe shumë fyese për Kriston, meqë nuk ia paskan dërguar njoftimin të parit atij, sepse ai e ka “më të vjetrën fletë shqipe”. Edhe kjo ishte thjesht një e pavërtetë, ndërsa pjesëmarrësit i quan “pilafçinj turq” dhe “këmbëlëpinjës të krishterë”.

Dihet se në një dorëshkrim të fundit të shek. XIX Konica e kishte mohuar gjithë punën rilindëse përpara tij dhe mëtonte se gjithçka kishte filluar me të, domethënë edhe shtypi shqip. Aty ka edhe pasaktësi qesharake, sepse si është e mundur që më 1899 të shkruhej, se Gjergj Qiriazi kishte botuar një libër aritmetike me pseudonimin Thanas Sina, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 1898 ishin botuar shqip vetëm nja 17 libra, ndër ta dhe ”Numëratore” e Sinës.

Në të vërtetë Konica prej kohësh ishte shprehur, se nuk duhej një mbledhje e përgjithshme. Te po ai numër i vitit 1908 (jo 1907) e kishte shkruar me tallje në kohën e ardhshme të foljes, se do të bëhej Kongresi, por e paska harruar ca faqe më poshtë se tashmë kongresi ishte bërë, kur ai numër i revistës është shtypur.

Kongresi i Manastirit u hap më 14 nëntor 1908. Delegatët me të drejtë vote u mblodhën në një sallë veçan dhe me vota të fshehta zgjodhën drejtuesit e punimeve: kryetar M. Frashëri, nënkryetarë L. Gurakuqi e Gj. Qiriazi dhe 3 sekretarë. Kryetar nderi u zgjodh valiu i Manastirit, Hivzi Pasha, ashtu siç e kishte programi, për të mos pasur ndonjë fërkim me autoritetet vendëse. Meqë nuk kishte ardhur Mit-hat Frashëri, u votua ta zëvendësonte Gjergji për kohën që do të mungonte. Duket sikur çdo gjë kishte nisur mbarë.

Mjaft përralla tonat mbarojnë me shprehjen: “Dhe rruan e trashëguan”. Kurse mua më duket se përralla pikërisht atëherë fillon. Domethënë, askush deri më sot nuk ka shprehur ndonjë arsye as ato ditë dhe as më vonë: Përse nuk kishte ardhur M. Frashëri ditën e parë? E kërkonte etika më e thjeshtë, që kur erdhi, ai të jepte një shpjegim përpara gjithë atyre shqiptarëve.

Dita e shtunë për hapjen ishte caktuar pikërisht sepse nuk paraqiste pengesa për nëpunësit shtetërorë dhe ishte pas së premtes të myslimanëve. Faktikisht M. Frashëri ishte nëpunës osman, përkthyes i vilajetit të Selanikut. Mbetet vend për hamendësimin, se ai qëllimisht nuk u paraqit dhe priti, që të merrej vendimi se ishte zgjedhur kryetar dhe atëherë e quajti të përshtatshme të vinte, duke qenë i siguruar se do të ishte vetë në krye, domethënë do të ishte në pozita imponuese.

Programi i cili u ishte shpërndarë gjithë delegatëve, e parashikonte që si drejtues të Kongresit do të vepronin kryetari e nënkryetari i klubit “Bashkimi”: Rexhep Hoxha dhe Fehim bej Zavalani dhe pikërisht këtë nuk do ta pëlqente Mit-hat Frashëri.

Ishte programi i Klubit, i hartuar nga Fehimi dhe Gjergji, duke nxjerrë në krye mikpritësit dhe jam i bindur, se për pasojë, M. Frashëri nuk ka marrë pjesë në hartimin e variantit të parë të Programit dhe nuk e ka lënë të dalë ai variant në botimin te gazeta “Lirija” këtë pikë, ndërsa e kemi te një variant i arkivit vjenez.

Njohim tashmë jo një, por disa variante të Programit të Kongresit, por nuk do të hyj në krahasimet e tyre të hollësishme. Megjithatë, nuk dëshiroj ta kapërcej sikur nuk ka ndodhur asgjë, ashtu siç kanë bërë gjithë autorët deri më sot. Këtu ka nevojë për një shpjegim rreth emrit të Rexhep Hoxhës, meqë ai del në variantin e parë të Programit të Kongresit. Rexhep Voka (1847-1917) është përfshirë në botimin e dytë të ‘Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (2009) nga Jorgo Buloja si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe thuhet se u bë myfti i vilajetit të Manastirit më 1903 (është gabim data) dhe kjo është përsëritur në librin “100 personalitete shqiptare të kulturës islame. Shek. XIX-XX” (2012). Këtu thuhet: “Duke qenë myfti i Vilajetit të Manastirit, Hoxhë Voka u bë pritësi dhe përkrahësi kryesor i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe ose Kongresit të Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin drejtuesit kryesorë të këtij kongresi.” Këto pohime janë në kundërshtim me faktet dhe të dhënat e shtypit të kohës.

Sipas gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” (17 dhjetor 1909), kur Klubi i Manastirit përgatiti thirrjen, Rexhep efendiu nuk ishte afruar me Klubin. Pastaj u bë anëtar bashkë me tre pasues të tij dhe menjëherë, nuk e di se si, doli si kryetar. Atëherë: “… një mbrëma iu treguan gjithë çështjet e gjithë punërat e Klubit, të cilat ishin mbajtur me rregull ndë protokollë të shkruara me shkronja latinisht.” Ma merr mendja se protokollet i kishte mbajtur Gjergj Qiriazi. Kur u përgatit programi, emri i Rexhep efendiut del, sepse nënkuptohej që drejtuesit e Klubit të Manastirit, sipas traditës së njohur shqiptare, do të ishin edhe drejtuesit e kuvendit, meqë ata ishin mikpritësit; ata i kishin ftuar të tjerët në gosti. Delegatët zgjodhën tjetër kryesi dhe emri i Rexhep efendiut nuk del më gjatë punimeve. Arsyeja ishte se një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep efendiu do të emërohej myfti i vilajetit në Manastir, domethënë hierarku më i lartë fetar. Më pastaj emri i tij na del për shkakun e një veprimi të shëmtuar nga ana e tij. Ai përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e xhonturqve. Prandaj me të drejtë dhe me mprehtësi gazeta ka shkruar: “Kongreja u bë dhe zër’i tij a i shokëvet tij nuk u dëgjua të thonë, se duan shkrimin e gjuhës shqipe me shenja arabisht. Përse nuku folë atëhere?” Ka një njoftim në “Shqypeja e Shqypenisë” në numrin 17, 1910, se Rexhep Efendiu “e ka njoh fajin për gabimin që boni për shtypjen e abetarit me shkronja arabçe dhe u pendue”. (Gazeta Dita)./ KultPlus.com

Vijon…

Instituti Albanologjik nderon me konferencë jubilare gjuhëtarët Xhevat Lloshi dhe Emil Lafe

Instituti Albanologjik i Prishtinës do të organizojë një konferencë jubilare – shkencore për të shënuar 80 vjetorin e lindjes së kolosëve të gjuhësisë shqiptare, Xhevat Lloshit dhe Emil Lafes, përcjellë KultPlus.

Konferenca do të mbahet këtë të premte, më 21 shtator, në ora 11:00, në institut dhe pritet të marrin pjesë studiues të njohur të gjuhësisë shqiptare.

Seanca do të drejtohet nga: Qemal Murati, Shefkije Islamaj, Rami Memushaj dhe Hysen Matoshi.

Ky i fundit ka pohuar se gjatë këaj konference një ditore do të flitet për kontributin dhe rëndësinë e rezultateve shkencore të këtyre dy studiuesve. /KultPlus.com